• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE

November 3, 2014 by dgreca

Një material që e vlen të lexohet mendueshëm/
Rastësisht, midis materialeve të jetës sime, shumë prej të cilëve humbën në udhëtimin larg vendlindjes, rrugëve të mërgimit të detyruar, në një dosje gjeta dy nga tre leksionet që në vitin 1981, në kohën kur gjakosej Kosova nga serbosllavët në agoninë e shpërbërjes së Jugosllavisë. Fjala është për dokumentin “Shpërngulja e Arnautëve” dhe një studim për gjenocidin e pashembullt serbosllav ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, shqiptarëve në Kosovë, Serbinë e Ngushtë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Materiali i tretë me pasuritë e mëdha ekonomike të Kosovës, panoramë e një vendi që këto pasuri po të viheshin në hulli të popullit do ta bënin Kosovën një nga vendet më të begata të Evropës, më ka humbur.
Prej asaj kohe ruaj një bllok shënime të veçanta për Kosovën marrë nga libri i Hivzi Islamit “Popullsia e Kosovës”, libër në fondin e bibliotekës “Haki Stërmilli” të Peshkopisë, si dhe të dhëna të tjera të asaj kohe.
Të tre materialet janë lexuar para popullit të mbledhur në të gjithë fshatrat e Dibrës, në brigada e sektorë pune, që asokohe ishin në gatishmëri për gjithçka.
Ishte koha kur dibranët, të lidhur ngushtë në gjak e në marrëdhënie ekonomike me Kosovën e viset e tjera shqiptare ndarë me sëpatën e kasapëve të Londrës, si edhe të gjithë shqiptarët, e jetonin me ankth atë çka ndodhte në Kosovë dhe ishin me shpirt e zemër atje.
Referati “Shpërngulja e Arnautëve” është plan gjenocidi dhe shpërnguljeje masive i antishqiptarit të madh Vaso Çubrilloviçi.
Po kush është Vaso Çubrilloviqi?
Dr. Vaso Çubrilloviçi ka lindur në vitin 1897. Qysh në vitin 1914 ka qenë anëtarë i organizatës “Bosnja e re”. Si anëtar i kësaj organizate nacionaliste serbe më 23 gusht 1914, në Sarajevë të Bosnjës, merr pjesë në atentatin për vrasjen e trashëgimtarit të fronit austriak Franc Ferdinandit.
Që nga viti 1930 ka qenë asistent docent dhe profesor në fakultetin filozofik të Beogradit.
Më 7 mars 1937, në Beograd, i paraqet Klubit Kultural Serb planin në formë referati “Shpërngulja e arnautëve” (shqiptarëve) i cili u miratua nga ky institucion dhe u konsiderua si platforma, programi më i përpunuar për ç ‘kombëtarizimin, kolonizimin e serbizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.

Dr. Vaso Çubriloviç ka qenë këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore
Referati “Shpërngulja e arnautëve” origjinali i të cilit ruhet të Institutin Ushtarako-historik XI”, siç do ta lexoni në 19 faqet e tij mbyllet me shprehjen e egër…politikën tonë të kolonializmit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim konkluzione dhe të shpejtojmë derisa akoma ka kohë të korrigjohemi…
Abdurahim Ashiku, 20 tetor 2014
SHPËRNGULJA E ARNAUTËVE
Problemi i shqiptarëve në jetën tonë nacionale e shtetërore nuk është i tanishëm. Ky problem ka luajtur një rol të madh në mesjetë, por mori rëndësi vendimtare nga fundi i shekullit të 17-të, në kohën kur masat serbe u shpërngulën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Rashkës dhe në vend të tyre u vendosën malësorët shqiptarë. Ata gradualisht zbresin nga malet e tyre dhe vendosen në fushat pjellore të Metohisë dhe Kosovës dhe, duke depërtuar në veri, përhapen në drejtim të Moravës Jugore e Perëndimore, nëpërmjet maleve të Sharit zbresin në drejtim të Pollogut e prej andej në drejtim të Vardarit. Në këtë mënyrë, deri në shekullin e 19-të u krijua trekëndëshi shqiptar, i cili, duke u mbështetur në boshtin e vet Dibër-Rogozna në prapavijën e vet armike, u fut thellë deri në Nish dhe i ndau tokat tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe lugina e Vardarit.
Kjo politikë shqiptare e populluar me elementë anarshistë shqiptarë, në shekullin e 19-të pengoi çdo lidhje të fortë kulturore, arsimore dhe ekonomike midis tokave tona veriore e jugore. Kjo ishte arsyeja kryesore që Serbia vetëm më 1878, nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi të Shkupit krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë e të ketë atë ndikim kulturor e politik në Luginën e Vardarit ashtu siç pritej. Bullgarët, megjithëse më vonë e filluan jetën shtetërore se sa serbët, në fillim patën rezultate më të mira. Këtë pykë shqiptare filloi ta copëtojë Serbia qysh në kryengritjen e parë, duke i dëbuar banorët më verior shqiptar që nga Jagorina.
Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar e kishte për detyrë ta shpartallojë shteti ynë i sotshëm nga 1918 e këtej, por ai nuk e bëri këtë. Janë disa arsye për këtë, por ne po përmendim vetëm ato më të rëndësishmet:
1.- Gabimi themelor i funksionarëve kompetentë të asaj kohe, është se në Ballkanin e shqetësuar e të përgjakur, deshën që zgjidhjen e çështjeve të mëdha etnike ta arrijnë me anën e metodave perëndimore. Turqia solli në Ballkan zakone të marra nga Sheriati, sipas të cilit me fitoren e luftës dhe pushtimin e një vendi, fitoret e drejta mbi jetën dhe pasurinë ndaj shtetasve të nënshtruar. Nga ata, edhe të krishterët ballkanas mësuan se fitohet me ndeshje jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe pasuria. Më 1912 e këtej, i kanë zgjidhur ose janë në rrugën e zgjidhjes të çështjeve të pakicave nacionale me anë të shpërnguljes, ne kemi qëndruar në metoda të ngadalta e të plogëta të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj ishin negative. Rritja natyrale e shqiptarëve është më e madhe se sa numri i përgjithshëm i rritjes sonë natyrale bashkë me kolonistët (nga viti 1921 deri më 1931 shtesa e shqiptarëve ka qenë 68.060 ndërsa e serbëve 58.745 frymë, ndryshimi është 9315 në favor të shqiptarëve). Duke pasur parasysh pjellorinë, rritjen e theksuar të shqiptarëve, si dhe konditat gjithnjë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky disproporcion gjatë kohës do të bëhet gjithnjë e më i madh, dhe në fund do të vejë në pikëpyetje edhe ato pak suksese kolonizuese që kemi arritur nga 1918 e deri sot.
2.- Edhe vetë mënyra e kryerjes së kolonizimit sipas metodës së përdorur nuk u zbatua si duhet. Më e rëndësishmja është se në një problem të tillë me aq rëndësi nuk ekzistoi një plan i caktuar shtetëror, të cilit duhej ti përmbahej e zbatonte çdo regjim. Punohej copë-copë, sot për nesër, çdo ministër prishte të vjetrën, atë të paraardhësit të tij, duke mos krijuar edh ai vetë diçka solide. Ligjet e rregullat ndryshoheshin, por edhe ashtu të dobëta nuk viheshin në jetë. Disa, sidomos deputetët, po të ishin nga vise të vjetra, kur nuk mund të fitonin mandatin në krahinën e vet, shkonin poshtë në Jug dhe kërkonin mandatin nga kombësia e tyre, duke sakrifikuar kështu interesat e mëdha nacionale e shtetërore. Aparati i kolonizimit qe mjaft i shtrenjtë, i fryrë dhe i mbushur me njerëz jo vetëm të papërgatitur nga ana profesionale, por edhe shpesh mendjemëdhenj e të paaftë, kështu që puna e tyre përbënte një pikëpyetje në vetvete.
3.- Edhe ato disa mijëra familje që u vendosën nga lufta e këtej nuk zunë rrënjë në vendin ku u vendosën. Në Kosovë pati sukses më shumë, sidomos në luginën e Llapit, ku topliçanët depërtuN VETË NGA VERIU NË JUG. Këtu janë kolonitë më të vjetra të përziera me elementë nga krahina tona të ndryshme, ndërsa në Drenicë e Metohi, si krahina më të qëndrueshme, nuk patëm sukses. Asnjëherë nuk duhet bërë kolonizimi vetëm me malazezë. Jo për shkak se ata janë element i keq kolonizues, por për arsye të prirjeve të tyre prej blegtori, sepse kjo ka të bëjë vetëm me gjeneratën e parë. Gjenerata e dytë është krejt ndryshe, më aktive dhe më praktike. Fshati Petrovë në Miroç, sipër Danubit, që është i banuar vetëm me malazezë, është fshati më i përparuar në Krajinë. Dhe sot, në Serbi, mund të gjenden me mijëra familje të përparuara, veçanërisht në Toplicë e Kasanicë, që janë malazezë të gjeneratës së parë dhe u përzien me elementë përparimtarë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Metohinë, ku mbështetja direkt me vatrën e vjetër bënë të mundur ruajtjen e zakoneve e shprehive të vjetra. Pikërisht për këtë arsye ka pasur kaq pak sukses kolonizimi në gjithë Metohinë. Duhet pranuar se të gjitha kolonitë kanë qenë vendosur mjaft keq, nëpër toka kodrinore me driza dhe jo pjellore, si dhe gati krejtësisht të të pa furnizuara me mjetet më të domozdoshme bujqësore. Ndërkohë ata duheshin ndihmuar shumë më tepër, mbasi janë koloni me elementin më të varfër malazez.
4.- Padyshim, shkaku kryesor i mossuksesit të kolonizimit tonë në ato vise ishte se tokat më të mira mbetën në duart e shqiptarëve. E vetmja mënyrë e mundshme e kolonizimit tonë në masë, në ato vise, ka qenë marrja e tokave shqiptarëve. Mbas luftës, në kohën e rebelimit dhe të aksioneve të komitëve, do të dëboheshin lehtë një pjesë shqiptarësh për në Shqipëri, duke uzurpuar e shpronësuar meratë e tyre të pa ligjëruara. Përsëri detyrohemi të kthehemi këtu në gabimin trashanik të konceptit tonë të mbas luftës mbi të drejtën e posedimit të tokës. Në vend që të shfrytëzonim konceptin e vetë shqiptarëve lidhur me pronësinë e tyre mbi tokën e uzurpuar dikur, gjë që rrallëkush prej tyre ka pasur tapinë e Turqisë dhe këtë mund ta kenë pasur vetëm për tokën e blerë, neve në dëmin tonë nacional e shtetëror, jo vetëm që ligjëruam të gjitha ato uzurpime, por akoma edhe më keq, i mësuam shqiptarët me idetë e Evropës Perëndimore mbi posedimin e pronës private. Në këtë mënyrë ua dhamë vetë këtë armë në dorë, me të cilën do të mbrohen, t’i mbajnë tokat më të mira dhe të na e bëjnë të pamundur nacionalizimin në favor tonë të viseve më të rëndësishme.
Nga gjithë këto që u tha më lart del se metodat e deritanishme të politikës tonë të kolonizimit në Jug, nuk kanë dhënë ato rezultate të cilat në të vërtetë duhesh t’i arrinim dhe tani qëndron si detyrë e jonë e madhe shtetërore. Këto metoda nuk i kemi kritikuar për hir të kritikës, por që në bazë të eksperiencës të gjejmë rrugët e drejta për zgjidhjen e kësaj çështje.
PROBLEMET E KOLONIZIMIT TË KRAHINAVE JUGORE
Ky bllok shqiptarësh për rreth maleve të Sharit është i një rëndësie të madhe nacionalo-shtetërore e strategjike për shtetin tonë.
Blloku shqiptar, nga ana ushtarako-strategjike, zë një pozitë nga më të rëndësishmet në vendin tonë, vend-shpërndarja e lumenjve ballkanikë në drejtim të Adriatikut, Detit të Zi dhe Egjeut. Mbajtja e kësaj pozite strategjike vendos, në një masë të mirë, fatin e Ballkanit qendror, sidomos fatin e komunikacionit të rëndësishëm ballkanik Moravë-Vardar. Nuk jamë të rastit zhvillimi shpesh herë këtu i luftërave vendimtare për fatin e Ballkanit, prandaj është detyrë imperativë për të gjithë ne që këto pozita kaq të rëndësishme strategjike të mos i lëshojmë që të na i mbaj në duar elementi i huaj dhe armik. Aq më tepër përderisa ky element ka mbështetjen e shtetit nacional të së njëjtës gjini. Ai sot është i pafuqishëm, por edhe si i tillë është bërë bazë e imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai synon të depërtojë në zemrën e shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjeti më i sigurt është elementi ynë, i cili do të dojë e do të dijë të mbrojë pronën shtetin e vet.
Mendoj përveç këtij blloku prej 18 rrethesh, shqiptarët dhe pakicat e tjera nacionale në krahinën jugore jetojnë të shpërndarë dhe prandaj nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë nacionale e shtetërore.
Kolonizimi nga veriu duhet pakësuar në krahinat e kolonizuara me Maqedoninë. Në këto krahina edhe tokë ka pak, janë krahina pasive dhe për këtë ata janë të ndjeshëm nga prurja e kolonistëve nga Veriu. Aq më tepër në këto veprime ata shikojnë me mosbesim tek ne. Është e vërtetë se edhe ai kolonizim i pakët, më tepër dëmton se sa sjell dobi. Nëse do të dërgohen poshtë, në jug të Malit të Zi, të Shkupit duhen çuar Vranjanët, Leskoviçanët, që afrojnë me ta në mentalitete dhe kulturë dhe në asnjë mënyrë Dinarikët me temperamentin e tyre të papërmbajtur, të ashpër e të padurueshëm, mbasi tek vendasit, me elementë të tillë shkaktohen të këqija dhe gjak.
Problemi i Sanxhakut të Novi-Pazarit po zgjidhet vetvetiu dhe nuk lot më atë rol për jetën tonë shtetërore, të cilën e luajti deri më 1912. Vetëm do të përmendim që me shpërnguljen e shqiptarëve, ndërpriten lidhjet e fundit ndërmjet myslimanëve tanë në Bosnjë e të Novi-Pazarit, si dhe me botën tjetër myslimane. Fakti që ata shndërrohen në
Përmbledhje pakicë fetare, e vetmja pakicë në Ballkan, do të shpejtojë nacionalizimin e tyre.
Kohët e fundit, Mali i Zi, u bë problem mjaft i rëndë, vend i varfër dhe nuk është në gjendje të ushqejë popullsinë e vet, por me gjithë shpërnguljet, ai nga viti 1912 e deri më 1931 u shtua 16 për qind.
Përmbledhje:
Shqiptarët është e pamundur të zmbrapsen vetëm me anë të kolonizimit gradual, ky është i vetmi popull që arriti gjatë një mijëvjeçarit të fundit jo vetëm të mbahet në bërthamën e shtetit tonë, Rashkës e Zetës, por edhe të na sjellin dëme, duke shtyrë kufijtë tanë etnikë në drejtim të veriut dhe të lindjes. Ndërsa kufijtë tanë etnikë në mijëvjeçarin e fundit shtriheshin në veri deri në Suboticë; në veriperëndim deri në Kupa; shqiptarët na shtynë nga krahina e Shkodrës, kryeqytet i dikurshëm i Budinovit, nga Metohija dhe Kosova. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror, gjë që ne kemi qenë gjithnjë mbi ta. Qysh nga 1912 e këtej nuk kemi pasur suksese në luftë me ta. Faji për këtë është i yni, mbasi këtë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet. Për ndonjë nacionalizëm të tyre në dobi tonë as që mund të flitet, por përkundrazi duke u mbështetur tek Shqipëria, zgjohej ndjenja e tyre nacionale e në se nuk do t’i qërojmë hesapet me ta, ose ia lemë kohës, për 20-30 vjet do të kemi një irredentizëm të tmerrshëm. Gjurmët e të cilit tashmë po duken dhe në mënyrë të pa evituar do t’i vejë në pikëpyetje të gjitha posedimet tona në Jug.
PROBLEMI NDËRKOMBËTAR I KOLONIZIMIT
Por të nisemi nga pikëpamja se ngushtimi gradual i shqiptarëve me anë të kolonizimit tonë të ngadalshëm është i pa efektshëm, atëherë na mbetet e vetmja rrugë, shpërngulja në masë. Në këtë rats kemi parasysh dy shtete – Shqipërinë dhe Turqinë.
Shqipërinë me popullsi të rrallë, me moçale të shumta ende të pa thara dhe lugina shterpë të pa sistemuara, do të ishte në gjendje të pranojë disa qindra mijëra nga vendi ynë. Turqia moderne me sipërfaqe të mëdha në Azinë e Vogël dhe Kurdistan, akoma të pabanuara e të papunuara, krijojnë mundësi të pakufizuara për kolonizim të brendshëm.
Më parë theksojmë se nuk duhet të kufizohemi në përçapjet diplomatike vetëm me Ankaranë, por duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve. Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, sepse Italia do të pengojë këtë proces, por të hollat luajnë rol të madh në Tiranë.
Turqia është dakord që, fillimisht, të pranojë rreth 200 mijë të shpërngulur tonë, duke cilësuar që këta të jenë shqiptarë, e kjo është forma më e pranuar për ne. Dëshirën e Turqisë duhet ta pranojmë me të dy duart dhe ta shfrytëzojmë sa më parë Konventën për shpërngulje. Gjatë shpërnguljes duhet studiuar konventa, të cilën ajo, vitet e fundit e ka përfunduar për të tilla çështje me Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, duke pasur kujdes në dy gjëra: nga ajo të kërkohet të pranojë një kuotë sa më të madhe, ndërsa nga ana financiare i duhet edhe një ndihmë sa më e madhe, sidomos për rregullimin e çështjes së transportimit sa më të shpejtë. Padyshim që ky problem do të ngjallë sadopak shqetësime ndërkombëtare, gjë që është e paevitueshme në këto raste. Në këtë rast tani mund e duhet punuar për përfundimin e një konvente me të për këtë problem. Në qoftë se nuk do t’ia arrijë qëllimit, atëherë të paktën të arrihet aq sa për çështjen e shpërnguljeve në Turqi të heshtin. E përsërisim se ndjeshmëria e veprimit në Tiranë dhe të hollat e përdorura në mënyrë racionale do të mund të luanin rol vendimtar në këtë çështje. Shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarësh nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore. Vetëm organet kompetente duhet të dinë se çfarë e nevojshme dhe të luftohet me këmbëngulje për realizimin e saj, duke mos u bazuar në pengesat e mundshme ndërkombëtare. Italia padyshim do të nxjerrë pengesa të shumta, por ajo sot është tepër e zënë me problemet e saj lidhur me Abisininë dhe Austrinë sa të goxojë të shkojë aq larg në kundërvënien e saj. Me thënë të drejtën rreziku më i madh qëndron në atë që mund të përzihen në këtë çështje aleatët tonë të mëdhenj Franca dhe Anglia. Në këtë rast, atyre u duhet përgjigjur me gjakftohtësi dhe vendosmëri, sepse është në interesin e tyre sigurimi i linjës Moravë-Vardar, gjë që u pa edhe gjatë luftës së madhe të fundit dhe kjo do të jetë më e sigurt për ne dhe për ata, vetëm atëherë kur ne do të sundojmë plotësisht këto vise rreth malit të Sharit e në Kosovë.
MËNYRA E SHPËRNGULJES
Tashmë kemi theksuar se është efikase vetëm shpërngulja në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. E që të arrihet një shpërngulje në masë, si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme, e cila mund të krijohet me shumë mënyra.
I.- Dihet që masa myslimane shumë shpejt i nënshtrohet influencimit, sidomos fesë, besojnë shpejt e me fanatizëm, prandaj në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e shqiptarëve të bëjmë për vete klerin e tyre dhe njerëzit me influencë, me para ose me shtrëngim. Duhet të gjenden sa më parë agjitatorët të cilët do të propagandojnë për shpërnguljen, mirë do të ishte që të na i jepte Turqia këta. Ata duhet të përshkruajnë bukuritë e viseve të reja në Turqi, jetesën e lehtë dhe të këndshme atje, të ndezin në masë fanatizmin fetar dhe tu zgjojnë krenarinë shtetërore turke.
II.- Mjet tjetër do të ishte shtrëngimi nga aparati shtetëror. Ai duhet të shfrytëzojë ligjet deri në fund, me mënyra që ta bëjnë sa më të padurueshme qëndrimin e shqiptarëve tek ne: gjoba, burgime, aplikime të kontrabandës, prerjen e pyjeve, përvetimeve, lëshimin e qeneve në oborret e shtëpive, të detyrojnë sa më shumë njerëz të punojnë angari dhe të merret çdo masë tjetër që mund të praktikojë një polici me përvojë; masa ekonomike, mosnjohja e tapive të vjetra, në punët e kadastrës në këto vise, duhen të përfshihen menjëherë vënia e taksave të pamëshirshme, detyrimi i shlyerjes së borxheve private e publike e kullotave shtetërore e komunale, zhveshja nga koncesionet, heqja e lejeve afariste për kafene, dyqane tregtare, marrja e lejeve për monopole, pushimi nga puna shtetërore, private, vetadministruese etj. Kjo do të shpejtojë procesin e shpërngulës; masa sanitare, zbatimi me dhunë i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpia, prishja e mureve dhe e gardheve rreth shtëpive, zbatimi rigoroz i masave veterinare gjë që do të pengojë nxjerrjen e bagëtive në treg, etj. Gjithashtu duhen aplikuar edhe masa praktike me efikasitet. Kur është fjala për fenë, shqiptarët janë shumë të ndjeshëm, prandaj edhe këtu duhet të preken. Kjo mund të arrihet me keqtrajtimin e klerikëve, me prishjen e varrezave, me ndalimin e poligamisë dhe sidomos me zbatimin e pamëshirshëm të ligjit për dërgimin e detyruar të vajzave në shkollat fillore kudo që ato ndodhen.
Edhe iniciativa private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Kolonistëve tanë, në rast nevoje, duhet tu shpërndajmë armë. Medoemos duhet lëshuar një valë malazezësh prej bjeshkëve që të shkaktojnë konflikte të gjera me shqiptarët në Metohi. Ky konflikt duhet të përgatitet nëpërmjet njerëzve të besuar, të nxitet dhe t’i jepet hov, në mënyrë që të krijohet një psikozë e vërtetë, sikur shqiptarët kanë ngritur krye dhe nga ana tjetër, krejt ngjarja duhet paraqitur me keqardhje si konflikt vëllezërish e fisesh dhe, në rast nevoje, mund t’i jepet karakter ekonomik. Në fund të fundit, mund të nxiten edhe turbullira lokale, të cilat do të shtypen në mënyrë të përgjakshme me mjetet më efikase, por jo aq me ushtri sa me kolonistë, me fise malazeze dhe me çetnikë.
III.- Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur në mënyrë shumë praktike pas vitit 1878 duke djegur ilegalisht fshatra dhe blloqe qytetesh shqiptare.
ORGANIZIMI I SHPËRNGULJEVE
Në hartën e bashkangjitur shihet se cilët rrethe duhet të shpërngulen.
Këto janë: Dibra e Sipërme, Pollogu i Poshtëm, Pollogu i Sipërm, Mali i Sharit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterna, Stavica, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Gjakova, Podgori, Gora, Podrimja, Gjilani dhe Kaçaniku.
Nga këto rrethe që së bashku përbëjnë pykën shqiptare për ne, aktualisht, më të rëndësishëm janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora (Dragashi), Shari, Podgori, Istogu dhe Drenica – në Veri të malit të Sharit. Këto janë rrethe kufitare dhe duhen shpërngulur me çdo kusht. Rrethet në thellësi si i Kaçanikut, Gjilanit, Nerodimës, Graçanicçs, Llapit, Vuçiternës, etj. mundësisht duhen dobësuar, sidomos ai i Kaçanikut, Vuçiternës dhe i Llapit, ndërsa të tjerët duhen kolonizuar gradualisht e sistematikisht dhe kjo duhet të realizohet gjatë dhjetëvjeçarit.
Gjatë shpërnguljeve të para duhen pasur parasysh këto gjëra:
Në radhë të parë të kihet parasysh shpërngulja e fshatrave dhe mandej e qyteteve. Fshatrat janë më kompaktë, prandaj paraqesin rrezik. Nuk duhen shpërngulur vetëm të varfrit, por edhe njerëzit e mesëm dhe të pasur, të cilët përbëjnë kolonën vertebrale tek çdo popull. Të varfrit duke qenë pa mbështetje ekonomike nga bashkatdhetarët përulen shpejt. Kjo është një çështje me shumë rëndësi dhe këtë e theksoj me qëllim, mbasi është nga shkaqet kryesore për mossuksesin sa duhet të kolonizimit tonë në Jug, sepse i shpërngulëm të varfrit, kurse të pasurit mbetën dhe kështu qëndrojmë në të njëjtën gjendje, ku si rezultat, shumë pak sipërfaqe toke u përfitua për vendosjen e kolonistëve tanë. Gjatë përgatitjes së psikozës për shpërngulje, duhet bërë çmos që të largohen fshatra të tëra, në fund të fundit familje të tëra. Me çdo kusht duhet pasur parasysh që të mos mbeten këtu pjesë familjesh të shpërngulura. Shteti ynë nuk duhet të shpenzojë miliona për tua lehtësuar jetën shqiptarëve, por për ti hequr qafe sa të jetë e mundur më parë. Për këtë duhet penguar patjetër blerja e pasurisë së shqiptarëve që shpërngulen nga ata që mbeten tek ne. Bashkë me këtë duhet kombinuar shpërngulja e individëve dhe e fshatrave të tërë, në qoftë se dëshirojmë të kemi lehtësira gjatë procesit të shpërnguljes.
Sapo të bien dakord për tu shpërngulur, duhet tu jepet ndihmë e gjithanshme. Tu paguhet menjëherë pasuria dhe të shpëngulen nga ana administrative, dokumentet e udhëtimit tu jepen pa asnjë formalitet, të ndihmohen për të shkuar deri në stacionin e parë hekurudhor, duke iu vënë në dispozicion trena deri në Selanik dhe prej aty të çohen menjëherë në vapor për në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi të jetë i rehatshëm dhe pa shpenzime. Udhëtimin me tren mundësisht ta bëjnë pa pagesë, njëkohësisht të ndihmohen edhe me ushqime, mbase nga kjo varet shpërngulja në masë apo jo. Frika e vështirësive për udhëtim është pengesë kryesore e lëvizjeve të tyre. Për këtë arsye është e domosdoshme të evitohen vështirësitë, duke i zgjidhur shpejt e në mënyrë energjike punët rreth udhëtimit të tyre. Duhet pasur kujdes që ata të kenë sa më pak telashe rreth udhëtimit, mbasi njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi, prandaj është e nevojshme, tu mësohet sistemi i transportit të punëtorëve nëpërmjet agjencive të mëdha dhe ato të përdoren. I shpërnguluri duhet të kalojë nga dora në dorë, duke mos e ndjerë peshën e kësaj lëvizje. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet lumi i shqiptarëve të shpërngulur i cili do të boshatisë Jugun tonë nga shqiptarët.
POPULLARIZIMI I KRAHINAVE TË SHPËRNGULURA
Problemi i vendosjes së kolonëve në vendet e boshatisura, nuk është më i vogël nga largimi i shqiptarëve.
Pyetja e parë që shtrohet është: Cilët duhen vendosur atje?. Më e natyrshme është që atje të vendoset elementi ynë nga krahinat pasive, në radhë të parë malazes, hercegovinas, liçanas dhe kraishnicas. Malazezët janë më të përshtatshëm për shumë arsye, mbasi Metohia, Drenica dhe Kosova janë vendet më të natyrshme, ku vërshojnë nga malet e tyre të varfra. Shtimi i popullsisë në Mal të Zi ka sjellë varfri, gjë që kohët e fundit ka shkaktuar lëvizje të vazhdueshme docialo-politike, jo të favorshme për pushtetin tonë shtetëror dhe mjaft të rrezikshme për sa i përket rendit e qetësisë në të ardhme. Nuk na intereson që atyre tu japim misër e pensione, për këtë e vetmja zgjidhje është çuarja e tyre në krahinat pjellore të Metohisë, Drenicës e Kosovës, sepse afrohen më mentalitet e temperament me shqiptarët. Malazezët janë arma më e përshtatshme për mposhtjen dhe largimin e Shqiptarëve. Në radhë të parë ata duhen përdorë në viset shqiptare në veri të malit të Sharit, por krahas tyre duhen kolonizuar edhe me një sasi liçanas, krashnicas, serbësh, çaçakas, uzhiçanash dhe topliçanas. Kjo është e nevojshme për të krijuar tek ata shprehitë e punës dhe të organizimit, për të thyer psikologjinë e tyre nomade-kolektive prej malësorësh, me qëllim që të neutralizojmë këtë psikologji me anë të përzierjes dhe martesave nga vise të ndryshme dinarike, kështu do të arrihet të krijohet një tip i ri malazezi më pak lokal dhe më tepër i ngjashëm me serbët.
Kurbetlive serbojugorë, në jug të malit të Sharit, duhet tu krijohen kondita të përshtatshme, me qëllim që të arrijnë të fusin në dorë toka pjellore. Ky do të jetë një kontingjent i ndershëm e punëtor, i cili do t’i jetë për tërë jetën mirënjohës këtij shteti, në rast se do t’i krijohen kushte të këndshme për jetën në fshat. Përgjithësisht fshati i serbëve të jugut ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë kujdes e preokupacion se sa po i kushtojmë sot. Kolonizimi me anë të këtyre varfanjakëve në Pollog (të Epërm e të Poshtëm) e në Dibër, si dhe dhënia e kullotave këtyre në vend të shqiptarëve, do të bëjë që të kuptohet se ky shtet është i tyre, si dhe do të dinë t’i mbrojnë kufijtë me gjak.
Pranë tyre, në jug të malit Shar dhe të Malit të Zi të Shkupit mund të kolonizohet me vranjanët, leskovçanët, pirotasit dhe vllastiçanët, , sidomos ata të fshatrave malore pasive. E përsërisim edhe njëherë se dinarikët nuk duhen lejuar në jug të Malit të Zi të Shkupit e të malit të Sharit.
Kryesore – dhënia e menjëhershme e tapive…

Gjatë kolonizimit të fshatrave të lëna nga shqiptarët, duhet evituar avashllëku burokratik e cikrimtar. Kryesore në radhë të parë është dhënie e menjëhershme e tapive kolonistëve për pronat ku do të vendosen, sepse një nga shkaqet kryesor të mossuksesit të kolonizimit tonë të sotshëm ka qenë ai, se kolonisti nuk e ka ndie veten të sigurt në pronën ku është vendosur, mbasi nuk i është dhënë tapia menjëherë dhe kështu ishte i ekspozuar para batakçillëqeve të shumta të nëpunësve dhe politikanëve të pandërgjegjshëm. Fshatari e ndjen veten të sigurt në pronën që posedon vetëm atëherë kur e din se askush nuk mund ta lëvizë nga ajo, prandaj duhet ti jepet menjëherë kjo garanci. Por, në të njëjtën kohë, paraqet rrezikshmëri edhe dhënia kolonistit e të drejtave e të drejtave të plota mbi zotërimin e pronës. Në parim pronat e kolonistëve, në radhë të parë kanë misionin e tyre shtetëror e nacional dhe ai që i merr duhet të kryej këtë mision, prandaj ai nuk mund ta posedojë në mënyrë të pakufizuar këtë pasuri, mbasi midis tyre ka shumë njerëz të ndryshëm si proletar të fshatit që e kanë humbur ndjenjën për tokën ose blegtorinë, të cilëve u duhet bërë shprehi ekonomia fushore, kështu që me forcën e ligjës duhet të lidhen mbas tokës. Kjo me qëllim që të ambientohen dhe ta duan krahinën dhe vatrën e tyre, e në rast se nuk ia arrijnë ata, atëherë të paktën fëmijët e tyre. Për këtë, jo më pak se për 30 vjet, duhet tu ndalohet me ligj kolonistëve zotërimi i plotë mbi tokën, edhe pse u jepen menjëherë tapitë si posedues të saj. Tek ne gruaja nuk gëzon të drejtën e trashëgimisë mbi tokën, prandaj për të evituar copëzimin e tokave dhe posedimet e vogla, duhen përjashtuar gratë nga trashëgimia e tokës së kolonizuar, përveç rasteve kur kolonisti nuk ka fëmijë meshkuj dhe mendon të sjellë dhëndrin në shtëpi. Posedimet që u janë dhënë kolonistëve deri tani kanë qenë të vogla. Duke marrë parasysh mënyrën ekstensive të punimit të tokës, rënien e çmimeve të prodhimeve bujqësore, si dhe përbërjen e madhe (patriarkale) të familjeve koloniste, ekonomia prej 5-10 hektarësh nuk u siguron kolonistëve kushte për zhvillim dhe jetës të mirë.
Është më mirë që në një krahinë të vendoset një numër më i vogël kolonistësh me kushte më të mira zhvillimi, se sa një numër i madh me gjendje gjysmë proletare fshati. Është ky edhe një nga shkaqet e mossuksesit të deritanishëm të kolonizimit në Jug e në Veri.
Rrallë ndonjë popull ka një element adapt për kolonizim në kushte kaq të vështira, siç e kemi ne. Edhe këto pak suksese që kemi në kolonizim u arritën nëpërmjet të këtyre cilësive kolonizuese të racës sonë. Vetëm fshatari ynë, i përplasur me prozhme e në toka djerrë, nga një ambient në tjetrin, qe në gjendje që të jetojë në rrethana aq të vështira. E çfarë s’do të bënte ai, në rast se shteti do t’i jepte ato që kishte për detyrë t’ia jepte.
Plani i Knjaz Nikollës për kolonizimin e trojeve shqiptare
Më 10 shkurt 1865, qeveria e Knjaz Mihajllos nxori ligjin “Mbi kolonizimin e të huajve në Serbi”. Sipas tij, qeveria serbe u jepte kolonistëve të varfër të krahinave përqark 3 jutra (Një jutër baras me 6 dynymë) tokë të punueshme dhe 3 jutra të pa punueshme, shtëpinë, dy qe, një qerre, dy dhi ose dele, një dosë, mjetet e nevojshme për punë dhe 120 grosh para në dorë. Përveç këtyre, vetëkuptohet,, edhe misër deri në korrjen e parë. Në çdo dy familje jepej një plug. Pasuria e tundshme dhe e patundshme u jepej kolonistëve për shfrytëzim pa të drejtë shitjeje për 15 vjet. Mbas këtij afati bëhej zotërimi i i plotë i tyre mbi pronën. Kolonistët për pesë vjet përjashtoheshin nga të gjitha llojet e taksave ndaj shtetit, për dhjetë vjet nuk i nënshtroheshin detyrimin ushtarak të ushtrisë së rregullt dhe për 5 vjet ushtrisë popullore. Jehona qe e tillë, sa për disa muaj u plotësuan të gjitha vendet e boshatisura nga shqiptarët me kolonistë të ardhur nga të gjitha anët, aq tepër u kolonizua sa një gjë të tillë ne nuk mundëm ta bëjmë për disa vjet mbas luftës. Po t’ua vente shteti këto favorizime kolonistëve pas 1918-tës, ndryshe do të qëndronin sot me kolonizimin si në Vojvodinë, ashtu edhe në Sebinë Jugore. Kështu duhet vepruar në të ardhmen, në qoftë se dëshirojmë të kemi sukses.
Vetëm duke ndjekur këtë shembull dhe duke ditur se çfarë kërkohet, duke mos u kursyer as me gjak e as me para, shteti ynë do të mundë të krijojë nga Kosova e Metohija një Toplicë të Re.
Pra, kolonistëve u duhen siguruar të gjitha kushtet e jetesës për disa vjet, në se dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pa mëshirë duhet të shuajmë çdo spekulim që bëhet me shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruaj për vete të drejtën e pakufizuar të disponimit të pasurisë së tundshme e të patundshme të të shpërngulurve dhe menjëherë pas largimit të tyre, të vendosë aty kolonistët e vet. Kjo duhet bërë me qëllim mbasi rrallë ka ndodhë që të shpërngulet tërë fshati me njëherësh. Në këto fshatra duhet në radhë të parë të vendosen malazezë si njerëz arrogantë të papërmbajtur dhe të paarsyeshëm, të cilët me sjelljet e tyre do ti detyrojnë shqiptarët e ngelur që të shpërngulen e mandej të sillen në këto vende kolonistë nga vise të tjera.: Jo më pak i rëndësishëm për ne ështëproblemi i Vojvodinës, sidomos trekëndëshi hungarez në Baçka, Senta Kulla, Baçka-Topalla. Të shkatërrosh atë në Vojvodinë, do të thotë është njësoj sikur të shkatërrosh bllokun shqiptar rreth malit të Sharit. Këta punëtorë dhe posedues të vegjël hungarezë, bile edhe gjermanë, duhen çuar pjesërisht në Jug, mbasi në Baçka, në kufi me Hungarinë, ata paraqesin rrezik, aq më tepër kur serbët në Baçka përbëjnë vetëm 25 për qind të popullsisë. E po të vendosen në Serbinë Jugore, duke ruajtur pronat e tyre nga Shqipëria, do të shndërrohen në posedues të mirë, do të shkrihen me masën tonë dhe ajo që ka më tepër rëndësi, janë më të ngritur se sa tonët nga pikëpamja kulturore dhe do të shërbejnë si shembull në punimin e përparuar të tokës.
TENIKA E KOLONIZIMIT
E një rëndësie të veçantë Për zgjidhjen e çështjes së polemizuar, është ekzistenca e një aparati i cili do të drejtojë të gjitha punët. Si rezultat i punës së keqe të aparatit të deritanishëm të politikës sonë të kolonizimit, qëndron një pjesë e mirë e mossukseseve tona të deritanishme,. E që kjo në të ardhmen duhen bërë riorganizime.
Asnjë çështje nuk kërkon aq vazhdimësi e kujdes për tu vënë në jetë se sa kolonizimi. Ne kemi theksuar se një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë në Jug dhe në Veri, është puna jo sistematike e drejtimit dhe ndryshimi i politikës sipas ndërrimit të qeverive.
Kolonizimi t’i besohet Shtabit të Përgjithshëm…
Që të evitohet kjo në të ardhmen kolonizimit i duhet besuar Shtabit të Përgjithshëm. Sa sepse: Thjesht për arsye mbrojtëse. Ushtria jonë është e interesuar që në kufijtë, sidomos në sektorët delikatë, të vendosë elementin e vet. Për këtë, ajo do të bëjë çmos që të sigurojë kufijtë me një kolonizim sa më të fortë. Shtabi i Përgjithshëm si institucion primar i mbrojtjes së interesave nacionale, mund t’i japë shumë gjithë politikës sonë të kolonizimit. Shtabi i Përgjithshëm do të dijë më së miri të mbrojë zbatimin e kolonizimit nga ndërhyrjet private, të mbrojë politikën e kolonizimit nga interesaxhinj të organizuar dhe nga influenca e jashtme, duke vënë kështu në jetë politikën e drejtë të kolonizimit tonë. Ka rëndësi edhe fakti se si do ta ketë më lehtë për t’i bindur institucionet përgjegjëse për rëndësinë e çështjes dhe për t’i çuar në marrjen e vendimeve efikase. Edhe Skupshtina Popullore do t’i besojë më shumë atij dhe do t’i japë kreditë e nevojshme.
Këshill Shtetëror për kolonizimin
Në krye të Inspektoratit të Kolonizimit do të qëndronte Inspektori i Përgjithshëm, i emruar me dekret, me propozim të Ministrit, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit: E gjithë puna Tërë kompleksin e punës, Shtabi i Përgjithshëm, do të mund ta drejtonte nëpërmjet një Këshilli Shtetëror për kolonizimin. Ky këshill do të ishte krejtësisht autonom, duke qenë drejtpërdrejt nën urdhrat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe do të kishte nën pushtetin e vet të gjithë organizmat e kolonizimit tonë. Në këtë Këshill duhet të hyjnë përfaqësues të disa ministrive të interesuara, të shoqërive nacionale, organizatave teknike dhe të institucioneve shkencore. Gabimi më i madh i politikës sonë të kolonizimit qëndron në faktin që, fjalën kryesore në të e kishte burokracia e pa specializuar, e cila i zgjidhte çështjet të copëzuara e pa u thelluar në to. Le të kujtojmë vetëm kolonizimin e optimasit tonë nga Hungaria në Ovçe Pole me kadrifikovet ose emigrantët nga Istra dhe Gorica të vendosura rreth Demir-Kapisë. Për këtë është e nevojshme lidhja organike në politikën tonë të kolonizimit ndërmjet pushtetit shtetëror, iniciativat private dhe institucioneve shkencore. Iniciativat private mund të veprojnë në shumë drejtime si p.sh:
“Mbrojtja Popullore” – (Ushtri civile e ngritur nga shteti)
“Sokollashat” – (Organizatë terroriste civile serbe e padeklaruar, e organizuar, armatosur e udhëhequr nga shteti për kundër shqiptarëve. Këta vepronin gjysmë ilegalisht, duke bastisur fshatrat shqiptare natën, duke djegur dhe duke vrarë)
“Çetnikët” – Çeta kriminelësh civilë të armatosur nga shteti të destinuar për krime të vazhdueshme të shumëta që lindin gjatë procesit të kolonizimit tonë.
Edhe shoqatat kulturore si “Prosfeta” (aesimi) në Sarajevë, “Matica Srpska” (shoqata letrare serbe) në Novi Sad, shoqata “Sv.Sava” (Shën Sava) në Beograd etj kanë gjithashtu detyrat e tyre lidhur me këtë çështje.
Krijimi i Institutit të Kolonizimit…
Padyshim në institucionet tona të larta shkencore kanë nisur të humbasin prestigjin që kanë pasur dikur. Shkaku për këtë është se Universiteti dhe Akademia e Shkencave, gjithnjë e më shumë largohen nga jeta reale dhe po lënë pas dore detyrën kryesore që ata kanë në një vend relativisht të prapambetur, siç është vendi ynë: hapja e shtigjeve për aplikimin e arritjeve shkencore të shekullit XX. Shumë miliarda do të kurseheshin në këtë vend, shumë gabime do të evitoheshin në politikën tonë shtetërore, si dhe në atë të kolonizimit po qe se më parë problemet do të studioheshin seriozisht dhe objektivisht nga punonjësit shkencorë të interesuar para se ata ti nënshtroheshin zgjidhjes. Edhe në politikën tonë të kolonizimit do të fitohej më shumë seriozitet, kontinuitet në punë dhe efikasitet në vënien në jetë, po të ishin marrë më parë mendimet e specialistëve dhe të punonjësve shkencorë. Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave dhe Universiteti i Beogradit, më të interesuarit, të ndërmarrin iniciativën për një organizim shkencor të punës së kolonizimit tek ne. Kjo do të ishte e mundshme për shumë arsye. Në universitetet kemi specialistë për çdo çështje që lidhet me kolonizimin. Pedagogët e universitetit dhe akademikët janë punonjës shkencorë të pavarur, që i nënshtrohen më pak influencës së politikës së jashtme. Ata, tashmë kanë një eksperiencë të mirë për të tilla punë dhe njohuritë e tyre shkencore janë garanci objektive, prandaj ata duhet të marrin iniciativën për të krijuar një Institut Kolonizimi, detyra e të cilit do të ishte marrja me studimin e kolonizimit. Pushteti shtetëror nga ana e tij, do të veçojë nga disa ministri dhe nga të gjitha institucionet që janë marrë deri tani me këtë çështje organizma dhe do të krijojë një institucion të veçantë, “Inspektoratin e kolonizimit”.
Në krye të Inspektoratit të Kolonizimit do të qëndronte Inspektori i Përgjithshëm, i emruar me dekret, me propozim të Ministrit, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit. E gjithë puna në Institutin për Kolonizim, si dhe në Inspektoratin për Kolonizim do të vihesh në jetë me udhëzime dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit Shtetëror, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm do të varej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Instituti për Kolonizim do të ndahej në seksione:
1. Seksioni i Organizimit.
2. Seksioni i Arsimit dhe i Kulturës
3. Seksioni i Financës
4. Seksioni i Bujqësisë
5. Seksioni i Ndërtimit
6. Seksioni i Higjienës…etj.
Seksionet në marrëveshje me shoqatat dhe institucionet tekniko-shkencore, si edhe me shoqëritë kombëtare, do të studiojnë probleme të kolonizimit, formulojnë direktiva etj. duke i dhënë kështu politikës sonë të kolonizimit një material me vlerë, të përpunuar dhe shkencor për të marrë vendime. Në krye të këtij Instituti do të vihen njerëz nga Këshilli Shtetëror, të përbërë nga përfaqësues të Ministrive përkatëse, përfaqësues të Universitetit, të Akademisë së Shkencave dhe të atyre organizatave private, nacionale dhe arsimore-kulturore, të cilat do të zgjidhen ose emërohen në këtë Këshill. Në këtë rast do të kihet kujdes që të mos sillen njerëz dosido, por njerëz që kanë njohuri dhe pasion për këtë punë të madhe.
Drejtuesit dhe nëpunësit e Institutit të zgjidhen me konkurs. Instituti do t’i servirë Inspektoratit për Kolonizim, materiale të përpunuara shkencërisht për zbatimin e politikës së kolonizimit. Në rast mosmarrëveshjesh në mendime midis Inspektoratit për Kolonizim dhe Institutit në fjalë, për ndonjë çështje themelore, fjalën vendimtare e jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Inspektorati për kolonizim, duhet të ketë organet e tij ekzekutive në teren, të zgjedhur këta nga njerëz të frymëzuar e të gatshëm për këtë punë, pavarësisht në se janë apo jo në punë shtetërore. Prandaj, mundësisht këta duhen zgjedhur me konkurse dhe të emërohen me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa të komprometuarit dhe njerëzit e paaftë, të hiqen. Gjatë punës, Inspektoriati dhe organet e tij, duhet t’i evitojnë gjithnjë e më tepër formalitetet burokratike, duke pasur parasysh vetëm një gjë: shpërnguljen sa më parë të shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë menjëherë.
Aparati policor do të luaj një rol mjaft të rëndësishëm në këtë çështje. Për këtë është e nevojshme të zgjidhen nëpunës nga më energjikët e të ndershëm dhe të dërgohen atje. Transferimi i tyre duhet të bëhet me pëlqimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe për një punë kaq të vështirë duhen shpërblyer nga kreditë sekrete. Duhen marrë masa të rrepta kundër cilitdo prej tyre që bën edhe lëshimin më të vogël lidhur me zbatimin e rregullave. Për të gjithë territorin e përmendur prej 18 rrethesh, duhet emëruar komisar i posaçëm, i cili do të zbatonte urdhrat e inspektorit shtetëror për kolonizimin. Kryetarëve të rretheve u duhet dhënë plotfuqishmëri të veçanta dhe instruksionet përkatëse për këtë çështje. Partive tona politike u duhet thënë në mënyrë të prerë se u ndalohet kategorikisht mbështetja për rivalitet në zgjedhje në këto rrethe dhe se u ndalohet deputetëve çdo ndërhyrje në favor të shqiptarëve.
Vetë teknikën organizative të shpërnguljes të shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë, do ta përpunojë Instituti Shtetëror dhe dhe Inspektorati për Kolonizim. Ndoshta nuk do të ishte keq, që përveç këtyre dy institucioneve shtetërore, të krijohet edhe një organizatë private, e cila do të mbështetej nga shoqatat ekzistuese dhe do të kishte për detyrë që me vetë iniciativat private të ndihmonin në zbatimin e politikës sonë të kolonizimit. Më mirë do të ishte sikur këtë punë ta merrte përsipër Lidhja e shoqërive tona kulturore-arsimore. Ajo do të interesohej për koordinimin e punës së shoqërive private me punën shtetërore të kolonizimit dhe do të shërbente si ndërlidhëse midis tyre dhe Institutit për Kolonizim.

MJETET FINANCIARE
Sa herë që është kritikuar politika jonë e kolonizimit për mossuksese, mbrojtësit e saj gjithnjë janë ankuar për mjetet e pakta financiare që ka vënë shteti në dispozicion për këtë punë. Nuk e mohojmë se nuk është kështu deri në një farë mase, por duhet pranuar se më tepër është shpenzuar për mbajtjen e këtij aparati dhe për një punë jo racionale, se sa për vetë kolonizimin. Megjithatë, në rast se shteti nuk ka dhënë aq sa duhet të jepte, duhet kuptuar se çdo shtet ka interesat e tij primare dhe sekondare. Në interesat primare futet, padyshim, edhe detyra e shtetit që të sigurojë vetveten në krahinat e pasigurta nacionale, të kolonizuara me elementët e vet. Para kësaj detyre dhe këtij preokupacioni, bien poshtë të gjitha angazhimet tjera. Për këtë problem, të hollat, mund e duhet të gjenden. Po Jugosllavia jonë e sotme, mos vallë nuk është në gjendje të bëjë një sakrificë të tillë? Po, ajo mundet e duhet ta bëjë këtë. Pra nuk është e vërtetë që ajo nuk ka mjete për këtë. Para së gjithash le të përllogarisim aproksimakisht se sa do t’i kushtonte shtetit tonë shpërngulja e 200.000 shqiptarëve dhe vendosja e një numri po aq të madh kolonistësh tanë.
Shpërngulja e 40.000 familjeve shqiptare, duke e llogaritur mesatarisht një familje prej 5 anëtarësh dhe shpennzimet prej 15.000 dinarë për çdo familje, do të kushtonte në maksimum 600.000.000 dinarë. Shpenzimet e kolonizimit për vendosjen e 40.000 familjeve tona mund të arrijnë në maksimum 200.000.000 dinarë. Për gjithë këtë punë, në asnjë rast, nuk do të shpenzohen më tepër se 800.000.000 dinarë, dhe ja sepse:
1.- Shqiptarët e shpërngulur do të lenë jo vetëm tokën, por edhe shtëpinë dhe veglat e punës. Kështu, jo vetëm që do të mund të vendoset pjesa më e madhe e kolonistëve tanë në shtëpitë e shqiptarëve por me një ndihmë sadopak të vogël në bagëti dhe ushqime, këta do ta marrin veten nga ana ekonomike dhe do të bëhen të pavarur. Për këtë, edhe këtu po nënvizojmë se nuk duhet lejuar në asnjëmënyrë spekulimi privat me pasuritë e lëna nga shqiptarët, ato duhet t’i marrë shteti në fillim dhe pastaj t’ua japë kolonistëve.
2.- Gjatë krijimit të kolonive të reja, atje ku e lyp nevoja, duhet të përdoret forca ushtarake, ashtu siç ka qenë përdorë gjatë ndërtimit të Sremska Raqes dhe të rindërtimit të fshatrave të shkatërruara nga tërmeti në vitin 1931 në Jug. Për një punë të tillë, t’i jepet ushtrisë e drejta dhe mundësia, që me thirrjen e rezervistëve në stërvitje ose në zgjatjen e afatit të shërbimit ushtarak, të krijojë një lloj shërbimi të detyrueshëm pune për qëllime publike. Do të ishte mirë që në këto detyra të ngarkonin rininë tonë të profilizuar mbas mbarimit të universitetit, Atëherë, duke punuar në një punë konstruktive në interes të përgjithshëm, shumë prej tyre do të bëheshin të ndërgjegjshëm dhe më realisht do t’i shikonin gjërat. Kjo do të arrihej më së miri, kur të rinjtë të porsa ardhur nga universiteti, tu vihej si kusht, që për të filluar punën shtetërore, më parë duhet të kalojnë një kohë të caktuar në punët e kolonizimit tonë. Me këtë do të ngushtohej edhe papunësia e inteligjencës sonë të re e cila gjithnjë e më tepër po bëhet një problem social i vështirë tek ne.
3:- Në marrëveshje me organizatat dhe shoqëritë e specializuara duhen kërkuar rrugët më pak të kushtueshme për hapjen e tokave nga shkurret, vaditjen, tharjen e moçaleve etj. si dhe për ndërtimin e shtëpive: Ndërmarrjet private duhen vënë në dijeni, se gjatë grumbullimit të materialeve të nevojshme, shteti i ndihmon ato me doganime, në tarifa hekururdhore, kredira e mjete të tjera, dhe se shteti nga ana e tij, ka të drejtë të kërkojë prej tyre, që për një punë kaq të rëndësishme, të furnizojnë me materiale me çmim sa më të ulët. Çështja e furnizimit me materiale duhet bërë me anë kartelimesh e pastaj, shteti, në marrëveshje me to, do të caktojë sasinë, kualitetin dhe çmimin e materialeve pa pazarllëqe fiktive. Ndërmarrjet shtetërore, hekurudhat dhe sidomos ndërmarrjet pyjore, si SHIPAD etj. duhet të vihen plotësisht në dispozicion të Këshillit Shtetëror për kolonizimin.
4:- Gjatë kolonizimit, shteti, mund tu japë kolonistëve prona me krediose me para në dorë. Do të ketë mjaft nga ata që do të blejnë toka në vise të reja dhe që do t’i shesin pronat e tyre në vendlindje. Nga kjo, shteti do të marrë një pjesë të mirë të parave që u ka dhënë. Theksojmë se, toka mund t’i shitet vetëm atij që vendoset përfundimisht në të dhe që garanton se do ta punojë atë. Toka e dhënë me kredi nuk duhet të jetë e shtrenjtë, kamata duhet të jetë minimale, koha e shlyerjes së kredisë duhet të fillojë disa vjet mbas vendosjes së kolonialistit, d.m.th. kur të jetë fuqizuar ai nga ana ekonomike.
Duke marrë këtë si bazë, shteti mund të gjejë mjete nga dy burime:
Të gjithë shpenzimet për administrimin e kësaj pune, shteti, duhet t’i marrë përsipër e t’i mbulojë ato me të ardhurat e tij të zakonshme, duke çliruar fonde të panevojshme dhe jo të ngutshme nga sfera të tjera.
Burimi tjetër financiar do të jetë huaja, të cilën do ta japin bankat shtetërore vetë ose bashkërisht me kapitalin tonë privat nëpërmjet të një huaje të brendshme të detyruar. Si mbështetje e kësaj do të shërbejnë detyrimet e dhëna nga shteti, si dhe të ardhurat e kolonistëve, kur ata të bëhen të pavarur.
Të marra së bashku, shumë prej disa qindra miliona dinarësh, nuk është ndonjë shpenzim i madh për shtetin, në krahasim me përfitimet që ai do të ketë në fakt. Sigurimi i pikave tona më nevralgjike në Jug, me vendosjen e elementit tonë nacional, ne, kursejmë në rast lufte disa divizione. Duke vendosur disa dhjetëra mijë familje si kolonistë nga krahinat tona pasive, sidomos nga Mali i Zi, lehtësohet kriza e rëndë ekonomike në ato vise dhe nga ana tjetër, si rezultat i punës së madhe që do të hapet gjatë kolonizimit, do të bëjë të mundur vendosjen në punë të 10 mijë punëtorëve, duke i dhënë kështu një nxitje ekonomisë tonë.
Për një detyrë të tillë nacionale, strategjike-ushtarake dhe ekonomike, shteti e ka për detyrë dhe duhet të sakrifikojë disa qindra milionë dinarë. Në një kohë kur është në gjendje të shpenzojë miliarda dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga Subotica deri në Caribrod, nga e cila, ndoshta, vetëm në një të ardhme të largët do të kemi përfitime reale, ai mund e duhet të gjejë disa qindra milionë dinarë. Që do të na kthejnë përsëri në djepin e shtetit tonë.
K O N K L U Z I O N
Duke marrë parasysh të gjitha sa u thanë më sipër, nuk është e rastit që gjatë shqyrtimit të çështjes së kolonizimit në Jug, nisemi nga pikëpamja se mënyra e vetme më efikase e zgjidhjes së këtij problemi, është shpërngulja e shqiptarëve në masë. Kolonizimi i shkallëzuar, ashtu si dhe në vende të tjera, nuk ka pasur sukses tek ne. Kur pushteti shtetëror dëshiron të ndërhyjë në interes të elementi të vet, në luftë për tokën, mund të ketë sukses vetëm se vepron brutalisht. Përndryshe, vendasi i rrënjosur në vendlindjen e tij dhe i aklimatizuar, është gjithnjë më i fortë se kolonisti. Kjo, në rastin tonë, duhet pasur sa më parë parasysh, se kemi të bëjmë me racë të varfër, me rrënjë dhe pjellore, për të pat thënë i ndjeri Cviviq, se është më ekspansivja në Ballkan. Kështu më 1918, Polonia, e mori përsëri Poznanin e vet. Statistikat tona të viteve 1921-1931, të cilat tashmë i kemi përmendur, tregojnë se edhe politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim konkluzione dhe të shpejtojmë deri sa akoma ka kohë që të korrigjohemi.
E gjithë Evropa ndodhet në një gjendje kaotike. Ne nuk dimë se ç’na sjell dita e nata. Nacionalizmi shqiptar edhe në viset tona po rritet. Ta lesh gjendjen kështu siç është, do të thotë, të lejosh që në rast të një konflikti botëror ose të ndonjë revolucioni social, që në një të ardhme janë të mundur edhe njeri edhe tjetri, do të thotë të vesh në pikëpyetje të gjitha posedimet tona në Jug. Pra, qëllimi i këtij referati është që të evitohet kjo.(Pergatiti: Abdurrahim Ashiku)

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurrahim Ashiku, SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE

VISAR ZHITI SJELL ANTOLOGJINË E E LAJMËTARËVE TË VRARË TË EUROPËS

November 3, 2014 by dgreca

Shkrimtari Visar Zhiti nxori këto ditë një libët të ri, sa i veçantë po aq dhe i rëndësishëm, antologjinë e të vrarëve, me krijimtari nga autorë shqiptarë të pushkatuar, të vdekur burgjeve e internimeve, botim i dy shtëpive botuese, “Omsca-1” dhe UETPRES, Universiteti Europian i Tiranës.
Antologjia shpalos vlera të larta morale të jetëve të autorëve të përzgjedhur dhe vlera të larta artistike nga krijimtaria e tyre, poezi, prozë, memuare, sentenca, etj, një pjesë e të cilave dalin për herë të parë, të paraprira nga një parathënie-studim si dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të punuar me dashuri e dhëmbje nga ideatori dhe përgatitësi i antologjisë, Visar Zhiti.
Vepra ngërthen në vetvete etikë dhe estikë së bashku, kujtesë, tragjizëm, drejtësi, nderim, por mbi të gjitha ai është një tekst letrar, një antologji mbarëkombëtare, e para e këtij lloji në letrat shqipe, por, besojmë, se dhe në gjuhë e vende të tjera nuk ka botime të tilla, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.

Autorët e përzgjedhur janë emra të shquar, intelektualë të lartë, një pjesë pak të njohur, të lauruar në universitete të ndryshme të Europës, në Austri e Itali, Francë, Gjermani, Greqi, në universitete amerikane si në Turqi, por dhe në Bashkimi Sovjetik, Jugosllavi, etj, të gjithë kundërshtarë të diktaturave, fashiste, komuniste, të vrarë me gjyq dhe pa gjyq nga shteti i tyre në kohë paqeje gjatë sundimit të tiranisë dhe në luftën e fundit të Kosovës.

Antologjia na tregon bindshëm që në Shqipëri gjatë sundimit komunist nuk ka patur vetëm viktima, por dhe disidentë, kundërshtarë dhe martirë të pavdekshëm, që i bashkon dashuria për liri e atdhe, kultura europiane dhe ëndrra europiane. Prandaj dhe janë mbiquajtur “Lajmëtarë të Europës”.

Po kështu antologjia është hap i mëtejshëm i mendimit dhe i veprimit që shpreh se shqiptarët janë të aftë dhe duhet që nga persekutimi i rëndë dhe vuajtja e madhe jo vetëm të përkujtojnë e të ndjehen krenarë për sakrificat, por të nxjerrim përvojë, vlera dhe ide, që i shërbejnë të tashmes dhe ardhmërisë.
Ajo që e bën më aktuale dhe ende më të çmuar antologjinë, është fakti se autorët e vrarë që përfshihen, shikohen si përfaqësuesit e lartë të të gjithë pararendësve të demokracisë të një Shqipërie europiane dhe ndjehen ende forcë vepruese.
Duke u botuar pikërisht nga Universiteti Europian i Tiranës, metafora e kësaj antologjie merr vlerën e përmbushjes shpirtërore të një testamenti për të gjithë shqiptarët, sidomos për të rinjtë.

Filed Under: Featured Tagged With: ANTOLOGJINË E LAJMËTARËVE TË VRARË, sjell, te europes, Visar Zhiti

GAVROSH LEVONJA RREFEN PER GAZETARINE DHE SPORTIN- JA SI E QETHEN AGIM FAGUN,- NA PRISHI ME KINEN!

November 2, 2014 by dgreca

GAVROSH LEVONJA: KEQARDHJE PËR GAZETARINË E SOTME/
*Rrëfehet nga Nju Jorku gazetari Gavrosh Levonja: Prej 14 vitesh në Nju Jork nuk është kthyer asnjëherë në Tiranë, malli për gazetarinë e kohës së tij, ku komentohej lajmi i fundit flakë për flakë;si punonte njëherazi në disa redaksi gazetash: Republika, Koha Jonë, Albania, Bashkimi….Dëshmitar i rastësishëm në rrahjen e Edi Ramës, marrdhëniet me Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon, prognoza për qeverisjen e Edi Ramës dhe opozicionin e Lulzim Bashës…
* Karriera Sportive: Si u bë shkak për”prishjen” e marrdhënieve shqiptaro-Kineze, qethja e Agim Fagut në Aeroportin e Rinasit, Spiuni vullnetar i Ansamblit Shtetëror e të tjera…./
Nga Dalip Greca/
Gavrosh Levonja, një figurë e njohur publike, si sportist e gazetar, ka 14 vite që ka lënë Shqipërinë dhe jeton në Nju Jork. Shfaqet pak në publik, rrallë në gazeta. Nga dita ku shkeli në Nju Jork, nuk është kthyer më në Shqipëri.Çfarë e mbanë lidhur ?. Gavrosh Levonja i përket asaj kategorie njerzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrrat.Ai tregon në këtë rrëfim se si shkoi tek gazetaria mësuesi i Matematikës, shpreh keqardhjen për gazetarët e sotëm, që nuk investigojnë dhe nuk komentojnë flakë për flakë lajmin,por përcjellin lajmet e kronikat e gatshme të partive. Levonja tregon se si punontë njëkohësisht në disa gazeta, i punësuar zyrtarisht tek “Republika”, gjysëm zyrtarisht tek “Albania”…më shumë për “Koha Jonë”, aq sa Ylli Rakipi shprehej se “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njejtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek “Albania” dhe mbron qeverinë”… Miqësia me liderët Berisha, Nano, njohja me Edi Ramën, që në kohën e kolerës, parashikimi për qeverisjen Rama, opozicionin e Lulzim Bashës etj….
Duke u ktheyr pas në karrierën sportive, ai flet edhe për incidentin me kinezët, kur u dënua së bashku me Agim Fagun për prishjen e miqësisë shqiptaro-kineze… Pas kthimit në Tiranë, në aeroport qethën Agim Fagun.Pas takimit të ansamblit, që ishte njëkohësisht në Kinë me sportistët, në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit kishte ngritë problemin e “sjelljes borgjeze” të sportistëve…Pas kësaj nisën masat dragoniane….Le ta ndjekim intervistën.
-Një dekadë në mërgim,larg Tiranës ku u lindët, u rritët, ku shkëlqyet në elitën sportive, larg redaksive të gazetave- ku bëtë emër- si ndjeheni në Nju Jork?
Gavrosh Levonja:- Duke qenë e lidhur me pjesën më të madhe të jetës sime me ngjarje të rëndësishme, qoftë në aspektin personal e familjar, episodet deri në rang aventurash të panumërta me shokët e miqtë në kohën e rinisë, sidomos ato të lidhura me sportin, pa harruar kurrsesi punën në gazeta pas vendosjes së pluralizmit, malli për Tiranën është aq i madh sa vështirë të mposhtësh dëshirën për të takuar miqtë e shokët e vjetër, duke shkuar qoftë dhe për ca ditë atje. Mirëpo, nga ana tjetër, në Tiranë, si pasojë e ndryshimeve, tashmë mungojnë shumë nga mjediset e dikurshme që të lidhin me momentet e perjetuar dikur. Gjithashtu, shumë njerëz kanë lëvizur në vende të tjerë. Kështu edhe një pjesë e miqve, me të cilët komunikoj, jetojnë në vende të tjerë; Europë, Kanada apo SHBA; po të sjell një shembull: deri pak vite më parë në Pelham Parkway shikoja vazhdimisht fytyra te reja nga Shqipëria, ku nuk mungonin dhe nga të njohurit e mi. Gjithashtu, edhe me shumicën e atyre që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri, falë zhvillimit, përsosjes së mjeteve të komunikimit mund të them se jam në kontakt pothuajse të përditshëm. E vetmja gjë, e cila them se më mungon është puna në gazetë. Ndonjëherë, dërgoj ndonjë shkrim në ndonjë gazetë në Shqipëri, por largësia fizike bën punën e saj. Sidomos për mua që isha mësuar të bëja editoriale a komente për ngjarje ose zhvillime të rëndësishme 10 apo 20 minuta pasi kishte ardhur lajmi në redaksi. Prandaj, shpesh, ndërsa lexoj lajmet nga Shqipëria ne websitet e gazetave të atjeshme, ndjej keqardhje në pamundësi për të komentuar “flakë për flakë” si dikur. Mirëpo duke qenë se i përkas asaj kategorie njerzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrat, i kam dhënë përparësi jetës në Nju Jork, punës e cila më jep kënaqësi të veçantë. Por, veç punës dua të theksoj se ka dhe faktorë të tjerë që më kanë “gozhduar” këtu. Nju Jorku qenka si një makineri që po u fute në ingranazhet e saj është shumë e vështirë të shkëputesh, ndërsa po nuk arrite të ingranohesh me jetën e këtushme, më saktë me normat dhe rregullat e saj nuk të mbetet tjetër veçse ta lëshosh Nju Jorkun. Si rregull shumica e fillojnë me përpjekjet për të mbijetuar, pastaj, oreksi vjen duke ngrënë, një punë më e mirë, të ardhura më të larta, që natyrshëm çojnë në rritjen e pretendimeve, në kohën që dhe detyrimet bëhen më të mëdha. Kështu, si pa kuptuar e ndjen veten të futur në një garë pambarim për të fituar më shumë, të jetosh më mirë dhe vjen një ditë që e shikon veten të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme dhe çdo largim qoftë dhe i shkurtër të duket humbje kohe, e cila këtu është jashtzakonisht e çmueshme; me të vërtetë “flori” siç thuhet në Shqipëri, por që atje, për hir të së vërtetës trajtohet si një gjë pa vlerë.

– E kishit menduar se ndonjë ditë mund të jetonit në Amerikë?

G.L- Në vitet e gjata të izolimit Amerika për mua ishte endrra ideale, ashtu si per shumë nga ata të rinj që shikonin televizionet e huaj, kryesisht ato italiane; vendi më i zhvilluar në botë, vendi i lirisë, i Hollywood-it, i këngëtarëve të famshëm, kampionëve të botës në shumë lloje sporti. Ky ishte imazhi që rrezatonte së largu. Por, pasi u vendosa në Nju Jork, më shumë se të gjitha këto më bëri përshtypje, zbatimi me fanatizëm i ligjeve e rregullavedhe nga qytetarët por edhe nga punonjësit e institucioneve duke e ndjere kudo e kurdo praninë e një shteti real. Një shtet sa rigoroz, madje i pamëshirshëm në zbatimin e ligjit aq dhe korrekt me qytetarët e tij duke u garantuar çdo të drejtë që u takon dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të jetuar normalisht.
– Keni trokitur në ndonjë zyrë të shtetit, nëse po, për çfarë arsyeje?
G. L- Jo, në këto 14 vitë që jetoj në Nju Jork ende nuk di ku ndodhen zyrat e shtetit pasi nuk kam pasur asnjë rast për t’u ankuar, për të kërkuar një të drejtë që më është mohuar, madje ka qenë vetë shteti që më ka njoftuar për ndonjë benefit që më takonte në bazë të ligjeve por që unë s’e kisha haberin që ekzistonte.
– Kur dhe si shkuat tek gazetaria?
G.L: Shkrimin e parë e kam botuar në vitin 1987 në gazetën “Sporti Popullor”. Shoku dhe komshiu im, Bert Karanxha, në atë kohë gazetar tek kjo gazetë më kërkoi të bëja një shkrim si ish-sportist. Kryeredaktori, Besnik Dizdari, i cili bëri një revolucion të vërtetë në gazetën e vetme sportive deri në vitin 90-të, kishte krijuar hapsirë të konsiderueshme për ish-sportistët dhe specialistët e mirëfilltë të sportit.
– “Shkruaj, vetëm në rast se pranoni një shkrim kritik”- i thashë Bertit, i bindur që një shkrim i tillë vështirë se mund të ishte i pranueshëm. Por u zhgënjeva kur mora përgjigje se vetë kryeredaktori ishte i interesuar për një shkrim kritik dhë jo për lëvdata boshe për suksese të “sportit socialist”.
– Pra, ishte ’87-ta kur ia nisët gazetarisë?
G.L- Për të qenë më i saktë, pavarësisht se fillova të shkruaj rregullisht në gazeta pas vitit 1990, tashmë për politikë, në një farë mënyre, mund të them se gazetarinë, jo publikisht, e kam filluar në kapërcyellin e viteve 60-70-të.E kam fjalën për “gazetari ilegale” lënda e së cilës ishin diskutimet e komentet në grupe të vogla kundër absurditeteve të shtetit duke filluar nga kufizimet banale lidhur me ndjekjen e modës, kufizimet dhe heqjen e stimujve materialë në ekonomi, izolimin hermetik të vendit deri në skizofreni si dhe shkeljes flagrante, në mënyrë të paimagjinueshme të të drejtave të njeriut etj. Pas kësaj diskutimet vazhdonin me atë se çfarë do të ndodhë gjë që të shtynte drejt kërkimit të informacionit që mund të ishte ndonjë burim “nga brenda” d.m.th. nga ndonjë zyrtar ose të afërm të nomenklaturës së athershme, nga lajme të buletinit sekret të ATSH-së që “rridhnin” nëpërmjet ndonjë të njohuri që punonte aty, por fat konsiderohej të binte në dorë ndonjë nga ato broshurat sekrete “për përdorim të brendshëm”.
– I lexoje veprat dhe fjalimet e Enver Hoxhës?
G.L- Fjalimet e Enver Hoxhës i lexoja me kujdesin maksimal për të kapur mes rrjeshtave ndonjë sinjal nëse do të “shtrëngohej rripi” edhe më shumë apo të pikasje ndonjë shenjë liberalizimi e hapjeje. Për shumë vite pjesën më të madhe të ditës e kaloja pranë radios e televizorit. Dita ime fillonte duke degjuar lajmet frëngjisht në “France International” në 6 të mëngjesit, pastaj deri nga ora 7 e 30 lajmet e radiove italiane, për të vazhduar me telegiornalet e drekës ne Rai 1 dhe Rai 2, pas kthimit nga stërvitja “Dnevnik” tek jugosllavi, përsëri Rai-n, në orën 9 në darkë “Zërin e Amerikës”, athere ishte vetëm 15 ose 20 minuta dhe zakonisht sinjali ikte e vinte i shoqëruar me zhurmë ndërsa folësi përdorte gegnishten, Radio Jugosllavinë shqip në 10 e 30 të mbrëmjës . Në vitet 1977-78 u bëra një dëgjues i rregullt i Radio Pekinit, ku pa e përmendur direkt kritikohej politika dogmatike e Tiranës deri sa autoritetet urdhëruan mbylljen e përforcuesit në datën 8 korrik 1978. Me këtë desha të ve në dukje se gjithë ato vite kisha akumuluar një kapital të konsiderueshëm në fushën e politikës gjë që ma bënte shumë të lehtë analizimin e situatave politike, të komentoja lëvizjet e forcave politike apo liderëve të tyre si dhe të prognostikoja zhvillimet e ardhshme …
– Ju ka nxjerrë probleme gazetaria? Ne cilen redaksi jeni ndjere me mire?
G.L:- Sa i përket problemeve për shkak të gazetarisë, nuk kam pasur ndonjëherë. Them se arsyeja kishte të bënte me faktin që nuk i shërbeja një krahu apo një force politike të caktuar. Në shkrimet e shumta të botuara gjatë viteve 90-të mund të gjenden më bollëk shkrime kundër apo pro ndaj çdo krahu politik. Një herë, nga fillimi i vitit 1997, kur kishte hyrë në modë rrahja e gazetarëve dhe emrave të tjerë që flisnin e shkruanin kundër qeverisë së athershme, mund të përmend këtu masakrimin e kryeministrit të sotëm Edi Rama, u ndodha përballë një grupi që merrej me këtë punë, por nuk pësova gjë se njëri prej tyre tha: “lene lene, ky asht demokrat…” Ka qenë një periudhë kur isha i punësuar zyrtarisht në gazetën “Republika”, gjysëm zyrtarisht tek “Albania” por më shumë shkruaja për “Koha Jonë”. Lidhur me këtë Ylli Rakipi shprehej se “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njejtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek unë (“Albania”) dhe mbron qeverinë”. Gjithsesi, ai që ishte opinion im personal në atë periudhë shprehej tek “Koha Jonë” e cila ndonëse ishte e orientuar kundër qeverisë, në fund të fundit ishte një gazetë pa “censurë”. Konkretisht ndonëse në publik ishte krijuar bindja se “Koha Jonë” ishtë një “gazetë e majtë”, aty kam botuar shkrime kundër PS-së, në një periudhë kur pothuaj gjithë shtypi ishte orientuar kundër pushtetit të Berishës, madje, në ndonjë rast vetë Nikollë Lesi më kërkonte të shkruaja kundër Nanos dhe socialistëve, ku nuk mungonte të bëhej dhe bashkautor për të treguar se ajo që shkruhej ishte dhe qëndrim i gazetës. Nuk mund të rri pa përmendur se krahas stafit të gazetës, duke filluar nga reporterët e deri tek redaktorët, që ishin ndër më të talentuarit e më puntorët, që “Koha Jonë” u bë gazeta më e lexueshme ishte dhe aftësia e Nikollë Lesit për ta bërë gazetën të ndryshueshme përsa i përket qëndrimeve dhe orientimit politik falë nuhatjes për të kuptuar se çfarë i pëlqente publikut. Një herë p.sh. Berisha u nxeh me stafin e RD për arsye se “Koha Jonë” kishte vënë më shumë pjesëmarrës në një miting të PD-së sesa vetë gazeta e partisë. Por, nuk mund të mos përmend “Republikën”, që megjithëse ishte gazetë e Partisë Republikane, kishte një autonomi që nuk e kishte jo vetëm ndonjë gazetë partiake por edhe gazeta private që në fakt ishin të pozicionuara. Merita për këtë them se i takon një burri të zgjuar, politikanit ndoshta më racional në skenën politike shqiptare, Sabri Godo, i cili nuk e kishte zakon të diktonte tek gazeta. Në një rast i intervistuar nga BBC, lidhur me një artikull i cili nuk ishte në një linjë me politikën e partisë u përgjigj: “Pyetni kryeredaktorin ose atë që e ka shkruar.”
-Me cilin Kryeredaktor je ndjerë mirë?
G.L- Më mirë jam ndjerë me Ben Blushin, i cili veç kulturës dhe mprehtësisë, kishte një fantazi të admirueshme, përsa i përket vlerësimit dhe vendosjes së materialeve në faqet e gazetës. Shtoji kësaj dhe aftësinë për të intriguar. Kështu, kishte raste që i tërhiqte vemendjen një lajm në dukje i parëndësishëm, por me ndonjë rregullim e vinte në faqen e parë si lajmin më të rëndësishëm me të cilin hapte gazetën. Tituj të tillë si “Me presh në shesh”, “Doktor shko tek doktori”, “Lushnja digjet Berisha krihet”, “Xhaferrit i ka humbur simitja” e shumë të tjerë produkte të fantazisë së Blushit ishin një tjetër faktor që “Koha Jonë” theu gjithë rekordet e shitjes në periudhën 1996-1997. Kishte dhe raste të tilla si, ndërsa një ditë gazeta ishte bërë tribunë avokatie për liderin socialist të burgosur, në orët e vona, kur mbyllej numri i ardhshëm Blushi më afrohej dhe me thoshte në vesh: “Një shkrim kundër Tos Nanos”….
– Si kanë qenë marrdhëniet me liderët politik, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha e Fatos Nano?
G. L: Ramiz Alinë në cilësinë e politikanit nuk kam pasur rastin ta takoj asnjëherë, por gjatë viteve 70-të deri në vitin 1982 e takoja pothuajse çdo weekend në bulevardin e madh ku ai me të shoqen shetisnin si gjithë qytetarët e Tiranës së asaj kohe. Duke qenë se për një kohë të gjatë duke filluar pas mbarimit të luftës, ai mbulonte artin, kishte miqësi me prindët e mi sidomos me tim atë, si pasojë e partizanllëkut. Kurse unë njihesha me bashkëshorten e tij në Fakultetin e Shkencave ku ajo ishte profesoreshë, bile ishte ajo vetë që më therriste sapo më shihte për t’i treguar ndonjë nga “qyfyret” e mia. Sa për ata që i hynë politikës pas dhjetorit të vitit 1990 mund të them se i njoh të gjithë. Këtu e kam fjalën për politikanë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo për “ushtarë” të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar vetëm falë “iso-s” kryetarit në përplasjet me “armiqtë në gjirin e partisë, duke “ligjëruar” si papagaj vetëm ato që thotë lideri, shkurt individë që nuk kanë hyrë në politikë me aksionet a kreditet e tyre dhe, 90 përqind e politikanëve shqiptarë janë të kësaj katëgorie. Me të gjithë politikanët me peshë, duke filluar nga Berisha e Nano, për të shkuar tek liderë të partive minore kam pasur marrëdhënie të mira edhe pse në jo pak raste kam qene kritik ndaj qëndrimeve të tyre për çështje të ndryshme ashtu siç kam shkruar pozitivisht per lëvizje të tyre që më janë dukur të drejta. Gjatë vitit 1996 deri në verën e vitit 1997 më radhisnin ndër antiberishistët më të spikatur për shkak të shkrimeve kritike ndaj pushtetit të tij, por nga ai moment fillova të shkruaj shpesh kundër “mëkateve” të qeverisjes socialiste, aq sa një ditë Nano, me atë humorin e tij elegant më tha: “Gosh ke filluar të luash prapë mirë basketboll…”. Që Nano dhe Berisha ishin në krye të dy partive më të rëndësishme të vendit, për mua që i njihja të dy, nuk përbënte ndonjë habi pasi ishin njerëzit që e njihnin politikën, mënyrën si funksiononte shteti, partia shumë më mirë se politikanët e tjerë. Me Berishën p.sh. ishte kënaqësi të diskutoje për zhvillimet politike ndërkombëtare, madje dhe ato të shumë viteve më parë.
– Jo rrallë ju keni shkruar me simpati edhe për Monarkinë! Keni ndonjë lidhje, apo prefertencë?
G.L:- Keni të drejtë, janë të shumtë ata që e kanë konstatuar këtë. Por e vërteta është se e vetmja gjë që më ka lidhur me Monarkinë dhe “Legalitetin” është figura e Ahmet Zogut, që duam s’duam është krijuesi i shtetit funksional shqiptar. Kur përmend Ahmet Zogun, nuk kam parasysh vetëm Mbretin Zog, presidentin e Republikës Shqiptare, kryeministrin apo ministrin e brendshëm të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, por edhe atë djaloshin 16 vjeçar të angazhuar në aktivitetet kombëtare kur Shqipëria po shpallej e pavarur. Ishte e paimagjinueshme që në një vend patriarkal si Shqipëria, ku para burrave të vjetër me mustaqe, duhej të rrinje “sus”, para krerësh fisesh që në krahinat e tyre bënin ligjin, një djali të ri, pa i mbushur ende 20 vjeç, jo vetëm i “zinte fjala vend” por dhe i besohej drejtimi i aksioneve të rëndësishme me karakter kombëtar. Vetëm 25 vjeç ishte kur arriti të bëhej ministër i brendshëm për të përballuar sfidën e vendosjes së rendit në një vend me një shtet formal. Dhe vetëm brenda tetë viteve do të bëhej kryeministër, president e mbret, dukë i bërë të gjitha kalimet, siç shprehej Konica, në bazë të ligjit. Falë librave të vjetër që kisha në shtëpi, pata mundësi të krijoj një imazh krejt tjetër mbi figurën e tij, krejt në kundërshtim me atë ç’ka na mësonin në shkolla…
– Si e vlerëson qeverisjen e Edi Ramës dhe si e përcakton të nesërmen e qeverisjes së tij?
G.L:- Nuk e vë aspak në dyshim dëshirën e Edi Ramës për të lënë gjurmë duke bërë ndryshime pozitive me shkallmimin e kornizave të vjetra, brenda të cilave gjallojnë dukuritë negative të shoqërisë shqiptarë që njihen e kritikohën por nuk po çrrënjosen dot. E them këtë pasi e njoh karakterin e tij falë shoqërisë që nga “koha e kolerës”. Njëkohësisht, dua të them se i pëlqejnë dhe butaforitë, sfondet, sloganet dhe ka raste që “ndryshimi” mbetet deri këtu, pa shkuar në gjëra që ndikojnë në përmirësimin funksionimit të institucioneve dhe më së pari jetesës së njerzve. Por ajo që nuk më bind dhe më bën të jem kritik, është artitmetika e tij. Po marr një aspekt; ai ka premtuar hapjen e 300 mijë vendeve pune por ama rritja e taksave për bizneset pengon hapjen e vendeve të reja të punës për të mos thënë çon në shkurtimin e tyre. Nga ana tjetër edhe mënyrën e drejtimit të partisë prej tij e shikoj si një kthim prapa. Duke qenë gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i një drejtimi liberal “alla Nano”, ku jo vetëm kritikohet kryetari lirisht, por mund edhe të konkurohet në një garë të vërtetë, jo e tipit “Alia-Dokle”, “Berisha-Butka” apo “Rama-Lakrori”. Falë një drejtimi të tillë në PS u promovuan shumë politikanë të rinj, madje tre kryeministra. Kështu që nuk mund ta “përtyp” dot një parti ku është vendosur tabela “Mos i fol shoferit”. Lidhur me qeverisjen Rama ka përballë një situatë tejet të vështirë. E them këtë pasi masat që kërkon të zbatojë Rama kërkojnë sakrifica të mëdha nga gjithë popullsia dhe e dyta duhet një kohë relativisht e gjatë që të ndjehet efekti pozitiv i tyre. Në këtë kontekst, duke qenë për 14 vjet larg vendit nuk jam në gjendje të përcaktoj kufijtë e durimit të shtresave në nevojë, sa do të jenë në gjendje të përballojnë një “shtrëngim rripi” edhe disa vrima më shumë. Masa të tilla, në radhë të parë, kanë nevojë për para; vërtetë mund të marrësh kredi nga FMN apo BB, por këto kredi janë të lidhura me masa të tjera shtrënguese të cilat në fund të fundit rëndojnë mbi shumicën e popullsisë. Le të marrim rritjen e çmimit të energjisë.Duke qenë një mbështetës i tregut të lirë , rritjen e çmimit të energjisë e konsideroj diçka normale, për më tepër kur në botë çmimi i saj është disafishuar. Por në kushtet kur një pjesë e madhe e popullsisë eshte në kufijtë e mbijetesës, është shtetit ai që i takon të subvencionojë shtresat në nevojë dhe jo të detyrosh operatorët të mbajnë çmime të ulëta duke deformuar tregun e energjisë. Pra para të tjera, kredi të tjera që sjellin kushte të tjera restriktive.
Po për udhëheqësin e opozitës, kryebashkiakun Lulzim Basha, ç’mendoni?
G.L: – Sa për Bashën, nuk kam pasur njohje direkte për faktin se ai doli në skenën politike diku nga viti 2004-2005, kur unë kisha pesë vjet që isha larguar nga Shqipëria. Por, me aq sa kam mundësi të ndjek zhvillimet në Shqipëri, kam konstatuar se është një politikan me profil europian, i aftë të argumentojë idetë e tij dhe gjithçka që thotë, gjë që e kam konstatuar nga debatet e tij në TV dhe në aktivitete të partisë së tij. Pa u zgjatur kam bindjen se është zgjedhja më e mirë për PD. Por, siç e kam vënë në dukje në një shkrim botuar vitin e kaluar të drejtosh partinë e trashëguar nga Berisha është një sfidë e vështirë, pasi çdo përpjekje për ndryshim lehtësisht mund të bëhet objekt spekullimi nga kundërshtarët e Bashës në PD. Kam përshtypjen se ai ndodhet midis dy zjarresh; nga njëra anë akuzohet se është një marionetë e Berishës, të cilin jo pak e konsiderojnë si kryetarin real të PD, ndërsa Bashën formal, ndërsa nga disa akuzohet se po përgatit kursin “antiberisha” duke kooptuar njerëz të rinj në forumet e partisë. Në fakt njerëzit e rinj sjellin një frymë të re në PD në bazë të së cilës antarët të jenë vetveprues, t’i kërkojnë llogari kryetarit dhe forumeve drejtuese dhe jo të jenë vetëm zbatues të verbër. PD sot ka nevojë për mendimin e secilit për të arritur tek një mendim rezultant sa më i pjekur. Duke vazhduar, dua të theksoj se është e nevojshme të afrohen “të ikurit” me peshë, ata që mendojnë ndryshe apo që janë konfliktuar me liderin e saj historik. Për një parti që pretendon standarte europiane është jetike një hapsirë sa më e madhe për oponentët. Oponentë sigurisht konsideroj ata të cilët përfaqsojnë një linjë të caktuar, natyrisht brenda normave të programit dhe që kanë mbështetës brenda radhëve të partisë. Madje nuk do të përbënte ndonjë çudi sikur ndonjë prej këtyre të ishte fjala vjen nënkryetar, sekretar apo me një funksion tjetër të rëndësishëm në parti. Ndërkaq, lidhur me raportet me pushtetin është më frytdhënëse që për ndonjë akt, ndonjë hap të qeverisë që i shërben qytetarëve të mirës së vendit në përgjithësi opozita nuk ka pse të mos e vlerësojë pozitivisht deri dhe ta mbështesë. Një sjellje e tillë do ta bënte opozitën tepër të besueshme dhe akuzat e saj ndaj “bëmave” të qeverisë do të ishin shumë herë më të efektshme.
– Le të kthehemi pas, tek karriera juaj sportive: Si shkoi Gavrosh Levonja tek Basketbolli?
G.L:- Me basketbollin më afroi një nga emrat më të shquar të volejbollit shqiptar, traineri i madh Vangjel Koja, i cili ishte mësues fizkulture në shkollën “11 janari” kur unë isha në klasën e gjashtë. Bashkë me Guxim Bekteshin, Bashkim Muhedinin dhe të tjerë u bëmë një skuadër e mire dhe arritëm të fitojmë kampionatin e shkollave shtatëvjeçare. Më pas në gjimnazin “Qemal Stafa” një shkollë ku gjatë orës së fizkulturës luhej vetëm basketboll, bile sa herë ndonjë klasë kishte pushim zhvilloheshin ndeshje me klasa, ndërsa çdo mëngjez nga ora 7 e 30 deri sa fillonte mësimi në fushën e shkollës luanin ata që mbaheshin si lojtarët më të mirë, ndër ta mjafton të përmend emrin e Agim Fagut. Ndërkohë, luaja me të rinjtë e Tiranës dhe shumë shpejt ndonëse vetëm 14 vjeç do kaloja me skuadrën e parë, ku trainer ishte një emër i madh dhe i respektuar në qarqet sportive; Feti Borova.
– Nëpër ç’rrugë eci karriera sportive?
G.L:- Me kalimin e viteve fillova ta shikoj sportin si të vetmen mëndësi për të dalë jashtë shtetit gjë që mund të arrihej duke fituar një kampionat a kupë republike ose duke u bërë lojtar i ekipit kombëtar. Kështu, megjithëse nuk isha nga ata që e dashuronin sportin, as nuk kisha ndonjë përfitim material ose interesa të tjera që mund të lidheshin fjala vjen me një të drejtë studimi apo qëndrim në Tiranë, mirëpo dëshira për të fituar të shtyn të stërvitesh për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të shijosh frytet e djersës së derdhur. Pastaj ishte dhe detyrimi ndaj tifozëve, sidomos po të kesh parasysh se bëhet fjalë për tifozët e Tironës së athershme për të cilët tifozllëku ishte më shumë një mjet për të shprehur disensin e tyre ndaj qeverisë.
Cila ndeshje ju ka mbetë në kujtesë.
G.L: – Ndeshjet kanë qenë të shumta kështu që e kam të vështirë të veçoj ndonjërën. Secila kishte ndonjë episod për t’u mbajtur mend. Por më shumë mbeten në kujtesë grimca që nuk kanë të bëjnë mirëfilli me sportin. Ekipi ynë përsa i përket atmosferës së brendshmë ishte jashtë çdo “formati” zyrtar; lojtarë me flokë më të gjata se ç’lejohej, veprime si ato të skuadrave të huaja të “importuara” nga televizioni italian, muzika e huaj dëgjohej publikisht, me zë të lartë dhe në hotelet e qyteteve të tjerë kur shkonim për ndeshje dhe nuk përfillnim jo drejtuesit e klubit, as të federatës, po edhe ndonjë aparatçik pushteti, të cilin e vinim në lojë. Megjithatë , e paharrueshëm mbetet turneu i vitit 1974 në Kinë me ekipin kombëtar. Në atë kohë “krisja” në marrëdhëniet midis dy vendeve kishte filluar. Fakti që Hoxha kishte dërguar në Pekin si ambasador Behar Shtyllën tregonte se situata ishte delikate. Deri athere ndeshjet me kinezët ishin me të vërtetë miqësore, më shumë se ndeshje ishin një spektakël artistik ku qëllimi nuk ishte për të fituar po për ta nxjerrë ndeshjen barazim.Pasi ambasadori na foli për situatën në Kinë nga fundi u shpreh se “…kinezët kanë qejf të fitojnë..” Ndërkaq Agim Fagu e pyeti: “Po ne të luajmë për të fituar”. “Po dhe ju, luani për të fituar,”- u përgjigj pak si i pavendosur ambasadori. Që diçka kishte ndryshuar e konstatova gjatë një shfaqjeje të ansamblit tonë të këngëve dhe valleve në Pekin. Publiku nuk reagonte si dikur kur këndoheshin kënge për miqësinë dhe komunizmin, madje në fund të shfaqjes, kur artistët shqiptarë filluan ritualin e deriathershëm duke bërtitur: “Enver-Mao Ce Dun” apo “Cungo-Arbania” (Kina-Shqipëria), publiku filloi të dilte nga salla krejt indiferent.
Ashtu siç kishte paralajmëruar ambasadori Shtylla, kinezët vërtetë donin të fitonin me çdo kusht dhe për këtë nuk kursenin as një lojë të ashpër tej normales. Në një moment, një kinez, ndërsa Gim Fagu ishte në ajër, e pengon me gju dhe i jep një të shtyrë duke e hedhur tek spektatorët dhe, siç ishte zakon, shkon t’i japë dorën, gjë që Gimi e refuzon me një lëvizje dore që e shprehur me fjalë do të thoshte: “Ik pirdhu…”Por, pa kaluar as një minutë, nga altoparlantët në gjuhën kineze do të dëgjohej që “miqësia midis popullit shqiptar dhe atij kinez do të jetojë në shekuj, pavarësisht nga veprimet e ndonjë individi”. Pasi u njoh me këtë fakt ambasadori do të shprehej se “ata sportistët na hapën gjashtë muaj punë” dhe kërkoi që të merreshin masa për Gimin si pasojë e të cilave gjatë atij turneu shumë ndeshje nuk luajti. Ana sportive ishte vetëm një aspekt; tjetri ishte marrëdhëniet me kinezët jashtë fushe. Ndërsa Fagu nervozohej me përgjigjet e tyre dykuptimëshe duke debatuar, unë, duke e njohur zakonin kinez të interpretimit të çdo veprimi, i ngacmoja që të raportonin se shqiptarët “na provokojnë, nuk sillen miqësisht,…”. Me logjikën e 25 vjeçarit arsyetoja se qoftë dhe minimalisht, udhëheqja shqiptare ose do të afrohej me vijën e re të Kinës si “provë besnikërie” ndaj miqësisë së përjetshme ose do të shpejtohej ndarja, siç ndodhi pak vite më pas. Qëndrimet tona ndaj kinezëve ishin një problem i vazhdueshëm gjë që solli dhe konfrontimin tonë me drejtuesit e ekipit tone të cilët nuk i përfillnim më. Në një moment, madje u fol që “…ata të dy t’i nisni për në Tiranë…”
Pas kthimit në Tiranë, që në aeroport ku qethën Gimin u pa se udhëheqja e lartë ishte shqetësuar dhe filluam të prisnim furtunën. Fillimisht, krerët e sportit i minimizuan gjërat duke u mjaftuar me disa masa të lehta aq sa mund të ishin dënimet për indisiplinim apo flokë të gjata. Por pas takimit të ansamblit në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit ngriti problemin e “sjelljes borgjeze” të sportistëve dhe aty rifilloi gjithçka që përfundoi në masa dragoniane, si heqje titujsh sportive, pezullime për një kohë nga aktiviteti ndërkohë që unë u dënova dhe me mosdalje jashtë shtetit. Pas këtyre në të gjithë klubet sportive do të shpërndahej një buletin i posaçëm, ku dënoheshin sjelljet tona në Kinë me të njejtin stil dhe permbajtje si ai per Todi Lubonjen e Fadil Paçramit e me pas per grupet e tjera “armiqsore”. Nderkohe, ministri i arsimit na thirri ne zyren e tij dhe nder te tjera hodhi pyetjen: “A jeni ju me mesimet e partise?… Kurse nje sekretar i komitetit te partise se Tiranes në një mbledhje me sportistë tha se “…jane sjelle ne Kine si amerikane…”Gjithe kjo kishte te bente vetem me anen siperfaqsore; nese do te mesoheshin te gjitha ato qe kishim bere dhe qe kishim folur me kinezet qe na shoqeronin do te kishim perfunduar ne burg…
New York, 22 tetor 2014

Filed Under: Interviste Tagged With: Gavrosh Levonja, Interviste, nga Dalip Greca, rrefn per gazetarine e sportin

Halit Aga: Ahmet Zogu iu lut dy javë rresht Osman Balit t’ia falte jetën Avni Rustemit

November 2, 2014 by dgreca

Flet nipi i Osman Balit, njeriut që akuzohet për vrasjen e Avni Rustemit/
Ne Foto: I dyti majtas Osman Bali, ne qender Gani Topi i vellai Esat Pashes. Foto Eskluzive e vitit 1897, gjate luftes se Selanikut/
Është nipi i Osman Balit, djali i vajzës së njeriut më të afërt të Esat pashë Toptanit, i cili në një rrëfim për “Metropol” tregon për ngjarjen më të bujshme që u bë shkas për fillimin e kryengritjes së qershorit nga Fan Noli dhe përkrahësit: vrasja e Avni Rustemit. Aga tregon se pas vrasjes së Esatit në vitin 1920 ka qenë pikërisht Ahmet Zogu që në negociata, që kanë zgjatur prej dy javësh në sarajet e Balit në Baldushk të Tiranës, që i ka kërkuar t’ia falje jetën Avni Rustemit. Pse Ahmet Zogu iu lut Osman balit që t’i kursejë jetën njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj të tij? Çfarë i tha Osman Bali atentatorit Isuf Reçi. Roli i Rauf Ficos, ministër i Jashtëm i asaj kohe, dhe kunatit të tij në pagesën që iu bë Avni Rustemit për të qenë thjesht një mbulesë e atentatorit të vërtetë në hotelin “Kontinetal” në Paris. Në fund Halit Aga rrëfen dhe për vrasjen që iu atribua Myslym Pezës, por që në të vërtetë ishte tjetërkush.
– Zoti Aga, kush ishte Osman Bali dhe cilat ishin lidhjet e tij me Esat pashë Toptanin deri kur që këtë të fundit e vranë?
– Osman Bali ka lindur në 1863 në Elbasan. Fëmijërinë e ka kaluar në Tiranë dhe në sarajet e tij në Baldushk, të trashëguara nga i ati. Është shkolluar bashkë me Esat pashën në të gjitha nivelet, me të cilin kishin dhe lidhje gjaku nga e ëma. Njëkohësisht periudhën e shërbimeve ushtarake dhe xhandarmërisë i kanë kaluar po bashkë në shumë vilajete pjesë të perandorisë së kohës. Si bashkëluftëtarë të luftës 30-ditëshe të drejtuar nga Gani bej Toptani, i vëllai i Esatit. Organizatori kryesor i vrasjes së sadrazemit turk ose kryeministri i Turqisë së asaj kohe në urën e Gallatës, por në fakt në këtë atentat u vra i biri i tij. Por organizator i këtij ishte Esat pashë Toptani. Në shumë qytete të Perandorisë Osmane ka qenë në detyrën e bimbashit ose komandat i xhandarmërisë deri në luftën e Shkodrës, ku ishte një nga drejtuesit kryesorë të forcave regife, ose vullnetare, dhe organizator i saj nga fillimi deri në kryerjen e detyrës.
– Osman Bali akuzohet si një ndër atentatatorët kryesorë të Avni Rustemit, i cili mendohet se ka vrarë Esat pashën në Paris. Para se të kalojmë këtu, sipas atyre çka keni dëgjuar nga të afërmit tuaj, mund të na bëni një përshkrim të Avni Rustemit, pra cili ishte ky personazh kaq i mitizuar, sidomos në kohën e komunizmit?
– Avni Rustemi ishte një person anonim, që nuk e njihte askush, jo vetëm në Tiranë, por as në zonën e tij në Libohovë. Unë nuk mund të hyjë me saktësi në emra të përveçëm se si ai arriti deri këtu nga një provincial injorant. Nga një bisedë që kam pasur me Tomorr Alikon, i cili për tipa si Avni Rustemi shprehet se në atë zonë u thërrisnn “opingar”, dhe realisht kështu ishte. Por grupet revolucionare, ku u përfshi edhe Avniu, ishin shumë aktive. Këtë unë e mbështes në programin e qeverisë së Esat pashës në vitin 1914 në Durrës, ku një ndër pikat e programit të qeverisë ishte shpërndarja e grupeve revolucionare, sepse dihet që xhonturqit ishin revolucionarët që donin të shkatërronin shtetin. Lidhur me vrasjen e Esat pashës nga ky person anonim, me ç’kam dëgjuar, është paguar nga kunati i Rauf Ficos për të vrarë Esat pashën, por në fakt nuk e ka vrarë ky.
– Po kush e vrau?
– Në dijeninë time, e ka vrarë shefi i policisë së Parisit, Fransua Laskia. Dhe kjo jo paarsye. Periudha 1912-1920 ka qenë shumë decizive për kufijtë e Shqipërisë dhe fuqitë fituese, Antanta, e cila fitoi luftën, për të tërhequr Italinë në grupin e vet, i premtoi kryesisht pjesën e Vlorës deri në Durrës Italisë për ta pasur në pjesën e vet. Dhe Esati nuk ishte dakord, pasi ishte fitues i Luftës së Parë Botërore dhe miratimi nga politika provinciale e Tiranës bëri që të kryhej kjo vrasje. Ruajtën momentin që Osman Bali u kthye nga Parisi për të marrë pjesë në kongresin e Lushnjës. Sepse po të mos jepte mbështetjen Esart pashë Toptani, kongresi nuk mund të zhvillohej, pasi në atë kohë në vend vepronin vetëm forcat e Esat pashë Toptanit.
– Po Roli i Avni i Rustemit cili ishte në këtë atentat?
– Avni Rustemi ishte thjesht një kukull, i cili mori përsipër atentatin. Dhe për këtë u pagua nga personi që unë thashë më lart. Nuk u provua kurrë që Esatin e kish vrarë Avni Rustemi dhe nga gjykatat franceze nuk u dënua, ndërkohë që kodi penal i atij vendi vrasjen e dënonte me vdekje asokohe. Fjalët për protesta të shqiptarëve emigrantë e të tjera si këto kanë qenë vetëm pallavra komunistësh.
– Si e priti Osman Bali vrasjen e Esat pashës?
– Osman Bali realisht kishte të gjithë ushtrinë me vete dhe njihej si drejtues pas Esat pashës. Pa u vrarë Esat pasha rrethoi Tiranën dhe i çon ultimatumin parlamentit që ose të presin të vijë Esat pasha, ose të largohen nga Tirana. Sepse duhet pranuar që parlamenti i asaj kohe ishte i vetëshpallur, pasi s’kishte dalë nga një proces i rregullt zgjedhor. Me fjalën e Qazim Koculit dhe Mehdi Frashërit pranohet ultimatumi dhe formohet një komision për të shkuar dhe për ta marrë Esat Pashën në Paris. Kur ky komision shkon në Paris për të marrë Esat Pashën, ndodh vrasja e tij. Pas vrasjes së Esat pashës Osman Bali tërhiqet dhe mbledh forcat për të sulmuar Tiranën dhe ikën në Baldushk në sarajet e veta. Atje shkon ministri i brendshëm, Ahmet Zogu, dhe i thotë tekstualisht: “Preferon të jemi në pushtet apo të vijnë bolshevikët?” Osman Bali pranon që të jenë këta në pushtet dhe kur Ahmet Zogu po largohej, i thotë: “Kam dhe një kërkesë… Tosku (Avni Rustemi të mos preket.” Përgjigjja ishte e prerë se kjo nuk pranohet, por pas shumë bisedimesh, për rreth dy javë në shtëpinë e Osman Balit, ky i fundit i thotë fjalë për fjalë: “Deri ditën që ti të jesh në pushtet, nuk i ndodh gjë. Ditën që ti të largohesh, ai nuk do të jetojë më. Dhe kështu ndodhi. Më 23 mars 1924 Ahmet Zogu plagoset nga Beqir Valteri, i paguar nga kundërshtarët e tij. Vetë Avni Rustemi ikën në Itali dhe rregullon një vizë amerikane në konsullatën e Tiranës për të ikur në Amerikë. Osman Bali informohet që Avni Rustemi po mbërrinte në Tiranë nga Italia, ku ishte fshehur, ngarkon Isuf Reçin që ta kryejë këtë detyrë. Ishte një burrë Tiranas, i vjetër besnik i tij.
– Pse Isuf Reçin kur ai mund ta vriste vetë?
– Fjalët që Osman Bali i tha Isuf Redçit ishin: “Unë do shkoj në Elbasan të vras Aqif pashë Elbasanin (që ishte kushëriri i tij dhe i Esat pashës, pjesë e komplotit për të vrarë Esat pashën në Paris). Nesër dua që të mbarosh punë me Avni Rustemin, pasi unë nuk e ndyj koburen me të. Sepse pasha kërkon pashë dhe jo rrjepacakë.” Pa shkuar në Elabsan, Aqif pashës i shkon fjala se “po vjen Osman Bali të të vrasë”. Aqif pasha largohet dhe Osman Bali nuk e gjen. Kur po pinte kafe në Elabsan, i tregojnë për vrasjen e Avni Rustemit në Tiranë.
– Thonë që është vrarë pas shpine Avni Rustemi, si është e vërteta?
– Absolutisht jo. Unë kam folur me Xhlelal Casllin, që në atë kohë ishte nja 14 vjeç, tashmë ka vdekur. E priti tërë ditën dhe kur e pa, e kapi për krahu dhe i tha: “Bëji Selam Esat pashës!” dhe e qëllon në brinjën e djathtë.
– Po Osman Bali e dinte se nuk e ka vrarë Avni Rustemi Esatin, pse duhej ta vriste?
– Sepse ky, pasi e pa që s’po e ngacmonte kush, filloi të shiste mend sa andej-këndej, madje e bënë dhe deputet në zonën e Kukësit, që atëherë i përkiste Kosovës, sepse në Libohovë nuk e votonte njeri, pasi e dinin kush ishte. Një gjë është interesante: spas nipit të Xhemal Kusit, mësues në atë kohë, por që kishte njohje me Avni Rustemin, më ka treguar këtë dialog që ka bërë me Avni Rustemin: “I fortë dole, o Avni, si e vrave Esatin në mes të Parisit?” Avni Rustemi i kthehet dhe i thotë: “Xhemal efendi, s’e kam vrarë unë” dhe Xhemali këtë deklaratë ia kërkon me shkrim. Avni Rustemi ia jep me firmë. Këtë letër Xhemali e fut në dorëshkrimin e tij dhe rreth vitit 1988-1989 ia dorëzon Androkli Kostallarit. Androkliu i thotë se kjo s’mund të botohej, por e fut në arkiv. Më gjatë unë s’e di se çfarë është bërë me atë dokument.
– Po nga përkrahësit e Avni Rustemit si u prit vrasja e tij?
– Më pas ata e shfrytëzuan këtë vrasje për të bërë revolucionin e qershorit të vitit 1924. Por kam dëgjuar se dhe vetë hirësia e tij Fan Noli ka festuar për vrasjen e Avni Rustemit, një njeri i mërzitshëm dhe i paditur, siç e përshkruan dhe Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij. Kjo shërbeu si pikënisje për të ardhur në pushtet kundërshtarët e Zogut.
– Tani dalim pak te vrasja e Osman Balit. Thonë se e ka vrarë e Myzlim Peza, madje ka dhe një këngë për këtë qëllim?
– Vrasja e Osman Balit nuk është një vrasje e rastësishme, për hasmëri apo për pazare kuajsh, siç thuhet në këngë. Është në kuadër të vrasjeve të mbështetësve të Esat pashës. Unë nuk di të them sot se kush ka paguar, por di që s’e ka vrarë Myslim Peza. Sipas dijenisë sime, janë mobilizuar më shumë se 30 persona për vrasjen e Osman Balit, në atë kohë 63 vjeç. E ka vrarë Osman Tafizi me pushkë mbrapa koke. Myslim Peza vetëm e mori përsipër, por nuk e kreu dot, sepse nuk arriti as ta nxjerrë revolen, madje u ka thirrur njerëzve në pritë: “Kujdes, se do vrisni njëri-tjetrin!”. Këto janë fjalët e Xhemal Kasës, prezent në ngjare, djali i tezes së tij, që më pas ka punuar në shtëpinë e Myslim Pezës si bahçevan. Por këto çështje daja im, Ismail Bali, i ka mbyllur që në vitin 1943.

Kujtimet e Eqerem bej Vlorës
Avni Rustemi ishte një kriminel dhe karagjoz. Me vrasjen e tij drejtësia u vu në vend

Ahmet Zogu e dinte cilët ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esat pasha (njëherësh edhe vetë Esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rrustemin, vrasësin e Esat pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. I plagosuri vdiq dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës. Ky kishte qenë një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, por bënte edhe një shërbim tjetër: pajtonte dy rryma politike: esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara. Por vrasja e Avni Rrustemit ishte njëherësh edhe shkëndija që ndezi flakadan zjarrin, deri atëherë të mbuluar, të urrejtjes së vjetër disavjeçare midis krahut demokratik dhe atij aristokratik. Urrejtja, si një udhëkryq, ndante Shqipërinë osmano-feudalo-myslimane nga ajo nacionalo-socialisto-demokratike. E në rrethanat ekzistuese ky zhvillim do të çonte pashmangësish në vendosjen e një diktature, që do të zgjaste 15 vjet. Në mbrëmjen e po asaj dite unë me Myfit bej Libohovën i bëmë një vizitë në shtëpi Ahmet Zogut. Me gjithë njëfarë temperature, Zogu e kishte marrë tashmë veten nga shoku i pësuar. Sipas zakonit të keq shqiptar, në dhomën e të sëmurit hynin e dilnin me qindra vizitorë, pa dashur t’ia dinë nëse ky interes i pëlqen apo e bezdis të sëmurin. Piheshin pa mbarim cigare dhe kafe, ndërkohë që i sëmuri, për të mos e humbur burrërinë në sytë e botës, jo vetëm që duhej t’i priste buzagaz, por edhe t’u jepte muhabet. Dhe Ahmet Zogu i përmbushte në mënyrë të shkëlqyer këto kërkesa të etiketës shqiptare. Asnjë fjalë e keqe për atentatorin dhe për nxitësit e tij nuk doli nga buzët e tij, asnjë emër nuk u përmend. Por pikërisht kjo shpërfillje në dukje ishte ogur më i keq për organizatorët e atentatit dhe për pasojat e aktit të tyre. Mua më erdhi edhe një herë në majë të hundës nga rrengjet që ofronte politika shqiptare. Mora leje, me kokën time, dhe u nisa për në Vlorë. Por pas disa ditësh doli që kisha rënë nga shiu në breshër. Ajo që po luhej në Vlorë ishte doemos vetëm refleksi i asaj që po ndodhte në Tiranë, por e mjaftueshme, megjithatë, për të çmendur një njeri normal. Si pasojë e manipulimeve të Partisë Demokratike, në Tiranë po bëheshin gjashtë javë pa arritur të formohej një qeveri. Si kërpudha të helmuara në një moçal shpërthenin intrigat e grupeve dhe të partive: dora e “kuqe” dhe “e zezë”, organizata “Bashkimi” dhe shoqata të tjera revolucionare, anarkike, e më të shumtën qesharake, që mbillnin vetëm kaos. Këshilli i Regjencës dhe shumica e Asamblesë gjatë një periudhe qetësie relative, u përpoqën të kalojnë kandidaturën e Iljaz bej Vrionit për kryeministër. Por “dora e zezë” (intelektualë të dështuar, nëpunës dhe oficerë të politizuar) e kërcënonte me vdekje kandidatin në rast se ai merrte në kabinetin e tij Ahmet Zogun. Rruga ishte bërë kështu gjykatës për fatet e vendit. Partitë “demokratike” kishin zgjedhur për zgjidhje hakmarrjen për vrasjen e Avni Rrustemit. Ata kërkonin që nga vrasja e një sektaristi ekstravagant të përligjnin një revolucion shoqëror dhe në këtë anarki të përgjithshme ata shpresonin, më në fund, që të fitonin një pushtet të pakufizuar. Kjo quhej asokohe demokraci në Shqipëri! Më së fundi, më 30 mars 1924, Këshilli i Regjencës ngarkoi Shefqet bej Vërlacin me krijimin e qeverisë së re. Misioni i tij ishte të përpiqej për vëllazërimin e rrymave të ndryshme politike dhe për rivendosjen e rendit dhe të idesë së shtetit: një dëshirë e devotshme, por thuajse e parealizueshme. Dhe meqenëse Shefqet Vërlaci mbahej si vjehrri i ardhshëm i Zogut, rryma demokrate u zemërua jo pak. Ajo u përpoq me të gjitha mënyrat që ta bënte qesharak programin e tij dhe ta vinte në lojë në sytë e popullit kabinetin e tij. Po kur pas dy javësh “demokratëve” iu ofruan dy poste në atë kabinet (Luigj Gurakuqi nga Shkodra për financat dhe doktor Fahriu nga Kosova, për arsimin), ata jo vetëm që I pranuan sakaq postet, por që në mbledhjen më të parë të Asamblesë, kënduan këngë lavdërimi për qeverinë dhe për qëllimet e larta, pa interes vetjak dhe atdhetare të Shefqet Vërlacit. Asnjëherë më shumë se në këtë pranverë të vitit 1924 papjekuria, egoizmi i skajshëm dhe intrigat e gjithëmbarshme nuk kanë luajtur rol më të mjerë në Shqipëri. Këto mbrapshti paralizuan gjithë aparatin shtetëror dhe kabinetit Vërlaci nuk i mbetej tjetër veçse nga mëngjesi në darkë të përpiqej për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë. Gjatë këtyre ditëve ndodhi diçka që i nxehu edhe më tepër gjakrat. Një bandë kusarësh vrau dhe grabiti në pyllin e Mamurrasit dy amerikanë të pakujdesshëm. Askush nuk e dinte se cilët ishin fajtorët, ndaj edhe nuk mund të orientoheshin. Demokratët e shfrytëzuan sakaq këtë ngjarje fatkeqe duke e akuzuar Zogun se ai i kishte vrarë amerikanët për t’i dhënë një provë botës se vetëm ai është në gjendje të vendosë qetësinë dhe rendin në Shqipëri. Natyrisht, një shpifje e tillë e ulët nuk do të kishte merituar as vëmendjen më të vogël, nëse më vonë (gusht 1924), pasi Partia Demokratike kishte marrë pushtetin, të mos inskenohej një proces gjyqësor i mirëfilltë, me dëshmitarë të rremë e më the të thashë, i cili fajësoi për këtë vrasje Ahmet Zogun.
Një komedi e ngjashme ishte edhe ceremonia e nderimit para arkivolit të hapur të Avni Rrustemit në spitalin e Tiranës. Të gjithë ata që e quanin veten “popull” dhe “demokratë” kaluan përpara arkivolit të këtij karagjozi kriminel të cilin donin, me doemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit. Me radhë, udhëheqësit e Partisë Demokratike ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dinë se për popullin këto poza janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve. Gjithë kjo shfaqje hipokrite ndiqte vetëm një qëllim: të ngrinte peshë zemrat e njerëzve dhe nga trazira e përgjithshme, të fitonte kapital politik. Në këtë vazhdë befas, Partia Demokratike vendosi ta transportojë të vdekurin në Vlorë, ta varrosë në një lëndinë të vogël trekëndëshe para barakës së teatrit dhe kinemasë në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë-Vlorë dhe përmbi të, të ngrejë një përmendore. Me qëllim gjoja, që ta përjetësojë. Në të vërtetë, pas tre muajsh grumbulli i dheut dukej krejt i lënë pas dore, ndërsa pas tre vjetësh ishte zhdukur fare Me vjegë se po përcjellin trupin vdekatar të atdhetarit të madh, shumë politikanë të mirëfilltë dhe asish të improvizuar u vunë në lëvizje nga Tirana dhe përmbytën Vlorën, si një luzmë karkalecash9Kortezi-Presha Jone)

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Zogu, Avni Rustemit, dy javë rresht, Halit Aga:, iu lut, Osman Balit, t'ia falte jetën

MARRËDHËNIET USHTARAKE SHQIPTARO-AMERIKANE

November 2, 2014 by dgreca

SHKRUAN: FRANK SHKRELI/USA/
Javën që kaloi Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington me zyrtarë të lartë të diplomacisë dhe të mbrojtjes amerikane. Në Pentagon, ministrja shqiptare u prit dhe zhvilloi bisedime me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, ndërsa në Departamentin e Shtetit, Ministrja Kodheli u takua me Ndihmës-Sekretaren e këtij Departamenti, përgjegjësen për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Victoria Nuland.
Bazuar në deklaratat mbi bisedimet midis dy palëve, si pala shqiptare ashtu edhe ajo amerikane, vlerësuan marrëdhënjet shumë të mira midis dy vendeve në përgjithësi dhe theksuan veçanërisht bashkpunimin midis Washingtonit dhe Tiranës në luftën kundër terrorizmit. Zëdhënsi i Pentagonit, Admirali John Kirby, duke dhënë hollësi për takimin në Pentagon midis Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministres Shqiptare të Mbrojtjes, tha se Sekretari Hagel, i cili e kishte ftuar zyrtarisht Zonjën Kodheli, falenderoi Ministren shqiptare për përkrahjen dhe ndihmën bujare që Shqipëria ka dhënë për qeverinë e Irakut, duke i dhuruar qeverisë në Bagdad mjete dhe furnizime ushtarake. Shqipëria, shtoi zëdhënsi i Pentagonit, ka luajtur një rol udhëheqës në përpjekjet e tanishme ndërkombëtare për të ndihmuar dhe për të furnizuar forcat kurde me armë dhe municion në luftën e tyre kundër forcave terroriste të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, ISIL — ndërmarrje kjo për të cilën Shqipëria mori vlerësime të mëdha.
Në një deklaratë për median në lidhje me takimin e ministrave të mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Admirali John Kirby tha gjithashtu se zyrtarët e lartë diskutuan gjithashtu edhe mbi përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar dhe për të modernizuar forcat e saj të armatosura, përfshirë edhe oficerët shqiptarë të cilët u diplomuan kohët e fundit nga Shkolla e Kandidatëve për Oficerë të Gardës Kombëtare të shtetit Nju Xhersi. “Modernizimi i forcave tona të armatosura është në top listën e prioriteteve tona”, tha Ministrja Kodheli në një intervistë për Zërin e Amerikës pas takimit në Pentagon, duke shtuar se rolin kryesor në këtë proces do ta luajnë Shtetet e Bashkuara. Ajo vazhdoi duke thënë se ne “jemi drejtuar tek armatimi i standarteve të NATO-s; bashkëpunimi është më se i frutshëm dhe ne jemi gati me strukturat tona, me unitetet tona ushtarake dhe të mund të përgjigjemi në misionet e përbashkëta paqëruajtëse, kudo ku është ushtria amerikane dhe kudo që ka padyshim forca të armatosura të çdo vendi në NATO”.

Admirali Kirby u tha gazetarëve se të dy udhëheqsit e lartë të mbrojtjes ranë dakort për të vazhduar së bashku punën drejtë kapaciteteve të Shqipërisë për trajnimin dhe edukimin e oficerëve ushtarakë. Në deklaratën e Pentagonit thuhet gjithashtu se gjatë bisedimeve midis dy krerëve të mbrojtjes, Ministrja e Shqipërisë Kodheli nënvijoi përpjekjet e vendit të saj për të modernizuar forcat e armatosura me armë të standardeve të aleancës së NATO-s. Zonja Kodheli, sipas zëdhënsit të Pentagonit, bëri thirrje dhe inkurajoi bërjen e investimeve në fushën e mbrojtjes në Shqipëri. Sekretari Hagel shprehu gjithashtu falenderimet e tija Shqipërisë, për ndihmën e saj në misionin ndërkombëtar në Afganistan si dhe për angazhimin e Tiranës zyrtare në mbështetje të misionit atje edhe pas vitit 2014.

Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë 25 viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, marrëdhënje këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas shëmbjes së diktaturës komuniste. Vizita e fundit e Ministres shqiptare të mbrojtjes, Zonjës Kodheli në Pentagon është provë e marrëdhënjeve të mira politike dhe ushtarake, jo vetëm midis dy palëve, por edhe në arenën ndërkombëtare, ku forcat shqiptare të armatosura kanë shërbyer krah për krah dhe këmbë për këmbë me forcat e ushtrisë amerikane për sigurimin e paqës në zona konflikti, përfshirë edhe Kosovën.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave. Unë pata marrë pjesë si përkëthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit shqiptar dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit kutë dy palët, biseduan në hollësi mbi gjëndjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhënjet e ardhëshme dhe për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që — pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci, të fillonin edhe masakrimin e popullësisë shqiptare në Kosovë. Qyshë nga vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij në Washington, konsultimet dhe bashkpunimi midis forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë janë zhvilluar me qendrueshmëri deri në antarësimin, më në fund të Shqipërisë në aleancën ushtarake më të fuqishme të botës, NATO më 2009 e deri në ditët e sotëme. Shtetet e Bashkuara ishin vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për antarësimin e saj në NATO. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënjeve ushtarake midis dy vendeve, por që në të vërtetë kishte filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, e që më në fund kulmoi me antarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, si një vend me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë si çdo shtet tjetër anëtar i aleancës perëndimore. Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhënjet me të cilin, Washingtoni i vlerëson shumë. Ç’prej rivendosjes së marrëdhënjeve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 — pas një ndëprerjeje të këtyre marrëdhënjeve për një gjysëm shekulli — Shqipëria mbrenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara jo vetëm në marrëdhënjet dypalëshe, por edhe në bashkpunimin e tyre në arenën ndërkombëtare.

Gjatë 25 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar të jenë mike dhe partnerë të ngushtë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që kombi shqiptar vazhdon të hedhë hapa përpara drejtë konsolidimit të një demokracie të vërtetë dhe të integrimit të plotë të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria vazhdon të japë mbështetjen e saj ndaj sigurimit rajonal dhe paqës ndërkombëtare. Vizita e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli në Washington javën që kaloi — të cilën, në një intervistë me VOA-n shqip ajo e cilësoi si një vizitë që “rezulton të jetë më e suksesshme se çdo herë tjetër” — përforcon rolin e Shqipërisë mbrenda aleancës së NATO-s dhe rritë rolin politik dhe ushtarak të Tiranës, jo vetëm në marrëdhënjet ushtarake midis Shteteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, por edhe më gjërë. Njëkohësisht, vizita e Zonjës Kodheli në Washington, e bën edhe më të rëndësishëm dhe më të besueshëm angazhimin rajonal dhe europian të Tiranës zyrtare në mbështetje të stabilitetit, të sigurimit dhe të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhënjet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane në fushën ushtarake si edhe ato të nivelit diplomatik dhe politik midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit, kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zejë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht ka ndihmuar edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, MARRËDHËNIET USHTARAKE, shqiptaro-amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4321
  • 4322
  • 4323
  • 4324
  • 4325
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT