• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË MALIT TË ZI

April 20, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Shqiptarët ishin “Pro” Pavarësisë të Malit të Zi herët, qyshse në ma të parin Referendum, atë të 1 Marsit 1992. Me deklarata politike e publike dhe me bojkot e votim dolën hapur kundër federalizimit në Jugosllavinë drejt shpërbërjes.
Kujtesa historike dëshmon: Në fushatën e këtij Referendumi (1992) kryeministri i atëhershëm e i sotëm, Milo Gjukanoviçi me partinë e tij të Demokratëve Socialistë (DPS), lëshonte thirrje lumnuese e kërcenuese për bashkim federal me “Jugosllavinë e Tretë” të pas Titos, me Jugosllavinë e mbetur, me mikun e tij të ngushtë Sllobodan Millosheviçin. Trevat etnike shqiptare në brigje të Adriatikut deri në liqenin e Plavës dhe rrjedhave të Moraçës e Limit ia kanë ndie Gjukanoviçit hapat e fjalët evokuese e provokuese për “lidhje gjaku me serbët, krenari për luftërat sëbashku, shtet të përbashkët me zemër të hapur…”, etj. Shoveni e diktatori Gjukanoviç shkoi aq larg e lart sa i quajti “separatistë” shqiptarët nën Malin e Zi, pasi, sipas tij, këta dashkan shpërbërjen e Jugosllavisë, etj.
Përkrah federalistit Gjukanoviç, aleate ma kryesore ishte Partia Popullore, e themeluar më 1906 në kohën e krajl Nikollës dhe e rithemeltuar më 1990, parti e cila ende sotekësajdite e mban kryemoto të saj Hymnin e Krajl Nikollës të kënduar në luftëra pushtuese e aneksuese ndaj shqiptarëve, hymn që ban thirrje për të pasë kryeqytet Prizrenin (!) E treta parti që e mbështeste fort ishte Partia Radikale Serbe e antishqiptarit pa skaj, Vojisllav Sheshel, që tevona do ishte i shumkërkuar e i dënuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Ish-Jugosllavinë.
Krejt ndryshe nga shqiptarët etnik nën Malin e Zi vepruan masivisht e aktivisht malazezë e serbë, etj. të cilët të prirë nga disa parti me frymë federaliste e prosllave, me ndikime e frymëzim edhe nga kisha ortodokse sllave në Rusi, Beograd e Çetinë, morën pjesë 66.04 për qind në votime dhe votuan 95.96 për qind e tyre “Pro” bashkimit me Jugosllavinë, të cilën tevona dashamiri me tepri i sllavëve, Havier Solana, do ta pagëzonte “Unioni Serbi e Mali i Zi” e do të thirrej si me humor politik “Solanda”.
Kontributi shqiptar për Pavarësinë e Malit të Zi duket qartë, qoftë edhe me nji krahasim të vetëm mes tri komunave “kampione” për nga popullsia e nacionaliteteve: Çetina me shumicë absolute malazeze (kryeqytet kushtetues i Fronit malazez) dhe Andrejavica, me shumicën ma të lartë serbe, votuan “Pro” federalizimit me Serbinë, përkatësisht me 95.24 për qind dhe 99.61 për qind. Ulqini, me mbi 80 për qind shqiptarë etnik, nga 15.363 banorë të rregjistruar për votim në Referendumin e 1 marsit 1992 mbi 15 për qind e tyre (2.411 vetë) ma së shumti malazezë e serbë të atyshëm, votuan për bashkim me Jugosllavinë.
2.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me pjesmarrjen masive e aktive në votim në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse pjesmarrja e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
E para: Bashkimi Europian për t’u njoft ndërkombëtarisht rezultatet e Referendumit kishte vendos kushtin “Lajçek”, i cili përcaktonte 50 për qind kufirin minimal të pjesmarrjes në votim.
E dyta, në Referendumin e vitit 1992 pjesmarrja e përgjithshme në votim ishte 66.04 për qind. Në rastin ma të keq kjo përqindje mund të ulej po të kemi parasysh se disa parti me ndikim elektoral të derisotëm si PzP (Lëvizja për Ndryshim) e Medojeviçit, LD e Bardhit, etj. banë thirrje për “neutralitet”. As “Jo” e as “Po”.
E treta: Bojktimi nga shqiptarët do të ishte problem për kritere e vlerat e Referendumit, pasi në shtetin multietnik të Malit të Zi shqiptarët etnik ishin në vend të katërt për nga popullsia.
Prapë, tjetër krahasim, me komunat me popullsi ma të madhe: Çetina, vend tradicional me popullsi malazeze deri në mbi 90 për qind, arriti në 89.7 për qind pjesmarrjen në votim. Andrejevica me mbi 65 për qind serbë (e mbi 23 për qind malazezë) siguroi 89.9 për qind pjesmarrjen në votim. Ulqini me mbi 80 për qind shqiptarë (rreth 10 për qind malazezë) kapi shifren rekord 81.7 për qind pjesmarrje në votim. Rozhaja, kryeqendër e boshnjakëve (81 për qind) ka pasë 77.5 për qind pjesmarrjen në votim.
Në këtë Referendum pjesmarrja e votuesve në Malin e Zi ishte 86.5 për qind. E kapërceu kuotën minimale të Bashkimit Europian. Pjesmarrja e shqiptarëve ishte 80 deri 90 për qind, sikurse e vet malazezëve dhe e serbëve.
3.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me votën e tyre “Pro” shkëputjes nga Unioni federalist me Serbinë në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse vota “Pro” e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
Bashkimi Europian me “kushtin Lajçek” kishte vendos një kufi të pazakontë, duheshin 55 për qind e votave “Pro” Pavarësisë për të njohur rezultatin e Referendumit, për të njohur Malin e Zi shtet të pavarur e sovran. Ndaj edhe tek një votë e vetme mund të varej fitorja e Pavarësisë ose humbja e saj.
Vota shqiptare në Referendum ishte përcaktuese për disa arsye. Së pari: struktura etnike e komunave në mes malazezëve e serbëve ishte e njëjtë: 9 me 9, sikuse edhe sot: Komuna me shumicë malazeze ishin Çetina, Danilovgrad, Nikshiqi, Podgorica, Mojkovaci, Kolashini, Kotorri, Budva e Tivari, ndërsa komunat me shumicë serbe: Andrejavica, Plevla, Zhabjaku, Shavniku, Berana, Bjellopolje, Tivat, Pluzhina, kurse në tre komunat e tjera si në Rozhajë e Plavë-Guci ishin shumicë boshnjakët e në Ulqin shqiptarët. Së dyti: mbi 70 për qind e rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi kishin lidhjet e veta të gjakut, tamblit, derës e pragut me Serbinë, veçanarisht në Veri, në komunat kufitare apo në afri me Serbinë e Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës. Së treti: politika unioniste me Serbinë kishte në ballë disa parti tejet aktive si Partia Popullore Socialiste, një parti social-demokrate me antarësi serbe e malazeze, e themeluar më 1997; Partia Popullore e kohës së krajl Nikolla Petroviç-Njugosh e zëdhënëse e idealeve të tij antishqiptare; Partia Demokratike Serbe, parti nacionaliste, kristian-demokrate e themeluar më 2003; Partia Popullore Serbe (tashti NOVA), parti nacionaliste, themeluar më 1998; etj. Së katërti: rezultate paraprake (sipas sondazheve) të botuara në media malazeze, ballkanike, etj. parashihnin që rreth 34 për qind e popullsisë të jenë për Pavarësinë e Malit të Zi, 31 për qind për Unionin me Serbinë dhe 24 për qind e votuesve ishin ende të pavendosur.
Nëse Mali i Zi nuk do të fitonte Pavarësinë me votën popullore të Referendumit të 21 Majit 2006, atëherë sipas Marrëveshjes së përbashkët Serbi-Mali i Zi të vitit 2003 i duhej të priste edhe tre vjet të tjera Mali i Zi për të organizuar një referendum të dytë. Kjo do të ngadalsonte zhvillimin ekonomiko-kulturor e do të vononte integrimin euro-atlantik të derisotëm në BE e NATO.
Kryetari i Komisionit të Referendumit, Frantisek Lipka, shpalli legjitimitetin e fitores së Pavarësisë të Malit të Zi me rezultat të ngushtë: mbi 55.49 për qind (55 për qind). Me një gjysëm pike diferencë. Përndryshe, për të pasë një ide ma të qartë për faktorin e faktorizimin shqiptar: 2.301 vota mbi kufirin e sanksionuar nga BE. Kësokohe, popullsia shqiptare ishte 31 mijë banorë apo mbi 5 për qind e krejt popullsisë së Malit të Zi.
Komunat në kufi me shtete ballkanike sllave patën përqindjet ma të larta “Pro” bashkimit me Serbinë: në kufi me Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës komuna Pluzhine 75.36 për qind, Plevla 63.36 për qind, Zhabjak 60.85 për qind; në kufi me Kroacinë komuna Herceg Novi me 60. 75 për qind; komuna në afri apo vijë kufi me Serbinë komunat Andrejavica me 71.89 për qind, Kolashini 57. 23 për qind, Shavniku 56.38 për qind, Berana 52. 46 për qind. Numri i shqiptarëve në këto komuna është tepër i vogël: Berana mbi 40 shqiptarë, Herceg Novi rreth 30 shqiptarë, Plevla mbi 10 shqiptarë, Kolashini e Mojkovaci dy-tre familje shqiptare, Andrejavica, Zhabjaku, Pluzhine, Shavniku asnjë shqiptar.
Komunat në kufi tokësor e ujor me Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë popullsinë ma të madhe etnike shqiptare, kanë votue “Pro” Pavarësisë së Malit të Zi si Ulqini 87.69 për qind, Tivari 63. 07 për qind, Podgorica (përfshi edhe Tuzi-Malësi me shumicë të lartë shqiptare) me 53.22 për qind; Rozhaja 90.79 për qind (gjithë shqiptarët e atyshëm), Plavë-Gucia (si komunë–sëbashku-shqiptarët etnik e komunitetet, 78.47 për qind). Tue pasë parasysh faktin se në kit’ Referendum ndikonte edhe një votë e vetme shqiptare duhet cek edhe kontributi votues “Pro” Pavarësisë i rreth 400 shqiptarëve në komuna në brendësi të Malit të Zi si në Tivat, Budva, Kotorr, Çetina, Nikshiq e Danilovgrad.
Politikanë e analistë në dy anët e Atlantikut, personalitete zyrtare të BE, OSBE, etj., liderë malazez në Çetinë e Podgoricë deri edhe kryeministri Milo Gjukanoviçi, kanë shpreh vlerësime për kontributin e shqiptarëve në Shpalljen e Pavarësisë të Malit të Zi. Shqiptarët si territore etnike, si popullsi etnike, me votën e tyre referendare e vendimtare “Pro” Pavarësisë janë shtetformues të Malit të Zi. Shqiptarët me besën e tyre, me vlerat e virtytet e tyre, me kontributet e tyre, janë faktor progresiv në zhvillimet e integrimet e këtij shteti të vogël ballkanik, i cili në vend që t’iu jetë mirënjohës, vlerësues, bashkëpunues, po ua mohon keqas të Drejtat e Liritë Kushtetuese, po i diskriminon ashpërsisht, po i asimilon në vazhdimësi e shpërngul në tërësi nga trojet e veta etnike. Veçse diçka duhet të ketë leksion e aksiomë Mali i Zi: nuk mund të shkojë në BE e as në NATO pa Shqiptarët. Kjo po ndihet, shihet e kushtëzohet veçmas pas demonstratave kundër politikave të Gjukanoviçit të organizuara më 6-8 prill 2014 nga shqiptarët atdhetarë e demokrat në Tuzi (Malësi), Plavë-Guci e në Uashington.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj, SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË

Destan Gashi, këtu denbabaden

April 20, 2014 by dgreca

Ekspozita e parë në atdhe. Guri flet me gjuhën e artit nga shpirti i madh i njeriut tonë të thjesht e me kulturë. Destan e Barbara Gashi, vlerë në imazhin tonë gjithandej botës. Ekspozita: “Legjenda e Rozafës …” pjesë e Javës së Bibliotekës në Kosovë. Ekspozita u përkrah nga Ministria e Diasporës dhe Z.Ibarhim Makolli. Brigel: “Biri i humbur kthehet në vendlindje.”/
Nga Hazir MEHMETI/
Destanin e njoha nga puna e tij e madhe në disa ekspozita gjithandej Austrisë, bëra shkrime i frymëzuar nga vepra e tij, disi i ndieja sikur më takonin dhe mua. Sytë e tij shndrisnin në thellësi nga nxirrnin shpirtin e tij prej njeriut kombëtar, i dheut tim i cili na përvëlonte me brengat e bukuritë të cilave u takonim. “Kur të ekspozoj në vendlindje do qetësohet shpirti dhe trupi im, por, kur” – e tha para tri vjetësh në një ekspozitë në Vjenë. Ja, tani Destani qëndron krenar në shkallët e mermerta të amfiteatrit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Qëndron përkrah skulpturave që flasin thellë nga shpirti e tij këtu në shekujt e kreshnikëve dhe legjendave të dheut ku lindi.
Disi nuk e besoja, kur e dija sa mund e djersë kishte derdhur artisti rrugës së tij për plot të papritura e të trazuar ashtu siç ishte rrjedha në vendlindje. Destani rrugës së tij takoj dragonj, kuçedra, engjëj, lypës, idhuj, takoj ushtarin e rënë buzë gurit kufitar mes zemrës së ndarë shqiptare, takoj legjenda. Kali i Doruntinës pas shtatë bjeshkëve e solli në dheun e bekuar dhe sot hingëllinë në zemrën e dheut. Takoi rrezet e diellit mbi Adriatik, ngrohtësinë e rërës së zhuritur nga dhembja e kockave të pushueseve pas lodhjeve e mohimeve shekujve. Destani takoj të bukurën gjithandej legjendave shqiptare, Rosafa i dha gji legjende deri në Brukselin e njohur, ia hapi dyert e shpirtit krijues mbi tabanin mijëvjeçar pellazgë-ilir. Ja “Medaljoni i Qytetit të Brukselit” ku kontinenti flet”. Student shembullor në dy fakultete pikturë e skulpturë. “Këtu të duam profesor, urdhëro skenën e mësimdhënies, urdhëroni besimin tonë”. Destani falënderoi i heshtur hipur në Kalin Pullali drejtë shtigjeve ku prehej mermeri: Itali, Spanjë Austri e gjithë andej ku troku nuk ndalej. Në qytetin ku udhëtohet vetëm me barka e priti Zana e tij Borëbardhë me pikturat e jetës për nesër. “Do jem kosovare e përbetuar në fluturimin tonë tani me dy krahë përtej Adriatikut atje ku legjendat na thërrasin” foli Borëbardha sorkadhe e vërtetë. Brusha e Guri u bënë jetë e art, art e jetë. Trashëgimtari Guri bëri hapat e parë në Vjenën e artit e artistëve.
Pikturat e bukura të Barbarës shoqëruese në para e prapavijë të njëzet skulpturave të Destan Gashit: “Legjenda e Rozafatit”, “Kali i Doruntinës”, “Nëna me fëmijë”, Gruaja e Hasit”, “Vajza e ulur”, “Afrikane”, “Shikuesja”, “Pasioni”, “Zhytësja”, “Këngë për pavarësinë”, “Dy vajza”, “ “Ngrohja në diell”, “Adela”, “Dy vajza duke u larë në Ksamil”, “Komet”, “Kërmilli” e shumë të tjera. Skulpturat e Destanit e pikturat e Barbarës sot dhurojnë kënaqësi arti në Parlamentin Europin, Parlamentin Austriak, Bankat e njohura në Austri, Hapësirave të oborreve mbretërore, kopshteve të qendrave kulturore, parqeve madhështore të metropoleve dhe shumë dashamirëve të artit gjithandej globit. Tani veprat e artit edhe në hapësirat e reja, artdashësve kosovarë aty ku rrah zemra shqiptare denbabaden. E tha i emocionuar vet artisti ynë fjalë pak për të cilin flet puna e tij e madhërishme e artit kulmor bashkëkohor në kontinentin plak, ku rrënjët tona janë gjithandej shekujve të skalitur në gurët e ndërtimeve qe nga Baltiku në Mesdhe. Pak kush e percepton madhështinë e një populli vendës evropian në shekuj nga kultura e të cilit morën të gjithë si vlera civilizuese me të cilat krenohen.
“Cili jemi më i fortë, traktori apo unë? Pyeti Destani me mahi plot sinqeritet.
Dhe s’të le të skuqesh e ia pret: “Traktori lëron dheun arave, kurse unë bjeshkëve shkëmbinj mermeri. Vetëm Kali i Doruntinë m’i theu shtatë dalta diamanti. Sa ndihem i lumtur me te, jetoj me te. Më dukët sikur kalëroj në legjendë bashkë me besën shqiptare”. Ja si shprehet rreth punës madhore të Destanit kritikja e njohur e artit në Austri Sandra Sagmeister, “Dashuria e Gashit: guri, nëse ia dhurojmë një bjeshkë nuk do ti mjaftonte”
Rrugëtimi i Destani ishte përplot kthesa e peripeci, nga Zoqishti në Bruksel, Venedik e Vjenë. Ambasadori Joann Brieger, duke e njohur udhëtimin krijues e përplasjet valëve të skulptorit deri në Itakën e tij shprehet: “Biri i humbur i kthehet vendlindjes”. “Kemi të bëjmë me një artist i cili nuk e pati aspak të lehtë gjatë jetës së tij. Qysh në përzgjedhjen e mermerit apo edhe të ngjyrës, gjithçka është e ndërlidhur, e ndërthurur njëra me tjetrën, sikur të punohet për një dashuri që synon të jetë dashuri e të ardhmes në lidhje simbolike me vendlindjen. Ky sekret të cilin tani e shohim shpaloset edhe në veprën e Rozafës”
Pikturat e bukura plotë ndriçim të Barba Gashit shprehin botën e çiltër të piktores profesioniste e njohur me ekspozitat e saj në Austri dhe më gjerë. Gjuha e saj e pastër shqipe flet për qëndrimin e saj njerëzor ndaj rrethit, artit e familjes. Frytit të dashurisë së tyre jo rastësisht ia vunë emrin Guri. Tani Guri Gashi është gjimnazit dhe adhurimi i tij është piktura e skulptura, trashëgimtar besnik e frymës artistike në vazhdimësinë e gjeneratave. Në shoqëri me shokun e ngushtë Florianin, shijonin mikpritjen kosovare, e njohur me shekuj.
Ekspozita me përplot elemente shqiptare, nga literatura mbi legjendat, mitet, kreshnikët, heronjtë e pasuron vërtetë hapësirën e Bibliotekës Kombëtare. Znj. Remzije Bajraktari e shprehu kënaqësinë për këtë, falënderoj artistët dhe gjithë ndihmuesit. Ministria e Diasporës, përkrahësja kryesore për sjelljen e veprave të artit nga Austria foli përmes z. Lorik Pustina. “Përsonalisht Ministri z.Ibrahim Makolli ishte i angazhuar për t’u realizuar ekspozita e Destan e Barbara Gashit. Gjithmonë do jemi në shërbim të mërgimtarëve tanë, e vlerësojmë punën e tyre të madhe atje ku veprojnë” U ndamë nga artistët kur ata kishin vizitor ministrin z.Ibrahim Makolli. Lotët mallëngjimi e respekti rridhnin mjekrës së thinjur të Destanit. Melodia e tyre mbi mermer u ngjiz me pikat e shiut pranveror që ushqenin gjelbërimin e përjetshëm.

Filed Under: Kulture Tagged With: Destan Gashi, Hazir Mehmeti, këtu denbabaden

JA PSE DUHET TE PERKRAHET EMIN EDDIE EGRIU

April 19, 2014 by dgreca

Duke u bashku me mbeshtetje rreth Emin Egriut, Peter Lumajt, Mark Gjonajt, Ken Biberajt, Liza Milicaj dhe atyre qe do ta ndjekin rrugen e tij me vone eshte menyra e vetme qe te ndryshojme rrjedhen e historise sone te kaluar e cila eshte plot dhimbje, deshtime dhe lavdi te perkohshme./
NGA ARBEN DEDAJ/
Ne vitet e fundit shume individe nga komuniteti shqiptaro-amerikan kane kthyer vemendjen e tyre ne sektorin e sherbimit publik. Perveç atyre individeve qe aktualisht punojne ne sektorin publik, kemi pasur rastin te shohim disa fushata kadidatesh shqiptaro amerikane, qe garojne ne zgjedhje lokale, ne rang shteti dhe ate federal. Vlen per tu permendur eventi historik i zgjedhjes se Mark Gjonajt ne dhomen e perfaaqesuesve te shtetit te New York-ut, fitorja e Znj. Liza Milicaj si keshilltare ne bashkine e Plesantville, NY, pa lene menjane garen shume dinjitoze te Ken Biberajt ne zemer te Manhattan-it vitin e kaluar, i cili edhe pse nuk fitoi eshte bere nje emer i njohur ne politiken e NY dhe ka nje te ardhme te ndritur ne politiken amerikane nese vendos te kandidohet serish!
Gjithashtu para disa ditesh na erdhi edhe nje lajm i mire nga Connecticut ku kandidati shqiptaro-amerikan per Sekretar Shteti, Peter Lumaj aktualisht ka mundur oponentin e tij jo vetem me perkrahje politike por edhe financiarisht.
Fatkeqsisht komuniteti shqiptar akoma nuk po kontribon sa duhet ne perkrahje te ketyre individeve te cilet edhe pse shpesh here garojne jasht zonave tona, prape se prap na perfaqesojne si komunitet.
Me dt 15 Prill mu dha rasti te isha pjesmarres ne nje event te organizuar nga shqiptaret e New Jersey dhe Pennsylvania’s per te perkrahur kandidatin shqiptaro amerikan Emin Egriu i cili garon per ne Kongresin Amerikan si perfaqesues i zones elektorale 26 ne Buffalo, NY.
Lind pyetja: “Kush eshte Emin Egriu?” Se pari eshte shqiptar i joni. Se dyti vjen nga nje familje patrotike bamirese qe ka edhe deshmore ne rradhet e saj. E treta, perderisa ka hyrë ne gare per nje karrige federale ne Amerike, me besoni se nuk eshte lëne gur pa u kthye per se mrapshti per çka ka te bejne me Eminin si individ dhe gjithçka sillet rreth tij….që diten qe ka lindur e deri me sot.
Te tjere shqiptare thone: “Ç’ka do bëje Emin Egriu per mua edhe nese zgjidhet, ai nuk do jete as deputeti i zones time?” Po te isha ne vend te tij(Eminit) do ju pergjigjesha me nje “asgjë” biles po e shkruj me te madhe : “ASGJË!!!” Une nuk pres asgje tjeter nga Emin Egriu perveç se te jete shqiptario-amerikani i pare ne parlamentin me te fuqishem te Botes. A pak ju duket kjo o shqiptar?
Dikush thote ” Kot e ka se nuk fiton dot” Edhe mundet te jete ashtu, por sot per sot Emin Egriu eshte shqiptari i pare ne historine e komunitetit shqiptar ne Amerike, qe i eshte afruar kaq afer vijes se mberritjes per nje gare te tille ne Amerike.
Se fundi, mendoni pak o shqiptaret e mi, sa te tjere do dalin nga rradhet tona qe do ndjekin rrugen e tij? Duke u bashku me mbeshtetje rreth Emin Egriut, Peter Lumajt, Mark Gjonajt, Ken Biberajt, Liza Milicaj dhe atyre qe do ta ndjekin rrugen e tij me vone eshte menyra e vetme qe te ndryshojme rrjedhen e historise sone te kaluar e cila eshte plot dhimbje, deshtime dhe lavdi te perkohshme.
Ne kemi kontribuar bujarisht per kandidatet jo-shqiptare. Disa na e kan kthyer me pune te dobishme e disa i kemi “marre me qera”… a nuk i ka komuniteti jone prej qindra mijë shqiptaresh mjetet financiare per te mbeshtetur fushaten e kandidatit per ne Kongresin Amerikan, Emin Egriut apo Peter Lumaj per Sekretar Shteti ne CT? Ne shqiptareve ne Amerike per ndryshe na njohin si cifutet e Europes, kjo per faktin se shumica jone ktu jeton me bizneset e veta, te medhaja apo te vogla qofshin ato. Na ka ardhur rradha te gjitheve te bejme detyren tone dhe te mos presim nga disa shqiptare te nderuar qe te na i heqin gjithmone barret. Para ca ditesh pata rastin te shikoja nga afer punen e mrekullueshme te bere nga Rrustem Geci me familje, i cili me kontributin e tij e restauroi seline e Vatres 101 vjecare ne Bronx, NY… Duke falenderuar familjet Geci, Bajraktari, Bardha, Xhemaj, Balaj dhe Pilku dhe shume e shume atdhetare te tjere te cilet nuk kane kursyer asgje ne sherbim te komunitetit shqiptar dhe ceshtjes shqiptare ne gjithesi ju bej thirrje te gjithe gjithe shqiptareve qe te bejme detyren tone ne te miren e ceshtjeve shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Arben Dedaj, Emin Eddie Egriu, JA PSE DUHET TE PERKRAHET

Bajron – imazh e figurë

April 19, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Më 19 prill 1824 – Lord Bajroni vdiq në atë që është tani Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek.
Historia e Bajronit ështe plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shperthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.
George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra.
Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe ne librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet.
Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitohehen gjerësisht. Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht.
Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet për të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.
“Në fshehtësi u takuam –
Në heshtje u pikëllova,
Se një ditë do t’më harrosh,
Shpirti yt mund të mashtrohet.
Kur unë të dalë përpara
Pas viteve të gjata ,
Si duhet të përshëndes ty? –
Me heshtje dhe lot”
Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Bajroni, imazh e figure

Presidentja Jahjaga viziton Manastirin e Deçanit dhe Katedralen e Prishtinës

April 19, 2014 by dgreca

Nga Behelul Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Manastirin e Deçanit dhe Katedralen e Prishtinës, në prag të festës së Pashkëve.
Në Manastirin e Deçanit, Presidentja Jahjaga u prit nga igumeni i këtij manastiri, Sava Janjiç.
Presidentja Jahjaga e uroi atin Sava dhe të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.
Në Katedralen e Prishtinës, Presidentja Jahjaga u prit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Duke e uruar për festën e Pashkëve, Presidentja Jahjaga tha se Pashkët janë një ditë e ringjalljes së jetës dhe të mirës, ditë e shpresës dhe e dashurisë, e mirëkuptimit midis njerëzve.

Filed Under: Rajon Tagged With: manastir i decanit, Presidentja Jahjaga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4677
  • 4678
  • 4679
  • 4680
  • 4681
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT