• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënë Tereza: Nënë e jetës, dashurisë dhe e paqes

August 26, 2020 by dgreca

Disa mendime me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-

Nga Don Lush Gjergji-

Nëna e jetës-

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979).

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës, dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Shërimi i vetmisë është dashuria”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin…”.

Nëna e dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

Nëna e paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi. Ajo e shëron vetminë”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen, si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore./drita.info

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Nene Tereza

LIBRI”SI MBIJETOVA NË FERRIN KOMUNIST”, NË BIBLIOTEKËN E VATRËS

August 26, 2020 by dgreca

Sot, e Mërkurë 26 gusht 2020, gazetari Sokol Paja, dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin e autorit Saimir Maloku”How I Survived in the Comunist Hell”- The confessions  of a former polical prisioner  accused with his father of being together as potential agents of the British Intelligence Services- ”Si Mbijetova në  Ferrin Komunist”- Rrëfimet e një ish-të burgosuri politik i akuzuar së bashku me babanë e tij edhe se agjentë të mundshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike). Libri është dhuratë nga autori, botim”ERMAL”, Tiranë 2020.

Në shenjë falenderimi, po ripublikojmë shkrimin e gazetarit të Diellit Sokol Paja.

***

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

NGA SOKOL PAJA-DIELLI

“Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt. Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.(Dielli, 21 Maj 2020)

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e Vatres, Ferrin Komunist, Saimir Maloku

LIBRI

August 26, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Teoritë zakonisht lindin të parat, por ndonjëherë ato nuk arrijnë të kapërcejnë paqartësitë e botës reale, ose shpesh e bëjnë më të turbullt. Historia është shkruar jo nga më i forti, por nga më i çuditshmi. Franz Boas, themeluesi i antropologjisë moderne amerikane, citohet të ketë thënë se, njeriu nuk gënjen kurrë për hedhurinat e tij. Dhe ka të drejtë: një pjesë e madhe e asaj që dihet për të kaluarën e njerëzimit vjen nga përmbajtja e grumbujve dhe gropave me plehëra. Zbulimi i ri se libri në formën e sotme ka ekzistuar 2500 vite më parë është për shkak të gërmimit të plehrave, zhvarrosjes së një qyteti që zgjeroi kuptimin e njeriut për kulturat letrare të Egjiptit, Greqisë dhe Romës së lashtë.Në fund të vitit 1896, dy arkeologë anglezë Bernard Grenfell dhe Arthur Hunt u nisën nga Oxfordi për në fshatin egjiptian El-Bahnasa, në jug të kryeqytetit të Memfisit të lashtë. Ata u vendosën në një degë të Nilit të quajtur Bahr Yusuf (Kanali i Josifit). Arkeologëve u tërhoqën vemendjen përrallat që rrëfenin banorët e fshatit, ku dikur shtrihej qytetit i lashtë Oksyrhynshus, i cili pas pushtimit nga Aleksandri (v. 320 pes) u bë kryeqytet provincial me rreth 20,000 banorë.Si tani, qyteti kaq i madh prodhoi edhe një sasi të konsiderueshme plehërash, në pjesën më të madhe në formë dokumentesh, dhe tekstesh të tjera të hedhura. Diku midis qytetit dhe fermave të ujitura që e rrethonin ndodhej një rrip i pakultivuar toke, ku banorët hidhnin mbeturinat, të sigurt se rëra e shkretëtirës do t’i mbulonte. Grumbujt e plehërave u rritën e u rritën gjatë shekujve, u bënë tuma, duke krijuar një peizazh me kodra dhjetëra metra të larta.Pas një viti, Grenfell e Hunt u kthyen në Britani, dhe zbulimet i publikuan në një vëllim me titull Oxyrhynchus Papyri. Në sezonin e parë të gërmimeve ata zbuluan fragmente nga poetja Sappho; kopjen më të hershme të njohur të Ungjillit të Mateut; një libër me titull ‘Veprat e Palit dhe Thedas’ që janë biseda të Apostullit me besimtarë. Gropa me dokumente shtrihej 10 metra poshtë në tokë, të ruajtura nga rëra mbrojtëse dhe klima e thatë.Pas disa vitesh në gërmime gjetkë, Grenfell dhe Hunt u kthyen në Oxyrhynchus dimrin e vitit 1903-1904 dhe përsëri çdo vit deri në vitin 1907. Në fund ata rikuperuan gjysmë milioni copa të ndara papirusesh, duke i botuar në vëllime vjetore. Më 1920, Grenfellit vdiq. Hunt vazhdoi i vetëm punën deri sa edhe ai vdiq në vitin 1934; vëllimi i 70 i Oxirhynchus Papyri u botua në 2014, dhe përgatitësit parashikojnë më shumë se njëqind vëllime.Gropa e Oxyrhynchus është elefanti në dhomën e papirologëve. Më shumë se gjysma e të gjitha papiruseve që kanë mbijetuar deri në shekujt e IV kanë dalë nga grumbujt e hedhurinave për rreth Elbahnasit, dhe pesha e provave vazhdon të ushtrojë një tërheqje të fuqishme për ata që studiojnë shkrimin, letërsinë dhe kulturën antike. Por po aq intriguese sa ishin përmbajtjet e poezive të humbura, shkrimeve fetare dhe letrave personale, edhe paraqitja fizike dhe forma e tyre janë po aq të rëndësishme. Deri kohët e fundit, historianët ishin të bindur se libri i parë doli diku gjatë shekullit IV të erës sonë, dhe, duke pasur parasysh që një pjesë e vogël e librave që mbijetuan nga ajo kohë ishin bërë të gjitha me pergamene, supozohej se shpikja e librit me fletë kishte shoqëruar rënien e shkrimeve në papiruse.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, libri

TERRIN MES DY DRITAVE S’E DURON YLLI QË SHKOQET, AS NJERIU-Martin Camaj

August 26, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg“Ex Malo Bonum”, është një citim latinisht nga Shën Augustini, që në shqip mund të përkëthehej se, nga një e keqe vjen diçka e mirë. Nga fillimi i muajit korrik qe botuar një shkrim nga Auron Tare për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, një “studim”, siç u quajt nga disa, që akuzon Koliqin dhe Camajn si poliagjentë dhe kollaboracionistë të forcave më të errta anti-shqiptare.  “Studimin” e botoi portali nga Nju Jorku, Peisazhe të Fjalës.  Bazuar në absurditetin e akuzave dhe aludimeve të Auron Tares, për nja dy javë, “studimi” i Auron Tares u bë çështje e ditës, media shqiptare, përfshir televizionin– sikur nuk kishte halle më të mëdha për shqiptarët– i kushtonte kohë dhe hapësirë, nga nata në natë.  Auron Tare për pak kohë u bë “TV star”, si rrjedhim i akuzave dhe aludimeve të tija pa bazë. 

                                                   Martin Camaj

Këtyre zërave, modestësisht, iu bashkova edhe unë në atë kohë duke thënë se megjith pretendimet e Tares, “studimi” i tij nuk sillte asgjë të re, që nuk dihej më parë.  Për më tepër, mua dhe shumë të tjerëve, na u duk se pretendimet e Auron Tares ishin një shpifje me qëllim baltosjen e këtyre dy shkrimtarëve. Aludimet dhe të pretendohej se këta dy shkrimtarë të njohur të kombit shqiptar ishin poliagjentë dhe anti-shqiptarë, mu duk mua dhe shumë të tjerëve si diçka që kishte dalur nga tryeza e Enver Hoxhës, në kulmin e luftës së ftohtë.  Me atë rast, thashë gjithashtu se shkrimi ose “studimi” “Dritëhije në Histori” i Auron Tares, botuar në portalin e Ardian Vehbiut, “Peisazhe të Fjalës” në Nju Jork, nuk ishte as i “rrallë”, as “origjinal”, siç pretendohej nga autori dhe botuesi.

Sidoqoftë, debati rreth këtij “studimi”, ishte ai që ishte, me qëndrime pro nga autori dhe botuesi dhe ndonjë mbështetës i tyre, që si duket mezi kishin pritur rastin të hedhnin baltë kundër dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë—ndërkohë që shumë të tjerë shprehën pikëpamjet e tyre kundër “studimit” të Auron Tares, për mungesë dokumentacioni dhe sidomos, për interpretimet dhe aludimet dashakeqëse, pa mbështetje dokumentacioni.

Por, siç ka thenë Abraham Linkolni, në fund të fundit “E vërteta është, zakonisht, mbrojtja më e fortë dhe më e mirë kundër shpifjeve”.  Zot ruajna prej atyre që të mirës i thonë e keqe dhe të keqës të mirë.  Por, siç ka thënë edhe Shën Augustini, shpesh ndodhë që edhe nga një e keqe – siç ishin shpifjet publike të Auron Tares kundër Koliqit dhe Camajt—ndodhë që vjen diçka e mirë.  

Në këtë ndërkohë, me të thenë të drejtën, u gëzova kur mora vesh se Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) ka në plan të organizojë, këtë javë, një tryezë të rrumbullakët me rastin e 95-vjetorit të lindjes (21 Korrik, 1925).  Specifikisht, në njoftimin e AIDSSH thuhet se, “Në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, AIDSSH me partnerë, organizon tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëpunëtorëve akademikë, studiuesve brenda dhe jashtë vendit e institucioneve publike.

Më 28 gusht, ora 18.00, live nga Pallati Presidencial në Tiranë.”, thuhet në njoftimin e botuar në faqen fejsbuk të AIDSSH.  Ndërkohë, AIDSSH kërkon nga të interesuarit se, “Për shkak të interesit të lartë për pjesëmarrje në tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja” dhe kufizimeve të detyruara në kushtet e përhapjes së COVID-19, të interesuarit që marrin pjesë në aktivitet janë të lutur të dërgojnë email të konfirmimit të pranisë së tyre në info@autoritetidosjeve.gov.al brenda datës 27 gusht 2020, e enjte.

AIDSSH njofton gjithashtu se ashtu siç është lajmëruar edhe më heret, aktiviteti do të transmetohet “live” nga AIDSSH dhe media të pranishme. 

Image may contain: text

Concept & Grafic Design: Henrik Lezi 

Uroj që tryeza e rrumbullakët  e AIDSSH për Jetën dhe Veprimtarinë e Martin Camajt, të hedhë dritë mbi shpifjet dhe aludimet propagandistike të ish-regjimit komunist, në përgjithësi si dhe të atyre nostalgjikëve modernë të atij regjimi, të cilët duan që me çdo mjet të baltosin dy figurat më të njohura të letrave dhe historisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha, uroj që qëllimi dhe përfundimi i kësaj tryeze të jetë zbardhja e të vërtetës, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt – përfshir edhe akuzat dhe aludimet e kohëve të fundit kundër tij — sepse këtë do të donte edhe ai vet – të vërtetën, me të gjitha të mirat e të këqiat, asgjë më pak as më shumë se të vërtetën!  Që drita e së vërtetës të zëvendësojë terrin e akuzave djallëzore të kundërshtarëve të tij, “shpend mishngranës me fytyrë njerëzore”, sepse “Terrin mes dy dritave ‘s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu…” Martin Camaj.  

Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive, që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, ka shkruar Kadare.  Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, të cilës i referohet Kadare – sidomos në fushën politike dhe letrare – është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër që prej kohës së komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet Shqipëria dhe bota shqiptare, thirrja e Camajt për “Afrim të Shqiptarëve”, është më aktuale se kurrë.  Uroj që pjesëmarrësit — në tryezen e rrumbullaktë të enjtën në Tiranë, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, organizuar nga AIDSSH – të dalin nga ajo konferencë më të bashkuar në përpjekjet e tyre, për të hedhë më shumë dritë mbi të vërtetën dhe më jo baltë mbi jetën jetën dhe të veprimtarinë e Martin Camajt.

Frank Shkreli 

Image may contain: text

Për një mendim ndryshe, për personin dhe dosjen e Martin Camaj, mund të ndiqni një intervistë me të Sonila Boçi Pepivani, Akademia e Studimeve Albanologjike, të Fatmira Nikollit në News24:

Përmbledhje e shkurtër e intervistës nga News 24: Martin Camaj, në dritë dosja e shkrimtarit — Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshtë dosje bashkëpunëtori, por të përndjekuri”.  Historianja: E kanë arrestuar që ta perdornin.  Dokumenti, “Camaj bashkëpunetor nën detyrim” “Dosja nuk flet për torturë, thuhet u mor me force” Boçi: Dosja thote qe Camaj e dezinformoi Sigurimin “U arratis me ata qe i kerkuan te denonconte” “Komiteti i Prizrenit? Nuk del roli i Camajt atje” “Permendja e Camajt dhe roli jane gjera te ndryshme” Camaj zero marredhenie me Politiken.  Boçi: Camaj agjent? Do te ishte krejt atipik! Boçi: Ne dosje ngaterrohen faktet me opinionet, “Dosja e Camajt nuk ka fakte, duhet vërtetuar” Sonila Boçi: Çmitizim? Atdheu e partia ishin një.  Boçi: Po të ishe kundër partisë, ishe tradhtar –Sonila Boçi, historian.  Gazetare, Fatmira Nikolli

Një bashkëpunim i #IH_ASA me #AIDSSH

Fatmira Nikolli Sonila Boçi Pepivani Akademia e Studimeve Albanologjike- faqe zyrtare News 24

Martin Camaj, ne drite dosja e shkrimtarit Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshte dosje bashkepunetori, por te perndjekuri” Historianja: E ka…

                    

YOUTUBE.COM

Martin Camaj në dritë – dosja e Sigurimit për shkrimtarin, përndjekje, detyrim e letra anonime.  Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk është dosje bashkepunëtori, por të përndjekuri”  

Poezi nga Martin Camaj

VRASJA E POETITI

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

Image may contain: text

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Terrin mes dy dritave, Ylli qe shkoqet

26 GUSHT–DATËLINDJA E SHËN TEREZËS

August 26, 2020 by dgreca

upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/d/d6/Mot...
Sali Berisha: Nënë Tereza, bamirësja më e madhe e kohërave - Politike
E:\Nana Tereze me Ronald Regan 1981.jpg

Një udhëtim virtual me Shenjtoren në kohë, nga një cep i botës në tjetrin–

Nga Mal Berisha-Sot është data 26 gusht, datëlindja e Agnes Gonxhe Bojaxhiut (1910 – 1997), dikur e njohur në tërë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, e sot Shën Tereza shqiptare. Për shumë kohë identiteti i saj shqiptar nuk përmendej për shkak të mohimit që i bëri asaj qeveria komuniste e Tiranës. Sot atë e nderon tërë bota. Po ashtu bëjnë të tërë shqiptarët, kudo që ndodhen në të katër anët e globit, pavarësisht besimit që mbajnë. Për mua kjo ditë ka një vlerë edhe më të madhe. Arsyen do ta them në fund të këtij shkrimi. 

1985 – Krujë: Dëgjova për herë të parë për Nënë Terezën.

Për herë të parë dëgjova për Nënë Terezën disa vjet përpara se të binte komunizmi. Ishte historiani i njohur krutan, Haxhi Goci, një mësues iluminist, lektor i mrekullueshëm dhe njohës i shkëlqyer i historisë, i pari që më tregoi për të. Me profesor “Xhiun” siç e thërrisnim, më lidhte një miqësi e jashtëzakonëshme. Ai ishte një njeri i ditur, bujar dhe shumë i dashur. 

Një herë në Krujë, pasi mbaruam një mbledhje më thirri për drekë në shtëpinë e tij. E shoqja, Nadirja, një zonjë dhe amvisë e pashoqe na priti me tërë bujarinë që e karakterizon një familje krutane. Ata të dy, zonja dhe i zoti i shtëpisë, kishin një komunikim aq të këndshëm me njëri tjetrin. Në një dialog me shumë humor, profesori iu drejtua të shoqes:

“Hajde Nadire, na shtro tavolinën se ti i bon gjonat ma mirë se asnjë, madje ia kalon edhe Nanë Terezës!” 

“Qyqja Xhio, amon mos e përmend atë grue se do na marrësh m’qafë kalamojat. Amon mos e përmend at’gru t’Zotit!”, ia ktheu ajo.

“Nadire t’kam thanë, Nanë Tereza asht shqiptare edhe ka për të ardhë dita që kanë me e njoftë edhe shqiptarët, se atë e njeh edhe e respekton e gjithë bota. U bomë ne!” ia ktheu profesori asaj.

Ishte hera e parë që e dëgjoja një emër të tillë dhe në fakt nuk po merrja vesh se për kë bëhej fjalë.

Dreka u shtrua, Xhiu siç e kishte zakon filloi të thoshte:

“Vrej, mos thuaj se nuk ti kom vu gjithë k’to asortimente përpara! Se kshtu bon kjo Nanë Tereza ime!  Profesori filloi të numëronte të gjitha gjërat që kishim përpara në tavolinë dhe ne që të dy qeshnim e qeshnim! Dreka ishte shumë e shijshme falë bujarisë së atyre njerëzve të mrekullueshëm. Por Xhiu çdo gjë e lidhte shumë bukur me situatën dhe më tha: 

“Dije se ne kot nuk e kemi marrë çertefikatën e popullit që ushqehet ma mirë në botë. E kemi meritue. Bota janë duke vdekë për bukë!”

Pastaj ia dha një të qeshure cinike.

E pashë me adhurim të jashtëzakonshëm atë mënyrë komunikimi të atyre dy njerëzve. Me të mbaruar drekën profesori më tha:

“Due më të thanë diçka që ndoshta nuk e di. Është një grue e vogël shqiptare po shumë e famshme, Gonxhe Bojaxhiu e ka pasë emrin. Unë i thërras Nadires, Nanë Tereza se është edhe kjo bamirëse” e përfundoi frazën duke qeshur me të madhe.  

Pastaj më shpjegoi shumë gjëra për të dhe vijoi:

 “Po këta nuk e duan”, dhe bëri me dorë nga komiteti, “se është katolike edhe e duan shumë amerikanët. Ajo ka marrë çmimin Nobel për Paqë dhe dekoratat më të larta të shtetit amerikan. Edhe Presidenti Regan e dekoroi po nuk tha se është shqiptare, po se ka lindë në Jugosllavi. Kaq keq e kanë ngatërru këta që e mohojnë sa edhe Presidenti i Amerikës, në fjalën e tij gaboi keqas kur tha se ajo është nga Jugosllavia kur kësaj të fundit i duheshin edhe tetë vite që të vinte në jetë, që nga koha kur pat lindur ajo. Në të vërtetë, vazhdoi profesori, ajo ka lindur në Shkup në një familje shqiptare me babë e me nanë nga Prizreni. Ndoshta do të vijë dita ta njohim edhe ne bijën tonë ashtu siç e njeh tërë bota!”  

Kjo ishte hera e parë që dëgjoja për Nënë Terezën. 

1986 – Tiranë: Rrëfime për Nënë Terezën nga artisti Fatos Zajmi

Njohja ime me Nënë Terezën u shtua edhe kur Fatos Zajmi, një valltar i famshëm i Ansamblit të Shtetit në Tiranë më tregoi një histori për nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Familja Zajmi ishte nga Kosova. Unë  nuk i dija rrethanat dhe lidhjet e asaj familje me njerëzit e Nënë Terezës në Shqipëri, por di që kur Fatosi vinte tek shtëpia ime në Mamurruas më fliste për to, si murgesha apo njerëz të veçuar, të vetmuar dhe përçmuar që kishin jetuar në shtëpinë e Avni Zajmit. Shtëpia ishte pranë Kishës Katolike në Tiranë. Aty qëndruan nëna e Shën Terezës, Dranja dhe motra e saj Agja. Vëllai Lazri kishte ikur në Itali. Më vonë ato ndërruan vend dhe vdiqën në vetmi dhe mjerim njëra pas tjetrës në vitin 1972, Dranja dhe më pas Agja më 1973. Fatosi tregonte sesi ato dy zonja e bënin jetesën me thonjtë e tyre duke bërë punë dore.  Natyrisht me një vëlla si Lazri, ish oficer i ushtrisë shqiptare të kohës së mbretërisë, me vajzën dhe motren Gonxhen në urdhërin e saj katolik në Kalkuta, nuk kishte asnjë mundësi të trajtoheshin ndryshe. 

1992 – Tiranë: Meshë në Kishën Katolike tek Rr. E Kavajës, me praninë e vetë Nënë Terezës 

Vitet kaluan dhe në vitin 1992, pata rastin ta shoh me sytë e mi Nënë Terezen në Kishën Katolike, tek Rruga e Kavajës. Aty në prani të Presidentit të Republikës,  Dr. Sali Berisha, ajo mbajti një meshë.  Ashtu e butë, e vogël, e urtë, iu drejtua asaj grigje më aq dashuri dhe sikur asgjë e keqe nuk kishte ndodhur në jetën e saj. Deviza e saj se prej gjaku jam shqiptare, me shtetësi indiane, prej feje katolike, i takoj botës, prej zemre i takoj krejtësisht zemrës së Krishtit, u pa edhe atë natë në atë proçesion fetar.

5 Shtator 1997 – Stamboll: Homazhe për Nënë Terezën

Me datën 5 Shtator 1997, ndërroi jetë Nënë Tereza. Në atë kohë shërbeja si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Vilajetin e Stambollit. Konsullata jonë, organizoi homazhe në nderim të Nënë Terezës duke hapur Librin e Ngushëllimeve. Ato ditë ne pritëm e përcollëm shumë miq të Shqipërisë nga shumë konsullata. Po ashtu i shkëmbyem ngushëllimet reciproke me njëri tjetrin dhe me Kryekonsullin e Indisë së asaj kohe në Stamboll, z Harish Dogra. 

Në atë ditë u njoftuam se ish – Presidenti i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, njeriu që i kishte dhënë pashaportën shqiptare si dhe Medaljen e Flamurit, dekorata më e lartë që jep shteti shqiptar, Nënë Terezës, do të merrte pjesë në funeralin e saj në Kalkuta. Për shkak se India nuk kishte mision diplomatik në Tiranë, marrja e vizës indiane ishte një problem që duhej zgjidhur në mënyrën më të shpejtë. Kjo gjë u bë një ndër episodet më “aventureske” por edhe më fisnike që një diplomat në një zyrë konsullore   mund të realizonte. Ndërsa aplikanti ishte në Tiranë, zyra konsullore indiane në Stamboll, udhëtimi do të fillonte të nesërmen nga Rinasi për Frankfurt e Kalkuta, neve na duhej të dyluftonim me kohën që na jepte vetëm disa orë në dispozicion. Megjithatë, ia dolëm që ta sillnim pashaportën nga Tirana në Stamboll, ta stamponim vizën në Konsullatën Indiane dhe ta kthenim përsëri në Rinas në momentin kur avioni po nisej për Frankfurt. E gjitha kjo u krye në më pak se pesë gjashtë orë.  Të nesërmen CNN International transmetoi delegacionin shqiptar në Kalkuta duke bërë homazhe pranë arkivolit të Nënë Terezës: ish – Presidentin Sali Berisha, Presidentin Mejdani, dhe Kreytarin e Partisë Demokristiane, gazetarin dhe botuesin Nikollë Lesi.  

1999 – New Jersey SHBA: Një telefonatë rastësore që më gëzoi me Nanë Terezën

Isha në apartamentin tim në New Jersey të ShBA –së, atë ditë Janari të vitit 1999. Më duhej të telefonoja një kompani telefonash për të kërkuar sesi mund të lidhja një shërbim tjetër online. Në anën tjetër të linjës u përgjigj një zë gruaje. Ajo ishte shumë e sjellshme dhe më sqaroi për çdo gjë që e pyeta. Kur mbaruam ajo, duke më kërkuar ndjesë, më pyeti se nga isha unë? Mendova se e kishte kuptuar që nuk isha amerikan nga aksenti.

“Nga Shqipëria”, iu përgjigja. 

Ajo reagoi menjëherë dhe më tha:

“O Zot i Madh! Të jem kaq me fat unë sot?”

“Po përse”, i thashë, “çfarë të bëri të ndjehesh kaq me fat?”

“E parandjeva se ju jeni nga ai vend, nga mbiemri, prandaj të pyeta. Tani që u binda, e ndjej se unë jam me shumë fat.”

Po si ka mundësi? e pyeta.”

“Sepse, ju keni gjak në damarët tuaj nga gjaku i idhullit më të madh të jetës time: Nënë Terezës.” 

C:\Users\kreshnik\Desktop\IMG_0054 (1).jpg

2012 – Londër – Westminster Abbey: Përkujtimore “Për Shën Terezën”

Në ditën e Nënë Terezës së vitit 2012, Lordi Alan Watson, një nga burrat më autoritar të Dhomës së Lordëve anglezë, dëshiroi që të organizonte një veprimtari në atë që njihet si Westminster Abbey Undercroft në bashkëpunim me Fondacionin “Nënë Tereza” në Tiranë. Bëmë shumë përgatitje. Nga Tirana ftuam Presidenten e Fondacionit Nënë Tereza, Dr. Liri Berisha. Sponsor të aktivitetit u bënë British Petroleum dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë Shqiptaro – Britanike, z. Zenel Hoxha. Dekani i Abacisë John Hall na vuri në dispozicion gjithçka që duhej për ta realizuar atë veprimtari sa më me sukses. 

Me Dr. Liri Berisha dhe shumë miq të ambasadës, më së shumti britanikë por edhe shqiptarë, e organizuam atë mbrëmje në underkroftin e Katedrales në mënyrën më solemne të mundshme, krejt siç e meritonte Ajo dhe siç e donte vendi ku organizohej. Lordi Watson mbajti një fjalim që do të mbahet mend gjatë për Nënë Terezën si dhe për popullin shqiptar.

26 Gusht 2020 – Tiranë: Një arësye më shumë për ta nderuar Shën Terezën.

Me këtë shkrim, sot në këtë datë të lindjes së Shën Terezës, dua të bëj një homazh në nderim të emrit dhe të veprës së Saj në dobi të njerëzimit dhe të vetë kombit shqiptar.

Të gjthë ne shqiptarët kemi arësye ta kujtojmë e nderojmë Shën Terezën!

Sado e thjeshtë dhe formale të duket, unë kam edhe një arësye më shumë që më kujton gjithmonë këtë ditë:

Kam lindur në një datë me Shenjtoren: Si sot, më 26 Gusht! 

Filed Under: Featured Tagged With: 26 GUSHT–DATËLINDJA E SHËN TEREZËS, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • 415
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT