• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetarja e re e Gjakovës kërkon ndihmën e gjakovarëve të diasporës

February 13, 2014 by dgreca

Kryetarja e re e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila të martën ka zhvilluar në Lucern një takim me bashkatdhetarët nga komuna e saj me qëndrim në Zvicër/

Gjakova ka pasur një të kaluar të pasur industriale. Por, ndryshimet e së paku dy dekadave të fundit dhe përfundimisht lufta, i dhanë një goditje të rëndë kësaj tradite. Sot, edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës, komuna në perëndim të Kosovës nuk po mund të marrë veten. Kjo po ndodh pjesërisht si pasojë e gjendjes përgjithësisht të keqe të ekonomisë kosovare por edhe për shkak të politikave jo të përshtatshme që janë ndjekur nga qendra dhe nga komuna.Në këtë gjendje e ka gjetur Gjakovën kryetarja e re e komunës, Mimoza Kusari Lila dhe ajo është zotuar që ta ndryshojë atë. Në kuadër të përpjekjeve të saj në këtë drejtim, ajo po qëndron në Zvicër, ku mbrëmë në Lucern ka pasur një takim me bashkatdhetarët nga komuna e saj. Ajo me këtë rast ka qenë e shoqëruar edhe nga Valdrin Lluka, shef i Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve, si dhe nga nikoqirët, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe ministri këshilltar në këtë ambasadë, Mustafë Xhemajli.

“Arsyeja për të cilën unë kam hyrë në politikë, në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ka qenë qeverisja lokale”, ka nisur kryetarja e Gjakovës bashkëbisedimin me të pranishmit në hotelin Lux në Emmenbrücke të Luernit, të bashkëqytetarit të saj Bekim Raja. “Niveli i qeverisjes komunale ka të bëjë në radhë të parë me menaxhimin. Politikat e mëdha këtu kanë pak vend. Ne kemi nevojë për një model zhvillimi të qëndrueshëm, sepse nga ajo që po shohim në vende të ndryshme, pakënaqësitë dhe trazirat ndodhin vetëm për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike”, ka theksuar Kusari-Lila.

“T`i mbërrijmë komunat tjera dhe t`i tejkalojmë ato”

Më tutje ajo ka radhitur sfidat para të cilave ndodhet si kryetare që posa ka marrë detyrën. “Kemi dy detyra kryesore: të mbërrijmë nivelin e komunave tjera dhe detyrën tjetër, t`ua kalojmë atyre”, ka shprehur ambicien e saj e vetmja femër e zgjedhur kryetare e një komune kosovare.

Sipas saj komunat tjera e kanë kaluar e zhvillim Gjakovën përkundër faktit se ajo ka qenë dukshëm më e zhvilluar se të tjerat dhe ka potencial për të qenë sërish e tillë. “Prandaj synimi ynë është që të bëhemi lider në zhvillim. Një pjesë e mirë e atyre që duhet të ndihmojnë në këtë drejtim jeni edhe ju, pjesëtarët e diasporës”, ka thënë ajo, duke vënë theksin jo vetëm në kapitalin por edhe në përvojat dhe ekspertizën e punës të njerëzve nga diaspora.

“Kemi aplikuar para Komisionit Evropian për hapjen e zyrës për promovimin e zhvillimit ekonomik të Gjakovës. Ne do të kemi njerëz konkretë të angazhuar vetëm për të përcjellë këtë fushë, në mënyrë që ata të bartin edhe përgjegjësi për punën që bëjnë”, ka thënë ajo.

Si risi që për herë të parë në Kosovë do të ndodhë në Komunën e Gjakovës, Kusari-Lila ka përmendur konferencën e donatorëve që do të mbahet që shpejti në këtë qytet.

Konferencë donatorësh vetëm për Gjakovën

“Kjo do të jetë konferenca e parë që do t`i kushtohet vetëm një komune. Në këtë konferencë që organizohet më 22 dhe 23 mars do të prezantojmë projekte konkrete si ai i Liqenit akumulues të Ponoshecit etj, ai i aeroportit, gjegjësisht kthimi i tij në aeroport komercial etj. Kemi vënë kontakte edhe me Bankën Botërore”.

Sipas kryetares së re të Gjakovës, kjo komunë deri më tash fare pak ka aplikuar për projekte zhvillimore nga qeveria dhe nga agjencitë zhvillimore të huaja. “Ne po bëjmë shumë që të mos lëmë pa shfrytëzuar asnjë mundësi të tillë”, ka thënë Kusari Lila. Në këtë kuadër ajo ka përmendur investimin e madh që është duke bërë DEZA e Zvicrës në ujëmbledhës dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Investimi prej 40 milionë eurosh do të jetë i përbashkët në mes të qeverisë së Zvicrës dhe asaj të  Gjermanisë, me participim edhe nga komuna.

Duke folur për qasjen e saj në postin e ri, ajo ka thënë se synon që ta ndryshojë atë perceptimin se të gjithë ata që marrin pozita në pushtet e kanë për qëllim vetëm pasurimin, interesat e tyre personale. “Ne do të japim shembullin se duam të punojmë për përmirësimin e kushteve të jetës të qytetarëve, por për të realizuar këtë, e kërkojmë edhe ndihmën, vullnetin dhe idetë e tyre. Nuk bën vetëm të ankohemi por edhe të gjejmë zgjidhje”.

Kryetarja e Gjakovës i është referuar edhe çështjes së sigurisë së investimeve në komunën e saj dhe sigurisë në përgjithësi. Në këtë kontekst ajo është zotuar se prioritet do të ketë sundimin e ligjit, ndalimin dhe flakjen e praktikave që njerëz të caktuar të privilegjohen për shkak të “meritave” të supozuara etj. “Të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit”.

Në kuadrin e qëndrimit të saj në Zvicër, kryetarja e Gjakovës sot takohet me Odën Ekonomike Zvicër-Kosovë, në Gjenevë, me përfaqësuesit e të cilës do të shqyrtojë mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ndërsa në ditët në vijim ajo do të vizitojë Italinë. Përveç katër bizneseve italiane (njëri prej të cilëve tashmë ka investuar në Gjakovë) ajo do të ketë edhe një takim me kryebashkiakun e Torinos.

Mimoza Kusari Lila ka folur edhe për statusin e ri të Komunës së Gjakovës si zonë e lirë tregtare, status që mundëson lehtësime të ndryshme për zhvillimin e ekonomisë në komune dhe regjion.

Bashkëqytetarët e ardhur nga qendra të ndryshme të Zvicrës kanë zhvilluar një debat interesant me kryetaren e tyre, duke i dhënë mbështetje qasjes së saj të re si kryetare dhe duke u interesuar për kushtet e investimit. Anton Nikolla, afarist nga Bazeli është interesuar për sjelljen në Gjakovë të investitorëve nga Zvicra, Ndërsa Fatmir Hyseni, po ashtu afarist nga Cyrihu, ka kritikuar praktikat në Kosovë sa i përket investimeve në bujqësi, që sipas tij duhet të trajtohen me prioritet. Afaristi Besnik Sadrija ka pyetur për sigurinë e investimeve në Gjakovë dhe për politikat fiskale. (B.SH.)(Kortezi:albinfo.ch)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: diaspores, kerkon ndihme, Mimoza Lila

Vigan Morines iu shua ëndrra që të bëhet një oficer i ushtrisë zvicerane

February 13, 2014 by dgreca

Nata ndërmjet 14 dhe 15 korrikut të 2012 kishte qenë e kobshme për shqiptaro-zviceranin Vigan Morina. Festa e ditëlindjes së 23-të me shoqëri dhe me vëllezër kishte përfunduar në tragjedi./

Nga Sevdai Tahiri/

Vigan Morina ishte viktimë e therjes me thikë nga i dyshuari irakian, Shiwan M., i cili kishte plagosur rëndë edhe vëllain tjetër, Visarin, në afërsi të lokalit të njohur të natës në Cyrih “Kaufleuten”, pas një zënke mes tyre.Viganit iu shua ëndrra që të bëhet një oficer i ushtrisë zvicerane.

Rreth një vit e gjysmë më vonë rasti ende nuk ka marrë epilogun, duke shtuar edhe më shumë dhimbjen mbi supet e prindërve të Viganit.

Ata nuk e kanë lehtë të përshkruajnë dhimbjen për humbjen e djalit të madh të tyre. Shpesh i kaplon heshtja nga mungesa e fjalëve. Atyre iu duket si sot të ketë ndodhur nata e kobshme ndërmjet 14 dhe 15 korrikut, kur djali i tyre nuk u kthye më nga ditëlindja.

Babai dhe nëna e Viganit mbahen të fortë, edhe pse herë pas here nuk mund t’u rezistojnë lotëve nga mërzia, por krenarë me djalin e tyre që u la kujtime të mira dhe shumë respekt në rrethin ku ishte rritur dhe shkolluar. «Dhimbja nga kjo vdekje e pakuptimtë është shumë më e madhe sesa të kishte ndodhur në ndonjë aksident, apo nga ndonjë sëmundje e rëndë. Është e papërshkrueshme dhimbja: e dërgon djalin për të festuar ditëlindjen, ndërsa të kthehet në arkivol», shprehet babai Ismet Morina.

Familja Morina kishte shpresuar që procesi gjyqësor do të fillonte në fillim të janarit të këtij viti dhe, sipas tyre, është e paqartë pse duhet të shtyhet edhe më shumë, kur gjithçka është sqaruar me rastin e therjes për vdekje të djalit të tyre. Ismet Morina, babai i Viganit, i cili kishte migruar para më shumë 20 vjetëve në Zvicër, kërkon ballëhapur drejtësi për djalin e madh. «Unë ndoshta nuk do të kisha pasur të drejtë të kërkoj me ngulm drejtësi sikur po e kërkoj tani nëse djali im i ndjerë do të ishte marrë me drogë apo do të ishte me dosje kriminale», thotë në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch Ismet Morina.

“Pak jemi vonuar, ngase procesi gjyqësor kundër vrasësit të Viganit  është shumë i qartë dhe kur ka ndodhur rasti i kobshëm kanë qenë shtatë dëshmitarë brenda dhe jashtë diskotekës. Nëse po ndodh për shkak të gjendjes psikike të vrasësit apo është penduar, këto çështje i takojnë ekspertizës psikiatrike”, shprehet i mërzitur Ismeti. Kisha përshtypjen se do t’i shihja më të qetësuar prindërit e Viganit nëse do t’i takoja pasi do të merrte fund epilogu gjyqësor në rastin e djalit të tyre.

Vrasësi i ka qëlluar të dy djemtë, fati deshi që Visari të shpëtonte

“Si prind i djalit të vrarë me siguri kërkoj që vrasësi të marrë dënimin maksimal, ngase vrasja në tentativë ka ndodhur edhe mbi djalin tjetër, Visarin, i cili ka pasur fat, ngase është dërguar me kohë në spital dhe është intervenuar me kohë për t’ia ndalur gjakderdhjen e madhe”, thotë Morina. Ismeti, i cili kishte kryer 3 vjet të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, që e kishte ndërprerë kur kishte ikur për Zvicër, nuk ka dashur t’i përzihet gjyqësisë zvicerane, por thotë se ka të drejtë si prind të kërkojë që vrasësi të marrë dënimin maksimal, ndërsa avokati i viktimës, David Gibor, ka kërkuar burgim të përjetshëm.

Karakteristikat e veprës penale të kryer mbi Viganin, sipas prokurorit Michael Scherrer, janë në proporcion me dënimin 20 vjet burgim. Prindi i i Viganit, djaloshit i cili ishte viktimë e një vrasje të pakuptimtë, pos dhimbjes, po përjeton edhe zemërimin për faktin se dorasin nga Iraku e ndihmuan shqiptarët. “Shivanin  e ndihmuan edhe një shqiptar dhe një turk. Shivani vjen i përgatitur me thikë pas gjysmë ore. Shtrohet pyetja, prej nga i erdhi brisku vrasësit, kush e solli në vendin e kobshëm për t’ia marrë jetën djalit”, tregon i zemëruar babai i Viganit.

Policia kishte ndërhyrë dhe dy grupet e të rinjve ishin marrë vesh që mos bëhet ndonjë raport policor, por sipas prindërve, Vigani ishte tradhtuar dhe pas gjysmë ore ishte kthyer dorasi  për hakmarrje. Policia, sipas prindërve të Viganit, duhet të kishte informacione për dosjen kriminale të dorasit. “Do të kërkoj që edhe dy ndihmësit e therësit të marrin dënimin e merituar, ngase ata ishin përfshirë në krim”, thotë babai i Viganit.

Vigani do të bëhej oficer në ushtrinë zvicerane

Me qindra kartolina ngushëllimi kanë ardhur në adresë të familjes Morina. Por, fjalët e mira dhe ngushëllimet që i ka marrë familja nuk kanë qenë lehtësim për dhimbjen që po bart një e vit e gjysmë familja Morina. «Kishte kryer shërbimin ushtarak, pastaj ishte pranuar si nënoficer për të filluar shkollën ushtarake në Chur. Madje e mbante briskun si dhuratë nga ministri i Mbrojtjes, Ueli Maurer”,  tregon krenar babai i Viganit, Ismet Morina.

Babai ende e kujton pritjen që kishte përjetuar nga shokët e Viganit. “Sa kartolina ka pranuar për ngushëllime nuk e keni idenë. Këtë respekt e kishte fituar vetë Vigani, jo unë”, thotë ai.

Dy vëllezërit ishin shumë të afërt me Viganin. Ata janë këshilluar më shumë nga vëllai i madh, Vigani, sesa nga prindërit e tyre. “Ishte për lakmi kur tre djemtë ishin aq të dëgjueshëm me njëri-tjetrin”, harron për një çast mërzinë nëna e Viganit që vazhdimisht ishte e përlotur.

Ishte i  pashmangshëm zemërimi kundër familjes së dorasit që nuk kishte bërë përpjekje serioze për kërkim falje ndaj familjes Morina që kishte humbur më të dashurin e tyre. “Tani as që dua ta shoh. Këtë do ta dëshiroja vetëm kur të merret vendimi gjyqësor”, tha Morina. Vëllai i dorasit kishte provuar t’i kërkonte falje familjes së Viganit, por kjo e kishte zemëruar edhe më shumë familje Morina. «Një kartolinë me dy reshta nuk paraqet për mua kërkim falje. Ishte jo e dinjitetshme për familjen tonë. Nuk kam mundur fare ta lexoj. Nuk është mirë të iket nga faji“.

Nga dita e kobshme po bëhej shumë e rëndë të përkujtohet datëlindja e Viganit që ishte bërë edhe ditë e vdekjes së tij. Shokët e Viganit kanë organizuar që për ditëlindjen të shkojnë më 15 korrik në Kosovë, te varri i Viganit, që ishte varrosur në vendin e lindjes, në Topanicë të Kamenicës.

Visari i plagosur po i kthehet normalitetit

Ismet Morina ka cituar një shok të Viganit, i cili thotë se: “Ne mund ta harrojmë Viganin, por ai nuk po na harron dhe kujtimi për të gjithmonë mbetet me ne”. Visari ishte ai që më së shumti kishte përjetuar nga kjo tragjedi në familje. Visarit i është dashur kohë t`i rikthehet normalitetit, jo vetëm nga humbja e dhimbshme e vëllait, po edhe për shkak të plagëve që ka marrë nga therja që kishte pësuar atë natë. “Jam tejet i kënaqur me mirëkuptimin që ka treguar punëdhënësi i Visarit. Ai po merret me sport dhe i është kthyer normalitetit. Pasuria më e madhe për mua kanë qenë fëmijët e mi. Kuptojeni, nuk është e lehtë”, thotë i zhgënjyer Morina, duke porositur prindërit për kujdes maksimal të fëmijëve të tyre.

«Shoqëria e pastër, e mirë dhe me kulturë nuk sjell probleme“, porosit prindërit babai i Viganit. „Paramendo të jenë 7 deri 8 shokë dhe të ndodhë para syve të ta therin shokun për vdekje, kjo është tepër e rëndë“, thotë në fund Morina, duke porositur edhe një herë të rinjtë që festimet t’i bëjnë me familje. Vrasja e Viganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhembjeje edhe te shokët e tij.

Vrasja e ndodhur më 15 korrik 2012 pati bërë jehonë të madhe në qytetin e Cyrihut e më gjerë. Me atë rast ishte mbajtur edhe një marsh përkujtimor dhe protestues në vendin e krimit, ku kishin marrë pjesë qindra persona.

Procesi kundër therësit me thikë dhe ndihmësve të tij do të mbahet më 24 qershor. Janë të vogla shanset që Shivan të dënohet edhe me masën ndëshkuese të izolimit. Sipas ekspertizës psikiatrike, ai nuk paraqet rrezikshmëri të lartë për rrethin ose rrezik të përsëritjes së veprës (recidivizëm).

 

Filed Under: Featured Tagged With: shuhet endrra, vigan Morina

Përtej të qeshurës së një barcolete

February 13, 2014 by dgreca

In memoriam për Skënder Sallakun/

nga Andon Dede, New York/

 Çdo vdekje e një artisti të shquar është e hidhur. Me veprimtarinë e tij ai ka ndikuar në jetën tonë, na e ka pasuruar atë shpirtërisht. Aq më tepër kur është fjala për Skënder Sallakun që na ka bërë të qeshim në çdo situatë që të jemi ndodhur. Si zor të ketë njeri të brezit tim që të mos jetë shkrirë me humorin e tij, duke filluar që nga batutat më të thjeshta e barcoletat e deri tek filmat e komeditë. Në këto raste, si për çdo njeri të shquar, njerëzit dhe media, përgjithësisht, merren me atë që ai ka dhënë dhe nuk ndalen tek njeriu. Kjo është sa e drejtë aq edhe e përligjur. Por unë këtu do ta shkel këtë rregull, me që është fjala për një dimension tjetër të Skënderit, me që kam pasur rastin ta njoh nga afër, të kem qënë edhe në shtëpinë e tij. Dhe po e them që në fillim atë që thuhet zakonisht në fund: më ka lënë përshtypjet e një njeriu të mirë, që në komunikimin me ty harroje se po bisedoje më një nga artistët më të shquar të vendit tënd e të cilin e njihnin që nga Vërmoshi në Konispol. Për të mos u zgjatur, po hyj direkt në temë.

Atë kohë punoja në Televizion dhe me regjisorin Mevlan Shanaj donim të realizonim një rubrikë: ”Njohim të njohurit”, me artistët më të shquar të vendit, që jo për fajin tonë, nuk u realizua dot. Shkoj në Estradë dhe kërkoj Skënderin. Më thonë se nuk është atje dhe po bën stazhin e Partisë. Më erdhi për të qeshur, por nuk e bëra veten: as që  mund ta shkoja nëpër mend se Skënderi mund të kishte kërkuar të bëhej komunist, duke pasur parasysh tipin e tij, nga gjithë sa kisha parë e dëgjuar për të.

Shkova ta takoj atje ku po bënte stazhin, në një repart zdrukthtarie të një ndërmarrjeje tregëtare, në një qoshe rruge, diku karshi Muzeut të sotëm. Takohemi e pimë një kafe. I them qëllimin e vizitës dhe lëmë takim për më vonë në shtëpi të tij, tek rruga e Durrësit.

Skënderi qe vetëm në shtëpi. Pas mirëseardhjes, vuri xhezvenë e kafes dhe ndërkohë mbushi dy gota likeri, me sa mbaj mend. Edhe pse qe hera e parë që po komunikoja me të kështu shtruar, po ta kishim inçizuar atë bisedë, si zor se do ta besonte njeri se ne nuk ishim njohur prej kohësh. Kemi biseduar për orë të tëra me zemër të hapur, jo thjesht për punën për të cilën kisha shkuar por për tema nga më të ndryshmet, që nga familjaret, shoqëroret e deri tek politika e madhe, me një sinqeritet të habitshëm, duke e lënë në minoritet tematikën që më duhej për skenarin. Më tregoi për jetën e vet, për vështirësitë e punës në Cirk e në Estradë, për kushtet që gëzonin artistët si ai në vende të tjera dhe për hallet e përditëshme që duhet të përballonte, si të gjithë ne, duke filluar që nga radhët e qumështit e deri tek rritja e fëmijve. Ai qe i vetëdidjshëm për statusin që kishte dhe se si mund të kishte qënë jeta për të në ndonjë vend tjetër apo, pse jo, në një sistem tjetër, qoftë edhe të Lindjes. Konkretisht, ai pruri si shëmbull kllounin e Cirkut të Moskës, Arkadi Rajkin, i njohur në të gjithë botën. Filma me shfaqje cirku të tij kisha parë dhe unë. “Po a e di se sa shfaqje në vit bën Arkadi, tha Skënderi? Një apo dy. Pse? Po është gjithë ai Bashkim Sovjetik. Sikur vetëm në qytetet kryesore të shkojë e të japë shfaqje ai, nuk i del një vit i tërë. Po ne që duhet të përgatisim premierë gati për çdo muaj?”

Me këtë nuk po them ndonjë gjë të re, se kushdo e kupton që një artist i atyre përmasave, kudo që të ishte, do të kishte të paktën një vilë për të jetuar e jo atë apartament krejt të zakonshëm ku po bisedonim ne.

Erdhi fjala e barcoletave, nga “fondi i xhepit”, ndonëse ato merrnin dhenë shumë shpejt dhe hynin lirshëm në “xhepat” e kujtesës së shumicës së popullit. Duke përfituar nga rasti, desha të verifikoj “live”, disa histori që kisha dëgjuar për të, që nga sajimet e skenës e deri tek shfaqjet para të mëdhenjve, sidomos nga ato “me spec”, që po t’i kishte treguar ndonjë tjetër mund ta kishte pësuar keq. Ai e kuptoi se ku doja të dilja dhe më tregoi atë më tipiken e që flet shumë për mesazhin që doja të jepja përmes këtyre radhëve.

Po bënin një mbrëmje punonjësit e ministrisë së Brendëshme. Hanin e pinin për shtatë palë qejfe, se nuk iu mungonte asgjë. Ishte dhe vetë ministri, Kadri Hazbiu. Dikur, në një moment euforie, dikush tha pa të keq: “Ah, të kishim dhe Skënder Sallakun këtu sa mirë do të qe, do të shkriheshim fare…”. Kadriu e dëgjoi dhe ia ktheu: ”Kollaj fare, dërgojmë nja dy nga shokët tanë e ta marrin!’. Kini parasysh që ishte, në mos kishte kaluar, mesi i natës, por kush ia prishte atij. Pa e zgjatur, dy nga “kuadrot” e “armës së dashur të popullit”, siç e kishte quajtur shoku Enver Sigurimin, dalin, marrin një “Gaz” e drejt e tek shtëpia e Skënderit. Trokasin fort e pas pak dëgjojnë përgjigjen nga brenda:”Ju lutem, kush është?”. “Hape! Jemi nga ministria e Brendëshme!’ – i thanë ata. “Një minutë..” – iu tha Skënderi dhe e hapi derën. “Do vish me ne, se ashtu e kemi punën!” – i thanë ata prerë, duke zbatuar një skenar që e menduan gjatë rrugës. “Pse vetëm Skënderi të tallet me ne, pa të tallemi dhe ne njëherë me të!’ – kishte thënë njeri syeresh. “Nuk kam punë me ju!’-  iu tha Skënderi dhe u mbylli derën. Por ata, që nuk e prisnin një reagim të tillë, trokitën përsëri, edhe më fort. “Ore, si guxon ti të na mbyllësh derën? A e di se ç’të bëjmë?”, ulëritën ata, të cilëve nuk iu mungonte përvoja e bastisjeve të tilla në mesnatë.  Skënderi i pa në sy dhe përsëri dyshoi për një reng të mundshëm, ndaj ua mbylli prapë derën duke iu thënë të njëjtën gjë: ”Nuk kam punë me ministrinë e Brendëshme unë se s’kam bërë gjë!” Ata nuk u tërhoqën po vazhduan në të tyren: ”Do të vish me ne dhe mos e zgjat! Nuk kemi kohë të tepërt!” Toni i tyre tashmë qe serioz dhe Skënderi, dashje apo pa dashje, u tërhoq nga e tija. “Mirë, prisni të vishem..”.

U bë gati dhe nën shoqërimin e tyre dolën jashtë ku i priste “Gazi”. Skënderi në mes dhe ata të dy anash. Asnjë nuk fliste se të dy palët dyshonin, për mirë e për keq. Diku Skënderi dëgjon tingujt e një orkestre dhe për më tepër e kuptoi se aty afër po bëhej mbremje. Kjo i dha zemër e iu tha atyre duke qeshur: “ E mora vesh se përse më keni marrë. Me që është puna kështu, hajde ta luajmë pjesën deri në fund. Një nga ju të ecë para meje, unë në mes si i arrestuar dhe tjetri mbrapa! Dakord?” Ata pohuan me kokë. Tashmë u ndërruan rolet: ishte Skënderi që po i urdhëronte në rolin e regjizorit. Ata i thanë rojes që ta hapë derën me dy kanatet dhe ashtu bënë: hynë “triumfalisht” në sallë me që kishin kapur një “armik” të popullit. Salla shpërtheu në të qeshura si asnjëherë tjetër. Skënderin e thirri direkt Kadriu. Pas përshëndetjeve të rastit, e ftoi që të tregonte ndonjë gjë apo të luante ndonjë pjesë të vogël kur, nga drejtime të ndryshme të sallës, dëgjohen zëra: ”Nga ato të xhepit!”.  Skënderi akoma s’po fliste. “Hë, pra fillo, –  i tha Kadriu, si për t’i dhënë zëmër, – dhe mos ua prish këtyre!” Skënderi afroi gojën tek veshi i Kadriut dhe i tha me zë të ulët: “Dakord jam, por mos ka ndonjë të Sigurimit këtu…?” . “More, me kë tallesh ti, a e di se ç’të bëj?” – i tha Kadriu, por kuptohej që e kishte thjesht për humor. Dhe sado e çuditëshme të duket, ai tregoi atë barcoletën e famshme të mish-shitësit, që lexuesi si zor mos ta ketë dëgjuar. Megjithatë, po e tregoj shkurt: “Në kohën e Zogut tabela lart kishte emrin e shitësit, kurse brenda në dyqan qe mishi; sot në tabelë është “Mish” dhe brenda është mish-shitësi…”. Salla shpërtheu përsëri në të qeshura të forta. ”More, prapë ti me këto? Akoma s’po kupton se ku je e me kë je?” “Po vetë më thirrët e po vetë edhe m’i kërkuat nga këto, more shoku ministër, dhe unë s’ua prisha, siç më thatë ju…”. Qeshi edhe Kadriu, se s’kishte nga t’ia mbante.

Përpara se të bëj një koment të shkurtër, gjë që ishte dhe qëllimi i këtij shkrimi, dua të hap një parantezë të vogël. “Skënder, e pyeta, më thuaj të drejtën, kur të erdhën ata, vërtet që nuk pate frikë fare?’. “Dhe unë po ta them hapur, – më tha ai, – dy herët e para vërtet që nuk pata frikë e thashë me vete se po bëjnë numura, siç më pat ndodhur shumë herë të tjera. Por, kur ngulën këmbë për herë të tretë e ngritën zërin me kërcënim, të them të drejtën më hyri një çikë frika. Ku ka trimëri me ata…”.

Kjo qe e gjitha ajo që desha të tregoj. Tani të kalojmë caqet e ndodhisë apo dhe të vetë barcoletës, dhe të bëjmë një përsiatje të vogël, megjithëse lexuesi mund të ketë arritur dhe vetë në përfundimet që do të shpreh më poshtë.

Në vështrim të parë, duket një ngjarje e thjeshtë e me humor. Por, mendoj se nuk do të qemë të saktë po ta vlerësonim vetëm kështu dhe ja sepse. Prej kësaj ngjarjeje mund të nxirren shumë përfundime që tregojnë më bindshëm e më qartë se libra të tëra për atë sistem ku kemi jetuar ne për afro gjysmë shekulli. E para gjë që doja të thosha është se kjo tregon se udhëheqja e lartë e Partisë, ku bënte pjesë dhe Kadri Hazbiu, qe e vetëdijshme se si jetonte populli dhe se sa të kënaqur ishin ata prej tyre. E dyta, kjo tregon se sa armë e dashur për popullin ishte Sigurimi. E treta, tregon dyzimin e dyfytyrësinë e njerëzve të atij sistemi që nga njëra anë ishin të detyruar të vepronin si manekinë e të zbatonin çdo urdhër e, nga ana tjetër, dhe ata, si gjithë ne të tjerët, qenë të etur për një çikë humor, jashtë kornizave të shfaqjeve që kalonin në njëqind filtra. Kjo ngjarje tregon edhe diçka tjetër: po të mos qe Skënderi, një barcoletë-tregues i kësaj kategorie e kishte të sigurt burgun, për të thënë më të paktën. Pra, edhe e tmerrshmja “luftë e klasave”, zbatohej përmes një skenari ogurzi të menduar mirë që ua kishte nxirrë jetën kushedi sa njerëzve të pafajshëm.

Më pëlqen të tregoj edhe diçka tjetër, ndonëse kam drojen se mos u zgjata. Lidhur me hyrjen në Parti të Skënderit. Jo vetëm kaq, por ai u bë dhe sekretar i Partisë së Estradës, sado e çuditëshme të duket kjo. Bukur! Po tregoj tani një ndodhi që na e ka treguar aktori Xhevahir Zeneli.

Aktorët e Estradës, si qejflij që qenë, të gotës e të lojrave të ndaluara, kishin kohë që luanin bixhoz. Një ditë prej ditësh i  thërret operativi i zonës, tek i cili, me sa dukej, kishte spiunuar ndonjë nga ata të “armës së dashur”. I kërcënon se mund të kishin pasoja jo të mira etj.etj. Nëpër korridoret e Estradës pasuan ditë të zymta, sikur të kishte ndodhur ndonjë gjëmë e madhe. Nuk i thoshin shaka. Për bixhoz, gjetkë qenë dënuar edhe me burg. Këtë e vuri re dhe Skënderi dhe iu thotë: “Mor, ç’keni, se nuk ju shoh mirë?”, Ata ia thonë troç se si qe puna dhe Skënderi ua kthen: “Mos u bëni merak. Këtë punë e sqaron Partia. Ajo do t’ju ndihmojë të delni nga situata!” Nuk merrej vesh mirë a e kishte me gjithë mend apo bënte shaka si zakonisht, por fakt është se ai vërtet bisedoi me operativin duke e trajtuar çështjen si pa shumë rëndësi, me që kishim të bënim me artsitë, që nuk duhet t’ua vëmë re, se janë djema të mirë etj.etj.”. Operativi u tërhoq, beteja u fitua. A kishte burrë që ia prishte Skënderit?! Por ç’ndodhi? Ata qenë mësuar të luanin dhe tani, pa luajtur nuk ndjeheshin mirë. Skënderi prapë e vuri re këtë dhe iu kërkoi sqarime. “E di si është puna, i thanë ata, se ne Partisë nuk i fshehim gjë. Ne pa luajtur ndonjë dorë, sikur ndjehemi keq…”. E kuptova, – iu tha Skënderi. – Partia do t’ju ndihmojë përsëri: Na, merrni çelësin e Zyrës së Partisë dhe shkoni luani atje!”. A ka më bukur? Ky qe “komunisti” Skënder Sallaku! Nuk po zgjatem më!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Pertej te qeshures, se nje barcolete

Kapinova bën kauzë me historianin shovinist grek Nikolas Stavros

February 13, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

 Profesori i nderuar Vedat Shehu, shkencëtar, intelektual i shquar i kombit shqiptar, në artikullin me titull “Pyetje për Klajd Kapinovën”, të botur në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 12 shkurt 2014, ka bërë skanerin e qëndrimeve antikombëtare të Klajd Kapinovës, i cili ka disa ditë që nëpër faqet e internetit sulmon shoqatat shqiptaro-amerikane që protestuan kundër dekorimit të Janullatosit me titullin “Peace of Honor” nga presidenti i Fordham University në Nju Jork zoti Joseph M. McShane S.J. dhe sidomos dy intelektualët e nderuar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, zonjën Kozeta Zylo dhe zotin Dalan Luzaj, sulmon gazetën “Dielli” dhe “Iliria”, dy vatra të shqiptarizmës në diasporë, se pse nuk botuan shkrimin e tij në mbrojtje të Janullatosit, një shkrim që s’ishte gjë tjetër, veçse një paçavure antishqiptare.

       Me qëndrimin e tij në mbrojtje të hapur të Janullatosit, Kapinova rreshtohet përkrah historianit shovinist grek Nikolas Stavros, i cili, në librin e vet me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj”, ka deklaruar botërisht:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.

Kjo deklaratë e këtij historiani grek vërteton katërcipërisht se Janullatosi është Kali i Trojës për të vënë në jetë planet e Megaliidesë kriminale që zënë fill që prej vitit 1844. Prandaj Kapinova, duke marrë në mbrojtje Janullatosin, është vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit grekomadh, në shërbim të kishës shoviniste greke dhe të komisarit politik të shtetit shovinist grek në Tiranë, Janullatosit. Prandaj profesori i nderuar Rasim Bebo ka plotësisht të drejtë kur deklaron se Janullatosi është kancer në trupin e Shqipërisë. Prandaj profesori i nderuar Vedat Shehu ka plotësisht të drejtë kur deklaron se “Klajd Kapinova rekomandohet të dënohet si agjent sllavo-bizantin i Megaliidesë antishqiptare”.

Njerëz të kallëpit të tillë, tradhtarë të kombit shqiptar, të cilët janë shndërruar në sahanlëpirës dhe në vegla të verbra të të huajve, si puna e këtij Kapinovës që e ka katandisur veten në një copë dordoleci pa nder e pa dinjitet, me të cilin fshin këmbët Janullatosi dhe lobi antishqiptar grek në Amerikë, Gjergj Fishta i ka demaskuar pa mëshirë në veprat e tij poetike.

Lexuesit e nderuar atdhetarë që e kanë të shtrenjtë mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, le të lexojnë vargjet e mëposhtme të Gjergj Fishtës dhe aty do të zbulojnë Kapinovën e ditëve tona:

……………………………………….

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë…
A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’fryt m’e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s’don vendin,
A prej së tjerëve s’don me ia lshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota…
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M’visar t’Atdheut me t’huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun’ prej t’huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t’i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?… 

………………………………………………..

Ju rrugaça sallahana,

vagabonda shakllabana,

rricna t’ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë me ne,

do t’na qelbi fis e atdhè?

Me siguri që Kapinova është i bindur se, prej shërbimit që po i bën shovinizmit grekomadh, si tellall i kishës shoviniste greke dhe si puthador shembullor i Janullatosit dhe i lobit antishqiptar grek në Shtetet e Bashkuara, si njeri “detyrë e nder harrue”, atij  “do t’i vijë çuda”, siç thotë Fishta i Madh. Domosdo, se Kapinova nuk mund të veprojë dot ndryshe. Se, siç i mbyll me shumë të drejtë profesor Vedat Shehu 13 pyetjet e veta për Kapinovën, “zagari leh atje ku ha”. Më se e vërtetë.

Santa Barbara, Kaliforni

13 shkurt 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: ben kauze, Klajd Kapinova, me historianin shovinist, Nikolas Stavros

ROMANI “MATURA E PAHARRUAR”, NJË LIBËR I DËSHIRUAR NGA MATURANTET DHE ADOLESHNTËT

February 13, 2014 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku – shkrimtare/

Teksa shikoja djalin tim katërmbëdhjetëvjeçar të përqendruar mbi një libër, vura re se në fytyrën e tij ravijëzohej herë pas herë buzëqeshja, më pas një psherëtimë dhe përsëri buzëqeshje. Dukej sikur ai libër përmbante një pasqyrë reflektuese emocionesh në rreshtat e tij. U afrova të shikoja se ç’farë po lexonte. Ishte libri” MATURA E PAHARRUAR” e shkrimtarit Vullnet Mato. U bëra kureshtare dhe nisa të lexoj edhe unë, duke u ngjitur të fluturoj në kaltërsinë e qiellit të hershëm të maturës time. Fillova të dëgjoj zërat rinor si rrjedhë ujëvare që mblidhen në gjirin e shkollës. Libri me rrëmbeu dhe pas tim biri e çova leximin me një frymë deri në fund. Në faqet e tij konfirmova dhe një here se energjia dhe ëndrrat e kësaj moshe reflektojnë drejtë yjeve. Rinia e parë është si xhevahiret e bardha të agimit, ku këndojnë gjithmonë zogjtë e dëshirave… Ata e veshin vetveten dhe botën me mrekullinë moshës së tyre. Shpesh shkumësi është si një mjegull e bardhë që krijon fantazia në dërrasën e zezë… Mendimet e tyre të zhdërvjellëta rrëshqasin si zhivë në botën e adoleshencës. Të nxitur nga ndjesia, se të mësosh, të studiosh dijet e njerëzimit, është sfida e parë në jetë, ata duket sikur e kuptojnë që do vijë dita të marrin stafetën në dorë, do të ndahen në profesione të ndryshme dhe do të japin më të mirën për vendin e tyre. Aty vizionet e tyre shpalosen me largpamësi dhe mendja e tyre është tërësisht  e hapur për hapësirat e botës së madhe që i pret… Moshën e adoleshencës do ta krahasoja me çelësin e parë të ndjenjave që hap të fshehtat e kësaj botë. Maturantët na jepen në kapitujt e këtij libri, si të rinj kurdoherë të zgjuar që rreken të fitojnë të ardhmen me mendjemprehtësinë e tyre. Natyrisht nuk u mungojnë lojërat, çapkënllëqet e ndryshme, apo ngacmimet.

Një personazh mjaft i dashur, është ai i Biban bullafiqit, i cili shkakton të qeshura me vargje të rimuara që përmbajnë thumba për elementet negativë të jetës shkollore. Një karakter ku në majën e gjuhës së tij, gjendet përherë humori dhe mirësia. Një tip i dashur si për shokët dhe shoqet e tij, po ashtu edhe për mësuesit e mirë, që janë si llamba e bardhë ku digjet flaka për të ndriçuar udhën e shtigjeve të dijes. Shpesh shpalosen ngjarje se janë pikërisht këta mësues që zbulojnë talentet e nxënësve dhe i motivojnë arsyen e nxënies së diturive.

Mësues Oresti është mishërimi i të gjithë mësimdhënësve të talentuar, i cili kishte gjetur sekretin si mund të hyhet në zemrat e nxënësve për të zgjuar dëshirën e futjes në të fshehtat e lëndës së fizikës, njësoj sikur të zbuloje shtigjet drejt një universi të ri. Ai vepron si një arkitekt në formimin e mendimeve të nxënësve dhe këtë e bën duke derdhur së pari dashuri prindërore. Ndaj ai ishte bërë shumë i dashur për ta, deri edhe në besimin e sekreteve të tyre.

Si kometa të ftohta sillen përreth nxënësve edhe mësues pa takt, që shpeshherë krijojnë përplasje me nxënësit, siç është mësuesja fanatike Sofika. Një mësuese historie, e cila ofendimin e kishte në fjalorin e saj të përditshëm, pa menduar fare se nuk kishte fëmijë para saj, por njerëz të rritur tashmë, që përgatiten të ecin me këmbë në tokë. Në ballafaqimin që kërkuan nxënësit me të, ajo tërhiqet e mundur në taktin e saj pedant, duke mos pasur asnjë arsye serioze për të vijuar këtë natyrë sjelljeje në të ardhmen, sepse pendët e mendjemadhësisë i rrëzohen përtokë dhe e bëjnë të mendohet thellë. Një nga nxënësit, i thotë: “Mësuesi i lëndës së historisë është një derivat i dijeve, ndërsa ne jemi shuma e përgjithshme e gjitha derivateve. Truri ynë është si një hardisk madh me kapacitet disa qindra gigabajt… “Atëherë pse silleni si kalamaj, e jo si njerëz të pjekur?”, mundi t’u thotë ajo…”Sepse nuk jemi dyzetvjeçar, jemi tetëmbëdhjetë vjeçar, që bëjmë edhe lodra, çapkënllëqe, të cilat janë pjesë e moshës sonë…Vetëm atë çast, ajo e kupton sa “kalamaj” janë këta tetëmbëdhjetëvjeçarë, të cilët me logjikën e tyre e lanë pa fjalë. Me ardhjen e një grupi kontrolli nga drejtoria arsimore, mësuese Sofika transferohet në një shkollë nëntëvjeçare.

Megjithatë, pjesa e shëndoshe e kolektivit mësimor bën që nxënësit maturantë të pasurojnë dijet dhe të zhvillojnë gjerësisht intelektin e tyre. Pasionet e kësaj moshe jepen nga autori si hëna e argjendtë që plotësohet ngadalë dhe merr formën e plotë. Ndjenjat e para lulëzojnë si pranvera e hershme me gonxhe të vogla. Janë dridhmat e para që vijnë me erën e dashurisë, e çelin lule kudo, në emocionin e zërit,  në sytë, duart e në të gjithë shtatin e tyre. Kjo valë misterioze zbulon aromën e dashurisë mes nxënësve tashmë të rritur. Një nga kapitujt me të bukur është dashuria e Sokolit me Alketën. Ajo dashuri rritet nëpërmjet shpirtit të tyre mbushur plotë dritë .Nga fryma e njëri-tjetrit ata zbulojnë ndjenja të reja si zbulimi i kontinenteve të rinj të pasur me shumë thesare. Por megjithëse janë në një moshë ku pasionet u fluturojnë si era pranverore, kjo dashuri kontrollohet nga sistemi i vetëmbrojtjes së Alketës, për të mbetur e pastër si kristal. Ajo e dinte se trupi i saj ishte një masë mjalti, ku kishte burimin dashuria, por mendonte se jeta është e gjatë dhe i dashuri i saj ka kohë për ta shijuar.

Libri mbyllet me mbrëmjen e maturës…Ku të gjithë japin premtimin, se megjithëse rrugët e jetës do jenë të ndryshme, shoqëria e tyre e çimentuar gjatë viteve të shkollës nuk do të ndryshojë. Flatrat e zemrave të tyre rrihnin plotë shpresë për të nesërmen, duke përfytyruar një botë më të mirë dhe më të bukur. I gjithë ky sfond libri jep realisht marrëdhëniet ndërmjet nxënësve, dhe me mësuesit e tyre… Bota e tyre psikologjike e përshkuar nga autori ish mësues, nëpërmjet gjuhës individuale, të bën në çdo faqe libri të ndihesh maturant. Gjatë gjithë kohës që lexova këtë roman, isha ulur padashur në bankën e maturantit dhe mora pjesë në të gjitha dialogët dhe ëndrrat e tyre. Rezonanca që të përshkon në çaste të tilla, është ta ndjesh veten në këtë botë të bukur, nëpërmjet realizimit të projektorit të ëndrrave të dikurshme. Tepër elokuente është dhe kënaqësia që dhurohet nëpërmjet dialogjeve, të cilët identifikojnë tipat psikologjik dhe krijojnë përfytyrime personazhesh të gjalla nga pranvera e parë rinore. Për të ndjerë brenda shpirtit, dinamizmin e madh, që të përshkon nga fillimi deri në fund të librit.. Kuptohet, se për të arritur këtë nivel artistik në vepër, autori është bazuar edhe në përvojën e tij personale, në punën e mësimdhënies për shumë vjet. E kush më mirë se profesori dhe shkrimtari Vullnet Mato, do t’i njihte nga afër këta breza njerëzor, që hyjnë në arenën e jetës, të pajisur me dije dhe tejet të përgatitur me psikikën intelektuale, për t’u ndeshur me vështirësitë e saj, për të stiluar agimet e reja të kësaj bote. Ky roman është një pasqyrë vezulluese, që veç nxënësve, kushdo mund të shikojë aty vetveten në rininë e parë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Matura e paharruar, romani, Vjollca Tiku Pasku, vullnet Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4870
  • 4871
  • 4872
  • 4873
  • 4874
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT