Nga Marjana Bulku/New York/
Po bëhet pothuajse një vit nga bashkëpunimi me Albanian Culture TV këtu në New York cka përkon me 18 vitet e ekzistencës së këtij televizioni që mbulon cështjet shqiptare në SHBA dhe më gjërë. Pa dashur të bëj histori dua të specifikoj disa epërsi që komunikimi televiziv sendërton duke bashkuar njerëz, ide, mendime pavarësisht distancave që na ndajnë.
Kur u ula për herë të parë në atë studio mes një arkivi të dendur 17-vjecar, në kujtesë më mbeti një personazh, do ta quaj kështu qytetarin Paqësor Hasanaj , i cili u bë shtysë për ndërtimin e formatit të ciklit ”Një jetë…disa histori”. Paqësori kishte emigruar në prag të viteve 90 -të në SHBA dhe mbante me vete enigmat e një persekutimi të padrejtë në Shqipëri që këtu ishin shndërruar në një të drejtë jo vetëm për të jetuar ,shkolluar,punuar,por edhe për të qenë sipërmarrës dhe ndihmuar të tjerët sic njeriu me emrin Paqësor kishte bërë në këto vite. I heshtur dhe punëtor ai mbante mjaft brenga në shpirt ku vetëm pak arriti të artikulonte ,me një fisnikëri që përshkon jo rrallë herë njerëz që regjimet ndëshkojnë padrejtësisht. Ai dëshmoi se nuk e kish merituar persekutimin,mosshkollimin, dhe trajtimin e pabarabartë ,pa e ngritur kurrë zërin,por duke punuar, falenderuar të parët njerëz që i kishin dhënë ndihmën e parë në këtë vend të madh, duke mos u lodhur, duke ndihmuar të tjerët.
…Duke ndjekur rrugëtimin e këtij njeriu të thjeshtë dhe fisnik përmes kronikës së larmishme të të papërtueshmit Adem Belliu, bujarisë dhe vizionit të bashkëshortes së tij Moza Belliu, kreativitetit dhe gadishmërisë të Vera Belliut që më duket herë si bijë, herë si nxënëse dhe padyshim bashkëpunëtorja më e afërt për mua që mundëson shumcka aty , arritëm të formatonim ” Një jetë…disa histori”.
Nuk di të them me saktësi nëse ajo studio u dha jetë historive të shqiptarëve apo historitë e tyre i dhanë jetë asaj ( historia e Albanian Culture TV daton me 28 nëntor 1997),por një gjë mund ta them me siguri : rrugëtimet tona(shqiptaro-amerikane) kanë udhëkryqe të përbashkëta dhe qëllimi i këtyre komunikimeve nuk ka qenë prezantimi vetëm i suksesit,shkëlqimit që të fal fama dhe paraja, jo aspak…Përmes komunikimit mediatik kemi dashur të prezantojmë udhëtimin që përshkon një qytetar shqiptar në SHBA -në ku jo gjithmonë hapësira është e shtruar me mundësira dhe shkëlqimi është i garantuar dhe doemos nënkupton sukses.Rrugëtimi si proces ku sakrifica është sublime dhe nxit të tjera hapa janë edhe fokusi ynë i vazhdueshëm. Historitë e Lumi Hadrit ku forca dhe brishtësia frymëzojnë, dhimbja -forcë e dr.Shpresa Xhaklit, humanizmi me emrin e Ismail Ketës & Ambra Medës, tingulli -peneli i Luka Hajdinit, humori i zgjuar dhe botimet e Pëllumb Kullës, Gjilberta Luca ,vajza që më bën të pëlotem por edhe të qesh shkodrance , zërat e rinj të Pranvera Cobës, kënga e Era Hoxhës,saktësia precize e sistematikut Dalip Greca,prezenca Vera Kurtit,ekselenca e Enea Jankos, Aleksandër Micit, dhurata historike në studio Tinka Kurti, pjekuria e parakohëshme e Granit Limanit, filmi shqip i Ariot Myrtaj, shkathtësia e Rina Lilës, vargu meditativ i Veneta Callpanit , qytetaria e Pandeli Simsias, historitë fisnike të Beqir Sinës autorit të lajmit ,Dielli i Vatrës, platformat dhe ekspertiza bankare e financierit Nick Markola si dhe vezullimet e eksperiencave të jashtëzakonshme diplomatike të Mal & Donika Berishës…janë kaq shumë dhe pas cdo komunikimi me ta ka një tërësi cështjesh të hapura nga të cilat mund të mësosh shumë. Jo më kot televizionet janë konsideruar universitete …tryeza të mendimit , debatit, vizioneve rreth një realiteti që për ne ,shqiptarët që jetojmë në Amerikë është shumë i madh edhe gjeografikisht. Jeta jonë zë fill atje në atdheun e shtrenjtë dhe degëzohet këtu, por me rrënjët atje, kujtimet, frymëzimet por edhe shqetësimet ,ankthin , enigmat në kushtet e një stabiliteti të munguar. Eshtë vetëm një jetë tek gjithsejcili nga ne, brenda të cilës jetojnë kaq shumë histori, ku theksoj suksesi nuk është i vetmi qëllim, por procesi i ecjes, vështirësive, përvojave nga ku mësohet , janë historitë shpesh edhe të përbashkëta ku fatet na bashkojnë duke na bërë edhe më solid në kushtet e heterogjenitetit. Ndodh që edhe në një studio të vogël të jetojnë tema të mëdha ,mendje e njerëz që fatet e tyre personale i kanë inspiruese dhe udhëzuese për të tjerët. Nuk janë vetëm librat ato që na udhëzojnë por edhe njerëzit, veprat mendimet të cilat urojmë ti takojmë e pse jo ti kemi miq të përjetshëm.
Marjana Bulku (shkurt 2015)
New York
Fatos Kongolli sjell “Gjema e mbytur”
Rrëfimi i tillë vjen nga pena e Fatos Kongolit, një prej autorëve më të arrirë shqiptarë, në romanin e tij më të ri “Gjema e mbytur”. Që nga data 10 shkurt në çdo librari do të mund të gjendet libri i cili më pas pritet të bëj turneun e tij.
I paarritshëm në gjetjen e fabulave në dukje të thjeshta por që në thelb janë çdo herë një skaner letrar i shpirtit njerëzor, sidomos i atij shpirti që vuan për shkak të sjelljes së sinjerëzve të tjerë të përçudnuar për një mijë e një arsye. Dhe në çdo rast, ti e kap veten duke menduar: Pse njeriu është xhelati më i egër i Njeriut? A ka kuptim ndëshkimi? A ka kuptim katharthisi pas një krimi të kryer me ndërgjegjje të qetë? Po ndjesa sa vlerë ka? Po dashuria, ajo e burrit për gruan, e prindit për fëmijën, e njeriut për njeriun, e njeriut për Natyrën është aspiratë apo iluzion?
Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan, është prozator, redaktor dhe matematikan shqiptar. Veprat e tij më të njohura janë “Si-do-re-la”, “I humburi”, “Jeta në një kuti shkrepësesh”, “Kufoma”, “Ne të tre”, “Njeriu me fat” etj.
Kosovë- Protestuesit kërkojnë më shumë se shkarkimin e Jabllanoviqit
PRISHTINE, 4 Shkurt/-Shkarkimi i djeshëm i ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq ka bërë që të mërkurën në sheshin Skënderbeu të dalin vetëm dhjetëra protestues.
Sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, askush nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të AAK-së dhe Nismës, nuk ishin sot në shesh. Në protestë morën pjesë disa qytetarë që kësaj radhe kërkonin më shumë se shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.
Qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ranë dakord që protesta tjetër të jetë të shtunën me 7 shkurt, ndërsa nesër do të listojnë kërkesat. Rron Gjinovci, i cili kishte dalë si qytetarë në këtë protestë, tha se ka qenë e qartë që protestat që janë mbajtur deri tani nuk kanë qenë vetëm kundër Jabllanoviqit, që sipas tij, shkarkimi i Jabllanoviqit nuk ka ndryshuar diçka në këtë aspekt. “Unë nuk po mendoj që qytetarët dolën në protesta vetëm për Jabllanoviqin, por kanë dal për ato pamje që ne shohim çdo natë që ju po i raportoni, që kaë të bëjnë me largimin e njerëzve nga Kosova. Mendoj se ka plot arsye për të vazhduar protestat”, tha Gjinovci.
Të shtunën pritet të mbahet protesta e radhës, e cila do të jetë e organizuar nga shoqëria civile dhe qytetarët Ndërsa, protesta e paralajmëruar për sot kundër Aleksandër Jabllanoviqit dhe sjelljen e ligjit për Trepçën, u anulua me arsyetimin se kërkesa e parë u realizua.
SHQIPERI- Rinisin reshjet, rëndohet situata në zonat e përmbytura në Jug. Borë në Veri
*Basha: Të shpallet gjendja e emergjencës/
*Rama: PD vijon avazin, qeveria jo më cirk përmbytjesh/
* PD-ja shpërndan ndihma për familjet e përmbytura në Vlorë/
Situata është rënduar sërish në zonat e përmbytura, pas rifillimit të reshjeve të dendura. Situata është përkeqësuar sidomos në Darzezë, ku banorët që ishin rikthyer në shtëpitë e tyre të përmbytura gjatë ditës së djeshme tashmë janë tërhequr sërish. Rreth 300 shtëpi raportohen të jenë të përmbytura, ndërkohë që banorët u përpoqëm sa të mundnin të shpëtonin diçka, të ndihmuar edhe nga mjete të forcave emergjente për transportin e tyre.
Banorët, duke parë që gjendja në Darzezë pritet të rëndohet e të jetë edhe më e vështirë, i kanë bërë thirrje Qeverisë për t’u solidarizuar me të prekurit dhe për të ofruar ndihma dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga biznesmenë me mundësi financiare për të ndihmuar familjet në nevojë. Edhe pse të ndihmuar nga banorët fqinjë, që kanë bërë ç’të mundin për njëri-tjetrin, ndihmat e tyre mund të konsiderohen të pamjaftueshme, përpara kësaj fatkeqësie natyrore.
sipas meteorologëve nata e sotme dhe gjithë dita e nesërme do të ketë stuhi të fuqishme shiu me intensitet të lartë, ndërsa në veri do të ketë reshje dëbore.
Shërbimi Meteorologjik ben te ditur se situata do të jetë akoma dhe më e vështirë dhe për këtë arsye duhet gatishmëri e plotë e të gjitha forcave të emergjencës që janë aktualisht në terren. Ka gjasa që lumenjtë të dalin sërish nga shtrati, pasi tashmë e kanë krijuar terrenin nga vërshimet intensive të dy ditëve më parë.
Po ashtu Shërbimi Meteorologjik i ka bërë thirrje banorëve të cilët janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të përmbytura që pavarësisht rënies së nivelit të ujit në banesat e tyre të mos rikthehen pasi gjendja kritike nuk ka kaluar ende dhe gjasat janë për përkeqësim të situatës.
Ministria e Brendshme ka dhënë sot detajet e fundit lidhur me situatën në vend. Veç përmbytjeve në Jug, në Veri ka pasur sot probleme në qarkullim për shkak të reshjeve .
Në zonat malore mbi 800 m në rrethin e Malësisë së Madhe dhe në rrethin e Kukësit ka patur reshje dëbore të cilat shkuan deri në 40-50 cm.
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme
Qarku Shkodër. Gjatë orëve të kaluara në qarkun e Shkodrës ka patur reshje të dobëta shiu dhe në lartësinë mbi 800 m reshjet kanë qënë në formë dëbore. Më të theksuara reshjet e dëborës kanë qënë në komunën e Shalës deri në 40 cm dhe veçanërisht në Vermosh ku lartësia arriti deri në 60 cm.
Për largimin e dëborës nga trupi i rrugës në komunën Shalë është dërguar një mjet tip fadrome e DPEC për tu përdorur nga drejtuesit e komunës.
Qarku Kukës. Gjatë orëve të kaluara në të gjithë qarkun e Kukësit ka patur reshje normale shiu dhe dëbore. Në lartësitë mbi 600 m sasia e dëborës së rënë ka qënë 30-40 cm, kurse në lartësinë mbi 800 m dëbora e rënë është 50-60 cm. Reshjet janë ndërprerë në orët e mbrëmjes dhe kanë rifilluar sot në orët e para të mëngjesit sidomos në rrethin e Tropojës, ku lartësia e dëborës është 40-50 cm dhe në zonën e Valbonës 1.5 m.
Nga informacionet e dhëna nga specialisti i emergjencave Civile në administratën e Prefektit të qarkut komuna të bllokuara ka vetëm një ajo e Arrënit, në rrethin e Kukësit, kurse komuna e Lekbibajt, në rrethin e Tropojës është bllokuar për rreth 6 orë dhe është rihapur me një mjet të angazhuar nga komuna.
Të gjitha akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë. Autostrada e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë edhe pse vazhdojnë të bien reshje e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë në autostradë, për të larguar dëborën që bie vazhdimisht dhe pa ndërprerje.
Aksi nacional Kukës–Q.Shllak është i përfshirë nga reshjet e borës.Trashësia e dëborës është 50 cm. Aksi B.Curri Valbonë si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës aktualisht është me një kalim dhe subjekti kontraktues po punon për krijimin e xhepave të shkëmbimit të mjeteve.
Të gjitha mjetet borëpastruese janë vendosur në segmentet e përcaktuara si problematike dhe kanë bërë ndërhyrjet e duhura për të mbajtur rrugët e hapura. Në të gjitha akset nacionale subjektet e kontraktuara për mirembajtjen po përdorin kripë, si dhe largojnë inertet nga rruga, të cilat bien nga skarpatet anësorë.
Qarku Dibër. Gjatë orëve në vazhdim në të gjithë qarkun kanë rënë reshje mesatare shiu, kurse në lartësinë mbi 800 m reshjet kanë qënë në formë dëbore. Në të gjithë qarkun nuk ka probleme për bllokimin e rrugëve sepse sasia e reshjeve në zonat malore nuk i kalon 20 cm. E bllokuar është vetëm rruga Lurë-Peshkopi, deri në Fushë Çivën, por qarkullimi i mjeteve bëhet nga rruga për në Rëshen.
Qarku Fier. Gjatë orëve të natës dhe në vazhdim ka patur reshje shiu mesatare pa shkaktuar probleme.Në fshatin Darzezë janë evakuuar të gjithë banorët të cilët ishin ende të strehuar në banesat e tyre.
Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe niveli i lumenjëve Vjosa, Semani dhe Gjanica janë në shtratin normal të tyre.
Po bëhen evidentimet të familjeve të prekura nga përmbytja.
Niveli i ujit nëpër kanale kulluese po vazhdon të normalizohet dhe Hidrovori punon me kapacitet të plotë për largimin e ujrave sipërfaqësore në det. Po zvogëlohet ndjeshëm sipërfaqja bujqësore e tokave të përmbytura me largimin e ujrave nga kanalet.
Qarku i Gjirokastrës. Reshjet e shiut në territorin e qarkut të Gjirokastrës gjatë orëve në vazhdim kanë qënë mesatare, në lartësitë mbi 800 m reshjet kanë qënë në formë dëbore.
Rrugët nacionale janë të gjitha të hapura.
Qarku Vlorë. Në këtë qark ka reshje mesatare shiu.Vazhdon puna në Argjinaturën e Lagunës së Nartës dhe po punojnë 35 kamjonë për mbushjen e saj në vendin ku rrezikohet çarrja. Mjetet janë marrë me qera nga Komisioni i Emergjencave Civile të qarkut dhe Bordi i Kullimit.
Në zonat e përmbytura janë shpërndarë ndihma ushqimore nga bizneset private, sot do të shpërndajë edhe Kryqi i Kuq Shqiptar.
Qarku Elbasan. Gjatë orëve të natës nuk ka patur reshje por në orët e mengjezit reshjet me intesitet mesatar dhe me ndërprerje.
Aksi rrugore Elbasan – Gjinar vazhdon i bllokuar.Segmenti Banjë – Gramsh vazhdon i përmbytur nga lumi Devoll, qarkullimi kryhen në rrugën e sipërme.Aksi Librazhd- Stërblevë i hapur deri në Fushë Studen por qarkullohet me zinxhirë,
Bordi i kullimit raporton se niveli i ujit në lumin Shkumbin ka rënie të theksuar në rreth 2 m kjo ka bërë të mundur të futen në punë pompat në kolektorët e largimit të ujrave.
Qarku Berat. Ka patur reshje mesatare shiu. Në lartësitë mbi 800 m në zonën e Skreparit ka patur reshje dëbore.Kjo situatë ka krijuar probleme në akset rrugore të tre komunave të rrethit të Skraparit: Gjerbës, Leshnjë dhe Zhepë. Për hapjen e rrugëve lidhëse të këtyrekomunave është angazhuarnjë fadromë nga nënprefekti i rrethit të Skraparit.
Prurjet e ujit në lumin Osum dhe Devoll janë në nivel normal.
Qarku Korçë. Gjatë orëve të natës dhe nëvazhdim po bien reshje dëbore dhe lartësia ka shkuar 30-40 cm kurse në zonat malore deri në 60-70 cm.Aksi Korçë – Ersekë është i kalueshëm me zinxhirrë; Ersekë – Leskovik – Çarshovë i kalueshëm me zinxhirë; Korçë – Dardhë i kalueshëm me zinxhirë; Aksi Korçë – Voskopojë me zinxhirrë.Qafë Thanë- Pogradec- Korçë – Kapshticë i qarkullueshëm pa zinxhirë.
Akset e tjera janë të kalueshme pa zinxhirrë.
Reshjet vazhdojnë, banorët e jugut në ankth nga “tërbimi” i Vjosës
Rikthehen reshjet e shiut në Novoselë, në një kohë kur uji sapo kishte filluar të tërhiqej në shtratin e lumit Vjosë, pasi përmbyti me mijëra hektarë tokë, që prej së shtunës. Dëmet e shkaktuara, sipas banorëve, janë te mëdha. Me dhjetëra shtëpi janë shkatërruar, mijëra hektarë tokë janë përmbytur, ndërsa të mbjellat e këtij sezoni kanë shkuar dëm. Banorë të fshati Fitore, në komunën Novoselë, akuzojnë shtabin e emergjencave për neglizhencë, ndërsa tregojnë se si të mos mjaftonin përmbytjet ata po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. Sipas banorëve katastrofa mund te ishte shmangur, nëse do të merreshin në konsideratë sugjerimet e tyre për kanalet ujitëse. Uji ka marrë pothuajse gjithçka i ka dalë para. Balta ka mbuluar sipërfaqe të shumta me të mbjella. Mes lotësh kryefamiljarja Dhurata Miho tregon se po përsëritet historia e vitit 2005, pasi edhe në përmbytjet e atij viti, ndonëse jo në këto përmasa, banorët nuk patën asnjë ndihmë nga shteti. Në disa nga zona të përmbytura uji ka arritur deri në një metër lartësi. Banorët kërkojnë që t’u sigurohet edhe ushqim për bagëtitë, teksa prej një jave e shohin veten të izoluar.
Lumi rrëmben pompat e ujit në Novoselë
Reshjet e shiut kanë nisur sërish dhe problemet janë rikthyer në zonat jugore të vendit. Nga prurjet e shumta të lumit Vjosë në Selenicë të Vlorës, uji ka rrëmbyer pompat e ujit të pijshëm dhe nënstacionin elektrik dhe si pasojë banorët janë pa ujë të pijshëm dhe pa drita. Sakaq, është bllokuar Ura e Mifolit, pasi uji ka dalë në rrugë. Aksi i vjetër Levan-Vlore është i mbyllur te Ura e Mifolit, si pasoje e daljes se ujit ne rruge si dhe i bllokuar për momentin është edhe një pjese e aksit Vlore – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati. Raportohet se është dëmtuar Ura e Mifolit në Autostradën Fier – Vlorë. Autoritet janë vënë sërish në alarm, pasi me vazhdimin e reshjeve të shiut, pritet të ketë përmbytje të mëdha.
Akset më problematike për qarkullimin e mjeteve
utoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se në veri dhe verilindje të vendit për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta disa akse rrugore paraqesin vështirësi për qarkullimin e mjeteve.
ARRSH informon se edhe në asket rrugore në jug të vendit ka probleme në qarkullimin e mjeteve për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve të disa akseve. Ne zonat veriore dhe juglindje të vendit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të ngricave të formuara.
Tiranë
Ka patur reshje bore në aksin Qafe Priskë-Shëngjergj. Qarkullimi kryhet normalisht në gjithë akset e tjerë të këtij Qarku. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafë Priskë-Bizë.
Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.
Durrës
Nuk ka probleme në akset e ketij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore, pasi parashikohen reshje shiu të dendura gjatë ditës së sotme.
Elbasan
Ka reshje shiu . Në aksin Librazhd-F.Studë ka rreth 40 cm dëborë, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Segmenti F.Studë– Steblevë është i bllokuar. Po punohet për hapjen e tij. Në segmentin Librazhd –Q.Thanë ka rreth 25 cm borë në të dyja anët e rrugës, por asfalti është i pastër. Aksi është i kalueshëm pa zinxhirë. Aksi Elbasan – Gjinar momentalisht është i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Segmenti Shelcan – Gjinar ka rreth 25-30 cm dëbore. Po merren masa për pastrimin. Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh – Kaçivel – Elbasan. Në aksin Elbasan-Cingare-Gramsh ka patur dalje dherash e gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e aksit dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Rënie gurësh e dherash ka patur edhe në Derven , në aksin Elbasan-Rrogozhinë. Eshtë pastruar aksi dhe qarkullimi kryhet normalisht. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Librazhd – F.Stude. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rëshqitje të rrugës. Të evitohet kalimi nga këto akse. Eshtë ndërprerë qarkullimi në këtë pikë të aksit Elbasan -Gjinar.
Berat
Në aksin Ura e Pilzës –Corovodë ka rënie gurësh në zonën e shkëmbit të “Selanit”. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të qarkut. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve.
Vlorë
Në qarkun e Vlorës ka reshje të dendura shiu. Aksi i vjetër Levan-Vlorë është i mbyllur te Ura e Mifolit, si pasojë e daljes së ujit në rrugë. I bllokuar për momentin është edhe një pjesë e aksit Vlorë – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës. Eshtë dëmtuar Ura e Mifolit në autostradën e re Fier – Vlorë. Të evitohet qarkullimi në akset e përmbytura nga uji i Vjosës. Aksi i Llogorasë është pastruar, por duhet patur kujdes për shkak të ngricave dhe lagështirës në rrugë.
Gjirokastër
Në Gjirokastër ka reshje të dendura shiu. Në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka rënie gurësh në rrugë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh dhe rruga është me një kalim. Po punohet për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë.
Korçë
Temperaturat përgjatë orëve të natës kanë qënë rreth 0 gradë dhe ka patur reshje të lehta dëbore, sidomos në akset e rrethit të Ersekës dhe zonat malore. Gjatë orëve të mëngjesit kanë filluar reshje të dendura dëbore. Është kryer përgjatë orëve të natës kriposja e segmenteve apo pjesëve të veçanta të akseve rrugore, për të evituar problematikën. Kriposja dhe pastrimi po vazhdon edhe përgjatë këtyre orëve të paradites. Situata po mbahet nën monitorim për orët në vazhdim. Të bëhet kujdes në qarkullim. Të gjitha mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Akset K/Zemblak – K/Liqenas dhe K/Liqenas – D/Goricë janë t kalueshme pjesërisht zinxhira. Akset Korçë-Ersekë, Ersekë – Çarshovë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë, dhe K/Libonik-Grabove, qarkullohen të gjitha me zinxhirë.
Kukës
Ka rreshje shiu dhe bore. Përsëri ka patur shembje në aksin Traget – Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Në aksin B.Curri – Valbonë ka reshje borë që kanë arritur trashësinë 130 cm. Vazhdon të punohet për ta mbajtur rrugën të hapur. Qarkullimi bëhet me një korsi dhe ndërrimi i mjeteve bëhet në xhepa. Të gjitha akset e Tropojës janë hapur dhe janë kriposur. Po mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë . Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e borës dhe lagështisë në rrugë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin B.Curri – Valbonë.
Dibër
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun . Rrugët janë pastruar. Në aksin Skuraj – Burrel ka patur rënie dherash në rrugë, të cilat janë pastruar gjatë natës. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në pothuaj shumicën e akseve. Të bëhet kujdes , sepse nga rreshjet mund të shkaktohen rrëshqitje dherash.
Shkodër
Koha është me shi. Rrugët janë të gjitha të hapura. Në aksin Shkodër-Qafë Qele, në Ganjolle, për shkak të rrëshqitjes së dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi të zgjeruar. Po punohet për ta bërë rrugëen me dy kalime. Gjatë natës ka patur një rrëshqitje masive në km 2 të aksit Q.Laç – Koman. Eshtë bërë e mundur hapja e njerës korsi. Po punohet që të hapet edhe korsia tjetër. Rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullim, si pasojë e kohës me shira, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe ngrica në rrugë. Të gjitha akset e Pukës qarkullohen pa zinxhirë.
Fier
Gjendja në akset e Fierit është normale. Vazhdon puna për pastrimin e autostradës nga mbetjet për shkak të vërshimit të ujërave. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të rrëshjeve dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
Lezhë
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun. Të gjitha akset janë pastruar . Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
Basha: Të shpallet gjendja e emergjencës
Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka udhëtuar sot drejt jugut ku ka nisur të vizitojë banorët në zonat e përmbytyra.
Kreu i demokratëve ka qëndruar fillimisht në Darëzezë, e cili është edhe zona më e prekur nga përmbytjet.
Lulzim Basha ka urdhëruar strukturat e PD-së që të ndihmojë sa munden banorët dhe sot ata kanë shpërndarë ndihma për banorët e përmbytur.
Gjithashtu Basha tha se situata është kritike dhe se banorëve nuk u ka ardhur asnjë për t’i ndihmuar, teksa ka kërkuar të shpallet gjendja e emergjencës.
“Nëse qeveria do t’u vinte në ndihmë banorëve kjo situatë s’ do të kishte ndodhur”, u shpreh Basha.
Ndërkohë PD ka akuzuar qeverinë edhe më parë se i ka lënë banorët në mëshirë të fatit dhe se nuk ka vepruar me efikasitetin e duhur në këtë situatë të rëndë.
Rama: PD vijon avazin, qeveria jo më cirk përmbytjesh
Kryeministri Edi Rama ka reagur në rrjetin social Twitter lidhur me deklaratat e Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha sot në jug të vendit, tek zonat e përmbytura.
Kreu i Ekzekutivit ka përshëndetur nismën, ku PD shpërndau për banorët në zonat e përmbytura 200 pako ndihma, si dhe ujë të pishëm.
Sipas Ramës, kjo është një nismë për t’u përshëndetur, edhe pse e bërë para kamerave, teksa shton se është e neveritshme që opozita të shfrytëzoi kësisoj rastesh për të propaganduar ndaj qeverisë. “Përshëndetje për çdo ndihmë simbolike që PD po jep para kamerave dhe neveri për vazhdimin e avazit vulgar të propagandës boshe antiqeveri!”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama disa minuta pas këtij postimi të parë, shkruan një postim të dytë në Twitter. Rama shkruan se Qeveria nuk është më një estradë, por një strukturë e përgjegjëshme e cila mbart përgjegjësit dhe bënë detyrën e saj në ndihmë të qytetarëve më në nevojë. “Çdo strukturë përgjegjëse e shtetit është pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe qeveria s’është më trupa e cirkut të vjetër me përmbytjet!”, shkruan Kryeministri Rama në statusin e dytë të tij.
Reagimet e Kryeministrit Rama erdhën pas deklaratës së Kreu të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se qeveria nuk është duke bërë detyrën e saj.
Deklarata e Kryetarit të Partisë Demokratike u bë nga Darëzezë të Fierit një nga zonat më të përmbytura ku PD shpërndau 200 pako ndihma si dhe ujë të pijshëm për banorët më në nevojë
PD-ja shpërndan ndihma për familjet e përmbytura në Vlorë
Partia Demokratike me ndihmën e disa subjekeve private ka ndihmuar familjet me 200 pako me ushqime. Shpërndarja është bërë sipas listës së përcaktuar nga vetë banorët e dëmtuar nga përmbytjet. Edhe sot do të shpërndahen 150 pako të tjera me ushqimet bazë.
“Përmbytjet në Qarkun e Vlorës kanë marrë përmasa dramatike. Mijëra hektarë tokë janë përmbytur dhe janë në mëshirë të fatit, bashkë me to 600 krerë lopë e qindra bagëti të tjera. 1500 familje të fshatrave Fitore, Bishan, Poro, Mifol, Novosele, Akroni, Bëllenje, Delisuf janë pa strehim, pa ushqim, pa ujë dhe pa ilace. Asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka prekur nga afër situatën. Shkollat janë mbyllur e fëmijëve e të moshuarve nuk po i ofrohen kushtet minimale për jetesë”, thuhet në njoftimin për mediat.
PD pohon se në zonën më të prekur të qarkut të Vlorës, nuk funksionon asnjë shtab emergjence.
Partia Demokratike e Vlorës i bën thirrje qytetarëve dhe atyre që kanë mundësi të ndihmojnë, që të angazhohen në këtë situatë për t’iu gjendur afër të dëmtuarve, në kushtet e neglizhencës dhe mosekzistencës së strukturave të qeverisë.
Tsipras nuk guxon ende të vizitojë Berlinin
Nga Nina Werkhäuser/
Kryeministri grek Alexis Tsipras po kërkon gjatë turneut të tij evropian faljen e borxheve. Por ai ende nuk po guxon të vijë në Berlin.
Çdo fjalë që thotë Aleksis Tsipras gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit regjistrohet me saktësi në Berlin. Që kryeministri i ri grek u shpreh gjatë fushatës zgjedhore për një largim nga politikat e qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Antonis Samaras, ishte një gjë. Sa radikal do të jetë tani ky largim në praktikë është një tjetër – dhe mjaft interesante jo vetëm për Komisionin Evropian, por edhe për qeverinë gjermane, sepse Gjermania është nga kreditorët më të mëdhenj të Greqisë.
“Një mysafir i mirëpritur”
Megjithatë vizitat e para pas marrjes së detyrës kryeministri Tsipras nuk i bëri në Berlin, por në Qipro, Romë, Bruksel dhe Paris.
Shefi 40-vjeçar i aleancës së majtë “SYRIZA” nuk e ka fshehur kurrë qëndrimin e tij që qeveria gjermane, të cilën shumë grekë e bëjnë përgjegjëse për gjendjen e tyre ekonomike, nuk është partnerja e tij të parë në Evropë. Berlini ka kërkuar gjithmonë nga Athina masa të rrepta kursimi në këmbim të kredive miliardëshe.
Qeveria gjermane tha se Tsipras është “një mysafir i mirëpritur” në Berlin. Kancelarja Angela Merkel nuk shqetësohet që Tsipras nuk ka ardhur ende në Berlin, sepse e di se ai nuk mund ta anashkalojë gjatë këtë vizitë. Merkel tha në Berlin “Ne jemi duke pritur për propozime nga pala greke, dhe pastaj do të hyjmë në bisedime.”
Me sa duket Tsipras po shqyrton fillimisht në vendet e tjera, se sa e madhe është gatishmëria për kompromis në radhët e BE-së për kërkesat e Greqisë, para se t’i drejtohet “kockës së fortë” Gjermanisë, e cila e hedh poshtë idenë e faljes së borxhit.
Merkel dhe Tsipras do të takohen personalisht më së voni në samitin e BE-së në Bruksel më 12 shkurt, tema e të cilit është situata në Greqi.
Dëbimi i trojkës?
Gjatë vizitës së tij të parë si kryeministër në Qipro, e cila pas kolapsit të sistemit të fryrë bankar është si dhe Greqia e varur nga ndihmat financiare ndërkombëtare, Tsipras përsëriti se nuk do të bashkëpunojnë më gjatë me “inspektorët e kursimeve” të trojkës.
Një ndërprerje e njëanshme e bashkëpunimit me troijkën shihet në Gjermani, me skepticizëm. “Nga pikëpamja e qeverisë gjermane nuk ka arsye për të hequr dorë prej këtij mekanizmi të sprovuar – vlerësim nga ana e trojkës dhe pastaj vendimet përkatëse në nivel politik” – njoftoi Zyra e Kancelares.
Të mërkurën (4.02) ministri grek i Financave Janis Varufakis do të takohet me presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi. Të enjten ai do të takohet në Berlin me homologun e tij gjerman Wolfgang Schäuble. Qëllimi i deklaruar i Varufakis është për ta çliruar Greqinë nga “robëria e borxheve”. Greqia ka borxhe në vlerë prej rreth 320 miliardë euro dhe koha nuk pret, sepse më 28 shkurt programi i mbështetjes për Greqinë merr fund.(DW)