• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR SERBIA KËRKON TA KTHEJNË TOPIN NË GLOB E GLOBIN TA KTHEJNË 100 VJET PAS, NË NJË LUFTËN TË TRETË BOTËRORE

October 24, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Po fijat bora me të ftohtë si në Dhjetor ’90. As në kit’ 25 vjetor vjeshtak të Rënies së Murit të Berlinit nuk janë shkrirë akujt e Luftës së Ftohtë. Po vjen mot i keq. Perdja e Hekurt po kërkon rulin e vet. Sa ma shpejt?!…
Papa Françesku e dha gjatë tetorit 2014 sinjalin përseritës e pa terma ndërmjetës: Lufta e Tretë Botërore ka nisur…! Ka me na prek. Jo si me 7 prill ’39 me qëndresë në vetmi, po në bashkari me të tjerët. Jena në NATO. Shyqyr Zotit!
Në Beograd, në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, u dogj Flamuri i NATO-s. Flamuri Ynë. E dogjën serbët në stadium ku ishte edhe kryeministri i Serbisë aty. Nuk ishte rastësi. Jo. Ishte demonstrim force, urrejte, luftënxitje.
14 tetori 2014 në Beograd nuk ishte një ndeshje futbolli për Eleminatoret e Francë 2016, po një demonstrim force, urrejte, luftënxitje për Luftën e Tretë Botërore.
Ata kujtojnë se janë në atmosferën e Luftës së Parë Ballkanike, të nisur në Tetor 1912 kundër Shqipërisë që po kërkonte Pavarësinë e saj, një shtet sovran. Ata i kanë kapur ethet e luftës së pritshme. Serbët e duan Luftën e Tretë. Shqipërinë e Kosovën i kanë në shenjestër të parët…
2.Bota nuk duhet të harrojnë vizitën e Sulltan Mehmed Rashid V në Kosovë në qershorin e vitit 1911 që po vinte nga Stambolli në vendin e Betejës së Fushë-Kosovës (1389). Pa hy’ shumë në histori, Perandoria Otomane e Lindjes në bashkëpornësi edhe të Perëndimit, e kapur nga Rusët, e lidhur me Serbët e Malazezët, po donte me e mbajt ma fort Perandorinë Otomane deri në katër vilajetet shqiptare, edhe pas ngritjes së Flamurit të Skenderbeut me 6 prill 1911 në kala të Deçiçit nga Dedë Gjo’ Luli me hotjanë e Malësinë e Madhe.
Pak’kush e din’ se si iku Putini – diplomati funksionar, sigurimsi rus, nga ambasada Ruse në RDGJ kur ra Muri i Berlinit më 1989. Po shumkush e kupton se pse erdhi Putini në Beograd më 16 tetor 2014 pikërisht në 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit, në 25 vjetorin e Murit të Berlinit, dy ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri (!)
Sulltani Otoman Rashid V me vizitën e vitit 1911-tës kërkonte me pas një “mur” kufi me mbretëritë e Serbisë e të Malit të Zi. Edhe Sulltan Putini i Parë i Rusisë po lyp “mure” të rinj në Beograd. Po don me e tërhjek Serbinë drejt Moskës, larg Nato-s e BE.. Serbia po don me e ripërserit Jugosllavinë e Parë ose të Dytë. Ajo nuk don me ndejt as Jugosllavi e Tretë si në kohën e Millosheviçit. As në kufijtë e një republikë serbe, të shettit të sotëm serb?!
Presidenti serb, Nikoliç, një ditës pas ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd dhe një ditë para ardhjes së Putinit në Beograd, doli me deklaraten publike:”Pas vrasjes së krijimit të miqësisë midis Serbisë dhe Shqipërisë, është e qartë se Shqipërisë do t’i duhen dekada, ose edhe shekuj të bëhet një vend normal, pa urrejtje ndaj serbëve”.
Kjo deklaratë ishte vazhdimësi e platformave serbe kundërshqiptare dhe mesazh për Putinin. Një rrenë e mëdhe pasi realiteti ishte ndryshe, terror banë vet serbët në stadium e jashtë tij. Ishte presion edhe ndaj UEFA-s e mikut të tyre të mirë, Platinit të keq.

3.
Me gjykimin e padrejtë ndaj Shqipërisë UEFA mund të jetë gjithçka po jo një Ligë Europiane e Futbollit. Ajo nuk e paska selinë në Beograd.
Bota nuk duhet të harrojnë se Serbëve në Sarajevë, në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, 28 qershor 2014, banë festime madhështore. Foli edhe vet Milorad Dodik, president i Republikës Srpska, përuruan statujën e serbit Gavrillo Princip, vrasësit të Arkidukës austriak Franz Ferdinand në Sarajevë. Kur një aktor i veshur si Princip qëlloi dy herë në ajër, serbët i quajtën sikur u qëlluan NATO dhe BE.

Serbia e donte për shovinizmin e saj ndeshjen Serbi-Shqipëri për ta ngrit ma lart nacionalizmin shoven serb ndaj shqiptarëve në Ballkan. Ndaj një pankartë e quajtën Flamur Kombëtar Shqiptar (!) kur Kushtetuta e Shqipërisë, si e çdo vendi tjetër, e përcakton saktë Flamurin tonë zyrtar, me të gjithë elementët e tij. Sigurisht nuk ishte ai në Beograd. Ata u ndalën tejet gjatë ndaj një harte të Shqipërisë Etnike, Natyrale, Reale, ndërkohë që jo vetëm Luginën e Preshevës (Kosova Lindore), po edhe Sanxhakun – Tregu i Ri janë territore shqiptare, ashtu sikurse edhe territore të tjera shqiptare nën Malin e Zi e Maqedoni. Serbët duan ta ringrejnë “Serbinë e Madhe”, si gjithnjë me territore shqiptare. Ata ia kanë nis këto dy vite me synimin për të ringrit “Jugosllavinë e Katërt” me Federatën G-6, një “Komonuelth Ballkanik” nën Serbi.
Zakonisht sporti i ikë politikës dhe politika e ndjek sportin. Po, kësaj here, politika e oktapodue ndeshjen Serbi-Shqipëri në forma e mënyrat e saj ma të këqija, tue përfshi edhe UEFA-n e pavarur. Politika u ba top e topi u ba glob.
Serbia nuk luajti me Shqipërinë në stadiumin e Beogradit po në arenën globale demonstroi dicka apo shumçka nga “parathania” e Luftës së Tretë Botërore.
Në kit’ ndeshje nuk humbi Shqipëria. Ende nuk ka fitue as Serbia. As aleatët e saj. Me kit’ ndeshje po humb Europa euro-atlantike e jo vetëm ajo. Po humb UEFA (!). Po humbim të gjithë në të nesërmen tonë të përbashkët, në kit’ kohë e botë globale.
Pra, nuk humbëm ne, Shqipëria Natyrale 3 me 0, po Serbia e Madhe tregoi si 100 vjet ma parë me Princip se ende po lufton pa asnjë princip për të ardhë Lufta e Tretë Botërore?!
Ta ndalim shovinizmin serb e sllav, fashizmin e sotëm të Europës e botës!

Tiranë, 24 tetor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Lufta, Ramiz Lushaj, serbet, shqiptaret, Uefa

TURP- UEFA STIMULON HULIGANIZMIN SERB!

October 24, 2014 by dgreca

Shqiperia humb ndeshjen 3 me 0 dhe gjobitet me 100 mije Euro/
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s ka njoftuar se Shqipëria e ka humbur me rezultat zyrtarë 3-0 ndeshjen në Beograd, ndërsa Serbisë i zbriten tri pikë. Komisioni në fjalë u takua dje dhe njoftoi vendimin e mëposhtëm pas incidenteve të ndryshme që kanë ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese të Grupit I mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt në Beograd, më 14 tetor. “CEDB” ka vendosur të shpallë ndeshjen e lartpërmendur si të humbur. Si rrjedhojë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po konsiderohet se ka humbur ndeshjen 3-0. Përveç kësaj, FSHF është gjobitur 100.000 €. “CEDB” ka vendosur gjithashtu t’i zbresë Federatës Serbe të Futbollit (FSS) tri pikë në konkurrencën aktuale, fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian. Përveç kësaj, FSS është urdhëruar të luajë dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese si ekip pritës me dyer të mbyllura. Së fundi, FSS është gjobitur me 100.000 €. Këto vendime janë të hapura për t’u apeluar.”
Me kete Vendim UEFA ka mbyllë sytë, gojën dhe veshët duke zgjedhur balancat politike, me Shqipërinë që tashmë do ta apelojë këtë vendim fillimisht në Komisionin e Apelit dhe pas ezaurimit të këtij hapi, për të synuar që drejtësia të vihet në vend në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
UEFA e ka marrë vendimin e saj për ndeshjen Serbi – Shqipëri, e, cila u ndërpre para kohe pasi huliganët serbë u futen në fushë UEFA ka vendosur t’i japë fitoren 3:0 Serbisë. Kurse, Shqipëria dënohet me 100 mijë euro gjobë. Kurse, Serbisë i janë hequr tre pikë dhe dy ndeshjet e radhës si vendas do ti luaj pa pranin e publikut.
Përveç humbjes në tavolinë me rezultatin 3-0 Shqipëria është dënuar edhe me një gjobë financiare prej 100 mijë eurosh, ndërkohë që Federata Serbe e Futbollit dënohet me 100 mijë euro gjobë, si dhe zhvillimin me dy ndeshje pa tifozë nga ana e përfaqësueses serbe të futbollit.
Pavarësisht dhunës që u pa në sytë e gjithë botës nga ana e tifozëve serbë, pavarësisht turpit që ndodhi në Beograd dhe precedentëve botërorë të huliganizmit nga ana e serbëve Uefa ka vendosur të mbyllë sytë, gojën dhe veshët duke zgjedhur balancat politike, me Shqipërinë që tashmë do ta apelojë këtë vendim fillimisht në Komisionin e Apelit dhe pas ezaurimit të këtij hapi, për të synuar që drejtësia të vihet në vend në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
Presidenti i Federatës shqiptare të futbollit (FSHF), Armand Duka ka lajmëruar ankesë ndaj vendimit në komisionin apelit të UEFA-së, ndërsa ka pretenduar se çështjen do ta dërgojë edhe në Gjyqin ndërkombëtar arbitrar të sportit (CAS).

Reagimi i shtypit evropian
“UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”, është titulli më kuptim plotë që vjen nga media italiane “Toscana News”.
“Serbia shpërblehet me fitore”, raporton televizioni britanik, ITV.
“Serbisë iu dha fitorja, por i humbi pikët”, shkruan “Sport24”.
“UEFA e butë për serbët”, shkruajnë mediet në Kroaci.
“Vendimi i UEFA-së, të gjithë humbës”, “La Gazzetta Dello Sport”.
“Serbia shpërblehet me fitore për dhunën në ndeshjen për 2016”, raporton BBC

KUSH ISHTE FAJI I FEDERATES SHQIPTARE?
Kombëtarja shqiptare e futbollit kishte refuzuar ta vazhdonte ndeshjen në Beograd, edhe pse gjyqtari dhe delegati i ndeshjes ua kanë kërkuar një gjë të tillë ekipit kuqezi.
Përtej gjakrave të ndezur dhe zemërimit që ka kapluar tifozët shqiptarë, nga gjykimi i komisionit disiplinor të UEFA-s, Serbia doli më e rënduar se ne. Nëse ne i humbëm tre pikët as dhe serbët nuk i morën ato.
Përpos kësaj, fusha e tyre u dënua dy ndeshje pa tifozë dhe gjoba qe e njëjtë. Po të mendosh që kjo ishte një ndeshje që luhej në Beograd dhe se serbët mendonin të merrnin 3 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, pa diskutim që ata dalin më të dëmtuar nga gjithë kjo histori.
Por, prapë shumë tifozë shqiptarë ndihen sot të frustruar, se në thelb, edhe pse Serbia dënohet më shumë, vendimi është tejet asimetrik. Ai dënon njësoj agresorin me viktimën, shkruan portali lapsi.al.
Por, përtej këtij frustrimi, tani është momenti për të menduar me kthjelltësi: a mund të bënim ne më shumë dhe a mund të vepronim më mirë? Përgjegjësitë për këto pyetje bien mbi FSHF-në. Si u morr vendimi për bojkotimin e ndeshjes? Kush vendosi? A u pyet ndonjë jurist, njohës i rregullave të UEFA-s?
A ka ndonjë të tillë federata jonë dhe a kishim një të tillë në Beograd? Po pas propozimit serb për të larguar tifozët dhe vazhduar ndeshjen, si do të duhej të reagonim? A duhet të kishim qëndruar po aq kokëfortë në këmbënguljen tonë?
Po kur arbitri na tha se loja mund të vazhdonte, si duhet ta kishim interpretuar këtë sinjal? A pyeti kush se si qe vepruar në botë në raste të ngjashme, përpara se të merrnim vendimin ? Për të gjitha këto publiku shqiptar nuk ka ende përgjigje, sepse edhe vetë drejtuesit e FSHF-së nuk kanë përgjigje.
Me sa duket ata kanë vepruar në mënyrë emocionale dhe jo profesionalisht. Dhe pavarësisht padrejtësisë të UEFA-s, me paaftësinë e tyre, ata e kanë ndihmuar qeverinë e futbollit europian të marrë një vendim, sipas shqiptarëve, të padrejtë.
Kështu që së bashku me shprehjen e dufit kundër padrejtësisë, këto ditë duhet të shërbejnë edhe me kërkesat për një reformim të shpejtë të FSHF-së, ku duhet të ketë më pak njerëz kokëtrashë që dinë vetëm të votojnë me dorën ngritur dhe më shumë profesionistë, me gjuhë të huaja dhe njohës të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare.

Filed Under: Featured Tagged With: HULIGANIZMIN SERB!, TURP- UEFA STIMULON

Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë

October 23, 2014 by dgreca

Shkruan: Don Lush GJERGJI/
Ne Foto; Nga promovimi i librit te Virgjil Kule ne Prishtine/
Dikur me të drejtë thuhej: “Pa histori s’ka as ardhmëri”. Sot ndoshta duhet të ndryshohet pak kjo thënie, të thekësohet diçka e “re” dhe fatzeze: “Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë”.
Dikur të tjerët, të huajit, na mohonin historinë, gjuhën, traditën, kulturën, identitetin tonë kulturor dhe fetar, duke na vrarë, penguar dhe ndaluar që të jemi vetvetja, sidomos sundimtarët shekullor turko-otoman dhe sllavë.
Sot këtë gjë ia bëjmë vetvetes, duke i mohuar dhe sulmuar personalitetet tona madhore historike dhe aktuale, nisur prej heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skëndebeut, Nënës Tereze, atë Gjergj Fishtës dhe shumë të tjerëve, si një vetëvrasje tragjike shpirtërore dhe kulturore, si përdhosje të historisë dhe rrezikim të së tashmes dhe të ardhmërisë.
Përse jemi të tillë?
Sepse, si duket, fatkeqësisht, për ne Shqiptarët, nuk ka më vlera dhe virtyte të pacenueshme dhe të paprekshme, na mungon “barometri” për ta vlerësuar vetveten dhe të tjerët.
Dikush mjeshtërisht tha: “Bota vuan sespe ka pak njerëz të mençur. Shqiptarët vuajmë sepse të gjithë jem të mençur”.
Servilizmi dhe oportunizmi ynë tashmë i njohur, të nënshtruar ndaj të fortit, të fortë me të dobëtin, na solli deri te “rishkrimi i historisë”, që domethënë ripushtimi kulturor, shpirtëror, fetar, kombëtar. Dikur me shumë qendresë, lufta, heroizëm, me Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mbrojtëm vetveten, gjuhën, traditën, kulturën, qytetërimin tonë shumshekullor të krishterë dhe evropian, mbrojtëm edhe të tjerët, gjë kjo që ka shkaktuar nderim dhe admirim në bota, ndërsa kohëve të fundit “vetëshkatërrohemi”apo “vetëvrahemi” me njëri-tjetrin me cikërrime dhe ngatërrime, me papërgjegjësi dhe anarki, pra, me bashkëpunimin për të zezën dhe “robërinë” tonë të re.
Dikur na martirizuan dhe masakruna, deri te shvarrosja e Imzot Pjetër Bogdanit, djegëja apo tretja e eshtrave, rrënimi i pamëshirshëm i objekteve kishtare, librave dhe personaliteteve të larta fetare dhe kombëtare. Sot ne me indiferentizmin dhe oportunizmin tonë, as që interesohemi më për këto fakte, këta njerëz kaq të çmuar dhe të dalluar, që aty-këtu janë harruar, apo sulmohen pa ndonjë shkas, pa hir dhe mëshirë, sepse paskan qenë “shqiptarë të krishterë”, sikurse ishim edhe ne dikur të gjithë!
Çka të themi në gjithë këtë, përpos klithjes së dhimbshme dhe kushtrimit shpirtëror dhe kulturor: O tempora, o mores!

Shtrembërimi i historisë dhe së vërtetës, ndërrimi i tezave në antiteza, që edhe sundimtarët pesë shekullor turko-otoman na qenkan “vëllazer, miq, të gjakut tonë”, bile edhe “bamirës dhe çlirimtarë”, është arsyetimi dhe legalizimi i së keqës, robërisë, dhunës, deri te apsurdi i sadizmit dhe mazokizmit historik, apo i idilesë apsurde të pësimeve!
Ky proces do të zbatohet herdo-kurdo edhe për Serbët apo çdokend tjetër, sepse si duket jemi bërë tashmë “shoshë”, ironia e fatit tallet me ne.
“I forti të rrah dhe nuk të le të qajësh” thotë fjala e urtë popullore. Kështu disi po ngjan edhe me ne, me “rishkrimin” e historisë shqiptare, me vrasjen e historisë dhe faktologjisë, në emër kinse “të zbutjes apo “humanizimit” e së kaluares. Ku mungon e vërteta dhe dashuria, aty mungon çdo vlerë dhe virtyt, çdo liri dhe demokraci, çdo mundësi jete dhe përparimi, çdo lloj bashkëpunimi dhe bashkëjetese.
Pluralizmin dhe demokracinë ne e interpretojnë në mënyrën tonë arbitrare dhe të përçudëruar.
Mu për këtë edhe një herë i themi vetvetes dhe të tjerëve: Vetëm e vërteta do t’na çlirojë dhe vetëm dashuria do t’na pajtojë me të kaluaren, të tashmen dhe të ardhmen, me Zotin, vetveten dhe të tjerët. Faktet historike, historia, nuk mund të ndërrohet, por sqarohet, thellohet, begatohet, ndriçohet, kompletohet. Çka është edhe më e rëndësishme dhe jetësore për ne në këtë periudhë: ne duhet ta ndërrojmë qëndrimin ndaj figurave, ngjarjeve dhe rrjedhimeve historike, duke i shqyrtuar dhe trajtuar ato në prizmën e së tashmes dhe të ardhmes.
Tek ne po ndodh një çorudi: e keqja, robëria, pësimi, po “glorifikohet”, ndërsa qëndresa, lufta, resistenca, besnikëria, martirizimi, tash po sulmohet si diçka e keqe dhe negative… “Kandari i ndërgjegjes” sonë është dëmtuar dhe çrregulluar.
Në këtë këndvështrim libri i Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryqari i fundit, Fast Track Albania, fq. 546, është një botim i cili na afron dhe dhuron Gjergj Katriotin në një dritë dhe vështrim relativisht të ri historik dhe aktual, të mbështetur në dokumente dhe dëshmi, si burrështetas, njeri të kulturës, të politikës, të diplomacisë, të bashkimit tonë kombëtar, pra, vegimtar të historisë dhe të ardhmërisë, ai që edhe një herë popullin tonë e nxori nga tjetërsimi, asgjësim kombëtar, fetar, kulturor dhe shpirtëror, duke e kthye në “shtratin” apo “djepin” natyror krishtëro-evropian.
Këtë proces të vështirë dhe të domosdoshëm ai e bëri me bashkimin e principatave shqiptare, me bashkëpunim me botën perëndimore, veçmas me Vatikanin, me diplomacinë politike dhe kulturore, me luftë të pashoqe dhe heroike të qëndresës dhe të mbijetesës.

Marin Barleti ndër të tjera shkruan se Gjergj ynë më së miri e njihte perandorinë otomane me ”pikat e saja të forta e të dobëta” (Virgjil Kule, vep. e cit. fq. 14). Shi për këtë kishte vizion të qartë dhe vendimprues për shqiptarët, si Moisiu dikur për popullin e Izraelit, duke përbuzur dhe braktisur interesat personale, mundësitë e jetës dhe të mirat e ofruara nga perandoria turko-otomane, për të luftuar dhe flijuar për të mirën dhe lirinë e popullit tonë arbëror. Shembull i mirë heroizmi, atdhedashurie, flijimi dhe shërbimi.
Kjo dikuj i dukej “ëndërrim” dhe utopi, sot disa e trajtojnë si “tradhti”, por Gjergj Kastrioti besonte, së pari në ndihmën e Zotit, pastaj në bashkimin dhe zgjimin e popullit shqiptar, në bashkëpunimin me aleatët besnikë, ndër të cilët ishte edhe fronti hungarez në krye me Huniadi. Kështu ai e kishte krijuar frontin e dytë, atë të ballkanit, për ta luftuar sundimtarin e madh turko-otoman dhe për t’ia dhuruar botës së krishterë lirinë. Këtë ai e bëri me braktisjen e ushtrisë turo-otomane në betejën e Nishit dhe me bashkëpunimin tashmë të planifikuar me aradhat e krishtëra që i udhëheqte Huniadi në vitin 1443.
Kjo ngjarje ia kishte mundësuar ardhjen në Krujë, ngritjen e flamurit dhe formimin e kështjellës simbol dhe mbrojtëse, krijimin e aleancave me botën e krishterë, luftën për liri dhe pavarësi të tokave arbërore dhe më gjerë. “Skënderbeu kishte vendosur të hynte në atë botë me hapin e ushtarit të Krishtit, si një prijës i devotshëm për të organizuar Frontin e Dytë në Ballkan” vlerëson mirë autori Virgjil Kule /Po aty, vep. e cit. fq. 35/.
Në këto korniza historike dhe faktologjike Gjergj Kastrioti Skënderbeu na dhurohet si figurë qendrore dhe thelbore për historinë, mbijetesën dhe zgjimin tonë nga “gjumi” i sundimit turko-otoman, hapja e perspektivës së re evropiane, perëndimore, që janë synimet dhe kërkesat tona gjithshqiptare për gjendjen tonë aktuale. Ky “djep” apo “shtrat” na rriti dhe na mbajti gjallë, pëlqeu apo nuk i pëlqeu disave, sepse siç thotë fjala e urtë latine: Amicus Caio, amicus Platio, sed magis amica Veritas, që domethë: mik Kaji, mik Placi, por miku më i madh është e Vërteta.
Ky studim dhe botim i vyeshëm dhe mirë i dokumetuar sjellë mjaft burime dhe dëshmi hsitorike, të gërshetuara me mjeshtri dhe saktësi, për ta njohur dhe vlerësuar heroin tonë kombëtar dhe fetar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, kontekstik historik, rrethanat shqiptare dhe më gjerë, miqët dhe armiqët, që dhuron një figurë kaq të njohur, të dalluar dhe të dashur nga gjithë shqiptarët, Njeriun i cili edhe një herë na “ngjalli”, i dëshmoi dhe tregoi botës entitetin dhe identitetin tonë shekullor arbëroro-shqiptar, në driten e ngjarjeve dhe fakteve, dokumenteve të vjetra dhe të reja, gjithsesi të domosdoshme dhe të rëndësishme për historiografinë tonë të mirëfillët.

Autori Virgjil Kule në parathënie e përcakton metodologjinë e hulumtimit dhe të shkrimit, si dhe objektivin që synonte ta arrinte, kur ndër të tjera shkruan kështu: “Ishte kjo mënyra e zgjedhur instiktivisht prej meje që, duke mbetur “rob” i dokumentit, t’ju rrëfeja me pasion dhe, shpresoj me obketivitet, shqiptarin e mençur, Skënderbe” /Virgjil Kule, vep. e cit. fq. 8/.
Ai këtë e ka arritur me shumë përpikëri, saktësi, me të gjitha me shumë përkushtim dhe dashuri.

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe ardhmërinë, don Lush Gjergji, e vret historinë, kush, vret të tashmen

NJË VEPËR NDRYSHE PËR KRYETRIMIN SHQIPTAR

October 23, 2014 by dgreca

(Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012)
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Prishtinë/
(Paranteza e fillimit:Ju flet Televizioni Shqiptar i Tiranës! Po lexojmë pjesë nga shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë! Ky ishte zëri i folësit të dalluar, z. Virgjil Kule! Brezi im i shqiptarëve të Kosovës, në një mënyrë ose në një tjetër, mezi priste të dëgjonte zërin karakteristik të folësit të mirënjohur, Z. Virgjil Kule, duke lexuar pjesë të shkrimeve të shtypit të huaj, ku i jepej mbështetje morale rinisë së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ky zë që vinte nga Tirana jonë, ishte e vetmja mbështetje në errësirën e madhe që kishte rënë mbi ne. Pjesëmarrës ose jo në Demonstratat e vitit 1981, të burgosur ose jo për shkak të atyre ngjarjeve, të shkolluar apo nxënës e studentë që sa bënin hapat e parë të dijes në Kosovën e robëruar, e cila me demonstratat e vitit 1981 hapi procesin e madh të shkatërrimit të atij shteti artificial të quajtur Jugosllavi, që të gjithë e kishin bërë të vetin këtë zë aq specifik, jo vetëm për të folurit e pastër të gjuhës shqipe, por edhe për ngjyrën shumë të veçantë të zërit, përmes të cilit jepte nuancat e gjithë përmasës së tragjedisë dhe të krenarisë sonë në ato ngjarje).

Hyrje
Vepra e publicistit, e studiuesit, e intelektualit të mirënjohur, njohës i disa gjuhëve të lashta dhe të reja botërore, Virgjil Kule, që i kushtohet kryetrimit tonë, Gjergj Kastiroti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet për disa arsye, që lidhen me ndërtimin e kësaj vepre, por mund të thuhen edhe për disa arsye që dalin nga metodologjia shkencore e ndërtimit të kësaj vepre.
Autori e thotë, që në hyrje të veprës së tij, se cilën rrugë ka ndjekur për të thënë të pathënat e kohës së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat ose janë thënë sipërfaqësisht, ose janë lexuar një anshëm, apo edhe janë heshtur nga studiues të huaj e shqiptarë.
Përkundër faktit se vepra fillon që nga viti 1443 dhe përfundon në vitin 1468, që është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që mund të krijojë përshtypjen se është një vepër e ndërtuar mbi parimin e kronologjisë historike. Por ajo nuk është e tillë. Nuk është kronikë historike për ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e njerëzve në ato ngjarje. Në radhë të parë ajo është një trajtim dhe një shpalim i brendshëm, thënë kushtimisht, një shpalim shpirtëror, jo vetëm i ngjarjeve, i luftërave, i prapaskenave dhe skenave të atyre luftërave, nga ato që përgatiteshin në skenat botërore të atyre ngjarjeve, e deri te fërkimet e brendshme, por edhe i pjesëmarrësve në to, duke filluar nga kryetrimi ynë, e deri te ushtari i fundit që kishte rënë në betejat e luftimeve.

Skena dhe prapaskenat e jetës dhe bëmave të Skënderbeut

Autori Virgjil Kule, duke u marrë me luftërat 25 vjeçare që ka bërë populli shqiptar nën prijësin e tij të përmasave legjendare, bën të tij mendimin e thënë kaherë, që nga Makiaveli e këndej, që në hapje të veprës së tij, për t’ia sqaruar lexuesit ecurinë e projektit të tij shkencor për kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për Mesjetën shqiptare, për lidhjet me Perëndimin dhe Lindjen, për kryqëzatat që në atë kohë ishin mundësi të pafundme të rregullimit të jetës së individëve dhe të shteteve, por edhe për prijësit e popujve që donin lirinë e vendit të tyre më shumë se gjithë favoret e tjera të kësaj jete. Prandaj, autori thotë: ‘se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive, nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues dhe manipulues i tyre, andaj kam rieskploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun’. Kurse lexuesi dhe studiuesi shqiptar, por edhe ai botëror e di se ky fond, është aq i gjerë dhe aq i thellë, sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të. Fajet, mund t’i kenë shumë krijues, por ai Babagjyshi i Madh, që u ka treguar për mbijetesën tonë, gjithë kulturave evropiane, është padyshim Marin Barleti, biografi i parë i jetës dhe i bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Virgjil Kule ia ka dalë të merret me të. Virgjil Kule ia ka dalë ta ‘rieskplorojë’, siç thotë vetë, si dhe të shpalojë, në mënyrë maestrale gjithë skenat dhe prapaskenat nëpër të cilat ishin zhvilluar ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat i kishte prirë një populli, kryetrimi i atij populli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Do të thotë, prandaj, se Virgjl Kule është dashur të rieskplorojë gjithë këtë trashëgimi historiografike për ngjarjet e mëdha të Mesjetës Shqiptare, figurë qendrore e së cilës, doemos ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, së pari është dashur të përballet me Stërgjyshin e tij, Marin Barletin.
Një fakt është i pamohueshëm, se e gjithë historiografia skënderbegiane e përmasës evropiane është ndërtuar mbi veprën e Marin Barletit. Për këtë, mjaftojnë të shfletohen vetëm datat e përkthimit të veprës së Barletit në qendra të ndryshme të Evropës së kohës, që të shihen pastaj vitet e botimeve për figurën më të rëndësishme historike të asaj Evrope, siç ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut-Kryqtarit të fundit.
Njëra nga çështjet interesante, qoftë edhe për njohuritë tona lidhur me këtë periudhë, janë padyshim përgatitjet, aspiratat, kërkimi i mundësive brenda përmasave ndërkombëtare të kohës, për shkëputjen e Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane.

Rruga e ardhjes në Krujë e Kryqtarit të fundit

Po vinte viti 1443. Përgatitjet për kthimin e tij në Krujë, pra në Principatën e të atit, kishin filluar kaherë, vite më parë. Do të thotë, përveç asaj që dihet, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte kthyer në vendin e tij, pas betejës së Nishit, prapaskenat e përgatitjes, marrëveshjet e bëra, qoftë me faktorin e jashtëm, siç ishin hungarezët e Huniadit, të cilët ishin forca kryesore në atë front luftimesh kundër Perandorisë Osmane, qoftë me atë të brendshëm, siç ishin princër dhe ushtarakë të shumtë shqiptarë, duke filluar nga Hamza Kastrioti, e deri te Lekë Dukagjini, tashti i mësojmë ndryshe, edhe nga ato që ka thënë Marin Barleti. Sepse këtu janë shpaluar, mbi bazë faktesh dhe të dhënash nga shumë burime arkivore historike dhe publicistike, se ç’rrugë është ndjekur për t’u realizuar ardhja e tij në atdhe, pa pasoja dhe pa pengesa.
Nga ky moment e tutje, deri në vitin 1468, që është viti i vdekjes së kryetrimit tonë, i cili për njëzet e pesë vjet u bëri ballë gjithë atyre mësymjeve dhe tërë asaj hordhie ushtarake osmane, janë shqyrtuar me radhë të gjithë vitet e ekzistencës së qëndresës shqiptare, jo vetëm për ta dëshmuar praninë e tyre në këto hapësira, por edhe për faktorizimin e tyre në planin evropian të asaj kohe. Ngase ndryshe, si do të ishte e mundur që një princ shqiptar, i kthyer në pronat e të atit, të bëhej kryqtari më i rëndësishëm i asaj kohe. Mirëpo, në anën tjetër ky princ shqiptar, kishte arritur të organizonte një ushtri të mirëfilltë kundër forcave pushtuese osmane, por edhe kishte arritur, përveç të tjerash, të krijojë edhe Besëlidhjen e madhe në mes principatave shqiptare, pra i cili kishte vënë themelet e një shteti arbëror, thuajse i barasvlershëm me organizimin shtetëror të asaj kohe në gjithë Evropën.
Rëniet dhe ngritjet kishin qenë të shumta dhe të mëdha, jo vetëm në jetën personale të kryetrimit shqiptar, por edhe në jetën historike të vendit. Ndoshta për historinë 25 vjet qëndrese dhe luftërash të pandërprera nuk janë shumë, por për një vend që ishte në zgrip të ekzistencës fizike, këto 25 vjet ishin më shumë se shekuj. Të gjitha këto rënie dhe ngritje janë trajtuar me shumë kujdes, me shumë akribi në gjithë shtrirjen e ngjarjeve nëpër vite, që nga vitit 1443 e deri në vitin 1468, nga autori Virgjil Kule. Prandaj, vepra e tij, Gjergj Kastriotit Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është specifike edhe në planin e organizimit të lëndës për këtë vepër, siç është specifike edhe për rishqyrtimin e shumë fakteve historike, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga ata vendor, duke filluar nga Marin Barleti, Frang Bardhi e deri te autorët tanë të Rilindjes Kombëtare, që e shndërruan figurën e tij, në prijësin legjendar të shqiptarëve.
Me këtë rast, le të më lejohet të sjellë edhe një fakt përfundimtar, për madhështinë e projektit të Skënderbeut, jo vetëm lidhur me mbrojtjen e lirisë së vendit të tij, por edhe të pengimit të depërtimit të Perandorisë Osmane në hapësirat evropiane, si dhe me mundësinë e marrëveshjes me Vatikanin lidhur me organizimin e ndonjë kryqëzate, së cilës do t’i printe kryetrimi ynë, gjë që dëshmohet edhe përmes ndihmës që Papa Pali II-të, ia kishte dërguar si lloj ndihme. Në vitin 1467, pak ditë para vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Pali II-të ia kishte dërguar 1. 100 dukat, fonde që duheshin kuptuar edhe si një vazhdimësi e realizimit të projekteve të kryetrimit tonë me bashkësinë evropiane të kohës.
Atëherë, po trokiste Viti i Ri 1468. Projekti i Skënderbeut kishte përsëri shanse të vazhdonte aty ku kishte ngecur, por me lëvizje politike që vetëm mendja e tij gjeniale mund t’i përpunonte në përputhje me situatat. Cilat mund të ishin ato? Përgjigjet mund të dalin vetëm nga një kuis interaktiv historik nga ata që, duke paraqitur rrethanat konkrete, u kërkojnë historianëve të japin variante mbi mënyrën se si mund të kishin vepruar figurat madhore politike të kohërave, në rast se vdekja e papritur nuk do t’i largonte nga kjo botë.
Një përmbyllje e këtillë e një vepre madhore, si kjo e intelektualit të mirënjohur, z. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, mund të jetë e lejueshme vetëm për ato dije që kanë pretendimin se kanë shtjerrë përgjithësisht gjithë burimet, publike dhe arkivore lidhur me jetën, luftërat, bëmat, vendin dhe gjeninë politike të Kryetrimit të shqiptarëve.
Përfundim
Autori i veprës Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, me veprën e tij ka hapur shumë dilema. Dilema të natyrës historike, se a mund të argumentohen të gjitha veprimet e tij politike dhe ushtarake me burime arkivore të besueshme. Dilema politike, se a ishte koherent projekti i tij, pra a përputhej pa ngërçe historia e veprimit të tij me historinë e veprimit të tij politik e ushtarak, po ashtu të vërtetuar nga burimet historike.
Qoftë edhe vetëm për trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre dilemave, që e përshkojnë fund e krye këtë vepër madhore të autorit Virgjil Kule, ajo, vepra pra, hap rrugë për këndvështrime të ndryshme, për lexime të ndryshme, si dhe për qasje e komentime të ndryshme. Kjo veti e veprave shkencore, kanë thënë të gjithë të diturit, është mirë për jetën e veprës.
Vepra e intelektualit të madh, z. Virgjil Kule e ka këtë cilësi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kryqtari i fundit, Nusret, Pllana, Skenderbeu, Virgjil Kule

LIGJET GREKE- SHQIPTARJA TRI DITE PA VARROSUR

October 23, 2014 by dgreca

Nga Shpëtim Zinxhiria (Athinë)/
Greqi: Edhe pas vdekjes, u kërkohen emigrantëve të kenë leje qëndrimi për t’u varrosur. Familja e 24-vjeçare pret tre ditë për të varrosur vajzën e tyre Aldiora Dingo/
Nga Shpetim Zinxhiria/
E pabesueshme, por një realitet që ndodh në vendin fqinj, vendi i çudirave dhe i mrekullive, vendi ku për të parën herë lindi Demokracia, arti dhe kultura. Por, mesa duket, ky vend anëtar i Komunitetit të Bashkimit Europian që nga 1981 vazhdon të nxjerrë ligje nga më ekstreme, ku gjejnë zbatim, jo vetëm për emigrantët e gjallë, por edhe kur ata shkojnë në botën tjetër (parajsë). Gjatë dy dekadave të fundit emigrantët janë përballur me ligje nga më të ashprat për legalizimin e tyre, ligje të cilat asnjëherë nuk ndikuan në integrimin dhe marrjen e statusit të emigrantit. Janë këto ligje të çuditshme, të cilat nuk mjaftojnë për ashpërsinë e tyre, kur emigrantët janë gjallë, por, edhe kur ata ikin nga kjo botë. Çudia më e madhe është se si ka mundësi që këto ligje të kësaj natyre jashtë çdo logjike të gjejnë zbatim në një vend të BE-së, ashtu siç është Greqia, ku emigrantëve ! të ikur nga kjo botë u kërkohen gjëra absurde, për të gjetur parajsën në botën tjetër.
AKSIDENTI
Konkretisht, javën e kaluar, një aksident automobilistik, midis viktimave te tjerë, i mori jetën një vajze 24 vjeçare, e cila kishte shkuar të rinovonte lejen e qëndrimit, tek priste në stacion të autobusit në rrugën “Petro Rralli”. Kjo tragjedi u trajtua me të madhe për shumë ditë nga media vendase, si një tragjedi kombëtare.
Kur je shqiptar!
Sa u mor vesh qe vajza nuk ishte vendase dhe aq më shumë ishte shqiptare filluan peripecitë e familjes së viktimës. Nuk u besoja syve dhe veshëve, kur dëgjoja se sa e vështirë ishte që të varrosej një njeri i huaj në këtë vend, aq më tepër me një fe tjetër. Ishte hera e parë që me të atin e vajzës po përballonim të vetëm një skenë të tillë, e gjithë kjo pasi duhej të përgatisnim dokumentet përkatëse për raste të tilla.
Policia: Vajza ka leje qëndrimi?
Peripecia e parë për familjen ishte në komisariatin e policisë në zonën e Kalitheas, ku familjes iu kërkua që të ishte i pranishëm avokati për të vërtetuar nëse viktima kishte leje qëndrimi në Greqi, në një kohë që policia e di shumë mirë që çdo leje qëndrimi ka një kod të veçantë dhe për këtë mund të merrte të dhënat nga institucioni përkatës. Sikur të mos mjaftojë kjo, oficeri i policisë i thotë familjes që duhet të vinte përsëri në këtë komisariat për të deklaruar se si u krye aksidenti, në një kohë që familja priste nga këta, të mësonte lidhur me aksidentin.
Shtyhet varrimi, se është shqiptare
Në derën e komisariatit të policisë në Kalithea të Athinës, nga personeli i zyrës funerale të Nikeas mësuam se sa e vështirë është për të huajt që të varrosen në Athinë, kjo aq më shumë për këtë rast kur viktima nuk ishte pagëzuar dhe se ishte shqiptare. Në fakt, ajo nuk u varros të nesërmen, sipas rregullave, me arsye se ishte e huaj dhe burokracia vendase do ndikonte në të. Varrimi u shty edhe dy-tre ditë të tjera, por u bë më në fund, falë parasë që gjithmonë të pamundurën e kthen në të mundur, ku vajza shqiptare më në fund, që nuk ishte pagëzuar në fenë ortodokse, të varrosej e të prehej në paqe provizorisht në varret vendase.
Konkluzioni
Turp! Siç dihet Athina është i vetmi qytet në botë që nuk ka varre për ata që nuk kanë fenë Ortodokse, pasi për këta njerëz me fe të ndryshme ka varre për ta 700 kilometra larg Athinës. Në rastin e lartpërmendur nuk ka si mos të indinjohesh kur përballesh me ligje të ashpra dhe jo njerëzore, ligje që nuk njohin logjikë dhe as ndjejnë dhimbjen në të tilla raste. Nuk ka si mos të indinjohesh kur në zyrat e policisë të vdekurit i kërkojnë lejen e qëndrimit, nuk ka si të mos të indinjohesh kur zyra funerale kërkon letrën nga Kisha Ortodokse që të vërtetojë pagëzimin, se ndryshe nuk mund të bëjë varrimin. Por, në fakt, janë ligje të cilat duhet të gjejnë zbatim për të vdekurit vetëm në një vend që quhet Greqi. Më në fund mësuam se edhe të vdekur, emigrantët për të shkuar në botën tjetër duhet të tregojnë legalizimin dhe fenë e tyre…(Kortezi- Telegraf, Shqiperi)

Filed Under: Mergata Tagged With: LIGJET GREKE- SHQIPTARJA, PA VARROSUR, Shpetim Zinxhiria, TRI DITE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4339
  • 4340
  • 4341
  • 4342
  • 4343
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT