• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEGA E VATRËS NË QUEENS,VEPRIMTARI PËR 65 VJETORIN E VDEKJES SË MITHAT FRASHËRIT

September 30, 2014 by dgreca

NJOFTIM/
Ditën e Premte, 3 tetor 2014, Ora 7 e mbrëmjes, Dega e Vatrës në Queens me kryetar dr. Skënder Murtezani, do të organizojë një veprimtari përkujtimore kushtuar figurës së ndritur Kombëtare, Apostullit të Shqiptarizmës, politikanit, diplomatit, shkrimtarit, ish Kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë, Mithat Bej Frashëri.
Veprimtari nuk do të ketë thjeshtë karakter përkujtimor, por edhe historik e shkencor. Për këtë qëllim janë ftuar figura të njohura të diasporës shqiptare, që të shpalosin përmasat e kësaj figure kombëtare.
Krahas hulumtimeve më të fundit për veprimtarinë në SHBA, dokumentacionit rreth vdekjes me mistere, do të ketë edhe një këndvështrim rreth Mithat Frashërit dhe VATRËS. Sic dihet, kontaktet e Mithat Frashërit me Vatrën janë të hershme, por veprimtaria e tij më e ngushtë me Vatrën ishte HUAJA KOMBËTARE e viteve 1920- 1921, ku Mithat Frashëri ishte i dërguari i Qeverisë Shqiptare për të bashkëpunuar me Vatrën. Ai shëtiti së bashku me vatranët nëpër kolonitë e Amerikës dhe u arrit suksesi i madh, ku vatranët realizuan Huanë me më shumë se 197 mijë dollarë.
Krahas kumtesave do të ketë edhe shfaqje të vidove, do të dëgjohet zëri i Mithat Frashërit gjatë intervistës për BBC, do të ekspozohen dokumente, përfshi edhe ato që kanë bëjnë me rrethanat e vdekjes së tij.
Takimi është i hapur për komunitetin dhe shoqatat.
Adresa, ku do të zhvillohet veprimtaria, është:

IMMACULATE CONCEPTION CENTER
ROOM E Southern entrance
7200 Douglaston Parkëay
Little Neck, NY 11362

Filed Under: Vatra Tagged With: 65 vjetori i vdekjes, Mit'hat Frasheri, Njoftim, Skender Murtezani, veprimtari

TIÇINO – OSE GJERDANI I PERLAVE TË ZVICRËS JUGALPINE

September 30, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Për ta mbajtur të pashlyeshme në kujtesë si pamje nga më mbresëlënëset, do të ishte e mjaftueshme që ta vështrosh nga avioni. Por që ta përjetosh këtë bukuri, ta kuptosh filizofinë e fatit të saj, edhe kur ka qenë në vetmi të plotë e në harresë të plotë, edhe kur ka qenë në qendër të plotë të vëmendjes, derisa është shndërruar në nyjën zvicerane të Evropës, kërkohet një itinerar tjetër i veçantë, një kohë e një përkushtim i veçantë.
Tiçinon e kemi kundruar me kërshëri siç është i imponuar vetiu çdokush gjatë rrugës për në Itali ose kthim. Nuk do të mjaftonte gjithsesi as ndonjë shërbim i shkurtër që ne kemi pasur këtu. Prandaj ne do t’ia kushtojmë një javë të tërë kantonit në jug të Alpeve, si gjithnjë, në kuadrin e partneritetit që ka shoqata jonë e gazetarëve, APES. Këtë mundësi na e krijoi Swiss Tourismus.
Ne jemi duke shkruar një libër me reportazhe për Zvicrën, qytetarë të së cilës edhe jemi. Konfederatën Helvetike e shohim me optikën e gazetarëve me rrënjë shqiptare, duke krahasuar burimet e tokës amtare me mospërdorimin ose keqpërdorimin e tyre. E sjellim Zvicrën si një model tokësor, produkt i kujdesit të dorës së njeriut dhe shtetit – çka është në antitezë të plotë me nga i kemi rrënjët.
Udhëpërshkrimet, si ato që anojnë më shumë drejt publicistikës, apo edhe ato që janë më afër prozës artistike rëndom kanë kompozicion drejtvizor. Ne, për hir të krijimit të një tabloje sa më të qartë tredimensionale, në rrafshin vertikal, horizontal dhe në rrafshin e përditshmërisë jetësore, do të jemi të detyruar ta ndërthurim linearitetin me retrospektiva dhe perspektiva, me kthime në të ardhmen dhe me arratisje në të shkuarën, gjithnjë me pikënisje nga përjetimet tona të drejtpërdrejta në terren.

GOTARD(GOTTHARD) – ATJE KU LINDI ZVICRA, BURON EDHE TICINO

Në udhëtime të tilla shumëditëshe aleat i pazëvendësueshëm sa dhe i paparashikueshëm është moti. Shërbimet meteorologjike, pas një dite të parë me mot të mirë, na premtonin mot të paqëndrueshëm gjatë gjithë pjesës tjetër të javës. Prandaj organizatorët e udhëtimit tonë na këshillonin të merrnim me vete pajisje që na mbronin nga shiu dhe nga të ftohtët. Kryeneçësitë e motit, fatmirësisht do të ishin me ne, ditën e parë të udhëtimit do të na shoqëronte një mot i paqëndrueshëm, ndërsa në ditët e tjera, pothuajse gjatë gjithë kohës do të na shoqëronte moti i qëndrueshëm, dmth dielli, sa që shoqërueset tona na thoshin, hej na prutë diellin. Na shoqëronin dhe pyjet.
Ngado që shkonim me ne ishin pyjet, masivet e pafundme të tyre. Ngado të hedhësh vështrimin ndeshesh me ngjyrën e gjelbër, të nuancave me laryshi të paparë. E gjelbra është ngjyra e harmonisë, ekuilibrit, rritjes dhe rinisë.Territori i Zvicrës mbulohet 30 % prej pyjeve që do të thotë se banorët thithin oksigjen pa kursim.
Pasi ndalemi në stacionin e trenit në Göschenen, ne marrim trenin rajonal për në Andermatt. Ky emërvend është formuar nga ‘an der Matt’ dhe ka kuptimin ‘Telivadhi’. Këtu, ndoshta më shumë se kudo, na shfaqet zanafilla e infrastrukturës që e karakterizon Zvicrën, infrastruktura të cilën e ndërtoi Zvicra dhe e cila e ndërtoi, në përkryerjen e saj, Zvicrën, e bëri Zvicrën atë që është.
Nga një urë në një tunel, nga një tunel në një urë – pejzazhe mahnitëse që kanë autorësinë nga dora e njeriut, ngulmin, zellin, durimin, përkushtimin, shpirtin krijues gjenial të tij. Ura, tunele dhe rrugë krejt të reja; ura, tunele dhe rrugë krejt të vjetra e relativisht krejt të vjetra, të tjera me destinacione të ndryshuara, për përdorime të larmishme praktike, të tjera thjesht tashmë me funksione muzeale.
Përzierja më karakteristike e muzealitetit me realitetin e gjallë, realitetin në zhvillim deri në fantazinë më futuriste është pikërisht këtu ku do të kemi ne cakun e parë të udhëtimit, këtu ku pikëtakohen dhe pikëndahen, mbështillen në një lëmsh mahnitës të pafund dhe çmbështillen e shpalosen në një bukuri mahnitëse e befasuese të pafundme, malet vigane, diku sapo të liruar nga bora, diku ende me lara bore edhe në këtë mesgushtit, shpatet, majat dhe qafat, grykat e maleve, lumenjtë, theqafjet e lumejve, vorbullat e tyre marramendëse, rrugët e dikurshme të këmbësorëve, rrugët e mëvonshme të kuajve, rrugët e mëvonshme të qerreve, rrugët e mëpastajme automobilistike njëkalimëshe, të pashtruara, të shtruara me kalldrëme, tunelet e hershme, tunelet e mëvonshme, deri tek rrugët e gjera, tunelet e panumërta secili më rekord se tjetri në gjatësi, gjerësi dhe në përkryerje, urat që kalërojnë nga njëri mal tek tjetri, që hyjnë dhe dalin nga njëri tunel tek tjetri në një pafundësi të pashoqe.
Dhe po aq mrekullisht këtu ndërthuret, mbështillet, çmbështillet e shpaloset, nyjëtohet, çnyjëtohet dhe zhdërvillohet historia e jetës së njerëzve të parë të këtyre anëve e përzier dhe e zbukuruar me historinë e jetës së ardhësve të mëpasmë me historinë e ngjizjes dhe të lindjes së Zvicrës, konsolidimit dhe fuqizimit të Zvicrës, lartësimit dhe përparimit të pandalshëm të Zvicrës si realitet origjinal, unik, me rëndësi përherë më të madhe e më të ndjeshme evropiane dhe botërore.
Teufelbrücke – Ura e Djallit
Simboli më domethënës, ku mpleksen dhe shndërrohen mes tyre mitologjia me realitetin është Teufelbrücke – Ura e Djallit, në dukje një motërzim i motiveve me ura dhe me kështjella.
Nga fundi i mijëvjeçarit të parë, në rajonin Ursental (Lugina e Arinjve), ku ndodhet dhe Andermatti, u ngul një popullsi kelte Walser. Sipas gojëdhanës, banorët vendosën të ndërtonin një urë në Schölenen, mbi lumin e ndërkryer Reuss. Por ata nuk dinin si ta ndërtonin, prandaj thirrën në ndihmë djallin. Sapo ia kishin shqiptuar emrin, djalli iu shfaq kundruall tyre dhe u pajtua ta ndërtojë urën. Me një kusht të vetëm – njeriu i parë që do të kalonte mbi urë do t’i përkiste atij. Ata pranuan dhe ditën e tretë ura mbaroi së ndërtuari. Nga ana tjetër e ujit rrinte i ulur djalli, në pritje të njeriut të parë që do të kalonte urën. Banorët urnas filluan ta pleqërojnë vendimin. Një i zgjuar i këshillloi ta dërgojnë tek djalli një cjap. Djalli u tërbua dhe deshi të marrë një gur sa një shkëmb në Göshenen për ta hedhur mbi urë. Ai e ndali turrin, sepse pa një plakë të zgjuar, e cila po gdhendte një kryq në gur. Sapo djalli pa kryqin, u step dhe pastaj iku me të katra pa e prekur gurin. Prej atëherë ai nuk u shfaq më në rajon. Ura e Djallit shënoi rritjen e madhe të trafikut në të dyja anët e Gotardit. Brenda shekullit do të bëhej e mundur që Alpet t’i kalonin kuajt e ngarkuar me mall. Rajonit do t’i jepej pavarësia politike nga Mbreti Wenzel, me qendër në Frankfurt mbi Majn. Nga fillimi i Shekullit XV vendosej për herë të parë shërbimi i rregullt i korrierëve. Në fillim të Shekullit XVIII do të hapej tuneli i parë në vijim të urës së Djallit, çka do t’i jepte një hop tjetër qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Kjo do të krijonte mundësinë për të ndërtuar rrugën e parë të mirëfilltë për të kaluar mbi Gotard me kuaj dhe më vonë edhe me qerre.
Për në Schölenen, gryka malore më e famshme dhe më kundërthënëse e Zvicrës, do të na prijë udhërrëfyesja jonë, zonja Marja Nieuwveld, e zyrës së turizmit të Rajonit të Shën Gotardit në Andermatt. Do të kalojmë nëpër tunelin ushtarak, i cili vetëm kohët e fundit është vënë në shërbim të vizitorëve. Matanë tunelit do të na shfaqet ura e Djallit, simbolikisht nëna e urave, ura e urave të Zvicrës dhe të kontinentit. Të gjitha versionet e urës, nga ai i pari deri tek përfundimtari janë ruajtur si objekte muzeale turistike. Aty janë edhe gjurmët e rrugëve të dikurshme në të dyja anët e lumit. Ndërtimi i urës ishte hapi i parë i zhvillimit të Andermatit. Ura do të frymëzonte ndërtimin e tunelit të parë të Zvicrës. Ai do të realizohej duke përdorur barutin e armëve. Do të ishte tuneli i mijëra e mijëra tuneleve të Zvicrës. Gjersa, më 1882, do të ndërtohej Tuneli i Gotardit, midis Göschenen në veri dhe Airolos në jug, çka do të bënte të lulëzonte tregun midis dy anëve të Alpeve, ndërtimin e urave e tuneleve të tjera gjithnjë e më moderne dhe më madhështore duke i dhënë shtytje zhvillimi Zvicrës dhe krejt Evropës.

Në atë kohë, shkrimtari zviceran Carl Spitteler (Nobel, 1919) duke e quajtur tunelin e Gotardit Porta e Alpeve, do të shprehej se kjo portë kishte qenë gjithmonë aty, por natyra e kishte fshehur çelësin e saj, gjersa atë çelës ta gjente njeriu. Ne kalojmë si sfidë nëpër Urën e Djallit dhe nëpër tunelin matanë, edhe ai objekt muzeal. Poshtë urës rrjedh lumi Reuss. Po të nis një mesazh me shishe prej Reuss-it, ju e merrni në Rhein, Bazel, na thotë Marja. Bile shishja me mesazh shkon deri në Rotterdam, Detin e Veriut, prej nga vjen ajo.

SUWOROW DENKMAL & FRANZOSEN-PLATZ – MEMORIALI SUVOROV DHE SHESHI I FRANCEZËVE

Por nuk mund të arrish tek Ura e Djallit pa kaluar nga një monument i gëdhendur në zemër të malit shkëmbor, ku u djallos emri dhe fama e pashkelur dhe e pandotur gjer atëherë, e gjeneralit më të shquar rus, Aleksandër Suvorov. Këtu do të shënohej përsëri fati i Evropës. Suvorov, në kuadrin e aleancës ruso-gjermano-austriake për t’iu kundërvënë fushatës ushtarake franceze, arriti këtu nga Alpet në shtator të vitit 1799 me 21 000 trupa. Francezët do ta hidhnin në erë urën. Suvorov do të përpiqej ta rindërtonte atë me mjete rrethanore, duke përdorur deri rripat e brezit të ushtarëve, por ata do të korreshin, me mijëra e mijëra. Suvorov, me një të tretën e trupave, do të kthehej në Moskë, ku do të pritej me nderime te mëdha dhe do të vdiste disa muaj më vonë, duke mbyllur karrierën e tij 40 vjeçare, me pjesëmarrje në shtatë luftëra, në komandë të 62 betejave, të gjitha të kurorëzuara me fitore, përveç asaj që u zhvillua tek Ura e Djallit. Pikërisht këtu ndodhet Sheshi i Francezëve – Franzosen-Platz pranë një tabloje lufte ku në një pllakë ngjyrë të kaltër që ne e fotografuam midis të tjerave shkruhet: ky vend i thjeshtë dhe tabloja e madhe e betejës për shkak të Teufelsbrücke nderojnë kujtimin e ushtarëve francezë të Gjeneralit Lecourbe, të cilët dhanë jetën në betejën kundër rusëve më 25 shtator 1799. Ky sheh u inagurua më 25 Shtator 1999, 200 vjet më vonë.

GOTTHARD OSE ZEMRA E ZOTIT DHE GOETHE

Zonja Nieuwveld, shoqëruesja jonë me të cilën patëm një sintoni magjike, ndofta e ardhur nga dehja që patëm prej pastërtisë të ajrit me të cilën mbushnim mushkëritë, na thotë se, si udhërrëfyese e kushedi e sa vizitorëve të huaj, parapëlqen të shpjegojë në mënyrën e saj etimologjinë e fjalës Gotthard (nga emri i shenjtorit katolik, mbrojtës i tregtarëve). Sipas saj, ajo shpjegohet me Zemra e Zotit. Ajo ngulmon në këtë shpjegim nisur edhe nga fakti që Zvicra është në zemër të Evropës dhe vetë e ka përafërsisht në hartë pikërisht formën e Zemrës.
Një emër tjetër i lidhur me këtë zonë është ai i poetit të madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe. Poeti ishte si i shtëpisë në Andermatt dhe në zonën e Shën Gotardit. Në qendër të qytetit mbi muret e një ndërtese është shkruar përshtypja e tij për Andermatin: “Mir ist’n unter allen Gegenen, die ich kenne, die liebste und interessanteste.” Që pak a shumë do të thotë në shqip: “Unë kam parë shumë vende në jetën time, por ky vend është më i dashuri dhe më i këndshmi në botë.” Në librin e tij “Mythos Gotthard – Wass der Pas bedutet” (Miti Gotard – Cili është kuptimi i Qafmalit) Helmut Stadler shkruan se Goethe erdhi këtu katër herë. Më 1775 poeti vinte këtu për të shëruar dhimbjen e ndarjes nga 16 vjeçarja Elisabeth Schönemann, bijë e një bankieri frankfurtas, e njohur me emrin Lili. Më 22 qershor poeti ishte në Qafmalin e Gotardit. Në shënimet e tij e quan një vend ku gjenden drejtpeshimet e humbura shpirtërore. “Kalimi mbi këtë Qafmal është ngjarje ekzistenciale. Është një kapërcim në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një përjetim tranzitor. Ai shënon një shndërrim të plotë, një metamorfozë, një katarsis, një përmbushje, një fillim të ri dialektik. Ky Qafmal ndan të kështushmen nga e atjeshmja, të mëparshmen nga e pastajmja dhe këto nga njëra-tjetra.” Poeti vjen këtu më 1779. Udhëtimi i tij përfundon këtu, sikurse i pari. Edhe i treti, më 1786. Vetëm në udhëtimin e katërt, më 1797 ai e realizon synimin e tij për të shkuar në Itali. Poeti do të shndërrohej në një nga sinonimet e mitit të Gotardit, kultit të Gotardit. Poeti e kalëron, sikur edhe ne dy shekuj e ca pas tij, Teufelbrücke. Nën ndikimin e Goethes, miku i tij Friedrich Schiller, pa qenë kurrë në Zvicër, do ta vendoste në këto male dramën e tij “Wilhelm Tell”. Në poezinë “Kënga e malit” (Bergslied), Schiller do t’u këndonte “katër lumenjve që burojnë këtu dhe marrin katër rrugët e botës. Dhe pasi përshëndeten me nënën, të sapolindur ndahen për të mos u takuar kurrë më përjetë.”
Ne shkojmë edhe në hotel restorantin ku shkonte poeti, pimë kafe edhe në lokalin ku ai e pinte kafen. Pastaj vizituam muzeun, kishat, bëmë shëtitje në qytet. “Bora këtu vjen në tetor dhe shkrin vetëm në qershor, nga thotë Marja. Dhe fryn vazhdimisht, për shkak të grykave të shumta të maleve mes të cilave është qyteti. Sipas meje, na thotë Marja, nuk është e drejtë kur thonë ‘mot i mirë’ apo ‘mot i keq’. Moti është i ndryshueshëm, i ndyshëm, por gjithmonë është i mirë.”

DREJT QAFËS SË GOTARDIT-GOTTHARD-PASS

Udhërrëfyesja jonë do të na përcjellë tek stacioni dhe ne me autobuzin e Postës do të marrim udhën për në Qafën e Gotardit, Gotthard-Pass. Rruga gjarpëron mes gjelbërimit të Alpeve. Autobusi i bie borisë në çdo kthesë të vështirë. Ashtu si bëjnë edhe në Alpet e Shqipërisë. Bimësia që shikojmë matanë dritareve vjen e bëhet gjithnjë e më e ulët, shfaqen shpate malesh të veshura me shkurre, kryesisht të familjes së atyre që ne i quajmë dëllinja të bjeshkëve, derisa vendin e tyre e zënë kullotat e mirëfillta alpine. Kjo është rruga më e gjatë që e lidh Zvicrën e mbialpeve me Zvicrën e nënalpeve, pra me kantonin e Tiçinos. Anës rrugëve ndërtesa gjithnjë e më të rralla, të vogla për t’iu ardhur në ndihmë automjeteve dhe udhëtarëve. Ka edhe nga ato më të vjetrat, që nuk i shërbejnë më askujt, përveçse kujtesës së një kohe kur vendin e autobuzit të Postës e zinin pajtonët e postës.
Arrijmë në Qafën e Gotardit. Këtu lartësia mbi nivelin e detit shënon 2100 metra. Si riliev, kush e njeh, të kujton Bjeshkët e Nëlta të Tropojës. Ne zëmë vend shpejt e shpejt në hotelin “Shën Gotthard”dhe nxitojmë për në Muze. Është ora kur vizitorëve iu shfaqet dokumentari për mitin e Gotardit. Në qendër është ndeshja e Shën Gotthardit me djallin, ku fitimtar del gjithmonë i pari, por ku i dyti asnjëherë nuk zhduket, madje i rri gati ndaj çdo mungese të vëmendjes. Dokumentari mbyllet pikërisht me porosinë: Ejani, kënaquni me bukuritë e kësaj zone, ju mbron Shën Gotardi, por mos harroni se asnjëherë nuk iu dihet prapësive të djallit.
Pasi ndjekim dokumentarin, me një grup vizitorësh të tjerë, shohim muzeun kushtuar kësaj zone. Dalim pastaj për të bërë një shëtitje rreth e rrotull, tek përmendorja e pilotit të rënë për Atdheun, tek shtatorja e shenjtores së panjohur, përgjatë brigjeve të liqenit të Qafës së Gotardit, ku janë vendosur një numër kamperash. Ndërkohë grumbullohen gjithnjë e më dendur mjegullat dhe fillon shiu i cili bëhet gjithnjë e më i furishëm.
Automjetet që vijnë dhe shkojnë i mbajnë dritat e ndezura. Mjegullnajë tipike. Vendosim të shkojmë në restorant për të ngrënë darkën tonë, edhe kjo një meny tipike shoqëruar me verë Tiçineze. Nga dritaret shikojmë se pamja ka zënë të kthjellet dhe mjergulla nuk dihet se ku ka ikur. Turistët lëvizin pa çadra. Dalim të bëjmë shëtitjen e pragmbrëmjes. Por një mjegullnajë gjigante nga gryka e veriu po zbret teposhtë për në lugina, ndërsa nga jugu po ngjitet një tjetër mjegullnaje. Në shpatinat e majëmaleve alpine në trajtë shpezësh të vogla, të qumështa po fluturojnë mjegulla të tjera, duke paralajmëruar se ndërkoha pa reshje po mbaronte dhe ishte gati një tjetër furi shiu dhe breshëri për të filluar. Pamja rreth e rrotull ngushtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që nata hyn gjithnjë e më tepër në natë, ndërkohë që dita ia lë gjithnjë e më shumë terrenin natës.
Hoteli ku qëndrojmë i ka të gjitha modernitetet, si të ishte në qendër të çdo monopoli. Në çdo dhomë vizitorëve iu ofrohet një album ‘ekskluziv për bujtësit’. Albumi ka një mori fotosh, të cilat mund t’i kundrosh për orë e orë të tëra pa u lodhur, secila më mrekulli se tjetra. Pothuaj një vit e gjysmë të tërë, nga 17 shkurti 1985 deri më 3 qershor 1986, autori, në periudha të ndryshme të vitit, në zonat më piktoreske, i ka fiksuar këto pamje mahnitëse. Në fund Jean Odermatt albumin e ka pajisur me shënime, ku tregon rrethanat e realizimit të këtyre fotove.

PËRTEJ ‘TOKËS SË QIELLIT’

“Himmelsland” (Toka e Qiellit) e ka titulluar albumin e tij Jean Odermatt. Edhe ai e thërret në ndihmë këtu adhuruesin më të madh paraardhës të kësaj zone, poetin Goethe: “Për Perandorët Romakë Gotardi ishte mali më i lartë në botë. E vërteta është se në Evropë ka plot male shumë më të larta se Gotardi. Mont Blanc është gati sa dyfishi i tij. Por Gotardi është mbreti i maleve, sepse këtu pikëtakohen një mori malesh të larta.” Mali nga buron, sipas dijes së atëhershme, lumi më i gjatë i Evropës, nuk mund të mos ishte edhe më i larti i Evropës. Mali që ka emrin e Zotit, sipas së njëjtës mendësi, nuk mund të mos ishte mali më i lartë. Në fakt, Gotardi, në të gjithë librat gjeografikë do të përmendej si mali më i lartë deri në fund të Shekullit XVIII, kur Horace Bénédict, gjeograf dhe alpinist do ta rrëzonte nga froni. Ai do të maste në mënyrë barometrike malet dhe do të gjente se Mont Blanc – Mali i Bardhë është më i larti në Evropës. Por miti i Gotardit nuk do të prekej fare nga ky fakt. Edhe pa Urën e Djallit, edhe pa Tunelin e Gotardit, do të ishte mrekulli ky rajon, mes Altdorfit, Kurit, Belinconës dhe Brigut, me tetë qafëmale, me 4000 kilometra rrugë këmbësore, me 300 kilometra rrugë motoçiklizmi, me 1100 metra pista të çiklizmit malor, me 550 kilometra pista skjimi, 200 kilometra pistë skjimi sportiv, 300 kilometra rrugë këmbësore dimërore, 52 infrastruktura me fusha tenisi, 5 fusha golfi, 38 muzeume, 300 hotele, 24 kampe fushimi, 330 apartamente pushimi, 20 shtëpi pushimi për të rinjtë, disa qindra kampe me çadra për turistët e moshave të reja dhe qindra të tjera për alpinistët.

NË GOTARD ZË FILL RRUGA E KATËR BURIMEVE – VIER-QUELLEN-WEG
Në Gotard është jo vetëm pikëtakimi i maleve më të larta të Alpeve të Evropës, por është edhe pikëtakimi i katër kantoneve të Zvicrës, është edhe zona ku burojnë katër lumenj të rëndësishëm të Zvicrës dhe të Evropës: Rini (Rhein), Rhone (Ron), Rojs (Reuss) dhe Tiçino (Tiçino). Këta lumenj shënojnë kryqin e kaltër në hartën e vendit. Gotardi është miti, zona ku lindi Zvicra. Pikërisht nën hijen e këtij mali themeluesit e këtij vendi bënë besëlidhjen e parë, vendësit e quajtën vetën të përbetuarit, një nga sinonimet që e gëzojnë edhe sot e përgjithmonë të gjithë qytetarët Zviceranë.
Tri kantonet themeluese të Zvicrës, Uri, Shvyci dhe Untervaldeni, do të kujtoheshin edhe për ata që banonin matanë Gotardit dhe që sundoheshin prej dukëve të Milanos. Dhe do të vendosnin që frymën e lirisë ta përcillnin edhe matanë. Kështu zona së cilës ia jepn emrin njëri nga lumenjtë e rëndësishëm që buron këtu në Gotard, Tiçino, do ta bashkonte fatin e saj me tri kantonet themeluese dhe me Zvicrës.

NGA QAFA E GOTARDIT TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË NË TIÇINO

U zgjuam me shi dhe mjergull në Qafë Gotard. Pasi hëngrëm mëngjezin, sipas programit, duhej të merrnim autobuzin e postës në orën 10:00 deri në Airolo. Por mjergulla po e vononte autobuzin. Kjo do të na shkaktonte ndryshime në program. Por busi erdhi në minutën e fundit. Pasagjerë ishim vetëm ne. Shoferi ndihej si në faj për mjergullën që e pengoi të vinte në kohë. Tani me autobus zbresim shpateve, ku lartësitë e vetmuara dhe të zhveshura, ua lënë vendin bimësive gjithnjë e më të dendura, ku pishnajat ua lënë vendin ahishtave, ku qendrat e vogla të banuara ua lënë vendin qytezave dhe qyteteve. Mënjanohen tej retë, mjegullat, ndërsa ujëvarat e panumërta na shfaqen gjithandej si shenja mirëpritjeje. Në Airolo, pikërisht ku ndodhet porta jugore e Tunelit Gotard, shoferi i autobuzit na ndihmoi me bagazhet deri sa i hipëm trenit në minutën e fundit.
Treni tani vraponte mes pyjeve. Shiu kishte ndalur, mjergullat kishin mbetur laramane ndofta në Qafën e Gotardit. Pas një ndalese në Belincona (Bellinzona) vijoi për në Lugano, ku na priste liqeni e ne zbritëm. Ishte ashtu si e kishte përshkruar Herman Hesse, i cili prehet diku afër Luganos. « Është mrekullisht i pasur dhe i bukur, ka nga të gjitha, nga peisazhet alpine deri tek ato mesdhetare ». Palma dhe akullnaja, liqej dhe male, kisha antike dhe arkitetonikë moderne, lugina të heshtura dhe qytete dinamike që së bashku krijojnë harmoninë.
Në Morcote – Morkote – te Moisiu

Është pikërisht kështu si e përshkruan Hesse, Kantoni i Tiçinos, poeti me të cilin takohemi simbolikisht nëpër udhëtimet tona në Zvicër. Posa u vendosëm në hotel, nga ballkonet shfaqej mrekullisht liqeni midis palmash dhe pishash, të cilat vinin deri në katet e larta. Ne ua nisim menjëherë këto pamje të mrekullushme djemve me whatsapp dhe na duhej të nxitonim. Pas drekës u nisëm për në port. Qyteti është si mbi kodër me rrugë të pjerrta që zbresin në breg të liqenit. Aty do të merrnim anijen që do të na çojë në Morkote. Duam të vizitojmë vendin ku prehet bashkëkombës ynë i madh, i famshmi Aleksandër Moisiu, bir i kavajasit Moisi Moisiu dhe arbëreshes Amalie de Rada. Me funikolar arrihet shumë shpejt poshtë, por ishte në rikonstruksion, pra nuk funksiononte.
Kishim lexuar se në Lugano kishte bujtur Robert Graves me të dashurën e tij, kur plasi lufta në Spanjë dhe të dy kishin bredhur me funikolar. Diskutonim me zë të lartë për Gravesin, ndërkohë që vendosëm të mos merrnim busin por t’iu biem rrugëve më të shkurtëra. Që janë të pjerrta Dhe për çudinë tonë, duke mos e njohur qytetin gati aspak arritëm në një kohë rekord buzë liqenit, ku parkohen anijet. Ne morëm njërën prej tyre, atë që shkonte në Morkote dhe sa zgjati udhëtimi, për një orë e ca shëtitëm nëpër liqen. Mjergulla e Qafës të Gotardit na kishte arritur edhe këtu, por kjo nuk e prishte aspak magjinë e liqenit, të rrethuar me kurorën e maleve, që reflektonin mbi ujë gjelbërimin e pyjeve që mbanin mbi shpinë, që i bënin të dukeshin si male bërë prej pyjesh. Anija kroçierë “Lugano” do të ndalej në stacione të panumërta, në qendra më të mëdha e më të vogla të banuara, secila më befasuese në bukurinë e saj, secila më interesante për mënyrën si i është përshtatur jetës. Nëpër qytezat anës liqenit, pranë vilave, pronarët e tyre posedojnë motoskafë të cilët i mbajnë të parkuar nëpër hangarë. Liqeni i Luganos me një sipërfaqe rreth 50 km katrorë ndahet midis Zvicrës dhe Italisë. Këshu që gjatë shëtitjes sonë një pjesë e qytezave i takonin Kantonit të Tiçinos, pjesa tjetër ishin italiane.
Arrijmë në Morkote që shtrihet buzë liqenit. Në bar-restorantin e parë që ndeshim, pyesim për adresën e varrezës ku prehet Moisiu. I biri i pronarit të lokalit nuk është i sigurtë për saktësinë e vendndodhjes, prandaj e thërret babain. Ai na e tregon drejtimin. Varrezat janë në majën e kodrës, perpendikolar me liqenin dhe atje shkon duke u ngjitur në shkallë të pafunda.
Të gjithë kalimtarët janë të gatshëm të na ndihmojmë për të gjetur adresën që kërkojmë.Ne i ngjisim shkallët, nëpër korridore rrugësh të ngushta, herë si tunele, herë si kanione, duke pasur si shoqërues përherë liqenin, here në profil, here përballë, here pas shpine. Është një pamje ku natyra është hyjnore. Varrezat e Markotës janë monumentale. Kush ka qenë atje, do të na jape të drejtë. Arritëm në kishë. E prapë nuk është e lehtë të orientohemi në mes të asaj morie të varreve. Në kishë ndezim qirinj, njërin prej tyre për shpirtin e të madhit Aleksandër Moisiu. Dalim nga kisha. Përpara na shfaqet një punëtor i mirëmbajtjes së varrezës. E pyesim dhe ai na prin deri aty ku ne mund ta shikojmë me sytë tanë emrin Aleksandër Moisiu në një pllakë të madhe. Edhe prej andej do të na duhej një copë rrugë, gjithnjë në ngjitje për të arritur atje ku Moisiu prehet prej marsit 1935, dhe prej janarit 1962, së bashku me gruan e tij, aktoren gjermane Johanna Terwin, martuar prej vitit 1919. Iu vëmë mbi varr një trëndafil.
Varri i çiftit Moisiu do të duhej të ishte një pikë pelegrinazhi. As Shqipëria, e cila ia refuzoi shtetësinë, as Italia, e cila ia dha shtetësinë vetëm në shtratin e vdekjes, por që të dyja mburren se e kanë birin e tyre, nuk kanë bërë diçka të krenueshme për nivelin botëror të artistit. Në ndonjë jubile të lindjes së Moisiut dikush ka ardhur dhe ka vënë një kurorë me lule, ka dalë para kamerave për të thënë sa i madh, sa i rëndësishëm dhe sa i çmuar është Moisiu veçanërisht për ne shqiptarët, një komb i vogël që i kemi dhënë botës një artist të madh. Një nga këta ka qenë madje edhe një prej nipave të tij, figurë e njohur, deri president i Shqipërisë. Dhe Moisiu është lënë në harresë.
Në gjithë udhëtimin disaditor përtej Alpeve, vetëm këtu në Moroke na duhet t’i mbajmë çadrat. Bie një shi i çutitshëm, i imët si rrëke lotësh që nuk të lag që na shoqëroi gati gjithë kohës. Një shi malli dhe trishtimi për hir të Mosiut të madh që e zgjodhi për prehjen e tij të përjetshme këtë lartësi prej nga ai të kundrojë pafundësisht pamjet mahnitëse të liqenit dhe të maleve që zbresin nga qielli për në brigjet e tij për t’u parë dhe nga brigjet e tij ngjiten në qiell, për të ndërruar sërish pasqyrë.
Nga Markote marrim Autopostën për në Melinde. Rruga është e gjitha buzë Liqenit të Luganos. Mund ta kishim bërë edhe si shëtitje, në këmbë, aq prane janë, por druheshim se shkonim me vonesë. Ndërsa ishim gjithë përshtypje nga e gjithë dita që kishim pasur, në Swissminiaturë u shtangëm rishtas prej mrekullisë. Në një park nën qiell të hapur, do të vizitojmë Zvicrën në shkallë të zvogëluar 1:25. Pranda quhet Swissminiature. Më mirë me thënë, këtu, nga mesi i marsit deri në fund të tetorit, çdo vit do t’i gjejmë 127 mrekullitë e mrekullive të Zvicrës, të natyrës dhe të dorës së njeriut, të të dyjave së bashku: monumente, kisha, katedrale, kështjella, hotele, restorante, muzeume, ura, tunele, teleferikë, male, vargmale, qafmale, lumenj, ujëvara, liqene, autostrada, hekurudha, shkolla, universitete, akademi, stadiume, qendra sportive, qendra arkeologjike, etj. etj.
Na pret nëndrejtori i Swissminiature Jöel Vuigner. “Na e sollët diellin, ” – na thotë ai, duke buzëqeshur. Vërtetë shiu kishte rreshtur përfundimisht prej atij çasti dhe gjatë gjithë qendrimit tone në Kanton Tiçino. Ne nisëm pa vonuar shëtitjen. Parku i Swissministurë shtrihet mbi një sipërfaqe prej 14 mijë metra katrorë. Për të apasionuarit pas trenave lodër, në park quhet një Eldorado sepse ka një rrjet hekurudhor prej 3560 metrash që përshkohet nga 18 trena pa pushim. Kur e takuam Jöel Vuigner në fund të vizitës kishim mbetur pa gojë nga befasia. Dhe nuk jemi të parët dhe as të fundit, sepse jo më kot kjo zonë është deklaruar kohët e fundit nga UNESCO Trashëgimisë Natyrore të Njerëzimit…
Përfytyroni vetë çfarë përjetimesh mund të kesh duke i kundruar të gjithë malet, lumenjtë, ujëvarat, tunelet, hekurudhat, autostradat, qendrat politike, kulturore, artistike, shkencore të Zvicrës brenda një hapësire të caktuar dhe brenda vetëm një ore. Bazeli në Swissminiaturë përfaqësohet me Katedralen qendrore, me portin e Rinit, Fondacionin Baielere, Rihen, ndërsa Bazel Fusha me Kështjellën e Botmingenit, Pallatin e Kulturës në Listal. Po aty do të gjesh Pallatin Federal të Bernës, Aeroportin Kloten të Zyrihut, Katedralen e Bernës, Teleferikun e St.Moritz, Qendrën e Kryqyit të Kuq në Gjenevë, Monumentin e Vilhelm Telit në Altdorf, bile do të gjesh edhe Monumentin e Gjeneralit Suvorov, Qafën e Gotardit dhe majën e famshme të Materhornit.
Në mbarim të vizitës ne takohemi përsëri me zotëri Vuigner. I themi se jemi të vonuar në këtë vizitë, të cilën çdo zviceran, çdo banor i Zvicrës e ka të domosdoshme ta bëjë së paku një herë në jetë, nëse vërtet mëton ta njohë këtë vend. Ai nis të na tregojë se si lindi ideja e Swissminiaturë tek gjyshi tij E pyesim se e kujt është ideja fillestare e kësaj ekspozite dhe si ka lindur ajo. Kuptohet që Jöel Vuigner është nipi i krijuesit të parkut.
Pierre Vuigner kishte qenë mërgimtar në Hollandë. Atje pa parkun ‘Madurodam’, Hollandën në miniaturë, me 300 ndërtesa të famshme nga Amsterdami, Haga, Roterdami etj. Dhe vendosi të kthehet në Atdhe e t’ia kushtojë jetën idesë së tij. Për ta realizuar atë, i duhej një terren 10-15 000 metra katrorë. I ra vendit anembanë dhe, më në fund, kryebashkiaku i Melides, u magjeps nga kjo ide dhe, brenda tri javësh, u miratua koncesioni për 30 vjet, për t’u zgjeruar më vonë në 45 vjet dhe, më në fund, në 86 vjet, çka mundëson që Swissminiaturë të qëndrojë në të njëjtin terren deri më 2042. Ishte një terren i papërdorur. Wuigner iu vu punës, i ndihmuar nga njerëz të cilëve ua kishte injektuar idenë e tij. Më 6 qershor 1959, kur ende Materhorni, maja më e lartë e Zvicrës, nuk kishte përfunduar së ndërtuari në Swissminiaturë, ai e përuroi parkun. Ishin vetëm 12 objekte të ndërtuara, por parku duhej të fillonte të buronte sa më shpejt të ardhura, në mënyrë që projekti të realizohej me sukses në tërësi. Në vitin e parë do të kishte 80 000 vizitorë, ndërsa aktualisht ka 180 000 të tillë. Në fillim kishte 20 pemë dhe 100 lule të mbjella, sot ka 1550 pemë dhe 15 000 lule. Në fillim punonin këtu 10 veta, tani punojnë 50 veta.Prej ditës të hapjes më 1959 deri më 2009 ka patur 21 milionë vizitorë. Është në institucion i vërtetë. Ndërsa krijuesi i Swissminiature, Pierre Vuigner që vendosi t’ua lërë trashëgimtarëve të tij veprën e tij gjeniale, i mbylli sytë më 28 nëntor 2011.
Nga Lugano në Belincona

Është mëngjesi i ditës së tretë të udhëtimit tonë. Zbresim në hollin e hotelit në Lugano, ku na pret udhërrëfyesja jonë zonja Eliana Franchini-Richina. Do të shëtitnim së bashku zemrën e qytetit në breg të liqenit me të njëjtin emër. Liqeni duket sikur thyen mijra pasqyrka prej diellit që shndrit në qiellin pa asnjë re. Pikërisht këtu ka zënë fill qyteti i ardhshëm. Qendra e qytetit të sotëm është e njëjtë me bërthamën e qytetit historik. Pastaj qyteti do të rritej shkallë-shkallë mbi kodër. Në fillim ishte i sheshtë buzë liqenit.
Dëshmi e kësaj zanafille është katedralja e Shën Lorencit, që e ka shoqëruar këtë qytet gjatë gjithë historisë. Kushedi sa kisha të reja, të hijshme dhe madhështore janë ndërtuar pas saj, por ato të gjitha, ashtu si breznitë e marrin prej njëra tjetrës, e kanë marrë stafetën prej saj, asnjëra prej tyre nuk e ka sfiduar dot statusin e saj të nderuar të veteranes. Zonja Eliana do të na tregojë sa më shumë kuriozitete, ndërsa shëtisim. Sa i përket emrit të qytetit, ka disa teori. Njëra teori thotë se emri i vjen prej zotit të keltëve Lug, mbrojtës i ujrave; teoria tjetër se rrjedh prej latinishtes „lucus“, që do të thote pyll; një teori tjetër se emri vjen si akronim prej perandorisë romake. Lugano sot është qendra e tretë bankare e Zvicrës me rëndësi botërore pas Zyrihut dhe Gjenevës dhe natyrisht është një perlë turistike, në gjerdanin e perlave të Kanton Tiçinos. Lëvizim në Piazza della Riforma. Aty afër ndodhet Villa Ciani, sot Muzeum i Arteve të Bukura, një nga rezidencat më të hatashme tiçineze. Bashkia e Luganos është shumë karakteristike. Aty prapë është Liceu kantonal, Biblioteka, stacioni i trenit dhe gjithnjë si referencë mbetet liqeni, me të cilin nuk ngopemi së sodituri, duke e kërkuar me sy.
Por koha nuk na premtonte dhe për të mos humbur minutën, bagazhet i kishim futur në kasetat e stacionit të trenit, sepse programi jonë ishte i ngjeshur, ngarkuar me mbresa të jashtëzakonshme e me emocione të pashlyeshme…
Ngjatjetohemi me udhërrëfyesen dhe me Luganon. Prej kësaj paradite dhe në ditët e ardhshme trajektorja jonë do të jetë mes Belinconës dhe Lokarnos. Itinerari jonë i përgatitur në atë mënyrë që na jepte mundësi të lëviznim shumë e të shihnim sa më shumë.

LUMI DHE LUGINA E VERCASKËS – ZANA E JUGUT TË ALPEVE

Nga Lugano u vendosëm në hotelin në Belincona, që ishte vetëm dy hapa larg stacionit të trenit. Sa na pëlqente kjo distancë e vogël kur ktheheshim në mesnatë vonë pas një dite të shtrirë horozontalisht dhe vertikalisht, ku në të njëjtën ditë ishim njëkohësisht në Lugano, Belincona, Valle Verzasca, pastaj në Piazza Grande duke parë filmin e rradhës në Festivalin e Filmit në Locarno dhe pastaj ktheheshim prapë në Belincona, kur dita e re kishte disa orë që kish nisur.
Stacionet e postbusit janë të panumërta. Po ashtu edhe stacionet e trenit. Treni lëviz si tram nëpër gjithë Kanton Tiçinon, ku qytezat janë si lagje me njëra-tjetrën. Natën trenat janë të mbushur me rini, të rinj e të reja, që ndjekin jetën kulturore, diskot, shëtitjet. Bashkë me vendasit lëviz edhe lumi i turistëve, zviceranë dhe shumë të huaj që duan të shijojnë aventurën e pafund të lirisë nëpër të panjohurat dhe të papriturat që ofron këtu natyra. Natyrisht, ka edhe të moshuar që bëjnë rutinën e domosdoshme duke kaluar javët e pushimeve të verës tek miqtë e tyre si çdo vit tjetër. Rendi publik është i sigurt, siguria e qytetarit është prioritet. Prandaj zbarkojnë turistët nga e gjithë bota. Pa çarë kokën për çmimet. Por mundësi ka për të gjitha xhepat.
Me këtë program të ngjeshur e vizituam Valle Verzasca (Lugina e Vercaskës), luginë e përshkuar nga lumi me të njëjtin emër që e përshkon tejendanë luginën. Lumi i Vercaskës që derdhet në Lago Maxhore është rreth 30 kilometra i gjatë dhe rrjedh i plotfuqishëm nëpër shkëmbinj, duke ngjarë si vëllami i Valbonës për shkak të ngjyrës të ujit që varion nga gurkali në të gjelbër smerald, me një kthjellësi dhe transparencë të paparë. Aty është edhe diga më e lartë e zonës, e katërta në rrang Zvicrës, e njohur me emrin Contra Dam. Kush kërkon adrenalinë, këtu mund të praktikojë Bungee jumping – kërcëmin me llastik. Në këtë digë është xhiruar edhe filmi Agjenti 007 – GoldenEye.
Gryknaja nga e vazhdojmë rrugën ne i ngjan shumë asaj të Dragobisë, me kusht që kjo të vazhdonte e papenguar edhe përtej Qafës së Valbonës, pra edhe përgjatë Thethit deri në Breglum a përtej tij. Shtëpitë, si në zonën e Luginave të Valbonës dhe të Thethit janë të tipit alpin, disa krejt prej guri, pra nga themelet deri në çati, disa me ndërthurje të gurit dhe të drurit, disa krejtësisht prej druri. Në qendrat e fshatrave dhe të lagjeve, krahas shkollave, kishave, dyqaneve, ka edhe motele të vegjël që mikpresin turistë .
Postbusi ynë ndalet në Sononjo (Sonogno), fshatin më të largët e më të thellë të zonës më malore e më të thellë të Tiçinos. Rreth tri orë që qëndrojmë këtu, ne e shkelim me këmbë pothuaj gjithë fshatin, nga hyrja fushore, tek pjesa veriore që i kapet përpjetë shpatit të malit. Vizitojmë librarinë e vogël, iu hedhim një sy menyve ditore në hyrjet e lokaleve, shijojmë gjizë të përgatitur me qumësht dhije-bio. Dhe thithim ajrin e pastër që na bën me krahë. Nuk ndjejmë lodhje.
Pastaj vizitojmë kullën muzé, Shtëpinë Xhenardini. Ndërtesë tipike e Shekullit XVIII, ajo është qendra kryesore e Muzeut të Luginës Vercaska. Është një nga ato kulla që ndeshen gjithandej edhe në veriun tonë, ku është konservuar mjedisi i jetesës në kohë të ndryshme. Ndërkohë këtu qëndron e hapur një ekspozitë e përkohshme me punime gravurash të Hannes Binder, bazuar në romanin e Lisa Tezner “Schwarz Bruders” (Vëllezërit e zinj), kushtuar pastruesve të oxhakëve, një nga profesionet më të përhapura me të cilat e siguronin dikur jetesën sonjonasit dhe vercaskasit.
Nuk mund të mos vizitonim Kishën e San Maria Loretos, që daton prej vitit 1519. Ajo është rindërtuar pastaj në shekullin XVIII dhe në muret e saj ka piktura të Cherubino Patà, një piktor naivist, mik i Gustave Courbet.
Në qendër të Sononjos ishte edhe qendra artizanale e prodhimeve në lesh, në dru e tjerë. Blerësit pyesin për çmimet, garantohen për cilësinë e asortimenteve, merren vesh për çmime sa më të arsyeshme, blejnë mallin e dëshiruar dhe dalin të shëtisin apo ulen në ndonjërin nga lokalet aty pranë. Të tjerë, pasi kane kënaqur kërshërinë janë ulur tek stacioni i postbusit dhe po presin të kthehen.
Kthimi bëhet nëpër të njëjtat stacione, përgjatë së njëjtës luginë duke mundësuar tashmë të rifreksojmë dhe të ripasurojmë mbresat tona me hollësi, mbresa, përjetime dhe emocione. Disa të rinj zbresin tek Diga Contra Dam, të gatshëm për një aventurë të re.

DITËNATA E LOKARNO
Mbrëmjen dhe natën mes së enjtes dhe së premtes, 14 dhe 15 gushtit, ne e kalojmë në Lokarno. Këtu po mbahet Festivali i përvitshëm i Filmit, i 67-i me radhë. Në orën 21:00 do të paraqitej filmi i ri i Roman Polanskit. Pastaj do të dilte në skenë vetë Roman Polanski, një ndër legjendat e gjalla të kinematografisë botërore. Ndërsa të nesërmen pasdite ishte parashikuar që Polanski të merrte çmimin special të karrierës e pastaj të shkëmbente mendime e përvoja me regjisorët e rinj pjesëmarrës në Festival dhe me publikun e pranishëm.
Kështu ishte parashikuar. Por nuk ndodhi tamam kështu. Nuk ndodhi fare ashtu si ishte parashikuar. Festivalit dhe kësaj ditënate, e enjte dhe e premte, 14 dhe 15 gusht do t’i mungonte pikërisht Roman Polanski. Që kur u mor vesh se do të vinte u hap një diskutim i fortë midis palëve pro dhe kundra. Deri tek Roger Federer ishte kundër. Kur do të ishim në Qafën e Gotardit morëm vesh se Roman Polanski kishte ndërruar mendje. Kjo mungesë do t’i lëndonte filmdashësit, sidomos adhuruesit e shumtë të Polanskit, por do t’i kënaqte kundërshtarët e tij.
Ne e bëjmë akreditimin në Pardo Press Center dhe dalim për të ngrënë darkë e për të shëtitur në zonën pranë Lago Maxhores, një ndër më të bukurat e qytetit. Nuk vonojmë, sepse duhet të zëmë një vend sa më të mirë në platenë e festivalit, në Piazza Grande, sheshi i stërmadh I bukur ku do të ulen për çdo natë sa do të zgjasë Festivali rreth 8 000 (tetë mijë) spektatorë. Ne na prijnë të ulemi në zonën e rezervuar kryesisht për gazetarët dhe për trupat e aktorëve pjesëmarrës…
Ndërkohë që plateja e Piazza Grande po mbushet, në ekranin gjigant përballë nesh, një prej ekraneve më të mëdhenj në botë, jepen pamje nga publiku, herë të përgjithshme, herë sektoriale, duke kaluar edhe në portrete. Dhe publiku, sipas zonave ku kamerat kapin pamjet, reagon me brohoritje gazmore e duatrokitje. Herë pas here, kamera kthehet tek ne, sepse rrotull nesh janë disa nga ata që ia dhanë kuptimin Festivalit, prej tyre edhe aktorë, regjisorë apo trupa të tëra realizuese të filmave, të cilat përbëjnë risi dhe befasi jo vetëm për Festivalin, por edhe për kinematografinë e sotme.
Prej hapjes të edicionit të 67, Festivali kishte patur shumë paraqitje të jashtëzakonshme. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Melanie Griffith dhe Luc Besson, pastaj në ditët në vijim Mia Farrow, Dario Argento, Giancarlo Giannini dhe në fund Juliette Binoche.
Mosardhja e Polanskit e kishte ndryshuar edhe programin e mbrëmjes. Por megjithatë, Drejtori artistik Carlo Chatrian, në kohën që do t’i dedikohej pritjes të Polanskit, shprehu keqardhjen për mospraninë e regjisorit 81 vjeçar. Sa përmendi emrin e tij, publiku, duatroket për minuta të tëra pandërprerë.
I ftuar ishte edhe Garret Brown, shpikësi i Steadcam, me të cilën janë xhiruar filma si Rocky dhe Shining i Stanley Kubrick.
Por vdekja e Robin Williams bëri që vemendja të mos mbetej tek mosprania e Polanskit. Publiku i Festivalit të Filmit të Lokarnos ishte i shokuar prej ikjes të aktorit të madh. Për ta kujtuar aktorin e madh u shfaq një film i tij, pas filmit të ri zviceran ‘Pause’ i regjisorit Mathieu Urfer. Ky është filmi i tij i parë me metrazh të gjatë. Ne na pëlqeu. Si një kthim në neorealizmin italian. Pastaj pas mesnatës, natën vonë do të shfaqej filmi i Roman Polanskit “La Vénus à la Fourrure”, ku interpreton Emmanuelle Seigner, gruaja e regjizorit të Pianistit, nderuar me Oskar.

MADONNA DEL SASSO – FILOZOFIA E FATIT ZVICERAN TË RAJONIT JUGALPIN

Madonna del Sasso, Zoja e Gurit, siç do të përkthehej sipas terminologjisë sonë katolike, ndodhet në mes të shpatit në rrugën që çon në malin Cardada. Për t’u ngjitur deri atje përdoret një nga format e infrastukturës malore, funikolari që është inaguruar në Lokarno prej vitit 1906. një rrugë me shina, dhe funikola, një automjet i ngjashëm me busin që përdoret për udhëtim bazuar në parimin e ashensorit me shina.
Ne nga stacioni i trenit të Lokarnos për tek Madonna del Sasso morëm funikolarin. Me ne ishte një grup i madh turistësh dhe pelegrinësh që nuk mbaronte kurrë. Por shumë pelegrinë e bëjnë këtë rrugë në këmbë si një Via Crucis. Është një ngjitje shkëmbore që nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Kisha madhështore që qëndron si një shqiponjë e ngulur në gur sipër humnerave dhe shpateve përballë Liqnit – Lago Maxhores – një mrekulli e botë, perlë tjetër e Kantonit të Tiçinos. Pasi e vizituam me kujdes nga jashtë, ku është një verandë me me portikë ku kundrohet liqeni, hymë në kishë, ndërsa po jepej mesha në gjermanisht. Ndezëm qirinj dhe ju lutëm Zotit të rrethuar nga ikonat dhe madhështia e arkitektonikës, duke e bërë që kisha të jetë jo vetëm një objekt kulti, por edhe kryevepër arti.
Në mbarim të meshës, sa dolëm në oborr të cilin vendasit e quajnë veturë, u takuam me zonjën Marina Guzman-Metzger, udhërrëfyesen tonë. Zonja Marina do të ishte një bashkëbiseduese e mrekullueshme, sa në rrafshin e historisë, të interpretimit të vlerave artistike, por edhe të filozofisë. Kishte qenë edhe stjuardesë e kompanisë të famshme Swissair, një nga më të mirat në botë, falimentimi i së cilës ka qenë si rrufe në qiell të pastër dhe i papranushëm për çdo zemër zvicerane.
Zonja Marina nisi të na tregojë se fillesa e kësaj kishe sot madhështore nisi nga një frat eremit i cili zgjodhi të jetonte në një guvë, pikërisht këtu ku ngrihet sot Kisha, në një vend që kur e sheh të duket e pamundur për të ndërtuar . Ky ishte frati At Bartolemeo Piatti d’Ivrea, që vinte nga kuvendi i Shën Françeskut të Lokarnos, një franceskan që nuk kishte tituj, por që ishte i përkushtuar ndaj të varfërve, të cilit në natën mes 14 e 15 gushtit 1480 iu shfaq Shën Mëria e rrethuar me një atmosferë drite tejet rrezatuese. (Është një përkim i bukur që vizita jonë në kompleksin kishëtar bëhet më 15 gusht.) Pikërisht këtu në këtë vend, me pamje të gjerë në gjithë pllajën e Tiçinos, ai iu vu punës me përkushtim, duke qëndruar në një guvë, e cila është e përfshirë në kompleksin e kishës, deri në realizimin e plotë të veprës së ëndërruar. Në realizimn e kishës patën një rol të veçantë e të rëndësishëm gratë besimtare, duke i mbartur në kurriz gurët dhe lëndët për ndërtimin e saj. Kjo kishë do të ishte e para e kompleksit madhështor kishëtar që vazhdoi e vazhdon të ndërtohet e të zbukurohet përgjatë shekujve. Kjo kishë njihet për mrekullitë e saj. Njerëzit i janë mirënjohës dhe vijnë e rivijnë për t’iu falur e lutur. Në kishë gjen pa fund dhurata nga persona të cilëve Madonna del Sasso u ka zgjidhur hallin. Kjo kishë konsiderohet më e rëndësishmja në Zvicerën italiane, një objekt turizmi dhe kulti e pelegrinazhi.
FUNIKOLARi DHE FUNIVIA E MARIO BOTTA
Pak më lart kishës shikohet stacioni qendror i teleferikut që çon në majën e malit. Teleferikët janë një tjetër mjet i rëndësishëm i infrastrukturës së Zvicrës, një vend malor me përthyerje të pafundme relievi. Teleferiku të çon në majmalin ku ka pista skijimi, ku ka hapësira për fushime të amatorëve të mongolfierave, të parashutistëve, të sporteve ekstreme. Dhe është gjithmonë plot me turistë, sidomos të moshave të reja.
Ky majmal, Cardada (Kardada), 1340 metra i lartë, njihet si parajsë e bukurisë natyrore. Prej andej mund të soditësh krejt rajonin e Lokarnos. Duke u ngjitur më lart, në Cimetta (Çimeta), në kuotën 1670 metra mbi nivelin e detit, e cila ka një pamje 360 gradë, mund të shikosh dy ekstremet e Zvicrës: pikën më të ulët të Zvicrës, që është delta mes Askonës dhe Lokarnos, dhe pikën më të lartë, Lartësia Dufuor, në Monte Rosa – Malin e Trëndafilit, në perëndim të vargmalit alpin. Është një natyrë që jep spektakle mahnitëse dimër e verë.
Teleferiku Orselina-Cardada, përuruar më 2000, u projektua nga arkitekti i famshëm Mario Botta, i cili ideoi veçanësitë e stacioneve të arritjes dhe të mbërritjes dhe ka bërë dizajnin e kabinave në formën e pikës së ujit, çka, falë strukturës prej çelikut dhe qelqi, udhëtarët mund të shijojnë panoramën mahnitëse. Ato janë të rehatshme edhe për pleqtë dhe fëmijët, për invalidët dhe për familjet. Mario Botta është krenari jo vetëm për tiçinezët, por krenari kombëtare zvicerane.
Dhe është mëse e vërtetë. Sepse nga maja e malit Cardada dhe Cimetta njeriu zbulon një tjetër parajsë, apo le ta quajmë perlë, pasi Lago Maxhiore shfaqet me një bukuri që të le pa frymë, ku çdo lloj komenti me fjalë nuk mund ta mundë dhe nuk mund ta japë në mënyre të barabartë me bukurinë e natyrës, aq sfiduese është kjo bukuri, sa nuk të ngop kurrë së vështruari.
Ndërsa në stinën e dimrit në Cardada dhe Cimetta ka pista skijimi fantastike, që e bëjnë këtë vend një thesar turistik në të katër stinët. Në një vit kantonin e Tiçinos e vizitojnë rreth 2.5 milionë turistë dhe 40 % e tyre vjen pikërisht në zonën e Locarnos.
Sipërfaqja e Kanton Tiçinos është rreth 2800 kilometër katrorë me një popullsi rreth 350 mijë banorë, pra ekzaktësisht një e dhjeta e Shqipërisë londineze, sa i përket sipërfaqes dhe banorëve.

LOKARNO – NJË PERLË NË GJERDANIN E PERLAVE TË KANTON TIÇINOS
Nuk është një perlë e vetme kanton Tiçino, është një gjerdan i vërtetë perlash.
Me zonjën Marina marrim rrugën e kthimit për në Lokarno. Do të kalojmë në një shëtitore, me manjola dhe palma, disa metra larg liqenit dhe Piazza Grande-s. Locarno është qytet i kamelieve, manjolave dhe palmave. Në pranverë ka edhe një ekpozitë ndërkombëtare të kamelieve. Zonja Marina na tregon për pemët e Manjolave, dhuruar dikur nga Japonia që tani janë bërë pjesë e qytetit, duke u identifikuar me të, ato krijojnë një medis çlodhës dhe zbavitës, një bukuri natyrore të papërsëritshme.
Po përbri palmave shtrihet Bulevardi i Fames – Walk of Fame i Lokarnos. A mos këtu do të takohemi me një dëshirë të qytetit që ka lidhje të drejtpërdrejtë me pasionin dhe ëndrrën hollivudiane, që e bëjnë qytetin një nga satelitët e Hollivudit, krahas Venecias, Berlinit dhe Kanës. Do të ishte normale. Por në Walk of Fame të Lokarnos mbi pllaka nuk kanë lënë gjurmët e duarve të tyre dhe firmat artiste të Hollywoodit, që e vizitojnë rëndom qytetin sidomos në gusht, kur zhvillohet festivali I filmit, por artistë të shquar të muzikës si Sting, Santana & Cindy Blackman, Zucchero, Joe Cocker, Gianna Nannini, Roxette, Bryan Adams, Jack Johnson, James Blunt, Elton John, Laura Pausini etj.etj. sepse në muajin korrik çdo vit pikërisht në Piazza Grande prej 2004 zhvillohet Festivali Moon and Stars.
Duke shkuar për në Sheshin e Madh, ku tashmë mungon Polanski, e pamundur që temë e bisedës sonë do të mos ishte regjisori i madh. Pse nuk erdhi ai pasi e kishte pranuar me kënaqësi dhe emocion të veçantë ftesën. “Ndoshta u ndikua nga debati që ngjalli këtu në Tiçino vendimi i drejtuesve të Festivalit për ta nderuar me çmimin të veçantë karriere. Zhurmën e bën, si gjithnjë në këto raste, konservatorët.” Dhe prej këtu, zonja Marina bën digresionin e radhës. Ajo na shpjegon dy grupimet më të mëdha politike të kantonit – konservatorët dhe liberalët. Në zanafillë të gjithçkaje dhe në përcaktim të gjithçka është përballja mes tyre. Konservatorët ishin për bashkim me Zvicrës, ndërsa liberalët ishin për pavarësi të plotë të Tiçinos. Ndodhi përplasja mes tyre deri në luftë civile. Më në fund erdhi pajtimi, kompromisi. Dhe në flamurin e Tiçinos, dy ngjyrat përfaqësojnë përkatësisht – e kuqja e flamurit zviceran, konservatorët, ndërsa bluja, liberalët.
Piazza Grande – Sheshi i madh është simboli i qytetit, rrethuar nga ndërtesa me vlerë historike që shërbejnë si mure rrethues gjatë zhvillimit të Festivalit të Filmit të Locarnos.
Po në zemrën historike të qytetit fare pranë me Piazza Grande ndodhet Kështjella e Viskontit, sot Muzeu historik dhe arkeologjik i qytetit. Në shekullin XIII familja milaneze e zgjeroi sferën e saj të influencës brigjeve të Lago Maxhores deri në Lokarno ku ndërtoi një kështjellë. Kështjella nuk ishte vetëm strehë për garnizonin e ushtarëve, por i jepte shkëlqim dhe dëshmonte fuqinë e familjes Viskonti, e cila u përzu definitivisht nga rajoni prej përmbaruesave federalë të Zvicrës në vititn 1513, të cilët vendosën ligjet e tyre për 300 vjet. Kështjella gjatë shekujve u shkatërrua dhe ndërtua disa herë, por ishte gjithnjë në zemër të jetës të qytetit. Në vitin 1803 me hyrjen e Tiçinos në Konfederatën helvetike dhe me largimin e përmbaruesave federalë, kështjella kaloi në pranë të Kantonit dhe sot është një Muzeum i njohur në botë për koleksionin e qelqeve romake.
Por liqeni është shpirti i qytetit. Kush shkon në Locarno, nuk ka si të mos ndalojë buzë liqenit, të pijë një kafe, një shake me fruta, të hajë një picë apo thjeshtë të bëjë një shëtitje për të reflektuar liqenin në sy. Kush ka kohë, mund të vizitojë edhe vizitojë Lido-në, ngjitur me liqenin, e hapur për gjithë vitin, me pishina të mbuluara dhe jo, me vaska termale, me shkitëse për fëmijë e mrekulli të tilla. Një strukturë moderne e kompletuar e Tiçinos.
Dhe nëse je në Locarno nuk ke si të mos shkosh në Ascona, e cila ndodhet vetem disa minuta larg, i cili quhet ndryshe edhe qyteti i milionerëve, pasi 10 % e qytetit janë milionerë. Ascona dhe Locarno mund të bashkoheshin, nga dy komuna në një, por nuk duan banorët e Asconas.
Në Ascona në fillim të shekullit XX, këtu u themelua „Senatoriumi i Malit të Vërtetë“, nga ku lindi edhe komuniteti me të njëjtën emër që kërkonin një sistem elternativ tjetër të jetës, një kthim në natyrë duke praktikuar dietën vegjeteriane, duke u ekspozuar gjatë në diell. Miq të këtij komuniteti ishin Hermann Hesse, Rainer Maria Rilke, Erich Maria Remarque e psikanalisti Otto Gross.
Kompleksi i Monte Verita është edhe sot në Ascona. Por prej 1964 është prone e Kantonit të Tiçionos, në bazë të tesamentit të baronit Eduard von der Heydt, me qëllim që “që Monte Verità të përdoret për aktivitete kulturore dhe artistike të nivelit më të lartë, me famë dërkombëtare”.
Kjo është edhe mrekullia e Kantonit të Tiçionos, sepse brenda një dite, ti mund të shëtisësh paradite buzë Liqenit të Luganos, drekën ta hash në Belincona, një pjesë të pasdites ta kalosh në Madonna del Sasso, pjesën tjetër në Ascona dhe mbrëmjen pare një film në Piazza Grande nëse konvenon në kohën kur zhvillohet Festivali i Filmit në Locarno.
Prandaj Marina pajtohet me ne kur i themi se Lugano, Askona, Lokarno dhe Belincona janë si të ishin katër lagjet kryesore të një qyteti të madh që shtrihet në pllajën jugalpine dhe rrotull saj, midis dy liqeneve, atij të Luganos dhe Lago Maxhiores. “Po, na thotë Marina, kantoni ynë është si një qytet me 350 mijë banorë, me lagje më të mëdha e më të vogla.” Kjo, natyrisht, falë infrastrukturës së përkryer dhe tejet të larmishme, e cila mundëson që brenda ditës të shkosh e të vijsh disa herë nga njëri skaj në tjetrin.

BELLINZONA – BELINCONA E KËSHTJELLAVE-NJË TJETËR PERLË NË GJERDANIN E TIÇINOS

Kur ke një javë që përjeton mrekulli të pafundme, kur je mahnitur në Andermatt, Qafën e Gotardit, pastaj je përballur njëkohshëm me magjinë e liqeneve të Tiçinos, e pastaj je ngjitur në Luginën e Vercaskës, dhe ke mbetur pa gojë nga ujrat smeraldë të lumit, e pstaj je ngjitur në një mrekulli tjetër siç është Madonna dell Sasso dhe ke zbritur rishtas në një tjetër bukuri që i ngjan parajsës në tokë, në një gërshetim i natyrës me dorën e njeriut, mendon se mahnitja e ka një cak dhe se ne tashmë e kishim arritur disa here gjatë këtij udhëtimi një javor. Por u gabuam sepse u gjendëm të përballur me një tjetër bukuri, të një lloji krejt tjetër, një bukuri pa aq shtangëse sa të parat. Këtë magji na e ofroi qyteti historik i Belinconës, si një perlë tjetër në gjerdanin e perlave të Tiçinos.
E shtuna, dita përmbyllëse e këtij udhëtimi fantastik, i kushtohet Belinconës, kryeqytetit të Kanton Tiçinos, njëherësh një nga kryeqytetet e drejtësisë zvicerane, pasi këtu gjendet Gjykata Penale e Konfederatës. Me ne do të jetë përsëri zonja Eliana Franchini-Richini. Nga hoteli ynë nuk jemi fare larg nga qytetit të dikurshëm kështjellë i Belinconës, thënë ndryshe tre kështjellat e Belinconës dhe muri rrethues që sot janë pjesë e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO.
Do të jetë një shetitje sa në aktualitet, aq dhe në histori. Si kudo, historinë e njeriut e paraprin dhe e shoqëron historia e natyrës. U deshën mijëra vite për procesin e tërheqjes së akullnajave, çka do ta përcaktonin relievin e Luginës së Tiçinos. Në mijëra vite të tjerë, rrjeti ujor – pra burimet, rrëketë, përrenjtë, liqenet, – nga njëra anë, dhe erërat e agjentët e tjerë natyrorë, do t’ia jepnin formën florës dhe faunës së këtushme, do të përgatitnin për njeriun dhe, pastaj, bashkë me njeriun jetën dhe mënyrat e jetesës, pra do të bëheshin një historia natyrore e historia njerëzore. Sipas zbulimeve arkeologjike, shenjat e para të pranisë së njeriut këtu iu përkasin viteve 5500-5000 para erës sonë. Do të vinte koha që kjo luginë do të bëhej objekt i gjermanëve, francezëve dhe i dinastisë së Longobardëve, të cilët, pas pushtimit të Lombardisë, hedhin sytë drejt veriut. Këta i japin rëndësi të madhe edhe kompleksit të kështjellave në qendër të luginës, këtu në Beliconë. Po sipas zbulimeve arkelogjike, del se fortifikimi i parë daton në Shekullin IV të erës sonë. Kompleksi që vjen deri në ditët tona, ka përjetuar disa faza ndërtimore dhe rindërtimore.
Janë tre kështjella që e kthyen Belinzonën në një qytet fortesë: Castelgrande – Kështjella e Madhe, si dhe kështjellat Montebello dhe Sasso Corbaro, të pa penetrueshme dhe të papushtueshme në anën tjetër.
Gjurmë të një ndërtese të fortifikuar vijnë prej shekullit të IV të eres tonë, ka dokumenta të shekullit VI që e dokumentojnë këtë ekzistencë, por emrin që ka sot Castrum Magnum, Castel Grande e mori në shekullin XIV në epokën e pushtimit të Familjes Viskonti, periudhë kur janë ndërtuar edhe Kulla e Bardhë dhe Kulla e Zezë. Gjatë mesjetës, Belincona dhe tre kështjellat e saj ishin pushtuar nga Familjet Viskonti dhe Sforca.
Nga fundi i Shekullit XV, me konsolidimin e Konfederatës zvicerane, do të përfshihej tashmë në lojë një palë e re e rëndësishme. Dhe belincona me kështjellat e saj dhe rrjedhimisht Tiçino, do të binte përfundimisht në duart e Zvicrës.
Ne e vizituam Kështjellën e Madhe, kaluam mbi muret rrethues, u mrekulluam prej saj, pamë edhe një film me metrazh të shkurtër ku bëhej një rezyme e periudhës historike, që sillte shumë dokumenta me vlerë historike dhe kulturore.
Në një nga muret kryesore të Kështjellës saj lajmërohej „Kthimi i Viskontëve“. Viskontët nuk mund të kthehen më në Zvicër, veç në një Ekpozitë e cila shfaqej po në Kështjellën e Madhe, në sallën Arsenale, që do të rrijë e hapur deri më 9 nëntor, e që e risjell këtë epokë përmes tekstileve, bizhuterive, monetave, pikturave, tapicerisë që i përket periudhës kur Viskonti ishte në Belinzonë. Ne e vizituam dhe u mrekulluam prej kësaj ekpozite, më tepër prej kujdesit njerëzor në ruajtje të vlerave që janë pjesë e identitetit kulturor.
Për t’u ngjitur në bedenat e kalasë, ku ruanin dikur kështjellarët, dhe nga ku na shfaqej një pamje përrallore, ne do të përdorim patjetër ashensorin, ndërsa në kullat e saj kryesore, dikur të përdorura për vrojtim, ndërsa tani për të kundruar Belinconën, nga të gjitha anët, ne ngjitemi nëpërmjet shkallëve spirale, të cilat duket sikur nuk kanë fund, por nuk na lodhin.

EPILOGU I UDHËTIMIT

Me epikën kështjellore të Belinzonës, në këtë shkëmb e në këto gurë graniti, ne po lexojmë shtresën e tretë të fatit zviceran të rajonit. Nëse Shën Gotardi shënon rrafshin mitologjik e atë natyror, nëse mali tek Madona del Sasso shënon rrafshin e epokës gjeologjike, Belincona shënon rrafshin historik të puqjes së fatit midis Tiçinon dhe Zvicrës. Për dukët e Milanos, sqaron udhërrëfyesja, Belincona ishte porta veriore e Italisë. E rrethuar prej malesh të larta, e mbyllur në veri ndaj Evropës dhe e hapur në jug ndaj Italisë, kjo kështjellë natyrore i ftonte duket e Milanos për të ndërtuar këtu qytetin kështjellë të Belinconës. Këtu do t’i përplasnin shpatat e tyre ushtritë e dukëve me ato të fqinjve evropianë, kryesisht me ata francezë. Dhe në këtë përplasje do të fitonte një faktor tjetër. Kështjella do të pushtohej nga kantonet jugore gjermanofone të Zvicrës. Kështu Belincona do të shndërrohej në portën jugore të Konfederatës.
Kryekështjellarët do të ndërroheshin me rotacion, çdo vit një përfaqësues i një kantoni – Urit, Shvycit apo Untervaldenit. Dhe secili prej tyre do të parapëlqente të kishte një seli të veçantë, në njërën nga kështjellat, çka do të ndikonte në vetë karakterin arkitektonik të kompleksit kështjellor dhe atë urbanistik të qytetit kështjellë. Ato do e humbnin gradualisht karakterin militar dhe do të merrnin gjithnjë e më shumë karakter civil.
Zviceranët do të kishin rol të rëndësishëm në fitoren e Napoleonit kundër dukëve të Milanos. Dhe Napoleoni do të vendoste që, përfundimisht, rajoni i Tiçinos t’i përkiste Konfederatës Zvicerane, ndërsa Belincona, për arsye pikërisht strategjike ushtarake do të caktohej nga ai kryeqytet i rajonit. Kështu do të vulosej përfundimisht fati i rajonit, më mirë me thënë, fatbardhësia e tij.
Në mjediset pranë kështjellës, qysh në mëngjes herët, vlon gjallëria. Magmës së ftohtë të historisë ia zë vendin magma e valë e jetës. Është tregu tipik lokal i të shtunave. Gjithçka që prodhojnë fshatrat në këtë stinë të begatshme është e pranishme në këtë treg. Ne vizitojmë tregun, qendrën e qeverisë kantonale dhe qendrën e qeverisë së qytetit, kishat qendrore të Belinconës. Pasi e kemi përfshirë përfundimisht në hartën tonë të shpirtit edhe këtë perlë jugalpine, ngarkuar me mbresa të pafundme, marrim pastaj rrugën e kthimit për në veriun e Alpeve, buzë lumti Rhin në pritje të mesazhit në shishe që duhet të na e ketë nisur nga Lumi Reuss Marja Nieuwveld, aty ku Zoti e ka zemrën e tij, në Godard.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, GJERDANI I PERLAVE, Skender Bucpapaj, TË ZVICRËS JUGALPINE, TIÇINO

Luan Rama: Pavarësia intelektuale dhe debatet me mikun tim Ylljet Aliçka…

September 30, 2014 by dgreca

(Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, historianin, publicistin dhe diplomatin Luan Rama)
Bisedoi: Raimonda MOISIU/
Luan Rama është ndër shkrimtarët, historianët, studiuesit dhe përkthyesit më produktivë, i rëndësishëm dhe shprehës serioz i origjinalitetit, përfaqësues i denjë i letrave shqipe, dijes e mëncurisë, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për punën e palodhur, veprimtarinë e tij të gjallë e të frytëshme, me sensin e shkëlqyer të diplomatit dhe historianit, vizionin e të qenit i lirë në një botë e mendim të lirë. Statura shumëdimensionale e shkrimtarit dhe përkthyesit, njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, dhe veprat e tij të botuara monografike, historike, studimore, ese, letërsi, përkthim dhe publicistikë, në shqip e frëngjisht, kanë një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, evropiane, veçmas asaj franceze dhe ballkanike, që perceptojë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, një refleksion për marrëdhënie e figura që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Kjo bisedë mbresëlënëse e drejtpërdrejtë me të, më bëri të njoh vitalitetin, erudicionin e një kocke të fortë intelektuale e qytetare, shumëplanëshe letrar, artistik, historik, publicistik, përvojës disa vjecare në gazetari e diplomaci, për të njohur botën me kulturën e historinë e popullit të tij, duke e bërë të njohur në qarqet intelektuale e diplomatike të Francës dhe në botë, -një shëmbull i gjallë për kombin dhe brezat që do të vijnë, për dritën e nderimit, obligimit shpirtëror dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ja si cfarë kanë thënë disa nga personalitete të shquar botërorë për Luan Ramën:
Joël Baffou, shkrimtar, në parathënien e tij për Rruga e gjatë në tunelin e Platonit:
“Udha e gjatë në tunelin e Platonit» është libri i një njeriu që ka mbijetuar dhe që kërkon tashmë të nderojë viktimat që s’patën fatin të jetojnë.Ky libër është një udhëtim i ngadaltë, ashtu si hapat e një vizitori në një varrezë… Luan Rama i përshkruan pesëdhjetë vitet e plumbit të shoqërisë shqiptare përmes fatit tragjik të një morie artistësh shumica e të cilëve nuk patën kohë të bëheshin të njohur pasi shpesh u shtypën dhe u vranë. Ai vë në dukje përdorimin me forcë të artistëve në shërbim të diktaturës së proletariatit, rolin e kudoshëm e çensurës si dhe veçantinë e saj në Shqipëri… “
Jacques Rouil, kritik letrar, në librin “L’Albanie sous le règne d’Enver Hodja» :
«Libri Udha e gjatë në tunelin e Platonit i Luan Ramës mund të kishte shërbyer fare mirë si lëndë letrare për G. Oruellin, pasi ne gjendemi në një univers surrealist ku survejimi i shtetit bëhet çdo çast, ku historia shkruhet çdo minutë, ku fotografitë zyrtare retushohen, ku zgjidhjet që kërkonte të bënte individi në jetë shpreheshin në formulën e thjeshtë «ose bashkëpuno ose vdis»… Eshtë një dëshmi e fortë e kohës. Aktualisht ambasador në Francë, Portugali dhe Algjeri, ky autor e tregon të kaluarën me syrin e një intelektuali…»
“Ish ambasador i Shqipërisë në Francë, nga viti 1997 deri në vitin 2001, Luan Rama sapo ka botuar një ese të re të quajtur “Ura mes dy lumenjsh “. Në këtë vepër të rëndësishme, shkrimtari na bën të zbulojmë mbresat, kujtimet e tija personale, të cilat janë të shkruara me një forcë të madhe shpirterore. “Ura mes dy lumenjsh” na pershkruan historinë e gjatë të marredhenieve franko-shqiptare që nga fillimet e tyre në vitin 1272. Luan Rama na lë në fillim të një “ure shpirtrash”, ku nga ai moment s’na mbetet gjë tjetër veçse të udhetojmë e të zbulojmë një histori mijevjeçare, të një miqësie të lashtë midis dy popujve shqiptar e francez.” (Shënim i botuesit të «Société des Ecrivains», Paris)
– Përshëndetje z.Luan, Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të vecantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në disa zhanre. Cila ka qënë experienca tuaj e parë në letërsi, publicistikë, hulumtime studimore apo përkthim?
Luan Rama – Eksperienca ime e parë ishin poezitë çka atëherë ndodhte tek shumë të rinj, një traditë që tashmë ka ndryshuar, pasi internet, kinematografia, spektakli i kanë ndryshuar sot qëndrimet ndaj poezisë, por sidoqoftë, duke qenë nga artet e para krahas pikturës, arti poetik shpresoj se do të gjej në të ardhmen një lloj rinovimi, një rikthim drejt saj. Besoj se njerëzimi do të lodhet nga industrializmi komunikativ, pasi në fund të fundit, poezia trazon shpirtrat dhe ajo që ka vlerë të pare tek njeriu është shpirti…
R.M. – Do të thotë se ju keni nisur aktivitetin krijues që në moshë të re. Kjo duhet të ketë qenë me të vërtetë emocionuese dhe inkurajuese.Cfarë mendoni se ju ka frymëzuar për të shkruar apo përkthyer?
L.R. – Shkruaja poezi dhe përktheja, sigurisht jo si tani, por frymëzimi im ishte Lorca, Ricos, Eluard, Ëitman, librin e të cilit, Fije bari e mbaja në bangot e gjimnazit. Gjithçka ishte dehëse.Poezitë e tyre i ngjisja në muret e shtëpisë, kolazhe me guacka dhe gjethe vjeshte.Madje nëse e desha aq shumë gruan time, ishte se kur e njoha, ajo adhuronte poezinë.
R.M. -Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë tuaj kam hasur mjaft tituj të veprave tuaja monografike, studimore, ese, letërsi, publicistikë, në shqip e frëngjisht. Si keni arritur ju të procedoni “në udhëtimin tuaj monografik”, të jeni kaq kreativ, ku ka një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, evropiane, veçmas asaj franceze dhe ballkanike, që perceptojnë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, në marrëdhënie me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. A mund të na jepni disa mendime rreth tyre?
L.R. – Keni të drejtë.Eshtë një shtrirje e gjerë, profile të ndryshme ku here ka të bëjë me historinë e mirëfilltë, si tek Kalorësit e Stuhisë, etj, e herë me marrëdhëniet ndërkombëtare, artet, etj. Nëse kam shkruar një libër për dialogun e kulturave dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me Unesco-n (Shtëpia e Shpresës) që kur ajo u bë anëtare e kësaj organizate; nëse kam botuar gjithashtu Shqipëria e Auguste Dozon apo Shqipëria dhe Frankofonia e padyshim dhe Pont entre deux rives (në shqip i botuar me titullin Krushq të largët), kjo sepse te unë jetonte si diplomati ashtu dhe historiani, apo eseisti që kërkon të bëjë një refleksion për marrëdhënie e figura që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare.Librin Jani nga Morea, për poetin arvanitas Jean Moréas apo Jani Papadiamanti, e shkrova sepse më habiti fakti për të cilin shkruante para një shekulli poeti i madh francez Guillaume Apollinaire, duke thënë se Moréas ishte shqiptar nga nëna dhe i ati, familja Tombazi e Hidrës, kapedanë dhe admiralë të flotës së Revolucionit grek në vitet 1820-1830. Mirëpo në Francë (në Greqi gjithashtu) ai mbahej si poet me origjinë greke.Ai ishte njëkohësisht ati shpirtëror i Apollinaire.Po kështu dhe për konsullin francez në Janinë, Auguste Dozon, për të cilin nuk ishte shkruar pothuaj asgjë. Duke e studjuar këtë figurë, i cili mblidhte përrallat shqiptare dhe folklorin shqiptar, të cilin e botoi në 1875 dhe u vlerësua dhe me çmimin e Akademisë Franceze, pikasa se bashkëpuntorët e tij më të afërt ishin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Thimi Mitko dhe Apostol Meksi. Shërbimi ndaj kulturës shqiptare ishte shumë i madh dhe tashmë libri prej gati 500 faqesh më duket pak për të. Gjithashtu, kur ndërmorra shkrimin dhe botimin e librit Bujtës të largët mbi udhëtarët francezë në Shqipërinë e shekulit XIX (konsuj, gjeografë, historian, arkeologë, kartografë, gjeologë, etj) unë u njoha me librat dhe studimet e tyre dhe zbulova se me sa dashuri kishin shkruar ata për autoktoninë shqiptare, për kulturën e vjetër dhe të afërt me atë homerike, për traditat dhe virtutet e bujarisë së një kombi që u kishte rezistuar dyndjeve të përhershme në brigjet e tokave të tij. Ishte pikërisht ky rast që njoha veprimtarinë e Dozonit dhe po kështu dhe të të tjerëve. Një libër më vete meriton konsulli tjetër Degrand në fundin e shekullit XIX apo François Pouqueville në fillimet e shekullit XIX si i dërguar i Napoleon Bonapartit pranë Ali Pashë Tepelenës.Janë figura themelore, pasi Pouqueville, p.sh. u bë burim jo vetëm për letrarë të mëdhenj si Hugo (që shkroi në Les Orientales për trimërinë e suliotëve) apo Aleksandër Dyma, por madje dhe për piktorët, që nga Delacroix, Corot, Decamps, Jerome, etj të cilët në veprat e tyre trajtuan figurat shqiptare. Shembujt janë të shumtë.Në kohën totalitare, vemendja ishte tek krijimi i një historie të re të prirur nga ideologjia. Tashmë historianët janë të lirë në studimet e tyre dhe kanë mundësi të konsultojnë bibliotekat e vjetra të Parisit, Vatikanit, Venecies, Milanos, ato të Londrës, e po ashtu të Amerikës ku gjenden libra të rrallë dhe me mjaft informacione historike.
-R.M. – “Nën hijen e eklipsit”, titullohet libri tuaj, mbi krizën e Kosovës dhe diplomacinë euro-amerikane. Jam kurioze të di motivin dhe interesin që ngjalli te ju personalisht për të shkruar këtë libër dhe pse vendosët të dialogoni përmes etapave historike dhe diplomatike? Përse ky titull? Si kini arritur ta realizoni botimin e tij?
L.R. – “Nën hijen e eklipsit”, eshkruar pak a shumë në formën e një ditari diplomati, është një dëshmi e drejtpërdrejtë e ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë në fundin e viteve 90’.Atëherë unë isha ambasador në Paris dhe aty mblidhej Grupi i Kontaktit i kancelarive më të mëdha të diplomacisë botërore.Diplomacia franceze ishte mjaft aktive dhe në mbështetje të diplomacisë amerikane.Presidenti Chirac morri një vendim historik, duke hyrë në luftë kundër Milosheviçit.Pra ishin gjendje emocionale, takime, biseda me personalitete të shumta, konferenca në Rambouillet, nënshkrimi i deklaratës përfundimtare të Parisit në sallën Kleber.Pritjet në ambasadë, takimet me Rexhep Qosen, me Hashim Thaçin, takimet me Kadarenë e një rradhë të aktorëve të nivelit të lartë politik shqiptar, si ministri i Jashtëm Milo, presidentit Meidani, Sabri Godo, etj. Por interesi im në këtë libër ishte të dëshmoja për solidaritetin e jashtëzakonshëm të elitës dhe shoqërisë franceze, të intelektualëve me emër, të «Comité du Kosovo», organizatave të të Drejtave të Njeriut dhe fondacioneve të shumta e deri tek qytetarët e thjeshtë. Cështja e Kosovës u bë një çështje e ditës. Unë pata rastin të shoqëroj kryeministrin francez Jospin në Shqipëri, ku sëbashku takuam refugjatët kosovarë në Tiranë, Durrës, Lushnje, etj Ishte një eksperiencë që duhej dëshmuar.Unë e quajta librin Nën hijen e eklipsit, pasi Kosova për një periudhë pësoi një eklips total të lirisë së saj, ajo rrezikonte ekzistencën e popullit në trojet e veta duke u dëbuar me grykën e mitrolozave.Ky eklips filloi me masakrën e Raçakut. Unë vetë kam takuar në Francë njerëz që i kishin provuar këto masakra.
-R. M. – Ju keni eksperiencë jashtëzakonisht mbresëlënëse e profesionale përsa i përket studimeve deontologjiko–mediatike; Si operoni ju në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, që të japin përshtypjen në kuptimin e tyre simbolik, importin moral, qytetar e intelektual, dhe substanca humaniste në përputhje me interpretimin gazetaresk, historik, shkencor dhe filozofik?Këtu kam parasysh librin tuaj “Metamorfoza e fjalës, për një deontologji të shtypit gjatë tranzicionit politik shqiptar, 1997.
L. R. – Unë kam studjuar gazetari, si dhe shkencat e komunikimit në Paris (Universiteti Denis Diderot). Gazetaria më ka pëlqyer gjithnjë, madje pas vitit 1993, unë kam punuar si redaktor në revistën e njohur franceze Courrier International, e cila i bënte jehonë ngjarjeve më të rëndësishme të botës dhe ku botojnë analistë shumë të njohur.Idea e librit Metamorfoza e Fjalës lindi në kohën kur unë isha korrespondent i gazetës Koha Jonë në Paris.Kjo gazetë, veçanërisht në vitet 1994-1997 ishte në pararojë të denoncimit të arbitraritetit të pushtetit në Shqipëri në emër të një lufte të re klasash dhe një kundërvënieje që i bënte veriut dhe jugut shqiptar. Madje, rastësisht, meqë isha në Tiranë, unë isha prezent në selinë e gazetës (të cilën pak muaj më parë e kishin djegur forcat e policisë) kur furgonë policie rrethuan gazetën dhe të gjithëve, nga kryeredaktori e deri tek pastruesi, na mbyllën në polici duke na vendosur para hetuesve. Atëherë po përgatisja librin për Miteranin dhe kjo ishte një shkelje tepër flagrante.Në kthim, në Paris, unë i morra një intervistë presidentit të «Reporter’s sans Frontières», Robert Menard, i cili gjithashtu mori përsipër botimin e këtij libri duke shkruar dhe parathënien. Në Shqipërinë e tranzicionit të ashpër, nuk bëhej fjalë ende për një deontologji për shtypin dhe unë shtroja pikërisht përvojën europiane të lirisë së shtypit e të mendimit me atë çka ndodhte në Shqipëri. Në Shqipërinë totalitare nuk mund të bëhej fjalë për deontologji të shtypit, për rregulla që lidhen me figurën e gazetarit, përgjegjësinë morale, vërtetësinë e faktit, dizinformacionin, etj.Atëherë mu desh të kontaktoja me drejtuezit e «Artikullit XIX», «Human Ërigts Ëatch», etj.
-R. M. – Kam lexuar me interes të veçantë editorialët tuaj studimore, dosier, trajtesa, analiza politike, opinione, reportazhe, intervista e publikime të tjera në fushën e publiçistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
L. R. – Po ju përgjigjem nga kjo e fundit: pavarësia intelektuale. Ajo është gjëja më e çmuar që mund të kemi.Cështja është të kesh bindjet e tua, të jesh i pavarur dhe të mos jesh «tregtar flamujsh» të partive, pushteteve, etj.Unë qëndroj gjithnjë në principet republikane, të majta, që lidhen me paktin social të shoqërisë, për të menduar dhe integruar dhe të varfërit dhe për të mos i përjashtuar ata.Kjo ndoshta vjen nga leximet e mia të literaturës së Thomas More, Campanelës, të utopistëve si Erazmi, etj.Por unë kam shumë miq të djathtë (në fakt e majta dhe e djathta në Shqipëri pak ndryshime kanë). Eshtë interesant fakti që para dy vitesh, i ftuar në shtëpinë e mikut tim Ylljet Aliçka, ambasador në Paris, ndodhi që mes të pranishmëve të ishte dhe një kryeredaktor francez i një reviste. Debati im me ambasadorin ishte mjaft i gjallë dhe në fund të mbrëmjes, kur u ndamë me kryeredaktorin francez , ai shprehu habinë që ishim kaq miq dhe me pikëpamje që nuk pajtoheshin. E njëjta gjë na ndodhi dhe në një tavolinë darke në Senatin francez me deputetë, diplomatë, kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri të Parlamentit apo dhe të Senatit, etj. Dhe përsëri miku im tha në debat e sipër se ne jemi miq pavarësisht nga opinione të ndryshme. Pra që t’i rikthehem idesë: e rëndësishme është të jesh i pavarur në pikëpamjet e tua. Jeta jonë ishte tepër kompekse, pasi shpesh, e përditshmja mplekset me historinë, ku historia na vjen përmes fakteve, fenomeneve, debatit. Kur flasim për lirinë e shtypit e të mendimit, nuk mund të mos citojmë Sokratin, Platonin, madje dhe Brehtin, i cili ka shkruar shumë për «pesë tiparet e së vërtetës»… Ajo që ndodh, ka gjithnjë një domethënie filozofike. Jeta shqiptare ka jo pak fakte korrupsioni, por kur e trajtojmë këtë problem, në fund të fundit vijmë në fushën e filozofisë e të moralit, duke iu referuar njëkohësisht dhe autorit të famshëm…. Me çështjen që me të drejtë ai shtronte: «Të kesh dhe të jesh»… shpesh harrojmë atë që pikësëpari të jemi «njerëzorë»…
-R. M. – Ju jeni prozator; romane novela, tregime ese…. Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i disa veprave.Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?
L. R. – Eshtë e vërtetë që kam shkruar në shumë gjini, duke u marrë njëkohësisht dhe me profesionin tim më të vjetër, kinematografinë. Por ajo që ka mbetur konstante është idea që kam se gjithçka që shkruaj janë sprova letrare tepër modeste dhe pa pretendime. Nga ana tjetër, ndërmarrja e shkrimit të një analize, artikulli, mbresa udhëtimi, eseje historike, etj, është një udhëtim në kontekstin historik e social të tyre. Për të shkruar biografinë mbi presidentin francez François Mitterand, (François Miettarand – dhe Zotat vdesin gjithashtu, veç mbresave personale nga takime diplomatike, festa kombëtare të Francës, takime presidenciale, etj, kam lexuar dhjetra ilibra të autorëve të ndryshëm, fjalime të rëndësishme gjatë 14 vjetëve të tij si president, çka më kanë futur në historinë e personazhit. Po kështu kam vepruar dhe për librin Gjenerali De Gol – një legjendë e gjallë, ku ka takuar shumë golistë të vjetër, mes të cilëve dhe ish kryeministrin Pierre Messmer… Pra këto takime, si dhe idea për të gjetur pikëtakimet franko-shqiptare, (p.sh. shqiptarët që iu përgjigjen thirrjes së De Golit në luftën kundër Hitlerit, etj, apo gjykimet e Miteranit për historinë, personalitetet dhe nevojën e integrimit të Shqipërisë në rrjedhat europiane), më dhanë lëndë për të shkruar këto libra jo thjesht si biografi por si pikëtakime dhe refleksione te mia për këto dy figura që hynë në historinë e Francës së shekullit XX. Ajo çka ka mbetur konstante në punën time është ritmi. Kam vazhduar të shkruaj e botoj gati dy libra në vit.
-R. M. – Shquheni në prozën për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste? Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy epokave?
L.R. – Unë i përkas asaj gjenerate që ka jetuar si në kohën totalitare dhe shëmbjes së regjimeve në Lindjen europiane në fundin e viteve ’80 ashtu dhe të kohës së tranzicionit dhe pas saj deri më sot. Qëndrimi ndaj dy epokave është diametralisht i kundërt. Në epokën totalitare, çenzura përgjonte çdo hap të letrarit dhe artistit, çka tashmë i njohim të gjithë nëpërmjet dëshmive të shumta që na kanë lënë protagonistët e asaj kohe. Kur nga fillimi i viteve ’80 do botohej në gazetën Drita një shënim për Gjon Milin e shoqëruar me një fotografi të tij, çuditërisht, kur në mesnatë gazeta po rradhitej, dikush dalloi se në fotografinë e Gjon Milit që në fund të shallit të tij shquhej shumë pak flamuri amerikan, çka nuk i kishte rënë në sy askujt deri në ato çaste. Gazeta u bllokua dhe flamuri u retushua që të mund të botohej gazeta. Ishte koha e anti-amerikanizmit të egër dhe absurd të Enver Hoxhës, dhe një fotografi e tillë do të thoshte një dënim për autorin e shkrimit. Sot, letrarët e artistët janë të lirë, madje nganjëherë i kalojnë caqet e lirisë duke rënë në dizinformacion, shpifje, cënim të jetës private të njeriut, pra në emër të lirisë cënohet liria e tjetrit.
-R. M. – Kur ju shkruajtët romanin “Santa Quaranta,”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore, e një artisteje me famë botërore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
L. R. – Romani Santa Quaranta është një roman historik ku në qendër është jeta dramatike e balerinës franko-amerikane Isadora Duncan në Shqipëri. Në vështrim të parë thua se ç’lidhje ka kjo balerinë me Shqipërinë, por kur njihesh me historinë e saj ngjarjet janë shumë interesante.Në fillimin e viteve ‘20 të shekullit XX, ajo ishte një nga yjet e baletit në skenat e Europës. Por vdekja tragjike e dy fëmijëve të mbytur në lumin e Senës në Paris, e tronditi shumë dhe ajo donte të vriste veten, por vëllai i saj Rajmond Duncan, një intelektual i vërtetë kërkoi që ajo të kishte si referencë dhimbjen e një populli, duke e sjellë në Shqipërinë e vitit 1913, kur luftrat ballkanike po bënin kërdinë. Dhe ajo erdhi dhe jeta e rrêmbeu pêr ta kthyer gjashtê muaj mê vonê nê skenat e Parisit.Rajmond Duncan ishte ai që solli për herë të parë në Shqipëri ambasadorin amerikan që ishte vendosur në Athinë.Ai e njihte shumë mirë Shqipërinë dhe Greqinë.Bashkë me ambasadorin ata vizituan jugun shqiptar dhe erdhën edhe në Durrës për të njohur aspiratat e këtij vendi, çka do të ndikonte në mbështetjen e madhe që i dha Amerika e presidentit Ëilson Shqipërisë së kërcënuar nga të gjitha anët.Santa Quaranta është një roman historik, por personazhi vendoset në vendet ku ka jetuar, janë shfrytëzuar letrat e saj, libri me kujtime, etj.Romani histoik kërkon një punë studimore paraprake. Emil Zola punoi shume me dokumentet e kohës për Zherminal, po kështu Flober, studioi shumë për të shkruar romanin Salambo, etj, njê punë të tillê bënte gjithashtu Aleksandër Dyma e shumë të tjerë.
-R. M. – Letërsi artistike, poezi, publicistikë, përkthim, dosier dhe eseist. Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme?
L. R. – Përderisa i shkruaj, të gjitha më pëlqejnë, por krijimi i mirëfilltë është ai që duhet të më prijë.
-R. M. – Botimet dhe veprat tuaja nënkuptojnë bashkëpunimin tuaj të ngushtë me një sërë burime dhe arkiva të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, veçmas në Francë. A keni hasur në vështirësi nga këndvështrimi i një protagonisti në gjetjen e tyre?
L. R. – Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj shumë me bibliotekat e vjetra, arkivat, të lexoj letërsinë dokumentare Kur shkrova librin dokumentar Tek Frankët, mbi historinë e emigracionit shqiptar në Francë që nga koha e stradiotëve të kohës pas Skënderbeut deri më sot, pra e stradiotëve të shquar shqiptarë gjatë shekujve XVI-XVII (që në Francë krijuan kalorësinë e lehtë franceze që nga historianët e kohës cilësohej si «Chevalerie albanoise», diçka përmend dhe Konica në shkrimet e tij), mu desh të punoj në këto arkiva. Po kështu dhe për librin Dorëshkrime të Purpurta për kodikët e vjetër, duke u përqëndruar në dy Kodikët e Beratit të shekullit VI dhe IX, të cilët u regjistruan dhe në Trashëgiminë Botërore të Unesco-s në atë që quhet «Kujtesa e Botës». Pikërisht duke lexuar dokumenta të vjetra më ra në dorë botimi i P. Batiffol, zbuluesit francez të këtyre kodikëve në shekullin e XIX në Berat.Por udhëtimi i tij, gjetja e kodikëve, mbijetesa e tyre në sprovat e kohrave të shtypjes otomane, si dhe koha që ngërthejnë ato, përbëjnë njëkohësisht ngasje për një letërsi të mirëfilltë.
– Z. Luan, jeni edhe përkthyes, dhe keni përkthyer disa libra, kryesish në shqip e frëngjisht. Cfarë ju ka shtyrë t’i përktheni ato? Cilët janë autorët dhe titujt e tyre? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?
L. R. – Të them të drejtën nuk kam dashur të bëhem përkthyes, pasi përkthimi është një profesion më vete dhe kërkon një ushtrim afatgjatë, eksperiencë, njohje. Në fakt ka qenë interesi për disa libra që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët që më shtynë drejt përkthimit.Kështu më ndodhi me përkthimin e librit Bubulina të shkrimtarit dhe historianit francez Michel de Grece, i cili pohonte me forcë përkatësinë shqiptare të kësaj heroine shqiptare të Revolucionit grek.Unë isha në Hidra dhe Specia të Greqisë, vënde ku jetoi dhe luftoi Bubulina, por përkatësia e saj arvanitase ishte fshirë nga tekstet dhe kujtesa e shoqërisë së sotme greke.Pra kjo më nxiti ta përkthej në shqip këtë libër.Po kështu kam përkthyer dhe librin biografik të shkrimtarit dhe historianit Gilbert Sinoué Faraoni i fundit, mbi jetën dhe veprën e Mehmet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit modern.Por edhe dashuria për poezinë më ka shtyrë të përkthej. Kështu më ndodhi kur shkruajta librin Udhëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud, mbi jetën e poetit më të madh francez, duke integruar dhe pjesë të poezive të tij, librin Pikëtakim me Jean Cocteau, poetit, dramaturgut dhe artistit poliedrik francez, dhe disa libra të tjerë. Përkthimi të jep kënaqësi sepse hyn në jetën e vet personazhit, në strukturën e gjuhës dhe të poetikës së tij.

R. M. – A mendoni se “OLD TIMES” rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërinë, krahasuar me audiencën e viteve ’70-të?

L. R. – Kjo më duket se qëndron si dukje, aparencë, pasi OLD TIMES është gjithnjë tani dhe dje, në kuptimin se ajo që ka shkruar Homeri, Euripidi, Sofokliu për dashurinë, luftën, nderin, tradhëtinë, etj, janë të njëjta dhe sot. Ndjesitë njerëzore janë po ato, morali i Sokratit për qytetarinë dhe demokracinë është shumë aktual, siç e gjejmë në Apologjinë e Sokratit, para se ai të dënohet.Le të marrim mitologjinë, mitet shqiptare apo mitologjinë antike greko-romake.Shpesh letrarët e kohës sonë i ndërtojnë romanet, esetê, dramat e tyre si paralele të këtyre miteve.Mjafton të kujtojmë Kadarenë.Mitet e Edipit, Orestit, Kasandrês, Eumenideve, etj, përbëjnë konstitucione shpirtërore të cilat sot i përjetojmë, madje dhe nga ngjarjet që dëgjojmë në televizonet e botës.Ja pse “Qyteti i gëzimit” të Shën Agustinit, idhullit të famshëm të viteve të para të Krishterimit është i pranishëm dhe frymëzues për jetën tonë qytetare.
-R. M. – Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë franceze dhe perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni shkruar, lexuar apo vënë re?
L. R. – Deri kur ra Muri i Berlinit gazetaria ballkanike dhe ajo e Lindjes Europiane ndryshonte jashtëzakonisht nga gazetaria perëndimore dhe anglo-saksone: jo vetëm si liri dhe pavarësi e shtypit, por dhe si strukturë, si kulturë të shkruari, etj. Gazetaria tashmë në Europën jug-lindore po krijon dhe ajo fytyrën e saj duke iu afruar gazetarisë perëndimore dhe kjo në sajë të një gjenerate të re në gazetarinë e këtyre vendeve. Kjo vihet re në vende si Kroacia, Sllovenia, që po ecin më parë se vendet e tjera ballkanike. Problem në vendet e tjera, si dhe për ne shqiptarët është gjithnjë ajo që shtypi, mediat, rrjetet televizive bien shpesh prehë e interesave të politikës dhe të bizneseve dhe ku nuk njihet ajo që në Perëndim quhet “konflikt interesash”. Kështu gazetaria nuk e ka rolin që duhet të ketë për të pozuar problemet kardinale të shoqërisë dhe të thotë të vërtetën, e cila kërkon kurajo për të thënë të vërtetën, përgjegjësi për ta thënë atë, kulture për ta thënë atë. Brehti flet për pesë vështirësitë për të thënë të vërtetën…
-R. M. – Cfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?
L.R. – Më pëlqen të shkruaj në natyrë.Vite më parë, veçanërisht kur punoja si kineast, kisha dëshirë të punoja në ndonjë kafene, madje ku kishte shumë njerëz dhe shumë zhurmë. Duket diçka e habitshme, por unë abstragoja nga moria e njerëzve dhe e zhurmës dhe në atë jehonë të largët, unë shkruaja. Isha në botën time.Si të thuash isha brënda asaj bote dhe jashtë saj.Në punën time nuk më pëlqen që jam shumë i shpërndarë. Shkruaj njëherësh për disa gjëra: këtu një tregim, pak më pas një ese, një skenar për një film, apo një përkthim të shkurtër, zhanre që janë larg njëri-tjetrit, por ku hyj pa vështirësi të madhe. Por nga ana tjetêr kjo s’tê lejon tê thellohesh shumê.

-R. M. – Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetar, shkrimtar, diplomat dhe përkthyes profesionist e i karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit?
L. R. – Lidhur me ndasitë fetare dhe problem që kanë lindur në Ballkan, dua të theksoj se ka një konfuzion të madh, çka po i trondit shoqëritë ballkanike. Shqipëria ka qenë gjithnjë një vend i tolerances fetare dhe nuk i ka njohur kurrë xhihadistët, integrizmin fetar. Në kuadrin e shoqërisë së hapur, të të drejtave të njeriut dhe të lirive demokratike, integrizmi po fiton terren duke cënuar liritë e individit dhe të shoqërisë, dhe thirrjet për xhihad bëhen madje tashmë nga institucione fetare, çka mund ta kthejnë Ballkanin përsëri në një rajon eksploziv. Duhet që në fillim të këtyre fenomeneve t’i vihet fré, të ketë një reaksion të përgjithshëm shoqëror, pasi nuk mund të vihet feja mbi kombin, identitetin.Shqiptarët e kanë ruajtur identitetin e tyre nacional dhe në kohrat më të errta të historisë.Toleranca është diçka shumë e çmuar për një demokraci.
-R. M. – Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
L. R. – Autorët më të parapëlqyer shqiptarë janë për mua Migjeni, Kadare, Mitrush Kuteli, etj, ndërkohë që nga letërsia e huaj janë Rembo, Floberi, Kamy, Duras… Në librin tim Parisi letrar, të botuar para disa viteve, zbuloj preferencat e mia për letërsinë franceze, duke zbuluar njëkohësisht se cilët ishin ata, cila ishte jeta e tyre, dramat, tragjeditë, dhimbjet e tyre të mëdha. Letërsia e madhe ka lindur nga dhimbjet e mëdha. Kështu ajo lindi tek një Dostojevski, Edgar Poe, Bodler, etj…
-R. M. – Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar?E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
L. R. – Shkrimi është një pasion, ashtu si piktori, p.sh. që kërkon të jape refleksin e botës para tij perms ngjyrave, linjave, kompozimit, etj. Për mua, të shkruarit nuk është një profesion por një nevojë, dëshirë, pasion, gjendje, dehje… Sigurisht, unë shkruaj çdo ditë, gjithnjë diçka letrare apo ese hsitorike. Por do doja të largohesha diku që t’i kushtohesha një vepre letrare, një romani. Por jeta e zakonshme vështirë të t’i japë këto mundësi. Do doja të bëja një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm, siç bënin dikur autorë si Flobert, Dumas, Nerval, Lamartine, etj, të cilët ndërmerrnin udhëtime në vende të panjohura. Pra të shkosh, të përjetosh diçka të fortë dhe të shkruash këtë, edhe me çmimin e një jete.
-R. M. – Projektet tuaja në të ardhmen? Cfarë iu ka mbetur peng?
L. R. – Gjithnjë i them vetes se duhet të shkruaj vetëm letërsi të mirëfilltë, roman, etj. Por kjo dihet që nuk është e lehtë.Duhet të jesh një lloj maratonisti.Kur je i shpërndarë, vështirë të përjetosh në ethe një krijim, një histori. Koletë, Yourcenar, Duras, Romain Gary, iknin që të shkruanin diku… Megjithatë në të ardhmen kam disa subjekte për të cilat kam kohë që mendoj.Mua më pëlqejnë dramat e forta shpirtërore, prekja e thellësisë së shpirtit, zbulimi i vetvetes nga personazhi kryesor.Sa për pengje nuk kam asnjë peng. Shtigjet janë të hapura.Mund të shkruaj në çdo kusht njerëzor. Cështja është sa talent ke… Eshtë lexuesi që të gjykon. Mua s’më pëlqen mburrja, publiçiteti i kërkuar… Pra të përpiqemi të themi diçka për të prekur shpirtra njerëzorë!
-R. M. – A është i lirë shtypi sot?
L. R. – Sot në Shqipëri shtypi është i lirë, po ta krahasojmë me epokën totalitare dhe kjo është një nga fitoret e mëdha, por mjerisht, dhjetvjeçarin e fundit shtypi ka rënë nën diktatin e pushteteve politike dhe ekonomike, është bërë zëdhënës i partive, etj, ndërkohë që shtypi duhet të jetë i pavarur. Demokracitë e vjetra e kanë arritur këtë me vështirësi, duke u përballur me sfida të mëdha, me ngjarje që kanë tronditur shoqërinë, siç kanë qënë skandali Uotergeit apo me thirrjen e famshme të Zolasë “Akuzoj!” për çështjen “Drejfus”, etj. Ka disa analistë shqiptarë që janë vërtetë prekursorë të fjalës së pavarur, por shëmbulli i tyre duhet ndjekur…

– Cfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar?A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

L. R. – Dashuria është një nga gjërat më thelbësore të njeriut. Eshtë diçka genetike, që në mugëtirat e shekujve.Kënga e Salomesë në Kantikën e Kantikëve tek Testamenti i Vjetër është nga himnet më të bukura të dashurisë që ka krijuar njerëzimi, pasi jeta lulëzon veç nga dashuria. Lufta e Trojës kishte në thelb dashurinë… Eshtë dashuria ajo që nxit krijonjësit e botës, puntorët e fushës, ustallarët e veprave gjigande të njerëzimit, e gjithçkaje që ngrihet.Kuptohet që si dhe tek shumë të rinj, edhe tek unë, poezitë e para ishin poezi dashurie. Por kjo do të vazhdonte edhe më vonë. Të shkruash poezi dashurie edhe pas 40 vjet dashuri, martesë, është diçka e bukur. Ndërkohë që ju them kështu, më kujtohen shkrimet e të rinjve kilianë në muret e shtëpisë së poetit Pablo Neruda që sapo kishte vdekur, ku ata i shkruanin: “Faleminderit Pablo… ti na mësove të dashurojmë!”… Dashuria është gjithnjë frymëzuese.
-R.M. – Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
L.R. – Unë nuk pretendoj të jap mesazhe, por e konsideroj veten në rradhën e punëtorëve të dijes me misionin që t’i shërbejmë një morali të kohës, një vendi që sapo ka marrë udhën për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie vërtetë demoratike dhe të një jete më të paqtë për të gjithë shqiptarët. Siç e dini, sfidat janë të mëdha në këtë fillim mijëvjeçari.Por epokat i bëjnë njerëzit.Një popull i përçarë nga zënkat politike, nga ndarjet fetare apo përbaltjet që i bëjmë njëri-tjetrit veç e vonon orën e progresit dhe nuk arrin të shohë horizontet e kohës, duke mbetur shumë prapa popujve të përparuar. Të shpresojmë që dhe njerëzit e arteve, të dijes, të kontribuojnë në këtë drejtim…
-R. M. – Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Luan Rama, pavaresia intelektuale, Raimonda Moisiu, Ylljet Alicka

FASADA E MARTIRËVE… LOTET E PAPES

September 29, 2014 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/
“Për mua ka qenë një e papritur : un nuk e dinja se populli juaj ka vuajtur aq shumë. Pastaj rrugës nga aeroporti në shesh gjithë këto fotografi të martirëve. Si keni mundur t’i mbijetoni kaqë mundimi ?”/- PAPA Françesku/

Ditën e hënë, më 22 shtator 2014, të nesërmen e vizitës madhore të Papa Françeskut në Tiranë, dy gazeta të rëndësishme italiane, përkatësisht “La Repubblica” dhe “L’Osservatore romano” (“Vëzhguesi roman”), njëra një monument mediatik i së majtës dhe tjetra organi qëndror i Selisë së Shenjtë, në faqen e parë kishin dy fotografi të përqafimit të Papës me Dom Ernest Simonin. Është një tregues i interpretimit të thelbit të vizitës historike të Kreut të Kishës Katolike botërore në Tiranë. “La Repubblica” e titullon kështu komentin e saj : “Lotët e Papës Françesku : Mos vrisni në emër të Zotit!”. “L’Osservatore romano” kishte titullin e faqes me shkronja të mëdha e të theksuara me të zezë : “Sot kemi prekur martirët”, ndërsa kryeartikulli titullohej “Dëshmi e vëllazërim”
“Janë dëshmia dhe vëllazërimi dy kyçet që lejojnë të përceptohet kuptimi i udhëtimit të Françeskut në Shqipëri. Sa i shkurtër – as 12 orë – aq i rëndësishëm dhe i pashembullt. I rëndësishëm për Vendin, që nga Papa ka marrë një mbështetje të fuqishme e i pashembullt për sinjalin që ai ka dashur t’i lëshojë Europës dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare.”
Ideja e shkrimit është e qartë : vihen në një plan dëshmia e martirizimit të shqiptarëve nga komunizmi me harmoninë fetare që gjëndet në Shqipëri e që duhet të shërbejë si mesazh ndriçues dhe inkurajues për botën e soçme, të cfilitur nga kundërshitë dhe luftërat ndërfetare. Fotografia në mes të faqes na zbulon përparësinë që, simbas gazetës, merr motivi i parë.
Pa u zgjatur më shumë në komentimin e vizitës, mund të them se ishte një sukses i shquar i shqiptarëve dhe i shtetit të tyre, me një notë lavdërimi për organizatorët. Në këtë sukses një rol të dorës së parë pati vendosja e portreteve të 40 martirëve të besimeve fetare në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Ishte e para herë që opinionit publik botëror, të pranishëm idealisht e mediatikisht në Tiranën e 21 shtatorit, i zbulohet pamja rrënqethëse e krimit komunist në realitetin e Shqipërisë së mbas luftës së dytë botërore. Kryeministrit Edi Rama që, simbas fjalëve të tij, ka patur dhe ka sendërtuar këtë ide tepër të spikatur, për sa më përket, duhet t’i shkojnë përgëzimet më të sinqerta.
E quaj atë veprim si fillimin e dekomunistizimit të vërtetë të Shqipërisë. Ngritja në pjedistal, në sytë e një miku të nivelit të Kreut të Katoliçizmit botëror e të gjithë organeve të medias që e shoqëronin, e viktimave të terrorit të Shtetit komunist në mënyrë kaq të shkëlqyer, duhet të jetë një shenjë sigurie se Shqipëria politike pas komuniste ka vendosur prerë të shkëpusë çdo lidhje me të shkuarën e saj. Mendoj se ky duhet të jetë përfundimi logjik në të cilin çon një veprim i tillë. Për të gjithë ata që nuk e njohin në thellësi realitetin e Shqipërisë pas komuniste ky vendim duket i pakundërshtueshëm. Por….. për ne që jetojmë, duke e pësuar mbi shpinë çdo ditë atë realitet, dyshimi është më se i ligjshëm. Dyshimi merr shembëlltyrën e mosbesimit, si pasojë e zhgënjimeve të njëpasnjëshme që shoqëria shqiptare e kryesisht, pjesa e saj e përndjekur për gjysëm shekulli nga diktatura komuniste, ka provuar në këtë gati një të katërt qindvjeti të tjetërsimit të regjimit. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo pjesë ka qënë e pranishme në zbatimin në praktikë të idesë së njohur ramiziane “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”. Ajo ka qënë pré e demagogjisë së përbindëshme që është ushtruar mbi të dhe të drejtat e saj, duke mbetur përsëri shtresa e nëpërkëmbur, e gënjyer, e tradhëtuar, herë herë edhe nga vetë përfaqësuesit e saj.
Jo pak mund të jenë në kundërshtim me këtë paraqitje të zymtë të realitetit, por skeptikëve të kësaj tablloje do t’u lutesha të më vërtetonin të kundërtën e saj.
E kundërta do t’ishte, së pari, dhënia e dëmshpërblimeve për punën e papaguar në burgjet dhe kampet e internimit për dhjetra mijra njerëz, shumica e të cilëve nuk jeton më. Në 23 vjet Shteti shqiptar ka dhënë vetëm një këst, në rastin më të mirë dy të tillë. Ky është fakti i hidhur e, për mendimin tim, i pajustifikuar. Gjatë këtyre 23 vjetëve, në politikën shqiptare, janë miza të bardha eksponentë të saj me prejardhje të përndjekurish, madje duke marrë parasysh edhe shkollimin e moshave të reja në universitetet e Perëndimit. Disa emërime në nivele të mesme të administratës shtetërore aktuale janë përjashtime që forcojnë rregullin. Shumë prej ish të përndjekurve, për 20 vjet nuk kanë patur mundësi as të hyjnë në shtëpitë e tyre të shtetëzuara nga dhuna komuniste, madje ende sot, shumica dërmuese nuk është në gjëndje të marrë pronat e vogla, mbasi pengesat e parafabrikuara burokratike, të ndërthurura me regjimin korruptiv të drejtësisë e administratës publike, janë të pakapërcyeshme.
Nxënësve të shkollave në Shqipëri u mësohet ende historia e shtrembëruar e regjimit komunist, madje ato tekste përdoren edhe në shkollat e Kosovës. Dizinformimi komunist vazhdon si në kohën e regjimit, madje në krye të komisionit të rishkrimit të historisë para universitare, emërohet një nga historianët më në zë t’atij regjimi!!! Antikomunizmi vazhdon të quhet “armiqësor” për interesat e Vendit dhe ajo vlerë e madhe e qëndresës dhjetëvjeçare në malet e Shqipërisë së veriut, mbetet krejtësisht e panjohur.
Kasta politike vazhdon të pasurohet në mënyrë prrallore e, çuditërisht, në këtë aradhë pasanikësh të rinj nuk ka asnjë ish të përndjekur politik. Këto ishin vetëm disa nga pamjet e jetës së sotme shqiptare, në të cilën vizita e Papës Françesku, uroj të ketë kryer funksionin e një ndarësi epokash. Nëse imazhi i dhënë më 21 shtator nuk është vetëm një fasadë e ngjyrosur, për të forcuar idenë se Shteti dhe shoqëria jonë i përkasin kryekëput, në gjithë qënien e tyre botës Perëndimore, idealeve e parimeve të saj, atëherë përballimi me problemet e mësipërme bëhet i detyrueshëm e kohët e tij nuk mund të jenë ato të vërejtura në këta 23 vjet.
Portretet e martirëve të fesë në Shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” nuk janë vetëm dëshmi e kujtesës historike, si një njësi matëse e përmasave të krimit komunist, janë dhe një thirrje që buron nga vetëdija e kombit, për të dënuar haptas e pa mëdyshje këtë të fundit, jo vetëm me fjalë. Lotët e Papës Françesku, një njeri që vjen nga Argjentina, Vëndi i desaparesidëve e i diktaturës ushtarake gjakatare, kur mëson vetëm majën e ajsbergut të krimit shtetëror shqiptar nga rrëfimet e Dom Ernest Simonit apo murgeshës Marije Kaleta, nxjerrin në dukje krahasimin e dy dhunave e tregojnë se çfarë përmasash shkatërruese pati ajo në “Vendin e shqipeve”.
Dënimi i krimit komunist duhet të shkojë me të njëjtin hap me rikthimin e të drejtave të viktimave të tij, së pari atyre lëndore, si dëmshpërblimet e premtuara e të zvarrisura në “kalendat greke”. Por ai duhet të nënëkuptojë edhe rivlerësimin e së shkuarës jo komuniste, për t’i hapur rrugën jo vetëm pohimit të së vërtetës historike, por edhe paqtimit kombëtar për të cilin kemi shumë nevojë në rrugën e zhvillimit.
A do të jetë në gjëndje ideatori i vendosjes së portreteve të ndërmarrë seriozisht e sinqerisht këtë rrugë të vështirë, por të domosdoshme për të sotmen e t’ardhmen e Shqipërisë ? Pyetja mbetet pa përgjigje. Për çastin ajo nuk mund të jetë mohuese, sepse sinjalin e 21 shtatorit, deri në provë të kundërt, duhet t’a quajmë tregues të vlefshëm. Nuk mund të jetë as pohuese, mbasi argumentin nuk e gjejmë të trajtuar në asnjë nga daljet e shpeshta të Kryeministrit në qytetet e Shqipërisë apo në televizionet e saj. Premtimet për fonde publike në ndryshimin e pamjeve të qyteteve tona, në ndërtimin e rrugëve apo veprave sociale, janë të lëvdueshme e uroj që të jenë realiteti i viteve t’ardhëshme. Por pagimi i dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politikë duhet të ketë përparësi absolute, jo vetëm se është një borxh që Vendi i ka viktimave të komunizmit, një borxh moral e lëndor mundi, djerse, gjaku, një borxh jetësh njerëzore, që nuk paguhet as me gjithë arin e botës.
Nëse me të vërtetë ekziston prirja për të ndryshuar rrugë, për t’i dhënë përmbajtje imazhit të 21 shtatorit, duhen braktisur kriteret qesharake e mashtruese të ndjekura deri tani e të caktohet një periudhë, jo më shumë se tre vjet, për të shlyer gjithë pagesat në dobi të ish të përndjekurve politikë. Do të ishte hapi i parë i madh në kthesën e vërtetë, që duhet të pasohet edhe nga shumë masa të tjera që shkojnë n’atë drejtim. Dihen vështirësitë financiare të Shtetit, por askush nuk mund të më bindë se, në këta 23 vjet, nuk ka patur asnjë mundësi të bëhej më shumë, ka munguar vullneti politik. Një Vend, në të cilin lëvizin pasuri marramendëse miliarda dollarësh, nuk ka asnjë vështirësi të gjejë pak qindra milionë që plotësojnë dëmshpërblimet.
Nëse nuk i gjen, do të thotë se nuk don t’i gjejë e, n’atë rast do të thosha se vazhdon mashtrimi i madh e se 21 shtatori ka qenë vetëm një fasadë. I a lemë kohës të vërtetojë shpresat e dyshimet e shumta, të lindura në një ditë të madhe të historisë sonë.(Ne Foto: Papa Francesku me Martirin e gjalle, don Troshani)
Shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, FASADA E MARTIRËVE

SHKODER, MUZEUMI KUNDER HARRESES

September 29, 2014 by dgreca

Muzeumi në Shkodër – akuze e krimeve komuniste në Shqipëri:Nji “catharsis moral” për të gjithë/
NGA AHMET BUSHATI/
*Shënim i Prof.Sami REPISHTI: Fjala e mbajtun me rastin e inaugurimit të “Muzeumit të Dëshmisë dhe Kujtesës” në qendër të qytetit të Shkodrës, më 22 shtator 2014, që ju lexues dhe lexuese do të gjeni në fund të kësaj “Hyrje”, ashtë mbajtë nga bashkëvuejtesi shkodran Ahmet Bushati, sot në moshen 85 vjeçare, por shumë aktiv. Duket se nevoja e madhe e mbrendshme e ka shtye atë me i hye nji ndërmarrje të randë, kockë-thyese, por të domosdoshme për atë, dhe e dobishme për të persekutuemët, si dhe të gjithë shqiptarët me vullnet të mirë.
Puna e Z.Bushati ashte nji ndërmarrje serioze që bahet me pengue harresën, harresën e madhe që ka mbulue vendin tonë për afër 23 vjet me rradhë, e që rrezikon jo vetëm shuemjen e efekteve shkatërrimtare,kriminale dhe asgjasuese të ish-rregjimit komunist në Shqipëri, por akoma ma keq rrezikon rivlerësimin, ringjalljen dhe eventualisht përseritjen e atij kobi të zi që mbuloi vendin tonë për ma shumë se 45 vjet të gjata, ndoshta me nji emën tjetër, nji formë tjetër, nga të tjerë kriminelë, por që në thelbin e vet përmban të njajtën substancë: lindë nga gënjeshtra, ushqehet me urrejtje e hakmarrje, dhe,qëndron në kambë me dhunë e mjete jashtë-ligjore – ashtu si “diktatura e proletariatit” që shnjerëzoi njerëzimin, krijoi nji shoqëni të çoroditun, përqafoi vorfëninë dhe ofroi vetëm urinë për masat e shtypuna..
E gjithë përpjekja e mbar nji populli,e gjithë djersa e punonjësve në shërbime argat për Qeverinë u shpenzue me mbulue dëfrimet e “klasës së re”, parazite dhe injorante, dhe me ndërtue projekte të çmenduna si 700.000 bunkerët, armatimet marramendëse, sot objekte muzeale,mobilizimin pa fryte të popullsisë për mbrojtje të vendit…nga “mullinjtë e erës”! Sepse, sot dokumentimi diplomatik konfirmon të kundërtën e propagandës komuniste. Shtetet e Bashkueme të Amerikës, “armiku kryesor”, nuk ka komplotue kundër “Shqipërisë”. Ky “armik kryesor” ka qenë, në fakt, “armik” i klasës sunduese, i PPSH-së uzurpuese e pushtetit të vendit dhe e aktivistëve të çmendun që torturuen nji popullsi të tanë për nji gjysëm shekulli në nji atmosferë paligjëshmënie…!.
Ka qenë pikërisht në këto kushte të vështira që legjione qytetarësh gjetën guximin e jashtëzakonshëm me i thanë JO! diktaturës ë diktatorit, dhe me rrezikue arrestimin, torturën, dekada të gjata në burgje e punë të detyrueshme në moçalet e shumëta e minierat e largëta në zonat ma malore të Shqipërisë. Shumë u pushkatuen, shumë u burgosën, u internuen, u izoluen…dhe sot rrezikojnë vdekjen e dytë: harresën! Sepse ekziston nji fenomen negativ në shoqëninë shqiptare sot: ashtë indiferenca mbytese; bahet sikur nuk shikohet, nuk ndigjohet, nuk dihet gja as që dëshirohet me ditë….Kjo ashtë smundja sociale që lejon përsëritjen e së keqes në nji popullsi pa kujtese! Muzeumi i ri ashtë nji dëshmi e pakundërshtueshme e diktaturës komuniste në Shqipëri!
Kundër këtij fenomeni ngrihen monumente: kujtime dëshmitarësh, libra, përmendore dhe sidomos muzeume. Muzeumi i të përndjekurëve në Shkodër kryen këtë shërbim: lufton harresën, ashtë përmendore e gjallë e të gjithë atyne që kanë vdekë e që rrezikojnë sot vdekjen e dytë, harresën. Për këtë shërbim të madh njerëzor e kombëtar, Ahmet Bushati ka punue për ma shumë se katër vjet me kambëngulje, me projektue dhe me grumullue materialet përkatëse, dhe vendosjen e tyne në ambiente përkatëse pa ndryshime, elementët origjinalë të realitetit të hidhun: gropë e zezë, e lagshtë, e errët, pa ajr ose mbushun me qelbësinë; gjithçka që mendja e mbrapshtë e xhelatit komunist projektoi me ba jetën e viktimave sa ma të vështirë që të ishte e mundun. Në Muzeumin e ri të Shkodrës shihet tani me sy vendi i ngjarjes, ndigjohet me veshë dnesa e dalun nga ai varr i errët. Për vizituesit, eksperienca do të jetë tronditëse; por shpresohet që kjo tronditje do të nxjerrë nga gjumi i randë i letargjisë mbytëse të gjithë ata që ruejnë në vetëvete bërthamën e njerëzimit, e vëllaznimit me të gjithë, pa dallim, pa përjashtim.
Ashtë ironi e fatit për vendin tonë të pafat që ndërsa në Shkodër ngrihet Muzeumi për dokumentimin e krimeve komuniste në Shqipëri, në qytetin e Gjirokastrës –viktima e parë e terrorit komunist të çetave ilegale- zhvillohen manifestime publike me kangë partizane, fjalime kërcënuese dhe pllakata me portretin e kryekriminelit komunist, përgjëgjsi kryesor i krimeve në vendin tonë, E.Hoxha. Dy Shqipëri të ndryshme në këtë botën tonë; apo dy botë të ndryshme në këtë Shqipërinë tonë? Nji pyetje që nuk duhej të ekzistonte, por që ekziston sepse krimi komunist nuk u denoncue, shtypja dhe vuejtjet u harruen sikur të mos kishin ngja fare. Muzeumi i ri në Shkodër ashtë nji përpjekje serioze me mbushë këtë boshllëk, nji përpjekje serioze me luftue harresën, e me mbajtë të gjallë kujtesën e ditëve të ferrit…të paktën në nji qytet të atdheut tonë.
Le të jetë ky Muzeum i ri “…një gur i fortë themelitë nji demokracie të vërtetë që aspirojmë me ndërtue!” (Sami Repishti, ish i burgosun politik)
***
FJALË E MBAJTUN ME RASTIN E PËRURIMIT TË MUZEUMIT TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË SHKODËR
Z. Kryetar,
Të nderuar pjesëmarrës!
Do ta konsiderojmë të madhe e fatlume këtë ditë që ban të mundun kthimin në muze të një prej ish-burgjeve ma të tmerrshëm e simbol të komunizmit, i quejtun prej popullit gjatë pesë dekadave me radhë “Burgu i Sigurimit”, vendi ku u kryen krime nga ma monstruozet e të pandigjuemet mbi qytetarët ma te dalluem që kishte Shkodra në atë kohë, mbi përfaqësuesit ma të shquem të patriotizmit, kulturës, të traditave tona të mrekullueshme, si dhe mbi perfaqsues të besimeve fetare.
Ngjarjet e ndodhuna mbrenda këtij “ish-burgu” disi të vogël për nga përmasat, por ferr i vërtetë për qindra e qindra viktima të tij, njerëzve të sotem mund t`u duken si ngjarje të ndodhuna shekuj ma parë, e jo ngjarje qe u perjetu në mes të shekullit të kaluem e pikërisht fill mbas një lufte që popullit tonë i pat kushtue aq shumë sakrifica, gjak të derdhun për liri, jo që Shqipëria me atë rast, e në mënyrë ma të pameritueme, të binte pré e nji prej diktaturave ma të egra që njerëzimi kishte njohë deri atëherë.
Koha kur ngrihej ky burg famëkeq, do të përkonte me ngjarjet fill mbas “Kryengritjes së Postribës”, me atë kohë të mbushun me shumë frikë e trishtim, sa qe shumë qytetarë të Shkodrës të mos e banin të qetë gjumin e natës.
Tue mos llogaritë “Burgun e madh” të Shkodrës të mbushun qysh dy vjet ma parë me ish-zogistë e të rinj ballistë, mbas ngjarjeve të Kryengritjes së Postribës, pushtetit komunist do t’i dilte nevoja që për të 1200 të arrestuemit e atyne ditëve, të kthente në burgje plot 13 ndërtesa të mëdha publike e private, prej ku të burgosunit e tyne simbas radhës e si nëpër vrimë të gjylpanës, do të përshkoheshin nëpër këtë burg. Me tortura shumë të randa fizike e presione morale, do te kërkohej nga viktima te pranontepara hetuesve kriminelë e sadistë të Sigurimit akuza për pjesemarrje ne ngjarje që nuk kishin ngjafare. Fantazi djallore!
Ishte pikërisht ajo kohë kur një Shkodre do t’i kërkohej të paguante haraç per historinë e saj të shkrueme qysh prej njëzet e tre shekujsh ma parë, qysh atëherë kur ajo kishte pasë qenë qendër e një Ilirie të madhe që na krenon, dhe për kete duhej vra në të gjithë qenien e saj, përfshi të tashmen e të ardhmen.
Nëse Stalini 30 vjet ma parë do të porosiste të gjitha degët e GPU-së ruse që “…kundërshtarët t’i rrihnin deri sa ata të pohonin krime që nuk ishin kryer asnjëhere”, Enver Hoxha nga ana e tij (me anë të një shkrese 91/3) do të porosiste të gjitha “Degët e Punëve të Brendeshme”: “Të mblidhni rreth vetes sa më shumë injorantë, fshatarë e çobenj, për t’i përdorur si të doni në emër të vijës së Partisë”, dhe Koçi Xoxe me atë rast, si Ministër i Brendeshëm, do të dërgonte në Shkodër kontigjentin ma kriminal që dispononte, me në krye xhelatin sadist të Shkodrës Zoi Temelin,me xhelatët tjerë si Maqo Lakrorin, Sirri Çarçanin, Ali Xhungën, etj.
Nji nga “prétë” ma të para të diktaturës në atë kohë do të ishin intelektualët me formim perëndimor e patriotik, mes të cilëve edhe disa të papërsëritshëm për kulturën e gjanëqë kishin, e që si elemente të pakonformuem me komunizmin, do të vriteshin njeni mbas tjetrit, ose të dergjeshin për vite të tana mbrenda burgjeve të diktaturës.
Për nivelin e naltëkulturor që kishte Shkodra në atë kohë, studiuesi Mehmet Elezi, me rastin e promovimit tënji libri tim kujtimesh, do të shprehej: “Se me njerëzit e kulturës që kishte Shkodra në atë kohë, do mund të ngrihej një akademi e vërtetë e shkencës dhe arteve të bukura, meqë Shkodra si moshatare që ishte me Romën e Lashtë, detyrimisht që do të kishte edhe asi familjesh të mëdha që ma fort se për titujt ato do të meritonin ma shumë për virtytet e tyne njerëzore, si edhe për vlerat përfaqësuese të identitetit tonë kombëtar që mbartnin, përçka një ditë do të baheshin objekt i luftës ma të egër nga ana e komunizmit, e që me kalimin e kohës gazi do t’u kthehej në lot e vllaznimi i tyne tradicional në luftë klasash e dasi”.
Për shumë vite me radhë, pjesë e këtij ish-burgu kanë kenë edhe tregtarët, sidomos tregtarët e mëdhenj të Shkodrës, të cilët qe prej nji ose dy shekujsh ma parë, bashkë me mallin kishin sjellë prej Europes në Shkodër edhe kulturë, tue i dhanë toneqytetnuese jetës së qytetit tonë. Përkete regjimi komunist, në emën të të ashtuquejtuneve “spekulacione të luftës”, jo vetëm që do te grabiste gjithë mallin e shumtë që kishin grumbullue, por edhe do t’i nxirrte nga shtëpitë e tyne të mëdha stergjyshore, me i përplasë për vite të tanë ndër ambiente të pabanueshme shtëpijash të hueja.
Gjithë ata qytetarë patriotë e të nderuem që komunizmi po i vriste e i mohonte Shkodrës, shtëpi të mëdha e bujare, qërrënonte përgjithmonë, qindra diploma qëdigjete tue u tallë, jetesën e tanë nji populli qëe kthente në mjerim, e lirinë në tirani,–pa mungue edhe Kosovën, andrrën shekullore të shqiptarëve qëEnver Hoxha me shokë, për qëllime ideologjike e personale ia dhuronin Jugosllavisë,–do të banin që nëpër këtë burg, vetëm gjatë vitit 1948 të kishte vend edhe për rreth 60 studentë idealistë të Gjimnazit të Shkodrës, përfshi edhe mue, kur mbrenda këtyne birucave do të qëndrojsha përgjithesisht i vetëm e nën torturë gjatë një viti e gjysmë, tue mos marrë as fare parasysh moshën time te re, e kontributin e pakursyem që kisha dhanë në kuadër të Luftës kunder okupatorit fashist.
Disa prej torturave të konsiderueme standard, të ushtrueme mbi viktimat e këtij ish-“Burg Sigurimi”, do të konsistonin në goditjen e viktimës me dru të fortë ose kërbaç të trashë; në varjen për shpatullash me anë litari të varun për hekura të dritares së qelise pak nën tavan; nëprivimin e tij nga e drejta me marrë ushqimin që familja ia sillte ditë për ditë, dhe gjithashtu edhe nga e drejta për të marrë ujë;pa folë edhe për shume lloje torturash morale të papërballueshme, për shumë prindër e bashkëshortë të nderuem, që do të shpiknin mendjet djallëzore të hetuesve kriminelë.Keto do të ishin disa prej torturave të ushtrueme mbi viktimat e asaj kohe, çka do të bante që disa prej tyne, me shpëtue prej mundimit të tyne e turpit, të nxitej ideja e vetevrasjes, tue shfrytëzue për atë qëllim çdo rrethanë që rastësisht u ishte paraqite;për shembull, rasti kur viktima të ishte ndodhë para një cope xhami me të cilin do të priste damarët e të vdiste; kur rastësisht të ndodhej pranë një mase “DDT”-je helmuese dhe gelltitte e helmohej; kur tue u kthye nga zyra e hetuesisë për në qeli të vraponte më qëllim provokimi vrasjen prej policit; kur tue perfitue nga dritarja e hapun e zyrës së hetuesit të fluturonte përmes saj e të gjente vdekjen e sigurtë ne sheshin e pergjakun, etj.
Torturë mbi çdo torturë ka kenë ajo e “hekurit të skuqun” mbi trupin e zhveshun të viktimës, si dhe thyemja e kockave të kupave të gjunit me çekan, torturë që dihet qe ka qenë ushtrue mbi avokatin Myzafer Pipa, me urdhen direkt te E.Hoxhes…!
Për të shpëtue nga vuajtjet e masipërme e poshtërimi, në Shkodër, do të kishte disa vrasje në ndeshje më Forcat e “Mbrojtjes Popullore”, si edhe disa dhjetëra vetevrasje, mes të cilave ajo e vëllazënve Kazazi, Rasim Gjyrezit, apo e Pjetër Shan Dedes bashkë me grue, etj.
Sollzhenicin, disidenti i madh rus, në krye të librit të tij të famshëm, do të shkruante: “Librin tim ua kushtoj atyne që nuk jetojnë ma, e se unë ende nuk i kam humbë të gjitha shpresat që mendjet njerëzore mund të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, duke mos pasë nevojë që ta vuejnë atë, e se qëllimi i “Arkipelagut” asht ngritja e nji ‘catharsis moral’“që në rastin tonë e realizon nji muze si ky që sot kemi fatin ta përurojmë.
Me rastin kur ne po kthejmë në muze një prej ish-burgjeve me histori ma të veçantë torture e krimi, ne jo vetëm qe përpiqemi të shlyejmë një detyrim tonin ndaj ish-viktimave të shumeta të këtij ish-burgu ferr, por në të njëjtën kohëqofte edhe për pak çaste po mundohemi të “ringjallim” një kohë të shkueme me ngjarje e njerëz, sot në prag të një harrese të plotë, me imazhet e trishtueshme të 137 viktimave qëmbrenda këtij burgu, dikur patën nxjerrë frymët e fundit mes mundimesh të mëdha, në vetmi, e ne pamundësi të linin amanet një fjalë për mbasardhesit, një amanet për familjet e tyne të pikëllueme. Me këtë rast na shfaqen për një moment edhe imazhet e trishtueshme të atyne 601 të tjerëve, që dikur simbas radhës e drita në të dalë, me pranga ndër duer, dhe të lidhun me litarë trup për trup, të rrethuem së afërmi nga policë me automatikë ne duer, do të ishin të detyruem që me kambët e tyne te dobesueme nga vuejtja, të shkonin drejt vdekjes, drejt të përhereshmit “Muri i Zallit te Kirit” ku dhe përfundimisht do të pushkatoheshin-sakrifica te pafajshme ne altarin e Lirise!
Le te urojmë së bashku që kjo ditë e madhe e ky rast i veçantë për të gjithë ne, jo vetëm të jetë një ditë homazhi ma të thellë për gjithë viktimat e Shkodrës si zonë, por edhe për viktimat e komunizmit të të gjithë Shqipërisë, e që si e tillë, le të shërbejë jo vetëm me shërue plagët, por edhe si një gur i fortë në themel tënjë demokracie të vërtetë që aspirojmë me ndërtue. Deshmi e Kujtese!
Shkoder, 22shtator 2014(Ahmet Bushati)

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Bushati, kunder Harreses, Sami repishti, Shkoder-Muzeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4379
  • 4380
  • 4381
  • 4382
  • 4383
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT