• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA DHE BASHKESIA SHQIPTARE FESTOJNE 28 NENTORIN

October 27, 2014 by dgreca

Me 28 Nentor 2014,diten e Premte, ora 6.00, Bashkesia Shqiptare ne NY , NJ dhe rrethina do te festojne ne Maestro 102 Vjetorin e Pavaresise se Shqiperise, Diten e Flamurit Kombetar.
Per me shume informacion, klikoni siper flyer-it…

Filed Under: Vatra Tagged With: 2014, ora 6, te Premten, Vatar do te festoje 28 Nentorin

Funerali I pluralizmit në Kosovë

October 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Gavrosh Levonja/ New York/
Tashmë, pasi kanë kaluar më shumë se katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më së fundi ka filluar të flitet për të ashtuquajturin “ngërc kosovar”. Ndonëse është një periudhë kohe relativisht e gjatë që nga tetë qershori i këtij viti nuk kemi akoma asnjë institucion produkt i rezultatit që dhanë zgjedhjet. Vetëm ditët e fundit, presidentja e Kosovës, ka marrë mundimin të konsultohet me përfaqsues te ndryshëm të politikës kosovare për të gjetur një formulë të pranueshme e cila do të conte në rifillimin normal të jetës institucionale në vend. Mirëpo, duke u njohur me përmbajtjen e takimeve në fjalë të presidentes, menjëherë ndeshemi me dicka jo normale; kërkimin e një “zgjidhjeje në përputhje me kushtetutën”. Eshtë me të vërtetë për t’u habitur se c’zgjidhje ka parasysh presidentja, në kohën që kushtetuta e vendit e thotë në mënyrë fare të qartë se “për formimin e qeverisë së re ngarkohet kreu I partisë ose koalicionit që fiton më shumë vota …”. Në rast se zonja Jahjaga do të ishte e interesuar për t’I qëndruar besnike kushtetutës, nuk kishte pse të humbiste kohë duke pritur katër muaj, por vetëm një javë apo e shumta dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve duhej të kishte ngarkuar kryetarin e PDK-së, Thaci për të formuar qeverinë e re si lider i partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhje. Në rast se ky nuk do të ishte në gjendje të siguronte aleatët e nevojshëm që të fitonte votëbesimin në parlament, gjë që , gjykuar nga zhvillimet e deritanishme , gjasat më të mëdha flasin për një dështim të tij, athere ajo, pa humbur kohë, duhej t’i jepte mandatin për këtë, përfaqsuesit të një formacioni tjetër, në këtë rast koalicioni VLAN. Dhe pasi të dështonte dhe kjo përpjekje athere qytetarët e Kosovës gjithnjë në bazë të kushtetutës, duhej t’u drejtoheshin edhe një herë kutive të votimit. Por më shumë se tek zbatimi I kushtetutës, shkaku I vërtetë dhe I vetëm I “ngërcit” institucional në Kosovë, është përpjekja e dëshpëruar e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaci, për të mos dorëzuar postin. Thjesht, vetëm si pasojë e këmbënguljes në këtë drejtim , apo të paktën, që partia e tij të vazhdojë të qëndrojë ende në pushtet, Gjykata Kushtetuese merr vendime të paargumentuara aspak bindshëm duke mohuar vullnetin e shumicës së parlamentarëve të dalë nga vota e tetë qershorit. Gjithashtu, në këtë kuadër, krerë të PDK-së e deputetë të saj etj, bëhen qesharakë ndërsa servirin “argumenta” të tillë si “vetëm partia më e madhe ka të drejtë të krijojë koalicion qeveritar”, se “është e papranueshme që partia më e madhe të jetë në opozitë”, se “kreu I parlamentit ose I ndonjë institucioni tjetër të rëndësishëm duhet t’i takojë detyrimisht PDK-së” etj. Nuk mungojnë dhe “profeci” të tilla si “cdo ndryshim përsa I përket qeverisë do të rezultojë me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit” të cilat e kanë burimin nga zyra e Thacit. Dhe, po t’I mbledhim të gjitha këto, konkludohet se kryeministri I deritanishëm dhe partia e tij nuk njohin ose të paktën nuk pajtohen me realitetin politik të pas zgjedhjeve të tetë qershorit. Nga ana tjetër, gjë që del duke analizuar manovrimet diversive të PDK-së kuptohet se po synohet carja e VLAN-it duke joshur eksponentë të tij me n jë koalicion të tipit PDK-LDK, pa përjashtuar parti të tjera apo në rastin më të keq duke “blerë” deputetë të tyre. Vetë përmendja e “zgjedhjeve të reja” si pasojë e ngërcit të krijuar, nuk është gjë tjetër vecse shantazh ndaj deputetëve, të cilët mund të humbin mandatin pas zgjedhjeve të mundshme të jashtzakonshme. Mirëpo askush nuk përmend faktin që tek zgjedhjet e jashtzakonshme shkohet vetëm pasi të jenë ezauruar gjithë alternativat e tjera të mundshme. Athere, si mund të flitet për zgjedhje të tjera apo përsëritje të tyre në kohën që ende nuk është tentuar të provohet asnjë alternativë?
Ditët e fundit, ngerci institucional në Kosovë u bë temë edhe e zonjës Doris Pack, e cila praktikisht I u bashkua korit të atyre që mbështesin moslargimin e PDK nga pushtetit edhe pse nuk është në gjendje të sigurojëe votat e nevojshme duke qene se asnjë nga partitë me peshë të Kosovës, nuk dëshëron të komprometohet duke marrë mbi shpinë “mëkatet” e qeverisë “Thaci” kundër te cilave u shpreh shumica e qytetarëve në votën e tetë qershorit. Lidhur me këtë ajo nuk nguroi të deklaronte edhe ndonjë absurditet të tipit si “Haradinaj nuk mund të jetë kryeminstër kur partia e tij mori vetëm 10 përqind të votave” si dhe duke propozuar formulën “magjike” të koalicionit PDK-LDK. Përsa I përket zotit Haradinaj, zonja Pack e di fort mirë se në vendet e BE-së, ka raste të shumta, ku si pasojë e konjunkturave të krijuara, jo vetëm liderë të partive të vogla, por madje figura që nuk I përkasin ndonjë partie politike vendosen në krye të qeverisë. Shembulli më I prekshëm në këtë aspekt është Italia fqinje. Sa për idenë e koalicionit PDK-LDK, ky do të ishte dëmi më I madh që do t’I bëhej pluralizmit dhe jetës demokratike në Kosovë, pasi vendi, praktikisht, do të mbetej pa opozitë për një kohë relativisht të gjatë, në kohën që pushteti do të mbetej një ceshtje “familjare” e dy partive më të mëdha të vendit, duke përgatitur kështu funeralin e pluralizmit politik.

Filed Under: Editorial Tagged With: Funerali I pluralizmit, Gavrosh Levonja, ne Kosove

JA PSE I DISKRIMINON UEFA SHQIPTARET

October 27, 2014 by dgreca

Po të ishin unike qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës, a do të kishte mundur UEFA t’i diskriminoj shqiptarët?/
Nga Asllan Dibrani/
Mediat ndërkombëtare u skandalizuan me padrejtësinë, por pa efekt zyrtar qe u referua nga UEFA qe vendosi ngjarjen skandaloze në stadiumin e Beogradit ta kthejë në favor të serbëve duke u dhënë atyre fitoren 3 me 0 për ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë.
Ky vendim i ka lënë të shokuar shqiptarët, të lënduar për pafuqinë e tyre ndaj një gjykimi kaq të padrejtë. Po qe të ndodhte ndryshe me ndonjë vendim pro Shqipërisë, mund të irritonte jo vetëm Serbinë, por edhe ca shtete të tjera që shqetësohen nga shqiptarët sepese ajo që i shqetëson dominon nga vet gabimet e Ambasadorëve që Shqipërisë i prenë këmbë e duar në copëtimin e saj. Kështu që ndëshkimi për Shqipërinë ka qenë zgjedhja më e lehtë për UEFA-n e dominuar nga racizmi dhe njëanshmëria.
-Ndeshjen në mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte prioritare Shqipëria në disiplinë , kulturë dhe në kodin sportiv dhe pastaj nuk ka asnjë dyshim që UEFA nuk i ka dëgjuar koret raciste, as nuk i ka parë videot e huliganëve në fushë, goditjet e forcave të sigurisë ndaj futbollistëve shqiptarë, fotot e plagëve që ata kanë marrë me një ofensive terrori të pa parë ndonjëherë në fushën e futbollit !!!
Nga kjo pa drejtësi u krijuan plagë në zemrat e shqiptareve sot. Të gjithë e panë atë që ndodhi në Beograd dhe sot ndihen të fyer, të rrahur e të përdhunuar nga vendimi i UEFA-s dhe madje për këtë edhe u gjobit skuadra shqiptare!!!???… Një shuplakë kombëtare na dhanë dhe vet qeveritarët tanë nga qe u gjenden qengja pran Evropës dhe pran arrogancës serbo rebele kundër shqiptarëve. Qeveria shqiptare as qe reagoj në instancat ndërkombëtare për atë barbari serbe. Mezi ngritën një revoltë pa dal nga Tirana me një bisedë me ambasadorin serb në Tiranë , duke pire kafe, nga ideologjia komuniste se qengji i urtë pi dy nëna. Qeveria e Serbisë ngriti botën në këmbë duke u paraqitur si e viktimizuar, e provokuar, e sulmuar dmth dominoi ne opinion me propagandë duke reaguar në instancat ma të larta botërore për ngritjen e flamurit kombëtar atje gjë që , as që ka ndonjë lidhje me sportin ajo që pretendojnë serbët. Po të ishin në nivel kombëtar dhe në shërbimin e shqiptarëve qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës , të reagonte me kohë dhe të alarmonte botën për fatin e futbollistëve në ato momente nga fashizmi serbo-sllav gjendja do të kishte marrë një tjetër kuptim dhe epilog politik.
-Sikur të ishin në nivel qeveria e Shqipërisë me atë të Kosovës me reaguar me konferenca shtypi , me nota proteste ne nivele ndërkombëtare apo ne parlamentin evropian epilogu kishte me qenë ne favorin e Shqipërisë. Ma në fund shtrohet pyetja po të ishin unike qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës, a do të kishte mundur UEFA t’i diskriminoj shqiptarët aq brutalisht ?Gjithsesi se jo, fajet kryesore i kemi ne pastaj te tjerët!!!???…Lojtarët ishin të shkëlqyeshëm luajtën me dinjitet mbrojtën atdheun me vetëmohim , paçin nderin përgjithmonë në ballë të KOMBIT…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ja pse i diskriminon, UEFA shqiptaret

DRUVARI E COPËZA PREJ ARI

October 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/
Druvari një qytetar i varfër shkonte çdo ditë në mal për ta ngarkuar me dru gomarin e tij e drutë e ngarkuara mbi shpinën e gomarit, pastaj i shiste zejtarëve në qytet, kjo ishte mbase lufta për ekzistencë në vështirësinë për t`i siguruar familjës një cope bukë. Një kohë të gjatë në jetën e tij familjare do të mbetej kjo gjendje ekzistuese në kthetrat e mjerimit e varfërisë. Megjithëse në ndjenjën e tij të fshehur mohonte vesin e keq shfrytëzimin e kafshës që mbante mbi kurriz barren e rëndë të druve, por jeta e kishte bërë të tillë se ai dhe gomari ishin vetëm për të ulur kokën e për të punuar, kështu ai besonte se e ardhmja do t`i sillte diçka më të mire, më të bukur, pavarësishtë se ajo i shfaqej e turbullt. Me këto ndjenja të përziera niset për në mal, duke ecur më në thellësi të pyellit afër një shkëmbi sheh një cope metali që shkëlqente shumë, i afrohet dhe pyet veten si është e mundur që shkëlqen kështu? Për këtë shprehet i gëzuar se ka gjetur një cope metalike prej ari?! Ashtu i gëzuar ngarkoi gomarin me dru e u nis drejt qytetit, pasi shiti drutë, shkoi të Samarxhiu për ta riparuar samarin e gomarit, duke biseduar me Samarxhiun nxori pllakëzën e arit, e po e pyet këtë zotëriun: – A thua sa lira bënë kjo copë prej ari? E mori Samarxhiu e shikoi duke e rrotulluar nëpër duar copëzen prej ari dhe po i thoshte Druvarit: -Ma merr mendja se duhet të ketë vlerë nja 5 lira?! Pasi kreu punë të Samarxhiu, Druvari vazhdoi rrugën nëpër qytet dhe hyri tek një arëpunues dhe i dha copën prej ari, -duke i thënë më trego sa lira ka vlerën ky ari? Arpunuesi e hodhi në peshore copëzën e arit e në çast ju drejtua Druvarit: – Ky ari ka vlerën e 95 lirave. Mbeti i habitur Druvari, e ju drejtua, Arëpunuesit: – Si more mos e ke gabim? Po pak çaste më pare isha te Samarxhiu e ai i dha vlerën 5 lira copzës së arit! Arëpunuesi i thotë Druvarit: -Lëre ore Samarxhin, po ku di ai ç`është vlera e arit.

Filed Under: Histori Tagged With: Avdi Ibrahimi, Druvari e copeza prej ari

ME PETRO MARKON…NE TETORIN E CERRIKUT

October 27, 2014 by dgreca

Nga Aleko LIKAJ/
Tetori atë vit nuk ishte ftohur ende. Dielli ngrohte, e asfalti i rrugëve të qytetit nga bitumi i uzinës, vazhdonte që të ngjitej pas shollëve të këpucëve që shkelnin mbi të. Profesor Shuteriqi ngriti këpucën si për të na thënë së konstatimi i tij nuk ishte i vështirë për këtë qytet që perfshihet në zonën me të nxehtë të vendit. Kodrat e rrumbullakosura të Dumres si dhe ato të Shpatit të poshtëm që vinin e rrëzoheshin afër Cërrikut, në lagjen Malasej ku sapo le qytetin për të marrë rrugën e Elbasanit, sipas kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishin shkaku i vetëm që nuk e thyente këtë nxehtësi të padurueshme e tej cfilitëse.
Kamarieria vendosi në tavolinë nga një gotë dhallë të ftohtë. E kishte kërkuar Petrua. Dritero Agolli një karrike më tej heshtëte edhe pse herë pas here vinte buzën në gaz sa herë që shkrimtari nga bregu përmendëte jetën e çobanit në malësitë e Çikës deri në bregdet. Mësuesi im i letërsisë, Hyjniu, që i kishte sjellë këta tre autorë më në zë të asaj kohe, në Cërrik, në “takim me lexuesin”, nuk dukej i qetë në karriken pranë profesor Dhimitër Shuteriqit. Përtej vitrinave të mëdha të lokalit një grup grash nga ato të ndermarjes së fermentimit, nxitonin për tek kinoklubi i qytetit. Konturi i trupave të tyre nga avujt u duk i përçudnuar, të zbehta, si një masë amorfe pa formë që kaluan bri lulishtes së të vetmit lapidar të qytetit i cili kishte fiksuar datën e krijimit të batalionit partizan të zonës gjatë luftës. Me sa dukej do ti kishim aty në sallë. Në çast fillova të vras mendjen se çfarë i lidhte ato me letërsinë. Ishin thjeshtë gra puntorësh, shumica prej tyre pa ndonjë formim të plotë arsimor.
Petro Markua u kollit, pastaj vuri shuplakën e dorës mbi kraharor dhe mbylli qerpikët në çast. Mbase ndjeu dhimbje..
– Cest un cadeau de fume – i tha Shuteriqi që nuk e kishte prekur akoma gotën që i solli kamarieria.
Himarioti tundi kokën e madhe me kaçurela.
– E di, e di. Ka një jetë të tërë që po më mban peng. Ma thonë shpesh edhe doktorët. Por ky i mallkuar është si e dashura e parë që bën ta lesh dhe nuk e haron dot. – nxori një zë të mbytur Petrua.
– I thashë që e ka dhuratë nga duhani – tha kryetari i Lidhjes duke na u drejtuar ne të tjerëve që nuk dinim frëngjisht, ndonëse u kuptua nga përgjigja dhe krahasimi me dashurinë e parë që bëri autori i “Hasta la vistës”
Dritëroi pas kësaj propozoi që të lëviznim se për gjysëm ore duhej që të fillonte edhe takimi në kinema. Dhimitër Shuteriqi e ktheu gotën e dhallës në këmbë. Ne të tjerët lëvizëm karriket dhe Hyjniu nxitoi tek banaku pa pritur që të vinte kamarieria sërish tek ne
Ishim vënë shumë shpejt në udhë. Kaluam pranë postës e lulishtes së qendrës së qytetit nën rrëfimin e këndshëm për historinë e Cerrikut e rrëfyer nga një mjeshtër i rrallë si profesor Dhimitri, i cili e lidhte atë edhe me kujtimet nga fëmijëria e tij, kur kalonte me të atin shumë vite të shkuara për tek disa miq të familjes në Dumre. Kur u kthyem drejt qendrës së lulishtes rrugën na e zuri në një mënyrë të beftë një njeri.
Malo Sherifi qendronte përpara nesh si një bust. Me dy duart të lidhur nga pas e me këmbët paksa të hapura duke e fiksuar të majtën pak më përpara, ngriti fytyrën lart duke e tërhequr mbi supin e djathtë. Piceroi sytë e hirtë e u duk se u mbush me frymë duke e tërhequr përbrenda kraharorin e hollë e të rreshkët që dukej i fshehur pas një këmishe fanellatë gri.
-Pertro, a më njeh? Jam Malo Sherifi nga Gramshi – tha plaku me një zë si bubullimë
Tjetri nuk i u përgjigj. Lëvizi cigaren në buzë sikur donte ta rrotullonte me dhëmbë e pastaj tundi kokën lehtas.
Ne të tjerët kishim qëndruar
– Si jo. Kemi qenë bashkë në burg gjatë luftës. Më ke kërkuar para ca kohësh edhe një deklaratë si njeri i lëvizjes. – i u përgjigj qetësisht bregasi ndërsa mbante tani cigaren në dorë duke mos i a ndarë sytë njeriut që kishte përpara.
Njeriu që na rrinte përballë lëvizi sytë e vegjël gri
– Mirë, mirë… po nuk ma dhe seee…
Plaku u drejtua dhe na hodhi vështrimin ne të tjerëve, sikur të kërkonte arsyen e asaj pse – je. Profesor Shuteriqi vendosi çantën e zezë nën sqetull. Dritëro Agolli ishte kthyer nga lulishtja e qytetit, sikur të mos ishte mes nesh aty. Hyjniu një hap më pas buzëqeshte si i zënë në faj.
– Eh, – bëri dhe u mbush me frymë – nuk të zemërohem dot, Petro. S’ka gjë pse nuk ma dhe atë deklaratë. Edhe pa të mua më njohin mirë këtu në Cërrik. E dinë se ç’kam bërë dhe se si e kam luftuar unë fashizmin. Më nderojnë si veteran. Petro, nuk të mërzitem unë-ë. E di që ke patur shumë punë. Ja me këta shokët e qeverisë, atje në Tiranë. Shkruan libra. I lexojnë edhe fëmijët e mij. Të na rrojë partia dhe shoku Enver. E paçim me malet. Po eja e na dil për një kafe nga shtëpia, bashkë me këta shokët e tu. Të të njof edhe me plakën time që më priti si burrëreshë e sorkadhe mali ato vite.
Dhimitër Shuteriqi kaloi çantën e lëkurës në dorën tjetër. Dritëroi ishte indiferent. Petro Marko hoqi cigaren nga buzët e ngriti dorën tjetër dhe gishtrinjtê i futi brenda kaçurelave gjysëm të thinjura. Donte që të thoshte diçka por u duk se u pendua. E pa drejt e në sy veteranin. Tha:
– Më bëhet qejfi. Si e ke tani gruan?
Shkrimtari u kthye nga Hyjniu sikur donte ti kërkonte që të lëviznim për tek kinemaja ku na prisnin e cila ishte vetëm dhjetë hapa larg nesh.
– Gruaja? Mirë është. U plak tani. Do ti bëhej qejfi të na priste që të gjithëve, kështu siç jemi. Për një kafe e një gotë raki gramshi. Ma zien im vëlla që është merakçi. E ruan për miq të mirë. Ma fsheh se unë atë jallane se le dot. E dua çdo darkë.
– Faleminderit. Nuk kemi kohë tani. – tha Dhimitër Shuteriqi e pa orën sikur donte që ti thonte se ishim vonë.
– Malo, – nxitoi që të thoshte Hyjniu
Tjetri kishte zgjatur një gjysëm hapi përpara dhe i hodhi vështrimin shkrimtarit. Një çast ngriti pak supin e djathtë e donte që të thoshte diçka por që në moment u duk se e haroi.
– Këta shokët kanë organizuar një takim me qytetarë e naftëtarë këtu në kinema. – i u përgjigje Petrua njeriut që kishe qenë në burg me atë gjatë viteve të luftës.
– Mbase një herë tjetër. – foli Hyjniu
– Rri ti se nuk e kam llafin me ty, se gjitonë jemi dhe nuk ma ke parë një herë derën e shtëpisë.- Ngriti zërin Malo Sherifi e u duk se u bë nervoz. Dallova se i dolën cikla pështyme nga goja kur fliste me ish mësuesin tim. – Dua që ti rrespektoj këta njerëz. Më kupton apo jo?
– Do ti ftojmë përsëri xha Malo – u shfajqësuar tjetri. – Ja ku doli edhe drejtori. Nuk mund që ti lemë tani gjithë ata njerës në sallë që të na presin.
Në derë ishte shfaqur Rustem Disha, drejtori i institucionit dhe na buzëqeshte që atje tej. Pranë nesh kaluan dy a tre gra që dukeshin se ishin ende me rroba pune.
– Po u presim. – tha e qeshi në fytyrë pastaj hapi rrugën që të kalonin gratë të cilat u futën brenda në koridorin e madh atë çast përpara portës së shfaqieve të filmave.
Ne lëvizëm pastaj pasi u ndamë me Malo Sherifin duke dëgjuar prej tij se ishte shumë i mërzitur se nuk e kishte rrespektuar Petro Markon dhe shokët e tij të ardhur nga Tirana duke e pritur në shtëpi. Më pas e pashë që u drejtua tek disa moshatarë të tij që luanin domino aty në lulishten e vetëm në qendër të qytetit tonë të vogël e puntor. Por Rustemi na kërkoi ndjesë një minutë më vonë duke na thënë se duhej që të prisnim edhe disa minuta, ndoshta dhjetë e pak më shumë atje lart në zyrën e tij, në pritje që të vinin puntorët e turnit të parë të uzinës së naftës. Ashtu bëmë, ngjitëm shkallët dhe u rehatuam në kolltuqe. Mbetëm përsëri vetëm pasi drejtori zbriti poshtë për tu kujdesur që salla të ishte plot.
– Petro, po çishte ky, që na doli përpara. – pyeti Dritëroi. – Nuk i kishe dhënë as edhe deklaratë? Keni qenë shokë burgu.
Petrua hodhi vështrimin përtej xhamit të dritares së madhe që kishte përpara ku shquheshin konturet e disa pallateve të vjetra tip rus dy katëshe të ngritura që me fillimin e ndërtimeve të uzinës tre kilometër më poshtë.
– Ka një histori ky njeri – tha pastaj shkrimtari dhe ndezi një cigare dhe fijen e shkrepses e hodhi të pa shuar në një mbajtëse të qelqtë mbi syprinën e tavolinës . – E sollën midis nesh në burg. Italianët dyshonin se ishte komunist. Diku nga fshati i tij ushtria po hapte një rrugë strategjike dhe do të lidhte Gramshin me Korçën. Me sa dukej punohej pranë shtëpisë së tij. Duhej që të ishte i sapomartuar dhe punonte për kafshatën e gojës aty. Na tregonte at’here që një ditë afër drekës kishte parë një ushtar që zbriti tek shtëpia e tij. Ndoshta për të pirë ujë se kohë vape do të ishte në atë çast. I sapoburgosuri e kishte parë edhe dy a tre herë të tjera. Mbase e kishte gruan e bukur. Ku i dihej? Por me sa dukej italianit i kishte hypur në kokë. Të rrinj, djemuri, e të ardhur që përtej nga apeninet, por edhe nevojë fiziologjike, edhe pse ishin pushtues. E la punën dhe zbriti fshehurazi në shtëpi. Dyshimi nuk e kishte gabuar. Dhe pa atë skenë që nuk do të kishte qejf që ta shihte asnjë burrë i martuar. E qëlloi me sopatë dhe e la në vend. Pa u larguar ende nga shtëpia, ushtria italiane e zbuloi dhe dorëzoi si vrasës tek ne në burg. Hetuesit kërkonin që të zbulonin grupin komunist pas tij sepse si guerilas e akuzonin. Po mbase kështu u interesonte për ta mbyllur atë vrasje dhe jehonën që shkaktoi ajo në zonë, por edhe për ta justifikuar ushtarin e tyre dhe moralin e pushtuesit. Nuk e pranonte gramshaku. “E vrava Xhuzepen për të mbrojtur nderin tim dhe të familjes sime. Nuk kam të bëj aspak me komunistët dhe nuk më interesojnë ata. – thërriste ai sa herë e hetonin në një qeli pranë nesh.- Mos më ngatëroni mua me punët e tuaja- na thoshte ne sa herë i a përmendnim vrasjen e ushtarit Xhuzepe. Nuk jam si ju. Jam thjeshtë hallexhiu që vrau dikë sepse tentonte që të ç’nderonte gruan forcërisht. Më kuptoni?
Vonë, shumë vonë më kërkon një deklaratë për të marrë shpërblimin e luftës. Kishte shkruar një letër në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve, sepse atë të shtëpisë nuk ma dinte. E lexova disa herë por nuk vendosa. As edhe ti ktheja përgjigje. Thoshte aty se kishte qenë një luftëtar i vendosur gjatë luftës për liri dhe se ushtarin Xhuzepe e kishte vrarë thjeshtë për patriotizëm dhe si kontribut për çlirimin e shqipërisë nga okupatori.
– E paske tregim të plotë këtë Petro. Nuk e di në se e ke shkruajtur – nxitoi të flasë Hyjniu pas atij rrëfimi.
Shkimtari tundi kokën dhe u ngrit nga kolltuku e shkoi që ta fikte cigaren e mbaruar në mbajtësen e qelqtë mbi suprinën e tavolinës e pastaj u kthye qetësisht në kolltukun e tij.
– Nuk i a durova atë kapardisjen – tha Dhimitër Shuteriqi
– Petro, nuk na the në se e mbajtën deri në fund Malo Sherifin me ju komunistët, apo… – pyeti Dritëroi për të bërë humor
– Jo, jo. E hoqën pas dy muaj, në mos gabohem. Nuk ishte si ne. Atë kohë ne po përgatisnim planin e arratisjes. Luftë.
– Çudi, – pyeti Hyjniu – po si e mbajte mënd që nga ajo kohë Malo Sherifin?
– Ah! Veçse për kujtesë mos fol me Petro Markon. Eshtë fenomenal në këtë fushë. Histori e gjallë – tha Dhimitër Shuteriqi që më shumë kishte heshtur në këtë histori. Pastaj si për të ndryshuar temën e bisedës u ngrit në këmbë. – Të shpijmë edhe pak këmbët se poshtë tavolina na pret përsëri.
Rustem Disha nuk e mbajti fjalën. Kishin kaluar afro tridhjetë minuta. Erdh dhe kërkoi falje dhe na ftoi që të zbrisnim poshtë në sallë.
* * *

Atë natë nuk më zuri gjumi fare. Disa orë më parë kishim lënë sallën dhe Petron, Dhimitrin e Dritëroin i përcollëm në buzë të mbrëmjes, kur yjet ende nuk kishin feksur lart në qiell, dhe Cërriku ishte në pritje për tu ftohur nga vapa e mesditës. Erdhi dhe i mori shoferi i lidhjes që ishte kthyer që në mesdite tek disa njerëz të gruas së tij në Elbasan.
Më erdhi ndër mend njohja e takimi i pare me shkrimtarin nga bregdeti tre vite të shkuara tek Kalaja e Ujit të ftohtë në të dalë të qytetit të Vlorës, aty mbi shkëmb ku udha merr e të çon nën bregoret e Jonufrës e të përcjell buzë detit për në qytezën e Orikumit që është ngritur nën këmbët e llogarasë, ku thonë se era flet me perënditë e maleve të vetëtimave që ngrihen e zënë shtat mbi brigjet e jonit duke lënë në buzë të këmbëve të tyre fshatra e njerëz që ngrihen e rriten me gjuhën e zotave.
Ishte një mbasdite gri në fillim pranvere. Petro Markon e gjetëm të vetëm dhe të ulur në një cep të fushëz së vogël të atij shkëmbi që ngrihet disa metro thikë mbi dallgë e që vlonjatët e quajnë thjeshtë kala. Poshtë deti lëpinte gurët dhe zhavorin e imët që shërbente gjatë verës si plazh intim për ndonjë çift të arratisur nga qytetit, larg syve të të tjerëve. Na kishte sjellë rruga aty së bashku me një të afërmin tim që më kishte propozuar ta kalonim atë mbrëmje në Tragjaz tek çurajt ku ishte dhënë një kushurirë e jona njëzet e ca vjet të shkuara. Aty do të na vinte të na merrte një makinë e ndërtimit që do të na çonte deri tek kthesa e fshatit.
– Ky është Petrua – më tha shoqëruesi im. – A e njeh Petro Markon, atë romancierin që ka shkruar edhe një libër për Gjormin? Se edhe ti shkruan vjersha. Hajde bëjmë edhe një dorë muhabet deri sa të vij makina e të na marrë.
Unë qëndrova pa e ditur se çduhej të bëja më tej. Më erdhi zor edhe pse kuptova qe shkrimtari ndoshta e kishte kërkuar këtë moment reflektimi aty mbi det. Mbase mendonte dhe skiconte ndonjë veprër të ardhshme në ato çaste, por edhe mund që të rikujtonte ndonjë mbresë a ngjarje që kishte të bënte me të kaluarën e tij… Doja që ti thoja propozuesit se ishte e tepërt që ti prishnim qetësinë Petro Markos në atë vend, por ai nuk priti më. Tha një “e njoh prej vitesh” dhe u shkëput prej meje. Unë bëra sikur kërkoja diçka nëpër xhepa dhe qëndrova prapa. Kur hodha sytë për atje i pashë që romancieri ishte ngritur në këmbë dhe po përqafoheshin si dy të njohur të vjetër. Pastaj im kushëri ma bëri me dorë që të afrohesha e të mos rrija si një “çupë e turpshme” aq larg.
– Eja dhe mirruni vesh se të letrave jeni që të dy – tha e qeshi që atje tej si pa faj.
Mu duk sikur i gjithë qielli më ra në atë çast mbi kokë. Duhej që të isha bërë si një lulëkuqe vere…
Kishim folur më shumë për romanin “Stina e armëve” ku shumica e ngjarjeve zhvilloheshin në Gjormë, se ato i interesonin më shumë kusheririt tim fjalaman, e shkrimtari na tregoi se cilave ngjarje e njerëz u ishte drejtuar në krijimin e tij. Doli se shkrimtari i njihte edhe babain e një kushëri tjetër të prindërve tanë. Pastaj na tha se po shkruante disa “gjëra të vogla” si dhe po i rrikthehej poezive të dikurshme të botuar më parë në shtypin e kohës.
Pas nesh erdhi e u shfaq një djal i ri flokëverdhë që i kërkoi falje Petros për vonesën që atje tej tek bordura e betontë. Tha që ”ishte qethur tek Dhimua”. Dukej që bregasi e priste prej kohësh.
– Është njeriu im nga konomasit që banon në “Ujin e ftohtë”, pranë kampit të puntorëve – tha shkrimtari dhe i thirri në emër. – Atje po qëndroj ca ditë.
Kur nuk i kishim mbaruar ende përshëndetjet me të sapoardhurin mes nesh, atje lart në rrugë u dëgjua boria e një mjeti. Ishte i yni dhe po na priste për udhë. .

* * *

Por takimi i Cërrikut më kishte mbetur në mëndje për shumë kohë. Madje e kujtoj edhe sot shpesh me një lloj nostalgjie që naftëtarët e qytetarë e mij të mirë e të thjeshtë u treguan vërtetë lexues klasi. Njohës të mirë të letërsisë e arteve në përgjithësi. Këtë e dëshmuan pyetjet dhe interesi i tyre tepër i lartë për të mësuar nga bota e letrave. Oratoria e Petro Markos shkëlqeu në atë salle si askush. Foli pas të tjerëve por fjala e tij ngjiti aq shumë sa që nuk rreshtën pyetjet për të kur u ul në tavolinë mes Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit. Mbajti ca çaste shënime e në fund u ngrit e tha gjithë humor,
– E po përgatituni ta gdhijmë sonte këtu në Cërrik, e qytetin ta lemë së bashku pa gjumë.
Ne që ishim në sallë qeshëm. Qeshën edhe gratë e duhanit që na kishin kaluar para xhamave të mëdha tek ”Bufe Ylli”, ndërsa pinim për tu freskuar dhallë që e përgatiste Hajredin Tana, një guzhinier i mrekullueshëm por edhe njeri i apasionuar pas teatrit ku shpesh merrte rrole që cërikasit i kujtojnë ende. Më bëri përshtypje që edhe pse kishin kaluar më shumë se dy orë në atë takim me shkrimtarë në kinemanë e qytetit nuk kishin lëvizur nga vendi edhe pse që të gjitha i prisnin detyrimet shtëpiake, burrat që vinin nga puna dhe uzina, fëmijët…
Disa vite më vonë, në një tjetër kohë, pas më shumë se tridhjetepesë vitesh, at’here kur bëja gazetarin e reporterin e terenit në Elbasan, u ndodha me H. B. – në, një ish saldator që punonte në repartin mekanik të uzinës e që shumëkush e njihte në Cërrik si të apasionuar e të çmendur pas librave, edhe pse nuk kishte bërë shumë shkollë at’here. Ai tani bënte pensionistin edhe pse nuk ta jep shumë moshën në fytyrë. Pinim kafen e mbasdites në ”Bufe Artisti” që është edhe qendra e qytetit. Ishte viti i mbrapsht kur kishin shpërthyer depot e armatimit e shumëkush largohej menjëherë sapo kalonte mesdita për tu mbyllur në shtëpi. Si dy cërrikas të vjetër kujtuam gjithçkah nga ajo periudhë, por kryetema ishte dhe mbeti Petro Markua në atë takim.
– E di ti se ç’reng kishte bërë atë ditë ai Rustem Disha, drejtori i kinemasë sonë? Kishte shkuar një ditë më parë tek punishtja e duhanit ku punonin shumica e grave tona dhe kish vënë atje një njoftim. ”Nesër në orën 15.00 në kinemanë e qytetit organizohet një takim me mjekun gjinekolog të Elbasanit, Mexhit Kruja. Lutemi të merrni pjesë e të flisni për problemet tuaj shëndetësore” Kaq u desh pastaj që salla të mbushej dingas sa që erdh një çast ku nuk mund që hidhje as edhe kokrën e mollës aty. Por kur foli Petrua me shokë, mbetën që të gjitha aty edhe pse kishin nxituar për të takuar doktorin.
I tregova se shkrimtarëve atë mbrëmje, por Petros në veçanti, ndërsa po i përcillnim me mësues Hyjniun, u kishte mbetur në mëndje ajo shprehja e tij kur sapo i kish mbyllur përgjigjet shkrimtari që kishte shkruar romanin ”Hasta la Vista”, i cili u kishte pushtuar mëndjen dhe zemrat në atë kohë gjithë shqiptarëve, ”Na kënaqët o njerëz të mirë. Sot na dhatë më shumë shpresë, na e bëtë jetën më të bukur. Ju lutem që të vini mes nesh më shpesh, sepse nuk dimë më çtë bëjmë, shkojmë në punë e bëjmë fëmijë. Kjo është e gjithë jeta jonë”…
I kishte vënë që të gjithë të ardhurit nga kryeqyteti në mendime. Nuk i a kishin marrë saldatorit me të keq. As për propogandë. Po për një lloj zymtie e jete krejtësisht boshe që bëhej atëkohë jo vetëm në qytezat tona periferike. Madje Dhimitër Shuteriqi që ishte edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë tha se mund që edhe ta diskutonin në kryesi që të planifikonin në bashkpunim edhe me shtëpitë e kulturës në rrethe e qytete, që çdo muaj të shkonin e të zbrisnin grupe shkrimtarësh nga Tirana por edhe ato të rretheve duke i çuar tek njëri – tjetri. Pastaj tha shprehjen: “Shkrimtarët janë inxhinjerë të shpirtrave njerëzorë” që ishte e një klasiku, portretin e të cilit ne e mbanim kudo, ndonëse atje në vendin e tij trupin e ballsamosur i a kishin zbuar me kohë nga mauzoleu.
– Nuk ndreqim gjë moreeee. Dashi e cjapi kapen nga brinjët. Duhet që të tjerë ta bëjnë e të mendojnë seriozisht për jetën e njerëzve të provincës, por edhe të qyteteve, se dhe në ato nuk është më mire se sa këtu – tha Petro Marko, dhe fiku cigaren e pambaruar mirë me dy gishta duke i a shtypur kokën pa e patur mëndjen aty. Në çast e pashë që u drodh e dorën e hoqi menjëherë. Mbase i dhëmbi e i dogji.

* * *

Duhet që të ketë qenë vitet tetëdhjetë. Mbase nga fillimi apo andej nga mezi. Nuk e kujtoj mirë. Isha tek ime motër në Fier që banonte atje prej vitesh e së bashku me kunatin që më shoqëronte për të më përcjellë, shkuam tek stacioni i trenit që do të më kthente në Elbasan. Mes turmës së njerëzve që prisnin të udhëtonin dallova edhe Petro Markon me të shoqen e tij Safon, që e kisha parë në Shtëpinë Botuese tek redaksia e librit për fëmijë, kur shkoja për librat e mij. Ishte i tjetërsuar, dhe mu duk i lodhur e tepër i plakur këtë herë, por shkëlqimi i syve nuk i ishte venitur në fytyrë. I a pashë në një moment kur u ul e mori një çantë që e kishte lënë tek këmbët e së bashku pastaj me turmën lëvizi nga dera e sapo hapur e stacionit që të nxirte në peron, përballë trenit që po na priste që të gjithë. Isha disa metro larg dhe në sheshin e hapur gjeta rastin që ti afrohem, ndërsa ai e Safua ende nuk kishin vendosur se në ç’vagon do të të hypnin.
– Petro, si je? – e pyeta.
Tjetri qëndroi një çast e më pa drejt e në sy.
– Mos je i Cërrikut ti? Mesuesi?
– Po – i thashë. – Ai i takimit.
Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi.Fytyra i u çel e shkëlqeu si nga një dritë..
– Moreee, ai saldatori si është? – pyeti, dhe unë ndjeva se kishte një shqetësim të mbrendshëm shkrimtari.
– Mirë është vazhdon që të lexojë.
– Bën edhe kalamaqër – tha e nënqeshi duke më shkelur syun. Pastaj ktheu kokën në drejtim të Safos që ishte shkëputur disa hapa larg nesh, e që me sa dukej kishte vendosur edhe për vagonin me të cilin do të udhëtonin drejt kryeqytetit.
– Ka qene tek i biri. E ka këtu të burgosur në kampin e Ballshit – më tha im kunat. – Vjen përherë.
Ndërsa zura vend në kabinë e kur treni çante mespërmes fushave të myzeqesë dhe pejsazhet rrendin njëri pas tjetrit në ekranin e madh të dritares, mendova sërish Petron. Nuk mu duk pa kuptim ajo pyetje për saldatorin e Cërrikut.
Shkrimtari, idealisti, revolucionari, publicisti e intelektuali kishte kohë i viktimizuar. I zhgënjyer mendonte ëndërën e humbur të tij. I a kishin vrarë…Por jo atë. Asesi. Kurrë…Petro Marko e sfidoi partinë e idealit të tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleko Likaj, Ne tetorin e Cerrikut, Petro Marko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4335
  • 4336
  • 4337
  • 4338
  • 4339
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT