• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arrestohet deputetja Donika Kadaj

November 18, 2015 by dgreca

-Policia te banesat e deputetwve Albin Kurti e Albulena Haxhiu, fletë arreti edhe për deputetin Faton Topalli/
PRSHTINË, 18 Nëntor 2015/ Deputetja Donika Kadaj-Bujupi është arrestuar sot në orët e hershme të mengjesit, njofton partia opozitare të cilës i takon, AAK, ndërsa Policia ka shkuar edhe te banesat e deputetëve të LVV, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.
Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka lëshuar fletë arrest ndaj katër deputetëve opozitarë të Kuvendit të Kosovës.
Fletë arresti është lëshuar për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin dhe Faton Topallin.
Këto zhvillime pasojnë ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, ku ka pasur hedhje gazi lotësjellës nga opozita.

LVV: Përndjekja e opozitës duhet të ndalet menjëherë
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se, “Policia ka arrestuar deputeten Donika Kadaj – Bujupi ndërsa ka rrethuar banesën e deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiut. Banesa e Albin Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës dhe aktualisht brenda po qëndrojnë disa policë.
Policia po i përgjigjet urdhërave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Deputetja Kadaj – Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë.
Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti, në mbrojtje të ‘Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi”.

AAK: Donika arrestohet me urdhër të politikës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaron: “Sot në orët e hershme të mengjesit, forca të mëdha policore kanë arrestuar deputetën e AAK-së, Donika Kadaj, në dalje të shtëpisë së saj.
AAK i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhëra politike të të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Mustafës, Thaçit dhe Veselit.
AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkunder shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
AAK kërkon lirimin sa më parë të deputetes, Donika Kadaj!”.(Fotografia-Kortezi-Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohet, deputetja Donika Kadaj

SHTYPI-Kosovë-Kriza në Kuvend shkallëzon në dhunë

November 18, 2015 by dgreca

-Kryetitujt e shtypit të sotëm në Kosovë: Përshkallëzohet dhuna në Kuvend. Kriza eskalon në dhunë. Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë. Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja. Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2015/ “Përshkallëzohet dhuna në Kuvend” dhe “Kriza eskalon në dhunë”, janë kryetituj ballinash në shtypin e sotëm kosovar, ku theksohet se, nëpër “tym e mjegull” dhe nën ndikimin e gazit lotsjellës deputetët e mazhorancës kanë miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e vitin 2016, se opozita dje ishte më e organizuar, duke përdorur edhe sprejin bashkë me gazin lotsjellës në Kuvend dhe se, tensionet nga brenda janë bartur edhe jashtë objektit të legjislativit.
Gazeta Zëri shkruan se, pas një “armëpushimi” trijavor sërish është kthyer dhuna dhe tensionet në Kuvendin e Kosovës, madje edhe më e përshkallëzuar sesa gjatë tre muajve të kaluar. Dje deputetët e tri partive opozitare në përpjekje për ta parandaluar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme plenare, që në rend dite kishte miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Buxhetin për vitin e ardhshëm, kanë përdorur sërish gaz lotsjellës e madje kësaj here edhe spërkatësin “djegës” kundrejt përfaqësuesve të Qeverisë dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Kështu para se të nisë zyrtarisht mbledhja kryetari i Kuvendit Veseli ka shpallur pauzë dhe më pas deputetët e partive në pushtet e kanë vazhduar seancën në një sallë të improvizuar në katin e pestë të Kuvendit. Në këtë seancë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, të cilët janë shprehur të zhgënjyer me dhunën që kanë parë në legjislativ. Por, derisa seanca po vazhdonte në sallën alternative deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës dhe spërkatës edhe nëpër korridore të Kuvendit në drejtim të sigurimit, pasi nuk po i lejonin të shkonin tek kjo sallë, ku po mbahej seanca. Me këtë rast edhe sigurimi u është përgjigjur me spërkatës, nga i cili është lënduar deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, dhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, të cilëve u është ofruar ndihma mjekësore.
Ndërsa Koha Ditore raporton se, të përlotur dhe nëpërmjet dritareve e kanë lëshuar të martën Kuvendin deputetë të subjekteve në pushtet, pasi paraprakisht në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur në një sallë alternative kanë votuar në parim Buxhetin e 2016-s.
Ata janë përballur me gazin lotsjellës të kolegëve opozitarë, që e hodhën në shenjë proteste për moslejimin e tyre në séance.
Brenda një orë, në Kuvend ka pasur tre raste kur është aktivizuar lotsjellës. Ndryshe nga herët e tjera, të martën është përdorur edhe sprej piperi. Në anën tjetër, deputetët opozitarë që kanë përdorur këto mjete, në disa raste gjatë ditës janë përplasur me Policinë brenda dhe jashtë godinës së legjislativit.
Ka pasur edhe një përpjekje për arrestimin e Albin Kurtit, por ka dështuar. Përplasje ka pasur edhe jashtë Kuvendit. Një numër aktivistësh opozitarë kanë protestuar dhe janë përleshur me policinë. Ka pasur të lënduar nga të dyja anët. Ka pasur edhe të arrestuar. Janë shkaktuar edhe dëme materiale.
“Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë”, është kryetitulli tjetër, ku Epoka e Re thekson se, njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, i ka cilësuar të gabueshme dhe të pakuptimta veprimet e opozitës për ta bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, duhet të reflektojnë në këtë rast dhe të kuptojnë se pakica nuk mund ta imponojë agjendën e shumicës parlamentare. Në këtë intervistë për gazetën, Maliqi ka deklaruar se udhëheqësit e këtyre dy subjekteve politike nuk duhet të bëhen vegla të Lëvizës Vetëvendosje. “Sipas asaj që ka ndodhur në dy muajt e fundit, mendoj se opozita duhet të reflektojë seriozisht dhe të shikojë se çfarë veprime po ndërmerr. Sidomos këtë duhet ta shikojnë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e Nismës. Duhet të reflektojnë se a duhet të jenë ata vegla të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosje-s, e cila është parti e papërgjegjshme në këtë situatë”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se me veprimet e saj opozita po e bën shumë më të arsyeshme Qeverinë para bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas Maliqit, rruga që ka zgjedhur opozita do të sjellë më shumë pasoja për këto tri subjekte politike sesa për Qeverinë. “Deri më tani nuk po shoh se opozita ka një koncept të qartë që do të prodhonte një Qeveri më të mirë sesa që kemi tash. Nëse me të gjitha këto provokime dëshirohet të shkohet në zgjedhje, mendoj se është një strategji e gabueshme e opozitës, sepse krejt këto veprime që i ka bërë në dy muajt e fundit jo që e rrisin popullaritetin e opozitës, por e ulin përkrahjen e këtyre tri subjekteve politike”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për veprimet e deputetëve të opozitës në seancën e së martës, ai ka thënë se hedhja e sprejit në drejtim të sigurimit të Kuvendit dhe kabinetit qeveritar është një protagonizëm i sëmurë. Maliqi ka thënë se përkrahja që po ia jep Qeverisë aktuale bashkësia ndërkombëtare po tregon për rrugën e gabueshme që ka zgjedhur opozita. “Kjo është një porosi e qartë se kjo çfarë po bën opozita nuk është aspak diçka që shtetet perëndimore mund ta përkrahin ose ta kenë ndonjë lloj mirëkuptimi. Me këtë lloj të insistimit, me këtë lloj dhune që po e përdor opozita, kjo Qeveri në sy të ndërkombëtarëve po duket shumë më e arsyeshme sesa do të ishte nëse opozita do ta sulmonte Qeverinë në ato pika që besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo Qeveri është e dobët dhe nuk ka treguar punë sa duhet”, është shprehur Maliqi.
“Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja”, sipas kryetitullit të gazetës Bota Sot, e cila thekson “luftën e pakompromis të opozitës me gaz lotsjellës dhe sprej”.
Ndërsa sipas kryetitullit të Kosova Sot, “Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi”. Kjo gazetë thekson se “shtohen tensionet në Kuvendin e Kosovës” dhe se “gjykata lëshon fletë-arrest për deputetë të opozitës”.
Kuvendi i Kosovës në seancë pa opozitën, në një “sallë alternative”, miratoi dje në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Me kërkesë të qeverisë, e cila u takua edhe në mëngjes, me masa të shtuara të sigurisë Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh paradite në seancë të jashtëzakonshme, ku në axhendë e vetmja pikë ishte shqyrtimi i parë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, i cili në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro është miratuar nga kabineti qeveritar në 30 tetor.
Seanca ishte ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila kishte paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare. Opozita që në fillim pengoi zhvillimin e seancës, dhe derisa gazi lotësjellës përsëri u pa në sallën e seancave plenare ku kishte edhe përplasje me sigurimin, kryeparlamentari Kadri Veseli dha pushim dhe ftoi për një mbledhje të Kryesisë.
Pas pushimit seanca e Kuvendit të Kosovës kaloi në një “sallë alternative”, derisa edhe në ambiente të tjera të ndërtesës opozita hodhi gaz lotësjellës derisa jashtë kishte grumbullime proteste dhe përplasje me policinë./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: shkallëzon në dhunë, SHTYPI-Kosovë-Kriza në Kuvend

Opozita Kosovare para Provës së Madhe

November 18, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Po bëhen gati tre muaj që prej 25 gushtit 2015 që kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë nënshkruar në Bruksel me kryeministrin serb Vuçiç një marrëveshje antikombëtare që ka për qëllim copëtimin e trojeve të Kosovës apo, thënë ndryshe, bosnjëzimin e Kosovës. Kjo marrëveshje shënon aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare që kanë kryer këta mercenarë të shitur kokë e këmbë te Beogardi.
Pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje tradhtarësh, Thaçi me Mustafën, si dy argatë të bindur të Beogradit, gjatë kësaj periudhe që ka kaluar, janë munduar që asaj t’i japin fuqi ligjore, përmes votimit në parlament. Por deri tani nuk kanë mundur t’ia arrijnë qëllimit, për shkak të kundërshtimit të vendosur të opozitës.
Nga mjetet e informimit masiv, deri tani kisha mësuar në vija të përgjithshme se, sipas asaj marrëveshjeje, duhet të krijohet shoqata e komunave serbe (i shtuquajturi asociacion), me atribute autonomiste, me qëllim që hartës së Kosovës t’i japin pamjen e lëkurës së leopardit. Me fjalë të tjera, sipas asaj marrëveshjeje, serbët e Kosovës do të vetëqeverisen dhe varësinë do ta kenë drejtpërsëdrejti nga Beogradi, çka do të thotë se nuk e njohin autoritetin e Prishtinës.
Pra, pas gjithë atyre krimeve të rënda, pas gjithë atij gjenocidi të egër që shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe ushtruan ndaj popullit shqiptar të Kosovës, mbas gjithë atyre shkatërrimeve barbare që shovinizmi gjaksor serb kreu në mbarë territorin e Kosovës, ku minoriteti serb ishte mbështetja më e fuqishme e Millosheviçit në synimin e tij për zbrazjen e Kosovës nga banorët e saj shqiptarë, tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa hedhin firmat për autonomizimin e minoritetit serb brenda territorit kosovar.
Në vend që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të kishin menduar me kohë e me vakt për përgatitjen e një Rezolute të posaçme për gjenocidin serb, për vrasjet barbare, si në skenat e mesjetës, për djegiet dhe shkatërrimet, për përdhunimin e 20 mijë grave dhe vajzave, për vrasjet e mijëra qytetarëve dhe zhdukjen e kufomave të tyre, për kompensimin e të gjitha dëmeve të rënda që Beogradi i shkaktoi Kosovës, dhe këtë Rezolutë, të shoqëruar me prova dhe fakte konkrete, t’ia nisnin Këshillit të Sigurimit, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kongresit dhe Senatit Amerikam, si edhe Brukselit, ata, përkundrazi, vendosën t’i dhurojnë Beogardit vetadministrimin e komunave serbe, përmes autonomizimit të tyre.
Në këto kushte, vjen vetvetiu përfundimi se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë agjentë të regjur të Beogradit, të cilët me siguri që kanë hyrë në shërbim të tij këtu e shumë vite të shkuara.
Unë, siç e përmenda më lart, kisha marrë të dhëna se në themel të marrëveshjes ishte autonomia e komunave serbe. Por nuk e kisha informacionin e duhur se si duhet të konkretizohet kjo marrëveshje. Fatmirësisht, përmes faqeve të internetit u njoha me disa fakte konkrete që dëshmojnë për gjëmën qëi kanë përgatitur Kosovës dy kryetradhtarët e saj me damkë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
Nga një analizë e zotërisë Idriz Zeqiraj, të botuar në internet pak ditë më parë, mësova të vërtetën tragjike që përmban marrëveshja në fjalë. Në atë analizë, sa të argumentuar dhe profesionalisht të realizuar, zotëria i nderuar Idriz Zeqiraj shkruan:
“Mjaftojnë tri çështje që ngërthejnë marrëveshjen për “Zajednicën”:
1. Ushtria e Kosovës nuk lejohet të depërtojë në Veri.
2. Lejet për kthim dhe ndërtim të shtëpive të shqiptarëve, janë në varësinë ekskluzive të komunës, me shefa serbë;
3. Pikën doganore në Veri e vjel komuna, e cila e njeh për shtet Serbinë dhe jo Kosovën. Rrjedhimisht, një shtet i huaj, pra, Serbia, menaxhon pikën doganore!!! Ndërkohë që kudo në botë doganat janë monopol shtetëror” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Veprimet provokuese dhe tërbuese të Hashimit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 nëntor 2015).
Vetvetiu lind pyetja:
Po Brukseli, si ndërmjetës, ç’qëndrim po mban ndaj kësaj marrëveshjeje?
Nënkuptohet që, përderisa tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në prani të përfaqësueses së Bashkimit Evropian Federika Mogherini, kanë pranuar kërkesat e Beogradit që i ka bërë publike zotëria Idriz Zeqiraj që e citova më lart, atëherë Brukseli s’ka pse të ketë ndonjë kundërshtim. Sepse Bashkimi Evropian, fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, mori tërësisht anën e Serbisë dhe atij i intereson vetëm fati i Serbisë, sespe prapa saj vigjëlon Rusia, armikja e betuar e kombit shqiptar. Për këtë përkrahje të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian dhe braktisjen e Kosovës në mëshirën e fatit, dëshmon ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zanieri, i cili, më shumë se katër vjet të shkuara, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka pasë deklaruar:
“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16 prill 2011).
Faktin që Brukseli është tërësisht në anën e Serbisë dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015, informacioni i mëposhtëm e vërteton pa mëdyshjen më të vogël:
“Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që t’i implementojnë detyrat. të cilat i kanë shkruar në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës suspendoi këtë marrëveshje deri në marrjen e një vendimi pas kërkesës së Presidentes së Kosovës, Brukseli thotë se marrëveshja e arritur më 25 gusht ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandër Vuçiq, duhet të implementohet.Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogherini, tha se BE pret zbatimin e marrëveshjes së arritur.
“Ne nuk i komentojmë proceset gjyqësore që janë në rrjedhë, por presim që marrëveshja e 25 gushtit të implementohet.Të dyja palët janë përgjegjëse për pjesën e tyre të punës në implementim”” (Citohet sipas:“Çfarë thotë BE për suspendimin e Asociacionit?”. Faqja e internetit e gazetës “Bota sot”. 11 nëntor 2015).
Qëndrimi prej tradhtarësh me damkë i Hashim Thaçit dhe i Isa Mustafës, të cilët, për të pasur përkrahjen e Brukselit në ruajtjen e kolltuqeve të tyre të turpshme dhe duke shkelur si pa gjë të keqe mbi gjakun e të rënëve për lirinë e Kosovës, pranuan të ulen në dialog me Serbinë millosheviçiane, pa përgatitur paraprakisht Rezolutën e lartpërmendur, më kujton qëndrimin tradhtar të Enver Hoxhës ndaj shovinizmit grekokaragjoz, me të cilin ai pranoi të lidhte marrëdhënie diplomatike më 06 maj 1971, pa kërkuar paraprakisht prej tij abrogimin e ligjit të luftës. Meqenëse ky ligj është ende në fuqi edhe sot e kësaj dite, për shkak të qëndrimit tradhtar të Enver Hoxhës ndaj Athinës shoviniste, Greqia vazhdon të mos e njohë tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, popullsia shqiptare e Çamërisë nuk është kthyer në trojet e veta dhe minoriteti shqiptar në Greqi nuk gëzon asnjë të drejtë.
Analisti ushtarak shqiptaro-amerikan dhe atdhetari i shquar Aurel Dasareti shkruan:
“Qeveria kriminale antikombëtare e Hashim Thaçit dhe e Isa Mu(t)stafës domosdoshmërisht të ndërpresë dialogun me Serbinë dhe të shpallë të pavlefshme nënshkrimet për “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe“Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”” (Citohet sipas: Aurel Dasareti.“A po digjet Shqipëria?”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 11 nëntor 2015).
Në kushtet e krijuara pas tradhtisë së hapur të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, i cili, me urdhër të Beogradit, hyri në aleancë qeverisëse me kryetradhtarin Hashim Thaçi, opozita kosovare, nëse është e zonja dhe udhëhiqet tërësisht nga mbrojtja e interesave të larta kombëtare, duhet të zgjojë popullin dhe ta ngrejë më këmbë, duke trokitur në derë të çdo qytetari të Kosovës, në krejt territorin e saj, për t’i sqaruar tradhtinë e lartë që kanë kryer krerët e dy partive kryesore, tradhti kjo, e cila ka rrezik që popullin shqiptar të Kosovës ta hedhë në një luftë civile, që do t’i vinte shumë në osh Serbisë. Opozita Kosovare tani ndodhet para Provës së Madhe.

Santa Barbara, Kaliforni
18 nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Opozita Kosovare, para Provës së Madhe, Prof. dr. eshref Ymeri

AHRP- ALBANIAN HUMAN RIGHTS PROJECT- LET’S MAKE HISTORY TOGETHER

November 17, 2015 by dgreca

AHRP- ALBANIAN HUMAN RIGHTS PROJECT- LET’S MAKE HISTORY TOGETHER/
KLIK MBU FLYER

Filed Under: Komunitet Tagged With: AHRP- Albanian Project

TAKIM ME AMBASADORIN MAL BERISHA NË VATËR

November 17, 2015 by dgreca

Të Enjten më 19 Nëndor në orën 6 pm në Selinë e Vatrës organizohet një takim me Ambasadorin Mal Berisha, anëtar Nderi i Vatrës, studiues i njohur me kontribute të vecantë në studimin e historisë së marrdhënieve shqiptaro -amerikane dhe në mënyrë të vecantë të marrdhënieve shqiptaro-Hebraike. Studiuesi Mal Berisha ka publikuar së fundi librin “Realitete Shqiptaro-Britanike”.
Z. Mal Berisha ka botuar një seri librash studimore rreth çështjes shqiptare dhe ka pasur një rol aktiv në median shqiptare lidhur me çështjet e rajonit dhe sidomos të Kosovës.
Në fushën e studimeve dhe të përkthimeve studiuesit Mal Berisha i përkasin:
– Herman Bernstain
– “Charles Eerikson”
– Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir
– Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj
Shpëtimi në Shqipëri- Një qint përqint e hebrenjëve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti, shkruar nga Harvey Sarner dhe përkthyer nga Mal Berisha….
Ambasadori Mal Berisha sapo ka përfunduar mandatin e shërbimit diplomatik prej tri vitesh në Britanine e Madhe dhe Irlande. Karrierën në diplomaci e nisi në vitin 1992, kur hyri në shërbimin diplomatik të shtetit shqiptar si specialist në Drejtorinë Rajonale në MPJ dhe më pas emërohet konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Stamboll, Turqi. Nga viti 1995 deri në 1997 promovohet si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë po në Stamboll.
Në vitin 1998 ai i bashkohet përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve të Amerikës nën emblemën e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe Federatës Pan Shqiptare Vatra në Amerikë, për çështjen e Kosovës. Kjo, i dha mundësinë të shprehë pikëpamjet e lobit shqiptar në Amerikë nëpërmjet qendrave televizive amerikane.
Në vitin 2000 punësohet nga Kombet e Bashkuara dhe bën pjesë në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, (UNMIK). Nga viti 2008 merr drejtimin e Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë atë të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale dhe të Inisiativave, po në këtë Ministri.
Që prej 17 Shkurtit 2012 ushtroi detyrën e Të Ngakuarit me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës.
Ambasador Mal Berisha ka jetuar disa vjet ne ShBA dhe ka qene antar aktiv i Keshillit Drejtues të Vatrës. Prej sa është larguar nga Amerika ai është anëtar Nderi i Vatres. Takimi i së Enjtes ëshët i hapur për publikun.(Dielli)

Filed Under: Vatra Tagged With: ME AMBASADORIN MAL BERISHA, ne Vater, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3347
  • 3348
  • 3349
  • 3350
  • 3351
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT