Letër e Hapur/
Drejtuar: Z. Lulzim BASHA/
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë/
I nderuar zotëri Basha!/
Si për ironi të fatit, më 1 Prill 2015 u thirr nga PD, në selinë e saj, mbledhja e parë e partive tona, për të filluar negociatat për formimin e një koalicioni opozitar. Në atë mbledhje shprehëm bashkërisht vullnetin politik për koalicion midis nesh, me objektiv: fitoren e zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit 2015, duke u “… bazuar në parimet e transparencës, kolegjialitetit, proporcionalitetit dhe bashkëqeverisjes”.
Në atë mbledhje ne vendosëm bashkërisht afate për zhvillimin e negociatave midis subjekteve tona, për jetësimin e koalicionit tonë, duke iu referuar zotimit Tuaj se do të sundonte fryma e bashkëpunimit, e harmonisë, e besimit dhe respektit reciprok ndërmjet palëve.
Mbi këto baza, më datë 3 Prill 2015, PLL u ka paraqitur negociatorëve të PD një dokument ku shpreheshin propozimet tona për koalicionin…, dhe në të cilin i referoheshim realitetit politik, rezultateve faktike, eksperiencave të së kaluarës dhe synimit tonë të përbashkët për fitoren e zgjedhjeve vendore të radhës.
Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se propozimet tona ngjallën një debat konstruktiv me negociatorët tuaj, dhe se shkëmbimi i informacioneve që pasoi mbledhjen e datës 3 Prill 2015, si dhe takimi i datës 5 Prill 2015, krijuan bindjen se aktorët e koalicionit opozitar kishin arritur nivelin e një mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellët, që konsideron rrethanat dhe problematikat që secili subjekt duhet të përballojë në raport me realitetin e tij dhe të partnerëve politikë.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për mbledhjen që zhvilluam me negociatorët e PD-së më datë 8 Prill 2015, ku për çudinë tonë konstatuam një ndryshim të pozicioneve dhe qëndrimeve të miratuara më parë nga PD, gjë që shkaktoi edhe vonesa në përfundimin e negociatave.
Për të zhbllokuar situatën, propozova takimin kokë më kokë me Ju, takim të cilin e zhvilluam më datë 20 Prill 2015 në zyrën Tuaj, pasi vlerësova dhe vlerësoj se konturet e një koalicioni opozitar duheshin dhe duhen miratuar në nivelin më të lartë, për të siguruar pjesëmarrjen në këtë koalicion të PLL, si një parti kombëtariste, e djathtë dhe me trashëgimi antikomuniste.
Gjatë atij takimi, ne të dy miratuam pikat më të rëndësishme të koalicionit PD-PLL, ku përveç parimeve politike miratuam bashkërisht edhe disa aspekte teknike që do të ndihmonin koalicionin tonë për maksimalizimin e votave të djathta, por edhe për krijimin e ndjenjës së besimit reciprok.
Eksperiencat e së kaluarës kanë qenë shpesh herë të hidhura për PLL-në, sidomos gjatë procesit të numërimit, ndaj dhe vullneti ynë i përbashkët ishte që të tejkalohej kriza e mosbesimit.
Mekanizmi që kishim propozuar për këtë qëllim u pranua dhe u sanksionua në marrëveshjet dypalëshe që nënshkruam atë ditë.
Po Ju rikujtoj se kriteri mbi të cilin u dakorduam së bashku ishte i thjeshtë: Në bashkitë ku PLL e ka fuqinë elektorale për të nxjerrë këshilltarë nga listat e veta (sipas rezultateve të vitit 2011), PD do të vendoste në listat e saj dhe në pozicion të mundshëm zgjedhjeje një kandidat të propozuar nga PLL; dhe njëkohësisht, në të njëjtat bashki, PD do të kishte një kandidat në vendin të parë në listat e PLL për këshillat bashkiakë.
Ky kriter i shkëmbimit të kandidatëve do të materializonte edhe frymën e bashkëpunimit tonë, krahas materializimit të kriterit të proporcionalitetit dhe parimeve të mirënjohura të reciprocitetit dhe bashkërendimit të veprimeve tona. Por mbi të gjitha do të krijonte frymën e besimit reciprok, pasi strukturat tona do të ishin të siguruara në ndershmërinë e procesit të numërimit.
Në ditët në vazhdim, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin tonë, kemi patur disa takime me përfaqësuesit tuaj ku kemi paraqitur në mënyrë të argumentuar informacionet përkatëse për 30 bashkitë që miratuam së bashku dhe që integruam në marrëveshjen tonë.
Me vullnet të mirë dhe gjithmonë me frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok, pas nënshkrimit të marrëveshjes sonë, reduktuam bashkërisht numrin e bashkive objekt të marrëveshjes: nga 30, në 19.
Për fat të keq, PD nuk na paraqiti asnjë informacion lidhur me kandidatët e saj që do të renditeshin në listat tona në bazë të marrëveshjes.
Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura me telefon, e-mail dhe SMS për shkëmbimin e informacioneve që do të na mundësonin përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas dispozitave ligjore për regjistrimin e listave brenda afateve kohore, kemi marrë me telefon nga përfaqësuesi juaj një informacion verbal vetëm ditën e Hënë, më datë 4 Maj 2015, në ora 17:00, pra vetëm 60 minuta para përfundimit të afatit zyrtar për paraqitjen e listave në KQZ dhe KZAZ-të. Bëhet fjalë vetëm për 9 raste (nga 19 që kishim rënë dakord) dhe ku shumica e propozimeve të PLL në listat e PD ishin ishin renditur në pozicione jashtë mundësisë për tu zgjedhur. Ndërkohë, asnjëherë nuk kemi marrë informacion për kandidatët e PD, që sipas marrëveshjes, do të ishin në pozicionet nr. 1 në listat e PLL.
Këto vonesa tuajat na kanë shkaktuar dëme serioze, sepse, për shkak të marrëveshjes, të cilën ne legalistët e kemi zbatuar deri në sekondën e fundit duke pritur edhe nga PD të njëjtën gjë, kandidatët tanë më të mirë kanë mbetur edhe jashtë listave tona, ngaqë sipas marrëveshjes ishin parashikuar të ishin brenda listave tuaja dhe ne vend të sigurt, sipas kriterit të shkëmbimit të kandidatëve.
Legalistët e bazës e kanë lexuar shkeljen tuaj të marrëveshjes si veprim të qëllimtë për eliminimin e lidershipit të PLL dhe kontributeve të tij të padiskutueshme në pushtetin e ardhshëm vendor…, pushtet që, pas reformës territoriale, është tejet më i rëndësishëm. Gjithashtu ata e kanë lexuar shkeljen tuaj të marrëveshjes si një synim për dëmtimin e PLL dhe të së Djathtës tradicionale në vendin tonë.
Zotëri Basha!
PLL ka pranuar të bashkohet në koalicionin APPD duke u nisur nga vullneti ynë për të bashkuar forcat dhe energjitë tona për një kauzë që ne legalistët e konsiderojmë të drejtë.
Ne, asnjëherë në historinë tonë politike nuk e kemi konsideruar aksionin tonë në raportin e ngushtë “pushtetarë-opozitarë”, dhe anasjelltas. Përkundrazi, besojmë se populli shqiptar ka të drejtën të gëzojë një qeverisje qendrore dhe vendore të bazuar në vlerat që e Djathta dhe elektorati i saj mbartin dhe përfaqësojnë.
Ndonëse shpesh herë elektorati i djathtë ka pranuar të heshtë për hendekun fiktiv që është krijuar pas vitit 1990 midis dy blloqeve politike që e kanë vendosur aksionin e tyre në raportin “pushtetarë-opozitarë”, – sot ka ardhur koha që ky elektorat të vlerësohet me respekt dhe dinjitet për kontributin e vet të paçmuar për demokracinë, ligjin dhe shtetin.
Gjithmonë kemi konsideruar se luajaliteti dhe korrektësia në hartimin dhe zbatimin e marrëveshjeve parazgjedhore do të ishte një shtysë e madhe për motivimin e elektoratit të djathtë, sidomos pas humbjes së zgjedhjeve politike të vitit 2013.
Gjithashtu kemi bindjen se, shkelja e marrëveshjeve midis partive opozitare sot, do të përkthehej nga elektorati ynë, ende i traumatizuar pas humbjes së vitit 2013, si një ndërmendje e një përfundimi se, kur arrihet të shkelet brenda pak ditësh deri edhe kontrata midis partnerëve politikë që është e nënshkruar me firmë dhe vulë, atëherë çfarë sigurie mund të ekzistojë se nuk do të shkelet edhe kontrata e pushtetarëve tanë vendorë me zgjedhësit dhe mbarë qytetarët?!
Shkelja brenda pak ditësh e marrëveshjes së sipërcituar, ne legalistëve dhe mbarë kombëtaristëve na kujton Mukjen…
Por për Mukjen do të shkruaj një herë tjetër, ndoshta shumë shpejt.
Sulejman Gjana
Kryetar i PLL
Kumanove, 22 të vdekur pas përleshjeve të armatosura
SHKUP, 10 maj /ATSH-AFP/ – Përleshjet e armatosura dje dhe sot në veri të Maqedonisë, në Kumanovë në kufi me Kosovën, kanë shkaktuar 22 të vdekur, tetë prej të cilëve policë dhe 14 anëtarë të një grupi të armatosur, theksoi policia.“Tetë policë janë vrarë dhe 37 të tjerë janë plagosur”, deklaroi për shtypin një zëdhënës i policisë, Ivo Kotevski duke shtuar se operacioni ishte drejt fundit.“Nga ana tjetër, 14 trupa të veshur me uniformë u gjendën në vend”, shtoi ai duke konfirmuar se anëtarët e grupit të armatosur ishin pjesë e një grupi terrorist prej 30 personash.(Sipas Agjensise Telegrafike Shqiptare)
EMIN AZEMI PER NGJARJET NE KUMANOVE
Kumanova gdhiu me 9 maj në një panik të paparë. Të gjithë ne që ndodheshim në këtë qytet, mundëm nga afër të ‘’prekim’’ psikozën e një atmosfere lufte. Detonime të fuqishme, kalibra armësh nga më të ndryshmet.
Mbi qiell pati edhe helikopterë. Breshëria e të shtënave kishte prishur sidomos gjumin e fëmijëve. Ata nuk e kishin ditur se sërish dikush do t’ua prish gjumin.
Sërish, dikush do të kujdeset që pikërisht në këtë zonë, të banuar me njerëz të urtë e hallexhinjë, të sprovojë edhe njëherë durimin e tyre.
Kumanova sot u rizgjodh sërish për të eksperimentuar armatimin dhe municionet e blerë taze nga shteti, por nuk e kemi ende të qartë se kundër kujt sot luftoi shteti i Maqedonisë.
Banorët përreth shtëpive ku u zhvillua përleshja nuk kanë lidhje me atë se çka ka ndodhur. Askush nuk di të tregojë se kush janë njerëzit misterioz kundër të cilëve sot u shkrepën gjithë ato armë dhe u zhvillua gjithë ajo përleshje mbi dy orëshe.
Pse pikërisht sot Kumanova edhe njëherë u zgjodh të jetë ‘’fole qyqesh’’ dhe pse pikërisht kjo zonë e qetë u piketua si një fushëbetejë absurde. Nuk e kemi të qartë se kush i solli ‘’vezët e qyqes’’ në këtë qytet, por një është e qartë se kushdo që të jenë ata, që sot iu futën kësaj aventure diletante, i kanë bërë një shërbim kolosal regjimit aktual, duke ia zgjatur jetën për aq sa atij do t’i duhet t’i realizojë edhe skenaret tjera. Të realizojë atë që paralajmëruam ditë më parë,:
1. T’i mbyllet goja opozitës maqedonase, që ajo të mos dominoj hapësirën publike me të vërtetën e saj për babëzitë e pushtetit
2. Që shqiptarët në vend se të kthjellen dhe të konsolidohen për një ristrukturim të ri politik, ata tash duhet të mbrohen nga sulmet për vepra e trilluara subverzive kundër shtetit
3. Opinioni publik maqedonas të homogjenizohet rreth idesë megalomane të Gruevskit për ruajtjen e Maqedonisë nga ‘’tradhtarët’’ maqedonas dhe ‘’bashkëpunëtorët’’ e tyre shqiptarë
Asnjë shqiptar në Kumanovë nuk ishte i rrezikuar nga askush që të ketë nevojë dikush prej anësh të vijë dhe t’i ‘’mbrojë’’ ata. Asnjë shqiptar në këtë qytet nuk pati nevojë që dikush të futet në shtëpinë aty afër dhe prej aty të zhvillojë njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë.
Kush deshi edhe njëherë këtë popullatë ta paraqesë kaq pa tru dhe kaq jointeligjente. Pse ka nevojë që tash zëdhënsit policorë ta tregojnë versionin e tyre për këtë aksion misterioz, ndërkohë që asnjë burim tjetër jozyrtar nga ana e shqiptarëve, madje edhe nga ata që supozohet se sot luftuan me shtetin e Maqedonisë, nuk po arrin të zbardh ndonjë detaj se çka në të vërtetë sot ndodhi në orët hershme të mënghjesit në Kumanovë.
Duke qenë viktimë vetëm të një vërtete që na servon shteti, shqiptarët, jo vetëm të Kumanovës, në mungesë të një truri politik shqiptar këtu, do të përdoren edhe gjatë kohë si pëluhurë toreadorësh për të mashtruar demin e harlisur, që pamëshirshëm shkel mbi fatet e qindra mijëra njerëzve.
Dikush, nesër, do të duhej ta paguaj tagrin e këtij mashtrimi.
Në Kumanovë sot pati shumë krisma, por ato nuk arritën të shurdhojnë vetëdijën e kësaj popullate e cila është e bindur se edhe këtë mëngjes maji dikush deshi ata t’i qeras me një omlet ‘’vezë qyqesh’’.
Terroristët nuk munden të çrrënjosin aspiratën për liri
Nga Aurel Dasareti, USA/*
* Terrorizmi shtetëror është një formë e terrorizmit të kryera nga qeveria e një shteti barbar, siç është FYROM-i./
***
Terrorizmi është një term politike e diskutueshme që mund të definohet si terrorizëm i ushtruar nga një Shtet. Edhe pse nuk ka konsensus në mesin e shkencëtarëve rreth nëse aktet e dhunshme të kryera nga shtetet dhe institucionet shtetërore të tilla si ushtarake, policore dhe të shërbimeve të inteligjencës duhet të përfshihen në konceptin e terrorizmit, ka arsye të mira për ta bërë pikërisht atë. Një shtet terrorist është territorialisht një entitet i veçantë politik që përdorën detyrimin dhe dhunën kundër shteteve tjera ose qytetarëve të vet me qëllim djallëzor për të frikësuar apo për t`i detyruar ata që pa rezerva të pranojnë ideologjinë e tij, duke arritur një pozitë dominuese në botë apo qëndrimit të përhershëm në pushtet (fuqi) në vendin e tyre.
Nëse një organizatë nëntokësore e shpërthen një bombë në një vend publik, është ajo një akt terrorist. Por ajo mund të vihet në pikëpyetje (është e diskutueshme) nëse është aq shumë një akt terrorizmi, kur një avion ose helikopter ushtarak, për hakmarrje, lëshon bomba mbi një qytet, kamp refugjatësh etj dhe të plagosë dhe të vras shumë më tepër civilë. Është mjaft e qartë se qeveritë shtetërore disponojnë një aparat dhune dhe represioni shumë më të madh dhe ata mund të sjellin shumë më tepër vuajtje dhe vdekje se sa grupet terroriste kanë arritur ndonjëherë.
Terrorizmi shtetëror mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga forcat ushtarake nacionale ose forcat e sigurisë, ose tërthorazi, përmes organizatave terroriste të mbështetura nga shteti. Shtetet mund të terrorizojnë popullatën e tyre, për të garantuar sovranitetin dhe shtypur rryma të kundërta, ose të shtetasve të huaj, për të mbështetur një regjim të preferuar ose për të destabilizuar një regjim të padëshiruar.
Ekzistojnë shembuj të shumtë të qeverive që ushtrojnë dhunën kundër civilëve si brenda dhe jashtë kufijve të tyre kombëtarë, që të modifikojnë hapat e veprimit dhe modelet e sjelljes të të tjerëve përveç atyre që janë prekur drejtpërdrejtë nga veprimet e dhunshme. Qëllimi është që të trembë njerëzit për të vepruar – ose të përmbahen nga të vepruarit – në mënyra të caktuara. Terrori për këtë arsye mund të përdoret për të ruajtur rendin ekzistues shoqëror. Disa njerëz i referohen këtij fenomeni si “terrorizëm nga lart”. Shembuj: Terrori i Rusisë mbi Çeçeninë, terrori i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës, terrori i FYROM-it mbi shqiptarët e asaj troje etnike të pushtuar dhe kolonizuar.
Ka edhe arsye të mira për të bërë dallimin në mes të terrorizmit shtetëror dhe terrorizmit tjetër. Shtetet kanë një pozitë pushteti krejtësisht të ndryshme se grupet kundërshtare, dhe për këtë arsye mund të përdorin mjete të dhunshme, si pjesë e strategjive politike rrënjësisht të ndryshme se sa që mund të kenë terroristët “subversiv”. Kur grupet joqeveritare përdorin terrorin, një nga qëllimet më të rëndësishme është për të arritur publicitet. E kundërta është në rastin e terrorizmit shtetëror. Këtu shteti që ushtron terrorin përpiqet për të shmangur publicitetit, të paktën në lidhje me botën e jashtme.
Shteti shpesh definohet si institucion që ka “monopolin mbi përdorimin legjitim të dhunës.” Në praktikë, kjo i jep legjitimitet, madje edhe në rastet kur policia dhe ushtria përdoret për shtypjen dhe vrasjen masive të qytetarëve të vet. Grupet jo-qeveritare janë quajtur si të paligjshme nëse ata përdorin dhunën, edhe në rastet kur ata janë duke luftuar për një “të drejtë” legjitime. Krahasuar me metodat që shteti zakonisht mund të përdorë për mbrojtjen nacionale dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit, terrorizmi shtetëror konsiderohet si keqpërdorim (abuzim) të pushtetit legjitim dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.
Studimi mbi terrorizmin kritikohet nga qarqe të ndryshme sepse bazohet vetëm në përcaktimet e terrorizmit “të kontrolluar”, dmth i aktorëve jo-shtetërorë, ndërsa terrorizmi i “verifikuesit” – i shtetit dhe aparatit të pushtetit – mbahet jashtë këtij termini (amnistohet). Kritikët thonë se të dy aktorët domosdoshmërish të trajtohen brenda të njëjtit model.
Terrorizmi shtetëror ndryshon nga terrorizmi tjetër në aspektin e mjeteve, strategjive dhe objektivave. Shumë njerëz zgjedhin për ta parë terrorizmin shtetëror si një formë e veçantë e dhunës terroriste.
Organizatat revolucionare ose nacionaliste terroriste as përafërsisht nuk kanë një aparat dhune me të njëjtin potencial siç ka një shtet. Terroristët “tradicional” zakonisht përdorin dhunën në shkallë relativisht të vogël.
Me fjalë tjera, strategjia e terroristëve “tradicional – të rëndomtë”) nuk është kryesisht për të çrrënjosur ose shkatërruar (shfarosur) tërësisht kundërshtarin, siç është shpesh rasti me terrorizmin shtetëror, si për shembull të FYROM-it.
“Zgjidhja përfundimtare” e Gjermanisë naziste, “Proceset e pastrimit” e Stalinit, masakrat turke të armenëve dhe gjenocidi i regjimit “Kmerët e Kuq” në Kamboxhia, janë shembuj të terrorizmit shtetëror. Ndërkaq, terrorizmi shtetëror sllavo-ortodoks “maqedon” mbi popullatën shqiptare është një kombinim i pistë i këtyre katër llojeve terrorizmi. Qëllimi: Masakrat dhe Gjenocidi si Procese Pastrimi, Zgjidhja Përfundimtare e çështjes shqiptare në FYROM.
***
Kopilët terroristë, që ta largojnë vëmendjen e opinionit nga “bombat” e Zoran Zaevit, me gjithë arsenalin dhe teknikën policore-ushtarake e masakruan Kumanovën shqiptare.
Asnjë shtet ligjor, në asnjë rast, nuk justifikon masakrat dhe terrorin mbi civilët e pafajshëm.
FYROM nuk është shtet por një katrahurë terroriste, e udhëhequr nga një qeveri jo-legjitime terroriste: VMRO-DPMNE: Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska…dhe zagarëve shqipfolës të BDI dhe PDSH: Ali Ahmeti, Menduh Thaç etj. Megjithatë, do të dështojnë. Terroristët nuk munden të çrrënjosin aspiratën për liri të kombit tim të terrorizuar, i cili kur të vije koha e gjykimit, gjakpirësit dhe tradhtarët do t`i varrosi aq thellë sa që kurrë nuk do të ngjiten lartë përsëri.
Agresioni ndaj qenies dhe dinjitetit tonë kombëtar nuk ka fund. Të kthjellojmë mendjet, le të ringjallen zemrat tona, ajo kreshnikja e trashëguar nga të parët tanë, që të jemi këmbëngulës dhe të paepshëm në mbrojtjen e Atdheut të gjyshërve tanë nga tirania, vdekja dhe rrënimi.
*, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Shtetrrethimi i Lagjes së Trimave në Kumanovë është krim lufte
Nga Bardhyl Mahmuti/
Jam duke përcjellë me shqetësim të madh indiferencën ndërkombëtare përballë shtetrrethimit të Lagjes së Trimave në Kumanovë nga forcat policore dhe ushtarake të diktaturës VMRO-BDI. Askush nuk e di se çka ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur me civilët shqiptarë në këtë lagje, askush nuk e di se sa civilë janë të vrarë dhe kush janë ata. Situata është tejet dramatike dhe mund të fshehë tragjedi të mëdha njerëzore.
Mbajtja në shtetrrethim të mbi 20 mijë shqiptarëve dhe imponimi që të qëndrojnë në territorin ku përdoren të gjitha mjetet e luftës tokësore dhe ajrore është një krim i rëndë lufte. Prandaj, sensibilizimi ndërkombëtar i kësaj çështje është në interes të uljes së tensioneve të konstruktura nga ky regjim diktatorial.
Ftoj institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës që të ushtrojnë ndikimin e tyre te institucionet relevante ndërkombëtare që të ndërhyjnë energjikisht për heqjen e shtetrrethimit dhe hedhjen dritë mbi atë që ka ndodhur me civilët shqiptarë.