• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË FESTIMIN E PËRVJETORIT TË SHTATË TË PAVARËSISË SË KOSOVËS VATRA U APELOI KOSOVARËVE TË MOS E BRAKTISIN ATDHEUN

February 15, 2015 by dgreca

Bronx, NY- 15 Shkurt 2015- Të Shtunën me 15 Shkurt në mesditë Federata Vatra dhe Bashkësia Shqiptare në Nju Jork kremtuan në restorantin Maestro’s , shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Disa qindra pjesmarrës e respektuan ftesën e Vatrës dhe festuan së bashku pavarësinë e Kosovës. Kishin ardhë me këtë rast edhe diplomatët nga Konsullata e Shqipërisë në Nju Jork, Konsullja Irena Dai, Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, ansambleisti i Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj, Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Dr. Elmie Mara, drejtuesit fetar të komunitetit, Dom Pjetër Popaj famullitar i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Hartsdale NY, Pastor Fr. Nathan Preston – St. Nicholas Albanian Orthodox Church dhe te tjere.
Festën e ka hapur kryetari i komisionit të festimeve, zv/kryetari I Vatres Asllan Bushati, i cili u uroi mirëseradhjen të ftuarve dhe bëri një vlerësim për situatën e paspavarësisë së Kosovës. Më pas ai ka prezantuar moderatoren e festës, sekretaren e Vatrës zonjën Nazo Veliu.
Zonja Veliu i ftoi të pranishmit që të përcillnin Hymnet Kombëtare dhe më pas të mbanin një minut heshtje për të rënët për Liri.
Më pas ajo ka ftuar Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, i cili ka mbajtë ligjëratën:”Pavaresia e Kosoves dhe vendi i saj ne historine kombetare- 2008 – 17 shkurt – 2015”.
Prof. Dr. Dezhgiu tha: Pavaresia e Kosoves, e shpallur nga perfaqesuesit e zgjedhur te popullit te saj,me 17 shkurt 2008,perfaqeson nje ngjarje te madhe per te gjithe shqiptaret.Per kete dite te shenuar kane kontribuar disa breza shqiptaresh,me perpjekje e lufte te pareshtur,per te fituar lirine e pavaresine,e cila iu ishte mohuar nga pushtuesi.Epilogu dhe kulmi i perpjekjeve dhe luftes se shqiptareve te Kosoves,per t’i shpetuar spastrimit etnik, te ndermarre nga shteti serb,ishin ngjarjet e viteve 1998-1999.
Vuajtjet dhe sakrificat e shqiptareve,te mobilizuar ne menyre totale,nuk do te kishin perfundimin e deshiruar,fitoren e lirise,pa nderhyrjen e vendosur dhe percaktuese te koalicionit nderkombetar,nepermjet goditjes 72 ditore te forcave te NATO-s kunder makines ushtarake te Serbise.Ndaj, ne kete dite te shenuar,shqiptaret shprehin mirenjohjen e thelle per rolin e SHBA dhe te Bashkimit Europian qe u gjenden ne krah te drejtes historike te shqiptareve,ne mbeshtetje te lirise se nje populli,te rrezikuar per t’u asgjesuar.
Shpallja e Pavaresise se Kosoves shenon nje arritje historike te te gjithe shqiptareve,sepse ne emer te lirise dhe te pavaresise se Kosoves,ato kane luftuar pa nderprere,pavaresisht nga vendi ku ndodheshin.Ai frymezim mbarekombetar i shqiptareve u shpalos,ne menyre te persosur,edhe gjate luftes se fundit ne Kosove,ndaj eshte ligjitin gezimi i te gjithe shqiptareve per kete fitore historike.Shpallja e Pavaresise se Kosoves dhe arritjet e shtetit te saj,gjate ketyre 7 vjeteve,kane ridimensionuar te drejtat dhe lirine kombetare te shqiptareve ne trevat e veta etnike ne ish Jugosllavi.Vemendja e faktorit nderkombetar per zgjidhjen reale te ceshtjes shqiptare perben nje pike kyce,per rritjen e vendit dhe te rolit te shqiptareve ne rajonin e Ballkanit si faktor paqeje dhe stabiliteti.
Me Pavaresine e Kosoves eshte lidhur ne menyre te pashmangeshme veprimtaria shumevjecare e intelektualit,politikanit,Heroit te Kosoves dr.Ibrahim Rugova.Ai u be lideri i levizjes per liri,per pavaresi e demokraci.Edhe pse u nda nga jeta dy vjet para shpalljes se Pavaresise,ai kishte marre legjitimitetin publik te popullit si President historik i Kosoves.
Ne gjerdanin e arte te Pavaresise se Kosoves do te shkelqeje ne shekuj heroizmi dhe flijimi familjerisht i Adem Jasharit dhe i luftetareve te tij.Nderim e mirenjohje te pakufishme u kushtohet vepres sublime te gjithe bijave e bijeve qe u flijuan per lirine dhe pavaresine e Kosoves.
Deklarata e Pavaresise se Kosoves shpreh ne menyre te qarte dhe pa medyshje deshirat dhe aspiratat e popullit te saj per prosperitet e krenari kombetare.Ajo riafirmon deshiren e popullit te Kosoves per t’u integruar plotesisht ne familjen euroatllantike,se bashku me te gjithe qytetaret,pavaresisht nga perkatesia nacionale.
Perfaqesuesit e popullit ne Kuvendin e Kosoves,duke nenshkruar Deklaraten e Pavaresise,kane marre mbi vete shume obligime,ne planin kombetar dhe ate nderkombetar.Mbajtja e ketyre zotimeve dhe obligimeve te shtetit te Kosoves ndaj qytetareve te vet dhe ndaj faktoreve nderkombetare,ende vepruese ne Kosove,kane qene sfide e madhe per organizmat shteterore te saj.Shteti i ri i Kosoves ka fituar simpatine dhe mbeshtetjen nderkombetare.Pavaresine e Kosoves e njohin sot rreth 108 vende te komunitetit nderkombetar.
Pavaresia e Kosoves eshte ne proces te panderprere Ajo forcohet dhe persoset,duke kaluar shume sfida qe i dalin perpara.Ato duhen perballuar me zgjuarsi,me guxim,me vendosmeri,jo vetem nga institucionet e shtetit,por edhe nga te gjithe qytetaret e saj.Patriotizem nuk eshte vetem festimi me flamuj e pankarta,me valle apo parakalime me vetura,por patriotizmi eshte sjellja e pergjegjeshme ndaj vendit tend,per te kryer detyrimet qe ke ndaj tij.Duke ju referuar fjaleve te Konices,te shqiptuara me rastin e shpalljes se Pavaresise se Shqiperise, “Shqiperia u be.Tani lipset te behen shqiptaret”,mesazhi eshte i qarte.Kjo eshte sfida jone me veten qe duhet fituar doemos,per te kapercyer sfida te tjera,qe ka shteti i ri i Kosoves,qe ai te forcohet e te sendertohet si shtet demokratik.
Hemoragjia e Kosoves, keto kohet e fundit, ben thirrje per te dhene alarmin e shqetesimit mbarekombetar te politikes shqiptare.Te gjithe faktoret shqiptare lipset te gjejne zgjidhjen adeguate per kete situate paradoksale 7 vjet pas shpalljes se Pavaresise..Faktoret nderkombetare nderhyne ne Kosove per te ndaluar pastrimin etnik te shqiptareve te Kosoves.Roli i tyre ne kete mision nuk mund te jete i plote, duke diskriminuar pozitivisht vetem pakicat,por, duke krijuar kushtet normale te jeteses per shumicen absolute te popullsise se Kosoves,per shqiptaret.Nga politika shqiptare lipset me teper kembengulje me sens kombetar,perballe ketij faktori, veprues ne Kosove,per te ndikuar ne nderprerjen e largimit te shqiptareve nga vatra amtare.Fitorja e Pavaresise jep frytet e veta,duke derdhur djersen ne token amtare,prandaj luftuan te gjithe ata breza per fitoren e saj.Vetem keshtu mund te merren frytet e Pavaresise,qe ajo te mos kthehet ne zhgenjim,vetem keshtu gjallerohet shpresa per jete te sigurte, te begateshme e me dinjitet kombetar.
Konsulli I Kosovës, z. Korab Mushkola, përshëndeti pjesmarrësit dhe të ftuarit në emër ët Qeverisë së Kosovës dhe falenderoi Vatrën dhe Bashkësinë Shqiptare për organizimin madhëhstor të festimeve. Ai foli për rrethanat e arritjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për Kosovën shtatë vite pas shpalljes dhe falenderoi shqiptarët e Amerikës për kontributin e tyre për clirimin e Kosovës.
Edhe Konsullja e Shqipërisë në Nju Jork, zonja Irena Dai falenderoi për ftesën nga Vatra dhe evidentoi vlerat e pavarësisë së Kosovës. Ajo shprehu idenë e e rritjes së bashkëpunimit të dy shteteve, të Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në fushën diplomatike, duke synuar rritjen e njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës.
Anëtari i Ansamblesë të Shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj, është duartrokitur gjatë përshëndetjes së tij. Ai tah se pavarësia është nëj arritje e madhe, por vëllezërit dhe motrat tona të Kosovës po marrin rrugët e botës duke braktisur vendin përmes nëj ëmrgimi polt vuajtje e dhimbje. Ai i bëri thirrje shtetit që të ndihmojë popullin e Kosovës, por i bëri thirrje edhe komunitetit për ndihmë.
Në përshëndetjen e tij, dom Pjetër Popaj, duke iu drejtuar kryetarit të Vatrës dr. Gjon Bucaj, vatranëve, mysafirëve, diplomatëve uroi: Mirëse jemi bashkuar për të kremtuar ditën e madhe për të gjithë shqiptarët, por sidomos për Kosovën. Kam nderin dhe kënaqësinë të jem në këtë celebrim të vecantë të shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tha dom Pjeter Popaj.
Dita e 17 Shkurtit kur lindi shteti i pavarur I Kosovës. Ne sot e falenderojmë Zotin për këtë vepër të mrekullueshme, për qëndrimin e shqiptarëve, për përkrahjen e pakursyer të Shqipërisë dhe mbështetjen e fuqishme të Amerikës, që së bashku bënë të agojë kjo ditë.
Sot në vecanti kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra, që nuk kursyen kurrgja, dhe dhanë gjithcka nga vetja për liri dhe pavarësi.
Por gjithashtu falenderojmë edhe diasporën shqiptare këtu në Amerikë për kontributin e vazhdueshëm dhe ndërhyrjen e tyre deri në Shtëpinë e Bardhë.
Fitorja e Kosovës është fitorja e të gjitëh shqiptarëve. Ne jemi tani dy shtete por një komb, me një gjuhë, kulturë e histori. Kur njëri fiton, fitojmë të gjithë kur vuan njeri – vuajmë të gjthë.
Dita e 17 Shkurtit na ka forcuar edhe më tepër në bashkim me njëri tjetrin. Dhashtë Zoti që t’na mbajë gjithëmonë të bashkuar, po e shohim se nuk ka përparim pa bashkim.
Lusim Zotin edhe për prijsat tanë në Kosovë dhe Shqipëri të dijnë të udhëheqin popullin me urtësi, paqe e drejtësi, liri e përparim; kështu që sa më parë edhe të hyjmë në Bashkimin Europian. Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe Amerikën.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Gëzuar 7 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!
Gjatë festës u hap edhe një fushatë për të ndihmuar Kishën Orthodokse Autoqefale të Elbasanit të Atë Markut. Fushates iu pergjigjen shume vete.
I prononcuar publikisht per kete dite te shenuar te lirise se Kosoves, Kryetari i Vatres, dr. Gjon Bucaj tha:Sot përkujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë ata bij dhe ato bija që falën jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: të ndjemin Ibrahim Rugova dhe intelektualët tjerë të cilët i prinë me përkushtim popullit të vet në rrugën e trashigueme nga Rilindësat, Adem Jasharin me familjarët e vet dhe luftëtarët që ranë heroikosht mbi altarin e lirisë, si edhe miqt tanë, në rend të parë Shtetet e Bashkueme të Amerikës me aleatët për ndërhymjen me shpëtue popullin e Kosovës nga gjenocidi dhe për me këthye të dëbuemit me terror.
Bashkë me urimet e përzemërta, i drejtojmë popullit të Kosovës thirrjen të qnderojë i lidhun me tokën e të parëvet, kurse qeverisë të dyfishojë përpjekjet për të përmirësue jetën e qytetarëvet në mënyrë që të mos i shtyjnë nevojat jetësore me i këthye shpinën Kosovës.
E gëzofsh për shumë mot pavarësinë, Kosovë!
Pjesmarresit i pershendeti edhe drejtori ekzekutiv i Shtëpisë së Drejtësisë dhe Pajtimit të Gjaqeve, z.Agim Loci.
Për pesë orë grupi muzikor i Bujar dhe Anila Uka kanë argëtuar pjesmarrësit.Kenget per Kosoven, per trimerite e luftes, per qendresen, per siuimbolet Kombetare u shpalsoen gjate festes. Kengetari Lush Binak Marku ka me zerine tij et evcante solli nje tufe lengesh triemrie dhe u duartrokit nga te pranishmit.(Korresp i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: apel per braktisje te atdheut, dalip greca, Festa e Pervjetorit te pavaresise, se shtate, te Kosoves

Bukuria arkitektonike nën kamerën e fotografit Ilir Rizaj

February 15, 2015 by dgreca

NE FOTO: Ura ne Brooklyn Bridge dhe NYC fotografuar nga Ilir Rizaj/
Nga Ermira Babamusta/
Ilir Rizaj është një mjeshtër i fotografisë, i cili me krijimtarinë e tij promovon bukuritë arkitektonike. Fotografitë artistike të tij ilustrojnë objekte me rëndësi historike, etnografike, gjeografike dhe arkitekturale. Kulturën profesionale dhe artistike Ilir Rizaj e kultivoi duke fotografuar kullat klasike të Pejës, mrekullitë arkitektonitke të New Yorkut, pallatet madhështore të Stambollit dhe perla të tjera botërore.
Ilir Rizaj ka lindur në vitin 1960 në Pejë, ku kaloi fëmijërinë deri sa familja e tij u shpërngul në Prishtinë. Ka studiuar Fakultetin Juridik, dhe pak kohe mbas diplomimit shkon në vizitë në New York, ku vendoset përherëshëm. Atje njoftohet me fotografin e njohur Fadil Berishën, dhe fillon bashkëpunimin me të. Me nxitje nga Fadili, Ilir Rizaj i kthehet fotografisë në mënyrë profesionale. Tani meret kryesisht me fotografi arkitektonike dhe fotografi portretësh të aktorëve dhe muzikantëve. (www.ilirrizaj.com).
Iliri është anëtar i përherëshëm i AIAP (The Association of Independent Architectural Photographers) Shoqata e Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës. AIAP ka në rrjetin e saj fotografët arkitektural më të respektuar dhe talentuar të fushës. Fotografitë e tij të suksesshme janë publikuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.
Pasioni i Ilir Rizaj për fotografi reflektohet nga veprat e tij mahnitëse duke i dhënë një jetë dhe histori interesante objekteve që ai fotografon. Planet e tij të së ardhmes përfshijnë restaurimin e objekteve tradicionale me vlerë kulturore dhe historike në Kosovë me ndihmën e fondacionit amerikan Aventurat në Prezervim (Advetures in Preservation) me drejtoreshë Judith Broeker. Ka dëshirë te realizojë një projekt të ri në Shqipëri, për të fotografuar Kullën e Sendulit në Gjirokastër, restauruar nga Aventurat në Prezervim. Gjithashtu ka në plan të bashkëpunojë me arkitektin e talentuar Përparim Rama, për të fotografuar projektet e tij, dhe së bashku kanë dëshirë të botojnë një libër që ilustron historinë e arkitekturës në Kosovë.
Intervistë me fotografin e talentuar Ilir Rizaj
Kur e zbuluat fotografinë së pari?
Ilir Rizaj: Isha pesëmbëdhjetë vjeçar kur u bëra fotograf “zyrtar” i familjes sime mbasi unë tregova më së shumëti interes të luaj me kamerën e re. Mora një kurs të fotografisë në Prishtine dhe fillova të fotografoj shokët, shoqet dhe natyrën përreth Prishtinës. Dhomën e errët e krijova në bodrum të shtëpisë, krijimi i fotografisë ishte nje proces magjepës për mua. Një vizitë në Stamboll ndikoj shumë që kamerën time ta drejtoj në objekte arkitektonike, ishin këto ndërtimet madhështore si Topkapi dhe Dolmabahçe Sarayi, Xhamija e Kaltërt e të tjera.
Vitet fëmijnore i keni kaluar në Pejë dhe në Prishtinë. Si ju kanë influencuar këto dy qytete në artin tuaj të fotografisë ?
Ilir Rizaj: Peja e fëmijërisë sime ka qenë një qytet që ka ofruar një peizazh natyror jashtëzakonisht të bukur, qytet me famë turistike ndërkombëtare, edhe në atë kohe Peja ka pas shumë turista nga Evropa, sidomos Italia. Arkitektura në Pejë ka qenë një kompozicion i kullave klasike autoktone, shtëpijave dhe dyqaneve me ndikime arkitektonike Otomane, dhe objekte të stilit Austro-Hungarez si Hoteli Korzo. Stili Otoman karakterizohej me një elegancë dhe bukuri tërheqëse, gati misterioze. Stili Austo-Hungarez ishte grandioz, impresionues por më i ftohët. Kështu që “syri” im fotografik u formua në një mjedis tejet të begatshëm natyror dhe arkitektonik. Prishtina në anën tjetër nuk e kishte bukurinë natyrore të Pejës, dhe nga aspekti i arkitekturës së vjetër ishte pak më e varfër, sidomos pasi që qeverija komuniste e shkatërroj qarshinë e vjetër, por kishte ndertime moderne qe ishin mjaft interesante, si ato afariste ashtu edhe shtepija private.
Tani një kohë jetoni në SHBA. Si ndikoj ky ndërrim i mjedisit në fotografinë e juaj?
Ilir Rizaj: Që nga dita e parë, jeta në New York ishte një eksperiencë magjepëse – dinamika e qytetit, jeta e bujshme kulturore – po çka ishte më impresionuese për mua, arkitektura eklektike dhe grandiose e Mollës së Madhe më përcjellte në çdo hap. Me 1993 pata fatin të njoftohem me fotografin Fadil Berisha, i cili menjëherë më ofroj të më bëhet mentor i fotografise, bashkëpunim që u shëndrrua në një miqësi të përjetëshme. Nga Fadili mësova shumë, leksioni më i vlefshëm padyshim ishte si ta zbuloj esencën e subjektit dhe ta regjistroj atë në mediumin e fotografisë. Së shpejti, përveq punës së rregullt në restorana dhe si përkthyes gjyqësor, u merrësha me fotografi te ndryshme, të modës, portrete, fotografoja veprat artistike të artistëve figurativ për portofoliot e tyre. Ishte shumë vështire të depërtohet në laminë e fotografisë arkitektonike. Mbas një kohe punova në një restorant qe ishte dizajnuar nga Bijan Safavi, një arkitekt me prejardhje Iraniane. Ai ma dha shansin e parë të fotografoj dizajnet e tij, dhe kështu kuptova që ajo ishte fusha e fotografisë që kisha pas më së shumëti dëshirë ta specializoj.
Rrethant jetësore bënë që ta lë anash fotografinë për karierë në restorant. Pasi bëra një pauzë mjaft të gjatë nga fotografia aktive, ishte Fadili që më shtyri t’i qasem dhe t’a mësoj tani aspektin digjital të fotografisë. Ne fillim fotografoja portrete aktorësh, por gruaja ime Luljeta më tha se zemrën e kam në foto të arkitekturës dhe se kisha duhur të orientohem në ato. Së shpejti e krijova një portofolio nga fotot e vjetra, i bëra disa të reja të disa restoranave që ishin të shokëve të mij, një nga ta ishte edhe restorani Lumi që ishte pronë e shoqës sime, Lumi Hadri. Krijova një portofolio modest me të cilin arrita te gjejë klientë, arkitektë dhe dizajnerë interieri. Dhe kështu filloi karriera ime e vërtetë si fotograf i arkitekturës.
Fadili gjithënjë vazhdon të më përkrah si mentor i përkushtuar, ai edhepse është fotograf i modës, ka një sy të mbrehtë për çdo lami të fotografisë, është artist i vërtetë, kështu që edhe lidhur me foto të arkitekturës, din të më këshilloj, kritikoj, dhe nganjëherë të më lavdëroj.

Cilat janë disa struktura dhe ndërtime të veçanta që ju kanë bërë përshtypje në New York?
Ilir Rizaj: Në New York përshtypje të veçantë më kanë bërë Muzeumi Guggenheim i arkitektit legjendar Andrew Lloyd Wright, Lipstick Building dhe AT&T Building që janë ikona të New Yorkut të dizajnuara nga Philip Johnson, me të cilin kam pas nderin edhe të takohem personalisht mbasi e kisha mysafir të rregullt në restoranin Remi ku punoja një kohë. Prej arkitektëve moderne kam shumë admirim për Zaha Hadid si dhe Frank Gehry, ndërtesa e tij në 8 Spruce Street është mahnitëse, ku edhe kam pas rastin ta fotografoj një banesë.
Po në Kosovë, cilat ndërtime karakteristike ju kanë lënë më së shumëti përshtypje dhe cilat keni patur mundësi t’i fotografoni?
Ilir Rizaj: Arkitektura është një formë e të shprehurit njerëzor që përveq estetikës, pasqyron rrethanat historike në të cilën është krijuar. Në Kosovë, padyshim kullat janë ndërtime unike ku mjeshtri popullor e ka minimizu dhe përshtatë konceptin e kështjellës për përdorim të familjes apo klanit. Ne si popull gjithmonë kemi qenë te detyruar të mbrohemi nga invazionet e ndryshme, prej Romakëve, Sllavëve dhe Otomanëve, kullat e manifestojnë këtë rrethanë historike me materialin e ndërtimit nga guri dhe me dritare të vogla. Vitin e kaluar i fotografova disa nga kullat në Isniq dhe Drenoc. Fatkeqësisht shumë prej tyre u shkatërruan nga vandalet Sërb gjatë agresionit të vitit 1999.
Një mbresë të posaçme më la shtëpija ku gjendet Muzeumi Etnologjik në Prishtinë, të cilin gjithashtu e fotografova detalisht dhe ku hasa një mikëpritje të vërtetë Kosovare nga kuratorët Valon Shkodra dhe Ilir Sopjani.
Së fundi, në këtë vizitë ishte kënaqësi e posaçme ta fotografoj Hamam Jazz Bar, të dizajnuar nga Perparim Rama dhe kompanija e tij 4M Group në Londër. Ky është një dizajn gjenial që fitoj çmim ndërkombëtar me meritë. Mënyra se si Perparimi i ka bashkëdyzu elementet e drunit, lloqit, kashtës, çimentos dhe hekurit ne këtë lokal është fascinuese.
Në Prishtinë kam parë gjithashtu punët e arkitektëve që më kanë lënë shumë përshtypje për origjinalitet dhe për bukuri të dizajnit, sidomos ato nga Gëzim Puka dhe Ilir Murseli, dizajnet e të cilëve shpresoj do ta kam kënaqesinë t’i fotografoj një ditë.
Si mund ta përshkruani stilin dhe tekniken tuaj të fotografisë të arkitekturës ?
Ilir Rizaj: Si fotograf i arkitekturës, mundohem ta zbuloj dhe të interpretoj identitetin, përmasat dhe estetikën që arkitekti e ka paramendu për një hapësire. Stili im i fotografisë është që sa më pak të ndikoj në keto elemente të dizajnit, pra t’i ruaj dhe t’i shprehi në mënyrë autentike. Gjithënjë nisna nga ideja se gjenialiteti gjithmonë gjendet në thjeshtësi.
Sipas meje, sfida më e madhe është të ruhet ndriçimi origjinal i hapësirës, që e përcakton edhe atmosferën e një dizajni. Prandaj, nësë vendosi të perdori ndriçim shtesë, e bëjë në mënyrë që aspak mos të vërehet, pra të duket si pjesë integrale e ndiçimit origjinal.
Pas ndiçimit, kompozicioni është esencial për ta portretuar një hapësire apo objekt. Sa për fotografi eksteriere të objekteve, specializoj në foto të bëra gjate muzgut kur qielli mer një ngjyrë të kaltërt intensive që shkon tepër bukur me ndriçimin e verdhe të ngrohtë qe vjen nga dritat e interierit.
Me cilët arkitektë dhe dizajnerë interieri bashkëpunoni në New York?
Ilir Rizaj: Si anëtar i përherëshem i AIAP – (The Association of Independent Architectural Photographers) – Shoqatës të Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës, më bie të fotografoj për një numër të mirë të arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit këtu në New York dhe New Jersey.
Nga arkitektët që kam privilegj të bashkëpunoj është Sokol Malushaga, me prejardhje nga Peja, që së bashku me Edi Malushagen e kanë kompaninë ndërtimore Ari Group. Projektet e Sokolit të shtëpive dhe banesave super-luksoze në Manhattan janë të jashtëzakonshëm. Talenti i tij, vizioni artistik dhe syri i tij që nuk lëshon asnjë detal pa e perfeksionu është inspirim i veçantë për mua.
Jam fotograf ekskluziv edhe i arkitektit Jordan Rosenberg, i cili projekton pallate multi-milionëshe në New Jersey, Jason Landau të kompanisë Amazing Spaces LLC, Rinat Tahar që është me origjinë Izraelite dhe me Erik Galiana që është modelues interieri shumë i njohur që përveç në New York, vepron edhe në Miami dhe Los Angeles.
A është botuar fotografija e juaj deri tani diku?
Ilir Rizaj: Po, fotografitë e mija janë botuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.
Çfar këshilla i kishit dhënë fotografëve të rinjë në Kosovë?
Ilir Rizaj: Edhe pse fotografia si medium, me avancimin e teknologjisë digjitale, është bërë më lehtë të zotërohet, aspekti artistik ka mbet gjithmonë i njejtë: talenti duhet të ushqehet me pasion dhe studim të pandërprerëshëm.
Ndoshta do të ju duket sugjerim i çuditshëm, por sipas mendimit tim, krejt çka na duhet që të mësojmë për aspektin artistik të fotografisë, mund të arrihet nga studimi i veprave të ndryshme të artit figurativ, sidomos ato të Renesansës. Se si të kuptojm ndriçimin, relacionin mes dritës dhe hijes, pra efekti chiaroscuro më së lehti mësohet nga veprat e Caravaggio-s dhe Rembrandt-it, kurse kompozicioni, relacioni hapësinor në mes të subjekteve kuptohet shumë lehtë duke studjuar skulpturat dhe pikturat e artistëve të mëdhenjë si Michelangelo, Degas, Van Gogh etj. Shumë mund të mësohet edhe nga shkrimet e autorit Rudolf Arnheim që ka bërë studime të thella në fushën e natyrës së artit dhe përceptimit visual.
Cilat objekte keni dëshirë të realizoni në fotografinë tuaj të ardhshme? Planet e juaja për të ardhmën?
Ilir Rizaj: Dëshira ime e kahershme ta vizitoj Shqipërinë do të më realizohet këtë verë, jam i ftuar ta fotografoj restaurimin e Kullës së Skendulit në Gjirokastër, projekt i fondacionit Adventures In Preservation (Avanturat në Prezervimi) që është një fondacion Amerikan që bën restaurime arkitektonike anembanë botës. Mbas këtij projekti, do ta sjelli drejtoreshën e AIP, Judith Broeker me bashkëpuntorët e saj në Kosovë për vizitë pune ku së bashku do të hulumtojmë objekte potenciale për restaurim.
Në anën tjeter, më arkitektin Perparimin Rama, përveç që do ta kam kënaqësinë t’i fotografoj projektet e reja të tij në Londër, kemi plan të bashkëpunojmë në një libër që perfshinë historinë e arkitekturës në Kosovë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bukuria arkitektonike, Ermira Babamusta, Ilir Rizaj, nën kamerën e fotografit

NUSE E PANUSËRUAR

February 15, 2015 by dgreca

NGA EGLANTINA MANDIA*/
KTHIMI/
1.Aeroplani u ngrit nga aeroporti i Romës./
“Lamtumirë!” – i tha Musinea vjeshtës së vonë të tokës italiane. E verdha, kafeja, gjelbërimi i venitur, qytetet e mëdha dhe të vogla, deti. Deti në atë anë e në këtë anë. Rrotullimi i aeroplanit mbi Tirren, drejt Adriatikut. Gjithçka mori përmasa qiellore. Re, re, re, vetëm re.
Një ajsberg i bardhë që shpërndan shtëllunga. Shtëllungat prekin krahët e aeroplanit dhe cekin dritaret e vogla ku ka mbështetur ballin Musinea. Gjithsecili ka një vend, të mbushur me gjakun e me kujtimet e të parëve. Është një ndjenjë që s’përshkruhet me fjalë. Është më afër dhimbjes e mallit për rrugët, drurët, shtëpitë njerëzit. Ajo mban brenda dashuritë, zhgënjimet, ëndrrat, shpresat dhe thirrjen e Poetit: “Jam një shkëndijë prej qielli/Dhe një drudhëzë prej dielli/
Edhe në qiej fluturoj”.
Nuk donte të mendonte veçanërisht për zhgënjimet. Ia kishte vrarë shpirtin e saj të bukur pabesia e A.H. dhe G. K. Saliere të ndjenjës së saj të pastër. Saliere shpirtvrarës. Ajo donte t’i fshinte përgjithmonë nga jeta e saj, sepse donte të shihte në çdo shpirt njerëzor “një drudhëzë prej dielli”. Për hir të Salierëve që thithin si hiena “shkëndijën prej qielli”, për ta mbuluar me terr, nuk do ta humbiste, s’donte në asnjë mënyrë, ta humbiste vizionin e saj të dritës. Duhej fshirë nga shpirti çdo dashuri, që s’ është dashuri dhe çdo miqësi, që s’ka qenë kurrë e tillë.
Lamtumirë dhe ju Salierë! Prehuni në qetësinë tuaj, në ferrin tuaj! Digjuni aty e bëhuni hi! Lamtumirë, përgjithmonë! Në pleqëri do të dukeni, si shtriga nga ai helm, që vlon në shpirtin tuaj smirëzi.
Nëpërmjet reve, nën trysninë e akullnajës së kaltër, dolën majat e maleve dhe kreshtat e zbardhura nga dëbora e Tomorrit. Të ashpër, hijerëndë, aq të varfër e të vetmuar, sa të zë frika e vetmisë kur shfaqen aq befasisht, para syve të mbushur me lot trishtimi për tokën tënde, aq afër e aq larg botës.
Musinenë po e brente padurimi për të zbritur sa më parë në Aeroportin e Tiranës. Në Tiranën konkrete e reale, jo ashtu siç dukej nga lart, një qytezë kartoni me shtëpi kukullash dhe ushtarë prej plumbi. U drodh e tëra, kur vuri këmbën në tokën e saj.
O Zot, o Zot! Përse iu duk, sikur i doli para nënua plakë krahëhapur e i thirri: “Mirësevjen në dheun tënë, o e Bukur e dheut!”
Dhe Musinea e vogël, pyet: “Përse i thonë Bukur e dheut?”
“Dheu tënë me të bukura ushqehet, ndaj dhe është më i bukuri vend mbi dhe”.
Musinea ishte aq e malluar. Mezi priste të mbërrinin në shtëpi. Megjithëse ishte me të vëllezërit, Vesimin dhe Muntazin, s’po i durohej të shihte anenë e Karolinën, kanakaren e saj. Kishin afro dy vjet pa u parë. Më në fund ishin në shtëpi. Babai iu duk i mpakur, i tretur. Po plakej Reshati dhe Hanushja e shtrenjtë.
Karolina iu hodh në qafë. Musinea nuk i gëzohej dot.
“Qenke rritur, qenke bërë e madhe! Po më këput krahët”, – i thoshte, duke e puthur me mall.
E mësuar për afro katër vjet me vetminë e dhomës në Romë, ditët e para e ndjeu veten si mysafire në shtëpinë e madhe, ku banonin të gjithë, edhe Muntazi me nusen e re, Ixhlain. Njerëzit hynin e dilnin nëpër dhomat e tyre dhe i kujtonin shtëpinë e madhe të fëminisë në Gjirokastër, veçse rolet ishin ndërruar. Nënua plakë ishte bërë Hanushea me të cilën s’ngopej së fjalosuri, sikur donte të shlyejë ankthin e netëve të ëndrrave të zeza në Romë, ku e shihte të vdekur e zgjohej e llahtarisur.
Vetëm pas një jave, filloi të mësohej të hapte dollapët e të merrte diçka për të ngrënë në shtëpinë e vet. S’kishte më çelësa, s’kishte më portierë. Megjithatë, Musinesë i dukej se kishte shumë zhurmë e gjallëri në shtëpi. Shpesh, tërhiqej për të mos humbur kohë për të punuar apo për të lexuar dhe harrohej në punë, harronte, që ishte e rrethuar me njerëz. Gjatë ditës rregullonte dhomat, pa e pasur mendjen, si përherë dhe pastaj me libër në dorë zbriste për të ngrënë apo ngjitej në dhomën e saj, ulej mbi krevat, ku lexonte e shkruante. Hanushea i thërriste: “Po ç’bën aty moj e bekuar?” Musinea zgjohej si nga gjumi : “Ç’ka ndodhur ane?”
“Po ti e mbarove atë të shkretë shkollë moj bijë!” “Prit, prit kam shumë punë. Vërtet e mora një diplomë, po unë sapo kam filluar të shkruaj, Hanushe. Dhe të shkruash është një punë shumë, shumë e vështirë, ta dish”.
Kishte filluar të ftohtit. Në darkë ndiznin zjarrin. Musinea ulej përballë oxhakut dhe vështronte flakët dhe drurët që digjeshin. I kujtohej fëmijëria në Gjirokastër, anës vatrës, kur tregonin përralla e luanin është një e ç’ është një”. Njëherë ishte ulur në divan e duke shfletuar një libër në një gjuhë të panjohur, shikonte me adhurim figurat e një qyteti të madh dhe shtëpitë e larta, të gjitha të bukura. Kushedi a do të kishte mundësi t’i shihte? Sa e lumtur do të ishte!” Dhe ja, pas kaq vitesh i ishte plotësuar dëshira, por s’pati qenë kurrë aq e bukur, siç e kishte krijuar në fantazinë fëminore.
“Musine, – e pyeste Hanushea, – Ç’ke pësuar? Ç’të ka mbetur atje, në viset e huaja, mendja apo shpirti?”
Syrit të Hanushes zor se i shpëtoje.
Musinea ia kishte përsëritur aq e aq herë vetes, se ishte shëruar nga ndjenja e dashurisë, por boshllëku ishte i tulatur atje, thellë.
– Si të dukem ane? – e pyeste për të ndërruar fjalë.
– Mos më hidh degë më degë, biro! – i thoshte Hanushea, duke e parë me dyshim
– Kjo punë që bëj unë ane, kërkon edhe mendjen, edhe shpirtin edhe gjithë jetën e Musinesë, andaj mos u merakos fare për mua!”.
Musinea shkonte çdo ditë në bibliotekë. Shkruante. Mbushte blloqet me shënime. Ishte futur në laboratorin krijues të shkrimtarit që është si pëlhura e Penelopës. Një punë pa anë e pa fund. Ai laborator s’pushon as natën, as ditën. E dinte që tani s’kishte më shpëtim nga vetvetja. Redaktonte “Kujtimet e jetës universitare”. Plotësonte punimin e diplomës për Naim Frashërin. Dëshironte ta kthente nga një tezë diplome, në një vepër me përmasat e Poetit Kombëtar. E dinte që edhe sikur t’i kushtonte tërë jetën, zor se do t’ia dilte mbanë të jepte atë që dëshironte për figurën e tij. Kishte studiuar me mijëra e mijëra faqe. Kishte tani qindra skeda e shënime.
Ishte e lumtur që Lumo Skëndo ia vlerësoi punimin e diplomës që ia pati dërguar nga Italia dhe e dëgjoi me kujdes porosinë e tij, për ta thelluar dhe botuar në të ardhmen, që të mos mbetej e varrosur në arkivin e Universitetit të Romës. E gjithë kjo e punë e rrëmbente Musinenë dhe s’merrte vesh asgjë veç ndonjë lajmi që dëgjonte në radio. Kjo zhytje në punë ia bënte jetën të plotë dhe shpesh i fluturonin ditët pa i ndjerë fare. Ashtu e izoluar, ndjente çastin e krijimit dhe shkëputjes nga bota. Duke qenë krejtësisht e dhënë në këto çaste thellohej në vetvete dhe mendimet i merrnin formë e ngjyra aq të larmishme e befasuese, shpirti i mbushej me ngazëllim të përhershëm e përtëritës. Ajo ndjenjë aq e çuditshme e shtynte të thoshte me zë të lartë: “E sheh Musine, se baza e zhvillimit të mendimit njerëzor, i ka rrënjët te vuajtja dhe te fatkeqësitë? Është kjo pra, arsyeja që lumturia është aq fluturake. E njeriu vrapon përherë në kërkim të lumturisë së tij të humbur. E sa më tepër vrapon drejt saj, aq më larg ikën ajo prej tij”.
Vetmia e mendimit. Thellimi në përsiatjet, po i sillte për herë të parë Musinesë qetësinë, ekuilibrin, pavarësinë e mendimit.
“Ekzistenca është tepër e thjeshtë”, përsëriste. “Kush do të luftojë duhet të bëjë dallimin e filozofimit dhe fantazisë që është mashtruese. Ajo i tall të gjithë, i vë në lojë naivët që kërkojnë lajle-lulet e jetës, me mendjelehtësinë vezulluese e ngushëlluese njëkohësisht”. Me gjithë gjendjen e saj shpirtërore, Musinea përpiqej të thellohej për të shijuar plotësisht magjinë që fisnikëron shpirtrat.
“E kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërsa e kemi brenda shpirtit. “E kërkojmë lumturinë jashtë vetes, ndërsa ajo e ka burimin në zemrën e secilit. Pra, njeriu është një ekstazë hyjnore sa për dhimbjen danteske aq edhe për dritën e qiririt Naimjan.Ndoshta kjo është arsyeja që pasionohet në sende pa shpirt, si puna dhe paraja, sepse ato janë të vetmet që mund t’i sundojë vetë, sepse njeriu predikon që po lufton për të mirën e të tjerëve, por në të vërtetë vetëm konservon personalitetin e vet e sa më tepër moshohet, aq më egoist bëhet. Kjo është dhe arsyeja që shumë fytyra të bukura marrin maskën e ferrit të përjetshëm”.
“Ja pra, Musine, iu fute këtij pasioni për të shkruar. Ta dish, që s’ke më shpëtim”.
Filloi të mbledhë këngë popullore tiranase. Kur donte të çlodhje, shkonte te fqinjët e saj, një familje e qetë. Nusja i jepte fëmijës të pijë dhe i këndonte ninullën. Vajza qëndiste dhe e moshuara punonte në vegjë, ndërsa vajzat e tjera, që mblidheshin, duke kaluar oborret deriçkë më deriçkë, punonin e këndonin. Një popull që ka aq vajza e aq gra pas mureve me shpirt të përmalluar e fin si në Gjirokastrën e saj, këndon:
“Florinjtë e gjirit t’u derdhë
Del nusja t’i përmbledhë
T’i shkojë vargje në qafë
Të dalë zonja në dasmë
Të thotë cila është ajo
E bukur e dheut – o
Ili i Skënderbeut – o”.
Dalëngadalë po ravijëzohej në konturet më të plota libri i saj madhor i së Bukurës së dheut, sepse “Dheu tënë me të bukura ushqehet”. Në shpirtin dhe trurin e saj po ngrihej ndërtesa e jetës nëpërmjet imazhit të asaj dasme që derdhej në qytetin e fëmijërisë, Gjirokastrës. Edhe në çastet kur vdekja ishte më e pranishme (e gjithë bota e çmendur ishte futur në luftë), ishte dasma ajo që do ta ripërtërinte jetën.
Mendimet i buisnin në shpirt, ndërsa kthehej duke ecur në këmbë nëpër rrugët e Tiranës, që i dukeshin të bukura, megjithëse s’ishin aq të pastra e balta të ngjitej në këpucë. Kishte shumë fëmijë të veshur keq e gra e burra me kostume karakteristike tiranase të zbardhëllyera.
Intermexo:
1 janar 1942
Fort e ndershmja Zonjusha Musine Kokalari,
Në numrin që vjen revista ‘Shkëndija” dëshiron të nisë një veprimtari të re në fushën e kulturës shqiptare, ku jo vetëm letërsia ka me qenë e zhvilluese, porse edhe artet qofshin figurative, qofshin muzikore, qofshin dekorative.
Për t’ia arritur qëllimit që na intereson e të thellohen sa më tepër prirjet e ndryshme artistike-kulturore, kemi vendosur me iu drejtue shkrimtarëve dhe intelektualëve të vjetër e të rinj, tue u caktua pak a shumë subjektet mbi të cilat do të kenë mirësinë të bashkëpunojnë. Për zotërinë tuej kemi mendue të na shkruani 6 artikuj me subjekte të ndryshme letrare. Artikujt s’do të jenë më të shkurtër se tri faqe, as më të gjatë se pesë faqe. Secili ka me u shpërblye me 50 fr. Shqiptare.
Do të ishim mirënjohës të na jepnit një përgjigje rreth kohës q’i do t’Ju nevojitet për kryemjen e këtij bashkëpunimi.
Me nderime
Ernest Koliqi.
Romë, 20.11. 1942
E dashur Musine,
Mora letrën dhe u gëzova që jeni mirë. Dhe këtej mirë jemi. Me Vesimin u takova. Vajtëm te Massimo D’Azikov dhe hëngrëm darkë së bashku me Torin (Hektorin), tani ka shkuar në Bolonjë dhe tha se do të kthehej. Po të dërgoj fustanin. Besoj se të pëlqen. Mua më pëlqeu shumë. Fletoren së bashku me certifikatën po t’i dërgoj me Vesimin. S’pata kohë t’i marr tani sepse pasnesër kam provimet, më 24, 25 deri më 4 mars. Si vete ti? Mos u mërzit! Ne të kemi zili që mbarove. Margës iu mërzit jeta nga provimet. Tërë ditën bëjmë muhabet , 3-4 herë sa u mërzit edhe zonja e shtëpisë. Zonjën e shtëpisë e kemi shumë të bukur. Ka një shtëpi aq luksoze, sa u hutova fare. Marga ka bërë be që nuk ikën nga Roma pa bërë disa fotografi në sallonin e zonjës sime.Torit i pëlqen shtëpia. “U, tha “Kjo e ka më të mirë se tonën!”Me latinishten s’kam filluar. Do të filloj me Muscolinin, se ay i jep grupit shqiptar. Zonja Russo është e mirë. Nuk e di se ç’i hipën ndonjëherë që s’më sheh dot me sy. Pardje më telefonoi , më thirri t’i shoh radion e re që bleu tashti. Mora letër nga shtëpia. Puna e pensionit u rregullua. Të bëjmë varrin e babait. Kur ta shoh të mbaruar do të jem e qetë. Sa herë të kujtoj Musine. U mësova me ty gjatë gjithë kohës dhe e ndjej mungesën tënde për shumë gjëra. Pas provimeve do të të shkruaj më gjatë. Të gjithëve të fala.
Torin e kemi fare mirë.
Të puth me mall
Elima
Shkup, 2 shkurt 1942
E dashur Musine,
Letrën më datë 6 e mora dhe u gëzova që jeni mirë. Edhe unë këtu jam mirë dhe pres letra nga ju, sidomos mbi gjendjen e babait. A u kthye Vesimi nga Bari? Pas dy jave do të nisem për në Tiranë. I thuaj Lumo Skëndos se librat që kërkonte nuk mund t’i gjej këtu, mbasi të gjitha botimet në sërbisht, janë zhdukur. Dy muaj më parë i dërgova një statistikë të myslimanëve të Shkupit.
P.S. Më 8 mars 1942 të bësh gati pasaportën në qoftë se ke vendosur të vish, duhet të marrësh vizë nga Konsullata Bullgare.
Të përqafoj me mall
Yt vëlla, Hamiti
Sigurisht, të gjithë në shtëpi u gëzuan nga letra e Hamitit. Aq e aq vite i larguar nga shtëpia e tani vetëm letrat ishin fjalët e mallit e të gazit për Hanushenë e për Reshatin.
Shtëpia ishte e madhe. Burrat punonin. Dy breza juristësh, ndërsa Vesimi punonte me librarinë “Venus”. Musinea filloi përpjekjet për një punë si mësuese e gjuhës në shkollën, ku kishte marrë maturën. Kishin kaluar pesë vjet që atëherë, plot pesë vjet. Atëherë ishte 20 vjeç dhe tani, po mbushte 25 vjeç. Dhe ishte muaji shkurt, muaji i saj. Tirana ishte si gjithnjë e zgjuar nga gjumi, si e hutuar nga sythet që rrinë gati për shpërthim dhe limfa e jetës, do t’ju japë gaz akacieve dhe palmave të përjetshme të oborrit të shkollës. Do të takonte mësuesit e saj, që i kishte dashur dhe i kishte nderuar. Ende i kishte ruajtur në bllok porositë e tyre.
“Njeriu ka mundum me i shërbye njerëzimit atëherë, kur ka ndi gëzimin me punën e tij që ka bamun. Ti çdo herë kapërtheje gëzimin kur s’e nxen ndonji send a mendim të ri dhe mos u idhno kurrë ndonjëherë pse do të duket sikur harrove disa të nxanë me të para. Pse kjo është e natyrshme madje, e nevojshme”.
Ahmet Gashi.
“Duaji gjithnji të mirat dhe sendet e bukura sepse ato vetëm të kënaqin shpirtin”.
Kristina Koljaka.
Po hynte në oborrin e shkollës, që po i dukej i trishtuar, veçanërisht korridoret me dërrasa që gërvinin: “Gër, gër”.Vajzat me përparëse të zeza e jaka të bardha, e shihnin me sy kureshtarë.
Dikur Qemal Stafa i kishte dërguar me anën e Ganimet Gilanit, një porosi që të fillonin punën për përhapjen e ideve komuniste në atë shkollë. Shkolla ishte regjur nën peshën e kohës. Sytë e vajzës e shihnin me dyshim. Shpirti ishte i turbullt dhe kërkonte LIRI.
Si do të vente halli i LIRISË së Shqipërisë?
Ajo e dinte se shkruante e shkruante për të shpërthyer atë tharm të shpirtit që Shqipëria të ishte e lirë, por tani shkonte në shkollë me diplomën me vete, për të kërkuar për të filluar punë aty.
Dhe kishte një pengim në grykë, sepse po i dukej krejt e huaj shkolla e saj. Kishte edhe një dridhje në shpirt. Cilin do të takonte të parin nëpër shkallët që kërcisnin “shtrak e shtruk’?
Dyert e larta të klasave. Dritaret. Asaj i pëlqente të zinte vendet pranë dritareve. Të shihte zogjtë, si fluturonin degë më degë, të shihte shiun dhe borën e rrallë në Tiranë. T’u shpinte konviktorëve byrek nga të Anesë, me peta të holla. Dhe aty, në atë bankë kishte ndenjur katër vjet me Salierin. Dhe e kishte dashur atë shoqe banke aq shumë, e i kish besuar “drudhëzën e dritës” së shpirtit, kurse ajo e kishte përgjuar. Ajo e kishte urryer, duke “e dashur”. Kishte ndjekur jetën e saj si ajo hiena, që ndjek prenë e vet, për t’i gjetur çastin, që ta presë në besë. Dhe e kish prerë në besë. Këtu është një popull i tërë: i prerë në besë. Edhe Selfixhea është burgosur në Shkodër. E kishte marrë malli për miken e saj të zemrës, për shoqen e saj të letrave. dhe për atë verë, atë stinë të paharruar të kujtimeve të tyre.
Po, kishin kaluar pesë vjet. E megjithatë, ajo do të qe një STINE E PAHARRUAR, për krijuesen. Çdo skicë e shkruar në ato rubrika, ku Musine ishte ende MUZA, s’ishin gjë tjetër veçse thirrje të shpirtit të pastër, të brezit të viteve ’30. Dhe ishte pikërisht viti 1936 kur Qemal Stafa, i rrëmbyer nga idetë e komunizmit, i dërgonte asaj kërkesën e parë për bashkëpunim. Dhe ishte pikërisht ai vit që në Rusi kishin filluar gjyqet. Burgjet dhe vrasjet po dilnin mbi sipërfaqen e detit të madh dhe të paanë rus. Ajo nuk donte një Shqipëri të ardhme me burgje. Fashizmin e kishte pare dhe jetuar në Romë. Ishte një përbindësh, që ushqehej me mish njeriu. Ishte kafsha që sundonte njeriun. Kafsha. Zot e ruaj njeriun nga kafshërimi. Shpëtoje Shqipërinë tonë nga fati i zi. Vërtet, cili do të qe fati i Shqipërisë? Selfixhea ishte burgosur në Shkodër. sepse ishte në ballë të një demonstrate antifashiste. Ajo kishte qenë në shtëpinë e prindërve të Selfixhesë. Ishin të dëshpëruar, sepse prisnin një gjyq ushtarak për antifashistët.
Ndërsa ajo po ngjiste shkallët e korridorit të errët të shkollës, një grup vajzash shpejtuan të dalin. Dikush thirri: “Shpejt, shpejt Ramize!” Ajo që e thirrën Ramize, kaloi si furtunë nëpër shkallë dhe u gjend gati pa frymë në katin e dytë, ballë për ballë Babametos, që tashmë ishte zbardhur.
“Shpejt, shpejt, Ramize!”
Musinesë i bëri përshtypje fytyra e skuqur nga vrapi i asaj vajze dhe flokët ngjyrë të përshkëndritur lajthie. E tëra dukej si një fishekzjarr, që zbriste nga qielli, si një meteor, si një kometë, që lëshon mijëra vjet dritë, edhe pasi shuhet. Ai ishte vetëm një çast. Vajza i kërkoi falje: “Ju lutem profesor…” Dhe ndjeu mbi supe dorën e hollë, të rreshkur dhe sytë e butë, të ngrohtë që e vështronin me dyshim. “Vrapo, se po u pret Z!”
“E di, e di.”
“Dhe herë tjetër mos bëni kaq zhurmë. bija ime”.
“Po. Po, keni të drejtë”, – tha Ramizea dhe u bë erë.Vetëm atëherë Babametua pa Musinenë.
“Musine – thirri, Musine, ç’e papritur e bukur, për këtë ditë! Eja Musine. Të falënderoj! Të falënderojmë, që të dy me Ahmetin, për librin “Siç më thotë nënua plakë”. Eja bija ime. Ç’e mirë të solli?”
Musinea i shpjegoi kërkesën për të hyrë në punë. Kishte ardhur të përgatitej, për të dhënë provimin, që kërkohej. Kishte ardhur të merrte materialet e nevojshme. Kishte ardhur të takohej edhe me profesorët e saj të respektuar.
Babametua ngazëllente. “E di që kam një orë pushim? Eja në sallën e mësuesve! Mund të flasim lirisht”.
Musinea hyri në sallën e mësuesve. Tani që kishte rënë zilja, kudo ishte qetësi. Qetësi. Salla dukej e madhe dhe e ftohtë, megjithëse dera me xhama e ballkonit do të qe plotësisht e mjaftueshme për dritë. Shermasheku e mbulonte ballkonin dhe dritaret. Ajo dredhëzë po ia zinte frymën dritës. Babametua hapi çelësin e dritës elektrike. Dhe ngriti supet. “Pa hë, ç’po bën tani? Si është Reshati me shëndet?” “Jemi të shqetësuar. Nuk po bën përpjetë!”
“I thuaj të mos dorëzohet kapedan Reshati!” Baba i lumtur është Reshati me tre djem si diva e një vajzë shkrimtare. Më pëlqeu shumë shkrimi i Poradecit për librin tënd. Si e quante intriganten? “Meduzë!” Ruaju nga Meduzat, Musine, bija ime! Çdo kokë e kanë të helmatisur.”
Musinea e ndjeu shpirtin të lehtësuar gjatë gjithë kohës, që bisedoi me profesorin e saj të dashur.
“Të shohësh Ahmetin dhe Kristinën, sa do të gëzohen kur të të shohin. Një shkrimtare nga vajzat tona? E di ç’është? Është një Sevasti Dako, për përparimin e vajzës shqiptare. Dhe nga shkolla e Sevastisë e Parashqevisë, po vilen frytet e para. Ç’fryte të ëmbla!”
“Ndoshta s’janë aq të ëmbla, profesor. Ndoshta janë si frytet e vendeve të nxehta mbuluar me gjemba e gjembaçë”, qeshi Musinea.
Babametua qeshi. Ai qeshte shumë bukur, me gjithë shpirt dhe fytyra i merrte dritën e shpirtit të mirë. Dritën e butësisë së shpirtit. Dhe gjyzlyqet gjithnjë ia zmadhonin sytë gështenjë, aq inteligjentë e gazmorë.
Sapo hyri në derën e shtëpisë dëgjoi breshërinë e Anesë: “Eja bilo në vete, hir në udhën e perëndisë, se nga këndimet s’kren gjë. U, pika burrit që do të marrë, lumi shtëpisë që do të të presë! Edhe Hamitit i kulluan sitë mbi libra. Po na, se do verboheni me këto këndime, sikur janë këndime të Kuranit”.
“E di që Hamiti po bën një punë të madhe për të gjithë shqiptarët? Për ne, moj Ane, kjo është më tepër se të gjitha këndimet e Kuranit. Mos e zemëro me mua. S’jam e zonja për të bërë palë, as për të qëndisur në makinën “Singer”, po për të shtypur libra, që të rrëfejnë jetën tonë, këngët, gjëmat e dasmat. Dasmat e të gjitha çupave, që kur qetë edhe ti e nëna jote, çupëza të njoma, dasmën tonë gjirokastrite. Ajo dasmë, që na ka mbajtur jetën gjallë.
Intermexo: Bari 20.6.1942
E dashur Musine,
Letrën që më dërgove nga Shkupi, e mora. Lum si ti, që shëtit botën me kaq lehtësi! Si t’u duk Shkupi? I bukur apo një deziluzion? Shkove për të pushuar apo për të parë vëllanë? Gjithë këtë vit ç’ke bërë? A ke gjetur ndonjë lloj pune që të të pëlqejë? A janë me konkurs edhe aty? Ç’po shkruan?Je gjithnjë nervoze. Unë të kujtoj gjithnjë të shqetësuar. Dhe ti i kujton vitet, që jetuam bashkë. Ç’kohë të këqia. Nuk më ngjan e vërtetë, që shpëtuam nga Universiteti, që tani më duket aq larg. Nga Roma kam vetëm kujtime të hidhura. E di që po bëj konkurs? Mos qesh. Janë 754 veta, që do të dalin nga 7500. Një betejë e vërtetë. Kështu që jam e detyruar të studioj si asnjëherë, e në qoftë se nuk fitoj do të qaj pak, po do të kem mësuar diçka për veten time.
LINA DE CRISTOFOR”
3-DITAR-
Tiranë, 22.06.1942
“Sot është e hënë. Dita e parë e javës. Nuk bën shumë ngrohtë. Mezi u ngrita në mëngjes. Oh duart që më dhembin. Pse jam kaq e këputur. Në drekë mbarova librin “Le chemin du bonheur” të Pauchet. Bravo Musine, ke nisur nga mbarësitë! Të shohim nëse do t’i lesh rregullat. Dyshoj. Pas dreke o Zot ç’shi. Bie me forcë, koha u bë e errët. Më duket se jam në dimër.
Ora gjashtë me Ixhlalin dhe Hektorin shkuam në koncert. M’u preh shpirti nga muzika. Ishte Sonata nën dritën e hënës e Bethovenit.
E martë, 3 qershor
Atë mëngjes fillova uLa defanca pur la system nerveux”, të Dr. Martin du Thae. Shi-shi. Më duket se e vura në vijë punën. Do të shëroj nervat, siç duket. Shumë të shkatërruara i kam. Më dhembin damarët e duarve. Pas dreke, në spital te Kolea. Më dha këshilla për gjuhën e frazeologjinë shqipe. Më vonë i këndova vitin e dytë të “Kujtimeve universitare”. I pëlqeu. Le të shpresojmë kështu deri në fund. Më tha, midis kujtimeve të tu çdo njeri do të gjejë diçka të tijën. Rreth dhjetës, u ktheva në këmbë. Prehem kur eci dhe kur marr frymë thellë. Më duket sikur…
* SONATA E HENES-
PJESA V

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglantina Mandia, Musine Kokalari, NUSE E PANUSËRUAR, Pjesa V, SONATA E HËNËS

LEZHA- NJË VIZITË NË NJËRIN PREJ QYTETEVE ME TE VJETRA TE SHQIPËRISË

February 15, 2015 by dgreca

Shkruan: Sokol Demaku/
Me ftesë të miqëve lezhjan dhe anëtarëve të Shoqërisë Kulturore Artistike “Kastriotet” nga Lezha ishin në një vizitë pune përfaqësues të Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borås i Suedisë ku në agjendë kishin njohjen reciproke dhe angazhimin e të dy palëve në realizimine projekteve madhore të përbashkëta në ruajtjen, kultivimin dhe prezentimin e vlerave të mirëfillta kulturore dhe gjuhësore në vendlindje dhe mërgatë.
Lezha është qytet në Shqipërinë veriore, vendasit e të cilit quhen Lezhjanë. Lezha ndodhet në një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për sa i përket klimës saj bregdetare. Bregdeti i detit Adriatik ndodhet jo më shumë se 8 km larg nga Lezha.
Pak fjalë mbi Lezhën
Qyteti i Lezhes-Qender Qarku e Prefekture me te njejten emer gjendet ne Shqiperine veriperendimore, afer detit Adriatik. Qyteti eshte themeluar ne vitin 385 para eres re nga Dionizi i Sirakuzes.Gjate tere periudhave, qyteti i Lezhes ka luajtur rol te vecante ne historine Iliro-Shqiptare. Vete pozicioni gjeografik ku shtrihet qyteti, se bashku me rrethinat e tij, ka bere, qe Lezha qysh ne lashtesi te jete nje nder qendrat tregetare e plotiko-ushtarake me te rendesishme. Lezha, nepermjet Portit te Shengjinit, ka realizuar ne shekuj shkembime te shumta ne fusha te ndryshme ekonomike e kulturore me boten e jashteme, duke ndikuar keshtundjeshem ne zhvillimin shoqeror. Eshte kjo nje nder arsyet qe, pikerisht ne kete qytet, ne momente te caktuara te historise sone jane organizuar aktivitete politiko-kulturore te livelit te larte kombetar, si : “Lidhja e Lezhes” ne vitin 1444, “Kuvendi i Arberit” ne 1703.
Lezha si qytet dhe biostrukturë përfaqëson diçka shumë të rëndësishme dhe të veçantë. Nga pikëpamja gjeometrike dhe ekologjike, Lezha, përbën një kaleidoskop të mrekullueshëm të natyrës, gati një lloj principate të pashembullt ekologjike, ku mali, fusha, pylli, monumentet arkeologjike dhe historike, laguna dhe deti përbëjnë një bashkësi të spikatur. Në këtë kuptim, Lezha, është e preferuara e shekujve, një sintezë e veprsës së natyrës e të njerëzve me një vesk të ndritshëm të historisë e artit. Në portat e Lezhës mund të hysh pa trokitur, dhe duke e njohur fytyrën dhe thelbin e saj, vetëm mund te magjepsesh pambarimisht.
Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet. Jo më kot, kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena, në shek. XII, e quan Lezhën një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët. Nuk është thjesht metafore e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund t’a vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dale nga frymëmarrjet poetike të poetit Ndre Mjeda, që ka shkruar mrekullisht për Lezhën. Ku nga të kater anët, të rrethojnë metaforat e historisë; çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.
Katedralja e Shen Nikolles
Katedralja e Shën Nikollës ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Kjo katedrale, ne shek. XVII, qe shndërruar ne xhami. Themelet e saj janë të shek. XIV, katedralja është e tipit bazilikë me gjatësi 17 m dhe gjërësi 8 m. Ruhet në muret e saj një afresk i Shën Nikollës. Sot rrënojat e Katedrales së Shen Nikolles janë shruar në memorialin e Gjergj Kastriot Skenderbeut, padyshim një nga monumentet më të mëdha të historisë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Sipas studjuesit A. Mutjakoviç, mbështetur në disa dokumente shkrimore të arkivave të Raguzës, del se Andrea Aleks Durrsaku, skulptor dhe arkitekt gjenial i të ashtuquajturës Rilindje Dalmatine është me origjinë e të pareve të tij nga Lezha.
Në ftesë të Shoqësisë kulturore artistike “Kastriotet” nga Lezha këto ditë në këtë qytet tëvejter dhe historik qendruan anëtar të kryesise se Qendres Kulturore shqiptare Migjeni nga Borås i Suedisë.
Qëllim i i viztës ishte njohja me punën e kësaj shoqërie si dhe mundësit e bashkëpunimit të dy këtyre shoqërsive kultutore mes vete në lamin e kulturës, traditës, gjuhës.
Vizita filloi me një takim rasti në Drejtorin Rajonale të Arsimit të Lezhës ku me ketë rast na priti drejtori i kësaj drejtorie Bardhok Pulaj. Një bisedë vëllezerore me lezhjanët rreth arsimit në këtë qytet dhe punës që bëhet në këtë drejtim. Në bisedë me te Hamit Gurguri prezentoj punën që bëhet në mërgatë konkretisht në Suedi nga poet, mësues dhe inetelektual në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë, për cka tek miqtë tanë ishte një kërsheri e madhe se si arrihet në mërgatë që me aq dashuri të ruhet dhe kultivohet gjuha dhe kultura shqipe. Mësuam këtu se shkollat nëntevjeqare nga Tirana dhe ajo nga Lezha me emrin e patriotit të madh lezhjan Gjergj Fishta për nder të mysafirëve nga Borås në foajen e Bibliotekes së qytetit Lezhë e cila poa shut mba emrin e poetit dhe patriotit të madhe shqiptyar Gjergj Fishta kanë organizua ekspozitë me punime nxënësish që do prezentohet në këtë kuadër. Edhe ne ishim prezent në një manifestim të tillë i cili na la pershtypje të mëdha në prezentimin e artit pamor nga ana e nxenësve të ketyre shkollave që nga klasat e gjashta deri në ato të nënta. U tha si nga Drejtori i Drejtorisë Arsimore Bardhok Lulaj njashtu edhe nga drejtori i shkolles Gjergj Fishta nga Tirana Faik Maqellara se kjo traditë do vazhdoj dhe se në te do perfshihen edhe shkollat e Republikës së Kosovës që mbajn emrin epatriotit dhe poetit të madh të kombit Gjergj Fishta.
Ishin të pranishëm në ekspozitë nxënës, mësues, qytetarë, poet dhe mysafirë si nga qytete për rreth njashtu edhe ne nga Suedia e largët. Ishte kënaqesi të jesh pjesë e një venementi të tillë ku fëmijët me punën e tyre krijuese rrefejnë ndjenjat e tyre për shkollën , atdheun, kombin si dhe ata të cilët në kohët më të veshtira bënë shumë per vendin dhe popullin tonë. Shkrimtari dhe publicisiti Hamit Gurguri ishte mjaft aktiv dhe në bisedë me nxenës prezentoj ate që edhe fëmijet tanë edhe pzse larg vendlindjes, larg atdheut edhe ata angazhohen në këtë drejtim dhe kanë rezultate të lakmueshme.
Me të përfunduar të ketij evenementi mjaft të bukur të nxënësve tironas dhe atyre lezhjanë ne vizituam Katedraljen e Shën Nikollës e cila ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në te ruhet kujtimi për heroin kombëtar dhe bëmat e tij në kohën e mesjetes në Shqipëri. Ishte kënaqesi për ne që të mësojmë më shumë për rolin e Kuvendit të Lezhës, Lidhjes së princërve shqiptar mbajtur në Lezhë në kohën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut. U tha se këtu gjatë vitit parakalojnë pothuaj se të gjithë maturantët e shkollave të mesme nga të gjitha trojet shqiptare, por është me shumë vlerë dhe rëndësi se interes për të vizituar këtë vend të shenjtë ka edhe nga shtete fiqnje por edhe nga vende dhe shtete të ndryshm e nga mbarë Europa.
Lezha një perlë në hartën e Shqipërisë, një vend i vogël në veriun e këtij vendi ka rolin dhe rëndësin e veqant në historinë tonë kombëtare duke filluar që nga koha e msjetes e deri ne ditët bashkëkohore. Duhet përmendur këtë edhe poetet e mëdhenje dhe patriotët si Gergj Fishta dhe Don Ndre mjedja të cilët me punën e tyre ngritën lartë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare në kohën e duhur.
Njeriu do ketë rastin dhe mundësinë të njihet me të kaluarën tonë të lavdishme e cila edhe sot mban gjallë dhe ruan atë vlerë humane të kombit tonë. Janë këto deshmi se një kulturë e lashtë e një populli të lashtë është edhe sot këtu dhe është një udhërrefyes për një të ardhme të nditur të popullit tonë. Dhe se si u degjua edhe këtu me të vertetë kjo është gur themel i zhvillimeve pozitive të shoqerisë shqiptare.
Pas dita ishte rezervua për një takim pune në lokalet e Shoqërsisë Kulturo Artistike “Kastriotet” të Lezhes ku na prisnbin udhëheqja e kësaj shoqërie me traditë të pasur në zhvillimin dhe ruajtjne kulturës dhe traditës shqiptare.
Në bisedë me ta ku ishte Kryetari i ShKA “Kastirotet” Pash Ndoci, sekretari Gjon frroku si dhe shume anëtar të kesaj shoqëria u pa se egziston një qendrim i përbashkët dhe se mundësit janë për një bashkëpunim të shendosh në ruajtjen dhe prezentimin e kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptyare si në vendlindje njashtu edhe në mërgatë. U pa se mundësit jane dhe se edhe kushtet për një bashkepunim të tillë egzistojnë nga të dyja palët si nga ana e Shoqërsië Kulturore Artisitke “Kastriotet” njashtu edhe nga ane e anëtareve dhe udhehqjes së Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni në mërgim konkretisht në Borås të Suedisë. U tha se do punohet në realizimine projekteve të perbashketa në prezentimine kulturës dhe traditës shqipe në te ardhmen.dhe se ky bashkëpun im do jetë i sukseshëm si cdo tjeter deri me sot.

Filed Under: Reportazh Tagged With: LEZHA- NJË VIZITË, ME TE VJETRA, NË NJËRIN PREJ QYTETEVE, Sokol Demaku, te Shqiperise

Në prag të 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

February 15, 2015 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
– Më 17 shkurt shteti i Kosovës po mbush 7 vjetorin e saj të pavarësisë! Por ikja masive e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të perëndimit, e ka zbehur këtë festë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Shtrohet pyetja: pse erdhëm në këtë gjendje të rëndë, që njerëzit për pak vite pa dëshirën e tyre të dëshpërohen dhe të zhgënjehen aq shumë, sa ta refuzojnë atdheun e tyre? Përgjigjja është fare e thjeshtë.
– Falë këtyre debilëve, analfabetëve, batakçinjve, idiotëve dhe grykësve të politikës që shkatërruan dhe vodhën gjithçka, për pesëmbëdhjetë vite falimentoi shteti i Kosovës. Kjo klasë politike e pangopur, e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në fyt, ia humbi njerëzve shpresën se këtu mund të kenë një të ardhme të ndritshme për ta dhe familjet e tyre! E kur humbet shpresa, atëherë mbaron gjithçka.
– Këtu shpresa ka humbur për të gjitha shtresat e shoqërisë, prandaj jo vetëm popullata e varfër, e papunë dhe e pashpresë po e lëshojnë me të madhe Kosovën, por edhe klasa e mesme e shoqërisë që e kanë një vend pune dhe nuk qëndrojnë keq ekonomikisht. Po ikin fëmijët e vegjël, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Po ikin edhe studentët. Po ik edhe pjesa më vitale e vendit, të rinjtë prej moshës 18-30 vjeç. Po ik edhe truri i Kosovës, intelektualët, gazetarët, publicistët, mjekët, mësimdhënësit, arkitektët etj. Po ikin edhe artistët, piktorët dhe sportistët. Për shkak të haraçit, konkurencës jolojale dhe monopolit të krijuar nga disa kompani të lidhura me politikën, kanë filluar të ikin edhe bizneset e mëdha, të mesme dhe të vogla të Kosovës, për të investuar në shtetet e rajonit, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi etj! E, kur të ikin bizneset vendase dhe shkojnë në shtetet fqinje për të investuar, s’mund të mbajmë shpresë që do vijnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë!
– Prandaj, a ja vlen të festohet pavarësia e Kosovës kur ikja masive e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës s’ka të ndaluar, dhe nëse vazhdon kështu vendi rrezikon të boshatiset e tëra dhe të shndërrohet në një shkretëtirë. Dhe me të drejtë qytetarët e Gjilanit iu drejtuan Presidentes Jahjaga me pyetjen: ”A hahet pavarësia” ?! Jo, pavarësia nuk hahet dhe nuk ja vlen e nuk kemi as luksin dhe asnjë arsye të festojmë, por është koha që pozita dhe opozita të reflektojnë fuqishëm dhe ta shpëtojmë Kosovën nga katastrofa!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Në prag të 7 vjetorit të, pavaresise se Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4089
  • 4090
  • 4091
  • 4092
  • 4093
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT