• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një nuse Kastriotase për Mbretin Zog

November 21, 2013 by dgreca

Nga YLLI POLOVINA*/

Politika italiane e kohës u përzje shumë me çështjen e martesës së Zogut, sepse qe njëra prej mënyrave  për ta vënë atë nën kontroll dhe mbajtur si vasal. Por, edhe ky i fundit nuk luajti pak me Kastriotët. Del se edhe këta të fundit nuk i qëndruan mënjanë një afrimi, herë të kujdesshëm dhe herë të zellshëm, me beun e fuqishëm të ardhur në Tiranë prej maleve veriore të krahinës së Matit. Në librin e tij “Valixhja diplomatike” Pietro Kuaroni, njeriu i Duçes, shkruan: “Si përherë Sola (Ugo Sola, shefi i kabinetit të Musolinit) kishte pasur një ide të shkëlqyer. Në Napoli jetonte markezi d’Auleta që zbriste nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi i madh kombëtar shqiptar. Markezi kishte vajza për të martuar: përse të mos e shtyje Zogun të martohej me këto pasardhëse të Skënderbeut dhe të realizonte kështu bashkimin e dinastisë së atëhershme me dinastinë e re? Natyrisht kjo zgjidhje, më e mira dhe më praktikja, nuk u pranua nga Roma. Përkundrazi, nuk e di mirë se nga cili ishte kristalizuar te ne ideja për ta martuar Zogun me një princeshë italiane me gjak mbretëror.
Arsyetimi i Romës ishte kompleks: Auleta e re, me t’u bërë mbretëreshë e Shqipërisë, kishte rrezik të bëhej më shqiptare se shqiptarët, gjë që do kishte qenë krejt ndryshe me një princeshë italiane”.
Ndërsa në rrethin e ngushtë të Benito Musolinit, shumë kohë para se të vendosej pushtimi ushtarak i Shqipërisë e të kryhej ceremonia e dhënies së kurorës së Skënderbeut Viktor Emanueles III dhe ndërkaq të projektohej zgjidhja e butë e fatit të Shqipërisë me lidhjen martesore italo-shqiptare Kastrioti-Ahmet Zogoll, qe zhvilluar edhe një ngjarje tjetër. E papohuar kurrë. Gjatë bisedës me Xhorxho Marian doli mbi ujë jo përpjekja e administratës musoliniane për ta mbajtur pas Romës të lidhur monarkun e Tiranës me martesën me një Kastriotase Auletë, por i administratës shqiptare me një bijë që rridhte nga degëzimi tjetër i tyre. Ky nuk qe bijëzimi nga Francesco (1779-1862), por e buruar prej vëllait të tij më të vogël, për pasojë jo ato çaste pasardhësi numër një i degës napolitane, Filippo (1783-1835).

Këtë herë bëhej fjalë për interes të vetë Mbretit Zog. Ferdinandi, i cili do të ndërronte jetë në 1978, në moshën 85-vjeçare, kolonel me titullin fisnikëror, baron i Kasteluços… kishte katër vajza, më e vogla e tyre quhej Matilde. Në pemën gjenealogjike e ka të shënuar fillimin e jetës së saj në 1902 dhe mbarimin e saj në 1984. Xhorxho (i cili e kishte hallë Matilden) tha se sipas kujtimeve të së ëmës, Ada Guerriero, e cila jeton në rezidencën e tyre në Napoli, ka pasur një përfaqësi të qeverisë së Tiranës, e cila ka marrë kontakt me familjen, posaçërisht me Matilden. E kishin pyetur në parim nëse do të qe e gatshme për një mundësi martese me Mbretin shqiptar dhe ajo, po ashtu në parim, pati pranuar…

Asgjë në të vërtetë nuk ndodhi më pas. Pra, nuk pati riardhje të zyrtarëve të lartë të kryeqytetit përtej detit apo të bëhej ndonjë lëvizje drejt variantit të Matilde-s, edhe nga ndërmjetësit italianë të Romës. Përveç ftesës dhe pjesëmarrjes së Kastriotëve të degës së Napolit, markezit të Auletës, Francescos dhe Matildës me të vëllanë, Ferdinandon, në dasmën e Ahmet Zogut në 27 prill 1938. Kjo prani është e vërtetuar nga dokumentet e kohës që ruhen në origjinal në Shqipëri, përfshi edhe letra mirënjohëse të tre Kastriotëve dërguar Zogut pas rikthimit në Itali.

*(Marre nga Libri I Ylli Polovines”Pasardhesit e Skenderbeut. Si u mbajten fshehur”

Filed Under: Featured Tagged With: Nuse kastriotase, per Mbretin Zog, Ylli Polovina

Flamuri ynë kombëtar,nga Kruja e Skënderbeut te Vlora e Pavarësisë

November 21, 2013 by dgreca

“Skënderbeu, kujt istoria s’i tregon ndonjë shok a shëmbëll në trimërit,në diturit të luftësë, në forcët si dhe në dijet,në mendim të drejtë, në njerëzi, në ëmbëlsit të zemrësë e në madhërit të shpirtit, Skënderbeu q’i ka dhënë edhe do t’i japë gjithë jetën nder Shqipërisë..” – (Sami Frashëri,1899) /

 Shkruan: Skënder Blakaj/*

 a.Pamja e kryeheroit tonë/

   Pothuaj të gjitha përshkrimet pamjen e jashtme të Gjergj Kastriotit e japin si diçka krejt të jashtëzakonshme.  Këtu do të mjaftohemi me një sintezë që bënë historiani gjerman J. Ph.Falmerajer : „Të flasësh për mjeshtërinë e tij në të gjitha artet luftarake dhe ushtrimet kalorësiake, për trimërinë e tij të natyrshme dhe për instinktin e luftës të këtij nxënësi të turqve, do të ishte po aq e tepërt, sa do të ishte e padobishme të lavdëroje forcën fizike, shtatin e lartë dhe simetrinë e mreku­llueshme të ndërtimit të trupit, mençurinë e natyrshme, vështrimin e shpejtë dhe pjekurinë e parakohshme, mendjemprehtësinë dhe vendosmërinë e më të madhit dhe më të famshmit nga të gji­thë shqiptarët. Sipas dëshmive të njëzëshme të atyre që kanë jetuar tok me të, Gjergj Kastrioti ishte një nga shfaqjet më të bukura të shekullit të tij. Që në moshën e djalërisë, çdo tipar i fytyrës, çdo lëvizje e tij tregonte birin e mbretit dhe burrin e bëmave që po piqej. Krahë më të bukur, thotë jetëshkruesi i tij, nuk ka parë kurrë askush te një njeri. Dhe, që krahët e Skënderbeut ia kalonin edhe në forcë të gjithë të tjerëve, këtë turqit e ndjenë shpejt dhe madje mjaft shpesh“.

Për dijetarin e madh gjerman, Falmerajerin (1790-1861), Fan Noli shkruan se “na dha historinë më të mirë shkruar ndonjëherë për Skënderbeun”( “he gave the bet story of Scanderbeg ever writen”), Eqrem Çabej thotë se ishte nga njohësit më të mirë të historisë së Bizantit dhe të popujve ballkanikë, i thelluar “veçanërisht në fatet historike të shqiptarëve”, kurse Aleks Buda për veprën e tij thekson se “mund të quhet e para histori e mirëfilltë tërësore e shqiptarëve “. I veçova këto mendime për te, mbasi brenda këtij shkrimi do të na duhet prapë ky dijetar gjerman. Vepra e tij u mbyll me 1861, kur vdiq. Duke hulumtuar për grekët dhe për Greqinë, aty i dolën shqiptarët aq me shumicë dhe faktor aq i rëndësishëm për rrjedhat historike evropiane deri në epokën e Skënderbeut, sa që nuk mund të mos thellohej në historinë e tyre të lavdishme, duke tërhequr mbi vete pezmin e grekëve. Për paradoks, vepra e tij “Elementi shqiptar në Greqi” na vjen shqip tek me 2003,pothuaj një shekull e gjysmë mbas botimit gjermanisht.

Duke radhitur emrat që përdor historiani i tij më i lavdishëm, Marin Barleci,në veprën që njihet shkurt si “Histori e Skënderbeut”, për kryeheroin tonë, për madhështinë dhe lavdinë e tij,duket sikur nuk i mjafton vetëm një emër. T’i shohim:  Gjergji, Kastrioti, Gjergj Kastrioti, Epiroti, Skënderbeu, Gjergj Skënderbeu, i Krishteri, Kapedani, Arbërori, Princi i Arbërit…Në një pjesë të madhe të librit të vet, M.Barleci edhe ushtarët e Kapedanit të madh i quan skënderbegasit. Që në hyrje të botimit gjermanisht të “Historisë së Skënderbeut”të Marin Barlecit, Frankfurt 1577, mbas shumë fjalëve madhëruese për protagonistin dhe autorin, botuesit nënvizojnë: “Skënderbeu, përshkrimi i vërtetë , origjinal dhe i shkurtër i të gjitha luftërave dhe bëmave kreshnike e të famshme… përshkruar së pari në gjuhën latine prej fort të diturit Marin Barlecit nga Shkodra e Epirit, njohës i mirë i gjithë historisë, pastaj përkthyer gjermanisht prej Johan Pinicianit, tani u pa rishtas, me zell të veçantë, u përmirësua dhe u botua për të mirën e mbarë kombit gjerman”. Botimi i parë i këtij përkthimi ka dalë me 1533 në Augsburgun e famshëm të Martin Luterit. Në Gjermaninë e shumë principatave dhe të grindjeve për reformat fetare, Skënderbeu ynë nuk hynte vetëm si simbol i bashkimit, por edhe si model i rezitencës kundër osmanëve të cilët po i rraseshin Vjenës dhe zemrës së Evropës. Këtu gati që nuk mund të kapërcehet së paku një fragment nga Rezoluta e Kongresit Amerikan, e vitit 2005, me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut: “Në nderim të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit, burrështetasit, diplomatit dhe gjeniut ushtarak, për rolin e tij për shpëtimin e Evropës Përendimore nga pushtimi otoman”. Dhe patjetër që trashëgimia e tij posaçërisht domethënëse është programi i tij për shqiptarët dhe gjithë ballkanasit-orientimi drejt perëndimit. Le ta mbyllim këtë pjesë të shkrimit me një fragment nga Ismail Kadare: “Sot, në shekullin 21, kur Shqipëria bashkë me fqinjët e saj të Ballkanit përendimor, bëhet gati për të hyrë në Evropë,programi i tij mbetet i vetmi për të gjithë. Ai është i vetmi prijës shqiptar që komandoi trupa të bashkuara shqiptare e evropiane kundër shtetit osman. Ndaj, më natyrshëm se kurrë rri sot shtatorja e tij në kryeqytetet Tiranë dhe Prishtinë,përbri shenjave shqiptare dhe evro-atlantike, që më mirë se atij s’i shkojnë askujt”.

b. Pamja dhe shtatlartësia  si pjesë e famës së Skënderbeut

Me pamjen fizike të Gjergj Kastriotit, dhe me shtatlartësinë e tij, pothuaj 550 vjet radhas janë marrë shumë autorë. Edhe Kristo Frashëri, te vepra „Skënder­beu“, e diskuton këtë çështje e, ndër të tjerë, edhe Musa Ahmeti te revista “Ekskluzi­ve”. Ndoshta nga inercioni i refuzimit komunist, ose që të quhen vetë zbulues të dokumenteve që ruhen në Venedik për këtë çështje, nuk përmendet fare At Zef Valentini.  Zef Valentini, te revista „Shejzat“, nr. 1-3, në vitin 1971, botoi shkrimin „Një dokument kurioz mbi shtatin e Skënderbeut“. Këtu e morëm nga libri „At Giuseppe Valentini”, Plejad, Tiranë, 2005. At Valentini aty shkruan: „Sot ne kemi arritur më në fund të shohim një dritë në tunelin e errët të një enigme si kjo (për shtatin e Skënderbeut – s.b.) falë një kërkese, që midis shumë të tjerave Gjergj Kastrioti i drejtonte Senatit të Venedikut, në datë 8 korrik 1457 (dokumenti gjendet në Regjistrin numër 6 dhe përmban 26 fletë) nëpërmjet të të dërguarit të tij, priftit apostolik Gjergj Pelini, abat i Shën Marisë së Ratacit, pranë Antivarit.

Sipas doku­mentit të mësipërm, Zef Valentini konkludon: “Skënderbeu duhet të ketë qenë me një shtat më tepër gjigantesk se sa të lartë“. […]

Prova e një dëshmie të tillë nuk mund të arrihet kurrsesi nga trupi i varrosur i heroit, përderisa ai u copëtua nga pushtuesit e Krujës, të cilët, siç dihet, kërkuan të merrnin secili nga një pjesë për ta pasur për hajmali“, shkruan ai.

Kërkesa që po e dokumentojmë është e dyta midis 9 kapitujve të dërgesës dhe është e formuluar përpikmërisht kështu: “Në lidhje me rrobat që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje, e aq jepmëni. Sidoqoftë, bëni çka t’i pëlqejë Zotërisë Suaj, në lidhje me rrobat që më duhen…”

Nga relacioni në fjalë dëshmohet se në atë kohë Venediku u dhuronte pri­­ncërve kryesorë shqiptarë, çdo vit nga 16 kra­hë rroba për dy palë veshje, d.m.th., 8 krahë rroba për veshje.

Gjithnjë sipas Z. Valentinit, kërkesës së Skënderbeut Senati i përgjigjet: „Responsio. Et si capitulum sit clarum et aperte loquatur, inclinati tamen ad ea que sibi grate sint, ordinabimus quod sibi denture brachia 18 scarlatini secundum consuetudines pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur.“

Le të bëjmë tash një llogari të vogël, thotë Valentini: përderisa 1 krah venedikas ishte 0,58 m, 9 krahë bëjnë 7.12 m., për një veshje të bukur e të gjerë e të gjatë deri te këmbët, për të qenë sa më dinjitoze. Përpjestueshmërisht, kur për një lartësi 1.75 m nevojiten 8 krahë rroba, lartësia së cilës i nevojiten 9 krahë është 1.98 m.

Në fund Z. Valentini thekson: “…është për të ardhur keq që nga 40 veshje që Skënderbeut duhet t’i jenë dhuruar, për një periudhë prej rreth 20 vjet relacionesh, pak a shumë të mira me Venedikun, nuk ka mundur të mbetet asgjë, ndaj s’na mbetet veçse ta imagjinojmë një të tillë.“

Le të shtojmë-ta imagjinojmë edhe heroin tonë që i ka veshur ato, në momentet solemne, në Krujën që ishte bërë qendër e rezistencës evropiane kundër vërshimit otoman. Të gjithë i kishin sytë aty. Mbas fitoreve të mëdha të Kastriotit, nga Evropa vinin në Krujë si në pelegrinazh. Ose i bashkoheshin ushtrisë së Skënderbeut si vullnetarë. Në ushtrinë e Gjergj Kastriotit kishte luftëtarë nga shumë vende të Evropës.

Dhe ja prapë gjermani i madh J.F.Falmerajer: “Pal Engjëlli, kardinal dhe kryepeshkop i Durrësit  dhe legat i Papës në Shqipërinë katolike, ka qenë, në kuptimin e plotë të fjalës, këshilltar i fshehtë dhe sekretar shteti i Skënderbeut. Ai ka ndjekur shpesh Shtabin e Përgjithshëm, ka udhëhequr politikën e jashtme dhe ka hartuar të gjitha shkrimet diplomatike, që i qenë dërguar Portës së Lartë të padishahut, si dhe oborreve të krishterimit perëndimor nga Porta e Lartë e Krujës.”

c. Udhëtimi i simboleve të Skënderbeut  nga Kruja te Vlora e Pavarësisë

Simbolet e Skënderbeut dhe të shtetit të tij ishin në vulën e madhe, në vulën e vogël personale dhe flamuri me shqiponjë të zezë dykrerëshe në fushë të kuqe. Sipas Kasem Biçokut, vula e madhe zyrtare ka qenë në formë rrethore, me diametër 41 mm dhe perimetër afërsisht 125mm. Në qendër ajo e kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash, vula e kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIUS CASTRIOTUS SCENDARBIG. Në krye të rrethit vula kishte shenjën e diellit, një yll me tetë cepa ose rreze, që ndanin fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIUS CASTRIOTUS SCENDARBIG. Shenja e diellit, ylli me tetë cepa, ka qenë simbol shtetëror i Aleksandërit të Madh. Skënderbej është emri osman për Aleksandrin e Madh. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj ishin inicialet D’AL, që d.m.th., Dominus Albaniae, Kryezot i Shqipërisë.

*(Te plote mund ta lexoni ne Gazeten Dielli, botim special me rastin e 101 Vjetorit)

* Shkrimi u pergatit nga autori enkas per DIELLIN me kerkese te Editorit/

Filed Under: Histori Tagged With: Flamuri yne Kombetar, nga Skenderbeu tek Vlora, Skender Blaka

101 VJETORI I PAVARËSISË,PO E GJEN SHQIPËRINË PRAPË TË NDARË

November 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf  B.Bajrami/

Për nderin tonë të madh dhe për fatin tonë të mirë,nuk u bë rastësisht kaq i madh e kaq i lavdishëm siç na ishte gjithmonë, por edhe siç na vjen tash në 101 vjetorin e Shtetit Shqiptar! Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 i dha fund sundimit shumë shekullor duke shënuar një kthesë rrënjësore në fatet e Shqipërisë.

Populli shqiptar,i dha grushtin e fundit ushtarako-politik Perandorisë Otomane, duke i kurorëzuar ëndrrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij.

Shqipëria u shpall sovrane,e pavarur jo vetëm ndaj zgjedhës otomane por edhe ndaj çdo zgjedhe e zinxhirëve të rinj që farkoheshin në kurthet e fqinjëve.

Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte thjesht vepër e një grushti patriotësh që ngritën flamurin në Vlorë.

Ata sigurisht e kanë vendin e tyre të nderuar në histori. Por ata dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës sanksionuan juridikisht me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit atë që kishin përgatitur gjatë dhjetëra e dhjetëra vjetëve,me luftë,vuajtje e sakrifica masat e gjera popullore në të gjitha trevat shqiptare. Në themelin e pavarësisë kishte vënë gurë e gjithë shqiptaria.

Pavarësinë e lidhin organikisht me Rilindjen jo vetëm protagonistët,por edhe mendimi e veprimi patriotik i tyre e në mënyrë të veçantë i masave popullore që panë te akti i 28 Nëntorit shpërblimin për gjakun e derdhur,për vuajtjet e sakrificat e bëra për të arritur atë ditë të madhe. Prandaj pavarësia dhe Rilindja jonë janë një dhe e pandarë.

Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. Ismail Qemajli dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar. Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre, duke masakruar e shpërngulur nga tokat amtare qindra e mijëra shqiptarë. “Zgjidhje” të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme dhe e vendeve fqinje,u imponuan,nga “interesat e borgjezisë” dhe interesat”dinastike”të monarkive ballkanase, si edhe nga borgjezia reaksionare e Evropës që “nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare”,midis popujve.

Vetë Kuvendi i Vlorës,që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori, kishte një karakter mbarëshqiptar, shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t’u bashkuar në një shtet të vetëm kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze e greke,i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik, në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej shqiptarëve. Këtë vendosmëri shqiptarët e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës, por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo, ushtrive serbo-malazeze,të cilat u dyndën në trojet shqiptare. Këto nuk ishin beteja thjesht lokale, për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës historike,por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar ose,siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912,për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë, për t’i parë trojet shqiptare të bashkuara.

Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar më 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë,jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen,por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas.

E drejta e të jetuarit në liri është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi, Maqedoni e Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.

Ky agresion që ushtrohet ndaj shqiptarëve në Serbi,Mal të Zi,Maqedoni dhe Greqi është në të njëjtën kohë edhe një agresion ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas “shkëputjes” së saj nga ish Jugosllavia titiste, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe të vetë interesave të tyre. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë këtyre shteteve si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Ballkan, siç është populli shqiptar.

Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirisë së qytetarëve të tyre. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar. Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t’i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.

E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë “demokratike” dhe e civilizuar qëndron indiferente ndaj fatit të popullit tonë, ku shkelen këto të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Shihet gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të ardhmes së popullit tonë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga Sanxhaku e Toplica, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes, Bujanocit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, e deri në Çamëri. Kur vriten, ndiqen dhe torturohen me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tokat e tyre.

Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e “qytetëruar”, e gjendur përpara një fakti të kryer, do të mban një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e saj do të del sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se “ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve”.

Ç’bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua e po qëllohet me armë?

Me qëndrimin e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të drejtën legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.

Është koha që shqiptarët t’i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat.

Qeveritarët serbë,maqedonë,malazezë e grekë me të gjitha mënyrat përpiqen t’i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta.

Gjakderdhja, terrori i egër i ushtruar ndaj studentëve shqiptarë,të dijes dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.

Sikurse politika e pushtetmbajtësve t’i përmbahej porosive dhe mësimeve të cilat na qojnë drejt paqes dhe kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave, sikurse pushtetarët t’i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar dhe në mënyrë demokratike të pranonin që t’u njohin shtetasve shqiptar barazinë sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore në tokat e tyre, kjo do të ishte ajo politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këto vende ballkanike. Kjo do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Malit të Zi , Serbisë ,Maqedonisë dhe Greqisë. Me barazi të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që bashkëjetojnë .

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë asgjë më tepër, ata duan të trajtohen të barabartë.

Në qoftë se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të kërkojnë t’i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të ndaheshin. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të pushtuesve të tokave shqiptare Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

Do të ishte mirë që qeveritarët të nxirrnin përfundime pozitive nga qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i malazezëve,serbëve, maqedonasve e grekëve që u njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit. Në barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të Ballkanit. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të jenë më të mëdha me përmasa katastrofale.

Një komb, një shtet është një devizë që dëgjohet gjithandej nëpër shqiptarë, nga të gjitha trojet etnike. Si e tillë , ajo ka si filozofi bazë bashkimin e shqiptarëve kudo që janë pa fyer ndokënd e aq më tepër pa kërcënuar njeri, por duke zbatuar në vetvete një mentalitet evropian si është pikë së pari integrimi mes veti dhe më vonë me popullsitë e tjera në rajon.

Në këtë 101 vjetor të pavarësisë,në fakt gjithandej nëpër trojet shqiptare po diskutohet shumë për bashkim kombëtar, për figura të rëndësishme historike që kanë kontribuar për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve në rajon për t`u integruar më mirë mes tyre.

Si rezultat edhe pse e copëtuar , Shqipëria nuk humbi në detin e hordhive të vendeve fqinjë por u bë shtet më vete duke krijuar premisat që të shërbente si një vend i shenjtë për gjithë shqiptarët në rajon. Mësimi nga kjo e vërtetë politike duhet të mbizotërojë në dialogun e sotëm mes partive dhe udhëheqësve politikë kur deklarohen dhe vendosin të veprojnë bashkë për të festuar 101 vjetorin e Pavarësisë. Të gjithë ata burra të urtë që nënshkruan aktin e pavarësisë, me siguri janë sakrifikuar aq shumë për pasardhësit e tyre. Mesazhi im për qytetarët e të gjithë Shqipërisë është: Në vend të ndarjeve kërkoni te njëri-tjetri dhe kultivoni te fëmijët tuaj bashkimin dhe dashurinë për jetën e përbashkët. Sepse,ndarja na izolon dhe na mban peng për të ardhmen , ndërsa dashuria për njëri-tjetrin na nderon, bashkon dhe sjell ditë më të mira, ndaj ajo duhet vlerësuar dhe ruajtur si një nga nevojat dhe vlerat tona më të mëdha.

Le t`i bëjmë të ndihen mirë qoftë dhe njëherë në festën e tyre, duke qenë të bashkuar në festime si dikur në Kuvendin e madh Kombëtar në Vlorë më 28 nëntor 1912.

 

Vendi i Lekës 21.12.1913

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 101 Vjetori i Pavaresise, Isuf Bajrami, Shqiperia e dnare

Analistët amerikanë mbi vendimin e Shqipërisë për armët kimike

November 21, 2013 by dgreca

Nga Keida Kostreci/

 Pas vorbullës së ngjarjeve të javës së kaluar që u mbyll me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Por më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë ndërkombëtar. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi, dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër.

Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë, nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit. Megjithatë, thotë Kurt Volker, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit McCain, kjo ishte një mundësi për Shqipërinë…
“…Për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, thotë zoti Volker. 
Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshilllin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur
“Është një shans i humbur sepse një vend si Shqipëria nuk e ka çdo ditë rastin që të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhenie, duhet të kontribuosh më shumë”, thotë ai
Megjithatë zoti Brzezinski, nuk mendon se vendimi i Shqipërisë do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe.
“Ne e vlerësojmë se sa pro-amerikan është ky vend. Ne i vlerësojmë kontributet e Shqipërisë në operacionet e NATO-s në gjithë botën. Pra, aspekti i sigurisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm. Bashkëpunimi ekonomik mund të zhvillohet edhe më tej”.
Zoti Volker thotë se nuk e sheh aspak si çarje në marrëdhëniet dypalëshe këtë ngjarje:
“Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Çështja është se ç’të bëjmë me këto armë kimike. Ne të gjithë shpresonim që Shqipëria të ishte në një pozicion të tillë që ndihmonte me këtë problem dhe nëse nuk e bën dot, kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënien mes dy vendeve”.
Zoti Volker thotë se Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm.
“Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndërmerrnin disa hapa për të mbështetur Shqipërinë në procesin e menaxhimit dhe shkatërrimit të këtyre armëve, përfshirë një element financiar, një përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë me çështje të tjera spastrimesh lëndësh të mbetura nga periudha e komunizmit”, thotë zoti Volker.
Për zotin Brzezinski, djalli është gjithmonë tek detajet.
“Por po të vija vetem në pozitën e Tiranës, unë mund të kisha thënë: Ne jemi të prirur ta bëjmë një gjë të tillë, por do ta bënim me kushtin që të kemi siguri se këto materiale do të menaxhohen në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik, që të ketë masa të fuqishme dhe të shprehura qartë sigurie dhe së dyti do të ishim të interesuar që të dinim: nëse ne e bëjmë këtë për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, çfarë tjetër mund të bëhet për të thelluar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?”
Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington.
Kjo për arsyen se siç e tregoi edhe intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve është përparësi për administratën e Presidentit Obama.
“Qeveria amerikane kishte shpresa të forta se Shqipëria do të pranonte të ofronte burimet dhe territorin për shkatërrimin e këtyre armëve. Pra jemi në situatën kur procesit, strategjisë për eliminimin e këtyre armëve u mungon një element shumë specifik dhe konkret: ku dhe si do të shkatërrohen ato. Pra pa dyshim që ky është një hap mbrapa në procesin për shkatërrimin e armëve kimike”, thotë zoti Brzezinski.
]Duke u nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit, zoti  Volker nënvizon se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar.
]“Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur – në këtë rast eliminimin e armëve kimike – atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”.
Por ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe ish-zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes, e shikojnë ndryshe ndikimin e reagimit të fortë të publikut dhe mënyrën sesi duhej të ishte menaxhuar ai.
Për zotin Volker, fakti që kryeministri Edi Rama nuk foli më parë me publikun për këtë çështje mund të ketë të bëjë me faktin se jo që në fillim ishte e sigurt se Shqipërisë do t’i kërkohej ky bashkëpunim dhe diskutimi u bë më urgjent pasi disa vende të tjera refuzuan.
“Gjithmonë mund të kesh ide të ndryshme për mënyrën më të mirë për ta menaxhuar një çështje, por kur ke një situatë delikate dhe dëgjon reagimet e publikut që të bëjnë të mendosh se një alternativë e tillë nuk do të ishte shumë popullore, të duhet të përcaktosh si politikan se cili është vendimi i drejtë”.
Ai thotë se i takonte qeverisë, kryeministrit të përcaktonte se çfarë mendonte ai që Shqipëria do të arrinte dhe se çfarë do të mbështeste. Po ashtu ai mendon se edhe qeveria amerikane duhet të kishte qenë më e kujdesshme.
“Duke u nisur nga përvoja ime në Departamentin e Shtetit mund të them se nuk mund të imponosh një çështje që nuk është gati për zgjidhje…”, tha zoti Volker.
Duke folur për palën amerikane, ai thotë se nëse Shtetet e Bashkuara e dinin se kjo çështje do të ishte e vështirë për kryeministrin apo qeverinë e tij, atëherë “nuk do të ishte mirë që ai të gjendej në një pozicion që e bënte të pamundur që ai të thoshte ‘po’”.
“Pra mënyra më e mirë do të ishte që të punohej me kryeministrin për të diskutuar se cilat do të ishin çështjet shqetësuese, a do të kishte mënyra të tjera për të dhënë një mbështetje politike për të ndihmuar me këtë çështje, ose nga ana tjetër nëse duket se kjo nuk do të funksionojë, le të mos ta kthejmë në humbje, të mos ta kthejmë në diçka negative dhe të shohim për zgjidhje të tjera”.
Për zotin Brzezinki problemi qëndron diku tjetër.
“Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë. Provë për këtë është reagimi aq i ashpër dhe kundërshtimi i publikut”.
Ai thotë se pati një tendencë mes disa shqiptarëve që të ekzagjeronin rrezikun dhe ata me të drejtë shtruan pyetje për procesin.
“Çdo vend e menaxhon procesin demokratik ndryshe. Ajo që mund të analizohet është sesi ia shpjegoi qeveria publikut se çfarë ishte propozuar dhe hapat që do të merrte për të bërë të mundur pranimin e marrëveshjes. Nuk e di se sa informacion i dha qeveria popullit të Shqipërisë për alternativat e menaxhimit të shkatërrimit të këtyre armëve në territorin shqiptar”.
Dhe megjithëse ai e pranon se një Kryeministër duhet t’i përgjigjet kërkesave të publikut…
“Nga tjetër ai duhet edhe ta udhëheqë dhe ta influencojë opinionin publik”.
Të dy ekspertët thonë se gjithmonë ekziston një rrezik nga menaxhimi i armëve dhe lëndëve kimike, por zoti Brzezinski sqaron se eiliminimi i tyre është bërë në shumë raste më parë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët duhet ta kishin dëgjuar një gjë të tillë.
Zoti Volker dhe zoti Brzezinski e hedhin poshtë perceptimin se Shqipërisë mund t’i ishte kërkuar ky bashkëpunim pasi Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për shqiptarët historikisht, apo sepse është vend i dobët. Zoti Volker thotë se arsyeja ka të bëjë më shumë me faktin që Shqipëria është një vend aleat, kishte mundësinë e ekzekutimit dhe një qeveri me vullnetin e mirë, ndërsa zoti Brzezinki thotë se duhet parë ana pozitive e vlerësimit të Shqipërisë si partner dhe se nga ana gjeopolitike, pozita e vendit do të ishte forcuar.
Por me gjithë debatin që shkaktoi kjo çështje në Shqipëri, për Uashingtonin pyetja se ku do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë, vazhdon të jetë pa përgjigje dhe këtu janë përqendruar përpjekjet e tyre.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: analistet amerikan, armet kimike, shqiperia

NJË TAKIM EMOCIONUES DHE I PAHARRUAR…

November 21, 2013 by dgreca

Nga Përparim  Hysi/

Ne Foto: Pas takimit…Nga e djathta (poshtë): F.Memeli, K.Zavalani, L.Lazaj, M.Gecaj e F.Maçi; (lart): G.Pici, P.Hysi, E.Memeli, V.Mato e F.Shainllari (Tiranë, 20 nëntor 2013)

1.

Më ra zilja e celularit. Një zë i njohur. Fliste miku im, Fuat  Memeli.

– A ke mall të takosh, një mik të largët?

– Jo, jo!,- iu përgjigja pyetjes së tij pak shpotitëse. Pastaj shtova: “I kam bërë lanet ata, që kanë mërguar në moshë të vonë?!” Kuptohet që kjo qe një shpoti dhe aq. Lamë dhe vendin e takimit. Është bërë pak simbolik ky lokal dhe,mes nesh, e quajmë: “Te klubi i Babushit”. Për ta bërë dhe pak  të njohur, pra “Babushi” nuk është kush tjetër, veç prof.Murat Gecaj, publicist e studiues, ky mik kaq altruist dhe i kudondodhur. Ky, Babushi, nuk është pronar i një klubi, por është si “zbulues” i këtij lokali të vogël, pak si i fshehur nga sytë e botës, por në qendër të kryeqytetit Tiranë. I vogël, i vogël, por te ky klub (Klubi i Babushit, që vështirë do ta gjenin edhe sigurimsat e dikurshëm) gjen mishërimin e vet ajo fjala popullore: “Ferra e vogël, fsheh lepur të madh”. Ndërsa vetë Babushi e ka pagëzuar me shkronjat e para të çiftit gjirokastrit, që shërbejnë aty, pra “2-D”.

Dhe, kështu ndodhi, me të vërtetë. Si në  atë poemën e  Kadaresë: “… një nga  një ata vinin” dhe vazhdon, ” në xhep një kartë…”. Po këta, “ilegalët” që vinin te “Klubi i Babushit”, nuk ishin të tillë. E përbashkëta e  tyre: Të gjithë janë krijues dhe, e dyta, të ftuar të Fuat Memelit, që më shpejt po kthehet në Boston të Amerikës, se sa ka ardhur prej andej. Për t’i rënë shkurt: Ky qe një takim malli, ndërmjet kolegësh e  miqësh.

 

2.

Për të shuar paksa kërshërinë e lexuesëve, le t’i bëjmë të njohur pjesëmarrësit e këtij takimi. Ja, me radhë: Profesor Murat Gecaj, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja); poeti dhe prozatori i veçantë, Vullnet Mato; poetja elbasanase, me origjinë nga Dardha, e mrekullueshmja Lida Lazaj; “ambasadorja shetitëse” (cilësimi është bërë nga unë), Kozeta Zavalani;  piktorja dhe poetja Flutura Maçi; “Lisi mbi shkëmb” (përsëri  cilësimi është i imi, sipas titullit të një libri të tij), i miri nga Floqi, Fiqri Shahinallari. Në takim,  i ftuar  i veçantë i Fuatit dhe shok femijërie i Fiqos, ishte një korçar tjetër, shumë i gjindshëm, ish-tekniku i avionëve, Guri Pici (të më fali, në kam gabuar në  të dhënat e tij) dhe ajo “qershiza mbi tortë”, motra e Fuatit (në mos gaboj, quhet Enverie). Pra, takimi ynë, ishte si një “tubim” krijuesish, siç e quajti Babushi. Dhe, nuk kishte se si bëhej ndryshe, një takim kaq festiv.

“Dollibashi” i gjithë këtij takimi kaq emocionues, pa dyshim, ishte Fuat Memeli. Por secili nga ne, krijuesit, zumë e “demonstronim” në fushat tona. Vullnet   Matoja  tregonte “fijet”, që e lidhnin me Korçën. Paska marr nusen andej dhe nuk i thonë shaka: “Është nga “fshati i gruas”. E kish marrë gruan kaurkë dhe, për pak, i kish shpëtuar një “dajaku” të mirë.

Këtu, për “kaurkat”, nuk lëshova pe unë,se një të tillë e kam rrëmbyer  dhjetë vjet më parë se Vullneti dhe  e hodha në “tuç” këtë fterriotin që,veçanërisht, të çmënd jo vetëm në ato, që shkruan, por me ato fotografitë, që përciell nëpër blogjet internetike. Babushi, që emrin e ka mysliman dhe është katolik,tutje nga Nikaj-Mërturi i Tropojës, tregon për “odisenë ” e tij  me  Katerinën e dhëndërrin e tij nga Lozhani i Korçës. Dardharja nga Elbasani, Lida Lazaj, zuri e recitoi një poezi aq të ndjerë; Kozetë “ambasadorja” na çoi  që nga Evropa, në Azi dhe edne më tej, në Marok të Afrikës. Ku ta kishe mëndjen? Në Kore të  Jugut apo në Iran… Në Korenë e Jugut, ku ajo kishte ngrënë një gjellë me kushedi ç’kish brenda? Në Iran (kërcen prifti nga belaja) për të mbuluar disi gjoksin pak të hapur, ishte detyruar ta mbulonte me një shall, jo nga “sevdaja”, po nga “belaja”; kish Çeçua biçak. Më emocionues u bë Kozeta kur tregoi,se mbas një gostie “alla myslimane” (myslimanët e kanë të ngarkuar kuzhinën) qe e detyruar që të hante ( nga matozori, sigurisht) të  “famshmin byrek të mbretit”. “E hëngra,- tregonte, duke qeshur,- dhe tërë natës nuk mbylla sy: qeshë gati t’i hidhsha dikujt në kokë!”“E po, mbreti do të dëfrehet,- ndërhyra unë,- dhe i paça fatin atij, që do të rrëfehej diku, në Marok.

Fiqua i mirë (Fiqri Shahinllari) jepte e merrte, sa në “sulm” dhe aq në “mbrojtje”, se ajo dreq shtëpi botuese “Vllamasi”, i kishte dalë nga fjala dhe nuk po i nxirrte librin e tretë, “Dhëmbi”. Se dy i  “kaparosi” Fiqua. Mysafirja krejt e  “panjohur”, piktorja dhe poetja Flutura  Maçi, as që hapte gojë. Nuk fliste, por ama dora i punonte: Sa hap e mbyll sytë, ma kishte “zografitur” Fiqkën prej Floqi.  Aq mirë e kishte goditur, sa unë plasa nga zilia. “Shënomë dhe mua!”,- brëtita. Dhe  Flutura, si flutura ( të cilës Babushi i përmendi me dashamirësi vargun, “Flutur, flutur, zonjë e bukur”!), zuri dhe bënte portretin tim. “Aha,- tha,- je i pakapshë!”. “Pse, ç’kujton,- i përgjigjem,- se mos jam “dele”, si Fiqua? Jam ekspresiv,- vazhdova,- dhe nuk ke se si e  realizon”. Megjithatë, ia putha duarët e bukura, asaj zonje aq të mirë e të respektuar dhe atë portret nuk e këmbej me asnjë fotografi. Sot mbrodha Tiranën për t’i gjetur një kornizë. Do ta vë mbi tavolinë, si një shenjë e kujtim, që nuk kam për ta harruar.

 

3.

Fuati është, sa  agronom, aq fotograf, por dhe kineast. Sa poet, aq dhe muzikant. Me aparatin e tij ne fiksuam sa e sa poza. Mjedisi u bë ikandeshente kur, po Fuati, rrëmbeu fiizarmonikën dhe klubi u kthye në Korçën e viteve të dikurshme. Serenatat korçare, të kënduara “en bloc”, arritën kulmin e tyre, me zërin alto të motrës së Fuatit (ardhur posaçërisht nga shtëpia). Ajo, duke rrëmbyer ndonjë oktav mbi zërat tanë, u bë “qershiza mbi tortë”. Mandej unë, “filorusi” (mua më doli nami, se  Babushi atje ka studiuar) i këngëve ruse të kohës sonë, si “Mbrëmjet e Moskës” dhe të tjera, e çova mjedisin në ato kohët tona të dikurshme. Kënga bullgare,  “Jorgjicë,Jorgjicë” ( korçarët e quajnë si të tyren, se aq popullore është) e ngrohu më shumë mjedisin tonë gazmor, sa erdhën dhe nga tavolinat e tjera. U afrua, duke na përshëndetur,  një person,pak si sarhosh e gaztor, që në rrethet letrare paraqitet me “Guri i Naimit”. Ky qe “kripa me karar”, në mjedisin tonë aq festive. E, ndërsa ne “bluanim misër e hanim grurë”, dora e artë e piktores Flutuara Maçi, sakaq,  e bëri portretin e motrës së Fuatit. Pastaj edhe të Babushit.

Duke na tërhequr vëmendjen të gjithëve, Guri, ky mysafiri i veçantë, tregoi një ndodhi me policë të dehur:

– Pinin tre policë, bre. Pinin sidozot ne, këtu. Pinë e pinë edhe kur përballë kishin pasqyrën, që tregonte seç po bënin.

– Ore,- tha njëri,- pa shikoni qenkan dhe tre andej matanë, që pinë. Janë police, si ne. A ngrihemi dhe vemi e t’i takojmë?

– Vemi,- ia kthyen një gojësh.

U ngritën të tre në këmbë dhe, sakaq, shohin se dhe ata “tre matanë” u çuan. Epo  tek u ngritën dhe “ata”, lëre, le të vinë këtu!…

Natyrisht, nuk kishe si e mbaje të qeshurit. Guri qe, gati më i shkurtëri, por  më “shiku”, kur dëftente. Për ta ëmbëlsuar ose thyer (pati shumë pauza me batua të kripura), Kozeta na recitoi një poezi të Vasil Tabakut. Sa e mbaroi atë, i mbrriti dhe poezia ime, “Takim me Shën Pjetrin”. Mjedisi u bë  dhe më i ngrohtë. Askush nuk donte të largohej.  Dhe në gjithë këtë ngjarjet kaq të bukur, çasti më prekës qe ndarja. Fuati dhe pas tij, Fiqua, do rimarrin rrugën për në Amerikë. Kishte dhimbje në fytyrat e tyre. Se të dy ikin nga halli. Duket sikur kjo dhimbje na u induktua  secilit ngapak. Te femrat pati dhe lotë. Lotë malli, për miq aq të mire, si Fuat Memeli dhe Fiqri Shahinllari. Fotografitë, që u bënë nga Babushi, Fuati, Kozeta ose ndonjë tjetër, që e fiksuan këtë takim, sa spontan aq dhe të bukur, e bëjnë edhe më emcionues krejt takimin tonë.

 

Tiranë, 21 nëntor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: emocionues, nje takim, perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5060
  • 5061
  • 5062
  • 5063
  • 5064
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT