• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bylykbashi : Gjykata Kushtetuese kthen të drejtën e opozitës

April 4, 2014 by dgreca

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e cilësoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lejimin e komisionit hetimor për skandalin e serverit të tatimeve, si fitore të parlamentarizmit.

Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi u shpreh se, “Sot, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj unanim me të cilin shpall si antikushtetues vendimin e Kuvendit për t’i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në serverat e tatimeve dhe vjedhjes dhe fshirjes se miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Edi Rama dhe Ilir Meta, të terrorizuar nga dalja në dritë e këtij skandali, urdhëruan bllokimin nga Kuvendi me forcën e kartonave, të hetimit të tij”.

Sipas tij, “me këtë vendim Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi një të drejtë kushtetuese të opozitës. Kjo është një fitore e madhe e parlamentarizmit në Shqipëri, dhe e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, veçanërisht kontrollit nga opozita”.

Sipas Bylykbashit, “ndërhyrja e paligjshme e njerëzve të besuar të kësaj dysheje në bazën e të dhënave të tatimpaguesve shqiptarë, kopjimi dhe zhdukja e miliona deklaratave tatimore është një skandal i paprecedent. Ky skandal jo vetëm minon integritetin dhe besueshmërinë e sistemit tatimor të shtetit, por cënon rëndë të drejtat e subjekteve, i hap rrugën njerëzve të dyshes Rama-Meta për t’i bërë presion bizneseve apo për të zhdukur detyrimet e klientëve të kësaj dysheje”.

“Sapo të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës, ne do të paraqesim kërkesën e re për ngritjen e komisionit hetimor e për të analizuar në thellësi, në përputhje me Kushtetutën, këtë skandal, për të zbardhur moszbatimin e ligjit nga kjo mazhorancë, për t’i vënë fre kësaj arrogance antikushtetuese e për vënien para drejtësisë të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij skandali”, tha Bylykbashi.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Bylykbashi : Gjykata Kushtetuese kthen, të drejtën e opozitës

200 VJETE BAJRAKTAR

April 4, 2014 by dgreca

NGA REXHEP DEDUSHAJ/ New York/

Hydaverdi Pashe Begolli ne vitin 1703 .pasi  e vrau ne tradhti kryetrimin e fshatit Trepca – Martinin ,emrin e tij e merr ky fshat pastaj,ua ndrroi fene dhe I shendrroi ne cifcinje te agallareve te Gucise te gjithe fshatin !!Edhe sot eshte ne mes te Livadhit te Madh ,afer Luces nje shelg qe quhet;” Mrina e Mallaga “,ku thuhet se persekutoheshin fshataret e ketij fshati nga cifligaret e tyre: “ Tere naten e lejshin njeriun ne bore e ne shinlidhun per ate mrine “ – me thoshte shpesh daja Shaban!!

Ata fshatar qe s’kishin pranuar ta ndrronin fene Pashai pejane I shpernguli per ne Peshtere apo ne Rugove.Te shperngulur te tille siduket ishin edhe paraaedhesit e Bajraktareve te sotem te Martinajve.Megjithese Cela – Bajraktari i sotem i ketij fshati e shpjegon kesisoji shkuarjen e ture ne Peshter:” Jemi nder banoret me te vjeter te Martinajve.Por ne kohen e Turqise kishim shume bageti dhe duhej ti dimronim ne Peshter meqe nder ne mungonte ushqimi per to.Keshtuqe duke shkuar percdo vit atje,sidomos dimrave ishim detyruar te blenim edhe toke dhe dalngadale nje pjese e familjes tone mbeti te jetoj atje e pjesa tjeter vazhdonte te jetio ne Martinaj ku jetojme edhe sot.E mbase ndonjeri prej paraardhesve te mi mund te kete jetuar me gjate atje e pas kethimit ne vendin ame mund t’jete quajtur si I ardhur…Pra fjala eshte per nje levizje brenda per brenda territoreve tona,tokave tona ,brenda perbrenda Shqiperise Etnike.”

Sipas fjaleve te te Celes,qe ia kishte perciellur i ati  – SHABANI ,bajrakun (Flamurin )e kishin fituar ne Luften e Morese .SIC  dihet ,deri atehere Martinajt s’kane qene Bajrak  I vecant.E  ne Luften e Morese  ( Viti 1820-1822) kunder kryengritjeve greke ishte dalluar nje I pari I tyre  – emri si kujtohet dhe nga ajo kohe Mustafa Pashe Bushati e emroi Bajraktar te fshatit Martinaj.( Shih lib.e lartepermendur : “ Gjurme …”f.150-151)

Qe nga ajo kohe ,kjo familje ne fjale I prine ketij fshatit me utresi ,vendosmeri,trimeri dhe ndershmeri duke u dalluar ne mesin e fshatrave te Nahise se Gucise.

Ne mesin e me te dalluareve gjate historise me se 200 vjecare ishte Bajraktari – AZEM HAZIRI ,pinjoll I kesaj familje  me emer dhe me kontribut ne levizjen atdhetare ne veri te Shqiperise.

Ky u dallua gjate Luftes se Pare boterore ,si njeri nder udheheqesit me te shquar  te krahines ne fjale.Ate dite qe u clirua nga A,H,me 15 tetor 1918,u vendos pushteti popullor vendor dhe u organizuane mitingje gjithepopullore ne te cilate folen Hasan Ferri,Ismail Nikoci etj.Ne  njeren nga keto mitingje,te mbajtur me 24 dhjetor 1918 u zgjodhen edhe delegate qe do ta perfaqesonin Plaven e Gucine me rrethine ne Komitetin e Shkodres;Ismail Nikoci  dhe Hysen Efeni Vuthi–Gjonbalaj.Po  ne te njejtin tubim u vendos qe te mbrohet me cdo kusht kjo krahine nga ushtria serbo-malazeze  te cilete e kishin rrethuar te njetjten dhe ishin te gateshme per sulm.

Ne mbledhjen e njejte u nenshkrua edhe nje peticion ne te cilin thuhej ;’ Na .te nenshkruarit,perfaqesuesit e popullsinave te Gucise e te Plaves ,po diftojme se Komiteti ; “ MBROJTJA KOMBETARE E KOSOVES “nder kryepari te z.Hoxha Kadri Prishtina ,me Qerim Beg Mahmut –Begollin ,Hysni Beg Currin Bedri Beg Pejanin ,Halim Beg Gostivarin ,po si antare,I ka  te drejtat e nji delegates plotefuqishme para botes  zyrtare e jashtezyrtare per me e realizue dishiren tone kombetare qe ashte; ‘ BASHKIMI I GUCISE E PLAVES ME SHQIPNINE E LIRE E VETQEVERIMTARE’!dhe,ne emer te popullesise se Gucise e Plaves nenshkruajne;

Imam Hoxhe Ejupi – Guci

Azem Bajraktari – Martinaj

Mehmet Bajraktari – Vuthaj

Mustafe Kadria – Kukaj

Elez Bashi – Martinaj

Et’hem Nuri – Martinaj

Hazir Shpendi – Vuthaj

Jusuf Meli

Cak Alushi – Hot

Mini I Dishit – Nokshiq

Rame Faku – Pepaj

Bajram Zhuj Arifi – Arzhanice

Bektesh Alku

Halit  Ardsabi

Hak Zhuka

Shaban Breca …

Ky dokumet I nxierrur nga Arkivi Shteteror I Shqiperise u paraqite ne Simpoziumin Shkencor  te mbajtur ne Plave ne veren e vitit 2012. (Shih: Ramiz Lushaj : “Krahina e Plaves  mund te ribashkohet me Shqiperine  ose Kosoven” ne portalin:Gazeta Atlantiku “ Dhjetor 2o13)

Sic  dihet nga kjo dite e deri me sot askush ne emer te kesaj krahine nuk ka nenshkruar dhe nuk kane pranuar okupimin e Malit te Zi mbi te .Por,perkundrazi ne konferncen themeluese te Lidhjes se II te Prizrenit nentor 1943 ne emer te saj kane marrur pjese e I kane nenshkruar dokumentate e saj Shemsi Ferri e Rexhe Meta –Ulaj .Dhe ne Konferencen e Bujanit te mbajtur ne fshatin me te njejtin emer ,ne rrethin e Tropojes ne dhjetor 1943 e janar 1944,perfaqesuesit e Plave –Gucise ;Sadik Bekteshi –Ahmetaj e Mehmet Dermani – Gjonbalaj ,nga Vuthajt e Zymer Halili –Balidemaj,nga Mrtinajt dhe Bejto Shahmani nga Plava e nenshkruane Rezoluten e Bujanit ku thuhet;”Popoullit Shqiptar te Kosoves I garantohet e drejta per vetvendosje deri ne shkeputje .Kete e garantuane UNCE Shqiperise dhe aleatet e medhenj ne LDB;Anglia,Amerika dhe Bashkimi Sovjetik (Krta e Atlantikut,Konferenca e Moskves dhe Konferenca e Teheranit…)

Kosova dhe Dukagjini – thuhet ne ate Rezolute ,eshte treve e cila ne pjesen me te madhe eshte e banuar nga populli shqiptar dhe e cila ,si kurdohere ,ashtu edhe sot –deshiron te bashkohet me Shqiperine dhe prandaj e ndiejme per detyre te tregojme  rrugen e drejte nga duhet nisur.(…)Kur te gjithe popujt ,madje edhe  shqiptaret do te kene mundesi te deklarohen per fatin e vet me ane te se drejtes per vetpercaktim deri ne shkeputje “.( Shih  Dr.E.Stavileci ;’Ceshtja e vetvendosjes se Shqiptareve dhe garancite e vendeve te Evropes ‘ ne ‘Ilyria’ NY.9 tetor 1991.f.23.)

Dihet se ne baze te asaj rezolute ka lindur Shteti I pavarur I Kosoves sot.Dhe si per cudi,nuk u perfshi  edhe Krahina e Plave – Gucise brenda perbrenda  saj,kur dihet se qe nga viti 1832  e njejta ishte pjese ( nenprefekture ) e Prefektures se Pejes  ne te gjitha koherate:Ne ate te Turqise,te Malit te ZI dhe te Mbreterise Jugosllave!?

Dhe ne baze te cfare te drejte jemi sot aty ku jemi; Nen Republiken e Malit te Zi ?!

Organizimi I Plaves e Gucise  me fshatrat perreth,per vetembrojtje beri qe per 3 muaj e gjysem (nento-dhjetor ,1918 dhe janar e shkurt 1919) kjo krahine te kete ,te thuash ,nje autonomi te plote ,qe udheheqej nga banoret e saj.

Ne Nenkomitetin per organizimin e mbrojtjes se Gucise krahas Jusuf Hotit,

.Shaqir Musliut,Adem Omerages,Shaqir Halilit,Cun Mules,Adem Smajlit – bajraktarit te Gucise,ndodhej edhe Azem Bajraktari…

Me 19  e 20 shkurt te vitit 1919,forca te shumta serbo-malazeze te udhehequra nga kriminelet Punisha Raciq nga rrethi I Andrievices dhe Lakiq Vojvodic e sulmuane Plavene Gucine .Ata u sollen edhe me zi se ne vitet 1912-1913.Kahdo qe kalonin lenin shkretire; “ Kane djegur me qindra shtepi dhe kane pushkatuar e therr me bajoneta me qindra te pafajshem.U dogjen 489 shtepi dhe u vrane 500 veta”.( Shih:Xh.Shatri;’Veshtrim I pergjitheshem mbi politiken Serbomadhe ne Kosove ‘,Zvicer f.50) Mbare  popullesia tjeter qe arriti te shpetoi iku ne Mlesi dhe Shkoder,rreth 3000 veta.Ku nje pjese e te cileve jetojne edhe sot atje,Ne:Gurz,Shtoj te Shkodres (Gucia e Re )ne rrethin e Durresit etj.

Nga kjo kohe vjen edhe kenga popullore;Njefsha mire ,mori malesi.

Mire na mbajte shtetemdhet mije

Dymbdhet vet me e vogla shpi

Ishte kjo pra masakra e dyte,marsi I dyte,mbi kete popullesi martire,te pambrojtur por kurr te paperkulur para krimineleve ordinar te  Vasoviqit te tipit:Avro Cemoviqit (1913) dhe Punisha Raciqit e Lakiq Vojvodiqit me 1919…

 

Filed Under: Histori Tagged With: 200 VJETE BAJRAKTAR, rexhep dedushaj

Pretendimi i Dick Marty per Trbunalin, diktat politik mbi Drejtesine

April 4, 2014 by dgreca

Krijimi eventual i Tribunalit mbi bazën e pretendimeve të Dick Marty-t do të simbolizonte diktatin ideologjik të politikës mbi drejtësinë!/

Nga Bardhyl Mahmuti/

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Drejtori për çështjen e Evropës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore deklaroi se “pretendimet në raportin e Dick Marty-t janë unike dhe janë të veçanta dhe ato nuk aplikohen për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë konfliktit dhe për këtë arsyeje ato duhet të zhvillohen jashtë Kosovës.”

Që në fillim të reagimit tim dëshiroj të vë theksin se pretendimet e Dick Marty-t, të mbështetura mbi gënjeshtra, nuk janë unike as për nga përmbajtja e shpifjeve e as për nga personi që i shpërndan. Strategjia e stigmatizimit të UÇK-së,e përpiluar në Shtabin Strategjek të Millosheviqit, është objekt i një analize që do të botohet si vepër e veçantë në muajt e ardhshëm. Në vazhdim po sjell disa fragmente që do t’i mundësojnë lexuesit të shohë implikimin e politikanit të Partisë Radikale Demokratike zvicerane, Dick Marty-t si implikim në përputhje me pikëpamjet e tija ideologjike të “anti imperializmit amerikan”.

Intervenimi ushtarak i NATO-s për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit dhe pastrimit etnik të Kosovës mobilizoi të gjitha qarqet antiamerikane dhe anti imperialiste në Evropë dhe më gjërë. Në këtë kontekst, Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, më 21 prill 1999 i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë.”

Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve,  të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për një zgjidhje politike.”

Politikani që asnjë herë nuk e kishte ngritur zëri për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, e cila fushatë pati për pasojë mijëra të vrarë dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, e çori gurmazin duke kërkuar që të ndërpriten bombardimet kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe!

Demokrati radikal zviceran, Dick Marty, i cili në asnjë rast nuk përmend se Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë ishte një mision i pjesëtarëve të paarmatosur që duhej të mbikëqyrnin, ndër të tjera, edhe respektimin e armëpushimit të realizuar me 13 tetor 1998 e që dështoi për shkak të vazhdimit të politikës luftënxitëse të regjimit të Beogradit, rekomandon në mënyrë “radikale” armëpushim dhe vendosje të “trupave neutrale” për t’u kujdesur për respektimin e një armëpushimi të propozuar prej tij!

Nëse e kemi parasysh se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, atëherë mbetet e paqartë se me forcat e cilit vend do të konstituoheshin “trupat neutralë” të Dick Marty-t! Forcat ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s? Nëse një gjë e tillë lehet e paqartë nga Dick Marty, ai është tepër i qartë se në “trupat neutrale” nuk mund të ishin forcat e shteteve që kishin sulmuar Serbinë, sidomos nuk mund të ishin amerikanët! Dick Marty është i mendimit se “ushtritë e komanduara nga NATO-ja bombarduan Serbinë dhe se ky ishte një agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së.”  Rekomandimi “për përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” nuk dallon për asgjë nga rekomandimet e regjimit të Millosheviqit për të “ndërprerë agresionin dhe për të gjetur një zgjidhje politike.”

Në mënyrë të njëjtë si propaganda zyrtare e Beogradit edhe rekomandimi i deponuar nga Dick Marty la në heshtje të plotë angazhimet diplomatike të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve për të përmbyllur konfliktin me një zgjidhje politike. Nuk u përmendën asnjëherë propozimet e Grupit të Kontaktit, as Konferenca në Rambouillet dhe Paris dhe as dështimi i tyre për shkak të strategjisë së Millosheviqit që të provokohej lufta.

Pozicioni i Dick Marty-t ishte i qartë! Në të njëjtën shkallë sa edhe “neutraliteti” i tij!

Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty është tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve,  të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatit terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty  as që përmend OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Millosheviqit nuk është ilegal!

Shumë më shumë se “pro-serbizmi” i Dick Marty-t  është “anti-amerikanizmi” i tij dhe i shumë autorëve tjerë që i bën të rreshtohen përkrah propagandës zyrtare të regjimit të Millosheviqit.

Po i njëjti Dick Marty, disa vite më vonë, përmes Raportit paraprak të miratuar nga Këshilli i Evropës në janar të vitit 2006, ai u angazhua të jetë “unik” në pretendimet e tija se CIA kishte pasur “burgjet sekrete” në disa shtete të Evropës. Ky raportues i Këshillit të Evropës “hulumtonte” herë në Rumani, herë në Poloni dhe herë në vendet tjera të Evropës për të “gjetur prova që do të dëshmonin se amerikanët kishin shkaktuar krime të rënda në luftën kundër terrorizmit në «Guantanamot e Evropës» ”. Raporti i tij final i qershorit të vitit 2006 e shtyri Këshillin e Evropës të publikojë raportin më 8 qershor 2007 dhe të zhvillojë hetime lidhur me thëniet e Dick Marty-t.

Ai nuk ndalet me kaq. Akuza të veçanta do t’i adresojë kundër Kosovës që, sipas tij, “strehon bazën më të madhe amerikane në botë”. Në intervistën e 12 marsit 2008, për «Réseau Voltaire» të titulluar «Pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë» Dick Marty del hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shteteve të cilat e njohin këtë pavarësi. Sipas tij, “Presidenti serb, Tadiqi, sado e rëndë që ishte për te, në prezencë të përfaqësuesve të 47 shteteve të Këshillit të Evropës, ai deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte një autonominë të zgjeruar për Kosovës. Nuk e shfrytëzuam këtë rast!”

Dick Marty e sheh pavarësinë e Kosovës si komplot të amerikanëve “për të mbajtur bazën e tyre më të madhe në botë”. Ajo që është më e keqe, sipas tij, lidhet me faktin “UÇK-në e kanë prezantuar si të ishte e organizatë e virgjër dhe bamirëse”. Për këtë arsye, ai u angazhua intensivisht që “që të gjejë provat për të dëshmuar se UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe i mundësoi imperialistëve amerikan të ndërtojnë bazën më të madhe të tyre në botë!”.

Drejtori për çështjen e Evropës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore, e di më mirë se shumë kush që prezenca amerikane në Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik imperialist për Evropën, ashtu siç pretendojnë “në mënyrë unike” Dick Marty dhe antiimperialistët tjerë të orientimit politik të djathtë apo të majtë.

Raporti i Dick Martyt i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë” nuk ka asgjë unike. Përkundrazi, janë akuza të dëgjuar sa e sa herë në nga goja e atyre që në çdo intervenim të amerikanëve, qoftë edhe në rastet kur qëllimi ishte humanitar, nuk shohin asgjë tjetër pos “komploti” për të dominuar botën!

Për këtë arsye, krijimi eventual i Tribunalit të veçantë mbi bazën e gënjeshtrave të frymëzuara nga pikëpamjet ideologjike të Dick Martyt  do të ishte një diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë.

4 prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, per Trbunalin, Pretendimi i Dick Marty

Vetëmashtrimi i serbëve

April 4, 2014 by dgreca

Shtrembërimi i historisë/

Nga Fahri XHARRA/

“Gënjejmë që ta mashtrojmë vetveten, ta ngushëllojmë tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë që të mos kemi frikë, të trimërohemi, ta fshehim varfërinë tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë sonë. Gënjejmë për liri. Gënjeshtra është formë e patriotizmit dhe inteligjencës sonë. Gënjejmë në formë krijuese, imagjinuese dhe inventive”-Dobrica Qosiç, ish-kryetar i Jugosllavisë, akademik. Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave (SANU), para sa kohe e kishte mbajtur një takim të rendit të lartë me temë: “Problemet e metodologjisë së hulumtimit të prejardhjes së Shqiptarëve”. Referatet i paskan lexuar 15 pjesëmarrës dhe në mesin e tyre edhe: akademik Mihajlo Markoviq, akademik Mihajlo Stanishiq, akademik Milosh Blagojeviq, prof.dr. Momir Joviq, dr.Jovan I. Deretiq, dr. Milan Ristanoviq-doktor i shkencave filologjike dhe profesor i linguistikës në Sorbonë të Parisit prof.dr. Radomir Gjorgjeviq, dr. Jelena Guskova nga Moska, dr. Gjorgje Jankoviq dhe të tjerë.

“Burimet historike serbe”

Referatet i ceknin ”burimet historike” me të cilat” vërtetonin për ardhjen e shqiptarëve (shiptara) në Ballkan që nga viti 1043 dhe duke e hedhur poshtë në të njëjtën kohë teorinë që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve.
Ç`është “vetëmashtrimi”? Në librin e Bachut, kjo analizë psikologjike shpjegohet mirë. (“Të menduarit dhe besimi në vetëmashtrim”, Bach 1997) Një njeri e mashtron veten sepse për një kohë të gjatë nuk e di se është i vetëmashtruar. Vetëmashtrimi është kur dikush e formon një besim në diçka për të cilën, normat shkencore e diktojnë dhe procesi i formimit të atij besimi është rastësi dhe i ndikuar nga dëshira e lidhur me besimin në fjalë.
Vetëmashtrim ndodh gjithashtu kur të arrijmë në një përgjigje irracionale për të kënaqur dëshiron tona. Shembull i vetëmashtrimit është: Duke u shikuar në pasqyrë dhe e bind veten se je më i bukuri e në të vërtetë nuk je as në mesataren e bukurisë, ose kur shkruan diçka dhe mendon se e ”përpiu” bota atë se çka thashë, e bota qeshet me të.

Teoria e Triversit për vetëmashtrimin

Vetëmashtrimi i tyre shkon edhe më larg:”Të gjithë të pranishmit në debat e vërtetuan me fakte se paraardhësit e serbëve në Antikë dhe deri Mesjetë kanë qenë të njohur me emrat: si Dalmatë, Sarmatë, Thrakas, Dakë dhe Ilirë”?
Kurse teoria e Triversit për vetëmashtrimin qëndron në atë se disa nga njerëzit kanë lidhje emocionale me atë se çka beson dhe kjo është irracionale. Sipas Triversit (Robert): Një njeri e mashtron veten kur beson në diçka dhe mundohet t`i bindë të tjerët për atë vërtetësi. “Edhe Shën Jeronimi i shekullit 4. ps.k., i cili e përktheu Biblën nga hebraishtja ishe serb, sipas dr. Doretiqit. Është interesant që “neoromantikët” sa i përket kësaj çështjeje nuk janë të një mendimi. Janë shumë shkrues jo serb që e kanë vërtetuar prejardhjen serbe të Shën Jeronimit. Është interesant të ceket që profesor dr. Gjorgje Jankoviq, arkeolog, i cili i ka hulumtuar varrezat e shekullit 4.-6.ps.k. në Dalmaci, Bosanska Krajinë, Hercegovinë dhe në Serbinë Perëndimore, ka vërtetuar se ato janë serbe. Nëse arkeologu Jankoviq, në rrethinën e Bosanska Grahovës ka gjetur varreza serbe të fillimit të shekullit 4. ps.k. dhe në rrethinën e këtij qyteti serb në Bosanska Krajinë ka lindur Shën Jeronimi në vitin 330 apo 337 ps.k. atëherë vërtetohet e vërteta për përkatësinë serbe të këtij të Shenjti”. (po aty).
Në teorinë e Triversit mbi vetëmashtrimin, pastaj thuhet se fshehja e së vërtetës nga të tjerët, është e fshehura më e thellë e së vërtetës nga vetvetja.
Teorinë e Triversit që përdorimi i vetë mashtrimit për të treguar mbimadhështi (superioritet) mbi të tjerët, e vërtetojnë edhe “akademikët“ serbë, duke e rritur vetë-pjesëmarrjen në vetëmashtrim për të rritur peshën e saj edhe në përdorimin e vetëmashtrimit në qëllimet politike.
Derisa serbët me anë të vetëmashtrimit e “shprehin mendimin bindës se duhet bërë edhe më shumë se puna nuk ka përfunduar”, çka bëjmë ne?
Vetëmashtruesit jo tëqëllimshëm (jo –intencionalistët shqiptarë?) në të kundërt të atyre të qëllimshmëve (serbëve) kanë prirje të besojnë se rastet e vetëmashtrimit nuk janë domosdo aksidentale, por të motivuara nga dëshira, ankthi apo ndonjë emocion tjetër.
Për më tepër “ mendimi i dëshiruar” dallohet nga vetëmashtrimi në atë që vetëmashtruesit (shqiptarë) i pranojnë dëshmitë kundër vetëbesimit të tyre mashtrues.

Mohuesit e së kaluarës

Por sa do që në shikim të parë shihet orvatja e të tanëve, mohuesit tanë të së kaluarës dhe të tashmes sonë që të ”qapurisin” diçka nga shkenca e historisë, pasojat e këtij vetëmashtrimi janë te rënda e më shumë se fatale. Me apo pa vetëdije, me apo pa qëllim,të imponuar apo jo nga dikush, me apo pa domosdoshmëri aksidentale, me apo pa emocione të porositura dalin dhe e bindin botën që:

– shqiptarët nuk kanë prejardhje historike,

-se ilirët ishin fise bredhëse të Ballkanit, të ardhur nga dreqi i mallkuar dhe i gjetën sllavët e “civilizuar“ këtu dhe nga ata mësuan se si “hanin bukë”,

-që autoktonët e Ballkanit ishin grekët, dhe se civilizimi ka filluar me ta dhe që ilirët ende nuk kishin lindur si barbarët e ardhshëm që e prishnin qetësinë e civilizimeve ekzistuese,

– të thuhet e të shkruhet se tokat e banuar nga sllavët u populluan me një racë shqiptare të cilët i solli turku nga Azia si baraspeshë për sllavët e “vendit”,

-të dokumentohej që Gjergj Kastrioti –Skënderbeu ishte një surrogat serb apo malazez dhe në kohën e tij i mbronte tokat sllave si bir i tyre, kundër turkut”,

-që Lidhja e Prizrenit të dilte si lojë turke vetëm për t`i kënaqur do apetite false”,

-që të shkruhej se akti madhështor i Ismail Qemalit i shpalljes së pavarësisë, bëri krim ndaj turkut, dhe i pengoi sllavët t`i kthejnë tokat e tyre”,

-që plejada e Rilindasve të shpallej si renegatë të perëndimit ,pa qëllime konkrete

vetëm për t`iu kundërvënë turkut”,

-që Nëna e Madhe Terezë ,të shpallej e të pranohej botërisht si bijë e sllavëve të ish Maqedonisë apo bij vllehësh”,

– “ që Ismail Kadare të vërtetohet përfundimisht se “është pjellë“ antishqiptare

– që shqiptarët të shpalleshin si vrasësit më të mëdhenj të hebrenjve”,

– të zëvendësohet fjala pushtim me administrim në rastin e Perandorisë Osmane

-që një perandori pushtuese të jetë perandori e dashurisë

Kurse vetëmashtrimi i shqiptarëve, i qëllimshëm apo jo është vetëmashtrim, është tragjik, është i pafalshëm.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Vetëmashtrimi i serbëve

Të kish ca djem si Pëllumb Gorica!

April 4, 2014 by dgreca

 ” Sulova e Poshtme në shekuj!”/

(esse)

Nga   Përparim    Hysi/

Para një jave më la takim tek kafe “Evropa” Pëllumb Gorica.  Atje takuam dhe Xhevahir Spahiun. Xhevon, xhevahirin e Poezisë Shqipe. Është gëzim i madh që të rrish me Xhevon, pas atij “cunami” shëndetësor që goditi Poetin e bukur. Jo vetëm fati  i tij , por dhe  për mbarë Letërsinë Shqipe. Ende nuk shkruaj,-më tha Xhevoja, por lexoj.  Dhe, tek mundohet që të rikujtojë momente të caktuara nga jeta, ja, tek mbrrin Pëllumb Gorica . Qe një ardhje e bukur, se , me t’u përshëndetur me ne, nxori nga  qeska librin e tij ” Sulova e Poshtme në shekuj” dhe,sa ia zgjati Xhevos, ky, si i mallngjyer (sikur vinte përsëri këmbët mbi ato vise ku dikur i ka shkelur këmba) hodhi vështrimin në kopertinë dhe, kur po shfletonte pak ngadalë, ou,-bëri. Po unë kam qenë. – Ke qenë,- e mbështeti Pëllumbi. -Çudi e madhe,- foli tërë shend. Edhe kur qeshë në Tomor ( i referohej Teqesë),vështroja nga larg atë pishën madhështore që dukej nga larg.- Sa bukur! Çudi e madhe!- tha i kalmendur. Dhe, mandej, Pëllumb Gorica ma dhuroi dhe mua këtë libër të tij. Mandej qëndruam që të tre nja një orë të mirë dhe,secili, në punët e veta.

*    *    *

Kurrë librave që më dhurojnë shokët nuk u rri skiç. Përkundrazi, pasi i lexoj, në kufijtë e dijeve të mia modeste, qoft dhe si lexues, dua të them fjalën time. Libri i Pëllumbit është i një lloji të veçantë: ky libër është si një “anamnezë” e madhe e autorit për një krahinë si Sulova e Gramshit. Ajo që të çuditë në këtë “anamnezë” është pasioni  i madh i autorit; këmbëngulja për të lëvruar në shekuj dhe në gjithë këtë libër me vlerë, është derdhur djersa për rrreth 15-vjet, ku autori del si një diturak disapalanësh: edhe historian,edhe arkeolog, edhe agronom, edhe pedolog; edhe zoolog,edhe hidrolog, edhe anatomist,edhe botanist, edhe njeri i artit,edhe i arsimit,edhe i kulturës. Edhe njohës i traditës në të gjitha fushat. Natyrisht, të gjitha këto atribute nuk janë “favore” që po ia bëj unë, por e tregon puna pasionante e tij. Libri i tij ka aq vlera, sa e them pa frikë: sikur çdo krahinë e madhe ( se e  madhe është dhe Sulova e Poshtme) të kishte të  tillë si Pëllumb Gorica, historia nuk do kish lënë vënd për pikëpamje evazive ku një i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.

Se sa vlera ka libri i Pëllumb Goricës (ende pa dhënë ato mendimet e mia për të) ju them se parathënien,sado konçize të librit, e ka bërë një njeri me emër në analet diturake mbarëshqiptare që quhet, Moikom Zeqo. Unë nuk kam njohje personale me Dr. Moikom Zeqon, por në vizionin dhe mendimin tim personal, DR. Moikom Zeqo është një  nga Njerëzit e Ditur të mbarë Kombit. Jo vetëm në fushën e letërsisë, por dhe në fusha të tjera,deri në arkeologji ( ai njeh dhe arkeologjinë nënujore) dhe, po të ishte për mua, jo vetëm duhet të ishte Drejtor i Muzeumit Historik Kombëtar, por të “klonohej” për së gjalli atje. E solla si “pikëreferimi” për t’i dhënë lexuesit vlerat reale të një libri të tillë. Kur flas për vlerën e këtij libri, nuk nisem vetëm nga faqet (rreth 400 faqe), por nisem nga ato relikte historike që ka sjellë autori. Veç vullnetit e pasionit, kemi të bëjmë me një diturak skrupuloz. Bukuria dhe vlera e librit qëndron dhe në faktin tjetër shumë domethënës: autori nuk di të rrahë gjoksin dhe ta bëjë vrimë atë, duke thurur poezi për veten e tij (siç ndodh rëndomë në krijues e paloshkencëtarë), por tregon  gjithë referencat dhe burimet ku  ka “kullotur”. Pse është i tillë , ai të bën që jo vetëm ta duash, por edhe ta përgëzosh për atë punë aq pasionante, po se po, por dhe me vlera historiko-shkencore dhe më tej. Çdo njeri tjetër që do bënte një punë të tillë ( që të arrihet kjo që ka arritur Pëlllumb Gorica do  jo vetëm durim, por dhe kohë e harxhim vlerash financiare), padyshim që do u binte ” borive” të kohës (sidomos në masmedia) dhe do tentonte për të fituar jo vetëm lavdi, por dhe shpërblime a titull shkencor. Jo. Pëllumb Gorica nuk është i tillë. Ai, autoktoni i “Sulovës së Poshteme”, sado që ka gati 16-vjet në Tiranë (ndoshta më shumë?!), e ngriti në apogje dhe e  vendosi përjetësisht, në analet e Historisë së Shqipërisë, me gjithë integritetin e saj Sulovën e Poshtme. Lexon librin e tij dhe,pa qenë kurrë në ato anë, zë dhe  u “tregon arat vëndasve”. Se Pëllumb Gorica e ka shkruar me aq dashuri e pasion  sa ta jep në dorë gjithë hisorinë e kësaj treve të madhe. Ty, si lexues, nuk  të mbetem asnjë grimë  vështirësi, në se do të duhet të vizitosh një trevë të tillë.

*   *    *
Libri është i ndarë në kapituj dhe shërben si një guidë disaplanshe për zonën. Aty ke të shkruar e zezë mbi të bardhë: vështrim gjeografik, historik; toponimet, gjenealogjinë. Ke përshtypjet e të huajëve; ke njerëzit me emër që kanë bërë historinë e këtij vëndi. Ke doket e zakonet. Dinamika e arsimit e kulturës. Natyrisht, të gjitha këto nuk janë  në kuadrin fjalë, por me referenca shoqëruar me data historike; shoqëruar me dokumente dhe ajo që ia rritë dhe ca më shumë vlerën librit, ka fotografi “blice” të kohës si një dëshmi e pakontestueshme. Shoqërimi me fotografi është prezente, pothuajse, për çdo periudhë historike, se Pëllumb Gorica, nuk ka lënë muzeum apo dokument të kohës pa shfrytëzuar. Kur fola lart për ato “atributet” e Pëllumb Goricës, mos ma merrni si  njëanshmëri timen, por jam bazuar vetëm tek libri i tij. Ky libër është “ura e njohjes” me

Pëllumbin. Duke e lexuar me kërshëri, nuk kisha mundësi që mos çuditesha. Ai di  mirë gjithë burimet hidrike të krahinës; di gjithë sipërfaqet e gjithë pyjeve ( emërton çdu dru,frutor apo jo frutor”; di drithërat dhe bimët industriale të trevës; di gjithë florën    e trevës dhe jo vetëm kaq: duke folur për faunën (të butë apo të egër) ai nuk është vetëm blegtor,por një zoolog i dorës së parë. Syrit të tij prej vëzhguesi skrupuloz nuk  i shpëtojnë as insektet e zonës. Ai është jo vetëm agronomi i shkolluar, por dhe bujku i traditës që, di se kur është bërë ugari gati për mbjellje. Ai është ai zootekniku që di se
çfarë kali apo demi mbarshtrohet në Sulovë. Di peshën dhe të dhëna antropemtrike si një shkenctar që flet me gjuhën e shkencës. Folur troç e me një gjuhë popullore: mjafton ta lexosh librin dhe  “… je nga Sulova e Poshtme”. Provon ta lexoni dhe do më jepni të drejtë. Unë e kam fituar atë “status”. Në se do më lipset të bëj ndonjë udhëtim atyre anëve, kam për t’i treguar “arat babait”. Do t’i vë gjithë sulovarët poshtë. Se kam zbuluar “magjinë” Pëllumb Gorica. Pa superlativa: ka një këngë popullore të Shqipërisë së mesme ( unë i dua të gjitha këngët popullore të të gjitha trevave) që titullohet “Çohi djem shaloni atin”. Tek kjo këngë e bukur trimërie ka dy vargje që thonë: “… të kisha pasë nji djalë si Rema/ paçë me i hy Vezirit brena/. Unë po bëj pak “plagjiaturë” dhe  po them: “Të kish ca djem si Pëllumb Gorica, sa bukur do të qe!” Dhe nuk është një zbukurim imi, por një e vërtetë e bukur që të të jepë emocione të bukura. Të kam zili skrupulozi, Pëllumb Gorica. Të kam zili vullnetin e pasionin dhe, mbi të gjitha, thjeshtësinë. Kjo (thejshtësia) ta zbukuron dhe më shumë ballin. Të kam zili dhe atë lidhjen (të pazgjidhshmen lidhje) me viset ku të ka rënë koka. Je një model i bukur dhe, sipas gjykimit tim, ke fituar të drejtën morale që,veç mbiemrit”Gorica” t’i shtosh “Sulova”,se e meriton më shumë nga kushdo.

Tiranë, 4 prill  2014

 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4712
  • 4713
  • 4714
  • 4715
  • 4716
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT