• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Stalinizmi i Enver Hoxhës dhe nacionalizmi shqiptar

February 27, 2014 by dgreca

Shkruan Enver Bytyçi – Doktor i Shkencave Historike/

Në numrin e një reviste të së shtunës së kaluar historiani dhe politikani,  Pëllumb Xhufi, mori përsipër të sjellë në opinionin publik pikëpamjet e tij mbi Enver Hoxhën dhe figurën e tij historike. Kjo analizë e tij u ribotua të nesërmen, më 23 shkurt, në një gazetë, duke zgjeruar rrethin e lexuesve. Edhe unë e lexova me shumë vëmendje analizën e tij të titulluar: „Enver Hoxha dhe nacionalizmi“.  E rilexova gjithashtu, sepse doja që të mos keqkuptoj asgjë prej atyre trajtesave që i bën kolegu Xhufi kësaj figure. Prandaj në këtë refleksion mbi këtë çeshtje do të provoj të jem shumë i ftohtë, me qëllim që në vend të gjykimit tim personal, lexuesit t´i jap të dhëna, fakte dhe argumente, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me opinionin e zotit Xhufi.

Në fakt autori i analizës-opinion „Enver Hoxha dhe nacionalizmi“, siç pohon vetë, e pret një reagim të opinionit rreth trajtesës së tij të lartpërmendur. Por unë do të përpiqem të jap një përgjigje profesionale, pa ngarkesa emocionale dhe pa paragjykime. Për këtë më ndihëmon gjithashtu fakti se qëndrimet e zotit Xhufi i njoh prej kohësh. Analiza në fjalë nuk ishte një surpirizë. Gjatë gjithë kohës së zhvillimeve postkomunizëm, ai ka gjetur mënyra e forma, ka bashkuar disa thënie e kundërthënie, ka cituar madje dhe kundërshtarët e diktatorit shqiptar, është përpjekur të bashkojë gjysëm të vërteta e të pavërteta, me qëllim që t´i sjellë në publikun shqiptar si „argumente“ të idesë së tij fikse e të pandryshueshme se „Enver Hoxha ishte nacionalist“. Kjo përpjekje e gërshetuar me formulime të derformuara dhe të dhëna e citime të selektuara ka një qëllim: Marrjen në mbrojtje të diktatorit më të egër në botën lindore komuniste. Ndërkaq më duhet të them se ligjërisht në vendin tonë ka të drejtë çdo kush ta marrë në mbrojtje figurën e Enver Hoxhës. Shqipëria ende nuk ka një ligj, i cili në mos ta realizonte të synonte dekomunisitifikimin e shqoërisë sonë, si ka ndodhur në Gjermani denazifikimi i shoqërisë përmes një ligji përkatës, i cil ndalon të merret në mbrojtje figura e diktatorit nazist, Adolf Hitleri.

Unë e kuptoj gjithashtu sentimentin ideologjik që lidh mendimin e zotit Xhufi me figurën e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Por të qenit i rrjeshtuar majtas ose djathtas nuk e ndryshon faktin se historianit i duhet para së gjithash të jetë e të mbetet historian. Historianët dhe akademikët tanë do të duhej  të kapërcennin kufijtë ideologjikë për t´u ballafaquar me politikat e përbashkëta të të gjithë spektrit politik të shoqërive të lira e demokratike, në themel të të cilave qëndrojnë të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Të qenit i majtë ose i djathtë, nuk i jep të drejtën askujt, veçmas shkenctarëve, të bëjnë avokatin „e djallit“.

Analiza e gjatë në fakt nuk dukej si analizë, aq më pak si një punim shkencor i një studiuesi që e njeh ose duhet ta njohë mjaft mirë metodikën e vlerësimit të figurave dhe ngjarjeve historike, megjithëse thuhet se ajo çfarë është botuar ëshë mbajtur në një aktivitet shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Ajo dukej qartë si një avokati me sfond politik, me akuza e sulme kundër të djathtës historike e asaj të së sotmes.

Kjo përshtypje jepet në të gjitha fjalitë dhe paragrafet punimit të zotit Xhufi në rastin konkret. Për ata që nuk e kanë lexuar më duhet të citoj pjesën politike më të dukshme të tij: „Të gjithë e dinë se çfarë mendon Edi Rama për Enver Hoxhën, ndaj nuk dua të zgjatem as me pasionin e tij antienverist, të sinqertë, të kuptueshëm, por antihistorik, dhe as me antienverizmin e antikomunizmin e z. Berisha, që është i vonuar, i shtirë, antihistorik e gjithashtu amoral“. Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16. Unë nuk besoj se ndonjë prej lexuesve ka nevojë për shtjellime shtesë të këtij pasazhi, sepse në të qëmtohet shumë lehtë politizimi dhe njëanshmëria e punimit të autorit, i cili pretendon të bëjë një analizë historike, por që rrëshqet me lehtësi në analizë politike.

Por le të kthehemi tek thelbi i çeshtjes. Profesor Xhufi ka përmendur aty një listë qëndrimesh “nacionaliste” të Enver Hoxhës në raportet e tij me Kosovën dhe Jugosllavinë.  Në  analizën e tij ai ofron disa opsione rreth figurës “nacionaliste” të Enver Hoxhës:

Së pari, e cilëson atë si nacionalist jashtëkrahinor, duke mos vënë re faktin se diktatori shqiptar i shërbeu një ideologjie internacionaliste, e cila më së paku kishte të bënte me nacionalizmin.  Vlerësimin e tij zoti Xhufi e shfaq nëpërmjet një përpjekjeje të tij për të krahasuar nacionalizmin tradicional me udhëheqësin ideologjik komunist shqiptar. Dhe në këtë krahasueshmëri të gjithë nacionaistët tradicionalë, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Halil Alia, Selim Kaloshi, Isa Toska, Taf Kaziu, Bektash Cakrani etj. etj. “në rastin më të mirë” do të quheshin “nacionalistë krahinorë”,. Sipas Xhufit “këta trima, ndërsa betoheshin e përbetoheshin për Shqipërinë etnike, e kaluan kufirin e krahinës së tyre vetëm për të vrarë e për të prerë shqiptarë të tjerë, pikërisht ata që luftonin për lirinë e vendit të tyre”. Burimi i cituar më lart. Profesor Xhufi kështu i jep definicionin historisë së kombit tonë të një periudhe të rëndësishme të saj. Ai e mbron hapur veprimtarinë e komunistëve shqiptarë dhe hakmarrjen e tyre kundër forcave nacionaliste. Dhe as përpiqet profesionalisht së paku të ndriçojë të vërtetat e kundërta, të cilat janë bërë të njohura në literaturën e pas viteve 1990.

Eshtë normale që i majtë të elabotojë historinë e të majtës, e anasjelltas, një i djathtë të shkruajë pjesën e historisë që lidhet me të djathtën, ashru siç mund të ndodhë dhe e kundërta e kësaj. E rëndësishme është të respektohen kriterët shkencore metodologjike të të shkruarit të kësaj historie. Metodologjia e trajtimit historik të periudhës së luftës e të pasluftës, të cilën e përdor zoti Xhufi, shfaqet fatkeqësisht e çalë dhe e joshkencore. Kjo për faktin se e gjithë trajtesa mbështetet në disa të dhëna selektive. Kjo periudhë si dhe figurat historike të saj trajtohen në mënyrë të njëanshme dhe me emocione. Ndërkohë që një nga kriteret themelore në punën kërkimore dhe shkencore në lëmin e historisë është të shkruarit e saj ftohtë, pa emocione nacionaliste ose ideologjike, pa ndikimin e simpative apo antipative për palët në konflikt. Rreth kësaj metode janë bërë debate të shumta. Për ta mënjanuar gjykimin dhe analizën e gabuar, disa mendojnë që historia duhet shkruar pasi të ketë kaluar një periudhë e gjatë kohe, disa të tjerë janë të mendimit se historia mund të pasqyrojë më mirë realitetin, nëse shkruhet nga historianët bashkëkohës të ngjarjeve historike që kanë ndodhur. Prof. Dr. Holm Sundhaussen beson se për të shkruar historinë do të duhet një gjysëm distance nga koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Periudha e komunizmit me kohën e sotme ka krijuar një distancë të caktuar, por a është e mjaftueshme kjo distancë kohore për të rifilluar e rishkruar historinë e kësaj periudhe? Trajtesa e zotit Xhufi na bën me dije se ende nuk është e mjaftueshme. Nëse historinë e së majtës do ta shkruajë një i majtë, madje bashkëkohës i ngjarjeve historike, aëherë ai objektivisht do të keqkuptohet dhe kontestohet. Kontestimi nuk vjen thjesht për shkak të mungesës së distancës kohore, por për shkak të të shkruarit emocionalisht të historisë. Distanca, ose ajo që Sundhaussen e konsideron gjysëmdistancë, është e domozdohme në kuptimin e shkarkimit të emocioneve dhe rikthimit në metodikë të analizës me gjakftohtësi e për rrjedhojë paanësi të të shkruarit të historisë.

Si në çdo fushë tjetër, edhe studimi, ekspertiza dhe të shkruarit e historisë kërkon nga autori i saj besueshmërinë dhe sinqeritetin. Kjo do të thotë që në tekstet dhe ekspertizat historike të mos zëjë vend vetëm një pamje, përshembull, entusiazmi, heroikja, që shpesh herë kthehet në mit, por edhe vuajtja, tragjedia, drama. Ballafaqimi i argumentit pro dhe kundër, ballafaqimi i ideve me realitetin e zhvillimeve në shoqëri, ballafaqimi i fjalimeve me programet e zhvillimit si dhe me statistikat e këtij zhvillimi, janë alfa e punës që një historian duhet të bëjë, kur merr përsipër të shkruarit e historisë së një periudhe të caktuar. Në fakt, në trajtesën e zotit Xhufi lexuesit dhe studentët, studiuesit dhe gjithkush tjetër do të gjejë citime të selektuara, ose pjesë nga veprat e diktatorit, me të cilat ai operon për ta shpallur Enver Hoxhën një nacionalist jashtëkrahinor. Asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë program, asnjë alternative, asnjë argument, përveçse ndonjë konstatimi gazetaresk marrë nga veprat e diktatorit, nuk gjenë në ata punim shkencor të shkruar enkas për një veprimtari akademike e të botuar pastaj në disa organe të shtypit të Tiranës.

Për mendimin tim, trajtimi i figurës dhe veprimtarisë së Enver Hoxhës duhej e duhet parë në tri dimensione: Në dimensionin ligjor-juridik, në dimensionin e respektimit të vlerave të shoqërisë njerëzore dhe në dimensionin ballafaques të produktit të politikës së tij në raport me produktin e vendeve fqinjë. Sa i përket anës juridike, me kohë do të duhet që bazuar në fakte e argumente të plota, vendimin ta kishte marrë parlamenti i Shqipërisë demokratike. Derisa nuk ka ndodhur e nuk ndodh kjo, atëherë askush nuk mund të ndalohet të japë opinionin e tij rreth kësaj figure, të cilën disa historianë shqiptarë e të huaj e konsiderojnë si kontraverse, por që në realitet është shumë e lexueshme dhe e qartë.

Derisa legjislativi shqiptar nuk ka marrë një nismë të tillë ligjore, pavarësisht ndonjë iniciative të dështuar në këtë drejtim, atëherë veprimtaria e diktatorit Hoxha duhet ballafaquar me shoqërinë e vlerave. Pra përcaktuese do të duhet të jetë sistemi i vlerave dhe përceptimi për to që mbart vetë autori i shkrimit të kësaj periudhe historike. Në këtë aspekt, historiani Pëllumb Xhufi, kërkon të shmanget nga përgjegjësia e tij si shkenctar dhe akademik. Ai nuk dëshiron që të ballafaqohet me raportet e Enver Hoxhës me të drejtat e njeriut dhe me konkurencën në ekonominë e tregut. Madje shohim që ai për këtë fajësonideologjinë  e kohës, pra ideologjinë marksiste-leniniste. Por ai nuk merr mundimin të përdorë metodën krahasuese, me qëllim që të shkojë deri te përfundimet pozitive për diktatorin shqiptar. Në mes rrjeshtash le të kuptohet se faji për dështimin e komunizmit në Shqiëri e kishte Jalta dhe harron se Jalta kishte dhënë të njëjtin verdikt si për Shqipërinë dhe për Jugosllavinë, në pikëpamje gjeopolitike e strategjike, ndërkohë që produkti i politikave të zhvillimit ishte krejt I ndryshëm në të dy vendet.

Sistemi i vlerave dhe raportet me to, për professor Xhufin janë të dorës së dytë e të tretë, në rastin e trajtesës së veprimtarisë së Enver Hoxhës.  Edhe kur përpiqet të përdorë metodikën krahasuese midis dy kundërshtarëve politikë të kohës, komunistëve dhe nacionalistëve, ai e trajton çeshtjen në mënyrë krejt të njëanshme. Por ajo që më shqetëson si një studiues i pasionuar i historisë së re të Shqipërisë ka të bëjë me shtrembërimin e fakteve, madje tjetërsimin e tyre. Nëse dikush duhet gjykuar dhe ndëshkuar për konfliktin civil gjatë e në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, këta janë udhëheqësit komunistë të Shqipërisë dhe personalisht diktatori Hoxha. Ata, në zgripin ose pas ikjes së nazistëve, nuk i lëshuan armët, por dolën nga gardhi i Zonës së Parë Operative dhe u sulën në Shqipërinë e mesme e të veriut si bisha, duke masakruar me qindra e mijëra patriotë  e nacionalistë “krahinorë”, siç i quan ata zoti Xhufi. Le ta pranojmë faktin se në malësi kishte nacionalistë krahinorë. A i jepte të drejtën kjo diktatorit Hoxha, të urdhëronte asgjësimin e këtyre elementëve?! Sipas zotit Xhufi, po, sepse në trajtesën e tij të krijohet përshtypja që nacionalistët „krahinorë“ ishin shkaku i masakrave dhe dhunës që përdori diktatori kundër popullsisë së pafajshme. Sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ishte në të drejtën e Zotit të pushtonte me dhunë e terror trevat e malësisë, madje t´i dërgonte divizionet e tij edhe në Kosovë, me qëllim që po me dhunë e terror të impononte „vëllazërim-bashkimin“ me serbët e me Serbinë. Por kjo kjo bëmë e diktatorit konsiderohet „nacionalizëm jashtëkrahinor“.

Brigadat partizane imponuan me vrasje e masakra poshtetin komunist në Shqipërinë e Veriut. Ky është fakt i pamohueshëm. Njazi Hoxha, ish-komandant i Brigadës së 24-të, ka dëshmuar konkretisht për këtë histori të trishtueshme në luftën civile të imponuar nga komunistët shqiptarë. Ai ishte ndarë aso kohe nga një politikë e tillë, duke u zënë me pasuesin e tij, Ndreko Rino. Ndaj dhe u burgos dhe u pa gjithë jetën si një person i dyshimtë dhe i rrezikshëm për ideologjinë e Enver Hoxhës. Por shembuj të tillë janë dëshmuar tashmë edhe në rastin e masakrës së Lusnës e të Buzë Madhes në Kukës kryer prej komandantit të Brigadës së V, Shefqet Peçi.  Historia jonë ende nuk ka ndriçuar vrasjet në luftimet përballë njëra-tjetrës nga forcat komuniste e ato nacionaliste, luftime, të cilat u imponuan nga forcat e udhëhequra nga komunistët. Dokumentet flasin për bashkëfajësi të shtetit shqiptar me shtetin serbo-jugosllav në masakrën e Tivarit, ndërkohë që përkrahësit e diktatorit e vlerësojnë faktin që kjo masakër dënohet prej tij pas gati 40 vitesh.

Edhe nëse ne historianët do të donim ta shtrembëronim historinë, janë shumë dëshmitarë, që do të na mallkonin për këtë. Ne mund të përpiqemi t´i mohojmë faktet, por dihet p.sh. sesi në Gostil të Kukësit partizanët e komanduar nga Manush Myftiu e thirrën në verën e vitit 1944 në takim Muharrem Bajraktarin dhe në momentin kur ai mbërriti për takimin e kërkuar e qëlluan për ta vrarë. Prej asaj here Muharrem Bajraktari mori nofkën „Njeriu që nuk e kap plumbi“. Ishte e pabesueshme për këdo, si mundi që ai t´i ikte plumbave të tradhëtisë sllavo-komuniste. Përdor cilësimin „tradhëtisë“, sepse kjo ndodhi i përkiste madje tradhëtive të mesjetës, të cilat i pershkruan me mjeshtri Ëilliam Shekspir.

Kjo dëshmon të kundërtën e asaj që pohon zoti Xhifi, i cili i referohet historianit Bernd Fischer. Muharrem Bajraktari nuk kishte dalë në këtë rast nga krahina e tij për të vrarë shqiptarë „që luftonin për lirinë e vendit“, përkundrazi ai po priste në vendlindjen e tij komunistë pa ideale nacionaliste, që kishin dalë nga (Zona e Parë Operative) dhe shkuan në Kukës për ta vrarë atë në pabesi. Ndërkaq Muharrem Bajraktari i shkroi më 10 mars 1947një letër Sekretrit të  Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën shprehej se „Komunizmi mund të kualifikohet, në një farë forme, si një lëvizje pansllaviste, sepse ka për qëllim ekspansionin e botës sllave me një dinamizëm të ri. Pas pushtimit italian e gjerman, kjo është fatkeqësia e tretë që shkatërron vendin tim. Shtypja dhe terrori që ekzistojnë në „demokracitë e reja“ e kalojnë imagjinatën e perendimorëve…. Populli shqiptar është i lidhur fort me traditat nacionale, jetën familjare dhe konceptet perendimore. Ai nuk e don komunizmin, sepse ky don ta shkëpusë popullin tim nga civilizimi perendimor për ta futur me forcë në orbitën sllave. Ai nuk don të preket në traditat e familjes dhe liritë e tij. Për këtë është kundër komunizmit“. Revista „Koha“, Nr 45, 16 Nëntor 2000, faqe19. Unë besoj se kjo deklaratë e Muharrem Bajraktarit aso kohe ishte plotësisht e motivuar, po të kemi parasysh përpjekjet e qeverisë së Hoxhës për të bërë bashkimin politik me Jugosllavinë.

Ndërkaq, për mua mjafton ky përceptim realist i Muharrem Bajraktarit për ta nxjerrë atë nga përkufizimi jo i saktë i zotit Xhufi, si një „nacionalist“ krahinor. E dhashë shembullin e Muharrem Bajraktarit në dy kohë, në përballjen me pabesinë e komunistëve dhe në përballjen me alternativën e komunizmit, për të dhënë njëkohësisht një dëshmi në të kundërt të konceptit të njëanshëm të zotit Xhufi. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të luftës civile, të cilën komunistët shqiptarë të urdhëruar nga Enver Hoxha, e filluan kundër shqiptarëve nacionalistë pas dënimit të Marrëveshjes së Mukjës. Në prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe te bashkëpunimi i Enver Hoxhës me komunistët jugosllavë duhen kërkuar rrënjët e luftës civile, për të cilën zoti Xhufi akuzon krerët nacionalistë shqiptarë.

Historiani profesionist shtron faktet, të dhënat, i merr ato në lidhje me njëra-tjetrën, i gjykon në rrethanat e caktuara, por kur faktet e të dhënat rezultojnë të përsëriten herë pas here, atëherë ato gjykohen si pjesë e strukturës subjektive, dmth si përgjegjësi personale e një udhëheqësi, në rastin konkret të diktatorit Hoxha, ose të një grupi personash oligarkë, të cilët kanë ushtruar paligjshmërinë përmes dhunës e terrorit mbi popullin e vet. Historia nuk përsëritet asnjëherë në mënyrë identike, ndërkohë që në perudhën e komunizmit në Shqipëri ajo u përsërit ngjajshëm, për shkak të dogmës staliniste të diktatorit. Nëse ne historianët e trajtojmë historinë me emocione, si në rastin e zotit Xhufi, atëherë ne do t´i shërbenim rikthimit të miteve dhe simboleve në tekstet e historisë. Por simbolet e mitet janë fakte të një lloji të veçantë, janë artefakte dhe jo fakte reale, shumë herë të dobishme për shoqërinë njerëzore, por jo rrallë të dëmshme për shkak të manipulimit të elitave politike, ideologjike, pse jo edhe intelektuale e fetare.

Ndërkaq në analizën e profesorit të historisë për figurën e Enver Hoxhës shihet qartë ndikimi emocional nga sjellja tatrale e diktatorit. Po ta gjykojmë diktatorin nga një dokument „patriotik“ të lëshuar prej tij njëherë në dhjetë vjet si artikuj gazetash, ose nga paraqitja e tij në tribunat e 1 majit, atëherë kjo nuk do të ishte punë e historianëve. Kjo do të ishte punë e letërsisë, psikologjisë dhe shkencave të tjera si psikoanaliza. Emocionet nuk mund të jenë objekt i historisë dhe historianëve.

Së dyti: Politikanët gjykohen e vlerësohen nga raportet që ata kanë me qytetarin, me shtetasit që ata qeverisin. Në këtë aspekt diktatura dhe diktatori  duhen akuzuar për krime të krahasueshme me krimet e Hitlerit e Stalinit. Në fakt edhe në veprat e diktatorit gjenden mburrje të pafund për krimet e stalinit si dhe përbetime për ta vijuar politikën staliniste të terrorit në Shqipëri. Kjo metodë e krahasimi do të ishte më profesionalja në gjykimin e historisë.

Ndërkaq, nëse do të donim përsëri të vërtetat për veprimtarinë e Enver Hoxhës, atëherë do të duhej të merrnim si pikë reference edhe ndikmet ideologjike te homologët e tij komunistë, si Josif Broz Tito, Nikita Hrushovi apo Çu En Lai. Dhë nëse do të përdornim metodën krahasuese, atëherë do të krahasimi do të duhej bërë kundruall vlerave perendimore në këtë fushë. Pas të gjitha këtyre ballafaqimeve çdo historian objektiv do të arrinte në disa përfundime, nga të cilat veçojmë:

Se terrori komunist në Shqipëri ishte terrorizëm shtetëror.

Se terrorizmi shtetëror në Shqipëri ka kryer së paku aq krime sa Hitleri e Stalini për numrin e banorëve.

Se terrorizmi shtetëror komunist në Shqipëri drejtohej kundër popullit të vet dhe jo kundër popujve të tjerë, si në rastin e Hitlerit, por edhe të Stalinit, e të Milosheviçit, të cilët ndoqën politikën e asgjësimit të popujve dhe qytetarëve jorusë e joserbë.

Se terrori komunist në Shqipëri është shumë më i egër sesa dhuna mesjetare në principatat shqiptare, periudhë historike të cilën e lëvroni ju, zoti Xhufi.

Se terrori komunist në Shqipëri nuk u drejtua vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, pra të të ashtuquajturve klasa reaksionare, por edhe kundër vetë komunistëve dhe mijëra njerëzve të pafajshëm, të cilët nuk kishin të bënin asgjë me ato „klasat e përmbysura“, të cilat i urrente diktatori Enver Hoxha dhe me një gjuhë pak më të butë, duket se dhe ju shprehni urrejtje ndaj tyre.

 

Nnisur nga këto që thamë më sipër, duket se zoti Xhufi nuk është koherent me „kritikën“ që i bën në analizën e tij Enver Hoxhës, sipas të cilit marrëdhëniet negative të Enver Hoxhës me demokracinë e të drejtat e njeriut, ose siç e quan ai „aspekti represiv i shtetit dhe i vetë personalitetit të Hoxhës“ nuk përfaqëson të gjithë qenien e tij si plitikan e burrë shteti… Dhe vazhdon, „Pak ose aspak është shkruar lidhur me raportet e tij me pavarësinë e sovranitetin, me mbrojtjen e sigurinë, me industrinë, bujqësinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, kulturën, shkencën, sportet…“. Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16.

Nëse dikush në Gjermani do të shkruante kësisoj për figurën e Hitlerit, nëse ky dikushi do ta quante Hitlerin „burrë shteti“, do të kishte përfunduar për disa sekonda prapa hekurave. Ky është verdikti i demokracisë gjermane për këdo që merr në mbrojtje publike Hitlerin dhe politikën e tij. Ndërsa në Shqipëri askush nuk i trembet kësaj pasoje, as kur janë në pushtet të djathtët, as kur janë të majtët. Sepse tek ne nuk ka një ligj, i cili të ndalojë kategorikisht dikë për të ringritur figurën e diktatorit shqiptar. Edhe Hitleri mund të ketë disa „merita“. Psh nën zë gjermanët thonë se arteriet e autostradave të sotme qenë produkt i mendjes dhe punës së Hitlerit. Ose po jap një fakt tjetër. Edhe në kohën e Hitlerit në Gjermani janë hapur shkolla, ka pasur shëndetësi të zhvilluar e solide krahasuar me vendet e tjera, është bërë politikë e jashtme dhe e brendshme. Pse atëherë është e ndaluar në Gjermani të flitet për këto? Sepse dhuna e terrori nazist i tejkalon të gjitha anët „pozitive“ të tij. Sepse Hitleri është gjykuar në raport me të drejtat e njeriut e në raportet e tij me qytetarët.

Edhe diktatori shqiptar ka kryer gjithashtu krime makabre kundër popullit të tij. Ai ndaloi besimin fetar dhe me dhunë prishi të gjitha objektet e kultit në Shqipëri. Hitleri së paku nuk shkoi deri këtu. Diktatori shqiptar ndërtoi një përndjekje të tillë, të cilën Hitleri do t´ia kishte zili e njëkohësisht i shtetëzoi pronat e tokat në atë masë e në atë mënyrë sa ende sot pas dy dekadave e gjysëm shqiptarët vriten për shkak të ngatërresës së tij. Zoti Xhufi përsëri për këtë do të fajësojë demokracinë, e cila ka pjesën e saj të paaftësisë, por ai nuk dëshiron t´i shohë rrënjët e së keqes te ideologjia e përçarjes së sistemit totalitar e diktatorial që ndërtoi Enver Hoxha.

Eshtë bërë zakon që në retorikën e në përpjekjet për glorifikimin e figurës së diktatorit Hoxha të përmendet shpesh fakti se „Shqipëria i takoi hemisferës së Lindjes në ndarjen e zonave të influencës“ e për pasojë rënia nën komunizëm ishte një fatkeqësi. Dhe është lehtë me formulime të tilla të kënaqësh nostalgjikët e diktaturës, por është e pamundur të bindësh njerëzit normalë, sepse komunizmi nuk ishte atribut vetëm i Shqipërisë. Nën komunizëm jetuan e vepruan edhe popuj të tjerë të Europës Lindore e të rajonit. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ndoqi politikën e diktatorit shqiptar. Do të citoj një pjesë nga teksti i Historisë së Europës Juglindore, botuar në Gjermani më 2011-ën.  „Në botën e jashtme Shqipëria u përceptua parasëgjithash si një vend me thyerje të mëdha në marrëdhëniet me jashtë.  Në vitin 1948 ky vend u shkëput nga Jugosllavia, duke mbështetur në Komunform pozicionin sovjetik… Në vitin 1961 udhëheqja shqiptare u shkëput nga blloku i Lindjes, duke refuzuar politikën „revizioniste“ të Hrushovit.  Në fillim të viteve 1970 marrëdhëniet shqiptaro-kineze rrëshqitën në një krizë të thellë për shkak të vizitës së Niksonit në Kinë…  Ulf Brunnbauer: Politische Entëicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenëart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 628

„Edhe në regjimin e brendshëm Enver Hoxha ishte i pakompromis. Policia sekrete Sigurimi ishte rigoroz në eleminimin e kundërshtarëve të regjimit. Përmes rrjetit të fuqishëm të vëzhgimit, gjithnjë e më shumë u bënë viktimë e regjimit udhëheqës të partisë e të shtetit shqiptar, Në vitin 1974 u akuzua dhe u pushkatua ministri i Mbrojtjes si dhe disa oficerë të lartë të ushtrisë, për siç thuhej, kundërshtim të kontrollit të partisë në ushtri. Me kushtetutën e vitit 1976 rruga për kontrollin e partisë në ushtri u pastrua, shefi i partisë ishte njëkohësisht shefi i ushtrisë. Më 1981 Hoxha dënoi dorën e djathtë të tij, Mehmet Shehun, duke e vrarë atë ose shtyrë në vetvrasje për gjoja aktivitet sipunazhi për llogari të CIA-s KGB-së dhe UDB-së. Po ashtu njerëzit normalë do të duhe të duronin masat e dhunëshme e shtypëse … Revolucioni kulturor i Kinës dhe Koresë inspitoi Hoxhën që të nivelonte ndryshimet sociale në shoqëri dhe vendosi kufizime në lëvizjen e popullsisë. .. Në vitin 1967 Hoxha e shpalli Shqipërinë të parin shtet ateist në botë… Ky hap u justifikua ^me logjikën e nacionalizmit shqiptar, besimi i të cilit, sipas Pashko Vasës, duhej të ishte shqiptarizmi, fjali të cilën Hoxha e përsëriste shpesh e me dëshirë dhe kjo çoi jo rastësisht në unifikimin e gjuhës shqipe mbi bazën e dialektit toskë… Propaganda nacionaliste e regjimit shqiptar si dhe revolucioni kulturor në prapaskenë kishin strukturuar një politikë të brendshme represive dhe një politikë të jashtme izolimi“. Ulf Brunnbauer: Politische Entëicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenëart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 629 Ndërkaq, kur flitet për Jugosllavinë në këtë tekst bëhen vlerësime pozitive, deri në superlativa, për shkak të zhvillimit ekonomik e të politikave të saj.

Meqenëse zoti Xhufi në analizën e tij citonte historianin Bernd Fischer, më duhej të citoja një libër me shumë autorë, të shkruar në formë teksti për t´u studiuar  si pjesë e një të vërtete, të cilën e pohojnë personalitetet e shkencës historike europiane. Nuk dua ta paragjykoj historianin Bernd Fischer, i cili në trajtesat e periudhës historike të Luftës së Dytë Botërore është i saktë, por mund të pohoj me kompetencë profesionale se libri, të cilin citova më lart, niset nga kritere strikte shkencore në vlerësimin e të gjitha ngjarjeve historike që kanë ndodhur nga mesjeta e hershme e deri në fillimin e shekullit të XXI në Europën Juglindore. Autorët e atij teksti i kishin të gjitha mundësitë t´i referoheshin veprave teorike të Enver Hoxhës, pasi këto vepra gjenden në bibliotekën e Institutit të Studimeve të Europës Lindore e Juglindore, në Regensburg të Gjermanisë, bibliotekë, të cilën e kam vizituar disa herë. Dhe është ky institut që ka hartuar këtë tekst historie. (Geschichte Südosteuropas – Vom frühen Mittelalter bis zur gegenëart).

Në ndryshim nga zoti Xhufi, autorët e këtij teksti nuk e bëjnë historinë me të thënat e diktatorëve, historia e vërtetë përmban në vetvete zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimtarinë konkrete të udhëheqësve. Madje mësë shumti produktin e punës së tyre. Dhe nëse nisemi nga produkti ipolitikës së Enver Hoxhës, atëherë duhet t´i referohemi anijeve me refugjatë në det të hapur, nga ku shqiptarët me rënien e komunizmit u turrën prej varfërisë e skamjes drejt perendimit të ëndërruar. Duhet t´i referohemi dhunës së diktatorit kundër popullit të tij. Duhet t´I referohemi nivelit të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik e social, për fat të keq të mjerueshëm të shqiptarëve.  Vendi ynë ishte në konkurencë me vendin e fundit më të varfër të botës.

Dhe nëse i rikthehemi metodës së krahasimit, atëherë në rezuiltatet e një politike të caktuar ka gjithashtu matës të tjerë krahasues. Historiani realist e modern, i pandikuar nga ideologjitë e politikat e ditës nuk bën krahasime të llojit çfarë i bënte diktatori, bie fjala me regjimin e Ahmet Zogut, por bën krahasime me fqinjët, me vendet e rajonit, me të cilat je në bashkëjetesë e në konkurencë. Në histori e në praktikë konkurenca nuk bëhet me atë që ka shkuar, me ata që nuk jetojnë më, por me bashkëkohësit. Dhe nëse vijmë te ky lloj kriteri, pra, krahasimi me vendet e tjera përreth nesh, atëherë, historianët duhet të përdorin si shembull produktin e politikës në Jugosllavi e në Greqi, me qëllim që këto dy produkte të ballafaqohen e të krahasohen me atë të politikës së diktatorit Hoxha në Shqipëri. Në fund të fundit, të dhënat flasin se të tri këto vende më 1944 u nisën thuajse nga i njëjti start. Atëherë, pse Shqipëria u vetizolua, dhe ndëshkoi vetveten, duke ruajtur vendin e parafundit në botë, për nga shkalla e varfërisë, ndërkohë që në Sarajevë bota organizoi Lojërat Olimpike të vitit 1984, shënje kjo respekti për zhvillimet pozitive të një vendi?!

Modeli i të shkruarit të historisë nuk është modeli i zotit Xhufi. Fatkeqësisht zoti Xhufi përdor modelin e trukimit të historisë e të manipulimit të saj, për pasojë historia që na shkruan ai është një bashkim eklektik e selektiv I falsifikuar. Për këtë arësye ajo çfarë shkruan historiani Pëllumb Xhufi është e pavërtetë dhe e rrezikshme për shoqërinë shqiptare, ashtu siç do të ishte e rrezikshme për shoqërinë gjermane glorifikimi i Adolf Hitlerit.

Së treti, në analizëne tij, zoti Xhufi përpiqet gjithashtu të tërheqë vëmendjen në disa aspekte të qëndrimit të Enver Hoxhës ndaj çeshtjes së Kosovës dhe e përdor këtë për të shkuar te përfundimi se „Enver Hoxha dhe enverizmi zbatuan një doktrinë nacionaliste“ në shërbim të kombit shqiptar. Edhe në këtë rast ai citon veprat e diktatorit si dhe ndonjë artikull të shkruar prej tij, veçmas pas vitit 1981, kur ndodhën ngjarjet e protestave dhe demonstratave në Prishtinë e në të gjithë Kosovën. Atë që të tjerët, sidomos të huajt e quajnë ndërhyrje brutale e të dhunshme të standardizimit të gjuhës shqipe, Xgufi e konsideron si një hap pozitiv, i cili krijoi „klimë të ngrohtë midis dy anëve të kufirit“. Më poshtë ai shkruan se „Deri në vitin 1981 ai (Enveri-shen im) ishte shprehur kundër parullës „Kosova-Republikë“ dhe mbronte projektin e bashkimit të thjeshtë me Shqipërinë. Për këtë arësye, në 1973, kishte refuzuar të nënshkruante edhe Aktin Final të Helsinkit, që sanksiononte pandryshueshmërinë e kufijve në Evropë“.  Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 17.

Për saktësi, Akti Final i Helsinkit nuk është nënshkruar më 1973, por më 1975. Por nuk është ky shqetësimi. E vërteta është se deri më sot anjë historian në Shqipëri e në botë nuk ka patur guximin intelektual e profesional të arrijë në një përfundim të tillë. Këtë arësyetim nuk e kanë menduar e besuar as ata që shkruanin veprat e diktatorit, as Nexhmije Hoxha, si mbikëqyrse e të shkruarit të këtyre veprave. Nëse profesor Xhufi do të sillte ndonjë të dhënë e fakt konkret për këtë, atëherë mund të kishte një diskutim rreth idesë në fjalë.

Nga ajo që shkruhet dalin dy çeshtje për sqarim. Historiani Xhufi nuk përmend asnjë fakt, asnjë provë, asnjë të dhënë, e cila të bindë historianët e tjerë dhe publikun se diktatori Hoxha „mbronte projektin e bashkimit (të Kosovës) thjeshtë me Shqipërinë“. Në arkivat dhe në dokumentet e botuara të të gjitha llojeve, në emër të shtetit komunist e të partisë komuniste, apo në emër të vetë Hoxhës, askush deri më sot nuk ka zbuluar qoftë dhe ndonjë projekt të fshehtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Nëse ai e ka përmendur ndonjëherë këtë, thjesht ka shprehur një konstatim të tijin, në kontekstin e padrejtësive që i janë bërë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, kritikë e cila motivohej nga konflikti ideologjik I Hoxhës me Perendimin.

Projektet dhe programet e PPSH-së dhe udhëheqësit komunist shqiptar si praktikë shpalleshin në Kongreset e kësaj partie. Pastaj ato bëheshin pjesë e politikave shtetërore. Në asnjë prej këtyre kongreseve nuk është paraqit ndonjë projekt ose program për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Enver Hoxha nuk e shfrytëzoi thuajse asnjëherë tribunën e OKB-së për të denoncuar udhëheqjen serbe e jugosllave për dhunën që ushtronin kundër shqiptarëve në Kosovë. Ai nuk mori pjesë në Konferencën e Helsinkit, jo se kishte ndërmend të ndryshonte kufijtë, ose se nuk pajtohej me ndryshimin e kufijve, por se nuk donte të ballafaqohej me erën e re që frynte në dobi të respektimit të të drejtave të njeriut, nuk donte të përballej me kritikat e rrepta të demokracisë perendimore për dhunën e terrorin që ai ushtroi kundër popullit të tij. Enver Hoxha nuk përqafoi asnjë nismë ndërkombëtare, i refuzoi të gjitha në emër të luftës së klasave dhe të luftës kundër imperializmit e socialimperializmit.

Edhe sa i përket hapjes së Shqipërisë me Kosovën, ka shumë të dhëna, se Tito kishte më shumë interesa në këtë drejtim. Interesi i parë i tij ishte të krijonte përshtypjen se vendi i tij ishte një vend demokratik, i cili respektonte të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Synimi i tij i dytë ishte t´u bënte shqiptarëve në ish-Jugosllavi me dije se „vendi të cilin ata e ëndërronin, pra Shqipëria, kishte në krye një diktaturë të egër, të pamëshirshme. Dhe pak a shumë me ata njerëz që erdhën në Shqipëri në dhjetë vite, Tito arriti të krijojë në Kosovë përceptimin real për Shqipërinë dhe të rehabilitojë veten e tij në opinionin jugosllav e ndër shqiptarët. Nëse Tito ka ende nostalgjikët e tij në Kosovë e te shqiptarët në ish-Jugosllavi, kjo i detyrohet gjithashtu produktit politik të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, sepse këta nostalgjikë u shtuan kur u ballafaquan me realitetin trishtues në Shqipëri.

Për të argumentuar faktin se Enver Hoxha nuk kishte asnjë dëshirë dhe se nuk bënte përpjekje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mund t´u referohemi shumë historianëve dhe ekspertëve perendimorë. E di që ka disa prej tyre, të cilët apriori, e konsiderojnë Hoxhën si një nacional-komunist. Më së shumti këta nisen nga raportet e komunistëve sovjetikë dhe jugosllavë me nacionalizmin. Eshtë i njohur fakti se këto dy vende qenë shtete federative. Ideja e komunizmit sa i përket të drejtës së kombëve kshte në thelb si formulë përparësinë e kombeve historike. Kështu ideologjia komuniste u mpleks me ideologjinë nacionaliste për sundimin e shfrytëzimin e kombeve të tjera në federatë, por edhe të vendeve satelite të BS.

Në Shqipëri nuk ekzistonte ky raport në ndërtimin e shtetit. Shqipëria ishte dhe mbetet një shtet unitar, politikat e së cilës u ballafaquan me raportin ndaj vetvetes. Raporti me vetveten i shtetit shqiptar ishte izolimi, dhuna, militarizimi politik dhe ushtarak, shtetëzimi i gjithçkaje, për rrjedhojë moskonkurenca me vetveten e me botën që na rrethonte. Mungesësa e konkurencës është mungesë dhe defiçit në afirmimin e pohimin nacionalist. Nacionalizmi ka një matës, konkurencën me të tjerët. Shqipëria konkuroi për nga numri i bunkerëve, për tonelatat e telave me gjemba për rrethimin e vendit, konkuroi për luftën kundër besimit fetar dhe besimit te liria e individit. Njësoj e më keq se në periudhën e pashallëkut të Ali Pashës, i cili u anatemua dhe ndëshkua nga historia e indoktrinuar komuniste, për shkak të mizorive të pashait, megjithëse ky regjim ishte më mizor se ai i fundit të shekullit XVII e fillimit të shekullit XIX. Paradoksalisht Ali Pashai u ndëshkuanga një regjim që glorifikoi Haxhi Qamilin, një mashë në duart e Esat Pashë Toptanit e të mbeturinave të perandorisë osmane, e thirrur ne veprim për të krijuar anarki në Shqipërinë e sapopavarësuar.

 

 

Së katërti, historia nuk mund të shkruhet bazuar në publicistikën e autorëve të ndryshëm, qofshin këta dhe udhëheqës politikë të një vendi. Nëse publicistika do të ishte kriter i të shkruarit të historisë, atëherë do të kishim më shumë opinionistë dhe analistë si protagonistë të historisë, sesa udhëheqës politikë, të cilët marrin përsipër fatet e një kombi e të një vendi në një kohë të caktuar. Referncat te publisitika komuniste, e cila në vend të shprehjes së ideve dhe vizioneve të zhvillimit kishte në themel propagandën, janë një metodë krejt e gabuar e të shkruarit të historisë dhe aq më pak shërbejnë për definicione në përcaktimin e ngjarjeve dhe figurave historike. As titulli e grada shkencore nuk ta ia japin historianit të drejtën të manipulojë në këtë drejtim.

Sa i përket citimeve nga veprat e Enver Hoxhës, me të cilat trukon historiani Xhufi, më duhet të kujtoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një truk në katëror. Truku i parë vjen nga ajo çfarë diktatori ka shkruar në veprat e tij. Le t´i referohemi një të pavërtete, të cilën zoti Xhufi na e jep si të dhënë të saktë e të pakontestueshme. Xhufi shkruan se „Në vitin 1966 Hoxha shkruante artikullin „Kush përgjigjet për krimet e genocidit të kryera në kurriz të popullsisë shqiptare të Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë“?!  Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16. E vërteta është se kjo çfarë thuhet është botuar në një vepër të Enver Hoxhës, diku rreth vitit 1980. Sipas rregullit, veprat e diktatorit në Shqipëri janë botuar 15-20 vite, pasi ato janë shkruar. Kështu ka ndodhur dhe në rastin në fjalë. Por për vërtetësinë e kohës në të cilat janë shkruar botimet e dhëna ka shumë dyshime për manipulim. Në kohën kur është botuar vepra me shkrimin e cituar nga Xhufi po festohej 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në të njëjtën kohë Shqipëria u divorcua prej miqësisë së „pathyeshme“ me Republikën Popullore të Kinës. Diktatori kërkonte një aleat të brendshëm. Nacionalizmi folklorik ishte gjetja e mrekullueshme, që atij I vinte në ndihmë.

Ndërkaq vëzhguesit e vëmendshëm edhe brenda këtij shkrimi mund të dallojnë dakortësinë e Enver Hoxhës me politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve. Shqiptarët në Jugosllavi ai i konsideron “popullsi”, jo popull, dmth njeh statusin e kombësisë dhe jo të kombit për ta. Lexuesi I zakonshëm mund ta anashkalojë një shenjë të tillë, por në kohën e diktaturës edhe shenjat e pikësimit ishin çeshtje politike, shprehnin politikë, jo më fjalët e thëna me kuptimin e tyre. Historiani serioz dhe me preokupacion prefesionizmin mund dhe duhet të analizojë çdo fjalë, me qëllim që të shkojë deri te e vërteta. E vërteta është se Enver Hoxha e ka njohur statusin e shqiptarëve në Kosovë, edhe nëse ai ka dënuar dhunën ndaj tyre. Dënimi I dhunës në rastin konkret konsiderohet thjesht një konstatim. Dhe historia nuk shkruhet mbi bazën e konstatimeve, por mbi bazën e veprimeve dhe produktit që sjell aksioni politik.

Nga pikëpamja metodike profesionale veprat e botuara e rishkruara sipas konjukturave politike nuk përbëjnë provë historike. Në këtë rast të shkruarit e historisë përmban një qëllim të caktuar. Holm Sundhaussen shkruan se “Karl Marksi dhe shumë kundërshtarë të tij kishin pikëpamjen se historia ka një qëllim. Të tjerë e venë në dyshim këtë. Megjithatë kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje nëpërmjet metodave shkencore të të shkruarit të historisë. Por nuk është e rëndësishme të besosh te njëra ose tjetra alternativë. Çeshtja është nëse mund të mësohet nga historia ose jo”. FPSOE_Sundhaussen_Vortrag-Belgrad.pdf, Seite 13, 14 von 20.

Në vendet e demokracisë funksionale memuaret e personaliteteve të ndryshme nuk merren arasysh, nëse ato nuk provohen nga një burim i dytë të dhënash faktike, nga dëshmitarë okularë ose në forma të tjera. Historia është si gjykata. Ndërsa gjykata heton dhe arrin te e vërteta përmes provave të dhëna të kohës, historsë i duhet të shkojë te e vërteta përmes burimeve të shumta të kohës së shkuar. Ndërsa gjykatësi vendos pasi ka dëgjuar të gjitha palët, historiani shkruan me saktësi kur ballafaqon mendimet e kundërta. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu në rastin e trajtesës së profesor Xhufit sa i përket raporteve të Enver Hoxhës me Kosovën dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ai idrejtohet vetëm tre-katër pasazheve të shkruara e manipuluara nga vetë diktatori sa i përket çeshtjes, por nuk merret me “aksionin” politik dhe veprimet e tij në raport me këtë çeshtje. Dhe kjo nuk na lejon të realizojmë qëllimin e të shkruarit të historisë, të mësuarit nga historia. Ky është difekt ballkanas, por ne shqiptarët jemi mosreflektuesit më të të spikatur dhe “kokëfortësia” jonë na ka kushtuar e po na kushton në shtegtimin tonë drejt vlerave të civilizimit europian.

Ndoshta historia e diktatorit Hoxha do të mund të shkruhej saktë atëherë kur të dalin në dritë dokumentet e arkivave të shërbimeve të shumta sekrete, sidomos në ish-Jugosllavi. Zoti Xhufi flet për një kryqëzatë antihoxhiste të CIA-s, KGB-së, UDB-së e me radhë. Hapja e arkivave të këtyre institucioneve dhe vendeve do të qartësonte dritëhijet dhe do të detyronte edhe nostalgjikët e diktatorit që të reflektonin. Ka shumë pikëpamje e versione p.sh për dy ngjarje që aso kohe bënë bujë, të cilat Enver Hoxha i shfrytëzoi mjeshtërisht për të dhënë imazhin në fund të jetës së tij si një nacionalist. Janë ngjarjet e vitit 1981 dhe vrasja e Jusuf Gërvallës. Ka të dhëna të besueshme se ngjarjet e vitit 1981 janë organizuar me qëllim që Serbia ta kishte rrugën të lirë për t´i heq Kosovës autonominë dhe për ta rikthyer atë nën sovranitetin e saj. Ata që kanë protestuar, ata që janë masakruar dhe kanë dhënë jetën për Kosovën Republikë, natyrisht që ishin idealistë dhe mbeten njerëz te nderuar të kombit shqiptar. Por nëse hapen një ditë arkivat e Beogradit, e ato të Tiranës, atëherë historia do të mund ta shkruajë të vërtetën e atyre ngjarjeve.

Ka shumë argumente dhe madje në shtypin gjerman disa herë është shkruar se në vrasjen e Jusuf Gërvallës kanë gisht edhe shqiptarët, përveçse UDB-së jugosllave. Emrat e atyre shqiptarëve që janë akuzuar për këtë janë të njohur si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, një armë kjo në duart e diktatorit për të ushtruar terror ndër shqiptarët. Duhet të priten provat konkrete, me qëllim që të arrijmë te e vërteta, nëse sjellja e diktatorit me familjen e Jusuf Gërvallës ishte një hipokrizi politike, apo ishte një sjellje e sinqertë me ndjenjë të pastër atdhedashurie?! Në kushtet e sotme asnjë historian nuk mund të ketë monoplin e të vërtetës.

Megjithatë në analizën e titulluar “Enver Hoxha dhe nacionalizmi” historiani Pëllumb Xhufi merr përsipër të japë definicione rreth monopolit të „së vërtetës“, duke i dhënë udhëheqësit komunist shqiptar vlerat e një nacionalisti në raportet e tij me Kosovën. Ndërkaq duhet thënë se objekt i trajtimit historik nuk janë subjektet njerëzore, por veprimtaria e tyre. Objekt i historisë nuk është vetë Enver Hoxha, por veprimtaria e tij. Zoti Xhufi në të vërtetë ka ndërruar shënjestrën. Në vend të veprimtarisë së Enver Hoxhës, analizon mendimet e diktatorit, e lexon atë nga pesë rrjeshta ose pesë faqe në mijëra faqe librash dhe konkludon për të se „ishte në harmoni me nacionalizmin shqiptar, sa i përket çeshtjes kombëtare“.

Nisur nga kjo metodikë, pra nga metodika e studimit të veprimtarisë së Hoxhës, rezulton se ai nuk ka të bëjë aspak me nacionalizmin. Le të marrim rastin e Masakrës së Tivarit. Eshtë ngjarja që ve themelet e gjykimit për regjimin komunist në Shqipëri. Nëse Hoxha e ka përmendur atë ngjarje më 1981-in, kjo nuk përbën ngjarje historike. Ngjarja historike kishte ndodhur gati 40 vjet më parë, në shkurt-marsin e vitit 1945. Cili ishte qëndrimi i udhëheqësit komunist në atë kohë?! A ëshë e vërtetë se Shqipëria, shteti shqiptar i udhëhequr nga Hoxha, u bë bashkëfajtor në ato ngjarje, në të cilën u masakruan rreth 4000 shqiptarë?! Në rastin konkret na del si ngjarje e jashtëzakonshme vrasja e shqiptarëve dhe masakrat ndaj tyre në territorin shqiptar, nga Morina e deri në Muriçan dhe nuk paraqet ndonjë gjë të jashtëzakonshme ajo çfarë shkruan e manipulon Hoxha pas 36 vitesh. Ato ngjarje nuk ranë nga qielli, ato ndodhën në territorin e shtetit shqiptar, madje me angazhimin e ushtrisë dhe policisë shqiptare në ndihmë të forcave terroriste serbo-jugosllave.

Zoti Xhufi dhunën e diktatorit kundër shqiptarëve që arratiseshin nga Kosova e vinin në Shqipëri e motivon me paranojën e tij, se Beogradi ishte qendra e reaksionit, ku gërshetohej veprimtaria „armiqësore“ për rrëzimin e diktatorit shqiptar. Ndërsa shumë vëzhgues vendas e të huaj janë të mendimit se Enver Hoxha i shihte shqiptarët e Kosovës si elementë reaksionarë dhe antikomunistë.  Një nga emrat e njohur të historisë gjermane, Michael Ëeithmann, shkruan se „Në vitet 1944 deri më 1948 marrëdhëniet midis Beogradit dhe Tiranës ishin aq të mira, sa mund të mendohej për një integrim të Shqipërisë në federatën jugosllave… Por grindjet e Titos me Moskën, rast në të cilin Enver Hoxha u vu pa kushte në anën e Moskës, bëri që ky plan të dështojë“. Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 186-187.

Më tej Ëeithmann pasi përshkruan qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve në Kosovë e ish-Jugosllavi, shkruan qartë dhe paekuivok: „Für den Stalinisten E. Hodscha sind die Nationalisten und islamischen Fundamentalisten in Pristina höchst unzuverlässige Elemente. Die Furcht vor der Gefährdung seiner Herrschaft durch die reaktionären Kosovo-Landesleute ist beim albanischen Staatschef erheblich höher als die Hoffnung auf die inbestimmten Früchte eines Vereinigungsnationalismus“. (Për stalinistin E. Hoxha nacionalistët dhe fondamentalistët islamikë të Prishtinës janë elementë shumë të pabesueshëm. Frika se njerëzit reaksionarë të Kosovës e rrezikojnë sundimin e tij është te shefi i shtetit shqiptar më e madhe se shpresa për frutet e panjohura të një bashkimi kombëtar).  Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 189.

Nuke besoj se ndonjë historian shqiptar do ta kishte mundësinë e ndonjë argumenti të kundërt me referencën e mësipërme. Aq më tepër kur kemi parasysh faktin se diktatori shqiptar nuk kurseu shumicën dërmuese të bashkëpunëtorëve të tij pikërisht nga frika se ai do ta humbte pushtetin. Me ruajtjen e sundimit të tij tiranik në Shqipëri lidhet e gjithë veprimtaria e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, në marrëdhëniet e brendshme e të jashtme të shtetit që ai e sundoi. Me këtë u lidh shkëputja e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Në asnjërin rast, e as në rastin kinez, ai nuk mori parasysh interesat madhore të kombit shqiptar, përveçse interesat e pushtetit të tij personal të ngritur dhe të konsoliduar përmes terrorit të egër kundër shqiptarëve. Dëshmitë janë të pafund për këtë dhe ato janë e duhet të ishin objekt i vlerësimit të historisë së periudhës komuniste. Kush tenton që historinë ta bëjë me citate të Enver Hoxhës, ai më së paku mund të konsiderohet historian dhe studiues i fushës së historisë.

Ndërkaq më hije të mëdha dyshimi dhe me disa fakte kompromentuese vlerësohet periudha e vitit 1944-1945, kur forcat partizane u urdhëruan nga Enver Hoxha të operojnë në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Në këtë rast dëshmitarët kanë dhënë prova të një bashkëpunimi ideologjik në kuadrin e “bashkim-vëllazërimit” midis komunistëve shqiptarë e komunistëve jugosllavë, tashmë në pushtet. Dhe nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim pa viktima, pa pasoja për nacionalistët shqiptarë të Kosovës. Bëhet fjalë për angazhimin e partizanëve të Enver Hoxhës në krah të forcave komuniste jugosllave e kundër forcave nacionaliste në Kosovë. Kjo politikë e mbështetjes dhe nxitjes së vëllavrasjes në Kosovë e në Shqipëri, sidomos në Shqipërinë e veriut, është e domozdoshme të ndriçohet deri në detaje për të dhënë një mendim përfundimtar për të ashtuquajturin “nacionalizëm” të Enver Hoxhës.

Në diskursin e zotit Xhufi përmenden edhe disa elementë të tjerë, të cilat ai beson se i vijnë në ndihmë objeksionit të tij për të provuar “nacionalizmin” e diktatorit. Njëra ka të bëjë me Konferencën e Bujanit dhe tjetra me qëndrimin ndaj bashkimit të të dy gjermanive. Konferenca e Bujanit është një ngjarje historike e njëkohësisht juridike në kuptimin e gjykimit juridik sa i përket shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në Kosovë për refuzimin e sundimit serb në atë vend dhe aspiratës për bashkimin me Shqipërinë. Por ajo konferencë duket si shprehje e vullnetit të komunistëve të Kosovës e atyre të Malësisë së Gjakovës. Në asnjë dokument të kohës nuk gjendet ndonjë e dhënë, me të cilin të provohej involvimi i Enver Hoxhës në këtë ngjarje. Nëse më vonë këtë ngjarje e shfrytëzoi diktatori për të fituar kapital politik, kjo nuk përbën ndonjë provë të qenë sa i përket “nacionalizmit” të tij.

Ndërsa në qëndrimin ndaj Gjermanisë, kontestimi i dy gjermanive nuk është shfaqur për herë të parë pas vitit vitit 1981. Zoti Xhufi bën një lidhje të panatyrshme e jokorrekte, thjesht të paramenduar në këtë rast, kur shkruan se “Pikërisht në maj të vitit 1981, në një shkrim botuar në “Zëri i popullit” ai artikuloi tezën “e së drejtës së kombit gjerman për të jetuar së bashku”. Revista “Java”, datë 22 shkurt 2014, faqe 17. Më tej ai e arësyeton këtë me faktin se Enver Hoxha donte të tërhiqte Gjermaninë në krah të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe Gjermania që nga ana e saj të ndikonte te SHBA-të sa i përket kësaj çeshtjeje.

Më duhet të sqaroj se çeshtja e bashkimit të dy gjermanive ka qenë opsion dhe qëndrim i Shqipërisë që në vitet 1960 dhe kjo u bë për shkak të kundërvënies ndaj Bashkimit Sovjetik. Sa kohë Shqipëria ishte në ujdi me Moskën, nuk kishte dalë më këtë qëndrim. Kur marrëdhëniet midis tyre u prishën, Hoxha, iu kundërvu interesave strategjike të Bashkimit Sovjetik e në këtë kundërvënie u shpreh për bashkimin e dy gjermanive. Kjo provohet së paku në një bisedë të Enver Hoxhës me kryeministrin kinez zhvilluar në Tiranë më 28 mars 1965. Kinezët ishin të interesuar në tezën e bashkimit të dy gjermanive për shkak se ishin kundër dy koreve e dy vietnamëve, Enver Hoxha me të njëjtin gur qëllonte kundër “imperializmit” amerikan dhe politikës së tij të ndarjes së dy shteteve aziatike dhenjëkohësisht kundër “revizionizmit sovjetik”, pë rte dobësuar pozitat e tij në lindjen komuniste. Kështu ideja e bashkimit të dy gjermanive nuk ishte e re në rastin e kërkesës së shqiptarëve në Kosovë për Republikën.

Nga ana tjetër, është johistorik, jo valid, jo i pranueshëm arësyetimi se Gjermania Federale do ta tërhiqte SHBA-në në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Ka shumë dokumente, me të cilat provohet se SHBA-të aso kohe e kishin strukturuar qartësisht qëndrimin e tyre ndaj këtij problemi. Nëse do të besojmë versionin e zotit Xhufi, atëherë duhet të besojmë se SHBA-të bëjnë politika afatshkurtëra dhe nuk qenkan të afta të parashikojnë së paku për njëzet vjet, se çfarë do të sjellin zhvillimet në botë. Absurde! Edhe një familje në Perendim planifikon piketat kryesore dhe synimet e saj themelore në dhjetë e ndoshta njëzet vitet e ardhshme. Jo më shteti më i konsoliduar dhe më i fuqishëm I botës. Duhet të jesh naiv të mendosh se dikush tjetër do ta tërhiqte Amerikën në krah të shqiptarëve. Përkundrazi, ishte Amerika ajo që tërhoqi vendet e civilizuara në mbrojtje të Kosovës dhe shqiptarëve atje.

Dhe së fundi, nëse do të studionim edhe veprën teorike të diktatorit Hoxha, do të vinim re se konflikti kryesor i tij në rastin e Jugosllavisë ishte ideologjia dhe jo pozita e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Mbi 90 përqind e shkrimeve dhe replikave e trajtesave të tij kanë të bëjnë me “vetadministrimin jugosllav” dhe jo me gjendjen e dhunën e Serbisë ndaj shqiptarëve. Më së shumti ai është marrë me Kardelin, sesa me Rankoviçin dhe pasuesit e tij në Serbi. Në shumësinë e shkrimeve të tij për Jugosllavinë akuzohen vetëm dy njerëz, Tito dhe Kardeli, për shkak të ideve liberale brenda sistemit komunist. Kjo ka një shpjegim. Lidhet me faktin se për Enver Hoxhën dhe pushtetin e tij rrezik kryesor ishin konceptet liberale të administrimit të shtetit dhe të ekonomisë në Jugosllavi dhe jo dhuna e terrori ndaj shqiptarëve në Kosovë. Për ta konkretizuar këtë, më duhet përsëri t´i drejtohem historianit Ëeithmann. Ai shkruan se politika e Enver Hoxhës „në marrëdhëniet me fqinjën e tij, Jugosllavinë, u karakterizua nga akuza steriotipe ideologjike në adresë të „revizionistëve të Beogradit“. Pavarësisht kundërakuzave të Beogradit, nuk ishte në agjendën e Enver Hoxhës bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Popullsia shqiptare në Kosovë (afërsisht 40 për qind e popullsisë së përgjithshme të shqiptarëve në Ballkan), sipas njoftimeve afatgjata të propagandes dhe deformimeve psiqike të Enver Hoxhës, shihej e rrezikshme për sundimin e tij absolut“. Michael Ëeithmann: Krisenherd Balkan: Ursprünge und Hinergründe des aktuellen Konflikts, Ëilhelm Heyene Verlag, München, 1992, Seite 137-138.

Të gjitha këto që përmenda më lart, na bëjnë ne historianëve të reflektojmë në metodologjine e parashtrimit të çeshtjeve, fakteve, të dhënave, argumenteve, të largojmë nga vetja emocionet, t´i peshojmë mendimet bazuar në argument e kundërargumente, të shkruajmë pa pasion, pa qenë nostalgjikë e të ndikuar nga ideologjitë, të cilat mund t´i besojmë, të shkruajmë me të dhëna të plota e jo selective, t´i referohemi fakteve dhe jo trajtesave teorike. Faktet, të dhënat, argumentet gjenden në statistika, në programe e projekte, në objektivat që shpallen dhe praktiën që ndiqet për realizimin e tyre. Ato më së paku mund të gjenden në shkrime gazetësh, qofshin këto dhe editoriale të udhëheqësve të shtetit në kushtet e një diktature, shumica prej të cilave janë botuar pa emrin e diktatorit.

Në rastin konkret mund të dalim në përfundimin se Enver Hoxha është provuar si një udhëheqës thellësisht ideologjik, madje i përcaktuar në linjën ekstreme të ideologjisë marksiste, në stalinizëm. Si i tillë ai dhe enverizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me nacionalizmin. Përkundrazi, internacionalizmi ishte vija politike e kohës deri më 1978, kur u shkatërruan marrëdheëniet me Republikën Popullore të Kinës dhe shfrytëzoi shansin e artë të festimeve të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të thirrur në ndihmë të pushtetit të tij një lloj nacionalizmi folklorik.

Ndërkaq, një krahasim me tiparet e nacionalizmit, të shprehura në doktrinën e nacionalizmit shqiptar, do të provonte gjithashtu faktin se „Enver Hoxha ishte një diktator, por jo një nacionalist“. Nacionalizmi shqiptar ishte shprehur me forcë kundër izolimit të Shqipërisë, kundër aleancave me sllavët e me lindjen.Vendi i shqiptarëve për nacionalistët ishte në Europën e civilizuar. Enver Hoxha e vuri politikën e ideologjinë e tij të izolimit në shërbim të pushtetit të tij e në asnjë rast në shërbim të interesave madhore të kombit shqiptar, siç e parasheh doktrina shqiptare e nacionalizmit.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe nacionalizmi shqiptar, Enver Bytyci, Stalinizmi i Enver Hoxhes

SHTËPIA E ËNDRRAVE

February 26, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/

Qielli i mbuluar nga retë ndehej si në një agoni të rëndë. Vranësira e zezë e kishte zaptuar tërësisht dhe dita ishte kredhur në një muzg të zymtë. Megjithëse ishte pranverë, dukej sikur të ishte palca e dimrit. Heshtja e thellë mbizotëronte në të gjithë natyrën.

Dy emigrantët bashkëshortë, së bashku me tre fëmijët po ktheheshin përfundimisht në vendlindje e tyre në Shqipëri të detyruar nga kriza greke. Gruaja mundohej të qetësonte vajzën e vogël katërvjeçare. Ndërsa dy djemtë, njëri shtatë dhe tjetri nëntëvjeçar, flinin kruspull me njëri-tjetrin në sediljen e pasme të makinës. Shqetësimi i trishtuar endej në sytë e bashkëshortëve. Nuk ishte aq për stuhinë, që po i zinte në mes të rrugës, se sa për merakun, se si do të përballonin jetën, të cilën duhej ta nisnin sërish nga e para. Të dy djemtë duhej të fillonin shkollën në gjuhën shqipe edhe një herë nga klasa e parë. Kishin menduar të merrnin një dyqan me qira. Por si do t’u ecte puna vallë?… Kjo pyetje i mundonte të dy njëkohësisht dhe mendimet e tyre ishin si retë që vargëzoheshin lyer me ngjyrën e errësirës..

-Këto re si turbullira e kafes, nga na u qepën pas sot!…- u dëgjua zëri i Fatmirit.

-Koha bën punën e saj, o burrë, – i tha Mina.

-Po ku e gjeti pikërisht në këtë ditën e sotme! – përsëriti ai.

Vajza e vogël nisi të grindej dhe e ëma po mundohej ta qetësonte. Ah, sikur dielli altruist t’i shpërndante këto re dhe tu uronte mirëseardhjen. Po edhe dielli, siç dukej ishte fshehur për shumë kohë nga retë. Mina qetësoi vajzën dhe u mbështet te sedilja. Për një moment mbylli sytë e lodhur dhe e kaploi gjumi…Një melodi si tinguj funebër, dukej sikur i vinte nga thellësia e shpirtit dhe zhurmonte  në të gjithë qenien e saj. E ndjeu veten si e veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve, duke ecur në një rrugë, ku këmbët i zhyteshin herë pas here në baltë. Nga pas e ndiqnin zogj të dobët, me lëkura të holla sa u mbulonin skeletin, dhe e gjithë natyra përreth dukej gri. Pemët gjysmë të rëna, dukeshin sikur dimri do i hante me gjithë eshtrat e mbetura të natyrës. I ftohtit e bënte të dridhej. Papritur në rrënjën e një peme të djegur, pa një plakë me flokë të thinjur, që mbante në dorë një gotë qumësht. Ajo i tha: “Pije bijë, të kesh fuqi për të vazhduar udhën, ke udhë të vështirë për të bërë!” Kur Mina zgjati dorën, gota ra dhe u thye nga një gur me majë të mprehtë dhe qumështi i derdhur u nxi nga balta. U zgjua befas e trembur nga dremitja. Zhurmën e krismës së qelqit e kishte akoma në timpanin e veshi. Lëvizi të shpihej dhe rregulloi pozicionin e vajzës.

Sakaq ia behu stuhia. Shiu zuri të binte me forcë, sikur donte ta hidhte makinën që ecte përpara si ndonjë kleçkë. Një vetëtimë dogji ajrin dhe frika ndaj saj formoi një fotofobi në sytë dhe zemrat e tyre. Vetëtima mizore, me zhurmën e frikshme, dukej sikur donte t’i kthente andej nga erdhën, për të mos vazhduar më tej… apo ndoshta zemra e kësaj stuhie, ndonëse e frikshme, mund të fshihte një mesazh, një dhembshuri nëpërmjet të folurës me britma bubullime? Të pestë ishin të shqetësuar derisa të mbërrinin në shtëpi. Ndoshta fatet janë të shkruara në qiell, dhe po ashtu qielli dërgonte sinjalet në format e veta.

Në mbrëmje ata arritën në qytetin e tyre. Kishin marrë më parë një shtëpi me qira, dhe këtej e tutje, ajo do t’i strehonte brenda jetët e tyre.

Ditët në vazhdim vijuan me marrjen me qira të një dyqani dhe nisën për të sistemuar aty raftet e duke vendosur ushqimet. Mina ishte mësuar në Greqi me një jetë të lodhshme plot sakrifica, duke punuar orë pa orë në pastrimin e shtëpive të ndryshme. Këtu ajo do te merrej me shitjen, kurse Fatmiri do të bënte gjithmonë më furnizimin me artikuj të ndryshëm. Dalëngadalë puna filloi të ecte. Pra, jeta me nismën e tyre private, po merrte drejtimin e saj.

Kaluan dy vjet. Fatmiri dhe Mina blenë truall për të ndërtuar një shtëpi. Shumën për ndërtim menduan ta merrnin kredi në bankë, por më parë duhej leja e ndërtimit, që kredia të ishte e volitshme, me pak rrethana lehtësuese. Pikërisht këtu filluan ecejaket e ditës për fatmirin. Qëndrimi i ftohtë i zyrtares me pretekstin se “janë bllokuar lejet” ishte njësoj sikur t’i binte mbi kokë pesha e gjithë njerëzve të qytetit. E ç’kërkonte ai, në fund të fundit, vetëm të bënte një shtëpi në mënyrë ligjore. Një ditë takoi rastësisht, Enon, shokun e viteve të rinisë. Pasi i tregoi hallin, mori prej tij premtimin se do ta ndihmonte. Ditën tjetër ata shkuan së bashku në bashki. Eno diçka i tha zyrtares së ftohtë dhe u ngjitën në katin e dytë, pikërisht te drejtuesja kryesore. Atë e quanin zonja Deni, një grua e vjetër, e shëndoshë, me sy tinëzarë, të ethshëm për të hedhur grepin e peshkimit. Kuptohej se e gjithë qenia e saj ishte shdërruar në një specie, që priste baticën e ardhjes së peshqve, për t’i sjellë të ardhura për një jetë luksoze në vitet e mbetura të jetës. Në pallton e shtrenjtë që kish veshur, rrotullohej një shall i bërë nga bisht dhelpre. “Ah kjo dhelpër deti!”- mendoi papritur Fatmiri.

-Përshëndetje, Deni! – i tha Eno.

-Si je Eno? – u dëgjua ajo duke rrotulluar sytë mbi Fatmirin.

-Unë mirë, Fatmiri është shoku im,- e prezantoi Eno -Të lutem ndihmoje, pa dyshim që do ta kesh kafen tënde…

-Përshëndetje, zonja Deni, – i tha Fatmiri,- nëse mund të më ndihmoni do t’u jem mirënjohës…

-Do të ndihmoj patjetër, si për Enon… Por s’varet vetëm nga unë. Janë edhe njerëz të padukshëm mbas meje…

-Si bëhet, të më dali leja e ndërtimit? -pyeti Fatmiri me padurim.

-Si fillim nevojiten treqind mijë lekë të reja, pastaj do të them edhe për nevojat në vazhdim… Unë nuk marr asgjë. Dua vetëm, që për ndërtimin e shtëpisë, të marrësh firmën e burrit tim. Pas mbarimit të shtëpisë, do kesh edhe hipotekën në dorë.

Fatmiri përtypi pështymën e mbledhur në fyt dhe tha:

– Mirë, paratë do i keni në mëngjes… –  i doli nga buza me gjysmë zëri dhe ata dolën bashkë me shokun.

– Po nuk e vajose rrotën e fatit me vaj, ajo nuk ecën këtu në Shqipëri…- i tha Eno.

– Faleminderit, Eno, – do shihemi… ia ktheu Fatmiri pa e zgjatur.

Fatmiri vazhdoi rrugën për të bërë furnizimin e dyqanit. Ato treqind mijë lekë të reja ishin të vetmet që u kishin mbetur nga kursimet e viteve të punës në emigracion… Por çdo bëhej vallë më tutje, si do të lëkundej lavjerrësi i fatit?… Ai mendoi se njeriu lodhet dhe plaket më shpejt nga të menduarit, se sa nga ritmet biologjike. Duhej të gjente para të tjera borxh, për të vazhduar më tej. ”Niset njeriu të ndërtojë një shtëpi ligjore, tu lërë një çati fëmijëve të tij, por kjo ose bëhej e pamundur, ose duhej të hidhte vallen, sipas dirigjimit të hijenave nëpër zyra. që ushqeheshin vetëm me para… Këmbët i hiqte zvarrë duke vështruar përtokë dhe ndonëse pranvera sapo kishte hyrë, Fatmirit i dukeshin sikur edhe pemët rrinin të përkulura me kurriz, duke peshuar se “a duhej të çelnin”. Sikur lulet e pemëve të ishin perla dhe krahët e zogjve, copëza drite ylberi, të gjithë do të përpiqeshin t’i rrëmbenin. Sa e varfër do të ishte kjo botë e zhveshur tërësisht. Ato para që i kishin mbledhur me rruazat e djersës së tyre, nga mundi dhe sakrifica e përditshme, tani ishin një dorë ryshfeti për lejen e ndërtimit.

Bisedoi me të shoqen dhe të dy ranë dakord që t’ia jepnin lekët zonjës Deni të nesërmen. Njëkohësisht do të bisedonin me motrën dhe vëllanë e Minës, nëse kishte mundësi ti ndihmonte me para borxh. Motra dhe vëllai i Minës u treguan të gatshëm me ato mundësi të pakta që kishin ta ndihmonin Minën e tyre. Fatmiri dhe Mina e kishin ëndërruar gjithë jetën një shtëpi të tillë dhe e kishin përfytyruar mes tyre deri në detajet më të imta….Si në një pasqyrë ku shikon imazhin tënd, ballin, hundët,buzët, po ashtu ata shikonin, një formë të thjeshtë, dyert e bardha, verandën, kopshtin përpara me llojet më bukura të luleve, trëndafilat në vazot e mëdha qeramike, por mbi të gjitha përfytyronin një shtëpi që do ta gëzonin pasardhësit e tyre… Por, ah, sa e vështirë ishte deri në realizim. Në shtetin fqinjë, ku kishin jetuar vite me radhë, zyrtarët i përmbaheshin rigorozisht ligjit. Këtu në zemrën e vendlindjes, arteriet kryesore ishin të pushtuara nga korrupsioni. Ky korrupsion kishte fytyra, emra, dhe ligji interpretohej në varësi të letrës së çmuar që mbante emrin “para”…Brenda mureve të zyrës shtetërore, të gjithë sa vinin, të tallazitur nga jeta, pranonin kushtet, që djersa e tyre mos të shembej të nesërmen.

Tre muaj pas dhënies së bakshisheve pa fund, më në fund ata morën lejen e ndërtimit. Tani do të ishin të plotësuar me dokumenta, për t’iu drejtuar bankës, e cila pas firmosjes së letrave, aprovoi marrjen e kredisë. Pas tre muajve të tjerë, me kërkesa pa fund, shuma e përcaktuar nga bashkëshortët, kaloi në firmën e burrit të zonjës Deni, pra, të zotit Hilmi Hoxha. Një stërhell i gjatë, i thatë, me sy të vegjël, me lëvizje të ngadalta si gjarpri kur zvarritet. Ndonjëherë mendimi që krijon për tjetrin në vështrimin e parë, të mbetet deri në fund, sepse imazhi i krijuar është rezultat i refleksit që krijon energjia e tij. Megjithëse ai bënte një jetë materialisht të mirë, shpirti i dukej si i prejardhur nga një jovertebror. Këtë përshtypje kishte Fatmiri kur e takoi për herë të parë zotin Hilmi….Ai ndjeu sikur të kishte pranë një gjarpër-njeri që mundohej të tregohej i njerëzishëm. Sado Hilmiu rrekej të buzëqeshte, ai përsëri ngërdheshej dhe bëhej më i shëmtuar me mollëzat që i rrudhoseshin në gropat e fytyrës. Koka e tij tullace, dukej si e një dordoleci që kishin harruar ti vinin paruke.

Hilmiu e siguroi që punimet do i fillonin të nesërmen, sipas projektit që kishin bërë. Fatmirit i erdhi një valë e ngrohtë në zemër. Më në fund ëndrra do bëhej realitet i prekshëm. Ethet e emocioneve e kishin pushtuar të gjithin. Ditët derdimene tani duhej të kalonin shpejt… Kjo ëndërr i kishte zaptuar trurin. Flinte dhe zgjohej me të vetmen figurë shtëpie të vizatuar në tru. Kush ka jetuar me qira, e di që imazhi i ëndrrës është pikërisht një shtëpi. Shkonte çdo ditë për të parë punimet, çdo tullë që vihej, çdo brez muri dhe shtëpia dalëngadalë po merrte formë.

Por një ditë, kur shtëpia ende s’kishte mbaruar, Hilmiu e mori në telefon Fatmirin të takoheshin tek shtëpia e re. Të nesërmen në mëngjes pasi u përshëndetën Hilmiu i tha:

-Siç e shikon, ka dalë shumë e bukur, tamam sipas projektit. Deri këtu erdhëm me shumën e bankës. Janë akoma dyert, dritaret, punët hidraulike, elektriket dhe pllakat për të bërë… Këtu ke fletët e llogarive, sa janë derdhur bashkë me koston e tyre…

Fatmiri nuk mund t’u besonte veshëve. Ato fjalë të thëna aq thjeshtë, patën fuqi të tronditnin keqas ëndrrën e tij.

– Si është e mundur? – shfryu Fatmiri… -Unë nuk e mora të gjithë shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Afërsisht dy milionë i mbajti banka për shpenzimet e saj. Tani u dashkan edhe rreth tetë milionë lekë të vjetra të mbarojë!… – Ndërkohë ai mendoi me habi të pazakonshme, si ishte e mundur, që disa njerëz me atë ftohtësinë e tyre të akullt, ta kalbin botën e ta bëjnë jetën për të hedhur në kosh . A nuk e dinte ky njeri se kjo shtëpi ishte jeta e tij. Dhe iu kthye tjetrit përsëri:

– Unë nuk besoj kurrsesi, që 28 milionë lekë mos të dalin për një shtëpi 100 metra katror…

-Ke preventivin dhe fletët e llogarive në dorë… – ia ktheu Hilmiu krejt indiferent.

Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe ndjeu nevojën t’i shkrehej atij si pistoletë, por e përmbajti veten.

– Edhe unë, në ndërtim kam punuar, nuk erdha nga pylli… – i tha me zemërim dhe shikoi sërish letrën e llogarive… –Hë, një rrjetë teli njëqindmijë lekë të vjetra, u bë një milion… Edhe materialet, i paske vënë dyfish, hekurin nga 6,1 ka vajtur me 7,5. E kështu ndoshta nuk do të dalin as tridhjetë milion të tjera.. Unë do të marr një inxhinier ndërtimi t’i bëjë saktë llogaritë, dhe atëherë do flasim ndryshe…

Stërhelli i gjatë u zbeh dhe i tha me nxitim:

– Unë jam inxhinier ndërtimi dhe kjo shtëpi kaq ka kushtuar, por nuk përjashtohen gabimet, t’i po më akuzon? – u shkreh ai dhe i doli përpara ta ndalonte të ikte.

– Ti e di që jam zhytur i tëri në kredi e borxhe, – i tha Fatmiri me mllef të rëndë.

-Veç atij gabimi të zeros, të gjitha janë në rregull. -ngulmoi në fjalët e tij Hilmiu.

– Do flas me bankën, të kalojë edhe dymilionshin që është mbajtur, por llogaria e thjeshtë është se për një shtëpi të ndërtuar me firmë po shkon 300 mijë për metër katror zotëri…

-Mos do t’i vë unë paratë nga xhepi im?! – i tha Hilmiu i nxehur

– Unë kam ardhur përditë në ketë shtëpi, kam shënuar dhe numëruar çdo material, llogarinë do e bëj me një inxhinier ndërtimi, më hap rrugën! – i shfryu Fatmiri dhe e shtyu fort me dorë.

Oborri i shtëpisë me copa tullash dhe dërrasa me gozhdë të hedhura pa kujdes, bëri që Hilmiu të pengohet në një dërrasë, dhe të bjerë mbrapsht duke e përplasur kokën në një tullë të thyer.

Fatmiri i tronditur, rendi në çast dhe shkundi, por ai nuk përgjigjej…

– O Zot më ndihmo…Hilmi, përgjigju! – bërtiste duke u dridhur. Pastaj me mundim e vuri trupin e tij në makinë dhe rendi drejtë spitalit.

Aty iu përgjigj disa pyetjeve të mjekut, dhe pastaj ai e pyeti gjithë ankth:

-Doktor ka vdekur?…

-Jo u përgjigj mjeku, – është në koma, por nuk dimë nëse do zgjohet apo jo…

Oh tmerr i vërtetë. Kurrë nuk kishte menduar, se qoftë edhe një aksident pa dashje nga dora e tij, mund t’i merrte jetën tjetrit… Si erdhi ky çast memec, kjo ditë e nëmur,që tronditi shpirtin e tij. I dëshpëruar thellësisht, për herë të parë në jetë mendoi: “A ia vlen të jetosh, i privuar nga ëndrra, nga familja, nga liria e varfër”. Kurrë nuk i shkonte mendja se mund të vriste një njeri… Dhimbja e tij u rrit si një gjembaç, që me degët shpuese theu dritat më të bukura të ëndrrës së tij. Dhe tani i zhytur në errësirë priste vendimin ”çdo të ndodhte?”

Brenda disa orësh Fatmiri ishte shndërruar krejtësisht në një kufomë që shpirti e kishte braktisur plotësisht

Pas shpjegimeve të Fatmirit, mjekët njoftuan policinë dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor, deri në përgatitjen e paraqitjes penale…

E gjithë familja iu bë gardh, që ai mos të binte në depresion. Eno, shoku i tij e ndihmoi dhe solli avokatin më të mire, me shpenzimet e veta. Kurse Zonja Deni, bëri çmos që ai të dënohej me burgim të përjetshëm, ndonëse rrethanat lehtësuese ishin në favor të të tij.

Megjithatë Fatmiri u dënua trembëdhjetë vjet heqje lirie. Tani i rënë krejt moralisht ai po hante lotët e dëshpërimit. Kishte jetuar ndershmërisht në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë sherre, as t’i binte njeriu në qafë, ndërsa tani, burgim për vrasje pa dashje. Ai u mbyll brenda fortifikatës së heshtjes së pafuqishme, duke kujtuar ditën e parë të kthimit në atdhe… Ndoshta ishte thjesht një paralajmërim fati… Donte të ulërinte, sikur ta thyente qiellin dhe ta kthente mbrapsht kohën me ujëvarat e hidhërimit… E gjithë kjo periudhë trembëdhjetëvjeçare ishte një rrjedhje e hidhur.

Mina shiti makinën për të larë borxhet dhe për të rregulluar disi një dhomë të shtëpisë së pambaruar. Ajo punoi në dyqan e vetme, me ndihmën e pakët të fëmijëve të vegjël. Shpesh për të furnizuar dyqanin, ajo bashkë me fëmijët i merrnin produktet nga magazinat e ndryshme dhe i mbanin me krahë deri te dyqani. Por pesha më e madhe ishte përgjegjësia që kishte për ta, në mungesë të Fatmirit. I duhej të ishte edhe nënë edhe baba. Mes mundimesh dhe sakrificash të mëdha, me të ardhurat e vogla të dyqanit, ajo pagoi këstet mujorë të bankës dhe rregulloi disi shtëpinë.

Ndërkohë Fatmiri i kërkoi djalit të motrës së Minës që studionte për inxhinieri ndërtimi, t’i dërgonte librat e tij dhe të gjithë kohën e kaloi duke studiuar. Ishte vetëm dyzetë vjeç kur u fut në burg, dhe doli prej andej pesëdhjetenjë. Dy vjet iu ulën në kuadrin e një ligji për rehabilitimin e të dënuarve me sjellje të mirë.

Daljen e tij nga burgu e pritën të gjithë me lotë që nuk shternin. Kur iu afrua shtëpisë, ai po e përkëdhelte me sy njësoj siç përqafoi fëmijët. Dhe pasi vështroi gruan e tij me sytë e dashurisë dhe mirënjohjes, tha me vete: ”Vërtet unë isha fatkeq në këtë jetë, por jam me fat që kam një grua të mirë dhe fëmijë të mbarë…”

 

Filed Under: Featured Tagged With: SHTËPIA E ËNDRRAVE, Tregim, Vjollca Tiku Pasku

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd?!

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Aurel Dasareti, USA/

 Ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)/ dasaretiaurel@yahooo.com.au/

Ata që duan të heqin dorë nga liritë thelbësore për të blerë një siguri të vogël të përkohshme nuk e meritojnë as lirinë dhe as sigurinë.

Të dy kemi qenë pjesëmarrjes aktiv të betejave të tmerrshme (vitet 1994-1995), por në formacione luftarake kundërshtare. Jemi takuar një herë gjatë një armëpushimit  të përkohshëm(1995). Çuditej pse kam ardhur prej përtej oqeaneve deri aty ku nuk hanë pula gur, edhe atë për të luftuar për të huajt. I tregova se ushtrohem për betejat që do të zhvillohen më vonë në Kosovë…Para disa vitesh u takuam sërish në një kryeqytet evropian. Më sugjeroi të mos kontribuoj për çështjen shqiptare pasi unë as që jetoj në Evropë. I thash: “Ti shumë mirë e din se unë nuk kam më frikë prej asgjëje e askujt. Kur njeriu me mijëra herë ka qenë  aq afër vdekjes, frika zhduket. Dhe, mos e provo edhe njëherë të provokosh shqiptarët ta duan ose të mos e duan kombin dhe vendin e vet, përndryshe, nëse diçka ndodh me ty, unë do të buzëqeshi gjithë rrugës për në funeral.”

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd? A është më e drejtë të jesh neutral ose të urren vendin tënd? Çfarë do të zgjidhje dhe cilat janë mendimet tuaja për këtë?

Ky është një problem i madh social vetëm në Shqipëri dhe gjithë botën shqiptare, se nuk ka mjaft njerëz që e duan  vendin e tyre, as njerëzit e tyre.

Kur do të përpiqemi ne për të ndaluar shkatërrimin e vazhdueshëm të vendit tonë? Pasi të braktisim vendin, asimilohemi dhe tjetërsohemi tërësisht?! Le të shpresojmë se turpi dhe tradhtia jonë ndaj Vendit dhe Kombit përfundon një herë dhe përgjithmonë .

Unë mendoj se ne në përgjithësi jemi shumë krenarë dhe patriotikë kur vjen puna për të qenë shqiptarë. Nuk vërehet se shqiptarët mendojnë dy herë para se të dalin rrugëve dhe të valëvitin flamurin – por, at të Greqisë, Arabisë, Serbisë, Turqisë e jo aq shumë të vetin.

Në bazë të shkrimit tim, duket sikur ajo është një e dhënë, e natyrshme, që të gjithë ne duhet të jemi shumë krenar që jemi shqiptarë.

Kjo është çështje personale nëse dikush është krenar për vlerat që kemi. Dhe cilat vlera dhe sjellje ua tregojmë pjesës tjetër të botës.

Personalisht, ka gjëra që më bëjnë krenar si dhe gjëra të tjera që më bëjnë të turpërohem pse jam shqiptar. Por kjo vetëm do të thotë se ne duhet të mësojmë për të dalluar impulset e mira nga të këqijat.

Identiteti kolektiv të cilit të gjithë ne i takojmë, është diçka tjetër se identiteti personal. Ti sipas qejfit mund të ndryshosh kuptimin dhe mendimet tuaja, por unë nuk pajtohem që shteti në mënyrë aktive ndryshon mendimet e veta sipas qejfit të të huajve dashakeqës, këndvështrimeve të veta ideologjike. Këto njohje i kam përvetësuar nga hulumtimet e mia shumëvjeçare…

Shkenca është kurora e lavdisë së mendjes, por ajo mbështetet në parimin e gabueshmërisë. Kjo sepse sikur teoritë shkencore do të mishëronin të vërtetën absolute, përfundimtare, atëherë ato teori nuk do të kishte nevojë t`i verifikojmë praktikisht ndërkaq përparimi  shkencor do të ndalej në vend. Shkenca ka një kriter të besueshëm në dispozicion – faktet. Ekonomia, artet, filozofia, politika nuk disponon me një proces kritik të verifikimit të këtij niveli. Po të shohim faktet, vërejmë se shoqëritë e hapura (demokratike) zakonisht janë të lidhura me begatinë dhe përparimin. Megjithatë, shoqëria e hapur vuan nga një e metë fatale.

Njerëzit që jetojnë në shoqëri të hapura nuk e pranojnë konceptin e saj si një ideal për të cilin domosdoshmërish ia vlen të luftosh. Parashtrohet pyetja pse ndodhë kështu. Shoqëria e hapur u ofron liri për të zgjedhur. Nëse kjo liri mohohet, duhet të luftosh për të; por nëse e ke, atëherë nuk mjafton – sërish duhet zgjedhur. Vende të ndryshme kanë parti të ndryshme demokratike programet e të cilave dallojnë prandaj demokratët gjithmonë luftojnë mes veti, kurse idhtarët e shoqërisë së mbyllur (moniste) mbeten të disiplinuar dhe bashkuar. Sa kohë që shoqëria e hapur pranohet si vlerë e përbashkët, demokratët mund të luftojnë mes veti dhe prapë t`u bëjnë ballë armiqve të shoqërisë së hapët. Problemi është se shoqëria e hapur është armiku më i keq i vetvetes, sepse shoqëria e hapur nuk pranohet si vlerë e përbashkët.

Tragjikomedia e shoqërisë “demokratike” të shqiptarëve qëndron në faktin se politikanët shqipfolës as që e kuptojnë se ç`është e as që u konvenon demokracia. Derisa partitë demokratike të vendeve Perëndimore luftojnë njëra tjetrën (me fakte) por edhe e përmbajnë njëra-tjetrën kur nuk ka çështje për të kritikuar, duke luftuar kështu s`bashku për atdheun e tyre të përbashkët – “demokratët” tonë luftojnë për pushtet e jo për shtet. Dhe, që të arrijnë te ose ta mbajnë pushtetin janë në gjendje me e shkatërruar gjithë shtetin.

Sa më shumë individë të jenë të aftë të vërejnë me sy kritik dhe qetësi skenën dramatike shqiptare, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. Kur forcat e përçarjes dhe të urrejtjes kërcënojnë të fundosin krejt sistemin shoqëror, atëherë sahanlëpirësit, të korruptuarit, mafiozët dhe tradhtarët bëhen tepër të rrezikshëm – janë ata që digjen nga dëshira për t`i shërbyer armikut të jashtëm si agjentët e saj të ikjes së rinisë në perëndim,  shtypjes, shfrytëzimit, diskriminimit, mashtrimit, manipulimit, persekutimeve politike, terrorizimit, mjerimit të popullsisë.

Për të ndryshuar diçka me të vërtetë domosdoshmërish të përballemi me të se çfarë ishte me të vërtetë ajo.

Shqiptari është i paparashikueshëm, i befasishëm, i papritur. Vetëdija kombëtare e tyre nuk është e ngritur në nivel të duhur si te fqinjët dhe pjesës tjetër të popujve evropianë. Si rrjedhojë, nuk kemi prirje shtet-formuese.

Mesazhi kryesor shqiptarëve është për të goditur korrupsionin publik, gjithashtu në aparatin qeveritar.

Kur popullata nuk dëshiron më të qeveriset në të njëjtën mënyrë si më parë dhe ato që menaxhojnë nuk mund të kontrollojnë situatën si më parë, atëherë ndodh një situatë revolucionare.

Sot arsyeja politike nuk është më pronë e pushtetit politik. Në mënyrë që katastrofat të parandalohen, duhet të shpërthejë një valë inteligjence dhe intuite nga qarqet jozyrtare. Zgjidhja për shoqërinë tonë do të ishte në qoftë se ne bëhemi më të zgjuar, më të mençur në dallimin në mes të neutrales, interesave të përbashkëta publike, aparatit shtetëror dhe të shprehjes së lirë të individit.

Ka privilegje të veçanta dhe diskriminime në institucionet e përbashkëta publike, që ne jemi të detyruar për të hequr, jo mendimet.

Ndërkaq, feja do të bëhet më pak stimul për betejën dhe luftën mbi definicionin e së drejtës – në qoftë se ne vendosim se ajo që është e përbashkët, shtetërore, publike, të mos i përkas një besimi të caktuar, praktikisht të respektojmë qëndrimet e programeve politike të Rilindësve për ndarjen e Kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja.Në debatet tona duhet të përpiqemi për të bërë dallime mes shoqërisë dhe shtetit, midis një jete aktive, një jete të lirë fetare (rrugëve, shesheve, kishave/xhamive) – dhe institucioneve të përbashkëta publike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a eshte gabim, Aurel Dasareti, Kombin, te duash

Në Vjenë nxënësit i kënduan pavarësisë

February 26, 2014 by dgreca

I.Lladrovci: “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.  “…përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/
Në sallën e bukur të bashkisë së pesëmbëdhjetë të Vjenës ishte festë e vërtetë e cila dukej gjithandej hapësirës, në fytyrat e buzëqeshura të mërgimtarëve, në veshjen solemne të nxënësve me kostumet e bukura kombëtare. Kështu e kërkonte gjashtë vjetori i pavarësisë së Kosovës. Tani 17 Shkurti datë historike për kombin shqiptar e cila erdhi pas përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Manifestimin në ambientin bukur e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe personeli i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Valbona Fazliu-.Rrecaj, këshilltare; Zana Rugova, sekretare e parë; Yllka Geci, sekretare;  Imer Lladrovci, konsull. Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Dede Prenga atashe ushtarak. Z. Fitim Nuhiu  nga ambasada  e Republikës se Maqedonisë në Austri. Morën pjesë edhe aktivistë nga shoqatat shqiptare nga Vjena e rrethina. Familja e skulptorit të njohur, Destan e Barbara Gashi; Avdyl Gjocaj, veprimtar, vëlla i dëshmorit Agush Gjocaj; Anton Marku, poet etj. Pas  himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, nxënësit kënduan këngën korale “Për Mëmëdhenë”. Mësuesit: Shqfqet Gashi, Hazir Mehmeti, Osman Ademi, Miradije Berisha, Ibrahim Hasani dhe Ina Arapi i përgatitën nxënësit dhe organizuan rrjedhën e programit të ndihmuar edhe nga disa prindër veprimtarë. Sabrina Konerth, Peter Jäger  nga bashkia e pesëmbëdhjetë e qytetit e ndihmoi aktivitetin me ofrimin e lokalit të bukur. Fëmijët i kënduan atdheut, dëshmorëve të lirisë që nga Iliria e deri tek Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata recituan vjersha kushtuar jetës sonë në mërgim dhe në atdheun aq shumë të dëshiruar. Nëna Tereze frymoi me zërin e ëmbël të fëmijëve në skenën solemne. Piano në këndin e majtë lëshoi tinguj madhështorë në përcjellën e këngës shekullore arbëreshe e luajtur nga Vlora Jonuzi.

Për rrjedhën e programi me sukses u bë nga mësuesi me përvojë z.Osman Ademi, bashkë me grupin e tonteknikës. Në përshëndetjen e saj në emër të Ambasadës së Kosovës, znj.Valbona Fazliu-Rrecaj, mes tjerash tha:” Jam e lumtur të ju përshëndes në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe t’ua uroj gjashtëvjetorin e pavarësisë. Liria erdhi fal sakrificës së popullit shqiptar dhe luftës së tij. Ju përgëzoj të gjithë juve që keni organizuar një mbrëmje të tillë. Veçan dua t’i përshëndes nxënësit e mësuesit e tyre, për përpjekjet e mëdha në ruajtjen e kultivimin e gjuhës së bukur shqipe këtu në mërgim. Urime”. Të pranishmëve festen ua uroj në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Austri z.Dedë Prengu, atashe ushtarak. Në fjalën e tij z.Imer Lladrovci theksoj rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.

E veçantë ishte recitimi i poezisë kushtuar dëshmorit të lirisë Agush Gjocaj i cili nga kurbeti u kthye në Lapidar Lirie në ecjen tonë drejtë lirisë që sot e gëzojmë. Dikur edhe Agushi këtu ishte pjesë e jetës në mërgim. Sot nipi i tij  Agush Gjocaj, nxënës, jetësoi emrin dhe amanetin e xhaxhait që kurrë të mos harrohet Kosova, liria e saj e fituar me kaq sakrifica.
Vargu i nxënësve të programit është i gjatë: Fiona Murseli, Melos Zeqiri, Blina Gashi, Rina Mavraj, Krenar Miftari, Laurent Qestaj, Erenik Pepshi, Amra Bajrami,Lisa e Lira Fetahaj,Erzana Isamaili, Krenar Miftari, Melisa Mavraj, Erzana Ismaili, Leonard Berger.

Sara Bislimi, Reanta Osmanaj, Albiona Murati, Oltian Rrecaj, Loreta Limani,Butrint Rexha, Fabiona Gajraku, Leart Gërdella, Enea Shira, Bellina Jovani, Brini Baci, Sara Emini, Recitali: Fjolla Ademi, Emirjeta Veseli, Elbasan Veseli, Flamur Lladrovci, Diellëza Kuqi, Fitim Bilalli, Besjana Ademi, Ilir Hasanaj, Erlinda e Fatjona Gajraku, Vesa Zeqiri, Lorik e Leonit Ademi. Skeqe: Detiar Osmani, Elona Kabashi, Valentina Morina, Butrint Rexha, Melisa Mavraj,

Blerta Ismaili-   interpretoi me mjeshtri këngën e njohur shkodrane “Luleborë” në përcjellje të tingujve të pianos luajtur nga Vlora Jonuzi,

Pika e parafundit ishte kënga e vallëzuar “Pavarësia”, nën koreografinë e nxënëses krijuese Flutura Ademi. Mbyllja solemne u bë me këngën “Xhamadani vija, vija” e kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo la për të kuptuar se kremtimet në mesin e mërgimtarëve tanë janë në frymën kombëtare e nxitëse në ruajtjen e gjuhës e kulturës së lashtë shqiptare. Kjo zor se do të ndodhë pa mësimin në gjuhën amtare e cila në Austri është gjithanshëm e mbështetur nga organet mësimore përkatëse. Nxënësit e kanë të garantuar mësimin e gjuhës amtare pa pagesë, tekste falas. Këtë vit shkollor për herë të parë nxënësit shqiptarë mësojnë në abetaren e tyre e mbështetur nga Ministria e Mësimit, kanë disa fjalor shqip-gjermanisht dhe tekstet shkollore të botuara nën mbështetjen e DDr.Basil Schader, albanolog dhe mik i madh i shqiptarëve nga Zürichu. Po ashtu me përkrahjen e  Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Disaporës e cila mbështeti botimin e “Mësimi shqip në Austri- Monografi” , një dokument me vlerë veprimtarisë së pandërprerë të atdhetarëve shqiptarë në Austri për themelimin e klasave dhe gjithë përfshirjen e nxënësve.

 

Filed Under: Emigracion, Reportazh Tagged With: Hazir Mehmeti, i kenuan pavaresise, ne Vjene, nxenesit

“QARKU I TREMBËDHJETË” DHE “MINISTRIA E DIASPORËS”

February 26, 2014 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar, Athinë/*

Në medien e shkruar dhe atë satelitore na vjen një emër i ri, një “ndarje” e re administrative e Shqipërisë –“QARKU I TREMBËDHJETË”…
Qarqet në Shqipëri  formohen në një hapësirë territoriale me një numër popullsie që në ndonjërin nuk e kap njëqindmijëshin. Edhe qarku më i madh, Tirana, nuk është më i madh se “Qarku i trembëdhjetë”, qark që në medie nënkupton mërgatën shqiptare nëpër botë. Nuk po përdor fjalën “diasporë” për faktin e thjeshtë se shumica e shqiptarëve që punojnë në Greqi, Itali e gjetkë janë njerëz që bukën e ditës e gjejnë duke punuar dhe paratë i  postojnë në adresë të familjeve apo të blerjes së pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim nga kurbetet e punës (po ta quajmë kështu)  në kohë e hapësirë, nën pushtimin osman kur punonin në ndërtimet perandorake  shekullit të 19-të, apo të lëvizjeve gjatë gjithë vitit (gollobordasit në ndërtimet  në tërë Shqipërinë, reçjanët në ndërtimin e veprave hidroenergjetike, lumjanët në lëvizjet e njohur me blegtori e në punime stinore) është se në kalimet në kufi duhet të paraqesin pasaportën me vizë apo me leje pune apo leje qëndrimi. Mërgata shqiptare (flas për Greqinë) nuk është gjë tjetër veçse qarku më i madh i shqiptarëve në truall të huaj, ngjitur me truallin shqiptar.
Të dhënat statistikore zyrtare më të fundit (censusi) tregojnë se Qarku i Tiranës me 766.000 banorë është më i vogël se “Qarku” i mërgimtarëve shqiptarë në Greqi. Qarqe të tjerë me popullsi të madhe (Fieri me 305 mijë banorë, Elbasani me 293 mijë banorë, Durrësi me 267 mijë, Korça me 216 mijë, Vlora me 173 mijë…kanë më pak banorë se sa ka Athina emigrantë legalë shqiptarë.  Gjirokastra me 68 mijë banorë, Kukësi me 83 mijë, madje edhe Lezha, Dibra … kanë më pak banorë sa ka shqiptarë vetëm në ishullin e madh grek të Kretës. Krahasime të tilla mund të bëjmë edhe me qytete të tjerë si Selaniku, ishujt etj. ku shqiptarët punojnë legalisht e jetojnë me dinjitet.
Shqiptarët në Greqi, ata me letra të rregullta dhe ata që hyjnë nga mali apo shfrytëzojnë “90 ditët” për punë sezonale në bujqësi janë sa një e treta e popullsisë së Republikës së Shqipërisë.
Sa sipër, kuptimi që i jepet mërgatës shqiptare si “Qarku i trembëdhjetë”, mua më duket gjumëndjellës për një problem që duhej zgjidhur me kohë dhe që duhet zgjidhur menjëherë me marrjen e pushtetit dhe formimin e shtetit të koalicionit të majtë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka disa muaj që me vendim Kuvendi ka vendosë të regjistrojë të gjithë mërgimtarët kosovarë shqiptarë në botë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka një ministri që merret vetëm me mërgatën, ministri që siç më deklaronte ministri Ibrahim Makolli- emrin “Ministri e Diasporës” ia kanë vënë vetëm e vetëm në kuptim të gjuhës së ndërkombëtarëve ndërsa në të gjithë bisedën me të (është e botuar) nuk e përdori në asnjë rast fjalën “diaspora kosovare” por “mërgata kosovare”.
Një “Ministri Diaspore” , emër mjaft i lakuar sidomos nga mërgimtarët, përbën domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e mërgatës shqiptare shpërndarë në të gjitha anët e globit.
Regjistrimi i mërgatës është domosdoshmëri për njohjen pjesëtarëve të saj me emër dhe mbiemër, me adresë banimi, me nivel arsimor e kulturor, me potenciale ekonomike, me të gjitha të dhënat e një regjistrimi kompleks.
Një “Ministri e Diasporës” është domosdoshmëri për të ardhmen e saj, veçanërisht për brezin e ri, lindur e rritur në mërgim, brez i cili sipas studimeve të mija në një sërë shkrimesh dhe në dy libra “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës”, nga harresa totale e shtetit është në zgrip të humbjes së identitetit gjuhësor e kulturor.
Në qoftë se shkollimi shqip i fëmijëve nuk sanksionohet me ligj (një detyrim ky kushtetues i nenit 8 pika 1 – 2 dhe 3 dhe i nenit 57), nuk i jepen aq fonde sa ka qarku më i madh i vendit, nuk vlerësohen mësuesit njëlloj me mësuesit në shkollën shqipe në Shqipëri, “ QARKU I TREMËDHJEË” mbetet një slogan, pa nerv e pa asnjë kuptim.
“Qarqet trembëdhjetë” në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Kanada…, në qoftë se duam nesër që çdo shqiptar në të gjithë globin ta thotë fjalën e vet për të ardhmen e vendit (miliardave që ka dërguar dhe dërgon për investimet në Shqipëri) nëpërmjet votës së lirë, po nuk u formuan dhe po nuk patën të njëjtën hapësirë ligjore si “Dymbëdhjetë qarqet” aktuale shqiptare, humbin çdo kuptim.
Mërgata shqiptare duhet vlerësuar në tërë aspektet e jetës që përcjell atje ku jeton e punon por edhe në vendlindje. Është pohuar se nga mërgata shqiptare janë postuar çdo vit rreth një miliard euro drejt familjarëve dhe bankave të ndryshme. Bashkuar këtyre edhe detyrimet e saj fiskale dhe të përballimit të jetesës, hamendësoj që edhe qarku më i madh në Shqipëri nuk sjell kaq të ardhura. Mos harrojmë edhe faktin se këta miliarda euro në vit, investuar në ndërtime vetjake, në biznese por edhe thjesht në mbajtjen në këmbë të familjeve të tëra në çdo skaj të vendit, kanë sjellë të ardhura për shtetin nëpërmjet sistemit të taksave dhe tatimeve, ashtu siç kanë mbajtur me të ardhura të drejtpërdrejta Ministrinë e Jashtme nga “vulat dhe pullat” në konsullata.
“Qarqeve trembëdhjetë”  duhet tu kthehet pjesa që u takon nga paratë e rrëmbyera deri tani nëpërmjet sistemit fiskal shqiptar. Kthimi duhet bërë nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta në shkollimin e fëmijëve, ngritjen e qendrave kulturore dhe të  gjitha ato gjëra që lidhen me dinjitetin e tyre.
Në medien shqiptare flitet e shkruhet përditë për “Qarkun e trembëdhjetë”, në vlerë të votës së emigrantëve për ndryshimin politik në Shqipëri, por nuk flitet se pse këto dhjetëramijëra vota nuk u përkthyen në mandate deputetësh. Edhe ata kandidatë që u vunë në lista nga mërgata shqiptare në Greqi u vunë në rrezen e të pamundurës për të fituar.
“Qarku i trembëdhjetë” tashmë është një realitet, një njësi vendore e veçantë që ka vend për tu sanksionuar me ligj dhe e vlerësuar si të gjitha qarqet e tjerë në Shqipëri. Jashtë kësaj kornize ai do të mbetet një slogan i rëndomtë për “përdorim zgjedhor”.

(Shkruar në korrik 2013 përditësuar në shkurt 2014.)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine, gazetar, Minsitria e Diaspores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4823
  • 4824
  • 4825
  • 4826
  • 4827
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT