8 vjeçari kosovar në luftë në Siri, nëna lut bashkëshortin t’ia kthej djalin/
Inkuadrimi i kosovarëve në Siri merr përmasa shqetësuese. Pranvera Abazi, 30 vjeçe nga Prishtina, thotë se bashkëshorti i saj, Arbeni, kur shkoi në Siri para disa javësh, me vete dhe pa lejen e saj e mori edhe djalin, Erionin.
Fëmija i çiftit kosovar është vetëm 8 vjeçar dhe shihet në Siri në shoqërinë e luftëtarëve të ISIS’it.
Pranvera kërkon me dëshpërim që kushdo që e mban ta kthejë sa më parë në Kosovë djalin e saj të vetëm, raporton KTV.
Ka gati dy muaj që Pranvera Abazi imagjinon vetëm një skenë sa herë që nis dita e re – kthimin e djalit të saj, Erionit, në shtëpi.
Erioni, 8 vjeç, që duhej të niste klasën e tretë javën e ardhshme, është në Siri. Atë e ka marrë me vete babai i tij, Arbeni, që ka shkuar atje për të luftuar krah ISIS’it dhe kundër forcave të Assadit.
Nëna e tij është tmerruar kur ka parë sot fotot e para që prej largimit të dhunshëm të djalit. Ai shihet me të tjerë fëmijë dhe me luftëtarë të rritur, me gishtin lart – shenjë që Zoti është një – dhe me flamurin e ISIS’it. Pranvera, 30 vjeçe, kujton momentin kur e ka parë për herë të fundit djalin e tij, pasi që bashkëshorti i kishte thënë se po shkonin për disa ditë në Rugovë.
1 javë më pas gjithçka që ka marrë Pranvera është ky mesazh nga Arbeni, në të cilin ai vetëm i tregon se bashkë me Erionin është në Siri, raporton KTV.
Pranvera thotë se kurrë nuk e ka menduar që Arbeni do të mund ta merrte djalin me vete, edhe pse vetë kishte dhënë shenja se do të shkonte për të luftuar.
Në gjithë këto javë, Pranvera ka folur vetëm një herë me Erionin në telefon.
Derisa vazhdon ta ketë shumë të vështirë ta kuptojë arsyen pse Arbeni e mori djalin me vete, Pranvera e lut atë dhe këdo tjetër që mban Erionin që ta kthejë së më parë në shtëpi.
Policia e Kosovës ka bashkëpunuar gjithë këtë kohë me familjen dhe po bën gjithçka që është e mundur të gjejë rrugë për ta kthyer fëmijën në shtëpi.
Si Erioni besohet se ka edhe të tjerë fëmijë kosovarë në Siri, e që me gjasë atje kanë shkuar familjarisht.
Pjesë e luftimeve të ISIS-it në Siri e Irak janë edhe fëmijë të moshës 12-13 vjeçare. Pasi e ka sulmuar në Irak, SHBA-ja po planifikon ta sulmojë këtë organizatë edhe në Siri.
Në çfarëdo rrethane Pranvera vazhdon të shpresojë që Erionin do ta lejojnë të kthehet aty ku është më i sigurti – pranë nënës së tij.(gazeta EXPRESS)
Toleranca fetare, një vlerë e rrallë e shqiptarëve
Nga Bujar Nishani*/
Është një nder dhe një privilegj i madh edhe për mua të jem sot mes jush, e të marr pjesë në këtë Festë të Shenjtë. Dëshiroj të falënderoj nga zemra për ftesën drejtuesit e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, autoritet vendore dhe e mirëprita me lumturi të veçantë pjesëmarrjen në këtë festë, që po bëhet gjithnjë e më shumë mbarëshqiptare.
Gjatë këtyre ditëve festive, ky Mal i shenjtë pret krahëhapur e shtrëngon në gjirin e tij mijëra e mijëra besimtarë bektashianë, por edhe shtegtarë të devotshëm që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, madje edhe nga Diaspora e madhe shqiptare nëpër botë.
Bukuria mahnitëse e këtij Mali, flora dhe fauna e këtyre rrethinave sa të ashpra, aq edhe magjike, trevat që e rrethojnë përqark si diamante të një kurore xhevahiresh shqiptare, njëra më e mrekullueshme se tjetra, të banuara nga njerëz bujarë, fisnikë e mikpritës – të gjitha këto kanë lindur, frymëzuar, ushqyer poetë, luftëtarë e atdhetarë shqiptarë ndër shekuj, por kanë ngjallur edhe ndjenjat krijuese të artistëve, piktorëve e shkrimtarëve të huaj përgjatë shekujve.
Dëshiroj që të përshëndes e të vlerësoj kontributin dhe veprën e drejtuesve të nderuar bektashinj që nga Baba Abaz Aliu, Vëllezërit Frashërlinj, e deri te i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhin – por, veçanërisht sot Haxhi Baba Edmond Brahimajn, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, i cili vazhdon traditën e shkëlqyer të veprimtarëve të palodhur në konsolidimin e dialogut shoqëror dhe ndërfetar.
Këtu, është gjithashtu vendi dhe momenti të përkulemi me respekt dhe të përshëndesim kontributin e dhënë nga Andon Zako Çajupi dhe shumë rilindës të tjerë, kleriku Ali Turabiu, Perikli Ikonomi apo edhe piktori i madh anglez, Eduard Lir, të cilët me veprat e tyre kanë evokuar vlerat natyrore, historike, atdhetare, fetare dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të mrekullueshme.
Ashtu siç tregon dhe një nga legjendat më interesante të kësaj zone, mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë, dhe kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë.
Jo më larg se disa më parë, Papa Françesku duke shpjeguar arsyet pse do të vizitojë vendin tonë më 21 shtator, vuri në dukje se Shqipëria ka ditur të krijojë unitetin e saj kombëtar të bazuar në vlerat e tolerancës, harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar. Përfitoj nga ky rast i bekuar për të vënë në dukje e theksuar një vlerë sa të rrallë, aq edhe të natyrshme të popullit e vendit tonë: bashkëjetesën historike e tradicionale mes feve në Shqipëri, ku pasuesit e gjashtë feve ushtrojnë krejt lirshëm e në harmoni të plotë me njëri-tjetrin besimin e tyre shpirtëror.
Kombi shqiptar e ka mbrujtur, ushqyer, ruajtur dhe përsosur këtë bashkëjetesë, harmoni dhe tolerancë fetare përgjatë shekujve. Vërtet rilindasi ynë vizionar Pashko Vasa pat shkruar vargjet legjendare: ‘’Feja e shqiptarit është shqiptaria’’, por themelet e shëndosha të bashkëjetesës sonë fetare ne kemi ditur t’i ndërtojmë duke ndërthurur tharmin e besimit që i bashkon njerëzit, pavarësisht se si i falen Zotit tonë të përbashkët, me doket dhe zakonet më të mira shqiptare të besës, mikpritjes, nderimit dhe respektit për mikun dhe tjetrin që mund të jetë ndryshe nga ne.
Kjo bashkëjetesë, harmoni e tolerancë është kontribut dhe fryt i bashkësive fetare shqiptare, i përfaqësuesve dhe drejtuesve shpirtërore, të cilët predikojnë me urtësi dhe devotshmëri mësimet e shenjta dhe parimet e shëndosha të moralit njerëzor, por mbi të gjitha, këto vlera u përkasin qytetarëve shqiptarë, të cilët i ruajnë e i lartësojnë ato dita-ditës.
Këto vlera të patjetërsueshme, këto visare të çmuara të kombit tonë ne jo vetëm do t’ua lemë trashëgim brezave të ardhshëm, por do t’i përçojmë dhe eksportojmë edhe në mozaikun e vlerave të shumëllojshme të familjes së madhe evropiane, aty ku aspirojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt e me merita të plota edhe zyrtarisht, e jo vetëm gjeografikisht.
Fati i shkruar nganjëherë na ka vënë krah për krah apo përballë njëri-tjetrit me ide, bindje fetare apo politike të ndryshme, por duke qenë se kërkohen sakrifica të përbashkëta dhe duke pasur parasysh se që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e në harmoni, kam bindjen e palëkundur dhe optimizmin e pashtershëm që do t’ua dalim mbanë bashkërisht edhe sfidave të ardhshme të integrimit dhe zhvillimit të gjithanshëm për ta konsoliduar e lartësuar akoma edhe më shumë imazhin e Shqipërisë sonë të përbashkët në të gjithë botën.
Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke vrarë, burgosur e syrgjynosur klerikët e duke shkatërruar objektet e kultit – përpjekje që arritën kulmin absurd në vitin famëkeq 1967 kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u vetëshpall i vetmi vend ateist në rruzull.
Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të Malit hijerëndë e kreshtathinjur, në Tomorin e lashtë, që përpos madhështisë së tij karakteristike, ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik e natyror.
Gjatë këtyre pesë ditëve të mirësisë bektashiane, kur faleni e bëni kurban për shëndetin tuaj, për familjet, për mbarësinë, për pjellorinë dhe kohë gjithnjë e më të mira për vete, jam i sigurt që lutjet dhe urimet tuaja shkojnë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, për të ardhmen tonë sa më të sigurt, të begatë e krenare.
Prandaj urimi im i vetëm, sot, këtu, mes jush, urimi që më del nga thellësia e zemrës, krahas mirënjohjes edhe një herë për ftesën që më bëtë, është: Paçi përpjetë ditë të tilla të hareshme e të lumtura, plot shëndet e harmoni në këtë truall të bekuar shqiptar!
Zoti e bekoftë vendin tonë! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo ku janë! Gëzuar! Mbarësi në familjet tuaja!”
*Fjalimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në ceremoninë tradicionale të pelegrinazhit bektashian në Malit e Shenjtë të Tomorit, që u zhvillua në mjediset e Teqesë së Kulmakut.
KUJTESA SOCIALE DHE KULTURA E SHKRIMIT…
…për Luftën e Vlorës, 1920 në optikën bashkëkohore/
Pamje e përgjithshme shqiptare e periudhës së 1920- ës nga syri i shkrimit europian/
Shkruan: MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Janë mbi 45 studiues që janë marrë instensivisht qysh atëherë, që e vrojtonin dhe e shkruanin Shqipërinë me lentet e tyre kulturore. Mund të përmendim (sipas rendit alfabetik) studiues të tillë si: Baldacci, Bouè, Brailaford, Callan, Chumckv, Cozem – Hardv, Cozzi, Cvijic, Degradd, Dumont, Edlinger, Eliot e deri tek Nvoni, Windish,Wirthi etj, të cilët i japin edhe virtytet, edhe veset e shqiptarëve. Mis Durham thotë se të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë muhamedanë, as të krishterë: feja për ta është një formë e jashtëzakonshme, diçka fare formale. Kanë rregull të madh për mbledhjet. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Ndodh, thotë, që pas vrasjes iu vjen keq për plumbin…Njw tjetwr studiues, Woods, bën këtë portret: “Shqiptari është i egër, luftarak, tolerant në çështje fetare, i pabindur por besnik dhe i ndershëm”.
Etnografi, gjeologu dhe paleontologu hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa: 1877 – 1933) ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë v. 1903 – 1922 dhe për herë të parë përdori metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të Mesdheut dhe të Azisë së Afërme dhe ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Duke folur për karakterin e shqiptarëve Baroni Nopça, qysh në fillim të studimit kërkimor shkencor në Shqipëri, thekson se, për të asgjë nuk është më e zorshme se sa të njohë një i huaj thelbin e karakterit të një populli dhe “asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes se sa ta përshkruajë atë pastaj në mënyrë objektive dhe siç ndodh realiteti” .
Nga natyra shqiptarët e asaj kohe janë cilësuar si krenarë, luftarakë, gjaknxehtë, sensibël, me moral shoqëror, sidomos në lidhje me femrat qëndron shumë lart, që bëjnë shumë shpenzime për mikpritje dhe festa. Por Jastrebovi thotë sikur mikpritjen shqiptarët e kanë dogmë, sikur kanë prirje për t’i zmadhuar gjërat, sikur janë dinakë, gënjeshtarë dhe hipokritë, sikur janë armiq të këshillave të mira, idololatër të një nderi të gabuar, nuk durojnë cënimin botërisht të gjërave të shenjta. Ippen bën një prerje horizontale ndër shaljanë dhe quan kapadainj, që tëdobëtin e përdorin keq, pse nuk merren me grabitje, po kështu banorët e Nikaj – Mërturit. Seksualitetin as që e njohin. Jarav gjen që shqiptarët janë luftëdashës, të prapambetur, kanë inisiativë, janë të guximshëm dhe kundër çdo lloj autoriteti. I quan partikularistë, të cilët fillojnë të dyshojnë sa herë kërcënohen të drejtat e tyre. Studimi i punimeve që ata kanë lënë për vendin tonë është ndoshta një mozaik kompleks për ne, ku shfaqen metaforikishtbanorët e tokës dhe qiellit shqiptar me të gjitha ngyrat e ylberit. Me shumë prej mendimeve të tyre nuk mund të jemi dakort, por ato janë “rekorde” të regjistruara në Kujtesën e Shkrimit të Botës dhe janë, ndërkohë, për studimet tona e të tjerëve, të huaj apo vendas, referenca se si na shikojnë ne të tjerët, ngaqë mungon ajo edhe ajo ndarja e famshme që na ka pëlqyer, që si historinë, si këngën ta reduktojmë në një ndarje kaq binare (bardhë e zi). Shumë nga udhëtarët, studimet e të cilëve kemi lexuar, janë objektivë në shënimet e vlerësimet e tyre, pavarësisht se diku, ku ata na mburrin, ne krenarohemi e na ngrihen veshët dhe diku, siç dhe perifrazuam grimca, ku ata na shajnë (më saktë, jo na shajnë, por na nxijnë portretin, ndoshta ashtu paska qenë) ne mërzitemi, ulim kokën, ulim veshët dhe fillon të pllenohet urrejtja për ta në psikën dhe shpirtin tonë. Për informacionet e të huajve, që sipërpërmendëm, i shikojmë me lente kulturore për të parë më mirë, për çka na shërbejnë në funksion të Njëzetës. Hecquard nënvizon se, në rast lufte, në Shqipërinë e Veriut, çdo shtëpi pajiste një burrë, pavarësisht nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të shtëpisë.
Ndërkohë historiografia dhe kujtesa sociale e LV njofton se në Beun, më 1920 u mblodhën nga çdo fshat shtëpi e burrë e burrë e pushkë. Merr dimensione të reja informacioni historik dhe folklorik që na vjen për atë ngjarje, se në LV ndihmuan, biles morën pjesë edhe gratë. Kur flet për sjellje e zakone të shqiptarëve, kur shkruan për Shqipërinë, sakrifikuar për interesat e Europës, Ismail Qemali thekson: “Tre objektet kryesore të përkushtimit të shqiptarëve janë: nderi i tij, familja e tij dhe atdheu. Ai preferon vdekjen përpara një çnderimi që nuk është larë”. Nga të pashkruarat dhe të pathënat për Njëzetën, edhe sot e kësaj dite, në Vlorë, nga më moshatarët që rrojnë akoma dhe që kanë një kujtesë të admirueshme, mund ta shprehim mendimin sipas tyre se “Njëzeta qe një luftë që çeli e shpërtheu nga rubineti i çesmës morale. E vërteta është se italianët bënë punë e ndërtuan goxha në qytet. Çuan rrugë deri në mal të Çikës. Për interesa të tyre, patjetër, por edhe nevej mirë na bënej. Kishim interesin tonë, se po zhvillonej vëndi. Këtë e dinin dhe e shihnin të gjithë. Këtë e shohni dhe ju sot. Se, ja, fjala vjen, godinën ku është Bashkia e Vlorës dhe Qarku e ka bërë italiani. Po ku qëndron problemi? Këtu ndryshon puna, se ata e shkelën në kallo shqiptarin, vlonjatin, labin. Ulën krenarinë e shqiptarit, e prekën atje ku s’mba më, e cenuan në moral, (mos qesh), i prekën nderin, gjënë më të shenjtë. Të futemi në kohë, more bir, e të flasim. Në atë kohë kishte tradita të mira që ishin ligj i pashkruar për njerëzinë. Ajo psikologji e kulturë zotëronte mënyrën e jetesës, zakonet tona, sjelljet, fejesat, martesat, vdekjet, këngët që keshëm, të gjitha çar’ bënim. Kështu duhen parë gjërat e gjykojmë kollaj pastaj. Kur flasim për dje, do gjykojmë me atë mendje; kur flasim për sot, kemi të tjera kondita e raporte, tjetër psikologji dhe edukatë më të avancuar. Sipas vëndit, kuvëndi, e more vesh djalo?! . Logjika e bisedës, nga e cila shkëputëm këtë paragraf, që mendojmë se përfaqëson jo vetëm mendësinë e tyre, por mentalitetin e kohës të komunitetit vlonjat, na dikton të gjykojmë se, jo gjithmonë diversiteti kulturor prodhon gjëra të mira, të bukura dhe të dobishme. Në atë kohë shqiptarët ishin konservatorë, italianët me frymë liberale. Ai sfond psikologjik nxorri në pah, me një reliev dhe efekt të mahnitshëm, ngjarjet e asaj vere të vitit 1920. Fjala e vjetër “shqiptari për një nder rron” ndezi sedrën e banorëve, të kryefamiljarëve, të burrave të shtëpisë, të mëhallës, të fisit, të lagjes, të fshatit, të krahinëzës, krahinës, parësisë, burrave të kazasë, se kështu klasifikoheshin në atë kohë burrat, sipas hierarkisë trimërore – morale e atdhetare. Për cenimin në nder, krisi pushka. Vendasit nuk u treguan miqësorë me ata që nuk erdhën si të tillë. Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, që prishi “kavalierllëkun” e atyre që e quanin se s’kishte ndonjë problem të kullosje në kopsht të tjetrit, në “baçe” të botës… Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, nga e cila shpërtheu ndjenja e kolektivitetit për t’u bashkuar si një trup i vetëm, deri sa të vihej nderi në vend. Kjo logjikë dhe praktikë e drejtë luftarake bëri që të lindte dhe të forcohej edhe ndjenja e solidaritetit me LV. Ndërsa optikën e ndriçimit të historisë së LV e kemi nga profesori ynë i nderuar Muin Çami, gjykojmë të paraqesim dhe të interpretojmë, për herë të parë, edhe një autor tjetër të huaj, vepra e të cilit (ku përfshihen dhe shënimet e tij për LV) nuk ka qenë e njohur për ne më parë, sepse vonë është botuar në gjuhën shqipe.
Në vitet ’20 sistemi arsimor në Shqipëri ishte shumë i kufizuar. S’kishte program ndërkombëtar ndihmash, vetëm lakmi e interes shfrytëzimi.
Miranda Vickers është një analiste e ngjarjeve bashkëkohore, e cila, ndër botimet e tjera, ka botuar edhe librin “Shqiptarët – një histori moderne” (“THE ALBANIANS A Modern History”). Ç’ka e bën më interesant këtë monografi, është edhe detajimi i qartë i sjelljes së qeverive perëndimore me fatet e Shqipërisë, me një informacion të jashtëzakonshëm e koherent edhe për mënyrën se si u copëtua territori shqiptar (fushë e pa eksploruar apo e papublikuar deri në fund, asnjëherë deri më sot nga studiuesit e nivelit akademik, shqiptarë apo të huaj.
Autorja na sjell një histori marramendëse të Shqipërisë, edhe për atë periudhë kohore, (që kemi në fokusim të kësaj kumtese), pa lënë mënjanë edhe përçarjet e mëdha të vetë Shqiptarëve brenda për brenda . Tekstin e lexojmë në këtë formë: Në vitet ’20 sistemi arsimor në vend ishte tejet i kufizuar. Gjithashtu, nuk kishtendonjë program program ndërkombëtar ndihmash me asistencë ekonomike dhe teknike për Shqipërinë, për të vcilat ajo kishte nevojë të modernizohej e zhvillohej.“Prandaj edhe vendi ishte detyruar të mbështetej në ndihmën që jepnin në forma të ndryshme agjenci dhe individë filantropë”.
Ka gjasa që, pa mohuar kurrë fajet dhe përgjegjësitë e fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha, që dominuan 20 vjeçarin e parë të shek. XX, kemi vërejtur se ne, shqiptarët e kemi më kollaj t’ja lëmë tjetrit dopio gjashtën, t’ja ngarkojmë gjithë barrën e përgjegjësive të huajve e për vete dalim të larë, s’kemi asnjë faj, por vihemi në radhë për t’u shpallur njëri më hero se tjetri. Dhe kemi këtë interpretim: Ndoshta është ravijëzuar, fatkeqësisht në skenën e asaj kohe edhe një element negativ, siç ishte mercenarizmi i kollajshëm i disave, siç thonë banorët. Po seç m’u kujtua një fjalë e vjetër, që aplikohet edhe sot e kësaj dite në viset jugore të vendit, që thotë: “O balo të hëngërt tënja/ se e ke të keqen brenda”, te vetvetja pra, te bashkësia jonë. Ky fakt dhe libri i Vickersit na nxjerrin në evidencë një problem lokal (lokaliteti shtrihet nga Preveza e Janina, nga Sazani e Gjirokastra, nga Vlora e Prishtina, nga Labëria e Drenica, nga Skrapari e Berati, nga Tirana e Dibra, nga Shkodra e Hasi, nga Tuzi e Plava, nga Peja e Gjilani, nga Ulqini e Mitrovica…). Shqetësimin na e shkakton një virus i rrezikshëm i tërbimit kulturor që quhet “INDUSTRIA E DEKORATAVE”.
I FTUAR NE SOFREN E DIELLIT-ROLAND GJOZA
Roland Gjoza/
NE VENDIN TIM NUK KA TE VARFER/
ne vendin tim nuk ka te varfer/
malli i ka marre shqiptaret per nje arne/
per nje fete buke me marmalate/
po s’ka/
te gjithe pijne uiski me akull/
xhin irlandez, rum xhamajke/
e kane lene rakine me shije katundare/
mishi piqet ne hell, peshku ne grille/
dhe buke s’hahet fare/
se eshte e turpshme te hash buke te zeze/
ne vila rrojne/
te gjithe vila kane/
makina te shtrenjta gjermane
dhe kafenete si atje si gjen ne asnje vend tjeter
rrojne te lumtur ne vendin tim
aq sa nje pendim me ze e me gerryen
pse ika dhe e lashe ne ditet e keqija
kur demokracia po pillte nje foshnje te vdekur
po foshnja u ngjall
u be i shendetshem
ka per te gjithe
per te gjithe ka!
s’ka te papune ne vendin tim
per papunesine i ka zene malli shqiptaret
duan te vine ne amerike
po ne shqiperi milioner behesh brenda dites
se aladini llampen magjike aty e humbi
e gjeten kusaret
deshira e pare ishte te kthehen
te ikurit si une
ne atdhe balta eshte me e embel se mjalta
keshtu kendon cajupi
dhe ka para me thase
do? merr! ka per te gjithe!
s’di c’te besh me pare me parate
kane vendosur te ndihmojne ameriken
ne vendin tim nuk vdes
e po kjo s’durohet
ne amerike vdesin perdite
ne amerike nuk rrohet!
kthehuni, o plangprishes
te madhe po e bejme zemren per ju
vec pa nje dru nuk do te shpetoni
na e keni prure ne maje te hundes
se mos na e beni shqiperine si ameriken
mjere ju
po i patet keto mend
ne hu do t’ju ngulim, ne hu!
dhe prej baltes si mjalte s’do t’ju japim te ngjeroni as nje pike
kthehuni o plangprishes, skllever te amerikes
te fitoni lirine!
NE NJU JORK NUK SHOH SHUME SI TY
ne nju jork nuk shoh shume si ty
por rralle, shume rralle, has ashtu humbshem
floket e tu te shkurter bionde
me krela ala merilin monro
te vihem pas
si ne vitet e hershem
po rruga eshte e shkurter, oh, sa e shkurter
nga starbaksi te makina jote ngjyre krem
ajo te pret fillikat te gejsi
dhe ti je fillikat
nje fanepsje si nje reklame
galaxy tete
po
ne nje reklame je shnderruar
shkelqen bujshem mbi nju jork
ngre koken
dhe te shoh
ah, sa me trondit e me dhemb pamja jote
s’je vetem imja, po e te gjitheve je
imja ishe, vetem imja, ne ato kohe
per here te pare me ty behem kaq xheloz
s’te kam me
ne nje skute intime te ruajta me shume mall
tani duhet te te nxjerr
mallkimi rente mbi galaxy tete
me shume te dua
dhe keshtu te humbur
sa budalla qe jam
i kendoj nje vajze tetembedhjetevjecare
ndersa kane kaluar dyzete e pese vjet.
OQEANI ATLANTIK ESHTE NE MUAJIN E DASHURISE
oqeani atlantik eshte ne muajin e dashurise
dhe hena ka nje purpur prej turpit
rri ne breg dhe veshtroj kopjen e yjeve ne uje
tmerresisht i vetmuar
ti s’erdhe te shikonim meduzat
kur bashkohen dhe bejne seks ne muzg
kam mbetur me hijen time
lexoj volterin ironikun e madh
po dashuria do dashuri
nje vere vallezoi me mua biondinka ruse
kercimin e kish epsh trulloses
po dhe finese e kish
volter, ti me ngushellon me perbuzjen per femrat
po une jam poet dhe femren e dua
jam gati t’i puth gjurmen e kembes
dhe ne gjurme t’i derdh vere te kuqe
aty te gjunjezohem dhe te ve buzet
s’ka gje se me la per nje tjeter
qofte fati i tij
per mua nje tjeter biondinke ruse
do te hape qepallat te me fuse brenda
bashke me volterin qe do te na qeshe
po ku i dihet, mund dhe te ktheje mendje
pastaj gjoksin do ta cjerre
te me nxjerre dy gjinjte e medhenj
gojen do te ma hape plot epsh
qe une brenda te fuse gjuhen
me vargjet mjalte te eseninit
shagane, shpirti im, shagane
me bekofte perendia, i bekofte dhe femrat ruse
packa se do te na talle volteri
TANI DHE QIRINJTE
tani dhe qirinjte s’me bejne pune
dhe vera s’me deh si me pare
llafazan dhe qesharak s’me ben si dikur
kur isha i bukur
jam forma e fundit e rolandit
shoh maskat qe mbeten udheve
i lashe pas
forma e formave ende s’eshte shfaqur
kur lilaku blu te ngjyhet me muzg
dhe vajza e re te shterngoje gjinjte
dhe te flere me duart mes kofsheve
duke shternguar me dhembe kujtimin e saj
si luani kelyshin
do te ve dhe masken e fundit
formen e formave
qofsha buze oqeanit
te kapem pas bishtit te nje pulebardhe
dhe te jap frymen ne ajer
midis dy bluve
TE KAM DASHUR
te kam dashur dhe kur ishe semure
me nje luge caji te fusja ne goje ilacin e hidhur
dhe me nje tjeter mjaltin
te kam dashur dhe kur me mua u ftohe
ta beja qejfin me dhurata te cmuara qe s’mi cmoje
te desha dhe kur me le pas dore
pothuaj me harrove
vargjet e mia s’te benin me pershtypje
une vazhdoja te kisha instinktin e qenit
per te zotin
te kam dashur dhe kur s’te kisha
dhe ne endrra te kam dashur kur me tradhtoje
te kam dashur pa e kuptuar
se poetet vetem duan
dhe prej se bukures kurre s’mund te ftohen.
PERMBYS U SHTRIVE
permbys u shtrive dhe me s’u ndjeve
floket te kullonin uje ne fund te shpines
te shkonin poshte qe fundin te lepinin
floket e zinj me shume muzgje brenda
henen s’e linin te dilte
me shputa e mbaje detin te mos vinte
forma te perkryera si rrafshulta dhe kodrineza
vija nazike te dukshme dhe te fshehura
gjeometri e mishit me rrathe dhe trekendesha qe shperbeheshin te vrimat
kaq shume ngjitur e kaq shume fshehur pergjysme
shenja epshi qe ulerijne dhe mashkullin ne kembe e bejne te gjunjezohet
asgje nuk vlen me teper se nje permbysje
mbi ate permbysje qe pret se mbari te kthehet
te jape te gjitha hiret dhe gjeometria e mishit prej seksit serish te ribehet.
TI DEL PREJ FOTOGRAFIVE
ti del prej fotografive
kjo eshte e dhimbshme
te ngul nje thike ne zemer
ti del prej fotografive bardh e zi
dhe me zhyt ne kujtime
me te shtrenjtat gjera ishin nje bilete kinemaje
kur ndalohej hyrja nen 16 vjec
se filmi ishte me dashuri
dhe nje zup te flora
une me feshfeshe
ti me fustan terital me pala dhe nje fjongo qe te zgjidhej
po sa i tmerrshem qenka kujtimi bardh e zi
ne kete bote me ngjyra
virgjerine ta cvirgjerojne gratacielat…
Ndëgjo o populli im!
Nga Fahri Xharra/
Me mundësitë e mia e kam ndarë dhimbjen me popullin tim. Unë, duke lexuar për ne u brumosa dhe u dashurova në kombin tim sepse në momente të vështira ku shihej karakteri ynë , karakteri i vërtetë i një kombi ne dualëm faqebardhë. Por fatkeqsisht i pava edhe të metat të cilat u paraqitën pas luftës së fundit ; disa të meta që nëse nuk i largojmë do të jenë fatale për ne si komb . Unë nuk do të isha i sinçert sikur përkundër lavdeve që i kam të mos i cekja edhe anët tona të mbrapshta.
E kishim një të kaluar të shkëlqyeshme , pas së cilës erdhën shekujt e mjerimit ,okupimi 500 vjeçar turk i cili na e humbi … krejt çka i erdhi për dore. Por, përkundër këtij 500 vjetshi t`errët , paraardhësit tanë ,të ngërthyer nga lemeria e okupimit kanë qëndruar te forte ndaj fesë kombëtare , kanë qëndruar besnikë ndaj paratëparëve tonë. E kemi popullin heroik , dhe mund të them me plot të drejt që ushtarët tonë të luftës së fundit nuk ishim tjetër por vet kombi ynë. E kemi popullin atdhedashës. Nuk njoh popull tjetër që është aq legjendar si populli im.
Ne nuk e pranuam zotin ashtu si na e diktonte Bibla apo Kur`ani, por e krijum zotin tonë shqiptar ,si ishte Skënderbeu !
Por të vashdojmë me lavdërime, jemi shumë mikpritës e kemi besën që nuk e ka askush ; jemi popull demokratik , me të vërtetë demokratik e jo në stilin e politikajve. Ne e çmojmë njeriu si njeri e jo se çka mbathë e vesh ,dhe çfarë titulli ka fituar. Ne e kemi popullin me plotë ndjenja bamirësije , dhe çfaqemi sit ë tillë mu atëherë kur duhet. Jemi krenar ! Jemi popull inteligjent , i ktjellët dhe shumë i mençur. Nuk kemi krahasim .
Ndoshta nuk do të më hidhëroheni nëse do t`i shënoj të metat tona.
Nuk jemi punëtor të mëdhenj ashtu si themi sepse për punën e sotit zakonisht e presim të nesërmen. Pasojat dihet: asgjë nuk e kemi mbaruar. Oh! sa shumë kohë i kemi humbur kombit tonë me përtacinë tonë. Por kjo e ka arsyen e vet : sepse në 500-600 vjetshin e fundit ne kemi punuar kot së koti dhe është pasuruar robëruesi. Edhe një gjë , populli im , ne e kemi humbur falemnderimin : kërceva ujin , e dh… kalin !
Me të vërtetë jemi shumë pafalëmnderues. Në mesin tonë kemi shumë të pasur të cilët hargjojnë nevojë e pa nevojë vetëm për t`u treguar ; dhe nuk japin asgjë për ata që kanë sakrifikuar. Udhëheqësit tonë , edhe pse kohë pas kohe i rikujtojnë në mënyrë pompoze data e shënuara , por ata e dijnë që kur vendi ishte pranë vdekjes dhe duhej flijuar , nuk kanë bër asnjë gjë vetëm se janë kujdesur që të ruajnë personin e tyre te
çmuar: vetvetën !!! dhe pastaj e çfrytëzuan fatëkeqësinë kombëtare për t`u vetpasuruar..
Më intereson të dij se çka kemi bër për invalidët e luftës. E dini që ne më së keqi i trajtojmë ata, se në asnjë vend tjetër. Derisa ministrat dhe ish ministrant , parlamentarët dhe ish parlamentarët t` ashtuquajtur profesionalist të politikës që në të shumtën e rasteve kanë bër shumë pak për atdheun por më shumë për mbushjen e xhepave të tyre , kujdesën që edhe më tutje mos t`iu ndalet kroi i të ardhurave , të tjerë e kanë ëndërr një limonatë të kënaqsisë.
“ Inteligjencën” e kemi , “intelektual” jemi që nga zyrtari me i ultë deri tek ministrat.
”Inteelgjenca “ e Kosovës asgjë nuk bëri për vendin e vet ,por vetëm brengosej që t`afërmit mos t`i hjekin keq. Disa , duke u kthyer pas luftës në atdhe nga një luftë që as që ishin pjesëmarrës , e nderuan vetëm veten e tyre. E t`mos flasim për luftarët e vertetë që po kerkojnë kanaqe nëpër mbeturina për të mbijetuar.
Si çdo qenje amorale ashtu edhe disa nga nga ne , nga “inteligjenca” dhe “luftëtarët “ krekosen me forcën që e kanë , dhe në vend të pozitivitetin na mbushen me minusa.
Ata në vend se të na ndërtojnë na shkatrruan, ata janë vatra e qelbësirës dhe e prishjes morale nga e cila ne të gjithë po vuajmë. Nëse kështu vahdojmë e pat Kosova!
Interesante, të “ngopur “ me monizëm , populli i m i dashur e lakmon dhe e madhëron “shumë partillëkun” dhe liderët e tyre agallarë ( partiak)
E dijmë forte mire që ata funkcionarë na e mposhtën ardhmërinë. Vetitë e këtyre politikajve dhe funkcionarëve “profesional” që i kemi na e humbën krenarinë e vendit. Dhe fatkeqsisht ata gjithëçka për ne e ndër ne. Nëse një vend i ri e kërkon një njeri të ri atëherë kërkojmë nga partite tona të na zgjedhin militanitin ( komunizmi i njejtë)
“ Ai mund të jetë më i padijshmi , më i panderëshmi, por nëse është “mbrojtës” i partisë , ai e mbikalon më të fortin dhe më të mençurin . Funkcionarët, o populli im i kemi të kualitetit ZERO.
Një frymë e rrezikshme po fryen dhe po e “ajëros “rininë dhe po i a fikë zjarrin e atdhetarisë. E shofim që tek ata është ngritur xhelozia dhe mëria. Rinia ynë e ka mendjen vetëm aty ku janë paratë , në çdo cep të botës dhe vetëm te ketë para.
I riu i sotit devijoi nga edukimi që e kishte. Djelmoshat dhe gocat mendojnë dhe janë të bindura që shteti duhet t`iu siguron jetën e jo që ata ta sigurojnë shtetin. Mos na ardhtë që ta shofim këtë bindje.! Nga erdhi kjo? Sepse e panë që në vendin tonë dija , aftësija dhe trimëria janë të kota. , se për të qenë dikush në këtë sipërfaqe duhesh të jesh i ndonjë partijeje që ata që e kanë shtetin ta japin një shtytje mëtutje.
O popull , sa keq e kemi punën ! Në rast nevoje , rinia më nuk vdes për atdhe, të kotë e kemi sepse ajo poi sheh gjërat me sytë e saj.
O populli im, mos të lejojmë që shpirti i pastër i rinisë të kalbet në këte kohë qelbësire!Në komb që dijti të tejkalon fortunat shekullore të njëpas njëshme , nuk guxon të kundërmon arratisje , tradhti , prostitucioin , dëshprim demoralizim-
Ah , që nuk e patëm një Shqipëri si duhet, se edhe ne do të ishim ndryshe !
( Arçibald Rajs , një zvicran , pasi që punoi 15 vjet për një shtet të Ballkanit ( ata e kishin paguar ) , më në fund u largua shumë i dëshpruar nga ata. E shkroi një letër në vitin 1928, të cilën e përpunova dhe përshtata pë kohën që po e kalojmë .