• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI DHE POETI YNË NË MËRGIM FEHMI KORÇA

August 29, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Kurbeti kjo bukë e hidhur,për shqiptarët mbetet dhimbja më e madhe kombëtare.Atdhetarët shqiptarë të  përndjekur nga dhuna e hekurt pushtuese,qenë detyruar të braktisin trojet e tyre dhe të strehohen nëpër vende të ndryshme të Europës,por asnjëherë nuk e kanë rreshtur punën për ngritjen e vetdijës kombëtare.Ata edhe me pushkë edhe me penë kanë luftuar për të mirën e mëmëdheut.Jetë e hidhur në mërgim,atje ku njeriu dergjet me mallin për atdhe.Shumë njerëz kanë vdekur me mallin e atdheut,në kohën kur kryevrasësi sërb nuk i linte as të vdekur të i bënin varr në tokat e tyre.Edhe pas çlirimit,shqiptarët e mërguar janë kthye në vendlindje,kanë shuar pak mallin,por malli për atdhe gjithnjë i gërryan  mërgimtarët.Jetës nuk i dihet,ajo është si hije,sot për nesër.Njeriu sonte mund të bie në gjumë,nesër të mos zgjohet.

Jetës nuk i dihet,të vjetrit nga përvoja kanë thënë”Vdekjen e kemi më afër se këmishen në trup”,unë them se është më mirë që nuk e dijmë kur e kemi vdekjen.Vdekja sikur po ngatërron rendet nganjëherë,ajo po na i ha poetët,për pak kohë na i mori:Shkrelin,Podrimen,Ibrahim Ibishin,Adem Berishën,Ferit Ramadanin,na i mori në kohën më të mirë,i qajtëm nga dhimbja,i përkujtuam në shumë forma,kujtesën për ta nuk e shuam dhe për ne mbeten të pavdekshëm.Dje morëm lajmin e dhimbshëm se në Gjermani vdiq  bashkëvendasi im,veprimtari i shquar kombëtar,poeti jonë i madh Fehmi Korça.Thjesht e papritur,ishte i ri vetëm 43 vjeçar,i shëndoshë në vlugun e jetës,punës e aktiviteteve,por vdiq nga një sulm në zemër.Vdekja nuk pyet,njeriu është i pafuqishëm ndaj fenomenit të vdekjes. Ky lajm i kobshëm ishte bombë në zemrën time,qava sa munda,duhej të më dilnin lotët,ndryshe nuk mund  i mbaja  në thellësinë e shpirtit.Njeriu rrugëton me vdekjen,por mërgimtarët vdesin dy herë,njëherë në kurbet,e së dyti kur i kthejnë të i varrosin ndër varret e të parëve.Kjo është dhimbje,e cila nuk do të na liroj kujtesën e pikëllimit për te.Fehmi Korça ishte mik i madh,i dashur,i urtër,poet i madh,bashkëpunonte me ne në LSHAKSH në Gjermani,e kanë dashur  gjithë miqët,poetët,gjithë mërgimtarët.Sot shumë mërgimtarë,shumë poet,në faqe interneti shprehen ngushëllime për te,shumë telefonata me zëra të përvajshëm na shprehen ngushëllim qetësimi.

Nuk është në mundësinë tonë të bëjmë tjetër,do e qajmë,do e përkujtojmë,do të ia shfletojmë e botojmë veprat,do të mbetët gjithnjë i paharruar për ne,kurse e jona është për familjarët e tij të shprehim:

Ngushëllim

Shumë e nderuara  familja  Korça,

Humbja e të dashurit tuaj  Fehmiut është e madhe,por krenaria që lindët dhe rritët këtë veprimtarë,intelegjent dhe poet duhet të jetë më e madhe.Ne jemi të bindur se ju do të bëheni të fortë,dhimbjet të i ndajmë dhe përballojmë së bashku.Unë personalisht,shoqëria e jonë e mërgimit,LSHAKSH në Gjermani,shprehim ngushëllimet nga zemra,juve familja e çmuar  Korça, farefisit tuaj, shokëve, miqëve, mërgimtarëve që e njohën,letrarëve e poetëve,si dhe urojmë që nga gjiri i familjes suaj të dalin edhe qindra-mijëra djem,si ishte veprimtari, poeti e intelektuali Fehmi Korça.

I nderuar dhe i kujtuar për jetë do të mbetet emri i veprimtarit dhe poetit  Fehmi Korça,në mërgatën shqiptare dhe kudo në trojet tona.

 

Fehmi Korça

 

Fehmi Korça i lindur më vitin 1969 në fshatin Gminëc Komuna e Dardanes (ish-Kamenica e Kosovës) Shkollën fillore dhe ate të mesmën e mbaroi në Gjilan,ish-Student i fakultetit filozofikë dega Gjuhë letërsi shqipe në Prishtinë në vitin 1989-1991. I emigruar në Gjermani në vitin 1991.Në Gjermani për pos që ndjeki kursin intensiv të gjuhës gjermane 1992-1993 ,është i kulifikuar ndërkombëtarisht  në siguri të lart dhe punon në Bazën Amerikane.Për momentin është duke i ndjekur studimet në Kosovë dega drejtimi Juridik semestri i -IV-.I martuar babai i dy fëmijve.

Me shkrime mirret që nga bankat e shkollës fillore kurse më vitin 1996 në Gjermani shkroi dramën “Plisi në shtizë ” se cilës i bëri edhe regjin dhe u luajt në disa qytete të Gjermanisë . Më vitin 2011 në Tiranë botoi vëllimin poetik “Nuk jam larg” nga muaji shtatorë i këti viti pritet të dalë për botim edhe vëllimi i dytë poetik në Tiranë.

 

1. Në ikje pa kthim

 

Diku u tret mendimi yt,

në ikjen pa kthim.

Vonesat i përqafove prore.

Mungesa në dasma

Aty, ku shtrohej buka e misrit.

… Aty, ku kërcehej vallja.

Aty, ku me gjogun tënd,

more gjithmonë “mahramen ”

 

Na harrove ?

Poret e jetës ishin degdisur.

Nuk i kuptove lajkat gjarpërore,

theve kristalet në galerinë tënde.

 

 

Ike,diku në harresën e kohës,

ku rritet cdo stinë pa shpresa.

Këpute lulen e blirit

dhe more me vete ëndrrën.

 

Shpresat le nën oxhakun e gjyshit,

trashëgim brezash.

Fyellin,armën e mallit

nën sqetull fute.

 

Lokja nuk të pa,do ta mbyste loti…

-Do t´i bie në pyllin e panjohur !-the

atje ku perëndon,jo vetëm dielli.

Atje, ku perëndon gjithcka

dhe lind malli.

 

2. Dua

 

Dua !

Dua këngë për Flamur.

Dua melodi.

Dua kohën që erdhi,

bashkimin me Ty.

Dua ëndrra të më ofrojnë,

atje ku këmba nuk shkel.

Të zgjasë në përjetësi

bashkimi me Ty.

Dua kohës t´i kthehen akrepat

Dua aromën pranverore

Dua të bredh kryeqytetit

Dua t´i përulem Gjergjit.

Dua bashkimin me Ty,

Mëma ime Shqipëri !

 

3. Plisi

Plisi në shtizë

skëterrë,bubullimë

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe!

Të degdisur në gjashtë degë,

të poshtëruar nga të tjerë.

Njëri jam nga Lugina,

tjetri nga Janina,

nga Tivari e Tetova,

tjetri nga Kosova.

Nuk ndjejnë për fis,as për farë.

Sot shqipëtari është i përcarë.

Kënga e burrit është vaji.

Mjerë për ne mejrë për Atdhe !

Lëkura jonë është bërë gëzof,

shegertët e huaj presin si të duan.

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Njëri thotë kam terleme,

njëri kësulë e tjetri plis,

por të gjithë janë shqipëtar nga një fis.

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Ulërini e vajtoni !

Dje shqiptari i katandisur,

sot shqiptari i degdisur,

nesër shqiptari i copëtuar,

edhe gjuhën ka për ta harruar…

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Plisi në shtizë prapë ka mbetur !

Deri kur ?!

 

4. Lindja

Skalita fjalën e përbotshme

Rrënjët peshojnë më tepër

se cdo lis në mal.

Vdekjen mos e thirr !

Do vij sikur lindja.

Lindja ime ishte rastësi,apo dëshirë ?

Heshtje,predikim etik mbi moralin.

Kur më solli lejleku ishe e gëzuar,

apo thoshe:Ah,edhe kjo barrë !

Djall o punë si të flas ? Prapë heshtje ?

Nga të gjej të vërtetën,ku fshihet vallë ?!

Në sirtarin e ëndrrave të gjyshes sime,

koha plagët shëron.

Po kur plagët shtohen ?

Ikje në kortezhin e përmotshëm.

Ku mbetem unë,

tek fillimi apo fundi

i episodit jetë ?!

Më gjëmon fjala e nënës në shpirt:

Lindja ka kuptim vetëm në tokën e lirë,

në prag e në sofër,bir !

 

5. Poeti

 

(Poetit dhe dëshmorit të Kombit-Agim Ramadanit-Katana )

 

Ti që u rropate me hijen

pa ngjyrë pa shije,

i dhe ngjyra jetës

solle dhuratë

margaritarë,

lule zambaku

ujitur nga Drini i Bardhë.

Ti që shpalose histroinë,

palë më palë,

thure vargje,

nga ty mësuam fjalën:Nënë.

Ti,poet.

Ti që nuk e ndale penën

edhe kur të privuan.

Të anatemuan në cdo skutë

në dallgët dhe furtunat e jetës.

Ti që i këndove atdheut

me ndjesin e zemrës.

Ti, kandil i ndezur në horizont

Ti, pishtar në histori.

Atdhemëmëdheut i dhe shpirt !

 

6. Marsi i thyer

 

Rropollimë e ditve të thyera.

Katrahurë e netëve të errëta.

Katandisje aritmetike

Në mortin e marsit të thyer.

Zhurmë,shumë zhurmë,

Dritë ,shumë dritë

Errësir,sa shumë errësirë

në këtë hapësirë!

Kontrast monoton i koloriteve

në marsin e thyer.

Vërvitet koha e humbur,

rilind dhe prapë vdes shpresa,

kthehet kujetsa.

Ndero dhe kujto!

Mos rënko as në marsin e thyer !

Pranvera do të trokasë sërish.

 

7. Ndërgjegja

 

Gjarpri kafshon,lëndon,helmon.

Nga lëkura e tij më lirove,

të falem përjetë o mik!

Gjarpri befason,shokon,bishtron.

Nga lëkura e trashur përjtësisht

më lirove,të falem,or mik!

Gjarpri gëlltit,emër të trishtuar ka.

Të falem o Perëndi,më shpëtove

nga lëkura e gjarprit,

mbeta prapë NJERI!

Edhe gjuhën e helmuar largove

Të pacim për jetë,or mik!

Tik-taku i orës dymbëdhjetë pa pesë.

U kumtua lajmi se kryegjarpri vdiq.

Lum Lumi

a ke patur gëzim më të madh ?

Po,kur u Rilindem prapë

dhe hoqëm lëkurën e gjarprit.

Tani më lejo or mik,të lundroj,

në barkën e ndërgjegjes sime,

në ujëvarën e lotëve të popullit tim.

Të lutem,më lejo ta thërras kohën e humbur!

Do t´i pranoj edhe fyerjet.

E di dikujt nuk do t´i pëlqejë.

Të lutem,t´i hapi vetëm dosjen e X-it dhe Y-nit.

E di !Kundërmon erë e pistë,

e ndrydhur ndër shekuj.

Të lutem,të gjitha masat janë marrë,

nuk do të ketë epidemi apo virus!

Thonë se gjarpri shtatë lëkura ndërron,

dhe prapë gjarpër mbetet !

 

8. Vetëm ti

Ti je rreze dielli,

fllad pranveror.

Engjëll,

Nje flakadan me kurorë.

Je zemër,të kam xhan,

dua të të kem sa më pranë.

Je agimi i mëngjeseve

zjarri i dashurisë

që shuan furtunat

dimirit me acar.

Je Borëbardha e ëndrrave të mia,

të kam xhan!

Je romancë nën dritën e qirinjve,

kitara për ty thur melodi.

Rrugëtimi im i zemrës,

më je ti.

Në udhën e kurorave,

je oqean i pashtershëm

me plot dashuri!

 

9. Potreti

Kërkon hijen time lakuriq në potret.

Nuk dua paragjykime!

Lajthitjet e tua i dua,

kur fshehurazi më shikon

në potretin tim nudo.

Nuk je mëkatare.

Shijoje në qetësi!

Jam piktori e dashur!

Ngrihu nga ky ankth.

Potreti im është këtu

Kontrast koloritesh,ankthi,vepra-

Demonët fillojnë vallen,

mbeta farisht pa mbulojë.

Jeta rropatet hileqare,

djallëzit me ferexhe të zezë

Mëkatar i shekullit të ri jam unë apo ti ?

Potreti im ka shije

Potreti yt ka hije të dyfishtë.

Je zog në kafaz.

Je pranverë e vonuar në këtë botë.

Kalendar i vjetër ke mbetur.

Mos mallko të tjerët sikur veten…

Sikur jemi të bastarduar dhe jemi t´pafe.

Sikur bota të përmbyset,e sikur…

Ti do jesh xhelate e t´pafeve.

Kërko ndjesë!

Nëna në këtë botë,

nuk ta mbuloi as nurin,as lakuriqësin.

Mëkatare je,kur ndjell urrejtej

për të tjerët që mendojnë ndryshe nga ti.

Thuaj dhe shkruaj:

Bota paska dy hije,dy fytyra,dy ngjyra,

paska dy djallëzi,dy mëkatarë bardhezi.

Batica dhe zbatica-formula e jetës.

Këdoji së bukurës,shijoje,

kjo është vlera e Universit.

Preke realitetin lakuriq,jo lugatin e zi.

Mallkimi i gjyshes përjetësisht të mbolli zi

ferexhe dhe saf në kokë ?

Edhe ajo lindi lakuriq.

Lakuriq shkoi në amëshim…

Ndjesë pastë!Amin!

 

MOS MË TRAZO

 

Hyra këmbëzbathur në pafundësi ,

zgjata dorën ta shpëtoj,më refuzoi

ose kishte mëri djaloshare,

ose kishte vendosur fundin

katrahura jetësore.

Të lutem,mik!

Mos më trazo plagën

në metropolin e gjenezës sime,

më kurse, të paktën në këtë moment!

Mos kërko zanafillën e dhimbjes,

diku,në harresë të kohës është përvjedhur.

Mos!Thinjat e flokut tim nuk përcaktojnë kohën,moshën,as intelektin.

Mos!Mos më ngatrro me”Plakun dhe Detin”,jam enigmë në vete,jam ai që jam.

Do të mbetem kështu edhe nëse vdes.

Kështu si jam,me çmimin që do ta paguajmë të gjithë .

Mos me vete do t’i marr të gjitha nga kjo botë,

hidhërimet dhe gëzimet e pakta?

Nuk dua paragjykime,qofsha i harruar për jetë!

Hyra edhe atje,ku nuk dija ç’ka më priste,

rezunoja një pritje të pakuptimtë,për pos natës,dita sikur mungonte,

lugetërit vallën kishin filluar

dhe prtnin nuse pa dhëndërr

Hyra,po pse hyra?!

Të prek realitetin në palcë të njeriut.

*Fehmi Korça-Poezi nga vëllimi poetik-Nuk kam larg-2011-Tiranë

Filed Under: Kulture Tagged With: Fehmi Korca, nderroi jete, poeti, Shaban Cakolli

Nikolla Gruevski dhe çështja shqiptare e pazgjidhur në Maqedoni

August 29, 2013 by dgreca

Qasje të SHSHA-së debat në vend të jetës parlamentare/

Nga Skënder KARAÇICA/

Nuk shkohet në BE vetëm me një memorandum të shkruar nga Nikolla Gruevski dhe partia e tij në pushtet,kështu e nis debatin e vet(në vend të jetës parlamentare)SHSHA-ja në Çikago duke vënë në spikamë një spektër të gjërë të problemeve më të cilat tash sa kohë po ballafaqohet Maqedonia.Boshti i tërë problemeve rreth të cilave po përballen të gjitha institucionet e këtij vendi me një demokrci të brishtë është sipas asociacionit shqiptaro-amerikan mos gadishmëria e pushtetit aktual për reformat demokratike dhe të ndryshimeve të Kushtetutës që ka mbetur tash sa vjet në konturat e kodeve të vjetra të sistemit komunsit të Jugosllavisë.

Për të shkuar ky vend në BE do të pyesnim kryeministrin Nikolla Gruevski se ku gjendet populli shqiptar(jo komuniteti-pakica)në kodet e Kushtetutës aktuale në Maqedoni(?)Pse po fshihet problemi i çështjes shqiptare të pazgjidhur dhe gjithnjë ky problee të m po sillet në periferi të qasjeve të jetës parlamentare me të ,,dhënat e mekanizmave,,të shkruara të Marrëveshjes së Ohrit që nuk është zgjidhja e përhershme e çështjes shqiptare dhe ate ua kanë varur në qafë si,,medalje,,për të mbetur nën hijën e ligjeve kushtetuese të parefomuara tash e njëzetëvjet .Jo më politikë perferike dhe populli shqiptar në margjinat e kohës dhe mbrapa mureve të Kushtetutës së N.Gruevskit,thekson SHSHA-ja në Çikago,duke thënë zëshëm dhe me argumentin kohës se pa reformat e prëgjithshme demokratike me strubullarin e aktit më lartë juridik të Kushtetutës nuk ka vija të bardha të udhës drejt BE-së.

Paraqitja e memorandumit para partive parlamentare nga ana e kreut të qeverisë Nikolla Gruevski,paraqet edhe njëherë platformën e vjetër dhe të njohur për ne,për gjoja se Maqedonia i ,,paskësh,,plotësuar të gjitha standardet e BE-së dhe është e gatshme për të marrë udhën evropiane.Mirëpo,në këtë rrugëtim populli shqiptar ka mbetur përseri në periferi dhe i anashkaluar pa mbulesën e duhur demokratike të ligjeve kushtetuese me politikën e proklamuar të BE-së për barazinë kombëtare dhe të vlerave univesale të demokracisë.Jo me popullin shqiptar të rendit të dytë sikundër dikur në kohën komuniste(sic!)të shkohet në BE,Nikolla Gruevski!

Përditshmëria po tregon qartë se ku është sot ky vend dhe si po ecën me standardet e njohura evropiane që ende nuk janë jetësuar një varg detyrash që dalin nga konventa e ,,Evropës së bashkuar,,që kanë të bëjnë për decentralizimin e pushetit lokal më afër qytetarit si dhe një varg zgjidhjesh për të mirën dhe të ardhmen e këtij vendi multietnik.Në fokus të këtyre çështjeve partitë politike shqiptare dhe subjekti i ,,kualicionit të pashkruar,,(BDI)të mbajë qendrim më racional me çastin aktual politik në Maqedoni dhe për shkuar në familjen e lirë dhe demokratike të BE-së,duhet të zgjidhet drejt çështja shqiptare përmes reformave të ligjeve kushtetuese dhe të marrë pozicionin e barazisë së plotë kombëtare dhe shteformuese,që ishin të ndaluara nga të gjitha pushtetet politike maqedonase për gjashtëdhjetë vjetë.

Asociacioni politiko-kombëtar(SHSHA)në Çikago u bënë thirrje tërë mekanizmave të diplomacisë së BE-së dhe të SHBA-së që duhen të kenë parasysh çështjen e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni dhe të ndihmojnë për demokratzimin përmes ndryshimeve të Kushtetutës dhe të miratimit të konventave ndërkombëtre për lirinë dhe barazinë kombëtare të popullit shqiptar për të krijuar rrethanat e volitshme për të marrë udhën e këtij vendi kah BE-ja.Nuk janë serioze dhe nuk kanë asnjë standard të demokracisë ,,memeoradumi,,i paraqitur nga Nikolla Gruevski,ndonëse me këso farë mekanizmash ligjore periferike nuk shkohet në familjen e madhe të Evropës së Re dhe me popullin shqiptar pas mureve të Kushtetutës së pa reformuar asnjëherë në Maqedoni,thekson në fund SHSHA-ja në Çikago.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ceshtja shqipatre, Nikola Gruevski, Skender Karacica

PRESIDENTI OBAMA DHE SIRIA

August 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama tha të mërkurën, në një intervistë me rrjetin publik televiziv amerikan, PBS se ai nuk ka vendosur ende nëse të urdhëroj ose jo një sulm ushtarak kundër regjimit të presidentit  Bashar Asad të Sirisë.   Megjithëse, shtoi ai, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ardhur në përfundimin se javën e kaluar, regjimi i diktatorit sirian Asad ka përdorur armët kimike kundër popullësisë civile të pafajshme – përfshirë edhe fëmijë në gjumë — ku sipas të dhënave kanë vdekur mbi 300-veta në një sulm të vetëm, përfshirë edhe gra e fëmijë, duke shkelur  kështu vijën e kuqe të deklaruar nga Presidenti Obama, para një viti.

Gjatë intervistës, presidenti Obama tha se nuk është aspak i interesuar për një konflikt të zgjatur në Siri, ndonëse, shtoi ai, Pentagoni i ka, “paraqitur atij opcionet e mundëshme për një ndërhyrhje ushtarake dhe tha se ai është duke zhvilluar bisedime intensive me këshilltarët e tij të sigurimit kombëtar”, në lidhje me këtë çështje.   Ai shtoi në intervistën me televizionin PBS se megjithëse nuk ka vendosur ende për ndonjë sulm se ku dhe kur ndaj regjimit sirian të Asadit, ai nënvijoi se duhet që të ketë pasoja ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike kundër njerëzve të pafajshëm,  “me qëllim që armë të tilla të mos përdoren më”.  Përdorimi i armëve kimike konsiderohet krim lufte dhe është i ndaluar me marrëveshje ndërkombëtare.

Gjatë intervistës, presidenti Obama dukej i bindur se ai është i sigurt se regjimi i Asadit është përgjegjës për sulmin me armë kimike të 21 gushtit, në periferi të kryeqytetit sirian.  “Ne kemi ardhur në përfundimin se regjimi sirian, në fakt ka përdorur armët kimike… dhe për këtë duhet të ketë pasoja ndërkombëtare”, ndaj atij regjimi, shtoi ai.   Edhe përfqasuesi i Kombeve të Bashkuara në Siri,  Z. Lakhdar Brahimi njoftoi  të mërkurën se provat dhe dëshmitë tregojnë se ajo që ai cilësoi si një “substancë kimike”, është përdorur kundër civilëve të pafajshëm në Siri.  Ai u tha tekstualisht kështu gazetarëve në Gjenevë: “Në lidhje me atë që ka ndodhur me 21 gusht të javës së kaluar, duket se është përdorur njëfarë substance që vrau shumë njerëz, qindra, definitivisht më shumë se 100, disa thonë 300, disa të tjerë thonë  600, ndoshta 1000, ndoshta më shumë se 1000”, u tha gazetarve në Gjenevë, përfaqsuesi i OKB-s për Sirinë, Z. Brahimi.

Dy tre ditë më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH) Xhon Kerri than ë Uashington se ajo që ka ndodhur në Siri, duhet të “shokojë ndërgjegjen e botës.”   Z. Kerri vazhdoi duke thënë se “Masakra pa dallim e civilëve dhe vrasja e grave dhe fëmijve të pafajshëm me armë kimike është një turp ndaj parimeve të moralit njerëzor”.   “E gjithë bota”, shtoi Z. Kerri, “duhet të jetë e shqetësuar  në lidhje me çdo kërcënim  ose përdorim të armëve kimike dhe këjo është arsyeja se pse bota është e përqëndruar  tani mbi gjëndjen në Siri”, tha krye-diplomati amerikan.   Zyrtarët më të lartë të Amerikës, përfshirë Presidentin Obama dhe zëvendës presidentin Bajdën, vazhdojnë të jenë në kontakt me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe gjetiu, në lidhje këtë çështje.

Ndërkaq, përpjekjet amerikane dhe të aleatëve të saj për  miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,  për të dënuar Sirinë për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, kanë ngecur për arsye të asaj që zëdhënsja e DASH e cilësoi, “kokëfortësisë” ruse.  Zëdhënsja Marie Harf u tha gazetarve në Uashington të mërkurën se, “ne nuk shohim asnjë mundësi për të shkuar përpara, kur të merret parasyshë kundërshtimi rus për marrjen e ndonjë mase më rëndësi mbi Sirinë, nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.”   Rusia dhe Kina, përkrahse të regjimit të Asadit, pritet të përdorin veton mbi çdo rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të dënonte regjimin sirian për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë së pafajshme civile.

Atëherë ç’duhet bërë. Administrata e Presidentit Obama gjëndet përballë vendimesh të vështira në lidhje me këtë çështje, por është e detyruar  të bëj diçka pasi vet presidenti Obama një vit më parë ka deklaruar se shkelja e vijës së kuqe, dmth, përdorimi i armëve kimike nga regjimi sirian i Asadit do të  shkaktonte ndëryhrjen amerikane.  Duke marrë parasyshë mungesën e bashkpunimit diplomatik në OKB, Gazeta amerikane Nju Jork Tajms sugjeron në një editorial të saj dy ditë më parë se, “Zoti Obama mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, ashtu siç ndodhi me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke bashkuar një koalicion ndërkombëtar që do të mbështeste ndërhyrjen ushtarake….në përkrahje të civilëve sirianë.”  Nju Jork Tajms thotë edhe se, nëqoftse presidenti Obama zgjedhë këtë rrugë veprimi, ai atëherë, “do të ketë nevojë për një mbështetje të fortë nga Liga e vendeve Arabe dhe  nga Bashkimi Evropian.”   Dhe nëqoftse ai është i vendosur të ndërhyjë ushtarakisht, objektivi i sulmeve, sipas gazetës Nju Jork Tajms duhet të jetë, “ndëshkimi i presidentit Asad për masakrimin e popullit të vet me armë kimike dhe jo përzierja amerikane në luftën civile të atij vendi.”

Kriza në Siri ka shkatuar shqetësime të mëdha anë e mbanaë botës, përfshirë Evropën dhe Lindjen e Mesme.  Një numër  gazetash në Evropë, në editorialet e tyre, kanë shprehur përkrahje për ndëshkimin e presidentit Asad  për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile, një qëndrim ky që pasqyrohet në editorialin e gazetës irlandeze, “Ajrish Indipendent”, ku thuhet se “Nëqoftse komuniteti ndërkombëtar nuk ndëshkon përdorimin e tillë të armëve kimike kundër popullësisë civile, atëherë mund të thuhet se nuk ekziston asnjë autoritet moral në botë. Mos veprimi në këtë rast do u japë guxim shteteve të tjera despotike, duke rrezikuar dhe kërcënuar sigurimin në rajon”.  Gazeta irlandeze thotë se, megjithse Presidenti Obama është pragmatist, ai nuk dëshiron që të lejë pas një trashëgimi mungese të autoritetit moral duke mos ndaluar krimet kundër njerëzimit, gjatë mandatit të tij…..Megjitëse një ndërhyrje e tillë është plot rreziqe dhe me përfundime të panjohura dhe të paparashikuara, parseprap është një ndërhyrje e nevojshme”, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, përfundon  komentin e saj gazeta irlandeze.

Ndërsa, Hans Hoyng dhe Kristof Reuter, në komentin e tyre për revistën  gjermane Der Spiegel, shkruajnë në lidhje me përdorimin e armëve kimike nga regjimi sirian se, “Kredibiliteti i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve të tyre perëndimorë është në dyshim.  Kushdo që deklaron që të mos kalohet vija e kuqe dhe pastaj kur kalohet vija e kque, nuk bën asgjë, është më mirë që të mos bëjë kërcnime të tilla në të ardhmen. Sulmi i fundit në Siri me armë kimike duhet të zhdukë rezervimet për një ndërhyrje ushtarake. Gazi helmues është i ndalur  ndërkombtarisht –ndalim i cili duhet të rspektohet.”

Dhe komentuesi, Ari Shavit i gazetës izraelite Haaretz, shkruan se, “Pranvera madhështore Arabe që u përkrah me entuziazëm nga Perëndimi, është këthyer tani një një ngjarje akopaliptike.  Asnjë person i denjë nuk mund të injorojë këto që po ndodhin.  Ajo që duhet të jetë një botë e qytetëruar nuk mund të heshtë më.  Nuk janë vetëm viktimat e pafajshme të Damaskut, por kemi të bëjmë me ekzistencën e konceptit të  një nacionalizmi të moderuar dhe qytetëruar arab si dhe me shpresën se Perëndimi ka ende njëfarë ndërgjegje….Nëqoftse civilët mund të masakrohen me gaz helmues në vitin 2013, pas asnjë ndëshkim, atëherë në gjëndemi përballë mbarimit të botës”, përfundon komentuesi izraelit.

Shtëpia e Bardhë thotë se administrata e Presidentit Obama, tani për tani, nuk ka marrë ndonjë vendim për një sulm ushtarak, megjithse tanimë presidenti ka në tavolinën e tij rekomandimet dhe opcionet për një sulm të tillë, nëqoftse ai vendosë të ndërmarrë një gjë të tillë.  Ndërkaq, analistët thonë se administrata Obama ngurron të përzihet në një luftë civile ndërkohë që me të drejtë i konsideron shumicën e grupeve kryengritëse si të pabesueshme.   Por duket se po arrihet një konsensus, si mbrenda ashtu dhe jashtë administratës – përfshirë edhe në radhët e aleatëve — se përdorimi i armëve kimike nga regjimi diktatorial i Asadit në Siri – kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme.

 

 

 

 

 

 

 
 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Obama dhe Siria

KOMBET E BASHKUARA: Hoxhaj kërkoi ndryshimin e 1244 dhe anëtarësim në OKB

August 29, 2013 by dgreca

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi sot mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën lidhur me zhvillimet e tre muajve të fundit. Kosova dhe Serbia ishin përfaqësuar në takim nga ministrat e jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Ivan Mërkiç. Ministri i jashtëm Hoxhaj theksoi se ka ardhur koha që roli i UNMIK-ut në Kosovë të ndryshojë.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivan Mërkiç, i bëri thirrje Prishtinës për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa Kombeve të Bashkuara u kërkoi që të qëndrojnë në Kosovë si garantuese se marrëveshjet nuk do të shkelen.
Ai tha se marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve është një fillim i mirë, por ajo përbën vetëm kuadrin e një pune të vështirë për të ardhmen.
“Marrëveshja e Brukselit, është nënshkruar në funksion të lehtësimit të zgjidhjes së çështjeve jetike për të gjithë njerëzit në Kosovë, me shpresën se Prishtina do të punojë me të njëjtin entuziazëm për tejkalimin e problemeve,” tha zoti Mërkiç.
Por, tha ai, kjo nuk po ndodh. Nuk e dimë, tha ministri serb, nëse ka vullnet politik në Prishtinë, por e dimë se mungojnë rezultatet konkrete në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, sidomos të atyre me të cilat përballen pakicat.
Ai tha se për forcimin e themeleve të marrëveshjes përveç vullnetit politik dhe punës së madhe duhet edhe një “ndërmjetësues i ndershëm”. Serbia, tha ai,  i sheh Kombet e Bashkuara në rolin e mbikëqyrësit të paanshëm të procesit historik të pajtimit.
Ai tha se Beogradi e sheh marrëveshjen e Brukselit si fillim dhe jo si përfundim të normalizimit të marrëdhënieve, duke akuzuar Prishtinën se sipas tij, po bën përpjekje të pengojë zbatimin e marrëveshjes.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj kërkoi që të ndryshohet rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Është koha që ky këshill të shqyrtojë transformimin e misionit të UNMIK-ut në një zyrë politike të OKB-së. Në këtë drejtim, funksioni më i rëndësishëm që OKB-ja mund të luajë në Kosovë është që të na mbështesë në përgatitjen tonë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, tha zoti Hoxhaj.
Kosova, tha Ministri Hoxhaj, e kupton se për të arritur këtë është i nevojshëm vullneti politik dhe uniteti midis anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ai i bëri thirrje Këshillit që të ndërmarrë aktivitete konkrete, që do t’i mundësonin Kosovës të zerë vendin që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ministri Hoxhaj shprehu angazhimin për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë. Por ai tha se “normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të arrihet atëherë kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.” Në të njëjtën kohë, tha ai, kontributi ndërkombëtar do të përfundojë kur Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Kombeve të Bashkuara.
Zoti Hoxhaj tha se gjatë kësaj periudhe raportuese, janë vërejtur përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Beogradin, por se në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa prirje të qarta nga ana e Beogradit për të devijuar nga detyrimet që dalin nga marrëveshja e normalizimit. Ka dëshmi, tha ai, që anëtarë të strukturave paralele serbe po qëndrojnë në gatishmëri për të destabilizuar gjendjen në veri.

Komenton Ambasadorja e SHBA, Samantha Power

Në komentet e saj, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Samantha Power tha se ajo vlerëson të dyja qeveritë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo tha se dialogu ka krijuar mundësi për të rritur stabilitetin në rajon, por mbetet shumë për të bërë për të përmbushur angazhimet që janë marrë.
Lidhur me zgjedhjet vendore të 3 nëntorit, Zonja Power u bëri thirrje votuesve në të gjithë Kosovën të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin demokratik. Ne, tha ajo, nxisim në veçanti komunitetet e pakicave, duke përfshirë serbët e Kosovës që të marrin pjesë dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. Duke votuar, tha zonja Power, ata kanë mundësi që jo vetëm të zgjedhin udhëheqësit e tyre, por edhe t’i mbajnë ata të përgjegjshëm.
Ambasadorja amerikane u bëri thirrje të dyja palëve të kapërcejnë dhunën e së kaluarës dhe të nxisin pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore. Fati i personave të zhdukur, tha ajo, është një çështje e rëndësishme dhe e pazgjidhur që kërkon vëmendje nga të gjitha palët.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duan që Kosova dhe Serbia të kenë sukses dhe varet nga njerëzit në Kosovë e Serbi, për të shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga dialogu dhe për të hedhur themelet e një të ardhmeje të sigurt e të begatë.

Filed Under: Featured Tagged With: Hoxhaj, ndryshim i Rezolutes 1244, OKB, parnim i Kosoves en OKB

LETERSI- I QESHURI

August 29, 2013 by dgreca

Novelë nga KRISTAQ TURTULLI/

I

Në kthetrat e mallit isha i mbërthyer, pas një mungese të gjatë, prandaj dëgjova turbull zërin e ngjirur.:

-Kaq shpejt i harrove shokët, që s’ u flet me gojë, mo…

Mu bë sikur ky zë vinte nga fund toka. Lëviza instinktivisht kryet pjerrtas, si të shkundja diçka prej veshëve, ngaqë zëri mu duk  ngricës.

-Apo ke frikë se mos u japësh ndonjë lekë të pinë vodkë,- vazhdoi zëri i ngjirur diku prapa meje.

U tërhoqa pas me ndjesinë e pakuptuar të mbrojtjes dhe të hutimit. Mbase ai zë grindavec i drejtohej dikujt tjetër, paçka se mu duk i njohur. Në hapjen e vrullshme drejt botës, çdo ditë vijnë në vendlindje mërgimtarë të malluar si unë. Të malluar si unë! Sa të çuditshme janë lëvizjet dhe ndryshimet e menjëhershme, aq sa të duken të pabesueshme, ireale, nxitimi, zhvendosja, rrokopuja e viteve dhe kthimi me kokë të rënduar nga thinjat dhe mendimet….

-Oh ç’na polli. Po ky nga mbiu këtu,- ia bëri i mërzitur kushëriri. Psherëtiu dhe më pëshpëriti:- Kusho, vitet e fundit janë shtuar paratë por dhe budallenjtë. Të këshilloj, mos e kthe kokën. Bëj sikur nuk ke dëgjuar dhe vazhdojmë rrugën.

Ndoqa këshillën e kushëririt nuk ktheva kryet të shihja. Kisha vetëm një natë e një gjysmë dite që jetoja në qytetin tim të lindjes. Mbrëmë fjeta tek im kushëri dhe bëra gjumë të vështirë. Më mundonin ëndrrat. Vij për vizitë në qytetin e lindjes pas një mungese dhjetë vjeçare. Vij në qytetin e të parëve të mi, të rritjes, martesës, dhe fle si muhaxhir në shtëpinë e botës. Shtëpinë ia shita zemërthyer komshiut, për pesë kacidhe, përpara se të merrja rrugën e gjatë të mërgimit. Shitja e shtëpisë ishte e vetmja zgjidhje, megjithëse atje mbeti pezull mali i mallit dhe i dertit, fryma e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve etj. Ndryshimi i sistemeve dhe vitet e para post komuniste na lanë trokë. Nuk më mjaftonin të hollat për të përballuar shpenzimet e udhëtimit, emigrimin dhe përplasjen e drejtpërdrejtë me botën e huaj.

Kushëriri për të më ngritur më tepër kacabunjtë, ka qysh mbrëmë që më shastisën veshët: Kusho i dashur, e di  sa tu shit shtëpia që kishe në qendër të qytetit, hë, e di sa tu shit?  Nuk e di. Thuaj një shifër, ngulmoi ai. Unë ngrita supet me bezdi të hapur.  U mata disa herë ti thosha: Eh more kusho, mos e hap plagën që akoma nuk më është përtharë. Nuk ish thjesht shtëpi, por trashëgimi shpirtërore dhe fisnore. A nuk doja unë të ndjeja erën e shtëpisë, të prekja me dorë strehën, kujtimet e mallin e shkuar! I thashë më në fund, kusho nuk e di dhe as më intereson ta di. Kushëriri fërkoi duart dhe ngriti zërin: Mirë, më dëgjo, po ta shisje atë shtëpi tani që bisedojmë, do fitoje pesë a gjashtë fish të çmimit të shitjes së parë. Hë e beson, të lot fiqiri kur e mendon, shumë marramendëse, një kapicë me para. Të këshillova si kushëri i afërm, mos e shit shtëpinë. S’më dëgjove. Desha ti kthehesha, ti thosha, të kërkova para borxh për të blerë biletat e udhëtimit, e dija që kishe gjendje të hollash, por bëre veshin e shurdhër. Nuk i ktheva përgjigje. Ç’i do llafet. Vij dhe nuk di ku të fle. Se si më duket të vij në qytetin tim të lindjes, ku kam qeshur dhe kam qarë, ku kam dërmuar gjunjët, e të fle në hotel. Tashmë jam pemë e shkulur, me rrënjë të zbardhura në diell dhe i mbërthyer në qerthullin e nostalgjisë. Nuk mund fashiten lehtë emocionet drithëruese të së shkuarës dhe malli i trishtë i ndryshimit.

-Tani bën sikur nuk dëgjon, pale,- më përmendi zëri i ngjirur.

-O ç’na polli,- pëshpëriti përsëri kushëriri dhe më porositi:- Mos i kthe përgjigje, është një i roitur nga trutë. Kështu bën me të gjithë të emigrantët që vijnë. U qepet si shushunjë prapa për tu zhvatur ndonjë lekë.

Po kjo është e patolerueshme, doja të protestoja. Vij për vizitë në vendlindje pas një mungese të gjatë e do më duhet të përballoj dhe shushunjat.

-Hë mo, pse s’më flet, apo të dhimbsen disa qindarka të qelbura për Rraqkën e shkretë, – u përsërit zëri i  ngjirur por këtë herë me ngulm dhe inat, si një trompë e prishur.

Mbajta këmbët.

-Mos ndalo. Nxitojmë këmbët, ikim. Nuk ka kërriç më të ndyrë se ky. Të paralajmërova, ka shkalluar nga trutë,- ngulmoi kushëriri dhe vazhdoi duke folur me nxitim, – një natë me borë rendi lakuriq nëpër qytet duke bërtitur: hej milet, zgjohuni. Ka ardhur koha të zhvishesh gollomesh si unë, të flakësh tutje rrobat e pista së bashku me helmet dhe ligësitë.

U mpiva. Rraqka! Nuk ia vura veshin këmbënguljes të kushëririt, për të ikur nga sytë këmbët. U ktheva menjëherë. Përpara meje qëndronte një fytyrë e shpërfytyruar, e ënjtur e fryrë si e buçkaritur. Cepat e buzëve i kish të zbardhura si të përlyera me gjizë të ndenjur. Sytë e fryra, të skuqura, qafë mbledhur, ngjeshur pas shpatullave të dhjamosur. Duart i mbante të rrasura në xheken e zbardhëlluar të grisur në cepa.

-Si je Raqi Shoguri!- i fola.

-Më njohe më në fund. Më fole. Ma bëre qejfin. Siç e sheh, Raqka jam, që mos qofsha. Sigurisht nuk ta mbush synë, prandaj ndruhesh të më takosh, të më japësh dorën,- më foli me zë të akull ai.

U ndodha krejtësisht bosh pas atyre fjalëve:

– Ç’thua bre Raqkë,- i thashë. Hapa krahët dhe e rroka për qafe. Raqi  u tremb, u hutua prej përqafimit tim dhe më vështroi me dyshim. Trupi i tij i shëndoshë u drodh, u qull dhe mu duk sikur po dëneste.

-U çmende,- më pëshpëriti kushëriri dhe më tërhoqi me forcë prej mënge,- duhet të jesh më i kujdesshëm. Qytetarët  seriozë i largohen këtij…një kilometër, ndërsa ti pa u thelluar shumë, e përqafon!

Raqka dëgjoi, u tërhoq dhe fshiu hundët me shpinën e dorës. Trupi i tij u shëndoshë i mblodh si lëmsh, por menjëherë u ngreh, vështroi nga kushëriri me urrejtje dhe hungëriti: -Qytetarët seriozë largohen prej meje hë, se qenkam karagjoz, i keq…i…poshtër…iii! E di unë e di, edhe ti je një nga ata të ligjtë, nga ata…të pashpirt. Nuk ju vret ndërgjegjja, nuk u vjen pak keq, ma shkatërruat, ma nxitë jetën, më bëtë gjysmë njeri.

-Do vish të ikim,- foli zë ulët dhe me nervozizëm kushëriri,- apo do rish me këtë të çmendur.

Fytyra e Raqkës u shtrembërua, sytë iu skuqën,  iu bënë gjak, bërtiti:

-Unë i çmendur! Hë, unë! Juve jeni të çmendur, juve, juve, juve…Të gjithë, të gjithë, të gjithë…!- Trupi i shëndoshë i Raqkës iu drodh, pastaj fytyra iu zverdh, u bë si kartë.

– Qetësohu Raqkë, qetësohu, mos bëj kështu. Nuk të tha asnjë fjalë të keqe,- u përpoqa të zbutja situatën.

-Më bëri të çmendur, më bëri budalla. Kushëri e ke por nuk e njeh. Ky është mafie e keqe,- bërtiti Raqka me zë të përvuajtur dhe u përkul në gjunjë,- o Zot, jam lodhur së dëgjuar këto fjalë, më kupton, jam dërmuar, oh..!

Disa qytetarë kthyen kokat, qëndruan, u zgërdhinë dhe bërtitën:

-Hej Raqkë ç’pret, qëlloi me gurë.

Kushëriri u skuq prej turpit, kur dëgjoi akuzën e drejtpërdrejtë: Mafie. I kish ecur tregtia e vajit të lule diellit dhe unë u habita kur e pashë që kish në zotërim dy magazina të mëdha dhe ndërtuar një shtëpi të madhe tre katërshe, me pllaka  granili në rrëzë kodrave. Kushëriri rënkoi dhe më tërhoqi me forcë. Më tha të largoheshim sa më shpejt prej gjendjes skandaloze që po na yshte i çmenduri. Sipas tij ne po tregoheshin jashtëzakonisht të duruar që merreshim me një budalla të rrezikshëm. Qyteti i ka për zemër marrëzitë dhe mezi pret të argëtohet, por jo kur është në mes kushëriri im.

-Nuk mund të qëndroj as dhe një minutë, duhet ti a mbathim. Është koha kur e kapin lulkat e budallallëkut dhe mizat e kalit i gumëzhijnë mbi krye. Prite kur të bëhet i dhunshëm,- më pëshpëriti kushëriri dhe shtoi i trembur: -Nuk e merr me mend sa i rrezikshëm bëhet, shkatërron çfarë gjen përpara. Ky harrin deri aty sa dhe të ëmën, plakën e shkretë e shqep në dru, e bën për qepë dhe kripë.

– Unë shqep në dru nënën time! Hë! Unë!? Ha, ha, hi, hi! Më vraftë Zoti në e prek me dorë. Nëna për mua është e shenjtë. Shiko sa të poshtër janë: akuzojnë, gënjejnë, shpifin,- fytyra e Raqkës u qull prej lotëve. Qeshi me të madhe gjithë histerizëm. Pastaj mblodhi grushtet i shtrëngoi fort aq sa i kërkërritën kockat. Vështroi kushëririn me hakërrim:- mos shpif.

-E shikon si qesh. E qeshura e tij është pragu i marrëzisë,- më pëshpëriti zë dridhur kushëriri.

– Qetësohu Raqkë, të lutem,- ia bëra i hutuar. Vërtet e qeshura e tij ish krejt ndryshe, jo si dikur, por e pazakontë, e çuditshme.

-Ky shpif, shpif.

-More Raqkë. Unë s’të thashë gjë. Të gjithë e dinë që ti je djalë i mirë, i dëgjuar,- foli zë holluar kushëriri dhe tinës më shkeli syrin. Si për të më thënë, e shikon dhe vetë sa i çmendur dhe i rrezikshëm është.

– Mos shpif…Mafie, mos shpif…për nënën… Thua se qesha?

– Jo nuk qeshe.

-Nuk qesha, ti the që qesha!

Sytë e kuq, të mbufatur të Raqkës vështronin mosbesues herë nga unë e herë nga kushëriri, i cili i ndodhur ngushtë nxori me nxitim një monedhë metalike 50 dhjetë lekësh dhe ia rrasi Raqkës në dorë.

-Merre Raqkë, mos ki turp. Ja leku që kërkove. Shko, pi vodkë. Merre de, mos ngurro, shko, pi një dopio të mirë me vodkë.

-Jo, jo, jo…nuk dua paranë që ma jep, nuk janë të pastra. Lekët e tua janë të hidhura pelin, si fjalët që thua.

– Unë i kam fjalët e hidhura! Jo bre Raqkë djali, jo. Unë të dua e të respektoj,- kushëriri mezi përmbante inatin.

-Mos shpif…Mafie, mos shpif…për nënën..,- Raqka dridhej.

-Mjaft, mu sos durimi. Kujt i thua mafie ti budalla. Ikë gremisu, na lërë të qetë,- kushëriri u skërmit.

-Mafie je,- ia bëri Raqka.

-Sikur po na bën shumë vapë, ky,- ia bëri kushëriri dhe më futi krahun, pa larguar prej fytyrës skërmitjen e keqe. S’lëviza prej vendit. Shpina mu ftoh, mu bë akull, dhe ky sherr dhe stres bajat më duhej tani. Nuk mund të duroja dot më fjalët e tyre të mërzitshme, pa shije, hidh e prit, gjithë maraz. Unë erdha të çlirohesha, të lija trurin të prehej i qetë në vendlindje. Të largoja përkohësisht mbingarkesat e mëdha të jetës së vrullshme të mërgimit. Këta vështronin të hakërryer njëri tjetrin dhe unë përkundrazi, më keq po mbushesha me stres të kotë.

-Mos kujto se zihem me këtë. Ky dreq të argëton me të qeshurin që ka, të heq stresin dhe mërzinë,-më pëshpëriti kushëriri, si të më kish blerë mendimet.

Si ktheva përgjigje. Vështrova pjerrtas të dy, edhe pse ish mot i kthjellët mu duk sikur kish shumë vranësirë. Doja ti kthehesha ashpër kushëririt: Kur ju argëtoheni, vrisni monotoninë,  mbushni pellgjet me ujë të ndenjur të mediokritetit me ndonjë fatkeq si ky, unë acarohem akoma më shumë, por gjuha më ish lidhur.

U ndjeva krejtësisht bosh, si një trung i lënë rastësisht në cep të rrugës dhe rrëketë e shiut po e qullnin. Pa e kuptuar futa dorën në xhep. Gishtërinjtë më zunë një kartëmonedhë, e shkula me forcë prej xhepit, gati sa nuk e grisa. Nuk i kushtova rëndësi sa ish vlera e parasë, me moskokëçarëse lodhëse ia rasa Raqit në dorë. Kushëriri zgurdulloi sytë:

-Çfarë bën, e di sa para i dhe,- më pëshpëriti.

Ngrita supet me indiferentizëm.

-Cfarë rëndësie ka,- i thashë.

-Sigurish që ka rëndësi. Janë njëmijë lekë të reja, goxha para. Me këto para ky birbo mund të dendet e të bëhet daulle një javë të tërë,-më foli kushëriri, me pëshpërimën e mërzitshme, që më qulli veshin, ma bëri helaq. Dhe me ton  të vrazhdë iu  kthye Raqit: – Hajt tani e fjete mendjen, largohu. More lekë më shumë se ç’mund të mendoje, po të duash të jap dhe unë ca para të tjera.

-Jo, nuk dua asgjë nga ty,- foli mbytur dhe i vendosur Raqka.

Fytyra e kushëririt u prish nga inati. Vështrova nga Raqka. Ai nuk u gëzua që i dhashë një kartëmonedhë me vlerë, përkundrazi, qëndronte i mpirë dhe i zbehur në fytyrë. Shikimi i tij ish tmerrësisht i trishtueshëm. Kërkonte të më thoshte diçka, por nuk mundte. Gjithsesi ndjeva një farë ç’mpirje në tru dhe çlirim në trup, që u kujtova ti jepja para. Ndoshta për to kish aq shumë nevojë i shkreti, që ish pa përkrahje, por nuk guxonte. Përnjëherësh mu kujtua e ëma, Marika.

-Raqkë, gjallë e ke nënën? – e pyeta.

-Gjallë.

-Është mirë me shëndet?

-Ashtu, copa- copa…çika- çika…si pleqëri…

-Bliji diçka, nga unë, do i bëhet qejfi,- i thashë dhe shtova:- Nëse nuk të mjaftojnë këto, po të duash të jap lekë të tjera.

-Jo, nuk dua,- ma ktheu Raqka.

-Hajt shkojmë, se mos bëhemi vonë,- ia bëri kushëriri i paduruar dhe vështroi orën e dorës. Më tërhoqi me forcë për bërryli dhe pa vështruar nga Raqka vazhdoi: – lekët që kërkove i more, tjetër çfarë do, largohu.

-Më lër të qetë. Boll, nuk dua të flas me ty. Asnjëherë nuk kam dashur të flas me ty,- i foli egër Raqka kushëririt,- kam punë me të, dua të flas me të.

-Me këtë! Mjaft Raqkë, na shastise kokën. Kupton, nuk e sheh që është me mua, është i zënë. Se sheh që nuk kemi nge dhe kohë të merremi me ty. Ikë.

-Jo,- këmbënguli Raqka,- ti ikë, mafie.

-Ohu na çukulliti shumë veshët. Na hyri në mes si qole. Shakaja përfundoi. Ky kështu u thotë të gjithëve, mafie. Duhet mbyllur në çmendinë, kur s’ka çmendina, duhet larguar sa më shpejt prej të marrit,-foli zë të acaruar kushëriri, duke e mbuluar me vështirësi nervozizmin dhe shtoi:- Ç’të bëj ty, pa dija unë çfarë i bëja, i vija nga pas tamburanë, sa të çuditej i gjithë qyteti. Shkojmë kusho, gruaja na ka përgatitur një drekë speciale, koran të freskët të pjekur në skarë.

S’lëviza prej vendit. Isha i ngurtësuar. E sikur të mos haja peshkun e mrekullueshëm, të rrallë të koranit, përgatitur në skarë, përsëri ndjehesha i velur deri në fyt me të ngrëna. Vitet e fundit kam filluar të mbaj dietë. Raqka na vështronte me mëri, drejt, pa i lëvizur qerpiku. Befas u zgjat sikur do të kërcente pupthi, mori guxim e më erdhi dhe më qëndroi në krah. Por lëvizja e tij mu duk pak qesharake. Kushëri u përtyp, rrotulloi kokërdhokët e syve dhe na  pa të dyve me çudi.

-Shkojmë së bashku në klubin e gjuetarit dhe pimë nga një gotë,- i fola më në fund ultas si për të zbutur gjendjen dhe shtova,- pastaj kthehemi nga shtëpia.

-Çfarë! Të shkoj bashkë me këtë, të çmënd…në lokalin e gjuetarit!

-Po.

-Me gjithë mend e ke!- klithi kushëriri dhe kërceu sikur ta kish kafshuar gjarpri,- a je serioz?!

-Pse, çfarë të keqe ka,- i thashë dhe shtova gjysmë me shaka,- serioz dhe shkuar seriozit. Siç e sheh, Raqka ka qejf të këmbejë dy fjalë me mua.

– Paska qejf bu…të këmbejë dy fjalë me ne. Bukur. Por nuk dua unë të këmbejë fjalë me të. Jo or kusho, në asnjë mënyrë, jo. Ky ashtu duket, budalla moj krushkë, por mendja i punon për keq. Do ti bjerë qylit. I di të ligat dhe djallëzitë. Më akuzoi tullë, në mes të ditës, më tha mafie. Ky është…hëm..! Ti thua të këmbej fjalë dhe të pi me këtë,- hungëriti kushëriri dhe shtoi me inat:-Çfarë muhabete mund të këmbesh dhe tjerësh bisedë me këtë. Mbi të gjitha ç’mund të mësosh prej tij veçse… Kusho, aman të keqen, mos do të na qeshë qyteti. Mos do të na verë nga pas daullen dhe gërnetën.

– I qeshuri të qesh,- ia ktheva me inat dhe e pyeta prerë,- pra nuk do vish?

-Jo.

– Si të duash. Në këto dhjetë vite largese, qyteti ma ka harruar zërin dhe figurën. Raqi ka qenë i miri i shokëve,- shtova dhe i bëra shenjë Raqkës të më ndiqte pas.

– Hej kusho, thirri mendjes. Të paralajmëroj dhe njëherë: mos shko me të. Do të pendohesh,- më bërtiti kushëriri:- Unë të dola borxhit. Ai nuk është i zoti për vete, ç’mund të presësh dhe të përfitosh prej tij, dëgjon!

Nuk i ktheva përgjigje.

-Mafie,- e ngacmoi Raqka, por nuk qeshi.

-Qepe halen ti budalla,- iu kërcënua kushëriri. Më pas u kthye nga unë:- Po u vonove do mërzitet gruaja, nuk mund të presim gjatë për drekë.

-Mos më prisni,- i thashë.

-Sido që të ndodhë, mbaje vetë përgjegjësinë. Të respektova, të prita në shtëpi me gjithë të mirat…por ti…

-Çfarë unë?!- iu ktheva. Po më hante trupi prej inatit dhe po më mbahej fryma.

Kushëriri rënkoi, kafshoi gjuhën dhe iku. Për çfarë respekt dhe mikpritje bënte fjalë ai. Vetë këmbënguli për të qëndruar në shtëpinë e tij. Kushërinj si ai kam e disa të tjerë. Pastaj në shtëpi nuk shkova duar thatë, e mbusha me plaçka dhe dhurata. E shoqja mërmëriste, u, more kushëri i burrit çi doje, çu mundove, çu lodhe, kemi plot, por përsëri i vështronte dhuratat me lakmi dhe i fuste me nxitim nëpër sirtarë.

Në mëngjes pimë çaj në verandë, nën diellin e ngrohtë pranveror. Qyteti me shtëpitë karakteristike dhe rrugët e drejta shtrihej si në pëllëmbë të dorës. Kushëriri rrufiti me ngadalë çajin e ngrohtë, hodhi këmbën mbi këmbë dhe gjoja si rastësisht, më tha se:

‘Mendoj të vij për vizitë për disa javë tek ty në Amerikë, heshti një hop dhe shtoi: ‘të më kuptosh, gjithçka është në plan prognozë. Besoj se kushëririt nuk do i mërzitesh.’

‘Jo, nuk ka pse ti mërzitem,’ i thashë, ‘je i mirëpritur’.

‘Të më besosh, gruaja nuk do të largohet prej së ëmës plakë e të sëmurë. Le të rijë, unë do lëviz nuk do ri të mykem në provincë.’

Kushëriri qeshi…Pastaj si rastësisht shtoi:

‘Ndoshta mund të krijohej dhe mundësia e ndonjë e vizë studimi për djalin e madh, është i prerë për matematikë. Ne tashmë jemi të hapur me botën dhe duhet të mësojmë e të përgatitemi një brez të kualifikuar me të rejat më të fundit të ekonomisë, shkencës dhe teknikës.’

I premtova se do bëja ç’ishte e mundur të vinte për vizitë. Kushëriri vështroi nga e shoqja në mënyrë kuptimplotë, e cila vari buzët gjoja e mërzitur. Kushëriri  u shtriq dhe buzëqeshi i kënaqur.

Nuk do shkoja asgjëkund, do të pronotoja hotel për të kaluar e çmallur e disa ditë të tjera në qytetin tim të lindjes.

II

Klubi i gjuetarit gjendej disa rrugica më tej, në rrugën e drejtë, pas bulevardit, të shtruar me kalldrëm,  përballë liceut të vjetër. Isha shumë familjar me këtë rrugë të kalldrëmtë, me trotuare të ngushta, të ndërprera herë pas here prej shtyllave të drunjta telefonike, gjithë gdhenj, gozhda të ngulura, të ndryshkura dhe letra të kalbura lajmërimesh. Dikur im atë punoi për  disa vite banakier në këtë lokal. Ikte në mëngjes herët dhe kthehej gjithnjë në shtëpi pas mesnate. Kur isha fëmijë, pas shkolle më pëlqente ti shkoja babait në klubin e përmbytur me tym duhani dhe erë alkooli. Më dukej diçka enigmatike. Kisha dhe mall, babanë e shihja rrallë, por harrohesha si fëmijë që isha, futesha poshtë stufave të mëdha, e banakëve dhe filloja mblidhja ashikë, tapa shisheje dhe kapaçka birre. Babai më përgjonte, buzëqeshte me zemërgjerësi, më zbrazte xhepat prej atyre rataçileve të pista dhe mi mbushte me biskota e karamele mente.

Gjithashtu më vonë u ula dhe bëra disa vite shkolle në bankat e ngushta, pak të pavolitshme të liceut të vjetër, me gërvishtje inicialesh, zemra të shpuara prej shigjetash dhe vrima kujtimet nëpër to. Ngandonjëherë poshtë këtyre bankave, kur kërkonim penën ose lapsin e rrëzuar, fshehtazi me ndjenjën e fajit preknim gjunjët e zhveshura e të dobëta, të ndonjë shoqeje favorite klase. Të trembur, të rrëmbyer, provonim e ndonjë puthje të lagësht fëmijërore si me shaka.

Raqka u gëzua për vrimat e vjetra të bankave dhe më pëshpëriti, ‘ banka ime është me vërë, fare kollaj për të kopjuar, vëre librin poshtë, nën vërë e gjezdise me sy, lart e poshtë dhe poshtë lart,’ dhe qeshi bukur. Por mësuese Xhulia e largoi nga ajo bankë e vuri të rinte me një çupkë pikaloshe dhe Raqka vari buzët i mërzitur.

Bankat ishin shumë të vjetra, të modelit të viteve 30-40. Drurin po ta lyesh me bojë, rron qindra vjet, më thoshte babai. Vonë mësova se dhe im atë ish ulur dhe kish mësuar shkrim e këndim dhe njohuri të tjera në këto banka të drunjta, me kujtime të largëta. Për rastësi të mrekullueshme në të njëjtën klasë, jo në të njëjtën bankë, por në bankën ku ndenji Raqka me vajzën pikaloshe.

Liceu aso kohe i kish lyer muret me ngjyrë të gjelbër të thekur, që më kujtonte gjithnjë pyllin. Prindërit e mi nuk janë më mes të gjallëve, ikën shpejt dhe gjithnjë më përfshin malli, nostalgjia dhe kujtimet…

Raqka më binte pas si manare me kokën e ngjeshur mes shpatullave. Nervi poshtë syrit të majtë së bashku me mollëzën, i lëviznin me shpejtësi aq sa të kallte frikën. Disa kalimtarë, djema të rinj sa e panë filluan ti bërtisnin nga larg, ta ngacmonin:

-U… Rakqë qeshja. U… Raqkë karagjozi. Ç’të thotë çupa plakë Luljeta, të dërgoi letër prej bordellos.

Raqka mbajti këmbët dhe u prish në fytyrë. U ngërdhesh, u shtrembërua. U soll vërdallë si i verbër prej inatit dhe vështroi përdhe. U përkul, rrëmbeu disa gurë.

-Mos Raqkë, mos,- i tërhoqa vëmendjen,- mos ua vër veshin, injoroji.

Ai ngriti kryet me vrull, më vështroi ngulët gjithë vuajtje dhe dhimbje. Fytyra e tij dukej e tjetërsuar bërë si maskë.

-Mirë. Nuk do u vë veshin. Do ti injoroj. Bëra ndonjë gjë gabim?

-Jo nuk bëre asnjë gjë gabim.

– Më buçasin veshët.-Mërmëriti mbytur dhe zuri veshët me duart.

U bërtita të rinjve të iknin, të shikonin punën e tyre. Ata më vështruan me dyshin e habi, bënë me duar disa shenja të turpshme dhe ikën. Ndjeva një keqardhje të lagësht në shpirt dhe mu duk sikur jetoja në një botë të përmbysur, të shtypur, botë tjetër. Fatmirësisht klubi i gjuetarit ish pranë, i suvatuar dhe u lyer me sherbet kërqelle. Dyshemeja qe shtruar me pllaka të reja, shkallët mbanin erë dru pishe. Hyra brenda dhe ngjita shkallët e drunjta me hap të shpejtë.

-Më fal nëse ta rëndova kushërinin tënd, por nuk shpifa kur i thashë Mafie. Ai shpifi për mua,- foli Raqka me zë të ulët.

-Mirë Raqkë, mirë. Hidhe pas shpine çka ndodhi, harroje,- i thashë.

-Dua të harroj, por jam tmerrësisht i thyeshëm, si qelq,- pëshpëriti Raqka, zuri veshët me duar dhe shtoi,- sa herë dëgjoj ngacmime, më buçasin veshët prej rrapëllimave dhe krismave të thyerjeve të xhamave. Kudo ka copëra xhamesh, mijëra, qindra mijëra, mikroskopike, të vogla, të mëdha. Më duket sikur verbohem dhe pritem prej përmbysjeve të rezeve të diellit…Dua të klith, por nuk mundem të klith…

Përnjëherësh ndjeva një hidhërim të tmerrshëm në gojë. Mu bë sikur dëgjova dhe unë krisje e thyerje me rrapëllimë të qelqeve nëpër rrugët e kalldrëmta të qytetit. Më mbërtheu plogështia dhe në shpatulla mu duk ndjeva shtrëngimin e fortë prej thonjve të vetmisë. Vetmi lodhëse në qytetin tënd të lindjes, të rritjes, burrërisë. Kudo po vazhdonin të thyheshin qelqe dhe mua shpatullat po më tkurreshin gjithnjë e më tepër.

Më lëvriu krimbi i dyshimi ndaj vetes: Mos vallë bëra gabim, që u mërzita me kushëririn. Qysh ditën e parë të mbërritjes në qytetin e lindjes, u kuturisa lokaleve, me një… të dëgjoj thyerjen e vazhdueshme të qelqeve dhe të pritem prej copërave qelqore çmendurake kur nuk është e nevojshme? Unë nuk erdha të rregulloj botën. Jam thjesht një figurant i lëvizshëm në këtë teatër të madh. Dreq o punë! Do gremisem në gotën e qelqtë të vodkës. Pa e futur atë lëng në gojë prej dhjetë vjetësh… Po kuturisem drejt gotës me një person me probleme psikike i përgojuar prej qytetit.

III

Siç e thashë, Raqi Shoguri ka qenë shoku im i fëmijërisë, topolaku i shoqërisë. Dikur luanin me top llastiku  të gjysmë të shfryrë në sheshin e vogël poshtë rrugës të kalldrëmtë. Ai preferonte të ish portier. Kur priste topin e mbërthente me të dy duart, shtrihej, rrokullisej pa të keq në fushën me zhavorr të imët. E qeshte. Raqka ish më i çiltri, më i ndrojturi, i sinqerti, i qeshuri shoqërisë. Kur hidhej e pritej ndonjë shaka mes shokësh, Raqka nuk e cyste ngacmimin, picërronte sytë, qeshte dhe skuqej si çupë e turpshme. E qeshura e tij ish e këndshme, si gurgullimë. Ne buzëqeshnim me mirësi dhe ndjeheshim mirë. Ne shoqëria e thërrisnim me dashamirësi ‘i qeshuri’.

Raqi adhuronte poetët rusë, sidomos Eseninin. Poezitë e poetit rus i mbante përherë me vete në një bllok të vogël me kapak lëkure. Një ditë mësuam se shkruante poezi. Botoi e nja dy copë në gazetën lokale. Nëna e tij, Marika gjezdisi nëpër mëhallë me gazetën në sqetull ku ishin botuar poezitë e djalit.

Raqka, i biri i  Miskë Shogurit, komunist i viteve të para, partizan, me plagë të vjetër në shpatull. Miskë Shoguri ish këpucë riparuesi, zemërbardhi dhe pijetari shembullor. Kur dehej bërtiste: pijetarë të gjithë vendeve bashkohuni, këtu me Miskë Shogurin, këtu, këtu. Partia e urdhëroi: Miskë, dëgjo këtu, në qoftë se nuk e le rakinë, do të përzëmë me ceremoni. Miska pa fjalë nxori teserën dhe tha: Ja Miska, ja dhe triska, rakia është e dashura ime e parë, se lë dot. Miskë Shoguri ngeli pa triskë, dhe pa punë. Këpucë riparuesit duhet të jenë të partishëm. Filloi punë në fermë, mes baltërave të fushës. Miska punonte pa fjalë, hapte qilizmë dhe mbillte fidanë Mbrëmjeve nxirrte faqoren petashuqe prej xhepit dhe pinte. Ish robi i rakisë. Miskë Shoguri vdiq një ditë vjeshte me shi, me gotën e vodkës pranë në hanin e vjetër të Gjelit.

Raqka atëherë ish dhjetë vjeç. U rit jetim. Marika, e ëma, ish gruaja e të zbuarit prej partie dhe për vite me radhë lau shishet dhe vazot në fabrikën e konservimit. Vinte e djersirë çap e jak prej frigoriferit në kazanin e madh me ujë të nxehtë. Mësalla e zezë plastike i zvarritej deri në fund të këmbëve. Këmbët e vogla të futura në çizmet e mëdha dhe të shpuara prej llastiku i llapashitnin. Marika u sëmur prej lagështirës, mori plevit, qëndroi disa muaj në sanatorium. Raqka, kursimtari i vogël, mblodhi qindarkat një nga një, shiti shishe e gazeta dhe kur e ëma Marika doli prej spitalit, i bleu fustan prej fanellate të trashë ta mbante ngrohtë.

Si ish katandisur kështu Raqi Shoguri, më i qeshuri dhe i ëmbli i shoqërisë!

Raqi Shoguri qëndronte në këmbë, një metër larg tavolinës. Me thembra të bashkuara si ushtar, kokulur, i bindur, i përvuajtur. Nuk më ish larguar inati prej kushëririt dhe kuturisjes sime. Largesa gjithnjë e zbeh figurën. Vështrova me mëdyshje nga Raqka. Koka i lëvizi ngadalë majtas djathtas e më në fund qëndroi si top i shpuar i futur në ujë, në pritje të urdhrit tim.

-Ulu Raqkë,- i thashë pa guxuar ta shihja në fytyrë. Dridhja nevrastenike e nervit të syrit dhe e mollëzës së majtë, më pështjellonte.

Raqi u gjallërua. Me një shpejtësi të hatashme tërhoqi karrigen dhe u ul me zhurmë përballë meje. Kryqëzoi gishtërinjtë mbi tavolinë dhe vendosi mbi to mjekrën katrore. Më nguli sytë me një pafajësi çarmatosëse. U tremba. Mos do bëhej ndonjë karambol këtu në mes të lokalit! Ej dreq o punë, sa e poshtër qenka nostalgjia. Të ligështon të bën si pelte. Vështrimi i tij butë, i ujshëm më hutonte dhe mua mu duk për një moment sikur u mbyta në ujërat e tij. Pa ditur çfarë të bëja thirra:

-Kamerier.

-Mos,- dëgjova pëshpërimën e Raqkës dhe më preku lehtë, dora e tij ishte tmerrësisht ftohtë, aq sa u rrëqetha.

-Çfarë?!

-Mos merr gjë. Dua veç të ri me ty, të ndjehem dhe të shprehem,- mërmëriti Raqka dhe fërkoi mjekrën katrore pas gishtërinjve të kryqëzuar, mbi tavolinë.

-Nuk do pish gjë!- ia bëra i habitur,- je i sigurt.

-Jo, nuk dua. E di mirë Raqka. Andej, përtej deteve dhe oqeanit nga jeton ti, nuk pihet vodkë e raki si këtu tek ne. Ndoshta nuk pihet fare.

-A nuk më kërkove vodkë!?

-Të kërkova, ngaqë nuk dija ç’të thosha tjetër. Dhe lekët që më dhe, merri…

-Unë ti dhashë ty?

-Jo, jo, jo merri.

Vështrova Raqkën një copë herë, fytyra e tij mu duk e çliruar, e paqme, pa dridhjen acaruese dhe ma pas fola:-Ke të drejtë Raqkë. Të më besosh dhe nuk është turp ta them. Kam më se dhjetë vjet që nuk jam ulur në ndonjë lokal, të sheshohem, të pi raki, vodkë a fërnet, të dendem, ti a kërcas muhabetit si këtu në vatan.

-Megjithëse shushunja vodkë ma bën me sy që prej banakut,- ia bëri Raqka. Ai nuk më dëgjoi se çfarë i thashë.

-Po të duash të marr një teke.

-Jo, jo, jo, jo. Në asnjë mënyrë.

-Si të duash.

-U beson fjalëve, se jam vërtet i çmendur?

-Po mjaft o Raqkë për kokën tënde! Ç’më bëre mua, tu besoj fjalëve të rrugës. Kushëriri im është një copë llafazan.

-Faleminderit, të besoj. Ardhjen tënde mora vesh qysh dje mbrëma.

-Ashtu!

-Ëhë,- ia bëri Raqka, – të prita, erdha disa herrë rrotull teje, por ti nuk më vure re.

-Më prite, më erdhe rrotull! Përse nuk më fole?

-Nuk e di, nuk të fola,- mërmëriti Raqka dhe shtrëngoi fort gishtërinjtë dhe me zë të ngjirur vazhdoi:- Ndruhesha, se mos më përzije. Jam tmerrësisht i vetmuar. Ziej si vullkan. Të gjithë shokët e miqtë e vjetër më janë larguar, vetëm tek pija gjej qetësi. Vetëm dehja më jep ngushëllim. Dua të humbas mendjen të flak tutje brengën, trishtimin dhe dëshpërimin. Kur jam esëll më dhemb shpirti, më shtyp rrëmeti dhe qyteti. Vrapoj ku mundem, ngaqë nuk di se ku, e shuaj zjarrin me raki.

-Raqkë, rakia e ndez më shumë zjarrin dhe topit mendjen,- i thashë.

-Le të më ndezë, të përvëlojë, në dreq të vejë. Kur jam esëll, ndjehem si një krimb i lyrshëm që zhgërryhet në batak. Të gjithë turren të më shkelin, të më ngjeshin thellë e më thellë në llum e baltovinë. U them, gremisuni, nuk e shihni, jam esëll, nuk jam i dehur. Ata ma kthejnë, shko dehu, të argalisemi, të qeshemi.

-Raqkë, rakia është si kurvë, të joshën dhe të flak në baltë.

-E di. Por të lutem mos më thirr Raqkë, më pëlqen Raqi.

-Mirë, Raqi, si të duash. Të porosis limonadë,- thashë, për të ndërruar bisedë.Ai ngriti kokën rrëmbimthi dhe më vështroi drejt në sy. Syri i majtë, goja i kishin shkuar shtrembër.

– Jo, limonadë, jo. Më merr vetëm një teke vodkë, a raki ç’të jetë.

-Je i sigurt që do vodkë?

-Po, ndryshe do më lidhet goja do bëhem si shush.

Përsëri u pendova që shkova me të.

-Mirë, do të marr një teke, por mos e rrëkëlle menjëherë. Më premton?

-Jo nuk e rrëkëllej. Të premtoj.

– E të jetë e para dhe e fundit për sot,- shtova.

-Le të jetë e para dhe e fundit për sot,-përsëriti ai, zgjati qafën dhe pëshpëriti,- po sikur të pi e një tjetër bëhet gjë.

-Unë do ngrihem do ik,- ia ktheva prerë.

-Mirë, vetëm një.

Thirra kamerierin dhe porosita një limonadë për vete dhe një teke vodkë për të. Sytë e tij shkreptinë. Maja e gjuhës i brodhi mes buzëve të përthara dhe më pas i lagu me neps, me lëngun djegës të vodkës.

-Nuk guxoj të dal prej shtëpie. Turma luan me mua dramën, errësira dhe karagjozi. Nata nuk është aq e zezë sa shpirti i njeriut. Ogurzinjtë qeshin me ogurzinë. Qaj në vetmi pa zë dhe dua të gjej dritë,- foli me zë të dridhur Raqka. Faqet iu skuqën iu bënë flakë

-Po përse bre Raqi, përse?- i fola me ankim të shurdhër. Më vinte keq për viktimën Raqkë dhe marrëzinë turmë. Ç’ ish kjo e keqe e hidhur që i bëri kështu!

– Ah, përse,- mërmëriti me dhimbje Raqka dhe fytyra iu shtrembërua. Syri i majtë, mollëza dhe cepi i buzëve u drodhën, u lëshuan, u deformuan sikur të ishin prej plasteline, aq sa u trondita dhe lëviza stolin. Zëri i tij ish i çjerrë:- Përse…hë, përse… Parapëlqej ferrin më shumë se parajsën.

Raqka me ngadalësi acaruese vendosi pëllëmbën në fytyrë si të ndalonte shtrembërimin. Ndjeva marramendje, gjithçka tek ai dridhej si në ethe. Trupi më kërkoi më tepër se kurrë të pija lëng përvëlues.

-Raqi, të kujtohet, i thoshim shpesh njëri tjetrit: Në qoftë se nuk ke zë, klith. Në qoftë se nuk ke këmbë, vrapo. Në qoftë se nuk ke shpresë, qesh, e ti qeshje.

-Të gjitha më kujtohen, por nuk janë siç thuhen. Nuk janë…Jo…Më kujtohen të gjitha,të gjitha! Por nuk mund ta harroj, ta shkul prej memories. Nuk mund ta largoj prej syve përçudnimin, skenën e tmerrshme të vitit të pistë, të vitit të poshtër. Qelbësirën vit, të vitit 97-tës. Ky vit i nëmur më groposi…- Raqin e zunë të dredhurat dhe sytë iu rrëmbushën prej lotëve…Oh..!

Vari kryet dhe u përhumb mes dënesës…

IV

Nuk i fola. Nuk dija çfarë të bëja dhe çfarë ti thosha. E lashë në përhumbjen dhe dënesën e tij. Ngushëllimet dhe fjalët standarde më dukeshin krejt bajate. Pastaj nuk dija përse ta ngushëlloja. E dija që ky vit..! Sa zemra nënash vrau dhe plagosi ky vit!  Ngjarjet dhe vrasjet bëheshin çdo ditë e më të mëdha, të rënda dhe ne çdo ditë  zvogëloheshim, kumbisnim në sytë e të tjerëve, të botës.

Jeta në mërgim të lidh të punosh me njerëz që kanë ardhur prej vendeve të ndryshme të botës. Një mëngjes iu afrua tavolinës sime filipinasi Juan, i cili më afroi shumë afër syve gazetën e ditës. Në faqen e parë të gazetës paraqitej një tank dhe mbi të disa fëmijë të armatosur me automatikë dhe më pyeti:

‘Kaq keq është andej nga vendi jot?’

U bëra nervoz, nuk më duhej vetja. Filipinasi i shkurtër nuk ish njeri i keq. Ai si gjithnjë flet shumë dhe fut hundët kudo me kuriozitetin e zakonshëm aziatik. Por unë nuk mund ta krahasoja për shumë arsye vendin tim me Filipinet. Nuk ish punë ndasie, ngjyre dhe race, por thjesht çështje e arsyeshme krenarie. Ndaj ngrita supet dhe largova prej syve gazetën.

Në tavolinën pas meje lëvizi stoli me zhurmë, ish zezaku i trashë Joe prej Zimbabve:

‘Popujt e vegjël janë si fëmijët sherrxhinj. Shtyhen prej të tjerëve dhe nisin bëjnë turbullira e rrëmuja. Pastaj shtytësit prej shteteve të mëdhenj vijnë, u bien kokës popujve të vegjël dhe u vënë rregull në shtëpi. E di unë, kam eksperiencë prej vendit tim,’ foli me zë të trashë Joe prej Zimbabve. Atij i pëlqen të mbajë kostume të errëta, kaba, dopipet. Gjithsesi ai qe njeri babaxhan, pa të keq.

U ndjeva i bezdisur, i acaruar. Dikur kisha parë disa filma dokumentarë; vende dhe popujt, ku flitej edhe për Zimbabvenë. Kasolle të ulëta prej kashte dhe në mes një shesh dheu, zezakët kërcenin këmbëzbathur, lakuriq me zilet jashtë, të armatosur me shigjeta dhe heshta, si në kohën e qepës.

Nuk fola, çfarë të thosha. Ndjeva pështjellim dhe rëndesë, po përgojohej vendi im. Në tavolinën në krah të djathtë, greku i shkurtër, Jorgo kish tendosur trupin, dëgjonte bisedën veshë ngrehur dhe nënqeshte…

Vështrova me përtesë nga Raqka. Ai mbante kokën shtrënguar me dy duart dhe dëneste pa zë. Instinktivisht pashë orën e dorën, po bëheshin pesëmbëdhjetë minuta që qëndroja kot, pa bërë gjë.

Ai më bëri të kujtoj ngjarjet që mundohesha ti largoja sa më larg prej memories. Më ish bërë alergji kur flitej për gjëra të shkuara keqdashëse, të dhunshme dhe politikë rruge. Dhe pendesa e qëndrimit pa kuptim me Raqkën që qante si fëmijë po më sfiliste. Një mendim më lëvriu si glistër në tru, të gjeja një shkak, sado të rëndomtë dhe të largohesha me lezet prej tavoline.

Dreqi ta marrë. Nuk mund të ik, ta lë tjetrin vetëm në kllapinë e qarjes dhe shpartallimit. Për hir të miqësisë së dikurshme jam i detyruar të pres Raqin derisa të qetësohet. Pa ditur se çfarë të bëja brodha shikimin nëpër lokal që ish pothuajse bosh. Më në fund e përqendrova vëmendjen mbi një dre të hijshëm, brirë kurorë, të mrekullueshëm, të balsamosur e të vendosur në krye të vatrës së improvizuar të lokalit. Ndoshta Raqi donte kohë të largonte emocionet dhe stresin, të merrte veten dhe të niste të fliste. Ne u pëlqejmë drerëve mishin e shijshëm edhe pse janë aq të rrallë në viset tona. I kërkojmë me ngulm nëpër pyje dhe skërka, i gjuajmë për mishin e shijshëm, dhe për lëkurën. Nuk na vret fare ndërgjegjja që e vrasim kafshën e bukur dhe e hamë atë. Nuk bëjmë dot pa to. Pastaj fillojmë mburremi me trishtimin fals të humbjes së kafshës dhe zhdukjes së saj. Ngushëllohemi, ja kemi lëkurën e tharë të kafshës, të cilën e mbushim me kashtë të re. Brirët e tyre i lyejmë me llak të shndrisin dhe i vendosim në krye të vatrave dhe mureve të lokaleve, si për të treguar krenarinë dhe triumfin tonë..!

Sa ngjashmëri ka njeriu me kafshët!

V

Më në fund Raqi ngriti kokën u mbush me frymë, fshiu sytë…

-Më fal,- mërmëriti,- më fal. Të mërzita? Të lodha? Të lutem, mos më gjyko keq për mua. Mos mendo se jam i çmendur. Më beso, sa herë e risjell nëpër mend, më dridhet trupi dhe gjithnjë rrëmbushem.

-Nuk ka gjë.

-Qelbësira vit më shkuli me dhunë dhe fijen e  hollë të gëzimit dhe qeshjen e çiltër, që kisha atëherë, të kujtohet?

Luajta kokën në shenjë pohimi.

-Shpirti im është në mllef të përhershëm. Hëm! Dhe qeshja u ndryshua, u shfytyrëzua.  Qesh për hiç mos gjë. E qeshura tregon mosdashje për tu pajtuar me realitetin. E qeshura është akuzë, fshikull hithre, kamxhik lëkure, megjithëse më merr gjithnjë e më tepër në qafë. Qesha si i çmendur me histeri, kur më sollën mynxyrën. Tani nuk fle në shtrat, por në një valixhe të vjetër, mbledhur kutullaç në pritje paketimit dhe të ikjes të parashikuar. Në kërkim pa kthim, deri në zbulim dhe gjetje të Luljetës. E qeshura u bë më hidhura e dashurisë. Luljeta sy përlotur u kthye nga unë. Më vështroi ngulët dhe tha: Raqi qeshja është më vrasëse se vrasja. E mban mend Luljetën me bishtaleca, thuaj e mbaj mend?

-Po e mbaj mend mirë,- i thashë. Luljeta ish një vajzë e urtë, tmerrësisht e dobët, gjoksthatë. Mbante gjithnjë fustane të errëta të mbërthyera deri në grykë dhe banonte në një shtëpi njëkatëshe me dritare të ngushta, në rrugën e përpjetë, me shkallë të Pilkatit.

-Luljeta nuk është më e dobët. Në vite ajo hodhi shtat, u shëndosh, gjoksi iu rit. U bë e bukur e freskët si gonxhe,- foli ultas Raqka, si të më kish blerë mendimet,- me Luljetën rinim gjithnjë bashkë dhe i lexoja poezitë e Eseninit. Kishim vite që pëlqeheshim. Aq sa nuk dinim të ndanim në ishin miq të mirë, besnikë, apo të dashur. Një mbrëmje po rrinim pranë e pranë dhe pamë një film për dy të rinj që ishin miq ë mirë. U grindën, u shanë ngaqë nuk i hapeshin njëri tjetrit. U larguan të nervozuar dhe dëshpëruar. Vuajtën vetminë, nuk fjetën gjumë prej mungesës. Më në fund e kërkuan shoqi shoqin, u dashuruan me zjarr si kurrë ndonjëherë. Mbase ata kishin qenë të dashuruar, por i ndruheshin së vërtetës magjike…

‘Dhe ne jemi si ata,’ më pëshpëriti Luljeta dhe më përkëdheli dorën, ‘duhemi dhe s’guxojmë Ti a themi njëri tjetrit.

‘Me një ndryshim të vogël e ëmbla ime. Ne jetojmë në Shqipëri dhe ata të filmit në Amerikë. Ne kemi nevojë të biem në dashuri,’ i thashë.

‘Ne nuk donim të binim në dashuri, vetëm se ishin sekse të kundërta. Të bënim seks për instinkt, forcë zakoni dhe të harroheshim. Ne ranë në dashuri sepse është e domosdoshme të duhemi deri në dëshpërim, në kohë të vështira. Nuk është e lehtë të gjesh në tym e mjegull shoqi shoqin. Ne e gjetëm. Dashurinë tonë e ndjemë deri në thellësi dhe e kemi të nevojshme. Është lidhja e qenësishme midis jetës dhe zemrës,’ më tha Luljeta dhe më hodhi dorën në qafë. Më preku lehtë buzët, u afrua shumë pranë, mbylli sytë dhe më puthi. Më pëlqeu puthja,e lagësht e ngrohtë gjithë musht. E shtrëngova fort, i përkëdhela flokët, e putha me zjarr. Nëna në përgjonte pas derës dhe buzëqeshte e lumtur. E kështu…

Luljeta filloi punë në një firmë private rrobaqepësie. Mbrëmjeve shkoja e merrja me biçikletë. Biçikleta kërciste prej peshës dhe Luljeta më pëshpëriste pak e frikësuar:

‘ Raqkë, shiko se mos na gremisësh gjëkundi.’

‘ Por jo moj e ëmbla ime Luljeta, jo. Se sheh, unë jam me krahë dashurie, jo me rrota biçiklete,’ i thosha.

Asaj i bëhej qejfi dhe qeshte bukur.

Luljeta e turpëruar më tha, jam shtatzënë. Vendosëm të bënim dasmë, të vinin kurorë në kishë. Ne nuk kishin kohë të mendonim për gjepura dhe as të sfidonim pranverën e hidhur që të tjerët e sollën me përdhunë. Ne ishim të zënë me veten tonë. Do vinim kurorë, Luljeta do më dhuronte një fëmijë. Po mbushej java që kur ndodhi ngjarja e tmerrshme, hapja e depove të armëve dhe armatosja e çmendur të popullsisë.

‘Qyteti është mbushur me armë, më tha Luljeta, ‘po ne a duhet të armatosemi?

Të armatosemi ne, në dasmën tonë! Ç’thua zemra ime. Të dashuruarit nuk shkrehin pushkë, dhurojnë veç lule. Dashuria ngrihet mbi luftën dhe marrëzinë,’ i thashë.

Sytë e bukur si bajame të Luljetës shkreptinin. Të dy nuk fjetëm gjumë. Ëndërronim të shtrënguar pas njëri tjetrit dhe mesi prisnim të çelej dita e diel. Rezja e diellit lëpiu perden bardhë të punuar në grep prej nënës. Largova me kujdes krahun e derdhur të Luljetës dhe kërceva prej shtratit. Nënën e gjeta të ngujuar në dritare.

‘Gjithë natën e natës qelli u shpua prej shkrehjeve të marrosura të armëve,’ foli e menduar nëna.

‘Janë fishekzjarrët e dasmës sime,’ia ktheva nënës me shaka.

‘Ashtu qoftë biro,’ tha nëna.

Dola në rrugë të shikoja për ndonjë taksi, nuk gjeta. Pyeta një burrë të ngrysur që pinte me çibuk duhan të rëndë. Në shpinë mbarte në mitraloz dy këmbësh. Ai kafshoi  me inat pipën dhe mbylli syrin që i lotonte. Pata përshtypjen sikur të gjithë kafshonin pipë dhe mbyllnin sytë që u lotonin prej tymit të barutit:

‘Taksi! A je në metro ti more djalë,’më foli një burrë i ngrysur, ‘po të duash tank. Makina e blinduar është më e lirë. Mos hezito, merre nusen me tank.’

Ish rrëmujë, katrahurë e madhe. Tragjedi-komedi torturuese. Shumë fabrika dhe dyqane ishin vjedhur e shkatërruar. Qe kaos, përmbysje e madhe. Turma vidhte vetveten, i gëzohej erës mbytëse të barutit dhe shkrehjes së armëve.

‘Gjete kohë të vështirë more bir të vësh kurorë,’ mërmëriti nëna.

‘Më thanë ta marr nusen me tank,’ i thashë nënës.

‘U pupu, u çmend bota,’ ia bëri nëna dhe pyeti: ‘Na merr të gjithëve tanku?’

Nuk i ktheva përgjigje Ne jetonim jetën tonë, nuk kishim punë me të çmendurit e rrugës. E hipa nusen time Luljeta në biçikletë dhe pedaluam drejt kishës së vogël të porsa ndërtuar. Nëna ime me familjarët e tjerë do vinin më këmbë. Rrobat e bardha të nusërisë i futën në një trastë. Luljeta do ndërrohej në kthinën e vogël të kishës.

‘Merr ndonjë armë me vete, pistoletë apo kallash, më këshilloi një mik.

‘Të marr armë! Unë do shkoj të vë kurorë në kishë, në shtëpinë e Zotit. Nuk do shkoj të luftoj me mullinjtë me erë, ia ktheva mikut.

‘Mirë ti e di,’ më tha miku.

Luljeta më kish hedhur duart në qafë, më shtrëngonte fort dhe unë i jepja me kujdes biçikletës. Kur merrja kthesat, Luljeta klithte e gëzuar dhe krahët e saj të bardhë mbërtheheshin pas qafës. Më mbante frymën por unë nuk guxoja ti flisja. Kur dashuron dikë kuptohet, të mbahet edhe fryma. Ngado shkreheshin armë po ç’rëndësi kish, unë isha në lumturinë time.

Në sallën e kishës kish qetësi sunduese. Lujleta shkoi të ndërrohej, të vishte fustanin e bardhë.

‘Luljeta shiko se mos na bësh ndonjë magji,’bëra shaka. Ajo më luajti gjoja me kërcënim gishtin tregues dhe buzëqeshi të bukur.

Në sallë hynë me ngadalë dhe me ndrojtje nëna me familjarët e tjerë. Prifti një mesoburrë po shtronte tavolinën në ajodhimë. Ne po përgatiteshim të vinim kurorë. Stolat e tavolinat e kishës ishin të reja dhe mbanin akoma erën e këndshme të pyllit.

‘Rregullo kostumin, të është zhubrosur,’ më pëshpëriti nëna.

Shtrova xhaketën e pantallonat e kostumit. Vërtet më ishin bërë pas zhubër prej biçikletës. Pantallonat në fund më ishin përlyer prej vajit të zinxhirit. I fshiva sa munda me një leckë që gjeta poshtë tavolinës. Nëna qëndronte e krekosur dhe me delikatesë lagu me pështymë krelin e flokut të bardhë, e shtroi me kujdes. E mira nëna ime për ditën e shënuar të martesës së djalit e hoqi rrobat dhe shaminë e zezë. Veshi një fustan blu, me jakë të bardhë të punuar me grep. Një moment mu qesh, ngaqë mu kujtuan vajzat e shkollës. Nënës nuk i rashë në sy, mu duk e ripërtërirë. Nëna gjithnjë e kish pëlqyer Luljetën. Shpesh mblidheshin të dyja në qoshe të dhomës dhe pëshpëritnin. Çfarë bëni ju atje, u thosha. Ato ndërprisnin pëshpërimën  dhe vështronin nga unë me gaz të bukur.

Krismat e armëve dhe zhurma e një mjeti të blinduar sa vinte e dëgjohej shumë më pranë. Muret e kishës filluan të dridheshin dhe nënës i hyri frika.

‘Bir, vëri llozin derës,’ më pëshpëriti ajo.

‘Nënoke, kishës nuk i vihet kurrë lozi,’i thashë dhe i buzëqesha ëmbël për ta qetësuar.

‘E di morr bir, e di, por seç kam një ankth,- foli ultas nëna dhe shtoi e menduar: ‘Në rrëmujë e në rrëmet për të mirin e të pafajshmit askush nuk pyet. Ne biro e përzunë Zotin për shumë vjet. Prandaj nuk mund të vijë Zoti shpejt tek ne, se i ndërtuam një kishë a xhami…’

U hap dera në krah të majtë dhe hyri Luljeta gjithë shend e verë. E mira ime rrëzëllente bardhësi. O zot sa e mrekullueshme që ish! Si një magji. Prej dritareve me ngjyra të kishës depërtoi një dritë fosforeshente dhe unë u verbova prej bukurisë së saj.

‘Lum nëna që këtë nuse,’ mërmëriti me krenari nëna.

Nusja ime Luljeta ecte ngadalë, si një mjellmë, duke  shpërndarë mirësi, dashuri dhe bukuri. Në duart mbante një tufë me trëndafila të bardhë. Ajo zgjati duart të më përqafonte… por unë i thashë:

‘Prit e dashur sa të këmbejmë unazat e të dëgjojmë fjalën e priftit…

Atë çast u hap dera kat më kat. Në kishë hynë me zhurmë,  potere e duke zbrazur armë, disa persona. Ata ishin të mbuluar me kapoçonë të zinj, me maska, e të armatosur deri në dhembë.

‘Lëvizni, hajt, zbrazni çfarë keni.’ Ata na drejtuan armët dhe na ngjeshën për muri.

‘Ua nusja!’ ia bëri me ironi njëri prej tyre. ‘Hajt ta provojmë si e ka plaçkën një nuse pa copë të bëhet.’

Luljeta qëndroi në mes të kishës e hutuar, e ngurosur. Trëndafilat e bardhë i shpëtuan prej duarve dhe i ranë përdhe, u shkelën me këmbë.

‘Jo në kishë bij. Jo në kishë. Ju ndëshkon Zoti. Ne do zhvillojmë ceremoninë e një martesë të shenjtë,’ u tha prifti.

‘Shko dreq mjekër cjap. Hape shpejt kutinë e nxirr paratë.’ Ata u zgërdhinë, ‘Lekët janë të kishës more bij. Mos mëkatoni!’

‘Aha, ha, ha! E shihni se çfarë thotë mjekës cjapi, mos mëkatojmë.’

Maskat e armatosura pa shumë ceremoni i dhanë priftit një grusht në nofull, e flakën tutje. Dy prej tyre u turrën drejt Luljetën, e ngacmuan një copë herë duke u zgërdhirë. Luljeta qëndronte e zverdhur dyllë në fytyrë dhe nuk bënte asnjë lëvizje. Maskat e shtynë, e rrëzuan përdhe nusen time dhe i shqyen fustanin e bardhë.

‘Luljeta!’

Vrapova në mbrojtje të nuses sime. Dikush më goditi me kondakun e pushkën aq sa më lëshuan sytë shkëndija dhe më buçiti gjaku.

‘Luljeta’.

Luftova sa munda me duar dhe me këmbë. Njërin prej tyre e godita me grusht në ije dhe ia çora maskën. E pashë, ish një djalë qime pa dirsur prej lagjes së vjetër të shurdhëve. Me të atin e tij kisha kënduar në korin e ndërmarrjes.

‘ Dhe ti djali i Netos, e ti,’ i thashë.

Ai u tërbua ngaqë e zbulova, e njoha. U rrotullua dhe më goditi përsëri, këtë herë në nofull. Më vuri grykën e automatikut në gojë.

‘Më njohu qeni, tani do të vras,’ ulëriti.

‘Lëre dreqin. Lëre të jetojë. Ne do ta vrasim më keq se pushka dhe mortaja, do ti shkërdhejmë nusen,’ e ndalën maskat e tjera dhe zgërdhinë.

Më lidhën me tel të sertë pas kollonatës së kishës. Nëpër mugëtirë dëgjoja kuje të rënda, rënkime dhe ulërima. Kur u përmenda, djemtë e lagjes së Shurdhëve kishin përdhunuar vrazhdësish nusen time. Fustani i bardhë i nusërisë ish përlyer, njollosur prej gjakut. Më mbërtheu histeria, telat në hynë në mish, nuk mund të bëja asgjë. Filloja të qeshja me të madhe si i shkalluar dhe lotët më rridhnin çurg.

‘Luljeta!’klitha.

‘S’ka më Luljeta,’ më tha dhe e shkuli me nervozizëm fustanin nusërisë, të përlyer prej gjakut. E bëri copë e çikë, e flaku, e shkeli me këmbë. Ecte si somnambule, ulërinte dhe qante. E ëmbla ime, nusja ime, u përdhunua keq në mes të kishës. Fustani nusërisë që dikur ish e bardhë, si ëndrra e bardhë e bukur e vajzërisë u përdhos. Fustanin e morra me qira në dyqanin: ‘Moda evropiane.’

‘Luljeta!’

‘Raqkë, i miri, pëllumbi, i sinqerti im. E vranë pa mëshirë dashurinë Raqi. Harromë. Shiko përreth, gjithçka është e pështirë. Kisha, shtëpia e Zotit përmbytur prej ligësisë, u derdh gjaku im. U pre, u bë fërtele një jete të re që do lindte. Çfarë kërkon më prej meje. U bë e keqja dhe rrënimi im,’ ia bëri me dhimbje nusja ime.

‘Ty Luljetë,’ bërtita si i marrë. ‘Ty, vetëm ty.’ Qesha me histerizëm, doja të shkulja, ti flakja tutje të gjitha plaçkat e barkut, të mbetesha një skelet i thatë. Koka mu shkund, më gjëmoi dhe u lëshua mbi trup si e prerë.

‘Mua më do! Të qeshet! I gjori ti. Qesh ngaqë të qahet. Ndërsa unë e mjera, mbart në trup e në shpirt turpin e tmerrshëm të përdhunimit, të poshtërsisë dhe të qeshurën therëse të mjerimit. Fatkeqja unë, nuk i duhem kujt më. Jam e përdalë!’ gërhiti Luljeta dhe iku me vrap si e çakërdisur mes krismave e batareve të armëve.

‘Luljeta,’ i thirra, ‘mos më lërë vetëm, të lutem, mos shko. Unë të dua si më parë.’

E ëmbla ime nuk më ktheu përgjigje. As kokën nuk ktheu. Më la të lidhur, mendoi se nuk ia vlente të më çlironte prej telave të sertë që më shtrëngonin trupin kryq dhe tërthor. Më la të dergjesha atje, si lëvere, në turpërimin dhe zhvleftësimin e burrit. Vrapoi drejt rrugës së madhe. Ajo ish pothuajse gjysmë lakuriq. Një shirit i çjerrë, i përlyer prej fustanit të bardhë, kish mbetur pas mbathjeve. I zvarritej nëpër gurë si dhembje e përgjakur. Rruga qe mbuluar prej pluhurit dhe rënduar nga balta. Nëna më çliroi prej vargonjve. Gjaku vazhdonte të pikonte mbi pllakaqet e kishës. U turra pas saj si i shkalluar:

‘Luljeta, zemra ime. Të lutem, mos ikë.’

Ajo qëndroi. Vështroi gjithë dëshpërim nga unë, dhembja e saj përmbyti asfaltin. Pranë saj kaloi një tank i mbuluar nga pluhuri, që lëvizte grykën e gjatë të zjarrit gjithë kërcënim. Më pas disa makina ushtarake. Zëra të harbuara ftuan Luljetën të shkonte me ta dhe ajo kokulur  hipi në makinën ushtarake. Humbi tutje. Mu këputën këmbët, u lëshova në mes të rrugës. Ku ishte lumturia? A ishte e mundur që gjithçka të shuhej aq shpejt? Çfarë u bëmë ne bashkëqytetarëve të tërbuar e të mbuluar me maska, që të arrinin deri aty sa përdhunonin dasmën dhe nusen! Cila ishte ajo forcë e errësirës që e shtyu njeriun drejt çmendurisë? Ndjeja keqardhje të thellë torturuese për veten, Nënën, Luljetën, për të gjithë. Dashuria, ndjenja njerëzore u bë hi, shkrumb prej flakëve të marrëzisë.

Me një përpjekje të ethshme mbinjerëzore ngrita nënën dhe dola jashtë. Paskëtaj më mbërtheu e qeshura gulçuese. Ish e qeshur e keqe, e shkalluar, që më shkulte zorrët e barkut. Armët shkreheshin gjithandej me batare të shfrenuar. Plumbat bënin rrigoshetë, por si për dreq asnjë syresh nuk donte më kapte mua. Të më shponte tej përtej, të më bënte fërtele. I hutonte e qeshura ime e shfrenuar…

‘Luljeta do kthehet prapë,’ më ngushëlloi nëna.

‘Ç’domethënë të kthehet Luljeta prapë,’- fola si në jerm dhe qesha, u zgërdhiva dhe shtova,  ‘e ikura nuk kthehet’.

Në korridorin e katror të kishës kishim mbetur vetëm unë dhe nëna. Të gjithë kishin ikur. Ngrita nënën në krahë dhe dolëm jashtë.

Plumbat zbrazeshin gjithandej. E qeshura ime ishte e shkalluar dëgjohej mbi krismat…

Ngado shihja maska, armë dhe kapuçonë të zinj. Qeshja…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: I Qeshuri, Kristaq Turtulli, novele

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5226
  • 5227
  • 5228
  • 5229
  • 5230
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT