• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Magarevo dhe Nizhopoli fshtrat ku banoni shqiptarët ortodoks

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kisha e Shen Dimitrit ne Magarevo/

Nga Arben LLALLA/

Shpeshherë kemi lexuar rreth shqiptarëve ortodoksë të Rekës në Maqedoni të cilët janë asimiluar dal ngadalë si pasojë e presioneve të ndryshmet. Por për veç fshatrave të Rekës shqiptarët ortodoks kanë banuar në fillim të shek.XX në zonën e Kavadarcës në dy fshatra, KONOPIŠTA dhe MREŽIČKO. Në këto dy fshatra disa banorë janë deklaruar të fesë ortodokse me kombësi shqiptare në fillim të shek.XX, por ne, do flasim edhe për dy fshatra të tjerë që ndodhen afër qytetit të Manastirit që dikur kanë banuar shqiptar ortodoks, ndërsa sot banorët janë deklaruar maqedonas dhe vlleh. Bëhet fjalë për fshatrat MAGAREVO dhe NIZHOPOLE. Por si u asimiluan shqiptarët ortodoks të këtyre dy fshtrave?

Magarevo dhe Nizhopoli janë dy fshatra që ndodhen në Republikën e Maqedonisë afër qytetit të Manastirit, në kufi me Greqinë dhe Shqipërinë. Këto dy fshatra janë ato raste ku shqiptarët e krishterë u asimiluan ndër vite për shumë arsye.

Në shekujt e mëparshëm shqiptarët në mungesa të shkollave shqipe mësonin në shkollat turke, greke, bullgare, serbe dhe vllehe. Kjo bëri në ato vite që studiuesit e huaj ti identifikonin si popullsi jo-shqiptare. Si pasoj për fat të keq kemi mungesa informacioni për numrin e vërtetë të shqiptarëve në Ballkan gjatë shek.XIX dhe fillim të shek.XX, sidomos për shqiptarët e krishterë.

Nga shek. XVIII në Magarevo banonin rreth 5-6 familje sllave, por nga fundi i viteve 1770 në fshat u vendosën shumë familje vllehe shqip-folëse nga Linotopi si dhe shqiptar ortodoks nga Kolonja dhe Bithkuqi i Korçës. Thuhet se në këtë fshat në fillim të shek.XIX ka patur rreth 13 mullinj dhe Megarovo ose Magarevo njihej si pronë nën sundimin e Seit Rustem Beut, Kajmakam i Manastirit. Nga disa të dhëna na informojnë se në këtë fshat nga viti 1845 erdhën edhe disa familje të tjera shqiptare nga Bithkuqi të ftuar nga familjet vendase tashmë të Magarevës. Në përgjithësi banorët e këtij fshati merreshin me bagëti dhe numri i banorëve i kalonte 3.000 njerëz. Në lulëzimin e tij fshati ka patur disa shkolla ku mësohej në gjuhën greke dhe vllehe. (Asimilimi i shqiptarëve në kohën e perandorisë osmane bëhej me anë të shkollave ku pjesa e shqiptarëve mysliman mësonin në shkollat turke ndërsa shqiptarët ortodoks nëpër shkollat greke, bullgare, serbe dhe vllehe).

Në librin Etnografia e Vilajeteve të Adrianopojës Manastirit dhe Selanikut të botuar në Stamboll më 1878, në pasqyrën e statistikave shkruhet se në fshatrat Magarovo, Tërnovo dhe Nizhepole jetonin 3.000 vlleh dhe 500 shqiptar.

Historiani grek Apostol Vakalopulos (1909-2000) shkruan në librin Historia e Maqedonisë 1354-1833, se në fund të shek.XVIII në Megarovo erdhën disa familje shqiptare nga Kolonja dhe Bithkuqi. Ka edhe shumë burime të tjera greke që shkruajnë se në këtë fshat kanë jetuar shqiptar ortodoks, por për më gjerë i mbten të ardhmes për të shkruar.

Sot Magarevo është një fshat i vogël dhe në regjistrimin e vitit 2002 u deklaruan 64 maqedonas dhe 24 vlleh.

Fshati Nizhepole është tjetër fshat në Maqedoni afër qytetit të Manastirit që pothuajse ka të njëjtën histori si Magarevo. Ish-ministri i arsimit të Bullgarisë Vasili Kënçov shkruan më 1900 se në Nizhopole banojnë 250 shqiptar të krishterë, 190 bullgarë dhe 2.030 vlleh.

Në përfundim duhet thënë se e rëndësishme është se kur nuk ekzistonte shteti shqiptar dhe institucionet kombëtare, të huajt na kanë sjellë të dhëna për popullsinë shqiptare ortodokse dhe myslimane edhe pse këto të dhëna mund të jenë të cunguara duke tkurrur sa më shumë realitetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, fshatra, Magarevo dhe Nizhopoli, me ortodokse, shqiptare

Shqipshkrimi, një problem diplomatik shqiptaro-grek

August 17, 2013 by dgreca

Nga Aleksander Cipa /

 Në të gjitha rrjetet sociale dhe në median e paktë të emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë këtij sezoni të pushimeve verore, zien një ankesë drejtuar qeverisë së Shqipërisë. Prej muajit dhjetor të vitit të kaluar (2012) të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe që jetojnë në këtë vend fqinj me Shqipërinë, nuk u lejohet të rikthehen nëse vizitojnë atdheun e tyre, për shkak të shqipshkrimit të toponimit grek ku kanë lindur. Ky nuk është thjesht një problem social, ndonëse i tillë përjetohet prej disa mijëra fëmijëve dhe prindërve shqiptarë në emigracion. Tashmë ky është një problem diplomatik i ngritur fatkeqësisht në nivelin e baraspeshimit nga pala greke, me çështjen e marrëveshjes detare mes dy shteteve, e cila, siç dihet, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.
Mediat shqiptare në Greqi e kanë të ripohuar tashmë arsyen se si dhe kur lindi ky problem, ndërsa mediat në Shqipëri ende nuk e kanë fokusuar dhe aq më keq nuk e kanë të qartë zanafillën.
Ndërkohë që pala zyrtare greke e bazon refuzimin e mëtejshëm të shqipshkrimit të toponimeve greke në pasaportat e fëmijëve të emigrantëve, në dokumente të OKB-së, (mbi standardizimin e toponimeve të të gjitha shteteve anëtare), më konkretisht në respekt të Udhërrëfyesit të Toponimeve të Grupit të Ekspertëve të OKB-UNGEGN.
Natyrisht që Athina është kujtuar për këtë udhërrëfyes vetëm gati 10 muaj më parë, ndonëse për mbi 15 vjet asnjëherë nuk është ankuar për kësi çështjesh të shqipshkrimit në pasaportat e emigrantëve shqiptarë. Por, po Athina zyrtare kur e sheh të udhës, lëshon shkresa pranë pikave kufitare me Shqipërinë që për disa ditë, kryesisht festash dhe kremtimesh, të mos merret në konsideratë kjo çështje e shqipshkrimit.(!) Problemi kaq i dhimbshëm dhe preteksti aq privues për mijëra e mijëra shqiptarë, tashmë është ngritur në nivelet më të larta të komunikimit ndërshtetëror. Madje, kryeministri në ardhje Edi Rama, në vizitën e kësaj jave private në selitë e Kryeministrisë dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, e kryerenditi këtë ankesë emigrantësh, si më emergjenten. Kuptohet vetvetiu se sa i zhbërë është rendi i çështjeve dhe problemeve që duhen trajtuar mes dy qeverive, ndërsa njëra është ende e padekretuar zyrtarisht dhe tjetra (ajo në Athinë) është në pikun e një krize për shpëtimin e vendit nga falimenti.
Problemi i zvarritur dhe fëmijët e penguar shqiptarë, për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve greke nuk është thjesht një aspekt që buron dhe lidhet thjesht me shërbimet diplomatike apo edhe me mijëra familjet e emigrantëve. Kjo është një çështje që rizbulon edhe një herë falsitetin antihuman që karakterizon kapriçiot e Greqisë shtetërore në raport me Shqipërinë shtetërore. Një kapriçio, e cila konvertohet në lëndim dhe vuajtje te komuniteti disa qindra mijësh i emigrantëve që tashmë janë gati shtetas të natyralizuar në vendin fqinj. Kapriçio të tilla nuk mbjellin më as kompleks e as nënshtrim, por thjesht konservojnë akumulime ndjenjash dhe kontestimesh të brendshme. Pengime të tilla shtetërore potisin në targete të caktuara grupesh dhe individësh në Shqipëri dhe Greqi, ndjenja negativiste dhe paragjykime farëkëqija.
Botimi i njëkohshëm i shkrimit të kolegut Robert Goro në shumicën e të përditshmeve të Tiranës dhe në gazetën “Tribuna” në Greqi, me titull: “Fatkeqësisht linda në Greqi”… (Emigrant në vendin fqinj, dje mbahej peng prindi, sot fëmija), ishte një tërheqje maksimale e vëmendjes publike për problemin. Ky shkrim merrte shkas nga postimi i një 14-vjeçareje shqiptare në Greqi, e cila është e penguar të udhëtojë drejt atdheut të saj për pushimet verore për këtë shkak.
Por nëse këtij reagimi do t’i bashkoheshin edhe reagimet e grupeve të të drejtave të emigrantëve dhe të njeriut në Shqipëri, nëse do të kërkohej që Komiteti i Helsinkit të Shqipërisë të kërkonte reagimin solidar të Komitetit të Helsinkit në Greqi, apo grupeve të të drejtave të njeriut në këtë vend, atëherë nuk do të vijohej e njëjta gjendje dhe i njëjti indiferentizëm.
Ministri i Jashtëm në detyrë, zoti Aldo Bumçi, për këtë çështje mund edhe të pasojë takimin jashtë radhe me homologun e vet grek Venizellos, përderisa takimi i së mërkurës në zyrën e homologut të tij i ambasadorit Dervishi në Athinë, duket se ende nuk e ka dhënë reagimin zgjidhës.
Pengimi shtetëror i fëmijëve të emigrantëve për të vizituar në çdo kohë atdheun e tyre, natyrisht që ka një shkak dhe arsye zyrtare për qeverinë greke, pra buron nga e drejta për respektim të dokumentit të OKB-së. Mirëpo njëkohësisht ky pengim mbart dhe shënon shkelje të disa konventave dhe kartave të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sidomos të të miturve, aq më tepër që ata janë emigrantë.(!) Si e tillë, kjo shkelje duhej relatuar me kohë pranë organizmave ndërkombëtarë, sikundër edhe duhet ecur me shpejtësi administrative drejt një zgjidhjeje që nuk sjell pasoja dhe cenime në të drejtën dinjitare të gjuhës së secilit vend në dokumentet kombëtare. Në këtë kazus shqiptaro-grek, vlen edhe diplomacia e reagimit intensiv dhe këmbëngulës, por edhe ajo e sensibilizimit dhe e relatimit në kohë pranë organizmave ndërkombëtarë. Shoqatat e emigrantëve dhe sidomos organizmat e të drejtave të emigrantëve dhe njeriut, në rastin grek për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve, me kohë duhej të kishin informuar zyrat e posaçme të OKB-së dhe të Brukselit. Në kësi rastesh autoritetet ndërkombëtare e kanë më të lehtë të ndikojnë mbi autoritetet respektive të dy shteteve për të mos përdorur për qëllime dhe interesa politike, si “karrem” emigrantët. Për ta bërë këtë, ende nuk është vonë. Ndonëse edhe kësaj here emigrantët shqiptarë ia falën dëshirën dhe kënaqësinë për të shijuar verën e atdheut së bashku me fëmijët e tyre, sjelljes dhe diabolizmit shtetëror ballkanas.(Shqip)

Filed Under: Analiza Tagged With: aleksander Cipa, diploamtik, nje problem, Shqipshkrimi, shqiptaro-grek

MISTERI I JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT*

August 17, 2013 by dgreca

Shënim i Editorit: Si sot më 17 gusht 2010, Peter Prifti mbylli sytë përjetë. Ai ishte nje intelektual i perkushtuar per ceshtjen shqiptar ne pergjithesi dhe per Kosoven, ne vecanti. U kujtoftë për mirë nga gjithë atdhetarët! Po risjellim një nga shkrimet e tij në kujtim dhe mirënjohje!/

***

NGA PETER PRIFTI*-

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”

Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?

Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.

Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.

Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.

Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.

Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.

Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.

Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.

Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.

Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.

(Ish editor i Diellit dhe sekretar i Vatres 1958-

* Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

 

Filed Under: Featured

Nusja e Pyllit (Rrëfenjë çame)

August 17, 2013 by dgreca

Nga Namik Selmani/

Bidua ishte djali  më me nam e më trim i Sharatit, në Çamëri, pse jo edhe më i bukuri. I donte shumë lëndinat, krojet e shpesh bridhte në to pa patur frikë as nga lodhja e as nga frika e kafshëve të egra. As nga shiu e as nga breshëri. Kur futej në shtigjet e pashkelura nga të tjerë, ecte sikur të ishte më i moshuari për nga njohja e më i riu për nga fuqia e këmbëve dhe e duarve. Pa le e syrit të tij që e kishte si prushi i furrave çame që nuk shuhej as ditën e as natën.

Në dasmat e fshatit për herë flisnin për të vajzat gojë më gojë edhe kur ai kalonte pranë tyre, por edhe kur ai nuk ishte në rrugë, po diku larg ku kishte punën ku kishte bagëtinë e ku jetonte ditën e tij shumë të vrullshme. Apo s’kishte lënë edhe ca mustaqe të bukura. Djalë për kokën e djalit! Ngriheshin vajzat në majat e këmbëve kur kërcente ai në oda. Madje tregojnë se njëra prej tyre që kishte marrë një gur për t’u ngjitur te dritarja kishte rënë e vajzat e tjera duke kukurisur kishin qeshur me të madhe. Nuk kishte ndonjë trup kaq të madh në gjatësi, po i kishte hije çapi i hedhur. Gaz e dritë bëhej vendi. Edhe fjala jo më pak. Burimet e shumta që mbanin me ujë Gumenicën që ishte nja dy orë larg Sharatit, ishin ato që ia shihnin e ia njomnin faqet e bukura kur ai lahej në to.   S’shkonte që s’shkonte në 40 shtëpi Sharati. Edhe kur e keqja e grekut më 1944 e kishte goditur fort fshatin ai ishte 39 shtëpi e dyer e sharatasve nuk u mbyllën. Bidua ishte nga ata djem që, kur dilte në Qafën e Portëzës e deri në Burimet e Mëshesëzës kishte shtruar sa e sa qyngje prej balte që të sillte qumështin e bagëtive në fshat. Se ishte det ai klumusht e nuk mbahej dot me kafshët, me kuajt që Sharati i kishte më të mirët në Çamëri.

Ujin i burimeve bëhej edhe më i ëmbël kur ecte me këta burime klumushti. E Bidon e shihje sa te malet e Shesheve, te Kroi i Plitharit, sa te Kodra e Lëmit aq sa edhe te shpella që quhej Foleja e Bilbilit ( Kushedi se sa bilbilë e kishin folenë në këtë shpellë)

Ia njihte edhe me hundë erën e 40 furrave që gatuanin për shtëpitë. Sharataset ishin nikoqire të mira e piqnin në to bukët, klumushtorët. Veç Bidua kishte qejf që të shkonte në një përrua që quhej Përroi i Zëreve. Kur ishte i vogël, dëgjonte pleqtë për këtë përrua. Flisnin ata se çfarë nuk shihje e dëgjoje për të. Po Bidua si Bidua. I dëgjonte, po qejfi ia donte që t’i besonte me sytë e tij t’i prekte vetë shkëmbinjtë. Vende nuk kishte bredhur shumë që flisnin të tjera gjuhë, po amma vendi i tij i dukej më i bukuri në botë.

Një ditë, aty nga mëngjesi e bëri karar e u fut në pyllin që quhej Pylli i Likopodhit. Në shtratin që binte butë butë në përrua. Edhe përroi kishte emrin e tij. Aty në përrua, ku lumi puthte gurët, fletët, pa … shumë vajza të bukura. Dhe ato po kërcenin. O, sa shumë që ishin! Po ato nuk ishin si vajzat e tjera. As si Minushja. As si Elmaja, si Pasheja, si Havaja. As si Selemeja që dukej që larg me ato kocat e zeza që kishte. As si Dizua.. Ah, po , u kujtua i erdhën në mendje fjalët e Xhixho Tahirit: “Eh, sa i mençur që ishte Xhixho Tahiri me fjalët e tij!” – mendoi Bidua. Këto ishin Zëret. Kështu i thoshin në fshat zanave të bukura që dilnin rrallë shumë rrallë e kërcenin njëra më bukur se tjetra. Në gurët që vinin njëri pas tjetrit në shpatet e mbushur me lloj lloj drurësh me ullinj të vjetër që s’mbaheshin mend që kur ishin mbjellë duart që i kishin vjelë në shekuj.

Ç’’të bënte????? Vetëm trimëria në këto raste nuk pi ujë. Te një vend, pranë bregut të Përroit të Bukur  pa një shami të qëndisur shumë bukur. Kishte parë të tilla shami kaq të bukura që të vrisnin sytë nga mrekullia e qëndisjes te sepetet e nënës së tij që i kishte sjellë në shtëpi kur ishte martuar. Po ato po i dukeshin më të bukura. I pëlqeu shumë edhe pse kishte bredhur shumë në pazaret e shumta që bëheshin në fshatra e sidomos në Janinë ku kishte nga më të bukurat . Vrapoi dhe e mori në duar. Ç’do të bënin me të Zëret? Kjo i erdhi në mendje kur e mori dhe e vuri në gji si të ishte një mollë e ëmbël plot me erë. Nga ato gjëra që njeriu i mban si më të shtrenjtat. Si pa e kuptuar e me një urdhër të padëgjuar po edhe kaq të forte, sokëllitës, Zëret u larguan . U futën në hijen e drurëve të atij pylli që ishte në të dy anët e përroit. As vetë nuk e kuptoi se pse ikën kaq shpejt e u fshehën. Njëra prej tyre iu afrua dhe ia kërkoi shaminë me një zë lutës, përgjërues. Bidua rrinte në këmbë e nuk fliste. Jo, nuk ishte hajdut e as që do të ishte i tillë në jetë të jetëve, po ja që shaminë nuk donte që t’ia jepte. Ishte guximi mashkullor që herë pas here ngre krye atje ku asnjë nuk e prêt. Ishte krenaria e vërtetë e Bidos që kësaj radhe po shfaqej në këtë veprim?????!!!

Zërja nuk mund të ikte,. Pa shami ajo bëhej njeri. Do të futej mes njerëzve. E bashkë me ëndrrat e gazin e valles do të jetonte edhe me zilinë e të keqen e këtyre njerëzve. si në çdo cep të botës. Ia tregoi sekretin e saj dhe më në fund pranoi edhe martesën.

Zarja  u martua me Bidon e motmot lindi edhe djali. Një djalë i bukur, shumë i bukur që të gjithë njëzëri e quajtën Djali i Zëres.

Kaluan vitet. Bidua shkonte shumë herë te Përroi i Bukur ku kishte parë e takuar për herë të parë nusen e tij dhe nënën e djalit të bukur. Te Përroi  i Likopodhit nuk shihte më zëret. Mos vallë ishin zemëruar me Bidon se ua kishte marrë mes njerëzve motrën e tyre? Mos..?

Zërja e Bidos ose Bidla, si i thonin gratë e vajzat çame u bë si e shtëpisë pa harruar nashkat apo nazet femërore që në të gjithë kohërat jane edhe të njëjta edhe të ndryshme.

Bënte kuleçë si  të  tjerat. Bënte trahananë me vaj ulliri që të lëpije thonjtë. Qepte e qëndiste shamitë, jelekët ose pelshinjtë, qëndiste çorapet më mirë se vajzarte gratë e tjera të Sharatit..

Një ditë në fshat bëhej një dasëm  e madhe. Shumë e madhe. Kishte nisur që të hënën në të dy konakët edhe te vajza edhe të dhëndrri. Dhiolitë s’pushonin deri në të gdhirëë. Mishrat me namë të Sharatit mbushnin sofrat ku uleshin me njëherë 20 burra, gra, fëmijë

Po a ka dasëm pa valle? Jo more vëllezër. E vallja shkonte sa te burrat aq edhe te gratë. Ah, kur sharataset ia merrnin  valles thua më thua, edhe drurët lëviznin nga vendi e dielli ndalej në qiell. Edhe zogjtë rrinin në degë.. Shamia e rrallë me lule që ai e kishte marrë në atë ditë të bukur pranvere diku në Përroin e bukur të Likopodhit kishte 20 vjet që ishte fshehur ne sepetin e shtëpisë me gjërat më të shtrenjta që kishte shtëpia. Çelësin e këtij sepeti Bidua nuk ia jepte asnjërit. Jo se mund ta vidhnin, po zilia e bukurisë që mund të godiste  sytë e të afërmëve, mund të bënte hatanë . Zërja do të ikte..Në kulmin e valles ku edhe rregullat e fillimit të saj nuk respektohen sa duhet dikush ia tha Zëres që ishte po kaq e bukur sa edhe ditën e parë kur kishte ardhur nuse në Sharat:

-Ngrihu, moj Zëre e merr një valle nga ato të tuat! Aman, o Zëre!

Kaq u desh nga ajo fjalë e Musait e të gjithë u ngritën në këmbë për ta mbështetur  Zarja nuk fliste. Gëk nuk bënte. Mos vallë iu kujtuan shoqet e saj që kishte vite pa i takuar e pa u larë në krojet e Sharatit dhe hidhte valle atje mbi gurë?

Mos vallë .. ? Ku kërcenin tani ato? Kuuu? Edhe Bidua nuk pranonte që ajo të ngrihej në valle. E kujtonte besën që i kishte dhënë që ditën e parë të martesës dhe ditën kur lindi djali. E dinin këtë rregull edhe të gjithë burrat e gratë e fshatit.

–          Hë, mo Bido, thuaja Zëres që të ngrihet. Ajo tani ka një djalë me ty e s’mund të ikë. Djali është bërë burrë.

Hë, njëri. Hë, tjetri. Mushti i trëndafilëve e kishte bërë punën e vet Bidua e ngre Zëren në valle e i jep edhe shaminë që shkoi ta merrte në sepete. I  kishte  hedhur çdo vit gjethe borziloku, manxuranë që ajo të kishte erë, të mos e hante mola…

Kaq deshi Zërja. Bëri një rrotullim në atë dasëm të bukur. Si të ishte hënë që brenda një kohe të  shkurtër drapëronte dhe merrte po kaq shpejt pamjen e një kokrre molle. Pushuan fjalët, gotat nuk trokëllinin më. Askush s’pipëtinte. Pushuan këngët që merrnin gratë aty në qoshen e dasmës. Urimet nuk po bëheshin më. Po vetëm pas atij rrotullimi…ajo iku… u zhduk.. fluturoi.. …

Të gjithë s’u besonin syve. Ç’ndodhi , thonin shikimet e çuditura të dasmorëve . të atyre që ishin të rritur me thinja, me çibukë në duar që harruan dhe t’i thithnin nga çudia, nga mërzitja… U çuditën gratë që menjëherë nisën të shkulnin faqet e tyre sa të kuqëluara aq edhe të rreshkura. U çuditën fëmjët që u bënë më seriozë në atë çast, të gjithë.. të gjithë…Mbi të gjitha, u ֛çudit Bidua që e kishte para sysh, vetëm para pak minutash e tani nuk e shihte më. I vinte të qante ashtu si nuk kishte qarë kurrë në jetën e tij. . Nuk e pa më, po djali kudo ku ishte i shfaqej përherë i bukur, i bardhë…Njëlloj si nëna.

Sharatit i kishte ikur nusja më e bukur, valltarja më e zonja, gruaja më nikoqire. Ajo që zbukuronte aq shumë të gjithë udhët e krojet e Sharatit. Të gjithë, të gjithë ishin fajtorë të asaj ikjeje , të atij fluturimi, por edhe të gjithë  ishin ata që i kishin dhënë pa dashje rrugën e vërtetë  kësaj zane të bukur. Të gjithë kishin bërë tani, pas 20 viteve gjën më të bukur që mund të bëjë një njeri i gjallë i kësaj toke.. Një njeri që do lirinë e tij dhe të të tjerëve. Zërja ishte e lirë, e lirë , edhe pse pas dy dekadash. Për 20 vjet a thua se ishin në një ëndërr të bukur që nisi atëherë e po mbaronte sot në këtë dasëm. Ajo nuk ishte për fshatin e tyre sado i bukur që të ishte me livadhet, ullinjtë, krojet. Edhe pse sofrat e tij ishin mbase nga mikpritëset në botën  e madhe  pa fund.

Se si do të ishin pastaj të bukur korijet, krojet, përrenjtë e Sharatit, luginat e tij me atë dritë diellore, pa këto zana që jetonin aty në Mbretërinë e tyre të pacënueshme, në Mbretërinë e Valles, të Këngës, të Dashurisë???????

Si????

Si??

(2013)

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: namik Selmani, nusja e pyllit, rrefenje came

Po shkatërrohet Epitafi i Gllavenicës

August 17, 2013 by dgreca

Nga Frederik Stamati/

Në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, në një sallë gjysmë të errët dhe disi të zhveshur nga reliket e kohës ishte ekspozuar në një tavolinë të mbuluar me xham epitafi mesjetar i Gllavenicës.

Thuajse të gjithë ata që merren me kulturën, pavarësisht në se janë studiues të teologjisë, apo të historisë dhe që për dijet e tyre kanë merituar grada dhe tituj akademikë,  mendojnë se ky epitaf është kryeobjekti i muzeumeve të Shqipërisë, një perlë e vërtetë e kulturës materiale.

Për të është shkruar shumë, duke filluar që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë dhe të huaj. Në dy kolonat anësore të shkrimeve bizantine thuhet se është i vitit 1373. Thuhet edhe së është porositur nga Ballshajt.

Shkruhen edhe gjëra të tjera që përcaktojnë kufij principatash dhe prirje për ndikime zgjerimi kufijsh. Dhe e gjitha kjo vlerësohet maksimalisht nga studiuesit e albanologjisë. Mirëpo ka edhe më. Në vitin 1974, tek e shikoja në hollin e Muzeut arkeologjik (atëherë po e përgatitnim për ta ҫuar në Paris në ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”), Theofan Popa më tha se ky epitaf është qëndisur nga dora e murgut Savia me porosi të Gjergj Arianitit, i cili historikisht i bie që të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut.

Çfarë gabimi të pafalshëm kam bërë në atë kohë! Duhej të kisha mbajtur shënime dhe edhe ta pyesja Theofanin për hollësira të tjera! Isha i ri në punë dhe në moshë dhe nuk e kisha formimin e duhur shkencor, madje edhe nuk mendoja se një ditë njerëzit nuk do të jenë më! Në ndërgjegjen time nuk e justifikoj veten, por nuk e dija se Theofani nuk e kishte shkruar këtë.

Gjithmonë më ka ngacmuar kureshtja e së vërtetës së fshehur. Doja edhe një konfirmim. Vite më vonë  bisedova  me  Dhimitër Shuteriqin. Ai ka qenë njohësi më i mirë i Aranitëve. “Ndëgjo,-më tha,- nji gja duhet ta dish mirë: Theofani nuk ia fuste kot!” Dhe pastaj rindërtoi pemën gjenealogjike të Aranitëve. “Po,- më tha pak a shumë,- rezulton që të jetë ashtu, pra gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Mirëpo në dokumente del që ky Gjergj Arianiti të ketë qenë murg”. Kjo çështje nuk dilte e qartë në dokumentet e kohës, sepse ai la trashëgimtarë, por duhet që andej nga fundi i jetës t’i ketë vdekur e shoqja dhe ai të jetë bërë murg.

Restaurimi

Nxitjen e parë për të studiuar epitafin e Glavinicës ma dha Prof. Dr. Andromaqi Gjergji, etnografe dhe Prof. Dr. Dhorka Dhamo, historiane e artit. Studimi ishte kompleks, i denjë për një kryevepër. Studimet janë të botuara në revista shkencore dhe në gazetat e kohës së sotme. Në studim ftova edhe dy specialistë nga më të njohurit e fushës në Evropë dhe në botë, Dr. Marta Jaro nga Laboratori Qendror i Restaurimit në Budapest dhe Dr. Jan Ëouters nga Instituti Mbretëror i Trashëgimisë Kulturore në Bruksel.

Jaro studioi fillin metalik të përdorur në qëndismat e epitafit, kurse Ëouters ngjyruesit bimorë dhe shtazorë të fillit. Vetë u mora me materialin tekstil. Rezultatet e analizave ishin të habitshme! E gjithë mjeshtëria e përdorur në përgatitjen e epitafit ishte maksimale, nga më të mirat, e krahasueshme me teknologjitë më të përparuara të botës së atëhershme! Gjetëm vlera të jashtëzakonshme, lidhje tregtare, teknologji, prejardhje…Kështu, kësaj perle të kulturës arbërore i u shtuan perla të tjera, duke krijuar një gjerdan me vlerë thesari.

Ekspozimi në Paris

Në vitin 1974-75 epitafi u ekspozua për katër muaj në Paris. Në gazetën “Drita” u shkrua se sipas specialistëve, ky ishte një ndër tre më të mirët e Evropës të shek. XIV. Dy të tjerët ndodheshin në Francë dhe në Gjermani. Franca kërkoi ta blinte me një çmim fillestar prej 2500000 dollarësh me vlerën e asaj periudhe kohore!  Mirëpo të gjitha meritat që ka nuk e ndaluan të shpëtonte nga një vjedhje e lehtë në vitin 1994 e një ordineri, i cili u amnistua në 1977. Për një veturë të vjetër u vodh!

I impresionuar nga ky epitaf, Jan Ëouters, që në atë kohë ishte edhe kryetari i ICOM-Ç për tekstilet, ( ICOM-Ç është një seksion i UNESCO-s, pra Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve-Komiteti për Konservimin ), u interesua me autoritetin e vet shkencor nëpër Evropë për të gjetur financime të mjaftueshme, me anën e të cilave epitafi do të studiohej më tej, do të restaurohej përfundimisht nëpër laboratorë tepër të avancuar të muzeumeve apo të instituteve të Evropës dhe do të ekspozohej në të tjera kushte, që do t’i siguronin konservimin. Kështu, ai do të shpëtohej si një vlerë botërore.
Dhe ja ku doli shansi!

IÇROM, përpjekjet e Dr. Wouters për konservimin

IÇROM (Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore), e sensibilizuar nga përpjekjet e Dr. Wouters, e mori në konsideratë çështjen  e konservimit të epitafit. Ata dëshironin një kërkesë zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar. Dr. Wouters i shpjegoi të gjitha çështjet në një letër që i dërgoi muzeut tonë. Dërgoi letër se nuk mundi të gjente ndonjë adresë elektronike të muzeut. Por ajo letër nuk arriti kurrë. Dhe natyrisht që nuk u bë gjë. Eh, kot nuk thonë se i varfëri nuk ka fat!
U lidha personalisht me Dr. Wouters. Përsëri ai u interesua dhe ja ku doli një shans i dytë: IÇROM kishte ndërmarrë një nismë tjetër, që ishte një Program Emergjence për Muzeumet, i përcaktuar posaçërisht për muzeumet e Evropës jug-lindore, e ata dëshironin që ta përfshinin në këtë program Shqipërinë. Ky do të ishte një rast tjetër për të sjellë në qendër të vëmendjes çështjen e epitafit të Glavenicës. Vetë IÇROM do të na drejtohej. Do të ishte një kosto rreth 35000-50000 Euro. Dr. Wouters më shpjegoi edhe se si do të ndërhyhej, në cilët laboratorë, në cilët shtete, cilët do të ishin specialistët që mund ta përballonin teknikisht punën që kërkonte ky epitaf, etj.

I nxitur nga një entuziazëm i pafajshëm, fëmijëror, e paraqita çështjen në Muzeun Historik dhe në Ministrinë që mbulon kulturën. Duhej një lobing per të siguruar paratë e siguracionit, etj. Duheshin edhe disa foto për reklamën në kanalet televizive. Rezultoi se nuk kishte foto të mira. Më të mirat ishin ato që ruaja unë në arkivin tim, e që i kishte realizuar Nikolin Baba përpara se të fillonte restaurimi i parë për në Paris. U interesova disa herë për ecurinë e punës. Por ministria kishte edhe probleme të tjera, e nuk mund të përqendrohej në këtë epitaf. Kaq u zgjat kjo punë, sa ministria tashmë kishte turp të lidhej me Dr. Wouters. Dhe përsëri nuk u bë gjë. A mund të më thotë tani ndokush se thënia që i varfëri nuk ka fat nuk është e vërtetë?

Pse është kaq delikat epitafi….

Veҫ studimit që kam bërë, e kam kaluar dy herë nëpër duart e mija për restaurim, apo konservim siҫ thuhet sot. Ja di të gjitha pikat delikate, grisjet, shqepjet, fijet e kalbura, arnat, dobësimet, njollat e shkaktuara nga qirinjtë, zëvendësimet, vendet ku ka vepruar aciditeti i materialeve të derdhura mbi të, çngjyrimet e fijeve nga veprimi i dritës, përbërjen kimike të ngjyruesve, llojet e fibrave të përdorura, mënyrën e endjes, letrën poshtë qëndismave, dëmtimet nga prekja e duarve të besimtarëve, këputjet e fijeve metalike, të gjitha, të gjitha! Me që ra fjala, filli metalik i qëndismave është dobësuar kaq shumë, sa që këputet e bije copë sa herë që epitafi paloset, apo lëvizet.

Duke e ditur delikatesën e epitafit, Muzeu Historik Kombëtar nuk e lejon që ai të nxirret nga ndërtesa për asnjë arsye. Nuk e lejoi as që të ekspozohej në Bruksel në sallën e Këshillit të Evropës! Mirëpo, ja që doli një më i fortë dhe ja mbushi mendjen ministrisë, apo kryeministrisë dhe befas epitafi u bë pjesë e ekspozitës për 100 vjetorin e pavarësisë  në Itali. Tashmë ka gati një vit që epitafi lëviz  herë kёtu e herë atje nëpër qytete jashtë Shqipёrisё pa asnjë kontroll shkencor të specialistëve të fushës! Instituti i Monumenteve, që menaxhon ekspozitën nuk është ekspert për konservimin, aq më tepër të tekstileve!

Pra, detyrimisht duhet që të ekzistojë një autoritet shkencor i specializuar në konservimin muzeal, që të orientojë drejt dhe të mos lejojë as ministrat dhe as ata më lart, që të japin urdhra arbitrarë dhe të gabuar. Kështu vepron e gjithë bota, natyrisht veҫ Shqipërisë.

Një autoritet i tillë do të ishte Laboratori Qendror i Restaurimit, apo ndryshe Institucioni  Shkencor i Trashëgimisë së Objekteve Muzealë, një institucion kryesisht kimie dhe fizike dhe pastaj restaurimi, një institucion që i mungon Shqipërisë. Duhet të jesh i kësaj fushe, pra i kimisë  dhe i fizikës në trashëgimi, sepse trashëgimia është kimi dhe fizikë dhe aspak art, histori, arkeologji, etnografi, etj, që të mund të kuptosh se sa i domosdoshëm është një institucion i tillë: që të kuptosh se nuk kemi gjë në terezi me trashëgiminë e objekteve muzealë, se kështu si e kemi nisur këtë punë, me kohë nuk do të trashëgojmë dot gjë veç qeramikës dhe disa gurëve, ose do ta trashëgojmë të cunguar kulturën materiale! Duhet një institucion i tillë që t’i vërë shpatullat problemeve! T’i ndjekë ata deri në zgjidhje! Solla rastin e epitafit të Gllavenicës për të parë se sa larg jemi nga e vërteta e trashëgimisë! Kur objekti më i rëndësishëm, po të tjerët?

Problemet e restaurimit të trashëgimisë

Njëzet e tre vjet më parë, të shqetësuar seriozisht nga gjendja dhe ecuria e punëve në trashëgiminë e veprave të artit dhe objekteve muzeale, pra të gjithë ne që merremi me këtë punë nëpër laboratore, vendosëm, argumentuam dhe kërkuam ngritjen e një institucioni të tillë, jo në rang komunal, por shkencor. Mendimi ynë u kuptua dhe u miratua. Pastaj erdhi 1990 dhe puna mbeti. Madje ka më shumë se katër vjet, që laboratori më i mirë që kishim në Shqipëri, nuk punon dhe po kalbet dita ditës.

A mund të organizohet një punë e tillë pranë Institutit të Monumenteve? Ndo nja tre apo katër vjet më parë u mendua që i gjithë restaurimi të përqendrohej pranë Institutit të Monumenteve. Ishte shumë atraktive: gjysma e ndërtesës së Kinostudios për laborator, përveç disa mjediseve të tjera, personel, perspektiva. Në atë shtrydhje limoni që i është bërë trashëgimisë materiale këto vitet e fundit, nuk kishte rrugë tjetër. Edhe unë e pranova, por me kushtin që nga ky organizim të dilte shumë shpejt si njësi më vete Laboratori Qendror i Restaurimit. Shumë shpejt u pa se gjysma e Kinostudios ishte dhënë me qira për një kohë shumë të gjatë.

Nga gjysma që mbetej, gjysmën e kishte Albafilmi. Kështu për laboratorin mbetej vetëm çereku dhe nga ky çerek Albafilmi nuk ipte nja dy-tre mjedise. Në atë që mbetej, një e katërta do të shfrytëzohej për të depozituar ikonat e Muzeut Historik. Nga rreth 400 m2 sipërfaqe që ka aktualisht laboratori i mbyllur i Qendrës së Studimeve Albanologjike, mezi u sajuan ndonja 80 m2. Pastaj, të tjerat, nën çati apo nën tokë. I gjithë plani për laboratorë shkencorë të  fizikës bërthamore, të kimisë, biologjisë, kabineteve të grafive, etj, etj, u shndërrua në një zhgënjim pa kthim. Instituti i Monumenteve, duke qenë i mësuar me probleme ndërtimore, nuk mund ta përballojë një laborator me kërkesa speciale të shkencave natyrore.

Aq më tepër, ashtu edhe si u mundova ta shpjegoj me rastin e epitafit të Gllavenicës, specifika e objekteve muzeale, veç koncepteve krejt ndryshe, kërkon edhe ndjekje speciale në çdo hap. Krijimi i Laboratorit Qendror të Restaurimit, apo më mirë të Konservimit, si institucion më vete, si Instituti i Konservimit të Objekteve Muzeale, është një domosdoshmëri për Shqipërinë./”Shqiptarja.com”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: eptafi i Gllavenices, Frederik Stamati, po shkaterrohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5258
  • 5259
  • 5260
  • 5261
  • 5262
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT