• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I Pamëkati

September 1, 2014 by dgreca

Tregim i jetuar nga Meri Lalaj/
I Pamëkati e kaloi gjithë jetën në mënyrë të tmerrshme pa asnjë lloj gëzimi, vetëm vdekjen e pati të lehtë pa mundime. Unë i pata dhënë mësim në klasën e pestë, kur sapo isha emëruar mësuese për herë të parë. Ai ishte një nxënës fare i zakonshëm në të nxënit e mësimeve, ishte shumë i sjellshëm e i urtë dhe unë kujdesesha për të edhe sepse ishte djali i madh i kushërirës sime. Pasi mbaroi tetëvjeçaren, u përpoq të ndjekë gjimnazin natën, por e la sepse familja kish nevojë për punën e tij. I Pamëkati kreu një kurs dhe u bë motorist. Djalë shumë i ri filloi punën atje ku e caktuan tek një motopompë pranë një barakës ndërtuar me dërrasa anës liqenit tok me dy a tre punëtorë të tjerë më të mëdhenj se ai në moshë. Kështu, me anën e pompave gjatë verës ata nxirrnin ujin nga liqeni dhe e përdornin për ujitje, ndërsa gjatë dimrit për nevojat e tjera. Në mesin e barakës ndodhej një fuçi e madhe e prerë në mes mbuluar me një kapak llamarine e lidhur me qyngje, që përdorej si stufë në dimër kur i hidhnin tallash druri për ta djegur. Anash kësaj barake ishin vendosur dy stola druri ku uleshin për të ngrënë bukën dhe përballë derës (si kudo në çdo zyrë, klasë mësimi dhomë shtëpie apo vend tjetër pune) qëndronte i varur portreti i udhëheqësit të shtrenjtë Enver Hoxha.
I Pamëkati kishte fare pak kohë që kish filluar punë, atëkohë pothuaj nuk i kish mbushur tetëmbëdhjetë vitet. Dhe ishin ditët para festave të mëdha të nëntorit, kur në barakë plasi sherri midis punëtorëve sepse portreti i Enver Hoxhës rrëshqiti nga muri i drunjtë i barakës dhe ata dy punëtorët e tjerë, që u ndodhën aty iu vërsulën të ndërkryer Të Pamëkatit: “Ti e rrëzove! Ti e rrëzove! E bëre me qëllim se nuk e do xhaxhi Enverin!” Portretit iu thye vetëm xhami, iu dëmtua pak korniza e u rrudhos paksa letra fotografike. Por gurguleja ishte gjëmimtare. Pas pak erdhi përgjegjësi i tyre. Të gjithë iu vërsulën sërish të Pa Mëkatit: “Ai e theu! Ai e rrëzoi! E bëri me qëllim! Sabotim para festave të nëntorit! Sabotimi nuk ka brirë! Ai nuk e do Partinë! Nuk e do udhëheqësin e ndritur shokun Enver, që ne japim jetën për të! Do të të thërresin në Degë! Do të të fusin dhjetë vjet në burg apo më shumë! Jo, jo njëzet vjet si tradhtar i Partisë dhe i popullit!…”
Pesë ditë e pesë net I Pamëkati as hëngri, as piu, as fjeti. Përfytyronte vitet e gjata në burg mbyllur në qeli tok me minjtë e mëdhenj e me rojet që e godisnin me shkelma. I hyri frika deri në palcë duke menduar se çfarë do të pësonte i ati, e ëma, vëllai… E pastaj kaloi në një krizë nervore të llahtarshme. E zeza nënë për të birin! I ziu baba për të birin! Të gjitha vitet e tjera të jetës, I Pamëkati i kaloi veç duke pirë ilaçe. Vuajti aq shumë duke mbartur vetëm errësirë në shpirtin e tij. Nuk ishte më në gjendje për asnjë lloj pune. Shëtiste fill i vetëm rrugëve të qytetit tim shpesh me cigaren në gojë e gishtërinjtë e zverdhur nga duhani dhe duke folur me vete. Nuk ngacmonte njeri, nuk e ngacmonte askush. Ecte fill i vetëm i veshur keq, hera herës i parruar duke tërhequr këmbët zvarrë. Tërë jetën nuk pati asnjë shok, tërë jetën nuk pati asnjë vajzë që ta donte.
Kur hyra në dhomën, ku I Pamëkati ishte i shtrirë i vdekur, m’u duk sikur po më priste. Aty ndodhej vetëm njëra nga të afërmet e fisit. U përkula dhe e putha në ballin e ftohtë. Dukej shumë i hijshëm tamam si dhëndër veshur me një kostum të bukur ngjyrë bezhë, në buzët i kishin vënë petale trëndafili të kuq, në ato buzë që kurrë nuk puthën një femër. Në gisht i patën vendosur një unazë martese, gishtërinjtë e atij që nuk përkëdhelën kurrë një grua, të atij që nuk u martua kurrë. Atij që nuk gëzoi asgjë në këtë jetë e tani po martohej me vdekjen vetë dhe atje lart në qiell, Zoti po e priste tok me engjëjt, sepse I Pamëkati ishte engjëll i kësaj toke.
Ne u mblodhëm rrotull arkëmortit të tij me qirinj të ndezur në duar ndërsa prifti tundte temjanicën dhe lexonte Ungjillin duke kënduar: “O Zot, falja mëkatet! O Zot, falja mëkatet!” Vallë a ka bërë ndonjë mëkat I Pamëkati? Kurrë! Para se ta nxirrnin të ndjerin nga shtëpia përmbys mbi të ra i ati duke vajtuar: “O bir, o bir, si më ike!”
Në krye ecën kortezhi me arkëmortin e bukur me kryqin e florinjtë mbi të dhe ne u drejtuam për tek Kisha e Shën Mërisë. Kisha e mëhallës sime. Kisha ku jam pagëzuar unë. Kisha ku kam vajtur të dielave për t’u kunguar e ku kam provuar gëzimin e mrekullueshëm fëminor nën kumbimin e kambanave netëve të Pashkëve. Ndërsa ne ecim përmortshëm, kambanat e kishës bien përzishëm, ato bien vetëm për ty, o I Pamëkatë. E çdo tingull kambane më kujton ata që vdiqën fare kot nën thundrën e diktaturës me urdhër të atij djallit, Enver Hoxha.
Në vitin mëkatar 1967, kjo kishë u mbyll si gjithë të tjerat në mbarë Shqipërinë socialiste. Kjo kishë u kthye në magazinë dhe ofiçinë për rregullimin e automjeteve. Tani Kisha e Shën Mërisë është rindërtuar me tri kubera e kryqin në krye. Në muret e oborrit të brendshëm në vend të tabelave të emulacionit janë vendosur fotot e priftërinjve të rrethit: Ja At Llazo, At Ndoni, At Erazmi Jorgo me sa më kujtohet në këtë kishë, dikur në fillim të viteve 1920, Imzot Fan Noli ka mbajtur një mbledhje politike. Kisha brenda është e zbukuruar me piktura shumë të bukura nga përmbajtja e Biblës.
Nën diellin përvëlues të gushtit shkojmë në varreza, hapet edhe njëherë arkëmorti dhe prifti e spërkat me verë “…Me Verë kur t’ap shpirt kungomëni, / Me Verë lamëni, bekomëni…” pasi e kallim të ndjerin nën dhe hedhim nga një grusht “Pluhër mbi pluhër, në Pluhrin shtrirë” dhe varri i ri mbulohet me kurora lulesh. Të gjitha lulet janë vetëm për ty, o I Pamëkatë! Të qoftë i lehtë dheu!

20 gusht 2014

Filed Under: Sofra Poetike

Më shumë nxënës në gjuhën shqipe në Austri

September 1, 2014 by dgreca

Shkruan nga Vjena Hazir Mehmeti/
Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë… Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe.
Shtatori është koha e fillimit të mësimit dhe formimit të grupeve mësimore për gjuhët amtare, edhe në gjuhën shqipe. Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë. Në Austri mësimi i gjuhës amtare është i siguruar brenda sistemit shkollor publik dhe nën përkujdesjen e organeve zyrtare përkatëse. Pak vende në Europë e kanë të rregulluar kaq mirë mësimin amtar sikurse është Austria e përcjell nga Suedia, Finlanda dhe disa komuna në Gjermani. Vende tjera mësimi në gjuhën amtare është kryesisht i organizuar dhe financuar nga shoqatat e prindërve.
Prindër, shfrytëzoni mundësitë
Nisur nga rrethanat e volitshme prindërit do duhej t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara. -Ata duhet më këmbëngulje të kërkojnë që fëmija i tyre të ketë mundësi të mësoj shqip i garantuar sipas ligjit dhe t’i nënshkruajnë fletëparaqitjet (Anmeldung) me kohë, javën e parë.
-Të jenë të organizuar, të komunikojnë mes veti edhe me prindër të shkollave afër deri në formimin e grupit prej 12 nxënësve shqiptarë të cilëve u sigurohet mësimi sipas ligjit për gjuhë amtare. Të gjitha kërkesat pastaj janë në varësi të drejtorive, inspektorit. Mësimdhënësi do sigurohet nga këto organe përgjegjëse, tekstet dhe materiali përcjellës.
Tekstet
Tani janë të siguruara tekstet e reja (19 tekste) nga Ministria e Arsimit dhe Diasporës për të gjitha nivelet mësimore falas. Ato porositen nga mësuesi në Ministrinë e Mësimit të Austrisë të cilit i dërgohen në shkollë. Në Austri për herë të parë është botuar Abetarja në shqip dhe mësuesi e porositë nga katalogu i teksteve mësimore sipas numrit të nxënësve në shkollë.Të gjitha janë falas. Abetarja dhe Tekst Ushtirimi-1 mund të porositen nga prindërit privatisht, por duhet paguar. Adresa: E.WeberVerlag, Eisenstatdt, përmes internetit direkt (O-line). Kjo abetare është e përshtatshme për nxënësit në diasporë dhe e standardeve bashkëkohore për alfabetiizmin paralel me gjuhën e shkollës dhe është porositur nga shumë vend D,S,B,GBr etj. Info: Ph-Zürich Datenbank Mehrsprachigkeit Zvicër; E.WeberVerlag -Austri etj.
Tekstet janë të hartuara sipas kurrikulës së re mësimore për diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe tani e bashkuar edhe Ministria përkatëse e Shqipërisë.
Për informata shtesë prindërit mund të kontaktojnë me mësuesit shqiptarë. Adresat e tyre janë të shënuara në Ambasadën e Kosovës.
Rëndësia
-Formimi i personalitetit me identitet dhe i kompletuar nuk mund të jetë i plotë pa e mësuar gjuhën e nënës. Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk e pengon integrimin dhe mësimin e gjuhës së shkollës, përkundrazi e ndihmon atë.
Historiku
Në Austri janë rreth 13 560 nxënës shqiptarë. Prej tyre shqip mësojnë vetëm 2400 nxënës në tërë vendin. Janë të punësuar 24 mësues/e shqiptar. Dy vjetet e fundit kemi një rritje nga 1665 nxënës në 2400. Pritet që këtë vit të kemi rritje të mëtejme kur dihen mundësitë shumë favorizuese, por duhet përpjekja dhe këmbëngulja e prindërve dhe gjithë faktorit shqiptar.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, Më shumë nxënës, në Austri, ne gjuhen shqipe

NE, KONICA dhe britmat….

September 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
“Nyja Gordiane”, në mitologjinë greke ishte një lidhje e komplikuar dhe e bashkuar fortë prandaj i rezistoi çdo përpjekje për ta zbërthyer.., derisa nuk u zgjidh me shpatë nga ana e Aleksandrit të Madh! Shprehja në fjalë përdoret edhe në ditët tona, sidomos nga politikanët, gjithmonë si metaforë për çështje që nuk zgjidhen.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim gazete, do të bëjmë përpjekje që sadopak të mënjanojmë apo përjashtojmë çdo paralelizëm a krahasim mes njerëzve që kanë jetuar dhe vepruar në periudha të caktuara kohore. Faik Konica, një njeri i cili në komunitetin intelektual shqiptar, konsiderohet si një ndër eruditët më të mëdhenj, kushedi sa herë kishte bërë përpjekje ta rrënojë atë kështjellën e inatit homerik të bashkëkohanikëve të tij. Nuk e bëri dot, sepse edhe ai “këmbë krye ishte pjesë e inateve në fjalë”. Të tilla inate kishte me Fan Stilijan Nolin, Shahin Kolonjën dhe me të gjithë kongresistët e Manastirit (hiq mënjanë Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën). Njohësit e mirëfilltë të biografisë së tij thonë, se ai pos që ishte një njeri mendjefemër, njëkohësisht konceptohej a njihej me “higjienën e tij cerebrale” skajshëm të zhvilluar, dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj nuk i duronte po edhe nuk i parapëlqente “retorikat spekulative” të njerëzve që i shkonin vërdallë. Për këtë dhe çështje tjera, Arshi Pipa në vitin 1944, shkroi këtë paragraf briliant “.., e sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.
Mbajmë mend vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ne kalamanjtë e lagjës sonë, “hanim dajak” nga bashkëmoshanikët, dhe kur nuk na e mbante prapanica që t’ ua kthejmë me të njëjtën masë, fillimisht i shanim dhe më pastaj e lakonim atë fjalinë: “Do shihni kur do kaloni kah mëhalla e jonë?” Dhe ata nuk kalonin dot kah mëhalla jonë. Sot dhe si përherë, ka do gjëra që janë dhunti të Perëndisë, ca të tjera janë dhunti të natyrës, do të tjera pjellë të trashëgimisë familjare, politike dhe ca të tjera që me kohë kalojnë në vese negative. E ato mbase duhet të jenë sharjet (një herë në një opinion t’imin kisha shkruar se kjo “dynja e jona shqiptare u kurdis me të shara”). Tekefundit, sharjet tona ishin fëmijënore, ishin sharje të përditshme, mujore dhe “sharje sezonale, siç sot do të thotë doktori i lagjës sonë”. Po cilët ishin sharjet e të përzgjedhurve të popullit shqiptar!?.., rrahjet dhe sharjet mes deputetësh shqiptar, në institucionin ligjdhënës të Republikës së Maqedonisë (para ca ditësh), mos vallë ishin një “delikatesë politike” e zbehtë dhe e shëmtuar, a mos vallë ishte një “sihariq i madh”, një dijarizëm dhe diletantizëm i radhës apo një shfaqje rebelizmi i kurdisur, i sajuar dhe mbase edhe (mos dhashtë Zoti) i porositur!? Pavarësisht se të gjithë ishin me faj, pavarësisht se të gjithë kishin të drejtë, pavarësisht se të gjithë, sot e gjithë ditën vuajnë padrejtësitë e “pronarit të kazinos politike të Shkupit”, pavarësisht se të gjithëve u shteret durimi, megjithatë, atyre nuk mund t’u lejohet që kur do t’ua dojë qejfi e kur do u teket të hapin trastën e tyre të mbushur me: kushedi sa palë mend, me kushedi sa palë siklete, me kushedi sa palë qejfe e fodullëke, me kushedi sa mijë inate, me kushedi sa “furgona” të (mbi)ngarkuar me britma a ulërima, me kushedi sa fyerje që nuk janë në natyrën e burrërisë shqiptare, me kushedi sa e sa derte.., megji-thatë ata nuk kanë të drejtë të fyejnë nënën dhe motrën, ata nuk kanë të drejtë t’i bëjnë “zullum” të drejtës së çdo shqiptari për të qenë në pozitë a opozitë, nuk kanë të drejtë ta kontestojnë mendimin ndryshe.., nuk kanë të drejtë që në “emër të ca budallakive” të tyre që sakaq të nxisin e ndezin armiqësinë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet njëri-tjetri, ata nuk kanë të drejtë të krijojnë gënjeshtra dhe më pastaj tu besojnë verbërisht. Ju të nderuar, që lexoni këtë vështrim gazete, pa më kallxoni e më thoni, se ç’faj kanë nënat dhe motrat tona, ç’faj ka sovrani dhe vota e tij deliberative, e tjerë.
Në çdo profesion dhe në veçanti në kuadër të lëmisë së filozofisë së politikëbërjes, ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh i paragjykuar. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektëve të tyre” të mos konceptohet si ajo e kalamanjëve të vaktit tonë, do të ishte mirë që deputetët a të përzgjedhurit e popullit, refrenet e tyre paranojake t’i zëvendësojnë me ato të arsyes, me ato të aristokratit, me atë të butësisë dhe urtësisë së atdhetarit të mirëfilltë.., dhe, nëse këto nuk do t’i bëjnë, atëherë misioni i tyre politik (zyrtar) përgjithmonë do mbetet si ai mendimi i padrejtë, i paqartë, i paredaktuar dhe në instancë të fundit si ajo Puna e Sizifit.
Thonë, se fukaraja nuk ngopet me bukë, dikush me frymë, tjetri me inate, dikush me cinizëm, me gjëra të paqena, me veprime mashtruese, me sajime të rrezikshme, të kota dhe skajshëm të ulëta.., intelektuali nuk ngopet me perceptime a mendime të kualifikuara, ca të tjerë nuk ngopen me shtrembërimin a nëpërkëmbjen e gjenealogjive të familjeve të njohura, ca nuk ngopen me fjalët dhe buzëqeshjet cinike, ca të tjerë nuk ngopen me thashetheme, me fodullëke, me budallakina dhe të gjithë (toptan) edhe me paragjykime. Të gjitha këto (mos) ngopje nuk ua zgjidhin hallet dhe dertet e jetës qofshin ato materiale, morale, politike, atdhetare e tjerë halle. Askush nuk dialogon me arsye po as nuk merret me qetësi. Dhe kur nuk e bëjnë këtë, atëherë hallin e trashin dhe e shndërrojnë në “Nyjë gordiane”: gjegjësisht në një çështje shumë të ndërlikuar.
Nga kjo mesele e koklavitur që u “hetua” në hapësirat e kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithsecili shqiptar i ndërgjegjshëm detyrimisht duhet të distancohet.., jo nga frika, jo nga hatëri, jo për hirë të përcaktimit partiak (politik), jo për interesat personale a edhe të dikujt.., por thjeshtë për hirë të vëmendjes dhe ndërgjegjës sonë kolektive.., thuaj për mirëqenien tonë materiale dhe kulturore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, Konica, ne dhe britmat

ZËRI YT – SHI I SHPIRTIT TËND TË BARDHË

September 1, 2014 by dgreca

Proze Poetike nga Xhemail Peci/
Sa shumë bie shi në Zërin tënd! Sa shumë shi ka Zëri yt. Sa shumë pika shiu në Zërin tënd! Sa shumë ka rrugëtuar etja për të gjetur tingujt e Zërit tënd! Sa shumë është kredhur nata për t’u dehur në magjinë e Zërit tënd, në butësinë dhe në bardhësinë e tij, në meloditë që u ngjajnë rrëkeve të ujëvarave, në tingujt që u ngjajnë Himneve të Përjetshme të Parajsës. Sa shumë ka shtegtuar Hëna për të pushuar në muzikën e Zërit si një Paqe e Përjetshme, si një marrëveshje e nënshkruar në heshtje: në mes të artit dhe natyrës. Po vallë, bekimi i kujt qe, kur erdhi e ra mbi Zërin tënd? Vallë, kush e ka bekuar kaq shumë Shiun e Shpirtit? Sa shumë kanë rrugëtuar yjet për ta shtruar shtegun e dritës, e rrezja e diellit sa shumë është djegur për ta zënë shpejtësinë e Zërit. E Zanat me Shtojzovallet, sa shumë kanë ecur miteve dhe legjendave, për ta shtruar rrugën me qerpikët e syrit e me gjak të zemrës: andej nga vie ai Zë me forcë prej magjije! Sa shumë kanë folur kanarinat, derisa humbën fjalët në përgjërimin e tyre të pafund! Pastaj, nga dhembja: nuk folën më kurrë. Dhembjen me Zë e thonë, gjithmonë pa fjalë, në një muzikë që flet përmes tingujve, muzikë që i falet Zërit tënd. Sa shumë u dogj kënga e zogjve për dashurinë e plagosur, derisa u poq me Zërin tënd. Sa shumë shi ra në honet e shekujve, e sa shumë pika shiu shkruan kronikat e thërmuara nëpër gurë, në shtegtimin e tyre të lashtë sa dhembja, sa malli. Kronikat e tyre nëpër kalldrëmet e kujtimeve. E vetëtimat e mëndafshta rënë përmbi tufët e trëndafilave të freskët, këpusin dhembjen nëpër meloditë dhe magjitë e tingujve të Zërit. Parajsa u takon engjëjve. E Zemra jote – më e shenjta e kësaj bote – Parajsë e Zërit: nga thellësitë e pafundshme të stendave të muzeut të përjetësisë në krahanorin tënd, dalin si Himne të Zjarrta: Flatrat e Zërit. E Flatrat e Zërit shkëlqimin e Flatrave të Engjëjve e kanë. Sa shumë e duan Engjëjt Zërin tënd, sepse me Zërin tënd si një Bekim i Bardhë Perëndie, e heqin vallen e universit, dhe nga shpirti i luleve e shpirti i shiut, shpirtit të dritës i falin veç amshim. Sa shumë shi ka Zëri yt, sa shumë melodi dehëse, sa shumë hire dhe flatra sa shumë, sa shumë lenta ylberi në shkëlqimin e atij Zëri. Sa shumë shekuj rendën për të folur me Zërin tënd, sa shumë engjëj veshur me të bardha në qiellin e kaltërt: shpalosën mesazhe dashurie në ata tinguj melodie! Sa shumë ranë pikat e shiut – si ca copëza kristali përmbi kujtimet e netëve mbështjellura me vetminë e heshtjes! Për ku rendin ato pika shiu, në butësinë dhe në pafajësinë e tyre, për ku bien ata yje që thërmon nata me hënën e varur si një zemër-klithje e Zërit tënd, për ku digjen ata qirinj të vockël në qiellin blu – si qielli i pafund i syve tu?! Dhe prapë engjëjt, si ca shtegtarë të rrallë nëpër mijëvjeçarë, që nuk duken sheshit por që me fletët e tyre të bardha hije u bëjnë pikave të shiut – tej 77 perdeve të dritës: Përgjërimet e Parajsës si ca poema të përjetshme thurin nëpër pika shiu. Pastaj e shkruajnë emrin tënd të bardhë si një trëndafil në gotë, nëpër xhamat e dritares sate. Pikat e shiut rendin me ritmin e Zërit tënd, e Zëri yt rend me ritmin e Zemrës sate (Zemra jote – më e shenjta e kësaj bote!). E pikat e shiut puthin tingujt e Zërit. Bien në ca melodi gjithë dashuri përmbi fletët e luleve, përmbi krahët e shkruar të fluturave. Me butësinë e Zërit tënd bien. Gjuha e pikave të shiut është më e lashta. Më e lashtë se dhembja e gurit. Me ritmin e tyre, pikat e shiut i flasin gurit me gjuhën që veç shiu e di! Në rrugëtimin e gjatë sa shtegu i dritës, shiu zbret prej shkallëve të qiellit. Engjëjt ngjiten lart përmes bardhësisë së Shpirtit. Gjeniu i Paqes tha se një Gur Hënor që ndrinte në Zyrën Ovale, kishte një moshë prej 3. 6 miliardë vjetësh. Gjuha e shiut është shumë më e lashtë. Sa vetë dhembja, sa vetë malli, sa vetë dashuria. E Zëri yt – si Shpirti yt i Bardhë. Zëri me të cilin Krye-Engjët u flasin botëve: Zëri si margaritarë i rrallë. Të lutem, mos më thuaj se Zëri të takon vetëm ty! Gjuha e shiut u flet gjithmonë gurëve: Është çmendur zë i dhembjes! Më shumë se Zëri yt: Mëshirës Hyjnore, kush do t’i lutet për të treturit dhe të pagjeturit?! Kush e solli Doruntinën? Në netët me shi, kur pelerinë e natës shtrihej mbi Tokën e Arbërit: Kush e solli Doruntinën? Konstantini?! Fjala e dhënë, apo malli? Kush ra mbi muranën e zezë si honet e shekujve tinzarë? Lotët e motrës apo troku i kuajve me krifët e tyre të bardha, të bardha si dallgët e detit shkumbëzuar…Ka kohë që është çmendur zë i dhimbjes!…TË LUTEM MOS MË THUAJ SE ZËRI TË TAKON VETËM TY!…Në agimet e trëndafilta e në muzgjet e portokallta…Më thuaj: Kush u nda (si nëpër mitet dhe legjendat) për herë të fundit nga Poeti i Plisave të Dherit, i Vargut të Gjakut rënë sipër Pragut? Shami e kujt ra e bardhë si një mermer monumental, në qëndismën e fjalëve gjithë shkëlqim filigrani? Kush e paraljmëroi zgjimin e perëndive ilire? Në Tempullin e Dodonës, Elikonën ilire kush e ngjalli? Etlevën dardane kush e nxorri nga kryevepra e Poetit të Përjetësisë: Shenjtëresha duke lexuar?.. Shpresat, kreshta e bardhë e fjalës, lajmëtari i dritës apo ritmi i pikave të shiut në gjuhën me të cilën shiu i flet vetmisë kozmike?! Si lulet zemrën e si shiun shpirtin! Zëri është vetë Shiu. E Shiu është vetë Shpirti. Sa Shpirt i Bardhë! Shpirt i Luleve e Shpirt i Dritës! Shpirti si e Mirushës Ujëvarë. E Engjëjt i flasin Parajsës me gjuhën e pikave të shiut: SHPIRT I BARDHË!…

Filed Under: ESSE Tagged With: Shi, shpirtit tend te bardhe, Xhemail Peci

Liderët politik duhet t’i kthehen qasjes konstruktive

September 1, 2014 by dgreca

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë për organizimin e protestave në shenjë pakënaqësie për shkak se nuk po mund ta fitojnë betejën kundër PDK-së, mirëpo në këtë krizë të thellë politike protestat do ta destabilizonin tej mase vendin/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Në asnjë demokraci të zhvilluar nuk ka ndodhur e as që ka pasur përpjekje për të bllokuar ndërtimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve pavarësisht sakrificave të një apo të disa subjekteve politike që do të mund t’i bënin me atë rast. Ndërkaq tek ne kjo po ndodh dhe kjo që po ndodh është aq naive sa që do të duhej t’iu vjen turp të gjithë këtyre liderëve se në çfarë situate e kanë shpjer vendin. Blloku opozitar nuk dëshiron të bashkëpunoj me partinë fituese, në rend të parë, për shkak të inateve dhe xhelozisë, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kryeparlamentarin mund ta propozoj vetëm PDK. Dhe në këtë lëmsh aq shumë të ngatërruar nuk po bëjnë punë asnjë sugjerim, propozim, këshill e shumëçka tjetër që po adresohet sidomos tek LAN-i dhe subjekti politik që i fitoj zgjedhjet. Secili syresh këmbëngul se e ka të drejtën për ta zgjedhur Kryekuvendarin dhe kështu sipas asaj që njeriu mund të lexon nga ajo çka doli nga Kushtetuesja kjo situatë mund të zgjas me muaj derisa më në fund mund të ndodh eventualisht diçka e papritur pozitive apo ç’është edhe më keq vendi do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të mbretëroj logjika e arsyes
Pas vendimit të Kushtetueses duhet të mbretëroj logjika e arsyes dhe liderët tanë duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre bllokuese dhe të tregojnë shembullin e bashkëpunimit ndërmjet vete në të mirë të vendit, në të mirë të prosperitetit të gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Me një fjalë, liderët tanë duhet t’i kthehen qasjes konstruktive të tejkalimit të këtij ngërçi politik që e ka katandisur në mënyrën më të keqe vendin tonë dhe që në masë të madhe po ndikon në imazhin karshi BE dhe të të gjitha atyre vendeve që e njohën Republikën e Kosovës. Nuk ka me keq, nuk ka më ligështi se sa që vendi të mbetët peng i tekeve, inateve, gjelozisë por edhe i urrejtjes që ndiejnë liderët tanë ndërmjet veti. Kjo po i kushton shumë demokracisë, kjo po e përbuz votën e sovranit, kjo po e degradon gjithë atë që është arritur deri me tash, sidomos në fushën e organizimit të zgjedhjeve, zgjedhje këto të fundit që u vlerësuan me notë kaluese nga BE dhe organizata të tjera të ndryshme kredibile. Sjellja e deritashme jo konstruktive e të gjithë liderëve politik është e pafalshme, e dënueshme dhe shumë e patolerueshme. Nuk është më rëndësi se a do të zgjedhet Thaçi, Haradinaj, Mustafa, në njerën nga postet që kanë synuar, po më rëndësi të madhe është që të tejkalohet kjo krizë politike që nuk po i dihet fundi. Nuk do të bëhet nami nëse në udhëheqje të vendit të nominohen edhe personalitete të tjera. Kosova edhe pse një vend i vogël ajo shquhet për kapacitetin intelektual që kanë njerëzit e saj. Ndaj, nuk do të bëhet kiameti nëse këta liderë i lënë anash lakmitë dhe pa asnjë hamendje t’ua këshojnë vendin të tjerëve në mënyrë që së paku të filloi puna e institucioneve të reja qoftë edhe për një periudhë dy vjeçare, derisa të bëhen ndryshimet e nevojshme të ligjit zgjedhor. Është një absurd i llojit të vetë kjo situatë bllokuese e krijuar: Edhe partia fituese PDK edhe blloku opozitar kanë paralajmëruar zëshëm së do të vazhdojnë dialogun me Serbinë, armike e së kaluarës, por mund të thuhet edhe e të sotmes për shkak të bllokadave që i shkakton Kosovës në shumë procese të integrimit të saj në institucione të rëndësishme evropiane dhe të tjera ndërkombëtare, ndërsa në anën tjetër liderët tanë nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë ndërmjet vete për shkak të tekeve të tyre të sëmura. Kjo është e pafalshme.
Kjo lë të mbetët hera e fundit e krijimit të ngërçit politik
Duke parë se në çfarë situate ka ardhur vendi shtrohet domosdoshmëri e të gjitha subjekteve politike që të reagojnë pozitivisht, të punojnë e veprojnë konform kësaj gjendje të palakueshme që është krijuar në vendin tonë. Sidomos anëtarësia e gjerë në çdo degë e nëndegë duhet t’i “ hap” sytë dhe të fillojnë një përtëritje të udhëheqjes se tyre, apo me mirë më thënë të zhvillojnë një aktivitet të pasur e me përmbajtje në reformat rrënjësore që duhet të pësojnë partitë politike. Po ashtu këto celula partiake duhet të reagojnë ashpër dhe të bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj liderëve të tyre dhe t’ua bëjnë me dije se ata nuk mund të frenojnë demokracinë në vendin tonë për shkak të karrierës së tyre personale. Kjo lë të mbetët hera e fundit e krijimit të një ngërçi politik të këtij lloji sepse sovrani nuk e dëshiron këtë, nuk e votoj këtë dhe nuk duhet të lejoj as tash e as kurrë të përsëritën këso veprime të pakuptimta, apo më mirë më thënë veprime lakmitare që po ndikojnë shumë keq edhe në raportet ndërnjërëzore, që do të duhet kohë për t’i vënë në binarë të shëndosh. Askujt deri me tash nuk i ka shkuar mendja se sa larg mund të shkojnë liderët e sotëm me këto apetite për pushtet , apetite këto absurde që më së shumti po e dëmtojnë qytetarin. Së këndejmi, sovrani lë të mendoj mirë se kujt duhet me ia dhanë votën në të ardhmen , disa liderëve të tashëm që u bën gaz i botës jo se jo.
Protestat do ta destabilizonin vendin
Dardan Molliqaj, nga VV-ja ndër tjera nuk e përjashton mundësinë për organizimin e protestave në shenj pakënaqësie se nuk po mund të fitojnë betejën ndaj PDK-së. A është ky edhe qëndrim i subjektit të tij politik të veprohet kësisoj nuk mund të thuhet, por nëse është atëherë lirshëm mund të konstatohet se këtu nuk ka fare sens politik, sepse një gjë duhet ta dijnë përfaqësuesit e VV-së, por edhe ata të bllokut opozitar se po të fillojnë protestat e të dy krahëve atëherë vendi do të destabilizohet tej mase. Në këtë krizë të thellë politike mjafton vetëm ndezja e një shkëndijë për të filluar ajo më e keqja, ajo që e dëshiron vetëm armiku. Ndaj, larg këtyre thirrjeve absurde e konfrontuese nëse vërtetë këta lider e posaçërisht ata të VV-së ia dojnë të mirën vendit të tyre. Pushteti nuk fitohet në rrugë e protesta, por me votën e sovranit.
Dhe krejt në fund: Edhe Ardian Gjinaj duhet me marrë vesh se është humbës dhe nuk është në nderin e tij që të trumbeton për bllokad, për mosbashkëpunim me partinë fituese. Nuk është fort larg që këtë e dëshiruat. “ Pirolla” i qoftë atij që thenë akullin e angazhohet për zhbllokim të ngërçit politik e jo atij që thërret për të kundërtën. Edhe SHBA-të edhe Zyra e BE-së bëjnë thirrje për respektim të vendimit të Kushtetueses dhe të fillimit të bashkëpunimit të subjekteve politike për ndërtimin e institucioneve të shtetit. Në këtë frymë duhet të punojnë të gjithë.

Filed Under: Opinion Tagged With: duhet t’i kthehen, Liderët politik, qasjes konstruktive, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4431
  • 4432
  • 4433
  • 4434
  • 4435
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT