• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Motra e Mitrovicës

November 5, 2013 by dgreca

Tregim nga Lek Gjoka/

Zhurma në Disko- Klub “Ujvara” e përzier me tym duhani dhe me dritat e shumëngjyrshe, që ngatërronin njëra- tjetrën, e bënte disi më egnimatik ambjentin. Bekimi mori një dopio uiski dhe zuri një cep të barit. Përjashta kishte filluar një shi i imët.

 – Dreqi ta marrë edhe këtë kohë, – foli me vehte nëpër dhëmbë, – na kalbi ky shi gjithë javën. Një si mjegullnajë iu duk sikur i kaloi para syve. Mbylli sytë, vuri dorën në ballë dhe para i dolën kujtimet e Mitrovicës …

Sapo kishin kaluar Kukësin me një makinë me targa fallso dhe po i afroheshin kufirit të Kosovës. Ishte mesi i natës. Megjithëse gusht, një i ftohtë i lehtë vinte nga bjeshkët e Shqipërisë.

 – Oh zot! – pëshpëriti Bekimi si me vehte, – kur do të mbarojë kjo luftë me shkjaun, se më ka marrë malli të kthehem në shtëpinë time, në Mitrovicë, sikur…

– The gjë! – dëgjoi zërin e shokut edhe ai ushtar i UÇK-së.

– Jo jo, thjeshtë po mendoj familjen se i kam …

– Ku i ke në Maqedoni apo Shqipëri?

 – Nuk di asgjë më tepër. Shpresoj se janë larguar nga Kosova se ndryshe shkjau mund ti vrasë! – O tu thaftë goja, si thua ashtu!?

 – Mendja më shkon… a e pe dje në televizor kur ishim në Tiranë për të blerë armët?

– Po pashë gjithë ato krime mbi civilët por edhe ne do të luftojmë e do i vrasin shkjatë e do ta çlirojmë Kosovën

. – Sigurisht që do të fitojmë sepse… – Po bëjmë luftë për liri e flamur! – e ndërpreu në çast! – Luftë çlirimtare po bëjmë por kurrë nuk do ta fitojmë këtë luftë pa mbështjen e plotë të Amerikës dhe Nato- s.

 Disa krisma armësh jo shumë larg prej tyre ia ndërprenë bisedën e ata u shtrinë barkas në pozicion luftimi…

Dikush e tundoi fort nga supet duke ia ndërprerë mendimet në mes: – O Bekim  Mitrovica! – dëgjoi një zë të fortë pas shpine. Si i lodhur u kthye mbrapa e dalloi kokën tullace të Sefës.

 – Po ti këtu? Kur paske ardhur në Florida.

– Kam ca muaj. – S’të kam parë që atë natë kur hymë në Kosovë nga Kukësi. Çfarë kemi ndonjë gjë të re andej? Familja a të shpëtoi?

– Në përgjithësi jo shumë keq. Një vëlla ma vrau shkjau. Atë natë që ramë në pritë sa hymë në Kosovë u plagosa keq por shpëtova. Shtëpinë në Prizren ma dogjën të tërën. Po nga ana jote si i gjete?

– Keq Sefë, ma keq nuk ka. Familjen ma vranë krejt. Nënën, babën, hallën dhe motrën Besartën ajo që ma ka këputur fare jetën. Shpesh herë pi aq shumë dhe sa e kujtoj nga dhimbja bëhem gadi të vras vehten.

 – A, ke luajtë mendsh? Gjithkush ka jetën e vet.

 – Por jemi njerëz jo kafshë.

– Sigurisht njerëz jemi. Mblidhe vehten se jo më kot populli ka pas thënë i gjalli më të gjallët e i vdekuri më të vdekurit. A nuk i shikon së çfarë femrash të nxehta ka në Florida. Ai ktheu kokën, në një tavolinën ngjitur dalloi katër vajza që bisedonin. Njëra që ishte disi më e gjatë dhe kishte një hir bukurie në fytyrë sikur e turullosi disi.

– Oh zot! – foli lehtë nën buzë dhe nuk ia hiqte sytë, – sa shumë më ngjan me motrën time, me Besartën e shkretë që po kalben nën dhe. Sefa pa një e pa dy u afrua afër tyre dhe duke folur me zë të lartë se muzika nuk i linte të dëgjonin mirë prezantoi vehten. Pastaj thirri Bekimin.

 – Eja Bese eja, ku ka më kënaqësi se me ndej në një tavolinë me katër bukuroshe të tilla. Ai u ngrit ngadalë dhe u nis drejt tavolinës së tyre. Një e nga një vajzat iu prezantuan. Kur shtrëngoi dorën me Besartën seç ndieu një si pështjellin por e mbajti vehten dhe i foli më zë të ëmblël: – Bekim  Mitrovica. Ajo u shtang. I shtrëngoi dorën lehtë dhe sa i tha emrin e saj u lëshua në kujtime…

Zhurma e fortë e goditjes së derës e shqetësoi pamasë Besartën dhe u ngjit pas trupit të nënës. Babai u ngrit ngadalë nga karrigia. – Grua, më duket janë ushtarët e shkjaut. Ajo nuk foli. Fërkonte të bijën dhe dy bulëza loti i rrëshqitën nëpër faqe. Sa hap e mbyll sytë me tu hapur dera u lëshuan si të tërbuar në shtëpi. Duke i goditur me forcë me qytat e armëve i nxorrën në oborr.

– Ku i ke paratë! – iu hakërrua një ushtar serb rreth të pesëdhjetave.

– Nuk kam! – ia kthehu i qetë! – Dragan! – i thirri një ushtari të ri sërbisht, – merrja vajzën këtij derr shqiptari dhe bëj atë punën me të,

– Mooosss! – klithi i jati, është e vogël vetëm dymbëdhjetë vjeçare mos ma përdhunoni vajzën, iu jap gjitha paratë që kam. – Shpejt paratë, të gjitha market!

Ai u nis ngadalë dhe hyri në shtepi. Sa doli jashtë oficeri serb ia mori markat që kishte në një çantë dhe pa menduar më tej e qëlloi dy herë në ballë me pistoletë. Ashtu duke dhënë shpirt rrëshqiti këmbadoras pas shtëpisë që të mos e shihte e bija duke vdekur. Klithmat e grave nuk i shqetësuan aspak ushtarët. Kur po bëheshin gadi të iknin, në skuadër tjetër erdhi si rrufeja dhe spërkatën shtëpinë me benzinë dhe i vunë flakën. Në të ikur një ushtar i dehur që i merrshin këmbët sa pa gratë cep të oborrit qëlloi në drejtim të Besartës. E ema iu hodh përsipër saj. Plumbat e bënë shoshë.

 – Bija ime! – i foli më zë të mekur, – edhe unë si yt atë po vdes, na vrau shkjau e i vraftë zoti, por Kosova do të çlirohet një ditë. Kërko e gjej Bekimin…

 – Besarta, Besarta! – degjoi një zë pas krahëve. Sa hapi sytë e përlotur kujtimet iu davariten disi. U hodhi një vështrim enigmatik të gjithëve dhe zhurma e diskos ia ndryshoi pak fytyrën.

 – Më duhet të iki! – ia tha shoqeve kaq leje kam nga familja. Bekimi ia kishte ngulur sytë. Një çast e mori vehten dhe i foli qetë. – Kam diçka për të biseduar më ty. A ka mundësi të më japesh numrin e telefonit? Ajo nuk i foli nxori një kartë bisnesi dhe si ia la në dorë u largua me hap drejt daljes…

Zëri i profesor Xhon sikur e tronditi disi.

 – Të dashur student, – nisi të fliste ai qetë. Megjithëse jemi në një shekull të ri akoma bota zien. Paqes ia kanë futur ndenkamzën. Luftërat po shtohen përditë, bashkë me to dhe krimet e luftës. Sot do flasim për Ballkanin për luftën dhe krimet e makinerisë së luftës së Millosheviqit… Besarta u shtang dhe nuk e dëgjonte më, mendja nuk i hiqej nga dita e djeshme kur u takua në disko me dy djemt enigmatikë që njeri i ngjasonte shumë me të vëllanë e zhdukur në vrasjet masive.

 – Ai regjim! – vazhdoi profesori, – përgjaku Bosnjen, duke vrarë dhjetëra e mijëra djem, përgjaku edhe shqiptarët etnike të Kosovës. Një shembull i këtij regjimi kriminal është midis nesh. Ai i vrau babain, mamanë, vëllain, të gjithë familjen ia zhduku, ndaj na vjen keq e dashur Besarta që…

..Besarta sa dëgjoi fjalët e tij iu kujtuan fytyrat e prindërve por u mundu të përmbahej. Kur dëgjoi edhe për të vellanë i doli para fytyre imazhi i atij djaloshi në disko që i ngjasonte shumë vëllait ndaj nuk u përmbajt dot e shpërtheu në dënesa lotësh me zë të lartë. Dy shoqet e ngushta Tatjana nga Kroacia dhe Amarida nga Bosnja u ngritën në këmbë dhe i shkuan afër. Profesori ndërpreu mësimin e prekur doli jashtë.

– Mos qaj zemër! – u mundua ta qetësonte Amarida ti e di se në Sarajevë regjimi serb më ka vrarë dajën bashkë me dy djemtë. Ashtu ishte fati ynë në këtë botë të rreme ku të gjithë flasin për paqe e cila vjen pasi të përgjaket mirë e mirë me gjak të pafajshmish. Besarta e mori disi vehten dhe u qetësua. Papritmas degjoi një zë pas shpine. Ktheu kokën. Dragani një serb i lindur në qytetin e Nju Jorkut diçka po fliste si me vehte.

 – Na fal Besarta! – Për çfarë? – Për tragjedinë tënde familjare që ta shkaktoi regjimi serb i Millosheviqit.

– Nuk është faji yt Dragan!

– E di, se unë nuk kam qenë kurre në Beograd por ama kam gjak serb dhe ndihem pak fajtor për krimet e kombit tim ndaj shqiptareve etnikë të Kosovës. Ajo e mori disi vehten nga fjalët e tij. Iu duk sikur iu ringjallen prindërit.

– Jemi ballkanas ndaj…

– Po, po! – e ndërpreu në cast, – e di se jemi ballkanas me një ego të sëmurë. Nuk pranojmë fajin edhe kur e kuptojmë se jemi fajtorë. Jemi në shekullin e ri dhe ballkani zjarri i pashuar i përplasjeve etnike në Evropë vetëm ndizet e ndizet. Sa bëhet gadi të shuhet dikush me dashje i hedh benzinë por brezi ynë i ri duhet ta kuptojë se paqja me komshiun është pasuri e pazëvëndësueshme. Ajo luajti kokën në shenjë pohimi dhe u ngrit në këmbë. Fshiu lotët më një letër dhe u largua drejt derës…

Bekimi ndaloi afër në Qendrën e Biznesit në San Hose Blvd. Parkoi makinën dhe mori dy njëzet e pesë centëshe, iu afrua afër një telefoni public dhe pa u menduar gjatë i ra numrit të telefonit që ishte në karten që ia kishin dhënë në disko Ujvarën.

– Alo! – dëgjoi një zë të plake në anën tjetër.

 – Dreqi ta marrë! – foli me vehte.

– Alo, alo! – dëgjoi përsëri zërin e saj. U mendua disi se si ta niste bisedën dhe për një sekond e mori vehten.

 – Zoja Smith, më falni për shqetësimin. Këtë numër ma dha… – Besarta ta ka dhenë…?

– Po! – Kush jeni ju lutem, sepse në të vërtetë ajo është vajza ime e adoptuar por ka kaluar shumë tragjedi në jetë dhe nuk kam ndërmend ta le të ketë përsëri probleme në jetë

. – Zonjë unë jam shqiptar, jam nga Mitrovica e Kosovës

– Uuaa, – degjoi zërin në telefon, – ku mund të takohemi sepse edhe Besarta është nga Mitrovica. Atij i ra telefoni nga dora dhe iu mbyll linja:

– Oh zot! – thirri me të madhe, – mos është motra ime, vallë është gjallë. Si e mori pak vehtem shkoi tek makina dhe mori dy njëzetë e pesë cent të tjerë dhe i futi në telefon. Gjithë emocion me duart që i dridheshin formoi numrin. Zilja binte por askush s’i përgjigjej. I ra përsëri por e njëjta gjë. I dëshpëruar mbylli telefonin dhe u largua. Pa bërë as dy-tre hapa dëgjoi një si zile. U kthyhe me rrëmbim dhe e ngriti telefonin publik.

– Alo, alo! foli me ngut.

– Më fal, po flisja më dikë. Ky është numri juaj?

– Jo, unë nuk kam telefon. Po ju telefonoj nga rruga.

 – Vajza ime është mjaft e tronditur. Më telefonoi profesori i saj. Edhe ai është tepër i shqetësuar.

 – Më vjen keq, si mund t’iu ndihmoj.

– Në biznes kartë ke një adresë. Eja dhe bisedojmë.

 – Në rregull, po nisem menjëherë. Si mbylli telefonin u nis drejt makinës.

 – Oh zot! – foli me vehte, – që atë natë që takova atë vajzë më del në ëndërr fytyra e prindërve dhe e motrës që mi vrau shjau. Duke biseduar me vehte edhe për pak minuta arriti para biznesit të familjes Smith – Avokat Donald Smith! – lexoi më zë të lartë sa doli nga makina dhe u nis drejt hyrjes. Hapi derën ngadalë.

 – Urdhëroni, uluni! – dëgjoi një zë të ëmbël sa hyri mbrenda. I dha dorën dhe u ul në një kolltuk. Ajo nuk vonoi shumë. Mori disa letra në një sirtar dhe u kthye drejt tij.

– Marta Smith! – prezantoi ajo vehten, – unë jam e ëma e Besartës.

 – Besart Mitrovica! – ia priti më një frymë. –

Si quhesh? – Bekim  Mitrovica.

 – Oh zot i madh që je në qiell, çfarë po më ndodh?!

 – Asgjë zonja Smith. Nuk mund ta ndërroj emrin.

 – Jo jo, më fal, nuk e di se si kam një parandenjë.

 – Ju më thatë se Besartën e keni adoptuar në Kosovë.

 – Po, po është nga Mitrovica. A adaptuam në Shqipëri se ishte jetime, serbët ia kishte shfarosur tërë familjen.

– Të gjithë?

– Po po, të gjithë! Prindërit ia kishin ekzukutuar para syve ndërsa i vëllai i kanë thanë se kishte mbetur i plagosur në Prizren dhe i kishte vdekur. Bekimi mbylli sytë pak. Për disa sekonda iu kujtua lufta në Prizren. E mblodhi disi vehten.

 – Mos prindërit e Besartës quhen Isa dhe Samira?

– Po! Ju i keni njohur?

– Po se ishin edhe prindërit e mi.

Asaj i ranë letrat nga duart. – Çfarë, çfarë the? Ti je Bekimi vëllai i saj? Qënke gjallë?!

 – Më kanë plagosur por shpëtova në një spital.

– Ne të dinim të vrarë. Oh zot sa mirë! – thirri me të madhe, – vajza ime u bë me vëlla. U nis me nxitim drejt tij dhe e përqafoi. Të dy shpërthyen në lot. Ashtu me sy të përlotur u ngritën në këmbë. Pa bërë as dy-tre hapa u hap dera e zyrës dhe hyri mbrenda Besarta me dy shoqet e saja

. – Mama, mama! – i thirri me të madhe por u step pak kur pa në zyrë personin që e kishte takuar në disko.

– Eja bija ime, Ulu! Zoti ëshë i madh e mendon për të gjithë.

 – Po këtë e di por nuk është e vërtetë për mua.

– Si nuk është e vërtetë. Ai vonon për nuk harron.

– Sigurisht për dikë por kurrsesi për mua që mbeta fillikat, ma zhduken krejt familjen.

 – Jo jo bija ime. Prezantoju me djaloshin që po të pret ty.

 – Askërkush nuk më pret mua. Unë nuk kam askënd, as familje e as të dashur.

 – Besarta ime e shtrenjtë! – dëgjoi një zë pas krahëve. Ajo ktheu kokën. Ai i buzëqeshi lehtë e i tha me një frymë: – Sigurisht që po të pres, kam vite që të kërkoj. Jam Bekimi, jam yt vëlla.

– Të lutem i dashur mos mi lëndo plagët e familjes. Ai u mendua pak. Hoqi këmishen dhe doli në kanatjere. Ajo sa dalloi tatunë shqiponjë ngjitur me zemrën vrapoi drejt tij dhe ju hodh në qafë.

 – Bekim, Bekim, ti je vëllai im. Filloi të qante me të madhe. Të gjithë u përlotën.

 – Nënë, nëna ime që je në botën e të vdekurve a më degjon? O nënë eja, eja të lutem . Pse nuk vjen o nënë? Shikoje bijën tënde nuk është vehtem ka vellanë, jam bërë me vëlla! – thërriste më të madhe dhe e përqafonte pa pushim.

 – Po motër e dashur qetësohu. Tani nuk të lë më vetëm, ti je jeta ime, shpirti im, motra më e shtrenjtë e Mitrovicës. Një eklips hënë kishte përqafuar Floridën por shumë shpejt u zhduk. Bekimi mori të motrën për dore dhe doli jashtë. Ashtu të përlotur ecnin koturu nëpër qytet. Jeta i kishte ledhatuar përsëri me të njejtën shije jete.

 * LEK GJOKA-Marre nga libri me tregime “PËRROI I DJALLIT”

Tirane 2013

Shtepia Botuese ADA

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Lek Gjoka, Motra e Mitrovices, Oerroi i Djallit

BAJRONI PER SHQIPERINE DHE SHQIPTARET (SIPAS ANDRE MORUASE)

November 5, 2013 by dgreca

Solli ne Gjuhen shqipe:SPIRO GJIKONDI/ New York/

 Shkrimtari francez Andre Morua (Andre Maurois, 1885-1967,) midis veprave te shumta letrare, monografike e memoriale, ne vitin 1930 botoi librin “Bajroni”, kupershkruan e analizon jeten dhe veprimtarine letrare te poetit te madh anglez Xhorxh Gordon bajron. Libri u perkthye ne anglisht nga Hamish Miles dhe u botua ne Amerike ne vitin 1964. Sipas nje reviste te kohes se botimit te pare, kjo eshte monografia me e sakte dhe me e lexueshme per poetin romantik te Anglise. Ne nje kapitull te vecante te librit pershkruhet udhetimi i pare i Bajronit ne vende te ndryshme te Evropes, ne te cilin vend te vecante i ka lene autori kalimit te poetit neper Shqiperi. Me poshte po japim te perkthyer nga anlishtja pjese qe permbajne opinione dhe detaje te autorit per Shqiperine dhe shqiptaret qe mendojme se jane me interes edhe aktual.

   ***

Me 26 qershor, 1809, te dy shoket, Bajroni dhe Hobhauz 1) hypen ne anijen “Bijte e Kapitenit”, qe shkonte ne Lisbone. Hobhauz, te cilit i silleshin neper tru copeza shenimesh arkeologjike, kishte mare me vete rreth njeqint pena, dy gallone boje shkrimi dhe disa pako me letra te bardha. Ndersa Bajroni ishte shnderuar ne nje “magnet natyror” per nje trupe te tere shoqeruesish. Meri plak, do te ishte me ta gjer ne Gjibraltar, pasi era e detit i bente shume mire shendetit te tij. Detyrat e tanishme te sherbetorit te trupes i ishin besuar Flecerit, garderobistit te Njustedit, icili kohet e funddit ishte martuar dhe qahej shume se po ndahej nga gruaja e tij, Sely. Vargu plotesohej nga Robert Rashton, nje pazh i ri i njohur si Bob, djale fermeri qe Bajroni e pelqente “sepse, ashtu si une, edhe ai duket si nje “kafshe pa shoqeri”, si dhe nga nje garderobist gjerman qe ja kishte rekomanduar dr. Batler i Harrout.

            Hoxhson mori nje pershkrim ne vargje heroiko-komike per kete prag-udhetimi dhe per Hobhauz qe villte here ushqimin e mengjezit dhe here pershtypjet e tij per ate udhetim te pare. “Donte Providenca te futej midis tij dhe njerezve te tjere qe vuanin, duke i cuar nje here ndrydhjen e kycit te dores dhe nje here derdhjen e bojes se shkrimit, qe ai te mos shkruante.” “Po e le Angline me keqardhje, ( do shkruante Bajroni, shen.yni S.Gj).- Do te kthehem serish pa qejf. Une jam si Adami, i denuari i pare per tu larguar, por une s’kam Eve dhe s’kam ngrene molle te ndaluar, por dicka qe eshte me e tharte se gaforja.” Edhe Zonjes Bajron ai i shkroi letren e ti te lamtumires: “Bota eshte e gjitha para meje dhe po e le Angline pa keqardhje e pa ndonje deshire per te vizituar serish c’permban ajo, vec teje dhe baneses tende te tanishme.” E kishte lene ate te kujdesej per arushen, qenin e gjahut dhe vajzat gazmore…

Ne pershkrimin e kalimit te bajronit ne Shqiperi Morua thote:

Shqiperia ne ate kohe ishte nje vend pothuajse i panjohur. malet e eger i kujtonin Bajronit Skocine, te cilen ai e kishte njohur qe ne femijeri. Burrat vishnin fustanella qe u shkonin deri ne gju, jo tamam si keltet, si dhe guna te dhirta. Aliu, Pashai i Janines, nje burre i njohur per guximin dhe ashpersine e tij, ishte njoftuar prej Ministrit Anglez per ardhjen e xhentelmenit te ri prejfamiljeje fisnike dhe e ftoi per vizite ne sarajet e tij. Cdo gje qe e rrethonte e magjepste Bajronin. Shqiptaret e veshur me tunika te qendisura, Tartaret me kapucet e gjate, sherbetoret zezake, kuajt, daullet, madje edhe muezini qe therriste nga maja e minarese se xhamise: “Nuk ka Zot tjeter vec Allahut.”

(Te plote mund ta lexoni ne numrin shume faqe te DIELLIT me 28 Nentor)

Filed Under: Kulture Tagged With: Byron sipas Andre Moruase, Spiro Gjikondi

ROLI HISTORIK I KLUBEVE SHQIPTARE DREJTË BASHKIMIT KOMBËTAR DHE SHPALLJES SË PAVARËSISË (1908-1912)

November 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr. VEBI XHEMAILI/ Universiteti Shteteror i Tetoves/

Atdhetarët shqiptarë të etshëm për liri e barazi, filluan menjëherë të organizojnë klube të shumta në tërë Shqipërinë, të flasin e të shkruajnë shqip, pa frikë. Me të shpejtë u hapën shumë shkolla dhe klube shqiptare, në shumë qendra të krahinave tona. Patriotët shqiptarë në çdo tubim deklaronin, “Tani erdhi dita edhe për neve të themi lirisht që jemi shqiptarë, gjer më sot nuk mund të deklaronim këtë haptazi se na prisnin gjuhën ose na hidhnin në burgje”. U fol shqip për të parën herë në mbledhjen e mbajtur  me patriotët shqiptarë në Selanik.[1]

            Lëvizja kombëtare shqiptare u kthye  ngadalë edhe kundër disa personave të Turqisë, të cilët më parë u përpoqën që t’i zbatojnë reformat në jetë. Sidomos kundër mytesarifit të Prishtinës, Ismail Agë Fejziut, pastaj edhe kundër Efendi Amed Hamdiut etj. Në lidhje me këto ngjarje, Austro-Hungaria ka sjellë këtë përfundim: “Në qoftë se Austro-Hungaria do të depërtonte në jug, do të vinte në kundërshtim me shqiptarët dhe do të humbte influencën e  saj midis krerëve të saj politikë, e cila do të shkonte në favor të politikës italiane. Në raportin e 20 korrikut, Zamburi do të shkruajë Erentalit: ”Tubimi i Ferizajt në fillim pati karakter lokal e më vonë u përfshi e tërë Shqipëria Verilindore, ku fjalën kryesore e patën Prizreni, Tetova, Shkupi dhe Prishtina, ndërsa siç thamë edhe më lartë promotor i kësaj ideje ishte Rexhep Efendi Tetova”.[2]            

Por, kjo dëshirë e madhe dhe e flaktë e atdhetarëve shqiptarë nuk vazhdoi gjatë, turqit e rinj së shpejti treguan fizionominë e vërtetë se janë nacionalistë e të pa epur. Edhe shqiptarët, si dhe udhëheqësit e tubimit nuk ditën ta shfrytëzojnë situatën e re të krijuar dhe ta kthejnë në interesin e tyre. Krerët shqiptarë treguan paaftësi dhe nuk ishin në gjendje të organizojnë një kryengritje të përgjithshme për t’u çliruar nga sundimi osman. Qëndrimi i tyre ishte i pavendosur, duke lënë fatin e lëvizjes në duar të disa hoxhallarëve fanatik, gjë kjo që u pa më së miri më 24 korrik, kur u mbajt konferenca e krerëve shqiptarë dhe u vendos që të dërgohet një delegacion te Sulltani. Krerët shqiptarë ishin të pavendosur dhe të ndarë në dy rryma.  Kjo më së miri vërtetohet në raportin e konsullit serb nga Prishtina, i cili do të shkruajë në lidhje me revolucionin: “Shqiptarët nuk kanë një qëndrim të prerë në kërkesat e tyre me xhonturqit”.[3]

Dështimi i parë i shqiptarëve filloi që në tubimin e parë, të mbajtur në Shkup, më 24 korrik 1908, në solemnitetin për Kushtetutën, ku Turqit e Rinj nuk lejuan të marrin pjesë të gjithë ata që kishin ardhur nga Vilajeti i Kosovës, gjithsej 4000 kosovarë që ishin nisur me tren,  por u lejuan vetëm 60 krerë më të zgjedhur, të cilët  me tren të veçantë  i sollën në Shkup, për të marrë pjesë në manifestimet gazmore që i kushtoheshin suksesit të lëvizjes revolucionare të Turqve të Rinj. Në këtë rast, komiteti  i Shkupit manifestoi mosbesimin e tij të kujdesshëm, duke udhëzuar turmën e partizanëve të tyre që të qëndrojnë në largësi të caktuar prej qytetit.[4] Por, edhe këta, në fund, nuk morën pjesë në këtë solemnitet, pasi që me kushtetutë nuk ishin të pranuara kërkesat e tyre. Përfaqësuesit shqiptarë, në tubimin  Shkupit u parashtruan xhonturqve kërkesa të reja; u kërkua anulimi i reformave dhe të institucioneve të tyre, si dhe largimi i të huajve nga Turqia e të tjera.[5]

Po ashtu, këtë mendim negativ për kushtetutën e dhanë edhe disa krerë shqiptarë në klubin  e Shkupit, që u thirr me kërkesën e këshillit të oficerëve të Turqve të Rinj, që të marrin mendimin e shqiptarëve në lidhje me kushtetutën, si Ibrahim Zajmi, Zenjel Beu dhe Bajram Curri, të cilët u prononcuan për kushtetutën, por dhanë disa vërejtje për regjimin e ri. Në këtë mbledhje u vendos që të themelohet një klub i ri, i përfaqësuar nga të gjitha nacionalitetet, që do të merrte për detyrë mbrojtjen e kushtetutës dhe formimin e policisë prej tyre.[6] 

Tanimë turqit e rinj, së bashku me përkrahësit e tyre, filluan përsëri fuqishëm të kërkojnë nga pushteti aktual i xhonturqve, një pushtet të dorës së fortë, me ndihmën e së cilës do të mund të turqizonin të gjithë popujt e nënshtruar në kuadër të Perandorisë Osmane. Politika Xhonturke filloi shumë shpejt restriksionin ndaj lirive të arsimit dhe gjuhës shqipe.[7] Kjo ishte arsyeja që ata caktuan dhe vunë menjëherë mbikëqyrës kudo  nëpër klubet shqiptare, që do të përcillnin lëvizjet dhe tubimet e shqiptarëve, sepse dispononin me të dhëna për përcaktimet politike të shqiptarëve dhe luftës të tyre për autonomi.[8] Xhonturqit, duke u mbështetur në nenin 8 të Kushtetutës që vërtetonte “se të gjithë nënshtetasit që jetojnë në kuadër të Perandorisë Turke, prej cilës do përkatësie fetare që ishin, prej atij momenti do të quheshin vetëm qytetarë turq, apo osmanli”. Këtë e dëshmon më së miri Kryeministri turk, Ibrahim Haki Pasha, në diskutimin e vet në Parlament, ”statuti i ka shkri në një bashkim të gjithë kombësitë që përbëjnë mbretërinë otomane”.[9]

Turqit e rinj, pasi morën pushtetin në duart e veta, filluan ndër qytetet shqiptare organizimin e komiteteve turke të bashkimit, ku merrnin pjesë shqiptarë e turq. Klubet e para u organizuan në Shkup, Manastir, Selanik,  Dibër e tjerë. Klubi i Shkupit, qysh në shator të vitit 1908, numëronte 120 anëtarë. Në këtë klub bënin pjesë nëpunës turq, oficerë dhe paria e vendit. Por, ka pasur për anëtarë edhe shqiptarë katolikë.[10] Gjatë kësaj kohe u formuan gjithsej 30 klube në Shqipëri. Por, rol të rëndësishëm jashtë Shqipërisë Etnike ka luajtur Klubi i Stambollit. Në Tetovë, klubin e xhonturqve e udhëhiqte Rexhep Efendi Tetova.[11]

Me këtë veprim antishqiptar, kur xhonturqit filluan përsëri të mbyllin klubet shqiptare, ata u bindën se ishin të mashtruar pas fitores së revolucionit dhe stabilizimit të pushtetit nga ana e Turqve të Rinj, prandaj këta atdhetarë kurrë nuk u pajtuan me servilizmin e bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë. Kjo rrymë progresive demokratike e përbërë nga një pjesë  e shëndoshë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, aspironte autonominë e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Ajo filloi të organizohet duke aplikuar një rezistencë të fortë kundër veprimeve të parisë xhonturke. Krerët e Lëvizjes Kombëtare kërkonin me vendosmëri zbatimin e kushtetutës sipas premtimeve të dhëna; për shkollat, për gjuhën shqipe etj. Ndihmesë të madhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare dha edhe shtypi i kohës si; “Bashkimi i Kombit” – Manastir,  “Shkopi”-Kajro, “Drita” -Manastir, “Korça” -Korçë,  “Dielli” -Boston, “Shqipja e Shqipënisë- Sofje e tjerë, që kërkonin të ndahen trojet shqiptare nga Perandoria osmane.

Patriotët shqiptarë kërkonin funksionimin e klubeve dhe zgjidhjen e  autonomisë së Shqipërisë. Mirëpo, në këto rrethana të reja politike, kur turqit e rinj u forcuan në pushtet,  ata dita-ditës filluan ta ashpërsonin sundimin e tyre, duke e absolutizuar veprimin politik dhe institucional kundrejt shqiptarëve. Ata ndaluan që publikisht nëpër mbledhje të flitej gjuha shqipe, duke i dënuar të gjithë ata pjesëmarrës që nëpër  mbledhje kërkonin autonomi. Megjithatë, ligjëratat e patriotëve shqiptarë përfundonin si zakonisht me fjalët: “Rroftë liria,  rroftë Shqipëria”. Shumica e patriotëve shqiptarë dhe e popullatës që i kishin besuar me të madhe politikës xhonturke dhe demagogjisë së saj, u gjetën të zhgënjyer. “Është e ditur që programi i turqve të rinj është krejt në kundërthënie me çështjen tonë kombëtare”, shkruante gazeta “Kombi”.[12]

Përfaqësuesit intelektualë në Stamboll, në bashkëpunim me krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nuk i habiti fare metoda e veprimit politik të turqve të rinj. Xhonturqit nga klubet e veta mënjanuan nacionalistët më të njohur (aktivistë) shqiptarë dhe i zëvendësonin me njerëz të tyre. Pas grabitjes së pushtetit, turqit e rinj kaluan në kontrarevolucion.[13] Këta reformistë, me këto veprime antishqiptare, “po rikthenin para shqiptarëve regjimin e vjetër të kamufluar, me rendin parlamentar”.

Në këto rrethana të vështira për Shqipërinë Etnike, rol të rëndësishëm në jetën politike-arsimore për shqiptarët ka luajtur komiteti “Bashkimi” nga Manastiri, kështu që gjatë muajt gusht-shtator 1908, me aktivitetin e tij kombëtar u themeluan shumë klube shqiptare. Klubi i parë kombëtar që u themelua vetëm pak ditë pas shpalljes së fitores së revolucionit xhonturk, ishte ai i Manastirit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm për arsimim kombëtar në këtë periudhë. Pas tij  u themeluan në Shqipërinë lindore edhe klube të tjera, si në Ohër, Strugë, Dibër, Kumanovë, Shkup dhe Tetovë.[14] Gjatë vitit 1909, numri i tyre me karakter politik dhe kombëtar u rrit në mbi 30 klube.[15]

Pas forcimit në pushtetin ekzekutiv, Turqit e Rinj kërkuan nga udhëheqësit e klubeve shqiptare që të  shpallnin botërisht se nuk merreshin me politikë, por vetëm me çështje kulturore. Tanimë këto klube, e në veçanti ai i Shkupit, i cili ishte i shpallur si më i rrezikshmi për pushtetin aktual, mbikëqyreshin dhe kontrolloheshin nga emisarët e xhonturqve (në këtë drejtim ka pasur edhe shumë shqiptarë që e kishin harruar kombëtaren dhe punonin për interesat e tyre shtetërore. V.Xh).

Patriotët shqiptarë që ishin të vendosur për të fituar autonominë e Shqipërisë, u bindën në politikën totalitare të qeverisë së re në krye me udhëheqësit xhonturq, kur ajo botërisht nxori ligjin për zgjedhjet e reja  parlamentare në shtator të vitit 1908, ku të gjithë votuesit dhe kandidatët e ardhshëm për deputetë, duhej të deklaroheshin si osmanli, që do të thotë se ishte obliguese  njohja e gjuhës turke. Me këtë ligj, çdo kandidat i nominuar  për deputet në parlamentin turk, duhej të hiqte dorë nga gjuha dhe përkatësia nacionale.[16]

 Turqit e rinj, në të gjithë zonat votuese morën masa të ashpra që t’i pamundësojnë patriotët shqiptarë të zgjidhen për deputet në parlamentin turk. Në këto rrethana të vështira politike për shpëtimin e kombit, nga  kjo situatë e krijuar, me të madhe kontribuoi Klubi i Manastirit, në ngritjen e frymës revolucionare dhe masivizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarizmit në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Me udhëzimet e Komitetit Qendror  “Bashkimi”, për lirinë e Shqipërisë u themeluan dhe vepronin edhe komitetet e fshehta lokale, me karakter politik, si në Prizren, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Strugë, Elbasan, Korçë, Ohër, Shkup dhe Tetovë.[17]

Për të pasur një kontroll më të mirë mbi lëvizjen e intelektualëve  shqiptarë të asaj kohe, situatën politike në Shqipëri më së miri e përshkruan konsulli rus nga Manastiri: ”Për çdo lëvizje nëpër qytetet shqiptare kërkohej leje e posaçme”.[18] Në këto rrethana të vështira gjeopolitike, dominoi mendimi i intelektualëve vizionarë, “se për ta ruajtur Shqipërinë Etnike nga pansllavizmi serbo-bullgar, u propozua që Shkupi të njihej për kryeqytet të katër vilajeteve. Në atë kohë, si qendra më të mëdha të rezistencës shqiptare dhe luftës për autonomi ishin: Klubi i Manastirit, i Selanikut, i Stambollit dhe i Shkupit.

Klubi i Shkupit ishte më i fuqishmi dhe numëronte mbi 120 anëtarë, ku shumica ishin anëtarë të devotshëm dhe të rregullt.[19] Më i njohuri ishte Bajram Curri, që vlerësoi lartë shkollën dhe arsimimin shqip. Ishte kryetar nderi i Klubit shqiptar të Shkupit, që u solidarizua me Kongresin e Manastirit për alfabetin latin, ndërsa më 1924 e zgjodhën kryetar nderi të Kongresit Arsimor Kombëtar, që u mbajt në Tiranë. B. Curri hapi shkolla në Kosovë, në bashkëpunim  me patriotë të tjerë dhe dërgoi studentë në Normalen e Elbasanit, sikundër që kishte bërë më herët edhe Hasan Prishtina. Në këtë drejtim, në pjesën e  qyteteve të Shqipërisë Lindore, si në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup,  kanë zhvilluar aktivitete arsimore Hamdi Bej Ohri, i cili për këto aktivitete u burgos në burgun e Manastirit, ndërsa Dervish Hima u largua për Bukuresht.  Në këto rrethana tejet të tendosura politike, kur qeveria xhonturke ushtronte presion të paparë kundër  shqiptarizmit, populli i bashkuar rrethoi selinë e komandës në Manastir, ku ndodhej gjenerali Osman Pasha, i cili më në fund kur e pa se s’ka rrugëdalje tjetër, u përgjigj: “Edhe unë jam me popullin”.[20] 

 

PËRJASHTIMI I MIT’HAT FRASHËRIT NGA DETYRA

 

Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e ka ndihmuar me të madhe Klubi i Stambollit dhe ai Selanikut, ku për kryetar ishte Mithat Frashëri. Në Shqipërinë Lindore, si klube më të rëndësishme ishin: ai i Shkupit dhe “Bashkimi” i Manastirit. Klubi i Manastirit kishte një rol më nacionalist, në krahasim me klubin e Stambollit dhe të Shkupit, “të cilët në fillim ishin me politikën xhonturke”.[21] Por duhet potencuar se shumë klube shqiptare, pas revolucionit xhonturk, i kishin vu vetes për detyrë që të pavarësohen shkollat dhe kishat nga ndikimi tejet  i rrezikshëm i Patrikanës greke. Më 1 shkurt 1909, në Korçë u formua Lidhja  e veçantë,  me emrin “Lidhja Shqiptare-Ortodokse e Korçës”.  Sipas statutit të saj, lidhja kishte për qëllim mbrojtjen e gjuhës, ajo kërkonte nga Patriarku i Patrikanës greke në Stamboll,  mbrojtjen e të drejtave nacionale dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat e Shqipërisë, që do të plotësonte kërkesat e shqiptarëve ortodoksë.[22] Shqiptarët në këtë kohë i dhanë rëndësi shumë të madhe shtypit dhe alfabetit latin. Sipas njohësve të mirë të rrethanave të kohës, nënvizohet se në këtë kohë kombi shqiptar intensivisht e ka përjetuar periudhën më të fuqishme të ringjalljes së vet nacionale.[23]   

Disa udhëheqës të klubeve politike shqiptare, në të njëjtën kohë ushtronin pozicione të larta në qeverinë xhonturke. Por, në anën tjetër, ata kurrë nuk e harruan Shqipërinë. Shembull tipik është Mit’hat Frashëri, i cili deri në prill të vitit 1910 mbante postin e drejtorit politik në udhëheqjen e Vilajetit të Selanikut dhe mori pjesë në Kongresin e Parë të Manastirit, si dhe atë të Elbasanit. Turqit e Rinj tentuan ta largojnë Mithat Frashërin për në Bagdad, për të qenë sa më larg popullit shqiptar dhe ngjarjeve politike në Shqipëri. Ky atdhetar, tanimë i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qendra më të mëdha diplomatike si luftëtar i denjë për çështje kombëtare, nuk pranoi të largohet nga Shqipëria. Për këtë u dënua nga Qeveria turke me largim nga puna.[24]  



[1] Albania, vep, e cit. f. 266.

[2] Raport i Zamburit, dërguar ministrit të punëve të Jashtme të Austrisë Erentallit, më 20 korrik 1908.

[3] Raport nr. 809, i konsullit serb nga Prishtina, më 7 korrik 1908.

[4] Shtojcë e raportit të Sir G. Loëther, nr. 105. Më 25 korrik 1908.

[5] I.G. Senkieviç, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda v 1905-1912, Moskë 1959, f. 106.

[6] Gazeta “Politika”, Beograd, më 24 korrik 1908.

[7] Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, vep. e cit. f. 25-26.

[8]“Inostrani”, Beleshke o Albaniji, 1908-1912, “Srpski knizhevni gllasnik”, XX, Beograd 1937, f. 548.

[9] AIH-Tiranë, Kronika e ndodhive në Shqipëri 1908- 1912, (si mbas proces-verbaleve të Parlamentit Osman të botuara në Fletoren Zyrtare “Takvimi Vakaji”).

[10] Manol Pandevski, Politiçkite partii i organizacii…, f.282

[11] Tetovo i Tetvsko niz istorijata, vep e cit. f. 288.

[12] Gazeta “Kombi”, 24 korrik 1908.

[13] G. A. Aliev, Turcija v. period pravlenija mladoturk, Moskva, 1973. f. 99.

[14] Masar Kodra, Mladoturska revolucija i Albansko Osloboditellno Dvizhenje, “Gllasnik” INI, Shkup 1968, f. 125; Hysni Myzyri, Lufta e Shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe gjatë viteve 1908-1912, botuar në librin, “Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup 1994. f. 299.

[15] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji…, f. 414.

[16] I. G. Senkeviç, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda v 1905-1912 god. Moskva 1959, f. 124.

[17] Shukri Rahimi, Gjurmime  historike  të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë 1986, f. 206.

[18] Raport i I. Zhivnojevit, nga Manastiri, Ambasadorit të vet Ivan Aleksejeviç, në Stamboll, Manastir, më 14 nëntor 1908.

[19] Masar Kodra, Mladoturska revolucija i Albansko Osloboditellno Dvizhenje  “Gllasnik”, INI, punim i cit. f.125.

[20] Mihajl Grameno, Novela dhe kujtime, Prishtinë 1969, f. 210-212.

[21] I. G. Senkieviç, …, f.114

[22] Kanonizma e Lidhjes Shqiptare të Kongresit të Lidhjes Ortodokse, Korçë 1909.

[23] I. Gologanov, Albanskiot vapros, “Blgarska zbirka”,  Sofje 1910, lib.IV, f. 224-230.

[24] A.M. Shkup, Raport i konsullit austo-hungarez nga Selaniku, nr.53/3. IV. v. 1911.

Filed Under: Histori Tagged With: drejt Bashkimit Kombetar, klubet shqiptare, Roli historik

NE SOFREN E DIELLIT- E FTUAR DRITA LUSHI

November 5, 2013 by dgreca

DRITA LUSHI/

(L)OJNA VJESHTE/

   Cikël poetik./

KINSE/

Ti luan shpesh me gërshetat e mi./

Ndonjëherë, ndalesh, qesh,/

e ballin rrudh,si lashtësi:/

“Tani je grua, dhe  jo vajzë,/

Ç’të duhen gërshetat vallë?”/

Ti, (s)e di që mua m’pëlqen kjo lojë,/

e kinse i thur veç për ty./

Përtej  gërshetave,/

një grua frymon me zemër./

Një grua-(pakëz)fëmi/

“Kinse” për 1 tetor 2013, në 18 vjetorin e martesës

KAQ

Tri fjalë…

Dy sy…

Një përqafim…

Kaq…

Kaq pak përshpëritje,

i duhet një dite

të ndizet,

qysh në lindje.

Tetor 2013

 AgMbrëmje

N’ag,

Ti,

Diellin lind,

Në syrin tim.

N’mbrëmje,

Unë

hënë të bëhem,

n’ëndërr.

Tetor 2013

   (K)od’ dashurie

Druhesh, mos m’lëndon

me dashuri,

e si petale,

e hedh nga pak,

mbi mua,

mbi  fjalë,

mbi sy.

(S)Ndalem…

Mbledh,

Petal,

Petal,

Petal…

…Nje odë ndërtoj n’zemër

për Ty.

Tetor 2013

Pik-Shi

Pik.

Pik.

Pik.

Bëhet shi…

Shi…

Shtator…

Shi…

Dashuri…

Pik

Pik

Pik

Bëhet shi….

Bëhet,

Unë…

Bëhet

Ti…

Unë

ti

dhe…

retiçencë…

Ti

Unë

dhe…

asnjë…

Pik.

Pik.

Pik.

Shi- dashuri.

Shtator 2013

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: (L)ojna Vjeshte, Drita Lushi

PËRSE DUHET TË HAPEN DOSJET?

November 5, 2013 by dgreca

NGA FATMIR LAMAJ/

U bënë mbi 20 vjet qw fjala “dosje” si nocion superposhtrues për të gjithë shqiptarët po sundon kërcenueshëm jetët tona si një hije e zezë e trasheguar frikshëm nga e kaluara. Dosjet ishin dhe mbeten prodhimi më monstrues i krimit komunist, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë akoma krim. Dosjet ishin mekanizmi më pervers i diktaturës ne mbajtjen e pushtetit por ato vazhdojnë të mbeten si të tilla dhe në pseudodemokraci apo neokomunizmin e derisotëm. Berisha dosjet i përdori me shumë efikasitet në superpushtetin e tij të pamerituar duke bërë zap ndonjë të rebeluar që mundohesh të ngrinte pak zërin ndaj padrejtësive të shumta që bënte ai në adresë të atyre që e sollën në pushtet sipas skenareve oruellian ku “vëllai i madh” kontrollonte gjithçka nëpërmjet tyre. Kurrë një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa u çliruar më parë nga e kaluara e saj e përgjakur dhe poshtëruese, e cila në çdo cast e kamzhikos pa rreshtur ndërgjegjen e rënduar nga fajet pa faje.

Përse themi fajet pa faj? Sepse në jurisprudencën e çdo vendi demokratik është e konsakruar ligjerisht se çdo pohim i marrë nën dhunë është i papranueshëm juridikisht. Dhe ato dosje janë produkti më kriminal i diktatures komuniste. Ato janë krijuar në ambiente të errëta të sigurimit të shtetit nën torturat më çnjerëzore ku jo të gjithë arrinin t’i përballonin, nën kërcenimin për burg, për bukën e fëmijëve, për internimet në skajet me të largëta apo për gabime, dobësi dhe faje të sajuara. Këto dosje në vetvete pikojnë gjak, lot dhe pendesë të mëvonshme për të gjithë ata që kanë firmosur nën dhunë ndërsa për pjesën tjetër që vullnetarisht me ndërgjegje të plot hoqen nga morali i tyre, ato u kthyen në burim mirëqenie dhe pushteti. Duke njohur mirë përberjen e Parlamentit shqiptar nga 1991  e deri më sot, në krahun e vet pseudo të djathtë e deklaroi pa frikë se mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje (se pa dosje Berisha s’të pranonte brenda rradhëve të tij), të cilët edhe sot gëzojnë në mënyrë të pamerituar privilegjet e ish deputetllëkut. Diktatura  nëpër jet sigurimit të shtetit kishte ndërtuar mekanizmin e vet shkatërrues të jetës dhe personalitetit të çdo shqiptari, të cilin ajo e konsideronte armikun e vet dhe kalimin nëpër ingranazhet vdeksor të atij mekanizmi ishte shumë i vështirë gati mbinjerëzor dhe jot ë gjithë mund ta përballonin atë provë të tmerrshme.  Më kujtohen sot fjalët e një japonezi të mbijetuar nga hedhja e bombës automike të Hiroshimës, kur vëllai i tij i vogël i kërkonte ndihmë nën rënkimin e plagëve dhe ai nuk e kishte ndihmuar dot. Dhe nën peshën e pendimit tha keto fjalë: “…Dhe unë isha njeri që doja të jetoja. Të gjithë ne që mbijetuam moralisht asaj kohes që prodhjonte veç vdekje  poshtërim, kurrë nuk do të kemi ndjenjën e revanshit ndaj atyre personave që jo për faj të tyre kanë hedhur ndonjë firmë në ato dosje të qelbura, te cilat kanë qenë dhe mbeten plaga e pambyllur e kohës së lamë pas”. Çdo plagë kurrë nuk mund të shërohet pa nxjerrë më parë nga shtrati i saj i qelbësuar gjithë absesin e krijuar ndër vite. Në ato dosje është dhe një pjesë e jona, janë njerëzit tanë si dhe gjithmonë duhen mëshiruar për fatkeqësitë e ndodhura. Dosjet duhen hapur që një shoqëri e tërë të mos rrijë pezull për të kaluarën e vet duke u dergjur në moçalin e ankthit për të njohur një pjesë të vetvetes. Ato duhen hapur që të njohin vetveten dhe të tjerët për të mos u endur më në errësirën e dyshimeve dhe hamëndesimeve për këdo që na rrethon e kemi pranë. Ato duhen hapur që ai që më dënoncoi mua dhe shumë të tjerë i quajtur Dalan Luzi mos të kapërdiset më në Amerikë si një hero i kohës që kaloi dhe që ta marrin vesh e të jenë në dijeni të afërmit Gaspër Çuçisë se ai që e çoi drejt vdekjes ka qenë pikërisht ky person, të cilin sigurimi i shtetit enë ’90-ën e nisi nxitimthi tek i atii tij në Amerike.

Dosjet nuk janë më një sekret në Shqipëri, por ato mbeten gjithmonë një makth nga kthetrat e të cilit duhet të çlirohemi sa më parë. Zhelju Zhelev, presidenti i parë demokrat i Bullgarisë thirri shefin e shërbimeve sekrete dhe i kërkoi dosjen e vet . Ai ia solli dhe pas ndonjë muaji me nuhatjet e vet agjentutore konstatoi se Presidenti se kishte hapur fare dhe i thotë: “Zoti President, dosjen Tuaj ju se keni hapur fare”. Presidenti me qetësinë e tij i thotë: “Merre se nuk kam dëshirë ta hap atë paçavure, se kam frikë se mos gjej emrin e ndonjë miku që nuk dua ta humbas”. Mesazhi ishte i qartë, por më mirë është ta humbasësh atë mik që nuk ia vlen të jetë mik yt, por kurrë të mos e përbuzësh e urresh për një faj të detyruar. Bashkëjetesa me të keqen, sjell veçse të këqia. Hapja e dosjeve, është e vërtetë që fillimisht do të sjellë tronditjet e veta të pashmangshme por njëkohësisht do të prishi shumë ekuilibra negativë që deri më sot janë krijuar në dëm të të gjithë shoqërisë shqiptare, duke çmitizuar një herë e përgjithmonë pseudoliderët e krijuar në zyrat e sigurimit të shtetit. Hapja e dosjeve do të jetë do të jetë si heqja e vellos, mbas së cilës nuk do të shikojmë më nusen e bukur që kemi ëndërruar por atë shtrigën plagë që me magjitë e saj nxin çdo ditë jetët tona.Dosjet janë gropa skeptike e bëmave dhe gjëmave që la pas diktatura komuniste dhe kjo gropë skeptike duhet të hapet një herë e përgjithmonë që mushkeritë tonë të mos helmohen çdo ditë nga era e saj e keqe. Ato duhet të hapen që ish spiunët e sigurimit të shtetit të mos trazoojnë më jetët dhe shpirtrat tanë të lodhur nga e kaluara e zezë, që ndonjë ish kryetar Bashkimesh profesionale të mos vetdeklarohet President i Unionit të Burgosurve Politik pa pasur asnjë ditë burg dhe internim, që ndonjë tjetër pseudo i persekutuar me partinë e tij të subvensionuar dhe të mbështetur nga Berisha, të mos flasin më  në emër të shtresës të të persekutuarve politikë.

Si përfundim, dosjet duhet të hapen dhe sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga klithmsat e atyre që do të jenë të detyruar të paguajnë çmimin  e vet moral për të kaluarën e tyre, ndonëse ky çmim do të jetë i përbashket për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Zoti Kryeministër! Me autoritetin që ju jep detyra dhe Ligji, hidhe  këtë hap të guximshëm për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptare nga kjo mënxyrë që la prapa diktatura komuniste duke pasur parasysh thënien e famshme të Monteskies: “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dosjet, Fatmir Lamaj, perse duhet te hapen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5095
  • 5096
  • 5097
  • 5098
  • 5099
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT