• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË BEJLURÇINË E RE NË KORÇËN PLAKË

January 13, 2014 by dgreca

KRISTAQ  TURTULLI/

Kush janë këta njerëz të moshave të ndryshme që protestojnë përpara bashkisë së qytetit të Korçës, në këtë ditë të ftohtë fillim janari, të vitit 2014? Fytyrat e tyre nuk janë të egërsuara. Ato kanë një revoltim dhe indinjatë të heshtur, të trishtuar.

Janë qytetarët fisnikë, të familjeve më të vjetra të qytetit dhe nuk dinë të bëjnë ndryshe dhe kështu kanë qenë gjithmonë. Janë pjesëtarët e familjeve të shquara të qytetit të Korçës: të parët e tyre kanë luftuar për mbrojtjen dhe identitetin e qytetit, krijimin e shtetit të parë shqiptar dhe të kombit. Janë pjesëtarët e familjeve të mëdha;Turtulli, Fundo, Nuke. Mullixhiu, Llogori etj. Që kanë nxjerrë burra të shquar si Mihal Turtulli, Thoma Turtulli, Llazar Fundo. Janë 160 familje. Të çilët kanë qenë dhuruesit dinjiteti dhe krenaria i qytetit të tyre. Familjarët e tyre kanë pritur vite dhe vite me radhë devotshmëri dhe durim, më shumë se shtatëdhjetë vite të rimarrin pronat e tyre.

Po a do bejlurçina i ri i Korçës plakë, që sot na qenka kryetarkë i bashkisë?!

Prej këtyre familjeve të shquara që protestojnë përpara ndërtesës së ngurtë, u kanë ikur breza, në varfëri dhe mizërie pa provuar vërtetësinë  e rivendosjes në vend të pronës, drejtësinë e zbatuar me ligje të vërteta demokratike, prej qeverive demokratike. Bijtë dhe bijat e tyre kanë vuajtur në kullat e hirit për bukën e gojës së bashku me prindërit por njëherësh kanë shpresuar dhe shpresojnë në ligjet e reja dhe shteti i ri demokratik. Kur do të vijë kjo ditë e bekuar dhe tu njohë atyre më në fund të drejtën e pronës të mohuar në dekada dhe dekada.

Dikush nga punonjësit e bashkisë prapa hekurave të përdredhura të zyrës i pëshpërit shoqes në krah me indiferentizëm:

‘Me sa kam dëgjuar janë ish pronarët e vreshtave! Nuk e kuptoj  se çfarë kërkojnë këta pronarë të vjetër xhamën. Tani u kujtuan të protestojnë, pas njëzet e ca vjet demokraci!’

Ish pronarët! Pëshpërit dikush tjetër dhe mbledh buzët, akoma paska Shqipëria ish pronarë që protestojnë për ti njohur dhe mbrojtur pronat e tyre. Ku qenkan këta akoma. Pronarët e rinj ke qejf ti shikosh. S’u bën syri tërr. Të shëndetshëm, të sigurt, kokoroçë. Kaq të paduruar janë këta ish pronarë, që pas njëzet e kusur demokraci kujtohen të grumbullohen, e të protestojnë! Punë e madhe le të bëjnë siç kanë bërë. Kundër kujt protestojnë, kundër kryetarit të bashkisë. Po kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraqi, është i yni bre. Raqka ishte nënkryetar i bindur i partisë. Tani u ngrit një pozitë më lart. S’ka  as dy tre muaj që është zgjedhur në drejtim të Parizit të vogël.

Kryetarka i ri shoku Sotiraq Filo nuk ka trashëguar prona, dhe nuk di dhe nuk çan kryet ta dijë sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është kur të merret me përdhunë prona. Kur të mohohet prona. Për shkak të pronës, nëmesh, mallkohesh burgosesh, përndiqesh dhe persekutohesh me gjithë kuç dhe me maçkë për vite me radhë. I di shoku Sotiraq Filo këto?! E çfarë rëndësie ka për një kryetar të ri e shkuara, edhe në e di, edhe në se nuk e di. E thamë, ai nuk ka prona. Por kjo nuk do të thotë të mos bëhet me prona. Kush nuk ngjiti shkallët e pushtetit dhe nuk u pasurua në Shqipëri tonë, ku korrupsioni dhe padrejtësitë janë ulur këmbëkryq.

U përfol se shoku Sotiraqkë u zgjodh me vota të blera, në popullin fukara që ha bukë me listë. Me vota të vjedhura. Po janë fjalë vëlla, veç fjalë?! Edhe sikur të jetë e vërtetë. Punë e madhe, njëri do zgjidhej kryetar. Si nga socialistja, apo demokratikja. Të dy qenë Sotiraqë. Dy kanxherë në një derë. Blerjet dhe vjedhjet e votave janë bërë të modës tek ne.

Ish pronarët qëndrojnë të grumbulluar, përpara bashkisë, nën thëllimin e ftohtë të fillim janarit dhe kërkojnë të  drejtat e tyre, të shkojë më në fund haka tek i zoti. Por i zoti e shet dhe tallalli se jep. Pronat, vreshtat në kodrat e qytetit janë me tapi, të njohura dhe me gjyq dhe janë të futura brenda zonës së verdhë. Me një plan të rëndësishëm studimor, evropian. Ato janë si një ballkon i bukur i qytetit të Korçës dhe i gjithë fushës së saj.

Por me kryetarkën Raqkë nuk bëhet shaka, ai tani është  Ligji dhe Sotiraqi. Dhe nuk do të lëshojë pe. Pronarët e ligjshëm korçarë le ti shohin me dylbi tokat e tyre. Le ti ëndërrojnë, si ëndërr mos më prek, por jo ti gëzojnë.

Të gjithë shqiptarët kërkojnë të hyjnë në Evropë, me se me paterica me kryetarë bashkie, Sotiraqë. Sekretar partie, ish komunistë mafiozë. Kryetarë qeverie që vazhdimisht premtojnë, gënjejnë, nuk dinë dhe nuk duan të njohin se çfarë është e drejta e patjetërsueshme e pronës. Janë ndërruar në Korçë disa kryetarë bashkie, nga të dy forca politike. Të dyja partitë; socialistja dhe demokratja, paçka se shajnë dhe akuzojnë njëra tjetrën, janë si pendë qe. Një kryetar hyn dhe tjetri del, një Çilo dhe një Vangjel. Të gjithë janë munduar ti bëjnë bisht çështjes së drejtë të pronësisë. E kanë zvarritur, për të mos pasur kokëçarje. Por së paku nuk e kanë përbuzur, mohuar dhe përdorur gjithfarëlloj mashtrimesh dhe pabesish si ky bejlurçina Raqka ynë. I cili kërkon ti vërë kapakun qypit të çështjes së pronës dhe ta zërë grykën me brymë për njëherë e mirë

Mu kujtua vitet e para të  demokracisë. Secili nga ne ishim të mbushur me shpresë dhe besim për ditët e mira që paskësaj do të vinin. Dhe kishim të drejtë. Nuk na mbante më kurrizi. Na u përlotën sytë prej emocionit. Erdhi më në fund dita e bardhë e lirisë dhe besimit. E mbështetëm me të gjitha forcat e shpirtit.

Dy vëllezërit e mi i shkurtuan nga puna dhe me plot besim dhe shpresë shkova tek kryetari i komitetit i sapo emëruar nga partia demokratike, aso kohe ish (P. Ll) E njihja qysh në ditët e para të lëvizjes demokratike. Duke i paraqitur tapitë e dyqanit e të pronave të tjera, të fabrikës së kartonit, etj të babait, të cilat e kishte në zamër të pazarit. I thashë (P. Ll) të më ndihmonte, të më kompensonte diçka nga ish dyqani i babait. I cili nuk ekzistonte, përgjatë viteve ishte rrafshuar prej kohësh. Mbasi e kish zënë urbanistika rrugore e zhvillimit të qytetit dhe stacioni i ri i autobusëve.

Kryetari ngriti supet, dyqani i babait tënd nuk ekziston, më tha. Ti e di më mirë se unë që aty është bërë rrugë kryesore e qytetit, ç’të bëj, ku ta gjej, më thuaj ti. Fabrika e kartonit u prish me makineritë u shkatërruan. Më kompenso, i thashë, janë tre familje që duan të mbushin barkun me bukë, më jep një nga dyqanet që sot janë të shtetit, i  thashë. Pa, pa, pa, është punë që nuk bëhet. Vendos parlamenti dhe qeveria demokratike për to. Pastaj në konfidencë më pëshpëriti: E dëgjove se ç’thanë të dy motrat shitëse në vetëshërbimi? Do të presim me sëpata, do të shpiem gjakun deri në gju po të tentojnë të vijnë tu a marrin dyqanin. PD nuk është për haqe dhe hatërembjetje, por për drejtësi dhe zhvillim. Ne do krijojmë shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, së pronës, i thashë. Nuk është logjike, i thashë, shumë nga shitëset kanë zbritur nga fshati, janë të afërmit e partisë së punës, e të sigurimit të shtetit, kanë a s’kanë disa muaj që punojnë ne dyqanet e shtetit dhe të bëhen pronare në mallin në huaj. Dhe ne të mbetemi… Më beso mua, më tha(P. Ll), shteti i ri demokratik do ti rregullojë të gjitha sa më mirë, në Shqipëri tonë ka vend boll për të gjithë, të shpronësuarit dhe për pronarët e rinj.

Ika, në shkallët e komitetit takova një mik, kishim qenë së bashku qysh në ditët e parë të krijimit të PD dhe ja qava hallin, isha shumë i zhgënjyer. E ndjeja që diçka nuk shkonte. Ai nënqeshi me ironi dhe më tha. Beson me naivitet se do shkojë haka tek i zoti? Sigurisht, i thashë, përse të mos shkojë haka tek i zoti. Boll me padrejtësi, në radhë të parë demokracia është për ne, për ish të përndjekurit dhe ish pronarët. Në atë krah fli ti, në atë krah, nuk të le laroja të hajë baloja, më tha. Nuk e besova. Në programin e të gjitha partive të krijuara është shkruar me germa të mëdha kthimi i së drejtës së mohuar dhe i pronave pronarëve të ligjshëm. Mos je i dehur, i thashë. Dhe mund të jem i dehur, më tha. Mu duk gati i çmendur, për të mos thënë i lig.

Është përfolur se dikur, Gorbaçovi mbodhi si udhëheqësit e partive motra dhe u tha. Të bëjmë sikur lemë lëmë pushtetin politik dhe o burra të marrim pushtetin ekonomik dhe atë politik. Kjo e vërtetë është si drita e diellit.

Pronarët e ligjshëm, të përndjekurit dhe të persekutuarit mbetën për të gjitha gjërat në bisht. Ata me fisnikëri asnjëherë nuk kërkuan dhe kanë kërkuar gjak dhe hakmarrje, sepse janë qytetarë. Më thoni cili pushtetar i djeshëm, operativ, punonjës sigurimi, gardian i torturave u përndoq dhe u godit prej të përndjekurve, dhe të persekutuarve: Asnjë.

Ata ia lanë drejtësinë dhe hakmarrjen të madhit Zot. Por me sa duket zoti është i shurdhër. Ata përsëri me durim kanë pritur dhe presin që të vijë një ditë dhe shteti tu a njohë të drejtën e tyre.

Politikanët shqiptarë vazhdojnë me hipokrizinë e politikanëve të së kaluarës historike të shtetit shqiptar të cilët ndonëse ditën ulërijnë dhe brohorisin për Europën dhe vendet evropiane, natën numërojnë paratë e fituara nga kompromiset e pista në emër të shtetit shqiptar. Po kështu edhe sot ekziston një grup i madh politikanësh shqiptarë të rangut të lartë por edhe të mesëm apo të ulët të cilët janë pasuruar sistematikisht gjatë kohës ë tyre të drejtimit por që nuk u pëlqen integrimi në BE, ndonëse me fjalë e kërkojnë atë.

Ju lutem më thoni, cila nga familjet e vjetra Shqiptare ka marrë pronat të drejtat e mohuara dheishtë ngritur në vendin e merituar. Asnjë. Partitë dhe qeveritë i kanë lënë qëllimisht në bisht. Kanë alergji për të shkuarën, për të vërtetën, historinë. Më lindi menjëherë pyetja e rëndësishme: Përse nuk u pëlqen disa grupeve të politikanëve shqiptarë integrimi në BE?

Nuk u pëlqen  politikanëve të sotëm të forcave politike, sepse ata kanë ndryshuar ngjyrat e xhaketave dhe bij të një nëne. Sepse ka një grup politikanësh të cilët u ngritën  nga hiçi dhe tani janë të plotfuqishëm, biznesmenë të mëdhenj apo të mesëm dhe u pëlqen kjo mënyrë anarkike e të drejtuarit të shtetit shqiptar për këto 22 vite, sepse në këtë mënyrë kanë shmangur: taksat, kanë bërë evasion fiscal, kanë shkelur ligjet dhe i kanë shpëtuar me këtë rast edhe burgut.

Sotiraqi thotë se në fushatë u premtova qytetarëve që pronat e ish pronarëve në kodrat e qytetit ti bëjë kurorë të gjelbër. Pronat e kujt ua premtove qytetarëve të tyt eti apo tët gjyshi? Sepse duhet të premtosh për atë që ke vetë në zotërim dhe jo mallin e tjetër kujt.

Sipas tij, vreshtat në kodër, pronat e familjeve më të shquara të qytetit, janë mall me zot. Po Sotiraqi tani është zot, bejlurçinë e qytetit. Premton, thotë do ti bëj pronat e të tjerëve zonë të gjelbër dhe nesër nxjerr nga sirtari projektin e zhvillimit të qytetit të vitit 2010 të përgatitura dhe të propozuara nga disa firma  të huaja dhe ua jep nën dorë pronarëve të rinj. Si gjithnjë pronarët e vjetër do mbeten me gisht në gojë. Punë e madhe janë mësuar këta ti mbajnë gishtat në gojë…

Ai bërtet me djallëzi satanai: Ju si familje të mëdha, nuk doni që kodrat e qytetit të jenë të gjelbëruara. Ish pronarët e mbledhur përpara bashkisë i thanë kryetarit Sotiraqit, Ne e duam qytetit më shumë se ty o kryetarë. Dakord jemi, bëji pronat tona të gjelbëruara. Por meqenëse ke vendosur ti bësh zonë të gjelbër, atëherë blijini, na jep dhe ne të drejtën tonë, ose na i kompeso. Ai u thotë, bashkia nuk ka para tu a blejë, dhe vend për ti kompensuar. Ne kemi vendosur ti bëjmë zonë të gjelbër.

Ku po shkojmë në Evropë apo në mesjetën, inkuizicionin komunist, që jo vetën nuk përfillej e drejta e pronës, por digjej me zjarr dhe me hekur ai që kish pronë. A nuk jemi tashmë në një shtet demokratik, ku ‘A’ e parë e një shteti demokratik është respektimi i dhe ruajtja e pronës të mbrohet me ligj. Shteti po i mbron pronat, por pronat e pronarëve të rinj, bijtë dhe bijat e ish komunistëve dhe politikanëve të rinj me prejardhje komuniste. Përse duhet të jemi hipokritë. Prandaj shumë shqiptarë kanë ikur larg në kurbet dhe mendojnë vetëm ikjen, largimin prej mëmëdheut.

Pritën përmirësimin, vendosjen e së drejtës, një vit, një dekadë, dy dekada dhe Shqipëria ajo që ka qenë, në vend numëro: Njëri hyn dhe tjetri del, një Çilkë dhe një Vangjel….

Dhe punonjësit e bashkisë së bashku me kryetarkën e tyre Sotiraq Filo thonë me inat:

Ç’ dreqin duan këta ish pronarë që menduakan dhe kërkuakan pronat e tyre. Sa qesharake. Shqipëria është mbushur kudo me pronarë të rinj. Çfarë duan këta pronarë të vjetër, si të ardhur nga një kohë e largët. Nuk i mjafton Shqipërisë pronarët e rinj, pehlivanët e rinj, bosët e rinj, miliarderët e rinj.

Sa çudi, pronarët e vjetër si të ardhur nga relikat e humbura, u kujtuan të bëjnë rrëmujë, të protestojnë për disa dava prona. Por ata nuk bëjnë rrëmujë me fisnikëri si gjithmonë kërkojnë, por tani u ka ardhur thika në palcë.

Kjo është Shqipëria.

Mos harroni po të ishte vendosur e drejta e pronës e ligjit dhe e shtetit të së drejtës në vitet e para të proceseve demokratike, do të ishte shumë ndryshe Shqipëria, nuk do kish më vrasje dhe vit të mbrapshtë 1997.

‘Shakarat’ dhe paradokset shqiptare asnjëherë nuk kanë të sosur. Ndërkohë vitet ikin me vrap. Po bëhen afro njëzet e kusur vjet ‘demokraci. Një periudhë relativisht e gjatë për të parë dhe dëgjuar ndryshime cilësore për një komb që gjendet në kërthizë të Evropës,  por që shumë se jemi një dëshirave të kërkesave larg Evropës. Ne themi se jemi të plot vitalitet dhe forcë për të ndryshuar dhe përparuar. Ne themi se duam me gjithë shpirt të shkojnë në gjirin e Evropës  e se Evropa është shumë nazemadhe për të mos thënë egoiste ndaj nesh. Ne gjithnjë kemi qënë fare pranë,  në shkallinën e fundit për të pranuar të mirën. Bërtasim, por se nga gjendet një mistrec, një‘ters pojani’ dhe na i prish të gjitha planet.

Lëviz një karrige prej furtunat e pakënaqësive, marrëzive dhe vjedhjeve, dhe ikën pushtetari i një partie. Nisin fushatat elektorale, në emër të popullit, për të mirën e popullit, për të ardhmen e popullit. Me lugë bosh si hamalli Tataç, dikur, dhe ju premtojnë për dhuratë gjënë e të tjerëve. Më në fund lëvizi përsëri karriga erdhi në emër të popullit në pushtet një pushtetar tjetër. Pronarët e vërtetë si gjithnjë, me gisht në gojë.

Pra një hyn dhe një del:

Një Cilkë dhe një Vangjel…

Mjaft më. Tani ka ardhur koha të flasin ndërkombëtarët, komiteti evropian, institucionet e ndryshme botërore dhe gjyqi i Hagës.

Filed Under: Featured, Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, ne Korcen plake, Nje bejlurcine e re

Poezi nga Perparim Hysi

January 13, 2014 by dgreca

Hyre vonë në rrugën time/

Nga  Përparim  Hysi/

Ti hyre vonë në rrugën time/

Dhe kjo ndodhi fare rastësisht/
E kujtoj çastin, o mikja ime!/

Dhe, vërtet, që ndjehem liksht./

Tek meditoj, më del përpara

Si një film që më mbetë në kujtesë
Një “film” me  aq çaste të bardha

Shyqyr, që  ka “harresë?!!!”

Harresë e çastit,se, domosdo,

Ka çaste që zë e psherëtij
Psherëtij me zëmër,sa bëj “oh!”

Si “ftohur” të jem në ijë.

Se ndjej peshë fizike në zëmër

Se ndjej dhe mbytem mall
Gjithçka ndodhi nuk qe ëndërr
E përjetoj krejt si gjallë.

Më duket se diçka mbaj fshehur
E ruaj atë si, “tinëzisht”
Sa herë andej nga ju jam derdhur

Dhe, sërish, ndjehem liksht…

 

12 janar 2014

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, perparim Hysi, poezi

KARTOLINA E OBAMËS ME TEKST TË CUNGUAR

January 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në profilin zyrtar të KM Shqipërisë dje në Facebook ishte vendosur kartolina që Edi Rama kishte marrë nga Presidenti i SHBA Barack Obama. Kartolina e Presidentit Amerikan shoqërohej me diçiturën që presupozohej të shprehte me të drejtë kënaqësinë e Edi Ramës “Kartolina më e bukur e këtij janari erdhi e fundit”.
Meqë lidhej me urimin e Vitit të Ri, dhe meqë Edi Rama i jep shumë rëndësi imazhit, mund të ishte shkruar “Kartolina më e bukur e Vitit të Ri erdhi e fundit”. Por një gjë do të duhej ta bënte me patjetër Edi Rama. Sipas kurtuazisë së komunikimit të zyrtarit më të lartë të shtetit, që lidhet edhe me pretendimet për transparencë, kartolina do të duhej të ishte fotografuar e plotë, jo gjysmake si është fotografuar, sidomos teksti i kartolinës i shkruar me dorë nga Presidenti Amerikan, ku lexohet vetëm rreshti i fundit i saj dhe shihet firma e Presidentit Obama. Aq më tepër kur dihet se Edi Rama mban të paktën një fotografe profesioniste. Sepse në etikën dhe etiketën e kultures të të sjellurit, të kodit dhe normave konvencionale që duhet të përcjellë burri i shtetit nuk lejohen lapsuse të tilla,që kartolina të botohet me tekst gjysma-gjysma. Nuk e di Edi Rama këtë?!
Përpara disa kohësh në faqen e tij në Facebook ai shfaqej i fotografuar duke patur në sfond figurën e diktatorit Hoxha. Dhe, kur gazetarët e pyetën, e kaloi me romuze dhe mërmëritje. Pastaj, në fund, doli me pretendimin se nuk ishte ai që e vendosi foton e diktatorit në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut!
Facebook është një mjet i komunikimit masiv, ku përmes tij kryeministri jep mesazhe dhe kuron imazhin. Dhe është e papranushme të thotë se nuk e ka ai nën kontroll faqen zyrtare të KM. Aq më tepër, kur në këto 100 ditë ne kemi parë vetëm veprime që lidhen me kurimin e imazhit të institucionit.
Ka ardhur momentumi që Kryeministri i Shqipërisë të përballet me realitetin, ashtu siç është ai. Ai mund të kurojë muret, të heqë e të vendosë foto, të bëjë melanzhe ngjyrash, të bojatisë fasadat, por realitetin nuk e ndryshon dot me fjalë. Prandaj Edi Rama duhet të përballet me realitetin.
Natyrisht duhet të kurojë edhe me imazhin e tij. Dhe meqë thotë se është mjeshtër i asaj pune, e kam dëgjuar se kështu i ka thënë Blendi Fevziut tek Opinion, se është një PR i shkëlqyer, dhe mund të jetë, sepse gjatë kohës kur ishte zyrtar i lartë në qeverisjet pararendëse të PS, ai ishte autor i fjalimeve të kryeministrave.
Nëse është ashtu si thotë e përse e lë jashtë kontrollit kurimin e imazhit të tij. Si lejon të fotografohet duke patur në sfondin hije fotografinë e diktatorit, si lejon që këto foto të vendosen në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe si i lejon vetes të mos e ketë nën kontroll faqen e tij të Facebook-ut.
Nuk e di Edi Rama se ta botësh kartolinën e presidentit Obama të fotografuar në mënyrë të tillë, ku teksti është i përgjysmuar, do të thotë që të shkelësh etiketën e zyrtarit më të lartë të shtetit? Nuk i lejohet më Edi Ramës të thotë se „nuk e di“, e „nuk e vendosa unë në Facebook“ e më the të thashë. Edi Rama ka qenë PR i mirë për të tjerët. Por tani ai është KM. Dhe nuk mund të jetë edhe KM edhe PR. Prandaj pyes a ka PR Edi Rama?
Edi Ramës nuk i lejohet as ta shtrëmbërojë realitetin e të thotë se BE nuk na pranoi në dhjetor për shkak të esktremizmit të një segmenti të Hollandës, kur dihet shumë mirë se Hollanda tha tekstualisht në televizionet e Shqipërisë se nuk do të vendosë veton kundër Shqipërisë.
Mos do të thotë Edi Rama se edhe Gjermania, Franca dhe Anglia që sipas Samuel P. Huntingtonit përbëjnë « the core of Western democracy » – thelbin e demokracisë Perëndimore – simboli i të cilit është shteti i së drejtës – janë shprehje e segmentit ekstremist?! Natyrisht që Edi Rama nuk e pranon këtë. Atëherë le të thotë të vërtetën dhe e vërteta lidhet me realitetin që ekziston në Shqipëri, ku korrupsioni dhe sistemi i korruptuar i drejtësisë po i marrin frymën dhe shpirtin vendit. E deri më tani asnjëra palë e politikës në Shqipëri, as ajo që udhëhoqi për 8 vjet dhe as kjo që sapo mbushi 100 ditë nuk po tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të shpëtuar vendin nga katastrofa morale dhe sociale.
Edi Rama e di mirë se ata 1 milionë votues nuk votuan pro tij, por kundër korrupsionit, degradimit të shtetit të së drejtës, votuan kundër varfërisë dhe pasigurisë sociale të qeverisjes të pararendësit. Edi Rama nuk mund t’i bëjë replay qeverisjes të Sali Berishës, sepse këto 1 milion vota i kthehen automatikisht kundër tij pastaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, kartolina Rama, me tekst te cunguar

TAKIM I KOMUNITETIT SHQIPTAR ME SENATORIN CHRIS MURPHY DHE RICHARD BLUMENTHAL

January 13, 2014 by dgreca

Dy kryetarët e bashkive, zoti Neil M. O’Leary, dhe Dr. Ziadin Sela,  propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt

Nga Beqir SINA, Waterbury/ Connecticut/

WATERBURY – CONNECTICUT: Të shtunën në qytetin Waterbury të Connecticut, u zhvillua një takim me komunitetin shqiptarë dhe dy senatorëve amerikanë, përfaqësues këta të këtij shteti në Senatin e SHBA, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy. Takimi u mbajt nën kujdesin  komunitetit “Hasan Prishtina” në qëndrën islamike shqiptare të këtij qyteti.

Në këtë takim morën pjesë edhe majori i qytetit të Waterburyt, zoti Neil M. O’Leary, Matt Abdifar , i cili përfaqësoi Qarkun 5 në Connecticut -së, në zyrën e kongresistes Elizabeth Esty -së, ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu, ish kandidati shqiptare për në Kongresin Amerikan, Emin Eddie Egriu,  dhe mysafiri special nga Struga, kryetari i Komunës së këtij qyteti, zoti Ziadin Sela, si dhe shumë personalitete dhe veprimtarë të dalluar të këtij komunitetit.

Nikoqiri i këtij takimi Visar Tasimi , arkatari për AAMC – e cila është një nga organizatat e komunitetit shqiptar në Waterbury , udhëhoqi takimin si dhe dha një falenderim të veçantë për zëdhënsin Sean Scanlon nga zyra e senatorit Murphy, për koordinimin e këtij takimi me komunitetin shqiptar. Ai duke folur për rëndësin e këtij takimi, ka prezantuar fillimisht të gjithë mysafirët e nderuar.

Aktualisht, tha drejtuesi i këtij takimi, Senatori Chris Murphy shërben në Komitetin e Senatit të  Shëndetësisë, Arsimit, Punës, dhe Pensionet, Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë – ku ai është kryetar i nënkomitetit për çështje Europiane , dhe Komitetit të Përbashkët Ekonomik . Para, zgjedhjes së tij në Senatin amerikan , senatori Murphy, tha ai, shërbeu si kongresist i Qarkut 5 të Connecticut -së , e cila përfshin edhe qytetin tonë Waterbury, ku jetojnë mijëra shqiptarë , për tre mandate në Dhomën e Përfaqësuesve . Kurse, para se të shërbente në Kongresin Amerikan , Murphy, shërbeu për tetë vjet në Asamblenë e Përgjithshme të Connecticut.

“Por, unë tha Tasimi, do të shtoja se senatori Murphy, nuk i ka munguar në asnjë Festival Shqiptar këtu në Waterbury, komunitetit shqiptar, prej kur ato kan nisur 9 vjet më parë ! Tani, është nder për mua për të ftuar për ju senatorin Murphy, për të filluar diskutimin në këtë takim me komunitetin shqiptarë”.

Senatori Chris Murphy, nga Connecticut, Kryesues i Nënkomitetit për Çështje Evropiane në kuadër të Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, gjatë fjalës së tij, foli duke lavdëruar komunitetin shqiptarë në Waterbury, dhe shqiptarët e Amerikës, për rolin e tyre në dobi me mardhëniet e gjata mes SHBA dhe Shqipërisë, të cilat ai i cilësoi si të shkëlqyera, sidomos në këto dy dekadat e fundit, prej se kur Shqipëria doli nga sundimi i gjatë komunist.

“Nuk ka marrëdhënie më të fortë se këto mes Shqipërisë dhe SHBA, nëse ju i shikoni në kontekstin evropian midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë . Shqipëria, tha senatori Murhpy, ka qenë atje ku janë SHBA, në çdo hap të rrugës me Shtetet e Bashkuara në një nivel të konsiderueshëm të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe angazhimit ushtarakë amerikanë nëpër botë, për operacionet tona në Irak dhe Afganistan . Shqipëria ka qenë me Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë me Shqipërinë dhe ne do të vazhdojmë të jemi me Shqipërinë , sepse ka gjëra të rëndësishme që i lidhin shumë vendet tona.” u shpreh senatori Myrphy.

Më pas drejtuesi i këtij takimi të rëndësishëm, dhe i pari me dy senatorë amerikan, në komuntetin shqiptarë, prezantojë Senatorin demokrat Richard Blumenthal, i cili po shërben në termin e tij të parë si një senator i Shteteve të Bashkuara nga shteti i Connecticut . Senatori Blumenthal, tha Tasimi, ka shërbyer për 5 mandate ( 20 vjet) si Prokurori i Përgjithshëm Connecticut -së , një rast i paparë në historinë e kësaj prokurorie, dhe i njeh mjaft mirë shqiptarët në këtë shtetet.

Ndërkohë, në fjalën e tij senatori Blumenthal tha se “Edhe unë ashtu si kolegu im Murphy, më duhet të vë në pah lidhjen e gjërë që kemi mes SHBA dhe Shqipërisë, dhe kontributin tuaj si komunitet në forcimin e këtyre lidhjeve, konkretisht atë që keni bërë ju në Kenektiket dhe qytetin e Waterburyt, ku komuniteti shqiptar, tha ai jep një kontribut të çmuar, të cilin unë vlersojë lart ashtu si edhe të komuniteteve të tjera, që kan emigruara këtu në SHBA, duke punuar e kontribuar për Amerikën, që ky vend të jet shteti më i madh dhe fuqishëm i botës”.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, gjatë fjalës së tij foli për marrëdhëniet dhe lidhjet e shkëlqyera të SHBA dhe shqiptarëve, duke faleminderuar me këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej Presidentit Uillson, në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi, Presidentët Reagan dhe George H. Bush në demokratizmin e Shqipërisë, rrëzimin e komunizmit mbas 45 vjet sundimi të egër, Presidentin Klinton deh ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, George W. Bush në Lirinë, çlirimin, dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe administratën e Presidentit Obama në forcimin e këtyre lidhjeve.

Në fund të këtij takimi kryetari i Komunitetit “Hasan Prishtina” zoti Zymer Kaliçi, tha se : “Qëllimi i këtij takimi në Waterbury,  ishte të mbanim një bised të hapur me dy senatorët e këtij shteti, për të “rrahur”  shumë çështje që kan të bëjnë me komunitetin tonë, në shtetin e Kenektiket – Connecticut, dhe kuptohet që edhe të promovojmë ato lidhjet e mira të komunitetit shqiptarë, sidomos me këta dy senatorë të njohur amerikanë, të cilët janë miqt tanë “.

Ai nënvizojë se ky takim u realizua në bashkëpunim me majorin e qytetit tonë zotin Neil M. O’Leary, dhe u pritë me shumë kënaqësi nga dy senatorët amerikan që përfaqësojnë shtetin e Kenektiket në Senatin amerikan, për tu takuar dhe biseduar mes shqiptarët në Waterbury.

“Natyrishtë, që kjo ishte një kënaqësi e madhe e komunitetit “Hasan Prishtina” në qytetin Waterbury të Connecticut, dhe e të gjithë shqiptarëve në qytet, dhe qytetet e tjera të Kenektiket, të cilët faleminderuan me këtë rast dy senatorët dhe SHBA, për ndihmën e madhe që kan dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën, çështjen shqiptare në përgjethësi “, tha kreu i kësaj shoqate zoti Zymer Kaliçi.

Gjatë këtij takimi kryetari i Komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela, faleminderoi dy senatorët amerikanë përfaqësues të këtij shteti në Senatin e SHBA, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy për gjithëçka SHBA kanë bërë për shqiptarët.

Ndërsa, në takimin me Kryetarin e Waterburyt Neil O Leary, dhe kryetarin e Komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela, u diskutua në lidhje me mundësitë e intensifikimit të marrëdhënieve, mes Komunës së Strugës dhe qytetit të Waterburyt, sidomos ato në fushën e ekonomisë dhe të kulturës, ndërmjet këtij komuniteti i cili përbëhet më së shumti nga Struganët.

Komunitet ky, i cili shërben si pikë kontakti me autoritet vendore dhe përfaqësuesit të këtij shteti i cili ka dhjetëra mijëra shqiptarë që jetojnë në Kenektiket. Bashkëbiseduesit, duke shfrytëzuar këtë rast, vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në SHBA, si një komunitet i mirë-integruar në shoqërinë amerikane. Më tej, ata propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, CHRIS MURPHY DHE RICHARD BLUMENTHAL, komuniteti shqiptar, takohet me senatoret

PËRKUJTOHET ME NDERIM ABAZ KUPI NË NEW YORK

January 12, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Të shtunën me 11 Janar në  Kew Gardens, Queens, New York,  anëtarët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, familja Kupi dhe miqtë e saj, përfaqësues të  shoqatave të komunitetit, si çdo vit, përkujtuan ditëndarjen nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit. Veprimtaria përkujtimore nisi me një takim përkujtimor në një nga ndërtesat që ndodhet në  Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens. Salla për shërbime publike ishte e dekoruar me flamurin shqiptar dhe atë amerikan, portretin e heroit të 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi, i rrethuar nga kurora me lule shumëngjyrëshe.

Ndërsa pjesmarrësit takohen me njëri-tjetrin, pijnë kafe apo pije, më tërheq vëmendjen një voglëush, që ledhaton portretin e heroit. Ai është Abaz Kupi i ri,i  lindur në Nju Jork, i biri i djalit të Fatbardh Kupit. Kur i kërkoj vogëlushit që të qëndrojë për një fotografi aty pranë stërgjyshit hero, ai qëndron dhe pozon serioz, ndoshta pa e kuptuar ende se është para heroit antifashist, të cilit i trashëgon emrin. Veçse qëndrimi pranë portretit, përkëdhelja e tij, dhe vetëdija e vendosjes së luleve tek varri, janë shenja se gjyshi Bardhi dhe Gjyshja Liri, si dhe prindërit e tij, ia kanë spjeguar historinë e emrit që mbanë. Kësisoj përcillet historia tek brezat…

Takimin përkujtimor e ka hapur numri dy i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dega e Amerikës, z. Ahmet Hoti, i cili u ka uruar mirëseradhjen pjesmarrësve dhe ka falenderuar familjen Kupi. Ai ka ftuar të pranishmit që të përcjellin së bashku Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Hymnin Kombëtar Shqiptar.

Me një minut heshtje është nderuar heroi i 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi. Më pas z. Hoti ka prezantuar folësin e takimit përkujtimor, z. Isuf Kurti.

GJENERAL ABAZ KUPI E KREU ME NDER DETYRËN NDAJ ATDHEUT

Përfaqësuesi i brezitë të ri të legalistëve, z.Isuf  Kurti, evokoi jetën e heroit të 7 prillit 1939, duke u ndalur në momentet kyçe të jetës së tij. Është normale, tha ai, që çdo njeri që e don Atdheun dhe Kombin e vet, bën sakrifica në momentin që i kërkohet, pa pritur urdhër. Kështu dhe  Gjeneral Abaz Kupi e udhëhoqi sulmin kundër pabesisë fashiste në të premten e zezë të 7 prillit, i prirur nga shpirti dhe vetëdija Kombëtare. Si një ushtarak dhe besnik i Mbretit Zog, heroi u gjet në vendin e duhur dhe kohën e duhur.Ai dhe forcat e organizuara prej tij e zmbrapsën ushtrinë Italiane në det për dy herë rresht.

Jeta e Abaz Kupit dhe kontributi i tij lidhen me çaste kulmore të historisë së Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë, e deri në janar të vitit 1920, vendi kaloi çaste të vështira. Direkt pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së kontrollit mbi të gjithë territorin nga qeveria e dalë prej Kongresit historik,  për të parën herë në historinë e saj, Shqipëria njihet nga Lidhja e Kombeve. Folësi u ndal në konferencën e Paqes në Paris, ku dihet kontributi madhor i shqiptarëve të Amerikës, konkretisht i Vatrës, që gjeti mbështetje tek Presidenti i atëhershëm amerikan Wilson.

Të gjithë patriotët shqiptarë, duke përfshirë edhe Abaz Agën u angazhuan për t’i dalë zot atdheut në çastet e vështira. Viti 1924 u karakterizua nga një luftë e ashpër politike. Triumfi i Legalitetit i bindi, si Konicën e madh këtu në Amerikën e largët,edhe Abaz Kupin atje në Krujën e Skënderbeut, se ai djaloshi 25 vjeçar i Kongresit të Lushnjës,Ahmet Zogu, e kishte vendosë ta bënte Shqipërinë shtet, tha z. Kurti.

Kështu qeveria e Ahmet Zogut i dha mundësitë reale çdo shqiptari të punonte për Kombin. Abaz Kupi si një udhëheqës popullor dhe ushtarak i respektuar, diti t’i shërbejë Atdheut, si një nga bijtë më të mirë të tij.

Duke u ndalur në aktin më kulmor të jetës së Abaz Kupit, z. Kurti tha: Jehona e qëndresës shqiptare të 7 prillit e mahniti botën. Ai tregoi akte heroizmi në krye të forcave të organizuara nga ai vetë. Por ndeshja me ushtrinë e madhe  qe e pabarabartë. Abaz Kupi largohet përkohesisht nga vendi, familja internohet nga pushtuesit, dhe pasuria i konfiskohet. Kur vendi e kërkoi sërish, ai u kthye nga mërgimi dhe ia nisi luftës kundër pushtuesëve. Ai pranoi që të bashkohej me çdo shqiptar që e urrente fashizmin, pavarësisht nga pikpamjeve ideologjike. Në Pezë është ndër njerëzit kryesorë. Por shpejt do të dukej se komunistët kishin më për zemër sllavët se sa pjesët e Atdheut, siç ishte Kosova. Vjen Mukja e 2 Gushtit 1943 bashkë me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, kërkon Shqipërinë Etnike dhe çështjen e regjimit t’ia linin vullnetit të popullit. Por marrëveshja prishet nga influenca Jugosllave tek komunistët. Forcat e Abaz Kupit bashkë me nacionalistët matjanë e bajraqet e Lurës e Selitës kishin sulmuar garnizonin fashist të Burrelit vetëm dy ditë përpara Mukjes më 31 korrik. Pas prishjes me komunsitët organizon monarkistët dhe brenda dy muajësh krijon Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit. Shumë shpejt lufta kundër pushtuesëve do të kthehet në luftë civile nga komunistët e Abaz Kupi nuk e donte një gjë të tillë, tha z. Kurti në kumtesën e tij përkujtimore.

Vjen fundi i luftës dhe Abaz Aga, duke iu shmangur luftës vëllavrasëse, largohet nga Atdheu duke u bindur se pushtimi komunist po triumfonte. Iku me mendimin për t’u rikthyer sërish duke menduar se aleatët do e ndihmonin, Shqipërinë,  iku për t’i shërbyer vendit të tij duke sakrifikuar një pjesë të familjes. Bardhit, të birit, i  kërkoi besën që  të ishte zot shtëpie e Bardhi e mbajti fjalën; megjithëse komunistët e burgosën për bindjet antikomuniste, e internuan, por ai qëndroi i papërkulur.Familja Kupi u dënua nga të dy diktaturat, nga ajo fashiste dhe diktatura komuniste. Sapo largohet hidhet në veprim në mërgim. Mbreti Zog i përdori të gjitha mundësitë për organizimin dhe bashkimin e emigracionit antikomunist. Krijimi i Komitetit Shqipëria e Lirë nën drejtimin e Mithat Frashërit, ishte një shpresë për çlirim nga diktatura komuniste. Abaz Kupi si kryetar i OKL, dhe një nga drejtuesit e Komitetit Shqipëria e Lirë, përkrahur edhe nga shteti amerikan, nuk pushoi në përpjekje për të përkrahur popullin shqiptar. Jeta e tij ishte një luftë të cilën ia vlen ta kthesh në frymëzim Kombëtar për çdo shqiptar e për çdo kohë. Kanë kaluar thuajse 70 vjet që kur Abaz Kupi e la vendin e tij, që e deshi aq shumë dhe amaneti i tij mbetet aktual: “Shqipëria ka nevojë për ju, kurrë mos e mendoni se detyrimet ndaj vendit i keni shlyer.”

ABAZ KUPI IA ZBARDHI FAQEN SHQIPËRISË

Veprimtaria përkujtimore pati si moto përfundimin e përbashkët se :Abaz Kupi me aktin e tij trimëror në 7 prill ia zbardhi faqen Shqipërisë. Vende të fuqishme të Europës nuk arritën që të zbraznin një pushkë në pushtimet rrufe të nazi-fashizmit.

Zv/ kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati, ishte i pari nga përfaqësuesit e komunitetit që përshëndeti pjesmarrësit, organizatorët dhe familjen Kupi.Ai tha se Gjenerali Abaz Kupi është figurë qëndrore në historinë e Shqipërisë, veçanërisht gjatë luftës së dytë Botërore. Ai analizoi figurën e Abaz Kupit, si udhëheqës i luftës për liri. Bashkëpunimi i tij me nacionalistët e tjerë dhe Frontin, pjesmarrja në Konferencës së Pezës, tregon vizionin e tij të qartë kombëtar. Distancimi nga fronti pas Konferencës së Mukjes, e qartëson akoma më shumë vizionin e tij Kombëtar. Për z. Bushati, reputacioni ushtarak i Abaz Kupit duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesëve. Më pas ai trajtoi lidhjet e Abaz Kupit me Vatrën, të cilën vetë heroi e konsideronte –Vatër Kombëtare. Z. Bushati i ftojë legalistët e rinj, ashtu si të vjetrit t’i bashkëngjiten Vatrës, si një organizatë e sprovuar kombëtare, që ka më shumë se një shekull aktivitet e qëndresë kombëtare.

Më pas kanë shprehur opinionet dhe konsideratat e tyre rreth figures dhe kontributit të Abaz Kupit; Sali Bollati, përfaqësues i Shoqatës Çamëria, veprimtaret Merita Shkupi dhe Mimoza Dajçi, Adem Saliui si dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Në emër të familjes Kupi, përshëndeti nipi i Abaz Kupit, djali Fatbardh Kupit, Sokol Kupi, i cili falenderoi pjesmarrësit që patën mundësi të bëheshin pjesë e përkujtimit dhe nderimit të gjyshit të tij, Gjeneralit Abaz Kupi në këtë përvjetor të 38 të vdekjes.

 

GJANA: PËRKUJTIMI I ABAZ KUPIT MERR DIMENSION TË RI

Për këtë veprimtari përkujtimore, Kryetari i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit,  z. Sulejman Gjana, kishte dërguar një mesazh që u duartrokit nga pjesmarrësit. Ja teksti i mesazhit:

Inderuar  Kryetar i degës PLL në ShBA, z. Hakik Mena

E nderuar familja Kupi

Ndjej keqardhje të madhe që nuk mund të jemë sot i pranishëm në mesin tuaj në ceremoninë përkujtimore të 38-vjetorit të vdekjes së heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të patriozmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit. Njëherazi, ju falenderoj për ftesën tuaj, por angazhimet dhe axhenda jonë e ngarkuar në Tiranë në këtë fillim viti dhe pas Kuvendit tonë të XVIII nuk na lejuan që të jemi fizikisht në mesin tuaj, ndonëse zemra dhe mendimet tona janë gjithnjë pranë jush sidomos në këto moment që përkujtojmë humbjen e udhëheqësit historik të gjithë legalistëve dhe nacionalistëve shqiptar.

Tradita që ju keni ndjekë ndër vite duke organizuar një ceremoni tek varri i Gjeneral Abaz Kupit ju lartëson dhe është një shembull për të gjithë, aq më tepër në kushtet aktuale, kur në Shqipëri sundojnë ata që shtrembëruan historinë tonë Kombëtare. Planet e tyre të fundit për të përkujtuar sivjet 70 vjetorin e të ashtuquajturit çlirim të vendit dëshmojnë se qeveritarët aktual nuk janë shkëputur nga mentaliteti dhe praktikat sllavo-komuniste që shkaktuan një luftë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte për qëllim eliminimin e patriotëve shqiptar dhe që rezultoi në pushtimin e Shqipërisë nga diktatura më e egër dhe ideologjia komuniste.

Në këto kushte, përkujtimi i jetës dhe veprës së Gjeneral Abaz Kupit merr një dimension krejtsisht të veçantë e që na nderon pa masë, sepse u përket djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë dhe nderin e Shqiptarëve që të tregojnë të vërtetën historike dhe të  mbrojnë vlerat morale, politike dhe Kombëtare për të cilat dhanë jetën mijëra dhe mijëra Shqiptarë.

Nëse ne do të dimë të ndjekim shembullin e Gjeneral Abaz Kupit dhe të patriotëve të tjerë me në krye mbretin Zog, besoj se do të kemi bërë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurtë, të zhvilluar dhe të bashkuar,-atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.

I paharrueshëm qoftë kujtiumi i Tij!

HOMAZHET E PËRVITSHME NDEROJNË HEROIN E 7 PRILLIT

Ka 38 vjetë që në Varrezat në Kew Gardens në Queens, New York, legalistët, familja Kupi dhe komuniteti shqiptar në New York, organizojnë homazhe në kujtim  dhe në nderim të aktit burrëror të atij, që i zbardhi faqen Shqipërisë, Abaz Kupit.

Kështu ndodhi edhe këtë herë. Pas tubimit përkujtimor pjesmarrësit shkuan tek varri i heroit dhe zhvilluan homazhe. Abazi i

vogël mban një lule simbolike dhe e vendos tek mermeri, ku është gdhendur emri i stërgjyshit. Kështu dhe familja, dhe të afërmit, legalistët, miqtë.

Pak fjalë, i thotë për heroin, legalisti dhe vatrani i kahershwm, Ndrec Gjergji, një nga të paktët, që e kanë jetuar atë ditë të përcjelljes së Abaz Agës, 38 vite të shkuara.

Sokol Kupi, sërish i falenderon ata që patën mirësinë të bëjnë homazhe tek varri i Abaz Kupit dhe ndanë me familjen Kupi këtë ditë përkujtimore. Fotografitë pranë varrit i japin fund ceremonisë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Homazhe per Abaz Kupin, ne ditendarjen, ne New York, nga jeta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4949
  • 4950
  • 4951
  • 4952
  • 4953
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT