Intervistë e z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dhënë Editorit të Gazetës DIELLIT në SHBA, Dalip Greca/
Z. Sulejman Gjana, kryetar i Legalistëve shqiptarë kreu një vizitë pune në SHBA. Ai ishte mysafir në shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, pati takime pune me strukturat e Partisë së Lëvizjes së Legalitetit në SHBA, ishte i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës , ku ai përshëndeti; pati takime pune me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishte një takim të frytshëm me kongresistin Eliot Engel, mik i shqiptarve, ishte pjesë e panelit të konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York, u takua me komunitetin hebre, me krerët fetarë etj. Në fund të vizitës z. Gjana dha intervistën e mëposhtme për Gazetën DIELLI. Ndiqeni:
Pyetje: Z. Gjana ju kryet një vizitë në ShBA. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?
Gjana: Vizita ime në SHBA kishte disa qëllime. Së pari, për të takuar anëtarët dhe simpatizantët e Legalitetit që nuk janë të pakët në SHBA. Dega e PLL në SHBA që aktualisht drejtohet nga z. Hakik Mena është një ndër degët tona shembullore si nga historia e saj ku unë gjykoj se Etërit Themelues (founding fathers) të Legalitetit e kanë krijuar këtë degë dhe ideologjinë e PLL, si nga cilësia e përbërjes së kryesisë dhe anëtarësisë aktuale, si nga aktivitetet e kësaj dege në komunitetin shqiptar në SHBA, kontaktet që mban me partnerët tanë amerikanë dhe mbeshtetja e saj për partinë në Shqipëri. Së dyti, vizita ime kishte një axhendë të ngjeshur takimesh me zyrtarë amerikanë dhe miq të Shqipërisë. Po ashtu, kisha një ftesë për të qenë në panelin e konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York. Isha gjithashtu i ftuar në disa aktivitete të komunitetit shqiptar në New York dhe Connecticut me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës. Kisha po ashtu disa takime me përfaqësues të lartë të disa komuniteteve fetare në SHBA, ku ne kemi raporte të ngrohta edhe me komunitetin hebre i cili nuk harron kurrnjëherë mbështetjen që Shqipëria dhe Mbreti Zog ju dha atyre në vitet kur ishin të rrezikuar në vendet e tjera të Europës para LDB. Sigurisht që vizita ime kishte për qëllim edhe të takoj personalitetet dhe shoqatat shqiptare aktive në SHBA me të cilat PLL dhe legalistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi siç është Federata Pan-shqiptare Vatra.
Përse zgjodhët Vatrën për vizitën tuaj të parë?
Gjana: Vatra dhe udhëheqësit e saj kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar dhe në kohëra të vështira siç ishin vitet e para të lindjes së mundimshme të shtetit shqiptar, koha e diktaturës komuniste në Shqiperi, periudha e gjatë e pushtimit të Kosovës, demokracia e brishte dhe tranzicioni i pafund në Shqipëri, etj; dhe ky kontribut duhet vlerësuar!
Nga ana tjetër, duhet të rrëfej se unë ndihem si në shtëpinë time tek Vatra dhe kjo për disa arsye: së pari, sepse një histori e gjatë e lidh Legalitetin dhe organizatën Vatra ku shumë personaletite të legalitetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në strukturat drejtuese të kësaj organizate dhe ku legalistët dhe zogistët shqiptarë i kanë dhënë Vatrës një mbështetje të konsiderueshme në vazhdimësi; së dyti, sepse Vatra dhe Legaliteti kanë si emërues të përbashkët çështjen kombëtare dhe angazhimin e vazhdueshem dhe të pakursyer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si dhe për bashkim kombëtar; se treti, sepse Vatra është gjithmonë një burim dhe frymëzim ndjenjash patriotike dhe atdhetare për të gjithë shqiptarët dhe çdo takim tek Vatra dhe me vatranët shërbejnë si ushqim shpirtëror që nxit për të punuar dhe vepruar në shërbim të kombit dhe vendit tonë.
Ju patët takime edhe me përfaqësues zyrtar të politikës Amerikane. Cilin takim do të veçonit dhe çfarë përcollët në këto takime?
Gjana: Natyrisht takimet me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishin një rendësi të veçantë, sepse jetojnë mjaft shqiptaro-amerikanë në këto dy shtete dhe mund të zhvillohen shumë projekte në interesin tonë reciprok. Por, unë do të veçoja takimin në Kongresin amerikan, sidomos atë me Kongresmenin Eliot Engel i cili është një mik i ngushtë i Shqiptarëve. Në të gjitha takimet që zhvillova me zyrtarët amerikanë unë u përcolla vlerësimet e PLL për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon dhe theksova aty ky ishte e nevojshme edhe shqetësimet tona lidhur me disa çështje të rendësishme siç janë dekomunistizimi kurrnjëherë i realizuar i shoqërisë dhe organeve të pushtetit në Shqipëri, çështja e pronës, ajo e ish-të përndjekurve politikë, çështja e sistemit që është ndërtuar në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që diskriminon qindra mijëra zgjedhës dhe përqëndron pushtetin ndonëse jo më në duart e një partie, gjithësesi në duart e dy partive pasuese të saj… Paraqita alternativën e PLL jo vetëm për të ardhmën e Shqipërisë por edhe pikëpamjet tona lidhur me situatën në rajon.
Po në Komunitetin Shqiptar, cila ishte axhenda e takimeve?
Gjana: Përveç vizitës te Vatra, isha i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë të Kosovës dhe ku mbajta një fjalë rasti dhe përshëndeta këto ceremoni. Zhvillova gjithashtu 4 mbledhje të veçanta me strukturat drejtuese të degës tonë në SHBA dhe me anëtarë e simpatizantë e PLL. Bëra edhe disa vizita tek disa veteranë të Legalitetit siç janë zz. Musli Mulosmanaj dhe Ndrec Gjergji në New York dhe z. Idajet Bushka në Waterbury të cilit i dorëzova një mirënjohje në emër të PLL “për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj PLL, Mbretit Leka, çështjes kombëtare dhe kauzave tona në kohërat më të vështira”. Pjesë e axhendës time ishin edhe takimet me mediat shqiptaro-amerikane si Dielli, Illyria, Bota Sot dhe Televizori Kultura Shqiptare.
Çfarë mendoni për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë në raport me çështjet e pazgjidhura Kombëtare?
Gjana: Besoj se diaspora shqiptare në Amerikë mund të luaje një rol të rendësishëm në favor të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe sidomos të çështjeve kombëtare akoma të pazgjidhura. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zhvilluar një ndërgjegjësim dhe lobing tek institucionet amerikane në favorin tonë dhe duhen angazhuar të gjitha energjitë e shëndoshta kombëtariste në këtë drejtim. Mund të sensibilizohen edhe institucione ndërkombëtare dhe sidomos OKB dhe mediat e huaja lidhur me çështjen kombëtare shqiptare. Mërgata shqiptare, sidomos ajo në SHBA, ka dhënë provat e veta në të kaluarën përmes një kontributi të paçmueshëm në favor të demokracisë në Shqipëri dhe pavarësisë së Kosovës dhe besoj se një koordinim i veprimeve tona do të japë rezultate të pallogaritshme për kombin shqiptar.
Në takimin në Vatër juve ju shtrua një propozim për të krijuar një bashkim të forcave nacionaliste në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Egziston kjo mundësi? Si e konceptoni një bashkrëndim pune me platformë kombëtare?
Gjana: PLL ka bashkëpunuar gjithnjë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që kanë një platformë kombëtariste. Ne e kemi platformën kombëtariste të qartë dhe angazhimin tonë e kemi të shkruar edhe në programin tonë. Nuk e kemi përdorur kurrnjëherë çështjen kombëtare për interesa politike dhe nuk pranojmë demagogjinë që përdorin disa parti apo individë në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Por ekzistojnë hapësira për një bashkërendim të përpjekjeve tona dhe jemi duke punuar në këtë drejtim me disa intelektualë dhe subjekte aktiv në trojet shqiptare.
Çfarë është cështja Kombëtare për Legalistët Shqiptarë?
Gjana: Për PLL çështja kombëtare është e drejta natyrore e popullin shqiptar që të jetojë i lirë dhe i bashkuar në trojet e veta. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se realizimi i aspiratave tona është një proces që do të kërkojë shumë kohë. Duhen marrë parasysh kushtet dhe mundësitë reale si dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare. Por nuk duhet hequr dorë nga e drejta jonë ashtu siç nuk kemi hequr dorë për sa i përket pavarësisë së Kosovës në kohën kur nuk bëhej fjalë për një pavarësi dhe madje nënshkruheshin edhe traktate ndërkombëtare që siguronin status quo-në në Europë. Kujtoni psh Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 dhe ja ku është Kosova sot: një shtet i pavarur!
Si do ta vlerësonit gjendjen e sotme të Shqipërisë nën qeverisjen e koalicionit të Majtë?
Gjana: Gjykoj se gjendja në Shqipëri nuk është aspak e kënaqshme. Premtimet elektorale nuk po mbahen, madje është punuar në drejtim të kundërt. Kriza ekonomike, rritja e çmimeve, papunësia dhe borxhi publik kanë arritur nivele të frikshme dhe indikatorët ekonomik nuk japin asnjë shenjë të përmirësimit të gjendjes në muajt dhe vitet e ardhshme. E drejta e pronës paraqet akoma probleme që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin ta zgjidhë në mënyrë të drejtë dhe qeveria aktuale nuk po bën asnjë hap në këtë drejtim. Mënyra e qeverisjes me revanshizëm dhe dhunë nuk është ajo që shqiptarët meritojnë pas traumes që kanë pësuar prej komunizmit. Qeveria socialiste ka shkelur edhe vendime të gjykatës kushtetuese dhe kjo është e papranueshme në një demokraci. Por është e vërtetë se sistemi që komunistët krijuan pas 90-ës është një demokraci e brishtë dhe një i ashtuquajtur tranzicion i pafund. Politikat konfliktuale dhe vendimet arbitrare nuk japin rezultat të dobishëm për vendin dhe unë gjykoj se nuk u shërbejnë interesave të popullit dhe kombit.
Po për zhvillimet në Kosovë, çfarë mendimi keni?
Gjana: Ne kemi qenë të parët që parashikuam një koalicion LDK-PDK pak orë pasi u publikuan rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2014 dhe në analizën tonë e konsideronim këtë koalicion, ndonëse jo të deshiruar prej nesh, si një zgjidhje e përkohshme të situatës paszgjedhore. Nëse do të ishin lexuar me kujdes sugjerimet tona, nuk do të kishim humbur kaq shumë muaj pa qeveri në Kosovë dhe nuk do të kishim krijuar përshtypje negative tek partneret tanë ndërkombëtarë. Ndërkaq, kjo qeveri nuk e ka punën e lehtë dhe zhvillimet politike dhe institucionale që priten mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës.
Lidhur me eksodin e madh të shqiptarëve, unë gjykoj se qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe. Përveç zgjidhjes së krizës ekonomike e shoqërore dhe krijimit të besimit për të ardhmen sidomos tek rinia, besoj se qeveria e Kosovës duhet të kishte marrë masa për të parandaluar një eksod masiv dhe ilegal drejt BE. Ajo që me çudit është se autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë nuk morën masat e duhura për ta parandaluar por lejuan indirekt këtë eksod, i cili në fund të fundit përkeqësoi imazhin e Kosovës në Europë dhe nuk i shërbeu aspak interesave të Kosovës por i shërbeu vetëm dashakeqëve të Kosovës dhe trafikantëve të paskrupuj. Të paktën, presim që organet kompetente të Kosovës të ndëshkojnë ata që organizuan këtë trafik dhe eksod ilegal.
Si do ta karakterizonit gjendjen e të drejtave të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës?
Gjana: Situata e Shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka të ngjarë me atë të Luginës së Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi. Edhepse të drejtat e shqiptarëve shkelen si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovën Lindore (ndonëse me një intensitet më të madh në Kosovën Lindore), në Mal të Zi mund të arrihet më shumë nëse faktori politik shqiptar angazhohet për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve me aq vendosmëri sa i mbron interesat e shtetit malazez. Ndërsa, në Kosovën Lindore raportohen ende raste të shumta të dhunës e presionit ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe gjendja ekonomike është shumë e rëndë sepse atje Shqiptarët trajtohen si popullsi e dorës së dytë. Besoj se Serbia është e interesuar që shqiptarët të braktisin shtepitë dhe tokat e tyre në Kosovën Lindore dhe po përdor të gjitha mjetet për të realizuar këtë qëllim. Dhe për fat të keq, shqiptarët në Kosovën Lindore nuk gëzojnë asnjë mbrojtje edhepse një gjë e tillë do të ishte e mundur nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte reciprocitet për çfarë u ofron serbëve në Kosovës dhe nëse diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës do të angazhoheshin në mbrojten e tyre.
Çfarë e pengon suksesin e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.
Gjana: Për mendimin tim, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të miratojnë ndërmjet tyre një platformë kombëtare të përbashkët që do të ishte minimumi, pa realizimin e të cilit asnjë parti nuk do të pranonte të hyjë në një koalicion qeverisës.
Po marrdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës si do t’i vlerësoni? E shihni të largët bashkimin Kombëtar dhe përmes kujt rruge?
Gjana: Besoj se nëse do të ekzistonte vullneti politik dhe një përkushtim kombëtarist i politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë, një bashkim ndërmjet dy shtetet tona do të ishte plotësisht i mundur nëpërmjet një Konfederate Shqiptare ku do të siguroheshin të drejtat dhe interesat e të dy entiteve konfederative por edhe të partnerëve tanë.
Ju lutem, për lexuesin e Diellit, kush është Sulejman Gjana: Ku keni lindur, për cfarë keni studuar, cfarë hoby keni? Cila është familja juaj?
Gjana: Kam lindur në Bruksel në vitin 1970. Kam mbaruar në Bruksel, në vitin 1993, fakultetin e Shkencave Tregtare e Konsullore dhe kam përfunduar edhe studime pas universitare (MBA – Master in Business Administration). Kam punuar si drejtor i shtypit të huaj në Belgjikë për gati 15 vjet dhe njëkohësisht drejtor i një filiali të një grupi të madh francez, “Hachette”. Kam qënë në të njëjtën kohë anëtar i bordit drejtues të “DistriPress”, organizatë ndërkombëtare aktive në sektorin e medias së shkruar me seli në Zyrih. Kam drejtuar po ashtu disa vite katedrën e shkencave të manaxhimit ku isha përgjegjës i lëndes së Marketingut Ndërkombëtar në një universitet privat në Bruksel (ULI).
Familja ime është arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi im nga nëna bashkë me të gjithë burrat e fisit të tij u pushkatua në Shtator të vitit 1944 nga bandat kriminale komuniste; ndërsa gjyshi im nga babai, pas shumë peripecish, vuajtjesh dhe dënimesh që kishim pësuar në familje nga diktatura komuniste, u arratis në vitin 1956. Familja ime ka qenë pjesë e Legalitetit për vite me radhë e vazhdon të jetë ende. Ndërkohë unë kam qenë që prej vitit 1994 kryetar i Legalitetit në Belgjikë por nuk ka munguar edhe angazhimi im në strukturat drejtuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Shqipëri: prej vitit 1998 deri në 2008 isha Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i PLL dhe në vitet 2008-2009 Sekretar Politik, pastaj Nën-Kryetar i PLL nga viti 2009 deri në Kuvendin e fundit më dt. 24 Nëntor 2013 ku u zgjodha Kryetar i PLL. Kam qenë edhe kandidat për Deputet i PLL në qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri.
Kam qenë mjaft aktiv në shumë aktivitete me karakter politik e kombëtar. Isha Nën-kryetar i Grupit të Emergjencës për Kosovën në Belgjikë gjatë kohës së luftës (1998-1999) ; kam qenë Nën-kryetar i shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në kohën kur ky Universitet nuk gëzonte njohjen e shtetit maqedon (1999-2002) ; kam berë lobing pranë institucioneve të huaja lidhur me manipulimin e referendumit e vitit 1997 për Monarkinë në Shqipëri; kam qenë bashkë-organizator i protestave në favor të pavarësisë së Kosovës në vitet 1998-2000 dhe i protestave “Nano Ik” në Bruksel në vitin 1994. Kam dhënë disa intervista, mbajtur konferenca në Rotary Club të Brukselit si dhe shkruajtur disa artikuj në favor të Pavarësisë të Kosovës. Jam angazhuar edhe në organizim e disa aksioneve me ndihma humanitare për Shqipërinë që prej vitit 1992 dhe kam dhënë një mbështetje edhe në aktivitete kulturore dhe shoqërore në Shqipëri.
Gjatë vitit 2012 kam qenë bashkë-organizator i aktiviteteve më të rendësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë për rritjen e prestigjit dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të vendeve tona duke organizuar konferenca shkencore dhe duke promovuar vlerat e popullit shqiptar siç janë bashkëjetesa fetare dhe shpetimi i hebrejve para dhe gjatë LDB.
Jam 44 vjet, i martuar dhe prind i një djali dhe dy vajzave.
Si hobby kryesorë kam leximin dhe udhëtimet.
Jeni penduar që latë Belgjikën për Shqipërinë? Cilat ishin motivet e kthimit?
Gjana: Nuk kam se si të pendohem përderisa e konsideroj angazhimin tim si një vazhdimësi natyrale të një angazhimi të kahershëm në shërbim të popullit e kombit tim si dhe të kauzave dhe vlerave që unë besoj. Aq më tepër që në Shqipëri kam krijuar shumë miq brenda dhe jashtë radhëve të PLL dhe me të cilët ndaj të njëjtat shqetësime lidhur me fatet e vendit tonë. Por, përderisa familja ime jeton në Belgjikë, kaloj mesatarisht një javë çdo muaj në Bruksel.
Cilat janë marrdhëniet e Partisë Lëvizja e Legalitetit me oborrin Mbretëror?
Gjana: PLL ka një lidhje historike me Oborrin Mbretëror Shqiptar dhe ne besojmë se është në nderin e të gjithëve që të zhvillojnë të njëjtat marrëdhënie si tonat me Familjen Mbretërore. Ne kultivojmë një raport të ngushtë me Oborrin Mbretëror pasi na bashkon interesi kombëtar përtej atij politik.
Cfarë mendoni për formën e regjimit në Shqipëri? Do të luftoni dhe për një Referendum të ri?
Gjana: Mendimi im është se sistemi në Shqipëri paraqet shume defekte dhe se sot ka ardhur koha që të ndryshojë ky status quo i dëmshëm për popullin dhe kombin tonë. Lidhur me formën e regjimit, besoj se do të vijë koha kur populli do të kërkojë një referendum të ri. Të pakten ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
Lëvizja e Legalitetit në Diasporë ka pasur si qëllim luftën kundër Komunizmit dhe kthimin e Oborrit Mbretëror në Shqipëri. Po sot, cfarë motivesh ka që mbani degë në diasporë, si në SHBA?
Gjana: Këto dy qëllime nuk kanë qënë eksklusive. Levizja e Legalitetit lindi si një levizje për shtetin dhe sot shohim se shteti shqiptar nuk funksionon për arsye pikërisht të sistemit dhe të politikës. PLL është një parti kombëtariste dhe nuk do të mbarojë kurrnjëherë misioni i vet pa u zgjidhur çështja jonë kombëtare dhe pa u rivendosur legjitimiteti institucional në vend. Për këto arsye dega jonë në SHBA ka një rendësi të veçantë jo vetëm për rolin që luan në komunitetin shqiptar por sidomos në kontaktet dhe lobingun që bën me autoritetet amerikane dhe miqtë e popullit dhe kombit tonë.
Cili është mesazhi për Shqiptarët e Amerikës?
Gjana: Urojmë që çdo shqiptar i Amerikës ta dijë se është një ambasador i popullit të vet dhe të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. Kështu që përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë amerikan do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Kam pëlqyer gjithmonë devizen e Belgjikës “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare.
Refleksion mbi 8 marsin
Persiatje rreth profilit te Marieta Zaces, profil qe mbart sportisten, pedagogen, deputetn,zv/Ministren, kryetaren e Lidhjes së Gruas Demokrate…/
Nga Marjana Bulku-New York/
Jetojmë kohë të trazuara, ku gjëja më apsurde është të festosh data a ngjarje kur realiteti pjell monstra që gjenerojnë konflikte e dhunë. E megjithatë jeta i meriton disa vezullime që njerëzit e mirë i dhurojnë asaj në cdo kohë…edhe nëpër ato të turbullta.
Në këtë ag 8 marsi dua të shtegtoj me një urim zemre tek një mike që dikur e kisha bashkëpunëtore, jo zyre as sporti,por të një kauze që dikur… në fakt jo shumë vjet më parë ,bashkonte njerëz,lidhte mendime dhe ndërtonte e projektonte të ardhme dhe shpresat intesifikoheshin dhe jeta bëhej më e mirë.Kam pasur rast të bashkëpunoj shumë herë me zonja, mbase kjo u bë një shtysë jo e vogël që edhe tezën e postgraduimit ta zgjedh pikërisht për cështjet gjinore, e me siguri mund të pohoj se në profilet e tyre të larmishme të personalitetit vetem disa prej tyre kanë iluminim të përhershëm dhe kjo falë karakterit të qëndrueshëm edhe kur kurba jetësore e modeleve të angazhuara në publik pëson luhatje.
Profili i Marieta Zaces mbart përmasën e sportistes, petagoges, deputetes së Partisë Demokratike, kryetares së Lidhjes së Gruas Demokrate,zëvëndës ministres së Punëve dhe Cështjeve Sociale por duke mos i ikur aspak dimensionit njerëzor të saj si mike e bashkëpunëtore,komunikuese dhe kontribuese e palodhur, grua e vyrtytëshme, nga ku vezullimet e bashkëshortes,nënës,gjyshes,,,frymëzojnë ,edukojnë dhe transmetojnë një model që në kohë të turbullta i nevojiten shoqërisë shqiptare,sistematikisht të dhunuar për fat të keq.Që të gjitha këto profile brenda te teres individuale shkëlqejnë,,,Nuk idealizoj kur përshkruaj Marjetën ,lartësimi i vyrtyteve nuk është idealizim, por nevojë, është si ushqimi që i jep jetë trupit .Nuk idealizoj aspak kur them se misioni i njerëzve të tillë nuk ka përfunduar sepse nuk mundet dhe nuk duhet të përfundojë, sidomos tani.Dhe sa herë që realiteti pëson turbulenca nga stimulimi i disa figurave (përtej kufijve partiake)të cilat shkaktojnë neveri dhe irritim,evokimi i vyrtytshmërisë dhe pozitivitetit që buron prej aty ,është domosdoshmëri.Jo shumë vjet më parë, kur Lidhja e Gruas Demokratike do te merrte jetë, edhe koncepti i disa të drejtave të munguara do niste artikulimin po aty ,do të konturoheshin portrete që jetuan gjatë në memorjen tonë jo për shkak të pushtetit dhe postit,por të dinjitetit dhe vlerave humane, këto e lartësojnë njeriun -NJERI.Janë disa hallka që nxitën zhvillime e reforma, vunë në lëvizje organizma që nuk kishin ekzistuar më parë për të cilat kujtesa duhet të kujdeset…
Misioni i Marietës vazhdon përsa kohë modeli i bashkëshortes shembullore që din të gjejë balancat punë – familje-angazhime sociale vuan nga imponimi i shablloneve të shëmtuara mutacion i regjimit komunist që imponojnë autoritetin me prepotencë dhe pompozitet duke mos e konsoliduar kështu asnjëherë lidershipin sidomos kur flitet për thyerje steriotipesh gjinore.
Unë besoj në misionin e Marietës përsa kohë historia e Lidhjes Demokratike të gruas ende nuk është shkruar, sepse bashkë me të do të shkruhej dhe historia e advokimit për të drejta e përgjegjësi,për shkollim dhe shanse të barabarta,për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur,,,janë një sërë konceptesh që lindën bashkë me demokracinë tonë të brishtë, që belbëzoi shqip…
Misioni i Marietës vazhdon për t’ju kujtuar nënave dhe motrave se liria, ajo e fjalës dhe e mendimit, ajo e lëvizjes dhe e advokimit kërkojnë komunikim njerëzor të matur dhe të kulturuar,atë që Marieta Zace me vrapin e lehtë, me kontaktet kokë më kokë me bashkëpunëtoret e saj, me respektin reciprok dhe vlerësimin e kontributeve për gjithsecilën seleksiononte në fakt vlera ,të cilat ndërtonin standarte dhe mbi bazën e tyre realizoheshin projekte. Shpresoj në misionin e Marietës sa herë që shoh gra të angazhuara në politikë që përpos individualitetit kanë nevojë për një lloj kurimi,jo të imazhit,por të humanizmit dhe komunikimit me tjetrin ,kaq i domosdoshëm ky i fundit.
Duket sikur flasim për një kohë të largët Marjetë, duket sikur u jetua një ëndërr me gra që mblidheshin ,advokonin, gëzonin, ngrinin zërin,protestonin…sepse sot realiteti shqiptar ofron tjetër gjë ,dicka midis kaosit dhe mungesës së perspektivës. Në këtë prag 8-Marsi dua të uroj Marietën dhe cdo mikeshë që 8 Marseve feston ,proteston,debaton ,shtrëngon duart,si në cdo ditë tjetër të vitit nëpër jetën tonë që ka kaq shumë festa e ditë të shënuara,,,por kaq pak refleksion për ta.
ADEM JASHARI, SIMBOL I REZISTENCËS ANTISERBOSLLVE
Shkruan: Eugen SHEHU/ Zvicer/
Ashtu si mosha e një rrapi madhështor përcaktohet nga rrathët e trungut të tij,edhe dhimbja e një kombi mund të përcaktohet nga të rënët e tij.Këta të rënë për idealin e lartë kombëtar,asesi nuk vdesin,nuk humbasin në muzgjet e harresës.Ashtu si rrathet që tregojnë moshën e rrapit,jetët e tyre potencojnë shkallën e dhimbjes krenare.Paqja e gjelbër nderet pafundësisht mbi ta.Shembuli i Adem Jasharit,përveç si simbol qëndrese dhe heroizmi vlen të shikohet edhe si flijim në emër të një të ardhmeje fatsjellëse për kombin e vet.
DRENICA LIND VEÇ TRIMA…
Duke dëgjuar këtë varg lapidar,në këngën kushtuar Adem Jasharit natyrisht që të pushtojnë emocione të thella.Historia në këtë rast nuk shërben më vetëm si një burim informacioni por të fal edhe ndjesi të tilla për çka mund ta çuash veten krenar që ke lindur në truallin shqiptar dhe mban këtë emër gjithkund.Ngase je i prirur të dish për heroizmin e sotëm të Drenicës,të vijnë në kujtesë si në celuloidin e një filmi,ngjarje dhe data të lavdishme,gjëmime luftërash,këngë djepi trimërie e këngë vaji po kaq trimërie dhe heroizmi.Hyn në bisedë intime me të kaluarën tënde.
Drenica kësisoj hynte në analet e historisë për trimëritë e birit të saj.Dhe sipas zakonit të lashtë shqiptar,kur dikush bënte diçka të ndershme e të lavdishme për fshatin e krahinën e vet,ai thirej me emrin e fshatit.Ai nderohej kësisoj e përjetsohej në këngë e legjenda.
Shumë vite më pas,në kullat e rënda të tij,një burrë trim i cili shumë shpejt do të hynte në legjendë. Ai quhej Isa Boletini, e prej kushtrimit të tij u trembën në dhjetra vjet ushtritë turke dhe hordhitë serbe.Kullat e Isës u dogjën e u rrafshuan disa herë,babai,vëllai,djem e nipër u vranë duke luftuar me turq e shkije,lumi Ibër rrodhi për ditë e netë të tëra gjakun e Boletinjëve që donin të rronin në liri si shqipe mali.Por Isa s’u tremb,Isa s’u tund.Vetëm një tradhëti e serbo- malazezëve do të bënte që gjokësi i tij të mbushej me plumba dhe zëri i tij të ndalej.
Po ishtin dhe Azem e Shotë Galica.Emrat e tyre i thërasin ende sot erërat e maleve të Drenicës, borërat e Sharrit ende nuk mund t’i mbulojnë gjurmet e gjakut të tyre,heshtja e viteve kurrsesi nuk mund të përballet me krismat e pushkëve të tyre.Këtu është Shqipëria,të ngjan se thonë ende ato krisma,kjo është tokë e gjyshërve tanë,thonë bubullimat e Llapit e Vushtrisë,ne falim jetët tona,por jo nderin e vatrave.Azemi duke rënë në luftë me shkjaun,lutej që beteja të vazhdonte.Shota në krye të çetës përcillte amanetin e prijësit dhe burrit.Më pas kur edhe ajo binte në fushbetejë rëndë e plagosur ishte një armatë e tërë e burrave prej Drenice që vazhdonin udhën e nisur.
Për të ardhur kësisoj deri në dimrin e egër të vitit 1944-1945.Një,një Isë,një Azem,e një Shotë,jepnin kushtrim në hap e në zë të një burri që quhej Shaban Polluzha.Edhe ky ishte lindur pranë këngëve dhe trimërive të Polluzhës,edhe ky pat thithur ajër prej bjeshkëve të lira të Drenicës.Dhe kur pa se po shkelej amaneti i të parëvet dhe kur ndjeu se gjakun e pastër të trimave të tjerë të Drenicës donin ta bënin fli të ideologjive,nuk mundi të duronte më. Komunizmi kjo sëmundje e urryer e derdhur prej uralveve do ta ndjente vehten shumë ngushtë në kullat e Drenicës.Ylli pescepesh ardhur prej sllavëve,nuk mund të zëvendësonte në ballët e bukur të djemve ku jetonte dashuria për shqiponjën dykrerëshe të lirë.Polluzha,duke organizuar revoltën e parë antisllavo-komuniste të Drenicës,u jepte mesazhin e qartë,të një lufte të vazhdueshme midis nacionalizmit të ndershëm shqiptar dhe internacionalizmit proletar,ose e thënë ndryshe,ndaj proletarëve pa atdhe.
Në një muzg në Tiranë, miku im Ylli Mici,dikur oficer kariere në drejtim kondicionimi në Akademinë Ushtarake „Skenderbeu“ ,duke parë këmbënguljen time për të ardhurit nga Kosova (grupet e para që trajnoheshin)më tregoi :
„Na thirrën në komandën e Akademisë Ushtarake „Skenderbej“ në Tiranë dhe na treguan shkurt mbi ate se çfar do të bënim.Duhej të stërvitnim një grup burrash të ardhur nga Kosova.Përgaditja e tyre,në strukturat tona ushtarake do të konsistonte në ate taktike,të lëndëve të zjarrit dhe ato të përgaditjes fizike.Porosia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare,ishte që askush veç ne, kuadrove të akademisë ushtarake „Skenderbej“ nuk duhej të dinte mbi këtë mision. Që në ditët e para të stërvitjes të zjarrit,më ra në sy interesimi dhe serioziteti i Adem Jasharit.Trupëlartë,me mjekër e mustaqe,sytë gati zhbironin gjithshka që unë shpjegoja.Përgjithësisht,krejt grupi mësimor kishte njohuri për automatikun,ndërsa armët e tjera të këmbësorisë njohuritë i kishin të pakta. E vërteta është se ne kishim planifikuar gjashtë orë të plota mësimore por une asnjëherë nuk mbarova mësimin në ora pasiedhe pas atij që patën caktuar,vëllezërit tanë të ardhur nga kosova nuk shqepeshin prej kabinetit.Ata i mernin armët i zbërthenin,i preknin me kuriozitet bile më dukej se edhe me shumë dashuri. Adem Jashari një ditë,ndërsa dilja prej kabinetit,më vjen mbrapa dhe më thotë : Pedagog Ylli, a mundet me të pyet diçka ? Fol i thashë mos u tut ! pasi heshti pak,me një vështrim të thellë më pyeti sërish : A i kena na kret këto armë,në armatën tonë ?
Unë buzëqesha pse e kuptova shqetsimin e tij.Për arsye të sekretit ushtarak,une s’mund t’i tregoja të gjithëve po Ademin e çova një ditë në disa depo të reparteve.Ai shihte armët,municionet, aparaturat luftarake dhe kujtoj ende sot se si duke më përqafuar më tha : „Bash këtej e tutje s’kam ma asnji merak ! Dikur pata mësuar se i madhi Sami Frashëri pat shkruar që shqiptari duhet të luftojë me dituri e penë,por edhe pushkën ta ketë plot.Tash kuptoj më së miri këtë.Atëherë kur me fqiun tand s’ke gjuhë me u marrë vesh,atëherë edhe qytetërimi modern s’gjen gjuhë me u marr me të,le të flasi pushka.Nuk asht ndonji gja e bukur por asht e domosdoshme,për mos t’u shuar historia jonë nga më të vjetrat në ballkan“. Vite më pas e kuptova shqetsimin e heroit Adem Jasharit“ .
KRAHËT E PRERË TË SHQIPONJËS
E vërteta është se marsi i vitit 1998,nuk mund të vinte me kaq krisma,pa patur më parë të tjerë terrore e fushëbeteja të tjera.Kështu në ditët e fundit të nëntorit 1997,në drenicë posaqërisht në fshatrat ; Rakinicë,Rezalle,Vojnik e Llaushë,policia serbe ndërmori një sërë aksionesh befasuese kundrejt familjarëve të pambrojtur.Më së tepërmi,ata kërkonin të vendosnin një terror psikologjik për të ndaluar sado pak erërat e pavarsisë dhe të Lirisë që kishin filluar të frynin në ato gryka.mandej për të treguar hapur se kundër kujt drejtohej ky terror dhe kjo luftë,serbët qëlluan varrin (më saktë fotografinë) e studentit Selman Vojvoda i cili ishte vrarë në demonstratat e mëdha të rinisë shqiptare,në Mitrovicë,në vitin 1990.Rivrasja e këtij studenti që u ngrit për të kërkuar të drejtat e kombit të vet,natyrisht nuk mund të kalonte pa një ndjenjë urrejtje madhore tek familjarët,miqtë dhe krejt studentët që patën përcjellë Selman Vojvodën për në varreza të mbuluar me flamurin kuq e zi. Dhe pikërish aherë,kur kjo revoltë kish nisur të dallgëzojë,kur djem e burra të Drenicës mbushnin radhët e UÇK-ës,nga sirtarët e komandave ushtarake serbe,u nxuarën planet për goditjet e mëdha,vrasjet mizore dhe malltretimet ndaj popullsisë së pabrojtur shqiptare.E nëse kish një „radhë“ goditje kjo padyshim do të niste me familjen e Jasharajve në Prekaz,pasi serbët nuk do të harronin ngjarjen e tetë viteve më parë.Kështu,bashkë me borrën e madhe që binte në mesnatën e 22 janarit 1998,grupe speciale të ushtrisë fashiste serbo-çetnike rrethonin kullat e Jasharajve në heshtje të plotë.ata patën marrë gjitha masat që goditja të ishte e menjëhershme, e fuqishme, vdekjeprurëse duke paraparë se në përfundim të kësaj beteje do të luhatej revolta e Drenicës,ashtu si luhaten fortunat në gjoks të malit.Dhe pikërisht ngase kështu llogari kanë bërë në të shumta herat serbët gjithmonë kanë dështuar.
Ka qenë ora 5 e mëngjezit e datës 22 janar 1998 kur mbrenda një çasti të vetëm,toka ku ishin kullat e Jasharajve,ka shungulluar prej një numëri të pazakontë krismash.Në murret e kullave,janë derdhur njëherësh mijëra gjyle topash,granatash,fishekë mitrolozi e automatiku,a thua se luftohej në front të rregullt lufte.Për nga sasia e sidomos lloji i armatimeve që janë përdorur aty,kuptohet se tashmë në ndihmë të policisë,ishin formacionet e ushtrisë gjakatare serbe.Në këtë rrëmujë predhash,janë sulmuar sidomos ato ambiente të kullave ku mendohej se ndodheshin gratë dhe fëmijët.Mandej futja në luftim e minahedhësve,dëshmoi se ky aksion i pushtesve serb tek e mbramja kërkonte shfarosjen e plotë të kësaj familjeje të madhe trimash.Në fakt,sipas dëshmive të mëvonshme të fshatarëve të Prekazit, beteja ka zgjatur vetëm 35-40 minuta,ngase në krah e shpinë të banadve ushtarako-policore serbe pas kësaj ka filluar goditja po aq vendimtare me armë nga ana e UÇK-ës.Kjo i ka detyruar tërheqjen e forcave serbe pa mundur të realizojnë qëllimin final të tyre.Të paisur me mjete të çelikta,ata janë larguar me ngut duke vazhduar terrorin e duke vrarë njerëz të pafajshëm në rrugë.Paskësaj,çdokush e pat kuptuar se diplomacitë midis serbëve dhe shqiptarëve kishin dështuar fund e krye.Lufta ishte shpallur.Kjo luftë,midis dy racave të ndryshme,nuk ishte e para.Sidoqoftë,fati mjegullor dukej se e parashihte si të fundit.
Djetë ditë më pas,me 1 mars 1998,herët në mëngjez,drejt fshatrave Likoshan dhe Qirez,ishin drejtuar njësi të mëdha paramilitere çetnike, policore e ushtarake.Duke përfituar prej zhurmës si edhe terrenit të pyllëzuar,mjaftë banorë të këtyre fshatrave,të bindur prej rrezikut të madh u fshehën në pyje.Dy-tri helikopterë që kanë vëzhguar lëvizjet kanë bombarduar gati krejt zonat. Ata janë larguar në të errur pasi kanë shkatëruar shumë shtëpi dhe vrarë e plagosur dhjetra vetë prej këtyre vendeve. Mdje, më 5 mars 1998,do të niste Epopeja e madhe.E vërteta është se një natë më parë,janë vënë re lëvizje të mëdha të forcave ushtarako policore serbe.Tashmë për banorët e Prekazit,Gradicës,Qiriezit, Açarevës,Llaushës,Rrezallë e Re etj,ishte e qartë se dhuna serbosllave nuk do të kursente dikend. Megjithkëte,përndryshe nga ç’mendonin serbët,burrat e gratë trime të Drenicës,ndiheshin të paepur në sytë e tyre të frymëzuar prej idealit të madh të lirisë e pavarsisë.Kështu dëshmitarë okullarë të fshatit Pollac,disa minuta larg lagjes së Jasharajve kanë pohuar tashmë vendosmërinë e kësaj familjeje heroike. E vërteta është se ndërsa zona rreth Prekazit po rrethohej,disa fshatarë kanë shkuar në shtëpinë e Jasharajve dhe kanë mundur të bisedojnë me plakun Shaban mbi mundësinë e largimit të tyre të fshehtë,pasi dihej historia e dy sulmeve serbe të maparshme ndaj këtij fisi.Shaban Jashari,ai plak i bëshëm e plot kurrajë,ai ballist i vendosur që ngriti në shtizë flamurin në Plloçicë,ka heshtur disa çaste e mandej ka thirur dy djemt e tij,Hamz e Adem Jasharin duke u propozuar që ata të largohen me gra e fëmij ndërsa ai ti priste hordhitë e shkijeve siç i kishte pritur në rininë e tij,me pushkë në dorë,ndërkaq këtë ide nuk e kanë përkrahur bijtë me gjithë respektin e madh që patën treguar kurdoherë për të jatin.Me ç’rast,mësohet që Ademi t’i jetë përgjigjur të jatit se „na nuk mund të largohemi me shpetue kryet tonë.Shkiet do vijnë të djegin kullat e të vrasin fqinjët,miqtë e dashamirët tonë ata do të bajnë masakra të mdhaja.Ma mirë se me shpëtue jetën,asht me e dhanë atë për Kosovën e krejt Shqipërinë,ndaj kemi rrokur armët“.Baba Shaban,një pinjoll i nacionalistëve të dëgjuar në Prekaz e Drenicë,atëherë asht que e ka puthur djemt në ballë,si zakon nacionalisti,ka puthur mbesat e nipat e vet duke qenë i bindur se jeta e tyre,pranverat e tyre aq të njoma e të shtrenjta do të shërbejnë si nji shteg prej nga do të vijë lirija e Kosovës,ai e njihte mirë armikun që sulej në votër.Beteja ka filluar në orën 3 të mëngjezit.Drejt kullave të Jasharajve është derdhur si lukuni ujqish një mizeri policësh,çetnikësh e ushtrie serbosllave të vendosur që të shujnë aty çdo gjurmë jete.Tanke ,topa,utoblinda,helikopterë, kanë derdhur gjatë gjithë ditës aq sasi të madhe zjarri sa flaka e rrënojave ka vazhduar deri më 8 mars. Nga kulla e Jasharajve qëndresa ka qenë e mnejëhershme, e plotë.Por rezistenca e këtyrre burrave të mëdhenj ka qenë veç pushkë e zemra ngase tanket,avionet e topat i dispononin forcat disa mijëshe të okupatorëve serb.Madje duke parashikuar ndonjë sulm të mundshëm të UÇK-ës,rreth e përqark fshatit Prekaz në largësinë 10-15 kilometra,forcat militare serbe formuan një unazë tjetër rrethuese duke hapur zjarr me çdo lloj arme.
Vështirë të gjesh në historinë e luftërave të këtij shekulli një paradoks kaq ekstrem të palëve ndërluftuese,nga pushtues e çlirimtarë.Nga njëra anë, një ushtri e rregullt,e paisur me mjeteluftarake më moderneme paramilitar e mercenarë sllav,ndërsa nga ana tjetër një fis një familje,e një popull i pafajshëm e i pambrojtur në kërkim të Lirisë.Kështu midis flakëve e gjëmimeve,midis atij tmerri predhash e bombash,ranë një nga një trimat e kullës së Jasharajve,burrat e Kalasë së pamposhtur Kosovës.Kështu,do të binte duke luftuar deri në çastin e mbramë edhe Ademi,ky lis me rrënjët në liri,ky mal ku mbështeti gjoksin dhe kryet e saj vetë rezistenca kombëtare shqiptare,që të hynte në mesin e Legjendës së këtij shekulli,për të mbetur i pavdekshëm për jetë të jetëve.
Bern-Zvicër
TE ENJTEN NISIN PROTESTAT E OPOZITES
Grupi parlamentar i PD-së dhe trupa e krerëve të degëve në rrethe ka vendosur mbrëmë mbajtjen të enjten të një proteste të jashtëzakonshme, për largimin e kreut të parlamentit dhe për hapjen rrugë të një procesi të gjerë për dekriminalizimin e jetës publike/
Partia Demokratike ka vendosur të nisë protestat, të enjten e javës së ardhshme. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi mbrëmjen e djeshme, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi lidhur me qëndrimin që do të mbajë selia blu mbi situatën e krijuar, pas deklaratave të deputetit të përjashtuar nga PS, Tom Doshi. Strukturat në PD, degët në rrethe dhe grupi parlamentar kërkuan mbajtjen të enjtjen me 12 mars, një protestë masive në Tiranë, për të nxitur dekriminalizimin, deri në largimin e Ilir Metës nga detyra pas akuzave që bëhen ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Protesta do të bëhet edhe në kuadër të pasigurisë së madhe në vend, kundër kriminalitetit, tritolit e atentateve që kanë cenuar sigurinë e jetës. Protesta do të jetë dhe zëri i qytetarëve kundër varfërisë, papunësisë e padrejtësive të përditshme të qeverisë, sidomos me faturimin abuziv të energjisë që po krijon drama sociale. Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për fshehje të krimit dhe për negociata private me personin, që sipas Doshit pretendon se i ka rrëfyer se i është kërkuar të vrasë kundrejt pagesës dy deputetët të Kuvendit të Shqipërisë.
Basha: “Dorëheqja e Metës, parakusht për një hetim të drejtë”
Kreu i opozitës ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës për t’i lënë rrugë të lirë një hetimi të drejtë dhe objektiv nga institucionet e drejtësisë, pasi aktualisht oligarkia po e sfidon dekriminalizimin. Aktualisht procesi hetimor s’mund të nisë, pasi Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot të akuzuar, njëri si porositës i vrasjeve me pagesë të deputetëve, tjetri si dëshmitar dhe fshehës për gjashtë muaj i veprës penale.
Deklarata/“Dyshja Rama-Meta po ndryshojnë hetimin me dëshminë e Bamit. Popullit nuk i shpëtojnë dot”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përsëritur kërkesën e tij për dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta, në mënyrë që t’i lihet vend drejtësisë në nisjen e një hetimi të pavarur për ‘çështjen Doshi’. Kreu i PD-së akuzoi maxhorancën se po bën presion dhe po orientojnë hetimin e prokurorisë, duke nxjerrë rrëfimin e dëshmitarit Durim Bani. “U bë dita e tretë që Ilir Meta gjendet publikisht nën akuzë për porositjen e dy vrasjeve, dhe ai po refuzon të dëgjojë zërin e arsyeshëm të qytetarëve të vendit dhe kërkesën e opozitës që të japë dorëheqjen. Ajo çfarë duam ne,është një hetim i drejtë dhe objektiv. Kërkojmë drejtësi për akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në historinë politike pas vendosjes së pluralizmit, akuzë që vjen nga radhët e vetë mazhorancës. Po jam i sigurt, se kjoështë ajo që kërkon sot çdo qytetar i vendit, çdo njeri racional. Dorëheqja e Ilir Metësështë një parakusht për një hetim të drejtë dhe objektiv të skandalit, të pandikuar nga politika dhe faktorët kriminalë të përfshirë në këtë skandal të paprecedent. Por siç po e shohin me sy i madh e i vogël në Shqipëri, dy pushtetet, ekzekutivi i Ramës dhe legjislativi i Metës, e gjithë kupola nën akuzë, janë bërë bllok dhe janë përfshirë në një përpjekje të ethshme për ndikuar e devijuar hetimin dhe për të manipuluar ngjarjen sipas interesave të tyre. Po bëjnë çmos të manipulojnë dhe zhurmojnë faktet e rënda duke i përzier me lloj-lloj spekulimesh e shpjegimesh pa vlerë, me qëllim që njerëzit të mos kuptojnë çfarë po ndodh, çfarë po bëhet”, deklaron kreu Basha. Më tej, Basha tha se “Qeveria që i ka mashtruar për gjithçka që u ka premtuar, që nga energjia elektrike te shëndetësia, e ka mjeshtërinë dhe zanatin e saj gënjeshtrën, spekulimin, mashtrimin, sulmet ndaj opozitës. Janë ata, Rama dhe Meta autorët e filtrimit në media të informacioneve nga marrja në pyetje e Durim Bamit për këtë çështje. Informacione të tilla, janë pjesë e sekretit të hetimit, vërtetësia apo sajimi i të cilave mund të konfirmohen sipas ligjit vetëm nga organet e drejtësisë dhe në aulën e drejtësisë. Kjo rrjedhje informacioni, që nuk mund të dihet për momentin aështë i vërtetë apo i fabrikuar,është organizuar për të bërë presion dhe për të orientuar hetimin në hullinë që dëshiron kupola nën akuzë”, tha Lulzim Basha. Kreu i opozitës kërkon që t’i lihet vend hetimit dhe drejtësia të zbardhë të vërtetën. “Krerët e organeve të hetimit në Prokurori dhe në Polici kanë detyrimin të mbajnë qëndrim kundër rrjedhjes së paligjshme të informacionit, kundër interferimeve me sajime dhe kundër çdo ndërhyrjeje politike apo kriminale në procesin e hetimit. Rama-Meta, të kapur në ankth nga denoncimi i super deputetit dhe mikut të tyre për kokë, kanë vënë në lëvizje një makineri lajmesh të rreme dhe spekulimesh me një qëllim: të zhurmojnë dhe mjegullojnë të vërtetën, të frikësojnë organet e drejtësisë. Dua të merrem me fakte, të denoncoj turpet dhe gënjeshtrat e tyre që rrjedhin lumë sa herë hapin gojën”, deklaron Basha. Në vijim të deklaratës së tij, Basha tha se të akuzuarit mund t’i fshihen drejtësisë, por jo popullit.“Nuk e kam takuar asnjëherë marrësin e porosisë për të vrarë dy deputetët, thotë drejtori i policisë Didi. Ministri i Brendshëm e përgënjeshtron. Ka qenë në takim dhe ka mbajtur edhe shënime, pohon ministri. Askush në kupolë nuk skuqet, si të mos bëhej fjalë për vrasje njerëzish, por mizash. Ministri i Brendshëm del dhe njofton me krenari se e ka takuar privatisht atentatorin,është shtruar me të dhe pas kësaj nuk kemi asnjë hap ligjor, asnjë masë. Çfarë mësojmë ne, çfarë mëson publiku nga apologjia e gjatë e ministrit Tahiri në përpjekje për të nxjerrë engjëj, Metën dhe Ramën? Mësojmë se gjashtë muaj ka qenë Saimir Tahiri në krye të operacionit të mbajtjes së fshehtë të skenarit për vrasjen e dy deputetëve. Dhe vetëm kur ujërat më te zeza të aferës plasën sheshit, kur deputeti i mazhorancës foli dhe akuzoi në publik, Ministri i Brendshëm u shfaq, duke lënë një precedent të turpshëm që do të mbahet mend në histori, si negociator dhe bashkëbisedues i palodhshëm me të akuzuarin për vrasës, me synim mbylljen e pakteve, pazareve dhe bizneseve mes palëve në pushtet. Me sjelljen e tyre, Meta, Rama dhe Tahiri po i thonë drejtësisë, mbylle çështjen, mbylle sa më shpejt. Po i komunikojnë prokurorisë: mos u lodhni me hetime, se tashmëështë marrë vendimi, verdiktiështë dhënë në zyrat e pushtetit, se ligji janë ata”, tha Basha. Sipas kreut të të djathtëve, PD-ja dhe opinion publik janë në këmbë që kjo çështje të gjejë zgjidhje.“Parakushtiështë dorëheqja e Ilir Metës. Nuk mund të lejojmë që republika jonë dhe standardet demokratike të arritura deri më sot, me jo pak mund, të varrosen një herë e mirë e të kthehemi në kohët më të errëta, ku ligji nuk arrin tek kreu i kuvendit, ku aiështë imun pavarësisht se akuzohet për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Mikun e tij për kokë deri dje, mikun e Ilir Metës, deputetin më të besueshëm të interesave e biznesit, të punëve të pista dhe të ndarjes së tortës, sot Edi Rama e quan rrugaç. E përqesh madje edhe të folurën e tij, dhe po na e shpall si katharsis largimin nga grupi. Por në fakt bëri të pamundurën të mbyllte hesapet me të e të bënte paqe, duke i dërguar Koçon dhe Tahirit”. Duke përsëritur edhe njëherë se mund t’i fshihen drejtësisë por jo popullit Basha ka thënë se “Oligarkia sot e gjithë ditën po e sfidon dekriminalizimin, po e kthen mbrapsht atë, pikërisht në ditën që ky procesështë kthyer në nevojë urgjente kombëtare. Pas inkriminimit masiv, që u shfaq me formën e tij më agresive me akuzat para të cilave ndodhet Kryetari i Kuvendit, oligarkët ndalojnë hetimin, ndalojnë drejtësinë. Partnerët ndërkombëtarë ritheksuan këto ditë nevojën për dekriminalizimin, kauzën për të cilën ne, Partia Demokratike, luftuam shumë, përkundër gjithë përpjekjeve të shumicës për ta ndaluar, për të na mbyllur gojën, duke na hequr gjithë të drejtat e duke ushtruar edhe dhunë. Edi Rama po nxitohet duke fërkuar duart e duke mbllaçitur fjalorin e tij ordiner kundër opozitës. Beteja jonë e vendosur kundër ngjitjes së vrasjeve me pagesë në kupolën e shumicës qeveritare, sapo ka nisur. Misioni i opozitës ka qenë dheështë demaskimi i premtim-mashtrimeve të tij dhe qeverisë së tij, demaskimi i politikës së mjerimit dhe lakut në fyt për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, demaskimi i krimit, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit galopant në qeverisjen e tij. Misioni ynëështë dekriminalizimi, kauzë madhore, jetike për të sotmen dhe të ardhmen, të cilën do ta çojmë me çdo kusht drejt finalizimit. Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta dinë se dekriminalizimi nuk bëhet duke vrarë, nuk bëhet me krim! Ata janë sot të akuzuar, njëri si porositës i vrasjeve me pagesë të deputetëve, tjetri si dëshmitar dhe fshehës për gjashtë muaj i veprës penale. Mund t’i fshihen ligjit, mund t’i fshihen drejtësisë, por nuk do t’i fshihen dot popullit”, përfundon Lulzim Basha.
Paloka: Meta s’mund të drejtojë Kuvendin pa u hetuar nga drejtësia/Nënkryetari i PD, Edi Paloka deklaroi dje se Meta nuk mund të drejtojë Kuvendin pa u hetuar nga drejtësia. Në tërësi, qëndrimi i opozitës ishte për largimin nga posti të kreut të Kuvendit. “Ne kërkojmë që ju të mos qëndroni në atë karrige, në atë parlament! Kërkojmë dorëheqjen tënde. Paloka: Ju jeni akuzuar për vrasës me pagesë, mund të na kërkoni dhe zbatimin e rregullores… Ja si qeshin këta. Vazhdoni ju, por jeni akuzuar nga deputeti juaj për vrasje me pagesë. Ai ishte 12 vjet aty në parlament, por s’e doni se ju doli nga rreshti. Ne s’mund të pranojmë këtë mënyrë, se shqiptarët aty jashtë po përfundojnë nëpër burgje për 600 lekë, po vrasin veten. Z.Kryetar, nuk po të themi që jeni vrasës, por dorëzohuni para drejtësisë e të zbardhni akuzat. Fakti që nxjerr Spartak Brahon që të krijojë tymnajë…Fakti që ministri i Brendshëm pret vrasës në takime informale… Ministri juaj nuk thotë se ka pasur dijeni për vrasjen; nxjerr gënjeshtra drejtorin e Policisë; pastaj thotë se ka takuar vrasjen…Thirren familjarët e deputetit të PD-së për t’i mbushur mendjen se vrasjen e ka kërkuar Berisha. Përditë do të ketë ngjarje të rënda e të zeza këtu, nëse nuk reagojmë. Dilni para drejtësisë, sqaroni pozicionin tuaj”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.