• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MERGATA-SHEMBULL I ANGAZHIMIT PËR ATDHEUN DHE MËRGATËN

October 18, 2015 by dgreca

Nga Sokol Demaku/
Të flasësh për Fetah Bahtirin, duhet të mendosh se flet për njeriun e sakrificave, për një mërgimtar intelektual, që në ditët e sotme zë vend të rëndësishëm në letrat e shkruara shqipe, në punën e arsimit shqip në mërgatë, në prezentimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgatë. Mërgimi, sakrifica për të ardhmen, jeta plotë brenga e ndodhi janë ngjarje dhe procese të ndryshme, procese këto të cilat e ndjekin nga fëmijëria e gjer në ditët e sotme, janë dëshmi që kanë një bazament të fortë rezistues me kulturën dhe traditën kombëtare të ketij njeriu. E ky është Fetah Bahtiri, i cili i sheh me sy dhe i kupton gjërat të cilat janë pozitive për jetën, për njeriun e rendomtë, për mërgimtarin.
Veprimtaria e tij atdhetare, shfaqet në shumë forma gjatë tërë jetës së tij. Atë e gjejmë që në rininë e hershme të tij në shumë aksione si i ri, si stundet, por edhe si mësues i palodhshëm në Prishtinë, në komunën e Vushtrrisë dhe në qytetin e tij të lindjes – në qytetin heoik të minatorëve, pra, në Mitrovicës. Është ai i cili në mënyrë të drejtëpërdrejtë prezenton dhe ndjen gjërat, ai i cili u bën ballë në menyrë stoike shumë furtunave dhe dallgeve të pamëshirshme të jetës. Është ai i cili mërgimatrëve të shumtë ua lehtësoi dhe edhe sot ua lehtëson mallin për atdheun, u ndhimon në arsimimin dhe shkollimin e fëmijëve mërgimtar, por këtë e bëri edhe për shumë vite me radhë.
Është njëri nga themeluesit e LASH “Naim Frashëri”, Dega në Suedi, pikërisht është ai që e ka shkruar edhe Statutin e parë të LASH-it. Atëbotë LASH-i funksiononte mirë, sepse shumica prej mësuesve besonin se shumë shpejt “do të bëhet mirë” dhe se do të kthehen në atdhe. Punoi ditë e natë dhe ishte ambasador i vërtetë i atdheut tonë këtu në Suedi. Kësaj teme ky i kushtoi një libër të tërë me titullin “Ambasadorët dhe shërbëtorët, Libër për refugjatët shqiptarë në qytetin Uddevalla të Suedisë”, botuar në vitin 2007.
Është edhe bashkautor i përpilimit të fjalorit të parë juridik suedisht-shqip, e që edhe në këtë lëmi ka dhënë një kontribut të madh në mërgatë si përkthyes i autorizuar dhe bashkëpunëtor shkencor në Universiteti i Stockholmit, Instituti i përkthimeve.
Një shkrimtar, përkthyes, gazetar, publicist, ndjehet krenar me punën dhe kontributin e dhënë, e i tillë është edhe Fetah Bahtiri, i cili shpeshherë mallëngjehet për baltën e Kosovës, gardhiqet e fshatit të tij, njerëzit e atdheut të tij.
Një përkthyes i mirë i një vepre letrare është shumë i vlefshëm dhe i rëndësishëm. Përkthyesi i mirë ndodh që ia kalon autorit me shprehjet e bukura dhe artistike, e i këtillë është Fetah Bahtiri me punën dhe penën e tij të palodhshme prej përkthyesi.
Një shkrimtar, i cili me punën dhe veprën e tij, i jep një porosi lexuesit, një porosi të qiltër, kombëtare, një porosi për mërgimtarin, një porosi edhe për atdhetarin të cilin qëllim Fetahu e arrin, me mjetet artistike të cilat kanë vlerë dhe përdoren për mrekulli në vargun dhe rreshtin e tij artistik.

Nga e majta: Sokol Demaku dhe Fetah Bahtiri,
në Festivalin e poezisë “Sofra poetike Borås 2014”

I palodhshëm në punë, aktivitete kulturore por edhe në ndihmë shoqatave dhe individëve në mërgim, Fetah Bahtiri na vjen një ndër iniciatorët krysor për themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Që nga themelimi i kësaj Shoqate është edhe anëtar i krysisë dhe komisioneve krysore të Shoqatës dhe është njeri ndër ata që me kontributin e tij të palodhshëm i dha forcë dhe kreativitet punës së saj në realizimin me sukses të programit të Shoqatës parashtruar nga krysia e saj. Kështu, qe ketu e katër vjet me radhë me shumë sukses u nxor dhe realizua “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, secili numër me nga 700 e më shumë faqe e me një përmbajtje mjaft të bollshme letrare dhe historike, gjithnjë nën përkujdesjen e Fetah Bahtirit.
Si rrallë kush në histori, si rrallë kush në ruzullin tokësor, kombi ynë është shquar për një harmoni dhe për respekt mes njerëzve, por edhe për respekt kulture e tradite të tjetrit, për vlera humane dhe njerëzore. Ngase shekujt përplasen mbi të rrebeshe luftërash të gjata, zullumqar dhe grykës përreth, ngase fqinjët dhe pushtuesit tanë ndër mote na u vërsulën për të na zhdukur si komb, ndaj në vetëdijen tonë nacionale u ngjiz ideja e madhe për komb dhe atdhe. Patriot dhe atdhetar në trevat shqiptare, të udhëhequr nga kjo ndjenjë magjike, udhëhoqën gjenerata të tëra drejt lirisë së atdheut. E kujtojmë kohën e sundimeve të ndryshme mbi truallin tonë, e kujtojmë luftën e paepur të patriotëve, rilindasve dhe padyshim, në ditët e sotme bashkëkohore, në vargun e madh të këtyre burrave, bën dritë edhe emri dhe vepra e poetit, pedagogut, mësuesit, poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe patriotit të madh Fetah Bahtiri.
Fetah Bahtiri, do të jetë ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandiavi, që nisi të përcjellë ndër bashkëkombësit, te të rinjtë e fëmijët mesazhet e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës amtare, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë, veçanërisht në Suedi, aty ku kultura qytetare, respekti dhe zhvillimi i demokracisë kanë arritur kulmin e zhvillimit, e ndihej e domosdoshme që idetë demokratike, kultura e vendësve, të respektoheshin me tolerancë e sidomos me kulturë të pasur shqiptare.
Pra në karvanet e gjata shqiptare që mësyen shtete e kontinente të ndryshme të botës për shkak të dhunës që shkaktonte regjimi fashist serb, kishte edhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme, të cilët më pastaj, pas marrjes së lejeqëndrimit me dijen dhe kapacitet e tyre të larta prej ekspertëve të mirëfilltë kanë dëshmuar e po dëshmojnë bindshëm se edhe pjesëtarët e këtij komuniteti kanë potencial të fuqishëm për të hapur rrugën e perspektivës dhe të prosperitetit të shumë mjediseve punonjëse ku ata janë të kyçur. Me një fjalë, tashmë ekspertët shqiptarë në shumë fusha kanë bërë emër dhe se fjala e tyre është vendimtare për shumë çështje e projekte madhore e të rëndësishme në ato ambiente ku ata janë të punësuar. Në mesin e këtyre njerëzve radhitet edhe intelektuali i shquar Fetah Bahtiri.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fetah Bahtiri, shembull angazhimi, Sokol Demaku

Pesë botime në shqip i shtohen Librarisë së Kongresit në Washington

October 18, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Nga data 23 qershor 2015, pesë botime në shqip i janë shtuar fondit të Librarisë së Kongresit në SHBA. Këtu përfshihen dy nga romanet kryesorë të shkrimëtarit të madh Dritëro Agolli, “Shkëlqimi dhë rënia e shokut Zylo” dhe “Arka e djallit”. Lexuesit shqiptarë dhe të huaj janë njohur tashmë me përmbajtjen e romanit “Shkëqimi dhë rënia e shokut Zylo”, si një kritikë marramendëse, shumë komike e burokracisë dhe dirigjimit intelektual, e priviligjeve dhe ofiqeve të pamerituara të socializmit. Botuar fillimisht në revistën “Hosteni” në vitin 1972, romani tronditi opinionin publik shqiptar dhe më gjerë, duke u bërë pjesë e letërsisë disidente që shprehte qartë pakënaqësinë ndaj sistemit monist. Libri është praqitur me një përmbledhje të shkurtër në anglisht. Vendosja e këtyre dy romaneve në fondin e Librarisë së Kongresit është dhe urimi më i mirë që i bëjmë këtij shkrimëtari të madh me rastin e 84 vjetorit të lindjes!
Informojmëe lexuesin e “Diellit”, se në vitin 2016 do ketë botime të rëndësishme të Dritëroit në anglisht.
Koment për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, nga Fransua Nurisie
“The brilliance and the failure of Zylo friend”, with a clear title, tells the victory and the fall in Tirana of Zylo Kamberi, senior civil servant, the director of a section of the cultural matters. It is a staggering critique, very comic of the bureaucracy, of the intellectual direction, of the privileges of the socialism and of the harsh used language. Published in magazine in 1972 year, a year later as a volume, also republished in 1981, “The brilliance and the fall of Zylo friend” forces us see again some of our ideas related with the freedom which Albania of Enver Hoxha let a novelist. A perfectly mysterious country! The more so, because after the characters of the novel, officials, bureaucrats, critics (and their spouses, fat or obedient), the readers warned surely could know real personalities. To accept that these mocker caricatures were real portraits, this increases even more our wonder. Imitating a famous formula. Agolli, is Kafka, with a little more sun. The Ministry of Culture, the directorships, the commissions, its meetings, make the decorum almost abstract of a buffoon satire. Zylo is a tartarin of dialectics, a small leather pouch filled with words, a cocky grandiloquent, hypocrite, maybe honest, but a uncorrectable idiot. The wonder is very great; anyway there is no harsher critique of the organizing in the countries of Orient than in this book, where the works of the power are taken apart with a kind of savageness, softened so-so by humor feeling, which approaches the characters to us, which transforms them into manipulated puppets from a system which is so “perfected” so that it can’t leave them a big action freedom…
Gjithashtu në fondin e Librarisë u shtuan dhe tre libra të tjerë në fushën e detarisë shqiptare, “Antologjia e detarisë Shqiptare”, Vëllimi i parë, “Antologji e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i dytë dhe i tretë, me autor Shefqet Kërcelli, dhe “Fjalori i Terminologjisë Detare”, me bashkëautorë.
The anthology contains several chapters according to the main historical stages of the Albanian people: Pre-Illyrian period, Illyrian, Byzantine, Ottoman, the invaders and the regimes of the XX century. According to this chronological ranking are treated extensively themes like: the development of naval tools and tradition, of naval trade and transport, the weight of the sailors and our state in this trade, the relations with the other forces in the naval space, the contribution for independence, main characters, captains, sailors, etc. The declaration of the independence on the 28th of November 1912 and the creation of the Albanian state is understood, they created new sailing conditions and courses, that’s why the Albanian seamanship in these 100 years takes the main place.
The book is based on authentic documentary base, thanks to the will and the insistence to collect and to search for every document inside or outside of the country. The rich documentation makes it very convincing and realistic. It inserts the reader into the flow of the events in the Adriatic and Ionian seas, for more than 3 thousand years, it brings arguments, it spreads thesis and analysis who enforce the fact that the Albanian people has an outstanding naval tradition since the antiquity. The book has special values in the open narrating of many documents, witnesses, photos, historical truths, which our opinion at the 80% mass knows them for the first time. It brings the deep changes, the development that the naval tools had, their technique and technology dependent on their economical development, the tradition, the profession of the sailor, the ways of orientation, the benefit from the experience of other countries, the cooperation, the naval transport and the trade inside or outside of the country, based on the statistics of native and foreign naval institutions…
Me këtë rast zonja Debra Graham, Librare në Seksionin e Monografisë në këtë Librari, nëpërmjet një letre drejtuar vajzës sime te vogël, e cila i dhuroi këto libra në emër të autorëve, na falenderon për pasurimin e fondit të Library of Congress me këto pesë botime në shqip. Por ajo që dua të theksoj është se studjuesit, shkrimtarët, historianët, shkencëtarët, poetët shqiptarë duhet të kenë si objektiv kryesor, krijimin gradual të koleksionit ose fondit iliro-shqiptar në bibliotekën e Kongresit Amerikan. Le të jenë këto botime dhe mjaft të tjera të dhuruara më parë, si gurë themeli në krijimin e këtij fondi, ku amerikanë, shqiptarë dhe të huaj mund të njihen gjerësisht me historinë, kulturën dhe letërsinë e kombit iliro-shqiptar. Le të harxhojnë me shumë energji për këto punë kritikët shqiptarë?!

Filed Under: Komunitet, LETERSI Tagged With: 5 libra shqip, ne Librarine e Kongresit, Shefqet Kercelli

NJË KRIJUES QË I SHËRBEN ME PËRKUSHTIM JETËS

October 18, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Si mik, kam lexuar të gjithë librat e krijuesit, studiuesit, gazetarit dhe mësuesit pasionant Ramazan Sherja, dhe më kanë befasuar me specifikën e trajtimit të problemeve që nxjerr jeta dhe realiteti ynë i përditshëm.
Të lexosh me kujdes, apo edhe me një shfletim të sipërfaqshëm të librave të autorit Ramazan Sherja, duke filluar që me librin e parë të tij me poezi:“Trokas me vargje”, botuar në vitin 1982, dhe, duke vazhduar me librat e tjerë“ Punët krijuese dhe hartimet në shkollë”, “Njohuri dhe komente letrare”,“Gjuha shqipe për nxënësin” , “Funari në historinë e tij”, “Sa bukur të jesh femër”, Shtigjeve të dijes”,”Njohuri dhe komente letrare të ripunuar” ,“Nostalgji poetike” ,“Jetoje jetën”, të mbetet në mendje një ndjesi e këndshme, dhe mbushesh me një frymarrje të pastër e lehtësohesh shpirtërisht. Duke e përmendur tërë krijimtarinë plot vlera të autorit Ramazan Sherja, të bie në sy një gjë ,modestia e tij. Ai asnjëherë nuk ka bërë pompozitete për krijimtarinë e tij, asnjë promovim dhe asnjë jehonë nuk ka dashur të deklamojë në median e shkruar e elektronike. Reklamimi nuk lidhet aq me vështirësitë financiare të tij, se sa me thjeshtësinë që e karakterizon atë. Megjithatë, krijimtaria e tij e larmishme, e mbledhur në dhjetë libra, flet vetë.
“Nëse çdo njeri i planetit do të dinte të pranonte dhe të dhuronte dashuri, bota jonë do të ishte nje vend krejtësisht ndryshe”, – thotë Joyce Meyer.Kjo është ajo që e karakterizon gjithë krijimtarinë e autorit Ramazan Sherja. Duke patur si nxitje motivin se dashuria është themeli i çdo suksesi dhe përsosmërie, ai e shtrin këtë ndjenjë tek të gjithë, tek nëna dhe babai, tek veterani dhe studenti, tek shtetari i ndershëm dhe bisnesmeni korrekt, tek lulja e sapo çelur dhe pema që lidh plot kokrra, tek vajza ëndërrimtare dhe hëna që ndriçon skutave të natës, tek deti që ngre dallgë dhe djali që rri mendueshëm në dritare, tek nxënësit e tij të dikurshëm që “me rritjen e tyre kanë shkruar biografinë e tij” dhe tek plaku me bastun që nuk do të largohet kollaj nga jeta.
Nga poezitë e tij të bukura më ka mbetur në mendje dhe e mërmëris shpesh një strofë nga poezia: “Pleqtë e fshatit tim”: “ Mblidheni o fisnikë tek rrapi shekullor/Mjekërmbështetur në bastun, siç e do zakoni/Dhe secili prej jush është shumë e më shumë/se një subjekt drame apo romani.”,Trokas në vargje”,1982. Por, ashtu si vargjet e mësipërme, dua të përmend disa strofa të tjera, sa për ilustrim, të atyre ndjenjave dhe të asaj bote të madhe shpirtërore që karakterizon poetin, dhe se si ai është lidhur ngushtë e ndjenjësisht me gjithçka që e rrethon: “ Qielli si s’ka të lodhur/gjithçka ngjyhet në të bardhë / ecën ti e se ndjen të ftohtin /pse se ndjen ti ftohtin vallë ” , “Dimërore”, Nostalgji poetike, 2011. Apo poezia “Fllad studentesk”, ku ndjenja e përmallshme dashurore është e papërballueshme: “Edhe natën nëpër ëndrra /më djeg malli më djeg kënga/më deh zëri yt i largët/porsi fllad që fryn mbi plagët.” Nostalgji poetike, 2011.
Duhen veçuar librat e tij me tematikë shkollore, metodike e gjuhësore, që janë një ndihmë e konsiderueshme për nxënësit, studentët, mësuesit. Ato tregojnë punën e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete me informacionin e gjerë që u japin atyre. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar vitin 2009, me korrektesë profesionale, është me karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoatistik i disa temave të lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Në librin tjetër “Gjuha Shqipe për nxënësin” autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore, por qartëson pjesët e ligjëratës dhe funksionin e fjalës në sintaks. Shpjegon edhe përdorimin e madh që po marrin sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Me shembuj konkretë e të goditur, që të mbeten në mendje, autori bën dallimin e qartë të funksionit morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm funksionet e këtyre dy veçorive, si forma kryesore për rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse. Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin si një dritare për çdo nxënës e lexues drejt dijes. Autori ka vjelë mjaft fjalë të panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, me shpjegim korrekt shkencor, duke u bazuar në fjalorin e gjuhës shqipe.
Nuk do të rrija pa shkruar dy fjalë për librat “Funari në historinë e tij” dhe “Sa bukur të jeshë femër”. I pari është një dashuri dhe dhembshuri e shkruar me ndjenjë dhe fakte për vendlindjen e tij të dashur, Funarin, duke krijuar kështu një dëshmi për autoktoninë dhe zhvillimin etnografik dhe kulturor të kësaj zone në vite. I dyti është një himn i sinqertë e plot pasion për personalitetin e femrës në përgjithësi dhe dhe madhështinë e nënës në veçanti. “ Zemra e nënës është oqean me ndjenja, zjarr me dashuri,vatër me ngrohtësi, horizont me dritë. Ndaj kushdo duhet të përulet para nënës, para femrës në përgjithësi, se gruaja është themeli i jetës që pulson.” – shkruan me një sintetizim të rrallë autori.
Por libri i dhjetë, “Jetoje jetën”, më shtoi befasinë për larminë dhe elasticitetin e trajtimit të problemeve konkrete e jetësore, në grimcat më intime të saj. Autori tregon qartë në këtë libër, se jo vetëm është njeri shpirtmadh e intelektual i pjekur, por edhe që di ta jetojë jetën intensivisht, dhe t’i përkushtojë asaj gjithçka, talentin, shpirtin, forcën morale dhe fizike, e mbi të gjitha temparamentin dhe impulsivitetin e tij. Ramazan Sherja, siç del në këtë libër e do dhe e vlerëson maksimalisht jetën, deri në çdo qelizë të saj, sepse ai do njeriun e punës, të këngës, njeriun e ndershëm dhe intelektualin, besimtarin dhe ateistin, shkenctarin dhe administratorin, të thjeshtin dhe eprorin, dhe vazhdimisht kërkon prej tyre që ta njohin e ta duan vazhdimisht edhe ata jetën, edhe kur ajo bëhet e vështirë. Motivi i këtij libri është i thjeshtë: Njeriu ka vetëm një jetë dhe duhet ta dojë e të ketë respekt për çdo qelizë të saj. Libri, “Jetoje jetën”, një titull mjaft i gjetur, por edhe ngacmues për lexuesin, shpalos një gamë të gjerë problemesh e shqetsimesh, që hasen në udhët e vështira të jetës. Ai e koncepton jetën e njeriut si diçka unike që lidhet ngushtësisht në tre nyje, lindja, martesa, vdekja, të cilat janë nyje të jetës. Brenda tyre të lidhura pazgjidhshmërisht me njera- tjetrën, lëvrin lëngu jetësor, lindja e bebes, kujdesi për të cilin siç shkruan autori fillon që në barkun e nënës, përpjekja për t’i gjetur emër të bukur, (dhe autori jep një larmi emrash, ku mund të zgjedh prindi), fëmijëria, e cila si do të jetë, le gjurmë në jetë, rinia mosha më e bukur, romantika dhe dinamika e jetës, që ka brenda zgjedhjen e të dashurit të zemrës, fejesën, martesën e konsolidimin e familjes, si dhe vdekjen, që edhe pse është e dhëmbshme e hap plagë, ajo është e pashmangshme. Për autorin vdekja është proces fizik, ashtu si lindja, si martesa, por, që duhet përballuar me dinjitet.
Libri është ndarë në dhjetë kapituj, me tituj lakonikë e shumë domethënës.Kapitulli i parë titullohet “Jeta dhe lumturia”, i dyti “ Triptiku i jetës”, i treti “ Respekto veten pa rënë në narcizëm”, i katërti “Mos jeto me kujtime”,i pesti “Përballo vështirësitë”, i gjashti “ Jeta si besim, si kulturë”, i shtati “Jetë e sinqertë në një shoqëri të sinqertë”, i teti “Këshilla për jetën”, i nënti , “Thumba dhe kundër thumba”,dhe i dhjeti “Për kuriozët”, për t’u mbyllur me një epilog të shkurtër në formë konkluzionesh, të konceptuara sintetikisht nga vetë autori. Më tërheqës, dhe më meditiativ e bën çdo kapitull të këtij libri shoqërimi me thënie konçize të filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Nëpër faqet e këtij libri shprehet dashuria për jetën,për beben që lind e fëmijërinë për djalin që lufton të zgjedhë të dashurën e zemrës, për çiftin që jetojnë në harmoni, por që edhe grinden për gjëra të parëndësishme, për plakun me bastun e kollare, por edhe për atë me qeleshe që e jeton jetën sipas mënyrës së tij. Në libër ndjehet jehona e të qarës së fëmijës që sapo bie në tokë, por edhe fëmijëria që “i bën gishtat gjak duke luajtur me top prej lecke”, ndihen tingujt e daulles së dasmës, por shijohet edhe loti i hidhur i vdekjes.”. “Dhimbja për njeriun që largohet nga kjo botë ,- thekson autori ,- nuk tregohet duke qarë e bërtitur,por me heshtje, me respekt, me lot të thellë zemre, me organizimin modest të ceremonisë mortore dhe rregullimi simbolik i varrit .” Librin e bën tërheqës dhe befasues, jo vetëm mënyra e trajtimit të problemeve të jetës me thjeshtësi e argument, por edhe vetë struktura e librit,ku ai përfshin edhe tre kapituj të tjerë si “Këshilla për jetën”, “Thumba dhe kundërthumba” si dhe “Për kuriozët”, të cilat autori i sheh si pjesë të të njejtit trup dhe i vë në funksion të zbërthimit dhe konceptimit të emrit jetë. Kapitulli “Këshilla për jetën “ përmbledh këshilla , porosi, udhëzime, të provuara nga jeta dhe që njeriut i duhen për ta patur të sigurtë jetën nga duhet të jetë dhe të mos jetë i papërgatitur për vështërisitë e jetës. Kapitulli “Thumba dhe kundërthumba”, është një humor i hollë, që, jo vetëm të bën të çlodhesh e të buzëqeshësh natyrshëm, tek i lexon në faqet e librit, por janë shumica edhe të padëgjuara dhe të mbledhura si grimca të natyrshme në realitetin e përditshëm, të dëgjuara nga mosha të ndryshme. Si kapitull më vete janë hedhur kuriozitete dhe informacione të padëgjuara, të cilat, jo vetëm të tërheqin, por edhe hapin horizont për lexuesin. Sikur të donte t’i argumentonte dhe të theksonte vlerën morale dhe filozofike të cdo kapitulli ,autori i shoqëron në fund ato me thënie të bukura nga filozofë e mendimtarë, shkencëtarë e shkrimtarë të mëdhenj, të cilët bëjnë të mundur që trajtimi i fakteve nga autori të mbetet në mendje.
Tek ke shfletuar gjithë faqet e librit “Jetoje jetën”, bindesh për shumë gjëra. Jeta është e shkurtër ndaj duhet jetuar në çdo qelizë e në cdo sekondë të saj.Atë ta ka dhënë perëndia dhe vetëm ajo ka të drejtë ta marrë. Jeta i ka të gjitha, ka njerëz të kategorivë të ndryshme, edhe të thjeshtin edhe mendjemadhin, edhe të mençurin edhe budallain, edhe shkenctarin edhe sharlatanin, edhe të ndershmin edhe hajdutin, edhe politikanin edhe filozofin,edhe këngëtarin edhe varrmihësin, pikërisht, prandaj është e bukur dhe e larmishme, se i ngërthen të gjitha nën këtë diell e nën këtë hënë në gjirin e saj. Por në fund të fundit duhet t’i pranojmë të gjitha se një jetë kemi e ajo duhet jetuar. Jeta ikën e nuk vjen më. Ndaj, dua ta mbyll këtë përshtypje mendimesh të shkurtra me atë që ka thënë aq bukur Fenelon dhe që autori e përmend në veprën e tij: “Jeta është një ëndërr e gjatë, dhe vdekja një zgjim i papritur”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Jetoje Jeten, Pellumb Gorica, ramazan Sherja

Kosova, shpronësime edhe për Rilindjen

October 18, 2015 by dgreca

-Buxheti i Shtetit të Kosovës në vitin 2016, për shpronësimet 27 milionë euro/
-Shpronësim edhe Pallatit Rilindja. Dhe në pritje të ridaljes së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të privatizuar/
-Gazeta Rilindja në Kosovë ka nisë të dalë para 70 viteve si gazeta Dielli në SHBA para 106 viteve – në muajin shkurt/
-Ministri Hoti në konferencë shtypi: Qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Tetor 2015/ Qeveria e Kosovës në Buxhetin e Shtetit për vitin 2016 pret të ketë 27 milionë euro për shpronësimet, që kryesisht i dedikohen trasesë së autostradës nga Prishtina në Han të Elezit-kufiri me Maqedoninë drejt Shkupit, bëri të ditur ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti i gazetes Dielli në Prishtinë në një konferencë për shtyp.
“Ne këtë vit kemi pasur 27 milionë euro për shpronësime. Edhe vitin e arshshëm i kemi 27 milionë euro, kryesisht janë të lidhura me shpronësimet e ndërtimit të autostradës për në Shkup dhe me kontrata nëpër ministri të ndryshme për rrugë, shkolla dhe projekteve tjera publike”, theksoi ai.

Në një mbledhje të qeverisë muajin e kaluar, ministri i Financave, Hoti, ka informuar për situatën në buxhetin e planifikuar për shpronësimet për interes publik, i cili për këtë vit është shpenzuar dhe, siç u theksua, “vendimet e ardhshme duhet të vlerësohen dhe shqyrtohen me vëmendje”.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
“Sa i përket shpronësimit të Pallatit të Rilindjes është çështje e dakordimit të veprimit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sepse në atë rast ne paguajme vetëm 20 përqindëshin që u takon punëtorëve”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti, duke shtuar se nuk kishte edhe detaje të tjera.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 70 vitesh, në 12 shkurt 1945. Në shkurt si edhe gazeta Dielli në SHBA, gazeta me e vjetër shqiptare ne botë, e cila nisi të dalë para106 viteve – nga 15 shkurti 1909.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur para 13 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri Avdullah Hoti theksoi se, qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike.

HARTOHET PROJEKTLIGJI PËR PLOTËSIMIN DHE NDRYSHIMIN E LIGJIT PËR PROKURIMIN PUBLIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Ministri Hoti bëri të ditur se, Ministria Financave, së bashku me të gjithë akterët relevantë, ka hartuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
“Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik avancon prokurimin publik, duke e bërë procesin më efikas përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe inkuadrimit të mekanizmave dhe procedurave të reja. Këto modifikime janë bazuar në nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, si dhe në legjislacionin përkatës të Bashkësisë Evropiane”, theksoi ai.
Ndryshimet që do t’i sjell ky Projektligj, vijoi Hoti, do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materiale që prokurohen, në shmangien e procedurave të komplikuara dhe në shtimin e vlerës së parasë.
“Krahasuar me ligjin aktual, Projektligji rregullon më në detaje prokurimin në fushën e sigurimit dhe mbrojtjes, duke siguruar që vetëm për mallrat që janë specifike mund të evitohen procedurat e prokurimit standard, dhe kjo në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Dhe gjithashtu mundëson ndarjen e kontratave publike në llote homogjene dhe heterogjene, me qëllim të përfshirjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun kombëtar të prokurimit publik”, ka thënë ministri Hoti.
Ministri i Financave, Hoti gjithashtu bëri të ditur se në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Financave implementimi i këtij Projektligji nuk do të sjell kosto shtesë financiare për institucionet e zbatimit të ligjit. “Përkundrazi, do të krijojë kursime”, shtoi ai.

PERFORMANCË E JASHTËZAKONSHME E TË HYRAVE TATIMORE

Në konferencën për shtyp, ministri Avdullah Hoti prezantoi gjithashtu të hyrat dhe shpenzimet e qeverisë për periudhën Janar – Shtator 2015. “Ka pasur një performancë të jashtëzakonshme të të hyrave tatimore, në mesatare kemi një rritje prej 7.8% të të hyrave, prej të cilave 11.1 % ka rritje të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe 7.3% ka rritje të të hyrave në Dogana. Në një situatë ku ekonomia e Kosovës po rritet me një normë mesatare rreth 3%, pra kemi trefish më shumë të hyra se sa rritja nominale vjetore e aktivitetit ekonomik në vend, që është shenjë e luftimit të informalitetit dhe rritje së ekonomisë formale”, theksoi ai.
“Po vazhdojmë me disiplinimin e kursimeve, si rezultat kemi pas kursime prej 4.8% në shpenzimet për mallra dhe shërbime, në kategoritë e tjera shpenzimet po shkojnë sipas trendit dhe ne besojmë se do ta përmbyllim vitin ashtu siç e kemi planifikuar me rishikimin e Buxhetit në muajin korrik”, u shpreh në konferencën për shtyp ministri Hoti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, edhe për Rilindjen, Ministri Avdullah Hoti, shpronësime

Komunitet-Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë

October 18, 2015 by dgreca

Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë janë një urë e artë shpirtërore midis Atdheut dhe Diasporës/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Është krenari dhe njëherazi detyrë kombëtare për të kontribuar në mësimin e Gjuhës Shqipe ndër fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trungut amë.
Nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn u ulën pranë bankave në mjediset e shkollave publike amerikane për të filluar vitin e ri akademik 2015-2016, ndërkohë po punohet për të gjetur mjedis për të vazhduar mësimin dhe në Manhattan, pasi kemi pasur vështirësi në gjetjen e klasave, për shkak të ndërrimit të administratës në shkollën ku bëmë mësim vjet.
Ndonëse kemi hyrë në vitin e tetë të hapjes së shkollave shqipe, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e përjetojnë me të njejtat emocione fillimin e vitit të ri shkollor si në ditën e parë të hapjes.
Çuditërisht edhe natyra duket sikur merr pjesë në këto aktivitete patriotike, që mbartin një botë të tërë shqiptare, një histori që s’harrohet kurrë sa të ketë dhe një shqiptar përmbi dhé.Flladi i lehtë i oqeanit iu përkëdhelte flokët e bukura si kurorë malesh gjithë nxënësve që takoheshin me njeri-tjetrin sikur të jenë miqësuar ndër vite. Prindërit e rinj me ngazëllimin në shpirt iu urojnë gjithë mësueseve punë të mbarë për këtë mision fisnik dhe tejet atdhetar.
Sa emocione ju jep fëmijëve dhe prindërve dita e parë e shkollës! Të gjithë prej nesh e mbajnë mend mirë ditën e parë të shkollës dhe askush nuk e harron në jetë, por shkollat shqipe në Diasporë gjithmonë kanë veçantinë e tyre, sepse ndryshe nga shkollat e huaja ku ata janë integruar, në shkollat shqipe ata kanë mundësi të mësojnë dhe të flasin SHQIP, gjuhën e të parëve të tyre!
Bota e tyre të magjeps, të befason në përgjigjet dhe pyetjet e ndryshme, bota e tyre të rinon dhe ti ndihesh i sigurtë të ecësh në urën e artë që ata ndërtojnë midis Atdheut dhe Diasporës. Ja psh: A nuk të befasojnë përgjigjet e tyre kur pasi i përshëndeta në klasë për mirëseardhjen e tyre fillova t’i pyesja me radhë se çfarë kishin dëshirë të bëheshin kur të rriteshin?
-Shumë prej tyre më thanë këngëtare, balerin, pilot, aktor, doktor, mësues, ndërsa një fëmijë i vogël më befasoi kur më tha: “Unë do të bëhem president i Amerikës”!
-Uau! Shumë bukur i thashë! Po pse do të bëhesh president e pyeta unë?
-Sepse jam shqiptar u pergjigj Brendan 4 vjeçar!
Të gjitha këto m’i tha në anglisht me një buzëqeshje të çiltër fëminore dhe me sytë blu si qielli që i ndrisnin. Duke e përqafuar mendova: Ku i dihet, mundet që nga bankat e shkollës shqipe “Alba Life” të dalë një president i Amerikës dhe atëhere me siguri që do të ketë një shkollë institucionale shqiptare në Nju Jork.
Të gjitha mësueset si Dita Kacupaj, Dr.Valbona Watkins, Entela Muda, Entela Elezi, apo Raimonda Hysolli qe sapo i eshte bashkuar programit tone
më thonë se është nje përjetim i bukur, kur i shikon nxënësit më të vjetër se si përqafohen dhe bisedojnë herë shqip dhe herë anglisht, apo nxënësit më të rinj pasi prezantohen me njeri tjetrin përshëndeten: “Hej Shqipe!” është një kod i heshtur, i pashkruar, por që përdoret shpesh ndër shqiptarë të Diasporës në përshëndetje e sipër. Dhe më pëlqen më futet në palcë të shpirtit kjo lloj përshëndetje edhe pse mund të mos jesh takuar kurrë, por të takon Gjuha Shqipe me përshëndetjen e bukur: Tungjatjeta Shqipe! Kur i shikon dhe ndjen se me sa zell ata vinë të mësojnë Gjuhën Shqipe medoemos të kujtojnë Fishtën e madh kur thotë se: “Edhe shqyp na thanë se Zoti/ për shqyptarë Shqypninë e fali/ se sa t’enden stina e moti/ do ta gzojn kta djalë mbas djali”.
Është e natyrshme se shumë prej fëmijëve me prindër shqiptarë të parën fjalë që kanë dëgjuar në jetë ka qenë shqip, pavarësisht se shumë prej prindërve i mbyt rutina e jetës dhe u krijojnë vështirësi fëmijëve për të folur dhe shkruar bukur shqip. Por ne si prindër s’duhet të harrojmë agimet e para të jetes sonë, kur luanim dhe këndonim së bashku, kur kapnim xixëllonjat dhe i përkëdhelnim shqip në pëllëmbë të dorës me dritën e bukur që ato bënin që siç shkruan Fishta: “Shqyp na vete, po pik’ mâ para/ n’agim t’jetës kur kemi shkue/ tue ndjekë flutra nëpër ara/ shqyp ma s’pari kemi kndue”.
Edhe pse jam mësuar dhimbshëm gjer në asht me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër shumë fëmijë të Diasporës dhe me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër miliona shqiptarë nëpër botë, përsëri kam shpresë se do të lindin ata burra dhe gra shqiptare që ta marrin tejet seriozisht shërimin e kësaj sëmundje që metastazat e saj i ka nëpër shekuj.
Të parët shërues me siguri do të jenë këta nxënës që ulen në bankat e shkollës dhe që mësojnë me aq dashuri të flasin dhe të shkruajnë Gjuhen e ëmbël Shqipe.

Tetor, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Atdhe, diaspore, Keze Zylo, nxenesit e shkollave shqipe, ure

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3433
  • 3434
  • 3435
  • 3436
  • 3437
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT