Më shumë politikanët shqiptarë merren me grupin e armatosur se sa që shprehin interesim për terrorizimin e më së 40 mijë shqiptarëve, vrasjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.- Befason rënia në heshtje e liderëve shqiptar në Maqedoni që nuk e panë të arsyeshme të gjenden afër qytetarëve kumanovas në këto momente të rënda për ta/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Secili që ka gjak shqiptari dramën tmerruese në Kumanovë e priti me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë në zemër e shpirt. Si mund të mos jetë kështu kur një ushtri e tërë barbare me armë më bashkëhore e tanke kishin sulmuar pamëshirshëm pa kurrfarë paralajmërimi mbi 40 mijë shqiptarë të këtij qyteti duke shkatërruar dhjetra shtëpi, duke vrarë shumë civil, duke burgosur fëmijë, gra e pleq dhe duke terrorizuar qindra të tjerë në mënyrën më të vrazhdë që njeh njerëzimi. Në cilin vend në botë do të kishte ndodhur një sulm i këtillë mbi një popullatë duarthatë në emër të luftimit të një grupi, i cili po të kishte profesionalizem do të kishte mundur lehtë të izolohet e jo që me shprazjen e lloj lloj armësh të goditën shtëpitë në të cilën banojnë qytetarë të pafajshëm. Mirëpo, për pushtetin e këtij shteti kur janë në pyetje shqiptarët mund të veprohet në këtë formë të panjerëzishme pa dhënë kurrfarë përgjegjësie, bile as morale.
Pjesëtarët e UÇK-së nuk luftuan për të shitur mend
Ata trima ishin të gatshëm për të vdekur vetëm e vetëm për t’u dalë në ndihmë vëllazërve nga një skenar shfarosës që kishte planifikuar antishqiptari i përbetuar, Gruevski, me kriminelët Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret të këtij shteti të brishtë. E konsideronin jetën e qytetarëve të shenjtë dhe më të çmuar se sa të tyren dhe ajo luftë e tyre mbinjerëzore, ajo trimëri e treguar dhe ajo përpjekje për të shpëtuar banorët nga një masakër e mundshme dhe e përgatitur mirë do të mbetët gjithnjë në kujtesën e çdo shqiptari si një shembull i shkëlqyer se si sakrifikohet jeta për komb dhe atdhe. Këta trima, pjesëtarë të UÇK-së, nuk erdhën e nuk luftuan për të shitur mend. E dinin këta heronjë të ditëve tona se kur i hynë kësaj rruge do të kenë vështirësi të mëdha, por kur politikanët shqiptar rrinë duarkryq dhe nuk e bëjnë edhe një hap më të vogël në drejtim të barazisë kombëtare dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, atëherë dëshmorët e rënë dhe ata që u arrestuan morën forcë dhe nga dashuria për atdheun e kombin, për qytetarët e nëpërkëmbur morën armët në duar në mënyrë që të shembet kjo qeveri antishqiptare dhe që vuajtjet e padrejtësitë që iu bëhen shqiptarëve në të gjitha porët e jetës të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Pra, këto veprime shtypëse sllavo- maqedonase, po kërkojnë forca të reja të cilat pa dyshim se do të lartësohen aq sa do të mjaftojnë që populli shqiptar në Maqedoni të jetë faktor i rëndësishëm e vendimmarrës në të gjitha proceset. Rreth këtyre forcave patriotike do të mblidhen shumë më tepër shqiptar që do të dinë e shohin më mirë rrugën e prosperitetit e të ardhmës më të mirë për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike. Jeta po na mëson se drejtësia për shqiptarët po vonohet, por një gjë dihet se ndryshimi do të ndodh e deshën apo nuk e deshën hordhitë antishqiptare. Po ashtu një gjë po merret vesh ashiqare se dikush i kishte thirrur, dikush i kishte mashtruar dhe dikush edhe i kishte tradhtuar këta trima. Kjo gjë herët a vonë do të merret vesh. Për dikë shumë lehtë është të përbalt këtë sakrificë të madhe që dhanë pjesëtarët e UÇK-së, por asnjëri ama asnjëri kurrë nuk e dëshiron e as që e ëndrron të ishte në lëkurën e tyre sidomos të atyre që janë të arrestuar mbi trupin e të cilëve shprazët dhuna çnjerëzore e kriminelëve maqedonë.
Ku jeni o politikanë shqiptarë?
Derisa popullata shqiptare përjetoj momentet më të vështira nga terrori sllavo-maqedonas politikanët shqiptarë më shumë po merren me grupin e armatosur se sa që po shprehin farë dhimbje e interesim për pasojat tejet të rënda në këtë komunë shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk u dëgjua të thotë një fjalë të vetme se aksioni barbar i policisë ishte tepër i vrazhdë, tepër i dhunshëm, por mund të thuhet e terror i shfrenuar dhe se për këtë dikush do të duhej të jap përgjegjësi, ndryshe këtë barbari nuk do të mund të pranohet dhe të lejohet as tash, as kurrë. Me një fjalë, as politikanët në Kosovë e as ata në Shqipëri nuk reaguan konform situatës së krijuar në Kumanovë, por deklaratat e tyre ishin të vakëta duke u angazhuar që të mbretëroj arsyeja dhe të ulën gjakrat, shprehje këto tashmë rutinë që mund t’i dëgjosh edhe nga ndërkombëtarët. Politikanët tanë do të duhej pa kurrfarë ngurrje t’ia tërheq vërejtjen antishqiptarit të përbetuar Gruevskit se ai nuk mund të “ luaj” si të do me fatin e shqiptarëve dhe t’i terrorizoj kaq keq sikur që ndodhi në Kumanovë. Të përkrahesh Gruevskin në këto momente është barazi me gjunjëzim para tij dhe soldateskës së tij ndëshkuese që bëri ndaj shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodh në asnjë moment dhe rrethanë. Më së shumti befason rënia nën hije e politikanëve shqiptar në këtë shtet fqinjë të cilët i ka kapluar frika deri në palcë dhe popullatën shqiptare në Kumanovë e kanë lënë nën mëshirën e të tjerëve, përkatësisht të Zoevit, i cili i vizitoj këta njerëz të traumatizuar jo se ka ndonjë dhimbje për ta, por ai këtë e ka bërë për interesin e tij personal, për karrierën e tij politike. Ndaj edhe shtrohet pyetja se si është e mundur që asnjëri prej tyre të mos gjendet në mesin e këtyre njerëzve me halle të mëdha.
Menduh Thaçi duhet të jap dorëheqje!
Në momentin kur në medie doli se Menduh Thaçi i kishte thënë shefit të shërbimit sekret se më të do jetë deri në vdekje, ky politikan shqiptar do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme nga partia që e drejton. Kjo do të ishte puna më e vogël që do të mund të bënte ky njeri, i cili edhe ashtu nuk e meritonte të udhëheqte këtë parti për shkak se sa e sa herë humbi në zgjedhjet e organizuara në këtë shtet dhe se nuk mbahet mend që ka dhënë farë kontributi që edhe shqiptarët t’i gëzojnë të drejtat e barabarta me “ maqedonët”. Ky, pra, do të ishte një akt moral dhe asgjë më shumë, ndërsa historia do të flas kur të dalin edhe tjera punë të fshehura që ka bërë ky njeri. Edhe në partitë tjera shqiptare ka nevojë për një freski me kuadro të reja e profesionale, sepse në politik një dihet fare mirë politikani konsumohet pas një periudhe. As ministrat shqiptarë nuk di të duhej të rrinin ulur në kabinetin qeveritar të urdhërdhënësit të atij terrorizmi shtetëror mbi popullatën e pafajshme shqiptare.
E egër je ti Jankullovska e jo shqiptarët
Ministrja e Punëve të Brendshme të “ Maqedonisë” tashmë është njohur për shprehjet e saj raciste në drejtim të shqiptarëve. Ajo madje këtë popullatë shtetformuese e quan edhe të egër dhe e krahason me indianet e Amerikës Veriore. Mirëpo, urdhëri i dhënë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare në Kumanovë dëshmoi qartë se sa e egër është Jankullovska, se sa e pashpirt është kjo grua karshi shqiptarëve. Zatën, nuk mund të pritet më shumë nga një përfaqësuese e një popullate që nuk ka as identitet kombëtar, as flamur, as kulturë e as histori të saj. Vjedhja e identitetit, ndërtimi i statujave të personaliteteve të kombeve tjera, nuk të bënë të fortë, përkundrazi të bën qyqar, të bën të qesh bota më këtë naivitet ballkanas. U bë mirë që shkove për të mos u kthye kurrë në atë pozitë që shumë familjeve shqiptare ua nxive jetën. Mallkuar qofsh.
SHQIPERIA DHE KOSOVA NE PANAIRIN E LONDRES
Shqipëria dhe Kosova,në Panairin 56të- Pranvera Ndërkombëtare e Festivalit të Mallrave dhe Ushqimit në Londër/
Panairi 56të- Pranvera Ndërkombëtare Festivalit i Mallrave dhe Ushqimit, në Londër, është aktivitet bamirësie, dhe më i madh në Britaninë e Madhe, një ngjarje që tërheq me mijëra vizitorë gjatë ditëve që mbahet, shkruan shtypi londinez.
Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës, simbas një njoftimi në rrjetin shoqëror facebook, thonë se për dy ditë rrjesht kan qenë pjesëmarrës në Panairin e 56të- Pranvera Ndërkombëtare – Festivalit i Mallrave dhe Ushqimit, në Londër, duke prezantuar në hollin kryesor të Bashkisë Chelsea Kensington në Londër, mallrat dhe ushqimet shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria.
Në njoftimin e ambasadës së Shqipërisë thuhet se në këtë panair marrin pjesë një numër i madh ambasadash, diplomatët dhe familjarë të tyre, të cilët ekspozuan mallra nga secili vend.
Këtë, për Shqipërinë dhe Kosovën, e bënë edhe zonjat Lindita Greiçevci, Donika Berisha, Migena Baholli dhe Fatmira Seferi të ndihmuara nga zonja Mirela Gashi.
“Të dy vendet tona ekspozuan dhe morën pjesë me dinjitet në panair, duke u renditur midis vendeve që kontribuan konsiderueshëm për fondet e bamirësisë që mblidhen nga shitja e këtyre mallrave. Mallrat e këtij panairi, të gjtha të bëra me dorë, janë kontribut personal i zonjave të dy ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo i realizuar me fonde shtetërore nga asnjëra palë”, shkruan në faqen facebook – Ambasadori Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Sh.T. Z. Mal Berisha.
Serbia rehabiliton Drazha Mihailoviqin
Nga Ismet AZIZI/
Udhëheqësi i lëvizjes çetnike Drazha Mihailoviq është rehabilituar me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd.
Reagimet e para për rehabilitimin e Drazhës vijnë nga Sanxhaku, gjegjësisht nga Instituti për Hulumtime të gjenocidit dhe krimeve në Pazarin e Ri.
Përkujtojmë, kërkesa për rehabilitimin e Mihailoviq qysh në vitin 2006, është parashtruar nga nipi i tij, Vojislav Mihailoviq, profesorët e Universitetit të Beogradit Smilja Avramov dhe Kosta Çavoski, Këshilli Liberal Serb dhe Shoqata e Ushtrisë Jugosllave në atdhe (SSB). Familja dhe të tjerët kërkuan anulimin e vendimit të datës 15 korrik 1946 i cili Mihailoviqi është akuzuar për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë. Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua.
Për boshnjakët vendimi është i pavlefshëm, dhe do të refuzohet në mënyrë sistematike, thotë Drejtor i Institutit për Hulumtime të gjenocidit dhe krimeve dr. Admir Muratoviq shkruajnë mediat në Sanxhak.
Prof. Muratoviq konsideron vendim skandaloz politik i cili nuk është i bazuar në argumente juridike. Humbje më të madhe do të mund të kishin ata që e kanë sjellë dhe që kanë ndikuar në miratimin e këtij vendimi.
– Konsideroj se bëhet fjalë për ato forca të cilëve nuk iu konvenon që populli serb të njoh efektet e dëmshme të një politikë të tillë, thekson drejtori i Institutit.
Dhe një politikë e tillë këtyre forcave iu ka kushtuar në Luftën e Dytë Botërore, mandej viteve ’90 dhe deri më tani.
Prof. Muratoviq konsideron se janë ato forca të cilat dëshirojnë të parandaluar, ose të paktën të shtyjnë dialogun e paralajmëruar serbo-boshnjak. Për Boshnjakët vendimi për rehabilitimin ka pasoja para se gjithash emocionale. Boshnjakët, thotë Muratoviq, e dinë se kush ishte Draža Mihailovic. Për Boshnjakët ky vendim është i pavlefshëm, dhe do të refuzohet në mënyrë sistematike.
Boshnjakët, thotë, besojnë se ato forca në Serbi që njohin efektet e dëmshme të këtyre vendimeve, por edhe nevojën për pajtim në mes të dy popujve, të ndikojnë në krijimin e një të ardhme të përbashkët që do të jetë më e sigurt nga ajo e kaluara por edhe nga e tashmja.
Mihailoviq ishte udhëheqësi i parë jugosllav i kryengritjes popullore kundër pushtimit gjerman në vitin 1941 dhe u bë shpejt gjeneral dhe ministër i luftës nga qeveria mbretërore në mërgim në Londër.
Nga fundi i 1942, Mihajloviq ishte i bindur se komunizmi paraqiste një kërcënim më afatgjatë për Jugosllavinë sesa pushtimi i Boshtit nazist, dhe kërkoi t’i ruante forcat e tij për një përballje me partizanët e Josip Broz Titos.
Shkalla në të cilën ai kontrollonte forcat çetnike në Bosnjë dhe Kroaci, ku ata kryen krime shumë të shëmtuara, mbetet ende e hapur për diskutime.
Disa prej togerëve të tij të lartë në fushë, si “Papa” Dujic, bashkëpunuan haptazi me italianët dhe gjermanët në emër të ruajtjes së besimit ortodoks të Serbisë dhe të kombit. Ai dhe të tjerë gjithashtu vunë në shënjestër dhe vranë myslimanë boshnjakë dhe kroatët si edhe komunistë.
Pasi komunistët e Titos morën pushtetin në Jugosllavi, ata e përndoqën Mihajloviqin dhe e nxorën atë para gjyqit në Beograd në vitin 1946. Ai u akuzuar për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë. Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua.
KJO E PAZAKONTË DO TE NDODHI NË PRISHTINË
Nga Ramiz LUSHAJ/
A do të jetë aty dhe Presidentja e Kosovës, Shkelqësia e Saj, Atifete Jahjaga?/
Miku im i mirë Dëfrim Cani më teli dje lajmin se në murin e tij në fb, dr. Islam Lauka, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë e paska publikue një promovim libri më 14 maj 2015, 0ra 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë të poetes Zyra Ahmetaj. Ai ishte i mendimit ta uroja e ta falenderoja nga largësia Tiranë me zë apo mesazh. E pashë tevona. Sigurisht meriton mirënjohe publikisht. Diçka e pazakontë. Pse?
Shqipëria me dy shtetet e saj, në dy kryeqytetet Tiranë e Prishtinë, ia ka mbrri që dhe ambasadorët e politikës kombëtare shqiptare, si ky shembulli i dr. Islam Lauka në Prishtinë, të merren me organizimin e një promovimi libri deri në detaje, tek lajmtaria në fb, tek sigurimi i pjesmarrjes. Për gjithçka. Shqiptarisht. Shpirtërisht. Po i (ri)kthehemi librit. Po rritemi bashkë me librin. Ndryshe nuk mund t’i kapim lartësitë. Edhe ambasadorët po merren me lartësime të tilla.
Libri poetik “Alfabeti ynë” i Zyra Ahmetaj është për fëmijë. E ceka kit’ fakt se shpesh herë njerëzit që kapin lartësi harrojnë se kanë ecë dhe caca-caca. Apo ndryshe. Ambasadorët që tokin me elokuencë duart me burra të mëdhenj shtetesh e kanë të vështirë të akt-kryejnë sipërmarrje të tilla “të vogla” për një libër për fëmijët e vegjël. Përndryshe: unë s’kam pa e as nuk kam dëgjue në treva etnike shqiptare që një ambasador të organizojnë e të shkojnë në një promovim libri për fëmijë, veçse në libra të të rriturve, të të mëdhenjve, për libra me tema të mëdha të kohës.
E fundit, që mund të ishte dhe në vargni kryefjale, si tjetër e veçantë: poetja Zyra Ahmetaj, autore e disa librave për fëmijë e të rritur, tash 40 vjet është invalide, me aftësi të kufizuara apo me term shkencor “paraplegjike. Më duhet të kujtoj diçka: shumë njerëz të mëdhenj të botës ishin invalid, si presidenti amerikan Franklin Ruzvelt, që nga karroca e tij e invalidit udhëhoqi edhe koalicionin fitimtar treshe në Luftën e Dytë Botërore. Poetja Zyra gjithkahit ecën me karrocë, sikurse dhe më 14 maj 2015, ora 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë, në promovimin e librit të saj. Më duket sikur libri i saj i paradokohshëm “Flutuojnë engjëjt” i përket së parit asaj që po fluturon lartësive të jetës, të kohës. Ajo, Zyraja, është vlerësuar me titullin “Krenaria e Qytetit”nga Bashkia e qytetit tim alpin, nga bashkia e Bajram Currit. Boll me vend, me plot të drejtë. Prej kohësh, Zyraja është kryetare e dëgës së Tropojës për shoqatën bamirësë “Shpresë e dashuri”. E zgjedhur antare nderi e disa klubeve letrare dhe në Kosovë. Si rrallkush dinë ta qëndisin një kostum kombëtar shqiptar si për hobi nga fëmijëria dhe për të siguruar një jetë sa ma të mirë për veten e saj si, për familjen e saj disa antarëshe. Ka marrë pjesë në disa panaire kombëtare e ndërkombëtare. Ajo, në rininë e vet ma të hershme ishte një volejbolliste e njohur dhe në veprimtari kombëtare. Një lexuese e apasionuar. Qysh atëherit shkruante poezi e mendonte të botonte libra.
Në vitin 1975, në moshën 19 vjeçare, kur autobuzi i aksionistëve shkollarë të Tropojës po kthehej nga aksioni kombëtar në Kombinatin Metalugjik u rrëzue në Shpal të Mirditës. Aty u aksidentua dhe poetja Zyra Ahmetaj. E çaun në Tiranë, në Spitalin Universitar që sot mban emnin “Nënë Tereza”. Ato ditë ndodhesha me shërbim nga gazeta “Zëri i Rinisë” në Elbasan. Kam shkue të nesërmen e aksidentit me dhimbje panshqiptare dhe i kam takue të gjithë aksionistët, pasi asokohe punoja dhe vet me rininë në rrethin e Tropojës. Dhe aty isha me kit, status zyrtar. Ndër aksionistët takoj dhe Zyra Ahmetaj. Ajo i epte trupit të saj të ecte, po nuk mundtte të ngrihej. I dveta doktorrët. Ata më thanë se e ka të pamundur. Infermierë e familjarë i rrinin tek kryet me turne që Zyra të mos lodhej me provat e saj të pafund për t’u ringritur në kambë. Donte të fluturonte… Po ajo eci në jetë. Kahmos ka shkue në klinika të botës.
Tashti ecë me karrocë e ngrihet në kambë me paterica. Ka arritje në jetë. Një prej tyre është dhe libri me vjersha “Alfabeti ynë”. Vet ky promovim është diçka nga alfabeti ynë i kohës. Deshta që aty, më 14 maj 2015, ora 11.00, në kit promovim libri të Zyra Ahmetajt të ishte dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadorë të shteteve të ndryshme të botës të akredituar në Kosovë…Të ishim të gjithë.
Prokuroria e shtetit duhet t’i fillojë hetimet kundër të ‘fortëve’ të mafio-politikës!
Shkruan:Faik KRASNIQI/
Kosova po vuan nga keqqeverisja e kësaj klase politike, që e ka degraduar vendin për 16 vjet. Vazhdon të vuajë nga të zgjedhurit e saj në Qeveri dhe Parlament, por vazhdon të vuajë edhe nga drejtësia, që nuk ekziston. Njëkohësisht ajo po vuan edhe nga “vota” e qytetarëve, e blerë apo e shitur, e cila sjell dhe nxjerr politikanë të korruptuar në Qeveri dhe në të gjitha institucionet e vendit.
Të veprohet ndaj shkelësve të ligjit
Duhet që mbi bazën e ligjeve dhe atij ”antimafia” dhe të tjera, Prokuroria e shtetit të iniciojë dhe hetojë guximshëm të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e Kosovës, për t’u përballur me drejtësinë që nga zyrtari më i rëndomtë i shtetit e deri te presidenca e vendit, pra në të gjitha nivelet. Vetëm përmes saj mund ta fillojë të kthehet shteti në binarët e sundimit të ligjit, e jo të pushtetarëve sundimtarë mbi ligjin. Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të veprojnë, të bëjnë diferencimin brenda këtyre institucioneve dhe ata që mbesin të bëjnë veprim ndaj kujtdo qoftë që ka shkelur ligjin.
Iniciativa e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, për ta këndellur prokurorinë, është për t’u përshëndetur dhe duhet përkrahur nga qytetarët dhe shoqëria civile, sepse në mungesë të një shteti të fortë ligjor dhe kapjen e prokurorive dhe gjykatave nga të fortit e politikës dhe parapolitikës, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda etj., ka arritur kulmin dhe si pasojë e kësaj Kosova është në këtë gjendje të mjerueshme! Se sa do të këtë sukses Lumezi në këtë betejë apo ”luftë” do ta quaja, kundër të ”fortëve” të politikës dhe parapolitikës, mbetet të shihet! Pse po e them këtë, sepse korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, kontrabanda, zhvatja e parasë publike, pasurimi i paligjshëm, është zhvilluar pikërisht nga këta të lartpërmendurit, të cilët janë fajtorët kryesorë për moszhvillim ekonomik dhe në çdo qelizë të shtetit! Në rrugën e tij kryeprokurori i ri do të ketë shumë sfida, të cilat do të jenë të vështira. A do ta lejojnë të ”fortit” e politikës dhe të parapolitikës, që puna e Lumezit të ketë sukses, lë shumë për të dëshiruar, sepse për ta luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, informalitetin etj., i bie që duhet t’i godas pikërisht kriminelët e mafio-politikës.
Fajtorët kryesorë, kasta e vjetër politike
Nëse Lumezi nuk i godet direkt të ”fortit” e mafio-politikës, atëherë këtë s’do ta quaja ”luftë” për pastrimin e skenës politike, prokurorive dhe gjykatave nga keqbërësit dhe kriminelët të veshur me petkun e politikanit, por vetëm qitje hi syve popullit se gjoja e kemi seriozisht luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe gjitha të këqijat që këta kriminelë i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë Kosovës dhe popullit të saj, duke e lënë që të mos zhvillohet ekonomikisht, politikisht dhe në çdo aspekt! Pa u larguar nga skena politike kasta e vjetër politike që janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, nuk e marrë seriozisht që këtu do të ndodhin mrekulli, e këtë mund të na dëshmojë Lumezi, por nëse e lejojnë! Por nëse i godet vetëm bishtat e tyre, që kanë bërë krime ekonomike në favor të bosave të tyre, këtë s’do ta quaja se është duke bërë ”luftë” kundër korrupsionit, krimit dhe pastrim të skenës politike dhe institucioneve tjera shtetërore si Prokuroritë, Gjykatat, Doganat etj, por vetëm amnistim të të ”fortëve”, që ata të mbesin të palagur për të këqijat që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë.
Vetëm kur t’i shohim prapa grilave të ”fortit” e politikës dhe parapolitikës, dënimin e tyre me burgim të rëndë dhe konfiskimin e pasurive që e kanë krijuar paligjshëm, atëherë do të bindemi në punën e suksesshme të Prokurorisë së shtetit dhe Gjykatës për krime të rënda ekonomike. E atëherë do të kishim zhvillim të hovshëm ekonomik dhe shteti do të këndellej, sepse këta kapësit e shtetit, janë fajtorët kryesorë të moszhvillimit ekonomik dhe në çdo qelizë të saj.