• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga ngritja e Flamurit në Shkup deri te shpallja e Pavarësisë në Vlorë

November 27, 2014 by dgreca

Që nga marrja e pushtetit nga xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet e tij më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman.
Më 1909,1910,1911,shqiptarët patën përjetimet më të rëndat, me plot vuajtje njerëzore e kombëtare, shkaktuar nga ekspeditat e njëpasnjëshme shkatërrimtare dhe ndëshkimore të ushtrisë pushtuese turke, kundër shprehjes së pakënaqësisë së popullit tonë në trojet e veta etnike.
Të dërmuar nga reprezaljet e pareshtura perandorake, ata nga përkrahës të pa-rezervë, para marrjes së pushtetit, do të ktheheshin në kundërshtar të vendosur, pas ardhjes së xhonturqve në qeveri.
Madje, përpjekjet e pa suksesshme të elitës së atëhershme politike dhe intelektuale shqiptare, para refuzimeve kategorike xhonturke për njësimin e katër vilajeteve, krijimin e një shteti kombëtar dhe pranimin e tij si shtet autonom në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar edhe nga shtetet tjera ballkanike, para arritjes së pavarësisë së tyre, detyruan deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar nga arenat e luftës, ta bartnin në Parlamentin perandorak otoman.
Atje dhe në atë kohë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike, në seancën e tretë plenare të Parlamentit turk, mbajtur më 11 janar të vitit 1912, në emër të grupit të 25 deputetëve bashkëkombës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, fjalën do ta merrte Hasan Prishtina, i cili me guxim dhe vendosmëri të rrallë, do të deklaronte; nëse edhe kësaj radhe nuk merrni parasysh kërkesat tona të arsyeshme, përsëritur disa herë këtu para jush, si përdorimin e lirë të gjuhës, njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar në trojet e tij etnike, unë do të jem i pari, ai që me flamurin e lirisë në dorë, do ti prijë popullit tim, për çlirim nga Perandoria.
Sipas një shkrimi të Dr. Kristo Frashërit te “Ora e Shqypnisë” me titull “Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk”, i impresionuar nga fjalët e guximshme të tij, Ismail Qemali, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, do të shkonte në shtëpinë e Hasan Prishtinës, ku që të dy, thellësisht të brengosur, do të bisedonin kokë më kokë dhe gjerë e gjatë për gjendjen e rëndë në trojet shqiptare. (oraeshqypnise.blogspot.com /…/ hasan-prishtina-11-jan…)
Madje, pas shpërndarjes së Parlamentit turk, më 11 janar të vitit 1912,që të nesërmen më 12 janar të atij viti, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali do të takoheshin edhe një herë, në hotelin “Pera Palace”, ku do të merreshin vesh për mbajtjen e një tubimi të fshehtë me pesë-gjashtë deputet të besueshëm shqiptar.
Takimi do të mbahej mbrëmjen e po asaj date(12 janar 1912) në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim të Stambollit dhe sipas vendit ku ai u mbajt, në histori do të njihej si “Kuvendi i Taksimit” në të cilin u mor vendim që të organizohej një kryengritje e përgjithshme kombëtare, për çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Perandoria osmane.

Ndaj, nga Stambolli, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në Atdhe, në mënyrë që të niste sa më parë përgatitjet për organizmin e Kryengritjes, kurse Ismail Qemali do të ndërmerrte një udhëtim të gjatë nëpër kancelaritë Evropiane për marrjen e pëlqimit të tyre dhe përfitimin e mbështetjes për Shtetin e ri Shqiptar, pavarësia e të cilit parashihej të shpallej po atë vit.
Ishte koha kur Bajram Curri vepronte në Shkup, prej nga mbante lidhje të ngushta me të gjitha qendrat e vendit, dhe me tu njoftuar nga Hasan Prishtina për vendimin e marrë në “Kuvendin e Taksimit”, Shkupi do të kthehej në epiqendër të veprimit kombëtar, ku pa vonuar, ai me bashkëpunëtorët e tij do të formonin “Komitetin për Shpëtim” i cili kishte për detyrë organizimin e kryengritjes në të gjitha trojet shqiptare.
Për këtë qëllim,mbështetur edhe nga gjeneralët e tij,Bajram Curri, Isa Buletini, Zeqir Halili, Bajram Daklani e shumë prijës të tjerë të dalluar kryengritjesh,me nismën e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, do të mbahej Kuvendi i Junikut,ku do të vendosej për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Menjëherë pas vendimit për nisjen e luftimeve, forcat kryengritëse, nga maji deri në fillim-gushtin e vitit 1912 do të çlironin shumicën e vendbanimeve më të mëdha dhe qytetet kryesore shqiptare.
Sukseset e një pas njëshme të Luftës së Përgjithshme, nxitën krerët e kryengritjes me në krye Hasan Prishtinën, që më 9 gusht të vitit 1912,ti paraqisnin Memorandumin e fundit komisionit qeveritar xhonturk, me një ultimatum prej 48 orësh, për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve, para se kryengritësit ta çlironin edhe Shkupin.

Megjithatë qeveria kryeneçe xhonturke, nuk do tu kthente asnjë përgjigje atyre, ndaj luftëtarët shqiptar, tanimë të grumbulluar në Ferizaj, ndërmorën të gjitha masat e nevojshme paraprake për çlirimin përfundimtar të kryeqytetit të atëhershëm të Kosovës.
Me vendimin e Hasan Prishtinës,plani për çlirimin e Shkupit, do ti besohej Bajram Currit, ai ishte gjenerali që njihte më së miri kryeqytetin e Dardanisë, secilën pjesë dhe çdo rrugë e rrugicë të tij, ndaj pas çlirimit të Prishtinës, Bajram Curri me 6000 luftëtarë, ishte vendosur në Ferizaj, dhe priste sinjalin nga Hasan Prishtina për nisjen e sulmit.

Kurse për “Bajraktar” dhe arkitekt të ngritjes së Flamurit mbi Shkupin e lirë, ngjarjes më madhore që pas rreth 5 shekujsh sundimi turk,pritej të ndodhte ato ditë, zgjodhi Bajram Daklanin, i cili siç e thoshte edhe kënga; “ai e kishte adet, nga një Qaush me vra për vjet”, njëri nga prijësit më të besueshëm të kryengritjes, në radhët e udhëheqësve që kishin mësy Kryeqytetin Dardan.
Bajram Daklani, si udhëheqësi kryesor i luftës nga Krasniqja e Reka,bënte pjesë në grupin e rangut të prijësve madhor të kryengritjes së përgjithshme kombëtare, ndaj, Bajram Curri personalisht, do ta pajiste atë me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve, me detyrën që të hynte i pari nga të parët në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkup.
Kështu edhe do të ndodhte kur më 12 gusht të vitit 1912,në krye të 200 bashkëluftëtarëve pararojë, nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës, ku edhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores.

Ndërsa Hasan Prishtina dhe udhëheqësit kryesor të kryengritjes; Bajram Curri, Isa Buletini, Idriz Seferi, Mehmet Deralla, etj., nga 13 gushti do të arrinin njëri pas tjetrit në Kryeqytetin Dardan, në të cilin do të vërshonin mbi 30 mijë luftëtarët shqiptar nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, anipse shumica nga ta, pa armatim të duhur apo edhe vetëm me nga një thikë a kobure në brez, por ushtarë të vendosur të cilët kishin vendosur të luftonin me të gjitha mjetet, për çlirimin e vendit të tyre. 

Pas çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, Udhëheqja Shqiptare e luftës, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur fanatik të Perandorisë së shuar osmane, pushtueses së kamotshme të shqiptarëve.

Kurse Bajram Curri, pasi mori postë-telegrafin, ai me bashkëluftëtarët e tij, liroi nga burgu edhe rreth 1000 të burgosurit shqiptarë, të mbyllur pa të drejtë nga xhonturqit atje, qysh para çlirimit të vendit.
Pas çlirimit të Shkupit si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, do të trazohej e gjithë qeveria xhonturke, madje kjo ngjarje historike për kombin dhe popullin shqiptar në tërësi, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm të Perandorisë osmane, Seid Pasha-in, nga pushteti perandorak.

Fatkeqësisht, suksesit të kryengritësve shqiptar, nuk do tu gëzoheshin si pushtuesit otoman,ashtu edhe Rusia si dhe vendet hegjemoniste përreth, me ç ‘rast, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, një rus, një anglez dhe një austriak.

Ata, në vend të urimit për çlirimin e vendit, do tu dorëzonin shqiptarëve një ultimatum, me të cilin kërkonin ndalimin e të gjitha luftimeve, çarmatosjen e menjëhershme dhe demobilizimin e të gjithë kryengritësve, me arsyetimin se shqiptarët do ta kishin të drejtën e gjuhës dhe shkollimit, por nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë me forcën e armëve.
Hasan Prishtina me gjeneralët e tij, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin etj, do të ngulnin këmbë në të drejtën e çlirimit të vendit dhe formimin e shtetit kombëtar, siç kishin vepruar edhe popujt tjerë më përpara.
Ndaj ,sipas historianit Dr. Hakif Bajrami, në Shkup dhe rrethinë për 4 ditë me radhë, do të thirrej gjendja e jashtëzakonshme, kohë kur pas ndërrimit të kryeministrit turk, më 18 gusht të vitit 1912 do të arrinte edhe përgjigja e qeverisë perandorake, sipas së cilës, do të pranoheshin,12 nga 14 pikat e parashtruara në emër të popullit shqiptar, nga Hasan Prishtina.
Me këtë vendim, mjerisht vërtetohej edhe një herë më tepër se edhe në momentet e fundit, kur Perandoria otomane jepte shpirt, turqit ende refuzonin njohjen e kombit tonë dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë së tyre, tashmë në grahmat e fundit të vdekjes.
Dy pikat e refuzuara, ishin kërkesat për njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit. Ato ishin kërkesat kryesore dhe kishin domethënie të veçantë për ardhmërinë e Shqipërisë dhe Popullit Shqiptar në përgjithësi, për të cilat, më shumë se për gjithçka tjetër kryengritësit gjatë gjithë kohës kishin luftuar dhe ishin përpjekur pa reshtur duke dhënë çdo gjë nga vetja. Ndaj, mospranimi i tyre vinte tërësisht në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan.

Madje “mikja jonë e madhe“Turqia, “dashurinë” e saj të pashuar për popullit tonë e ka ruajtur pothuajse të njëjtë si dikur, të plotë dhe të pa lëkundur qysh nga shekujt e gjatë nën pushtimin e saj. Ajo, nga atëherë,nuk ka ndryshuar fare mendje as qëndrim ndaj këtij kombi dhe njëjtë si para shumë shekujsh, as tani nuk ua njeh gjuhën as pranon kombësinë miliona shqiptarëve, të cilët ende, edhe sot e kësaj dite, ndoshta si i vetmi popull në Turqi dhe rajon, jetojnë pa të drejta kombëtare dhe pa asnjë shkollë të vetme në gjuhën e tyre.

Perandoria turke edhe në muajt e fundit të vitit 1912,dhe pothuajse fundin e vet ekzistencës si perandori, në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin tonë të Pavarur, vazhdonte edhe më tej, me kokëfortësi të deklaronte se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj.

Ndaj, pretendimi turk mbi trojet tona, u kthye në fatkeqësi për shqiptarët dhe pretekst për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, në emër të “çlirimit” të popujve ortodoksë nga shteti “osman” të ndihmuara poashtu nga Rusia ,në tetor të vitit 1912, do ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.
Atëbotë, edhe të ashtuquajturat Fuqi të Mëdha si Rusia dhe Franca nuk pranonin krijimin e asnjëfar shteti shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, kurse Anglia dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur në hapsirat e kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan.
Ndaj, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, gati sa heshtën fare.
Kurse pas një viti, po ato do ti shpërblenin -jo shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona të pushtuara që më parë duke pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre, si gjysmë-shteti shqiptar, sipas vizatimit famoz më datën 29 korrik të vitit 1913, nga ambasadorët e Fuqive vendimmarrëse në Konferencën e Londrës.

Megjithatë, që nga koha e shpalljes së Pavarësisë u dashtë shumë mund e përpjekje, madje edhe luftëra të brendshme e të jashtme për mbrojtjen e këtij shteti edhe aq sa ai ishte, nga armiqtë e shumtë të cilët synonin zhdukjen e tij.

Madje, edhe përpjekjet e brendshme pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë historisë nuk do të mjaftonin pa ndërhyrjen e tyre ,siç ishte rasti me mbështetjen e vendosur të Presidentit Wilson Widrow në konferencën e Paqes më 1919 në Parisë, kohë kur ende tentohej copëtimi edhe i asaj pjese të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë londineze.
Kontribut të madh në këtë drejtim do të ipte Vatra në Amerikë e cila nga atje me zjarrin e pa shuar kombëtar, ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve me përpjekjet e saj, jo vetëm duke zhvilluar fushatën e mirënjohur nga qershori i vitit 1917, për shpëtimin e Atdheut gjatë luftës së parë botrore, por edhe duke lobuar deri tek kryetari Amerikan Winston Wodrow.
Kohë kjo- kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi me Presidentin Winston dhe premtimet e tij për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me dëshir dhe besim këndohen nga shqiptarët kudo:
“Mbahu Nëno mos ke frikë
Se ke djemtë në Amerikë”.
Megjithatë,Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Botërore kërkonin rishikimin e kufijve dhe ndarje të reja në Ballkan, ndaj në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës,Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston,në emër të shqiptarëve edhe Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar ende të pa mëkëmbur si duhet, i cili rrezikohej me copëtime të mëtejme,nga Greqia dhe Italia që tanimë kishte pushtuar Vlorën.
I entuziazmuar nga përpjekjet e pareshtura kombëtare, patrioti Sotir Kolea,në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila botohej në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante;populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.
Kështu që,festa jonë-28 Nëntori, përveç si festë gjithëkombëtare, është edhe një ditë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë ndaj mikes tonë të madhe- SHBA-s, me falënderimet më të mira,si për Presidentin e28-t, të saj, Winston Wodrow, i cili më 1919 në Konferencën e Versajës, mbështeti vendosmërisht Shqipërinë dhe garantoi ekzistencën e saj,ashtu edhe për Presidentin Bill Klinton dhe George W. Bush, si dhe Shtetin mik të Amerikës në përgjithësi.
SHBA edhe në kohët më të reja ndihmoi Dardaninë e vjetër dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga tërbimi serb,e cila në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i vitit 1999, gjunjëzoi Serbinë dhe detyroj tërheqjen e saj si okupatore nga Kosova.
Poashtu,edhe mëvetësinë Kosova do ta arrinte vetëm pas deklarimit të Presidentit Amerikan George W. Bush,me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007, në Shqipëri, i cili garantoi të gjithë shqiptarët, se ajo së shpejti do të jetë e pavarur.
Ndaj, 28 Nëntori,ashtu siç është një festë gëzimi për të gjithë ne, është edhe një ditë falënderimi me pietet për miken më të madhe të popullit tonë-SHBA-t, si dhe një datë kujtimi për të gjithë ata të cilët që nga vitit 1878,e këtej luftuan për lirinë dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, mbajtën gjallë shpresat e tyre se një ditë edhe ne do të jetojmë në një shtet të pa varur dhe të përbashkët kombëtar,duke dhënë jetën dhe sakrifikuar çdo gjë nga vetja që ne sot të jetojmë të lirë. Gëzuar!

Gani Bajram Qarri,28 Nëntor 2014 Cyrih

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qarri, Ngritja e Flamurit, Shkup-Vlore

Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës!

November 27, 2014 by dgreca

Gëzuar festën e flamurit, Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës!/
Shkruan: Faik KRASNIQI*
Flamuri shqiptar – shqiponja dykrerëshe e zezë në sfondin e kuq – është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.
Pas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më së shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.
Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej – si u tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.

Emine Krasniqi- Marigona e Kosovës!

Familja jonë mburret që i kemi dhënë kombit me dhjetëra dëshmorë dhe dhjetëra të burgosur politikë. E një ndër ta është edhe Heroina Shqiptare, Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës, që më 1956 qëndisi flamurin kombëtar ( ku atëbotë ishte e ndaluar për shqiptarët e Kosovës), për të cilën gjë vuajti burgim të rëndë bashkë me bashkëshortin Osman Krasniqi( axha im) dhe dhjetëra shokë të idealit!
Mburremi dhe jemi krenar që e kemi -Heroinën e gjallë Shqiptare-Emine Krasniqi- Marigona e Kosovës! Gëzuar festën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë, Marigonë e Kosovës! Veprat dhe sakrificat e tua për çështjen kombëtare, na bën krenar jo vetëm familjen tonë, por gjithë kombin shqiptar! Jemi krenar me ty! Rrofsh sa malet e Shqipërisë Natyrale!
*Faik Krasniqi, analist nga Prishtina, bashkepunetor I Gazetes Dielli

Filed Under: ESSE Tagged With: Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës!, faik Krasniqi

Nëse po zyrtarizohet koalicioni LDK-PDK, pse u mbajtën zgjedhjet në Kosovë?

November 27, 2014 by dgreca

Nga Asllan DIBRANI/
Zgjedhjet në Kosovën e sivjetme ishin dramatike. Nuk ndryshuan nga ato paraprake . Këtu shihet civilizimi ynë se ne ç’shkallë të kulturës jemi dhe sa jemi atdhetar . Monotonia e takimeve të përditshme në fushatën parazgjedhore . U harxhuan me miliona euro në Kosovën e varfër. Liderët karrierist të njëanshëm shanë dhe derdhen gur e dru mbi njeri tjetrin , gjatë fushatës, nga e cila erdhën në ditën e fundi. Pas shumë e streseve dhe manipulimeve u mbajtën ato procese me rezultate monotone me prononcime dhe akuza të ndërsjella për manipulime, vjedhje votash shantazhime dhe keqpërdorime zyrtare!?. Zgjedhjet zgjaten me muaj me “fitimtar”se cili ne vete ma në fund PDK-ja u shpall fituese me njëqind e një pyka në koalicione me pakica e me parti të pa kurrfarë vlere ma shume fetare se sa kombëtare dhe nacionale!!!???…Zgjedhjet nuk sollën fitimtar me të drejt themelimi të qeverisë .U bënë blloqet partiake me njëqind e njëmijë takime zyrtare me kryetaren e Kosovës , me zyrtar të huaj , me njeri tjetrin etj. U takuan në forma të fshehta e gjysmë të fshehta zyrtare e jo zyrtare , në kafe e në hotele rrallë në kuvend. LDK-ja në koalicion me “Vetëvendosjen , Nismen dhe partine e Ramush Haradinajt” lidhen një marrëveshje edhe u betuan në mes veti qe do ta shpëtojmë vendin nga harambashët e “Qeverise Thaqi” siç deklaruan me qindra herë. Lidhen besa-besën me dhjetëra herë që do të jenë unike , por një ditë ajo u thyer nga LDK-ja në krye me Isa Mustafen nga e cila siç duket po zyrtarizohet koalicioni LDK-PDK. Lind pyetja a thua pse u mbajtën zgjedhjet në Kosovë kur një qeverisje të tillë e patëm ? Korrupsioni ,skamja dhe mjerimi vazhdon , Varfëria po rritet. Pasiguria po ashtu?.Kosova po zbrazet edhe në sytë e botës përmes Beogradit!!! Po boshatisen fshatra të tëra për të gjetur një perspektivë ma të mirë . Stallat e Evropës po mbushen me shqiptarët e Kosovës pa kushte ne forma ma të mjerueshme!.. Luftëtarët dhe ish të përndjekurit politik nga regjimi ish jugosllav po zhgënjehen !!!A thua një qeverisje e tillë do të jetë edhe një barrë e re në shpinën e popullit edhe për katër vjet???.Edhe nëse do të bëhet dhe do të formohet qeveria në mes të LDK-së dhe PDK-së s’do të lënë fort përshtypje që do të jetë e qëndrueshme dhe e shëndetshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Kosove, Perse u mbajten, zgjedhjet

VELIU BROTHERS DOCUMENT THE TRUE STORY OF HASAN PRISHTINA AND DONATE LAND FOR MUSEUM (KULLA)

November 27, 2014 by dgreca

VELIU BROTHERS DOCUMENT THE TRUE STORY OF HASAN PRISHTINA AND DONATE LAND FOR MUSEUM (KULLA)/
Photo: Oldest living relative of Hasan Prishtina, Hakan Berisha, 86 and left to right: Bahri Veliu, Ferki Veliu, Bastri Veliu and Nazmi Veliu, create a ‘living archive’ of Prishtina’s artifacts – many not seen by the public./
Hakan Berisha, oldest living relative to Albania’s famous patriot, is the keeper of Hasan Prishtina’s private documents, medals, and personal artifacts that his father left to him that had been in the family for the past 120 years. Berisha invited the Veliu Brothers for a private showing of these artifacts and shared the story of each medal, photo, maps and personal documents. For example, the Pasha medal placed on Hakan’s right shoulder in the photo above (and is shown being worn by Hasan Prishtina in an original archive photo) represents one of the highest honors given to this national hero.

Filed Under: Kronike Tagged With: DOCUMENT, FOR MUSEUM (KULLA), Hasan Prishtina, THE TRUE STORY OF, VELIU BROTHERS

“TURQIA NA NXORI NGA EUROPA…

November 27, 2014 by dgreca

ENVER HOXHA NA NXORI NGA KENJA NJERI !”…/
Ne Foto:“ARKIVI I HARRESËS”/
Nga Fritz RADOVANI/
■Këte libër me titull “ARKIVI I HARRESËS”, Ua kam kushtue Ejllorëve të Drishtit…
Atyne Paraardhësve të mij që nuk “harruen” me na lanë Formulen e Pavdeksisë së Atdheut, Fesë, Gjuhës, Historisë Kombtare, po, dhe të gjithave bashkë, të vulosuna me Gjakun e Popullit Shqiptar në luftat për Liri dhe Shqipni Europjane, nën drejtimin e Mbrojtësit të qytetnimit Europjan Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, – nën valvitjen e Përjetëshme të Flamurit tonë, me Shqipen Dykrenare, Flamur të cilit, i këndoi për shekuj të shekujve Poeti ynë kombtar At Gjergj Fishta O.F.M., që në vitin 1913…
■Një Popull ndër ma të vjetrit n’ Europë, i sulmuem për me u shfarosë ndër shekuj…
■Një Popull i rrethuem me heshta dhe i gjuejtun me topa ndër shekuj…
■Një Popull i Pathyeshëm me mburojen e Kastriotit nga armët e anmiqëve shekullor, edhe pse pa bukë, pa ujë, dhe pa asnjë ndihmë në Botë, po me Histori Legjendare!
■Një Popull ku, që në Shekullin e Parë mbas Krishtit, Luftoi dhe Fitoi per “Atdhé e Fé”!
■Një Popull që ma shumë ka Kështjella e Kisha, të “rrethueme” dhe të mbytuna në Gjakun e Mbrojtësve të Tyne, se gjithë bota që e rrethon me mëni e pabesi…
■Një Popull që i dhuroi Botës, mija e mija Martirë që me Gjakun e Tyne të Shenjtë, vune thëmelet e Qytetnimit Botnor, në kontinentin Europjan… Lè të flasin Arkivat!
■Një Popull i robnuem nga romakët, bizantinët, turqit, bullgarët, malazezët, serbët, grekët, italianët, holandezët, austro – hungarët, kroatët, gjermanët, jugosllavët, rusët, kinezët, dhe gjithnjë në Shek. e XX, i shitun nga tradhëtarët… Po, asnjëherë i tjetërsuem!
■Të gjithë zaptuesit barbar luftuen për tjetërsimin e Fesë, gjuhës, historisë, zakoneve dhe dokeve Shqiptare, e ma shpesh se kurrë, për shkombtarizimin tonë… Ikën me faqe të zezë, ashtu si erdhën, pa mujtë me ba një “fshat”, me folë me gjuhën e tyne!
■ “Turqit, jo vetëm, na detyruen me ndrrue Fé, po ma e keqja asht se, edhe na nxorën nga Europa.”, kështu, thonte 72 vjetë përpara historiani e gjuhtari i madh Mustafa Kruja.
■Hoti e Gruda i treguen besnikinë e vet “Lidhjes së Prizrenit” me 6 Prill 1911, po, Gjaku i Atyne Burrave të vramë për Atdhé nën drejtimin e Shtatorës Pavarsisë sonë kombtare, Dedë Gjo’ Lulit, a thue brè Burra, me të vërtetë ka shkue “gjakhuptë” ?!
■U shuen Mësuesit e Parë… U shuen Shkollat e Para… U shuen qytete, fshatra, varreza, përmendore e kompanjela… U shue edhe “Lahuta” shekullore… U shue… “gjithshka” !!
■Por jo, Varri i Gjergj Kastriotit…Përkrenaria e Shpata e Tij Heroike… As Mburoja e Tij! ■Janë vllazen Shqiptarë, janë… Se Zoti, kurrë, nuk humbë Kreatyren e Vet Hyjnore!..
***
■E vetëm frika e një “Lidhjes së Ré” në Lezhën e 1468, në vitin 1941 çoi tradhëtarët tanë, në idenë antinjerzore të zhdukjes së Shqipnisë…Këte herë edhe nga harta e Ballkanit…
■Me 8 nandor 1941, tradhëtarët e Atdheut, ua shitën Shqipninë shovenistëve sllavë, bash bolshevikëve të Titos, “besnikut” të kriminelit Stalin, shfarosës i miljona njerzëve që zhduku nga harta “ndjesitë ma të nalta njerzore”, ndër gulagët e paharrueshme të Rusisë sovjetike! E Europa… shikonte me andje në foto “Takimet e Teheranit dhe të Jaltës…”
■Me 29 nandor 1944, Gjaku i Vllazënve të Jugut, vazhdoj rrëkajen edhe në Veri…
■Që në 21 prill 1943, komunistët jugosllavë formuen “Sigurimin e Shtetit” në Shqipni, (Sherbimi Sekret) instrumentin ma kriminal, gjakatarë, tradhëtarë, vrasës, amoral, ku torturat, policët, agjentët e Sigurimit, pushkatimet, shpifjet, terrori, huni, dhuna, krizmat e automatikëve, survejimi, mashtrim, padija, shnderim, përdhunim e poshtnim, pra një GJENOCIT, që jo vetëm sundoi për 50 vjetë një Popull, tue rrafshue përtokë gjithshka të mirë e njerzore por, shka asht ma e keqja që provoi Shqiptari në fundin e Shek.XX, até që nuk e ka njoh as provue asnjë Popull tjetër në Histori moderne kje se: Komunizmi anadollak ishte mjeti me të cilin Enver Hoxha na nxori nga kenja Njeri!
■Një Popull rreth 1 miljon banorë, i mbytun në gjak nga armët e “çlirimtarëve” tanë, me 29 nandor 1944, rreth orës 5 të mengjesit, do të pranojnë robninë komuniste të Titos, që ngriti flamurin e dhunuem me yllin e kuq bolshevik, në kompanjelin e Fretenëve në Shkoder, pikrisht, aty ku At Fishta me 13 Qershor 1913… Vuni Flamurin e Kastriotit…
■Dhe për të festue “çlirimin” e Shqipnisë, ashtu si kudo kanë vue kambën komunistët, perballë Bashkisë qytetit… Qamil Gavoqi, shprazi armët “trofe” mbi kokat e Shqiptarëve që nuk u pajtuen me okupacionin jugosllav të Shqipnisë… Gjithkah gjakderdhje!
■Vrasje e tretje kufomash në Malësi… Vritet Prek Cali e rrethohen Bjeshkët e Nêmuna, me kriminelë sllavë e malazezë…118 Burra të vramë. E poshtë mbas malit Taraboshit, presin tjerët me la në gjak Berdicë e Anën e Malit, ku qendronte ballisti Abaz Ermenji.
■Vrasje në Hot e Grudë… Vrasje në Male… Vrasje nder qytete… E rreshti i pafund i kosovarëve të premë në besë nga tradhëtarët tanë partizanë, nga Kukësi e deri në Tivar lau me gjak Veriun… Pikrisht nga “herojt e popullit” që sot kerkojnë prap gjakderdhje…
■Tradhëtohen Malësi e fusha, Dukagjin e Kosovë, Pukë e Mirditë, Mat e Elbasan… tue pritë zbarkimin e “Aleatëve”, siç thonte Populli ynë dikur: “Prit gomar sa të dal bar…” è
■Përhapet lajmi i “dorëzimit armëve” e fillon shburrnimi i Malëve, për me ua lirue rrugën pushtuesëve jugosllavë e çlirimtarë, “trima të qitun me yll në ballë!”
■Dhunohet Flamuri dhe Hymni i Tij… E kanga vazhdon bash sikur në vitin 1927…
■Dhunohen shkollat e mbi tryezat e Mësuesit hiqet Gjergj Kastrioti, me vue Titon…
■Dhunohen institucionet zyrtare shtetnore, në çdo zyrë ligjin e bajnë specialistët e Titos, ndërsa, ndër hetuesi përballë “druzhe bolshevikut e çlirimtarit”…Dhunohet Atdhetari!
■Gra, burra, fëmijë, pleq’e të rijë, karvan me nga një strajcë plaçka në shpinë nisen për mos me u kthye kurrma ndër Trojet e veta… Me 15 Maji 1945 fillojnë interrnimet…
■Fshatari “kryenaltë” që mori pushtetin, tue pritë “reformen agrare”, fillon me boshatisë kotecat me bereqetin e vet… Për me ua dergue “popujve vëllezër” të Titos, bashkë me mallin e tregëtarëve të Pazarit Vjetër të Shkodres, që ua kanë premtue per “robninë” që na sollën shegertat partizan me yllin e tyne në ballë! Napolonat ar i duhen Enverit!
■E në darkë ndër sofra… përplasen gotat e rakisë: “Të na rrojë Tito, Stalini e Enveri!”
■Stajanicat e shkreta, a me ua çue një strajcë bukë e pak duhan Burrave ndër shpella, apo me ngopë me mish e pije vagabondat e ndjekjes, që përshndetën për vrasjet e Burrave të Tyne në pabesi, vetëm për me ua ba qejfin sllavit vrasës shekullor.
■Çohen gotat me raki e venë: “Tradhëtarëve plumbin ballit”!.. E në ballin e vet, secili rregullon kapelën partizane “Ushtarët e Stalinit jemi né!”…
■Tek Ura e Bregut të Lumit… Partizani “hero” Xhemal Selimi, vazhdon me thye arrat mbi kokat e Burrave të pushkatuem të Maleve të Dukagjinit…
■Ku janë Emnat e Atyne Burrave që tue pritë ndër shpella Aleatët… U vranë!? Ku janë gropat e herojve Prek Cali, e 118 Burra të Kelmendit, Gjergj Vata, Ndoc Jakova, Gjelosh Luli, Ymer Berisha, Marije Shllaku, Gjergj Martini, Kol Parubi, Kolec Deda, Pjeter e Marije Deda, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Mark e Llesh Gjomarkaj, Rasim Gjyrezi, Fahri Rusi, Pjeter Pali, Bilbil Hajmi, Gaspër Simon Gaspri, Simon Darragjati, Murat Haxhija, Guljelm Suma, Qemal Dreçini, Kol Prela, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Zef Kol Prela, Fisi Mirakaj, Alush Leshanaku, Hamid Matjani, e mija të tjerë…të humbun?
■Po, me Nanat, gratë e fëmijët e Tyne shka u ba?
■Po, me sternipat kur u rritën ndër kampe interrnimi si veproi Partia e Enverit?
■Sa vetë u pushkatuen atëherë ndër Male, e prap mbas 20 apo 30 vjetësh ndër hetuesi e burgje, apo reparte ushtarake deri mbas vitit 1988 me akuza fallco…deri në shfarosje fisesh, tue u vazhdue “lufta e kllasave” edhe “me fëmijët në barkun e Nënës, që do ti bejmë me u drillur, kur të dëgjojnë fjalën komunist!”, ka thanë në 1946, në hetuesinë e Kishës së Fretënve kryexhelati i sigurimit Shkodres, krimineli Zoj Thëmeli…
■Po, sa u zhdukën me gjyq e pa gjyq ndër prroska, zallishta e brigje lumejsh… që edhe sot nuk u dihet Varri as vendi i groposjes vetëm, se ishte Atdhetarë?
■Ku janë Varret e të vdekunve ndër burgjet e Burrelit, Gjinokastrës apo Permetit?
Flisni, o vrasës flisni! Flisni o kriminelët e Vllazënve tuej të Pafaj!
■Veglat e komunistëve gjakatarë të mbledhun “grusht çeliku rreth PPSh” pranë Akademisë së Shkencave, me titujt “dr. prof. akademikë…” vazhdojnë porosinë sekrete të “mësuesit tyne” Enver Hoxhës e pasuesit Ramiz Alia, me arkivue dokumenta në Arkivin e Harresës. Sejcili, në mënyren e vet, VETEM punon me zhdukë të Vertetën!
■Vetëm të vramë, të mbytun ndër tortura, të zhdukun, të humbun ndër interrnime…
SOT, NË SHQIPNI, NGA RREGJIMI KOMUNIST I ENVER HOXHËS, SHIFRA ASHT MBI 50.000 VIKTIMA, NDËRSA, SHIFRA E TË BURGOSUNVE DHE TË INTERRNUEMËVE I KALON MBI 500.000 VETË… NJË GJYSË MILJONI… SHQIPTARË… SOT, PRESIN “RILINDJEN” E KOMUNIZMIT !
■Mos e harroni fjalën e vjetër: “Më thuej se i kujt jé, se po të tregoj kush jé!”
***
■I VETMI VEND I KOMUNIZMIT BARBAR NË EUROPË: SHQIPNIA MARTIRE, NUK KA ASNJË KRIMINEL PËR ME DËNUE TASH 70 VJETË KRIME, VRASJE DHE KORRUPSION, NJË VAZHDIMËSI E TURPËSHME DHE KRIMINALE !
■Këta bisha me fëtyrë “njeriu”, me 29 nandor 2014, “festojnë” 70 vjetorin e turpit të TRADHËTISË NDAJ POPULLIT SHQIPTAR DHE ATDHEUT.

■“ARKIVI I HARRESËS” VAZHDON ARSHIVIMIN E DOKUMENTAVE …
■Edhe pse “harresa” po vazhdon me shkatrrue kujtesen e Rinisë Shqiptare…
SOT, në pragun e Festës së Flamurit Kombtar të mbarë Shqiptarëve kudo që janë…
U kujtoj, thanjen e Trimit Hero të Selcës Don Dedë MALAJ, me datën 27 Prill 1959,
para terroristëve komunistë të Enver Hoxhës, në kinema “Republika” në Shkodër:
“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944,
DHE KA ME VAZHDUE DERISA… TË MBAROJË KOMUNIZMI !”
* Pjesa e V nga cikli:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…/
Melbourne Nandor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enveri nga kenja, Fritz radovani, nga Europa, Turqia na nxori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4263
  • 4264
  • 4265
  • 4266
  • 4267
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT