• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

….”Më bini prapë bre burra, se s’kam vdekë hala!

August 3, 2020 by dgreca

-Nderroi Jete Ndue Mëlyshit, një nga kundërshtarët më të vendosur të pushtetit komunist, i hedhur dy herë nga CIA, si parashutist atë kohë…

– Në mes të këtij rreshti fotosh është babai i tij Gjon Mëlyshi-bajraktar i njohur i Mirditës, dhe ngjitur është djali tjetër, i cili u pushkatua bashkë me 13 të tjerë të pafajshëm,si hakmarrje pas vrasjes së Bardhok Bibës. Ka qenë një burrë mjaft familjar dhe i papërzier me politikëra. Kur e pushkatuan thirri nga gropa ku i kishin hedhur të 14-tët, “Më bini prapë bre burra, se s’kam vdekë hala!…

Një përgjigje për të gjithë…-

Nga Albana M Lifschin-

Sot në mëngjes më paskan ardhur disa mesazhe,shoqëruar me attachment , një artikull i fundit që lajmëronte vdekjen e Ndue Mëlyshit, një nga kundërshtarët më të vendosur të pushtetit komunist pas çlirimit( pas luftës, thuaj! më kanë korigjuar,sepse ” për t’u çliruar, nuk jeni çliruar asnjëherë!) I hedhur dy herë nga CIA, si parashutist atë kohë.Në foton që shikoni, në rreshtin e sipërm është i treti në të djathtë- një burrë i pashëm dhe i mprehtë.Ka jetuar në Buffalo, NY për gjithë jetën e tij. Në atdhe është kthyer vonë ku edhe vdiq në moshën 111 vjeç. Në mes të këtij rreshti fotosh është babai i tij Gjon Mëlyshi-bajraktar i njohur i Mirditës, dhe ngjitur është djali tjetër, i cili u pushkatua bashkë me 13 të tjerë të pafajshëm, si hakmarrje pas vrasjes së Bardhok Bibës. Ka qenë një burrë mjaft familjar dhe i papërzier me politikëra. Kur e pushkatuan thirri nga gropa ku i kishin hedhur të 14-tët, “Më bini prapë bre burra, se s’kam vdekë hala!
Në rrjeshtin më poshtë, në mes, është im gjysh Nikoll Mëlyshi i cili u kthye për të vdekur në atdhe në 1989, në moshën 90 vjeçare por qeveria e Ramiz Alisë e ktheu mbrapsh si të padëshiruar, edhe pse qe babai i Pal Mëlyshit edhe pse nuk i kishte lyer duart me gjak.Kur u kthye në NYC u bë me kancer në pankreas dhe vdiq . Unë pata mundësinë ta përcillja në banesën e fundit. Në funeral u takova për herë të parë me vëllain e gjyshit, Ndue Mëlyshin , zotëria që vdiq pardje. Në foto në krah të djathtë të gjyshit Nikoll, është i biri Gjon Mëlyshi,i cili ka banuar në London Ontario, Canada, bisnesmen i madh, i vetëbërë milioner. Në krahun tjetër të gjyshit në foto është Pal Mëlyshi,i biri, në moshë fare të re. Nëna vëllezërit dhe motra e Palit kanë qenë nga një internim në tjetrin që pas lufte 1945-1957(pasi partizanët u dogjën kullën) 12 vjet plot. Por sa kohë që ishte shpallur familje heroi, internimi as që iu zu në gojë publikut shqiptar.
Në rrjeshtin e fundit gratë e shtëpisë në malsi me të vegjëli. Fotografinë e nxorra këtë mëngjes nga një libër dokumentar,i botuar në NY, i tim gjyshi. Çdo foto ka emrin e vet dhe karierën në atë kohë Kjo është përgjigja për të gjithë , që më pyesin ” Ç’kam të bëj unë me të ndjerin?

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifshin, nderroi jete

Teuta kater Kupa, ne nje Shekull

August 3, 2020 by dgreca

Nga Albano KOLONJARI- DIELLI

Teuta mundi ne finalen e Kupes se Shqiperise, kampionen ne fuqi Tiranen me rezultatin e paster 2-0. Te dyja skuadrat zbriten ne fushen e blerte te stadiumit kombetar “Air Albania” duke mbajtur mbi supe 200 vjet histori futbollistike. Qe te dy klubet, Tirana dhe Teuta (Klubi Sportiv Urani, Uranium Sport Club)  jane krijuar ne vitin 1920. Tirana ne 100 vjetorin e themelimit te saj fitoi pak dite me pare titullin Kampion. Ndersa te dielen ne mbremje, ishte Teuta ajo qe ne kete vit jubilar arriti te fitonte trofeun e Kupes se Shqiperise. Kjo ishte kupa e kater qe durrsaket fitojne ne “karrieren” e tyre 100 vjecare. Teuta tregoi me shume deshire dhe vendosmeri per ta fituar kete ndeshje . Djemt e detit kaluan ne avantazh ne minuten e dyte te takimit me ane te Rustem Hoxhes. Tirana kerkon te reagoje, por sulmi bardheblu nuk funksionon sic duhet. Ne pjesen e dyte, pas nje gabimi amatoresk te mbrojtesit bardheblu Kristi Vangjeli, mesfushori i Teutes Emiliano Villa, shenon golin e dyte per durrsaket duke i dhene Teutes trofeun e shume kerkuar. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini arriti nje sukses te merituar.  

“Falenderoj Martinin, i cili ka bere nje punë shume te mire. Kete Kupe  ia dedikoj qytetit per ato qe kane kaluar gjate ketij viti te veshtire. Na ka munguar fati ne te kaluaren.  Por ne e merituam kete trofe ne kete 100 vjetor”, u shpreh per Super Sport Presidenti i Teutes Edmond Hasanbelliu.   “Ishte nje fitore krejtesisht e merituar. Kisha frike dhe i thoja Zotit mos e degjo Egbone. Me jepnin çunat kurajo kur une dukesha pesimist, kur ishin ata, u jepja une kurajo. Ishim nje ansambel qe dihmuam njeri-tjetrin dhe arritem ne ketë pike. Kallaku eshte larguar nga ekipi dhe lene shume boshllek. Duhet te bejme afrime cilesore,  dhe vetem atehere mund te konkurrojme me skuadrat e tjera që po bejne afrime. Gjithsesi Teuta e meritoi Kupen”, shprehet per Super Sport tranjeri Edi Martini. 

Fitimi i Kupes se Shqiperise nga Teuta nuk deshperoi vetem bardheblute por edhe korcaret. Skenderbeu u rendit ne vendin e katert ne Kategorine Superiore dhe nese Tirana fitonte, korcaret do ta regjistronin emerin ne listen e Liges Europiane, dhe pavaresisht se nuk do te luanin do te ulnin me nje vit denimin e mare nga UEFA. Kjo eshte here e kater qe Teuta behet fituese e Kupes se Shqiperise. Interesant eshte fakti qe tre nga kater Kupat e fituara Teuta ka triumfuar perballe Tiranes. 

1995 Teuta-Tirana 0-0 4-3 me penallti

2000 Teuta-Lushnja 0-0 5-4 me penallti

2005 Teuta-Tirana 0-0 6-5 me penallti

2020 Teuta-Tirana 2-0

Filed Under: Sport Tagged With: 1 shekull, 4 Kupa, albano kolonjari, Teuta

Presidentja e Zvicrës nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji

August 3, 2020 by dgreca

-Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e Ditës Kombëtare nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji me mirënjohjen”Heroinë e Përditshmërisë”-

Nga Elida Buçpapaj- Voal.ch – Këtë vit 1 Gushti Festa Kombëtare e Zvicrës u kremtua në mënyrë të veçantë.E megjithatë, nën rregullat që dikton situata pandemike e koronavirusit, u festua nëpër familje, rrethe shoqërore e komunat në të 26 kantonet.

Po ashtu Presence Swisse hapi një faqe online për diasporën zvicerane nëpër botë.

Fishkzjarret shkëlqyen qiellin helvetik prej natës të 31 korrikut deri pas mesnatën e 2 gushtit.

Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga për ta kremtuar këtë ditë me kaq rëndësi kombëtare zgjodhi një mënyrë shumë të veçantë.

Në Rütli, në vendin që quhet “djepi i Zvicrës” buzë Liqenit të Lucernës, atje ku çdo vit kremtohet festa zyrtarisht, për të patur të pranishme gjithë Konfederatën, zonja Sommaruga kishte ftuar për çdo kanton nga një grua dhe burrë që ishin dalluar për kontributin e tyre gjatë pandemisë. Po ashtu ishin të ftuar edhe 2 përfaqësues të “Zvicrës të Pestë”, sikur quhet diaspora zvicerane. Gjithësej 54 përfaqësues, të cilëve  zonja Sommaruga u ndau mirënjohjet për kontributin e tyre të çmuar në përballimin e krizës, duke i quajtur ata “Heronjtë e Përditshmërisë”.

Në fjalën e saj zonja Presidente nënvizoi faktin se “forca e Konfederatës është solidariteti”. Ajo përmendi me nderim ndihmën e qytetarëve të Zvicrës në mbështetje të më të dobtëve dhe të moshuarve  me qëllim përballimin e situatës të jashtëzakonshme, që jeta e vendit në kushte aspak normale të vijonte normalisht, duke filluar nga supermerkatot, farmacitë, mjetet e transportit publik, por jo vetëm. Në ato momente të vështira u dëshmua solidariteti zviceran i qytetarëve për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë blerje dhe u ardhur në ndihmë atyre që kishin vështirësi ekonomike.

“Sot dua të them faleminderit. Faleminderit atyre që bënë blerje për të moshuarit në lagjet e tyre, atyre që i shërbyen vendit tonë pavarësisht virusit, stafit në spitale, stafit të shitjeve, punonjësve të hekurudhave, drejtuesve të kamionëve, fshatarëve, punëtorëve në vendet e ndërtimit dhe stafit në shtëpitë e të moshuarve “: këto ishin fjalët e Simonetta Sommaruga në kremtimet zyrtare për 1 gusht. “2020 ishte viti i koronavirusit, tha ajo, “por shpresoj që të quhet edhe viti i solidaritetit”.

Ceremonia po për shkak të situatës korona zgjati vetëm 90 minuta dhe prania ishte shumë e kufizuar, gjithësej ishin 150 të pranishëm.

Midis të nderuarve ishte edhe shqiptaro-zvicerania Xhemile Fetaji, me origjinë nga Gostivari, e cila mori direkt nga Presidentja e Zvicrës mirënjohjen bashkë me nga një fidan molle, që do të mbjellen në kantonet ku jetojnë.

Xhemile Fetaji është dalluar për kontributin e saj shembullor gjatë pandemisë si shitëse në Migros. Xhemilja ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë periudhës të lockdown.  Xhemilja është shumë aktive në jetën sociale. Këtë vit kandidoi për parlamentare në zgjedhjet lokale të kantonit të saj.

Për voal.ch Xhemile Fetaji tha: “Dje ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta hiç natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Aktiviteti kishte një organizim të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Kur filloi ceremonia më prekën shumë fjalët e Presidentes, zonjës Sommaruga, kur na u drejtua dhe tha :” Ju me siguri e keni pyetur veten pse pikërisht unë jam e ftuar këtu!” Edhe unë kur më erdhi ftesa për Rütli i kisha bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse unë. Sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj unë, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne, 54 përfaqësuesave nga e gjithë Zvicra. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Voal.ch e uron për këtë nderim duke i uruar suksese të tjera./Elida Buçpapaj

**** Bisedë me Xhemile Fetajin,e nderuar nga Presidentja e Zvicrës me mirënjohjen si “Heroinë e Përditshmërisë” Nga Elida Buçpapaj

Në ceremoninë zyrtare me rastin e 729 vjetorit të Ditës Kombëtare të Zvicrës kishin një ftesë të veçantë 54 zviceranë, që përfaqësuan nga dy persona të dy gjinive 26 kantonet përfshi Zvicrën e Pestë, sikurse quhet diaspora zvicerane. Ata ishin të ftuar në kremtimet festuese me Presidenten e Konfederatës Simonetta Sommaruga-n në Rüetli, “djepin e Zvicres” kur më 1291 u lidh besa, u firmos pakti i përhershëm dhe lindi Konfederata Helvetike. (CH)

Ky vit është shumë i veçantë për shkak të koronës që kërkon respektimin e rregullave. E megjithatë, zonja Sommaruga e shfrytezoi Festën Kombëtare për të falenderuar e shprehur mirënjohjen një grupi qytetaresh që simbolikisht përfaqësonin atë komunitet që, në kushtet e lockdown-it, i shërbyen vendit duke bërë që jeta të përvijonte normalisht.

Midis atyre të cilët Presidentja e Zvicrës i quajti “Heronjtë e përditshmërisë” në kohë krize, ata të cilët nuk “e respektonin” sloganin “stay home be safe” ishte edhe Xhemile Fetaji, një shqiptaro-zvicerane me origjinë nga Gostivari, e cila në mënyrë shembullore i shërbeu qytetarëve si shitëse në Migrosin e Steckborn, qytezë me rreth katër mijë banorë në kantonin e Thurgaut në verilindje të Zvicrës buzë Liqenit të bukur të Konstancës.

Dje kur biseduam Xhemilja ishte me plot emocione.

“Kur znj.Sommaruga na tha gjatë ceremonisë nëse i kishim bërë pyetjen vetes “përse unë jam ftuar në Rütli” unë në fakt ia kisha bërë vetes këtë pyetje”, më tregoi ajo.

Xhemilja është një “heroinë” e lockdown-it, periudhës kur ne ishim të këshilluar të rrinim të mbyllur dhe të dilnim nga shtëpia vetëm pēr domosdoshmeritë tona, sikur jane blerjet e ushqimeve, shkuarja ne postë, farmaci, mjek etj.etj.

“Gjatë gjendjes lockdown” më thotë Xhemilja, “u ndryshuan krejt planet e punës. U desh që ne të punonim pa plan, sepse, sapo i vendosnim mallet dhe ushqimet në raftet e Migrosit, ato zbrazeshin menjëherë, aq shumë bliheshin nga qytetarët.”.

E kush nuk i kujton ato ditë plot zymtësi kur njerëzit mbushnin karrocat me majë për të krijuar rezerva sa më të mëdha për familjet e tyre që nga mielli, majaja e bukës deri tek letrat higjenike që zhdukeshin nga raftet e supermerkatove sa hap e mbyll sytë, pa marrë parasysh se gjithë ditën mediat në Zvicër qetësonin popullatën duke u thënë se nuk ka asnjë arsye për shqetësim se dyqanet do të jenë gjithmonë plot e përplot, e, megjithatë, të qetësohej popullata ishte e pamundur.

“Kur i shihja raftet e zbrazura dhe njerëzit që mbushnin karrocat, të merrte frika, kaq e tmerrëshme dukej situata”, vazhdon të më tregojë Xhemilja. “Shefi më thirri me ndihmu 2 orë plus, por nuk dilnin as dhjetë orë për të mbushur raftet nga ku mallrat bliheshin menjëherë. Dukej qartë që njerëzit kishin frikë. Frikë kisha edhe unë. Por kujtoja njerëzit nëpër botë që vdesin për një kore buke, ndërsa ne jetojmë në Zvicër me gjithë të mirat.” “E megjithatë”, ngulmon Xhemilja për një situatë që unë e njihja shumë mirë, “dukej sikur do të niste lufta. Çuditesha, por bënim gjithçka që të plotësoheshin kërkesat e blerësve, edhe kur disa kishin dëshira speciale, kur kërkonin papaya apo letër higjenike të aromatizuar. Atë periudhë, prej ngarkesës së punës unë në shtëpi isha shumë pak e pranishme dhe bashkë me bashkëshortin jemi shumë krenarë se fëmijët tanë (kanë dy fëmijë, djale e vajzë, Emirin dhe Emirën përkatësisht 12, 15 vjeç) nē atë periudhë aq të vështirë u organizuan shumë mirë, studionin vetë dhe u treguan shumë të përgjegjshëm edhe pa ndihmën time. Sepse unë nuk kam punuar 100% por 200% se më duhej që t’iu ndihmoja kolegëve, rrija pa orar në punë, në shërbim të blerësve. Dhe fëmijëve u them gjithmonë të ndihmojnë, të japin ndihmën e tyre sa herë të kenë mundësi. ”

“Përveç kësaj”, vijon Xhemilja, “në mbrëmje kur kthehesha, kisha kontakte përmes WhatsApp-it me shumë gra shqiptare në kantonin e Thurgaut, ku u sqaroja situatën, masat mbrojtëse kundër koronës, u jepja informacion, i pyesja si i kishin hallet, si shkonin me bashkëshortët, u jepja këshilla atyre me fëmijë të vegjël. Ishte ky një angazhim ndryshe nga ai i Migrosit, por edhe këtë e bëja me shumë përkushtim.”

Xhemilja kësaj pranvere në zgjedhjet lokale ishte kandidate e PS për parlamentin në Kantonin e Thurgaut. “Ylfeten e kam shembull, por më duhet ende pune”, më thotë ajo. E ka fjalën për Ylfete Fanajn, anëtare e parlamentit të Lucernës. Ylfetja ka lindur në Prizren. Bijë emigranti. I jati ishte punëtor ndërtimi, ndërsa Ylfetja gjatë 2020/21 drejton parlamentin e kantonit të Lucernës. Arritje të paimagjinueshme për dy dekada më parë!

Më tutje, Xhemilja më tregon: “Nē mëngjes fillonte ngarkesa e punës nga e para. Kishte njerëz që dëshironin t’jua çonim mallin në shtëpi. Kishte të moshuar që më vinte shumë keq kur i shihja të mundoheshin dhe i ndihmoja e ua çoja vetë blerjet nëpër shtëpi”.

“Kētu në Steckborn më njohin të gjithë!”, më thotë Xhemilja dhe pa dashur ajo i kishte dhënë përgjigje pyetjes: “Përse kishte marrë ftesë për në Rütli”.

Të gjithë ne banorët e Zvicrës në ditët kritike të rrezikut eksponencial të përhapjes të koronës, në mungesë të plotë të maskave, sepse me Kinën ku importoheshin ishin pezulluar fluturimet, ndërsa Franca e Gjermania kishin maska vetëm për vete, nuk harron frikën, si një paranojë kolektive kur të duhej të dilje nga shtëpia për blerje, ndërsa shitësit nëpër supermerkato të dukeshin kushërinj me ET, Samaritanë të Mirë apo superheronj.

Xhemilja është njëra prej tyre. Pjesë atij komuniteti që sakrifikuan pēr interesin e përgjithshëm kombëtar. Së bashku me ushtrinë e mjekëve, infermierëve dhe ekipet ndihmëse nëpër spitale.

Presidentja e Zvicrës në fjalën e saj gjatë ceremonisë midis të tjerave tha se “2020 ka qenë viti i koronavirusit, shpresoj se 2020 të jetë edhe viti i solidaritetit”, duke e nënvizuar këtë tipar të Konfederatës. Jo më kot motoja kombëtare e Konfederatës Helvetike është: “Unus pro omnibus, omnes pro uno” –
«Einer für alle, alle für einen» – “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Biseda jonë u përmbyll duke më treguar për ceremonë e kremtimeve në Rütli. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi me Presidenten e Konfederatës, por Xhemilja është plot emocion: “Dje”, më thotë ajo, “ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta fare natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Ceremonia ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Moderatorja ma shqiptoi emrin shumë bukur. E falenderova. Zonja Sommaruga na takoi. I dhurova disa produkte të kantonit tonë. Bëmë edhe foto. Isha me fat sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Presidentja e Zvicres, Xhemile Fetaji

Dr. Vjosa Osmani përkrah kërkesat e infermiereve

August 3, 2020 by dgreca

Kryeparlamentarja Dr. Vjosa Osmani përkrah kërkesat e infermiereve: Angazhimi juaj, jetik për ruajtjen e shëndetit të popullatës–

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, priti sot përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, të kryesuar nga z. Fitim Havolli, kryetar i kësaj organizate sindikale.

Në takimin me ta, znj. Osmani çmoi lart angazhimin e pakursyer të infermierëve në gjithë vendin për ruajtjen e shëndetit të popullatës. Në mënyrë të veçantë ajo e theksoi rolin e pazëvendësueshëm të tyre në menaxhimin e pandemisë.

“Puna juaj në ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e prekur me virusin Covid 19 është tepër e rëndësishme”, tha ajo.

“Por, krahas këtij trajtimi, komunikimi social dhe aspekti psikologjik, të cilin ju po ua ofroni pacientëve të prekur nga ky virus, është po kështu shumë i rëndësishëm”, nënvizoi znj. Osmani.

Më tej, znj. Osmani tha se është në dijeni me vështirësitë me të cilat ballafaqohen punonjësit shëndetësorë, në veçanti infermierët, trajtimi i të cilëve nuk është i dinjitetshëm. Ajo i siguroi përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve se, si kryetare e Kuvendit do të ushtrojë rolin e saj që infermierët të kenë trajtimin e duhur, sidomos tani në kohë të pandemisë.

“Sikur kam nënvizuar edhe më herët, se mostrajtimi me dinjitet i infermierëve dhe i stafit tjetër shëndetësor, konsideroj se afekton jetët e qytetarëve tanë”, theksoi znj. Osmani.

Përfaqësuesit e sindikatës, nga ane tyre, e njoftuan kryetaren Osmani me angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë, por edhe me vështirësitë me të cilat po ballafaqohen si profesionistë shëndetësorë, pasi që janë jo vetëm të mbingarkuar, por edhe në numër të pamjaftueshëm, pasi që një numër infermierësh janë prekur tashmë me virusin.

Në mënyrë të veçantë, sindikalistët e shtruan çështjen e moszbatimit të ligjit dhe kompensimin e ulët për orët e kujdestarisë së infermierëve. Prandaj, ata kërkuan zbatim të ligjit si dhe plotësim të tij.

Në fund, Kryetarja Osmani premtoi që do t’u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të ngritura dhe konfirmoi se do t’i adresojë tutje ato.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dr.Vjosa Osmani, Infermieret, perkrah

KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!???

August 3, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?-

Nga Frank Shkreli-

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të Enjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij. 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini). 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri. 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend. 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s. 

Frank Shkreli

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Frank shkreli, komunistet, kryeministri, kryeministri Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT