• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJÊNDJA E JONË – E PËRJASHTMJA

July 9, 2015 by dgreca

Nga Mustafa Kruja*/
Me themelimin e qeverís së ré gjêndja e jonë e përjashtme ka ndryshuem qind për qind edhe shifet qartas, se qarqet politike kanë zânë t’a mërgojnë at mëní qi kishin kundra Shqipnís e Shqiptarvet, qi i quejshin veglat e të huejvet.
Mbledhja e Lushnjes i dha qeverís nji program në dorë : pavarësín e tânësís së tokës shqiptare, edhe mbi themel të këtij programi qeverija e Tiranës punon me sa mundet, e përkrahun prej Këshillit kombtar, i cili, si ndër të gjitha shtetet e lira e konstitucjonale të botës, âsht i detyruem me kontrolluem veprat e qeverís qi mos t’i shmanget udhës qi na shpjen në shpëtimin e atdheut. Mbas këtyne zhvillimeve qi u bânë në kombin t’onë, me nji çudí u pa se shumë shtete e qarqe politike, qi parandej jo vetëm nuk interesoheshin për punë shqiptare, por edhe e këqyrshin me sy të lig çâshtjen t’onë, sot jo veç qi kanë kujdes por edhe tregohen mirëdashës kundrejt nesh.
Kështu pàm, se si ushtrít franceze të cilat kishin nën pushtim të vetin Shkodrën e Korçën, dy qêndra kombtare të Shqipnís, kur i liruen i a dorzuen shtetit shqiptar; kur se seicili atdhetàr me mênd e dinte se ç’farë misjoni kishin ato ushtrí, qi mbajshin në dorë pushtimin e dy qyteteve, qi ndodheshin ndër skâje të Shqipnís e aq larg e tërthuer njeni prej tjetri.
Me gëzim të gjithë Shqiptarvet u pa se si komisjoni për punë të jashtme i parlamentit ingliz, përpara disa kohe dha nji vêndim, të cilin i a njoftoi kryeministrís, se kërkon mprojtjen e tânësís toksore të Shqipnís së 1913, edhe se, kish me pritë me nji idhnim të madh ç’do coptim qi do t’i bâhej shtetit shqiptar, qi u krijue i lirë e i pavarun mu n’at qytet të famshëm ku për me tërheqë në bashkveprim lufte edhe Italín dy vjet mbrapa më 1915 u nenshkrue edhe traktati i mshefët, qi do të coptonte Shqipnín! Nuk âsht për t’u harruem edhe manifestacjoni qi dha për dobí t’onën në Paris, në maj të këtij vjeti “Lidhja e të drejtave të njeriut” (Ligue de droits de l’homme), nën kryesín e senatorit francez Costant d’Estournelles! Mbasi nji vêndim i tillë ka nji rândësí të posaçme për né, e shofim t’udhës t’a botojmë në të përkohëshmen t’onë.
“ Tue pasë vërejtun se Ermenija e therorizueme, ka pasë kurdoherë mprojtës të fortë, se Greqija qysh prej nji shekulli ka qenë e ndihmueme për me u liruem prej zgjedhës otomane, se popujt sllav të Balkanit patën gjthmonë ndihma të forta, sidomos Rusín, me nji idhnim po shifet se Shqiptarët e shkretë, jo vetëm qi kanë qenë të lânun mbas dore, por edhe të përbuzun e të poshtnuem. Qysh tridhetepesë vjet e tektej, do me thânë ç’se u themelue Lidhja e Prizrêndit, Shqiptarët e kanë treguem gjallësín e tyne, ndonse zâni i tyne nuk ka qênë kurr i ndigjuem, e sot ata janë të shtrënguem me luftuem kundra intrigavet të fqîjvet të tyne. Diplomatët e konferencës së paqit mendojnë me e rregulluem, për dàm të tyne, çâshtjen e Adriatikut, tue kërkuem qi Jugosllavët t’i apin Fiumen Italís, tue u dhânë si shpërblim Shqipnín e Sipërme.”
Senatori d’Estournelles e lufton rreptësisht ket lloj diplomatije, qi e quen Egoiste, tue shtuem se Franca në ket çâshtje nuk âsht fajtore, sepse asaj kurr nuk i ka shkuem nepër mênd me blém ndërgjegjet, vetëm ajo âsht fajtore sepse ajo e ka lânw Shqipnín fare në harresë e ndër duer të fqîjvet, të cilët fusin ngatrresa në Shqipní për me çuem në vênd lakmimet e veta.
Kjo politikë âsht ajo, e cila na futi në luftë, tue na shkaktuem nji zjarm të pafund, tue na shtënguem me prishë miljarda për lakmime të marra, qi sot gjithnji janë shtuem e tue na shkëputë disa popuj, qi parandej na dojshin.
Kujtohet mandej ngjarja e dhimbëshme e legjionit shqiptar, qi luftoi plot lavd e trimnì kundra beslidhunvet e qi, kur u hap lajmi se Korça do t’i dorzohej Greqìs, me lot ndër sŷ i këthej shênjat (nishanet) qi kishin pasë prej Francës.
Anmiqt e Shqiptarvet sjellin kurdoherë dy argumenta:
1. Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull edhe se Shqipnija âsht nji gjâ e krijueme prej Austrís.
2. Shqiptarët janë njerëz t’egjër, të cilët nuk janë të zotët për me u qeverisë vetvetiu.
Përsa i përket pikës së parë anthropologët kurr nuk kanë dyshue për qênien e nji rrace ilire, e cila flet nji gjuhë, shkronjat e së cilës janë të njishme ndër të gjitha djalektet e Shqipnís, qysh prej veriut e në jug, e se ndryshimet ndërmjet dialektevet janë si t’atyne të Francës e t’Italís. Ndryshimet e besimit nuk e pengojnë bashkimin kombtar, si ndër popujt tjerë të Balkanit, ku feja përzihet me kombsí.
Të ndjekun prej të huejit, i cili qysh në kohë të Romanvet, i zaptoi edhe viset mâ strategjike qi i apin nji rândësí Shqipnís, Shqiptarët janë zmbrapsun ndër malet e tyne, ku kanë jetuem tue i ruejtë me madhështí gjuhën dhe zakonet e veta. E pra, sikur t’ish e vërtetë se Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull, e si âsht e mundun qi ata i kanë ruejtun të gjitha ato sênde të çmueshme, qi janë shpresa e gjallërrojtjes së tyne t’ardhshme?
Në vjetin 1913 Evropa e njofti vetqeverimin e Shqipnís. Po sot ç’ka duhet bâmë? Të shumta janë çâshtjet qi munden m’u vû në veprim, e për Italín kish me qenë nji përgjegjsí shumë e rândë me shtî në Shqipní autoritetin e vet (edhe me ânë të mandatit), kundra vullnetit të nji populli qi ka dijtë me qindruem kundrejt intrigavet e ndjekjevet për sa shekuj të fqîjvet të vet. Europës pra i rri nji detyrë : o me themeluem nji Shqipní të madhe e të lirë, si e kërkon vetë vêndimi i nji populli, ose Shqipnín e shëmtueme mbi themele të traktatit të 1913.
Mbledhja u mbyll tue votuem nji urdhën dite, mbas të cilit u bâhet e njoftun Fuqive të Mëdhà se nuk duhet t’i harrojnë premtimet e tyne të dhânuna për mprojtjen e popujvet, tue protestuem kundra mundimevet për me rregulluem çâshtjen e Adriatikut, tue dâmtuem Shqipnín e tue kërkuem qi Shteti shqiptar të themelohet e tue shpresuem se Shoqnija e Kombevet t’a rregullojë çâshtjen e tokavet shqiptare qi mbeten për t’u liruem. Ndër çâshtjet e jashtme mâ me rândsí âsht ajo e Vlonës, e cila për né âsht me interesë gjallnore, se prej saj varet edhe fati i Shqipnís. Na kemi besim të plotë se Italíja, e cila qe nji nga përkrahset mâ të para të themelimit të nji Shqipníje vetqeverimtare e qi me aq madhní në Gjinokastër, n’emën të M.T. Mbretit të vet e përnjoftoi vetëqeverimin e Shtetit t’onë, ka me hjekë dorë prej lakmimeve mbi limanin t’onë, tue u bâmë n’interesë të sajën e t’onën nji mprojtse e Shqipnís së shkretë e kështu me fituem miqësín e vërtetë të Shqiptarvet.
Jugosllavija, e cila nën sundimin e vet mban gadi nji miljon shqiptarë, e qi faqeza zyrtarisht e ka treguem sympathín e vet kundrejt nesh, tue lypë pavarësín tokësore e shtetnore të Shqipnís së 1913, kemi shpresë se n’interesë të sajën ka me i liruem disa vise strategjike të Shqipnís qi mban nën pushtim, edhe në marrëveshtje me qeverín t’onë, ka me i penguem shkapërcimin e livrimin e lirë t’atyne elementavet qi duen të sjellin turbullime e bâhen shkak me sjellë ftoftësí e anmiqsí në mes t’onë. Në nji marrëveshtje me qeverín t’onë ka me i rregulluem miqësisht disa çâshtje politike e ekonomike aq me rândësí për të dy palët.
Greqíja, simbas lajmeve të fundme t’ardhuna prej kufîjvet të jugut âsht tue u sjellë shumë mirë kundrejt nesh e âsht shpresa e plotë se qeverija greke ka m’e prapsuem politikën e saj imperialistike, qi ka ndjekë deri vonë e se, tue marrë para sŷsh, se të mkâmbunit e nji Shqipnije të madhe me kufîjt e saj etnikë âsht nji nevojë edhe për gjallnimin e saj, ka me mbajtë nji politikë mirëdashëse kundrejt atij kombi qi âsht atdheu i Boçarit, Xhavellës, Miaulit, Bubulinës e tjerë fatosavet, qi luftuen me aq famë për vetëqeverimin e Greqís.
*Botuar në “Agimi” N.3 Maj 1920

Filed Under: Analiza Tagged With: e perjashtmja, Gjendja e Jone, Mustafa Kruja

RUSIA DHE GJENOCIDI SERB NË SREBRENICË

July 9, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Me rastin e 20-vjetorit të masakrës serbe mbi popullatën civile boshnjake në Srebrenicë të Bosjnjës, Britania e Madhe kishte paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të cilësuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, me emërin që i takon dhe që meriton, dmth., një krim gjenocidi kundër njerëzimit. Ky përvjetor shënon pra vrasjen e nja 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë civilë të paarmatosur nga forcat kriminale serbe.
Rusia e tregoi edhe njëherë veten se sa do të neveritshme të kenë qenë krimet serbe ndaj popujve të ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të 1990-ave në Ballkan, aq më tepër Moska i jep mbështjetjen e saj Serbisë, madje edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare siç është OKB-eja. Projekt-rezolutës së sponsorizuar nga Londra i vuri veton përfaqsuesi rus në OKB, Vitaly Churkin, duke e quajtur atë si, “ballafaquese” dhe si të “motivuar politikisht”. Ambasadori rus ka arsyetuar përdorimin e vetos ruse kundër kësaj rezolute duke thënë se miratimi i saj nuk do të ndihmonte paqën në Ballkan, por do të “zhytëte rajonin në tensione të përhershme”. Por, sponsorizuesi i kësaj rezolute, ambasadori britanik Peter Wilson me të drejtë akuzoi Rusinë se po mohon faktet historike të luftës në Bosnje, fakte të cilat janë provuar tashmë nga një Gjykatë e posaçme ndërkombëtare. Diplomati britanik citohet të ketë thënë të mërkurën se, “Është përgnjeshtrimi i këtyre fakteve të provuara dhe të dokumentuara — dhe jo projekt-rezoluta, ajo që do të shkaktojë ndasi dhe përçarje. Gjenocidi ka ndodhë në Srebrenicë”, pohoi ai. “Ky është një fakt ligjor dhe jo një vlerësim politik. Në lidhje me këtë nuk ka kompromis”, ka theksuar ambasadori i Londrës pranë OKB-ës. Përfaqsuesi britanik në New York, citohet të ketë thënë se, mohimi i krimeve dhe i gjenocidit përbën fyerjen përfundimtare ndaj vikitmave të pafajshme.

Ndërkaq, Kryediplomatja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Samantha Powers, e ka cilësuar veton ruse si “Një veto kundër fakteve të provuara dhe të dokumentuara mirë”, dhe shtoi se projekt-rezoluta pot ë miratohej nga Këshilli I Sigurimit, do të kishte dënuar rëndë gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, 20-vjetë më parë. Ajo shtoi edhe se vetoja e Rusisë ndaj projekt-rezolutës, jo vetëm se ishte pikëlluese për familjet e viktimave, por si e tillë përbën edhe një pikë të zezë në punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksoi ambasadorja e Shteteve të Bshkuara pranë OKB-ës.

Masakra e Srebrenicës, e cila është cilësuar si një krim gjenocidi jo vetëm nga Gjyktata e Posaçme mbi krimet në ish-Jugosllavi, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konsiderohet si një dështim moral dhe politik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara si edhe i disa shteteve perëndimore të cilat nuk parandaluan gjenocidin e burrave dhe djemëve boshnjakë, pikërisht në Srebrenicë që ishte caktuar nga vet OKB-ja si një oazë strehimi i civilëve nga lufta. Masakra në Srebrenicë të Bosnjës konsiderohet si më e tmershme e këtij lloji ç’prej Luftës së Dytë Botërore dhe sot gazeta New York Times e cilësoi përdorimin e vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një masë që, “Shënon një pikë të re poshtëruese në marrëdhënjet midis fuqive botërore.”

Nuk është për tu habitur as nga reagimi i Serbisë ndaj përdorimit të vetos ruse kundër projekt-rezolutës britanike që do të kishte përcaktuar masakrën e Srebrenicës si një krim gjenocidi. Reagimi nga Beogradi ishte i shpejtë dhe i pa pikë turpi nga Presidenti i Serbisë, Nikoliq — i cili e cilësoi ditën që Rusia përdori veton në OKB kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, si “Një ditë e madhe për Serbinë”. Ndërsa agjencia e lajmeve franceze raporton reagimin e organizatës së Nënave të Srebrenicës, e cila akuzon Moskën duke u shprehur se nuk habiten nga vetoja ruse në OKB, pasi Rusia në të vërtetë “Po mbështet kriminelët, ata të cilët vranë fëmijtë tanë”, dhe citon kryetaren e Nënave të Srebrenicës, Munira Subasic, e cila ka paralajmëruar se vetoja ruse në OKB sipas saj “ka lënë derën hapur për një luftë të re.”

Ndërkaq në Washington, vetëm disa orë pasi Rusia përdori veton ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara në New York për të dënuar masakrën në Srebrenicë 20-vjetë më parë nga forcat serbe kundër rreth 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit Amerikan miratoi unanimisht legjislacionin e paraqitur nga kongresmeni Chris Smithqë e cilëson masakrën e Srebrenicës si një “Krim Gjenocidi”. Rezoluta e Kongresit përcakton se agresioni dhe spastrimi etnik i kryer nga forcat serbe në Bosnje, përbën gjenocid dhe njëkohësisht masa e Kongresit dënon deklaratat që mohojnë se masakra e Srebrenicës nuk përbënte gjenocid.Në një deklaratë për media, sponsoizuesi i rezolutës së Kongresit, Kongresmeni Smith ka theksuar se, “KomunitetiNdërkombëtar duhet të ri-angazhohet për të sjellur para drejtësisë njëherë e mirë, të gjithë ata që kanë kryer këto krime të shëmtuara”, duke shtuar se, “Këto vrasje brutale nuk janë kryer në fushë të betejës”, dhe thekson se, “ato ishin vrasje kundër njerëzve të pa armatosur dhe të pa ndihmë, ndërkohë që ata ishin siguruar nga forcat paqësore holandeze se nuk do tu ndodhte gjë e keqe nëqoftse do të dorëzoheshin” forcave serbe të kriminelit Mladiq. Kongresmeni amerikan shtoi se, “Rezoluta ime rithekson edhembështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj faktit se masakra në Srebrenicë ishte në fakt gjenocid – dhe u përcjellë njëkohësisht ngushëllimet më të thella familjes, dhe miqëve të viktimave.”Legjislacioni amerikan i miratuar nga Kongresi të mërkurën i bën gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe paqën dhe stabilitetin në Europën Jug-lindore, në përgjithësi.

20-vjetori i gjenocidit ndaj 8-mijë boshnjakëve në Srebrenicë shënon ngjarjen e tmershme të vrasjeve më të shëmtuara gjatë konfliktit në Bosnje nga Prilli 1992 e deri në Nëntor 1995 – gjatë së cilës periudhë u çvendosën nga shtpëpitë e tyre më shumë se 2-milion veta ndërkohë që u vranë më shumë se 100-mijë të tjerë, ndërsa u përdhunuan, u torturuan dhe për ndryshe u abuzuan dhjetëra mijëra të tjerë.
Ky përvjetor u shënua dje edhe nga Zëri i Amerikës në Washington me një simpozium titulluar: “Bosna: 20-vjetë pas Srebrenicës”, ku ishin të ftuar për të diskutuar ekspertë të çështjeve të Ballkanit, gazetarë dhe diplomatë të huaj përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Washington Floreta Faber, ndërsa Republika e Kosovës u përfaqësua nga Këshilltari i Ambasadës së Kosovës në Washington, Sami Kastrati.Simpoziumi vlerësoi ngjarjet në Bosnje në kushtet historike dhe në kontekstin zhvillimeve drejtë pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit. Njëri prej pjesëmarrësve në simpoziumin e VOA-s dhe njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Profesori Daniel Serwer theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm perëndimor në Bosnje, ndërkohë që shtoi ai, “Vemë re se disa qarqe po përpiqen të shlyejnë fjalën gjenocid nga historia, unë shoh vazhdimin e përpjekjeve të kohës së luftës në atë vend.”
Gjenocidi serb në Srebrenicë është cilësuar si barbarizma më e tmershme në Europë ç’prej hollokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore kur janë masakruar 6-milion hebrejë.Është një përvjetor që thërret për drejtësi, për llogaridhënje dhe për dënimin e të gjithë atyre që kryenë këtë gjenocid dhe të tjera maskara si kjo, përfshirë gjenocidin e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.Në këtë mënyrë do të nderohen viktimat dhe mundësisht do të parandalohet përsëritja e barbarizmave të tjera si këto në të ardhmen. Por venja e vetos dje nga ana e Rusisë ndaj rezolutës së OKB-ës që do ta cilësonte gjenocidin serb në Srebrenicë me emërin që meriton, dhe shpallja e kësaj “fitorje” nga presidenti i Serbisë si një “Ditë e madhe për Serbinë”, tregon fatkeqsisht se bota nuk ka mësuar asgjë nga historia fatkeqe e 20-viteve më parë dhe si e tillë nuk përjashtohet mundësia se ajo histori – sado e tmershme të duket në këtë 20-vjetor — mund të përsëritet në rajonin e Ballkanit. Pa një pranim të së vërtetës dhe pa përballim nga ana e Serbisë me atë histori të përgjakshme dhe pa marrë përgjegjësi morale, dhe ndërkohë që Beogradi dhe populli serb nuk kërkon falje sinqerisht dhe botërishtpër barbarizmat ekryera në emër të tij ndaj popujve tjerë të atij rajoni – është vështirë se Ballkani nuk mund t’i këthehet normalitetit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NË SREBRENICË, RUSIA DHE GJENOCIDI SERB

Flamuri i regjimentit shqiptar ne Ushtrine Austro-hungareze

July 9, 2015 by dgreca

Flamuri i Regjimentit Nr 6 te vullnetareve shqiptare ne Ushtrine austro-hungareze gjate luftes se pare boterore./
Nga Frederik STAMATI/
Ne vitin 1930 ky flamur eshte dorezuar ne “Muzeun kombetar” nga Izet Bebeziqi. Izeti, me origjine nga Peja, ne ato vite ka qene student ne Viene. Atje e ka takuar Dr. Reinhold, i cili i dha per Muzeun kombetar ne Tirane, flamurin, te cilin i a kishte dhene daja i itij Richald Dimmel, ish komandanti i regjimentit. Kur u largua ushtrja austro-hungarze nga Shqiperija ai e mori me vete flamurin dhe porositi nipin e tij, per ta dorezuar. Nuk e dime ne se Dr. Reinhold ka lidhje me studiuesin albanolog Reinhold, qe ka qene ne Shqiperi gjate shek XIX.
Ne dokumentacionin qe ruhet ne Arkivin e shtetit dhe qe rendit objektet e dhuruara gajte vitit 1930 per Muzeun kombetar, shkruhet:
“Z. Dr. Reinhold – Vjene
1 flamur te te 6-tit regjiment vullnetaresh Shqipetare nde ushterijen Ajshtro-Hungare gjate luftes se madhe: kete flamur i-a pat lene ungji tije Z. Richard Dimmel, Kumandanti i Regjimentite: Na u dorezua me anen e Z. Izet Bebeziqite.”
U lidha menjehere me Muzeun e ushtrise ne Viene. Ata u habiten, nuk e prisnin qe falmuri te ndodhej ne Shqiperi. Njekohesisht me thane se Richard Dimmel ka qene mjeshter i kalerimit dhe bente pjese ne Frontin e dyte te Saksonise se Jugut. Ne vitin 1917 trupat e ketij fronti u derguan ne jug. Per me teper histori do te interesohem me rastin e pare qe do te shkoj ne Viene.
Flamuri ka keto dimensione: 120 X 85 cm. Copa eshte e leshte, krejtesisht e ngjashme me peluhuren e flamurit te Princ Vidit. Kjo edhe me intrigonte. Per trembedhjete vjet mbeti pa u zbuluar enigma dhe ja, rasti, e beri te mundur.
Flamuri ruhet ne fondin etnografik te QSA. Po si u ndodh atje?
Ne vitin 1946 objektet e Muzeut kombetar i kaluan Institutit te shkenvave, por flamujt u dorezuan pa inventar, keshtu qe historija e tyre humbi. Pastaj me vone, kur u krijua Universiteti Tiranes, keto objekte kaluan ne Institutin e Histori-gjuhesise, si pjese perberese e fondit etnografik.
Flamurin e shpetova nga prishja fale restaurimit. I gjeta edhe historine.
Me rstin e 100 vjetorit te Pavaresise ai u ekspozua nje Ekspoziten e forcave te armatosura, ku qendroi nje vit.
Tashme ruhet shume mire, pa asnje problem.

Filed Under: Histori Tagged With: austro-hungareze, Flamuri shqiptar, Frederik Stamati

U promovua filmi dokumentar “Skënderbeu i pagjumë”

July 9, 2015 by dgreca

Nga Zhuljeta Grabocka Çina/
Gjinia e dokumetarit, si kronikë e ngjarjeve aktuale për të çuar në kujtesën kolektive rrugën, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm e udheheqës, kryen detyrën e krijimit te fytyrës se një epoke të caktuar. Promovimi i dokumentarit “Skënderbeu i pagjumë” në mjediset e AQF me regji te Angjelina Xhara.e Bujar Kore,skenar të A. Xharrës, operator Ermal Kore..kosulente shkencorë Prof. Dr.Moikom Zeqo e Valentina Duka, Zhani Ciko e Virgjil Kule.etj e tejkaloi këtë detyrë. Duke i dhënë skenarit një peshë emocionale, që njeriu i ditës të përjetojë përditshmërinë duke shkundur nga pluhuri i harresës arkivat e Filmit e të RTSH. Të dukej se kinostudioja po ripërtërihej përsëri. Kishin bujtur për të uruar kolegët, mjeshtra e themelues të këtij institucioni. Dhe ata nuk i zhgënjen. Roza Anagnisti ikona e filmit shqiptar shprehet me fjalët më te mira per realizimin e dokumentarit, Tinka Kurti e Margarita Xhepa aktoret e filmit e tëekranit për gjysëm shekulli e quajtën një sukses të ri në gjininë e dokumentarit. Flora Uka do të pëmendte përlotjen disa herë,duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të temës historike e emocionin patriotik që ajo të jep. Kosulenca e zgjedhur bëri, që Skënderbeu t’i vijë shikuesit me mesazhin e qytetarit të shqetësuar për fatet e mëtejshme të kombit. Në këtë mënyrë realizuesit e kanë të qartë, se po realizojnë një dokumentar, që i kalonte kufijtë e një dokumentari të zakonshëm. Kineastë e dokumentarist thonë vetëm përgëzime: Kujtim Gjonaj, Ilia Tërpini, Kolec Traboini, Ilia Dede. Gazetarë si Albert Xholi, e Juli Vrapi kanë bërë artikuj të veçantë mikpritës për këtë film dokumentar. Bashkëpunimi i autorëve kryesorë A. Xhara e B. Kore eshte i dukshëm e i sukseshëm në realizimin e një dokumentari historik. Gjithçka falë pasionit e punës. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja shkrihen në një. Sekuencat e tij janë të njohura. Renditen pamjet e filmit “Skënderbeu”,pamjet e inagurimeve të veprave skulturore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Por gjeografia e tij si qytetar i Europës shtrihet më tej. Në sheshet e Romës e Kalabrisë e Siqilisë, Bruksel e Detroi. Dimensioni i Skenderbeut strategut e humanistit e kapërxen epokat. Duke folur për të krijuesit e veprave e qytetarët per përjetimet e tyre. Shqetësimi krijues i autorëve të dokumentarit del i qartë. Në këtë mijëvjeçar të ri Shqipëria troket në dyert e Bashkimit Evropian si pjesë e proçeseve të saj. Gjuha e dokumentarit përdor bukur simbolikën e Skënderbeut. dhe detajeve që.lidhen me misionin e tij. Ai ështe i pranishëm midis nesh , në çdo eviniment kombëtar, kthese e ribërjeje, me kalin e tij “i pagjumë ” në sheshin e madh të kryeqytetit tonë e kudo ku jetojnë shqiptarë. Përsëritja e imazhit te tij i rrethuar me dëborë e shqotë edhe i të njëjtave rrugë detare, që përcollën përpjekjet diplomatike të tij, e bëjnë të afërt për kohën, që po jetojmë duke ndriçuaruar koshiencën tonë historike. Përsëri Skënderbeu, skënderjada, mbetet si gjithnjë simbol i madh i unitetit, formësimit dhe vizionarit historik. Dokumentari u përjetua me mbresa të fuqishme krenarie e përgjegjësie qytetare. Shqitarët janë në pritje të lajmit të mirë. Orrakulli e thotë, ora po vjen. Ne kemi mitin tonë, mikun e qytetarin e hershëm të Evropës, Skënderbeun. Janë shqiptarët, që duhet ta meritojnë, që Evropa mos na zhgënjejë këtë herë.

Filed Under: Kulture Tagged With: ”Skënderbeu i pagjumë”, filmi dokumentar, u promovua, Zhuljeta Grabocka Cina

Ambasadorja e SHBA Jacobson, kontribut shumë të çmuar Kosovës

July 9, 2015 by dgreca

Ne Foto:Grupi i Grave deputete te Kuvendit te Kosoves priti në një takim lamtumirës ambasadoren e SHBA,Tracey Ann Jacobson/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati sot takimin përshëndetës me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
“Ajo po largohet për në detyrën e saj të re, duke lënë prapa një kontribut shumë të çmuar në proceset e përparimit të vendit tonë”, shprehet kryeparlamentari kosovar.
“Unë e falënderova znj. Jacobson për kontributin e saj, ndërsa ajo më premtoi se do të mbetet një mike e përhershme e Kosovës, ashtu siç janë edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Veseli në ‘Facebook’.
Edhe Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, priti sot në një takim lamtumire ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
“Në emër të grave deputete dua t’ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme që ju si ambasadore, por edhe i gjithë stafi juaj, i ka dhënë fuqizimit të gruas në Kosovë, përkrahje e cila është dhënë direkt nga Ambasada, apo përmes projekteve të USAID-it dhe NDI-is, të cilat vazhdojnë të jenë partnerë të fuqishëm për avancimin e gruas”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se, Grupi i Grave Deputete është grup gjithëpërfshirës i të gjitha grupeve parlamentare dhe komuniteteve, grup i cili ka arritur që për çështje me interes për gruan t’i tejkalojë dallimet politike, etnike e religjioze.
Ambasadorja Jacobson tha se ky është takimi it fundit në Kuvend para se të largohet nga Kosova. Ajo vlerësoi lart punën e grupit të Grave, si grup gjithëpërfshirës, i cili është zë i fuqishëm për gruan dhe demokracinë, për mirëqenien e gruas, fëmijëve dhe zhvillimin e vendit.
Në takim deputetet shprehën fjalë falënderimi edhe për përkrahjen e përhershme që SHBA-ja i ka dhënë dhe i jep Kosovës.
Ambasadores iu dhurua një mirënjohje për kontribut të palodhshëm për të drejtat e grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre efektive në jetën shoqërore e politike në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, grate deputete, Lamtumire, Tracey Ann Jacobson

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3734
  • 3735
  • 3736
  • 3737
  • 3738
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT