Nga Albert HABAZAJ/
Odhise Kristo Grillo (21 Mars 1932 – 24 Shtator 2003): Kur, në relievin shqiptar kërkojmë malet më të lartë të vendit, në pesë vendet e para renditen përkatësisht: Korabi (2751 mnd) me 3 majat e tij, Blloku i Jezercës (2694 mnd) me 13 majat mbi 2300 m, Gramozi me majën e Çukapeçit (2523 mnd), Nemërçka me majën e Papingut (2489 mnd) dhe Tomorri i lartë 2416 m, mali plak, që është quajtur dhe Olimpi Shqiptar. Kur flasim për relievin letrar të shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë, Odhise Kristo Grillo është ndër pesë malet më të lartë. Kam në dorë tre botime (luksozë dhe në paraqitje) të nivelit akademik: “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH), 1985; “Fjalorin Enciklopedik” (2006) dhe FESH, 1 (2008). Edhe në botimin e vjetër, zëri “Letërsia për fëmijë” trajtohet kronologjikisht si degë e letërsisë që përfshin vepra letrare të shkruara posaçërisht për fëmijë. Pishtarët e parë që bënë sadopak dritë me vepra të mirëfillta letrare për fëmijë ishin rilindasit e ndritur Naum Veqilharxhi (Bredhi), Sami Frashëri, Naimi i madh e Çajupi brilant, që u pasuan nga Papa Kristo Negovani, Ndre Mjeda apo me revistat e Vasil Xhaçkës e Milto S. Gurrës. Ndihmesë me vlerë dhanë Qamil Guranjaku, Tofik Gjyli, apo Zihni Sako, Haki Stërmilli etj., që shkruan posaçërisht për fëmijë. Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 të shek. XX dolën një varg shkrimtarësh që iu kushtuan tërësisht krijimtarisë letrare për fëmijë. Në botimin e parë të nivelit akademik shkruhet: “Zhvillim të mirë ka shënuar poezia, vjersha me tematikë të larmishme. Kanë botuar O. Grillo, A. Mamaqi, T. Gjokutaj etj. Edhe proza e përfaqësuar nga shkrimet e B. Dedjes, G. Bushakës ka ecur përpara”. (Shih: “FESH”, ASHRPSSH, Tiranë, 1985, f.605). Botimi më i ri i Akademisë së Shkencave ka dhe zërin: “Grillo, Odhise (1933 – 2003). Shkrimtar për fëmijë. Lindi në Vuno të Himarës. Kreu studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në UT (1962). Ka lëvruar lloje të ndryshme letrare. Vëllimet me vjershadhe poema: “Legjenda e një shkëmbi” (1965), “Lulet e lirisë” (1979), “Valbona bleu ylberin” (1981), “Një zog dhe një lule” (1983), “Nisuni, pëllumbat e mi” (1985), “Zërat e fëmijërisë” (1986), “Një zog këndon e qan” (1996) etj., shquajnë për gjerësinë e tematikës, patosin heroik atdhetar, frymën lirike dhe pasurinë figurative. Të 50 përrallat në përmbledhjen “Hajduti me çizme” (1997) dëshmojnë për shfrytëzimin krijues të motiveve dhe të poetikës së folklorit. O.G. ka dhënë ndihmesë dhe në popullarizimin e krijimtarisë letrare për fëmijë përmes tre librave me vëzhgime “Panoramë letrare” (1986, 1998, 2000). Është dekoruar me urdhërin “Mjeshtri i Madh i Punës”. (Shih: “FESH, 1”, ASHSH, zëri përgat. nga Ramazan Çadri, Tiranë, 2008, f. 788). Në këtë botim, letërsia për fëmijë trajtohet me një shtrirje më të gjerë etnoletrare – ndërshqiptare: “Poezia vijoi të mbetej gjinia kryesore e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë me autorë si Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Tasim Gjokutaj, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Bekim Harxhi, A. [Abdylazis] Islami e të tjerë. Lëvrimi i prozës, sidomos i tregimit dhe i romanit për fëmijë me autorë si B. Dedja, G. Bushaka, R. [Rifat] Kukaj, Vehbi Kikaj, Petraq Zoto, Shpresa Vreto, Arif Demolli; lëvrimi përrallës së kultivuar nga B. Dedja, G. Bushaka, N. Prifti e të tjerë, si dhe ritregimi i motiveve të legjendave, baladave e përrallave popullore (M. Kuteli), e zgjeroi shumë dhe e bëri më të larmishme, edhe nga pikëpamja tipologjike, gamën e veprave për moshat e ndryshme shkollore”. (Shih: “FESH, 2”, ASHSH, zëri përgat. nga Bardhosh Gaçe, Tiranë, 2008, f. 1475). Libri “Fjalor Enciklopedik”, Tiranë, Bacchus, 2006, f. 256, hartuar e përgatitur nga Pasho Baku, na jep këtë informacion për Prof. Odhise Grillon: “Shkrimtar, pedagog. Lindi në Vuno të Himarës dhe për shumë vite banoi në Tiranë. Botoi mbi 100 libra, kryesisht krijimet e tij a përshtatje nga autorë të shquar shqiptarë, duke dhënë një ndihmesë të veçantë për edukimin e fëmijëve dhe të moshave më të rritura. Botime: “Hajduti me çizme” (përralla, 1997); “Një zog qan e këndon” (poema, 1997); “Mollët magjike” (përralla, 1997); “Lahuta e malësisë (roman i rikrijuar sipas Fishtës, 1992) etj.”. Vetëm në Bibliotekën Kombëtare të kërkosh, arrin në 423 numri i regjistrimeve të gjetura, ku gjendet firma e Odhise Grillos si autor, si bashkautor, si përgatitës botimesh a redaktor, por ne nuk do të merremi me këtë fushë, se, dhe një shkrim më vete të bëjmë, nuk mjafton të hartosh bibliografinë e autorit aq popullor nga Vunoi i Bregut të kaltër.
Një nga librat e tij më të dashur: “Trimëresha e Tërbaçit” është një poemë me 10 këngë në 50 faqe dhe ka piktore fisniken e paharruar Safo Marko. E ka shkruar në Vuno dhe në Tiranë, në vitin 1974. Ia ka kushtuar baba Kristos, për këngët popullore që i mësoi në fëmijëri. Poema “Trimëresha e Tërbaçit” mbetet ndër librat më të shenjtë e më të shtrenjtë qysh nga rinia ime e hershme. Ne ishim mëkuar me trimen Miro Tërbaçe me histori në këngë e legjenda. Sa kisha mbaruar klasën e tetë në Shkollën tetëvjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç – Vlorë (sot Bashkia Himarë). Na vjen si zog lavdie ky libër monument për tërbaçioten vajzë që vrau pashanë, se tërbeçtë haraçet hasmit nuk ia dhanë. Na jep një ndjesi krenarimi të pamendueshme ky libër që dhe sot e kujtoj me nostalgji e dëlirësi. Ja çfarë shkuar poeti ynë i mrekullueshëm në hyrje të librit: “Të dashur fëmijë, Kur isha i vogël, sa ju që po merrni në duar këtë poemë, të rinjtë dhe pleqtë në fshatin tonë këndonin himarjoçe këngën e Miro Tërbaçes. Trimëria e Miros kishte fluturuar në krahët e këngës dhe nga Tërbaçi kishte ardhur në Vuno. Mua ma kshte ndezur shumë fantazinë…Cila ishte ajo vajzë që ishte veshur si djalë dhe kishte sjkuar e kishte vrarë pashanë Brenda në saraje, për të marrë hakën e vëllait dhe të fshatit? Cila ishte ajo që u ishte vënë flakën kullave në Vlorë? Që të mund ta mësoja këtë gjë, u desh të kalojnë shumë vjetë. Pyeta, lexova, kërkova dhe e mësova historinë e saj. Thuhet se Miroja e ka varrë pashanë dhe ia ka djegur kullat më tepër se njëqind e ca vjet më parë, në kohën e kryengritjeve fshatare, gjatë reformave të Tanzimatit. Pra ajo ka qenë bashkëkohëse e Maro Kondës, për të cilën kam shkruar poemën “Kënga e Maros”. Kënga që i ngriti populli Miro Tërbaçes është një histori që flet për trimërinë e grave tona n ëtë kaluarën, e cila u përtërit aq bukur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ajo është një histori që tregon se atdhedahsuria ka qenë bashkëudhëtare e shqiptarëve, në shekuj.kënga ka pak vargje, po ato më ndoqën nga pas gjithë jetën, me forcën dhe bukurinë e tyre: “E zeza Miro Tërbaçe,/ moj Miro e qaj moj Mirë,/ Moj e rritura bonjake,/ me lakëra burdullake,,/ te beriberi u ngrite, vajte,/ the: – Berber a sha ëëllanë,/ premë flokëtë si djalë,/ të marr hakë për vëllanë!” trimëria e Miros dhe forca e vargjeve të kësj kënge më shtynë të shkruaj këtë poemë, që ju fëmijë të dashur të mësoni historinë e saj dhe t’u vlejë në jetë. A ia kam arritur kësaj dëshire? Këtë pres të ma thoni ju! Autori [1974]. Fatlumturisht ia ka arritur, sepse ne e mbanim mend përmendësh dhe e këndonim në kor, kur ishim në shkollë. Shumë vargje të saj edhe sot e kësaj dite i mbajmë mend dhe kur mblidhemi me shokët e fëmijërisë si Krenar Mehmeti, Shpresa Kapo, Farudin Gjondeda, Dilaver Haskaj, Nazo Dauti, Mojsi Hodo, Hava Çela,etj., (tani flokëbardhë e flokërralluar, shumica gjyshër e gjyshe të mira) i recitojmë apo i këndojmë labërisht. Ua kemi mësuar fëmijëve. Ata do t’ua mësojnë fëmijëve të tyre. Edhe ne do tua mësojmë me dashuri e krenari nipërve dhe mbesave.
Profesor i thjeshtë në madhështinë e tij: E kam njohur vetë personalisht Profesorin dhe e kam ndier nga afër fjalën e ngrohtë, inkurajuese, dashamirëse dhe frymëzuese të tij. Po kështu, shumë nga miqtë e mi të krijimit në Vlorë si Pali Shtembari, Vilheme Vranari, Andrea Petromilo etj., flasin me respekt zambakor për atë krijues të veçantë, aq të dashur, të talentuar dhe atdhetar. Ai e donte dhe vlerësonte shumë krijimtarinë e vëtretë në tërësi dhe, sidomos me krijimin që biuste ndër viset vlonjate ngazëllehej si fëmijë i lumtur. Ai ishte mik i mirë me shkrimtarët e rinj vlonjatë, që dolën në skenën letrare në vitet 1985 -’90 e në vijim. Odhise Grillo, së bashku me Ferhat Çakërrin, Skënder Haskon dhe Tasim Gjokutaj përbëjnë kuartetin vezullues vlonjat të traditës letrare për të vegjël, janë ikona të kulturës qytetare, Mirënjohje e Vlorës dhe dallojnë që tej si katër kolona të fuqishme të Letërsisë Shqipe për Fëmijë. Ata janë hajmalia poetike për fëmijët e Vlorës, të Myzeqesë, të Himarës, Labërisë e mbarë Shqiptarisë. Odhise Grillo kishte kryemik Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, me të cilin i bashkonte krijimtaria për të vegjëlit, studimtaria për Letërsinë Shqipe për Fëmijë. Një miqësi e vjetër atdhetare – kulturore e të parëve, trashëguar nga të prindërit, e bënte të shëndetshme këtë miqësi idealistësh. Në sa se sa takime kanë qenë bashkë profesorët Grillo e Gaçe nëpër shkollat e qytetit, në lumin e Vlorës, në Mesaplik e në Kurvelesh, në Himarë, në Sevaster, në Selenicë, në Dukat e në Novoselë… dhe kudo zjarr poetik e kombëtar kanë ndezur, dashuri për librin, për dijen dhe për etnokulturën. Në kohë të vështira, Odhise Grillo ka qenë dashamirës si Vath Koreshi ndaj shkrimtarëve të rinj. Ka shumë shkrime të botuara për të. Dhe në burimet elektronike (online) janë të pafundme artikujt vlerësues për Profesor Grillon si poet dhe si studiues. Po jap një detaj të vetëm nga mendimi i tij në lëmin e kritikës letrare, në funksion të idesë që shfaqa (nuk është përmendur, se s’qënka publikuar në kohët e sotme). Po lexoja një revistë të vjetër “Nëntori”, e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndaloj tek shkrimi “Katër vëllime me tregime për të vegjëlit dhe disa problem të mjeshtërisë”, ku Profesori vlerëson ndihmesën e shkrimtarëve Bekim Harxhi, Shpresa Vreto, Aqif Malaj dhe Fatmira Veisllari, të cilët me botimet e tyre në vitet ’80 të shek. XX u dhuruan të vegjëlve të asaj periudhe libra të bukura, tërheqëse, sepse flasin për realitetin e kohës, parë me syrin e të voglit. “Me të drejtë – shkruan Profesori – është vënë në dukje nga kritika e nga studiuesit se në tregimin për yllkat e për fatosat kemi më pak arritje se në tregimin për pionierët. [Po e citoj me terminologjinë që përdohej atëhere; yllka quheshin fëmijët e moshave 3 – 6 vjeç; fatosa ata të moshës 6 – 9 vjeç e kështu me radhë – shën. im: A.H]. Në këtë fushë jo vetëm jo vetëm botojnë më pak vëllime por edhe niveli i tyre, me ndonjë përjashtim, sillet rreth mesatares së letërsisë sonë për fëmijë. Këtu mendojmë se ka ndikuar edhe fakti se në të kaluarën, ndryshe nga ç’ka ndodhur me tregimin për pionierët, me këtë gjini aq të kërkuar nga të vegjëlit, nuk janë marrë autorët tanë më të mirë. Gëzohesh tani kur sheh se në tregimin për yllkat e fatosat po japin ndihmesën e tyre edhe shkrimtarët Bekim Harxhi, Shpresa Vreto, Aqif Malaj, Fatmira Veisllari etj. (Shih: “Nëntori”, Nr. 9, Viti XXX i bot., Shtator 1983, f. 91). Sinqerisht ndjen respekt për mendimin e tij kritik, që unë s’kam ndërmend ta citoj më gjatë, ku i bën një operacion të saktë e të pastër krijimtarisë së katër autorëve, i inkurajon, i përgëzon, i përkrah, i kritikon me argumenta shkencorë e me dashamirësi, ngre problem, shtron ide, jep zgjidhje për ta bërë më të bukur, më të mirë dhe më të dobishme letërsinë për fëmijë. Ndjen nderim për profesionin e vështirë e fisnik të kritikut letra, ndjen kënaqësi estetike, morale, edukative dhe, së pari e së fundmi, kënaqësi artistike. Po theksoj dhe një mendim të tij: “Është një gjë e ditur dhe e nënvizuar si nga pedagogët e mëdhenj ashtu dhe nga studiuesit dhe kritikët që janë marrë me lëtërsinë për fëmijë se, në krijimet për të vegjëlit fare, rëndësi të madhe, veç të tjerave, merr fibula. Veçanërisht fatosat e yllkat kërkojnë krijime me subject të përcaktuar mirë. Tregimet që kanë në qendër një fabul sado të vogël i mbeten në mend fëmijës dhe ai është në gjendje që ta riprodhojë pasi ta ketë dëgjuar disa herë nga prindët (yllkat), ose pasi ta ketë lexuar vetë (fatosat). (Shih: “Nëntori”, vep. e cit., f. 93 – 94). Ndërsa për një përfaqsues tjetër me zë të letërsisë për fëmijë, për njërin nga autorët më të njohur të kësaj fushe, për shkrimtarin Bedri Dedja, Akademik dhe Prof. Dr. në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, Prof. Grillo ka shkruar: “Në rrugën e vet krijuese shkrimtarin Bedri Dedja nuk e kanë dehur as lëvdatat e çmimet e shumtë që ka marrë e nuk e kanë lëkundur as anatemat që kanë lëshuar kundër tij, si krijues, disa pseudostudiues e pseudokritikë, të cilët e kanë TBC – në jo vetëm në mushkëri, por edhe në shpirt…Me veprat që ka shkruar për fëmijët, Bedri Dedja ka vënë gur themeli në letërsinë tonë që krijohet për të vegjëlit”. Dhe më tej shton se “Dedja ka derdhur beton në letërsinë për fëmijë”. Mali e sheh drejt malin.
Musht nga poezitë e ëmbla të Profesorit: Jo vetëm të vegjëlit, por edhe të rriturit e shijojnë shumë hijshëm poezinë e “magjistarit” të penës, e thurësit të qindra ëndrrave fëminore. Po sjellim për lexuesin e “Diellit” tri – katër gota me ujë të trëndafiltë nga vjerëshrimi i begatë e i freskët e Odhise Grillos: “Balada e burrave – Kam pasur një gjyshe/ mbi të gjitha gjyshet,/ kur ajo tregonte,/ heshtnin dallëndyshet./ Kur fliste ajo,/ mbanim vesh dhe gurët,/ thaheshin moçalet,/ lulëzonin drurët…/ Po ku je, moj gjyshe,/ se më dogji malli,/ je prapa një ylli,/ a prapa një mali?/ Kur të kujtoj ty,/ këngët e përrallat,/ gjumi edhe sot/ vjen m’i mbyll qepallat…/ Moj e mira gjyshe,/ kur të sjell në mend,/ më kujton një re,/ më kujton një shkëmb./ Po ç’shkëmb më kujton,/ çfarë reje vallë/ aty ku rreh deti/ dhe si mal ngre valë?/ Më kujton shkëmbinjtë/ në Vuno, përposh,/ pa më kujton retë/ përmbi Mjegullosh./ Kur isha i vogël,/ shpesh të kam pyetur:/ – Këta shkëmbinj ç’janë,/ pse rrinë të heshtur?/ Dhe ti më tregoje,/ gjyshe gojëmjaltë:/ E di pse qëndron/ ky fshat e kjo baltë?/ Se në krahë i mbajnë/ shkëmbinjtë me thinja/ nën qiellin me diell/ dhe me vetëtima./ Po shkëmbinjtë ç’janë,/ mund të më tregosh,/ që me valë i rreh/ deti kaltërosh?/ Burrat që s’e lanë/ vetëm këtë vend,/ që mbetën në fshat/ dhe u bënë shkëmb…/ Ata përmbi supe/ mbajnë këtë dhe,/ ku ka mbirë ulliri,/ ku jetojmë ne./ Po retë në qiell/ çfarë janë vallë?/ Përse vijnë e ikin/ dhe përse qajnë?/ Janë kurbetllinjtë/ që ikin më natë,/ që i lanë pas/ fshatin edhe gratë./ Edhe shkuan larg,/ të huaj, të shkretë,/ me ditë e me javë,/ me muaj, me vjetë./ I hëngri kurbeti/ dhe në vend të largët/ hapën varr për vete,/ për ne hapën plagët…/ Tani i merr malli/ edhe bëhen re,/ vrapojnë në qiell/ dhe vijnë te ne./ Me lotë të nxehtë/ mallin zënë e derdhin,/ pastaj nisin kthehen/ prapë andej nga erdhën./ Na u dhemb në zemër/ edhe plagë e kanë,/ që morën kurbetin/ dhe fshatin e lanë./ Shkëmbinjtë e Vunoit/ dhe retë që qajnë,/ janë fshati ynë,/ janë burrat tanë!…/ Kam pasur një gjyshe,/ mbi të gjitha gjyshet/ kur ajo tregonte,/ heshtnin dallëndyshet!”. Kjo vjershë e gjatë e Grillos është narracion i tipit baladesk, që na nxjerr mallin e rrëfimit të Petro Markos te “Retë dhe Gurët”. “Balada e gjyshes” qëndisur nga Profesori është simotra në vargje e “Intervistës” së vëllait të tij më të madh nga Dhërmiu. Ndërsa poezia “Kryefjala e Fjalëve” është perla e krijimit të Grillos dhe një nga më shkëlqimtaret e Poezisë Shqipe për Fëmijë, që rrezaton ngrohtë dhe qartë Adhte dhe Art. kjo poezi e tij është bërë burim frymëzimi dhe djep ku përkunden motivate dhjetar poetëve të letërsisë shqipe në tërësi, jo vetëm autorët për fëmijë. Ja poezia, që fëmijët e thonë sikur e këngëzojnë, gati në kor, një kor kombëtyar që na krenaron në ndjenjën e bukur atdhetare dhe na mbush me dahsuri të përjetshme për vendlidnjen, për dheun e të parëve, të babës dhe të mëmës: “I mora A – në atit,/ në të ishte dhe nëna,/ i mora T – në tokës,/ në të ishte dhe zemra,/ i mora D – në detit,/ në të ishte dhe qielli,/ i mora H – në hënës,/ në të ishte dhe dielli,/ i mora E – në erës,/ në të ishte dhe shiu,/ i mora U – në ujit,/ në të ish’ dhe njeriu…/ I lidha të gjitha bashkë/ dhe si ylber shkëlqeu/ e para kryefjalë/ e fjalëve:/ ATDHEU!”. Ja dhe një poezi tjetër, ku na duket i prekshëm çdo varg e strofë, ku aq natyrshëm poeti futet në botën e fëmijëve dhe flet ëmbël e ligjëron me magjinë e fjalës që vetëm ai di tia falë aq bukur dhe bujarisht buzëqeshjes së Atdheut, fëmijëve të vegjël dhe aq të mirë, gonxhet e jetës shqiptare. E ka poeti këtë fat, sepse është edhe profesor, sepse di psikologjinë e moshave të vogla, sepse njeh pedagogjinë dhe metodat e edukimit të fëmijëve. Ja vjersha “Ç’ëndërrojnë vogëlushët – Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që shëtisin rrëzë malit?/ Eh, të kishim për qeleshe/ pak nga bora e Korabit./ Ç’ëndërrojnë vogëlushët/ që po lozin në lugina?/ Eh, të kishim ne në faqe/ portokallet që ka Vrina/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/që mrizojnë rrëzë bjeshkës?/ Eh, të kishim ne për sytë/ pak nga ujërat e Prespës!/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që shtegtojnë pas kopesë?/ Eh, t’i kishim ne këmishat/ porsi fusha e Myzeqesë!/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që po ngjiten majë kodrës?/ Eh, t’i kishim ne fustanet/ si qilimat e Kosovës!”. Poezia ka thellësi, ka gjeografi, ka thjeshtësi në të shkruar dhe një qiell me qershi metaforash që e ëmbëlsojnë aq shumë vjershërimin dhe e bëjnë pronë të çdo fëmije nga Saranda në Mitrovicë, nga Tuzi në Tetovë, nga Tropoja në Arpicë, nga Struga në Shkodër, kudo ku cicërohet shqip nga zogjtë e Shqipes. Në vijim po botojmë një poezi shumë simpatike, me të papritura të këndshme, me imagjinatën e ndezur fëminore e aq të freskët, me një fabul trëheqëse, që të bën të qeshësh çiltër e ta puthësh në sy mbeskëzën që ka atë fantazi aq origjinale e të natyrshme, që të bën për vete e të rrëmben në botën e saj të çudirave të mirësjellshme. Ngjarja rrjedh si një këngë me melodi gazmore , interpretuar nga Gjyshja, Blerta dhe prindërit e çupkëzës: “Blerta na harroi gërshetat – Nëna dhe babai/ na e pyesin:/ – Blertë,/ Çfarë vizatove/ përmbi atë fletë?/ – Vizatova veten,/ a nuk e shikoni?/ Ju jeni të rritur / si nuk e kuptoni?/ – Po ç’ke ngatërruar/ bletë edhe qershi/ flutur e kalem/ mollë dhe kuti?/ Jo asgjë, asgjë/ nuk kam ngatërruar,/ në fletore veten/ unë kam vizatuar!/ Po habitet nëna/ babai bën çudi…/ – Ti nuk je kalem,/ ti nuk je kuti!/ Mollë edhe qershi/ ti nuk je, moj Blertë,/ pastaj këtu ç’duan/ një flutur,/ një bletë?/ – Jua thotë gjyshja/ pritni kur të vijë…/ – Kur s’e dimë ne/ gjyshja s’mund ta dijë!/ – Jo, e di, e di!/ Gjyshe moj, vrapo!/ se ç’kam vizatuar,/ eja na trego./ Ja ku erdhi gjyshja, / vizatimin pa…/ – Kjo këtu është Blerta! -/ prindërve u tha./ Se, kur afron mbrëmja/ edhe do të flerë,/ i këndoj një këngë,/ që gjumi ta zërë./ Gjumi mbi qepalla/ vete edhe vjen/ unë, një kënge, mbesës/ nis edhe i them:/ ” I ke faqet mollë,/ sytë si qershi/ hundën si kalem,/ gojën si kuti”./ Pa, i them: “Je bletë”/ Pa i them: “Je flutur”,/ se është punëtore,/ sepse është e bukur./ Pra në vizatim/ është vetë Blerta/ veçse ka harruar/ të bëjë…gërshetat!”.
Pak jetëshkrim letrar: Opusin letrar të shkrimtarit Odhise Grillo e përbëjnë mbi 120 vepra poetike dhe tregimesh, poemash e romanesh, pjesësh humoristike e teatrore, përrallash, ilustracionesh, skenaresh e pjesësh teatrore, studimesh e kritikash për letërsinë për fëmijë, shkrimesh publicistike e gazetareske etj. Padyshim, që ai është personaliteti më i lartë i letërsisë sonë për fëmijë dhe njëra nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe në përgjithësi. Fitues i dhjetra çmimeve dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare në letërsinë për fëmijë, i përkthyer dhe i botuar në shumë gjuhë të botës, i përfshirë në antologjitë dhe enciklopeditë më të zgjedura botërore, Odhise Grillo e ka nisur punë e tij krijuese para gjysmë shekulli dhe, atëherë e sot, është njëri nga shkrimtarët tanë më prodhimtarë, por edhe më cilësor në kopshtin e letërsisë shqipe. Shkrimtari i njohur për fëmijë dhe studiuesi kosovar Skënder Zogaj e ka cilësuar Odhise Grillon “shkrimtar i fëmijëve dhe mësues i shkrimtarëve”.
“Mjeshtrit të Madh”, shkrimtarit bashkëkohor të letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, para 15 vjetësh, i është dhënë Medalja “2000 Milenium”.
Është vlerësim i madh i Institutit Biografik Ndërkombëtar të Amerikës (ABI). Medalja është mirënjohje që u jipet krijuesve të shquar të vendeve të ndryshme të botës, të cilët meritojnë të radhiten përkrah personave më të shquar në fushën e letërsisë. Shkrimtari Grillo ka botuar mbi 120 libra për fëmijë në prozë, poezi, studime kritike dhe të tjera. Grillo është shpërblyer dhe mirënjohur nga qendra biografike e Cambridge – it në Angli (IBC), nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve të Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj në Mynih me romanin për fëmijë “Historia e Skënderbeut”, sipas veprës së Naim Frashërit. Kjo vepër e Grillos hyn në fondin e librave më të mirë të dhjetëvjeçarëve të fundit. Janë të dashueshme kontributet e tij në prozë, në poezi, në dramaturgji e në kritikën letrare dhe ka marrë me dhjetra çmime kombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura, që e ruajnë freskinë artistike edhe sot, edhe nesër poashtu, janë: “Ai që mundi perandorinë”, “Balada e burrave të Vunoit”, “Balada e lirisë” (poema), “Një zog e një lule”, “Zërat e fëmijërisë” (përmbledhje me vjersha), “Njeriu i nates”, “Pushkë në bregdet” (novela), “Camcakëzi”, “Një njeri u bë majmun”, “Përtacukët” (poema humoristike), “Historia e Skënderbeut”, “Lahuta e malsisë”, “Tradhti në sarajet Topias”, “Don Kishoti i Mancës” (romane sipas veprave të N. Frashërit, Gjergj Fishtës. Për profilin e tij letrar ka ndikuar pozitivisht edhe fakti që për një kohë punoi në revistën “Hosteni” dhe më pas në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku punoi gjersa doli në pension. Së fundi punoi në Shtëpinë Botuese “Toena”, si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj. Grillo është redaktor i mbi 1500 librave të autorëve të ndryshëm. Përveç letërsisë është marrë edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Yllkat”, “Bota e fëmijëve” etj. Ai drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar, pastaj për disa vjet kryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar pedagog i jashtëm, i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe në Shkup e Tetovë. Odhise Grillo mban titullin “Profesor” dhe Mjeshtër i madh”. Është Laureat i disa Çmimeve të Republikës, si dhe fitues i dhjetëra çmimeve të të gjitha niveleve në konkurset e ndryshme letrare që janë organizuar. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, ndërsa librin e parë “Shtatë ngjyrat”, në vitin 1954. Në jetën e gjatë krijuese ai numëron qindra tituj për fëmijë, mes të cilëve, të paharrueshëm për fëmijë janë “Gabimet e Veshkaushit”, “Aventurat e maçokut”, “Pesëqind grosh”, “Një njeri bëhet majmun”, “Qau e qeshi Pallaveshi”, “Kur njerëzit kishin bisht”, “Një zog këndon e qan”, “ Vuuu gënjeshtra, gërrr paratë”, “Hajduti me çizme”, “Dy gomarë këngëtarë”, “Mollët magjike”, etj. Një numër i madh titujsh të tij është botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.
LEXIKON: shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 – 1995): Lexikoni i hartuar nga Prof. Odhise K. Grillo përmbledh rreth 530 shqiptarë, që në harkun e 123 vjetëve (nga viti 1872 gjer në fund të vitit 1995) kanë botuar libra për fëmijë. Viti 1872 është marrë si fillim i letërsisë sonë për fëmijë, pasi në këtë vit Kostandin Kristoforidhi ka botuar “Abetaren” e vet ku janë botuar vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” [përshatje nga poeti Stivenson, dhe jo nga Arçibald Kronini, siç shkruan një historian i njohur i letërsisë shqipe (R. Q.), pasi Kronini ka lindur më 1896, pra 24 vjet më pas nga viti kur u botua “Abetarja” e Kristoforidhit] dhe nja dy fibula. “Lexikoni” i Grillos është informativ dhe jo vlerësues. Në të jepen të dhëna nga jeta e vepra e autorëve: kur kanë lindur (viti), ku kanë lindur, çfarë shkollash kanë kryer dhe ku e çfarë punësh dhe profesionesh kanë patur dhe ku i kanë ushtruar e ku jetojnë. Në fund janë dhënë veprat që kanë krijuar: 1- Në rast se janë autorë që kanë shkruar për të rriturit, por kanë dhënë ndihmesë edhe në letërsinë për fëmijë, në fillim përmenden disa nga librat e tyre më të mirëqë u drejtohen të rriturve e më pastaj jepen librat që kanë botuar për lexuesit e vegjël. 2- Autorëve, që kanë krijuar vetëm për fëmijët, u janë shënuar të gjitha veprat kronologjikisht. Ndonjë vlerësim është bërë për shkrimtarët që nuk jetojnë më, por që kanë lënë emër nga pas, ndërsa për ata që janë gjallë nuk është bërë asnjë vlerësim. Kriteri bazë për ta futur në “Lexikon” autorin është ky: të ketë botuar të paktën një libër. Përjashtim është bërë për ata autorë të mirënjohur që nuk kanë shkruar për fëmijët, por që pjesë nga veprat e tyre kanë hyrë në leximet e fëmijëve (në leximet letrare apo në leximet jashtëshkollore – lektura shkollore) [gjithmonë deri për kohën e përgatitjes për botim të këtij fjalori (lexikon)]. Të tillë janë De Rada, Naimi, Çajupi, Asdreni, etj. Në “Lexikon” përfshihen shkrimtarët që kanë lindur e kanë krijuar brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe shkrimtarët e Kosovës, shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë e Malit të Zi, që jetojnë në trojet e veta dhe nga diaspora. Ndjen një trishtim, shpreh hapur të vërtetën e me guxim qytetar Prof. Grillo kur shkruan: “…më ra në dorë “Fjalori” i Robert Elsiesë dhe u habita kur pashë se në të mungonin të gjithë shkrimtarët që kanë shkruar për fëmijët, ashtu siç mungonin edhe shumë shkrimtarë të jerë që krijonin për të rriturit, pasi i kishte përfshirë “lufta e klasave”…(Shih: Grillo, Odhise; “LEXIKON – shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 – 1995)”, Tiranë, Botimet Enciklopedike, 1997, f. III) . As në botimin më të plotë të R. Elsiesë: “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, nuk jan ëpërfshirë shkrimtarët për fëmijë. Kështu që ky manual i Prof. Grillos merr dy herë vlera. Biobibliografinë e O. Grillos në “Lexikon” e kanë përgatitur shkrimtarët e mirënjohur Adelina Mamaqi dhe Skënder Zogaj. (Shih “Lexikon”, vep. e cit., f. 74 – 75), të cilat ne nuk i kemi shfrytëzuar për këtë profil, pasi kemi bollëk informacioni dhe kemi patur njohje të drejtpërdrejtë me autorin (i ndritë shpirti aty ku prehet, se na mungon shumë) dhe ato materiale i përkasin një punimi më të gjërë për profesorin. Nga bibliografia e autorit, si dhe nga vlerësimet e personaliteteve më të shquar të kritikës letrare të kohës mësojmë se Odhise Grillo, që nga shkrimet e para poetike, të botuara gjatë viteve 1948 – ‘49, kishte dëshmuar se është një shkrimtar i talentuar. Këtë konstatim të para gjysmë shekulli mund ta vërtetojmë edhe sot duke shfletuar librin e tij të parë “Shtatë ngjyrat”, të botuar në vitin 1954,që shpreh forcën krijuese të një artisti të mirëfilltë letrar, i cili me librin e parë e meritonte epitetin shkrimtar. Dhe vërtetë këtë e dëshmon bindshëm me vazhdimin e krijimtarisë që u pasua me botime të shumta e shumë të suksesshme veprash poetike dhe tregimesh, poemash e romanesh, pjesësh humoristike e përrallash, ilustracionesh, skenaresh dhe pjesësh teatrore, studimesh e kritikash për letërsinë për fëmijë, etj. Të shënohen gjithë titujt e veprave të Odhise Grillos është e pamundur, sepse janë mbi njëqind tituj librash, mirëpo nuk mund të mos theksohen përmbledhjet poetike: “Nisuni pëllumbat e mi”, “Një zog e një lule”, “Zemrat e fëmijërisë”; poemat: “Kënga e Maros”,”Trimëresha e Tërbaçit”, “Legjenda e një shkëmbi”, “Ai që e mundi perandorin”, “Përtacukët”, “Pesëqind grosh”, “Aventurat e Maçokut” etj.; përmbledhjet me përralla: “Kush e ka kapuçin”, “Përrallat e veshkaush Llapushit” etj.; librat me tregime e novela: “Pushkë në bregdet”, “Njerëzit e natës”, “Tregime shqiptare”…; romanet dhe novelat e ritreguara: “Erdhi dita e arbërit”, “Thirrjet e gjakut”, “Lahuta e Malësisë (sipas veprës së Fishtës), “Histori e Skënderbeut” (sipas Naimit), “Tradhëti në sarajet e Topiasë” (sipas De Radës) etj.; pjesët teatrore “Hakmarrja e komitës”, “Një natë me fortunë”, “Milingonat punëtore” etj. Punës së Odhise Grillos i përkasin edhe një varg librash me studime e kritika letrare, të cilat reflektojnë qasjene tij të përqëndruar në pasqyrimin e vlerave dhe problemeve letrare, që hetohen me një sesns të veçant studimi dhe që janë me shumë rëndësi për zgjerimin e njohurive mbi artin letrar. Studimet dhe kritikat letrare të Grillos ndërlidhen edhe me punën e tij si pedagog i jashtëm në Universitetin e Elbasanit, ku vite me radhë ka përhapur njohuritë e tij ndër breza studentësh. Kaptinë e veçantë që duhet të thuhet është se Odhise Grillo meriton respekt e lavdërime të shumta edhe për angazhimin e madh në afirmimin dhe përhapjen e krijimtarisë letrare anëkënd Shqipërisë. Nuk ka dyshim se si rrallë ndonjë tjetër, Odhise Grillo ndihmesë të jashtëzakonshme ka dhënë edhe në zbulimin, përkrahjen dhe ndihmën që u ka ofruar krijuesve të rinj në Shqipëri, nga të cilët, shumë nga shkrimtarët e sotëm për fëmijë, janë bërë shkrimtarë pikërisht në saje të ndihmës së pakursyer që xhaxhi Odhise u ka ofruar që nga hapat e tyre të parë. Prandaj jo rastësisht ky shkrimtar quhet dhe me të drejtë konsiderohet “mësuesi i shkrimtarëve”. Shokët dhe miqët e shkrimtarit: Dionis Bubani, Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, Aqif Mala, Sokol Jakova, Bardhosh Gaçe, Xhahid Bushati, Skënder Zogaj, Thanas Qerama, etj., me krenari e kanë thënë se, Odhise Grillon e kanë mësuesin e tyre, nga i cili kanë mësuar shumë dhe vazhdojnë të mësojnë, sepse nuk ka dyshim që shkrimtari Odhise Grillo, aktualisht është mjeshtri më i shquar në letërsinë tonë për fëmijë. Një kurorë e veçantë për merita Odhise Grillos i përket edhe për punën e palodhshme dhe shumë të suksesshme në integrimin e letërsisë shqiptare në kohë e rrethana tepër të vështira. Shkrimtari Odhise Grillo që në kohën e monizmit, kur komunikimi me letërsinë që krijohej jashtë kufinjve të atëhershëm shtetëror ishte punë e rrezikshme, i rreket punës dhe i thyen barrierat. Në tavolinën e tij të punës, apo dhe në shtëpinë e tij, në sa e sa vizita të ngrohta artistike e miqësore, që bëheshin gati familjare në shkallën 2/25 të pallatit 7, në rrugën “Gjin Bue Shpata” në Tiranë, kemi parë qysh në gjallje se si i kishte zgjedhur, redaktuar dhe botuar mbi 100 vepra të shkrimtarëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, që të parat janë prezantuar ndër lexuesit e shtetit amë. Më vjen mirë e them se ka të drejtë miku im kosovar Skënder Zogaj, kur thotë: “Ky shkrimtar nuk ka dyshim se është nderi i letërsisë sonë për fëmijë dhe një monument i gjallë i letërsisë shqipe në përgjithësi”.
Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 30 Korrik 2015/-Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar në mbledhjen e mbajtur në 29 korrik 2015 ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën. Ky Program do të zgjasë për një periudhë 22 mujore dhe përmes tij synohet të mbështeten politikat e Qeverisë për reforma fiskale, financiare e strukturore. Këto reforma janë pjesë e Programit të Qeverisë dhe implementimi i tyre direkt do të ndikojë në forcimin e pozitës fiskale të vendit dhe njëherit do të krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës.
Ministria e Financave, e cila sapo dërgoi sot njoftimin, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për implementim të Programit me FMN janë duke punuar në vazhdimësi për t’u siguruar se të gjitha kriteret e performancës dhe ato strukturore përmbushen sipas marrëveshjes dhe në kohë.
Në fakt, një numër i veprimeve që janë pjesë e Programit tanimë janë përmbushur, siç është rasti me aprovimin e Rishikimit të Buxhetit për vitin 2015 dhe ligjeve që lidhen me reformat fiskale, ndërsa tani do fillojë implementimi i këtyre ligjeve.
Pritet që vizita e radhës e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Rishikimin e parë të Marrëveshjes të jetë gjatë muajit shtator, ndërsa duke filluar nga ky muaj, nën koordinimin e Ministrisë së Financave, do të mbahen takime të rregullta të të gjitha institucioneve përgjegjëse për të monitoruar nga afër implementimin e Programit.
Në 9 qershor 2015 Ministria kosovare e Financave njoftonte se ka përfunduar me sukses vizitën misioni i FMN-së në Kosovë.
“Pas 10 ditë diskutimeve me ekipin e FMN-së përfundimisht kemi arritur në një konkluzion për një program të mundshëm të Kosovës me FMN-në për një periudhë 22 mujore, i cili program i akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës, ekonomia e Kosovës për të ofruar mundësi zhvillimi për të ardhmen” ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e për shtyp me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane.
“Programi përfshinë një mbështetje financiare që do të merr buxheti i Kosovës për të mbushur bilancin bankar në mënyrë që ne të kemi siguri të mjaftueshme në financat publike dhe mbi këtë bazë të kemi mundësi të hyjmë në projekte zhvillimore”, ka thënë Hoti .
Ndërsa, shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën Jacques Miniane, ka theksuar se, “Misioni arriti marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet lidhur me një program ekonomik i cili do të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By (MSB) me FMN-në, në një kohëzgjatje prej 22 muajsh. Qasja e propozuar do të kishte gjithsej SDR (të drejta speciale të tërheqjes) prej 147.5 milionë (rreth €185 milionë), apo 250 për qind të kuotës. Marrëveshja në nivel të stafit duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik”.
“Rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitancat e larta nga diaspora. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lart për t’i afruar të ardhurat në nivel të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. Për ta arritur këtë, autoritetet synojnë që t’i adresojnë hendeqet në infrastrukturë dhe shkathtësi, t’i adresojnë kostot e larta të punës, t’i heqin pengesat strukturore të kredidhënies bankare, si dhe ta forcojnë mjedisin e biznesit. Veprimet vendimtare në këto fusha do ta ndihmojnë ekonominë e Kosovës që të arrijë një rritje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, të nxitur nga sektori privat dhe eksportet”, ka shtuar Miniane.
*Dielli falenderon Gazetarin e njohur nga Kosova, Behlul Jashari,qe percjell per lexuesit tane infomacione, analiza,veprimtari kulturore, arstistike, politike, ne nje kohe rekord.
New York, 5000 çifte të veshur me të bardha
Nga Beqir SINA – New York/
NEW YORK CITY : Ndërsa, je duke shetitur në metropolin e botës – qytetin më të bukur të botës Nju Jork, të bie rasti të shikosh të gjitha racat e botës, veshjet dhe bukurite me një mori njerëzish që lëvizin në drejtime të ndryshme si bletët në koshere.
Aty ku njujorkezët përsëri gjejnë rastin për të u relaksuar, aty ku njujorkezët të ndjehen më të lehtë që në veshje, shetitje, vizitat e pa fund, apo relaksimi nëpër parqet e qytetit, e cila, është në të njëjtën kohë dhe një nga momentet më të bukur sportive të qëndrimit në natyrë.
Këtu thuhet se të bie rasti të shikosh të gjitha veshjet e modës të botës së modës – frymëzuar nga sesioni i gjenë në Nju Jork – Qytet, ky që të dallon për nga qytetet e tjera të botës, mbasi në rrugët e tij plot jetë, për çdo ditë 1 deri në dy milion turistë, të huaj lëvizin si kur të jenë në ndonjë nga sfilatat e mondës më të njohur të botës.
Eshtë shumë e vështirë të bëshë dallime në këtë qytet, se cila rrugë apo shesh i Nju Jorkut, ka më shumë, turistë të huaj – vizitorë ose kalimtar, por në këtë shënim timin më mori vemendjen këtë sezon “zemra e qytetit”, ose si thirret ndryshe nga njujorkezët Midtown, dhe përfshin sheshet Times Square, Rockefeller Center, Bryant Park – East River, dhe bregun perendimor të ishullit që thirret Hudson River , parkun natyror në zemër të qytetit – ku më shumë se 5 mijë çifte, morën pjesë në edicionin e 5-të i asaj që thirret:” Diner e En Blanc – Tryezat e Bardha”.
Gjithë çka ka nisë simbas një tradite të krijuar vitet e fundit – ku njujorkezët mblidhen në një nga qendrat e saj më të frekuentuara në zemër të qytetit për të festuar të ashtuquajturën “ Diner e En Blanc – Tryezat e Bardha”
Kësaj radhe çiftet zgjodhën freskin e mbremjes bregdetare në bregun e perendimor të ishullit Manhattan –New York City, përreth lumit Hudson në sesionin e 5-të , të darkës “:” Diner e En Blanc – Tryezat e Bardha” .
Pastaj erdhi spektaklin: ngrënie dhe vallëzimi nën qiellin e hapur në Pier 26 në bregun e lumit Hudson në lagjen Manhattan Tribeca. Pjesëmarrësit sollën atë që ata donin për një darke elegante, duke përfshirë ushqimin, tavolina, karrige dhe madje edhe stolira argjendi dhe qirinjet neper tavolina dhe bueta me lule te bradha .
Ata u mblodhën simbas një kodi ku çdo dekor është i bardhë, të gjithë njerëzit jan të veshur me rroba të bardha, përfshirë edhe kamarierët , rojet e sigurimit dhe stafin organizator.
Si gjithmonë të gjithë qytetarët jan të ftuar perms rrjeteve sociale private në facebook, që të mblidhen në parkun për rreth lumit Hudson, ku e vetmja gjë që kërkohej atyre ishte që të vishnin rroba të bardha.
Ndërsa, ngjarja e cila zhvillohet për çdo vjet në Europë – nën kujdesin e një varg restorantesh të kompanisë së njohur En Blanc, nga Franca, ka zbritur kohët e fundit( 5 vjetët e fundit), edhe në metropolin e botës qytetin mit Nju Jorkun, sikur të jetë një piknik masiv, disa qytetarë kishin marrë ushqime.
Pamja thanë pjesëmarrësit ishte shumë e veçantë jo vetëm se të gjithë pjesëmarrësit ishin të veshur me të bardha. Por edhe Muzika live dhe argëtimi vazhdoi deri natën vonë, disa qytetarë kishin marrë ushqimedhe të gjithë së bashku filluan të kërcenin dhe të zbaviteshin.
Një vajzë e bukur shqiptare – nga Kosova, Rina Lila, quhet e cila postojë në statusin e saj facebook edhe disa fotografi të bëra prej saj – tha eskluzivisht për gazetën tone se kishte qenë e mrekulluar nga kjo atmosferë kaq e bukur e gjitha e bardhë.
“Ishte një mrekulli e vërtet – unë merrja pjesë për here të parë – por të them të vërtetën jam mrekulluar nga ajo që prejetova, sikur të ishte një “dasmë” madhështore me mbi 5 mijë çifte – një bardhësi e gëzim e rallë, ku nuk mungojë as ushqimi, vera, e pije të tjera, muzika live, humori, dhe hareja gjatë gjithë natës” tha Rina, një student e diplomuar në Universitetin Kolumbia në Nju Jork
E konsideruar si një ngjarje kulturore dhe argëtuese, këtë vit ajo megjithëse kërkesat ishin shumë të mëdha – më shumë se 5.000 çifte – të cilat sikur të njiheshin prej kohësh u ulen së bashku në tryezat me plot ushqim dhe shampanjë – të veshur sipas traditës së dasmave në të bardhë nga koka deri te këmbët, vajzat me fustane nuserie dhe djemtë me kostumet e martesës të baradha.
Kjo është një ngjarja, e ashtuquajtur si një “spektakël” komercial “misterioz dhe i rafinuar,” i pronarëve të këtyre restorantëve, e cila ak zanafillën e saj në Parisë – Francë, dhe është mbajtur në të njëjtat “kondita” ku çiftet – mysafirët të ulur në tryezat me plot ushqim dhe shampanjë – duhet të jenë të veshur në të bardhë nga velloja deri tek këpucët”, duke rivilitazuar emrin e një lokali të famshëm për dasama i ashtuquajtur “e Bardha – En Blanc”
Mbas Francës, vendorigjina e këtyre restoranteve , En Blanc – E Bardha, ose “treni” i këtyre festimeve të çifteve të veshura me të bardha – mori udhën duke kaluar nëpër 22 qytete në të pesë kontinentet e rruzullit. Organizuar me bujë nga mediat sociale dhe axhencitë e modës nëpër botë, erdhi edhe, këtu në New York, dhe u konsiderua si ngjarje më e madhe kulturore e vitit në këtë qytet – kur u mbajtë për herë të parë në Amerikë, 5 vjet më parë –
Ngjarje, kjo e cila tërhoqi për herë të parë rreth 1,200 çifte – nga mbarë SHBA dhe u mbajtë për herë të parë në Qendrën Botërore Financiare –
Mirëpo, pas kësaj rradhe nga që kërkesat kan ardhur duke u rritur – kjo ngjarje u perkufizua në 5.000 çifte, që ishin regjistruar në listënsi pjesmarres, thanë organizatorët, dhe dhjetra mijëra të tjerë që ndoqen spektaklin En Blanc – E Bardha, i cili shoqërohet me koncerte natyrore me muzikë, jashte barrikadave te policise.
Media njujorkeze ka shkruar kjo ngjarje është pak si një aventurë për Restorantet – e zgjedhura për dasma, për të tërhequr kaq shumë njerëz në një moment kaq të caktuar me shumë njerëz në një vend në natyrë dhe që të jenë të gjithë të veshur tërësisht në të bardhë dhe të pajisur me tavolina, karrige, tavolinë mbulua me linens, pijata porcelani, got ate kristal, orendi argjendi dhe një darkë të pasur me ushqimet dhe verën e preferuar.
Por, ajo që e përcakton këtë ngjarje pavarësisht nga konformitet e të panumërta dhe “spontane”, është se si mund të mblidhen kaq shumë njerëz si mysafirë të ulur në rreshtin e gjate te tryezave me plot ushqim e pije, të veshur në të bardhë nga koka deri te këmbët – nën simblolin e restorantit, duke e bërë këtë të famshëm në të gjithë botën.
“En Blanc”, është një nga restorantet më elegante, dhe sigurisht më evropianë në botë, si dhe fakti se askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte, se do të mbahej ky spektakël madhështorë, edhe në Nju Jork – metropolin e botës – pra vetëm se e bën atë të jetë një nga më të veçantët në botë, eshte shka I kesaj arritje” kan deklaruar bashkë-organizatori i këtij spektakli në Nju Jork Gilles Amsallem. I cili shton se “pjesa më e vështirë për të bërë një ngjarje si kjo në New York City, është ajo e pijeve – këtu kemi hasur në probleme me mysafirët tanë, në shijen e tyre”.
Disa çifte vitet e kaluara kan patur edhe shkelje të regullave për këtë spektakël – mbasi, disa gurpe mysafirësh nuk kan pritur për të blerë verën e En Blanc, e cila është një nga verat më të mira franceze.”
Ndërsa, disa të tjerë vitet e kaluara në Nju Jork kishin sjellë ndonjë ushqimin shtesë me vete, pije të ndryshme të alkoolit, në ndërkohë që sipas rregullave të mëparshme ato duhej të blihen në përputhje me rregulloret e të gjithëve-që ka përcaktuar më parë En Blanc, e cila donte që pijet alkoolike të paktën duhet të jenë të nevojshme për të blerë vetëm nga En Blanc-o nga që ato janë në koncesionet e licencuar të shtetit.
BARDHE RAJA(BERISHA) KA NDERRUE JETE, SOT SHERBIMET MORTORE NE FARENGA BROTHERS FUNERAL Home, BRONX-NY
Familja Raja njofton komunitetin shqiptar, se dje, me 28 korrik 2015, vdiq në moshën 88 vjeçare Bardhe Raja(berisha). Trupi i të ndjerës do të pushojë sot, ditën e mërkurre me 29 korrik, prej orës 2 deri në 9 PM, në Farenga Brothers Funeral Home (920 Allerton Avenue, Bronx, New York 10469, tel. 718 654-0500). Nesër, ditën e ejte, 30 Korrik,do të përciellet te Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” (361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, NY 10530, tel. 914 761-3523), ku do të thohet mesha e dritës në orën 11:00 AM. Mbas meshës do të vorroset në “Gate of Heaven”, Valhalla, NY (Section 26).
Bardhja len mbrapa tre djem, Antonin, Lekën e Simonin, rejat dhe shumë nipa e mesa dhe farefis, të cilëvet u përcjellim ngushëllimet e Kryesisë së “Vatrës” dhe të redaksisë së gazetës “Dielli”. Gëzime mbas sodit!
Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…
Do të ishte më së e domosdoshme që vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë të kushtëzohen me lejimin nga qeveria serbe që këtë ta bëjnë edhe ministra e zyrtar tjerë kosovar këtë pjesë etnike shqiptare/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Jemi dëshmitarë se pothuajse për çdo ditë ministra e zyrtar tjerë serb vizitojnë Kosovën. Ç’është edhe më keq sjellja e këtyre zyrtarëve nga Serbia po keqpërdorët në mënyrë të vrazhdë dhe kundër rregullave e ligjeve pozitive të vendit tonë. Ata jo vetëm që i takojnë serbët lokal në mjedise të ndryshme, por vetë i organizojnë tubimet dhe i mësojnë se si qytetarët duhet të reagojnë dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë se jetojnë e banojnë në Republikën e Kosovës. Për çdo ditë iu thonë se kjo është tokë serbe, se kjo është krahinë serbe dhe se gjithnjë Serbia do t’i mbështesë e do t’i përkrah edhe materialisht, por edhe në forma tjera. Përkundër këtyre sjelljeve antikushtetuese, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente nuk reagojnë fare dhe kështu në heshtje tolerojnë gjithë këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit serb në Kosovë. Zatën kjo heshtje e pakuptueshme ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve serb që për çdo herë ta ashpërsojnë gjuhën e urrejtjes që ndiejnë ndaj shtetit të Kosovës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës të lënë nën mëshirën e regjimit serb
Derisa institucionet dhe organet tjera qeveritare serbiane ndër prioritetet e tyre vepruese kanë edhe gjendjen dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë, fatkeqësisht qeveria e jonë nuk është duke e bërë asnjë hap serioz në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila në mungesë të mbështetjes që do të duhej ta kishte ka zgjedhur disa veprime protestuese që po bien në vesh të shurdhër edhe të komunitetit ndërkombëtar e që është edhe më keq disa familje shqiptare edhe po shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Gabim shumë i madh i palës kosovare ishte fillimi i dialogut me Serbinë pa e përfshirë në ato bisedime edhe Luginën e Preshevës, në të cilën jetojnë me shumë banorë shqiptar se sa që janë serb në pjesën veriore. Lëshimi i këtij rasti është një humbje e madhe për një tretman tjetërfare të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, që vështirë së do të mund të kompensohet aq lehtë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë se kurrë nuk është vonë, ndaj ekipi negociator dhe qeveria e Kosovës duhet të insistojnë për një baraspeshë të të drejtave që duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në atë pjesë etnike ilire e jo vetëm që të bisedohet për pakicën serbe, e cila edhe ashtu i gëzon të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nëse ka drejtësi ndërkombëtare atëherë ajo do të duhej t’i garantohet edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe jo vetëm një komuniteti konkret, siç është rasti me serbët e Kosovës. Thënë konkretisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e regjimit serb, regjim ky që këtë popullatë e trajton krejt ndryshe duke mos bërë asnjë investim sado të vogël për t’ua mundësuar një jetë më të mirë ashtu siç përkujdeset për serbët lokal që jetojnë në një shtet tjetër, përkatësisht në Republikën e Kosovës.
Edhe ministrat kosovar do të duhej të vizitonin Luginën e Preshevës
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, është i pari politikan i këtij rangu që vizitoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Na kujtohen ato pamje të fytyrave të gëzueshme të mijëra shqiptarëve që shiheshin në ekranet televizive. Kjo vizitë iu dha shpresë e vullnet vëllazërve dhe motrave tona në atë pjesë që të qëndrojnë, punojnë e jetojnë për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, nga Kryeministri i Kosovës asnjëherë nuk dëgjuam asnjë fjalë se ai e ka ndërmend që të marrë rrugë në drejtim të Preshevës. Nuk dëgjuam, po ashtu, asnjëherë të këtë shprehur interesimin e tij për banorët shqiptar në atë pjesë në vizitat që i bëri apo edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ku u takua edhe me Kryeministrin serb Vuçiq. Për realizimin e një vizite shumë të nevojshme dhe të mirëseardhur për banorët shqiptar , Isa Mustafa nuk ka kurrfarë pengese sepse ai nuk gjendet në listën e “ terroristëve” shqiptarë të orgeneve ndjekëse të të Serbisë sikurse që janë shumë figura të rëndësishme të UÇK-së, që tani kanë edhe poste të rëndësishme politike . Sigurisht se regjimi serb në fillim do të bënte përpjekje për të penguar një nismë të tillë të të parit të qeverisë së Republikës ës Kosovës, mirëpo insistimi i vazhdueshëm do të përfundonte me lejimin e vizitës në këtë tokë arbërore. Nëse eventualisht këtë do ta pengonte qeveria serbe, atëherë organet tona do të duhej që këtë masë ta aplikojë edhe për zyrtarët dhe udhëheqësit serb që pothuajse për çdo ditë vizitojnë Kosovën. Jo vetëm Isa Mustafa, por edhe ministra e zyrtar tjerë është e udhës që të vizitojnë Luginën e Preshevës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen më të sigurt. Është më së e domosdoshme që të bëhen përpjekje maksimale edhe në aspektin e ndërtimit të ndonjë objekti ekonomik nga të dy qeveritë shqiptare si dhe nga mërgata në mënyrë që fati i banorëve të kësaj ane për të qëndruar në tokën e tyre stërgjyshore të forcohet shumë më tepër se sa deri me tash. Kur ka interesim vullneti e shpresa nuk shuhen kurrë. Mbetet të shihet se sa e si do të punohet në këtë drejtim. Jashtë këtij interesimi nuk do të duhej të mbetën edhe komunat si dhe biznesmen shqiptar kudo që jetojnë, veprojnë e punojnë. Ky aktivitet është sa obligativ, po aq edhe patriotik.