Muzeumi në Shkodër – akuze e krimeve komuniste në Shqipëri:Nji “catharsis moral” për të gjithë/
NGA AHMET BUSHATI/
*Shënim i Prof.Sami REPISHTI: Fjala e mbajtun me rastin e inaugurimit të “Muzeumit të Dëshmisë dhe Kujtesës” në qendër të qytetit të Shkodrës, më 22 shtator 2014, që ju lexues dhe lexuese do të gjeni në fund të kësaj “Hyrje”, ashtë mbajtë nga bashkëvuejtesi shkodran Ahmet Bushati, sot në moshen 85 vjeçare, por shumë aktiv. Duket se nevoja e madhe e mbrendshme e ka shtye atë me i hye nji ndërmarrje të randë, kockë-thyese, por të domosdoshme për atë, dhe e dobishme për të persekutuemët, si dhe të gjithë shqiptarët me vullnet të mirë.
Puna e Z.Bushati ashte nji ndërmarrje serioze që bahet me pengue harresën, harresën e madhe që ka mbulue vendin tonë për afër 23 vjet me rradhë, e që rrezikon jo vetëm shuemjen e efekteve shkatërrimtare,kriminale dhe asgjasuese të ish-rregjimit komunist në Shqipëri, por akoma ma keq rrezikon rivlerësimin, ringjalljen dhe eventualisht përseritjen e atij kobi të zi që mbuloi vendin tonë për ma shumë se 45 vjet të gjata, ndoshta me nji emën tjetër, nji formë tjetër, nga të tjerë kriminelë, por që në thelbin e vet përmban të njajtën substancë: lindë nga gënjeshtra, ushqehet me urrejtje e hakmarrje, dhe,qëndron në kambë me dhunë e mjete jashtë-ligjore – ashtu si “diktatura e proletariatit” që shnjerëzoi njerëzimin, krijoi nji shoqëni të çoroditun, përqafoi vorfëninë dhe ofroi vetëm urinë për masat e shtypuna..
E gjithë përpjekja e mbar nji populli,e gjithë djersa e punonjësve në shërbime argat për Qeverinë u shpenzue me mbulue dëfrimet e “klasës së re”, parazite dhe injorante, dhe me ndërtue projekte të çmenduna si 700.000 bunkerët, armatimet marramendëse, sot objekte muzeale,mobilizimin pa fryte të popullsisë për mbrojtje të vendit…nga “mullinjtë e erës”! Sepse, sot dokumentimi diplomatik konfirmon të kundërtën e propagandës komuniste. Shtetet e Bashkueme të Amerikës, “armiku kryesor”, nuk ka komplotue kundër “Shqipërisë”. Ky “armik kryesor” ka qenë, në fakt, “armik” i klasës sunduese, i PPSH-së uzurpuese e pushtetit të vendit dhe e aktivistëve të çmendun që torturuen nji popullsi të tanë për nji gjysëm shekulli në nji atmosferë paligjëshmënie…!.
Ka qenë pikërisht në këto kushte të vështira që legjione qytetarësh gjetën guximin e jashtëzakonshëm me i thanë JO! diktaturës ë diktatorit, dhe me rrezikue arrestimin, torturën, dekada të gjata në burgje e punë të detyrueshme në moçalet e shumëta e minierat e largëta në zonat ma malore të Shqipërisë. Shumë u pushkatuen, shumë u burgosën, u internuen, u izoluen…dhe sot rrezikojnë vdekjen e dytë: harresën! Sepse ekziston nji fenomen negativ në shoqëninë shqiptare sot: ashtë indiferenca mbytese; bahet sikur nuk shikohet, nuk ndigjohet, nuk dihet gja as që dëshirohet me ditë….Kjo ashtë smundja sociale që lejon përsëritjen e së keqes në nji popullsi pa kujtese! Muzeumi i ri ashtë nji dëshmi e pakundërshtueshme e diktaturës komuniste në Shqipëri!
Kundër këtij fenomeni ngrihen monumente: kujtime dëshmitarësh, libra, përmendore dhe sidomos muzeume. Muzeumi i të përndjekurëve në Shkodër kryen këtë shërbim: lufton harresën, ashtë përmendore e gjallë e të gjithë atyne që kanë vdekë e që rrezikojnë sot vdekjen e dytë, harresën. Për këtë shërbim të madh njerëzor e kombëtar, Ahmet Bushati ka punue për ma shumë se katër vjet me kambëngulje, me projektue dhe me grumullue materialet përkatëse, dhe vendosjen e tyne në ambiente përkatëse pa ndryshime, elementët origjinalë të realitetit të hidhun: gropë e zezë, e lagshtë, e errët, pa ajr ose mbushun me qelbësinë; gjithçka që mendja e mbrapshtë e xhelatit komunist projektoi me ba jetën e viktimave sa ma të vështirë që të ishte e mundun. Në Muzeumin e ri të Shkodrës shihet tani me sy vendi i ngjarjes, ndigjohet me veshë dnesa e dalun nga ai varr i errët. Për vizituesit, eksperienca do të jetë tronditëse; por shpresohet që kjo tronditje do të nxjerrë nga gjumi i randë i letargjisë mbytëse të gjithë ata që ruejnë në vetëvete bërthamën e njerëzimit, e vëllaznimit me të gjithë, pa dallim, pa përjashtim.
Ashtë ironi e fatit për vendin tonë të pafat që ndërsa në Shkodër ngrihet Muzeumi për dokumentimin e krimeve komuniste në Shqipëri, në qytetin e Gjirokastrës –viktima e parë e terrorit komunist të çetave ilegale- zhvillohen manifestime publike me kangë partizane, fjalime kërcënuese dhe pllakata me portretin e kryekriminelit komunist, përgjëgjsi kryesor i krimeve në vendin tonë, E.Hoxha. Dy Shqipëri të ndryshme në këtë botën tonë; apo dy botë të ndryshme në këtë Shqipërinë tonë? Nji pyetje që nuk duhej të ekzistonte, por që ekziston sepse krimi komunist nuk u denoncue, shtypja dhe vuejtjet u harruen sikur të mos kishin ngja fare. Muzeumi i ri në Shkodër ashtë nji përpjekje serioze me mbushë këtë boshllëk, nji përpjekje serioze me luftue harresën, e me mbajtë të gjallë kujtesën e ditëve të ferrit…të paktën në nji qytet të atdheut tonë.
Le të jetë ky Muzeum i ri “…një gur i fortë themelitë nji demokracie të vërtetë që aspirojmë me ndërtue!” (Sami Repishti, ish i burgosun politik)
***
FJALË E MBAJTUN ME RASTIN E PËRURIMIT TË MUZEUMIT TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË SHKODËR
Z. Kryetar,
Të nderuar pjesëmarrës!
Do ta konsiderojmë të madhe e fatlume këtë ditë që ban të mundun kthimin në muze të një prej ish-burgjeve ma të tmerrshëm e simbol të komunizmit, i quejtun prej popullit gjatë pesë dekadave me radhë “Burgu i Sigurimit”, vendi ku u kryen krime nga ma monstruozet e të pandigjuemet mbi qytetarët ma te dalluem që kishte Shkodra në atë kohë, mbi përfaqësuesit ma të shquem të patriotizmit, kulturës, të traditave tona të mrekullueshme, si dhe mbi perfaqsues të besimeve fetare.
Ngjarjet e ndodhuna mbrenda këtij “ish-burgu” disi të vogël për nga përmasat, por ferr i vërtetë për qindra e qindra viktima të tij, njerëzve të sotem mund t`u duken si ngjarje të ndodhuna shekuj ma parë, e jo ngjarje qe u perjetu në mes të shekullit të kaluem e pikërisht fill mbas një lufte që popullit tonë i pat kushtue aq shumë sakrifica, gjak të derdhun për liri, jo që Shqipëria me atë rast, e në mënyrë ma të pameritueme, të binte pré e nji prej diktaturave ma të egra që njerëzimi kishte njohë deri atëherë.
Koha kur ngrihej ky burg famëkeq, do të përkonte me ngjarjet fill mbas “Kryengritjes së Postribës”, me atë kohë të mbushun me shumë frikë e trishtim, sa qe shumë qytetarë të Shkodrës të mos e banin të qetë gjumin e natës.
Tue mos llogaritë “Burgun e madh” të Shkodrës të mbushun qysh dy vjet ma parë me ish-zogistë e të rinj ballistë, mbas ngjarjeve të Kryengritjes së Postribës, pushtetit komunist do t’i dilte nevoja që për të 1200 të arrestuemit e atyne ditëve, të kthente në burgje plot 13 ndërtesa të mëdha publike e private, prej ku të burgosunit e tyne simbas radhës e si nëpër vrimë të gjylpanës, do të përshkoheshin nëpër këtë burg. Me tortura shumë të randa fizike e presione morale, do te kërkohej nga viktima te pranontepara hetuesve kriminelë e sadistë të Sigurimit akuza për pjesemarrje ne ngjarje që nuk kishin ngjafare. Fantazi djallore!
Ishte pikërisht ajo kohë kur një Shkodre do t’i kërkohej të paguante haraç per historinë e saj të shkrueme qysh prej njëzet e tre shekujsh ma parë, qysh atëherë kur ajo kishte pasë qenë qendër e një Ilirie të madhe që na krenon, dhe për kete duhej vra në të gjithë qenien e saj, përfshi të tashmen e të ardhmen.
Nëse Stalini 30 vjet ma parë do të porosiste të gjitha degët e GPU-së ruse që “…kundërshtarët t’i rrihnin deri sa ata të pohonin krime që nuk ishin kryer asnjëhere”, Enver Hoxha nga ana e tij (me anë të një shkrese 91/3) do të porosiste të gjitha “Degët e Punëve të Brendeshme”: “Të mblidhni rreth vetes sa më shumë injorantë, fshatarë e çobenj, për t’i përdorur si të doni në emër të vijës së Partisë”, dhe Koçi Xoxe me atë rast, si Ministër i Brendeshëm, do të dërgonte në Shkodër kontigjentin ma kriminal që dispononte, me në krye xhelatin sadist të Shkodrës Zoi Temelin,me xhelatët tjerë si Maqo Lakrorin, Sirri Çarçanin, Ali Xhungën, etj.
Nji nga “prétë” ma të para të diktaturës në atë kohë do të ishin intelektualët me formim perëndimor e patriotik, mes të cilëve edhe disa të papërsëritshëm për kulturën e gjanëqë kishin, e që si elemente të pakonformuem me komunizmin, do të vriteshin njeni mbas tjetrit, ose të dergjeshin për vite të tana mbrenda burgjeve të diktaturës.
Për nivelin e naltëkulturor që kishte Shkodra në atë kohë, studiuesi Mehmet Elezi, me rastin e promovimit tënji libri tim kujtimesh, do të shprehej: “Se me njerëzit e kulturës që kishte Shkodra në atë kohë, do mund të ngrihej një akademi e vërtetë e shkencës dhe arteve të bukura, meqë Shkodra si moshatare që ishte me Romën e Lashtë, detyrimisht që do të kishte edhe asi familjesh të mëdha që ma fort se për titujt ato do të meritonin ma shumë për virtytet e tyne njerëzore, si edhe për vlerat përfaqësuese të identitetit tonë kombëtar që mbartnin, përçka një ditë do të baheshin objekt i luftës ma të egër nga ana e komunizmit, e që me kalimin e kohës gazi do t’u kthehej në lot e vllaznimi i tyne tradicional në luftë klasash e dasi”.
Për shumë vite me radhë, pjesë e këtij ish-burgu kanë kenë edhe tregtarët, sidomos tregtarët e mëdhenj të Shkodrës, të cilët qe prej nji ose dy shekujsh ma parë, bashkë me mallin kishin sjellë prej Europes në Shkodër edhe kulturë, tue i dhanë toneqytetnuese jetës së qytetit tonë. Përkete regjimi komunist, në emën të të ashtuquejtuneve “spekulacione të luftës”, jo vetëm që do te grabiste gjithë mallin e shumtë që kishin grumbullue, por edhe do t’i nxirrte nga shtëpitë e tyne të mëdha stergjyshore, me i përplasë për vite të tanë ndër ambiente të pabanueshme shtëpijash të hueja.
Gjithë ata qytetarë patriotë e të nderuem që komunizmi po i vriste e i mohonte Shkodrës, shtëpi të mëdha e bujare, qërrënonte përgjithmonë, qindra diploma qëdigjete tue u tallë, jetesën e tanë nji populli qëe kthente në mjerim, e lirinë në tirani,–pa mungue edhe Kosovën, andrrën shekullore të shqiptarëve qëEnver Hoxha me shokë, për qëllime ideologjike e personale ia dhuronin Jugosllavisë,–do të banin që nëpër këtë burg, vetëm gjatë vitit 1948 të kishte vend edhe për rreth 60 studentë idealistë të Gjimnazit të Shkodrës, përfshi edhe mue, kur mbrenda këtyne birucave do të qëndrojsha përgjithesisht i vetëm e nën torturë gjatë një viti e gjysmë, tue mos marrë as fare parasysh moshën time te re, e kontributin e pakursyem që kisha dhanë në kuadër të Luftës kunder okupatorit fashist.
Disa prej torturave të konsiderueme standard, të ushtrueme mbi viktimat e këtij ish-“Burg Sigurimi”, do të konsistonin në goditjen e viktimës me dru të fortë ose kërbaç të trashë; në varjen për shpatullash me anë litari të varun për hekura të dritares së qelise pak nën tavan; nëprivimin e tij nga e drejta me marrë ushqimin që familja ia sillte ditë për ditë, dhe gjithashtu edhe nga e drejta për të marrë ujë;pa folë edhe për shume lloje torturash morale të papërballueshme, për shumë prindër e bashkëshortë të nderuem, që do të shpiknin mendjet djallëzore të hetuesve kriminelë.Keto do të ishin disa prej torturave të ushtrueme mbi viktimat e asaj kohe, çka do të bante që disa prej tyne, me shpëtue prej mundimit të tyne e turpit, të nxitej ideja e vetevrasjes, tue shfrytëzue për atë qëllim çdo rrethanë që rastësisht u ishte paraqite;për shembull, rasti kur viktima të ishte ndodhë para një cope xhami me të cilin do të priste damarët e të vdiste; kur rastësisht të ndodhej pranë një mase “DDT”-je helmuese dhe gelltitte e helmohej; kur tue u kthye nga zyra e hetuesisë për në qeli të vraponte më qëllim provokimi vrasjen prej policit; kur tue perfitue nga dritarja e hapun e zyrës së hetuesit të fluturonte përmes saj e të gjente vdekjen e sigurtë ne sheshin e pergjakun, etj.
Torturë mbi çdo torturë ka kenë ajo e “hekurit të skuqun” mbi trupin e zhveshun të viktimës, si dhe thyemja e kockave të kupave të gjunit me çekan, torturë që dihet qe ka qenë ushtrue mbi avokatin Myzafer Pipa, me urdhen direkt te E.Hoxhes…!
Për të shpëtue nga vuajtjet e masipërme e poshtërimi, në Shkodër, do të kishte disa vrasje në ndeshje më Forcat e “Mbrojtjes Popullore”, si edhe disa dhjetëra vetevrasje, mes të cilave ajo e vëllazënve Kazazi, Rasim Gjyrezit, apo e Pjetër Shan Dedes bashkë me grue, etj.
Sollzhenicin, disidenti i madh rus, në krye të librit të tij të famshëm, do të shkruante: “Librin tim ua kushtoj atyne që nuk jetojnë ma, e se unë ende nuk i kam humbë të gjitha shpresat që mendjet njerëzore mund të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, duke mos pasë nevojë që ta vuejnë atë, e se qëllimi i “Arkipelagut” asht ngritja e nji ‘catharsis moral’“që në rastin tonë e realizon nji muze si ky që sot kemi fatin ta përurojmë.
Me rastin kur ne po kthejmë në muze një prej ish-burgjeve me histori ma të veçantë torture e krimi, ne jo vetëm qe përpiqemi të shlyejmë një detyrim tonin ndaj ish-viktimave të shumeta të këtij ish-burgu ferr, por në të njëjtën kohëqofte edhe për pak çaste po mundohemi të “ringjallim” një kohë të shkueme me ngjarje e njerëz, sot në prag të një harrese të plotë, me imazhet e trishtueshme të 137 viktimave qëmbrenda këtij burgu, dikur patën nxjerrë frymët e fundit mes mundimesh të mëdha, në vetmi, e ne pamundësi të linin amanet një fjalë për mbasardhesit, një amanet për familjet e tyne të pikëllueme. Me këtë rast na shfaqen për një moment edhe imazhet e trishtueshme të atyne 601 të tjerëve, që dikur simbas radhës e drita në të dalë, me pranga ndër duer, dhe të lidhun me litarë trup për trup, të rrethuem së afërmi nga policë me automatikë ne duer, do të ishin të detyruem që me kambët e tyne te dobesueme nga vuejtja, të shkonin drejt vdekjes, drejt të përhereshmit “Muri i Zallit te Kirit” ku dhe përfundimisht do të pushkatoheshin-sakrifica te pafajshme ne altarin e Lirise!
Le te urojmë së bashku që kjo ditë e madhe e ky rast i veçantë për të gjithë ne, jo vetëm të jetë një ditë homazhi ma të thellë për gjithë viktimat e Shkodrës si zonë, por edhe për viktimat e komunizmit të të gjithë Shqipërisë, e që si e tillë, le të shërbejë jo vetëm me shërue plagët, por edhe si një gur i fortë në themel tënjë demokracie të vërtetë që aspirojmë me ndërtue. Deshmi e Kujtese!
Shkoder, 22shtator 2014(Ahmet Bushati)