• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mërgimi, i parë me syrin e artistit

September 10, 2013 by dgreca

Shkruan: PIRRO MANI/

Për mua seria e “Rrëfenjave nga Amerika”, të shkruara nga Pëllumb Kulla, ishin një befasi e këndëshme dhe pas publikimit të asaj të parës, mezi prisnja të hënat që të lexonja rrëfenjën e radhës. Befasia ishte e bukur edhe pse autorin, afërmendsh, e njoh si penë të fortë të humorit e satirës dhe të pjesëve teatrale që ka shkruar e vënë në skenë, në atë planetin tonë të teatrove. Ndryshe nga psikologjia sqimatare që i ka marrë si nëpër këmëbë miniaturat teatrale që shihnim nëpër estradat, unë gjithnjë e kam vlerësuar lart punën e kolegëve të mij regjisorë që punonin atje dhe ku miku im Kulla, ka arritur një varg impresionues suksesesh.  Por, megjithatë, sinqerisht nuk e besoja se Pëllumb Kulla do të niste e ta shpinte gjer në fund në një lartësi të tillë, atë gjerdan rrëfenjash, që më ngjasin me një varg reportazhesh nga Nju Jorku, sa zbavitës aq edhe të dhimbshëm, sa të përmallshëm aq edhe informativë, sa tradicionalë aq edhe modernë, sa të lidhur me shqiptarët e Amerikës, aq edhe pranë atyre të viseve shqiptare në Ballkan, sa të shtruar aq edhe ritmikë… Arti i këtyre tregimthave të botuar në Shekulli është i një graviteti të jashtzakonshëm.

Një nga tiparet më të dukshme të rrefenjave është poezia që dëshmon se ato janë shkruar me një rrëmbim. Poezia ka shërbyer aty si një rrëshirë lidhëse, si një dritë e ngrohtë, e cila bie e ndrit njësoj, qytetet amerikane e shqiptare. Imazhet me Menhettënin në mëngjes, me Qafën e Kërrabës pas një shiu të shkurtër behari, kur fëmijët fshatarë dalin buzë rrugës për t’u shitur fiq turistëve, përrallat e vjetra tona, që një kujdestare që nuk di anglisht ua tregon vogëlushve amerikanë, përralla tjetër që kosovari plak i tregon për 40 vjet rresht të birit mbi viset e banorët e Shqipërisë, janë të një bukurie të rrallë.

Por përtej poezisë, rrëfenjat janë njëkohësisht të lidhura me temat më djegëse të kohës, sa më dukej se analizave aq të mprehta e të goditura që boton vazhdimisht Shekulli, me këto rrefenja iu shtuan edhe disa.  Por këtë rradhë me një gjuhë tjetër, me një pikëvështrim tjetër, me tipa të një seriali të suksesshëm që ditë pas dite, të familjarizon edhe të miqëson me karakteret. Duke treguar për Amerikën autori nuk shmanget pa satirizuar jetën postdiktatoriale shqiptare. Në rrëfenjën e parë, Peçoja, një nga karakteret më të realizuar letrarë, thotë: “…Prandaj është më mirë bre, kur shtetnë e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë burrat e shtetit në Shqipëri. Që shtetnë ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta: ministrat po bëhen të pasur! Atje vjedhjet kanë qëllime të pastra, bre, fisnike… Prandajza, sa herë vete andej-këtej dëpër Amerikë, u them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas… të ini krenarë për mëmëdhenë  e dashur! Atje vjedhën për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithëshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithëshme shtetit!…” Tepër i hollë është satirizimi i atij lideri partiak, në rrëfenjën e katërt, që udhëton për në Uashington dhe kalon aty dy ditë, pa takuar asnjë personalitet politik apo shtetëror të asnjë rangu! Por mbyllet në një hotel buzë lumit Potomak, sheh nga dritarja Memorialin e Linkolnit dhe drejton që andej fushatën zgjedhore në Libarzhd e Kukës e nëpër fshatrat e Shqipërisë. Satira është dërmuese: ka shumë politikanë që udhëtojnë për në kryeqytetin amerikan, vetëm e vetëm që në Rinas të zbresin të ardhur që andej, nga Uashingtoni, vetëm e vetëm që të ushqejnë fantazinë e fanatikëve të tyre e të trembin kundërshtarët politikë. Grotesku shpaloset shumë shumë i fuqishëm e kordha e satirikut prêt më të majtë e më të djathtë në rrëfenjën “Planet e fshehta ushtarake”, ku e gjithë kjo dyndje shqiptarësh nga viset arbërore në Amerikë, interpretohet si një strategji shekullore shqiptare për … pushtimin e Shteteve të Bashkuara(!!!), strategji e ideuar dhe zbatuar nga tërë tërë krerët e shtetit të vockël të shqiptarëve, që kanë qënë  tërë një mendje, (ironi më vete dhe kjo!) “Nuk e di kush e ka bërë pllanë, thonë Ismail Qemali, thonë mbreti Zog! – spjegon Peçoja– “Ama këta që kanë erdhur në krye të vendit më pas, pavarësisht nga inatet me njëri tjatrin, pllanë nuk e kanë kundërshtuarë…  Ay, (Enveri) nuku kish zemër të vriste një zoçkë. Vravi mijra e mijra bashkatdhetarë, që të tjerët të besoshin, kur arratiseshin në Amerikë, ore! Qëllimi qe i lartë! Ay zbatonte porositë e mbretit. Njeriu i tij ka qënë, bre, s’ke dëgjuarë? Zogu e ka patur konsull në Belgjikë!

– Shiko, shiko! Ti Peço ke vendosur të më lesh me gojë hapur sot! Unë, Enverë e mendonja diktator tamam! Ay e bëkërke… Shih-shih!  Tashi po e çmoj. Dhe po filloj të kem respekt, për të.

Po unë deri këtu, e po ndalem në zbulimin e vlerave në përmbajtje. Po kthehem të përdor më shumë metrat e mi, pra të një njeriu, që është marrë me teatrin dhe spektaklet në tërësi. Tufa e “rrëfenjave nga Amerika” i ka të gjitha cilësitë e një seriali televiziv të suksesshëm. Bile do të thosha edhe më shumë se një serial, një film unik, mbi këtë valë historike emigracioni, që mori shkas nga shpërbërja e perandorisë komuniste dhe bëri që në truallin amerikan të sulen rusët, bullgarët, polakët, ukrainas e tjerë… Dhe midis tyre shqiptarët! Nga tëra viset tej e mbanë kufijve. E që të gjithë, pavarësisht nga kombësia, përballin problemet e adoptimit, njohjen e kapitalizmit të vërtetë. Njësoj në varfërinë e tyre, njësoj në vlerat e tyre shpirtërore nga njëherë për t’u patur zili nga amerikanët. Njësoj në vështirësitë me gjuhën, me mekanizmat e punësimit, njësoj me iluzionet dhe me deziluzionet, me dëshirat dhe me dështimet.

Vëllimi i rrëfenjave përmban temën e madhe të emigracionit, ose të kurbetit, siç ka hyrë në ndërgjegjen dhe dhimbjen e popujve. Po këtë rradhë në Amerikë kanë vërshuar jo fshatarët e dikurshëm të Korçës e Gjirokastrës, por studentët, mjekët, sportistë të shquar, artistë, me një mesatare kulturore të paimagjinueshme. Të gjithë kanë sjellë këtu një botë mendore specifike në një infrastrukturë amerikane, të njohur së prapthi nga propaganda armiqësore komuniste. Por gjithësesi ajo është e largët, e huaj dhe e vështirë për t’u adoptuar në të.

Publikimi i këtyre rrëfimeve, duket që nuk është një frymëzim i çastit i autorit, por një mbarsje e gjatë dhe e pjekur në kohë. Karakteret që popullojnë rrëfenjat janë të besueshëm, të përditshëm dhe të veçantë. Duket që ata kanë ardhur nëpër ato faqe letrare duke zbrazur blloqet me shënime të autorit Pëllumb Kulla.

Merr karakterin kryesor: Peçoja është i gjallë, tërë lëng jetësor. Ai është një lloj filozofi popullor, që e ka mësuar filozofinë jo në katedrat e filozofisë por në rrugën e mundimeve: ka qënë në burg në rininë e tij, emigrant në Greqi dhe i futur pastaj fshehur në Amerikë. Gjuha e tij është e figurshme dhe dialektale aqë sa ajo bëhet tipar i krahinës së tij të Devollit dhe ende e shumë ngjyrshme me mbetjet interesante nga fëmijëria e hershme. “Erdhi dhe më qëndrovi një të pështyrë larg”, thotë Peçoja kur do të tregojë largësinë më një njeri të neveritshëm, në rrëfenjën e shtatë. Situatat nëpër të cilat kalon ky shofer taksie apo limuzine, janë shpesh dramatike, komike, bufe, por asnjëherë të vetqëllimshme. Ai është një karakter i ngrohtë, puntor, i ndershëm dhe me një dashuri e dhëmbje për atdheun në të cilin u rrit jo në ambjente ideale, por gjithsesi të dashura. Ai i shpalos të metat e veta me një lehtësi impresionuese. Kujtoni dasmën kur këtij i duhet të ndeshet me fshatarin që ka zënë një qoshe përrallore në pikën doganore, edhe kur tërë ambienti fshatar e shtyn Peçon të luajë “amerikanin” (Rrëfenja “Paradë pasanikësh” që unë do ta quaja një nga tregimet më të bukur të narrativës kombëtare).

Karaktere të tjerë interesantë gjen në faqet e këtij vëllimi më shumicë: Gruaja e shoferit, tërë kohën në alarm për çdo ditë që gdhin në Amerikë; fëmijët që përhapen si vaji në tavën amerikane; Roza, ajo nënolja e pasuksesëshme në Shqipëri, e cila i ka vënë vetes si qëllim të gjejë një burrë amerikan dhe e konsumon veten duke parë kanalet porno; ministrat e qeverisë hije, që presin akoma të bjerë komunizmi, edhe kur ai ka dymbëdhjetë vjet që është gremisur; hetuesi që ka torturuar në qelitë e Sigurimit e tani ka nxituar të marrë strehimin politik edhe më parë nga ata që pat rrahur me duart e tij duke i akuzuar se patën dashur të arratisen në Amerikë; Beni, ai i riu i papunë në Tiranë, që nuk ka shkelur kurrë në Nju Jork dhe di edhe cilat korsi do asfaltohen të djelën në darkë mbi një urë të Menhettënit… E plot e plot të tjerë, të gjallë të etur, të këndshëm, tuhafë, pasionalë që mbushin rrëfenjat e Peços. E sidomos të përditshëm, që të sjellin shpesh mendjen tek figurat çehoviane.

Puna në teatër dhe telvizion që ka bërë autori gjatë jetës së tij e ka ndihmuar mjaft që në narracion të jetë dinamik. Në të gjithë këta tregime ndihet lëvizja, mizanskena. Përshkrimi alternohet me fjalën në një zhvillim të mrekullueshëm filmik. Karaktere thellësisht shqiptarë, në një dekor marramendës gratacielash të vërtetë.

Unë i uroj autorit një jetë më të bukur suksesesh letrare, por jam i bindur që edhe përvoja me Shekullin, për të, duhet të ketë qenë e mrekullueshme.

Kurse mua që tani më ka marrë malli për ato të hëna, këtu në Kolorado, kur hapnja internetin, klikonja tek Shekulli on the Web dhe pasi i hidhnja një sy lajmeve e komenteve, linja për në fund, siç lihet ëmbëlsira, rrëfenjën e radhës endur e thurrur me aq shije nga pena e mrekullueshme e autorit Pëllumb Kulla, njohës i mprehtë dhe i thellë i psikologjisë së bashkëkohësve të tij.(Botoi Shekulli, Foto- Dielli, shtator 2013)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: pellumb Kulla, Pirro Mani, Rrefenjat

MBRETËRESHA E KËNGËS SHQIPTARE

September 10, 2013 by dgreca

Kushtuar Vaçe Zelës/

Nga Luan Çipi/

Kush dëgjoi s’u mrekullua/

Nga “Bilbili i Myzeqesë”?/

Dhe një herë ta shoh, e dua,/

Pastaj… më lini të vdes!/

 

Te kënga “Fëmija i parë”/

Nis buçet zëri brilant,/

Ish bekim nga Zoti marrë,/

Shqiptarët patën fat./

 

Këngën “Djaloshi dhe shiu”,/

Koha na i dha peshqesh,/

Ngjitet në podium gjeniu,/

Vaçe Zela, një hyjneshë!/

 

“Gonxhe, në pemën e lirisë”

Dhe “Lemza”, “çmendën” miletin,

Dridhet “Valsi i Lumturisë”,

“Nënë moj, do pres gërshetin”.

 

Për çdo vit një festival

Shpalos këngë e melodi,

Kurorat të ndrisin ballë,

Ti, shkëlqen ndër yllësi.

 

Vijnë çmime e ndere radhë

Shqipëri, Kosovë, më lart…

“Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e Madhe”

Edhe “Mikrofon i artë”.

 

”Disku i artë” në Amerikë,

“Legjendë kënge” në Shqipëri

Në Botë “Personalitet”, mike,

“Grua e vitit” në Angli.

.

Nuk kanë të prerë gërshetat,

Madhështore do të mbesë

Në filmat, disqet, kasetat:

Këngëtare mbretëreshë.

 

Vlorë, më 10.09.2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Luan Cipi, mbreteresha e kenges, Vace Zela

Pse Faik Konica ishte i tillë ?

September 10, 2013 by dgreca

“Dija e injoranca janë në kacafytje kudo për sot e mot, veçanërisht në botën shqiptare”-Faik Konica/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Pse Faik Konica ishte i tillë si e njohim ne në letrat tona? Sepse i përkiste gjakut të fisëm shqiptar. Bartëte krenari tipike të themeltë,sepse e vishte kostumin e qenjës së tij të kulturës bashkëkohore, të firmës së njohur europiano-perëndimore ,si rrallëkush i kohës së tij. ( Dr. Ledri Kurti)  Pse Konica apo pse nuk e ndjekim rrugën e Konicës që të  mos heshtim, të  mosshtrohemi e të bashkohemi ? Ai na thoshte se rruga që shpie në nderë,në arritje e shpëtim nuk është e shtruar me lule por me therra,dhe se një ditë do të dalim të rritur në sytë e botës. A jemi rritur sa duhet ? A e kuptuam se për të arrijtur në kulm arrihet i grisur ,i përgjakur ,i djersitur e i lodhur? Trëndafillat, dafinat ,uji e ftofët dhe shtrirja e ëmbël  gjinden në kulm  ,dhe atje shumë herë as që i gëzon dot,  por se bie i vdekur nga të lodhurit  dhe me vëtëdijen e plotë se i hape një udhë të re popullit.

Për të zhvilluar temën e titulluar mu desht pa tjetër të thirrem në Faik Konicën ,kur kërkonte : Ndryshim në themel!  A është edhe sot e nevojëshme ,e domosdoshme e menjëherëshme për të kapërcyer paradoksin e kohës shqiptare, e cila  nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e para njëqind vjetëve? A mos është mendja edhe e intelektualit të sotëm një rreth i mbyllur, me një mendim dogmatik të thatë dhe  të pa jetë? A mos po e kemi mendjen e frikëshme  të zhytyr në mediokritet?

Si mundemi të flejmë aq pa brenga ( intelektualët) ,dhe të mos i kundërvihemi një të keqës nga e kaluara e cila po na gërryen edhe sot? Pse heshtim  dhe nuk i zbardhim planet e të kaluarës për zhbërjen tonë nga ata që edhe sot vetëm se po i rifreskojnë planet e tyre ,me të dhëna më të  dhe metoda më të sofistikuara?

Edhe sikur të shkruanim për çdo ditë nga një libër dhe të mundohemi ta bindim botën se atë që e kanë thënë serbet për ne  ,nuk është e vërtetë,nuk ia dalim dot. Ata aq shumë  kanë punuar por edhe sot punojnë në atë drejtim ,dhe duke e krahasur me” punën” tonë apo më mirë të them heshtjen tonë e kemi të pamundur çdo llojë përgënjeshtërimi. E bota i beson librit.

Planët e serbëve për shfarosjen tonë ,bartjen tonë nga tokat tona janë shumë të herëshme. Por ata nuk i bënin vetëm. E kishin mikun ,i kishin miqtë të cilëve iu ndihmonin.  E ne ende nuk po dijmë ta zgjedhim mikun. Përplasemi sipas nevojave ditore ,individuale ,klanore  dhe kurrsesi të ndalemi dhe të rrokemi me të vërtetin. Po ,po me mikun e vërtetë.

Na ende pyetemi se a me Stambollin apo Brukselin?

“ Arnautët ishin gjithëmonë përfaqësiesit e denjë  të çrregullimeve dhe të mos përgjegjësisë ndaj shtetit, Të tillë i njhnin edhe të krishterët( Europa,f.xh.) e edhe Turqit. Gjatë historisë dhe në gojëdhëna ,në të kaluarën dhe të tashmen për banorët e Makedonisë , Sërbisë së vjetër dhe në Sanxhak,Shqiptari ishte sinonim i dhunuesit dhe  i dhunës dhe i rrëmbimit. Ata ishin të tillë edhe në kohë të luftës e edhe në kohë të paqës.”( Jovan N. Tomić  O Arnautima  u staroj Srbiji i Sandžaku,1913). Pra botës i spjegohej për një popull të të pa denjë për Europë.

“ Islamizimi i shqiptarëve nuk ka filluar me ardhjen e tyre në tokat serbe.Islamizimi i shqiptarëve fillon me të madhe pas vdekje së Skënderbeut. Një pjesë e madhe e tyre ikën në Italinë e Jugut ,dhe të tjerët duke marrur përfitime nga turqit filluan ti popullojnë tokat serbe”( po aty).

Si u albanizuan dhe u muhamedanizuan serbet ortodoks në vitet 1737? A nuk ju duke kjo një pyetje që i kalon të gjitha normat e një shkrimi historik apo dokument diplomatik, e shkruar po në atë libër  ?  Dhe këto pyetje bota i ka pranuar ,e ne kemi heshtur dhe heshtim edhe sot. “U mundova thot Jovan N. Tomiqi në librin tim  që me fakte dhe argumente të  tregoj se si erdhi deri te  albanizimi dhe muhamedanizimi  i serbeve , këndej kufirit me  Shqipërinë.”  “Në Sanxhak nuk ka pasur kurr Shqiptarë ,as me ardhjen e turkut ,as në shekullin XVI ,as në ate të XVII. Në shekujt e përmendur banorët e atyhit ,përveq një numri të vogël turqish ishin kryesisht Serbët,serbët e fesë muhamedane dhe më shumë  të asaj ortodokse. Por gjuha e tyre si e muslimanëve si e ortodoksëve ishte serbishtja.  Kufiri etnografik me Shqipërinë ishte largë nga Sanxhaku.Ai (kufiri) as në shek.XVI  nuk mbërrinte deri të Drini i Bardhë. Dukagjini nuk ishte në përbërje të Shqipërisë. Tek në shekullin XVII ,kufiri lëvizi këndej por pa e kaluar Drinin. Në Lumë dhe në nahijën e Gjakovës ,banorët ishin serbë dhe flitshin serbisht.( ?) … Ardhja e Arnautëve në Sanxhak (rreth vitit 1700) nuk ndikoj në numrin e shqiptarëve në Shqipëri sepse teprica e popullit të saj i gjeti kushtet më të mira për jetënë  Sanxhak. Pse erdhën ata aty? Sepse popullata serbe e vendit  ishte në luftë me turqit” ( po aty).

Pra në kohën e konferencave të Londres ,Parisit ,Versajit ,aty ku duhej të diskutohej ndarja e jonë në copëza, atëherë  duhej një arsyetim  për marrjen e tokave tona ; sepse ato” ishin të tyre”. E ne, i kishim esatpashat ,haxhiqamilat që me ndihmën e Turqisë e kërkonin kthimin e dumbabës.

Serbët e albanizuar  sa ishin në numër?  Sipas Samarxhiqit ( 1989) ,në  fund të shekullit XIX –të në Kosovë ishin rreth 30-40 përqind të “Arbanasve “ me origjinë slave ; kurse Mladenoviqi (1989) e rritë numrin në dy të tretat e banorëve shqiptarë të Kosovës që ishin me origjinë serbe, kurse studjuesi  Veselin Gjuretiq (1992) ,e përmbyllë numrin e shqiptarëve me prejardhje serbe në 80%.

Edhe udhëpërshkruesi Gopçeviq e kishte zhvilluar tezën e Shqiptarëve si Serbë të albanizuar si dhe praninë e “Kripto-serbëve” apo “serbëve të mëshefur”(Përvetësim i pa skrupullt i një kombi të tërë). Ai thot se kombësia arbanase nuk egziston , sepse “ Arbanasit” në të vërtetë janë “Shkipetarët” ,sepse Arbanas mundet me qenë edhe serbi edhe turku edhe greku.

Por ,të gjitha këto që u thanë më lartë shkruheshin si në kohën kur neve turku nuk na lejonte shkollën por edhe më vonë kur ne mësuam shkollë për nuk dinim të shkruanim ,se kishim probleme tjera . Ne nuk reagonim në kohë të duhur.

Marrëveshtjet ,për bartjen e popullësisë muslimane (shqiptare) nga tokat “serbe” u muarrën qysh nga viti 1862, kur u mbajt Konferenca ndërkombëtare në Kanlixhe ,paralagje e  Stambollit ,me çrast qeveritë Ruse ,Franceze dhe Turke bënin Marrëveshje  për një qasje të përbashkët në dobi të Serbisë. Në atë marrëveshje ishte shkruar që muslimanët( pra shqiptarët) duhen të shpërngulën “orë e më parë”.Serbia do t`i paguante Turqisë dëmshpërblimin prej 9.000.000 groshësh..

Muslimanët e Serbisë mund të rrinin në vatrat e tyre ,me këto kushte:

– që t`i kthehen besimit stërgjyshor ,dhe nëse jo të mbesin

-serb të besimit musliman, dhe nëse jo

– duhen të shpërngulën nga Serbia.  Dhe drashkoviqët e Millosheviqët rrehnin gjoks karshi Europës ,se për të qenë Serbia e tillë i kishte sakrifikuar 400.000 “serb”.(1998)

Kur ne, do të bartim krenari tipike të themeltë? Kur do e veshim  kostumin e qenjës sonë të kulturës bashkëkohore, të firmës së njohur europiano-perëndimore ?Apo po rrehi ujë në havan ?

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, ishte i tille, Perse Faik Konica

NËSE NJË DITË…SUELA KATANJA

September 10, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Një dijetarë i yni pati thënë”Mërgimi  nuk është sëmundje,por as me u shëruar nuk shërohet kurrë”!Më vonë u bëra vet pjesë e mërgimit,me shëndet isha mirë,po diku thell në thellësinë e shpirtit ndjej një dhimbje,dhimbje që nuk pushon,që nuk ka diagnozë,nuk ka barë shërues.Shqiptarët kanë mërguar me shekuj,madje është folur shumë për mërgimin,për shkaqet dhe pasojat,po ka të flitej edhe shumë. Ndonjëherë njeriu mendon se brenda  një periudhe ka folur e shkruar  krejt çka do të duhej të thotë për mërgimin! Faktikisht kjo është si ndërrimi i natës me agimin.Brenda natës  ëndërron,madje ëndërron një mall për kinemanë e qytetit,për  një kafe me miqët,për lojërat me  fëmijët e fshatit,dhe këto ëndërra nuk mund të i përshkruash me shumë vargje e rreshta,përmbledhje poetike e romane,por ske mbaruar asgjë,ende pa përshkruar ëndërren e parë,lindë tjetra!!!Fundja deri dhjetëra  vite  më parë ne shqiptarët edhe  në vendin tonë kishim mërgimin në mes.Ne shqiptarët nga  Kosova,nuk guxonim as të flisnim,as të njihnim, shkrimtarin,poetin,artistin  nga Shqipëria,nuk guxonim të zinim në gojë  emrin Shqipëri nga se ndëshkoheshim.Emri i  Kadaresë dhe Agollit kishin marrë dheun si shkrimtarë me nam,po ndoshta aty këtu në Kosovë kishte dëpërtuar ndonjë libër i tyre,të e siguronim ne,duhej udhëtuar dhjetëra kilometra këmbë,natën e errët,të e siguronim librin tinëzisht,ndryshe po u zbulua se lexonim literaturë nga Shqipëria nuk kalonim pa u ndëshkuar.Kësaj i thonin të vjetrit “gjallë për së vdekuri”,edhe kurbeti është gjallë për së vdekuri.por ka një gjë më të mirë se komunizmi! Përse?Sepse në këto kohë ne mund të kemi miq nga  Shqipëria mund të kemi literaturë e muzikë nga shteti ëmë,madje po patëm mundësi mund të miqësohemi,mund të shkëmbejmë përvoja në letërsi e kulturë,mund të pijmë e darkojmë bashkarisht,po na premtoj koha.

Në banesën time kam një bibliotekë të pasur,me krijimtari të gjithë shqiptarëve krijues nga gjitha trojet shqiptare.Duhet falemnderuar të gjithë krijuesit, unë asnjëren nga këto libra nuk i bleva, mi dërguan dhuratë miqët duke paguar edhe shpenzime postale. Kështu unë bëra shumë miq e shumë libra,këte e çmoj si pasurinë time më të shtrenjët.Asgjë më shumë se krijimtaria nuk të lidhë me miqët,ajo është urë miqësie. Kam shumë miq të cilët nuk i kam pa,nuk i njoh,por aq thell na ka miqësuar libri,sa  që ndajmë rrespekt të madh me njëri-tjetrin,komunikojmë me shkrime,ia kemi lexuar botëkuptimet shpirtërore njëri-tjetrit,sa  nesër po të takohemi e njohim njëri-tjetrin,sikur të ishim rritur së bashku.E tillë është edhe mikja ime e çmuar Suela  Eqeremi Katanja,e kam mike të çmuar edhe pse nuk jemi pa ndonjëherë.

Fillimisht kur ka nisur të shkruaj,ka komunikuar me mua,madje shkëmbenim mendime rreth shkrimeve,nëse ndonjë varg duhet të  ndërtohet,korigjohet,apo hiqet.Suela mori hapat e saj në  krijimtari dhe tani është  një poete që premton,e cila me ëndje lexohet,poezitë e saj janë vlera,bartin  mesazhe të forta,janë vargje poetike të brumosura mirë poetikisht,janë poezi të një prushi të madh poetik.

Suela prej kohësh është moderatore në Radio Mitrovica.se,ajo moderon aq bukur,moderon në fushën e kulturës,ka një zë të bukur radiofonik,talent aktrimi,sa e sa herë kam dhënë intervista në atë radio,

nën udhëheqëjen e saj,sa e sa herë ka deklamuar poezitë e mia me zërin e saj artistik,kështu miqësia dhe rrespekti na  u është shtuar përherë e më shumë.

Tani të njohim pak lexuesin me jetën dhe veprën e poetes  Suela Katanja: Poetja Suela Eqerem Katanja

Suela Eqerem Katanja e lindur në qytetin e Shkodrës me 5-5-1976 , lindur dhe rritur në Shkodër deri në moshën 31 vjecare, ku me 10 shtator është larguar nga vendlindja për në Itali, ku jeton me familjen. Fillimet e saj të poezisë kanë filluar nga shtatori i vitit 1999 dhe në vazhdim në ditët e sotme. Në shtator 2010 doli në qarkullim libri i saj i parë me titull “Largë mërgimi na ka tretur” ku në to gjinden poezi të ndryshme të jetës sociale dhe të emigranteve. Ndër to ka të përfshirë poezi edhe vetveten e saj si emigrante larg qytetit të saj të Shkodrës. Suela e konsideron Shkodrën dhe bukurinë shqiptare si kulturën më të bukur në botë. Aty, pranë Brunës dhe Drinit, pranë Kalasë së Rozafës u ndërthur historia e betejave të Shkodrës, nëpërmjet këngëve të perlës së muzikës shkodrane.Suela Eqerem Katanja…

Poetja Shkodrane Suela Eqerem Katanja ,vjen per lexuesin me librin e saj te dyte me titull ‘Nese Nje Dite ‘, pas librit te pare qe percolli tek lexuesi me titull “ larg mergimi na ka tretur “ 2010 nga shtepia botuese “ADA” .

Suela jeton ne Itali dhe vazhdon te shkruaje poezine me plot pasion dhe nostalgji ,Suela ka botuar dhe ne gazeta e revista “Oroskopi “ ne Vlore , ”Drita e dijes ”reviste ne Shkoder ,”Bota shqiptare “ ne itali , “Dukagjini “ ne Shkoder , “ Intervista “ ne Tirane ,perveç botimeve Suela Eqerem Katanja eshte, ANETARE E LIDHJES NDERKOMBETARE TE POETEVE ,SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE “PEGASI” ALBANIA. Suela eshte eshte dhe nje nga poetet ,pjese e librit me poezi gegnisht ne vellimin e pare < Poezia- arti i fjales shkodrane .Suela eshte dhe tekstshkruese e disa kengeve .

Eh,mërgimi,  askush nga  përvoja e dhimbjes nuk ka bërëkaq letërsi, nuk ka ndezur aq ëndrra dhe nuk ka bërë pluhur e hi aq vegime shkrimtarësh, sa mërgimi.Kur njeriu është jashtë atdheut,atëherë ai më mire e kupton peshën e atdheut,mallin dhe dashurinë për te.Tani  i mërguari jeton me dhimbjen në çdo hap,në rrugët e huaja,në punë,në banesën apo strehimoren e huaj,me mallin e vendlindjes,ku të merr malli për diellin tënd,fushat,brigjet,krojet,miqët, ku përmallohesh edhe për therrën e endlindjes..Vetëm në mërgim më tepër se çdokund shpirti mund ta ngjallë e ta përtrijë kujtesën,madje bota shpirtërore mbushet dhimbje të cilat nuk ke durim pa i shprehur  mes vargut,apo rreshtit.Botën e vet shpirtërore, poetja Suela e ka shprehur mes vargjeve,sidomos tani në librin e saj të dytë”Nëse një ditë”,titull ky që për mërgimtarin është tejet domethënës.Libri është dhënë me një gjuhë të çiltër,me mesazhe të fuqishme,edhe pse në te nuk  mund të i shmangemi asnjëherë himbjes,dashurisë,ëndrrës,kujtimeve,por të gjitha janë përshkruar me vlera të mirëfillta.”Nëse një ditë”,mund të quhet libri Atdhe,ndryshe nuk ke si të i thuash,aty  gjenë mallin dhe dashurinë për Atdheun,bukuritë e tij,mallin e skalitur në vargje,në çdo varg malli bënë sheti në pragjet e atdheut,bisedon me  prindërit,vëllezërit,miqët,kështu është puna e poetëve,Poetët, këta njerëz të ëndrrave të mëdha e të mundësive të vogla për të ndryshuar çfarëdo qoftë në këtë botë tejet kundërthënëse.

Vargjet e saja me fuqi magjike, piknisin me mallin për  Shkodrën,mallkimin mbi kurbetin,ditelindjen n ë mërgim…..Eh,po të jesh poet është fat,dhunti,po nuk është edhe e lehtë nga seShkrimtari ndan fatin e tij me fatin e kombit.

Prandaj të jesh shkrimtar është detyrë e vështirë,aq më e vështirë kur krijon nga mërgimi.Të jesh shkrimtar apo poet fillimisht duhesh të besosh në art,të besosh në ate që shkruan,të mos ndalosh ,të lexosh shume.

Për një shkrimtar është me rëndësi të mos ndalojë. Të krijojë, të mos lejojë ta braktis muza e frymëzimit.  E tillë është poetja Suela,andaj rrugëtimi i saj poetik na bënë optimist.

Krijuesja  Suela Katanja,vargun e saj e ka begatuar me metafora dhe figura të tjera stilistike që  edhe më shumë e begatojnë këtë varg dhe i japin një natyrshmëri të thellë poetike, nëpërmjet të cilave vargut

të kësaj krijueseje edhe më shumë i japin shpirt dritësie dhe jetë. Nëse i bëjmë një analizë kapitujve poetik të poetës  Suela,duke ndriçuar simbolet dhe figurat në vargjet e saj,ajo kalon nëpër të kaluarën tone historike,shoqërohet me mallin e atdheut dhe vendlindjes dhe thelbi  poetik del poetiko-jetësor-historik,që kjo nuk ndodhë vetëm te  Suela,por është temë e trajtuar poetike thuaj te çdo poet i mërgimit.

Sido që të jetë, Suela në botën letrare ka sjellë një varg të bukur poetik duke përçuar vlera të mirëfillta ideoartistike  dhe mesazhe shumë të qëndrueshme që do t’i qëndrojnë kohërave. Kjo na ngrohë  në fushën letrare dhe  Sueles i urojmë rrugëtim të mbarë  në fushën e më tejme të poezisë dhe librave

Filed Under: Kulture Tagged With: nese nej dite, Shaban Cakolli, Suela Katanja

SHQIPTARËT E REGJIONIT TË KOSTURIT

September 9, 2013 by dgreca

Nga Prof.Dr. Selman Sheme/

 Gjeohapësira, vendbanimet dhe spastrimi etnik/

 Në prag të shpalljes së pavarësisë gjeohapësira etnike shqiptare zinte një sipërfaqe prej 75.000 km2 dhe ishte e ndarë në katër vilajete: në vilajetin e Shkodrës të Kosovës, të Manastirit dhe Janinës. Në vitin 1912 në këta vilajete banonte një popullsi prej 2.354.200 banorë. Shumica e popullsisë së katër vilajeteve perëndimore të Truqisë Europiane ishin shqiptarë. Mbi këtë bazë lindi platforma e rilindasve që kërkonin përfshirjen e këtyre vilejteve në shtetin e ardhshëm shqiptar.

Si pasojë e kushteve historike që njohu gadishulli i Ballkanit gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane, në periferi të trojeve shqiptare kishin depërtuar si kolonistë edhe pjestarë të kombesive të tjera.

Në brezin anësor periferik përvec shqiptarëve kishte popullsi malazeze në Veri-Perëndim (Podgoricë, Shpuzë, Zhabjak, Moraçë), boshnjak në Veri (Kolashin, Rozhaj, Novipazar), serb në Verilindje (Vranjë, Leskovc, Nish), maqedon në lindje (Shkup, Prilep, Manastir) dhe grek në jug (Arte, Prevezë, Janinë). Për rrjedhojë në vilajetin e Manastirit, ku ndodhej regjioni i Kosturit, përvec shqiptarëve që përbënin shumicën e poullsisë, banonin edhe pakica maqedonase, vllahe, turke dhe serbe.

Deri në vitin 1912 Kazaja e Kosturit ishte nën juridiksionin e Sanxhakut të Korçës (Vilajeti i Manastirit). Ky sanxhak ishte i ndarë në 7 kaza: Kazaja e Korçës, e Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit dhe e Hrupishtit. Këto kaza ishin të populluara me shumicë nga shqiptarët. Në Sanxhakun e Korçës nuk ka patur asnjë vendbanim me popullsi greke.

Me vendimet e padrejta të konferencës së Ambasadorëve në fundin e vitit 1913 Regjioni i Kosturit si dhe krahina e Çamërisë, regjioni i Janinës, i Konicës, i Grebenesë, i Follorinës, etjerë, u shkëputën nga trungu etnik dhe ju aneksuan Greqisë. Me këto ngjarje fillon kolonizimi grek i këtyre trevave jugshqiptare.

 

  • Ku shtrihet gjeohapësira e Kosturit ?

 

Në lindje të fushës së Devollit, pasi kalon kodrat e Kapshticës, Braçanjit, Vidohovës, Çetës etj., përtej kufirit të sotëm shtetëror shqiptaro-grek, shtrihet regjioni i Kosturit. Kjo gjeohapësirë nga madhësia e territorit ka afërsisht përmasat e fushës së Devollit. Në veri dhe lindje të regjionit shtrihen malet e Kosturit (Mali i Gurit, i Brezhnicës, i Polikut, i Bloçishtit, mali i Viçit etj).; ndërsa në jug sistemi malor alpin i Pindeve. Brenda këtyre kufijve natyror shtrihet fusha e Kosturit e cila është formuar nga aluvionet e lumenjve Shag, Llumbanicë, Belicë, Zhelovë e Slivanj. Këto lumenj janë afluent të lumit të Vistricës. Meqenëse pjesa më e madhe e fushës shtrihet midis lumenjve Belicë, Shag dhe Slivanj ajo quhet edhe fusha e Mesopotamit. Rajoni i Kosturit ka klimë mesatare kontinentale dhe fusha me toka pjellore të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë. Malet përreth janë të veshur me pyje dhe kullota të cilat janë shfrytëzuar nga popullsia tradicionalisht për zhvillimin e blegtorisë dhe ekonomisë pyjore.

Tokat, pyjet dhe kullotat deri në vitin 1912 kanë qenë pasuri në pronësi të popullsisë autoktone shqiptare. Kështu fusha e Kërçishtit ka qenë pronë e pashait të Bitinskës, Ismail Pashës, Çifliku i të cilit shtrihej deri në Bellocërkë. Banorët e fshatit Vishovicë e Trestenik (Devoll) kanë pasur në pronësi gjithë pyjet dhe kullotat e malit të Bloçishtit. Banorët e fshatit Kapshticë kanë pasur pronat e tyre në malin e Polikut.

Pas shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare qeveria greke shtetëzoi të gjitha tokat, pyjet, kullotat dhe pasuritë e tjera të pronarëve të ligjshëm shqiptar.

 

  • Cilat janë vendbanimet rurale (fshatrat) që kanë patur kryeqendër Kosturin?

Kazaja e Kosturit ka patur 42 fshatra të cilët sipas fesë dhe etnisë janë: Bellkamen-i (fshat i besimit krishter ortodoks shqiptar), Bloçisht-i (fshat mysliman shqiptar), Breshteni (mysliman shqiptar), Çernelisht-i (i krishterë shqiptar), Çerçisht-i (mysliman shqiptar), Çetirok (sot thirret Mesopotamia), Çakonj-i (shqiptaro-maqedon), Denckë-a (fshat me popullsi vllahe), Dobolisht-i (mysliman shqiptar), Draniç-i (shqiptaro-maqedon), Fushëz-a (mysliman shqiptar), Galisht-i (mysliman shqiptar), Gerlen-i (mysliman shqiptar), Gostivisht-i (mysliman shqiptar), Humocke-a (shqiptaro-maqedon), Janoven-i – sot Janohori (shqiptar i krishterë), Kapshticë-a (mysliman shqiptar), Kërçisht-i (mysliman dhe të krishterë shqiptar), Kalevisht-i (i krishterë shqiptar), Kostinec-i (i krishter shqiptar), Lehovë-a, Liçiteri (shqiptaro-vllah), Luadhe-t (ish fshat shqiptar i djegur nga grekët me gjithë banorët më 1913), Llabanic-a (i krishterë shqiptar), Prapackë-a (mysliman shqiptar), Revan-i (mysliman shqiptar), Slimicë-a (shqiptaro-maqedon), Slivanj-i (mysliman shqiptar) Sllatine-a (i krishterë shqiptar), Shag-u (mysliman shqiptar), Shëndjell-i (myslimanë e të krishterë shqiptarë), Tikvan-i (shqiptar e maqedon), Trestik-u (të krishterë e mysliman shqiptarë), Trestenik-u (mysliman shqiptarë), Toprackë-a, Tuholi (të krishterë dhe myslimanë shqiptar), Viçishe-i (mysliman shqiptar), Vidohovë-a (mysliman shqiptar), Zeberden-i, Zagar-i (sot Ajozaharia – mysliman shqiptar), Zelegozhd-i, Zelegradi – sllavisht, qyteti i jeshiltë (mysliman shqiptar), Zhelen-i (shqiptar me disa familje maqedonase).

Pas shkëputjes tragjike të rajonit të Kosturit nga trungu etnik shqiptar dhe aneksimit e kolonizimit grek, brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën vetëm 4 fshatra të kësaj treve: Kapshtica, Tresteniku, Vishica apo Vishovica dhe Vidohova. Jashtë kufijve politik të Shqipërisë mbetën 38 fshatra nga të cilët 30 fshatra me popullsi homogjene shqiptare, 6 fshatra të populluara nga shqiptarë dhe maqedonas, 1 fshat i populluar nga shqiptarë dhe vlleh dhe 1 fshat i populluar nga Vllehët. Deri në vitin 1913 në Kazanë e Kosturit dhe në 6 kazat e tjera të Sanxhakut të Korçës nuk ka patur asnjë vendbanim, me popullsi greke.

  • Spastrimi etnik dhe kolonizimi i regjionit

Me aneksimin e krahinës së Çamërisë dhe të trevave të tjerë në jug të Shqipërisë, rretheve të Janinës, Konicës, Kosturit, Grebenës, Follorinës etj, fillon një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultra nacionalistë për shkombëtarizimin e këtyre trevave dhe helenizimin e tyre.

  • Strategjia e kolonizimit eshte realizuar nëpërmjet zbatimit të tre rrugëve:

1) Spastrimi etnik nëpërmjet një gjenocidi të egër ndaj popullsisë shqiptare të besimit mysliman.

2) Ndryshimi i strukturës demografike të populsisë nëpërmjet kolonizimit me imigrantë grekë dhe vlleh të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e Vogël.

3) Asimilimi i popullsisë shqiptare të fesë (besimit) ortodoks nëpërmjet mohimit të identitetit të saj kombëtar, ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe, mësimit të saj në shkollë, ndalimit të përdorimit të simboleve kombëtare etj. Që nga fillimi i shek. XX burimet statistikore greke për qëllime politike, të gjithë popullsinë shqiptare ortodokse e konsideronin të etnisë greke, duke identifikuar në këtë mënyrë besimin ortodoks me kombësinë greke. Me të dhëna statistikore të manipuluara për strukturen etnike te popullsise, qarqet nacionaliste greke, kriterin fetar e kanë shfrytëzuar për të justifikuar politikat e aneksimit të trojeve shqiptare të Epirit te Jugut (krahina e Çamërisë) dhe në ditët tona të Epirit të Veriut apo të Vorio Epirit. (Krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës). Këtij qëllimi i shërben edhe trysnia e sotme politike që ndiqet nga segmente nacionaliste-shoviniste greke për të imponuar një regjistrim të popullsisë ku të vetdekalrohet kombësia dhe besimi.

Popullsia shqiptare në jug që mbeti jashtë kufijve të vitit 1913 filloi të shpërngulet me dhunë nga ana e autoriteteve qeveritare greke. Në vitet 1913-1914 çeta hajdutësh dhe kriminelësh (andartet) e në vijim ushtria greke filluan të godisnin, të vrisnin dhe të dhunonin popullsinë shqiptare myslimane.

Ushtria greke duke kaluar edhe kufijtë e porsacaktuar të Shqipërisë, vranë, dogjën dhe shkatërruan mjaft vendbanime rurale dhe urbane në rrethet e Korçës, Kolonjës, përmetit, Skraparit, Tepelenës, Kurveleshit etj. Këtyre masakrave ju nënshtruan në mënyrë të veçante popullsia myslimane.

Në vitin 1913 në rajonin e Kosturit, grekët dogjën tërësisht fshatin shqiptar të Luadhit së bashku me gjithë banorët. Nga i gjithë fshati munden të shpëtojnë nga djegia vetëm 2 vetë. Në këto kushte filloi emigracioni i popullsisë shqiptare për në Shqipëri dhe Turqi.

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) dhe më vonë aventura ushtarake dhe disfata e plotë greke në Azinë e Vogël (Turqi) në vitet 1921-1922 sollen një periudhë të re tensioni politik në Greqi që u shoqërua me aksione agresive ushtarake kundër shqiptarëve etnikë. Pas traktatit të Lozanës (1923) dhe me shkëmbimin e popullsisë  në mes të Greqisë dhe Turqisë (Andallaia), ritmi i përzënies jashtë Greqisë të shqiptarëve myslimanë, u rrit dhe mori përmasa tragjike. Masat qeveritare, ndaj shqiptarëve myslimanë që padrejtësimet ju nënshtruan shkëmbimit të popullsisë u zbatua me egërsi të madhe. Çeta andartesh dhe kriminelësh profesionistë grekë masakruan popullsinë, e grabitën dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi. Shkëmbimi i paligjshëm i popullsisë myslimane shqiptare të Kosturit dhe trevave të tjera shqiptare në Greqi u bë me gjithë premtimet e dhënë nga zyrtarët e qeverisë greke se ajo qeveri: “… nuk ka as asnjë qëllim të shkëmbejë myslimanët me origjinë shqiptare”. “Shqiptarët”, deklaroi përfaqësuesi grek Kaklamanos në konferencën e Lozanës në mes Turqisë dhe Greqisë, “banojnë në një krahinë të përcaktuar mirë, Epir. Në qoftë se ata janë bashkëbesimtarë me turqit, ata nuk janë aspak bashkëatdhetarët e tyre”. Kjo deklaratë greke formalisht përjashtonte nga shkëmbimi shqiptarët myslimanë që jetonin në Epir (Çamëri), por lihet i pazgjidhur problemi i shqiptarëve jashtë Epirit në Maqedoninë greke (Kosturi, Follorinë, Grebene, Konicë etj), të cilët u dëbuan tërësisht e pa mëshirë.

Më 31 gusht 1925 Mit’hat Frashëri, Ministri i Shqipërisë në Athinë njoftonte se “shqiptarët myslimanë në Greqi në vitin 1922 ishin afër 100.000. Prej tyre 35.000 frymë u përzunë nga dy prefekturat e Kosturit dhe Follorinës dhe gati 20.000 nga Janina, Preveza, Parga etj., përzënie çillarzi ose tërthorazi kundër vullnetit të popullsisë, si dhe shpeshherë me pretendime, me shtrëngime të zyrtarëve grekë (gjindarmë dhe mufti), ose, më keq akoma, me dru dhe shkop të gjindarmit”.(Te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. dr. Selman Sheme, Shqiptaret e Kosturit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5198
  • 5199
  • 5200
  • 5201
  • 5202
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT