• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DITË E BUKUR PËR AMBASADËN E KOSOVËS NË LONDËR

July 10, 2015 by dgreca

Në mesditën e datës 10 Korrik 2015, Ambasada e Republikës së Kosovës, e sapo vendosur në një rrugë të bukur në qendër të Londrës, priti musafirë shumë të shquar. Ndër ta ishin Presidentja, zonja Atifete Jahjaga, ish kryeministri britanik Toni Blair me zonjën e tij Cherie Blair, ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO – s, Lordi Robertson, ish komandanti i Forcave ushtarake britanike në Kosovë, gjen. Michael Jackson, ambasadorët e Japonisë, Turqisë, Latvias, Malit të Zi, Finlandës, Sllovenisë, Maqedonisë, Nuncio Apostolic, Ambasadori i Britanise ne Kosove dhe ai ne Keshillin e Sigurimit ne New York, Marshalli i Mbreterise, Sir Noel Malcolm, diplomatë , shumë përfaqësues të mediave diplomatike, krerë të shoqatave shqiptaro – britanike, shqiptarë me banim në Londër, etj ,
Ambasadori i Kosovës z Lirim Greiçevci duhet ta këtë patur ditën dhe momentin më të bukur të karrjerës së tij diplomatike deri më sot, kur mikëpriti aq shumë miq të nderuar dhe i prezantoi njëri pas tjetrit me tërë bukurinë dhe çarmin që protokolli diplomatik i një vendi si Britania e Madhe kërkon, në raste të tilla.
Presidentja e Kosovës mbajti një fjalim shumë të bukur dhe po ashtu shpalli këngëtaren e njohur britanike të lindur në Kosovë RITA ORA, Ambasadore Nderi të Kosovës e cila e priti atë me shumë kënaqësi. Më pas ish Kryeministri Toni Blair foli me pasionin e tij të njohur për Kosovën, duke theksuar se prania e Ambasadës së Kosovës në qendër të Londrës, është diçka që dikur mund të ishte vetëm një ëndërr.
Urimë Ambasadorit Greiçevci i mbështetur tanimë edhe nga Ambasadorja më e re Rita Ora e cila i ka dhënë kaq shumë emër Kosovës dhe mbarësi për Kosovën tonë të dashur.
Proud to be Albanian!(Marre nga Fb nga faqa e ambasadorit Mal Berisha)

Filed Under: Kronike Tagged With: Jahjaga, Londer, Ne ambasaden e Kosoves, Rita Ora

Vëllai i pengut- Reshat Agajt rrëfehet tek amerikanët: Sigurimi më ka mbajtë vëllanë peng

July 10, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca*/
…Kur mbaruan pyetjet dhe proçeset investigative të policisë greke, Asim Jakova e njoftoi Reshat Agajn se shpejt do të shkonin në Kampin e Lavrios, aty ku ishin mbledhur të gjithë të ikurit shqiptarë, bullgarë e jugosllavë. Para se të nisej për në kamp, në shtëpinë personale të Asimit, Reshati, Asimi dhe gjenerali amerikan Beck, kaluan plot gjashtë orë intervistë, me pyetje e përgjigje, të cilat i përkthente Asimi. Në këtë intervistë, ai shkruan në ditar se u hapi amerikanëve zemrën dhe zbrazi tërë tragjedinë e vet dhe të vëllait, Pertefit.
Kur kaloi në kampin e Lavrios, një ditë policët grekë e çuan në disa zyra të Misionit Amerikan, ku iu nënshtrua provës së makinës, që nxjerr gënjeshtrat në shesh (lie detector). Zhveshur nga brezi e lart, ata i lidhën për trupi disa fije të ndryshme teli, që ishin lidhur me këtë makinë, e cila dridhej sa herë që jepte përgjigjet e pyetjeve në shqip, po ose jo. Një teknik amerikan do të shqyrtonte pyetjet e përgjigjet dhe do të përcaktonte nga dridhjet e makinës, nëse ai kishte thënë të vërtetën, apo kishte fshehur ndonjë sekret. Asimi i tha më vonë se tekniku kishte thënë në raportin e tij se Reshati në pyetjet e para kishte fshehur të vërtetën dhe në pyetjet e tjera kishte thënë të vërtetën.
– Unë,- i tregoi Asimi më pas,- u zura me të, se jam i sigurtë se ti je një intelektual nga shtëpi fisnike dhe nuk je agjent komunist, i udhëzuar për të na mashtruar ne. Kam vënë firmën, duke i siguruar amerikanët me jetën time, që, në rast se ti je agjent komunist, unë të dënohem njësoj me ty.
Firmën personale të Asim Jakovës, ia konfirmoi më vonë kapiteni amerikan Johnson, që kryesonte zyrën për shqiptarët, kur Asimi nuk shërbente më aty, por ishte transferuar në një vend tjetër.
Çështja e Reshatit u mor në konsideratë të vecantë nga ana e amerikanëve nëpërmjet të gjitha kanaleve të tyre dhe e tërë ajo situatë iu raportua qendrës në Washington, sikurse ia tha atij në mirëbesim Asim Jakova. Kur zyra amerikane e Athinës u propozoi atyre të Washingtonit që ta përcillnin Reshatin në Itali dhe ta përdornin për kontakte me komunistët e misionit shqiptar në Romë, ata të Washingtonit iu përgjigjën kështu: Nuk kemi asnjë interes në shërbimet që mund të na sjellë Reshat Bajram Agaj. Ne jemi të interesuar vetëm të shpëtojmë jetën e Pertef Bajram Agajt!
Reshati shkruan në ditar: ”Ky telegram i ardhur nga Washingtoni, si më tha Asimi, bëri kaq shumë përshtypje në shpirtim tim, saqë kurrë në zemrën time s’kam pasur veçse ndjenjat më të larta të admirimit dhe mirënjohjes së thellë për popullin e vërtetë amerikan, për atë që mbron dhe ruan në shpirt traditat e shkëlqyera të këtij populli të ri, tradita njerëzimi, mëshire dhe lirie.
“Vëllezërit” e mi shqiptarë si Kadri Hazbiu me shokë kërkonin pa mëshirë e pa dhimbje, që unë të zhgrryhesha përdhe dhe të bëhesha vegla e tyre e ndyrë kundër të ikurve të mjerë, që luftonin kundër një regjimi, që ishte kokë e këmbë në shërbim të rusëve e sllavëve, ndërsa amerikanët e panjohur të përtejdetit ushqenin ndjenja shumë të larta njerzillëku dhe mëshire për mua dhe vëllanë tim. Mirënjohja ime për ta kalon çdo kufi dhe u jam mirënjohës përjetë. Drita dhe shpëtimi i Zotit u derdhtë mbi këtë komb e mbi këtë popull.”
Në shënimet e veta, Reshati nuk e harron ndihmën me të holla që dha për të Asim Jakova.Kur Asimi u largua për në Amerikë, ai e rekomandoi Reshatin tek Kapiten Johnson, një burrë nordik, i gjatë afro dy metra, nga Milwaukee. Gjatë luftës Johnson kishte kaluar katër vjet në malet e Hungarisë, në prapavijat gjermane dhe kish shpëtuar për mrekulli nga ndjekjet e Gestapos, në sajë të një kundëragjenti amerikan, që ishte në Budapest me gradën e majorit të ushtrisë gjermane. Historia e kapitenit Johnson ishte me të vërtetë një histori, që gati dukej legjendare. Duke kaluar nëpër Hungari, Kroaci dhe Itali, veshur si diplomat kroat, ai mundi të arrijë në vijat e ushtrisë amerikane në Itali. Dëshira e parë, që u shfaqi superiorëve pas gjashtë vitesh shërbimi dhe ndarjeje nga familja e tij, ishte, që të kishte mundësi të shkonte të shihte nënën e tij në Milëaukee. Komanda e lartë e kënaqi Kapitenin Johnson, duke i vënë në dispozicion një aeroplan të veçantë për të udhëtuar drejt nënës së tij.
Kapiteni Johnson njihte shumë gjuhë. Edhe italishten e fliste shumë mirë. Me këtë gjuhë komunikonte Reshati me të, se në këtë kohë anglishtja i çalonte. Me Kapiten Johsonin bisedonin vetëm punët e kampit dhe asnjëherë, megjithëse e dinte fare mirë, nuk ia zuri në gojë ngatërresat me komunistët e Tiranës. Në këtë kohë, pas ikjes së Miftar Spahiut, Reshati ishte bërë kryetari i Legalitetit në kamp dhe shpeshherë shkonte në Athinë në lidhje me problemet e kampit, mbasi në këtë kohë amerikanët kishin lëshuar fonde për t’u shpenzuar në favor të refugjatëve politikë dhe natyrisht ngjanin mosmarrëveshje se si do të ndaheshin këto fonde.
Kur Kapiteni Johnson merrej me punët e tjera, ai që kish të bënte me Reshatin ishte një djalë i ri shqiptaro-amerikan, lindur në Amerikë, që ai i njihte vetëm emrin Peter. Ai fliste një shqipe të bukur korçare.

“A u kthye Papa në Vatikan?”

Ishte janari i vitit 1952. Pas një qëndrimi prej një vit e gjysëm në Greqi, qendra vendosi që Reshatin të shkonte në Itali. Para se të nisej për në Romë, shqiptaro-amerikani Peter e mori nga kampi dhe e mbajti në një hotel të bukur në Pire për afro një javë. Çdo natë ai e ftonte për darkë, duke e çuar në restorantet e bukura të Pireut.
Nisja nga Athina u bë me anë të një avioni britanik. Në aeroport e përcolli Peter me makinën e tij. Kur ishin në mes të rrugës, Peter ndali makinën dhe kontrolloi imtësisht valixhen e Reshatit. Ishte hera e parë që Peter bënte detyrën, ashtu si e bëjnë agjentët e punëve të fshehta, se deri atëhere puna e tyre kishte shkuar në mirëbesim.Peter i mori me vete bllokun e shënimeve, një pare floriri, që ia kish dhënë bashkshortja Drita si kujtim dhe një bonde- me lireta italiane. Bondet dhe floriri i’u kthyen në Itali me anë të Gaqo Gogos, por blloku i shënimeve nuk iu kthye kurrë.
Kur Peter i dha pak dollarë dhe pasaportën dhe u përqafua me Reshatin, ky i tha këto fjalë në anglisht:
– Unë shkoj të punoj për Shqipërinë, për Amerikën dhe për Lirinë. Peter u kënaq shumë dhe, duke e përqafuar dhe një herë, u ndanë për të mos u takuar më.
Arriti në Romë në orët e para të mbrëmjes. Hipi në një autobus, duke i dhënë shoferit adresën që i kishte dhënë në Athinë Peter, në marrëveshje me zyrën e Romës. Kur arriti atje, u ndodh në një situatë të vështirë; adresa ishte fallso. I dëshpëruar zuri vend në një hotel aty afër.Kjo ishte e papritura e parë që i bënë zotërinjtë italianë dhe u dëshpërua shumë. Priste t’i vinte agjenti italian, zotni Marconi, i cili duhej t’i jepte parullën: “ A u kthye Papa në Vatikan, apo jo” dhe Reshati do t’i përgjigjej: “Po, u kthye”. Mirëpo askush nuk iu paraqit.Të nesërmen doli jashtë. Një zotni me trup mesatar i afrohet dhe i flet në emër. U habit dhe s’diti si të vepronte nga që priste parullën. Por ai, si e kanë zakon italianët, që çdo gjë e marrin me shaka, kur pa se Reshati po mendohej dhe mëdyshej, tha duke qeshur:
– Eja, eja këtu se e dimë që Papa erdhi në Vatikan.
Italiani e çoi në shtëpinë, që kishin zënë me qira për Reshatin. Pas pak ditësh në Romë u takua me Gani Tafilin. Ata të policisë u zemëruan, sepse duhej të kishte qëndruar akoma i padukur. Dalja e tij jashtë ishte me zarar, pasi në atë kohë aty kishte shumë shqiptarë rrotull. Italiani Markoni dhe shefat e tij nuk kishin aq besim tek Reshati.
Takimi me Abaz Kupin

Reshati po e ndjente se qëndrimi i tij në Romë, ku të gjithë shqiptarët silleshin kafeneve, krijonte thashetheme të pafundme për të dhe sigurisht fliteshin e çfliteshin fjalë sokaku sa të duash. Fjalët e ardhura nga Shqipëria nga Laze Bërdo dhe Ahmet Belushi, të cilët kishin thënë se nuk ishin pushkatuar të gjithë ata të procesit të Pertefit, kishin qarkulluar. Atëhere Komiteti i atjeshëm i Shqiptarëve ishte i plotë dhe merrej me punë subversive brenda në Shqipëri dhe dyshimet, natyrisht, ishin të mëdha. Kulmi i këtyre thashethemeve arriti, kur agjenti amerikan Lee, pranë Komitetit, i tha Abas Kupit se Reshati ishte i dërguar nga qeveria komuniste dhe se emri i tij i fshehtë qenkish Remo Giovannini. Kur shkoi tek Abazi, ky i tregoi Reshatit emrin të shkruar në një bllok. Iu përgjigj Abas agës aty për aty:
– “Unë nuk jam as tradhëtar i nacionalizmit shqiptar, as tradhëtar i Lëvizjes së Legalitetit, por, po pate durim, dua të fjalosem me ty sy më sy të të shpjegoj si është puna.U hoqa mënjanë me plakun e madh të maleve tona dhe ia kthjellova fill e për pe të gjithë tragjedinë time dhe të vëllait tim. Pasi më dëgjoi, më puthi, duke më thënë me zemër prindi:
– Ti më ke mua e mos e çaj kryet fare.”
Për aq kohë sa qëndroi në Romë dhe nëpër kampet e Italisë, sofra e Abas Kupit dhe porta e shtëpisë së tij qenë të hapura dhe mikpritëse për Reshatin.
Ai shkruan në ditar “Nga zemra e falenderoj shpirtin e tij. Zoti e ndjeftë atje, ku i treten eshtrat! Ndërsa kur i shpjegova Abas agës takimin e fundit me vëllanë dhe me oficerët e Sigurimit, Bazi lëshoi një psherëtimë të sinqertë dhe tha:I shkreti… “
Kaloi pothuaj tre muaj në Romë, pa i ndodhur asgjë. Reshati shkruan në ditar:”Unë isha vetëm një gozhdë e vetme në atë rrotë të madhe të shërbimeve të fshehta.”
Një ditë i shkon një polic dhe i thotë të paraqitej në policinë e Romës, se duhej të largohej nga ai qytet. Mori valixhen dhe shkoi në polici. Ata i thanë që, meqenëse s’kishte ku të shkonte, do ta fusnin në kampin e refugjatëve pa atdhe, në Fraschette, kamp i mbyllur për njerëz të dyshimtë dhe të rrezikshëm. Një polic e shoqëroi atë natë për në Frosinone, ku e ndalën në burgun e qytetit. Në Fraschette arriti të nesërmen. Në burg takoi qindra italianë e të huaj të çdo kombësie, mbetur rrugëve.
Të nesërmen e shoqëruan për në kampin e Fraschettës.Aty e kap një mërzi e thellë. Në ditar gjejmë këtë shënim:”Këtu mbaroi ekzistenca ime si individ i veçantë. Të gjithë ata që mbylleshin këtu thërriteshin me një numër e jo më me emër.Numuri im ishte 6339.Mbyllja imë këtu bëri përshtypje të keqe nga çdo anë dhe sigurisht shumë menduan se unë isha agjent komunist dhe i rrezikshëm, mbasi më mbyllën në këtë kamp, që s’kish liridalje, veçse me leje të veçantë.”
Në atë kohë, kushëriri i tij, Ago Agaj ishte në Egjipt. Ai u bë shumë merak dhe me anë të Mbretit Zog, u interesua që Reshati të bënte një lutje për t’u marrë në shërbim të shërbimit të lajmeve angleze B.B.C., meqenëse ata kërkonin një stenograf.I ktheu përgjigje se nuk e bënte dot më atë punë. Agoja nuk e dinte se Reshati s’mund të bënte asnjë lëvizje pa leje. Sidoqoftë, me anë të Ali Këlcyrës, Agoja i dërgoi nga Egjipti një palë rroba. Nga Roma, nga Partia e Legalitetit, i dërguan ca para që i shërbyen shumë për të shkuar në Fiuggi për kurën epastrimit të veshkave. Kur shkoi në këtë kamp, veshkat filluan t’i dhimbnin shumë dhe një ilaç që kishte marrë në Romë, s’i bëri efekt.
Dëshmitar për dhunën komuniste
Në kamp i vijnë një ditë të dërguar nga Abaz Kupi, Gani Tafili dhe Selim Damani, të cilët e vënë në dijeni se Komiteti Shqipëria e Lirë kishte kërkuar që Reshati të shkonte në Romë të demaskonte kampet e përqëndrim-internimit që kishte ngritur qeveria komuniste e Shqipërisë. Ata s’kishin ku gjenin tjetër njeri që të dëshmonte me saktësi dhunën komuniste.Reshati kishte kaluar nëpër ato kampe pune të detyruar.Ai kishte dalë gjallë nga kampi i Kënetës së Maliqit, nga vendi i skëterrës.Partia Agrare e Ballit Kombëtar kishte paraqitur Skënder Dumën, i cili kishte qenë i burgosur dhe kish punuar një vit në Kampin e Maliqit. Në fillim plani kish qenë që të dy të shkonin për të dëshmuar para Komitetit të veçantë të Organizatës të Kombeve të Bashkuara për shkeljen ose mohimin e të drejtave njerëzore me qendër në Gjenevë të Zvicrës, por, siç i spjeguan Selimi dhe Ganiu, qeveria e Zvicrës nuk e kish lejuar vajtjen e tyre atje, se nuk donte t’i shtonte telashe vetes, duke armiqsuar vendet e perdes së hekurt dhe veçanërisht Rusinë, e cila atëhere i delte zot Shqipërisë. Komiteti kish vendosur ta paraqiste Reshatin para një konference shtypi në Romë, ku do të merrte pjesë e gjithë kryesia e Komitetit Shqipëria e Lirë, me Hasan Dostin në krye, diplomatë të huaj me qendër në Romë dhe gazetarë italianë e të huaj. I tërë fjalimi i Reshatit do të bëhej në gjuhën italiane, që e njihte si gjuhën shqipe.
Në gazetën “Flamuri” , korrik-dhjetor 1952 , shkruhej:” Mandej z. Hasan Dosti paraqiti një burrë të ikur fushave të përqëndrimit të Shqipërisë së roberuar, z. Reshat Again, i cili përshkroi vuajtjet, torturat dhe varrosjet për së gjalli me një mënyrë rrënqethse. Gazetarët u interesuan shumë për këtë kontakt direkt me fakte e nejrëz që janë prova të rralla dhe të gjalla të barbarizmit komunist.(Marrë nga libri “Hasan Dosti, një jetë për çështjen shqiptare”, faqe 203).
Tregimi i Reshatit mbi Maliqin, sepse atje kishte kaluar gjashtë muajt më të frikshëm e më të tmerrshëm të jetës së vet, ishte përkthyer në italisht dhe ai duhej veçse ta lexonte. E morën një ditë para dëshmisë në Romë dhe, me urdhër të amerikanit Lee, që ishte përgjegjës pranë tij, duhej të ishte i veshur keq.
Dalja e Reshatit para personaliteteve, që ishin atje, me rrjedhshmërinë e gjuhës italiane, bëri një përshtypje të madhe dhe të nesërmen të gjitha gazetat e Romës,disa dhe me fotografinë e tij, dhanë lajmin e kësaj konference shtypi.Komiteti Shqipëria e Lirë nxorri në këtë rast një buletin special në tri gjuhë, shqip, anglisht e italisht, me tregimin dhe historinë e Reshatit.
Vite më vonë, kur Reshati ishte në Kanda, Senati Amerikan nxorri një broshurë të vogël mbi Shqipërinë dhe okupacionin e saj nga ana e komunizmit. Në këtë broshurë, dy faqet e fundit janë mbushur me tregimet e tij rreth kampit të punës së detyruar në Maliq dhe jetën e të burgosurve në atë kamp.
Jo shumë kohë më pas ai u transferua në kampin e Marcatellos, afër Napolit, ku ishin strehuar dhe shumë shqiptarë të tjerë.
Shkoi aty në gushtin e vitit 1953 dhe më 1 mars të 1954-ës u nis për në Kanada, në kontinentin e Amerikës së Veriut, në vendin e liqeneve dhe akujve.
Provokimi, letër nga vëllai dhe nisja për Kanda

Një ditë i dërguan një letër nga Milano me emrin e një njeriu fare të panjohur. Kur e hapi këtë letër, njohu shkrimin e Pertefit, vëllait peng. Ai shkruante se ishte mirë dhe besonte që edhe Reshati të ishte mirë. Sigurisht që kjo letër ishte diktuar nga ata të Sigurimit të Tiranës dhe i dërgohej nga Milano, që të mos zgjonte ndonjë dyshim, ose të çensurohej. Letra e qetësoi shumë se i dha lajmin se Pertefi ishte gjallë dhe se punët shkonin jo keq në lidhje me qëndrimin e tij jashtë dhe çdo gjë ishte në rregull.Mirëpo Reshati i gjorë nuke dinte se vëllai ishet pushkatuar që në vitin 1951!
Mbasi mori garancinë për të shkuar në Kanada, Reshati iu drejtua Ministrisë së Jashtme, që t’i lëshonte një dokument udhëtimi si refugjat për të udhëtuar drejt vendit të panjohur, ku do të ishte streha e tij e re. Roma e refuzoi kërkesën tij. Atëhere iu drejtua Ministrisë së Jashtme Greke në Athinë, aty ku ai doli për herë të parë dhe ata ia dërguan menjëherë dokumentin që kërkonte dhe kështu, pas vizitave të doktorëve dhe intervistës në Ambasadën e Kanadasë në Romë, u përgatit për t’u nisur në Kanada, më 31 Mars 1954, ku e priste Hekuran Shaska, që i kish dërguar garancinë.
U nis nga Napoli me vaporin “Vulcania” për në Halifax të Kanadasë bashkë me qindra italianë dhe me shokun tij, Zija Boriçi nga Shkodra. Kaluan 15 ditë lundrim të ashpër, të fuqishëm dhe të rreptë në mes të oqeanit, dallgët e të cilit e ngrinin dhe e ulnin tërë atë bina vapori si një varkë të vogël. Pas shumë mundimesh mbërrijnë në Kanada.

JETA E RE NË TORONTO TË KANADASË

Më 1 prill 1954, së bashku me shkodranin Borici, zbritën në Halifax, qyteti bregdetar i krahinës së Nova Scotia, ku u pritën prej njerëzve të Këshillit Botëror të Kishave, që ishin ndërmjetësit e ardhjes së tyre në Kanada. Ata i ndihmuan për të marrë trenin, që nisej për Toronto. Pas afro katër ditë udhëtim treni arriti në Toronto, ku i priti Hekuran Shaska dhe Veledin Capoj. I tërë vendi ish mbuluar me borë të madhe. Reshati u sëmur nga të ftohtit dhe qëndroi brenda një javë. Kishte kollë të fortë dhe ethe.Jeta ishte e vështirë, saqë kalonte shpesh në dëshpërim të thellë, ngaqë puna në këtë kohë nuk gjendej dhe gjuha angleze e tij ishte ende e pasigurtë.Provoi të punoi si pjatalarës dhe ndërroi shumë vende, ngaqë e nxirrnin nga puna për shkak se merrnin të tjerë më të rinj që ua bënin më mirë punën.U shkroi letër në të katër anët Jakovës e të tjerëve për të patur ndonjë ndihmë në gjetjen e ndonjë pune sipas profesionit, po asnjë ndihmë nuk i’u dha. Edhe aty ku filloi të punonte si pjatalarës dërguan një informator shqiptar, që ta vëzhgonte. Dukej se ishet i futur ngase ai u zhduk shpejt dhe kur e takoi më pas përpiqej t’i fshihej Reshatit.
shikonte se çfarë do të bënte e si do reagonte ndaj punës si pjatalarës.
Reshati pyet veten: “E kush e dërgoi atë? Kush e di! Sigurisht, shërbimet kanadeze të nxitura nga kushërinjtë e tyre të jugut. Këtë e kuptova mirë se, ai, që më vërente mua si punoja tek pjatat, iku të nesërmen dhe s’e pashë më të vinte. Më vonë këtë zotëri e njoha fare mirë. Ai ishte një farë vagabondi shkodran dhe, kur i zura njëherë në gojë restorantin e grekut, ku kish qenë të më vërente mua, nuk ia pati qejfi fare të bënte fjalë dhe e bëri veshin e shurdhër. Ai ishte një shqiptar që kishte shërbyer në shërbimet angleze në Greqi. Emrin nuk ia ze në gojë, se s’ka rëndësi.”
Vuajti shumë derisa gjeti punë të rregullt në Dominion Citrus, në verë të vitit 1955. Këtu u qetësua mjaft, se 13 vjet punoi në verë në St. Davids dhe në dimër në Toronto. Në St. Davids ishte edhe kryetar i zyrës, edhe arkëtar, pra ishte një zyrë ku një njeri i bën të gjitha. Atje ndjehej mirë se fshati ishte i bukur e me pemë tërë verën.
Në Toronto atëhere ishin mjaft shqiptarë të ikur si Reshati dhe aktivë në Lëvizjen Mbretërore të Legalitetit. Në atë kohë nxorrën disa numra të ndryshëm të një gazete lokale me emrin “Djalëria”, bashkëpunëtori kryesor i së cilës ishte Reshat Agaj.
Reshati u aktivizua në politikë, duke qenë një aktivist i gjallë në Partinë e Mbretit. Mirëpo duket se ishte penduar për këtë kohë të shpenzuar. Ai shkruan ”26 vjet të tërë …mendoj se aktivizimi në parti ka qenë një gabim shumë i madh, që më ka kushtuar shumë si financiarisht, si në nervat e shkatërruara dhe në kohën e humbur, duke bërë armiq ata që s’duhej të bëheshin, armiq se ishin edhe njerëzit e mi, edhe njerëz që më kanë bërë e u kam bërë mirë e jo keq. Përzierja e shqiptarit me politikën është një përzierje harame, një përzierje eksplozive e shumë e hidhur, se shqiptari nuk e kupton e nuk e praktikon politikën, veçse në funksion të egos së tij të tmerrshme dhe të individualizmit të tij ekstrem e pa asnjë farë principi njërëzor dhe moral. Duke parë këto vite të gjatë politike shqiptare në mërgim, nuk ngurroj të them se demokraci të vërtetë në Shqipëri nuk do të ketë dhe s’do të ketë kurrë. Vetëm nëqoftëse një ditë fuqia supreme e Krijuesit të Gjithësisë do të urdhërojë që të ndryshohet themelisht brumi i qënies së shqiptarit, brum i ashpër dhe i egër, brum i krijuar për ngatërresa, luftra pa princip, shpifje, kryeneçësi të pavend dhe të pa shkak. Në themel të individualitetit të shqiptarit, janë influencat e huaja greke, italiane dhe të tjera më të largëta, plus ndasitë fetare të kohës. Prej këndej na del një çorbë e tmerrshme nastradini, që vihet re më mirë se kudo në babiloninë e mërgatës së sotme shqiptare.”
***
* Autori e shkroi shkrimin kur ishte editor i sec Shqip në Gazetën Illyria në Nju Jork. Teki Gjonzeneli me bashkshorten, mbesën e Reshat Agaj-it, Filnlandën, (që jetojnë në Nju Xhersi), e bija e Pertef Agaj, i pushkatuar nga diktatura komuniste, ia besuan Ditarin e zverdhur nga koha gazetarit. Shkrimi u ndërtua nga Ditari i Reshat Agaj, i cili së bashku me 50 mijë dollarë ua kishte lënë amanet miqve tij në Kenosha, Wiscans, SHBA, që t’ia dërgonin familjes në Vlorë pas vdekjes së tij, por me kushtin-pasi të binte komunizmi. Pikërisht ky ditar, u kompjuterizua nga Dardanesha Andoni Gashi dhe u redaktua nga Dalip Greca. Ditari-Libër”Vëllai i pengut”, pati shumë sukses në Shqipëri dhe ka njohur deri tani tre botime dhe sërish ka kërkesa. Po ashtu me ditarin u ndërtuan disa dossierë, që u botuan në Gazetën Illyria dhe në gazetat e Tiranës. Reshat Agaj,i diplomua në Itali, një intelektual nacionalist, ishte viktimë e sistemit, por pati kurajo që ta denonconte atë tek amerikanët dhe nuk bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit, që i mbajti vëllanë peng,e më pas ia pushkatoi.Për disa kohë Reshat Agaj kreu detyrën e Kryeredaktorit të gazetës”Atdheu”. Ai bashkëpunoi me Gazetën Dielli, Gazetën “Shqiptari i Lirë” i komitetit Shqipëria e Lirë dhe gazeta të tjera antikomuniste në diasporë.Eshtrat e Reshat Agaj prehen ende në Detroit. Ashtu si shumë nacionalistë të tjerë dhe ai pret kthimin në Atdhe.

Filed Under: Histori Tagged With: pertef Agaj, Reshat Agaj, Sigurimi i Shtetit, Vellai i Pengut

Thaçi:Kosova ka nevojë për të menduarit si të bëhen gjërat më mirë

July 10, 2015 by dgreca

-Kryediplomati kosovar në “Croatia Forum 2015”: Zhvillimi është kusht për paqe të qëndrueshme/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të tij në “Croatia Forum 2015”, në Dubrovnik, Kroaci, është shprehur se Kosova ka nevojë për përkrahje në zhvillimin ekonomik meqë ka shumë vite që ka lënë prapa fazën e krizës.
Duke folur për përvojën e Kosovës në kuadër të asistencës zhvillimore në periudhën e pasluftës, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova ka pasur fatin që ka gëzuar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare pas viteve të luftës e represionit, gjë që ka ndihmuar në rindërtimin e vendit.
Por, sipas Thaçit, kjo asistencë ka pasur edhe mangësitë e saj, duke përfshirë mungesën e shpeshtë të bashkërendimit mes vet donatorëve.
“Mangësi tjetër ka qenë se kjo asistencë ka qenë shpeshherë e nxitur nga prioritetet e donatorëve, e jo detyrimisht nga nevojat e qytetarëve”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi, i cili shtoi se shqetësimet dhe interesat e shprehura nga komuniteti vendor janë qenësore.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova ka nevojë që qasja e bashkësisë ndërkombëtare të ndryshojë ashtu që të përqendrohet në zhvillim e jo në menaxhim krize, tani që Kosova nuk është më zonë krize.
“Ajo për çfarë ka nevojë Kosova është të menduarit se si të bëhen gjërat më mirë”, tha Thaçi, dhe nënvizoi se “zhvillimi është kusht për paqe dhe pajtim”.
Në “Croatia Forum 2015” pjesëmarrësit këtë vit diskutojnë mbi nevojën për të rimenduar asistencën zhvillimore ndërkombëtare në të mirë të zhvillimit dhe paqes së qëndrueshme. Kjo ngjarje e përvitshme mbahet në qytetin kroat të Dubrovnikut dhe në të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve më të rëndësishme të rajonit dhe botës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Croatia Forum 2015, diplomacia, kosova

Ekeplozivi nga Beogradi në Prishtinë, aktakuzë për vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin

July 10, 2015 by dgreca

-Në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, në Prishtinë në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit.
Sipas aktakuzës i pandehuri S.G., me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
I pandehuri S.G. gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimin sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi.
Me këtë i pandehuri S.G. ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 lidhur me par.1 dhe nga neni 135 par.1, pika 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekspertiza e eksplozivit është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia Kosovare e Forenzikës.
Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në 26 dhjetor 2014, bëhej e ditur se Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mbrëmjen e një dite më parë rreth orës 21:00 ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftonte se, në veturën e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e aktiviteteve terroriste.
“Rasti është në fazën fillestare të hetimeve nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili do t’i kërkoj gjykatës që ta caktoj masën e paraburgimit për të dyshuarin”, theksonte njoftimi.
Media kosovare sot zbulon edhe emrin, duke njoftuar se, “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. (Slobodan Gavriq) për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari ekspolozivi, Beograd-Prishtine, terrorizem

RITA ORA, “AMBASADORE E NDERIT” E KOSOVËS

July 10, 2015 by dgreca

-Presidentes Jahjaga në Londër në ceremoninë e ndarjes së Medaljes Presidenciale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një pritje të të veçantë të organizuar në ambasadën e Kosovës në Londër, i dorëzoi artistes, këngëtares me famë botërore, me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”, me të cilën e ka nderuar më herët.
Në ceremoninë e organizuar morën pjesë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, përfaqësues diplomatikë ne Londër dhe miq të Kosovës.
Ne, tha Jahjaga, jemi të nderuar që kemi sot, këtu me ne, një grup të tillë kaq të shquar, miq të vërtetë të vendit tim, të cilët kanë kontribuar me angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës.
“Kosova sot është në paqe. Është një shtet i pavarur. Sovran. Demokratik. Dhe nuk do të ishte çfarë është sot – një shtet që mishëron vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut – po të mos ishte vendosmëria tuaj për ta çliruar Kosovën dhe besimi juaj se populli i Kosovës meriton të jetë zotërues i fatit të vet. Që Kosova të jetë e barabartë me kombet e tjera të botës, dashamirëse të paqes”, u shpreh Presidentja Jahjaga.
“Kur ne festojmë për vendin tone të ri dhe i falënderohemi Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë për rolin e tyre për të na ndihmuar të kthejmë një kapitull të ri në Kosovë, sot unë, gjithashtu, dua të shprehë mirënjohjen për anëtarët e diasporës sonë, të cilët mbajnë gjallë miqësinë dhe lidhjet ndërmjet kombeve tona”, vijoi ajo.
“Si Presidente e Kosovës, kam nderin që t’i ndaj sot, artistes më të suksesshme të Kosovës, të mrekullueshmes Rita Ora, dhe ta nderojë atë me titullin ‘Ambasadore Nderi’ e Republikës së Kosovës në botë. Ky titull u jepet shtetasve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare, të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesin kombëtar të Kosovës”, theksoi Jahjaga.
“Dua të them se sa krenare është Kosova që të ketë Britaninë e Madhe si një mike, një partnere dhe një aleate. Rita, ti përfaqëson lidhjen ndërmjet kombeve tona si një dritë që shkëlqen.
Gëzuar për miqësinë tonë të përjetshme!”, tha mes tjerash Presidentja kosovare.

Filed Under: Mergata Tagged With: ambasadore, e kosoves, E NDERIT, Rita Ora

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3730
  • 3731
  • 3732
  • 3733
  • 3734
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT