• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARRËDHËNJET AMERIKANO-GJERMANE DHE MURI I BERLINIT

October 9, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në fillim të gushtit, Departmenti Amerikan i Shtetit kishte njoftuar se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të  vendosej  në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara, në Kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington.Në fakt, të mërkurën u zhvillua një ceremoni në DASH, në praninë e Presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck, Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe të një numëri zyrtarësh dhe diplomatësh të lartë gjermanë dhe amerikanë, për inuagurimin zyrtar të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Qëndrën e Diplomacisë  Amerikane në Washington.  Zyrtarët e lartë amerikanë dhe gjermanë e kanë cilësuar Murin e  Berlinit, jo vetëm si një kujtesë të përhershme të historisë së përbashkët dhe të marrëdhënjeve midis dy vendeve, por kanë vlerësuar njëkohsisht edhe rolin që ky mur ka luajtur historikisht dhe që luan edhe tani në forcimin e pazevëndsueshëm të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, tani dhe në të ardhmen.

 Në fjalën e tij përshëndetse gjatë ceremonisë së inaugurimit , Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry tha se, në emër të Departmentit që ai kryeson dhe në emër të popllit ameirkan, “E pranojmë këtë simbol unik të Murit të Berlinit, ndërkohë që kujtojmë me respektin më të madh partneritetin e pazëvendsueshëm midis dy vendeve tona të mëdha”. Kryediploamti amerikan u shpreh se, “Tani jemi më të vetdijshëm se ç’ ishim në vitin 1961, se ndërtimi i Murit të Berlinit  ishte jo vetëm një vepër armiqësore, por edhe një pranim i një humbjeje ose dështimi të turpshëm.”  Ai shtoi, se historia na mëson se duke filluar nga Roma e vjetër dhe nga Kina mesjetare, qytetërime të ndryshme kanë ndërtuar mure dhe pengesa të tjera për të mbajtur larg armiqët, por asnjë herë më parë nuk kishte ndodhur që një qeveri ta shihte të nevojshme që të ndërtonte një mur për të rrethuar shtetasit e vet që të mos largoheshin nga vendi.  John Kerry u tha të pranishëmve se shumë veta humbën jetën në përpjekje për tu arratisur nga parasja komuniste  dhe se shumë familje gjermano-lindore, përfshirë edhe familjen e Presidentit të tanishëm të Gjermanisë së bashkuar, Joachim Gauck nuk jetonin në liri.  Kryediplomati amerikan u kujtoi të pranishëmve se në fakt, babai i presidentit të ardhëshëm (Joachim Gauck) ka qenë i burgosur në një gulag sovjetik. “Kjo përvojë”, shtoi Zoti Kerry, “ndihmoi që djali i tij  të bëhej një kampion i vërtetë i demokracisë, një aktivist i guximshëm dhe një udhëheqës të cilit policia sekrete e Gjermanisë Lindore i referohej si ‘një antikomunist i pa-korrigjueshëm’. Në të vërtetë, ky ishte lavdërimi më i madh që mund t’i bëhej presidentit të ardhëshëm të Gjermanisë së bashkuar, Z. Gauck, theksoi John Kerry.

Në fjalimin e tij, John Kerry falënderoi Presidentin e Gjermanisë për praninë e tij në këtë ceremoni, duke shtuar se pjesëmarrja e tij në inaugurimin e një pjese të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit tregon se ndërtimi i atij muri në vitin 1961 nuk ishte vetëm një lojë gjeopolitike, por ishte, theksoi ai, “një tragjedi e tmershme në një kohë kur shumë veta që donin lirinë dhe paqën u detyruan të jetonin në heshtje, ndërkohë që miliona liridashës u persekutuan dhe u burgosën për një pjesë të madhe të jetës së tyre.    Kurrë nuk do të dihet se sa njerëz të vullnetit të mirë e të guximshëm humbën jetën në përpjekje për të kapërcyer Murin e Berlinit”, nënvijoi  kryediplomati amerikan. Duke paraqitur Presidentin e  “Aleatës tonë të madhe”, Gjermanisë, John Kerry tha se pas pothuaj një çerek shekulli ç’prej ribashkimit të Gjermanisë ne jemi tepër krenarë për marrëdhënjet e zhvilluara gjatë dekadave midis dy vendeve tona, duke e cilësuar Gjermaninë si një aleate, partnere dhe mike të besueshëme të Shteteve të Bashkuara.

 Ndërkaq, Presidenti gjerman Joachim Gauck iu drejtuar të pranishëmve se ishte i nderuar që emëri i tij ishte në atë pjesë unike të Murit të Berlinit së bashku me emëra të shumët të personaliteteve të larta politike të kohës, duke thënë se ndonëse kur u shemb Muri i Berlinit ai nuk kishte ndonjë detyrë të lartë, por ishte vetëm “njëri prej aktivistëve i cili ndihmoi njerëzit që të luftonin për lirinë e tyre.”  Në fjalën e tij, udhëheqsi gjerman  tha se gjatë kësaj vizite, “zemëra ime është plot falënderime dhe mirënjohje ndaj popullit amerikan, i cili për një kohë aq të gjatë ka mbështetur dhe ka luftuar për bashkimin e Gjermanisë.”

 Presidenti gjerman iu referua edhe lëvizjeve për demokraci anë e mbanë Europës Lindore gjatë sundimit komunist, duke thënë se ata që donin të mbanin nën thundrën e tyre popullsi të tëra, më në fund nuk dolën fitues, pasi ata u mundën nga demonstratat dhe masat paqësore  të popujve që donin mbi të gjitha paqë dhe liri.  Ai theksoi në radhë të parë vendet e Europës Lindore që tani janë të lira dhe të cilat kanë përvetësuar vlerat e vendeve të lira siç janë Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës së lirë. “Aty ku mbretëron liria”, tha presidenti gjerman, “muret do të shëmben.”   Ai shprehi dëshirën e tij se njerzit, që do vizitojnë pjesën unike të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit, “Do të kujtojnë kufizimet e atyre sukseseve që mund të realizojmë, të dështimeve që nganjëherë duhet të pësojmë dhe t’i pranojmë, por edhe të fitoreve të lirisë dhe të njerëzve të cilët luftojnë për liri dhe të mos harrojnë përfitimet që ka sjellur liria.”   Në fund të fundit, shtoi udhëheqsi gjerman, “Njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur nëqoftse nuk  zbatojmë  vlerat dhe nëqoftse nuk jetojmë bazuar në vlerat që të gjithë ne i konsiderojmë universale — siç janë respekti për ligjin dhe për dinjitetin njerëzor.”  Presidenti Gauck tha në fund të fjalës së tij  në Departmentin Amerikan të Shtetit të mërkurën, se shpreson që  kur diplomatët e ri të shikojnë këtë segment të Murit të Berlinit, këtij relikti të Luftës ës Ftohtë, “Të besojnë në atë që mund të realizohet kur njerëzit marrin guximin dhe kurajon për të  konsideruar veten qytetarë të përgjegjshëm dhe është në këtë frymë që unë shprehi mirënjohjen time ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan”, përfundoi presidenti gjerman, Joachim Gauck fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit.

   Muri i Berlinit ishte  për pothuaj 30-vjetë simboli më i dukshëm i Luftës së Ftohtë dhe një i betejës mes totalitarizmit të komunizmit ndërkombëtar dhe demokracisë, gjatë 50-vjetëve të fundit të shekullit të njëzetë.  Shëmbja e Murit të Berlinit, siç tha edhe presidenti gjerman të mërkurën në Washington, ishte një ndër ato ngjarje kur njerëzit e lodhur nga shtypjet dhe diktatura morën guximin dhe vendosën që më në fund të realizonin dëshirën e tyre për liri dhe demokraci, ashtu siç bënë gjermano-lindorët një çerek shekulli më parë.  Guximi i gjermano-lindorëve u bë shëmbull për të gjithë ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i cili në deklaratën e tij me rastin e 20-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit ka theksuar se, “Gjatë gjithë kësaj historie, fati i këtij qyteti u reduktua në pyetjen e thjeshtë: A do të jetojmë të lirë apo në pranga?  Nën qeveritë që mbështesin të drejtat tona universale, apo nën regjime që i shtypin ato? Në shoqëritë e hapura që respektojnë shenjtërinë e individit dhe vullnetin tonë të lirë, apo në shoqëritë e mbyllura që e mbysin shpirtin?”

 Muri i Berlinit, ose “Muri i Turpit”, siç e ka cilësuar edhe ish-Kancelari gjerman Willy Brandt ishte me të vërtetë simbol i shtypjes së komunizmit, i ndarjes së Berlinit, të Gjermanisë dhe Europës — një simbol që “mbyste shpirtin” e njeriut, pjesë e të cilit tani është instaluar në në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington, si një simbol i kujtesës së përjetësuar i shtypjeve  të lirive dhe të drejtave universale të njeriut nga regjimet komuniste të shekullit të kaluar në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerikano-Gjermane, Frank shkreli, Marrdheniet

11 POEZI NGA FRANCO FORTINI NE SOFREN E DIELLIT

October 9, 2015 by dgreca

Ne Foto: Franco Fortini –  ( 1917- 1994)/

NGA FASLLI HALITI/

           Lindi në Firence, në një familje izraelite më 10 tetor, 1917 , ndërroi jetë në Milano, më 28 nëntor, 1994), ishte një poet, kritik letrar, eseist dhe intelektual italian. Personazh  kontrovers, llogaritet një ndër disa nga personalitetet më interesante të peizazhit kulturor të shekullit të njëzetë.

Bashkëpunoi me revistën «Reforma letrare» të Firences. Mori pjesë në Rezistencë. Deri më 1957 bënte pjesë në Partinë Socialiste dhe zhvilloi një veprimtari të gjallë politike. Nga viti 1946 deri në 1977 shkroi përmbledhjet në vargje: « Fletëleja dhe vargje të tjera», « Agoni e Krishtlindjes », «Një alegori e thjeshtë », «Fatet e përgjithshme», « Poezi dhe gabim », «Ky mur », «Një herë për gjithmonë ».Shkroi gjithashtu sprovat: «Verifikimi i pushtetit » dhe « Cështje kufiri ».Në poezitë e tij me karakter qytetar ndërthuren në plan stilistik lirizmi dhe oratoria.

UJI  I  QIELLIT

Ujë i qiellit

shëndet i të Plotfuqishmit

lana trupin.

Për imazhet e tua

mur të bardhë të paprekur

sheh mendja.

Zbret në rrjetën e gjakut

ngrica jote

paqe e lartë.

 

Ujë i hidhur i qiellit

dhe i mëshirës

etje e lashtë

 

ku ishte mospajtimi

i barit të njomë të korrur

që frymëzon një kurorë.

 

Vetes sonë

gjallëroja çdo fjalë

o e papërlyer.

 

1938

QE NJËZETË E DY VJET

Që njëzetë e dy vite

unë jam gjallë.

 

Edhe sa vite jetë akoma nga këta minuta

që mua më mbarojnë

tani

Në dorën Tënde të plagosur

fitimtari Jezus

hiqmë ti nga koha.

MIQ,  PLAKEN  KOHET                 

 

Miq, plaken kohët

Bëhet shumë e thjeshtë bota

dhe unë studioj akoma anglishten.

Midis mëngjeseve të lehta

Janë akoma të varura gjërat që do të bëjmë

dhe rriten në fund të xhepave gazetat.

 

Të bardhë dhe duar të njollosura

me rrudhat e plakjes

do të flasim do të flasim

për gjërat që do të bëjmë

dhe për ato që baballarët s’i kanë bërë,

duke menduar si atëherë

kur luhej me kape hajdutin,

mbi zhavorr.

DITA E ZBEHTE

Dita e zbehtë të akullon tëmthat.

Dhe do të të duhet të ngrihesh në këmbë,

të dalësh e të ecësh,

të bësh për vete të pafetë,

orët e jetës tënde.

Dhe ti i beson të shenjta, të rralla, i do ato !

LLAMPA  E  DJEGUR

Diçka tringëllon në boshësi

diçka

thyhet.

 

Teli i skuqur

që shuaj tani lëkundet

nuk sheh

por dëgjon dhe një zukatje

ngulmon po ta tund

në errësirë

 

atë tel që nuk ndriçon më

dhe që ish yti,

imi.

 

QENIA IME

Qenia ime, thuamë pra,

nëse s’të mbetet asgjë

nëse njeh çdo gjë, flet ende ?

Nëse pra, baras me këtë

e pandeh jetën dhe asgjë s’pushon aty

dhe mos vallë vetëm një pyetje e ankthshme

është boshi dhe ajri i agimit ?

NUK  MUNDEMI

Nuk mund ta ndryshojmë inercinë e një trupi,

Duke ndryshuar mjedisin që e rrethon.

Gjithçka ka ndryshuar, qytetet janë  zhdukur.

Shuma e forcave individuale

shtrihet në zero.

Pleqtë vrasin të rinjtë,

Të rinjtë lindin pleq.Nuk mundim

ta ndryshojmë inercinë e një trupi

duke ndryshuar mjedisin. Asgjë s’është më e fortë

për një tjetër trup. Për të ndryshuar njerëzit

trupa njerëzish na duhen. Që të flasin

të vdekurit duhet që të marrin frymë

brenda buzëve të tyre.  

NDONJEHERE  

Ndonjëherë në mbrëmje zbret nëpër rrugë,

qarkullon në lagje.

Shikon vitrinat e sallamerisë,

Kartolinerinë dhe butikët.

Merr pamjen e zotërisë plak.

Ndihet si të kishte një bastun ose një kallam.

Atëherë blen gazetën e mbrëmjes.

Kthehet shpejt në shtëpi.

 

Dashuri të zbehta të lira.

Një vejushë e rëndomte e nderuar,

e bollshme dhe e kënaqshme,

që mban bustin dhe një mbeturinë theksi nikaraguan.

Dhe një minorene e pazonja për bretje ndërgjegjeje.

që për pak monedha lumturon dikë

zhveshje me dritare të mbyllura

midis orës shtatë dhe tetë të mbrëmjes midis rrugës  

së sekretarisë së fermës dhe autobusit

 

Në mëngjes kur nuk ngutet për në mësim në lice

studion në shtëpi ose në bibliotekë.

Pasi darkon, në mbrëmje shkon ndonjëherë

në mbledhjet e grupit politik

e dëgjojnë dhe e ndjekin punëtorët dhe studentët.

 

Nuk do darka miqësore sepse i tharton

tepër gratë edhe pse vera është e mirë

Vepra që harton lehtë me skeda njëra pas tjetrës

Është ajo mbi fatin e Humit në kombin tonë.

 

parashikon djalin e mijëra shekujve

që kam imagjinuar mbi letër

por që ekziston me të vërtetë në ambiguitetin e reales.

Pleqëria e tij, qenia e tij e mposhtur

janë tema të konsumuara por edhe të mrekullueshme.

Pastaj kadenca e këtyre vargjeve

duhet të jetë solemne dhe te rrahë si bronzi.

 

Një dritë maji e fuqishme

sulmon personazhin që kam vizatuar këtu.

E rrëmbyen, e përlan,

trupi i saj i zhveshur shkëlqen midis reve.

Kufoma e ndriçuar dhe e ftohur

nga era e hapësirave të larta.

 

Vitet shtatëdhjetë
ANKIMI I HEROIT MUZIKOR

Në padinë e pakuptueshme të gjatë

Shtrëngoj shpirtin shumë të fortë.

Shiu lag  fytyrën budallaçkë dhe vajin.

Lundroj në dete të shurdhër

Të moshës udo, të moshës pa etikë.

 

PER  SIMONIN E B.

Në televizor ke parë Helenën tonë të dashur

midis turmës që qan për Simonin.

Me të vdekur të tjerë është në rregull edhe ajo

Nga ana tjetër e bulevardit Edgar – Kuinet.

 

Si në prill është e blertë errësira.

Vjen me drita franceze dhe vajza të reja.

I sheh dhe nuk të shohin. Janë siç je ti.

Një që është dhe një që nuk është.  

 

PARABOLË

 

Nëse do të duash të dish

Kush kam qenë unë në ditët e mia  

për veten time, këtë mund të ta them.

Mund krahasoj veten me një fat

që kam parë në fusha:

rrushi që në ditët e begata

u gjet i papjekur

dhe vjelësit nuk e këputën

dhe që në vreshtin e sfilitur

nga fshikullimat e dimrit,  

pa arritur ëmbëlsinë pastaj,

e rrahën erërat të zbutur, qull.

1953

Përktheu: Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: 10 Poezi nga Franco Fortini, Faslli Haliti

NJË LETËR E Z. M. KRUJËS MINISTRIT P. MBRENDËSHME

October 9, 2015 by dgreca

Botoi e përjavëshmja “Dajti”, Tiranë , e Martë, 24 qershor 1924 /

Tue marrë vesht se Z. M. Kruja ishte ftue prej Ministrit të Mbrêndshëm, Z. N/Kolonel Rexhep Shalës qi të pranonte zyrën e Këshilltarís t’asaj ministríe qemë gëzue tepër e me këtë na qe mbushun mêndja se i ndershmi ministër, ndër shumë vërtyte e meritime të tjera, paska dhe atë të zgjedhjes së njerëzvet t’aftë e të ndershëm në zyrat e Shtetit. Me Z. Rexhep Shalën në krye e Z. M. Krujën si Këshilltar do të ishim plotësisht të sigurtë se Ministria e Mbrêndëshme nuk do t’ushqente mâ në gji të saj, si në qêndër ashtu në krahina, parazita qi, përveç me i pi gjakun si ushûjzat, nuk i vlejnë për farë gjâje popullit.

Por mjerisht mâ vonë, kur miqt e vet po pregatiteshin për t’i vajtun n’urim Z. M. Krujës, u ndigjue se puna diku kishte ngecun e s’ishte krye edhe rregullisht. Deshëm të marrim vesh të vërtetën, u sulëm kah qarqet intelektuale e na thanë se Këshilli Ministruer s’e paska pranue proponimin e Min. së Mbrendëshme ! Nuk mund t’a kuptojshim  se ç’kundërshtim do të kenë pasun për një nga mâ të nxehtit e të parët flamurtarë të demokracís shqiptare, ministrat e dalun prej nji revolucioni kundra feudalizmit. Dhe nuk e besuem. U drejtuem ku duhej për të marrë informata mâ të sakta dhe kështu mësuem se çâshtja as qênka vue fare në bisedim të Këshillit Ministruer, jo pse mund të kishte kush kundrështim për të, por për disa arsye të tjera qi na i shpjegon mâ së miri teksti i letrës së botueme këtu poshtë.   

Tiranë, 21 – VI – 1924

Fort i ndershmi mik,

Tue më proponue me 17 të këtij mueji bashkpunimin t’êm me Z. t’Uej, si këshilltar i ministrís, qi populli Ju ngarkoi për mâ të madhen vepër patriotike qi dijtët me krye si prîs i merituem i fuqivet kombtare të përmbledhuna kundra feodalizmit gjaksuer, më konfirmuet edhe nji herë atë besim të plotë qi nji varg shërbimesh të përbashkta, në kohnat e kalueme, kanë ngulun të patûndshëm në zêmrën t’Uej për mue si edhe në t’êmen për Ju.

Un, tue qênë se qysh kur isha në mërgim kisha vêndue me i u largue për sa kohë aktivitetit politik të përmbrêndshëm, me gjithë dëshirën e vullnetin e plotë t’êmin me i shërbye kauzës së demokracís qi âsht baza e pavarmënís politike e shoqnore të kombit t’onë, asaj kauze për të cilën kam shkrî të tânë jetën t’ême të kalueme, ju luta qi të më lêjshit kohë për me u mêndue në do t’a shihshem proponimin t’Uej të pajtueshëm me vêndimin qi kisha dhânë me kohë. Ju ngulët kâmbë tue më sigurue se zyra e proponueme kishte nji karakter teknik e administrativ, kurse përgjegjsija politike e ministrís ju përkiste drejt për drejt juve e vetëm juve si titullar i saj. Ndonse jo fare i bindun nga pikpamja praktike, u pashë i shtrënguem me ju ndigjue e me ju dhânë fjalën për pranim.

Mirpo qysh atë ditë në mbrâmje, mbas disa orësh qi isha damun prej jush, u gjeta para këshillave shumë të nxêta të disa shokve, qi e kishin pasë marrë vesht punën, për mos me i dalë zot asaj barre. Këshillat mund të kishin për bazë arsye të vërteta e të shëndosha ase të gabueshme. Por fakti âsht qi në pak kohë e sipër muerën ngjyrë kritikash e polemikash nëpër udhë e kafe ndërmjet elementash të nji ideali a të nji parimi. Për mue si ata qi bashkë me Z. t’Uej gjykojshin në favor, si tjerët qi më këshillojshin kundra janë shokë e miq të ndershëm, të cilët duhet të bashkpunojnë në harmoní për realizimin e idealit të përbashkët qi âsht rrânjimi i nji regjimi me të vërtetë demokratik.

Prandêj tue besue se mund të zhduket pak së paku nji shkak i vogël dasíe në mes të këtyne elementëve të çmueshëm të demokracís shqiptare, m’u duk nji detyrë patriotike me e zgjidhun veten prej fjalës qi Ju kam dhânë për me qênë edhe mâ i lirë me  i këshillue të dashunit shokë qi, para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin, t’a bâjmë ashtu si na këshillon ideali i përbashkët në çase entuziazmi.

Më falni pra, Z. Ministër, e më besoni plotsisht se, si në pranim ashtu edhe tashti në refuzim të proponimit t’Uej, s’kam pasun tjetër gjâ para sŷsh veçse sakrifik e abnegatë për të mirën e atdheut të dashun.

Njiheras me këtë letër qi jam tue ju paraqitun kam lajmue me nji deklaratë të posaçme edhe shtypin t’onë se deri sa të këthehet gjêndja normale kam me ndêjtun jashtë ç’do zyre shtetnore si nji shërbtuer thjesht privat e i lirë i idealit tue sigurue edhe Z. t’Uej se s’kam me u kursye n’as nji mënyrë për ç’do qi të kujtoni se mund të ju vlej me këtë cilsí.

Nat’ e ditë jam në dispozitë të Z. s’Uej e të shokvet.

Plot nderime e besë.

Sh D. Deklaratën për të cilën flet kjo letër e muerëm dje. Mêndimi i auktorit të saj qi mund t’i sillte mâ shumë shërbim Atdheut tue ndêjtun hâ për hâ i lirë nga ç’do zyrë shteti nuk na pëlqeu aspak. Sepse neve na duket se sod mâ fort se kurrë kombi ka nevojë të shohë në krye të punës  njerzit e tij mâ të zotët e mâ të vjefshëm për kulturë, energjí, moral e patriotizëm si ç’asht Mustafa Kruja e të gjithë ata qi kemi sod në fuqí. Prandêj ndîesía patriotike na shtrëngoi qi të mos i a botojmë deklaratën qi na dërgoi e t’i lutemi nga ana e jonë botnisht mos me u largue prej shërbimesh t’atdheut edhe sikur të jetë nevoja me sakrifikue simpatín e disa shokve të dashun nga ata qi shënon vetë në letër.

Marrë nga e përjavëshmja “Dajti”, Tiranë , e Martë, 24 qershor 1924

Filed Under: Histori Tagged With: E Z. M. KRUJËS, MINISTRIT P. MBRENDËSHME, Nje Leter

MARK ÇUNI I PARI HERO I DEMOKRACISË EUROPIANE

October 9, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Mark ÇUNI(1920 – 1946)/

1945 HAPNI DOSJET: MARK ÇUNI ASHT THEMELUES I ORGANIZATËS SË PARË EUROPJANE ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” NË SHKODER/

PARTIA DEMOKRISTJANE NUK MUND TË FORMOHEJ NË NJË SHQIPNI ME PIKPAMJE KOMUNISTE DHE DIKTATURË STALINISTE. AJO MBET VETËM NJË IDE NË HISTORINË POLITIKE TË POPULLIT SHQIPTAR./

■DOSJET DO TË VERTETOJNË FAKTIN KUSH ISHTE MARK ÇUNI ?!../

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.  

Shpesh, bisedohej se “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Pjeter Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Jakë Gardini, Imz. Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “…se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni” por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik Shqiptar, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943. Po të njajten gja verteton perpjekja e Berdicës, grupi i Ndue Palit në Dukagjin dhe Lidhjet e Dibres me Kosovën dhe Puken e Mirakajve…

■Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me instruktorët e Titos per këtë parti fantazëm e çpikun dhe gjithmonë e pakenun, që hangri sa e sa koka njerëzish të pafajshëm. Viktimat e atyne “Partive” në 1945 ishin nga Veriu në Jug, ku perfshihej edhe Musine Kokalari nga Gjinokastra me Ndoc Çoben e Konferencës së Pezës…nga Shkodra.

■I nderuemi z. Nino Kurti tregonte se në muejn maji të vitit 1945, kur kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë, aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi i Kurbinit, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 1945, per të cilat perdoreshin epitetet “të lira, demokratike, me shumë parti…etj…”, nga Radio Shkodra dhe gazeta e Shkodres “Koha e Re” e drejtueme nga Arif Gjyli dhe Gjovalin Luka. Asht  bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, që njihej në Perëndim, por së bashku nuk e kishin bisedue kurrë. Atëditë, i kujtohej mirë Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që e ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte të panjohuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë, e thanun ma kjartë, nga katolikët?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim?!

Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Gjon Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun, i cili ishte i menduem per kete detyrë edhe nga Sejfullah Maleshova.

Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, që nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i përgatitun si intelektual e shumë besnik.

■Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku, nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet me Provinçialin  At Mati Prennushi, dhe as me Imzot Gasper Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, dhe pergjegja e Tyne e dhanun atij. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve prandej “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

■Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin e shtetit (Ndjeken). Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë intelektual në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë klerikët françeskanë që “mos të përzihen në politikë!”

Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin. Këte mendim Nino e kishte shpreh haptas e ishte kundershtue nga të dyshimtit.

■Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a  drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane.

■Kjo ishte arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga Atdhetari i flaktë Mark Çuni.

■Nino e vertetonte këte edhe për faktin se ata përsona që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe, as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët. Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj., janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore që na ka lidhë ne kemi pasë besën. Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Europë, po ku, me e gjetë sot një Andro Petroviq apo Mark Çunin, per me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq nuk u pashë ma me Ninon, mbasi Ai vdiq ndër ato ditë.

■Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Gjon Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për Partinë Demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë fare në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

■At Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike.

■Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

■At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë ose ma shumë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.

■Vetëm më 13 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas Meshës së Parë më 11 nandor, ka ba një përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue e ngarkue Prof. Nush Radovanin me këtë detyrë. Nushi me Tish Çefen e Ruzhdi Çoben pergatiten edhe një program që porsa e publikuen, Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhjetorit shpallë të formueme “Partinë Demokratike”. Kaluen ma shumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë. Kur Prof. Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Pikoli i thotë: “Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!”. Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera “me hije”…formohet edhe “demokristjanja” që asht sot.

■Kjo dhe vetem kjo, asht arësyeja që u vuna me dijtë “dishka” për Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” dhe kryesisht, per themeluesin e Saj të Nderuem

Mark Çunin (1920 – 1946), nga fshati Bushat i Shkodres, i pushkatuem në moshen ma të bukur 26 vjeçare. Mark Çuni formoi një organizatë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me të gjitha besimet, per me realizue zgjedhjet pluraliste në Shqipni, atëherë kur ende nuk diheshin “rezultatet e Konferences së Jaltës”, kur Enver Hoxha kerkonte me rrejtë e mashtrue në Shkoder, si gjithmonë me Sejfullah Maleshoven per “zgjedhje demokratike” dhe “Shqipni të Lirë e të Pavarun”, pikrisht atëherë kur, thundrat e Titos dhe të Stalinit kishin fillue me zhytë në gjak dhe terror mbarë Popullin Shqiptar.

Bota vazhdonte me u la në gjak, dhe bombet binin mbi kokat tona kur Trimi i Nderuem Mark Çuni, mendonte per Liri, Paqë dhe Demokraci Europjano Perëndimore…

■Këte e verteton dhe z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, ku nder tjera thotë:

“Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona…Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”…

“Me krijimin e Kominformit, në shtator 1947, Andrei Zhdanov quajti “demokraci të reja” Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë…”

***

■Në këte 70 vjetor të Organizatës së Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” që asht themelue nga Heroi Mark Çuni, mendoj se Shqiptarët, janë para një detyrimi Atdhetar:

MARK ÇUNI duhet perjetsue me Monumente…

■Monumenti i Mark Çunit, i Këtij Burri që i paraprinë Demokracisë Europjane duhet me kenë jo vetem në Tiranë, por edhe në Bruksel para Selisë së Europës së Bashkueme dhe, në Selinë e OKB në New York, mbasi asht i pari Demokrat i mirëfilltë që ka kerkue “Zgjedhje të Lira Demokratike e Pluraliste në Shqipni”, kur Bota nuk dinte kujt i thonë “Liri, Paqë e Barazi Demokratike”…

Melbourne, Tetor 2015.

ORGANIZATA  “B A S H K I M I   S H Q I P T A R”

 

“… Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).

Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:

  1.  At Giovani Antonio Fausti  S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.
  2.  At Daniel Llesh Dajani  S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
  3.  Mark Ndoc Çuni,  vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
  4.  At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
  5.  Gjergj Vat Bici,  vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
  6.  Gjon Prenk Shllaku,  vjeç 22, nga Shkodra.
  7.  Ndoc Gjelosh Vata,  vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
  8.  Preng Llesh Lezaj,  vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
  9.  Pjetër Gjok Ejlli,  vjeç 20,  nga Beltoja, Shkodër.
  10. Andro Lubo Petroviq,  vjeç 32, nga Shkodra.
  11. Ernest Gjok Dema,  vjeç 26, nga Shkodra.
  12. Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh,

     Dukagjin.    

  1. Luigj Ndoc Kçira,  vjeç 20, nga Shkodra.
  2. 14. Prof. Gjelosh Lul Marku,  vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
  3. Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.
  4. Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.
  5. Nino Zef  Kurti,  vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
  6. Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.
  7. 19. Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
  8. Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
  9. Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
  10. Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
  11. Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
  12. Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
  13. Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
  14. Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
  15. Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
  16. Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
  17. Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
  18. Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
  19. Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
  20. Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në

                 Shtypshkronjën Françeskane.

  1. Ndoc Rrok Jaku,  vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
  2. Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në

                 Shtypshkronjën Françeskane.

  1. Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në

                 Shtypshkronjën Françeskane.

  1. Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:

Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,

(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

  1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
  2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,
  3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
  4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
  5. Qerim Sadik Myftari  nga Vuthaj, Guci,
  6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.

   Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.

Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.

Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare

Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.

“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:

  1. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
  2. Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef  Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
  3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
  4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
  5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti  Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
  6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!

Prokurori  Ushtarak  (Tonin Miloti) d.v.

Shënim (FR):

Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).

Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:

“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.

Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.

Frederik Nosi d.v.

Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e “gëzon edhe sot” atje ku asht!…

***

Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë.

Mark Çuni:

“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë… Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë… Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba… Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue… Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue…

Prof. Gjelosh Lul Marku:

Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate… Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike… Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka shfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata…

Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për “dorën e zezë”, por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij… Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu…

Gjergj Vat Bici:

Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë…

Andro Petroviq:

Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue … Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë… Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!
Mark Gjon Shllaku:

Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.

Pjetër Gjoka:

E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: “Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!”.

Luigj Kçira:

At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij…

Xhakoni Gjon Shllaku:

Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945….Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.

… Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda…

…Ndërhynë prokurori Aranit Çela:

Thuaj  i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?

Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet:

Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani… Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq Tuk Jakova… Për rektorin, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën “Koha e re”… Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.

Gjelosh Lul Marku:

Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun,..nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun.

Mark Çuni:

Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris… Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue vedin.

At Giovani Fausti S.J.:

Unë nuk dij sëpse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte… Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë…

Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë…

Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika….Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue  ateiste dhe imorale…

Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm… Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm.

Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri  tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.

Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë  m i n o r a n c ë…

Ndërhynë prokurori A. Çela:

Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një  m i n o r i t e t !

At Giovani Fausti, përgjigjet:

“Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por  m i n o r a n c ë ,  e kam fjalën për PAKICË…”

At Daniel Dajani S.J.:

Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit… Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa… Nuk dij që P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste… Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë… Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë… Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.

Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë.         Persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.

At Gjon Shllaku O.F.M.:

Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë…

Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.

Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë… Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista… Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.

Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar… Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam ditë kurrgja.

***

Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.

Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.

Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:

“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.”

Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).

 

Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë… Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).

***
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.

Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi ?

– Edhe këtë do ta lexoni !

Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:

 

DEKLARATË:

 

Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:

  1. Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe vëprimet që Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në rast konkret dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin.

Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th. deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.

Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. Ka ba  konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:

“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.

Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun në shkollë me mësime.

V.F.L.P

Deklaruesi

Shkoder, 14. 02. 1946. Prof. Kol Prela d.v.

 

Shënim (FR): Edhe Prof. Simon Deda në Durrës, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo e Prof. Kol Prelës!?… Aspak çudi!…

E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht  ata që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse, guxuan e thanë:“Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!…”

  • Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M.:

“Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni.

Ndër né, ata mbyten dy herë… edhe harrohën!”.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, heroi i Demokracise, Mark ÇUNI

KOINEJA E GJUHES SHQIPE

October 9, 2015 by dgreca

Një studiues i njohur si Nikollë Daka, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë,  i burgosur dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes,  siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhes Shqipe”./

Nga KOLEC TRABOINI*/

Sot më tepër se kurrë po flitet për Gegnishten, madje deri në atë shkallë saqë po shfaqen zëra edhe për një sfidë publike duke iu shmangur përdorimit të Standartit (fjalë shterpë kjo) dhe përdorur dialektin. Disa krijues nga Shkodra por edhe nga Kosova janë përpjekur të krijojnë e botojnë, dhe ia kanë arritur. E vërteta është se ata janë pak, por kjo nuk do të thotë se nesër nuk do të jenë shumë. Në këto kushte si mund të jenë të qetë gjuhëtarët. Si mund të vegjetojnë nëpër zyrat e tyre studiuesit. Pse nuk bëhen të gjallë, por vetëm dalin kur duan të kundërshtojnë edhe në shenjën më të vogël të pranimit të disa trajtave të gegnishtes siç është rënia e ë (pa zanë) në fjalëformin apo diç tjetër duke e konsideruar atentat ndaj Standartit. Mjerisht këta gjuhëtarë që janë vetë të standartizuar, u ka mbetur ora fiks në datën 24 nëntor 1972, kur në praninë e tërë Byrosë Politike në tribunë, u ngulfosën në idenë se gjithçka flet për Tosknishten dhe asgjë për Gegnishten, duke bërë atë për të cilën ishin thirrur, të ngrinin duart njëzëri ashtu si në çdo forum tjetër në Shqipëri.

Kush mund të kundërshtonte? Ku mund të shkonte ai që do të guxonte të vinte në dyshim ato ç’ka thoshte Androkli Kostallari e Co. Një studiues i njohur si Nikollë Dakaj, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë,  i burgosur dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes,  siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhes Shqipe”. Le të sjellim një fragment:

Mbet shtang atdheu, papritmas kur drejtshkrimi

na doli koiné, që tjetër s’ishte,

veç plot toskrishtja plus fjalën ranishte,

Kongresi mbar u tund nga shungullimi

 

e arbëresh, kosovarë, që lodhë mërgimi

e malli për atdhenë këputë i kishte,

brohoritën me të tjerët si ferishte

pa ua pre mendja se ku ishte synimi.

Gjuha e tri t’katrave të kombit tonë,

gegrishtja e lashtë, e humbi aty shtetsinë

pa të drejtë shkolle, shtypi, skene a fjale

as s’iu desh gja që bani aq jehonë

e n’kulme të shqipes ia çoi letërsinë:

një prej kryesisë e shpalli klerikale.

Çfarë mund të themi pra se krijimi i Standartit të vitit 1972 u bë në kushtet e një lirije të shprehjes së mendimit. Kurrsesi. Por e vërteta është se ka qenë në funksion demagogjia dhe konspiracioni i institucioneve duke përdorur mashtrimin dhe ku nuk u ecte ai edhe imponimin.  E kush na pengon tani  ta pasurojmë Gjuhën Shqipe, kujtimi i një hije të vjetër me emrin Androkli Kostallari apo vetë Enver Hoxha që e ka lënë amanet që asnjë fjalë e gegnishte veç fjalës ranishte të mos pranohet sepse ai imponohej me qëndrimin që gjuhën e bëjnë fitimtarët. Në këto kushte si do te ishte e mundur që Enver Hoxha ky diktator i madh, të lejonte të futen në Standart gjuha e gegëve, të atyre pra që kishte pushkatuar djegur e vrarë, madje deri në kufijtë e gjenocidit në Malësinë e Madhe.  Moskonsiderimi i gegnishtes ka qenë shprehje e realitetit shqiptar të kohës kur popullsia gege, veçmas katolikët, ndjeheheshin të përjashtuar nga tërë sistemi qeverisës dhe nga piramida e shtetit lokal apo qendror. Kjo është e vërteta, le ta kamuflojnë si e sa sa të doni, por duke e fshehur të mos mendojë kush se ajo ka dhembur apo ende dhemb më pak.

Duke ardhur në ditët e sotme duhet që çështjen e Standartit të krijuar në kushtet e diktaturës ta shohim me syrin e lirisë.  Pra a do të ndodhte ashtu siç ndodhi nëse në këtë kongres do të ishin burrat e kombit shqiptar që u mblodhën në Kongres të Monastirit e të mos ishte hija e rëndë e diktatorit në atë sallë? Natyrisht që jo. Po çfarë mund të bëjmë ne në kushtet kur gjuhëtarët që e kanë mbetur e nuk dalin prej bunkerëve të  standartit. Sepse e vërteta është, siç thotë dhe studiuesi që e kaloi jetën burgjeve të diktaturës që toskërishtja e sjellë me imponim si standart ka jo pak ndikim edhe në fonetikë nga turqishtja, ndërsa gegnishtja duke qenë një gjuhë e folur në një terren të izoluar ku nuk shkelte këmbë pushtuesi është krejt e natyrshme të ketë mbetur e pastër ashtu siç ka ardhur nga pellazgjikja dhe ilirishtja.

Dhe pikërisht kjo gjuhë e pasur dhe e pastër si krojet e maleve të sakrifikohet duke u prerë me sëpatë nga trungu i shqipes. Një absurditet ky që ndodh veç në sisteme totalitare. Le të vazhdojmë me vargjet protestë të dizidentit Nikollë Daka:

Ç’ka paskajorja që të përjashtohet

nga gjuha si nëpërkë, kur e përdor

shumica e kombit? Si, vallë, kambë e n’dorë,

larmia e tingujve të varfërohet?

Për çka theksimi turk nuk zëvendsohet

nga tonet tona të bjeshkëve me borë,

atdheut e gjuhës që na i rrinë kurorë,

po gjuhëve t’huaja jona urë u shtrohet.

Kjo poezi na thotë shumëçka se Standarti u vendos dhunshëm jo thjesht për faktin se u diktua, se kjo tashmë është një e vërtetë e afirmueme sepse kurrgjë në diktaturë nuk bëhet me vullnet të lirë, por në aspektin tjetër se proçesi i krijimit të standartit është i përdhunshëm në mënyrën se si përjashton paskajoren kur këtë, siç e thotë NiKollë Dakaj, e përdor shumica e kombit.

Por sëpata i ka rënë jo vetëm aspekteve gramatikore, por në mënyrë masive edhe leksikut. Nën shëmbëllesën e lejimit të fjales ranishte do të mund të lejoheshin edhe mijëra fjalë të tjera duke i zbutur fjalët e shqipes e duke i dhënë muzikalitet e duke mos mbet skllevër të rotacionit. Është e vërtetë që tërësia e fjalëve në toskërishte tingllojnë më të xhamta, me tingujt disi metaliktë çfarë gjuhëtari Daka e konsideron nga ndikimi fonetik i turqishtes, e unë mund të thosha edhe ndikim i greqishtes, përkundrazi gegnishtja e mbetur në izolim shumëshekullor ka qendruar origjinale, e virgjër, është më ngrohtë dhe e lakueshme, ka butësi dhe të krijon mundësi të mëdha në krijimtari  poetike. Mbaj mend që në fakultet si në atë të gazetarisë, por edhe të gjuhë letërsisë, studentët shpeshherë thonin se e folura shkodranishte, pra zemra e gegnishtes, në gojën e djemve nuk tingëllon dhe aq, por në gojën e vajzave është marramendëse. Një ndjesi të tillë  nuk ta krijon asnjë dialekt tjetër. Atëherë pse gjithë kjo alergji për ta përjashtuar dialektim e muzave poetike shqiptare. Them kështu edhe për faktin se  Gegnishtja letrare ka qenë një fakt i kryer, ajo e ka provuar veten me një klasik si Gjergj Fishta, një mjeshtër të vargut si Ndre Mjeda, por ajo i tregoi mundësitë e veta edhe tek letërsia moderne me Migjenin. Një gjeni si Migjeni asnjëherë nuk e ndjeu veten ngushtë në gegnishten letrare bazuar në shkodranishten. Përkundrazi ajo e ndihmoi atë jo vetëm në artin krijues, por edhe me faktin se me Migjenin, Gegnishtja letrare mori dimension kombëtar. Gegnishtja e Migjenit u bë e kuptueshme në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më tepër. Atëherë kur kjo gegnishte letrare ta jep mundësinë e lindjes së një gjeniu si është e mundur të bëhet pengesë për të tjerë kur askush deri më sot nuk ka arritur t’i afrohet në gjenialitet Migjenit.  Diktatura në mënyrë të sforcuar ngriti kulte shkrimtarësh, veçmas të jugut me të cilët krijoi triumviratin e letërsisë poetike (lexo politike), por asnjeri nuk arriti t’i afrohet Migjenit, i cili i sfidoi kohërat e mediokritetit duke mbetur po aq aktual dhe po aq i madhërishëm me vargjet e tij herë-herë të mistershëm për nga ndërtimi i një universi që mban emrin e tij. Përderisa letërsia shqipe është fatlume për pasjen e një shkrimtari të madh si Migjeni, pse të mos jetë edhe gegnishtja letrare ku ai hodhi shtat dhe u ndje mirë. Duhet pranuar se gegnishtja letrare është ajo zanë që ushqeu me qumështin e frymëzimit gjenitë e poezisë shqipe e ne si mund ta lejojmë të humbë tërë ky univers poetik shkodran? Prandaj them se nuk është vonë, por është koha e duhur që të parashtrojmë publikisht idenë se kthimi i Gjuhës Letrare Shqipe me fytyrë nga gegnishtja është e domosdoshme, është jetike, është e dobishme dhe askush dëm prej saj nuk ka. Këtë bindje që kemi duhet ta manifestojnë, duhet të tërheqim vëmendjen publike, duhet t’i paraqesim dëshirën tonë që Gjuha Shqipe të jetë e hapur e jo e mbyllur, që ne nuk do të reshtim së kërkuari një të drejtë të ligjshme të mohuar prej një sistemi të dhunshëm.

Ndoshta është koha më e mirë që ne vimë prej trojeve të gegnisë, por edhe simpatizantët e saj që janë të shumtë  në Shqipëri, Kosovë por edhe miq të huaj të kalojmë nga format e kërkesave individuale në shprehjen e kërkesave e dëshirave tona në mënyrë më të organizuar. Le ta shtrojmë çështjen neve që na dhemb, ne që shkruajmë përditë, sepse e kuptojmë se edhe ata që janë gjuhëtarë me burim prej  gegnishtes sonë, nuk mundën të angazhohen dhe aq hapur për shkak se janë studiues të punësuar e do nuk do, kanë pengime. Por ne nuk na pengon asgjë, nuk jemi të varur ekonomikisht nga shteti, mund të dalim e të themi me kurajo fjalën tonë, madje duke dalë në skenë ne i ndihmojmë edhe ata gjuhëtarë që ndajnë me ne të njëjtin mendim, por veç ngurrojnë duke menduar se janë zëra në minoritet. Ka ardhur koha për gjuhën duhet bâ e jo vetëm duke lshue zâ! Le ta mbyllim me thirrjen e lëshuar nga poeti  bash atëherë kur zhvillohej Kongresi i cili ndaloi dhe e përjashtoi Gegnishten nga trungu i Gjuhës shqipe dhe të bindim veten e të tjerët se koha për ndryshim ka ardhur.

Kjo qe lavdia e gjuhës sonë dhe nderi

dhe për ta ngjit përsëri tek gurra,

nuk don kërthingla, por sokola e burra.

*Ne Foto:Nikollë Daka

Filed Under: ESSE Tagged With: Koineja e gjuhes shqipe, Kolec Traboini, Nikollë Daka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3469
  • 3470
  • 3471
  • 3472
  • 3473
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT