• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KOBLENZ TË GJERMANISË U MBAJT MANIFESTIMI TRADICIONAL POETIKO-LETRAR”PAVARËSIA 2014″

March 30, 2014 by dgreca

  Shkruan:Shaban Cakolli/Shqiptarët në jetën e tyre janë ballafaquar me sakrifica të mëdha poashtu edhe me ndryshime të mëdha.Dihet mirë dikur ishim të pllakosur rëndë nga robëria e pushtuesëve,shtypjet,persekutimet,përndjekëjet,më pas  ndodhi lufta,e pas luftës tranzicioni për  ndërtimin e një  lloj demokracie. Shqiptarët e përndjekur të viteve të 90-ta,vetëm emrin e tyre dhe shpresën e  morën me vete,duke ikur nga përndjekëjet e pushtuesit të egër u detyruan  të kërkojnë strehim nëpër vendet e botës,vende të cilat kanë mundur të jenë djep i demokracisë.Komuniteti shqiptarë nëpër botë e kanë gjetur vetën duke punuar shumë,duke ndërruar   profesione duke fituar eksperienca të larta,fatbardhësisht disa prej nesh këtë eksperiencë të tyre të fituar e kanë bartur në vendin tonë.Veç këtyre mundimeve të mëdha, shqiptarët kishin para vetës një detyrë të vështirë,internacionalizimin e çështjes sonë kombëtare para popujve të  botës ku ishin strehuar,ndihmat për atdheun,shkollat shqipe,për të varfërit të cilët mezi jetonin,e shumë ballafaqime tjera.

Pos  këtyre vështirësive shqiptarëve iu desh një trajnim i madh dhe i vështirë.për të u integruar në shoqërinë ku ishin strehuar,madje kusht qenësor ishte që integrimin tonë me shoqëritë e botës ku jetonim,të e përfaqësojmë me një grup ideshë e krijimtarishë tona të cilat ishin kushte për të i njohur botën me kulturën tonë  kombëtare,ku pena dhe letra ishin qenësore,me të cilat ne duhej pasqyruar  kulturën tonë kombëtare para  popujve tjerë.Kosova është një rrëfim  i mundimshëm dhe i sukseshëm historik,origjinal djhe unikat i çlirimit dhe pavarësisë,vepër gjeniale e qëndrueshmërisë,vizionit dhe përcaktimit të drejtë të qytetarëve të saj,ngjarëje e madhe historike e mbarë popullit në veçanti e mërgimtarëve të cilët të shkapërderdhur nëpër vendet e huaja,ndiheshin sikur zogj me krahët e thyar,të cilët i mbante vetëm emri dhe shpresa.Lidhja e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani(LSHAKSH) në shtatëvjetorin e themelimit të saj ka  ngjeshur në radhët e veta qindra aktivitete të frytshme  kulturore e kombëtare,por nga aktivitetet  që shquhen të shejta për kombin,krenaria e mërgimtarëve është “Ora  letrare e Pavarësisë”,e cila është  bërë tradicionale dhe mbahet çdo vit në Koblenz të Gjermanisë.Kësaj radhe këtë shënim të shejtë tradicional LSHAKSH e mbajti bashkarisht me LKSHM (Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë) e cila qe themeluar me 23-24 nëntor 2013,në Koblenz të Gjermanisë,e cila në gjirin e vet përfshinë të gjithë krijuesit shqiptarë ënë e kënd botës.Mërgimtarët tanë kudo në Europë dhe botë pavarësinë e Kosovës e shohin ngjarëjen  më të rëndësishme historiko-kombëtare,një ëndërr e cila i ka ndjekur gjithmonë dhe në fund u bë realitet,shqiptarët bënë shtetin e tyre,Kosovën e Pavarur,të cilën ne krijuesit e mërgatës e quajmë fitore dhe jemi shumë optimist.

Është detyrë e çdo krijuesi të jetë në shërbim të kombit,jo të politikave,andaj më e rëndësishmja për shqiptarët ka ndodhur,kthim prapa më nuk mund të ketë.

Populli shqiptarë po jeton i lirë,i pavarur,ne kemi një pavarësi,ndoshta jo aq sa duhej të ishte e ndërtuar,jo krejt ashtu si e duam ne,por jemi në ballë të një akcioni,i cili kërkon punë e vizione,me punë e mençuri një ditë jo të largët do të kemi  Kosovën ashtu si ne duam të e kemi,ideja jonë shkon edhe përtej  çlirimit të Kosovës bashkimi i shqiptarëve aty ku ishim dikur,në një trung.Sot ne shqiptarët kudo që jemi përulemi me rrespekt para jetës dhe veprës së dëshmorëve të  lirisë kjo na jep energji dhe fuqi për të ardhmen,për shtetin tonë natyral që e njohin epokat dhe historia.Mërgimtarët janë krenarë se me Pavarësinë e Kosovës,i humbet edhe kuptimi këtij emërtimi të vjetër  mërgimtarë,nga se shqiptarët më nuk ndihen mërgimtarë,ata me vendet e botës i lidhë puna,eksperienca,por që mundësinë e kanë që kafen e mëngjezit të e pijnë në Europë,kurse të drekojnë  në Prishtinë,mundësi këto që nuk i kanë pasur kurrë më parë.

Për ne shqiptarët jashtë atdheut  nuk  ka vepër më madhështore se ajo e çlirimit të vendit,andaj Pavarësia e  Kosovës shënohet në Koblenz të Gjermanisë, me krenari të madhe nga krijuesit tanë.Si çdo vit nga shpallja e Paavarësisë,tradicionalisht edhe dje krijuesit tanë nga gjitha vendet e botës ku janë të strehuar me fytyra të buzëqeshura,në sytë e të cilëve  lexohej krenaria,u tubuan në Hotelin Continent në Koblenz të  Gjermanisë,ku u mbajt Manifestimi Tradicional Poetiko-letrar”PAVARËSIA2014″

Kësaj radhe ky manifestim tradicional po mbahej  nga LKSHM dhe LSHAKSH,ku hapja e manifestimit është bërë nga z.Mentor Thaçi,me me intonim të hymneve kombëtare e shtetërore.Më pas është mbajtur fjala  hyrëse e kryetarit të LKSHM,z.Hasan Qyqalla,kurse në mungesë të ministrit të diasporës.

Fjalën e ka mbajtur zëvendësi i tij,z.Zhinipotoku,kurse në emër të përfaqësive Diplomatike të Gjermanisë znj.Fatmire  Musliu..Më pas fjalën e ka pasur z.Pal Sokoli, kryetar i  LSHAKSH në Gjermani,të gjithë përfaqësuesit e LKSHM nga Austria deri te  Zelanda e re,kurse përfaqësues të cilët nuk kanë mundur të jenë pjesëmarrës manifestimin e kanë përshëndetur me shkresa përmes postës elektronike.Fjalë rasti ka mbajtur edhe Kryetari i Nderit të LSHAKSH-në Gjermani,z.Martin Çuni.

Udhëheqës i panelit ishte krijuesi Fran  Tanushi.Takimi tradicional kishte karakter garues,.ku kishin konkuruar me krijimtarinë e tyre dhjetëra poet,kurse organizatorët kishin emëruar  jurinë prej Avni Aliut,Hazir Mehmetit dhe Muhamet  Lumaj,të cilët do të vlerësonin punimet e konkuruesëve.Në garën konkuruese kanë hyrë poet,si:Hamzë Halabaku,Sylë Bajrami,Xhevat Muqaku,Sebahate Byci,Gonxhe Letmi-Begisholli,Sadije Bejtullahu-Kryeziu, Besim Xhelili,Ragip Dragusha,Ismajl Hadaj,Tonin Nikolli,Neki Lulaj,Fran Tanushi, Seveme  Fetiqi,Agim Gashi Muhamet  Hoxha,Silva Tërnava,Drita Nikoliqi-Binaj,Sadik Krasniqi,kishte edhe nga ata që deklamuan jashtë konkurence si:Martin Çuni,Pal Sokoli,Hazir Mehmeti e Mentor Thaqi.Faruk Tasholli,etj….

Juria kishte përzgjedhur tre poetët më të mirë për vendin e parë,dytë dhe të tretë,kurse  nga publiku u përzgjodh poezia e krijuesit tanë të njohur Tonin  Nikolli.Nuk po dua të ceku emër për emër,nga se të gjithë konkuruesit dhe ata jashtë konkurence u shpërblyan në një farë forme.Pos të përzgjedhurve  nga juria,edhe ata jashtë konkurence,të gjithë ata që deklamuan punimet e tyre,nga Ministria e Diasporës u shpërblyan  me nga një plaketë të bukur e domethënëse,ku ishte e shtypur Deklarata e Shpallëjes së Pavarësisë së Kosovës.Duhet cekur se  mjaft ngrohët  i priti publiku aktorët Ismajl Hodaj dhe  Ragip Dragusha.

Pjesa e dytë e manifestimit u mbajtë me  promovime titujsh të rinjë nga krijuesit tanë:Anton  Marku,referoi për disa tituj të krijuesëve të SHKSH”Aleksandër Moisiu” në Austri

*Për përmbledhjen  poetike”Vesa mbi gurë” të Neki Lulajt,(referoi  Sh.Cakolli)

*Për veprën  e Seveme  Fetiqit”Një gllënjkë dashuri” referoj  Muhamet Luma

*Për veprën”Buzëqeshje e trishtë” referoi  Avni Alija

Ky manifestim zgjati deri në orët e mesnatës,ku përfaqësuesit e LKSHM, bënë projekte për aktivitetet e tyre të  mëtejme,të cilat i miratuan  njëzeri.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Manifestimi tradicional, Ne Kolbnez Gjermani, Shaban Cakolli

KUR TAKOHEN PAPA DHE PRESIDENTI

March 30, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, si pjesë e turneut të tij në disa vende të Europës, Presidenti i Amerikës Barak Obama bëri edhe një vizitë në Vatikan ku u takua me udhëheqsin e Kishës Katolike, Papa Françeskun.  Takimet midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe papëve të Romës kanë një traditë të gjatë, një histori prej pothuaj një shekulli.  Takimi i parë shënohet të jetë bërë midis Presidentit amerikan Woodrow Wilson dhe Papa Benediktit të XV në Vatikan, me në Janar, të vitit 1919, menjëherë pas mbarimit të Luftës së parë Botërore.  Monsinjor Robert Wisner, një profesor i historisë kishtare pranë universitetit Seton Hall, në shtetin amerikan Nju Xhersi tha për Agjencinë Katolike amerikane të lajmeve se ai takim, pothuaj 100-vjetë më parë, duhet të ketë qenë shumë interesant, për faktin sepse si Presidenti Wilson, ashtu edhe Papa Benedikti i XV, kishin pikpamje të njëjta dhe dëshirë të përbashkët për t’i dhënë fund luftës dhe për të promovuar paqën në Europë dhe anë e mbanë botës.  Monsinjor Wisner tha se plani i  famshëm i Presidentit Wilson për paqë prej 14-pikash, të cilin ai ja paraqiti Kongresit në Janar të vitit 1918, pasqyronte shumë prej ideve të njoftuara një vit më parë, nga Papa Benedikti i XV në propozimin e tij për paqë, në gusht të vitit 1917.  Wilsoni dhe Papa Benedikti i XV kishin shkëmbyer korrspondencë në lidhje me negocitatat për t’i dhënë fund Luftës së parë Botërore.  Në një prej korrespondencave dërguar Presidentit Wilson, Papa Benedikti i XV i shkruan Wilsonit se, “Njerëzimi i ka përqendruar shpresat dhe sytë tek Presidenti i madh, i demokracisë më të madhe në botë”, për t’i dhënë fund luftës.

Është vështirë të dihet se për çfarë u bisedua në hollësi midis Presidentit Obama dhe Papa Françeskut në takimin e parë midis tyre, javën e kaluar, takim ky që zgjati pothuaj një orë, siç komentoi një gazetë “Vetëm Zoti dhe ata të dy e dinë”. Por, pas takimit, të dy palët kanë bërë prononcime zyrtare mbi disa prej  çështjeve që u biseduan nga  Presidenti amerikan dhe Papa.  Presidenti Obama u shpreh se në takimin me Papën u bisedua mbi një numër çështjesh, por ata u përqëndruan, sipas tij, mbi dy çështje kryesore: Njëra, tha presidenti Obama, ishte “gjëndja e të varfërve, e atyre të lënë pas dore dhe për të cilët nuk kujdeset askush, për situatën e atyre për të cilët nuk kanë kurrfarë perspektive në jetë, si dhe mbi mosbarazinë  që eksziton dhe që është në rritje e sipër në botë.”  Zoti Obama shtoi se, “Ne i kushtuam shumë kohë edhe sfidave që paraqesin konfliktet për njerëzimin, dhe biseduam gjithashtu edhe për mungesën e paqës në botë.”  Besoj, tha Presidenti Obama, se mund të thuhet që tema kryesore e bisedimeve me Papën ishte, “rëndësia që duhet t’i kushtohet  identifikimit me qëndrimet dhe pikpamjet e ndryshme midis njëri tjetrit dhe nevojës për tu kujdesur për të afërmit — për të tjerët — madje edhe nëqoftse ata duken dhe flasin ndryshe, madje edhe nëqoftse ata mendojnë ndryshe dhe nuk ndajnë të njëjtën fillozofi me ju”.  Kjo është kritike, tha Z. Obama, pasi mungesa e identifikimit dhe mos pranimi i atyre që nuk mendojnë dhe nuk veprojnë si ne, e bën më të lehtë mundësinë që të zhytemi në luftë ose në konflitke me njëri tjetrin.  Është mungesa e këtij identifikimi dhe e pranimit të njëri tjetrit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh, që na shtynë të injorojmë dhe të anashkalojmë të tjerët, përfshirë  edhe të pastrefët në rrugë. Dhe natyrisht që “Baza e besimit tim të krishtërë”, tha Presidenti Obama, i cili është protestan, “është që t’i trajtoj të tjerët ashtu si unë do të dëshiroja që ata të më trajtojnë mua. Unë mendoj se kjo është arsyeja që Shënjtëria e Tij ka nxitur dhe tërheq kaq dashuri dhe ndjenja pozitive për veten, sepse duket se ai beson dhe jeton në bazë të kësaj fillozofie, dmth., se i afërmi duhet të trajtohet ashtu siç dëshirojmë që edhe të tjerët të na trajtojnë ne”.  Ky ishte vlerësimi i Presidentit Obama, për Papa Françeskun,  ndërsa komentoi mbi takimin që zhvilloi me ‘të javën e kaluar, në Vatikan.

Ndërsa në një deklaratë të Vatikanit thuhet për bisedimet dy palëshe, se në lidhje me çështjet ndërkombëtare, Papa Françesku dhe presidenti Obama, “patën një shkëmbim mendimesh mbi disa tema aktuale ndërkombëtare, ku u theksua shpresa se në zonat e konfliktit do të ketë respekt për ligjet humanitare dhe ndërkombëtare,   dhe një zgjidhje të problemeve me anë bisedimesh midis palëve në konflikt.”  Në deklaratë thuhet gjithashtu se “të dy palët u angazhuan për të luftuar trafikimin e qenjeve njerëzore në botë.”

Pas takimit me Papën, Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij të politikës së jashtme, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry dhe Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar, Susan Rice u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, për të vazhduar bisedimet mbi gjëndjen ndërkombëtare në botë.

Gjatë një konference me shtypin në Romë, Presidenti Obama vuri në dukje se megjithë ndryshimet në pikëpamje mbi disa çështje midis tij dhe Papës, udhëheqsi amerikan tha se është detyra e ne politikanëve që të përpilojmë politika për zgjidhjen e këtyre çështjeve aktuale, por Shënjtëria e tij, shtoi ai, ka kapacitetin që tu hapë sytë njerëzve që të shohin seriozitetin dhe të vlerësojnë rëndësinë e këtyre qëllimeve.

Një prej këtyre çështjeve mbi të cilën ai bisedoi me Papën, tha Z. Obama, ishte çështja e reformës së ligjeve mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara.  Ai shtoi se Papa dhe Vatikani, “kanë qenë transparent mbi qendrimet e tyre mbi një numër çështjesh të ndryshme, me disa prej të cilave unë nuk jam dakort”, theksoi Z. Obama, “por me shumicën e të cilave jam dakort” me qëndrimet e Papës.  Por megjithëse ka marrëveshje mbi një numër çeshtjesh, Zoti Obama u tha gazetarve se ai nuk pret që Papa Françesku të hyjë në ndonjë partneritet ose koalicion as me të as me ndonjë udhëheqës tjetër politik, dhe as nuk ka në mend  të promovojë ndonjë  çështje ose qëndrim politik, ose të ndonjë natyre tjetër.  Por, ai shtoi se beson se ekziston mundësia e një përafrimi të atyre qëndrimeve dhe programeve politike, për të cilat politikanët duhet të mendojnë dhe të punojnë dhe të çështjeve me rëndësi për të cilat flet Papa, nga pikpamja e një udhëheqsi fetar, i cili tha Presidenti Obama, ”na kujton se cilat janë përgjegjësitë tona morale dhe etike”, si politikanë dhe si udhëheqës.  “Duke marrë parasyshë autoritetin e tij të lartë moral”, tha Presidenti Obama në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera, “kur flet Papa, fjala e tij ka peshë shumë të madhe.  Me autoritetin e tij, ai mund të bindë njerzit që të ri-shqyrtojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e vjetëra jo tolerante, të ngulitura në mendjen e tyre dhe të fillojnë të trajtojnë njëri tjetrin me më shumë respekt, dinjitet dhe mëshirë”, tha presidenti Obama.

Takimi i Presidentit Obama në Vatikan ishte pjesë e një udhëtimi prej gjashtë ditësh që ai bëri në Holandë dhe në Belgjikë dhe më në fund, në Arabinë Saudite.  Para se të shkonte në Vatikan, Presidenti Obama u takua me udhëheqës të lartë të Bashkimit Europian dhe të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, për të biseduar me aleatët, marrjen e masave konkrete ekonomike dhe strategjike ndaj Rusisë, si ndëshkim për invadimin rus të Krimesë.

Marrëdhënjet midis Vatikanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë shpesh indifirente dhe jo gjithmonë miqësore.  Kjo ka ndodhur për arsye historike sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe kryesisht ende janë një vend me shumicë protestane, dhe shpesh në të kaluarën kanë shpërthyer ndjenja anti-katolike, ndërkohë që Vatikani, nga ana e tij, shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane si dhe politikat e mbrendshme të SHBA-ës, si abortin dhe çështje tjera, por gjithmonë në një nivel respekti midis dy palëve.   Megjithkëtë, presidentët amerikanë të 100- vieteve të kaluara, ashtu siç bëri edhe presidenti aktual, Z. Obama me rastin e vizitës së tij të fundit në Vatikan, vazhdimisht kanë shprehur admirimin e tyre për Selinë e Shënjtë, për udhëheqsit  e Kishës Katolike dhe për rolin e tyre në botë.  Por ishte Presidenti Ronald Reagan, ai i cili i ngriti këto marrëdhënje në një nivel të panjohur më parë.  Gjatë mandatit të tij të pare, Presdienti Reagan zbuloi në Papa Gjon Palin e dytë — Papën me origjinë polake –një aleat të ngushtë të Luftës së Ftoftë, një Papë ky i cili nuk hesitoi të sfidonte Moskën dhe komunizmin ndërkombëtar dhe të predikonte në favor të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera bazë të njeriut, anë e mbanë botës komuniste.

Në lidhje me marrëdhënjet aktuale midis Washingtonit dhe Vatikanit, Departmenti Amerikan i Shtetit thotë në portalin e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Vatikani konsultohen dhe bashkpunojnë mbi çështje të interesit të përbashkët, përfshirë të drejtat e njeriut, mirëkuptimin ndër-fetar, paqën, parandalimin e konflikteve, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht Vatikanin më 10 Janar, 1984, kur Presidenti Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II ranë dakort për vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Vatikanit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE PRESIDENTI, Frank shkreli, KUR TAKOHEN PAPA

Sinoptika artistike e gjëmave

March 30, 2014 by dgreca

Rreth romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”, të shkrimtarit e publicistit Skifter Këllici/

Shkruan Raimonda MOISIU/

Kësaj here shkrimtari e publicisti Skifter Këllici, nëpërmjet penës së tij ngadhnjyese na ka sjellë një histori tronditëse, interesante dhe krejt e vecantë si temë që deri më tani nuk është trajtuar në letrat shqipe dhe në letërsinë artistike post komuniste të Diasporës. Autori  përshkruan imazhin e fuqishëm të ankthit dëshpërues, dhimbjen dhe mbijetesën, duke kërkuar të ripërcaktojë  epokën e  njohur,  energjitë e saj reformiste në  kohën kur terrorizmi islamik do të triumfonte dhimbshëm mbi idealet demokratike, që solli një nga tragjeditë njerëzore më të tmerrëshme në misionin qytetërues në historinë amerikane e atë botërore, çoi botën perëndimore drejt llogores, mes  luftës e frikës,  të mundurës e të pamundurës, të moralshmes e të pamoralshmes, vlerës e antivlerës, jetës e mbijetesës, dhe impulseve të modernizimit për ta sfiduar atë! Si  qytetar shqiptaro-amerikan, intelektual, shkrimtari e  publicisti Skifter Këllici, me një narrrativë të sintetizuar e ambicioze, me fuqinë e mrekullueshme të një mendje të shëndoshë e të mprehtë, na ka ofruar një këndvështrim të vecantë rreth asaj c’ka prodhoi tragjedia- gjurmët dhe hijen që la pas. Por si edhe të tjerët, autori ka qënë dëshmitar i ngjarjeve që u shpalosën herët atë mëngjes dhe që kanë kujtime të gjalla sot e kësaj dite. Shkrimtari Skifter Këllici duke qënë se i përket edhe fushës së publicistikës, është përpjekur mjeshtërisht për t’i bërë sinoptikën letraro-artistike, kombinimin e modernes me tradicionalen, një prej  ngjarjeve më të mëdha që tronditi botën.  Ngjarja zhvillohet vetëm në dy ditë dhe të gjitha episodet në situata jashtëzakonisht të ndërlikura, pasqyrohen me një vërtetësi të besueshme. Kombinimi i përkryer i këtyre  situatave  në krijimtarinë letrare-artistike, dëshmon bazën e një libri artistik të sukseshëm, e cila është e vështirë për tu realizuar, por sic e përmenda më lart autori lëvron edhe fushën e publicistikës dhe kjo e ka bërë të sukseshëm që ia ka dalë  duke na dhënë librin.”Shtatori i gjëmës së madhe”. Duke e lexuar romanin humbet brenda subjektit, kupton inteligjencën dhe ndjesinë e realitetit në marrëdhëniet dhe raportet që autori ndërton në situata paralele, në përshkrimin e personazheve brenda asaj drame  tragjike të jetës  dhe hapësirës shpirtërore e njerëzore në të përditëshmen e   njerëzve të thjeshtë,  të mirë, vuajtjes dhe dhimbjes së asaj c’ka po përjetonin. Autori sjell personazhe të kulturave të ndryshme  dhe me finesë në përshkrimin  dhe ndërlikueshmërinë e jetës së tyre ka përcjellë një mesazh të fortë; se dashuria dhe dhimbja, paqja dhe ngrohtësia njerëzore nuk i përket vetëm një kulture por ajo është e kudo gjendur.  Shkrimtari Skifter Këllici  përcon energjinë emocionale të trishtë e të begatë, të dhimbëshme e të lumtur, besimit e mosbesimit, frikës e pafuqisë,  apelit midis dashurisë dhe sigurisë, me ulje e ngritje, guximit e mbijetesës, së tashmes e të kaluarës,  përqëndrohet – në përvojat jetësore të personazheve dhe na jep  sfondin  e  unitetit shpirtëror të kulturave  të ndryshme  në “Shtatorin e Gjëmës së madhe”. Romani zë fill me gjurmët e jetës të një sërë personazheve, të cilët  i japin frymë subjektit si pjesëmarrës në tërë dramën e atyre dy ditëv me pikëllimin dhe zemërimin e tyre. Historia e dasmës së gazetarit të CNN-it Stiv Ferguson  me punonjësen e avionëve  të aeroportit ndërkombëtar “Logan “ të Bostonit, -Zhaklinë Kramer dhe përfshirja në këtë dasëm si të ftuar të miqëve të tyre amerikanë, shqiptaro-ameriknaët Besim Vokshi,  Rrok Camaj, arbëreshi Marko Muzaka, të cilët punojnë në Kullat binjake të Neë Yorkut e gazetarin Sokol Kama nga Tirana i cili punon me Zhaklinën në aeropotin bostonian, është boshti kryesor i ngjarjeve dramatike të trishta e të dhimbëshme të atyre dy ditëve. Ideja që përcjell autori në atë zymtësi është se këto imazhe të akumulura nga jeta e tyre kanë një efekt të fuqishëm,- shënjat e përvojës tronditëse e të menjëhershmëe, përkundrejt ndjenjës së brendëshme që përputhen me dramën e atyre dy ditëve ogurzeza.  Amerikanë, shqiptarë,  aziatikë, latinë, po maturoheshin mbanin gjallë sensin e lindjes e rilindjes, të së cuditëshmes dhe rrezikut për jetën, mes dëshirës së fortë për të mbijetuar dhe instikteve të zymta të simbolit tragjik  të terrorizmit –Të dy kullave. Dashuria e Stiv-it me Zhaklinën si edhe vendosja paralele e një seri ngjarjesh të lidhura me imazhin shpirtëror të saj, janë gjetje moderne të autorit dhe e bën këtë rrëfim tejet interesant, mban lexuesin në një tension dhe shumë pranë realitetit e të vërtetës. Autori Këllici më një mendësi artistike e filozofike, me një impuls të jashtëzakonëshëm, ironi e sarkazëm, brengë e dhimbje, trishtim e pikëllim, dashuri  e dhëmbshuri  i sjell këto  jo vetëm si imazhe traumatike e brutalitet   të kapura nga gjëma e kohës, roli i zymtë i jetës me shpresën për të mbijetuar, por sic e kam shprehur edhe më lart   na ka dhënë sfondin e unitetit shpirtëror të kulturave të ndryshme, unitet ky edhe  humanist  që lindi spontanisht  për të përballuar gjëmën! Kjo është një arritje e jashtëzakonëshme, madje edhe më të shquar se  në vizionin e tij bazë dhe e  realizuar me kompromis në formën thelbësore të fabulës, duke pohuar se  asnjë gjykim i vecantë ka ndonjë përparësi thelbësore mbi cdo gjë tjetër, duke sjellë në fund të përshkrimit të dy ditëve pothuajse refleksive, -impulset që kanë metastazuar dhe forcën në fytyrën e tragjedisë,  guximin për të kuptuar e kujtuar. Këta njerëz janë vërtet në vështirësi, trishtim e dhimbje, por ata janë edhe të tejmbrojtur me dashurinë dhe  shpresën e mbijetesës!

Romani “Shtatori i gjëmës të madhe”, në fakt ka  personazhe kryesore dhe nga ata që  vijojnë më pas, të portretizuar me ngjyra plot kontraste në kushtet e një terrori të egër, personazhe të mirëvendosur dhe  përvojat  e ditëve të tragjedisë konkurrojnë në kapituj alternativë, zbërthehen edhe shkaqet e pasojat e ngjarjeve. Shkrimtari dhe publicisti Skifter Këllici me botimin e këtij romani në përvjetorin e dhjetë të kësaj tragjedie të dhimbëshme shpreh jo vetëm solidaritetin me popullin amerikan dhe shqiptaro-amerikan, por ai iu bën edhe homazhin bashkëkombasve të tij shqiptaro-amerikanë, Frrok Camaj, Mon Gjonbalaj e Simon Dedvulaj,  viktima të akteve terroriste të 11 Shtatorit 2001 kundër shtetit simbol të lirisë e demokracisë, që kërcënuan në mënyrën më të ashpër paqen e sigurinë botërore.

Libri “Shtatori i gjëmës të madhe” është historia e triumfit mbi tragjedinë, shpresës mbi dëshpërimin, dhe jetës mbi vdekjen. Shkrimtari Skifter Këllici  ka guxuar kësaj here duke zgjedhur të potretizojë sulmet e 11 shtatorit me zemrat e guximit e dhëmbshurisë, me dëtyrimin shpirtëror që shkrimtari ka ndaj shpirtit shqiptar, audiencës të thjeshtë të lexuesve, mbart vlera të padiskutueshme, do të gjejnë shumëcka të vlerësuar nga kritika e kohës, modelin  e sinoptikës artistike të gjurmëve të gjëmës, vërtetësinë e thelbit  të  personalitetit të cdo personazhi, duke i bërë jehonë ngjarjeve tragjike të atij shtatori tragjik, që tronditi jo vetëm kombin amerikan dhe mbarë botën, por edhe ndërgjegjen, ndjeshmërinë shpirtërore  dhe humbjen e jetëve të pafajshme, mes të cilëve edhe të bashkëatdhetarët tanë. Dhe shkrimtari me zemrën e guximit e të ndjeshmërisë,  më përshkrimin e hollësishëm të  “Shtatori i gjëmës së madhe”, në kontinentin amerikan, me talentin e stilin e tij të jashtëzakonëshëm, ka sjellë një  prurje  të re, të vecantë e interesante në letrat shqipe, -simbolikën e dhimbjes dhe të ardhmen e njerëzimit.

Hartford CT, Mars 2014

Filed Under: ESSE

NDAHET NGA JETA BARITONI HYSEN KOCIA

March 30, 2014 by dgreca

Basha: Vepra dhe puna e Hysen Koçisë gjithmonë te paharruara/

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PD, Lulzim Basha, ka bërë te Dielen , 30 Mars, homazhe në nderim të baritonit të TKOB dhe këngëtarit të muzikës popullore, Hysen Koçia (Artist i Merituar).

“Një nga artistët themelues të Teatrit të Operës dhe Baletit u nda mbrëmë nga jeta. Hysen Koçia (Artist i Merituar) e kaloi të gjithë jetën e tij duke i dhuruar vendit, shoqërisë, artdashësve, veprën, artin e tij, ndaj mendoj se sot është detyrim i gjithsecilit prej nesh ta nderojmë e ta respektojmë atë, kujtimin dhe veprën e tij. Duke i shprehur ngushëllimet më të ndiera familjes, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe artdashësve të tij e të veprës së tij, shpreh bindjen se vepra, puna e tij do të mbetet gjithmonë e paharruar dhe e nderuar nga shoqëria, nga shqiptarët, nga artdashësit”, u shpreh z. Basha.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: HYSEN KOCIA, NDAHET NGA JETA BARITONI

5 projekte për restaurimin e “Marubit”

March 30, 2014 by dgreca

*Restaurimi i Fototekës, “Marubi”, fituese studio holandeze “Casanova-Hernandez”/

Nga Gjergj Mima/Nisi të Dielën, 30 Mars, në Shkodër, prezantimi publik i fazës së fundit të përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin “Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare ‘Marubi”. Pjesëmarrës në këtë ceremoni kanë qënë edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.Fjalën e hapjes e mbajti ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila tha se, sot do të prezantohen pesë projekte për restaurimin e “Marubit”.“Fototeka Marubi është një pasuri për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke shtuar se, “me këtë Muze të Marubit në synojmë që të shtojmë vlerat pasi jo vetëm Marubi, por edhe Shkodra është një xhevahir në kurorën e kulturës shqiptare”.

Kumbaro në fjalën e saj e cilësoi fototekën “Marubi” si një thesar të cilin duhet vetëm ta sigurojmë dhe ta gëzojmë, duke shtuar se në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.“Sot po prezantohen pesë projekte, për të mundësuar restaurimin e “Marubit”. Këto pesë projekte dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të botës. Sot ne kemi idetë dhe teknologjitë më bashkëkohore për të vlerësuar “Marubin”. Kjo është rruga e progresit në kulturë, që na dëfton vlerat e Shkodrës dhe të pinjollëve të shquar shkodranë.

Kjo rrugë progresi i jep dinjitet krenarisë sonë për thesaret e kulturës shqiptare. Ministria e Kulturës është e angazhuar për t’i mbrojtur dhe për t’i kthyer dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, tha Kumbaro.

Kryeministri: Ngritja e muzeut të Marubëve, Akt dinjitoz për krenarinë kombëtare

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ngritjen e muzeut të Marubëve në Shkodër “si një akt dinjitoz me vepra, jo me fjalë, për ngritjen e krenarisë kombëtar”.I pranishëm në Kinema Millenium në Shkodër, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në prezantimit publik të fazës së fundit të përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin “Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare ‘Marubi”’.

“Studio që do të bëjë restaurimin do të bëjë të mundur që së shpejti ky thesar dhe dinastia e Marubëve të dalë më në fund nga burgu i harresës dhe lagështirës mbytëse dhe të bëhet pjesë e jetës së qytetarëve të Shkodrës. Dhe pas kësaj do të jenë më të shumtë atë që do e vizitojnë Shkodrën”, tha Kryeministri Rama.Duke folur mbi gjendjen e Fototekës ‘Marubi’, Kryeministri Rama u shpreh se, “E kam parasyve takimin me Luçianon, Drejtorin e Fototekës ‘Marubi’, djalë i ri, energjik, me pasion e vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë të gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari dhe përpjekjet e tij krejt individuale, me një grup njerëzish për të luftuar shiun, lagështirën, për të luftuar që në kushtet e pasigurisë totale Fototeka të mos cënohej. Jam i bindur që drejtori dhe stafi i tij sot janë shumë të lehtësuar dhe mezi presin ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm, në vendin që meriton në zemër të Shkodrës”.

Kryeministri përgëzoi edhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, “për punën e shkëqyer dhe mbërritjen në këtë stacion, që vërtet qe parashikuar brenda 300 ditëve, por ishte nevojshme të arrihej edhe kjo cilësi që mundëm ta shohim sot përmes varianteve të paraqituara. Gjithashtu e përgëzoj për faktin se ka vënë që në fillim, si më kryesoren, punën për inventarizmin e thesarave tona të lëna rrugëve, të dëmëtuara vazhdimisht, të shqyera e grabitura, për të cilat sot nuk kemi inventar. Nuk dimë ekzaktësisht sesa vepra materiale disponojmë në secilën nga fushat e trashgimisë tone”.

Sipas kreut të ekzekutivit, “procesi i inventarizimit ka përparuar dhe sot që po flasim për thesarin e Marubit ka nisur procesi për dixhitalizmin e tij. Ka nisur puna për të ruajtur këtë thesar që sot është mjaft i dëmtuar, por që ka shumë për t’u thënë brezave që do të vijnë”.

“Me një kilometër më pak asfalt dhe një thesar më shumë të shpëtuar, sepse kaq kushton shpëtimi i një thesari, ne bëjmë shumë më tepër drejt Shqipërisë europiane, drejt atdheut që meritojnë fëmijët tanë. Jemi të vendosur që vit pas viti ta shtojmë, jo vetëm vëmendjen, por edhe volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgiminë kulturore dhe kulturën në përgjithësi”, tha Kryeministri Rama.

“Duke siguruar thesare, si ky thesari i madh që po sigurojmë sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e identitetit europian”, u shpreh kreu i qeverisë, duke shtuar se, “Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dale në dritën e syve të ekspertëve të huaj dhe kur janë ekspozuar në hapësira prestigjoze në botë. Vetë struktura prestigoze e thesarëve të Francës ka dedikur një fond në vitet 90’ për të restauruar pjesë të trashëgimisë së Marubëve, dhe kjo trashëgimi ka bërë që kjo pasuri të shihet si një prej zëdhënësve më të rëndësishëm të kulturës evropiane dhe një prej zëdhënësve më spektakolare të historisë dhe gjenezës së fotografisë”.

“Vlerësimet për Marubët në gjuhë të huaj janë shumë më dinjitoze se vlerësimet e bëra në gjuhën shqipe. Kemi konsumur shumë fjalë për patriotizmin, por veprat që do të tregonin patriotizmin dhe krenarinë kombëtare mungojnë, ashtu siç mungon sot një muze dinjitoz për dinastinë e Marubëve. Ashtu siç e shoh ngritjen e Muzeut si një akt dinjitoz me vepra, jo me fjalë për krenarinë kombëtare. Ashtu siç e shoh një vlerë për Shkodrën ngritjen e këtij muzeu, që sigurisht duhet pasuar me ngritjen e vlerave të tjera të këtij qyteti, të cilat sot gjenden në braktisjen e harresës”, theksoi Kryeministri Rama.

Sipas kreut të qeverisë, me këtë akt, “zgjerojmë hapësirën e edukimit qytetar. Ky muze nuk do të jetë pikë referimi vetëm për ata që do të vizitojnë qytetin, por edhe një arsye më shumë për të besuar se gjeneratat e tjera do të rriten me një dije dhe krenaritë shtuar dhe një edukatë qytetare më të madhe falë këtij muzeu”.

Kryeministri Rama gjithashtu u shpreh se, “ka filluar projekti për vlerësimin e Kalasë së Shkodrës dhe një sërë masash do të merren që këtë vit. Një projekt do të ndërmerret edhe për rrugën që lidh Shkodrën me pellgun e Plavës dhe Gucisë, për të bërë të mundur kështu rilindjen e Shkodrës, që përfshinte dikur një pellg më të gjerë edhe me pjesën matanë kufirit. Duam ta rivitalizojmë këtë lidhje, këtë hapësirë, sigurisht në kushte të reja. Do të shtrijmë me shpejtësi një segment rrugor drejt Vermoshit, dhe në bashkëpunim me qeverinë e Malit të Zi do të bëjmë një bashkëpunim mes territoreve të banuara nga shqiptarët të integruara në një pellg shkëmbimesh kulturore, njerëzore dhe ekonomike”.

Restaurimi i Fototekës, “Marubi”, fituese studio holandeze “Casanova-Hernandez”/

Studio fituese e Konkursit Ndërkombëtar të projektimit për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi” u zgjodh studio holandeze “Casanova-Hernandez”.

5 Studiot fituese paraqitën nëmënyrë të detajuar projektet e tyre për restaurimin e fototekës Marubi. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro, deputet, përfaqësues të artit dhe kulturës, e qytetarë.

Burime nga Ministria e Kulturës theksojnë se , “ky është një ndër projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare dhe FSHZH që ka si për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e trashegimisë sonë kulturore”.

Aktiviteti i sotëm shënon fazën përmbyllëse të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit për “Restaurimin edhe Muzealizimin e Fototekës KombëtareMarubi”.

Sipas Ministrisë së Kulturës, “Konkursi i cili është organizuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Atelier Albania  është një konkurs i standarteve evropiane, i sigurt ne perzgjedhjen e me te mireve, inovativ ne ide dhe vizion, do te sjelle progres ne sherbim te thesarit tone kulturor”

 

(Sipas ATSHse)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 5 projekte, marubi, per restaurimin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4727
  • 4728
  • 4729
  • 4730
  • 4731
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT