NJË PROTOKOLL QË DUHET TË VIHET PARA “GJYQIT TË PUSHKATIMIT”!?/
Nga Fadil LUSHI/
Ne që (në vijimësi) bëjmë përpjekje, po edhe kohë pas kohe mëtojmë të “shkarravisim” diç për dashamirët e fjalës së thanë a edhe të shkruar, fillimisht kërkojmë ndjesë që do të “fusim hundët” në zanatin e gjuhëtarëve të mirëfilltë. Njohësit e sintaksës së gjuhës shqipe, me bindje të plotë, me kompetencë dhe me gojën plot do të thonë se çdo fjalë, fjali si dhe çdo paragraf i shkruar para se të shohë dritën, fillimisht kërkon që t’i bëhet lekturë e mirëfilltë. Përveç kësaj, është me rëndësi që edhe çdo protokolli t’i bëhet redaktim serioz. Nëse e gjithë kjo i mungon një protokolli, a cilësdo qoftë fjalë të shqiptuar, të shkruar e të botuar, atëherë ai do t’i ngatërronte lehtësisht mendjet dhe perceptimet e njerëzve…. Tekefundit, fjala e shkruar dhe e shqiptuar ka për detyrë të hetojë a të përcjellë mesazhe të qarta dhe të gjalla nga përditshmëria jonë, qoftë ajo pamore, dëgjimore, politike, sociale, kulturore, po edhe religjioze apo quajeni si të doni ndryshe.
Çuditërisht dhe si për inat, Tiranës zyrtare i përsëriten ca vaki të pahijshme, sidomos kur ndërtohen protokollet a edhe kur sillen vendime të rëndësishme, qofshin ato politike, arsimore a edhe kulturore.
Vakia 1
“Dikur moti gjegjësisht me 12 prill të motit 2006 ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, tani kryeministër në detyrë i dha çelësin e Tiranës dhe e shpalli qytetar nderi këngëtarin nacionalist serb Goran Bregoviq”. Mos vallë Edi Rama nuk e dinte se Bregoviqi ishte një nacionalist i përbetuar serb, mos vallë nuk e dinte se këtë “çelës” nuk e meritoi…, apo, në instancë të fundit, krejt këtë e bëri për hir të “internacionalizmit proletar”!?
Vakia 2
Në vitin 2012 në Tiranë, përzgjidhet…
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me kodin 1002 për botimin e abetares së përbashkët, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013”. Fillimisht duhet të themi se kjo abetare teknikisht mund të jetë e përbashkët, por assesi nuk mund të konceptohet si mbarëkombëtare nëse ke parasysh faktin se në ndërtimin e këtij teksti didaktik, nuk morën pjesë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi si dhe ata të Luginës. Mos vallë këtë nuk e kishte në dijeni ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministri i arsimit Myqerem Tafaj. Ku ta dijë njeri. Unë hiç nuk e di.
Vakia 3
“Muajin prill të këtij viti, Televizioni Klan ftoi këngëtarin nacionalist serb Zdravko Çoliq që të marrë pjesë në festivalin tradicional “Kënga ime”…, madje ai çmendi një sallë njerëz në TV Klan dhe ndezi opinionin publik”. Vizita e këngëtarit shovinist serb, Zdravko Çoliç, në Tiranë nuk mund të thuash se ishte ndonjë befasi e radhës…, përkundrazi ishte vazhdim i budallakisë kolektive të politikanëve të Tiranës. Do të ishte korrekte sikur kësaj “vakie” t’ia shtonim atë shpjegimin që i dedikohej Goran Bregoviqit dhe nikoqirit të tij. Besoj se i shkon a i përshtatet (së paku sipas mendimit tim).
Vakia 4
“Marrëveshja e shumëpritur për unifikimin e kurrikulave mësimore parauniversitare midis Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkrua dje (2.6.2014) në ambientet e Kryeministrisë, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, së bashku me homologun e saj Ramë Buja kanë firmosur kështu marrëveshjen për kurrikulat mësimore në një ceremoni të posaçme të organizuar me këtë rast… Sot u krye, ia dolëm të unifikojmë sistemin parauniversitar midis Kosovës dhe Shqipërisë…, kjo marrëveshje përbën një ditë historike, u shpreh ministrja Lindita Nikolla”. (Zëri i Popullit) E nderuara ministre Linditë…, unë mendoj se “kjo sot nuk u krye”, së paku për ne që jetojmë këtej kufirit administrativ! Pas krejt asaj që u tha në kuadër të së ashtuquajturës abetare e përbashkët, mendojmë se do të ishte e tepërt që kësaj vakie t’i “qëndisësh çfarëdo arsyetimi tjetër, po qoftë ai të jetë edhe konicanian”!
Vakia 5
Një fjalim (gjithsesi i paredaktuar) nostalgjik, nacionalist apo edhe i “pushtetshëm” u hetua disa ditë më parë në kryeqendrën e shqiptarëve, kur u përurua Kisha katedrale ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit”. ”Thashethemexhinjtë” thanë se atë ditë “Tirana për një moment u shndërrua në qendër të ortodoksisë botërore”! Ky fjalim shovinist, nacionalist, agresiv, komik, poaq edhe tragjik, doli nga goja e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili shumë kohë më parë “bekonte paramilitarët serbë për masakrat e njohura të tyre kundër shqiptarëve të Kosovës”. Nuk “harroi” ta përmend edhe atë fjalinë politike dhe nostalgjike se “Kosova dhe Metohija për serbët janë pjesa më e shenjtë”. Se u hetua edhe ajo pjesë ngushëlluese nuk diskutohet, por ama se në të kishte edhe ca paragrafë denigrues dhe poshtërues fajet i ka kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Anastasi, gjegjësisht Fortlumturia e tij Janullatos, mandej Tërëlumturia e tij Patriarku Vartolomeu i Stambollit (i cili lëre që nuk e “kundërshtoi” pjesën denigruese të fjalimit të Irinejit, por edhe e heshti këtë…, komunikologët thonë se edhe “heshtja është një delikt i keq verbal!?), si dhe “protokolli me paterica” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në fakt Irineji m’u duk sikur të ishte më shumë një politikan, sesa një besimtar i devotshëm serb, më shumë m’u duk si një “iluzionist”, sesa një serb që nuk u hiqet dot kollaj “ëndrrave të superioritetit”…, një njeri që nuk çlirohet nga paragjykimet, njeri që nuk gjykon drejt “vërtetësinë e historive të popujve tjerë”, nuk “asimilon” shpresat, ëndrrat, po edhe iluzionet, se një ditë do ta (ri)pushtojnë Kosovën dhe Metohinë.
Ky vështrim nuk iu imponua artikullshkruesit, përkundrazi iu detyrua ta bëjë si të tillë. Ne në këtë shkrim (jo qëllimkeq) deshëm vetëm ta “rilindim” të vërtetën sa i përket vakisë së Goran Bregoviqit, ndaj vizitës së Zdravko Çoliqit, ndaj asaj “abetares mbarëkombëtare” që asnjëherë nuk u duk këtej pari në Maqedoni, Mal të Zi a edhe në Luginën e Preshevës. Ne në këtë shkrim nuk parashtruam pyetje logjike se pse në “Unifikimin e programeve mësimore” nuk u përfshinë edhe shqiptarët e Maqedonisë!? Ne, në fjalimin e Irinejit nuk “kërkuam” gjymtime sintaksore (s’është korrekte ta bëjmë atë, sepse nuk e njohim atë shtyllë të gjuhës dhe të letërsisë serbe), përkundrazi kërkuam t’i shohim ato argumente historike që pamëshirshëm dhe tmerrësisht denigrohen dhe zhbëhen nga ana e të parit të Kishës Autoqefale Serbe, Irinej, ndërkaq për sa i përket mesazhit që ai e përcolli në fjalimin a retorikën e tij besojmë se të gjithë e kemi të njohur dhe mbase të qartë.
Tekefundit, ky vështrim dhe të tjerët, sa janë personale, poaq janë edhe publike dhe nëse e sheshojnë të vërtetën, atëherë nuk mund të përthyhen, nuk mund të paragjykohen a të mbeten në mjegull. Fjala e shkruar kritike ka nevojë që pareshtur të rilindet. Nëse do të mungojë e gjithë kjo, atëherë fjala e shkruar “do të hyjë në konflikt me vetveten” dhe ashtu pamëshirshëm do ta “ekzekutojë identitetin e saj” dhe definitivisht, do të flakë dhe do të zbehë mesazhin që duhet ta përcjellë ajo. A mos vallë, politikanët e Tiranës, njëherë e përgjithmonë do të duhet që protokollit të tyre t’i bëjnë një “redaktim” ndryshe gjegjësisht paksa më serioz. Fatkeqësisht, këtej pari hapësirave tona akademike dhe intelektuale, nuk duket dot njeri i cili të keqes (që na ka kapur për fyti) t’ia lidhë litarin për qafe?
P.S.
Këtë shkrim ia dedikoj Nënës Nazë, asaj që më dhuroi arsyen!
NJË NDODHI NË AUTOSTRADË
Tregim nga KRISTAQ TURTULLI/
Prej njëzet vjetësh nuk ish parë një dimër i tillë. Ditë e natë ra borë e rëndë. Pastruesit e rrugëve dhe autostradave s’kishin kohë të merrnin frymë. Pastronin dëborën dhe hidhnin kripë. Atëherë kur shpresohej dhe lutej të ngrohej moti, të çelte sythi. Retë e zeza si djaj me brirë, zgjidhën ushkurët, shtrydhën të brendshmet dhe derdhën shi të ngrirë. Natyra u vesh në argjend marramendës, me rëndesë torturuese kristalore. Bukuri e egër, aq sa të mbahej fryma prej mahnitjes dhe frikës. Pemët varën kryet në tokë, si pleq të mykët, u thyen, u shkalafitën me krisma të thata. Toka lëngonte nën ngricë. Pastaj ra prapë dëborë.
Në mesin e muajit maj u bë ngrohje e menjëhershme e motit. Pemët e sakatuara dhe lulet nuk patën kohë ti gëzoheshin shpërthimit të sythave. Nxitimthi dolën gjethet e gjelbra si në një përrallë të lashtë Vikingu. Indianët e fisit të vjetër ‘Thika e verdhë’, që jetojnë larg në veri, thanë se po çmendën muajt dhe vitet…
Dielli shkëlqen sikur të verbon dhe toka fërgëllon si lehonë… Ngrohja e nxituar na imponoi dëshirën për të shkundur plogështinë, apatinë, dimrin e gjatë, të mërzitshëm. Arratisur. Ikur, përtej stresit, zhurmës dhe rrëmetit. Gruaja tha të shkonin në ujëvarën e Niagarës.
Makinën tonë që e drejton djali, nuk e ngadalëson shpejtësinë. Me të njëjtin ritëm, të harbuar me makinat e tjera. Kur afrohet mesdita, piku i fluksit të trafikut bëhet gjithnjë e më i madh. Një herë më shkrepi, të ulja pak xhamin e dritares. Mu shurdhuan veshët prej zhurmës, fishkëllimës së erës, fërshëllimës së fërkimit të rrotave, rezonancës se përplasjes dhe të kthimit pas.
Nxitim. Vetëm ikje, shpejtësi, gati në çmenduri. Norma më zakonshme e shekullit të njëzetenjë. Kaptojmë me mjete lëvizëse qindra kilometra në ditë, në hapësirën e pamat. Fushë, fushë dhe prapë fushë. Ankohemi trishtueshëm për ditën që është çuditërisht e shkurtër këtej nga Amerika e veriut.
Prej asfaltit të nxehtë, ngrihet avull i rëndë. Përpara, tutje, përtej lumit të makinave, ku nuk përfundon horizonti, është krijuar një masë e madhe kristalore. Përfytyroj mirazhe dhe eklipse të ndryshme. Ndoshta ka mbetur pezull ndonjë lëngim, psherëtimë, pezmatim i pamerituar i plakushit dimër, të larguar.
Lumi makinave ngarend pa ndërprerje, në njërën nga autostradat më të rëndësishme të Amerikës së veriut. Në autostradën me shumë krosi, 401. Shoferët e mjeteve i ngasin makinat të përqendruar, përpara, në horizont. Ku besohet se ngrihet pezull masa fosforeshente e pritjes dhe nuk dallohet koka e gjarprit të madh, metalik. Makinat përpijnë qindra kilometra. Ngutje e paparë, shpejtësi, edhe një minutë e ditës është e shtrenjtë. Ndërsa ne pasagjerët e tjerë, të lidhur me rripat mbrojtës, qëndrojmë në ndenjëse gjithë apati, në pritje, për të mbërritur sa më shpejt në vendin e dëshiruar.
Papritmas vargu i gjatë i makinave, u drodh, u shkund, nisi të ngadalësojë shpejtësinë. Mu duk sikur përbindëshi metalik pësoi një ngërç, paralizë, derisa ndaloi. Mjetet lëvizëse u ngucën gjithë padurim pranë njëra tjetrës për të përfituar qoftë e disa metra prej autostradës. Dridhja e urave, shfryrja e nëndheshme, tendosja marramendëse, harbimi i tërbuar, sforcimi, përqendrimi, sikur u shfry. Zhurma dhe fërshëllima e rrotave u platit. Oshtima bëri një qark të mbyllur pastaj qëndroi në vend. Zhurma e erës u fashit, u tërhoq, u fsheh në muret ndarëse. Vetëm dielli i nxehtë qëndroi në kupetë qiellit. Në autostradën e madhe ku qe përzierë, betoni, hekuri dhe brenda mjeteve, njeriu, u ndeh një qetësi acaruese.
-Çfarë ndodhi?!- më pyeti gruaja dhe mbështeti kryet në ndenjëse. Atë e kishte lodhur përgatitja për udhëtim.
-Nuk e di,- i thashë.
Djali s’ foli, vuri bërrylat në timon dhe vështroi përpara me indiferentizëm. Ula xhamin e makinës.
– Patjetër duhet të ketë ndodhur aksident,- dëgjova që foli dikush me frikë dhe nervozizëm nga krahu u majtë.
-Përse aksident!- psherëtiu një mesogrua e shëndoshë, me gjoks të madh nga Fiati ngjyrë kremi dhe shtrëngoi timonin. Psherëtiu përsëri dhe mbështeti kokën në supin e mikeshës që kishte pranë:- Sa të ngjethën kjo fjalë.
-Të ketë vërtet aksident?- më pyeti gruaja.
Ngrita supet. Edhe mua kjo fjalë më krijonte në gojë një shije të hidhur. Udhëtarët filluan të bëheshin nervozë prej frikës së pranishme, ndalesës së paparashikuar dhe ngjarjes së papritur. Vështruan orët.
-Nuk duhet parë ora, -u dëgjua një zë nervoz.
-Të bllokohesh në autostradë, sidomos në autostradën 401, është njësoj sikur të biesh në lak. Përpara, prapa, majtas djathtas, je i rrethuar prej makinave. Jo pak por njëzetekatër korsi. Presim me ankth shkëputjen, lëvizjen dhe mos shohim orën! – foli nga e majta, një grua e re, bionde prej makinës të gjelbër Honda.
Nga të katër anët ulën me ngutje xhamat e makinave. U hodhën vështrime të zbardhuara, të pashpresa, përtej, ku gjendej shkaku i ndalesës dhe bllokimit tërësor të autostradës. Gjarpri i madh metalik i makinave qëndronte shtrirë, i tulatur, pa lëvizur mbi asfaltin e nxehtë.
-Ndoshta është aksident i rëndë,- foli nga e majta, gruaja e re, bionde prej makinës të gjelbër Honda dhe me keqardhje vështroi sy picërruar, tutje. Pastaj ktheu kryet nga i shoqi që gjendej në krah: – Një qind herë thashë, të lutem, mos i biem autostradës. S’më dëgjove. Ja shihe ç’po ndodh. Pardje u bllokova tre orë në autostradë për shkak të një aksidenti. Në të djathtë, disa dhjetëra metra më tej, ishte kryqëzimi Shepart dhe Kill dhe unë nuk mund të hyja dot. Parandjenjat e mia nuk më gabojnë.
Shoqi, një burrë ezmer, e vështroi me përulje dhe nuk i ktheu përgjigje.
-Së paku të lenë një korsi, për lëvizje,- u grind një indian e dobët me çallmë në kokë nga Nisani i kuq.
-Ashtu posi, duhet një korsi,- ia bëri çifti aziatik me fytyra të rrumbullakëta dhe sy të vegjël prej Tojotës vishnjë. Sytë u lëviznin me shqetësim. Gruaja hapi duar dridhur termosin dhe piu ujë me ngut, pastaj e kaloi tek i shoqi.
-Sidoqoftë, nuk është normale të bëhet bllokimi autostradës. Ministria e transportit duhet ta ketë parasysh këtë gjë të rëndësishme. Xhungla dikur ishte e pakalueshme dhe përbënte rreziqe dhe çarqe për njerëzit. Tani është autostrada që përmban rreziqe dhe çarqe,- foli nga e djathta, prej Bens –Mencedezit, një plak me republikë dhe pipë në gojë.
-Njashtu, njashtu,- ia bëri indiani me çallmë prej Nisanit të kuq:-Xhungël e frikshme prej çeliku dhe betoni.
– Plaka ime bën mirë, gjithë rrugën fle, – shtoi plaku prej Bens-Merecedezit, pa i kushtuar rëndësi ndërhyrjes së indianit.
-E tani fle?!- bëri habi çifti aziatik prej Tojotës vishnjë.
-Fle si shqerrë,- u përgjigj plaku me dashamirësi dhe thithi fort pipën e bardhë. Pas tij u ndje zëri i hollë dhe i grindur i së shoqes:- Hy gënjeshtar i keq.
Plaku qeshi dhe ngriti celularin:
– Hello…ha, dhe ti ke mbetur në çark si unë?!
-Edhe unë dua të fle,- më tha gruaja,- në mundsha.
Si ktheva përgjigje. Shkuarja e viteve po e bënte gjithnjë më të brishtë. Prej dritareve të makinave të tjera nisën të dilnin bërrylat dhe më pas kryet me flokë të shpupurishura të udhëtarëve. Pas pak doli shtëllungë, tymi i duhanit.
-E ky duhan duhej tani,- u ankua çifti aziatik prej Tojotës dhe ngriti xhamin e makinës me shpejtësi.
Në linjën e urgjencës në krah të autostradës kaluan me shpejtësi dy makina të policisë, me sirena të lëshuara. Njerëzit menduan përsëri për aksidentin e madh dhe dëmet e pa llogaritura që mund të qenë shkaktuar. A mund të ketë viktima? Çuditërisht nuk shihej gjëkund tym apo flakë. Ndoshta ngjarja e padëshiruar duhej të kishte përfunduar me dëme të vogla. Automatikisht u llogarit koha e mundshme e zgjatjes, eliminimi i shkakut dhe njëherësh u ankuan për projektuesit dhe inxhinierët e autostradave që duhet të kishin menduar me zemërgjerësi për një korsi të lirë në rast kolapsi të tillë. Udhëtarët lëviznin të shqetësuar në ndenjëse.
Nga e djathta, prej Bens –mencedezit, plaku me republikë të zezë shkuli pipën prej goje dhe tha:
-E morët vesh, e gjitha kjo, po ndodh për shkak të një dreri.
Vështrime habitore dhe nënqeshje sarkastike u hodhën mbi folësin, që krekosej në Bens-Mercedes, paçka se ishte i moshuar, si ti thoshin: U çmende o plak?!
-Dre në autostradë!?- klithi indiani i dobët me çallmë në kokë prej Nisanit të kuq.
-Ha! Ç’na the! Nga ra ky dre, nga qielli. Mund të jetë ndonjë rakun, a dreq me brirë, por kurrsesi dre. Ndoshta e ndonjë shaka bajate,- foli gruaja bionde prej makinës të gjelbër Honda, e cila uli xhamin e makinës deri në fund dhe zbërtheu kopsën e tretë të këmishës. Praj aty shpërtheu gjoksi i bardhë, i bëshëm
-Dreq o punë. Të pezullohet vargu i gjatë makinash për një copë dre,- foli një mesoburrë, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë dhe vështroi ngulët, pa turp, gjoksin e kërcyer të femrës bionde.
-Nga u ndodh ky dre. Këtu përreth nuk ka pyje, por rrugë, makina, autostrada dhe ngrihet me pallate gjigante qendra e qytetit, me pese milionë banorë, – foli me nervozizëm mesogruaja e shëndoshë, prej Fiatit ngjyrë kremi.
-Drerët mund ti gjesh nëpër pyjet e thella dhe jo këtu në qytet ku ka tym, pluhur dhe zhurmë marramendëse,- e përforcoi mendimin e gruas së shëndoshë, çifti aziatik prej Tojotës. Ata e kishin ulur përsëri dritaren e makinës, qenë kureshtarë të mësonin të rejat më të fundit.
Plaku hoqi kapelën republikë, nuk e ngriti xhamin e makinës por zgjati pothuajse gjysmën e trupit dhe ngulmoi. E shoqja nga brenda e mbajti plakun për mezi, me merakun rrëzimit.
-Përse habiteni? Ndalesa u bë për shkak të drerit,- bërtiti plaku.
-Domethënë dreri ka qëndruar në mes të rrugës dhe makinat janë trembur prej tij, kështu!?- foli mesoburri, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë, pa i ndarë sytë prej gjoksit të bardhë të gruas bionde.
-Hollësira të mëtejshme nuk di. Policia i ka bllokuar të dy anët e rrugës. Shfaqjen e befasishme të drerit, ma tha vëllai në telefon, makina e të cilit ndodhet më pranë vendit ku u shfaq dreri, -tha plaku me kapelë republikë dhe u tërhoq brenda në makinë…
– Sa mirë që ishte një dre,- mërmëriti gruaja e çliruar.
Ishte një mëngjes i freskët pranvere, plot diell dhe dritë kur papritmas në shtegun e ngushtë e të dendur, anës lumit të Donit, pashë një dre. Nuk mund tu besoja syve. Nuk kisha parë kurrë kaq afër një dre. Më ishte bërë si zakon të dilja mëngjeseve në luginën që përshkon lumi i Donit, cili gjarpëron ngadalë pa u ndjerë. Në kohën e reshjeve ky lumë me ujë të pakët kthehet në përbindësh i vogël, fryhet dhe përmbyt çfarë gjen përpara.
Lë makinën ndanë rrugës, mes grumbullit të shtëpive private, pres majtas dhe zbres një të tatëpjetë, monopat të ngushtë, të çon në një lëndinë të butë. Aty është ngritur një kënd pikpongu. Pastaj monopati dredhon përgjatë rrjedhjes së lumit të Donit.
Një prej këtyre mëngjeseve, ecja i shkujdesur dhe shijoja freskinë mëngjesore. Është një nevojë shpirtërore të largohesh prej zhurmës dhe rrëmetit. Të freskosh trurin. Të turresh mes pemëve, që rriten natyrshëm të pa kultivuara, shushurimës së butë të lumit dhe freskisë. Rrezet e diellit depërtonin në mijëra ngjyra nëpërmjet gjetheve të pemëve dhe gjelbërimi të verbonte. Ishte një mëngjes që të befasonte dhe të shtynte në ngasje të bukur. Përtej monopatit të ngushtë, disa metra larg rrjedhjes së lumit atje ku hapej një lëndinë e vogël me pemë të ulëta mu duk sikur midis pemëve dhe kaçubave dallova diçka që lëvizje me ngadalë e gjithë hijeshi. Mbajta këmbët. Nuk po ju besoja syve. Qëndrova. Isha vetëm, natyra dhe lumi që rridhte në krah. U përpoqa të shuaja më mirë. Ajo gjë lëvizi më afër meje. Ishte një dre. Kafsha ecte gjithë fisnikëri, këpuste me delikatesë ndonjë fije bari. Ngrinte kryet përgjonte, pastaj përtypej me qetësi. U përpoqa të afrohesha më pranë, pa zhurmë, ta shquaja më mirë. U mahnita, prej bukurisë së tij. Me kurorë të artë, të madhërishme në kokë dhe përpara, midis syve të mëdhenj, një shenjë të bardhë, të bukur, në formë zemre. Mesi mbushesha me frymë prej të papriturës të pa përsëritshme, mrekullisë, merakut e trembjes dhe ikjes së drerit. Nuk isha ndeshur në jetën time kaq pranë me një dre. Dreri ktheu kryet nga unë gjithë madhështi dhe më nguli sytë e mëdhenj e të kadifenjtë, si të ishte njeri dhe kërkonte të më fliste. Nuk guxoja të lëvizja. Sytë e tij të mëdhenj ishin gjithë jetë dhe shpresës. Goja mu mbush me lëng prej kënaqësisë. Faleminderit o dre që ma bëre ditën e bukur, gati sa nuk i fola me zë. Kafsha ngriti pak kryet, flegrat e hundës iu hapën dhe ai thithi ajrin me vrull, pa ma ndarë shikimin e bukur. Nxora me ngut celularin dhe i bëra disa foto. Dreri nuk lëvizi prej vendit, siç duket e pranoi të fotografohej.
Mezi mbushesha me frymë prej emocionit. Nuk e di sa qëndruam ashtu, ballë për ballë njeri tjetrit. Shikimi i drerit kishte një kthjelltësi befasuese. Pa kuptuar më hipi një dëshirë e mirë por e marrë, ti prekja shenjën e bukur, të bardhë, në formë zemre që kishte në ballë. Dreri sikur ta kish kuptuar dëshirën time, luajti kryet lehtë, sytë e tij të mëdhenj u bënë më ngulët dhe trupi i pësoi një dridhje të padukshme. Sikur më thoshte; mos bëj atë që mendon, unë jam dre i lirë. Më tundojnë dhe lëndojnë prekjet e huaja. Përshkëndimi i qimeve të tij u bë më verbues. Dëshira ime për ta ndjerë sa më pranë atë kafshë të bukur po më shkundte trupin. Dreri luajti përsëri kryet lehtë, si të më thoshte: Mos e bëj atë që mendon, dhe këmbët e tij elegante nisën të pësonin një dridhje të pandierë. Po mua po më përfshinte marrëzia e magjisë. Pa shumë hezitimesh zgjata dorën, me shikimin lutës të mos ikte. Kafsha u tremb, u tendos, u tërhoq menjëherë, prapa, kërceu dhe humbi mes pemëve, sa hap e mbyll sytë. Në gojë më ngeli shija e kënaqësisë dhe e mërzisë.
Prej asaj dite nuk e pashë më drerin. Shkoja pothuajse çdo mëngjes në monopatin që dredhon pranë rrjedhjes së lumit të Donit. Nuk më pritej të zbardhte drita, të ikja dhe gruaja shpesh herë bëhej nervoze. Përgjoja çdo lëvizje që bëhej në luginë. Kthehesha vërtik kur një degë e thatë kërciste. Më dukej sikur ketrat luanin me padurimin tim, më mbinin në çdo hap, dhe gërryenin me shpejtësi lëvoret e thata.
Kur erdhi vjeshta e ranë gjethet, prapë nuk reshta së shkuari përgjatë rrjedhjes të lumit të Donit. Edhe flashkat e para të dëborës nuk më ndaluan të shkoja. Vetëm kur u shtrëngua dimri dhe shtigjet u bënë të pakalueshme, me shumë trishtim kaloja me makinë pranë shtegut të ngushtë ku zbrisja dhe hyja në monopat. Shikimi im i paduruar bridhte tutje, ku mund të gjendej dreri i madhërishëm, me korrë të artë dhe me shenjën e zemrës në ballë. Për fat të keq dreri nuk e plotësoi dëshirën time. E kishte përpirë lugina dhe rrjedhja e pandërprerë e lumit Don. Trishtueshëm mendova se ndoshta e kishin kapur, vrarë, ose ka ikur larg në veri me drerët e tjerë…
Tani, pikërisht në autostradën më të madhe të Amerikës së veriut, autostradën 401. Në pikun e ditës dhe të fluksit më të ngarkuar të makinave, dëgjova për shfaqjen e papritur të një dreri.
Gati si i humbur vështrova nga djemtë dhe gruaja, të cilët prisnin me padurim hapjen e rrugës dhe çastin e lëvizjes. Më gërryente kureshtja. Çfarë bëhej atje përtej, ku janë vendosur për së gjati makinat e policisë dhe është pezulluar lëvizja. Çfarë duhet të bëj për të mësuar në ishte ai dre që ndesha në luginën e ngushtë, në lumin Don, apo ndonjë dre tjetër. U ktheva në krah dhe lëviza buzët. Doja ti tregoja gruas dhe djemve për çka mendoja. Ajo ktheu kryet nga unë me vështrim pyetës. Në çast ndërrova mëndje. Uh, do ia bënte ajo, ama dhe ti, burrë me thinja, nuk përton e vret mendjen për një dre! Mirë është të përfundojë sa më parë kjo mesele me dre. Nuk e sheh po na piqet koka nën saçin e diellit.
Me të vërtet mu duk një naivitet dhe kureshtje çilimiu dhe për një çast më erdhi turp. Vështrova nga fqinjët. Ata vazhdonin të dërdëllisnin dhe të tymosnin duhan. Nga u gjend gjithë ky duhan, kur provinca me ligje dhe amendamente është përpjekur ta kufizojë në maksimum!
-Në autostradë nuk ka ligj për kufizimin e duhanit, -dëgjova të thoshte plaku prej Bens-Mercedezit.
Mos ndoshta fola zë të lartë? pyeta veten. Djemtë dhe gruaja, ishin kthyer dhe vështronin nga unë. Çfarë thashë, gati sa nuk u bërtita, më thoni, çfarë thashë? Por heshta. Ç’ është ky nervozizëm i pakuptuar që po ndodh me mua? Vështrova përsëri andej ku kishte ndodhur ndërprerja e rrjedhjes së mjeteve prej makinave të policisë, të vendosura për së gjati dhe përnjëherësh mu krijua përshtypja sikur trupi gjigant i një kafshë, ishte prerë përgjysmë.
Po më mbërthente një pështjellim e angështi dhe nuk e po e merrja vesh se nga më vinte. E kërkova me ngulm drerin e bukur, brirë artë, përgjatë rrjedhjes të pandalshme të lumit Don dhe nuk e gjeta. Mu duk sikur diçka i mungonte këtij brezi të hollë pylli, rritur përgjatë lumit Don dhe vetë lumit Don. Lumenjtë, në mijëra e mijëra vjet, qysh në burim, lindjen e tyre, prurin jetë dhe gjallëri. E përgjatë rrjedhjes nëpër male, kodra, gërxhe, pyje, fusha, brigje, mbartin jetë. Ndjeja një përhumbje të turbull.
-Je mirë?- dëgjova që më pyeti gjithë merak gruaja.
Nuk i ktheva përgjigje. Vështrimi i saj i ngulët, i përkujdesur, më acaroi. Për vetë faktin se nuk kisha di ti shpjegohesha. Nuk mund të merakoset dhe shpërqendrohet burri, që po u afrohet gjashtëdhjetave, për një dre. Hodha shikimin rreth e rrotull, thashethemnaja vazhdonte mes makinave, aq sa të zinte koka. Tok me mërzinë e hapur për ikjen e pa kuptuar të kohës, kur dhe një minutë është e shtrenjtë.
Ja që ka raste që tundohet, merakoset burri edhe për një dre. Vendosa dorën mbi dorezën e derës së makinës, u mbështeta, si për tu çlodhur dhe qetësuar mendimet e tymta. Mirë është të mos mendoja, kur nuk janë të nevojshme. Mu duk sikur doreza lëvizi dhe dera u hap. Trupi mua anua dhe gati sa nuk rashë. Pa marra vesh e shtyva derën me sup. Ajo u hap plotësisht.
Të ik apo të qëndroj? Djemtë dhe gruaja u kthye dhe më panë gjithë hapi. Çfarë kërkon të bësh?! Të vjen për të vjellë, duket pak i zverdhur? Hapësira e hapur e derës sikur më tundonte për të lëvizur. As vetë nuk e morra vesh si shkëputa dhe dola jashtë.
-A jenë vete? Ku shkon? Çfarë kërkon të bësh?!- dëgjova nga pas klithmën e trembur të gruas.
-Hej, a je në vete?!- dëgjova nga pas një zë të huaj.
U përpoqa të mos shihja pas e përreth, sepse do ndeshja shikime të habitura. Kalova mes makinave dhe dola në brezin e lirë të urgjencës në krah të autostradës. Nxitova hapat, vrapova. Era në fillim më shushurinte ndër veshë, pastaj nisi të gjëmonte. Nuk e morra vesh sa vrapova. Më në fund mbërrita pranë makinave të policisë të vendosura për së gjati, përpara hundëve të makinave. Një polic u kthye nga unë dhe më pa gjithë habi dhe inat, si të më thoshte, po ti nga dole?!
Atë çast, matanë brezit të betonit disa metra larg meje po vinte një grup policësh duke mbajtur diçka të rëndë ndër duar. Ata po afroheshin me ngut dhe unë dallova këmbët e holla, më pas trupin e kokën e kafshës. Bëra disa hapa më afër grupit mbajtës së drerit. E njoha, ishte dreri që ndesha në pyllin e vogël pranë lumit Don. E njoha nga kurora e artë dhe prej shenjës të bardhë, në formë zemre në ballë. Dreri hapi sytë, më nguli i habitur dhe i trishtuar sytë e mëdhenj, sikur kërkonte të më fliste. Mandej pashë që prej syve të tij rrodhën lot të mëdhenj. Dreri i mbylli sytë ngadalë gjithë dhembje dhe përdëllim. Grupi i policëve së bashku me drerin ndër duar ecën drejt një furgoni të bardhë.
Si është gjetur një ”IPad bizantin’” në anije të mbytje ndërtuar para 1.200 vjetëve
Arkeologët turq duke gërmuar një vend port në anën evropiane të Bosforit kanë zbuluar një objekt 1.200 vjet të vjetër prej druri të cilat ata pretendojnë se është ekuivalenti i lashtë i një kompjuter tabletë
Nga Gëzim Llojdia/
1.
Cfarë është një iPad ( aɪpæd / sy – pad ) është një linjë e kompjuterëve tabletë projektuar dhe shitur nga Apple Inc , e cila shkon iOS Apple . IPad i parë u lirua më 3 prill, 2010, modelet më të fundit të iPad ,Air iPad dhe gjenerata e dytë iPad Mini , janë shpallur më 22 tetor, 2013 dhe doli në shitje 1 nëntor 2013 dhe 12 nëntor 2013 , respektivisht . Ndërfaqja e përdoruesit është e ndërtuar rreth ekranit multi – touch të pajisjes , duke përfshirë një tastierë virtuale . IPad ka ndërtuar në Ëi-Fi dhe , në disa modele , lidhjes celulare .
Që nga qershori 2014 , ka pasur mbi 200 milionë iPads të shitur që nga prodhimi në vitin 2010.
2.
A janë njohur më herët këto pajisje ?Duhet të besojmë gërmimet arkeologjike që janë duke u kryer në një cep të kontinetit.
Arkeologët turq duke gërmuar një vend port në anën evropiane të Bosforit kanë zbuluar një objekt 1.200 vjet të vjetër prej druri të cilat ata pretendojnë se është ekuivalenti i lashtë i një kompjuter tabletë ,shkruan Rossella Lorenzi duke thënë se : Pajisja ishte një fletore dhe një mjet.
Shpikja bizantine u gjet në mbetjet e një prej 37 anijeve të zhvarrosura në fushën Yenikapi të Stambollit , një vend, që ka qenë në qendër të gërmimeve për 10 vitet e fundit .Gjithashtu i njohur si Theodosit Portit , u ndërtua në fund të shekullit të 4-t gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Theodosit I duke kthyer në portin më i rëndësishëm tregtar të qytetit .
Ndoshta këto gjetje citon Lorenzi, i përkasin kapitenit të anijes ,dhe janë objekti prej druri , mbuluar në të cilin është gdhendur imët me dekorata , është madhësia e një tabletë moderne shtatë -inch , por është shumë më e trashë .Ajo përbëhet nga një grup prej pesë paneleve drejtkëndëshe gdhendur me korniza dhe të mbuluara me qiri . Shënime mund të merren në këto panele , siç tregohet duke shkruar në gjuhë greqisht e cila është ende e dukshme në qiri .
Një ” app ” primitive është fshehur në panelin e poshtme : kapak rrëshqitje duke zbuluar një pjatë të fshehur me hapësira të gdhendura .
” Kur ju tërheq pjesë rrëshqitje , nuk janë pesha të vogla të përdorura si një bilanc shqyrtim , ” tha Ufuk Kocabaş , drejtor i departamentit të Universitetit të Stambollit dega e arkeologjisë detare Projektit Hurriyet Daily Neës .
Që nga ajo ishte një anije tregtare ,mjeti ka gjasa që është përdorur për të vlerësuar vlerën e disa artikujve . Bilancet e shqyrtuara janë përdorur për të përcaktuar përmbajtjen e metaleve në xehe apo llojin e metaleve të çmuara në një aliazh .
Notebook nës do ta quajmë kështu ,do të mund të kryhet me lehtësi punën . Çdo panel përmban katër vrima – ata ishin shpuar në dy palë të tjera me qëllim që të lidhin fletoren së bashku , ndoshta me rripa lëkure .
” Yenikapı është një fenomen me 37 anijet e saj të mbuluar nga uji dhe produktet organike . Unë mendoj se këto produkte organike janë tipar më i rëndësishëm i gërmimeve , ” tha Kocabaş .
Anija e fundosur mbi të cilin u gjet” iPad Bizantine ” , ka një kohë datimi rreth shekullit të 9-të pas Krishtit.
Anija me kontejnerët që ajo që mbante ka lundruar në Detin e Zi ,ku kryheshin transportimi i mallrave nga Krimea në Kersonesos .Një ekip hulumtues nga Universiteti i Stambollit është tani atje duke kryer analiza në anijes ,ku sipas të dhënave 60 përqind e të cilave ka mbijetuar në gjendje të mirë , me qëllimin e të pasurit në lundrim e saj të vendosur përsëri ndoshta në vitin 2015 .
SKENARËT E PAS 8 QERSHORIT VAREN NGA MORALI I PALËVE
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pakkush besonte se do të fitonte Hashim Thaçi. Por kishte edhe nga ata që e besonin këtë gjë. Për shembull Jusuf Buxhovi. I cili më 27 maj në Facebook do të shkruante se «Thaçi, edhe më tutje u duhet të huajve për të kryer detyra…» Nga njëra anë Bashkimi Europian e etiketon qeverisjen Thaçi si më të korruptuarën në rajon pas asaj të Shqipërisë, nga ana tjetër e mban Hashim Thaçin! Paradoks i vërtetë në dukje. E mbetur idealiste, mendova se kësaj here Jusuf Buxhovi do të gabonte në prognozën e tij të shpallur dy javë përpara rezultatit të Exit Polls. Por u gabova unë.
Gjithsesi, në daljen publike të PDK-së në mbrëmjen e vonë të 8 Qershorit – festimi i fitores ishte si mbi gjëmba. As nga sytë e Vlora Çitakut nuk reflektohej gëzimi i mandatit të tretë. Sa nuk të lindte dyshimi se Thaçi nuk kishte pasë dashtë me dalë partia e parë. Por në fakt duhej të kishte dashur, dhe fort bile. Kjo nisur nga dalja e Berat Buzhalës në Facebook që pa gdhirë, kur posa ishin hapur kutitë e votimit, e Berati gjithë nervozitet do të deklaronte se «nuk i besonte as Baton Haxhiut dhe Exit Polls të Klan Kosovës.»
Pra, Buzhala që në mëngjesin e 8 Qershorit shprehte një pakënaqësi të hapur ndaj rezultateve të Exit Polls. Dhe është absurde të mendohet që Berati të deklaronte se nuk i besonte fare as Batonin dhe as Exit Polls, kur këta 12 orë më vonë, në orën 20:30, do të shpallnin fitoren e PDK-së!
Këtu ka diçka që nuk shkon. Nervozizmi i Berat Buzhalës i shpalosur herët në mëngjesin e 8 qershorit në Facebook kundër Batonit dhe Exit Polls bie ndesh me fitoren e PDK që dha Shkëlzen Maliqi me bastun në mbrëmje tek Klan Kosova. E përse të ishte nervoz Berati, kur këta do të shpallnin fitoren ? Berati duhej të bëhej nervoz nëse Batoni, Shkëlzeni dhe Exit Polls tek Klan Kosova do të shpallnin humbjen e PDK-së! Apo jo. Kështu thotë logjika e thjeshtë. Ndërsa sa për Shkëlzenin me bastun, ky që kur u shpall zyrtarisht këshilltar i kryeministrit Edi Rama duhej t’iu ishte larguar Exit Polls — për hir të integritetit të anketimeve.
Gjithsesi duhet thënë se klima e fushatës dhe dita e zgjedhjeve shkoi mrekulli në Kosovë.
Në fund të fundit Hashim Thaçi nuk ua pati fajin partive të opozitës që të krijonin aleanca e t’i fitonin zgjedhjet.
Mjafton LDK të kishte bërë aleancë parazgjedhore me AAK dhe zgjedhjet nuk do t’i fitonte Hashim Thaçi. Po ngjan sikur del se liderët e LDK-së po ia duan të mirën më tepër Hashimit se partisë së tyre. Për shembull, do të mjaftonte, që mospërfshirja e Fatmir Sejdiut në listën e LDK-së, të mos shndërrohej në hakmarrje politike të tij në ditën e votimit kundër LDK-së. LDK po ashtu duhej t’i kthehej aleancës tradicionale rugoviste me partinë e themeluar nga Akademik Mark Krasniqit, të cilën e prishi pikërisht Fatmir Sejdiu në zgjedhjet e 2007.
Ndërkohë, pas shpalljes të rezultateve, kam parë nga reagimet në Facebook se humbja e LDK-së, po i shkarkohet Isa Mustafës, si humbje e tij personale, i cili në fakt, është viktima e rradhës e klanit të Llapit. Ky klan rezulton që t’i ketë përdorur si karrema edhe Sejdiun edhe Mustafën për të konservuar pushtet, duke i shkaktuar katastrofë LDK-së. Edhe dorëhqja e Isa Mustafës në këtë kontekst është „kokë turku“ e rradhës.
Ndërsa sa i përket kontekstit të ri qeverisës dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, kemi disa variante:
Varianti i parë është që PDK të krijojë aleanca me partitë opozitare, të cilat gjatë gjithë fushatës e kanë akuzuar qeverisjen Thaçi si të korruptuar dhe shkaktaren e të gjitha të zezave në Kosovë.
Moralisht, asnjë nga partitë e opozitës nuk mund të pranojë që të bashkëqeverisë me PDK. Por duke u nisur nga babëzia për pushtet, aleancat mund të jenë nga më të guximshmet deri në pacipshmëri.
Sepse nëse partitë opozitare do t’u qëndronin besnike sloganëve të fushatës zgjedhore, asnjëra prej tyre nuk do të hynte në aleancë me Hashim Thaçin. Dhe Hashim Thaçi nuk do të mund të qeveriste Kosovën me partitë e pakicave.
Variant i dytë është nëse ndonjë nga partitë e opozitës do të pranonte të bashkëqeveriste me Hashim Thaçin. Kjo është modë në politikën shqiptare. Mjafton të kujtojmë aleancën e Sali Berishës dje – dhe Edi Ramës sot – me Ilir Metën. Se si shahen e pështyhen midis tyre, por kur vjen puna për pushtet flirtojnë dhe harrojnë se çfarë kanë thënë kundër njëri-tjetrit. I tillë do të jetë dueti cilido qoftë binomi Thaçi-Mustafa apo Thaçi-Haradinaj, Thaçi-Kurti apo Thaçi-Limaj!
Nga sa kam kuptuar, Hashim Thaçi ia ka vënë syrin postit të presidencës të Kosovës, alla Millo Gjukanoviç, dhe ky pozicion e bën zemërgjerë. Por gjithmonë në raport me babëzinë për pushtet të liderëve të opozitës. Dhe asnjëherë në të mirë të interesit kombëtar.
Variant i tretë është nëse asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte të bashkëqeveriste me PDK-në. Atëherë presidentja e Kosovës do të ngarkonte LDK-në, si partia e dytë, që të ndërtonte qeverinë e re. LDK mund t’i thërrasë për bashkëqeverisje AAK, Nismën dhe VV. Ose mund të mjaftohet me AAK dhe Nismën. Dhe së bashku me partitë e pakicave të formojnë një shumicë të duhur.
Vartianti i katërt është qeveria teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse rrëzohet qeveria e Hashim Thaçit, kur asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte bashkëqeverisjen me PDK dhe po ashtu partitë e opozitës nuk pranojnë të krijojnë aleanca. Në parim nuk kanë përse të mos krijojnë. Por LDK do të ketë vështirësi, nisur nga fakti i humbjes.
Në fakt, qeveria teknike, duket si zgjidhja më pastër, sepse do të krijonte mundësi edhe për katharsis brenda partive të opozitës që kanë nevojë, edhe për PDK, paçka se opozita ka legjitimitet për të krijuar qeveri, pasi përbën shumicën.
Por gjithsesi, edhe një herë duhet theksuar se zgjedhjet e 8 qeshorit ishin një provë për Kosovën, të cilën e kaloi me sukses, paçka se suksesi i ngjante fitores së Pirros, kur kihet parasysh se rreth 60% e elektoratit nuk doli në votime dhe abstenoi.
LEVIZJA E LEGALITETIT, MEMORANDUM AMBASADOREVE
Shqetesim për prirjen e një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha/
Sot paradite Partia “Lëvizja e Legalitetit” u ka dërguar Ambasadorëve të vendeve anëtare të BE të akredituar në Shqipëri, Institucioneve Europiane dhe Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, një Memorandum ku shpreh shqetësimin e saj për prirjen e një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha.
Në këtë Memorandum, krahas shprehjes së mirënjohjes ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ofruar Shqipërisë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik, Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon vazhdimin e kësaj mbështetjeje për dhënien e Statusit të Vendit Kandidat në BE.
PLL gjykon se kjo do të jetë një mjet më shumë për parandalimin e çdo lloj rehabilitimi të diktaturës komuniste dhe diktatorit Hoxha.
Lutemi që të merrni më poshtë tekstin e plotë të këtij memorandumi në shqip, si dhe bashkëngjitur kopjen e letrës origjinale, në anglisht.
Zyra e shtypit e PLL
\
MEMORANDUM
Drejtuar:
Ambasadorëve të vendeve anëtare të BE të akredituar në Shqipëri
Delegacionit të BE në Shqipëri
Ambasadorit të SHBA në Shqipëri
Presidentit të Këshillit Europian
Presidentit të Komisionit Europian
Anëtarëve të Parlamentit Europian
Zyrës së KiE në Shqipëri
Prezencës së OSBE në Shqipëri
I nderuar Zotëri, e nderuara Zonjë,
Të nderuar Shkëlqesitë Tuaja,
Kini mirësinë të na lejoni të ndajmë me Ju një shqetësim serioz që lidhet me ringjalljen e simboleve të ndryshme të ish diktaturës komuniste, të cilat u shpërfaqën qysh kur qeveria aktuale mori pushtetin në shtator 2013.
Këto simbolika patën si zanafillë praninë e portreteve të ish-diktatorit Enver Hoxha në Ceremoninë Zyrtare të mbajtur më 29 nëntor 2013, në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Që prej 9 janarit 2014, disa deputetë kanë bërë thirrje për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit të vendit me qëllimin e fshehur për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha dhe në të njëjtën kohë për të injoruar kontibutin e forcave jo-komuniste që operonin gjatë LDB kundër Boshtit dhe përkrah Aksit.
Këto thirrje u përsëritën disa herë në vijim dhe në prill të vitit 2014, media raportoi se një grup deputetësh kishin paraqitur, që në fillim të vitit, në Parlament një kërkesë zyrtare për krijimin e këtij Komisioni të Posaçëm Shtetëror.
Më 5 maj 2014, në Ceremoninë Zyrtare të Përkujtimit të Ditës së Dëshmorëve, portretet e ish-diktatorit u shfaqën në qytete të ndryshme të vendit. Në qytetin e Përmetit u shpalosën simbolika të spikatura të diktatorit komunist: si prania e “Pionierëve të Enverit” dhe përdorimi i ‘grushtit lart’ në praninë e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe anëtarësh të qeverisë. Në të njëjtën ditë, në qytetin e Beratit, Ministri i Drejtësisë, bëri homazhe para Monumentit vendor të Dëshmorëve të Kombit, ku një portret i ish-diktatorit Hoxha ishte vendosur në qendër të këtij monumenti.
Më 24 Maj, në 70-vjetorin e të ashtuquajturit “Kongres të Përmetit” që faktikisht i nxiti komunistët të ndërmerrnin një luftë civile gjatë LDB-së, të rrëmbenin pushtetin njëanshmërisht dhe të vendosnin një regjim diktatorial komunist, shumë politikanë të rangjeve të larta morën pjesë në një ceremoni në qytetin e Përmetit, ku thirrjet e qarta në dobi të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe simbolikat e diktaturës frikësuan shumë shqiptarë.
Më së fundmi, në qytetin e Korçës, Memoriali i ushtarëve amerikanë që humbën jetën në Shqipëri gjatë LDB-së u dëmtua rëndë nga vandalët, akt i cili ende nuk është zbardhur nga policia dhe nuk është raportuar nga organet zyrtare të Shtetit.
I nderuar Zotëri, e nderuar Zonjë,
Të nderuar Shkëlqesitë Tuaja,
Kjo letër nuk ka për synim t’Ju informojë për çka ndodh në Shqipëri, pasi jemi të bindur se kjo nuk është detyra jonë. As nuk është qëllimi jonë që të ndërhyjmë në marrëdhëniet Tuaja me qeverinë aktuale shqiptare, ngaqë ne e mirëkuptojmë pozicionin Tuaj dhe respektojmë partneritetin që qeveritë Tuaja respektive dhe ju vetë keni zhvilluar me Shqipërinë përgjatë 23 viteve të fundit. Për këtë arsye ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që të gjithë aleatët tonë ndërkombëtarë dhe Institucionet Ndërkombëtare, i kanë ofruar Shqipërisë dhe Shqiptarëve në të mirë të lirisë, demokracisë, paqes dhe zhvillimit.
Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ishte përgjegjësia e qeverive post-komuniste shqiptare që të mbyllnin kapitullin e diktaturës, dhe që është faji i politikanëve shqiptarë nëse kjo nuk ka ndodhur edhe pas më shumë se 23 vitesh.
Megjithatë, gjendja aktuale meriton një vëmendje të veçantë nga çdo faktor i shoqërisë shqiptare dhe prej partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në fakt, ne besojmë fuqimisht se orvatjet për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nuk janë vetëm një ofendim ndaj mijëra shqiptarëve që u persekutuan e vranë përgjatë epokës komuniste, apo dhjetëra mijëra të tjerëve që kaluan vite të tëra në burgje a kampe përqendrimi. Këto orvatje nuk janë gjithashtu vetëm një ofendim për besimtarët, kishat e xhamiat që u shkatërruan, mbyllën a tjetërsuan gjatë asaj periudhe, dhe as vetëm një ofendim ndaj historisë dhe të vërtetës. Por, çka është më e rëndësishmja, ne jemi të bindur se këto synime për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha, ofendojnë vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe orientimit Perëndimor, që u ishin ndaluar shqiptarëve gjatë shumë viteve.
Pikërisht për këto vlera të përbashkëta me partnerët tanë Perëndimorë, dhjetëra mijëra jetë shqiptarësh u flijuan apo u rrënuan. Për afro 50 vjet, komunistët luftuan kundra këtyre vlerave dhe kryen krime në emër të vlerave dhe parimeve që i përkasin një tjetër periudhe, një tjetër ideologjie dhe dallueshëm një kampi tjetër.
Shumica e shqiptarëve besojnë e ndajnë ende të njëjtat vlera me aleatët tanë perëndimorë, e për këtë arsye, ne jemi besëplotë se partnerët tanë ndërkombëtarë e kuptojnë rrezikun e rehabilitimit të diktaturës komuniste dhe diktatorit Hoxha. Duket qartë se disa politikanë shqiptarë pretendojnë për qasjen e tyre pro BE dhe NATO, por referencat e tyre në diktaturën dhe diktatorët nuk duhen vlerësuar thjesht si një lëvizje taktike politike, po si një dëshmi e gjallë e shpërfaqjes së vlerave për çka ata realisht besojnë a nuk besojnë.
Përvoja tragjike më shumë se 50-vjeçare e diktaturës komuniste na jep arsye të mjaftueshme për të besuar se rikthimi te vlerat dhe referencat e diktaturës do të dëmtojnë së shpejti jo vetëm paqen dhe stabilitetin e mëtejshëm në Shqipëri e rajon, por edhe interesat gjeostrategjike të vendit tonë dhe aleatëve tanë natyralë.
Prandaj, ne jemi të mendimit se është në interesin tonë të përbashkët për të qenë të vëmendshëm ndaj rreziqeve të rishfaqjes së këtyre simbolikave të diktaturës komuniste, dhe të parandalojmë çdo lloj rehabilitimi të diktaturës e diktatorit Hoxha.
Përveç veprimeve të tjera në këtë drejtim, ne besojmë fuqimisht se ka rëndësi parësore që Shqipërisë t’i jepet këtë muaj Statusi i Vendit Kandidat në BE dhe Ju falenderojmë paraprakisht për mbështetjen tuaj në këtë çështje.
Shpresojmë se Ju do t’i kushtoni vëmendje parësore kësaj letre dhe që do të merrni masat e nevojshme për të përkrahur edhe më tej Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të vështirë drejt lirisë, demokracisë, paqes, zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve e vlerave.
Sinqerisht i Juaji,
Sulejman Gjana
Kryetar