-Mustafa: Asociacioni i komunave me shumicë serbe asnjë përgjegjësi ekzekutive/ Thaçi: Shpresoj marrëveshje të rëndësishme/ Vuçiç do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi/
-Katër temat: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë udhëtojnë për në Bruksel, ku nesër zhvillohet raundi i 28-të i nivelit të lartë kryeministror, para të cilit sot mbahet një takim në nivel teknik.
Në tavolinë bisedimesh të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç përsëri do jenë katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara, në 23 dhe në 29-30 qershor: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke e nënshkruar secila veç e veç.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur kryeministri Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, këtë muaj, duke iu përgjigjur interesimit të medias.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi, bën të ditur media serbe, e cila nuk paralajmëron ndonjë temë të veçantë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 21 gusht, ku ishte edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka shprehur shpresën se në Bruksel, në raundin e nesërm të 28-të në nivel të lartë të kryeministrave, do ketë marrëveshje.
“Unë sot dëgjova disa fjalë mjaft të ashpra nga z. Daçiç. Unë e kuptoj se ai është në një fushatë zgjedhore dhe mund të ketë nevojë të përdorë një gjuhë nacionaliste, por Dialogu me Serbinë ka vazhduar dhe po vazhdon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Javën e ardhshme ne do të takohemi përsëri në Bruksel dhe unë shpresoj se ne do të biem dakord për të mbyllur pakon e marrëveshjeve të rëndësishme”, ka thënë Thaçi të premtën e javës së kaluar në KS të OKB.
Marrëveshja e parë për telekomin, ka shtuar ai, do të sigurojë që Kosova të marrë kodin e pavarur telefonik ndërkombëtar. “Kjo do t’i sjellë vendit miliona euro, sepse deri tani kemi përdorur kodet e Monakos, Serbisë dhe të Sllovenisë”, ka thënë Thaçi.
Marrëveshja e dytë për energjinë, ka vijuar ai, ka për qëllim për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë sistemit paralel të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës, sistem ky i vendosur paligjshëm nga Serbia. “Ligji i Kosovës do të mbizotërojë dhe do të jetësojë krijimin e një tregu konkurrues të shpërndarjes në të gjithë territorin e Kosovës dhe tatimet përfundimisht do t’u paguhen autoriteteve financiare të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Kryediplomati i Kosovës ka thënë më tej se, marrëveshja e tretë do të sigurojë që barrikada e vendosur në veri, e ashtuquajtur “Parku i Paqes”, nuk do të pengojë më lirinë e lëvizjes.
“Marrëveshja e katërt pritet të krijojë një shoqatë të paraparë me Planin e Ahtisarit: Asociacionin e komunave serbe. Unë ju siguroj, zoti President, se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne kemi decentralizuar shumë nivelin komunal dhe ky nivel do të mbetet baza e demokracisë sonë qytetare”, ka thënë Thaçi.
Ne, ka theksuar ai, shpresojmë të nënshkruajmë këto marrëveshje javën e ardhshme në mënyrë që udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mund të takohen në Vjenë, në samitin e ardhshëm të vendeve tona në kontekstin e “Procesit të Berlinit”.
“Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen dhe do të diskutojnë format praktike të bashkëpunimit, qoftë përmes investimeve të përbashkëta infrastrukturore, shkëmbimeve të të rinjve apo edhe demarkacionit të kufijve tanë”, ka thënë Thaçi.
Kosova, ka vijuar ai, do të luajë një rol në disa procese të rëndësishme dhe do të promovojë me Serbinë një autostradë të re që lidh Serbinë me bregdetin shqiptar dhe malazez nëpërmjet autostradës së Kosovës. “Projekti i ashtuquajtur Prishtinë-Nish do të lidhë pjesë të rëndësishme të Ballkanit”, është shprehur Thaçi për autostradën nga kryeqyteti i Kosovës në qytetin jugor të Serbisë.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
“MODERNËT E KOHËS”
– Libër nga Sejdo Harka, me analiza letrare, ese dhe portrete/
Nga: Bardhyl Xhama/
Mësuesi, gazetari dhe studiuesi Sejdo Harka, sapo ka botuar librin e titulluar ”Modernёt e kohёs” (Për autorë shqiptarë dhe të huaj). Në të, janë përmbledhur disa nga studimet dhe recensat e shkruara për autorë e vepra letrare, ese, skica e portrete figurash të kulturës dhe artit.
I diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe, me përfundime të larta, autori i këtij libri ka një veprimtari të gjerë në fushën e arsimit, kulturës, gazetarisë e të kritikës, mësues e drejtues shkollash, në Përmet e Tiranë, korrespoendet i hershëm e bashkëkohor i shumë gazetave dhe i revistave dhe deri kryeredaktor i Gazetës “Mësuesi”, pranё Ministrisë sё Arsimit dhe Shkencës.
Kultura e gjerë letrare e gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe e pedagogjisë, e ka bërë Sejdon të jetë vullnetfortë dhe gjurmues pasionant, në fushën e krijimtarisë letrare. Ai nuk ka rreshtur t’u pёrkushtohet krijimeve me vlerë, veçanërisht në fushën e studimeve letrare dhe të gazetarisë.
Fryt i një pune të tillë, të gjatë e krijuese, është dhe libri i tij i ri, ”Modernёt e kohёs”, që po e paraqesim shkurt pёr lexuesit. Ai ka vlera të shumëfishta. Në të, janë përmbledhur jo vetëm disa nga shkrimet më të bukur, të botuar në vite, në gazetat dhe revistat e kohës. por dhe shumë të tjerë, që janë shkruar kohët e fundit, posaçërisht për këtë libër. Pjesё e librit janё studime për shkrimtarë, nga më të shquarit e letërsisë sonë dhe të huaj, si dhe recensa për veprat e tyre. Përmendim, midis të tjerëve, shkrimin për Naim Frashërin, me titullin domethënës “Naim Shqipëria”; atë për Lasgush Poradecin si kolos i poezisë shqipe; për Ali Asllanin, me titullin “Koha është e maskarenjve”; për Sejfulla Maleshovën, poetin e dhimbjes së shpirtit etj.
Me mjaft interes dhe me këndvështrime të veçanta janë shkrimet për Dritëro Agollin (“Marrëzitë e kohës, në tehun e humorit të Dritëro Agollit”, “Dritëro Agolli i përdjekuri i dashurisë”); për Ismail Kadarenë (“Misteret e një darke”, “Mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetëveten, në këndvështrimin e I.Kadaresë, ”Monarku i letrave shqipe, në kujtesën e H.Kadaresë …); për Ben Blushin (“Historia në trillin krijues të Ben Blushit”, “Otello, që të mos vriste dashurinë, duhet ta kishte vrarë arapin” etj.).
Por vargu i shkrimeve është i gjatë. Ai vazhdon me shkrimet “Mallkimi i të mallkuarve”, për Enver Petrovskin; “Ëngjëj që mbyten nga djajtë”, për Diana Çulin; “Kur funeralet prihen nga arkimorte diktatorësh”, për Visar Zhitin dhe pastaj, me radhë, për Bashkim Hoxhën, Skënder Haskon, Bedri Dedjen, Koçi Petritin, Petraq Riston, Viron Konën, Niko Tyton, Thanas Dinon, Sokrat Habilajn, Rrapo Këlliçin, Kujtim Matelin, Ferdinand Dervishin, Haxhi Alinë e të tjerë.
Meritë e autorit është, gjithashtu, përfshirja në këtë libër e autorëve dhe veprave ndër më të mirat e letërisë botërore, të përkthyera në gjuhën shqipe. Përmendim këtu poezitë iraniane të Rumit, në shkrimin me titull “Rumi, shpirti i dashurisë njerëzore”; shkrimin për pozinë persiane, “Mesazhe universale, nga “Flladi i Orientit”; shkrimin “Esenini, gjeniu i lirikës ruse” ose shkrimet për librat “Lirika dashurie të sulltanëve” dhe “Gamorra”, të shkrimtarit italian, R.Savjano.
I përmendëm të gjitha këto, për të treguar se autori Sejdo Harka, me njohjen e gjerë dhe të thellë, që ka për letërsinë tonë dhe atë botërore, ka arritur të na japë një mozaik të vërtetë krijimesh, të përjetuara nga leximet e vëmendshme. Dhe, çka është e rendësishme, na i paraqet me një stil e gjuhë të qartë, të kuptueshme e të lidhur ngushtë me veçoritë e krijmtarisë të secilit, në prozë, në poezi, në dramë ose dhe në gjini të tjera.
Me interes lexohen dhe shkrimet: “Bedri Dedja, personalitet i madh i letrave shqipe”(për librin”Bedri Dedja, në kujtesën tonë”), “Një jetë për lirinё dhe arsimin” (për librin “Lame Xhama, ”Mësues i Popullit”), për librin “Pedagogji e zbatuar”” të Musa Krajës, për librin jetëshkrimor “Udhëtim nëpër vitet e jetës sime”, të Skender Haskos etj.
Një vend të vaçantë zënë punimet e këtij autori për shkrimtarë, krjijues e personalitete të rëndësishëm të shoqërisë dhe kulturës shqipare. Përmendim këtu shkrimet “Ministrja e parë shqiptare, që u persektua tërë jetën” (për Naxhije Dumen), “Thoma Deljana, ministri që guxoi të kundërshtonte Mehmt Shehun”, “I arti Bardhyl Xhama”,”Studuesi dhe publicisti i njohur Murat Gecaj”, “Legjenda e një jete, me emrin Skënder Hasko”, ”Viron Kona, njeriu që dhuron mirësjellje e kulturë”, etj.
Me mjaft interes lexohen, gjithashtu, shkrimet-ese: “A është çliruar Prometeu?!”, “Laokontët rrinë me yjet”, “Tej kufijve të legjendës”. Këto krijime, përveç se tregojnë njohuritë e thella të autorit dhe trajtim profesional, të gjerë dhe orgjinal, lidhen në mënyrë organike edhe me jetën e sotme, të vështirë e plot zikzake, të tranzicionit.
Sikurse e vëreni, në këtë paraqitje të shkurtër, nuk kishim si synim që të bënim vlerësimin kritik të këtij libri. Qëllimi është të parashtrojmë përmbajtjen e tij, autorët e problemet kryesore që janë bërë objekt i shkrimeve, aftësitë dhe dijet e gjera të autorit, shumllojshmërinë e ҫёshtjeve që trajtohen, gjithpërfshirjen e autorëve e veprave të tyre, kompetencën profesioale dhe shkencore, me të cilën ato analizohen, si dhe ndjenjat, emocionet dhe mesazhet, që Sejdo Harka kërkon dhe arrin që të përçojë te lexuesit, nëpërmjet këtij libri.
Sigurisht, lexuesit do të jenë të aftë ta gjykojnë e ta vlerësojnë vetë përmbajtjen e gjerë dhe mozaike të këtij libri, disi i veçantë në krijimet e viteve të findit.
Shpresoj se ky botim i ri do të pëlqehet dhe do të zërë vend në bibliotekat familjare e shkencore, por veçanërisht në bibliotekat e shkollave, ku nxënesit e të gjitha moshave dhe studentët e lendëve shoqërore, do të gjejnë materiale me vlerë për zgjerimin e njohurive të tyre , përmbi ato që marrin nga programet shkollore, veçanërisht për shkrimtarët e shquar shqiptarë. E, pse jo, mendojmë që ky libër paraqet interes edhe për mësues e pedagogë të profilit të letërsisë.
Gusht, 2015
Fiset malazeze – gënjeshtër e madhe serbe!
Nga Fahri Xharra/
Fatkeqësisht në vitin 2009 kishte vdekur akademiku i SANU-s Sima Çirkoviq ( Ćirković) , historiani i cili në historiografinë serbe kishte arritur caqet më të larta. Kolegët e tij , si dhe shumë shkencëtar të pranuar e vlerësojnë punën e tij. Bizantologu Ljubomir Maksimović ( gjithashtu akademik në SANU) , duke folur për Çirkoviqin , njohësin e madh të historisë mesjetare (Dubrovniku, Hilandari, Budapeshta ) . ka thënë: …”eruditi me metoda precize shkencore , i njohur për kriticizmin në hulumtimet e tija të bazuara në burime arkivore “ (http://www.politika.rs/rubrike/Kultura/Istorichar-sa-vizijom.lt.html)
Pra-Historiani më i madh serb Sima Çirkoviq e rrëzon për dhe të gjitha përrallat e rreme serbe të KOSH-it dhe ASHAS (Najveći srpski istoričar Sima Ćirković ruši lažibajke SPC i SANU )
Jo vetëm për historiografinë malazeze ( por edhe për atë shqiptare) , posaçërisht ajo mesjetare janë të rëndësishme hulumtimet e Çirkoviqit sepse në shumë prej tyre i thyen mashtrimet serbe për gjëja se prejardhjen serbe të malazezve , por edhe të tjerëve ( Arbanashët e Oliver C.Schmittit fxh)
Ka shumë teori që qarkullojnë ne mediumet serbo-malaziase për origjinen e Balshajve (Balšići ); thuhet e shkruhet se janë me origjinë Vllahe , franceze dhe shqiptare. Një gjë është e sigurtë se Balshajt , absolutisht nuk kanë prejardhje sllave – pajtohet Çirkoviqi .; kurse Çernojeviqët janë një fis që janë ngritur në hierarkinë e kohës ,por jo si sllavë
Në librin e Çirkoviqit “Srbi u srednjem veku “ ka shumë shembuj që fiset e mëdha si Balshiqët pastaj Kallugjeroviqët -Çernojeviqët, Mazarekët, Spanët tregojnë që ngritja në hierarkinë e kohës ishte e hapur, dhe se të përmendurit ishin me origjinë shqiptare. (Dakle, istoričar Ćirković dinastije Balšića i Crnojeviće ne računa ni u Srbe ni u Slovene,a što se Balšića tiče postoje dokazi da bi oni mogli biti i francuskog porijekla. Zvaničnasrpska istoriografija – koja postoji da bi pomogla projekat Velike Srbije – Balšiće iCrnojeviće )
Nëse e krahasojmë të vërtetën me gjendjen e sotme për vetëdijen pravosllave të Serbëve dhe të Malazezëve të cilën mashtrohen dhe e ngjisin krenarinë e shpifur nga“ ati i kombit “ Qosiqi (“otac nacije” DobricaĆosić) është krejt ndryshe ; por “ati i kombit serb “ për shqiptarët thot : “ Mbeturinat shoqërore , politike dhe morale të të Ballkanit fisnor dhe barbar , lidhen me Amerikën dhe Europën dhe të bashkuar luftojnë kundër popullit më të civilizuar, popullit më demokratik dhe me me origjinë nga Ballkani – popullit serb” (Dobrica Ćosić, “Vreme zmija” 2000 ). Ndësa Novak Axhiq thot” Duhet të ceket se në shumicën e fiseve të tipit të parë janë faktet e prejardhjes se përbashkët shqiptare të tyre ,por ka edhe fakte dhe shënime që e vërtetojnë origjinet shqiptare të atyre fiseve. Nga fiset malësore janë Kuç dhe Biberajt , pastaj Vasojeviqët dhe Bjelopavliqët “(montenegrina.net/nauka/istorija/crna-gora).
Axhiqi thot që : se shqiptarët janë komponentë kryesore e fiseve të përmendura; duke mos harruar se në Serbi dhe në Malin e Zi sot janë së paku gjysmë milioni trashëgimtarë të Vasojeviqëve, Kuçëve , Biberjave dhe Palabardhëve ( Bjelopavliqëve)
Deshta ta mbylli këtë shkrim të shkurtër me thenjet e mitropoliti Amfilohije i cili pa fije fytyre e zmadhon kombin e shpifur serb. Miroslav Ćosović , shkruan: “ Populli , që e do fjalën e ngroht të Zotit është i dhunuar nga maltretimet verbale, dhe është i obliguar të dëgjojë këtë mitomani të marrë ;( Narod željan Boga prinuñen je da trpi ovakvo verbalno maltretiranje, prinuñen je davjeruje u ovu ludu mitomaniju. )
Amfilohije paska thënë (Selo Kujava, 2. maj 2009 Ne mes qyteteve Nikshiq dhe Danilovgrad).:
“Ishte dikur Kujava , motra e Stefan Nemanes e cila kishte mbërritur këtu dhe në shumë vende tjera të Palabardhëve ( Bjelopavliqëve ) për të predikuar për rrënjën e shenjt të Nemanasve (Nemaniqëve )
( “Sačuvano jedo danas živo predanje da je Kujava bila sestra Stefana Nemanje svetoga Simeona Mirotočivog, koja je ovdje dospjela, a i mnoga mjesta u Bjelopavlićima su posvjedočena predanjem i vezana za svetorodnu lozu Nemanjića. Došla je ovdje i tu je živjela i ostavila naziv ovog mjesta i stećak koji je ovdje u blizini, a koji je po predanju mjesto gdje su sahranjeni njeni ostaci.”)
O Zot na jep kohë dhe mend që t`i përgënjeshtrojmë rrenat historiografike serbe !
24.08.15. Gjakovë
Mjerë ne që po udhëhiqemi nga ish- të varfrit!
Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Babai im i ndjerë gjithmonë më thoshte: Nëse e marrin pushtetin njerëzit që para ardhjes në politikë kanë qenë të varfër dhe të pashkolluar, është shumë rrezik për atë shtet dhe për atë popull, sepse ata janë të pangopur dhe nuk kanë kufi! Pastaj pas disa viteve kur lëshojnë rrënjë të thella në politikë, është vështirë për t’i larguar nga pushteti! Dhe me të vërtetë ashtu ishte dhe ashtu ndodhi. Shteti ra në duart e njerëzve të tillë, njerëz që paraluftës ishin të varfër, të pacivilizuar dhe të paarsimuar. Këta politikanë të sotëm nga super të varfër, u shndërruan në njerëz super të pasur. Nga njerëz të pacivilizuar dhe çobanë, u shndërruan në njerëz të ”civilizuar”! Nga njerëz të pashkolluar, u shndërruan në njerëz të diplomuar, me diploma fakulteti, master e deri tek ”doktor shkence”! Të gjithë u bënë me diploma universiteti, magjistra, doktorë “shkencash” e akademikë. U kujdesën edhe për gratë e tyre, fëmijët, familjen e ngushtë dhe të gjerë, që brenda natës të marrin diploma universiteti e deri tek doktoraturat. I punësuan gratë, burrat, fëmijët, dajat, tezet, hallat, xhaxhallarët, fisin, farefisin, shokët e miqtë, në institucionet më të rëndësishme shtetërore. Punësuan edhe dashnoret dhe dashnorët e tyre. Uzurpuan edhe TV publik, duke e mbushur me familjarë të tyre. Gratë dhe dashnoret e tyre injorante dhe gjysmanalfabete, që në fillim s’dinin as t’i lidhnin dy fjalë, falë fuqisë së burrave që i kanë në pushtet, brenda natës u bënë femra të “shkolluara” dhe të “emancipuara”. “Zonjat” e tyre nga fshatare dhe amvise të thjeshta, u graduan me lloj-lloj titulli. Të gjitha u bënë profesoresha universiteti. Këto “zonja” që para luftës ishin injorante dhe analfabete, pasluftës u fuqizuan aq lart me pozita, saqë uzurpuan të gjitha universitetet publike dhe private për t’i “edukuar” fëmijët tanë. Kurse fëmijët e tyre me paratë tona u shkolluan në shkollat më prestigjioze të botës.
Shteti që udhëhiqet nga injorantët!
Këta ish-të varfër, debilë e analfabetë, sot janë bërë multimilionerë, politikanë, diplomatë, akademikë, profesorë dhe çka jo tjetër! Çdo institucion shtetëror e uzurpuan dhe e familjarizuan. E mbushën administratën shtetërore me lloj-lloj debili, analfabeti, injoranti, banditi, skizofreni e psikopati. Uzurpuan shtetin dhe kapën për fyti çdo institucion shtetëror. Plaçkitën dhe vodhën të gjitha fabrikat dhe ndërmarrjet shtetërore e publike. Krijuan monopol në ekonominë e Kosovës. Për çdo ditë pamëshirshëm e zhvatin paranë publike, dhe atë në mënyrën më të tmerrshme. Abuzojnë me ligjin, me shtetin, me qytetarët dhe paratë e tyre. Abuzojnë edhe me makinat dhe telefonat zyrtarë për nevojat e tyre personale. Rrënuan, shkatërruan dhe degraduan çdo gjë. Sot këta debilë jo vetëm që diktojnë shtetin, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, policinë, diplomacinë, mediet, por diktojnë edhe jetën e çdo qytetari të Kosovës. Diktojnë edhe ajrin e Kosovës dhe frymën e qytetarëve të saj. Janë bërë të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë, pavarësisht se kanë vjedhur, plaçkitur, kanë vrarë dhe kanë bërë krime të natyrave të ndryshme. Me paratë e këtij populli, kanë degjeneruar në superluks. Jetojnë si mbretër dhe pashallarë. Janë shndërruar në diktatorë ”modernë”. Me paratë e këtij populli bëjnë xhiro nëpër botë, me gratë, burrat, fëmijët, dashnoret dhe dashnorët e tyre, nëpër plazhet dhe hotelet më superluksoze të botës. Nuk duan të flasin për dështimet e tyre, duan të flasin vetëm çfarë duan ata, se gjoja kanë arritur vetëm ”suksese”. Madje janë bërë shumë arrogantë dhe të egër. Kur kritikohen për të bëmat e tyre, përgjigjen me arrogancë, madje popullit i shesin edhe ”moral”.
As Zotin nuk po e njohin më!
Të mjerët ne që po udhëhiqemi nga këta ish-të varfër dhe analfabetë. Këta janë bërë aq të bezdisshëm, sa që nuk po durohen më. Kanë kaluar çdo kufi. Përveç që janë bërë të paprekshëm nga organet e drejtësisë, as popullit nuk po i frikohen më. Sillen sikur gangsterë dhe rrugaçë. Kanë krijuar përshtypjen se askush s’ka se çfarë t’u bëjë, madje as populli. Që janë të paprekshëm dhe të pamposhtur. As Zotin nuk po e njohin më. E të gjitha këto po i bëjnë në ”emër të popullit” dhe në ”emër të së kaluarës” së tyre të ”lavdishme”. Por. ky popull edhe sa kohë do t’i lejojë që këta ish-varfanjakë dhe analfabetë të pangopur, të shndërruar në multimilionerë, të na udhëheqin, të na vjedhin, të na plaçkitin, të na vrasin e të tallen me ne?! Deri kur, deri kur…??? Deri kur ky popull do t’i durojë këta banditë, kriminelë e mafiozë në skenën politike, të cilët janë bërë kanceri i shtetit dhe gjithë shoqërisë??? A do t’u tregojë ky popull këtyre mafiozëve të politikës, që populli është më i fuqishëm se ata, pavarësisht pushtetit të tyre kriminal dhe mafioz?
Kosova mot për det, fluks i lartë e pa pritje drejt Shqipërisë
PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vazhdon të japë parashikimin e motit edhe për bregdetin shqiptar, drejt të cilit në këtë verë ka fluks të madh të kosovarëve.
“Mot me temperatura të larta do të vazhdojë të mbajë edhe përgjatë vijës bregdetare, ku maksimalet gjatë gjithë javës do të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë celsius”, theksohet në parashikimin për këtë javë dërguar mediave.
Ndërsa, në Kosovë “vranësirat e lehta dhe kthjellimet do të jenë dominuese gjatë gjithë javës, duke krijuar kushte për një mot relativisht të ngrohtë dhe me vapë”.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, nga mëngjesi i sotëm në tre vendkalimet kufitare drejt Shqipërisë, Vërmicë-Morinë, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës edhe në fluksin e lartë që vazhdon nuk ka pritje e kolona në hyrje-dalje. Kalohet për më së shumti 5 minuta dhe kolona më e gjatë vetëm 20 metra është në Vërmicë./B.J/