• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAJRAM GASHI, DESHMOR I KOMBIT, NË 70-VJETORIN E RËNIES

February 6, 2015 by dgreca

U lind në fshatin Uçë të komunës së Istogut, në shkurt të viti 1910. Vjen nga një familje patriotësh, nga fisi i njohur Muzliaj. Dy xhaxhallarët e tij Avdyl dhe Nezir Idrizi (Gashi), ishin firmëtarë të shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Më vonë, si shumë patriotë të tjerë, u vranë nga dora e shkjaut.
Bajrami që në moshë të mitur, duke qendruar e dëgjuar bisedat e të rriturve në odën e burrave, mësoi se kush ishte armiku, sa i egër ishte pushtuesi serb i Kosovës dhe sa gjak po derdhej për lirinë e pavarësinë e saj.
Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, së bashkë me gjakovarin shumë të përmendur Haki Taha. Dy vjet gjimnaz i keru në Shkodër gjatë viteve 1930-1932, duke qendruar në konviktin “Malet tona”. Më pas vazhdon edhe dy vjet të tjera 1932-1934, ku dipllomimohet si normalist në mësuesi. Në dëftesën e firmosur nga Kol Margjini dhe zv.drejtor Anton Çeta, mësojmë se veç lëndëve të tjera të kulturës së përgjithshme, zotëronte shkëlqyeshëm dy gjuhë të huaja, frëngjisht dhe gjermanisht. (shënimet janë nga fotokopja e deshmisë origjinale)
Sipas ligjeve të kohës, mësuesi para fillimit të punës në arsim bënte betimin: “Me ja dhan besën atdheut, dijet dhe punën me ndershmëri”. … të gjithë bashkë përgjigjemi përpara kombit dhe para zotit”. Kështu me dekret të veçantë nga Mbretnia Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, firmosur nga Mirash Ivanaj, emrohet mësues në shkollën Mashkullore në rrethin e Krujës, me pagë mujore 160 frënga ari. Në këtë shkollë shërbeu si mësues për dy vjet. Përsëri me vendim qeverie shkon në Itali (1936 – 1938), ku kryen shkollë ushtarake. Me t`u kthyer nga Italia, përsëri me vendim të Mbretnisë, Bajrami emrohet drejtor i parë i shkollës fillore në fshatin Shënavlash të Durrësit. Brenda një kohe të shkurtër ai e afrmoi veten si mësues dhe drejtues i aftë, duke vënë në zbatim ligjet dhe urdhëresat e qeverisë. Si fillim, arriti të zbatojë në fshat arsimin fillor të detyrueshëm. Me punë bindëse, mundi të sjellë në shkollë të gjithë fëmijët që i kapte mosha shkollore. Më tej, me shtimin e numrit të nxënësve lindi nevoja të shtohej edhe trupa mësimore me mësues të rinj. Ishte kjo kohë, kur në shkollën e Shënavlashit u emruan mësuesët Haki Taha, (i shumë njohur për atentatin ndaj Miladin Popoviçit), Nafie Mema, gruaja e poetit Lasgush Poradeci dhe Agetina Qeraxhija.
Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 1941, Bajram Gashi, Haki Taha, Xheladin Hana, Hysni Zajmi, Fadil Hoxha e qindra mësues të tjerë e “msynë” Kosovën. Bajrami u shkëput nga arsimi, pasi u caktua me detyra shtetërore për dy komunat Pejë dhe Istog. Shpesh bënte mbledhe e tubime me popullin e Rrafshit e Dukagjinit, ku pas fjalëve: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, bante thirrje për mos pajtim me komunizmin, me Titon dhe komunistat shqiptar.
Pikërisht kur ushtria italiane kaloi në zonën neutrale, në fshatrat përrreth Pejës e Istogut u bë një kasaphanë e vërtetë. U vranë rreth 500 vet, burra, gra, pleq e fëmijë. Bajrami revoltohet dhe bashkë me Mulla Zek Bërdyna dhe të tjerë patriotë, mbledhin gjymtyrët e të masakruarve, i fusin nëpër arka, i sjellin në Pejë dhe i varrosin.
Janë këto ngjarje dhe të tjera, që në prag të mbarimit të luftës, në fundvitin 1944 e fillim i 1945, kur po ripushtohej Kosova dhe Istogu, Bajram Gashi kapi pushkën, ngriti çetën e tij me 300 – 400 vet dhe doli në mal. I kërkuan përfaqësuesit e partisë komuniste Shqiptare dhe Jugosllave për bashkëpunim me ta, por Bajrami ishte betuar: “Nuk pajtohem me komunistët, që bashkëpunojnë me armiqtë e kombit tim”. Këtij trimi kosove dhe shokëve të tij, bukur i shkojnë vargjet e Fishtës:
“ Ma mirë dek, nën dhe m`u kja,
se për t`gjall me mbet nën shkja”.
S`kaloi shumë kohë, në fillim të shkurtit 1945, kur e gjithë Kosova kaloi në shtetrrethim, Bajrami ndodhej në Pejë. Përshëndetet për herë të fundit me të shoqen, duke i lënë porosi: “Unë edhe mund të mos kthehem, por vajzat mos m`i len pa shkollë”. Iku baba. Ishte hera e fundit që e pashë tek largohej nga shtëpia”, kujton Liria, vajza e madhe, sot e moshuar, atëherë ishte vetëm 6-vjeç.
Një nga bashkëluftëtarët e tij në çetë, plaku 96-vjeçar Isuf Hajdari nga fshati Uçë, kur e pyeta se kush ishte Bajram Gashi, u ngrit në këmbë, pika loti i pikuan nga sytë dhe më thotë: “As nuk ka le, e as nuk len nana, burrë trim si Bajram Gashi”. Ishte natë, duke u gdhirë 8 shkurtit, kur çeta e tij rrethohet nga forcat serbe në “Stanet e Vojdullit” në bjeshkë të Istogut. Luftojnë gryk n`gryk me shkijet, vriten mbasi e kanë paguar shtrenjët veten. Ushtarët serb i bartin kufomat dhe i sjellin në Istog-qendër. Ushtarakë dhe përfaqësues të partisë mbajnë fjalime mbi kufomën e tij, duke e shkelmuar e duke shfryrë: “Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që luftojnë kundër Jugosllavisë”. Kjo mënxyrë për Istogun dhe Kosovën mbahet mend e kujtohet mirë, pasi në këtë ngjarje të kobëshme, për terror u thirrën plot njerëz. Aty ishte edhe lokja Rabe, nëna e Bajramit. Aty kish ndodh edhe Rexhep Dranova me të birin Muhametin. Aty ishte edhe Tahiri, babai i Isa Lipajt nga fshati Kamenicë, komuna Istog. Janë profetike fjalët e Bedri Pejanit: “Mosni djema! Nuk zgjidhet çështja shqiptare në bashkëpunim me serbo-sllavët”.
Nuk çuditemi me veprimet e pushtuesve serb, që këtyre heronjëve nuk u la as eshtra e as varr për t`u vajtuar e kujtuar. Pikërisht ky është modeli serb i provuar në qindra vjet, që u kopjua nga komunistët ndaj kundërshtarëve politik dhe “armikut” të klasës. Sot pas çlirimit të Kosovës, në Istog ndodhet një memorial, një pllakë, ku shkruhet: “Më datë 08. 02. 1945, u vranë tre heronj të Istogut. Bajram Gashi, Ram Alia dhe Sali Rama”, (Sali Rama është biri i Ram Alis). Një rrugë kryesore në qytetin e Istogut mban emrin “Bajram Gashi”. Po kështu në fshatin Fllakë të rrethitë Durrësit, pikërisht pranë vendit ku dikur ishte shkolla fillore (pronë e Bajram Gashit e blerë dhe e lënë për shkollë), sot ngrihet shkolla 9-vjeçare, që në nderim të tij, mban emrin “Bajram Gashi”.
Vitet shkojnë, ndërsa vepra e Bajram Gashit, këtij luftëtari të lirisë, mbetet e gdhendur në kujtesën e kombit, si mësim e këmbanë për brezat. Është e artë thënia e ish presidentit gjerman Richard Von Weizsackers, kur thotë: Të gjithë ata që mbyllin sytë para të kaluarës, janë të verbër në të ardhmen e tyre”.
Lavdi veprës së heronjëve që ranë për liri të Kosovës!

Përgatiti:
Bajram Gashi
Shënavlash.
Durrës.

Filed Under: Histori Tagged With: BAJRAM GASHI, DESHMOR I KOMBIT, E RËNIES, Në 70 vjetorin

Dukuri te shpopullimit te fshatit shqiptar

February 6, 2015 by dgreca

Nga Illo Foto-Nju Jork/
Shpopullimi i fshatin ne favor te qytetit, ka qene nje fenomen i natyrshem , qe ka rrjedhur nga zhvillimi industrial dhe nga reduktimi i resurseve natyrore te fshatit. Ka ndalur hemoragjia fshat – qytet ? Ne mos ka ndalur , shkohet drejt saj , me hapa te sigurte . Shpopullimi i fshatit shqiptar eshte i vonuar ne kohe. Ka specifiken e vet si fenomen demografik.
Shqiperia dhe qyteti shqiptar ka pesuar dy tronditje te medha demografike.Pas luftes boterore dhe gjat saj , shume fshatra, vecanerisht nga jugu ,u cvendosen ne qytete dhe kryesisht ne Tirane . Ky eshte shpopullimi i pare i fshatit , qe nga 80 %e solli popullsine fshatare ne 50 % . kjo periudhe perkon me industrializimin europjan, qe vazhdoi 200 vite.
Tronditja e dyte , shume me e madhe ndodhi ne vitet 90 te shekullit kaluar. Krahas emigrimit biblik, u shperngulen masivisht fshatrat dhe qytetet e veriut drejt qyteteve te Shqiperise dhe, kryesisht drejt Tiranes. Ne tronditjen e pare Tirana, nga 100 mije banore arriti ne 300 mije. Ne tronditjen e dyte, nga 300 mije, arriti nje milion perfshire dhe Kamzen , Bathoren etj .Ne nje popullsi me 3 miloin, kryeqytet me 1/3 , perben ngarkese te madhe , per biznesin prodhus .
Procesi eshte me i gjere dhe me i komplikuar se vetem statistike , qe pasqyron perqindjen e popullsise fshatare dhe qytetare , ne raport me totalin e popullsise. Shperngulja prej venbanimit ku ke lindur femije dhe ke varret e te parve, perben nje nga dhembjet me te medha shpirterore . Refugjatet jane pjesa me e dhimbshme e luftes.
Sejcila familje emigratore shkruan nje faqe krejt origjinale , ne historine e dhimbshme emigratore te cdo kombi . Shqiperia ka histori te dhimbshme te ketij fenomeni ,sepse ka % me te madhe te popullsise , qe jeton jasht kufive te shtetit meme.
Shume koncepte , per jeten dhe punen ne fshat kane ndryshuar rrenjesisht . Ndryshimet e jetes dhe punes ne fshat ndryshuan , qysh me lindjen e kapitalizmit . Ne gjysmen e dyte te shekullit 20 , ne boten perendimore u zhvillua revolucjoni i gjelber , qe koincidon me zhvillimin gjeresisht te shkencave gjenetike dhe aplikimet e shkencave kimike, ne prodhimin bujqesor . Nevojat per fuqi puntore ne bujqesi u reduktuan dhe ne qytet u rriten . Filloi shpopullimi i dyte fshatit , drejt qytetit , por resurset e fshatit u zevendesuan nga triumfi i revolucionit te gjelbert.
Fshati i shpopulluar shqiptar le resurse te pa cfrytezuara , sepse shpopullimi i fshatit nuk u krye per revolucion te gjelbert , por per mbijetese . Duhen gjetur menyra te reja , qe keto resurse te riaktivizohen . Kete e bejne politikat ekonomike te shtetit dhe nismat , qe mund te marrin vete te pa punet .
Nevojat e industrise per pune , kane nje kufi . Shkencetaret ekonomiste , ka shume kohe , qe u bien kambanave te alarmit , per punesimin e reduktuar ne qytete . “Krizae sotme , nenvizojne shkencetaret , eshte krize e punesimit “ . Perbersit e punesimit jane te lidhura kryesisht me biznesin prodhus , me shpopullimin e fshatit dhe me emigracionin. Kembanat e alarmit te shkences , duhet te degjohen, nga populli dhe nga politikaberesit . Kur njeri prej tyre nuk i perputh deshirat dhe veprimet me tendencen , qe rekomandon shkenca , ndodhin shperthime , qe jo gjithmone shkarkohen ne vetvrasje dhe kriminalitet, por gjejne edhe rrugezgjidhje te qendrushme .
Ne kete shkkrim , nuk mund te prek te tere keta perbares te faktorit krize dhe punesim , por do te perqendrohem te shpopullimi i fshatit shqiptar .
Te dhenat demografike shqiptare , i po i jap ne nje tabele:
Vitet Popullsisia gjithsejt nga kjo fshatare fshatare ne %
1923 814.400 615.520 80
1930 833.600 666.880 80
1950 1.218.900 731340 60
2001 3.373.734 1.868 .671 50
2010 3.350.000 1.885.000 53
2012 2.815.749 1.323.402 47 (Cenzusi)
Censusi na beri me beje me dije , qe per here te pare ne historine e vendit , popullsia qytetare eshte me shume se gjysma e popullsise totale .
Nga sa vene re njerzit ne teren, popullsia fshatare eshte edhe shume me pak se sa e sakteson censusi . Ka fshatra , qe jane braktisur totalisht dhe shume fshatra , qe banohen nga pak te moshuar . Gazetari Marin Mema , ne rubriken e famshme te tij “Shqiperia tjeter “, ka pershkruar shume fshatra te thella malore , qe ndodhen teresisht te boshatisur , ose ne prag te shpopullimit total .
Ne nje rrast gazetari Mema , pasi udhetoi me kembe disa ore , arriti ne nje fshat , qe ka qene mbi 100 shtepi , por aktualisht banohej nga 2 cifte pleq , ne moshe extreme . Ne nje rrast tjeter , duke ushetuar , po ne kembe , Marini na pershkruan nje fshat , qe ka pasur mbi 150 shtepi dhe ka gati nje dekade , qe nuk ka as nje kembe njeriu . Natyra ne kete fshat ishte egersuar totalisht . Ndonje mace , qe dikur e paten lene ikanjaket , ishte kthyer ne egersire . Kishin mbetur edhe disa kuaj , qe ishin kthyer totalisht ne te eger . Kuajt nuk mund t’i kapje dhe ishin teresisht agresive , nje lloj si kuajt ne rezervatin e Divjakes . Terbimi flores dhe faunes , eshte kujtese , per banoret qe ikin , se aty mund te zhvillohen me sukses ferma me kuaj , qe kudo dhe kurdohere , kerkohen nga tregu , per sherbime te shumaneshme .
Keto fakte dhe deshmite e tjera te njerzve , qe kane lidhje me fshatin , te krijojne bindjen , se popullsia fshatare eshte me pak se sa shenon cenzusi . Per te qene afer ketij realiteti , ju drejtova ekonomistit te vjeter Dr. Polo Cakalli i cili ka punuar me perkushtim ne profesionin dhe aktualisht eshte mbi 80 vjec . Doktoraturen e ka mbrojtur , per statistike .
Dr. Polo ka studjuar strukturen moshore te banorve te fshatit aktual shqiptar . Kete nuk e ka bere se ja ka kerkuar kush , por per kuriozitet profesional . Strukturat moshore , te disa fshatrave tipike, i ka perpunuar matematikisht dhe i ka rezultuar , se per nje strukture moshore normale , popullsia fshatare rezulton nen 30 % te popullsise totale te vendit .
Simbas studimit te Polos , qe i besoj teresisht , popullsia fshatare , ne cenzusin , rezulton realisht te jete 840 mije e konvertuar ne moshen normale , qe i pergjigjet 30 % fshataresi, krahasimisht me popullaten totale shqiptare . Sic shifet , nga shifrat , per 85 vjet fshataresia mbete me e madhe se sa gjithe popullsia e vitit 1930 ,1950 e me tutje , qofte dhe ne 2012 , kur fshataresia , si numur mbetet posht niveli 50 % .
Gjykuar nga popullsia me e madhe fshatare , qe i perket vitit 2010 , baraz me 1.885 mije dhe numurit te studimit “Cakalli “ , ne 2012 , prej 844 mije , rezulton se ne fshat jane shperngulur , jo me pak se 1 milion njerez . Aktualisht ne fshat , ka 1 milion njerez/resurse te pa cfrytezuara .
Ne vende te tjera te botes , fshati eshte shpopulluar , por resurset jane shfrytezuar . Me termin njeri /resurs , kam parasysh , resursin natyror , qe plotesojne kerkesat normale jetesore te nje njeriu te vetem. Ne rrast se themi , qe papunesia sot eshte 20 % , kuptohet se duhen te gjendeen 600 mije resurs /njeri . Ku do punesohen keta njerez , qe konsiderohen te ardhur nga fshati , ose jane shtesa natyrale? Rezervat e sigurta jane vetem ne fshatin e shpopulluar . Atje ku resurset kane 24 vite , qe flene .
Perpjekjet per te shfrytezuar resurset e fshatit nuk kane munguar . Refugjatet e riatdhesuar kane ngritur ferma , ne fshat ose ne periferi te qyteteve . Vec fermes se famshme te Dhimo Kotit , ne Xare , ekonomisti Artur Dojaka dhe bashkepuntoret e tij , kane ngritur nje ferme me 200 lope te rendimentit te larte , ne periferi te Kavajes . Teknollogjia dhe lopet jane importuar nga Izraeli .
Gjithcka , per kete ferme te mbrekullushme , e ndoqa , ne nje emision televiziv, kur isha ne Tirane . Simbas asaj , qe pashe dhe degjova , ferma eshte nje fabrike e gjalle , qe puneson shume njerez qytetare , duke ju krijuar te ardhura normale , per jetese . Reportzhe te ngjashme degjova , per emigrante , qe kane ngritur ferma me dhi rrace te importuara nga Svicra , Franca dhe Anglia .
Te tilla ferma jane ngritur, ose jane ne proces , ne Erseke , Lunxheri , Kurvelesh , Picar etj .Nisma e tyre eshte shume produktive , ne rrast se do te arrijne , te ndertojne nje industri perpunuse , per export te ketyre artikujve shume te kerkuar nga tregu boteror . Italianet , grekrit , spanjollet , madje dhe maqedonsit , jane shume te avancuar . Ata nuk dine te punojne bulmetrat me mire se ne , por i prodhojne te certifikuar . Kjo u jep mundesine te operojne ne c’do treg . Rrasti i Dhimo Kotit , Artur Dojakes dhe te ngjashem me ta, jane per te pershendetur , jo vetem per teknollogjine e larte te prodhimit , por dhe certifikimin e prodhimit bio .
Disa blloqe frutikulture , ullishtore dhe vreshta te reja , jane per t’u pasur zili , por jane pak . Pjesa me e madhe e zones te pjerrte kodrinore duhet te kthehet me te tille blloqe frutikulture dhe aty ku e lejojne kushtet , te behen ullishtore. Ne blloqet e frutikultures mund te punesohen shume qytetare . Kam dy vrejtje te perseritura per blloqet e frutikultures . Autoritetet bujqesore nuk duhet te japin lishenca , qe te mbillet frutikultura ne fushe , por vetem ne vende te pjerrta . Nje bllok frutikulture ne fushe , eshte aq i kundraligjshem sa dhe godinat pa leje . Ne pikun e prodhimit , fermeret ankohen per mungese tregu . Pronaret e blloqeve te mollve ne Amerike , kane ne shtepi nje puniste shume te thjeshte , per prodhimine lengut te molles , natyrisht te certifikuar .
Kjo punishte eshte nga me te thjeshtat , qe mund te marre mendja njerezore . Nje prese e zakonshme me dru dhe nje rrjete nailoni , ku vendosen mollet , qe nuk jane per treg , qe lihen nen prese te shtrydhen . Natyrisht amballazhohet ne ene starndart dhe hermetike . Shitja e lengut te molles ka vlere me te larte se vete mollet e tregut .Keto te dhena i jep televizioni amerikan , ndersa televizioni shqiptar , u le shume pak vend problemeve ekonomike .
Konkluzioni eshte i qarte : Nuk mund te kerkohen zgjidhje ekonmike ne Shqiperi , pa llogaritur jo vetem interesat , por dhe perspektiven e fshatit shqiptar malor dhe te bujqesise te tij . Nuk pretendohet te ripopullohet fshati i braktisur . Kjo nuk ka per te ndodhur , por ne vend te fshatit tradicional , te ndertohet nje ferme e thjeshte , me kerkesat kohore , ne teknollogji dhe ne perpunim te prodhimit . Te dy fenomenet , shpopullim dhe ripopullim nuk kryen me urdher dhe nuk drejtohen nga kerkush. Jane fenomene spontane , por qe shkaketohen nga arsye madhore dhe drejtohen nga dora e pa dukshme e tregut te punes .
Ripoullimi eshte me i lehte se shpopullimi , sepse ai , qe mendon te ngreri nje ferme ne malesi , pergatit plan-biznesin dhe e ndjek me gjakftoftesi . Malesia ka aq resurse sa ka , biznesi kesaj situate duhet t’i pershtatet . Pretendimet , se ne c’do fshat duhet te kete rruge te shtruara , perben nje lluks . Do te kete fshatra , qe duhet te mbeshteteen ne traditen fshatare , te jeteses , te komunikacinit dhe te teknollogjive tradicionale prodhuse . A nuk mjafton fakti , qe ne Amerike dhe Australi , blegtoria nomade perben nje dege te rendesishme te blegtorise kohore ? Rentabiliteti i punes varet nga rendimentet e prodhimit dhe aplikimi i teknollogjive bio , qe ka cmime favorizuse .
Qytetet shqiptare , kane tradite te hershme te zhvillimit bujqesor , nga banoret qytetare . Te tera qytetet e Shqiperise kane pasur lagje bujqesore , zakonisht quheshin “Stan “ . Te tilla lagje kane pasur Kavaja, Korca , Gjirokastra . Qytetet Shkoder , Fier , Lushnje , nuk dallonin ku mbaronte qyteti dhe ku fillonte fshati . Kete tradite , regjimi para ardhes e perforcoi me ish fermat shteterore te qyteteve . Ne c’do qytet kishte ferma , qe gjeneronin , perkrah fabrikave .Ne ish fermat socialiste , punesohshin nje numur jo i vogel qytetaresh .
Nuk kemi pse ecim ne boshlek . Pervoja eshte e konsoliduar . Te ndertosh veprimtari bujqesore ne qytet , ose nga zgjatimi i tij , sot eshte plotesisht e mundur . Kemi sherbim te rregullt transporti publik dhe puntori mund te realizoi detyrat , pa sforcime fizike , duke marre parasysh , qe bujqesia e sotme eshte e mekanizuar ne nivel te mjaftushem . Problemi i fermezimeve te vogla , si ky qe vume ne dukje sot , lidhen me investiem te vete sipermarrsve dhe ky mund te emerohet programi afatmesem i fermezimit dhe punesimit . Pervetesimi i Ultesires bregdetare , eshte e te njejtes natyre , por kerkon nderhyrjen e Shtetit , qe do te realizoi nje program shume te kushtushem te menazhimit te ujrave siqperfaqesore . Kur te dy keta programe do te vihen teresisht ne jete, Shqiperia do te jete ne balle te shteteve te Ballkanit , per nga niveli i GDP se.
Problemi fshatar , gjithnje ka qene ekuacion, perpara te gjithe ndryshimebe politike . Beteja e politikes nuk quhet e fituar, po qe se nuk zgjidhet problemi i fshatit. Sot dhe ne te arthmen njerzit e ditur do te jene te kufizuar . Me i dituri do te jete ai , qe perdor me shpejt dhe me sakt butonat e iPonit . Nuk ka nevoje per te vrare mendjen , per shume dituri.Teknollogjia i ka hequr njeriut barret e renda jetesore, i kursen kohen , per t’i sherbyer vetes , familjes, shoqerise.Disa thone se teknollogjia moderne ka shkurtur vende pune . Ne aparence keshtu duket , por nuk qendron realisht keshtu , sepse vendet e punes , qe jane shkurtuar ne teknollogjine e vjeter , jane shtuar me operatore te rinj , qe ne analize te fundit , ekuacioni nuk ndryshon . Jeta vertetoi teorine shkencore , te mbeshtetur nga Obama , qe krizen e amortizon biznesi prodhus dhe rritja e konsumit . Keto jane faktoret , qe Amerika e kaloi krizen , me me pak dhimbje se sa Europa.
Illo Foto / Studjus ne NY – Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Dukuri te shpopullimit, Illo Foto, te fshatit shqiptar

SONATA E HËNËS (Rrëfim për një jetë)….

February 6, 2015 by dgreca

NGA EGLANTINA MANDIA/
FALËNDERIM I AUTORES: Falënderoj Arkivin e Shtetit, që ruajti të paprekur dosjen Musine Kokalari, laboratorin krijues, dorëshkrimet, kujtimet, ditarët dhe korrespondencën, të cilat u pasqyruan në këtë libër.
U jam mirënjohëse të gjithë miqve e bashkëkohësve të Musinesë, të cilët me dashamirësi ndihmuan me rrëfimet e tyre, të themi të vërtetën.
Falënderoj posaçërisht Dr. Naun Theodhosin.
Për botimin e librit ndihmoi edhe Fondacioni “Soros”.
Autorja dhe botuesi i janë mirënjohës.
***

NË VEND TË PARATHËNIES
(Letër Musinesë)

Njeriu mund të jetë i lirë, edhe pse i burgosur.
Njeriu mund të jetë i burgosur edhe pse është lënë i lirë.
Ky është mësimi që kam nxjerrë nga jeta jote.
Fli e shenjtë e qiellit shqiptar!
***
E dashur Musine,
Po e filloj këtë libër duke shkelur gjurmët e ëndrrave të tua, këtu në Romë, në këtë fund-vjeshte të praruar, pesëdhjetë vjet më vonë nga dita, kur ti shkruaje, ndoshta faqet e fundit të doktoraturës, gjithë emocione, sepse ishin ditët e fundit në këtë qytet ku erdhe si e huaj dhe u largove si e huaj, por more njëkohësisht vitet më të bukura të rinisë, vitet kur shkrove librat e parë, vitet ku punoje pa pushim dhjetë e dymbëdhjetë orë në ditë, vitet kur lulëzoi dashuria në zemrën tënde, e cila zakonisht, shpërthen në zemrën e njeriut në një stinë. E ajo ishte stina jote e dashurisë për të riun P.T.
Dua ta gjej këtë njeri, tashmë të plakur, në qoftë se është gjallë, dua ta shoh në sy këtë njeri, që ka pasur në dorë një xhevahir të rrallë dhe për mendjelehtësi, e ka humbur përgjithmonë atë.
Kërkoj adresat e tua të para në Piaca Bolonja (Piazza Bologna).
Piaca Bolonja është përthyer tashmë nëpër rrugët kryq, që e përshkojnë tejpërtej, me një trafik marramendës. Një lumë makinash mbush udhët e tua të dashura, që i bëje me këmbë se të pëlqente të ndjeje fluturat e dëborës mbi ballë, a shiun të të rrihte shpatullat me rrëmbim.
Natyra ishte pjesë e shpirtit tënd të ndjeshëm. Doje ta prekje, ta ndjeje të gjallë, të vërtetë, në të gjitha ditët e jetës tënde, kudo ku ke qenë.
Vajzë me shpirt të bukur, përpiqem t’i shoh mrekullitë e kulturës botërore këtu në Romë, me sytë e tu të etur për jetë, të etur për dije, me sytë e tu të mençur, të bukur e gjithë frymëzim.
Fundvjeshte, ditët e para të dimrit, por në Romë s’është më aq ftohët, si dikur. Duket sikur janë bashkuar vjeshtat e largëta me këto ditë. Dëgjoj zërin tënd të brendshëm, që kërkon të vërtetën e jetës në ecjet e gjata në rrugën “Nomentana”:
“Ç’melankoli në natyrën e zhveshur. Edhe jeta jonë është e ngjashme me këto gjethe. Retë shkojnë e vijnë lehtësisht dhe zogjtë këndojnë të gëzuar gjatë verës e kthehen të lodhur nëpër foletë e tyre. Asgjë nuk është e përjetshme. Pemët lulëzojnë, por jo përgjithmonë. Kështu qenka edhe jeta e njeriut! Lind, rritet dhe vdes, ndërsa të tjerët vijnë pas nesh. Çdo vit që ikën nga jeta jonë, nuk kthehet më kurrë, si petalet e luleve që i merr era një e nga një dhe mbetet veçse pluhuri. Vetëm natyra është e përjetshme në formën e saj të pandryshueshme dhe qenia jonë s’është gjë tjetër , veçse një vijim i botës dhe një ecje përpara e kohës”.
Vërtet, gjithçka ikën, por ka edhe diçka që mbeti, Musine: ndjenjat dhe mendimet e derdhura në librat e tua. Katër vjet të jetës tënde janë brenda këtij qyteti përjetësisht, siç janë edhe monumentet e tij të pavdekshme.
Ti e doje Citta Giardino-n. E ja, përsëri, një grua shqiptare po kalon në gjurmët e tua të dashura. Çitta Xhardino (Citta Giardino), sot është Monte Sakro (Monte Sacro). Vilat e vjetra, të rrethuara me kopshte me lule, qëndrojnë si relikte nëpërmjet pallateve shumëkatëshe, dëshmi e një jete të jetuar.
Edhe ura e vjetër mbi lumin Tevere, ku ti shkoje shpesh e jeta të dukej si një ëndërr, në orët e tua të vetmisë e të mrekullimit përpara asaj harmonie e përsosmërie të natyrës, që të bënte ta admiroje madhështinë e Zotit.
Ky pajtim me vetveten, ky filtrim shpirtëror, të shtynte drejt dëshirës për të folur vetëm me krijesa të pastra, të pafajshme engjëllore, siç janë fëmijët.
Ç‘ishte ajo parandjenjë? Ndoshta, Zoti e pati caktuar fatin tënd?
Të luftoje pa u përthyer, megjithëse aq e brishtë, të ishe martire e idealeve më të larta e më të pastra të një kombi. Ty, (motër e Gjergj Elez Alisë) do të t’i rrëmbenin vëllezërit pikërisht, tre vjet më vonë (12 nëntor 1944) në vjeshtën e përgjakur tiranase, për t’i vrarë pa pasur asnjë faj.
Tashmë, marrëzia e trullosi Shqipërinë tonë të vogël. Marrëzia e shpuri vendin në zgrip, e hodhi në gjeratoren e rrethit vicioz të skllavërimit të trurit dhe të varfërimit ekstrem, deri në dëshpërim. Marrëzia mbolli urrejtjen deri në shkatërrimin më të llahtarisur të vlerave njerëzore e sadizmin e një autodafeje kryqëzimesh e varrosjesh për së gjalli të qindra martirëve të pafajshëm. Marrëzia e mbuluar nga lustra e sterilitetit, vulosur në një shishe me etiketën vetëtitëse të “njerëzve të rinj” fermentoi skëterrën e shpirtit që si një pus artezian lëshoi këtë det helmi e vjelljeje kundër vetvetes e gjithkujt, në tregun e zi të shitblerjes së gjithçkaje nga gjithkush.
Marrëzia e shfytyroi shqiptarin, të vetmin, të vetmin fare në botë që egërsisht sulmoi e shembi shtëpitë e Zotit, të faljes, mëshirës, shpresës dhe pendimit.
Tani PILATËT shpëlajnë duart me ujë e me një buzëqeshje të padjallëzuar anatemojnë vesin e krimit, kurvërimit, gjakmarrjes, paralizës, egërsisë e si narcizistë të përjetshëm, këlthasin: “Na e kthe parajsën e rrëmbyer o Zot!”
E dashur Musine, le të ketë sado pak mëshirë PERËNDIA e gjithëpushtetshme për ne.
Parajsa s’është fole e shpirtrave të nëmur. Në parajsë janë engjëjt tanë mbrojtës si ti, MOTËR E HELMUAR, ZEMËR PANGUSHËLLUAR, SHPIRT I BUKUR I PAQETUAR, I NUSES SË PANUSËRUAR.
Të falem në gjunjë, për të gjithë jetën
Romë, 25 nëntor 1992 AUTORJA

PJESA E PARË
FËMIJËRIA

KRONIKA
Ky është rrëfimi i një jete që e ka zanafillën më 10 shkurt 1917, në Adana të Turqisë. Pas tre djemve, në familjen e Reshat Kokalarit erdhi një vajzë. Dy vëllezërit, Muntazi dhe Vesimi ishin djem të rritur, ndërsa vëllai më i vogël, Hamiti megjithëse fëmijë, ishte përsëri disa vite më i madh. Këto diferenca ishin frute të mërgimit.
Vajzën e quajtën Musine.
Ishin vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore. Shqipëria ishte si varka e Noes, pas përmbysjes së madhe e shqiptarët ishin në ankth për fatin e saj.
INTERMEXO
“Turqia po kalbëzohej e mezi po mbahej në këmbë. As mendjet e diplomatëve së bashku s’e nxirrnin dot nga bataku. Gërmadha po ronitej copë-copë. Struktura mesjetare e Turqisë ishte e pariparueshme. Në letër, ligjet e Turqisë duken mjaft të bukura, por mesa kam marrë vesh unë, asnjëherë nuk zbatohen siç duhet, kurse traktatet, kuvendet dhe premtimet për reforma, janë bërë vetëm për të mos u zbatuar”.

“Një pjesë e mirë e bijve të shqipes kanë bërë si kanë dashur vetë dhe kështu kanë ndërmend të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai në radhë të parë është shqiptar”.

Edith DURHAM

KRONIKA
Në vitin 1920 Kokalarët vendosin të kthehen në atdhe. Jeta e Musinesë fillon me këtë kthim nga mërgimi. Një karrocë me kuaj vrapon rrugë pa rrugë gërmadhash, urash të braktisura e maleve të egra, tokës së shkretuar të kënetave. Kapërcejnë lumenjtë me lundra të sheshta me shpejtësi të frikshme, për të arritur sa më shpejt në Gjirokastrën e Babamadhit e nënos plakë, ku ishte vatra, shtëpia, ëndrra e zhgjëndrra.
INTERMEXO
“Gjirokastra, bota e madhe pa fund, që s’kishte shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anembanë me shkëmbinj e me udhët plot gurë. Gjirokastra e të përpjetëlave dhe tatëpjetëlave.
Gjirokastra plakë, e regjur në mjeri e varfëri në ditët e nxehta të verës, ku afshi i ngrohtë del nga dërrasat e çative dhe djersa kullon mbi ballin e atij që me torbë në krahë, ngjitet për në shtëpi dhe në netët e ftohta të dimrit të ulur rreth zjarrit, që nga jashtë dëgjojnë fërshëllimën e erës së tërbuar, që thyen degë e pemë bashkë e gjëmon nëpër mazgalle e baxhara e ndjekur nga pas me oshtëtima e bubullima e drita e vetëtimave dhe shit të rrëmbyer që bie pa ndërprerë.
Gjirokastra, e kujeve dhe e këngëve që buçisnin një herë e një kohë nga dritat e mëdha të shtëpive, buzë përrenjve, nën hijen e rëndë të kalasë së Ali Pashës, anës e anës udhëve të shtrembra me një mijë të hyra e të dala , rrëzë kodrave, me shtëpitë që ngjajnë me njëra-tjetrën, shkallë-shkallë nga maja e shkëmbinjve të Këcullës, që duket sikur e mban qytetin në pëllëmbë të dorës dhe që andej përshëndet malet e Lunxhërisë në mëngjes, kur lind dielli dhe në mbrëmje, kur perëndon me rrezet e fundit sa humbasin fare”.

Musine KOKALARI

VATRA
Jashtë vërshëllen era, thyen degë e pemë. Pastaj, pa pritur, qetësi. Era fryn me të marrë. Vetëtima e bubullima. Pikat e shiut përplasen nëpër xhama e në çati. Flakë e madhe në oxhak. Fëmijët rijnë ndanë gjirmës dhe vështrojnë flakën, që herë zmadhohet e herë zvogëlohet e tymin që dridhet e ngjitet përpjetë oxhakut. Nënua plakë, nga kreu i oxhakut i sheh fëmijët me radhë. Djemtë, nuset, nipat. Janë aty rreth vatrës. Kjo ka qenë ëndrra e nënos, të mos i treten fëmijët në dhera të huaja, me gjuhë të huaja, kur kanë këtë gjuhë të bukur, të bukur.
Reshati është hequr. Ia ka frikën nënua djalit të kthyer nga mërgimi. Eshtë baba i katër fëmijëve. Po djemtë e rritur, u rritën e iu bënë krahë. Kishte bërë mirë që e kish martuar aq të ri, e ja, djemtë tani i ka si vëllezër. E vogël është vetëm Musinea. “E vogla e nënos”, ka si të bukur, të bukur. E bukur e dheut do të bëhet kjo kanakare, motër e vetme e tre vëllezërve. E vogla është mbështetur në gjunjët e nënos. Nënua ia përkëdhel flokët e zinj. Fytyrë e mençur, e imët me sy xixëllonjës.
Musinea, një të ngritur bën, i hedh duart në qafë, e puth në të dy faqet. Nënua e shtrëngon fort në gji.
Babamadhi ulur në buxhakun tjetër këmbëkryq, pi cigare e me dorën e djathtë heq tespihet. Nganjëherë zgjat dorën dhe e gëzon mituraken me sy kureshtarë, që ia përpin fjalën nga goja. Nuset me punë në dorë kanë zënë fundin e odës e punojnë. Zjarr, zjarr në oxhak. Flaka është e madhe, bën ngrohtë në odë.
Të gëzohet shpirti. Fëmijët kërkojnë: “Përrallën, përrallën … ”
– Thuaje nëno, – i thotë Reshati. – Më merrte malli për ato përrallat e tua, kur isha përtej detit.
– Më gëzohet zemra, që s’i ke harruar …
– Të Bukurën e dheut, – thotë Hamiti.
– Të Bukurën e dheut, të bukurën e dheut, – përsërisin fëmijët.
– Pse i thonë e Bukura e Dheut? – pyet Musinea.
– E ke parë dheun tënë? Nuk ka dhe më të bukur në botë, është ushqyer me të bukura, të bukurat e zbukuruan këtë dhe, ndaj është edhe më i bukuri në botë. Si thua biro, ti ke gjezdisur botën, a nuk ke ardhur këtu, ku flenë edhe perënditë?
Reshati i buzëqesh së bijës. Në kokën e Musinesë lindin aq pyetje, po ka frikë mos nënua e vonon përrallën dhe babai e shuan atë buzëqeshjen, që e vogla e pëlqen aq shumë. Ndaj përpëlit e përpëlit sytë.
– Pse i hap ashtu sitë, Musine?
– Dua ta shoh të bukurën e dheut, nëna. Si është?
– Është si kjo Gjirokastra jonë, bijë, djep plot këngë, plot vaje e përralla. E bukura nuk shihet kurrë. Po të shohësh një të bukur të dheut, do ta shohësh vetëm në ëndërr. Hë, ku e laçë mbrëmë. Hë, hë. E laçë, kur u nis djali i vogël. E po na qe ç’na qe … U nis djali i vogël, që i dogji shtëpinë e breshkës të Bukurës së dheut. U nis në rrugën e gjatë për në diell. E doli në një burim tek një varr, tepër, tepër i lashtë. Ati gjeti një plakë, që po lante rroba në një burim. I tha djali i vogël: “Amanet moj baxhi, a thua e di ku të shpien këto tri udhë? Ky është udhëkryqi që kam kërkuar, po nuk di ku të shpien këto tri udhë?”
E u përgjigj plaka: “Rruga që shkon në lakore, është udha e mundimit, rrugë e së vërtetës. Kush ecën nëpër të, ecën në teh të thikës. Kjo është rruga e rrezikut, rruga e luftës së njeriut, që të mbetet zemër njeriu. Rruga, që shkon përtej poshtë është rruga e përbindëshit. Kush shkon nëpër të, kthehet o gur, o përbindësh.
– Si kthehet në përbindësh? – pyet Musinea.
– Ai duket ashtu siç ka qenë, po përbindëshi ia kthen zemrën në gur. Dhe zemërgurët janë njëmijë herë më përbindësh, se përbindëshat. Rruga, që shkon përtej poshtë është rruga e gjarpërinjve. Kush kthehet në gjarpër, e zvarritet nëpër të, gjen fitim.
Musineja përsërit me vete: “Rruga e gjarpërinjve”.
Ajo kishte parë një gjarpër që desh t’i afrohej. Ishte aty pranë, te shtëpia e kushëririt të parë.
– Përse dridhe, e vogël e nënos?
– Unë e kam parë gjarprin.
– E di. A nuk e vrau nënua?
– Kam frikë nga rruga e gjarprit, nëno. Nuk do të shkoj kurrë nga ajo rrugë.
– Si bëhet njeriu zemërgur, nëno? – e pyet Hamiti.
– Njeriun zemërgur nuk e tret dheu. Mbi trupin e tij rëndojnë gurët, e dheu i bëhet plumb. Është i mallkuar në jetë të jetëve dhe shpirti i digjet në xhehenem”.
– Përse e mban robinë të Bukurën e Dheut, përbindëshi, nëno?
– Se djali i vogël, e shkeli fjalën e dhënë. Fjalën e dhënë nuk duhet ta shkelë kurrë njeriu. Fjala e dhënë e ngre edhe të vdekurin nga varri…
– Të lumtë moj plakë! – i thotë babamadhi. – Nuk të dija kaq të zonjën!
– Pse, si më dije ti? – thotë nënua e merr frymë thellë, – Hajde nuse e Reshatit, bjer gështenjat e ziera!
Nusja hyn brenda me gështenjat e ziera. Nënua i ndan pjesë- pjesë.
– Ngadalë, ngadalë, – i porosit nënua, – Se janë të ngrohta dhe u djegin gojën. Ti Hamit, qëroi mirë, mos i le më të shumtat në ceflë! Dhe ti Musine, qase kokën më këtej, që të bien thërrimet në kartë, – thotë nënua e shtie xhezven në zjarr. Ngre perden e kamares, merr pisusin e ndërton kafenë. Ia jep babamadhit, pastaj merr për vete e për djemtë.
Zjarri bie. Fëmijët i puthin pleqtë e shkojnë të flenë.
Nuset lenë punën e dorës, heqin ceflat e gështenjave nga gjirma e i shpien në qilar. Është kohë e gjumit për të gjithë, edhe për burrat. Nga kreu i shkallëve dëgjohet zëri i nënos plakë:
– Nusera, mbuloni mirë zjarrin, shuani mirë dritat! Dëgjoni? Kini mendjen!
Heshtje. Pas pak dëgjohet edhe lëvizja e lehtë e këmbëve të dy nuseve nëpër dërrasat e korridoreve, që shpejtojnë për në odat e tyre të gjumit.
II
– Po ti, Musine, s’do vesh te dajkua? – e pyeti nënua.
– Jo, nëno, do të rri në shtëpi. Le të vejë Hamiti këtë herë.
Dhe nënua me Musinenë mbetën vetëm. Me të ngrënë bukë, shkuan në odën e zjarrit. Musinea u ul në vendin e babamadhit As një zë s’dëgjohej në gjithë atë shtëpi. E vogla vështronte odën me çudi e disi me frikë. U ngrit nga vendi. Vajti
në fund të minderit e hapi dollapin. Nxori kukullat.
– Ç’po bën ashtu? – e pyeti plaka.
– Do loz me kukulla.
– Jo, me kukulla natën, s’është mirë. Bëhen xhinde e dalin nëpër shtëpi.
Musinea s’priti fjalë të dytë. Metë shpejtë e futi kukullën atje ku e mori dhe vajti u ul në prehër të nënos e filloi të pendohej që s’vajti te ajkua me të vëllanë.
– Me kë të loz unë? – e pyeti.
– Me nënon, moj e marrë. Mos u mërzit ti! Sa t’i vë një dru zjarrit e do bëjmë çallma.
– Ah, do bëjmë çallma? – thirri Musinea. Sa i pëlqente ato çallmat apo kokoshkat, veçanërisht kur shihte nënon, se si e hidhte misrin në shoshë, si e tundte nëpër flakët e zjarrit të madh, andej – këndej, me të shpejtë.
– Hajde e vogël e nënos, ha çallmat dhe pastaj këtë gjisëm portokalle!
Musinea me gojën plot e pyet nënon:
– Nënë, të hedh një farë portokalli në zjarr, që të shoh çdo të bëjë nuse e dajkos?
Dhe e hodhi. Pas një çikë, ia bëri puf!
– Vajzë do bëjë, – tha nënua e tundi kokën, – Do t’i bëhen pesë të ziut burrë.
– Moj nëno, dua të të pyes një gjë, si i di gjithë këto përralla e këto historira?
– Unë, kur isha e vogël, isha shumë e urtë. Gjithë ditën, s’bëja shamatë. Nuk zihesha me njeri e nuk i bija njeriu, me gurë. Në shtëpi mbaja vesh nënën se ç’më thoshte. Kur haja bukë, nuk thosha kurrë: “Dua atë e s’dua këtë”. Dhe natën kur flija, më vinte në gjumë një zog i bukur sa s’thuhet. I kishte pendët jeshile, me kokë të verdhë dhe krahët gjithfarë ngjyrash. Unë flija dhe ai më dëftonte përralla dhe: është një ç’është një.
– Po unë, sikur të bëhem e urtë, a do të më vijë ai zogu natën?
– Po shpirt. A lozim “prum zjarr”?
– Lozim.
– Ahere fillo! Bashko majat e gishtave të të dyja duarve, ja kështu!
– Ja, nëno.
– Mos e ke qenin lëshuar, se më ha?
– Jo nëne, e kam lidhur, – i tha Musinea dhe i hodhi duart në qafë nga gëzimi, e mbështeti kokën në gjoksin e saj të butë e duke vështruar zjarrin, i tha:
– Më thuaj, është një ç’është një.
Nënua plakë e shtrëngoi fort në gji, i fryu pak flokët, vuri kokën mbi kokën e saj dhe duke e kunanisur, i tha:
– Është një e ç’është një, ikën e ikën e prapa s’vështron.
– Plumbi, – u përgjigj ajo.
– Është një e ç’është një, bie shi të mbulon e nga çdo e keqe të shpëton.
– Shtëpia, moj nëno.
– Edhe këtë ma gjete.
– E po, kjo lopë e mulla Kasosë, del në breg të Hasos. Muu, ia bën një herë, zgjon gjithë asqerë. Ç’është?
U mendua Musinea. Vuri një gisht në gojë dhe me kokën në gji të nënos, i binte bam, bam murit me dorën e djathtë.
– Këtë s’e gjej dot, moj nëno, – i tha më në fund.
– Është daullja që bie për Ramazan dhe njerëzia prish agjërimin. Po ti, do agjërosh këtë Ramazan?
– Uh, – i tha Musinea, – Të mos ha bukë në drekë! Jo, s’duroj dot.
Nënua qeshi. Drutë u bënë prush.
Musinea në pëqi të nënos, i mbërthente e i zbërthente jelekun. Nënua i gëzonte duart, ia lëmonte ngadalë-ngadalë, gjer te pëllëmbët nëpër gishtëra.
– Ç’është kjo? – e pyeti.
– Bazdravicë, – i tha Musinea. – Ka një javë që më është bërë.
– Po si s’ta kam parë? Nuk të kam thënë unë, që mos numëro kurrë yjet në qiell?
– Oh, nëna, po mua më pëlqen t’i numëroj. Më pëlqen shumë, nëna, ja, nga kjo odaja e madhe pas shiut, janë aq afër, nëna, më duket sikur vinë brenda në shtëpi.
– Dëgjo këtë që do të thotë nënua tani! Kur të vijë vera, do të martohet Zulua. Ti e di Zulon e teto Nurijes. Atë ditë që do të dalë nuse nga shtëpia, rri te dritarja e odës së madhe. Kur të marrë nusja rrugën me krushka, ti këndo kështu:
“Nuse me kalë të bardhë,
Merr bazdravicat palë.
Nuse me kalë të zi
Merr bazdravicat e mi.”
Dhe kështu, të ikin të gjitha.
Musinea tundi kokën e pëshpëriti: “Mirë nëna”.
Kur “kraf”, ia bëri një vetëtimë e madhe e mbushi odën me dritë dhe “buuu” u dëgjuan bubullimat, por edhe shiu i rrëmbyer trokiti mbi çati.
Musinea futi kokën në gji të nënos, që po e nanuriste:
“Bjer o shi bjerë,
Se s’ta kam qederë
Drutë i kam në derë
Shi e borë le të bjerë
Fu-fu-fu-ja mos të zerë
Se na gjen vërë më vërë”.
– E ç’është fufu-ja, nëno?
– Era, bijo, era e marrë. Kur bie shi e borë, s’ka gjë, se njeriu rri pranë zjarrit e ngrohet, por kur fryn era, ajo është e ç’është. Hyn nga të gjitha anët e përmes vrimave, të futet kudo.
– Po babamadhi, si do të vijë? Po babai dhe xhaxhai, që do t’i lagë shiu?
– Kur të kthehen ata, do të pushojë, – tha nënua e heshti.
S’folën më. As e vogla s’foli. Zunë t’i mbyllen sytë. Merrte frymë
ngadalë-ngadalë dhe e zuri gjumi.
Nënua e vuri mbi minder dhe e mbuloi me një pallto. Pastaj mblodhi prushet, i hodhi në mangall. I mbuloi mirë e mirë me hi. Lau gjirm e buhari, i erdhi rrotull shtëpisë. Mori vajzën në duar dhe e shpuri sipër. E vuri në vendin e saj. U zhvesh për vete, shkundi rrobat dhe i vuri prapa derës. Hoqi shaminë nga koka, lëshoi flokët dhe uli llambën. Kur ra për të fjetur pranë mbesës, ndjeu dorën e vogël t’i ngatërrohej nëpër flokë dhe dëgjoi zërin e përgjumur të vajzës:
“Cilën rrugë të marr, nëno? Është errësirë e kam frikë. Kam shumë frikë, nëno!”
III
Musinea shkruante me nxitim dhe shkrimin e kish të hapur. Ndjeu dorën e hollë e delikate të mësuese Uranisë, që e preku lehtë e i pëshpëriti në vesh: “Mos u nxito!” Vajza u turpërua dhe u përpoq, të mos nxitohej kur shkruante. Ishte në një bankë me Selfixhenë. Kishin dy vjet në të njëjtën bankë të shkollës femërore “Koto Hoxhi”, me drejtoreshë e mësuese, Urani Rumbon.
Musinea e Selfixhea i thithnin si ajri fjalët e mësueses së tyre. Në hyrje të klasës ato kishin qëndisur fjalët e Koto Hoxhit e Naim Frashërit:
“Kur shkela pragun e kësaj shkolle më mbërtheu një dashuri akoma më e madhe, për mësuesin që botoi alfabetin në Stamboll dhe na la amanet këto fjalë”.
– Fjala e gjuhës sonë ka hije, porsi hëna në mes yje, – u tha një ditë mësuese Urania. – Dhe ne duhet të mos e ngatërrojmë kurrë fjalën tonë të bukur, me fjalë të huaja. Si thua, Musine?
– Lepe? – tha Musinea.
– Oh, jo, jo, “lepe”, – e qortoi ajo me të butë, – Jo “lepe”! Të mos e dëgjoj kurrë me këtë fjalë! “Urdhëro”, e kemi në gjuhën tënë. “Urdhëro”. Dëgjojeni, sa bukur tingëllon!
– Më fal, mësuese, – i tha Musinea gati e përlotur.
– Pse nuk erdhe në kursin e qëndisjes? – pyeti mësuesja një nxënëse.
– Isha e sëmurë.
– Unë kam shumë, shumë dëshirë, të mësoj të qëndis, – tha Musinea. – Edhe nënua thotë, se pa gjilpërën, s’bën dot asnjë punë të mirë, se kemi për të kaluar gjithë jetën me gjilpërë në dorë.
– Shkruani të gjithë në fletore këtë vjershë dhe e keni detyrë ta mësoni përmendësh! – tha Urania:
“Dy more, dy pëllumbëza të mjera
Fluturojnë nëpër ferra
Njëra kish rroba jeshile
Tjetra i kish trëndafile
Njëra qante robërinë,
Tjetra këndonte lirinë”.
– Dhe më mbani vesh! Duhet të mësojmë! Të mësojmë! Të kemi zell dhe të kuptojmë e të gjithëve t’jua tregojmë, se shoqëria që i ka gratë mbrapa nga dituria, mbetet në vend si zogu me një krah. Gëzimi im më i madh, i mësueses suaj është, që këtu krah me krah, janë vajzat myslimane të Manalatit, me të krishterat e Varoshit, si motra të pandara nga njëra- tjetra.

INTERMEXO:
Rrëfim: Selfixhe Ciu (Broja)
“Musinea e vogël ka qenë një fëmijë i ndrojtur, me sy përherë mendimtarë. Një fëmijë që dukej si një e rritur. Ka qenë një fat, që ishim nxënëset e Urani Rumbos. Ajo vetë i bënte tekstet e poezive dhe ato të shfaqjeve teatrore. Kur ishim në klasën e IV-t, na ndanë në klasa të ndryshme me Musinenë. Musinea u mërzit e qau e qau pa pushim, aq sa mësuesja erdhi në oborr, ku ishim të dyja dhe i tha Musinesë se do përpiqej të na bashkonte, po edhe në qoftë se nuk do të ish e mundur, ne do të ishim gjithnjë bashkë. Dhe vërtet, nuk u ndamë të gjithë kohën që qemë në shkollën “Koto Haxhi”. Shpesh e hanim edhe drekën në shkollë, sepse
e kishim mësimin dy herë në ditë, e Musinea, meqenëse e kishte shtëpinë larg, nuk arrinte të kthehej. Ne banonim afër shkollës dhe në kohën e pushimit, loznim në oborrin e shtëpisë sonë.
“Shkollë, nuk do të thotë godina e as 36 shkronjat e abetares, që janë mjetet e kurrë qëllimi. Shkollë do të thotë edukim i shpirtit dhe arsimim i mendjes”, ngulmonte mësuese Urania”.
IV

E ja, erdhi pranvera. Vajzat e shkollës shkuan në Teqenë e Baba Manes, te sheshet e bukura të Kardhoces dhe te Ura e Lumit. Musinea u vesh me rroba të bardha dhe vajzat e mbuluan me kurora lulesh. Bënë një rreth dhe hodhën valle. E zërat e bukur e të hollë vajzërorë e mbushën ajrin si me cicërima zogjsh:
“Nusja jonë arbërore
Arbërore
E bardhë si qumështore
Arbërore”.
– Shiheni vajza, Gjirokastrën tonë, – e ndali vrullin mësuesja.
– Për mua është djepi i ëndrrave, i këngëve, i vajeve, i legjendave dhe dhimbjeve tona. Kjo është Dita e Verës. Ku i kini veroret tuaja?
Sa e bukur është dita e verës. Po, ato i kishin veroret, edhe në qafë, edhe në duar, edhe në flokë.
Musinea e ndjente veten të lehtë, të lehtë, sikur fluturonte me fustanin e bardhë. Fustanin ia kishte prerë e qepur mëma e saj, Hanushea. Dhe ajo e shihte Gjirokastrën. Ky ishte qyteti i saj. Adanaja, ku pat lerë, i kishte humbur pothuajse fare nga kujtesa. Dhe ishte tani ky qytet, me shtëpitë, rrugët, kalanë e Ali Tepelenës, qiellin si kube, nënon e saj dhe atë mësuese me fytyrë të mprehtë me zë aq të ngrohtë, atë mësuese me duart e holla, delikate, me atë zbehtësi dhe sy aq të butë, sy fëminorë, të pastër, ëndërrimtarë, që po kërcen e këndon së bashku me to
dhe që përsërisin vallen e këngën rreth saj:
“Nusja jonë arbërore
Arbërore
E bukur si lulebore
Arbërore “.
Ajo këngë nusërie ishte ëndrra e zgjuar, a gonxhja, që do të çelte lule në çdo zemër. Ajo, ndoshta, ishte fatthëna, e një lajtmotiv i jetës së Uranisë dhe vetë Musinesë, për t’ua mbushur botën me dashuri e dhembje njerëzore, për një ksoll, për një dasmë, për një lule, për një zog, për një vajzë, që tretej prapa xhamit, nën dritën e një llambe vajgur.
Kur mbaroi vallja e vajzave të klasave të ulëta, filluan mandolinat e vajzave të rritura:
“O trima luftëtarë, o bijt e Skënderbeut,
Kërkoni ju shqiptarë, lirinë e mëmëdheut …”
Njëra e veshur si nëna Shqipëri, me fustan kuq e zi, këndonte vargjet e Urani Rumbos:
“O bijtë e mi e bijatë
I shtini sytë te të mijat
Përse më latë të shkretë sot
E mjera vdes e s’duroj dot”.
Dhe kori i vajzave:
“O mëmëzë ne bëmë faj
Po falna-je, se paskëtaj
Të gjithë ne që sheh me sy
Do të përpiqemi për ty”.
Vajzat u ulën të çlodhen. Zbritën në Varosh e mësuesja i ftoi në shtëpinë e saj, tek nënë Kaliopi. Vajzat u ngjitën në katin e dytë dhe qëndruan pranë tavolinës së vogël, me llambën e vajgurit, e mbushur me libra e fletore, në dhomën me mindere e perde të bardha, si karta. Hanin nga tabakatë biskotat e frutat, që mësuesja i kishte përgatitur për ta. Oborri i nënë Kaliopit, dritaret dhe shkallët e gurta ishin rrethuar me dafina e lule.
– U lodh, u lodh kjo Urani për ju bija, çap e jak, në shtëpi e në shkollë, e shtëpi më shtëpi që nga Hazmurati në Palorto, rri me orë e shkruan e shkruan. “Ç’janë gjithë këto gjëra, që shkruan?” – e pyes.
“Gjëra të mira, të mira,” – më përgjigjet gjithnjë.
“Po si mund të mos bëjë gjëra të mira kjo e bekuar vajzë, që edhe kur e zënë ethet, nuk ndalet në shtëpi, po vrap e në shkollën tuaj?
Të gjithë e dinin tashmë në Gjirokastër se Urani Rumboja po “luftonte me qiejt”, për të shtuar edhe një vit shkollor në shkollën femërore “Koto Hoxhi”, duke kërkuar ndihmën e të gjithëve, prindërve dhe autoriteteve.
“Të zgjasë koha e ndriçimit të mendjes së miturakëve. Të forcojmë të gjitha zakonet e mira, që na i lartësojnë virtytet, të thithim si bleta, nga ato të botës, po të hedhim poshtë zakonin ogurzi, që i mbyll vajzat që fëmijë, sapo dalin nga fillorja në “Bastijet gjirokastrite” dhe i zhburgos vetëm në kohën e martesës”.

INTERMEXO:
Rrëfimi Selfixhe Ciu (Broja):
“Muntazi dhe Vesimi, ithtarë të Fan S.Nolit, pas dështimit të revolucionit, u burgosën. Më kujtohet dëshpërimi i Musinesë. E heshtur, e tretur në atë hidhërim. I qëndroja pranë. Për t’ia lehtësuar dhimbjen, i tregova se atë ditë familja ime, kishte çuar në burg një byrek të madh për ta. Musinea më hodhi dorën në qafë dhe u përlot”.
V
Erdhi edhe një dimër. Dimri i fundit, që Musinea e kalonte me Hamitin, vëllain me të cilin ndante fëmininë, megjithëse ai ishte disa vjet më i madh. Ai ishte dimri që vinte pas një tronditjeje të madhe. Dy vëllezërit e mëdhenj, edhe pas lirimit nga burgu, paguanin për iluzionet e tyre të lirisë e demokracisë. Bënte
shumë ftohtë. Të mëdhenjtë kishin vendosur ta dërgojnë Hamitin në Liceun Frëng të Korçës. Nënua plakë, si çdo dimër, si një magjistare e lashtë, ushqente të vegjlit me gështenja, çallma, “është një e ç’është një” dhe përralla.
Nuset punonin në qilarët mbushur me kade e u dridhej buza. Sa të mbaronin punë, ngjiteshin lart e të uleshin pranë zjarrit, qoftë edhe në bisht të oxhakut. Klluk, oda e dimrit. Zjarr i madh dhe flaka flakë. Nga njeri buxhak nënua plakë dhe nga ana tjetër, babamadhi.
– Nuk të duket që është dobësuar djali? – pyet babamadhi.
– Hamiti? Oh, mos u bëj merak për të. Ashtu është, i hollë si purteka, po plak me mjekër të bardhë do të bëhet e në buxhak do të rrijë si ti, me djem e mbesa plot.
– Jo, e kam fjalën për djalin tim, o plakë. Ky Reshati punon pa e kursyer veten dhe kolla e Adanasë nuk po i ndahet e meraket e djemve të mëdhenj, po e tresin.
– Desh Zoti e shpëtuam me aq. Se ka keq e më keq. Se edhe mund të na ishin vrarë Muntazi e Vesimi, po tani kemi filluar të mendojmë për dasmë e jo për ksoll. Të erdhi koha të martosh edhe nipat, o plak.
– Nëno, po bie borë, – thirri Musinea dhe fërkoi duart nga gëzimi e vrapoi tek dritarja.
Bora binte flokë-flokë, qetësisht. U veshën çatitë, oborret dhe degët e thata. Kur ja, papritur filloi era e i ngriti përpjetë flokët e bardhë. Pemët u shkundën e rrëzuan edhe gjethet e fundit që kishin mbetur. Dhe larg, larg sa mezi dukej, një zog. Vetëm një. Fluturonte e s’dinte nga të shkonte. Musinea rrinte aty, e ngurosur.
Vështronte e herë pas here, fshinte me dorë avullin e xhamave që bëhej nga fryma dhe trishtimi për atë zog të shkretë, aq të vetmuar në atë erë dëbore. Musinea priste të ulej era. E vërtet, era u ul ashtu si kishte ardhur, krejt pa pritur. E dheu sa vinte e bëhej më i bardhë.
– Ç’bën aty Musine?
– Shoh borën që bie, nëno.
Të gjitha degët e pemëve u mbuluan përsëri, s’janë më të zeza, si më parë. Rrasat e çatisë nuk duken fare. Dhe vetëm ai zog, ai zog fluturon e dridhet i tëri. I ziu zog, s’di ku të vejë. Ja, tani humbi fare. Kushedi ku e ka folenë. Sikur të vinte aty brenda, Musineja do ta ngrohte, do ta ngrohte, do ta vinte aty pranë zjarrit…
I shkreti i vogël, që kishte mbetur pas nga shokët. Bora s’kishte ndërmend të pushonte e Musinea erdhi e ul pranë Hamitit e kushëririt të vogël, që tundej në djep, “trokër, turkër, trokër, trukër” dhe zëri monoton i nënos plakë:
“O ri, ri e o ri, ri ,
Djalin o s’ma ka njeri
Djali i djalit, si flori”.
U hap dera dhe nënua e Musinesë, Hanueshea hyri me dru në duar. Eci pak dhe u ul në gjunjë tek minderi i mesit. Një e nga një, i vuri në buhar të thaheshin dhe njërin e vuri në zjarr.
– Ngrehuni, – u tha fëmijëve, – Ejani të lani duart e këmbët dhe të hani bukë!
Fëmijët vajtën edhe një herë te dritarja. Bora kishte rënë gjithë pasditen e kish shtruar një pëllëmbë. Binte edhe kur fëmijët vanë përposh. Binte edhe kur nënua fliste me babamadhin, kokë më kokë, e vështronin flakën e zjarrit. Natë dhe errësirë e madhe kudo. Gjëkundi zë s’dëgjohet. Gjëkundi dritë s’duket, njeri udhës nuk kishte. Dhe jashtë, bora kishte shtruar mirë. Të gjithë ishin nëpër shtëpitë e tyre. Dheu, çatitë dhe pemët qenë ngarkuar. Frynte një erë e lehtë dhe bënte i ftohtë i madh dhe brenda nëpër oda, drurët hidheshin njëri pas tjetrit në oxhaqe. Ishte aq mirë në odën e zjarrit, të shtruar mirë e ngrohtë, me kanatet e dritareve puthitur mirë. S’dukej se ç’qe jashtë. Vetëm flokët ndriçonin e të gjithë rrinin rreth zjarrit. E dinin që ky ishte dimri i fundit i vëllait dhe motrës së vogël që ia hëngri miu dhëmbët. Tani i kishin dalë ato dhëmbë të bukur, të bardhë, të bardhë. Musinea e preu lodrën në mes, sapo i ati e vështroi me qortim. Uli kokën e s’foli fare. Të mëdhenjtë flisnin dhe të vegjlit heshtnin. Pastaj, u hoqën në fund të odasë. Kushërinjtë i luteshin Musinesë t’u rrëfente një përrallë. E vunë në mes dhe ajo rrëfeu përsëri përrallën e së “Bukurës së dheut”.
– Po kjo është e vogël, moj Musine, – i tha Hamiti. – Na thuaj edhe një tjetër, po jo kaq të shkurtër!
– Unë s’di tjetër, – u tha Musinea. – Tani lërmëni të rri ulur pranë zjarrit, se m’u thanë duart!
Hyri në mes të nënos plakë e babamadhit, mu mbi prag të gjirmës.
– Mos u ul aty, Musine, – i tha nënua, – Se s’është mirë.
– Po pse nuk është mirë?
– Se bota flasin keq për ty, merr vesh?
Musinea e vështroi nënon, po të themi të drejtën, s’mori vesh gjë. Erdhi nusja e Reshatit, mëma e Musinesë, Hanusheja me gështenjat e ziera. Hamiti trazoi zjarrin me thikë.
– Djalë, mos e trazo zjarrin me thikë! – i tha nënua.
– Po pse? – pyeti Musineja? – Pse?
– Sepse, moj bijë e nënos, babai tënd vë borxhe dhe kush i lan pastaj? Ku t’i gjejë paratë, që të të martojë, kur të rritesh?
Musineja uli kokën. U turpërua dhe tha me zë të dredhur:
– Unë s’martohem … nuk dua burrë.
– Po si s’martohesh? Po Ganinë, atë qorrin, e harrove? Atë do të japim burrë. Të të rrahë natë e ditë, – u tall nënua.
– Do të të martojmë e do të të dëbojmë nga shtëpia e kur të nisesh nuse, do të nusërosh e do t’ju puthësh dorën krushkave. E do të qash me shami: “Oi, oi”, kur të dalësh nga shtëpia, i tha i vëllai, duke qeshur.
– Eë, ëë, – ia bëri Musinea e zuri të qarët me dënesë e i mbeti gështenja në grykë, kur ndjeu dorën e ngrohtë të Hanushesë mbi supe.
– Na, moj e marrë, – i tha nënua, – Po ne bëmë shaka. Pa s’të martojmë fare, apo jo Hanushe? Po ku të lë mëma ty, që mezi të ka një vajzë të vetme. Do të të mbajë këtu në gji, edhe të duash ti, s’do të të martojmë – i pëshpëriti në vesh Hanushea.
Musinea pushoi të qarët, por dëneste herë pas here, me kokën në gjirin e s’ëmës. Kur u ngjitën për të fjetur, Hamiti filloi të tallet me të: “Kanakare, kanakare/nxirre gjuhën, të të jap një pare”.
Musineja rrëmbeu jastëkun e ia hodhi. Pastaj, u bë një betejë e vërtetë atje lart me të tërhequra flokësh e duke fshehur dorën.
Në mëngjes, Hanusheja hodhi një pallto në kokë, veshi një palë këpucë burrash e duke ecur “pllaq, plluq” nëpër plloçat e oborrit, hapi portën për të hequr borën që kishte zënë derën. Fëmijët u ngritën gjithë gaz e s’përmbaheshin dot. “Borë! Borë! Borë!”
Mëngjes i bardhë, i bardhë.
– Prisni, – u tha mëma – Prisni se është shpejt për në shkollë! Ku veni që tani?
– Të lozim, të lozim, të lozim! – thirrën fëmijët.
– Ç’është kjo zallamahi! – tha nënua – Kini mendjen, mos rrokulliseni e gjendeni, te Grika e Pazarit!
– Jo, nëno, jo. Do të luajmë sa të vijë ora e shkollës. Do të luajmë fare pak, fare pak.
Dhe me të vërtetë, ajo ditë kaloi rrëmujshëm. Edhe në shkollë ata shihnin gjithnjë nga dritarja. Orët u dukeshin të gjata, pa fund dhe mësuese Urania, që e donin aq shumë, u dukej se po i zgjaste orët, po i zgjaste orët më shumë atë ditë. Po si nuk e kuptojnë edhe mësueset, që kur bie bora e parë, fëmijët janë të paduruar e nuk e kanë mendjen të dëgjojnë mësuesit e as porosirat e mëmës apo të të mëdhenjve? Po si nuk e kuptojnë, sepse dihet që të gjithë, të gjithë kanë qenë njëherë fëmijë të paduruar e lojcakë?
– Do t’ju përcjell në shtëpi pas mësimit – i tha Urania Musinesë.
Ai ishte një dimër tronditës për Gjirokastrën. Një vajzë katërmbëdhjetë vjeç ishte endur, si e marrosur nga Ura e Lunxhërisë. Gjirokastra kishte gumëzhirë: “Një vajzë nga Hazmurati u gjend e mbytur në lumë”.
Urania e dinte çdo të ndodhte tani. Kishte aq kohë që punonte për ta bërë shkollën femërore më të plotë, që vajzat të dilnin edhe një vit më të rritura e më të vetëdijshme prej saj, po ajo vajzë e mbytur, ishte klithma e një egërsie të largët. Urania nuk lodhej, nuk lodhej aspak së shpjeguari derë më derë, që nga Varoshi në Palorto, Dunavat e Manalat. Megjithëse ishte ftohtë e binte borë, mësueset e shkollës “Koto Haxhi”, me zemër në dorë, erdhën edhe në shtëpinë e Kokalarëve.
– Hyni, hyni, – u tha Hanusheja.
– Jo, sot s’kemi ardhur për kafe, por për atë vajzë të re që u mbyt në lumë nga thethaçet, – i tha Urania.
– Ah, – tha nënua plakë – Çupa ime, femra është si xham kristali, po u thye thërrmohet e nuk e mbledh dot njeriu.
– Vajzat tona janë shumë të mira, të ndershme, siç e do zakoni shqiptar, – tha Urania. – Ty, nëno, të dëgjojnë të gjithë, të respektojnë të gjithë. Thuaju të mbyllen gojët e liga! Të mbyllen, se do na pengojnë në këto punë të mira që kemi nisur. Tani ne kemi sjellë aq gra në shoqërinë tonë “Përmirësimi”, në kursin për ekonomi shtëpiake, higjienë, qëndisje dhe edukatë morale. Duam që gratë e vajzat e virtytshme të qytetit tonë, arsimdashëse dhe mike të përparimit, të zhvillojnë edhe një kurs për të mësuar shkrim e këndim. Si thoni ju Hanushe hanëme?
Hanushja vetëm buzëqeshi e tundi kokën me shenjë nga e vjehrra.
– Nëno, na ndihmo, të lutem! – i tha Urania.
– Sa të rrojmë, le të mësojmë, – tha nënua. – Pijeni kafenë, se u ftoh! Zoti na ndihmoftë të gjithëve!
* * *
– Se mos hani gjë borë, se kjo është borë e maces! Kur bie për herë të dytë, është e qenit. Vetëm bora e tretë është e njeriut, – porosiste Hanushea fëmijët, kur u kthyen nga shkolla dhe i fluturuan çantat nëpër shtëpi. – Shpejt, secili të rregullojë çantat dhe librat!
Fëmijët u bindën, po nuk po i zinte vendi. Ikën me vrap në oborr dhe filluan lojën. Edhe pak. Edhe pak. I binin njëri – tjetrit. Qeshnin e qeshnin. Pastaj, si çdo vit, në çdo oborr, bënin njeriun prej bore vrap e vrap, njeri trupin, tjetri duart, pastaj sytë me dy copa thëngjilli. Bo, bo, zuri të shkrijë bora. E pikë pikë, kullonin rrëketë nga çatitë me rrasa të hirta. Një erë e lehtë shkundte borën nga pemët. Qielli u mbush me re dhe filloi shiu. Fëmijët hynë brenda. “Brombër, brumbër” nëpër divane. Hidhu Hamiti, hidhu Musinea e bisht nga prapa kushëriri i vogël, i
veshur me një pallto të gjatë deri në fund të këmbëve.
– U, u, u ç’bëni kështu, – u tha Hanusheja, – Ç’bëni kështu, se na rokanisët kokën? Hyni në odë!
I zuri nga duart.
– U, pu pu, akull. Shkoni, uluni pranë zjarrit! U janë bërë gishtat flakë të kuqe.
– Jo, mëmë, s’kemi ftohtë. Duam të lozim, – i thanë ata.
– E tepruat, kështu s’u dua! Pa uluni në minder se do u bie gjëra të mira për zemër. Do u bëj edhe kokoshka, – u tha nënua plakë.
– Oh, oh, sa e mirë je nëno – i tha Hamiti.
Musinea e zuri nënon nga çitjanet dhe s’e lëshonte.
– Lërmë, se do më hedhësh në dhe. Lërmëni! Po të ngjitemi në odën e zjarrit, do t’u them një përrallë.
– Mos na gënje, nëno – i tha Hamiti. – Ti ke thënë se përrallat nuk thuhen ditën se ngucen paratë. Po, po, unë e mbaj mend fare mirë këtë.
– E kam thënë vërtet, po për një herë vetëm s’bëhet qameti.
– Mirë, – thanë fëmijët dhe shkuan në odën e zjarrit. I pari hyri Hamiti, pastaj Musineja e i kushëriri, që mbahej me dorë te muri i derës dhe mezi ngriti këmbën për të kapërcyer pragun, se s’e linte palltua. Hynë të tre brenda, pranë zjarrit.
“Ha. ha, ha”,- ia bënin, duke mbajtur pëllëmbët përballë zjarrit, që t’u ngroheshin dhe prisnin nënon. Ajo erdhi me një pjatë në dorë, tri thela bukë dhe
tri copa djathë. E vuri përdhe pjatën e me mashë trazoi zjarrin dhe u tregoi përrallën e “Shamadanit” .

Filed Under: ESSE Tagged With: (Rrëfim për një jetë), Eglantina Mandia, Musine Kokalari, SONATA E HËNËS

PUTINI KA PROBLEME NEUOROLOGJIKE

February 6, 2015 by dgreca

PUTINI KA PROBLEME NEUOROLOGJIKE

Simbas nji studimi te Pentagonit: Putini ka sindromin Aspergerit/
By Ray Locker/
US Today/
Perktheu per DIELLIN; Gjon Kadeli/
Ne ate studim thuhet se zhvillimi neuorologjik i tij asht damtue nga n gjarje, kur ai ka qene femi.
Ne ate studim qe asht ba nga nji grup shkencetaresh te Pentagonit se Vladimir Putini ka sindromen e Aspergerit “Nji shrregullim te procesit mendor” i cili preke cdo vendim qe ai merr.
Ekspertja Brenda Connors, e Kolegjit te Focave Detare te Shteteve te Bashkueme ne Njuport te Rode te Rode Alandit, u nderpre ne menyre te dukeshme, gjate feminise se tij.
Analistet ushtarake, per here te pare vune re ne vjetin 2000, disa sheje jo normale ne fizionomine e tij
Ne studimin e naltprewmendun, citohet profesori i psikjatris i Universitetit te Karolines se Veriut Stefan Porges se ka thane, se shejet tregojne se Putini ka n jifar lloj atizmi.
Veprimtarite e Putinit jane ndekun me kujdes shume te vecante, qysh ne muejte e pare te 2014-tes, kur Rusija pushtoi Krimen.
Putini nuk e ndjene vehten te qete, gjate mbledjeve me grupe njerzish, kurse, kur asht vetem per vetem me nji njeri ndihet i qete.
E Vtmja menyre per te vertetue problemin qe ka Putini, asht qe atij t’i bahet nji radiografi e kokes se tij.

Filed Under: Komente Tagged With: Gjon kadeli, PUTINI KA PROBLEME NEUOROLOGJIKE

DOSIER/ Flet ish i persekutuari politik, Xhevit Hasan Ormënaj

February 6, 2015 by dgreca

– Ramize Gjebrea vuri gjoksin para automatikut të mos pushkatonin vëllain/
-Babai, Hasani, ka qenë luftëtar i luftës së Vlorës, theu rregullat e luftës si djalë i vetëm/
– Deri para Mukjes, në shtëpinë tonë kanë ardhur Ali Demi, Qazim Çakërri, Hysni Lepenica, Hysni Kapua/
-Hasan Ormënaj parakaloi para tribunës me kalë, me shpatullat që i rridhnin gjak/
-Babai me dy vëllezërit u larguan për Mal të Zi, mua më lanë në Shqipëri/
– Vëllai i madh la gruan 20 vjeç, djalin një vjeç e gjysmë dhe vajzën dy muajshe dhe iku/
-Babai im u vra në Laç, në nëntor 1944, eshtrat i gjeta pas 46 vjetësh/
– Si u takova me vëllain pas 48 vjetësh, shumë lot dhe gjendje kllapie në Rinas/
-Gruaja e vëllait e priti 48 vjet vëllain dhe rriti me nder dy fëmijët e tij/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Quhet Xhevit Hasan Ormënaj nga Velça e Vlorës. Fshati i tij Velça është një fshat burrëror dhe fisnik, që e përkrahu, e mbrojti hapur dhe pse ndaj familjes së tij ra grushti i hekurt i diktaturë së proletariatit. Nderim dhe respekt për këtë fshat (thotë ai) ku kam pasur nderin të jetoj, ku jam lindur dhe rritur dhe nëna më mëkoi me dashurinë për atdheun. Kam detyrime ndaj këtij fshati, njerëzve të tij, që mu ndodhën pranë në momentet më të vështira. Këtë e thotë me zemër, pasi dhe pse me dy vëllezër të “arratisur”, dhe pse me babanë e vrarë nga partizanët, velçjotët e trajtuan si të barabartë në atë luftë të tmerrshme klasash.

Mund të na flisni dy fjalë për babanë tuaj?
Babai im ka qenë patriot, si shumë nga bashkëfshatarët e mi. Ai ka pasur një aktivitet shumë të pasur patriotik. Ka marrë pjesë në shumë luftëra për të mbrojtur atdheun, por pika kulmore e tij si patriot ka qenë lufta e vitit 1920. Në këtë luftë, drejtuesit e luftës morën një vendim që djemtë e vetëm të përjashtohen nga kjo luftë, me qëllim që të mos shuhej fisi. Babai im ishte djalë i vetëm por e theu këtë ligj apo urdhër. Babai im quhej Hasan. Ai mori vendim se do të marrë pjesë në luftën ndaj italianëve. Madje, babai u zgjodh komandant i çetës së Velçës. Çeta e Velçës ishte një ndër çetat kryesore, që kishte mbi 120 luftëtarë. Në betejën më të madhe, në Qafë të Koçiut, ku u përplasën fyt më fyt, ku çeta e Velçës kishte detyrën kryesore. Në këtë luftë u plagosën 27 burra trima dhe u vranë 19 kryetrima. Ishte një luftë që bëri bujë. Midis të plagosurve ishte dhe babai im, i cili mori dy plagë në secilën shpatull. Por megjithatë ai nuk e la luftën. Kur italianët u larguan nga Vlora, çetës së Velçës i takoi nderi dhe privilegji, që të parakalonte para tribunës së nderit, për fitoren. Në krye të çetës, në parakalim, ishte babai im mbi kalë, i cili dhe pse plagët i kishte lidhur ato i pikonin gjak. Pas këtij eventi babai u titullua oficer i kësaj lufte, me gradë dhe rrogë. Pra ai u caktua si oficer në kufijtë e Shqipërisë. Në fillim u caktua në veri. Pikërisht në vitin 1922 ai u plagos sërishmi në kufirin verior nga bandat serbo-malazeze. Pas kësaj kishte bindje politike fanoliste dhe ishte mik me Avni Rustemin. Kur Ahmet Zogu bëri reforma dhe u vetëshpall mbret, babai nuk ishte për këtë lloj qeverisje, por për qeverisje demokratike. Për këtë fakt babai u largua nga ushtria dhe u kthye në fshat, në Velç. Më 7 prill 1939, babai ishte ndër të parët që e priti pushtuesin me luftë. Me organizmin e Partisë së Ballit, duke qenë se e njihte personalisht dhe kishte miqësi me Mit’hat Frashërin, kaloi me këtë parti. Nga ana tjetër, ai nuk kishte fare simpati për komunizmin, pasi fara e saj ishte përhapur kudo dhe njerëzit e dallonin atë sistem. Nuk ishte sistem që nxittë zhvillimin. Ishte një sistem me sovkoze dhe kolkoze, me kolektivizim, që nuk kishte bosht orientues dhe përjashtoi pronën private. Në atë kohë, në Vlorë, për organizmin e Partisë Komuniste vepronte i dërguari i Komitetit, Dushan Mugosha. Babai im kishte një urrejtje për serbët pasi e kishin plagosur në kufi. Kështu përfundimisht babai im u rreshtua me Ballin Kombëtar. Kur ikën ushtarët italianë dhe erdhën ata gjermanë, çeta e babait tim i priti me luftë .

P.sh cila është beteja që ka bërë kjo çetë e Ballit Kombëtar kundër gjermanëve dhe a është shkruar në histori?
Lufta më e madhe e kësaj çete ka qenë lufta e Drashovicës dhe lufta e Gjormit. Kjo ishte luftë frontale, luftë ku u rrethuan forcat gjermane ku më tej ishin dhe forcat partizane. Aty thuhet që vetë lufta e tij në front të parë me mitraloz, bëri që gjermanët të zmbrapsen dhe ti shpëtojnë rrethimit forcat partizane. Dua të them se shtëpia jonë ishte një nga bazat më të mëdha të luftës antifashiste. Para Mukjes, si Partia Komuniste dhe ajo e Ballit, kishin program të përbashkët. Pas Mukjes u ndanë. Deri para Mukjes në shtëpinë tonë kanë ardhur ilegalisht ish anëtari i KQPKSH Pali Terova (që më vonë u vra), Ali Demi, Qazim Cakërri, Hysni Lepenica, Hysni Kapua, e tjerë . Më 4 nëntor 1944, Komiteti Partisë së Qarkorit të Vlorës, me në krye Hysni Kapon, bëjnë një mbledhje në fshatin Ramicë me të gjithë komandantët, komisarët e Qarkut të Vlorës. Aty ishte dhe Dushan Mugosha. Në këtë takim u mor vendimi fatal që të bëhej luftë frontale dhe të digjeshin tre fshatra që ishin me influencë në Ballin Kombëtar, Velçë, Gjorm. U caktuan disa njësite partizane për të djegur shtëpitë tona. Babai im kishte ardhur në shtëpi nga lufta. Partizanët atë natë kishin rrethuar shtëpinë tonë. Gruaja e vëllait tim të madh kishte lindur djalë dhe del jashtë për të parë derën e jashtme. Kur shikon shtëpinë të rrethuar. Shkon me vrap dhe zgjon babanë. I thotë: baba jashtë jemi të rrethuar. Unë në atë kohë isha 10 vjeç. Në fillim shtangëm. Babai u vesh dhe mori një mitraloz të lehtë anglez në dorë, se ajo ishte arma e tij kryesore dhe i drejtohet gruas (nënës time): Sulote dëgjo, mua mund të më vrasin, por më jep fjalën se nuk do qash. Djemtë tu rritën, tani ke dhe nipër. Kujdes për nipin dhe nusen. Ai doli në oborr dhe ne prisnim të dëgjoheshin të shtëna. Por për çudi, jo. Partizanët nuk bënë zë, pasi e njihnin kush ishte. Ai doli pa përplasje dhe iku në mal. Pasi iku babai, komandanti i njësitit, Mehmet Jaho, (me pseudonim Luftari, ai ishte bashkëfshatar i nënës time dhe kishin hyrje dalje) i thotë nënës se kam urdhër ta djeg shtëpinë. Shtëpia jonë ishte dy katëshe, me gur. Nëna i thotë digje, unë do rri bashkë me të gjithë brenda. Jo, i thotë Mehemti, të gjithë do dilni jashtë. Nusja e vëllait, atëherë20 vjeçe, i thotë Mehemtit me lot në sy. Të lutem të nxjerr jashtë pajën, se kam kujtimet e prindërve të mi. Komandanti nga lotët e nuses u ndje keq. Po moj motër, nxirre pajën, vendose ku do ti. Kur erdhi vëllai nga Amerika, pas 48 vjetësh, më tha mua, a rron Mehemet Jahua, se dua ta falënderoj, për pajën e nuses. Vëllai tjetër, më i madh se unë, ishte në gjumë. Ishte 18 vjeç. Kur u çua, partizanët ashtu si ishte me rroba gjumi i grisën bluzën ku kishte stemën e Ballit dhe me qytë të dyfekut i përplasën kokën nën dysheme. Ai ra pa ndjenja. E ngritën i hodhën ujë dhe e sollën në vete. E lidhën dhe e morën me vete në Ramicë, ku ishte dhe Mugosha. Aty donin ta pushkatonin. Vendosën një partizan me automatik ta qëllonte. Fati i tij ishte se para automatikut vuri gjoksin Ramize Gjebrea. I thotë mos e vrisni se është i ri, nuk ka asnjë faj. S’duhet të ngjallim vëllavrasje. Vëllai, Hysua, ishte bërë dyllë i verdhë. Ftohtë, pa rroba, i qëlluar pa mëshirë dhe tani para automatikut. Vëllai dridhej. Bardhosh Halimi nga Ramica, heq pallton dhe ja vesh. Ai ishte një nga udhëheqësit e luftës në atë kohë. Vëllain e lanë të lirë. Ishte kohë e vështirë. Shumë anëtarë të Ballit Kombëtar pushkatoheshin pa gjyq. Babai në këtë kohë na merre të tre djemve dhe shkojmë në Tiranë tek inxhinier Kujtim Beqiri, i cili na ftoi për drekë. Babai kishte vendosur që me ne të tre të largohej nga Shqipëria. Nuk e diskutonte këtë gjë. Por inxhinier Kujtimi ju lut duke i thënë, të lutem Xhevitin mos e merr, është i vogël dhe do të vdesë rrugës. Babait nuk i mbushej mendja. Por inxhinieri pas disa orësh ja mbushi mendjen. Atë darkë, babai me dy vëllezërit u nis për të ikur në Mal të Zi dhe më vonë ku të mundte. Unë ndenja në Tiranë. Të nesërmen babai ishte vrarë në afërsi të Laçit (dy klm para se të futeshe në Laç, aty ja gjetëm eshtrat shumë vonë). Inxhinieri e mori vesh, por mua nuk më tha gjë. Babanë e vranë në pritë, ndërsa dy vëllezërit çanë rrugën dhe pas disa ditësh, në fund të nëntorit 1944, ikën në Itali. Pastaj nga Italia ikën në Amerikë .

Kur janë kthyer vëllezërit nga Amerika?
Pra nga 1944 deri në vitin 1991, ne nuk kishim asnjë haber nga vëllezërit. Kur hyri demokracia, vëllai i mesit, pra ai që ishte 18 vjeç, në 17 janar të vitit 1991 vjen në Shqipëri. E kishte pikur malli. Erdhi në fshat dhe qante. Nuk çmallej. Më vonë erdhi vëllai i dytë. Ai kishte lënë djalin një vjeç e gjysmë dhe vajzën e kishte lënë në bark. Pra djali ishte bërë 44 vjeç, vajza 42 vjeç. Gruaja e tij ishte stërlodhur në kooperativë duke prashitur dhe ishte vjetruar shumë. Vëllai ishte shumë i mbajtur. Tani mendonim si do takonim vëllain me nusen e tij, tashmë plakë. Vëllai ishte tepër i mbajtur. Nusja e tij nuk u martua kurrë, madje ajo më rriti dhe mua. Ajo e vuri shaminë e zezë 20 vjeç dhe se hoqi më. As e mendoi të martohej. Por edhe vëllai im në Amerikë nuk u martua. Për ne, vëllezërit u ngjallën nga të vdekur. Pra si do takoheshin pas 48 vjetësh? I pari që e takoi vëllain e madh isha unë. E pashë që kur zbriti. Sa vuri këmbët në tokë u ul dhe puthi tokën shqiptare. Ra në gjendje të fikëti nga emocioni. Jashtë, në aerodrom, po na prisnin mbi 100 veta, të afërm. Disa policë e ngritën dhe e futën në një dhomë të veçantë. Aty futem dhe unë dhe i them, jam Xheviti. Ra mbi mua duke qarë. Kur e mblodhi veten, u nisëm për tek njerëzit. Ata e kishin nxjerrë para Sanijen, gruan e tij, që e kishte lënë 20 vjeç dhe e gjente plot 60 vjeç, të kërrusur nga hallet. Ai ndalon dhe i thotë Sanije, u ndamë në të ri dhe po takohemi tani në pleqëri, por kjo fatkeqësi nuk qe vetëm për mua dhe për ty, mos e pastë më Shqipëria. Më mbajte shtëpinë hapur, më ruajte nderin, më shtove derën. Të faleminderit dhe e përqafon. Pas kësaj ai mori fëmijët dhe gruan në Amerikë .

Ju çfarë pune bërët gjatë regjimit?
Unë murator. Punoja në çdo cep të rrethit të Vlorës ku kishte ndërtime. Bëra 7 fëmijë dhe sot kam dhe 17 nipër dhe mbesa. Sot jam baba dhe gjysh i lumtur, më i lumturi në botë. Të gjithë fëmijët i kam në Itali, edhe nipërit dhe mbesat. Këtu kam një nip që ka mbaruar për arkitekturë në Firence, ka mbaruar shkëlqyeshëm dhe tani është arkitekt në Qarkun e Vlorës.

Si i gjetët eshtrat e babait?
Eh, eshtrat e babait, Hasanit! Aty ku është vrarë ai ka vetëm pyje dhe këneta. Madje nga të ftohtit dhe moti i keq, as vëllezërit se dinin si u vra. Në vitet e demokracisë fillova të interesohem në Milot, Fushë Krujë, rrethinat e Krujës deri afër Laçit. Përfundimisht shkoj afër Laçit, ku ishte një shtëpi. Aty, në atë shtëpi kishte dy pleq që ishin nga Farka e Tiranës. Kishin qenë bujq. I sqarova si e kisha punën. Më thonë, kur mendon se është vrarë babai? U them në nëntor 1944. Më thotë burri po në këtë muaj këtu poshtë është bërë një luftë. Se mes kujt nuk e di. Lufta është bërë natën. Kur shkoj në mëngjes, gjej një burrë të vrarë. Por më parë duhet të them se babait tim i këndonin këngë me ngjallje. Kush u hodh mbi tel i pari, Hasan Hyso faqebardhi, asllan dhe soj asllani, i shkëlqen trupi si ari. Burri vazhdon: Personit i kishin hequr xhaketën, pistoletën, por gjerdanin ja kishin lënë. Gjerdanin ja mora unë. Më përshkruan të gjitha detajet (ky ishte në fshatin Zhej). Por unë e lashë aty kufomën, por do shkosh në fshatin Gjorm më tej (jo Gjormi i Vlorës) do kërkosh filanin, se ai e bënte rrugën atë kohë andej. Ky fshat ishte në rrëzë të malit të Krujës. Shkoj aty. Në të hyrë të fshatit takoj të birin e personit që doja. Ai më çon në shtëpi tek i ati. I ati ishte me kancer në grykë dhe pas disa ditësh ndërron jetë. Isha me fat që e takova. Djali i thotë: Babë ky zotëria do të flasë me ty. E sqaroj. Menjëherë ai më thotë, ka qenë partizan babai yt? I them që po të kishte qenë partizan, do të kishte varr dhe do të ishte dëshmor. Mos e quajnë Hasan babanë tuaj më tha? Unë në këtë kohë i hidhem dhe e përqafoj. E ndjeva se e dinte. Unë qaja, ai qante. Pastaj, ai filloi ti binte kokës. Babë pse i bie kokës i thonë fëmijët. I bie se nuk e kreva detyrën si shqiptar. Atë që nuk e bëra unë, do ta bëni ju tani me birin e tij. Do të shkoni në filan vend (pikërisht aty ku më tha personi i parë ). Filloi të tregojë: Mua më mobilizoi dy ditë Brigada e 23. Atë natë ishte shumë ftohtë. Këtu ku diskutojmë. Shkova aty se mos më ishte vrarë vëllai. Por në vend të vëllait, gjeta babanë tënd. Në gjoks i kishin vënë një letër me emrin e tij. Të tjerat ishin si më kish thënë personi i parë. Pra i kishin hequr xhaketën, revolen, fishekët dhe i kishin lënë me këmishë. Në letër shkruhej Hasan Hyso, Vlorë. Unë sapo e lexova ika me vrap se kisha frikë mos më vrisnin. Ky ishte tregimi. U nisëm të gjenim trupin. Djemtë e tij më ndihmuan shumë. Sipas tij, komandanti i Kompanisë partizane me mbiemrin Delia, kishte shkuar aty për në Milot dhe kishte parë babanë tim të vrarë. Ky kishte qenë mik i babait tim dhe kur lexoi emrin, qëndroi me respekt para trupit të babait pasi kishin qenë të dy fanolista. Pastaj jep urdhër, që këtë burrë ta varrosnin. Këta fëmijë më çuan tek vendi i varrit të babait dhe me traktor ne mundëm të gjenim eshtrat. U lehtësova. Kam qarë nën zë. Ishte një amanet i heshtur. Gjeta eshtrat e babait. Gjeta eshtrat e atij që më dilnin në ëndërr. Pastaj eshtrat e tij u varrosën me ceremoni në varrezat e Vlorës, të ngritur enkas për dëshmorët e vrarë nga regjimi. Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë babai im u shpall Nderi i Qarkut të Vlorës.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Z. Zholi, rrefen per babane, Xhevit Hasan Ormënaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4113
  • 4114
  • 4115
  • 4116
  • 4117
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT