• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksandër Vuçiqi dhe fshehja e gjenocidit

May 30, 2015 by dgreca

VRASJA E VËLLEZËRVE BYTYQI ËSHTË AKT GJENOCIDAR/
Nga Bardhyl Mahmuti*/
Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit në OKB se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid dhe se do të kërkojë dëmshpërblim për krimin më të rëndë kundër njerëzimit që aplikoi shteti serb në Kosovë nxiti reagime të menjëhershme të palës serbe. Nga të gjitha reagimet serbe po veçoj reagimin e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili deklaroi se gjoja “Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e kupton se çfarë është gjenocidi sepse ai nuk është jurist dhe deklarata e tij nuk është e bazuar në fakte”.
Çështjen e “domosdoshmërisë” për të qenë jurist apo “për t’u bazuar në fakte” për krimin e gjenocidit serb në Kosovë, e kam trajtuar në librin «Mashtrimi i Madh». Kryeministrit serb nuk po i citoj juristë të huaj apo fakte nga pala shqiptare për të dëshmuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi dhe se falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s përmasat e gjenocidit ishin më të vogla se sa kishte paraparë shteti serb. Në këtë rast po përmendi vetëm deklaratën e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi haptazi se “nëse ua dorëzojmë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë ju do ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”
Besoj se Aleksandar Vuçiqi nuk ka harruar se Ministrit i Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviqit ishte jurist i diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Beogradit. Goran Svilanoviqit e dinte fare mirë, madje edhe nga këndvështrimi i juristit, se të gjitha faktet dëshmonin në mënyrë të pakontestueshme se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Prandaj, ai refuzonte ta dorëzojë arkivin përplot dëshmi për gjenocid.
Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, qofshin juristë, politologë, historian apo të disiplinave tjera shkencore dhe që kanë njohuri me atë që ka ndodhur në Kosovë e dinë fare mirë se krimi i shtetit serb në Kosovë nuk ka emër tjetër pos GJENOCID!
Edhe Aleksandër Vuçiqi, jurist i Universitetit të Beogradit, që bënte pjesë në aparatin shtetëror që kreu këtë gjenocid, është plotësisht i vetëdijshëm, në cilësinë e juristit, se Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e shprehura në OKB. Aleksandër Vuçiqi e di fare mirë se të gjitha faktet e krimeve serbe në Kosovë dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Por sot, në cilësinë e Kryeministrit, përpiqet të mohojë vërtetësinë e krimit me qëllim të dekurajimit të shqiptarëve që të mos akuzojnë Serbinë për gjenocid.
Në funksion të kësaj strategjie dhe me qëllim të krijimit të një imazhi të ri, dy ditë para se të niset për në SHBA, Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit paralajmëroi se do të formojë një komision lidhur me vrasjen e shtetasve amerikan me origjinë shqiptare, tre vëllezërve Bytyqi (Yllit, Agronit dhe Mehmetit).
Në vijim, duke u bazuar vetëm në faktet serbe, do të nxjerr në shesh se vrasja e vëllezërve Bytyqi është akt gjenocidar dhe se Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është pjesëmarrës në strategjinë e fshehjes së kryerësve të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Si u vranë dhe kush i vrau vëllezërit Bytyqi?

Goran Radosavljeviq Guri, që ishte drejtpërsëdrejti i implikuar në krimin e kryer kundër civilëve shqiptarë në fshatin Reçak pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova u emërua komandant i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë. Me gjithë avancimet në funksion, gjurmët e krimit e ndiqnin gjithkund.
I pyetur nga gazetari i gazetës serbe «Blic», se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit dhe Vladimir Lazareviqit, që kishin përfunduar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar, komandanti i aksionit policor në Reçak, Goran Radosavljeviq Guri, përgjigjet: “Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga.”
Goran Radosavljeviq Guri mendon se nuk dihet se “cilët janë autorët e vrasjeve” në Kosovë dhe përpiqet të fshihet prapa funksionit që ka pasur në zinxhirin komandues. Kur është fjala për përgjegjësitë komanduese në kryerjen e krimeve kundër shqiptarëve dhe “shpëtimi nga dënimi vetëm për shkak të funksionit”, po sjell për lexuesin vetëm një shembull: «Rastin e vëllezërve Bytyqi».
Krahas vazhdimit të krimeve të këtij gjenerali të policisë serbe, ky rast do t’i mundësojë lexuesit të shohë mungesën e vullnetit të autoriteteve të Beogradit për të nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë.
Në përshkrimin e «Rastit të vëllezërve Bytyqi» do t’u referohem kryesisht burimeve zyrtare serbe. Aktakuza e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, Vendimi i Gjykatës së Lartë, Seksioni për Krime Lufte dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit përmbajnë informata të mjaftueshme për të kuptuar se çka ndodhi në Qendrën Mësimore të Petrovo Selo-s, të komanduar nga Goran Radosavljeviq Guri.
Në vijim po sjell për lexuesin pjesë nga këto vendime.
Sipas të dhënave që përmenden në Vendimin e Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012 “çdo gjë filloi më 26.06.1999”.
Në këtë ditë qershori, tre vëllezër: Yll Bytyqi (1974), Agron Bytyqi (1976) dhe Mehmet Bytyqi (1978), shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, duke dashur t’u ndihmonin dy familjeve rome që udhëtonin për në Serbi, i marrin në veturat e tyre dhe në vend që të ndaleshin në afërsi të kufirit, duke mos njohur vendin, kishin kaluar kufirin administrativ të Kosovës dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Ndalohen nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në një checkpoint në vendin Rudar. Dënohen nga Gjykata për Kundërvajtje e Kurshumlisë me nga 15 ditë burg për kalim ilegal të kufirit shtetëror. Më 27 qershor dërgohen në Burgun e Qarkut të Prokuples për të vuajtur dënimin. Për shkak të sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, u pranua kërkesa për lirim me kusht dhe u parashikua të liroheshin para kohe, më 8 korrik. Megjithatë, për rastin e tyre u njoftuan instancat më të larta në Beograd, madje edhe ministri i policisë, Vlajko Stojiljkoviqi.
“Një ditë para se vëllezërit Bytyqi të liroheshin nga burgu, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviq Rogja, shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, nëpërmjet telefonit kontaktoi me Qendrën Mësimore në Petrovo Selo. Në mungesë të komandantit Goran Radosavljeviq Guri në linjën telefonike u përgjigj Sreten Popoviqi, zëvendëskomandant i kësaj qendre. Gjenerali Gjorgjeviq e urdhëroi të akuzuarin, Popoviqin që të angazhonte disa pjesëtarë të njësisë së vet, të shkonin në Prokuple dhe sapo të dilnin nga burgu vëllezërit Bytyqi të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në Qendrën e Petrovo Selo-s. Sipas të njëjtave udhëzime, vëllezërit Bytyqi duhej të mbaheshin në këtë qendër deri sa të vinin pjesëtarë të MPB-së të RS-së që t’i merrnin. Për këtë operacion ishin të informuar shefi i Seksionit Policor të Prokuples dhe Drejtoria e Burgut të Qarkut të Prokuples. Të gjithë së bashku koordinuan aksionin dhe kjo dëshmon se kishim të bënim me një aksion të organizuar mirë”, theksohet në vendimin e lartpërmendur.
Duke vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Sreten Popoviqi, Milosh Stojanoviqi, qi, Dejan Stamenkoviqi dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së të RS-së arrestuan tre vëllezërit Bytyqi, i dërguan në Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, i mbajtën të lidhur në një lokal me derë të hekurt dhe me 9 korrik ua dorëzuan personave të panjohur (!!!) të MPB të Serbisë. Këta pjesëtarë të policisë serbe, që në dosjen e vëllezërve Bytyqi përmenden si persona NN (të paidentifikuar!), “i lidhën me tel këta shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, i dërguan rreth 500 metra nga Qendra Mësimore, hapën zjarr nga armët e tyre dhe i goditën në pjesën e pasme të kokës.”
Me kërkesë të vazhdueshme të SHBA-ve, autoritetet e Beogradit urdhëruan hapjen e hetimeve. Kjo detyrë iu ngarkua Gjykatës së Qarkut në Negotin. Për të hedhur dritë mbi këtë krim u ngarkua ekipi i ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Nishit, nën udhëheqjen e dr. Vujadin Otasheviqit. Kohë pas kohe, hetimet u monitoruan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nga Qendra Juridike Humanitare dhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Në afërsi të Qendrës për trajnimin e njësive speciale të forcave policore serbe, që ishte nën komandën e Goran Radosavljeviq Gurit, u zbuluan dy varreza masive.
Zhvarrosja nga varreza e parë, që hetuesit e emëruan «Petrovo Selo I», përfundoi më 26 qershor 2001, kurse në varrezën e dytë, të emëruar «Petrovo Selo II», hulumtimet përfunduan më 28 qershor 2001.
Të njëjtën ditë, më 28 qershor 2001, Qeveria e Serbisë emëroi Goran Radosavljeviq Gurin në detyrën e shefit të Xhandarmërisë së Republikës së Serbisë. Ngritja në funksionin e ri, që ishte si shpërblim për krimet e kryera kundër shqiptarëve, bëri që të heshtej përgjegjësia e komandantit të Qendrës Mësimore në Petrovo Selo për dy varrezat masive.
Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për të dy varrezat masive në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Zhvarrosja “hoqi dheun” me të cilin autoritetet politike, ushtarake dhe policore të Beogradit ishin përpjekur t’i mbulonin krimet. Një vendim të rëndësishëm në drejtim të ndriçimit të rasteve miratoi edhe Kuvendi i RFJ-së. Më 11 prill 2002, ky kuvend miratoi Ligjin për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në ditën e miratimit të këtij ligji, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljkoviqi, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte ngritur padi penale për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrau veten me plumb në kokë! Vetëvrasjen e bëri publikisht para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së, në orën 19:10.
Sado shpresëdhënës që ishte vendimi për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, praktika dëshmoi se realizimi konkret i tij hasi në pengesa të mëdha, që janë të lidhura me logjikën e moçme të “fshehjes së krimit në rrugë institucionale.”
Pesë vjet pas zbulimit të kufomave të vëllezërve Bytyqi, më 23 gusht 2006, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktpadi penale kundër zëvendëskomandantit të Qendrës Mësimore të Petrovo Selo-s, Sreten Popoviqit dhe pjesëtarit tjetër të policisë serbe, Milosh Stojanoviqit. Akuza i ngarkoi “për krim lufte ndaj robërve të luftës.” Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë të MPB-së të RS-së, Aleksandar Nikoliqi dhe Dejan Stamenkoviqi, përkundër asaj se përmenden në faqen 2 të aktakuzës si bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi, ndaj tyre nuk u ngrit akuza. Në vend të përgjegjësive penale, me të cilat duhej të ballafaqoheshin, ata u ftuan në cilësi të “dëshmitarëve”, në të njëjtën mënyrë siç u veprua edhe ndaj “Milenko Arsenijeviqit, Aleksandar Gjorgjeviqit, Marjan Mijatoviqit, Milovan Vuçiqeviqit, Milisav Vuçkoviqit dhe policëve të tjerë të implikuar në këtë krim.”
Për të humbur gjurmët e implikimit në këtë krim, “më 17 gusht 2004, Goran Radosavljeviq Guri largohet nga posti i shefit të Xhandarmërisë Serbe dhe transferohet si këshilltar në MPB-së të RS-së. Por, në dhjetor të vitit 2006, me urdhëresë të Gjykatës për Krime Lufte, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për shkak të implikimit në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.”
Më 14 shkurt 2007, gazeta qeveritare e Beogradit, «Politika» solli në ballinën e saj artikullin e titulluar «Guri në arrati», në të cilin jepeshin detaje për motivet e kësaj arratie. Në të njëjtën kohë, gazeta informoi se Goran Radosavljeviq Guri ndodhej në Libi, ku trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit. Ikja e tij nuk ishte e papritur, theksohej në këtë artikull.
Krahas komandimit të forcave speciale të policisë serbe në krimet e bëra në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri komandonte edhe forcat famëkëqe “paramilitare” «Tigrovi», të krijuara nga krimineli i njohur Zheljko Razhnatoviq-Arkan. Këtë informatë e pohoi Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, as funksioni i komandantit në strukturat që u dëshmua se kishin kryer krime në Petrovo Selo, nuk ndikoi që ky kriminel të përgjigjej për veprat e kryera.
Në shkrimin lidhur me proceset gjyqësore në Serbi për krime lufte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd përmend mungesën e vullnetit për të ndriçuar krimet e bëra dhe për të dënuar ata që ishin implikuar në krime. Në këtë kontekst, ky fondacion serb theksonte: “Karakteristika kryesore e këtyre gjykimeve është fakti se nuk ndërmerret asgjë kundër urdhërdhënësve e as kundër ekzekutuesve të drejtpërdrejtë të krimeve. Ka indikacione se udhëheqësi i Kampit në fshatin Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri, ka ikur jashtë vendit dhe me dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Qeverisë së Serbisë dhe të Prokurorisë për Krime Lufte, para fillimit të procesit edhe pse është ditur se dyshohej për përgjegjësinë e tij për këtë krim.”
Pas procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet, me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi u liruan nga aktakuza si të pafajshëm.
Edhe Gjykata e Apelit në Beograd, Seksioni për Krime Lufte, në seancën e 18 janarit 2013 hodhi poshtë ankesën e prokurorit dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit të datës 12 prill 2012.
Sipas këtyre vendimeve “nga ana e Gjykatës së Lartë të Beogradit janë dhënë mjaft arsye të argumentuara, ku nuk ka asgjë të paqartë, asgjë jologjike dhe asnjë kundërthënie se vëllezërit Bytyqi nuk kanë qenë robër lufte:

sepse lufta kishte përfunduar më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës;
edhe pse kanë qenë pjesëtarë të «Batalionit Atlantiku», në momentin e arrestimit nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë njësiti ushtarak ose policor dhe nuk kanë qenë duke kryer ndonjë detyrë ushtarake ose policore;
në ditën e arrestimit nuk kanë qenë në ndonjë mision të armatosur luftarak, por misioni i tyre ishte skajshmërisht humanitar dhe bamirës;
në momentin e arrestimit nuk kanë qenë të armatosur, nuk kanë pasur uniformë ushtarake ose policore;
kanë qenë të veshur me tesha civile (bluza, këmisha, pantallona, xhinse…) dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohen robër lufte që kanë rënë në duart e armikut.”

Nga ana tjetër, u vërtetua se:
“të akuzuarit, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi, nuk kanë mundur ta dinë se personat NN, pjesëtarë të policisë, do t’i vrasin vëllezërit Bytyqi. Askush nuk u ka thënë një gjë të tillë dhe se ata kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre;
në bazë të ekspertizës së profesorit të Mjekësisë Ligjore të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqit, vëllezërit Bytyqi kanë mundur të dërgohen në Beograd dhe pas një kohe të konsiderueshme të vriten e pastaj të sillen në varrezën masive të Petrovo Selo-s; “Ata kanë mundur të jenë vrarë një ditë, dy ditë, tre ditë, pesë ditë, një muaj, dy muaj, tre muaj para se të varroseshin këtu. Këtë gjë, në aspektin mjekoligjor, nuk mund ta konstatoj. Por, është i e sigurt se nuk janë vrarë pranë varrezës masive!”
Në bazë të ekspertizës së këtij profesori të Mjekësisë Ligjore u “vërtetua se eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave, nuk kishin qenë pasojë e torturës dhe se në aspektin mjekësor nuk mund të thuhet se si ka ndodhur. A janë shkaktuar nga ekskavatori apo në ndonjë formë tjetër, nuk mund ta dimë.” “Janë gjëra që ndodhin. Nuk duhet të kesh shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë e thyen këmbën. E lëre më të hidhet nga lartësia e kamionit ose nga ndonjë lartësi tjetër dhe të bjerë në ndonjë dru, në ndonjë gur ose në ndonjë send të fortë”, deklaroi dr. Vujadin Otasheviqi gjatë procesit gjyqësor kundër Sreten Popoviqit dhe Milosh Stojanoviqit. Në vend të ekspertit mjekoligjor, ai u shndërruar në avokat të këtyre dy të akuzuarve.

Në fund të këtij procesi, meqenëse nuk u konstatua se kur ishin vrarë vëllezërit Bytyqi dhe këmbënguljes së dr. Vujadin Otasheviqit se vëllezërit Bytyqi nuk janë ekzekutuar pranë varrezave masive, gjykata liroi Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin si të pafajshëm! Ata i liruan nga akuza dhe ua kthyen pasaportat që u ishin marrë më parë.
Në vendimin e 9 majit 2012, Gjykata e Lartë e Beogradit, Seksioni për Krime Lufte, theksoi se “Prokurorisë i mbetet një detyrë e rëndë ta zbulojë se kush, pse dhe me urdhër të kujt u vranë këta tre të rinj. Jemi thellësisht të bindur se askush, madje as tre vëllezërit Bytyqi nuk e kanë merituar që jetën e tyre të re ta përfundojnë me plumb në kokë, me sy të mbyllur, me duar të lidhura me tel dhe të varrosen në varrezë masive në periferi të Serbisë.”
Sado revoltuese të jetë një vendim i tillë dhe tallës “keqardhja” e lartpërmendur për fundin e jetës së tre të rinjve “me plumb në kokë, me sy të mbyllur dhe me duar të lidhura me tel” kjo dëshmon se sa thellë janë të rrënjosura në strukturat politike, ushtarake, policore, gjyqësore dhe mediatike format e mentalitetit të vjetër ku “tjetri” shihet si “objekt që duhet asgjësuar!”
Nga të gjithë të implikuarit në këtë krim, vetëm shefi i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi, që u arrestua në bazë të akuzës së ngritur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, u dënua me 27 vjet burg.
Gjatë procesit të gjykimit të tij, ai, për rastin e vëllezërve Bytyqi fajësoi ministrin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Vlajko Stojiljkoviqin. Eprorin e vet, që bëri vetëvrasje publike para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së!
Është me rëndësi të përmendet fakti se gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi e pranoi akuzën, pranoi se ndihet fajtor për pjesëmarrjen në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe u kërkoi falje familjarëve të shqiptarëve të vrarë të Kosovës.
“Në Kosovë, në vitin 1999 u bënë krime. Ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta kthej kohën prapa do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vlajko Stojiljkoviqit. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndjej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe ndaj dhembjen e tyre…” – deklaroi Vlastimir Gjorgjeviqi në Hagë.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, pranon publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaron se ndihet përgjegjës pse nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve të bëra në Kosovë.
Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Le të mbetet e drejta e secilit lexues!
Ajo që nxit të theksohet në këtë rast ka të bëjë me etikën profesionale të mjekëve ligjorë, që ishin ngarkuar të ndriçonin vrasjet e kryera me urdhër të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.
Profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, tenton të na bindë se “eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave të varrezave masive në «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk kishin qenë pasojë e torturës (…), por ishin shkaktuar nga ekskavatori ose në ndonjë formë tjetër. Edhe më neveritëse janë banalizimet e tipit se nuk duhet të kemi shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë dhe e thyen këmbën (…).”
Këmbënguljet e tij se vëllezërit Bytyqi nuk ishin vrarë pranë varrezës masive kishin për qëllim të vetëm të shfajësonin Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin, që ishin vetëm dy të akuzuar nga tërë zinxhiri komandues në kuadër të policisë serbe që rrëmbyen, keqtrajtuan dhe ekzekutuan vëllezërit Bytyqi. U ekzekutuan për të vetmen arsye se këta amerikanë ishin me prejardhje shqiptare dhe qëllimi i shtetit serb ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve, si të tillë.
Po përmend rastin kur avokati kërkoi sqarime nga ky “ekspert i Mjekësisë Ligjore”, se pse kufomat i kishin pasur të lidhura duart me tel dhe sytë e mbyllur me shirit, nëse nuk janë ekzekutuar në atë vend, dr. Vujadin Otasheviqi u përgjigj me arrogancë: “Jo, nuk e di! Kjo nuk ka të bëjë me profesionin tim!” Atë që ai mundi të pohonte në përputhje me “fushën e tij profesionale”, në mënyrë të ngjashme si të Slaviša Dobriçaninit në Rastin e Reçakut, ka të bëjë me “faktet” se “gjatë zhvarrosjes u zbulua se njëra kufomë kishte uniformë me shenjën e UÇK-së, te tjetra u gjet e vizatuar harta e Kosovës, te i treti ishte harta e Gjermanisë në një bluzë e kështu me radhë…”
Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit “nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak”, profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, do ta kishte përgjigjen e gatshme, në të njëjtën mënyrë, siç veproi anëtari tjetër i ekipit serb të Mjekësisë Ligjore për “Rastin e Reçakut”, profesori i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Beogradit, dr. Dushan Dunjiqi, në «Rastin e Srebrenicës».
Në pyetjen e njëjtë, por në kontekst tjetër, si dëshmitar në mbrojtje të liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dr. Dushan Dunjiqi deklaroi se “në Srebrenicë janë ekzekutuar vetëm 400 njerëz, përderisa shumica e njerëzve që janë gjetur në varrezat masive të Srebrenicës nuk janë aspak viktima të ekzekutimeve të kryera në korrik të vitit 1995. Shumë prej tyre kanë mundur të kenë qenë vrarë pas korrikut të vitit 1995 ose para korrikut 1995. Shumë plagë kanë mundur t’u bëhen viktimave pos mortem dhe nuk kemi arsye t’i konsiderojmë si viktima të rastit të njëjtë. Madje, vetëm një numër shumë i vogël nga 400 të vrarët mund të konsiderohen si viktima të ekzekutimit. Ata që, kur u zhvarrosën, u konstatua se kishin duar të lidhura me tel ose me konop mund të konsiderohen të ekzekutuar. Ndërsa, për ata që kishin sy të mbyllur me shirit nuk mund të pohohet nëse u janë vendosur këto shirita, por se shiritat e këtillë janë shenja që i kanë mbajtur viktimat për t’u dalluar dhe pasi janë vrarë u kanë rënë mbi sy! ”
Po e përsëris! Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit më 26 qershor 1999 nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak dhe se kishin qenë në një mision humanitar, dr. Vujadin Otasheviqi do të kishte përsëritur atë që kishte thënë kolegu i tij, Dushan Dunjiqi për “shiritat që u kishin rënë nga balli dhe ua kishin zënë sytë!” Së paku ky është mendimi im. I mbetet lexuesit të gjykojë për etikën profesionale të këtyre profesorëve të Mjekësisë Ligjore që minimizojnë krimin dhe tentojnë ta paraqesin nga një këndvështrim ideologjik dhe propagandistik!
Shfajësimi i kriminelëve që urdhëruan rrëmbimin, keqtrajtimin dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, është revoltues. Po aq revoltues është fakti se për viktimat e tjera të zhvarrosura nga varrezat masive «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk u bë fjalë aspak! Është revoltues kur dihet se nuk u dënua askush nga zinxhiri komandues i kësaj qendre “mësimore”, ku njësitë speciale të policisë serbe kishin civilët shqiptarë si “lëndë të parë” për trajnimin praktik të ekzekutimit me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit!
Shpërthimi i revoltës që njihet si «Pranvera arabe» e detyroi Goran Radosavljeviq Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për implikimin e tij në krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ai u prit si hero në Serbi! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi.
Po i sjell për lexuesin, që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit që kryeson këtë parti qeveritare të Serbisë, Goran Radosavljeviq Guri nuk mundi t’u ikte pyetjeve të gazetarëve lidhur me «Rastin e Reçakut».
Aleksandar Vuçiqi e di fare mirë se nën udhëheqjen e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit, shqiptarët ishin shndërruar në “lëndë të parë” në Qendra “mësimore” në Petrovo Selo ku njësitë speciale të policisë serbe trajnoheshin praktikisht se si ekzekutoheshin shqiptarët me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit! Qëllimi i këtyre vrasjeve ishte që të shkatërroheshin shqiptarët tërësisht ose pjesërisht si të tillë. Ky akt gjenocidar, si të gjitha vrasjet tjerra të orkestruara dhe të kryera nga shteti serb në Kosovë janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit. Këtë gjë e di edhe Kryeministri i Serbisë dhe juristët serbë që reagojnë ashpër sa herë që përmendet ngritja e akuzës së gjenocidit në Kosovë.
Pa arrestimin e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit dhe të gjithë të përfshirëve në këtë akt gjenocidar dhe pa pranimin publik se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid, të gjitha deklaratat për “krijimin e komisioneve gjoja për të ndriçuar rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi” nuk janë asgjë tjetër pos deklarata tani më të njohura që kanë për qëllim të fshehin kriminelët e vërtetë dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës.
*(Të gjitha të dhënat për citatet e mësipërme gjenden në librin tim «Mashtrimi i Madh», f.162-177)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksandër Vuçiqi, Bardhyl Mahmuti, dhe fshehja, e gjenocidit

Zëri i Shqipërisë në Australi – Hiqmet Ndreu

May 30, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra
Në vitet kur Shqipëria ia kishte mbyllur gojën vetës dhe askush nga bota nuk dëshironte të dëgjojë për te; zëri i Shqipërisë dëgjohej në Austarli . Ishte zëri i Hiqmet Ndreut – sepse bota duhej ta dinte të vërtetën shqiptare.
“Mbylljani, pra, gojën
O t’ia mbyll me zjarr
Larg “Radio Merlburnit”!
Gëbelsi shqiptar!” …. Cirrej UDB-ja dhe si rrufeja sulej mbi Hiqmet Ndreun
E lexoni vet këtë tekst për Zotin Hiqmet Ndreu :
mzOIt24“Pan Heleniko.Dhe si gjarpëri hidhet…Por Ndreut të Dibrës Qerpiku s’i dridhet!
“More, sa t’paguajnë? Kjo…s’do kallauz Sa milionë, fol!?” Ndreu e përbuz:
“Ti s’e njeh Atdheun ti njeh vec dollarë Nuk e njeh ShqipërinëAs i njeh shqiptarët!” (Riza Lahi )
“Hiqmet Ndreu lindi në fshatin Sllovë – Dibër në vitin 1928. I biri i Islam dhe Hyrie Ndreut, ose i pari i pesë fëmijëve të kesaj familje pinjollësh. I biri i denjë e njerës prej familjeve më të mëdha shqiptare, e fisit Ndreu, më zë e i njohur si – Familja e Deres se Madhe së Ndreut të Sllovës(Dibër) ose e familjes e cila njihet nga këto anë si nji prej atyre fisve të cilat bënin pjesë në “Kuvendin e burrave” të thirrur “Shtatë Malet e Dibrës”. Ndërsa vet babai i tij Islami, është djali i madh i Cen Elez – Ndreu. “
“Hiqmeti, si fëmija i parë e kësaj dere(Islam Ndreut), kur i ati i tij ishte në detyre në atë kohë, dhe ishte i punësuar, si zyrtar i qeverisë së at’hershme në zonën e Zerqanit të rrethit të Dibërs, do të merrte edhe edukimin e tij të parë në shkollat e kësaj zone, e cila njihet për një nivel të lart arsimore në këto anë.”
Cen Elezi , Cili ishte ? “Në librin me kujtime të Fulcit, përmendet disa herë edhe familja e Cen Elezit. Si një ndër familjet e para dhe të vetëmet në atë kohë që me forcat dhe diturinë e tyre, kishte futur elektrikfikimin në të gjitha shtëpit e fisit. Kjo gjë i bëri përshtypje të madhe në atë kohë , edhe drejtorit amerikan të shkollës që mbante emrin e tij Harry Fulc, i cili kishte shkuar deri në Sllovën e thellë, si mik i familjes Ndreu, nga një fshat i thell malor ky i Dibrës i dalluar për qëndrësn dhe luftën kundra hordhive turke dhe shovinistëve sërb në këto anë.”…..
“Në vitin 1952 së bashku me dy kushërinjët e tij Faik e Nazmi Ndreu, arriti në saj të aftësive të tija të arratiset. Si fillim doli në ish- Jugosllavi ku menjëher u arrestua dhe u dërguan në burgun e Gerovës në Kroaci. Deri sa më 1956 emigroi nga Ish Jugosllavia për në perndim në Itali. “
Për këtë në librin e tij publicistik me titull “Një thirrje Mëmedhut” në parathënjen e tij shkruhet , se “Çfarë ka ndjerë vallë djaloshi 18 vjeçar, nipi i Elez Isufit, tek kapërcente kufirin shqiptar në vjeshtën e largët të vitit 1952? Brengë të pashoqe, acar që thua do t’i nginte shpirtin dhe gjithsesi keqardhje. Keqardhje për legjendën e nëpërkembur të fisit, për kullat e djegura të Sllovës nga serbi, gjermani italiani, për diktaturën hoxhiste që do të ndiqte hap pas hapi edhe jetët e sapoçeluar të shqiptarëve pas luftës vëllavrarëse ideologjike. ….
Në vitin 1957 nga Italia, për arsye vetjake zgjodhi Australinë e largët, për të emigruar. Ku edhe atje si veprimtar dhe njeri shumë aktivë sidomos për çështjen kombëtare, u lidhë me grupet shqiptare patriotike e anti -komuniste atje dhe nisën vprimtarinë e tyre me idenë e bashkimit të të gjithë trojeve shqiptare nën një flamur, çlirimin e shqiptarëve nga mortaja komuniste, demokratizmin e Shqipërisë, dhe për të drejat e liritë e shqiptarve në trojet etnike.
Ai u dallua në Australi, komunitetin shqiptarë atje, si një ndër udhëheqësit e demostratave, për lirinë e të drejtat e shiqptarëve, të mohuara dhë shkelura brabarisht në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc, Medvegje e Çamëri. Për 18 vjet punojë në radion A3 të Melburnit dhe u marë me shkrime publicitike.
Krimet u shpalos ,Grekërve e serbëve Si me mitroloz Edhe bucet shqip
E s’i tutet frikës Hiqmet Ndreu i Dibrës…
Literatura : Riza Lahi , Fitimtari
Forumi shqiptar, BEQIR SINA, New York
Cezar Ndreu , Shënime per Hiqmet Ndreun.

Filed Under: ESSE Tagged With: – Hiqmet Ndreu, Fahri Xharra, Zëri i Shqipërisë në Australi

Pi helmin i kohës!

May 30, 2015 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/
Pi raki rrushi të Rahovecit… Nuk më zënka rakia… Nuk e di pse e pi, ani pse nuk ndjej asfarë shije, e nuk jamë asfarë pijaneci. Mbase e di pse pi? Mbase po e pi helmin e kohës… Pi të huajin bashkë me servilin vendorë që na rrin mbi kokë…dhe atdheu mbase padashje në hekura mban çlirimtarin.
Po gërmoj e gërmova me mendje dhe në shpirt.
I huaji e vendori servil i korruptuar, po i mbyllin mbrenda hekurave njerëzit çlirimtar, e po i linçojnë njerëzit progresist, kështu po u ipet krah njerëzve të këqij, të korruptuar e kriminel.
Ky helm i kohës , disi po më kujton atë veprën letrare “Krimi dhe dënimi” të Fjoderit.
– Varfëria si kontekst social i kësaj vepre paraqet vlerën kryesore të romanit. Vuajtja e njerëzve në këtë vepër është vrazhdësi konkrete. Me dredhi me mashtrim Svidrigajllovi ky njeri i pasur i detyron shërbëtorët të bëjnë vetëvrasje, ai në pronën e vet të fituar nëpërmjet korrupcionit, shfrytëzon, dhunon, çupën katërmbdhjetëvjeçare e cila nga vuajtja dhe dëshprimi mbytet në lumë, e helmon gruan e tij që t’i rrëmbej pasurinë, e shqetëson Dunjën një femër tjetër për ta skandalizuar.
– Në anën tjetër Luzhini, poashtu një njeri i pushtetshëm e i pasur, kërkon një vajzë të varfër, e cila përjetë do të jetë mirënjohëse këtij njeriu përshkak se kjo martesë e shpëton nga mjerimi, kështu i jep të drejtë burrit të saj që ta tiranizoj vullnetarisht.
– Sonja bëhet prostitute, që të mos qajnë fëmijët nga uria. – Njeriu vret njerinë për para, e po këto para mbetën të pashfrytëzuara, krimineli përvidhet nga banesa e të vrarës i padiktuar, i ka të gjitha kushtet që ta ruaj fshetësinë, por megjithatë zbulohet, dhe i dorëzohet gjyqit, por ai nuk heq dorë nga teoria e krimit. – Enigmën e parave të pashfrytëzuara personazhi e ndjen se as nëna, as motra, askush nga njerëzit e ndershëm, nuk do të pajtohej që problemet e veta jetësore ti zgjedhë më paratë e plaçkitura nga e vrara.
– Sonja pyet e tmerruar: “Ato të holla që ia dhatë Katerini Ivanovnës, mos janë nga ato të holla të fituara me anë të krimit. ”Jo Sonja, këto të holla nuk ishin prej atyre parave, qetësohu”. – Njeriu i ndershëm ka nevoj për një bindje dhe ndjenjë se çdo gjë është realizuar pastër.
Nga kjo vepër letrare kuptova se skllavëria nuk gjendet vetëm në raftet e pluhërosura të historisë, kjo po ndodh edhe sot në këtë kohë, servili në cilin do kontekst kohor qoftë ai, është një lloj skllavi, ndoshta ky njeri i kthyer në kukull, i ka borxh liderit të tij, se e ka punësuar në ndonjë nga ministrit, se i ka dhënë mbase ndonjë tender, se i ka dhënë ndonjë diplom a mirnjohje false, a kushedi çfarë?!
Për ta shprehur më ndryshe, këta janë skllevërit e vërtetë. Këta janë njerëz të skllavëruar e të shantazhuar, kjo skllavëri atyre u rëndon në kurriz, kjo skllavëri e pëlqyer nga ana e tyre , e këta skllevër nuk marrin veshë çka do me thënë liri, por përkundrazi ndjejnë një fare urrejtje për mbrojtësit dhe kërkuesit e lirisë, kështu këta skllevër budallenjë ushqejnë njëfarë respekti për liderin e tyre oligarkë që tashmë është bërë ekspert i përdorimit të dhunës dhe prangave zingjirore.
Ky është një zakon i pëlqyer prej tyre dhe këtë skllavërim e mbajnë në kurriz e durojnë me gëzim. Veçanërisht ata që janë lindur skllav!

Filed Under: Featured Tagged With: Avdi Ibrahimi, Pi helmin i kohës!

MËRGATA NË SHPIRTIN E POETËVE MËRGIMTAR NË SUEDI

May 30, 2015 by dgreca

Nga Sokol Demaku/
Në Falkenberg të Suedisë në prani e anëtarëve të ShShASh në Suedi, simpatizantëve të fjalës së shkruar, miqëve suedez nga qyteti Falkenberg, udheqës komunal të këtij qyteti, mysafirë nga qyteti Lac dhe Kurin i Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Gjermani, Zvicra, Norvegjia dhe Danimarka u mbajt Sesioni i katërt shkencor kushtuar publikimit të katërt me radhë të ”Thesarit Kombëtar për mëgatën shqiptare në Suedi”vepër e autorëve anëtar të kësaj shoqate.
Sipas fjalëve të redaktorit të librit Fetah Bahtiri edhe kësaj radhe në libër ngerthehet puna e mërgatës parë nga pena e poetëve dhe shkrimtarëve mërgimtarë për vite me radhë, por është një risi në këtë botim pra në botim katërt se në te janë përfshi edhe shkrimtarë dhe poet nga mbar mërgata shqiptare në Europë.
Sesionin e përshendetën Kryetarja e Komunës Falkenberg, Përfaqësuesi i Lacit dhe Kurbinit, Përfaqësuesi i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Zvicër, përfaqësuesi i Shoqatës së shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Norvegji, Përfaqësuesi i Shoqatës së Shrkimtarëve shqiptar Danimarkë, përfaqësues nga Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës si dhe anëtar të shoqatave kulturore shqiptare në Suedi të cilat kanë një bashkëpunim të ngushtë me këtë Shoqatë.
Më pastaj krysuesit e grupeve punuese të cilët janë nga anë të ndryshme të Suedisë prezentuan punën e bërë në lamin e kërkimit dhe mbledhjes së fakteve lidhur me punëne bërë në mërgatë vite me radhe si dhe në ditët e sotme. Në këtë botim do prezentohet puna e LASH në Suedi, dhe rëndësia e kësaj shoqate të arsimtarëve për ruajtjen dhe kultivimine gjuhës në mërgatë, kontributi i bashkëkombasëve në ndihmë vendlidjes, kontributi në mbajtjen gjatë të shkollës shqipe në vendlindje në kohën e okupimit shovensit serb, por prezentohet edhe puna kulturore dhe atdhetare e shoqtave kulturoren ë këtë vend nordik në mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe në mërgatë.
Nga redaktori i librit dhe Kryetari i ShShASH në Suedi Hysen Ibrahimi u mor vesh se libri del nga shtypi në mesine muajit që vjen pra në muajin qershor dhe se promovimi i tij do bëhet në shumë mjedise kulturore si në vendlindje, Maqedoni, shqiperi si dhe në shume vende tjera Eurpiane e në Norvegji u kumtua se do bëhet në majin tetor 2015 në qytetin Oslo në organzim të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar atje.
Këtu u lexuian edhe shumë kumtesa pune të cilat prezentojnë angazhimin dhe punëne mërgatës shqiptare në Suedi.
Fjala e Sokol Demakut në Sesionin e katërt të ShShASh mbajtur në Falkenberg me 30 maj 2015.
Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta, por me domethenje dhe mesazhe të mëdha.
Së pari dua të shpreh falënderimet e mia të ngrohta për organizimin e këtij sesioni shkencor nga ana e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptar në Suedi, i cili sesion është dhe do jetë një udhërrefyes i punës së palodhur të kriujuesve shqiptar në mërgatë konkretisht këtu në veriun e largët të Europës në Suedi.
Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Kuptohet se në poezi jetojnë edhe lirika, lumturia, dashuria dhe optimizmi, por jo aq shumë sa dhimbja dhe malli kur kemi të bëjmë më mërgatën dhe poetët mërgimtarë.
Qednra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në qytetin Borås të Suedisë, themeluar këtu e tetë vite më parë nga mërgimtarë entuziastë të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe në mërgatë deri më sot me sukses po kryen misionin e saj që i ka vu vetës dhe atyrë të cilët janë dhe punojnë në këtë shoqatë me këto tri virtyte themelore të shqiptarit. Të kultivosh dhe ruash gjuhën, traditën dhe kulturën e një populli nuk është lehtë, por kjo është kënaqësi dhe krenari për ata të cilët japin kohën dhe mundin e tyre në mënyrë vullnetare, në mënyrë që këto virtyte edhe pse larg atdheut, larg vendlindjes të ruhen dhe të jenë ne mendjen dhe shpirtin e mërgimtarëve.
Krejt këtë QKSH “Migjeni” e realizon përmes punës së anëtareve entuziastë të kësaj shoqate në kuadër të programit të Radio Diturisë, faqeve të revistës Dituria si dhe përmes ekranit televizisë të TV Dituria. Por nuk mungojnë edhe aktivitete më femijë, të rinjë dhe prezemtimi i kulturës shqiptare në mërgatë.
Entuziastë të fjalës së shkruar anëtar të kësaj Qendre këtu e tri vite më parë kanë fillua me realzimine Festivalit të fjalës së shkruar me titull “Festivali i poezisë në Borås”, festival i cili u tregua shumë i sukseshëm dhe pozitiv, me pjesëmarrje të poetëve shqiptar nga pjesë të ndryshme të botës dhe nga vendlindja njashtu edhe nga poet suedez.
Poezia kalon nepër vite dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë, për njerëz të cilët kanë në shpirt idelain e pastër njerëzor. Për këtë arsye është pritur me gëzim të madh kjo iniciativë për të futur përsëri kulturën shqipe dhe poezinë në qendër të vëmendjes dhe duke shpresuar që të kemi të gjithë dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike. Dhe u pa se më të vërtë idceatorët e “Sofres poetike në Borås” paskan pasur të drejtë dhe se ata duhet ndihmuar dhe përkrahur në këtë drejtim.
Dua të shpreh falënderimet e mia të ngrohta për kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi Papa Klementi XI Albani, me në krye Hysen Ibrahimi, dhe të gjitha shoqatave kulturore shqiptare në Suedi të cilat ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me QKSH “Migjeni” në realizimin e projekteve të tilla të cilat kanë vlerë kombëtare por edhe janë urë lidhjeje mes popujve konkretisht mes popullit suedez dhe ne si mërgimatë në këtë shtet në veriun e largët të Europës.
Festivali “Sofra poetike Borås” nga tani është Festival tradicional dhe mbarkombëtar dhe shpresojmë se do vazhdojmë edhe në të ardhmen me tempon të cilën e kemi që tani dhe se kjo punë frytëdhenëse e poetëve dhe poeteve në mërgim do jetë një shkendijë e cila do rrezatoj edhe në vendet tjera ku mërgata shqiptar frymon shqip, por ndoshta edhe në vendlindje do ketë një ndikim pozitiv në kultivimin e fjalës së shkruar.
Ju falmnderit

Filed Under: Mergata Tagged With: mergata, Sokol Demaku, Suedi

Miell për gallatë

May 30, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Nuk e di me saktësi se çfarë distance kuptimore ka midis propogandës dhe politikës. Por që të dya janë pjesë e komunikimit me një komunitet të caktuar. Me një qëllim të caktuar, sensibilizimin. Ose e thënë shqip, vënien në dijeni të kësaj mase. Le të themi, edhe për të pasur një përfundim me një arritje. Bindjen e po kësaj mase dëgjuesish. Të të besojnë, të të ndjekin nga pas etj. Ndofta propoganda i përket ideologjisë. Dhe politika pragmatizmit kapitalist. Megjithatë nëse e para është ndërkryer, keqpërdorur, abuzuar. Dhe vështirë se mund të ngrejë kokë më, për shkak të luftrave botërore, kampeve të socializmit, diktatuarve të ndryshme. E dyta po e riprodhon. Por e bën këtë në formën më të keqe të saj. Pra duke e ridënuar sërish. Edhe pse ka një vetëdije tashmë botërore mbi keqpërdorimin e saj. Dhe vëndet më të prapmbetura janë pikërisht ato që bëjnë politikë përmes propogandës.
Para disa kohëve, e kam përkitur këtë fakt përmes asaj këngës së famshme të Minës dhe Çelentanos. Parole, parole, parole. Pra fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë… Ky është dominini i përsëritur edhe në plolitikën tonë. Veçse nga shekulli i kaluar, e deri më sot. I kanë shtuar kësaj propogande elementin miell. Dhe nëse ajo këngëtarja, tërësinë e fjalëve përmbledh në një fragmet muzikor, duke thënë se karamale nuk dua më. Shqiptarët ka ardhur koha të thonë. Miell nuk duam më.
Po a ka bërë efekt mielli? A ka qënë bindës? A ka qënë propogandë e arrirë?
1)Nga 1944 e deri në 1990-ën, ne dinim se ballistët dolën malit për të gjuajtur miell.
2)Nga 1991-92 . U harrua për pak. Pastaj ia plasi në Elbasan. Prag shekulli i ri. Miell për vota. Nga ajo kohë e këtej, si mall i parë për blerjen e votës. Madje u perfeksionua në formën e paketimit. U fut, vaji, orizi, sheqeri. Megjithatë mielli mbeti dominant.
3)Nga 2013 u afrua edhe një lloj mielli tjetër. Ai kanabisit. Në një treg brilant në mes të ditës. Me pista rrugësh të cilat diktatura i bëri qëllimisht të ngushta, që të mos uleshin avionët e armikut. Por prapë, ata u ulën. U ulën dhe pushuan në breg të detit. Bën edhe show.
4)Në 2015-ën!
Tani ka plasur keq. Eshtë bërë sheshi i betejës. Mielli është kthyer në makth politik. Duke ia ditur vlerën, sidomos në kohë fushate ka një luftë për zotërimin e tij. E ardhmja politike?
Të qëndrojmë më konkretisht. Në emisioni Topstory, të para pak ditëve, 28 maj 2015, kryeparlamentari i Shqipërisë atakoi drejt për drejt një fabrikë mielli në Vorë.
Shumë nga analistët e quajtën si një ndeshje derbi. Pra mes opozitës dhe pozitës. Unë nuk e di historikun e mandateve të bashkisë në Vorë. Aq më tepër kur në politikën tonë ngrysesh i djathtë dhe gdhihesh i majtë. Shikoni produktin Gjici në Kamëz. Halili në Kukës, etj. Ose ngrysesh, socialist, gdhihesh lësëist, fiton si demokrat dhe përfundon prapë lësist.
Megjithatë jemi tek mielli. Çfarë ishte përshembull ajo e kryetarit të Kuvendit. Propogandë për çmitizimin e miellit.? Apo luftë e hapur për zotërimin total të tij.?
Unë them se janë të dyja. Ose pjesë e një gallate të vjetër kur ballistët gjuajnë njëri-tjetrin miell. Pasi është e çuditshme, se ndërsa jam duke shkruar dhe kërkuar, shoh në internet kamionçina me miell. Foto që simpatizantët vet i nxjerrin si trofe tiumfi. Me një fjalë, grini ju grini se ecim përpara.
Dhe ky interneti edhe pse po i dëshmon kudo, nuk po bëhet i bezdisshëm fare për politikën. Madje ata kënaqen me sportivitetin e gallataxhinjëve. Thonë, a ma me fejsbukun merreni ju. Ndërsa nuk përtojnë të postojnë edhe moralin e tyre ”të kulluar” në foto familjare.
Kurse gallataxhinjtë vazhdojnë me qejf. Të gjithë kanë celulare vërtet, të bëjnë foto. Kamionçina, plot flamuj partish. Thasë mielli, kuti me makarona, sheqeri orizi. Futen në youtube. Dhe aq, gallatë.
Një lloj gallate që ata i kënaq si spektatorë. Ndërsa këta të miellit, i kënaq nga që po u hedhin miell fytyrës gallataxhinjëve. Aq sa edhe zoti duhet të thojë, nga ta zësh këtë vend gallatë. Nga koka apo nga këmbët?
Eshtë koha e miellit. Të bëjmë gallatë.
Kurse ai që nuk bën pjesë. Që nuk është as tek propoganda as tek politika. Por tek realiteti. Eshtë i jo i besueshëm. Qoftë ky edhe heroi kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, miell per gallate

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3846
  • 3847
  • 3848
  • 3849
  • 3850
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT