• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A është 7 marsi data e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës ?

March 5, 2014 by dgreca

Mësonjëtorja është çelur më 9 shkurt dhe kursesi në 7 mars  siç kosiderohet padrejtesisht deri tani./

NGA DHIMITER DISHNICA/

Problemi  se kur është çelur Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës nuk eshtë i ri dhe i panjohur. Fakti që për të diskutohet përsëri do të thotë se ka diçka të pa saktesuar përfundimisht. Thënia “Sot për ne data 7 mars 1887 merret pa asnjë dyshim si data e çeljes së shkollës së parë shqipe të Korçës” nuk i përgjigjet të vërtetës historike. Këtë konkluzion nuk e nxjerr apriori, as i nisur për të bërë sensacion, por dokumentat që kam në përdorim më japin të drejtën për të pretenduar dhe zbardhur të vërtetën për këtë ngjarje. Edhe herë të tjera e kam përmëndur, por tashmë e ritheksoj edhe një herë faktin se dokumentet e shkruara, për këtë ngjarje, i takojnë muajit shkurt. Edhe në rast se këtyre dokumenteve po t’iu shtojmë dymbëdhjetë ditët e kalendarit Grigorian, koha e tyre nuk shkon më shumë se data 24 shkurt, asht siç e botonte edhe Visar Dodani në librin e tij  “Memorjet e mija”, dokumentin ku është mbështetur historiografia jonë në përcaktimin e kësaj date.

Kemi dy letra që Thimi Mitko i dërgonte Jeronim De Radës.  Letra e parë mban datën 14 shkurt 1887 dhe e dyta 1 mars 1887. Të dy letrat janë botuar në librin ‘Thimi Mitko, Tiranë, 1981 të përgatitur nga Qemal Haxhiasani. Origjinalet e tyre ruhen në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe në atë të Institutit të Gjuhësisë. Shtojmë se këto letra nuk i ka përmëndur dhe nuk i ka cituar asnjë prej titullmbajtësve që kanë shkruar direkt për këtë teme.

Në letrën e parë të datës 14 shkurt Thimi Mitko e vinte në dijeni De Radën për hapjen e shkollës shqipe të Korçës. Midis të tjerash ai i shkruante : ” Të shkrojta javën e parë dhe sot të rëfej se në Korçë u hap shkollë shqipe me afabetin e sillogut me të krishterë dhe myslimanë bashkë, sado që kundërshtuan disa burra të ligj e tradhëtarë bashkë me arkipeshkopin helen”

Dokumenti është tepër i qartë. Koha e dhënë prej tij është e ndryshme nga ajo që ne kemi pranuar sot zyrtarisht. Që shkolla ishte çelur para datës 14 shkurt e besojmë se Thimi Mitko, të paktën prej disa ditësh do ta kishte mësuar këtë lajm nga miqtë e tij në Korçë. Nuk mund ta paragjykojmë saktësisht kohën kur e kishte marrë njoftimin nga Korça, sepse nuk e dimë se sa kohë duhej për mbritjen e postës nga njëri shtet në tjetrin. Së paku pesë apo gjashtë ditë duheshin me siguri, ndoshta edhe më shumë.

Edhe në letrën e dytë, që mban datën 1 mars 1887 ai ja përsërit sërisht këtë sihariq duke ja shkruar anash letrës shënimin “Shkolla shqipe në Korçë u vu”

 

Informacioni i ri që marrim dëshmon edhe një herë se çelja e kësaj shkolle ishte realizuar disa kohë më parë, gjatë muajit shkurt. Logjika të thotë se Thimi Mitko nuk mund të shkruante më një mars, që shkolla shqipe të ishte çelur më 7 mars.

Dokumenti I tretë është raporti i Orhan Pojanit dhe Thanas Sinës nxjerë nga dokumentet e mikrofilmuara e të sjella nga Arkivi i Vjenës. Sipas raportit Orhan Pojani, një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit të Fshetë të Korçës, organizatori dhe një ndër veprimtarët kryesorë, që themeluan dhe çelën Mësonjëtoren dhe Thanas Sina i vetmi nga mësuesit që punoi qysh në vitin e dytë të kësaj shkolle bashkë me Pandeli Sotirin, dy nga dëshmimtarët më të afërt dhe kryesorët e Mësonjëtores, japin si kohë të çeljes së  saj muajin shkurt “Kjo skoli, shkruanin ata, u hap ndë muajin shkurt 1886 me ndihmën e ca mëmëdhetarëve të vërtetë” Çdo koment edhe në këtë  rast do të ishte i tepërt.

Dokumenti I katërt. .F.Kordiniano në librin e tij “L’Albania, Vol III ,f 189 botonte një raport me të dhënat e misionarit nga Manastiri (Çullit. Dh.D) që mban datën 9 shkurt 1887 , në të cilin jepen të dhëna  se Pandeli Sotiri kishte çelur të parën shkollë shqipe në Korçë. Në raport midis të tjerash thuhej:  “Tregon Çulli, që një farë Sotir Pandeliu, shqiptar, që kishte kaluar andej, duke arrdhur nga Stambolli dhe kishte vajtur në Korçë, ku me lejën e Sulltanit kishte hapur një shkollë të parë shqipe” Ky raport është një e dhënë tjetër që nuk është cituar nga askush dhe që dëshmon se proçesi i çeljes së Mësonjtores kishte përfunduar, pra shkolla ishte hapur dhe ishte në vijushmëri.

Dokumenti i pestë.  Skënder Luarasi në librin “Fjala Shqipe, Tiranë, 1961, f 189” shkruante: “Me qënëse viti administrative në Turqi mbyllej në mars, statistika turke e motit 1886 e  përmënd këtë shkollë, e cila nuk kishte  një muaj që ishte çelur”     Përcaktimi në këtë rast është mëse i qartë

Në favor të mendimit që po trajtojmë po përmëndim edhe grupin e dokumenteve të shkëputura nga libri i Vissar Dodanit, “Memorjet e mija” ku është mbështetur historiografia jonë në përcaktimin e 7 marsit si kohë e çeljes së Mësonjtores. Po veçojmë tre dokumentet më kryesore, më direktet që lidhen me këtë shkollë.

Letra e parë është shkruar nga Sami Frashëri dhe i dërgohej Vissar Dodanit. Sipas botimit të tij kjo letër mban datën 10 shkurt. Nga letra mësojmë se  “Pandeli Sotiri u nis për në Korçë për tu bërë mësues.”

Letra e dytë mban datën 24 shkurt. Atë e shkruante Thimi Marko nga Korça dhe i dërgohej V. Dodanit Në këtë letër ai i jepte sihariqin “Gjer sot dëshirat tona u mbaruan. Shkolla shqipe u hap. Druri që vumë në dhet këtu edhe dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të embla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35”

Sipas përmbajtjes së saj, dje do të thotë 23 shkurt. Ky dokument, në pamjen e parë, duket sikur është kontradiktor me grupin e dokumenteve të cituara me sipër, por në fakt nuk është ashtu. Dyshojmë se letra e Thimi Markos në botim është e ndryshme me atë të origjinalit. Duke u nisur nga përmbajtja e teksteve të letrave në fjalë arrijmë në përfundimin se ai ja u kishte shtuar 12 ditët e ndryshimit midis kalendarit Julian me atë Grigorian.. Këtë supozim e mbështetim në faktin se origjinalet e letrave mungojnë dhe vërtetësinë e tyre nuk e dëshmon askush.

Letra e tretë që do citojmë po nga ky autor na provon qartazi se V.Dodani të gjitha letrave të botuara u kishte shtuar nga 12 ditë. Ajo mban datën 8 mars ( sigurisht shtypur gabim) Jani Vreto i shkruante po  V. Dodanit. “ Të shtunën që shkoj u shkruam kartë të bashkëtë me Naim bejnë dhe Sami bejnë, po të përgjigjur nuk kemi marre. U shkruam që muarrëm kartë të bashkëtë të Orhan beut, Jovan Kosturit dhe Efthim V. Markos. Ndë atë kartë shruanin se Mësonjëtorja vete mbarë. Pajtuan një mësonjëtor për turqishten. Fërngjisht ep mësim Pandeli Sotir Postenani. Ishin në të pajtuar edhe një mesonjëtor për elenishten po se kishin mbaruar. Duke që kishin hyrë ti prishnin mëndjen faqezeztë, armiqtë e kombit të tyre, të cilët kishin dërguar edhe një kartë në fletë të “Neollogos”  ndë fletët e së mërkurës 6 e këtij muaji”

Nga këto pak rrjeshta informacioni që përfitojmë është i madh dhe i rëndësishëm. E para. Pavarsisht se letra është e datës 8 mars ajo i takon datës 24 shkurt, e përshtatur sipas sistemit të sotëm Grigorian.  Themi kështu se data 24 shkurt binte e enjte. Pra, “ të shtunën që shkoi” dmth më datën 19 shkurt Jani Vreto, Naim dhe Sami Frashëri i kishin shkruar një letër V.Dodanit. E dyta. Nga letra mësojmë se ata kishin marrë një letër nga Korça para disa ditësah nga Orhan Pojani,Jovan Kosturi dhe Efthim Marko. Para disa ditësh do të thotë që kjo mund të kishte ndodhur nga 15 deri më datën 19 dhe njoftimin që Mësonjtorja vete mbarë, menjëfjalë shkolla ishte në vijushmëri. Jani Vreto na jep një të dhënë të re . Ai na përmënd “E mërkurë 6 e këtij muaji”. Në kalendarin Julian dhe Grigorian data 6 në muajin shkurt binte e dielë ashtu edhe në mars binte po në këtë ditë. Ka shumë mundësi që të bëhej fjalë për datën 16 që në muajin shkurt binte e mërkurë ashtu siç thuhet në dokument. Ky arsyetim na duket më i pranushëm dhe llogjik. Pra shkolla ishte çelur që më datën 9 shkurt dhe deri në datën që përmënd Jani Vreto, drejtuesit e shkollës po bënin përpjekje për të gjetur mesuesin e greqishtes. Ky fakt na jep të drejtën të pohojmë me gojën plot se Dodani u kishte shtuar datave të letrave nga 12 ditë edhe për faktin se Rumania, vëndi ku u botua libri, proçesin e kthimit të datave nga kalendari Julian në Grigorian e kishte realizuar që më 1 mars 1924. Si konkluzion nxjerim që letra e Sami Frashërit duhet lexuar 29 janar, letra e Thimi Markos e 24 shkurtit në original duhej të kishte qënë 12 shkurt dhe letra e Jani Vretos e datës 8 mars duhet lexuar 24 shkurt.

Përfundimi ynë është se të gjitha letrat dhe dokumentet që cituam nuk kanë kontradikta midis tyre. Ato konvergojnë në të njëjtën datë, plotësojnë dhe mbështetin njera tjetrën dhe ç’është me e rëndësishmja dëshmojnë se

Mësonjëtorja është çelur më 9 shkurt dhe kursesi në 7 mars  siç kosiderohet padrejtesisht deri tani.

Filed Under: Featured

SHKOLLA SHQIPE QËNDRON MBI ESHTRAT E PATRIOTËVE TANË

March 5, 2014 by dgreca

*Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit/

*“Ata ishin njerëz me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilëve edhe Ferri i Dantes ishte një panair i bukur”-(NOLI)/

Nga Avzi Mustafa/

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.

Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”

Pa marrë parasysh vështirësitë dhe pengesat, ata dhanë basen e shqiptarit që fjalës ilirike t’ia japin shpirtin në hapësirën e Gjithësisë dhe nën mbikëqyrjen e shenjtorëve tanë: Koto Hoxhit, Hoxhë Tasinit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Sami e Naim Frashërit, Ismail Qemalit…, e pastaj të shkruhet një ABETARE, me të cilën do të përhapet drita për shqiptarët ku që janë.

Dhe, siç thotë Skender Luarasi, “Sami Frashëri me shokë i dha Fjalës Fytyrë, Abdyl Frashëri me shokë i dha Fjalës Fuqi, Naim Frashëri i dha Fjalës Frymë”. Natyrisht këtyre emrave duhet t’u shtohen edhe shumë e shumë emra, që Fjalës së shkruar shqipe ia dhanë Qëllimin dhe Shqiponjës dhe krahët për të fluturuar anembanë truallit arbëror, duke ringjallur shpresat edhe në errësirën më të dendur, për të mos humbur qëllimin edhe në mjerimin më të hidhur.

Gjatë historisë shumë herë u rrëzuam dhe u ngritëm më të fortë se më parë, se kemi durimin, dhe qëllimin. Dhe këtë porosi na e ka lënë Petro Nino Luarasi kur thotë “Edhe nëntëdhjetë herë të rrëzohemi e përsëri duhet të ngrihemi”.

Në truallin Arbërisë çdo pushtues mundohej të lë gjurmë në shpirtin e shqiptarit duke hapur shkolla turke, greke, latine, sllave, por asnjë shqipe. Banorët e Arbërisë quheshin arnaut, latin, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Shqiptarët kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht nga përçarja fetare, ata mbetën gjithmonë shqiptarë. Këtë e bënte gjuha e cila ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.

Abetarja shqipe është shkruar me gjak nga promethenjtë tanë dhe me kocat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura që sakrifikuan jetën për shkollën shqiptare. Si Naum Veqilharxhi që na fali Abetaren e pare dhe këtë e lau me kokë në burgun e Patrikanës greke më vitin 1866. Gjithashtu me kokë e pagoi veprimtarinë patriotike dhe humane mësuesi parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri, që u vra prej të vjehrrit të së shoqes me prejardhje greke.

Pse çeli shkollë shqipe në Negovan edhe pse predikonte çështjen shqiptare, xhandarët grek, të ndërsyer nga dhespoti i Kosturit, më 12 shkurt 1905 e vranë Papa Kristo Negovanin me të vëllain, Theudosin, dhe pesë patriotë negovanas përkrahës së shkollës shqipe, vetëm e vetëm për të futur frikë, që shqiptarët të mos mësonin në gjuhën amtare. Patriotit Koto Hoxhi – yllin e gjuhës shqipe, që edukoi jo vetëm me ndenja patriotike, por ua mësoi gjuhën shqipe shumë mësonjësve, po ashtu iu hakmorën mizorisht. Mitropolia e Manastirit me dinakëri e futi në dorë të kusarëve duke mbajtur rob Gjerasim Qiriazin, vetëm e vetëm që të heqë dorë nga shqipja e shqiptaria. Fanari grek, në bashkëpunim me hyqimetin osman, më 1911 e helmuan Petro Nino Luarasin, më 1884 nga tortura në burgun e Athinës e mbytën Anastas Kulloriotin, ndërsa Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësojtores së Korçës, e mbytën në internim.

Ndaj shkollës dhe Abetares shqipe qeveria osmane merrte masa të rrepta, duke torturuar, syrgjynosur e vrarë edhe në zandanët e Turqisë, si ishte rasti me Sadik Zajmin e Idriz Novokasin pse kishin hapur shkolla shqipe ne Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ata e internuan Hamdi Ohrin që hapi shkollë edhe në burgun e Manastirit, ndërsa Said Njadenin, mësuesin e Dibrës, e mbytën në moshën 39 vjeçare po ashtu pse hapi shkollë klandestinë në Dibër.

Tmerr të tërbuar kundër shkollës shqipe merrte pansllavizmi. Ai vrau At Shtjefan Gjeçovin, mbyti në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish-mësuesin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit më 1909.

Me këtë rast i përmendëm vetëm disa emra, ndonëse ka edhe shumë emra të tjerë që u sakrifikuan për gjuhën dhe shkrimin shqip. Megjithatë gjithë ky krim më barbar, që iu bë mësuesve e patriotëve shqiptarë, nuk i trembi, por i bashkoi shqiptarët, duke e realizuar amanetin e mësuesve e patriotëve shqiptarë të Rilindjes, të cilat na kanë porositur “Si do të jemi e ku do të jemi, edhe nëse na ndjek qeveria e s’ na le të hapin shkolla në gjuhën tonë, gjuha shqipe le të shkruhet edhe në kalldrëme dhe le të këndohet”. Ky amanet u realizua më 7 Mars të vitit 1887 kur u çel Shkolla e Parë në Korçë, në të cilën mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe me mësues shqiptarë dhe me program e libra në gjuhën shqipe. Ajo pati edhe misionin e vet kombëtar, sepse realizoi parimin e kombit mbi atë të fesë. Me këtë shkollë u hap rruga e forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Kjo shkollë mobilizojë të gjitha forcat për t’i bërë ballë terrorit e intrigave të sunduesve, duke shprehur vendosmërinë e popullit shqiptar për ta ruajtur e për ta shkruar gjuhën shqipe. Ashtu siç thoshte Sami Frashëri, “S’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja”.

Lufta për shkollën kombëtare shqipe ka vazhduar edhe pas copëtimit të tokave shqiptare nga ortodokset sllavo-grekë me bekimin e Konferencës së Londrës (1913). Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore arsimi shqip në Maqedoni dhe Kosovë u zhvillua në kushte shumë të ndërlikuara. Pas viteve 1981 është periudha më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit. Pushteti jugosllav në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur gjoja “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare, që ushtrohej nga organet partiake me direktivën e shtetit, filloi ta sulmojë arsimin shqiptar nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik që duhej të shkruhej në gjuhën e shtetit. Në vitin 1989 u sollën edhe dy amendamente, 43 dhe 57 ttë Kushtetutës së Maqedonisë, me çka gjuha shqipe u hoq plotësisht nga përdorimi, kurse në Kosove kjo mbeti në të dyja gjuhë.

Prej vitit 1986/87 filloi kryqëzata e vërtetë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist filluan të pushojnë nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave, u mbyllën shkollat e mesme dhe shkollat e larta etj.

Megjithatë shqiptarët asnjëherë nuk pranuan shkollën e përkthyer në gjuhën shqipe, por vetëm shkollë kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit tanë patriotë shqiptarë, që sot brezi ynë i kujton me admirim emrat e tyre. Po në këtë ditë të shënuar ua kemi borxh që ata t’i përshëndesim me përshëndetjen më humane të botës arsimore: Lavdi ndër shekuj mësuesve tanë patriotë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Avzi Mustafa, mbi eshtrat e patrioteve, qendron, Shkolla shqipe

Qindvjetori i Prenk Vidit të Shqipnisë

March 5, 2014 by dgreca

Më 7 mars 1914, nji fisnik gjerman mbërrijti në Durrës për ta marrë fronin shqiptar. Por sundimi i Mbretit Vid qe ditëshkurtë. Kundër tij u ngritën n’emën të fesë anmiqtë e Shqipnisë./

Nga Getoar Mjeku*/

Shum bujarë në Perëndim zunë t’andrrojnë kunorën e nji shteti të vogël në viset ma të lashta të kontinentit, ndërsa Turqia Evropiane po lëshonte grahmën e fundit në vjeshtën e 1912-ës. Por të gjithë andrrimtarët e kotë qenë ma fatlumë se njeriu që – mbasi kishte thanë jo njiherë – pranoi të bahej «Princ i Shqipnisë».

Shqiptarët shpallën pamvarsinë në vlugun e Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur vendet fqinje kishin pushtue gati cdo cep të Dheut të Arbënit. Muaj ma vonë, gjashtë Fuqitë e Mëdha t’Evropës e njohën mëvetsinë e Shqipnisë. Por lajmi i vonuem ishte dyfish i dhimbshëm: fqinjët do ta merrnin mbi gjysmën e trojeve shqiptare dhe evropianët do ta caktonin vetë sundimtarin e shtetit të ri.

Kjo ishte punë pazari. Për nji kohë, perëndimorët shpresojshin që sulltanit t’ia ruanin zotnimet që kishte në siujdhesë para se të plaste lufta. Por tani që status quo-ja s’kish ma shpëtim, Fuqitë e Mëdha nisën betejën diplomatike për ndikim n’Adriatikun Lindor. Se kush e sundonte Shqipninë do të thoshte se kujt do t’i shkonte fjala n’at anë të Botës së Vjetër.

Mbas nji ecunie të lodhshme, Fuqitë e Mëdha u pajtuan dhe shqiptarët pranuan t’ia ofrojnë fronin nji kandidati gjerman. Vilhelmi, i biri i tretë i princit Vilhelm të Vidit (Wied), fillimisht kishte ngurrue të bahej sovran i Shqipnisë. Tek mbas nji viti, austriakët si përkrahës të shqiptarëve i kishin mbushë mendjen fisnikut 38-vjeçar ta pranonte kunorën e trashigueshme të shtetit e ri.

Ndërsa Austro-Hungaria e Italia garonin për ndikim në Shqipni, zgjedhja e Vidit qe zgjidhje për ta fashitë rivalrinë. Fuqitë e Mëdha caktuan princ nji gjerman protestant, ndërkohë që as Gjermania e as protestantët s’kishin interes të veçantë në vendin e vogël. Sundimtari asnjanës, thoshin evropianët, do ta ruante baraspeshën mes fuqive dhe do t’i knaqte ithtarët e të katër besimeve të përhapuna n’Arbëni.

Por prijësi i ri nuk i knaqi të gjithë. Më 7 mars 1914, ai mbërrijti në Durrës, asokohe kryeqytet i vendit. Evropa e njohu për princ, Shqipnia e quajti Mbret. Por nuk i shkoi gjatë para se anmiqtë e Shqipnisë – dhe, ndër ta, njeriu që ia kishte ofrue kunorën – ta nisnin punën kundër tij.

Ditën që shkeli në Shqipni, Vidi e emnoi nji aristokrat nga Tirana ministër të dyfishtë, tue ia besue punët e jashtme dhe mbrojtjen. Esad Pashë Toptani kishte kryesue shpurën shqiptare, që nji muaj ma parë i pati paraqitë Vidit kërkesën për t’u ba sundimtar. Por shpërblimi që monarku i bani pashait ia hapi gropën vetë shtetit.

Ende pa e mbushë muajin në fron, mbreti kish pak arsye t’i druhej Esadit. Grupe t’armatosuna kontrollonin pjesë të ndryshme të Shqipnisë, ndërsa grekët mbanin të pushtuem jugun. Detyra ma e ngutshme për Vidin ishte me shtri pushtetin e tij në tanë truallin e principatës. Dhe pashai barkmadh kishte shprehë gadishmëni të paepun ta çonte në vend fjalën e sovranit.

Kur Vidi kërkoi zgjidhje për praninë greke në jug, Esad Pasha sugjeroi forcën si të vetmen udhë. Për kët qëllim, mori pëlqimin e mbretit për t’armatosë 7 mijë luftarë nga Shqipnia e Mesme. Ma pas, siç shestonte Vidi, njerzit e Esadit do të niseshin drejt Lumit Vjosë, matanë të cilit forcat greke kishin shpallë shtetin autonom të Vorio-Epirit.

Por ministri i mbrojtjes ishte ma së paku i interesuem në trevat përtej Vjosës. Në mes të majit, autoritetet zbuluan se Esad Pasha ishte nismëtari nji kryengritjeje që sapo kishte plasë kundër regjimit fare pranë Durrësit. Ndonse pashai u largua nga vendi, shteti shqiptar nuk i bani ballë dot grushtit t’anmikut.

Më 3 shtator, Mbreti Vid tha se po largohej përkohësisht nga Shqipnia. Por ai s’u kthye ma kurrë. Shteti shqiptar u shua. Në Durrës, rrebelët shqyen flamurin me shkabë dhe ngritën sërish gjysmëhanën osmane. Esad Pasha u shfaq prapë në vendlindje, qëroi hesapet me disa kryengritës që ma s’i duheshin dhe sundoi copë të dheut si satrap i Sërbisë. Pushtimit grek në jug s’i bani dot trazim.

Shtetin që e humbën më 1914, shqiptarët e rikthyen me shum mund më 1920 në Kogresin e Lushnjes. Por Shqipnia nuk arriti do t’i rikthejë tokat që Konferenca e Londrës padrejtësisht ia dha Jugosllavisë e Greqisë. Vilhelm Vidi ndërroi jetë më 1945, kurse i biri i tij i vetëm, princi trashigimtar Karl, vdiq pa lanë pasaardhës tri dekada ma vonë. Sundimi i dinastisë qe ditëshkurtë dhe qëlloi në motin ma t’errët në historinë e Shqipnisë.

Vërtet, Vidi nuk i knaqi të gjithë. Por jo për fajin e tij. Ai u ba halë në sytë e anmiqve, të cilët i futën flakën Shqipnisë. Historia asht hamendë ndaj kryengritjes së 1914-ës: ca flasin për nji lëvizje islame; komunistët për nji përpjekje të fshatarsisë. Mirpo, si islami si fshatarsia qenë vegla t’atyne që s’e deshtën shtetin tonë.

Rrebelët nuk e shënuan 7 Marsin. Ata s’iu gëzuan Prenk Vidit, ashtu siç nuk gëzuan shkollën qytetare shqitare, që kremtonte përvjetorin at ditë. Nuk baj thirrje që kët ditë ta kujtojmë patjetër edhe monarkun gjerman të vendit. Por krahas përvjetorit të mësonjëtores, ta nderojmë të plotë vegimin e rilindësve, duke mos e lanë anash shtetin shekullar. Sepse njimend, si njana si tjetra e mbajnë gjallë kombin tonë.


*Autori, ish-gazetar dhe përkthyes, asht kandidat për titullin «Juris Doctor» në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Texas, të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: Getoar Mjeku, Prenk Vidi, Qindvjetori, Shqiperise

Zëri shqiptar dy ditë në Volkstheatrin e Vjenës

March 5, 2014 by dgreca

Fatos Kongoli, Joachim Rohm, Andrea Grill, Stefan Çapaliku, Alfred Trebicka dhe aktorë e regjisorë shqiptarë u prezantuan me sukses dy ditë në skenën e njohur të Volkstheatrit të Vjenës. Shqipëria e 12-ta në “Die besten aus dem Osten”. Edhe pse ishte paraparë që Ismail Kadare të lexon nga “Piramida”, kjo nuk u realizua./

 Hazir MEHMETI, Vjenë /

Në Volkstheatrin e njohur të Vjenës ku dikur u shijua zëri dhe loja e përsosur e Aleksandër Moisiut, për dy ditë me radhë u prezantuan shkrimtarë e aktorë shqiptarë. Përkrah tyre përkthyesit e njohur në gjermanisht Joachim Rohm e Andrea Grill. Ky aktivitet ishte pjesë e “Die besten aus dem Osten” i përkrahur nga Ministria për Çështjet Europiane, Ministria e Mësimit, Artit e Kulturës së Austrisë dhe traduki. Prezenti ishin edhe diplomat nga ambasada e Shqipërisë dhe ambasada e Kosovës, veprimtarë, student e intelektual.  Shqipëria ishte pasuesja e 12- të e radhës së projektit. Organizatori prezantimin e fillon kështu:” Për “Land der Skipetaren” vendin e shqiptarëve si vend pasqyrimi në romanet e Karl-May-it, akoma mund të duken të fundit “njollat e bardha”  në hartën e Evropës. Edhe pas shkatërrimit të vazhdueshëm prej  40 vjetësh nga diktatura  staliniste e Enver Hoxhes, Shqipëria gjendet në një rrugë të mundimshme drejt  normalitetit të saj si shtet me synime bashkimin me shtetet evropiane.” Pasditja e parë filloi  me temën “Rruga e gjatë letrare në Shqipëri pas përmbysjes”. Për këtë temë foli përkthyesi të njohur gjerman Joachim Rohm i cili dha një pasqyrë të krijimtarisë letrare pas diktaturës, vështirësitë dhe sfidat aktuale. Ai është njohës i mirë i rrethanave në Shqipëri si përkthyes i veprave të Ismail Kadares, Fatos Kongolit etj. Ai njoftoi auditorin lidhur me literaturën dhe krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe me theks të atyre krijuesve nga të cilët ai përktheu në gjermanisht. Shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila është njohëse e gjuhës shqipe, lexoi nga krijimtaria e saj. Trupa e “Teatrit Metropolit” nga Tirana dha komedinë   “Tri mendje në ankand”  nga dramaturgu Ferdinand Hysi me aktoret: Klodian Hoxha, Devis Muka, Alban Musa, Elona Hyseni, Lorenc Kaja, Doriana Çaushi. Udhëheqëse Suela Konjari. Regjia nga Elma Doresi, skena nga Beqo Nanaj, dritat nga  Julian Llukani dhe kostumet nga Edlira Qyshka.  Një komedi mjaftë e suksesshme e cilësuar nga Teatri Konvencional Europian si njëra nga paraqitjet e kohës në mesin e njëqind e njëzetë më të mirave në kontinent. Përkthimi në gjermanisht e bëri shkrimtarja Andera Grill. Salla anësore e Volkstheatrit- Hundsturm ishe e mbushur me spektatorë të shumtë për të cilët u dha koktej rasti.  Në ditën e dytë lexoi nga krijimtaria e tij shkrimtari Fatos Kongoli nga romani i tij “Lëkura e Qenit”, kurse në gjermanisht nga “Hundhaut” lexoi përkthyesi Joachim Rohm. Ai dha para auditorit biografinë dhe rrugën letrare të shkrimtarit që nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme. “Deri më tani Fatos Kongoli ka shkruar disa romane nga të cilat dy janë të përkthyera edhe në gjuhën gjermane dhe në disa gjuhë tjera”- tha mes tjerash. U zhvillua edhe një bisedë e shkurtër me publikun. Në vazhdim u dha pjesa teatrale nga  zhurnalistja, politologia dhe përkthyesja gjermane Jonila Godole  me titull “Der Sandmann” me të cilën e në vitin 2009 e fiton” konkursin europian “Talking About Borders”. Kur edhe  prezantohet në Burgtheater të Vjenës me pjesën teatrale ku si subjekt ka fatin e Robertit, i  riu shqiptar emigrant i cili fatin e kërkon në botën e jashtme. Një ditë kthehet në atdhe pas rrethanave konfliktesh të përmbysjes së kriminelit diktatorial Enver Hoxha. Babai e tij e kishte humbur kujtesën “Moskujtesa është e dhembshme sikurse kujtesa”, mendon babai i tij, kur tani shet trëndafila ku dikur kishte vrarë njerëz. Roberti kërkon të mëson për fatin e përgjakshëm të familjes së tij. Nisur nga ky motiv, aktorët e Volkstheatrit u prezantuan me një pjesë e zgjedhur nga aktori Hans-Joachim Lanksch në gjuhën gjermane. Regjia na Nicolas Charaux, aktorët: Hanna Binder, Erwin Ebenbauer, Anselm Lipgens, Roman Schmelzer dhe Günther Wiederschwinger. Loja e aktorë u përcoll me duartrokitje nga publiku i cili mbushte sallën.

    Programi vazhdoi me monodramën “Fausti prej Tirane” një parafrazë nga Goette, e shkruar nga  Stefan Çapalikut i cili bëri edhe regjinë bashkë me Alfred Trebickën. Aktori Alfred Trebicka, luajti me mjeshtri duke fascinuar publikun. Zëri i tij i fuqishëm dhe melodioz të kujtonte zërin e Aleksandër Moisiut dikur që tani ruhet i vlerësuar në fonotekën muzeore të Vjenës.   Ai edhe vet i emocionuar nga duartrokitjet e pareshtura me  lot suksesi prej aktori, falënderoi publikun artdashës. Drama si subjekt ka peripecitë e brezit të intelektualëve shqiptarë pas thyerjeve të mëdha të viteve nëntëdhjeta.  Pjesa teatrale dha edhe një shtytje drejt kuptimi se Fausti i Goettes është një fenomen gjithëpërfshirës botëror, pra edhe shqiptar. Aktorë tjerë mbështetës ishin edhe Besmir Haliti e Julinda Emiri, muzika nga Agron Shala, skena e kostumet nga Adian Isufi. Animimin e punuan Elis Gjoni, Besmir Cani, Simon Dobërdaku e Albin Çifliku. Programi nga “Die besten…” përfundoj me koncertin e suksesshëm muzikor nga Orges – The Ockus-Rockus e Rrugëve. Grupi muzikor me përvojë u prit mjaft mirë nga publiku i cili e mbushte sallën. Projekti vazhdon me shfaqjet dyditore në qytetin e Gracit, qyteti i dytë në Austri pas Vjenës.(Ne Foto:Aktoret pershendesin publikun)

 

Filed Under: Featured Tagged With: dy dite, Hazir Mehmeti, ne Volkstheatrin e Vjenes, Vjene, zeri shqiptar

Vullneti dhe tiparet e tij në profilin psikologjik të popullit tone

March 5, 2014 by dgreca

“Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”-Fjala e urtë/ “Kush lak s’i bën vullnetit të ngulur, ai botën e trajton mbas andjes së tij”-Gete/

Nga Anton ÇEFA/       

 Vullneti është aftësia që ka njeriu si veti të brendshme dhe këmbëngulja e tij për të arritur një qellim a synim të caktuar, për të plotësuar një dëshirë ose për të kapërcyer vështirësitë e pengesat me përpjekje të vetëdijshme, me vendosmëri, me durim, etj. 1). Asgjë nuk është e pamundshme për një njeri të vullnetshëm.

Për filozofin dhe estetin Benedetto Croce, krejt fushën e dominimit teorik të shpirtit e mbulojnë format intuitive dhe intelektive, duke përjashtuar kështu format volitive. “Vullneti është formë e aktivitetit praktik”, thotë ai. Është “aktivitet i shpirtit, i cili ndryshe nga teoria e thjeshtë ose nga vrojtimi i gjërave, është prodhues jo njohurish, por veprimesh.” 2). Për lidhjen mes shpirtit njohës, intelektual, dhe shpirtit praktik, realizues, Croce sqaron më tej: “Një veprim sado i vogël mund të jetë veprim i vërtetë, domethënë veprim i vullnetshëm, vetëm po të paraprihet nga një aktivitet njohës.” 3).

Në analizën e tipareve të vullnetit, duhet thënë në krye të kresë që vlera e tij nuk qëndron tek ekzistenca e tij, por tek idealet që e frymëzojnë dhe e drejtojnë atë, tek natyra e motiveve, synimeve e nevojave që e shtyjnë njeriun të veprojë. Një brumosje e shëndoshë morale e njeriut shërben për themelet e tipareve pozitive të vullnetit. Më shumë se në proceset e tjera të psikës njerëzore, tek ai përvijohen krahas anëve pozitive edhe ato negative të karakterit të njeriut. “E mira e njeriut është tek vullneti, dhe e keqja gjithashtu”, ka thënë filozofi grek Epiktetus. Me vullnet bëhen punët e mira, po edhe punët e këqija.

Populli, në fjalën e tij të urtë, ka shprehur vlerën e madhe të kësaj hiseje tejet të rëndësishme të psikologjisë së njeriut për realizimin e misionit të tij në jetë, për sendërtimin, përmbushjen e idealeve të tij, për jetësimin e synimeve që ai i vë vetes: “Uji që rrjedh pikë-pikë e ha gurin”. Çdo punë sado e vështirë të jetë kryhet nëpërmjet vullnetit: “Vullneti e then hekurin”, “Vullneti i burrave shkul malet”. Në proverba të tjerë, ai ka dënuar mungesën e tij deri në dembelizëm, bile me tonalitete humori: “Shyqyr, o muslluk, që s’ke ujë, se edhe unë s’i laj sytë”, “Shyqyr, o mulli, që s’pate ujë, se unë s’kisha për të blojtur”. Mendësia popullore e quan të turpshme mungesën e vullnetit për të kryer një punë të mirë: “S’asht marre mos me ditun, por mos me dashtun me nxanë”. Ajo i ka vënë rëndësi nismës si fazë fillestare e veprimit volitiv: “Po s’fillove, nuk mbaron”. 4).
“Aty ku është vullneti, aty është rruga”, thotë proverbi, – ka thënë një i ditur.- Por, kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, ka shtuar ai. E vërteta është: aty ku mungon vullneti, nuk ka rrugë.” Çdo e mirë materiale e shpirtërore, çdo nevojë, çdo dëshirë, vihet në jetë nëpërmjet vullnetit të njeriut.

“Vullneti është njësia e matjes e fuqisë”, ka thënë filozofi i lashtë grek Proclus. Në një hulli sa filozofike aq psikologjike, Niçe, duke e emërtuar “vullnet të fuqisë”, e ka cilësuar vullnetin e afirmimit të vetvetes përball çdo pengese dhe çdo kufizimi të jashtëm, si “instinktin themelor të jetës”. Përpjekjet për afirmimin e vetvetes janë të lindura me njeriun. Tek shqiptari që ka natyrë ziliqare dhe krenare ato janë mjaft të theksuara, dhe mumd të kalojnë në kahje negative.

Një nga tiparet më të rëndësishme të vullnetit të njeriut është këmbëngulja, përpjekja e njeriut me ngulm e durim për t’i realizuar synimet që i ka vënë vetes. Një vargan fjalësh të urta, populli ynë i ka kushtuar kësaj cilësie të vullnetit. Nëpërmjet tyre, ai porosit: “Atë rrugë që të rrokësh, t’i gjejsh fundin”, “S’godite me të parën, provoje përsëri”, “Duhen ngulur dhëmbë e këmbë”. Herë të tjera, ai tregon se me këmbëngulje i arrihet qellimit, bëhet i sigurt realizimi i tij: “Gjalpi ha gurin”, “Litari ha gurë”, “Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”, “Prit e mos lidh, s’bëhet punë”, “S’merret kalaja me një të shtenë”.

Gjithsesi, edhe këmbëngulja tek ne, kur është e paarsyeshme ose kur ngulmohet të vihet në jetë pa tjetër një dëshirë, kthehet në kokëfortësi, veti aq e njohur në psikologjinë e shqiptarit. Studiuesi dhe letrari Daniel Gjeçaj, ka shkruar: “Shqiptari nga natyra asht vullnet-fortë dhe s’topitet para vështirësive. Këto veti të mira në vetvedi, shpesh përse të paarsyetueme, e shtyejnë shqiptarin në kryefortësi të damshme dhe në prirje të veçueme, qi njerin e kthejnë në egoist dhe gjymtyrë të shkëputun nga e mira e përbashkët.” 5).

Aty-aty me këmbënguljen renditet një tipar tjetër me peshë i vullnetit: durimi, përballimi dhe kapërcimi i pengesave dhe vështirësive, të cilat i dalin njeriut udhës së jetësimit të synimeve të veta. Në mendësinë popullore, durimi përbën një faktor të domosdoshëm në sigurimin e suksesit: “Durove, fitove”, “I duruari, i fituari”, “Me durim të tëra bëhen”, “Dhe të mirat, dhe fitimin e sjell puna me durimin”, “Çelësi i fitimit – zemër e durimit”, “Gjithkahit bani durim, se durimi ka pshtim”. Fjala e urtë këshillon të jemi të qetë e të qëndrojmë gjakftohtë, kur një punë për t’u kryer, kërkon kohë: “Ai që pret, del në selamet”, “Fije-fije bari, bahet mullari”, “Dalëngadalë bie shiu, pikë-pikë bëhet këneta”, “Lugë-lugë shpiket një kupë”; të mos ngutemi, të mos bëhemi të padurueshëm: “Mos ban si zorra në prush!”. Vlerësimi i durimit në urtësinë popullore shkon deri atje sa duruesin ta quaj të lumtur: “Lum kush ka sabër!”.

Në rrethanat e disfavorshme që ka kaluar gjatë gjithë historisë së tij, shqiptarit i është kalitur vullneti, sidomos një nga tiparet më të qenësishme të tij, qëndresa. Përmes fjalës së tij të urtë, populli ka vlerësuar lart këtë tipar karakteri: “Shqiptari çalë-çalë shkoi deri në Bagdat”, “Burri nuk shtrihet as për të vdekmi”; qëndresën e ka trajtuar si veçori dalluese të karakterit të njeriut: “Kalin e kallxon ngarkesa e njerinë e kallxon qindresa”; ka këshilluar që nëpërmjet qëndresës, njeriu të ruajë dinjitetin dhe personalitetin e tij: “Qindro shtyllë e mos u ban urë!”. Qëndresa ka qenë motivi i një poezie aq të bukur të atdhetarit të shquar idealist, Luigj Gurakuqit, në të cilën përshëndrit një apoteozë e qëndresës dhe e durimit, dhe një apel për t’i bërë tonat ato veti, në përkushtim të një ideali të lartë:

 

“Veç nji qellim i naltë t’ban me durue,

E zemrën t’a forcon:

Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue

Mjer’ ai që nuk qindron!” 6).

          E theksojmë se vetëm kur një ideal fisnik vë në lëvizje e fut në veprim njeriun, vetëm atëherë ai realizon synime të larta, sublime. Thjesht, për konkretizim të këtij fakti psikologjik, po bie këtu strofën e fundit të poezisë “Ultima verba” (“Fjalët e fundit”) të Viktor Hygoit, përkthyer nga Sotir Caci :

 

“Një mijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,

Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem, jo, q’aty.

I dhjeti do të jem po qe se mbeten dhjetë:

E në mbetë veç një, – do të jem un’ay!” 7).

Një tjetër tipar vullneti i psikës së popullit tonë është guximi. Shqiptari nuk u trembet rreziqeve dhe vështirësive, është i guximshëm. Të huajve u ka bërë përshtypje kjo cilësi karakteri dhe e kanë shënuar në veprat e tyre. Douglas i ka quajtur shqiptarët “kurajozë proverbialë”. 8).  Hobhouse ka shkruar: “kjo kurajë e patreguar ka qenë kurdoherë, dhe është edhe sot, pjesë e karakterit të tyre” (të shqiptarëve, A. Ç.). 9). Është bërë vërejtja që “Guximi tepër i theksuem dhe demoralizimi i shpejtë para rasave, qi e thejnë vullnesën, bajnë qi shqiptari të jetë, në përgjithësi, i vrullshëm në veprim, por jo gjithaq i qëndrueshëm.”

Fallmerayer e ka quajtur Shqipërinë vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. 10). Shqiptari, siç e shpjegon Çabej, është “i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë e të mendojë”. 11). Kjo e tregon atë të padurueshëm, një tipar negativ i vullnetit. Gjithsesi, në përgjithësi, shqiptarin e dallon durimi.

Në mënyrë të veçantë, tiparet e vullnetit tek populli ynë duken në përpjekjet e luftat e tij për liri. Të shkrira me karakterin luftarak, që e ka karakterizuar gjithnjë shqiptarin, ato i kanë siguruar rezistencën dhe fitoret ndaj armikut. “Sa më shumë fatkeqësi që u bien mbi kokë, – pohon Spenceri për shqiptarët kryengritës, – aq më tepër ata shumëfishojnë dhe grumbullojnë forcat dhe, sa marrin veten, të gatshëm për luftë dhe hakmarrje, hidhen në kryengritje” 12).

Ja edhe dy vlerësime të vullnetit nga kolosi i nacionalizmit shqiptar, Mithat Frashëri: “Nuk dëshiroj lumturinë që na premton folozofia e Hindëve, Nirvana e mohimit, po atë kënaqësi, mbase më pak qiellore, po më të vërtetë, e cila rrjedh prej vullnetit tonë, e bërë prej përpjekjes sonë të çdoditëshme, prej durimit që dëftejmë në sforcimet për të bërë detyrën dhe në të ndjekurit e një qëllimi.”.

“I lumtur është ai që, në udhën e vështirë të jetës, ka një ideal dhe që arrin, me vullnet të pathyer e përpjekje të çdoditëshne, ta përmbushë atë, duke përballuar pengesat e kohës. I lumtur është ai që udhën e vuajtjes njerëzore di ta bëjë pak më të lehtë e më të ëmbël.” 13).

Për vullnetin e shqiptarit e tiparet e tij, për idealet frymëzuese, për vendosmërinë, për qëndresën, për durimin, për papërkulshmërinë, për këmbënguljen, për revoltën ndaj padrejtësisë, për zellin atdhetar, për sakrificën sublime, flet e do të flasë në jetë të jetëve qëndrimi heroik i të torturuarve në burgjet e kampet gjatë kohës së diktaturës.

 

Sepse :

“Atdheu është Atdhe, edhe atëherë kur të vret”, ka thënë Mitrush Kuteli.

 

 

 

Referenca

 

1). Shih tek “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1980.

f. 2189.

2). Benedeto Kroçe, “Estetika si shkencë e shprehjes dhe e gjuhësisë së përgjithshme”, përktheu nga origjinali Zef Zorba, “Apollonia”, f. 65-66.

3). Po aty, f. 68.

4). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga:

– “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Përgatitur nga Jorgo Panajoti dhe Agron Xhagolli, Kombinati Poligrafik-Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1983.

– Norma Glason, Kolë Kamsi, Sami Frashëri, “Proverba nga e gjithë bota”, Përgatiti Pjetër Pepa, Shtëpia botuese UEGEN, Tiranë, 2000.

– “Banush I Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001.

– Ndonjë proverb është riprodhuar nga kujtesa.

5). Daniel Gjeçaj, “Parathanje” e veprës së Anton Harapit, “Andrra e Pretashit”, – Kontribut për kulturën shqiptare – , Romë, 1959, f. XXIII.

6). Luigj Gurakuqi , “Vepra të zgjedhura”, Mbledhë, redaktue, pajisë me shënime nga Mark Gurakuqi, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1961, f. 159.

7). Viktor Hygo, “Antologji poetike”, Në vargje shqip, nga Sotir Caci, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1959, f. 62.

8). Douglas, F. S. “An Esseay on Certan Points of Resemblance Betëeen the Ancient and Modern Greeks, Edition 2, London 1815, p. 190. Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.

9). Hobhouse, J. C. A journey through Albania and other provinces oh Turkey in Europe and Asia, to Costantinople, during the years 1809 and 1810, London, 1813, p. 148. Cituar sipas Shpëtim Memës “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.

10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 27

11). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

12). Edmund Spencer, “Travels in European Turkey through Bosnia, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thrace, Albania and Epirus, ëith a visit to Greece and Ionian Isles, vol. 2, Edition 2, London, 1853, f. 84, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 74.

13). Uran Butka, “Gjeniu i kombit”, “DRIER”, 2000, f. 296.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, profili psikologjik, vullneti dhe tipatert

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4803
  • 4804
  • 4805
  • 4806
  • 4807
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT