• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËPËR FAQET E GAZETËS “NIKAJ-MËRTUR”…

October 14, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
Ndoshta, ndonjë lexues mund të mos e dijë, se ku ndodhet krahina malore e Nikaj-Mërturit. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe kufizohet me krahinën e Dukagjinit të rrethit Shkodër. Për lashtësinë dhe traditat e saj të çmuara atdhetare, kulturore e shpirtërore etj., që janë trashëguar brez pas brezi, do të duheshin faqe të tëra. Për njohjen, ruajtjen dhe çuarjen përpara të tyre, ka disa vite që është ngritur dhe funksionon një shoqatë atdhetare, shoqërore e kulturore, me të njëjtin emër, e cila tani ka kryetar Av.Gjin Niklekaj.
Për ta pasqyruar sadopak jetën dhe veprimtaritë e kësaj Shoqate, është viti i shtatë qëkur del gazeta periodike, me titullin “Nikaj-Mërtur”. Në redaksinë e saj bëjnë pjesë disa intelektualë të njohur të krahinës, me drejtor Pashk Prekën dhe kryeredaktor Dedë Qokaj (dede.qokaj@gmail.com). Kjo gazetë përgatitet dhe botohet me përkushtim, duke përballuar edhe vështirësitë e njohura financiare.
Kësaj here, po ua tregojmë shkurtimisht përmbajtjen e numrit 7, të gazetës “Nikaj-Mërtur”…
Në faqen e parë është editoriali i shkruar nga Jak Përpali dhe që vazhdon në faqen e dytë, “Ndarja me trojet e të parëve, si endje nëpër tallze drite”. Duke folur me dhimbje, për largimin e të rinjve e të rejave nga toka amtare, ai nënvizon se rinia, “nisi shkëputjen nëpër ëndrra të mjegullta, plot shpresë dhe si nëpër një trandje, që ngjitej prej nëntoke, ajo zbriste nga qiejt e ndërfutej nëpër shpirtëra…”. Në faqen e tretë flitet për zgjedhjet e zhvilluara këtë vit, në Shoqatën “Nikaj-Mërtur”, nga doli edhe Asambleja përkatëse, me njerëzit e ngarkuar sipas të gjitha fshatrave të krahinës. Në të, bëjnë pjesë edhe dhjetë përfaqësues nga Kosova.
Faqja e katërt i kushtohet ceremonisë së organizuar për dhënien e titulli “Qytetar nderi” i Nikaj-Mërturit, gazetarit të njohur sportive, Mejdan Zhivani (pas vdekjes).
Krahina e Nikaj-Mërturit është e njohur edhe për traditat e bukura në fushën e artit e kulturës, por dhe të arsmit. Këtij qëllimi i shërben shkrimi i ing.Sokol Meshit, shoqëruar me fotografinë e Mark Mitrit, “Dinastia artistike e Paplekajve; arti dhe muzika në Nikaj-Mërtur”. Po në faqen 5 dhe që vazhdon në të 16-tën, është intervista me intelektualin e krahinës, prof. Lush Susaj, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përgatitur nga Dedë Qokaj. Gjithashtu, interesant është shkrimi i faqeve 12-13, me titullin “Gurra nikajmërturase dhe shpirti artistik popullor”, nga Ndoc Bushgjoka.
Në faqet gjashtë dhe shtatë të kësaj gazete bien në sy shkrimet e prof. Musa Krajës dhe Mujë Buçpapajt, që i kushtohen dy librave të autorit Frrok Vukaj, pas atij të mëparshmit, duke formuar kështu një “triptik”, për jetën arsimore të vendlindjes së tij dhe tërë Malësisë së Gjakovës, në përgjithësi.
Duke shkruar për “Historinë e dyerve të mëdha të krahinës së Nikaj-Mërturit”, autori Ylli Prebibaj ndalet në disa prej tyre dhe konkretisht jep të dhëna me interes për “Derën e Sadik Gjergjit të Palçit”, për Adem Sadikun dhe Fetë Sadik Gjolin-“Martir i Demokracisë” e Ukë Çunin.
Në faqen 14 është botuar shkrimi i arsimtarit e publicistit, nga fshati Zogaj i Tropojës, Ibrahim Hajdarmataj, kushtuar librit të prof. M.Gecaj, “Për ju, krijuese” dhe ai që pasqyron veprimtarinë për arsimtarin e poetin e paharruar Selim Aliaj, i cili u shpall “Qytetar nderi” i komunës Tropojë. Shkrimi me titullin “Burrat zemërbardhë e orëmëdhenj i tretë dheu, por koha s’i harron”, me autor Dedë Zhivanin, na jep të dhëna rreth librit “Amaneti i pashkruar” dhe veprimtarisë përuruese të tij, që i kushtohej birit të paharruar të krahinës Nikaj-Mërtur, Dedë Rrustemi (pas vdekjes).
Në faqen përmbyllëse të gazetës “Nikaj-Mërtur” janë botuar katër fotografi me ngjyra, nën titullin domethënës, “Curraj i Epërm, mrekullia e bjeshkëve”.
Duke e uruar redaksinë e gazetës “Nikaj-Mërtur” për botimin e këtij numri, shpresojmë e presim, që ai të pasohet me botime të reja, sa më cilësore dhe në përshtatje me kërkesat e lexuesve të shumtë të saj.
Tiranë, 13 tetor 2015

Filed Under: Komente Tagged With: “NIKAJ-MËRTUR”, Murat Gecaj, NËPËR FAQET E GAZETËS

Paramithia dhe Janina në tablotë e një ushtari gjerman

October 14, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Bukuritë natyrore të Çamërisë-Epiri i Jugut, mënyra e jetesës dhe veshjet karakteristike të shqiptarëve të atjeshëm ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm që nga fund shek.18 e në vazhdim. Shumë piktorë të huaj të shekujve të kaluar të frymëzuar nga lloj i mënyrës së jetesës, veshjes dhe bukuritë e trojeve shqiptare kanë mbushur tablotë e tyre me pejsazhet nga Çamëria. (Një kostum popullor shqiptar e vishte me kënaqësi dhe poeti anglez Lordi Bajron, por që njihet si “veshja greke”. Kostumi me veshje shqiptare ku pasqyrohet Lordi Bajron i përket veshjes që e mbanin shqiptarët në Epirin e Jugut dhe kur themi Epiri i Jugut, duhet të kuptojmë Çamërinë.
Në Maj të 1849 piktori Edward Lear vizitoj Çamërinë dhe na solli me anë të pikturave të tij peizazhe nga Arta, Paramithi, etj. Kudo në penelin e tij dhe shënimet e tij ai na tregon për jetën e shqiptarëve në Epirin E jugut-Çamëri.
George de la Poer Beresford (1826-1865) ishte irlandez dhe në vitin 1855, na solli piktura me peizazhe nga Çamëria të cilin e quante Shqipëria e Jugut. Në këto piktura janë përfshirë pamje nga qytetet e Artës, Paramithisë, Janinës Pargës, etj.
Në Gusht-Nëntor të vitit 1943, në Divizionin gjerman që shërbente në Çamëri-Epiri i Jugut, erdhi një grup artistik për të dhënë shfaqe dëfrimi për ushtarët. Ky grup artistik i krijuar nga ushtarë dha shfaqe në disa vende ku ishte vendosur ushtria gjermane si: Janinë, Gumenicë, Korfuz, etj. Në këtë grup artistik ishte edhe ushtari Roland Schmidt (1917- ).
Pas shumë vitesh, më 1994, ish-ushtari gjerman Roland Schmidt, tashmë në moshë të thellë do ti botonte në një libër përshkrimet e jetës së tij, Gusht-Nëntor 1943, gjatë kohës që kishte dhënë shfaqe artistike për ushtarët gjerman në Çamëri. Në brendësi të librit përveç fotografive të shumta të asaj kohe bie në sy vizatimet e tij me pamje nga qyteti i Paramithisë, Janinës dhe Korfuzit. Roland Schmidt ka vizatuar lagjet ku kanë banuar shqiptarët, të cilat mund të shihen edhe xhamitë që kanë ekzistuar dikur.
Roland Schmidt në libër tregon për nisjen me anije nga Korfuzi për në Sarandë ku do të jepnin shfaqe për ushtarët gjerman që ishin atje. Por rrugës anija e tyre kishte pësuar një difekt të rëndë dhe ishin detyruar të riktheheshin në Korfuz duke mos e dhënë shfaqen artistike.
Pas shfaqeve artistike të dhënë për ushtarët gjermanë në Janinë, Gumenicë dhe Korfuz, grupi artistik ku bënte pjesë ushtari Roland Schmidt u nisë për të vazhduar aktivitetin e tyre në Kroaci dhe më tej në Hungari.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, gjerman, Paramithia dhe Janina në tablotë .e një ushtari

PËRBALLË ERËRAVE

October 14, 2015 by dgreca

Lexim i 68 vepravat të shkrimtarit, Riza Graiçevcit/
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Librat e shkruar duken fjalë, por ato pas vetes tërheqin zemërim masash, kryengritje, ushtri të armatosura, kështu shprehej Paolo Sarpi, në një libër të tij, më thotë shkrimtari Riza Graiçevci, autor i 68 veprave letrare edhe publicistike, pjesëmarrës i UÇK-së, bashkë me 2 djemtë e tij, Bekimin dhe Lirimin. Pushtuesit shkatërrohen edhe nga shkrimet. Kur plasë pushka kundër armikut, Rruste, librat heshtin. Kot i kanë mbjellë dhëmbët e gjarpërit serbët nëpër Kosovë, liria e fituar nuk ka zëvendësim. Shqiptarët e duan vendin e vet, dhe dijnë t´i dalin zot çdo pikëze të gjakut në atdheun e tyre.
Kosova ka truallin e saj edhe në në tokë edhe në qiell. Në peisazhin e gjerë dhe të bukur të letërsisë shqipe, vend të nderuar zë edhe shkrimtari, publicisti, dhe luftëtari i Luftës për liri të Kosovës, Riza Graiçevci. Popullit kurrë s´i shkon ndërmend të gënjej apo të gjunjëzohet. Jeta në luftë është e plagosshme. Por babushi popull, në çastin e duhur, di të vendos, për të shkuarën, të tashmen, dhe të ardhshmen e tij. Lirinë, luftën, dhe krijimin, i kam përherë shokë të jetës, më thotë, Riza. Prandaj, përballë asnjë kohe nuk kam frikë, as nga erërat që sjellin shi dhe as nga tërmete, dhe as nga vdekja që merr jetë. Pra, e tërë vepra ime ka një mesazh, përparimin e Kosovës, dhe bashkimin e trojeve tona.
Në studion time ku unë krijoj, kam bërë ca „revolucione të vogla“, s´e ato të mëdhatë i bën babushi popull. Riza Graiçevci u lind në vitin 1948, në Flamuras, ( ish Stankoc ). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Drenas, ndërsa Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve Riza Graiçevci 3 vjet punon mësues në vendlindje, dhe më pas, gazetar në të përditshmen „Rilindja“. Rruste, në sferën e familjes jam mirë; kam gjashtë fëmijë: 5 djem dhe një vajzë. Djemtë; Kujtimin, Bekimin, Lirimin, Shkumbinin, Bashkimin, dhe Vajzën Mahijen!Dhe shumë nipër dhe mbesa.
Luftëtarët poetik janë edhe shkrimtarë të dashur. Pyes, kush ma shumë s´e shkrimtarët e duan vendin e tyre, atdheun e të gjitha ëndërrave. Lexoj në një poezinë „Atdheu“ të Riza Graiçevcit; Atdhe, ke shtatë palë sy / shtatë palë qiell / dhe krejt ëndrrat e këtij populli / në kraharor dhimbjesh i ke!.. Do thoja se, Riza Graiçevci, pjesën ma të madhe të krijimtarisë së tij, në veprat e tij sublime, i jep jetë dhe gjak përmes dashurisë për atdheun, dhe përmes pushkës së kryengritëse. Librave të mi shprehet Riza, jo rrallë ju kam kërkuar falje, pse përballë një luftëtari të plagosur, si kam vu një biondinë, apo një zeshkane, me djemtë tanë të bukur.
Librat e mi mund të ankohen, pse në poezi ose prozën time nuk ka aq shumë metafora të sofistikuara. Përgjigjja është e thjeshtë; Evropa e relativitetit, shkrimtarit i afron rrethana, që edhe e përgjakin shkrimtarin. Shkimtarët e luftës nuk kanë edhe aq luks në luftë të zgjedhin heroin apo heroinën, apo natyrën me ujëvare ku lahen zogjët. Kur plumbat fishkëllejnë nga të gjitha anët, udhë e jetës për të çliruar vendin janë një, fitorja dhe vetëm fitorja! Në peisazhin e 68 veprave të Riza Graiçevcit, veçojmë poezinë, prozën, ditarët e luftës. Ky shkrimtar i të gjitha moshave, ishte në luftë bashkë me dy djemtë e tij. Dashuria për Kosovën, për Shqipërinë, për atdheun, Rizën e bëri të kryengritet me ma guximtarët e këtij vendi.
Krijimtaria e Riza Graiçevcit është e gjerë dhe e thellë. Ajo në vete mbërthen 68 vepra, një dhuratë shpirtërore për Letërsinë tonë të bukur. Shumë janë përsonazhet dhe monologjet në veprat e Riza Graiçevcit. Në poezinë, „Kush e di pse? Riza Graiçevci shpërthen me tërë qenien e tij; / s’më vjen zor ta them / ta shijoj atë që e çmoj / s´më vjen zor ta them / ta pushtoj atë që e dua / s´më vjen zor ta them / se do të bëhem foshnje në lulet e Kosovës! / S´më vjen zor ta them / sa e dua dashurinë!.. dhe mijëra vargje të tjera tregojnë për hapësirën artistike të shkrimtarit.
Në kohën e luftës unë vuaja shumë nga pagjumësia. Në luftë e mësova sa është i thellë qielli ynë. Drenica, kryengritësja e shumë luftave, edhe në Luftën e Kosovës më 1389, historisë shqiptare i dha luftëtarin, që vrau Sulltan Muratin! Fëmijët kudo që ulen kanë një dritare / Atdheun e shohin ashtu si është / Ah, sa vesë dhe mjaltë jete fshihet në lule / vetëm fluturat dhe bletët mund të na tregojnë!..qytetaria poetike dhe artistike në gjitha veprat e Rizait është e theksuar. Rruste, unë kurrë nuk ia kam kthyer shpinën epokës sime atdhetare, atdheu që ma dha gjuhën, këngën, dashurinë, Riza Graiçevci do ta këndoj për jetë! Shëndet, dhe gjithë të mirat në jetë!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Peballe ererave, Riza Groicevic, Rrustem Geci

Populli shqiptar mes nacionalizmit politik dhe patriotizmit popullor

October 14, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja-France/*
Të përkufizosh « territorialisht » popullin shqiptar nuk është diçka e lehtë. Për shembull kur përdorim fjalën « Shtet », i bie të flasim në përgjithësi për shqiptarët e Shqipërisë. Ndërsa kur përdorim fjalën « Komb » nuk flasim më vetëm për shqiptarët brenda territorit të Republikes së Shqipërisë, por edhe për ata/ato që banojnë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi apo në Greqi.
Në kohën e sotme është e zakonshme që të përdoren këto terma « Shtet dhe Komb ». Përdorimi i tyre bëhet për arsye të përjashtimit [1] të 2/3 të tokave shqiptare në 1913 nga Fuqitë e Mëdha [2] në favor të shteteve fqinje [3]. Kjo « ndarje » e nxituar territoriale mund te cilësohet si gabimi më i madh gjeopolitik apo « marrëzi e njerëzore » që është bërë në Ballkan. Ky vendim ka dëshmuar, si në të kaluarën po ashtu edhe në të tashmen, se Ballkani mbetet një zonë gjeografike e paqendrueshme, ku ka gjenerim konfliktesh etnike.
Pavarësisht tensioneve të ndryshme apo luftërave, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, kanë arritur të ruajnë identitetin e tyre (gjuhën dhe traditat), dhe njihen gjithmonë si të tillë, pra Shqiptarë ! Kjo vërtetohet edhe në gjuhën e përdorur në mediat ndërkombëtare, të cilat shpesh përdorin termat « shqiptarët e Kosovës », « shqiptarët e Maqedonisë », apo « shqiptarët e Malit të Zi ».
Ky identitet i popullit shqiptar vë në pah dy koncepte : nacionalizmin dhe patriotizmin. Një dallim i madh ekziston mes të dyve, dhe këtë e ka thënë dikur një lider politik francez, Charles de Gaulle [4], mjaft i njohur në arenën ndërkombëtare. Ai citon : « Patriotizmi është të duash vendin tënd. Nacionalizmi është të urresh vendin e të tjerëve ».
Populli shqiptar është shumë i lidhur me origjinën apo me territoret (tokat) e tij, me rrënjët dhe me prejardhjen e tij. Duke qenë shqiptar dhe duke u mbështetur në përkufizimin e patriotizmit të Gjeneralit De Gaulle, në qoftë se rikthehemi në të kaluarën, do të konstatojmë, pavarësisht imazhit të keq që lexojmë ndonjëherë në mediat ndërkombëtare, se shqiptarët janë popull krenar por edhe paqësor. Shqiptarët janë popull që nuk kanë hapur kurrë luftë ndaj vendeve fqinje për të pushtuar tokat e tyre.
Në të kundërt, populli shqiptar nuk ka reshtur së pushtuari prej të tjerëve, i detyruar shpeshherë të lëshojë territore. Ka pasur gjenocide ndaj shqiptarëve të Kosovës apo shqiptarëve të Greqisë (të Camërisë), dhe deri tani këto palë dhunuese nuk i kanë pranuar këto akte barbare dhe nuk ka i kërkuar falje publike popullit shqiptar.
Faktorët e përmendur më lart mund të ndikojnë te patriotizmi dhe ta kthejnë atë në nacionalizëm. Nga ky moment, politikanët shqiptarë hyjnë në skenë si « komedianë të talentuar » dhe i shpallin « dashurinë » Atdheut. Kjo « dashuri » nuk është gjë tjetër veçse një instrument politik që transformon patriotizmin në nacionalizëm dhe u mundëson atyre të egzaltojnë e manipulojnë ndjenjat kombëtare e të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet.
Nacionalizmi është një lloj « virusi », eskluzivisht politik, që infekton patriotizmin tonë popullor. Populli shqiptar nuk ka dalë asnjëherë i fituar nga fryma nacionaliste apo nga patriotizmi i rremë. Përkundrazi, shqiptarët kanë rënë shpeshherë viktimë e këtij nacionalizmi. Një citim i Albert Einstein-it mbi nacionalizmin është shumë domethënës : « E urrej tmerrësisht heroizmin nën urdhra, dhunën e pajustifikuar dhe nacionalizmin budalla. Lufta është gjëja më e neveritshme ».
Politikanët shqiptarë, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë të mbajnë gjallë nacionalizmin dhe luajnë me ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Greqisë duke u dhënë atyre shpresa të rreme mbi bashkimin e trojeve shqiptare dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sa herë që diplomacia ndërkombëtare reagon kundra nacionalizmit politik në Ballkan, liderët politikë shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë tërhiqen dhe ndryshojnë fjalim mbi Shqipërinë e Madhe.
Si përfundim, cila rrugë mund të bashkojë popullin shqiptar :
ajo e patriotizmit popullor, e cila mund të ndërtohet rreth një shteti ligjor brenda një Europe të bashkuar për të evituar që të përjetojmë vuajtjet e të kaluarës ?
apo ajo e nacionalizmit politik (patriotizmit të rremë), e cila është e mbushur me urrejtje, racizëm, padrejtësi, korrupsion, papunësi dhe varfëri ?

Më duket se përgjigja është evidente !
*Burimi : Klara Buda Post (New York)
http://klarabudapost.com/populli-shqiptar-mes-nacionalizmit-politik-dhe-patriotizmit-popullor/#.Vh6deXrtmko
_______________________________________
[1] Me njohjen e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha dhanë 2/3 e tokave shqiptare për të kënaqur aleatët tyre, domethënë fqinjët tanë.
[2] Britania e Madhe, Franca, Rusia
[3] Greqi, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi
[4] Ish-presidenti i Republikës së Francës (1959 – 1969)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebia, mes nacionalizmit, politik dhe patriotizmit

IDENTITETI NACIONAL-KULTUROR I RREZIKUAR

October 14, 2015 by dgreca

Shkruan:Eugen Shehu/
„Nuk mund të zhvillosh kombin pa i dhënë kulturën e kultura është pjesa më vitale më e prekshme dhe më e përditshmja.Individi me kulturë nuk skllavizohet dhe nuk e lejon vehten të poshtrohet,njeri i tillë hyn në rradhët e asaj që ne i themi intelegjencë“- Mit‘hat Frashëri/
Monumentet tona nacionale,frymore ose jo të tilla për gati një shekulli janë në qendër të goditjeve nga politika shovene serbe e atyre sllavomaqedonase,me qëllimin e vetëm për të shpartalluar deri në asgjësim të plotë tharmin e kulturës shqiptare,vetëegzistimin e popullit autokton në Maqedoninë Shqiptare.Si çdo komb që ka monumentet e veta të kulturës e të parët ata që shëndrohen në simbole,ata që me fjalën e tyre thërrasin dhe ngrenë gjeneratat,janë padyshim vetë njerëzit.Ende në gjallesë fizike të tyre,ata nderohen,dëgjohen,respektohen,pas tyre ecet pa u friguar se me ta është përpjekja më e madhe njerzore për lirinë dhe prosperitetin e kombit.Shum burra ecën nëpër faqet e historisë përmes ngjarjeve kulmore të jetës shqiptare duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e madhe të kulturës sonë kombëtare.Dhe e vërteta e dhimbshme është se në trevat autoktone të Maqedonisë Shqiptare,ende këta patriotë të mëdhenj të punës e sakrificës,nuk njihen mirë ose thënë më saktë më saktë lënë në krahun e anatemuarve ose dhe më keq të haruarve.Dhe kjo gjë jo për fajin e tyre,por nga trysnia qëllimkeqe e regjimeve sllavomaqedonase si „modele të harmonisë ndëretnike“.Autorët e ndaluar dhe të syrgjinosur,në fakt janë ata që përbëjnë fundamentin e mendimit të lirë shqiptar në shekullin që lamë pas,at nuk e patën nxjerë vendin e tyre në ankand por, përkundrazi me jetën dhe veprat e tyre mundën të artikullonin die sam a të qarta për çështjen kombëtare shqiptare dhe mëtej këto die t’ia paraqesin dhe europës.Ata nxuarën nga arkivat e bibliotekave të huaja mijëra faqe librash dhe harta duke i bërë të ditur botës se cili ishte vendi i ilirëve të lashtë në gadishullin ballkanik dhe përse fqinjët e tij ishin sllavo-grek,ishin udhëhequr kurdoherë prej qëllimeve aneksioniste.Këta burra të mençur,transmetuan jo vetëm në kujtesë të kombit të tyre por dhe kombeve të tjerë,kuintesencën e kulturës nacionale,me çrast donin të dëshmonin se etnija shqiptare kishte një konstancë zhvillimi sa në aspektin njerzorë aq edhe në identitetin e saj.Natyrisht vepra e tyre nuk filloi nga hiqi,ata patën një truall ku u mbështetën patën veprën e përkryer të vëllezërve Frashëri,ate të Kristoforidhit, Veqilhargjit,Vretos etj,mbi të cilën më pas lulëzoi krejt kultura shqiptare e shekullit të XX-të.
Por në vise të maqedonisë Shqiptare dhe vepra e këtyre pak u bë e njohur,ngase kështu u interesonte qarqeve të caktuara serbo-sllavomaqedonase.Shqiptarët etnik të këtyre trevave kishin patur rastin të mësonin për dishepujt e mendimit dhe kulturës së vetë,vetëm gjatë periudhës së viteve 1939-1944, atëherë kur këto treva shqiptare ishin nën administratën shqiptare,ani se të pushtuar prej Italisë e Bullgarisë,por sidoqoftë disa treva u lodhën me shtetin amë.Madje gjatë kësaj periudhe,disa shkolla, sheshe e rrugë,muarën pikërisht emrat e këtyre Rilindasve tanë e për tu hequr mandej dhunshëm nga pushtimi serbo-sllavomaqedonas komunist,duke i zëvendësuar me „heronjtë“ e nacionalçlirimtarëve sllav që u ndihmuan dhe nga komunistët e Tiranës.

GODITJET NË KUJTESË

Ka qenë gjithmonë në llogjikën e pushtesve që pas nënshtrimit të dhunshëm fizik,të përgaditëshin dhe nënshtrimin shpirtërorë,sepse ky nënshtrim ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetëdijen nacionale të kombit.Sapo hiqej nga një shkollë emri i „Sami Frashërit“ do të zavendësohej me ate të Titos ose Mosha Pijade etj.E pse ? Historia e trevave të Maqedonisë Shqiptare ka qenë kurdoherë e pranishme në veprat e Sami bej Frashërit,madje për fushën e Pollogut ai ka patur edhe projekte konkrete,ndërsa i vetmi projekt i regjimit komunist ka qenë shtypja,dhuna dhe terorri mbi popullatën shqiptare,një pjesë e së cilës,ajo ortodokse pranoi sllavizimin e deri tek vendosja e kolonëve nga vise të tjera serbe.Kështu që pas „çlirimit“ dhe „bashkim vllazërimit“ në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare u zhdukën emrat e vëllezërve Frashëri , të kristoforidhit,të motarve dhe vëllezërve Qirijazi,Said Najdenit,Vehbi Dibrës,Iljaz Pashë Dibrës,Nijazi Resnjës e shumë figurave të kulturës dhe artit luftarak shqiptar,me këtë rast ishte e spjegueshme që të ndaloheshin e të lënë në harresë,në vetminë e madhe të tyre,edhe korifejtë e mendimit nacionalist shqiptar si Mit’hat Frashëri,Gjergj Fishta,Faik Konica,Krist Maloki etj etj.Mbase në rastin e këtyre burrave propagandës rrënuese serbo-sllavomaqedonase i ka ardhur në shërbim sigurisht edhe rregjimi gjysëm shekullorë i diktaturës komuniste në shtetin Shqiptar,i cili po për të njejtat arsye të kriterit ideollogjik, i mbajti xhevahirët e veprave të tyre përmes mykut të arkivave dhe biblitekave me rreptësinë e ndaluar.Pas goditjes së dhunshme të figurave madhore të kombit tonë aradhat famkeqe të regjimit komunist-titist,iu drejtuan edhe rrënimit të kujtesës,të ngjarjeve me rëndësi për familjen dhe jetën e shqiptarëve.Me të ashtuquajtur rreforma urbane në emër kinse të strukturuar, u gjymtuan dhe u rrafshuan me mijëra shtëpi të stilit të vjetër tradicional shqiptarë,u rrënuan kulte dhe monumente të randësisë historike fetare,dhe në emër të po atyre ndërrmarjeve djallëzie u prekën të gjitha lagjet dhe rrugët të një rrëndësie historike e kulturore për ti përshtatur një arkitekture shoveniste larg asaj identitare historike. Në të gjitha qytetet shqiptare ku ishin të vendosura sahat-kullat e vjetra,sahatët u muarrën dhe zavendësuan me kryqe si një shenjë se gjoja në ato vise paskësh patur vetëm të krishterë sllav,sipas programeve kolonialiste që vazhdon dhe në ditët e sodit.U nacionalizuan pronat fetare-Vakëfet- ndërsa u rrafshuan përdhe Hamamet e lashtë duke i zëvendsuar me objekte bankare apo të institucioneve qeveritare-komuniste përderisa shqiptarët mbeteshin krejtësisht të margjinalizuar në reagimet e tyre,kur dihej që si alternativë do të kishin burgin ose likuidimin fizik e shoqëror.
Shovenizmi i egër serbo-sllavomaqedonas nëpërmjet programit të „naçertanieve“ të ndryshme ka elaboruar dhjetra e dhjetra die shfarosëse jo vetëm për kulturën por edhe për vetë jetën e shqiptarëve etnik në trojet e tyre me historinë dhe kulturën e tyre.Tashmë këto elaborate askush nuk i mendon si histori të shkruara në kohra të lashta,por përkundrazi,si projekte konkrete administrativo-politike, me ç’rast realizimi i tyre drejtohet nga „shteti demokratik“,kështu do ishte edhe më vitin 1988-të kur në shtëpinë-muze ku ishte mbajtur Kongresi i Manastirit më nëntor të vitit 1908-të,dora shovene do të shkulte pllakën përkujtimore,duke dashur të çojë drejt harresës datën kulmore të kombit shqiptar.Po kush tjetër përveç shovenizmit serbo-sllavomaqedonas do të dëshironte që ajo datë mos të Egzistonte? Ata duke dashur të shkulnin ate pllakë përkujtimore dhe duke tentuar të përvetsojnë dhe vetë shtëpinë-muze,ata në fakt duan të zhdukin një pjesë të historisë relevante të gjuhës dhe shkollës shqip,duan që me egësinë e tyre shovene të „pushkatojnë“ krejt emrat e ndritur të atyre burrave që në kryeqendrën e vilajetit të Manastirit,hodhën bazat e gjuhës dhe të bashkimit tonë kombëtar,e kjo heqje të pllakës pasoi dhe me ndryshim emrash nëpër rrugët e qytetit. Në vitin 1993-të në vise të Maqedonisë Shqiptare,prej miqve të afërmve por edhe nga patriotë shqiptarë,u zhvillua me madhështi ceremonia e rivarimit të Hoxhë Vokës të këtij mendimtari dhe pioneri të gjuhës dhe shkollës shqipe.Me këtë rast u vu në vend edhe amaneti i tij për të patur tek koka një rrasë varri të shkruar në gjuhën amtare,në një pllakë të vogël merrmeri nuk mungoi as skalitja e një shqiponje dykrenore,dhe jo më gjatë se një muaj nga ceremoniali,varri i këtij shqiptari të madh dhunohet nga dorra e krimit shovenist sllavomaqedonas,kështu duke rivrarë dhe një herë simbolet e dhe varret e shenjta shqiptare,por gjithmonë është e vështirë të merret me mend se deri ku shkon paranoja kolektive sllavomaqedonase.
Sikurse të mos mjaftoheshin me të bëmat e tyre djallëzore,ata tashmë ishin të vendosur që të shkatëronin madje edhe kultet fetare të një rëndësie të veçantë,kështu që po më vitin 1993-të mu pranë Xhamisë të njohur Isakie si një vepër e rrallë arti,sipas „planit urbanistik“ do të ngritej një ndërtesë disa katëshe,kjo pasoi me protestën e ashpër të Bashkësisë Islame Shqiptare,duke ndërmarrë nismën e diskutimeve në një tribunë publike në bashkëpunim edhe me Entin për Mbrojtjen e Monumenteve Historike ku u dëgjun me interes,kumtesat e arkelogëve,etnologëve dhe arkitektëve por që tek e mbramja nuk dha fryt,pasi që ishte projekt sllavizimi i cili pasoi më pas dhe në komunat e tjera shqiptare.Një fat të tillë ka përjetuar edhe Harabati Teqeja e Tetovës e cila për vite me radhë mbetet në shkresa gjyqësore,e cila ashtë e uzurpuar prej autoriteteve të larta sllavomaqedonase prej vitesh duke ngritur në të pijetore dhe hotele,dhe nuk është aspk për çudi kur të biesh në gjyqet e tyre të montuara që si zakonisht fabrikojnë zgjidhje „paqësore“ ku më pas restorantet dhe hotelet tu ngelin sllavomaqedonasve,e nuk do të ishte habi nëse një natë dhe mbi te apo pranë ngritet një kryq sllav.

TERRORIZMI ETNOKULTUROR SLLAVOMAQEDONAS

Se cilat mund të jenë parametrat e bashkëpunimit në Fyrom-in e sotëm veçanërisht në rrafsh të bashkëjetesës kulturore,mjafton vëmendshëm të shohim djallëzitë e projektit „Shkupi 2014“ dhe gjithshka sqarohet që në shiqim të parë e në mbrendësi spjegon mjaft vizita në Muzeun historik të Shkupit.Eksponatet e këtij muzeu „tregojnë“ më së miri „ardhjen“ e sllavëve në Maqedoni si edhe shtrirjen e mbretërisë së Carit Samoillit.Më tej aty flitet për luftërat dhe zgjerimin e mbretërive nën udhëheqjen e Car Dushanit dhe kralit Marko,por asgjë nuk thuhet për fisin e lashtë arbëror,për ate popull që jetonte në këto troje përpara se sllavët të dyndeshin në gadishullin ballkanik.Kjo heshtje memece ka rrethuar qindra kilometra truall arbëror i cili në luftërat e veta për egzistencë fizike,ka shkruar epope një mijë herë ma sinjikative se përrallat me Carë e Kralë.Po në këtë muze të pështirë,sipas vizitorëve do të vërejsh të ekspozuar,gurë,kryqe apo objekte të tjera,por asgjë nga arktifakteve ilire kur dihet se ajo që sot quhet zyrtarisht si FYROM-në të kaluar ka qenë vetëm një term gjeografik,ndërsa të parët shqiptarët si një popull autokton nuk përfaqsohet aty me zbulimet e veta të
Lashtë sisë ilire.Është padyshim shenjë e mirë kur një popull nuk do të harrojë nga ka ardhur,sepse në çdo moment ai përcakton se nga do të shkojë dhe deri ku mund të arrijë,por të terrorizosh jo vetëm fizikisht por edhe kulturalisht identitetin e ngurtë e autokton të kombit në bashkëjetesë qoftë dhe e detyrueshme,është dhe një krim mbi krimet e koh pas kohshme,dhe ky asht realiteti i „bashkëjetesës ndëretnike“ në Fyromin e sotëm.Në një vend multietnik,dyshe,dhe minoritete të tjera,është e detyrueshme rrëfimi i rrugëve të qytetërimit për çdo popull,kështu që mos ti lihet presupozimit si shembje dhe tentimvarrosjen e një identiteti autokton kulturor e për të ngritur vlerat jo të vërteta të një populli tjetër i freskët në sipërfaqen e kombeve me identitet të dyshimtë historik.Përkundrazi, kur këto kultura ndriçohen më vehte,pa tendenca dhe kritere ideologjike ato mund t’i shërbejnë njëra tjetrës,qoftë asaj autoktone , qoftë asaj në ngjitje.Por doza e sëmundjes patallogjike sllave albanofobe nuk duron dot ngjitjen pas lashtësisë së identitetit nacional shqiptar,dhe pikërisht kjo sëmundje e rëndë në psikozën e tyre gjithmonë le hapur idetë konspirative,ku sipas logjikës së tyre dhe ndryshimet e dhunshme demografike janë në shërbim të mbrojtjes të identitetit të tyre.Shkupi sot ka pjesë dërmuese të sllavomaqedonasve nga zonat rurale të boshatisura nga maqedonia e pirinit dhe asaj të egjeut,e përderisa e dinë që shqiptarët nuk zhvendosen në ato zona,që në fakt s’janë të vetat,por edhe përmes ligjeve të veçanta dhe dinakëritë elektorale,p.sh. Kumanovës i heqin Likovën si zonë e saj dhe e bëjnë një komunë më vehtë jo funksionale dhe jo të zhvilluar,e në të njejtën kohë qyteti i Kumanovës automatikisht dominohet nga serbët dhe sllavomaqedonasit, të cilët zgjedhin kryetarin e Qytetit.E në anën tjetër Zajazi si pjesë e Kërçovës i lihet zonës së Pollogut,për të ballancuar elektoratin në komunën e Kërçovës,dhe ndërkohë ngitet një komunë fantazmë si Vevçani në Strugë që i ngjan një mor kali, e tërë kjo dinakëri sllavomaqedonase madje gjen dhe mbështetjen e një partie shqiptare në partneritet.
Pse e them këtë ? Monumentet tona identitare apo frymore e kulturore madje dhe në rrafshin gjeografik e demografik,dita ditës po iu ekspozohen rrymave të forta shoveniste sllavomqedonase pa lënë mënjanjë dhe ndonjë grupim politik shqiptar,por ajo që është shpresë mbajtëse e fuqishme është fakti që shqiptarët etnik të Maqedonisë Shqiptare kanë energji mendore e fizike për ti përballuar goditjet institucionale sllavomaqedonase në drejtim të gjdo poreje të jetës shqiptare në ate kreaturë jo domosdoshmërisht si e tillë egzistenciale.Ne si shqiptarë e dimë mirë që terorrizmi jo gjithmonë është vepër e një individi,grupi qoftë ideologjik apo religjioz,por ma i rrezikshëm dhe frymzues është ai institucional i një pushteti i cili udhëhiqet nga paranojat e saja.Tek e fundit se sa asht goditja e fortë shqiptare këtë e dëshmuan në praghyrje të mileniumit të tretë.Një reflektim i intelegjencës shqiptare në Fyrom është imperativ kohe në korniza kombëtare.
Zvicër-Bern

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Shehu, I RREZIKUAR, IDENTITETI NACIONAL, kulturor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3449
  • 3450
  • 3451
  • 3452
  • 3453
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT