Nga Reshat Kripa/
Në historinë e kombeve të ndryshëm ka disa data që në kujtesën e popujve bëhen simbole të epokave që ato përfaqësojnë. Kështu edhe në historinë e Shqipërisë, kanë hyrë për të mos u shlyer nga kujtesa data të tilla, të ndritura apo të errëta, si 28 nëntori 1443, kthimi triumfal i Gjergj Kastriotit në Krujë, 28 nëntori 1912, shpallja e Pavarësisë Kombëtare, 7 prilli 1939, dita e pushtimit të vendit nga agresorët italianë, 1-2 gushti 1943, Konferenca e Mukjes, 29 nëntori 1944, dita e restaurimit të regjimit diktatorial në Shqipëri dhe të tjera.
Në radhën e këtyre datave ka hyrë edhe 20 shkurti 1991, data e rrëzimit të monumentit të diktatorit, që erdhi si rezultat i rezistencës gjysmë shekullore që nacionalizmi shqiptar i bëri komunizmit dhe që u kurorëzua me sukses pas revoltës së studentëve shqiptarë në atë fund dhjetori të vitit 1990.
Shqipëria më në fund kishte vendosur të hynte në familjen e madhe europiane, në atë familje ku nuk pranoheshin tiranët dhe tirania e një individi ndaj një tjetri, e një klase ndaj një tjetre. Shqiptarët u futën me dëshirë dhe vullnet në rrugën e demokracisë. U bënë shumë gjëra të mira që as mund të silleshin ndër mend vite më parë. Mbi të gjitha individi fitoi personalitetin e humbur. Vendi filloi të ndërronte pamje, të synonte majat e ëndërruara. Parulla e njohur “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“ filloi të bëhej realitet. Mirëqënia dhe begatia filluan të japin frutet e tyre.
Por, për fatin tonë të keq, harruam nga kishim ardhur dhe rrugën nëpër të cilën kishim kaluar. Harruam të vrarët dhe ata që i vranë, të burgosurit dhe ata që i burgosën, të internuarit dhe ata që i internuan. Harruam poshtërimin dhe fyerjen që na bëhej në çdo hap të jetës. Harruam mjerimin që na kishte pllakosur në familje. Harruam ditët kur drejtoheshim nga njerëz të rëndomtë e shpirtzinj, ku nallbani i jepte leksione shkencëtarit, ku bejtexhiu i jepte leksione artistit, ku nderi i femrës shqiptare varej nga morali i një sekretari partie, drejtori, shefi dhe deri një brigadieri të pështirë kooperative.
Mbi të gjitha harruam sigurimin famëkeq të shtetit ku, si rezultat i holokaustit të zhvilluar prej tij, u vu djali kundër babait, vëllai kundër vëllait, shqiptari kundër shqiptarit, ku spiunllëku u fut deri në qelizat më të fshehta të njerëzve, ku u dogjën kisha e xhamia për t’i hequr këtij populli atë ndjenjën e vetme fisnike që i kishte mbetur, besimin ndaj Zotit dhe bashkë me të edhe besimin ndaj njëri-tjetrit. Duke harruar Sigurimin e Shtetit, ne harruam edhe burimin e kësaj pjelle makabre, komunizmin. Duke rrëzuar monumentin e diktatorit, menduam se rrëzuam edhe sistemin obskurantist që i kishte shkatërruar jetën një populli të tërë.
Por gabuam rëndë. Në vend që të bashkoheshim në një front të vetëm antikomunist, u ndamë në dhjetra parti dhe shoqata, a thua se komunizmi nuk kishte ekzistuar kurrë. Në vitin 1945, kryekomandanti i forcave aleate në Gjermani, gjenerali amerikan Ajzenhauer, si detyrë prioritare vuri denazifikimin e Gjermanisë. Ai e dinte se pa këtë proçes nuk mund të ndërtohej një Gjermani demokratike. Kurse ne menduam se mund të ndërtonim një shtet demokratik pa bërë dekomunistizimin e vendit. Ne i lamë bashkë kriminelët me viktimat, ujqërit me delet, bile në ndonjë rast vendosëm edhe ujkun çoban. Ne nuk dënuam krimin dhe kriminelët. Ata depërtuan nëpër partitë dhe shoqatat, në gjykatat dhe prokurorit, në ushtri dhe deri në parlament. Rezultatin e kësaj miopie e provuam në atë vit të zi 1997 dhe e ndjejmë akoma edhe sot. Ai vit na tregoi se në këtë drejtim kishim luftuar si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa hijen e diktatorit e kishim lënë të endej e lirë dhe kërcënueshëm, në çdo skaj të atdheut.
Sot ajo hije është në komandë të vendit. Atë e gjen kudo, në krye të administratës qëndrore dhe lokale, në krye të qeverisë dhe parlamentit. Kujtoni kremtimin e ditës së “çlirimit” me portretet e hijes së diktatorit, ku këto portrete dhe thirrje nostalgjike ishin lejtmotivi që e shoqëronte këtë kremtim në prani të trashëgimtarëve të denjë të kësaj hije. Nuk mjaftuan të gjitha këto por, për t’i vënë vulën, në këtë kor korbash bashkohen edhe ekstremistë që e shpallin diktatorin njeriun e shekullit.
Disa vite më parë në stadiumin e Romës, gjatë një ndeshjeje futbolli, u shfaq portreti i Musolinit dhe pankarta në përkrahje të kriminelit Arkan. Ishin të mjaftueshme këto që të sensibilizoheshin jo vetëm drejtuesit e stadiumit, por edhe Bashkia e qytetit, qeveria, parlamenti dhe deri Presidenti i Republikës. Kurse drejtuesit tanë heshtin. Hesht Kryetari i Kuvendit. Hesht Kryeministri. Heshtin të gjithë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ata janë pjellë e tij. Janë ata që kërkojnë ta ringjallin atë. Por çudia është se bashkë me ta hesht edhe bota perëndimore Kur në Austri erdhi në pushtet një qeveri e ekstremit të djathtë, ndonëse me votat e popullit të vetë, bota perëndimore iu kundërvu në mënyrë të menjëhershme dhe të vendosur, duke arritur në disa raste deri në tërheqjen e ambasadorëve. Një gjë e tillë u bë për t’i prerë rrugën restaurimit të nazizmit në Europë.
Pse nuk bëhet një gjë e tillë edhe në Shqipëri? A mos vallë komunizmi është më pak i egër, më pak mizor se nazizmi? Ne që i kemi provuar të dy pushtimet, që i kemi hequr mbi shpatullat tona pasojat e të dyjave, ju themi se sistemi komunist është më barbari që ka njohur historia botërore. Është detyra e shqiptarëve ta mposhtin atë. Eshtë detyra e tyre të ngrenë zërin sa nuk është vonë. Ne duhet t’i drejtohemi popullit tonë dhe gjithë botës dhe t’i themi me zë të lartë:
Mos harroni përbindëshin komunizëm!
NDAHET NGA JETA IDRIZ BASHA
Veprimtari i shquar qe luftoi me dekada komunizmin në Shqiperi, Z. IDRIZ BASHA, dje u nda nga jeta në Bruksel./
BRUKSEL : BELGIUM : Z. Idriz Basha, nga Shqiperia, ishte gjithashtu shqiptari qe i doli zot Kosoves në 1981 dhe në 1989 duke organizuar manifestime në Bruksel, Paris, …duke vurë kontaktat diplomatike të tij në sherbim të shqiptarëve të Kosoves në Parlament belg dhe në Parlament evropian dhe duke informuar shtypin.
Idrizin e kisha kushëri dhe e falenderova në fund të jetes së tij se shembulli i tij më ka frymëzuar në angazhimin tim për Kosoven.
Ngushëllime më të thella bashkëshortes, Zonja Kimete MITROVICA, e cila i ndihmoi shumë në veprimtarinë e tij, vajzave Sarah dhe Aurelie, dhe terë familjes së tij.
I PERJETSHEM KUJTIMI!
FOTO: Në manifestimet të para për Kosoven në Bruksel, shumica ishin shqiptarë anti-komunist të ardhur në Belgjikë në fillim të vitëve 60. Ndër shqipëtarët të Kosoves ishte bashkëshorti im, Diplomati dhe Veprimtari Gani Azemi (i pari nga e majta) pranë mikut tij, Idriz Basha.
KRISTO KIRKA-Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”
NGA URAN BUTKA*/
Në vitin 1908 Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.
Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.
Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore. Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të çështjes kombëtare.
Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.
Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që ai e pranoi.
Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.
Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.
Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”. Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë kombëtare. Oratorët Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.
Mitingje masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në Southbridge, më 14 dhjetor. Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet të pathyer.
Gazeta “Dielli” e datës 28 janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka, luajti një rol të rëndësishëm bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.
“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910 të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston. Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”. Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.
Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.
Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif Pani. Kryesia e re ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë, u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.
Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.
Në përvjetorin e parë të “Diellit”, më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë “Besa-Besën” dhe të kryetarit të saj, Kristo Kirka:
“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”
Pas shoqërisë “Besa-Besën”, në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.
Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.
Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.
Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke, përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.
Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:
“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë që të vejë më përpara shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë koha që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.
Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.
“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante Kristo Kirka.
Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar. Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:
“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”
Kështu, me nismën e Kristos, u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.
*Marre nga Monografia e Uran Butkes”Kristo KIRKA)
EMRI I BUTRINTIT RRJEDH NGA GJUHA SHQIPE E FOLUR NE PARATOKEN E TIJ DHE JO NGA GREQISHTJA E VJETER
NGA KOZMA TAHO- CLEARWATER FLORIDA/
Emri i Butrintit, thonë autorët greko – helenë vjen nga fjala “ bous “ e greqishtes së vjetër me të cilën ajo emërton kaun , demin. Dhe për ta bërë këtë sa më të besushme, këta servilë të perandorëve romak, sajuan edhe legjendat e themelimit dhe emërtimit të tij prej refugjateve trojan . Autor të sotëm arkeolog , historian e të tjerë e duan Butrintin të jetë i themeluar nga greko – helenët e Korinthit dhe Korkyrës aty rreth shek. VIIp.e.s. Akademia e Kulturës së Romes fashiste dergoj Maria Luigji Ugolinin për ta zbuluar e për tja adresuar Greko – Heleneve themelimin e Butrintit Madje edhe UNESKO që e ka marr në mbrojtje, nëpërmjet penës së përfaqësuesit të saj R. Hodge, e do që të jetë themeluar prej greko – helenëve. Akademia e Shkencave të Shqiperisë solli edhe arkeologen greke K. Hatzis për të na e saktësuar këtë nëpërmjet arkeologut tonë të “ shquar “ N. Ceka me librat “Butroti” dhe “Iliret”. Nuk kam ndërmënd të ndalem në këtë shkrim në lajthitjet e këtyre autorëve që e quajn veten arkeolog sepse vet gjetjet arkeologjike në Kodër Butrint i rrëzojnë lajthitjet e tyre. Mjafton të shikosh faqet 70 dhe 71 të librit të prof. Dh. Çondit “ Butrint , Hystory, Monuments and Museum “ ku tregohen një pjesë e gjetjeve arkeologjike dhe bindesh plotësisht. Arkeologjia po bën gati një shekull që është prezente në Butrint e vërdalloset e punon jashtë rrethimit të parë e të dytë të tij e guxon të flas për Historinë, parahistorinë dhe prehistorinë e tij. Aq më tepër akoma , këta autor nuk guxojnë ti referohen burimeve mitologjike qoftë të asaj arberore apo edhe asaj që bota akademike e pranon për greko – helene. Studiusi i shquar
arvanitas A. Kola që i ështe qasur atyre mendon se themelues i Butrintit është Kadmi mitiko legjendar i cili pat udhëtuar për këtu me qerre të tërhequr nga buajt . Si për ta vërtetuar këtë edhe deri në ditët e sotme dy parcela të medha në mesin e paratokës së Butrintit mbajn emrat” Kandale” dhe “Bundo “ çka mund të lidhet me Ka apo Buall. Të tjerë autor Greko –helen, që e duan me pa tjetë që emri i tij të vij nga gjuha helene thonë se mund të vij edhe nga fjala “bout “ me të cilen ajo emërton rigonin. Autore shqiptar hamëndësojnë se mund të vij edhe nga fjala buzë e shqipes , meqënse ështe ndërtuar buzë detit. Të tjerë akoma ndajnë emrin e tij në biri i trimit apo biri i trojes per të pranuar edhe legjendat e themelimit të tij. Duke kërkuar rreth preardhjes së emrit te Butrintit vura re se: popullsia rrënjëse e Fushë Mursisë, si dhe çobenët vlleh, çam apo labe qe silleshin rreth këtyre trojeve , i emërtonin ato me një emër shumë interesant – VITHRINË, VUTHRINE apo VUTHROT. Interesante është se edhe inteligjenca shqiptare e rreth viteve 30 te shekullit te kaluar i emërtonte keto troje me të njëjtin emër ( shiko per kete raportin e z. Sotir Kolea drejtuar Ministrit te Arsimit Qershor 1930 ). Nën këtë emër gjuha shqipe, e folur në paratokën e Butrintit emërton trojet që fundosen , ulen nën nivelin parësor të tyre, si në vënde te thata ashtu edhe nën nivelin e ujrave. Kështu pra popullsia rrënjëse e Fushë Mursisë e më gjërë ka percjell faktin se këto troje ndoshta mbas ndonjë katastrofe natyrore , tërmeti e rrëshqitje kanë pësuar ndryshim nivelesh. A nuk është ulur toka , madje edhe nën nivelin e ujrave të liqenit , në te ashtuqujturën agora a forum romak si dhe në vet teatrin e Butrintit ? Kjo është tejet e saktë dhe lehtësishtë e vrojtushme . Por , a mund të jetë kjo ulje emërtuse e Butrintit? Për sa njohuri kemi deri më sot, Jo. Emri i Butrintit është i njohur rreth njëmij vjet para se te dodhte kjo ulje , regjistruar nga Hekateu i Miletit, i vetmi visitor i hershëm i tij ,rreth viteve 520 p.e.s. Shtoj me kete rrast se As/ prof. Hernandesi i Universitetit Notre Dame të Amerikës si dhe Prof. Çondi , të cilët gërmuan deri 6-7 metra thell në forumin romak , si neo filohelenist të mirë thanë se nuk mund të bëhet fjalë për qytetërime më të herëshme se shek i VII p. e. s. Ata gjetën ndër të tjera dhe një parmënd druri , material lehtësisht e shkencërisht i datushëm . Ende nuk është publikuar se kujt periudhe i përket ajo : në mos e kanë zhdukur . Si do qoftë Prof. Çondi do të bënte deklaratën e më poshtme për Balkanweb : “ ….Me germimet e reja ne Butrint, dalin në dritë deshmi të reja të një qytetërimi të lashtë ……..me zbulimin e objekteve më të fundit në Butrint vërtetohet me fakte konkrete se Butrinti ka një histori më të herëshme zhvillimi nga ajo që kemi mësuar deri më sot “ ( Ballkanweb Qershor 2012 ) Si do qoftë unë mendoj se trualli që u bë emërtues i Butrintit i përket gjiut liqenor në krah të Portes së Luanit . Në prehistori kjo pjesë ka qënë stere , e pikërisht këtu ka qënë vendosur fshati prehistorik i peshkatarëve. Si rezultat i ndonjë tërmeti të fuqishëm është aktivizuar dhe ka rrëshqitur e zhytur nën nivelin e ujrave të liqenit pjesën më të madhe të fshatit , duke përbër kështu një katastrofë natyrore nga ato që mbahen mëndë e përcillen gjatë në memorjen e shoqërisë njerëzore . Brezat e popullsive rrënjëse të paretokës së Butrintit i përcollën këto troje nën emrin vithrinë , vuthrinë , vuthrot e që nga helenët u shkruajtën Buthrot apo Buthrotos e nga romaket Buthrotum . Një ndër elementët që të çon në këtë hamëndësi është mos ekzistenca e ndonjë kalate portuale me blloqe gurësh qiklopik në këtë pjesë e cila është më e përshtatshmja dhe më e mbrojtura nga batica e zbatica e liqenit . Pikërisht këtu pak metra në krah të varrezave ndodhet një fragment muri paksa i përmbysur , ndërtim i periudhës mesjetare , me sa gjykohet nga Guiskardët, të cilët ndërtuan këtu një flotë detare të tërë siç tregon kronistja Anna Komneni . Kështu pra , prejardhja e emrit të Butrintit nuk ka asgjë të përbashkët me Ka, Dem a Buall, Me Rigon a Buzë, prralla historiano – dijetaresh, por me nje katastrofë natyrore që përpiu një fshat të tërë e që u ruajt e përcoll gjatë në memorjen e popullsisë vëndëse nën emrin Vithrinë , Vuthrinë apo Vuthrot .
KOZMA TAHO
CLEARWATER FLORIDA
Shkurt , 2015
MISTERI I VRASJEVE TE PJESTAREVETE UÇK-së
Vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së si po klasifikohen: politike, parapolitike, të qëllimta, të porositura nga Serbia apo nuk llogariten fare?!
Nga Faton Mehmetaj/
Vrasjet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vite që komentohen në Kosovën e pasluftës, nëpër gazeta, në rrjetet sociale, në çarshi e në jetën e përditshme. Shumica prej komentuesve shprehin mllef, shprehin mendimet e tyre, secili i ndikuar nga subjektiviteti i vet. Disa e lavdërojnë UÇK-në, disa të tjerë e poshtërojnë atë, e disa të tjerë bëjnë sehir e derdhin lot krokodili. Prej të gjitha këtyre shtresave rrallëkush ka bërë pyetje dhe e ka ngritur zërin në përjashtim të familjarëve, të cilët kanë pritur nga shteti se do të ketë drejtësi për familjarët e tyre. Pse janë heshtur vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së?! Pse askush apo rrallëkush e ka ngritur çështjen e tyre?! Pse të gjitha hetuesitë, deri në ditët e sotme, i kanë anashkaluar këto lëndë, e disa prej tyre i kanë mbyllur fare?! Në këto pyetje është dashur të përgjigjej hetuesia, policia, UNMIK-u më herët, EULEX-i tani, gjykatat vendore dhe ato ndërkombëtare, prokuroria e shtetit dhe organet tjera kompetente. Vrasjet tragjike të mbi njëqind figurave të rezistencës shqiptare, shumica eprorë dhe ushtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur në harresë.
Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet rresht, por edhe përkundër premtimeve të dhëna se do të zbulohen të gjitha vrasjet e pasqaruara, duke i përfshirë këtu edhe vrasjet e disa prej drejtuesve të UÇK-së në periudhën e ilegalitetit, deri më tani nuk doli asgjë. Neglizhencën, pengimin dhe moszbulimin e këtyre vrasjeve e kanë bërë struktura të lidhura me shtetin. E kanë bërë ata që nuk e kanë dashur unitetin e Kosovës, e kanë bërë ata që nuk e dëshirojnë progresin e Kosovës. Që nga paslufta e këndej janë vrarë mbi njëqind çlirimtarë, shumica prej tyre strategë luftarakë, vizionarë, eprorë të shquar për profesionalizëm, të urtë në përditshmëri e të pathyeshëm në vijat e frontit. Dyshimet janë të bazuara se këto vrasje ishin të organizuara nga shërbimet sekrete serbe, të ndihmuara nga veglat e tyre të ngjashme me “opriçnikët” e Ivanit të tmerrshëm rus. Këto vrasje nuk po ndriçohen qëllimisht nga një shtresë e njerëzve të paaftë dhe injorantë, madje jo vetëm të tillë, që kanë ardhur në pozita të caktuara përmes servilitetit, duke u paraqitur viktimë e duke u strukur e nënshtruar para akëcilit që ka qenë i veshur me pushtet. Kjo shtresë e njerëzve e ka dëmtuar imazhin e organeve tona shtetërore, policisë, hetuesisë e gjyqësisë. Këto vrasje e kanë dëmtuar Kosovën pa masë duke e shndërruar në një shtet kaotik pa qenë. Gjendja në të cilën jemi sot, është meritë e këtyre shtresave. Duhet përmendur se vrasjet enigmatike apo të pasqaruara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në njërën anë dhe të disa personaliteteve politike të Kosovës në anën tjetër, e kanë rrezikuar gjendjen e sigurisë skajshmërisht, ato kanë reflektuar shumë në destabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Në përgatitjen e skenarëve të vrasjeve serike, që ndodhën në Kosovën e pasluftës, padyshim se janë të involvuara agjenturat serbe, pasi që qeveritë e Serbisë që nga përfundimi i luftës në Kosovë e këndej të vetmen rrugë për rimarrjen e sërishme të Kosovës e shohin nëse arrijnë ta destabilizojnë apo ta vietnamizojnë Kosovën: t’i fusin shqiptarët në konflikt të dyfishtë: ndërmjetveti dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Dyshimet se Serbia ka dorë në organizimin e këtyre vrasjeve rriten edhe më shumë ngase shumica e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në gjyqet dhe në proceset e montuara kundër eprorëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka rezultuar se paraprakisht kanë qenë dëshmitarë të përpunuar në Serbi. Madje, dëshmitari N. B. i ka kushtuar mbi 4 milionë euro buxhetit të Kosovës dhe deri më tani me dëshmitë e tij nuk ka kontribuar në asnjë proces gjyqësor për zbardhjen e të vërtetës. Ky person më shumë ka qenë i porositur për ta njollosur UÇK-në se sa ka qenë dhe është dëshmitar i besueshëm i ndonjë procesi të mirëfilltë gjyqësor. Serbia nëpërmjet rrjetit të bashkëpunëtorëve që i ka të instaluar në Kosovë dhe të nomenklaturës që ka arritur ta inkorporon në institucionet e Kosovës, ka ndërmarrë veprime dhe fushata të orkestruara në forma të ndryshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, varësisht si u ka rezultuar pas analizës së personaliteteve të tyre veç e veç.
Shoqëria kosovare, organet kompetente të hetuesisë e të drejtësisë duhet të mbledhin prova e fakte konkrete, pos atyre që kanë mbetur, sepse një pjesë e këtyre fakteve janë shkatërruar nga UNMIK-u, pas dështimit të drejtësisë në Kosovë. Për ta implementuar drejtësinë në Kosovë ka dështuar UNMIK-u, EULEX-i (shih për këtë aferat tepër të rënda korruptive që janë bërë publike prej vet pjesëtarëve të këtij misioni), por ka dështuar edhe drejtësia vendore, e cila ka qenë e politizuar dhe e shantazhuar. Këto janë disa nga arsyet pse vrasjet politike të asnjë profili nuk janë zbuluar. Mbi njëqind veta është numri i pjesëtarëve të vrarë të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj., vrasjet e të cilëve nuk janë zbardhur ende. Çështja është se gjykata speciale që pritet të formohet, a do ta konsiderojë këtë shtresë të barabartë për trajtimin e rasteve të vrasjeve të tyre në këtë gjykatë, e cila edhe ashtu po ngitet posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, apo do të anashkalohen e heshten rastet e tyre siç ka ndodhur deri më tani?!
Për zbardhjen e vrasjeve të cilësuara me motive politike, që kanë ndodhur pas luftës, gjatë luftës, apo para luftës janë bërë thirrje të vazhdueshme nga shtresat e ndryshme të shoqërisë, është bërë thirrje tek UNMIK-u, EULEX-i e organet e drejtësisë për të dhënë kontribut në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por kjo nuk ka ndodhur. Kanë kaluar mbi pesëmbëdhjetë vite e gjykatat tona, të ndihmuara edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kanë arritur të zbulojnë makar një rast. Ky hendikep po ndodhë për shkak se drejtësia – organet e drejtësisë nuk janë të liruara nga ndikimet politike. Nëse arrihet të bëhet një gjë e tillë, ky mund të jetë edhe njëri nga çelësat e suksesit për zbardhjen e këtyre rasteve dhe dhënien fund manipulimeve të shumta në emër të tyre. Nëse akuzat nuk janë të argumentuara dhe të bazuara realisht, nëse ndodhë të jenë të motivuara politikisht dhe të ngriten për qëllime të dyfishta, prapë do të bëhen gjyqe sa për të thënë, viktimat dhe familjarët e tyre nuk do të marrin drejtësi dhe do të bëhen padrejtësi të mëdha. Nuk duhet të përsëriten praktikat e UNMIK-ut, kur dosjet gjyqësore përgatiteshin në Serbi e UNMIK-ku i zbatonte në Kosovë.
Vrasjet enigmatike të periudhës së pasluftës, të luftës dhe të paraluftës, duhet trajtuar njëlloj të gjitha e jo në mënyrë selektive. Janë mbi 100 pjesëtarë të UÇK-së të vrarë pas luftës, por që askush nuk është marrë me zbardhjen e tyre. Që nga ajo kohë e gjer më sot për këto vrasje është heshtur. Ata që i urdhëruan vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pavarësisht çfarë tabori i takojnë e kanë bërë punën e Serbisë. Kjo do të thotë se mosndriçimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve u shkon përshtati më së shumti atyre që i kanë sponsorizuar krimet dhe kriminelët.
S’do mend se drejtësia nuk ka funksionuar në Kosovë për një kohë të gjatë sepse ka qenë e kapur nga klanet e mafies politike. Kjo është njëra nga arsyet e prolongimit të zbardhjes së vrasjeve që ndodhën në Kosovën e pasluftës. Këto vrasje u heshtën nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore për shkak të lidhjeve të ngushta të klaneve të krimit të organizuar me shtetin. Si pasojë e kësaj u likuiduan edhe shumica e dëshmitarëve të proceseve gjyqësore, shumë prej të cilave procese të montuara, për të vazhduar anonimiteti rreth këtyre vrasjeve me qëllim që prapë sa herë të duan të krijojnë procese të reja, jo për të vënë drejtësi për viktimat, jo për ta ndriçuar të vërtetën, por më shumë për pazare politike, siç mund t’i konvenojë dikujt.
Siç e kemi parë në shtyp, në fushatat elektorale, në gjykata e në jetën e përditshme lufta mes klaneve të mafies politike ka qenë e ashpër dhe për pesëmbëdhjetë vite nuk kanë zbritur fare tensionet. Duke u marrë me vetveten e me njëri-tjetrin e kemi harruar ndërtimin e shtetit, ndërtimin e të ardhmes për brezin e ri, i cili po shpërngulet në vendet e Europës e të botës tash e pesëmbëdhjetë vite herë më pak e herë më shumë.
Serbia gjatë të kaluarës për t’i mbajtur më lehtë nën sundim shqiptarët, i nxiti vëllavrasjet ndërmjet tyre, thuri intriga e shkaktoi ngatërresa të mëdha, pasojat e të cilave shqiptarët i bartën mbi supe me dekada. Dhe tërë këto nuk kanë qenë të ngjarje të rastit, por të parapara me planprograme antishqiptare, të hartuara e të zbatuara nga organet zyrtare të Serbisë. Ndonjë prej këtyre dosjeve është bërë publike vetëm pas njëqind vjetësh! Ky fenomen është i njohur e i trajtuar me qindra herë të paktën qysh kur Serbia e pushtoi Kosovën më 1912 dhe ka vazhduar pa e humbur efikasitetin gjer në ditët e sotme. Interesi dhe prania e lartë e agjenturave serbe në Kosovë dhe ndikimi i tyre tek bashkëpunëtorët dhe lidhjet e veta, qoftë nëpërmjet influencimit apo shantazhit, ka krijuar një klimë të volitshme që Serbia t’u hyn proceseve për të tentuar t’i barazojë krimet e forcave okupuese serbe (ushtrisë, policisë, paramilitarëve serbë…) me ato të shqiptarëve! Serbia ka botuar mbi 400 libra, shkrime, lansime nga më të ndryshmet në shtypin e Serbisë dhe atë ndërkombëtar, duke bërë çmos për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e shenjtë të saj. Si produkt i angazhimit të Serbisë dhe luftës speciale që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Serbia kundër drejtuesve të UÇK-së, është iniciuar edhe formimi i gjykatës speciale për t’i gjykuar ekskluzivisht ish-pjesëtarët e UÇK-së, gjykatë kjo e vetmja në rajon që do të formohet kundër shqiptarëve e që do të ketë karakter të gjykatës etnike, sikurse gjykata e Nurembergut e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, veçse me një dallim të madh: gjykata e Nurembergut nuk i gjykoi viktimat (hebrenjtë) por agresorin (nazistët) e në rastin e Kosovës po ndodh e kundërta, madje edhe me selektime tendencioze brenda llojit. Kjo qasje është mashtrim i opinionit dhe dhunim i drejtësisë ndaj njërës palë.
Në Kosovën e pasluftës vrasje dhe krime ka bërë kush ka mundur e më së paku pjesëtarët e UÇK-së, megjithëse janë cilësuar si fajtorë kujdestarë për çdo gjë që ka ndodhur, ndonëse fajësia e tyre në më shumë se 80 për qind të rasteve nuk është vërtetuar.
Sidoqoftë, i gjithë angazhimi i shoqërisë kosovare duhet të fokusohet në gjetjen e vrasësve të vërtetë, të cilët, sigurisht se nëse zbulohen do të tregojnë për urdhërdhënësit dhe prapaskenat e moszbardhjes së deritashme të këtyre krimeve. Partitë politike në Kosovë pa dallim duhet të bashkohen për ta luftuar fenomenin e vrasjeve politike dhe të vrasjeve me porosi si dhe të gjitha tentativave që qojnë kah vëllavrasja dhe destabilizimet e mundshme të përplasjeve, që mund të vijnë nga grupet dhe klanet e caktuara të mafies politike. Pse të mos zbulohen vrasjet e mbi njëzet eprorëve të TMK-së?! Pse të mos zbulohet vrasja e ish pjesëtarit të UÇK-së, Avni Elezajt, i cili si 17-vjeçar gjatë kohës së luftës likuidoi njërin ndër kriminelët më famëkëqij të Serbisë, Vidomir Shalipurin, që hyn në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së? Avni Elezaj u vra më 12 tetor 2002, në Pejë, bashkë me Bekim Mustafën nga Klina e Poshtme e Skënderajt me banim në Arbnesh (ish- Vitomiricë) të Pejës, edhe ky ish-pjesëtar i UÇK-së. Pos kësaj, më 17 mars 2004, u vra edhe babai i Avnisë, Smajl Elezaj, vetëm pak orë para shpërthimit të protestave të marsit në Pejë. Pse të mos zbulohet vrasja e Avdi Mujajt, nga Strellci i Deçanit, i cili më 1 tetor 2003, u vra në oborrin e shtëpisë së vet në prani të familjes së tij, me ç’rast u plagosën rëndë edhe tre kushërinj të tij?! Pse të mos zbulohet vrasja e vëllezërve Brahim e Rexhep Nikqi, djemtë e atdhetarit të shquar Sylë Mehmeti, të dy aktivistë të çështjes kombëtare dhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët u vranë në një pritë në Shqipëri në gusht të vitit 1999, derisa po vinin në Kosovë?!
Pse të mos zbulohen dhe dënohen denoncuesit apo pjesëmarrësit e mundshëm në pritën në Pestovë, ku u vranë disa nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së?! Pse të mos zbulohen rastet e mjekut Hafir Shala e veprimtarit Xhavit Haziri, të arrestuar e më pas të zhdukur nga policia sekrete serbe; vrasjet e Hyzri Tallës, Ilir Durmishit, Afrim Maliqit, të vrarë nga policia sekrete serbe në Prishtinë në fillim të dhjetorit të vitit 1998, në prag të fillimit të ofensivës në Llap. Pse të mos zbulohen organizatorët e pritës në Bishtazhin, Goden e Rogovë të Hasit, në janar të vitit 1999, ku u vranë mbi tridhjetë shqiptarë, prej tyre 21 pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe disa komandantë të njohur të Zonës Operative të Dukagjinit? Pse të mos zbardhet prita ku u vra nga forcat serbe njëri ndër organizatorët e orëve të para të UÇK-së, Mujë Krasniqi bashkë me 41 bashkëluftëtarë të tjerë në Gorozhub të Hasit në dhjetor të vitit 1998?! Pse të mos zbulohet vrasja e Ekrem Rexhës-komandant “Drinit”, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, për të cilën UNMIK-u organizoi edhe një proces gjyqësor, ku u akuzuan për vrasjen e tij bashkëluftëtarët e tij, në mesin e tyre eprorë të lartë të UÇK-së, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm, por që karrierën ushtarake ua shkatërruan përjetësisht?! Pse të mos sqarohet vrasja e Skënder Gashit, nga Sopniqi i Rahovecit, luftëtar i dalluar i UÇK-së dhe pjesëtar i TMK-së, i cili u masakrua në afërsi të fshatit të tij, e që pesë ditë më vonë si pasojë e kësaj i vdiq edhe babai?! Pse të mos ndriçohet vrasja e Ali Ajetit, Ali Ukajt, Ilir Konushevcit, Agron Rrahmanit, Bahri Fazliut, Sadri Ramqajt, Enver Haradinajt, Shaqir Krasniqit, Agim Makollit, Sadik Ukës e dhjetëra të tjerëve…
Vrasjet në moh, në prita, në pabesi, vrasjet e liderëve politikë, të udhëheqësve ushtarakë e kombëtarë, vrasjet e prijësve kulturorë e fetarë gjatë historisë dhe vrasjet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës së fundit kundër Serbisë dhe dëbimit të forcave ushtarako-policore e paramilitare serbe nga Kosova, nuk janë risi, janë një lloj përsëritjeje e ngjarjeve të hidhura që kanë ndodhur gjatë historisë ndër shqiptarë edhe më parë. Brenda një kohe të shkurtër u vranë liderët më të shquar të kombit shqiptar, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi e qindra të tjerë. Vetëm me emrat e tyre do të mbusheshin disa libra shumëfaqëshe, aq i madh është numri i atdhetarëve të popullit shqiptar, të vrarë për motive politike me porosi të armiqve apo të eliminuar për shkaqe revanshiste, karrieriste apo të luftës së brendshme mes klasave politike. Ky fenomen paraqet rrezik të lartë për popullin shqiptar, ngase vrasjet e motivuara politikisht kanë një kontinuitet, por edhe një tradicion me vrasjet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe kanë vazhduar gjer më sot.
Nga historia mund mësojmë dhe të marrim sinjale të qarta prej nga vijnë nxitjet e vëllavrasjes në Kosovë dhe në hapësirat mbarëshqiptare, sepse hetime të mirëfillta për këto vrasje nuk janë bërë pothuajse asnjëherë, kuptohet as për vrasjet e kësaj cilësie që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës së fundit. Vet fakti se këto vrasje nuk janë zbuluar tash e pesëmbëdhjetë vite e disa edhe më shumë, e tregon mosseriozitetin dhe mosangazhimin e shoqërisë tonë në këtë drejtim, veçanërisht të organeve kompetente, duke lënë hapësirë për manipulime të shumta. Për vrasjet politike është folur e përfolur, por edhe është debatuar në kohë fushatash e momentesh sensitive nëpër të cilat ka kaluar populli ynë këto vitet e pasluftës, në vitet e lirisë, për të cilën është derdhur shumë gjak, është dhënë mund e janë bërë shumë sakrifica. Secili qytetar pyet me të drejtë se pse me të vërtetë nuk janë zbuluar këto vrasje kaq gjatë, kur në Kosovë që nga fillimi e gjerë më tani sundimi i ligjit dhe i drejtësisë është mbikëqyrur dhe është zbatuar nga instancat ndërkombëtare, siç janë: UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i, OSBE, por edhe nga instancat vendore, që kanë qenë mbështetës e deri diku edhe zbatues të vendimeve të instancave ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë dhe e ndajnë drejtësinë. Ndoshta nuk pritet aq shumë nga shtresa të caktuara të shoqërisë sonë, të cilat çdo ditë e më shumë po e mohojnë shtetësinë e Kosovës, që të punojnë sinqerisht dhe intensivisht në zbardhjen e këtyre vrasjeve që presin drejtësi tash sa vite.
Vrasjet e pazbardhura politike në Kosovë më shumë janë përdorur nga nomenklatura të caktuara të shoqërisë sonë si gogol për t’i frikësuar grupimet e caktuara me qëllim që t’i mbajnë nën kontroll dhe t’i disiplinojnë ato, e shumë pak ka pasur të interesuar që t’i zbardhin ato vrasje, të ketë drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre.
Qarqe te caktuara, të porositura, mirë të financuara, menjëherë pas mbarimit të luftës kanë organizuar një fushatë të orkestruar kundër elementit progresiv në Kosovë, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ish të burgosurve politikë dhe pjesës tjetër që ka mbajtur qëndrim të profilizuar për zhvillimin dhe progresin e vendit. Rrathët koncentrikë të këtyre qarqeve kanë qenë dëshmitarë në të gjitha proceset gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës dhe në proceset gjyqësore të organizuara në Kosovë, procese këto që janë analoge me proceset e gjyqeve të regjimit komunist në ish-Jugosllavi, të organizuara për ta shkatërruar klasën kundërshtare, duke i përdorur aparaturat e shtetit. Për zgjidhjen e kësaj situate ka qenë dashtë një veprim më direkt, por ka heshtur secili, asnjëri nuk ka marrë guxim por edhe nuk kanë qenë të interesuar për ta trajtuar problemin e vrasjeve të pasluftës. Kjo çështje tepër e ndjeshme më shumë ka shërbyer për të ngjallë urrejtje e armiqësi ndaj grupeve të caktuara, veçanërisht ndërmjet LDK-së dhe krahut të luftës, sesa ka qenë një këmbëngulësi për t’i zbardhur këto vrasje, duke lënë hapësirë që sipas dëshirës apo interesave për t’ua vënë në barrë individëve apo grupeve të caktuara. Për t’i zbardhur vrasjet politike, pra vrasjet e aktivistëve të LDK-së dhe vrasjet e eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj. që sigurisht shumë prej tyre janë politike apo akudohet se janë politike, nuk është vonë kurrë, por nuk duhet keqpërdorur e politizuar këto raste, meqenëse është duke u formuar gjykata speciale, ngase politizimi është imponim direkt i përzierjes së politikës në këto procese, të cilat edhe mund të dështojnë si herëve tjera po qe se i lejohet politikës t’i futë duart dhe të ndikojë politikisht në këto procese.
Shpesh herë janë organizuar fushata me porosi nga qarqet e Serbisë për komprometimin dhe shantazhimin e udhëheqësve të ish-UÇK-së, duke shkruar vetëm zi. Fatkeqësisht, kundër këtyre fenomeneve kanë heshtur organet shtetërore, ka heshtur klasa intelektuale, drejtësia, hetuesia, etj., edhe pse e kanë pasur të qartë se kemi të bëjmë me shpifje dhe me fushata të organizuara e të përpunuara në laboratorët e shërbimeve sekrete serbe. Duke u bazuar në fushata të tilla shpifjesh, janë ngritur dhjetëra procese gjyqësore në të cilat janë gjykuar shumë pjesëtarë të UÇK-së, kanë vuajtur me dhjetëra vite burg gjatë qëndrimit në paraburgim, nga gjykimet e deritanishme kanë mbajtur të gjithë bashkë qindra vjet burg dhe më pas më se 80 për qind e tyre ka dalë të jenë të pafajshëm. Edhe pse ata kanë dalë të pafajshëm atyre iu ka shkatërruar karriera politike e ushtarake, janë njollosur moralisht pa të drejtë, iu ka shkatërruar ekonomia familjare dhe u është rrënuar e ardhmja. Kjo shtresë e shoqërisë është keqtrajtuar dhe denigruar skajshmërisht. Mbi 45 pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, sepse nuk kanë mundur ta durojnë gjendjen në të cilën i katandisi shoqëria kosovare ekonomikisht e politikisht. Shumë prej tyre janë bërë personazhe të rregullta të kronikave televizive e gazetaresve për ilustrimin e skamjes e mjerimit në Kosovë. Afërsisht pesëdhjetë libra janë shkruar kundër UÇK-së nga shkrimtarë, gazetarë të huaj e shqiptarë, çka s’u tha kundër UÇK-së, që rezultuan edhe me procesin Dick Marty, i cili pos akuzave që e dëmtuan shumë rëndë imazhin e UÇK-së, të Kosovës e të shqiptarëve përgjithësisht, baza e të cilave ishte dhe është në Serbi, të gjeturat e bëra publike deri më tani nuk e materializuan asnjë prej akuzave skandaloze të tij.
Gjeneralët serbë kanë deklaruar publikisht se nuk mund të kthehen në Kosovë pa e gjunjëzuar UÇK-në, dikush që ka emër e mbiemër po punon pandërprerë për këtë. Çdo ditë përbaltoset figura e UÇK-së nga kjo shtresë. Mbi tetë mijë shqiptarë të kosovës kanë azil në vende të ndryshme të Europës e botës si të përndjekur nga UÇK-ja, për ta siguruar azilin partitë politike u kanë dhënë dëshmi këtyre njerëzve që janë të përndjekur nga UÇK-ja. Për çudi ka prej tyre që krahas statusit të të përndjekurit politik nga UÇK-ja të marrë në ndonjërin nga shtetet europiane bashkë me të gjithë anëtarët e familjes, kanë ushtruar edhe poste të larta në institucionet e Kosovës! Shoqëria jonë e ndihmuar edhe nga një shtresë e kriminalizuar e pushtetit ia ka dhënë rastin akëcilit që do, t’i quajë kriminelë pjesëtarët e UÇK-së, t’i vret e askush të mos përgjigjet për këto vrasje. Fatkeqësisht, ky është vetëdijesimi ynë. Siç dihet edhe publikisht me qindra lëndë të krimit të organizuar, korrupsionit e lëndë të tjera janë zhdukur nëpër prokurori, sa e sa prova janë zhdukur, sa e sa raste janë fshehur, sa e sa dosje janë bartur në Beograd, sa e sa dëshmitarë janë vrarë vetëm për ta fshehur të vërtetën, sepse një shtresë e shoqërisë sonë është mësuar ta ndërtojë karrierën mbi mundin, djersën, gjakun, sakrificat e fatkeqësitë e të tjerëve. Shoqëria jonë duhet të vetëdijesohet të unisohet dhe t’i zbardhë të gjitha vrasjet që ndodhën pas luftës, e jo të qaset në mënyrë selektive ndaj këtyre rasteve, sepse sipas logjikës që po kultivohet po i bie se UÇK-ja i ka vrarë pjesëtarët e LDK-së e LDK-ja ata të UÇK-së. Siç është dëshmuar publikisht, shumë prej dëshmitarëve të montuar janë joshur me premtime të ndryshme për t’i përdorur kundër UÇK-së, qoftë për rregullim statuti të azilit në vende të ndryshme të botës, qoftë me para, apo benificione të tjera, por ka ndodhur që kur nuk ua kanë përmbushur kushtet dhe kanë dështuar në dëshmitë e rrejshme edhe janë vrarë.
Edhe përkundër pranisë së madhe të forcave të KFOR-it, të policisë së UNMIK-ut, Policisë së Kosovës, pranisë së shërbimeve të shumta inteligjente, pastaj kontingjentit të hetuesve, prokurorëve ndërkombëtarë e vendorë, drejtësia në Kosovë dështoi në zbardhjen e veprave kriminale dhe të vrasjeve të pasluftës, duke mos i vënë fajtorët para drejtësisë. Kjo nuk është vetëm një mungesë vullneti për t’u përballuar me strukturat e krimit të organizuar, por edhe një mungesë e vendimeve politike për të ndërmarrë masa ndaj këtyre strukturave. Kjo logjikë çon në luftë vëllavrasëse, provokon luftë qytetare, nxitë urrejtje, shkakton pakënaqësi, e të gjitha bashkë e bllokojnë progresin e Kosovës drejt integrimit në BE, në NATO e në instancat tjera ndërkombëtare.