• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UNË DUHET TA URREJ ISMAIL KADARENË

August 16, 2013 by dgreca

…Megjithatë, pas leximit të romaneve dhe tregimeve të tij, jo vetëm që nuk e urrej atë, por unë dua që ai të fitojë çmimin Nobel në letërsi për vitin 2013. Më lejoni t’iu shpjegoj pse./

Nina Sabolik/

Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse unë jam maqedonase dhe ai është shqiptar, e popujt tanë kanë qenë armiq prej shekujsh dhe kanë qenë në luftë para 12 vitesh. Duhet ta urrej, sepse në një takim ndërkombëtar të kohëve të fundit të qendrës PEN në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të firmosë një peticion, i cili kërkonte njohjen e emrit të Maqedonisë (emri i saj konstitucional) — një peticion i firmosur nga të 70 anëtarët e PEN Qendrës, përfshirë edhe pesë anëtarët e tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Kadarenë sepse, siç duket, ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe nuk ka protestuar sa duhet kundër mizorive të komunizmit—mizori të ngjashme me ato të komunizmit jugosllav, që ka bërë kërdinë në familjen time për më shumë se tri breza. Megjithatë, pas leximit të romaneve dhe tregimeve të tij, jo vetëm që nuk e urrej atë, por unë dua që ai të fitojë çmimin Nobel në letërsi për vitin 2013. Më lejoni t’iu shpjegoj pse.
Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytet i vogël, si qytet zanash e përrallash, në malet e Shqipërisë jugore. Ky vend, i ka shërbyer atij për disa nga romanet e veta duke përfshirë edhe “Kështjellën” (1970). Ai qytet është gjithashtu, si për ironi, edhe vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë. Kadareja ishte anëtar i parlamentit komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se të kërkonte azil politik në Francë më 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shpërbërjes së komunizmit në vitin 1991. Ai punoi edhe si kryetar i një instituti kulturor që mbikëqyrej nga afër prej gruas së diktatorit dhe krahut të tij të djathtë, Nexhmije Hoxha. Kadare botoi edhe romanin “Dimri i Madh” (1977), si një himn për udhëheqjen e Hoxhës dhe shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste, në vitin 1961.
Nga ana tjetër, shumë prej librave iu ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai kaloi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Midis tyre ishte padyshim romani i tij më të mirë, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981), që tërheq një paralele të qarta mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi imagjinar ku ëndrrat ‘shihen’ si shenja të disidencës politike. Megjithatë, në dritën e të gjitha këtyre, ai jo vetëm që mbijetoi, por lulëzoi në një vend ku shkrimtarët internoheshin, burgoseshin, ose ekzekutoheshin për vepra me gabime shumë më të vogla ideologjike. “Kështjella” si disidencë e Kadaresë është alegoria e një alegorie. Në zemrën e saj, ajo nuk është vetëm një kritikë e komunizmit, por edhe një reflektim mbi relativitetin kulturor të përfaqësimit historik.
…Jeta politike e Kadaresë nuk paraqet një kufi të qartë midis komunistëve “të këqij” dhe kundërshtarëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në “fiksionin” e tij, Kadare përdor lentet e historisë për të treguar natyrën e ndërtuar të mospajtimit politik në përgjithësi.
Kronikani politikisht oportunist tek “Kështjella”, për shembull, ndërton historinë e përplasjes mes ushtrisë osmane dhe armikut shqiptar, që tregon në fakt përleshjen mes komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre.
Të ishe shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë e ngjashme me të qenit një kronikan në një ushtri të madhe Lindore në ditët e Perandorisë Osmane. Portretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandant i ushtrisë osmane tek “Kështjella” i ngjan Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo…
Një tjetër element i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij mbi idenë e denacionalizimit.
Është më shumë ideologjia se sa lufta që mund ta thyejë një komb.
“Ju nuk mund të thoni se e keni pushtuar një vend, derisa të pushtoni qiellin e tij”. Ashtu si edhe komunizmi, i cili erdhi përmes revolucioneve të përgjakshme dhe në fund dështoi, ushtria osmane nuk mund të thyejë mbrojtësit shqiptarë vetëm me forcë; është populli, mendjet dhe zemrat e tyre që janë kështjella e vërtetë e një kombi.
Kjo është një temë, të cilës Kadare i rikthehet sërish në romanin e tij të fundit “Aksidenti” (2010), gjë që gjurmon ndikimin korruptiv të vlerave të shtrembëruara perëndimore në Evropën juglindore postkomuniste. Tek “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por sulmi ideologjik i vlerave të padiskutueshme perëndimore, që në emër të lirisë kanë prishur thelbin moral të Shqipërisë postkomuniste.
Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i bërë ballë një diktature, qoftë komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është luftimi i saj nga brenda, në brendësi të shpirtit të saj.
Ndryshe nga autorët e tjerë disidentë nga regjime të ndryshme diktatoriale, Kadare nuk sheh dritë në fund të tunelit historik.
Nuk ka shpëtim nga cikli i përjetshëm i grindjes dhe pajtimit. Lufta vazhdon në mënyra ndryshme. Nuk ka shpëtim në anën tjetër të vijës kufitare, as në vijën e frontit të një revolucioni fisnik…
Këtu qëndron shpjegimi i ngurrimit të Kadaresë që të nënshkruante peticionin e delegacionit të Shkupit për të njohur emrin e Maqedonisë – si një gjest politik; peticione të tilla janë të pashmangshme, duke i kërkuar dikujt të pozicionohet me një nga anët: “Ose je me ne, ose je me ata”, siç thoshte George W. Bush. Roli i shkrimtarit nuk është të zgjedhë mes fraksioneve ideologjike ndërluftuese, duke u shërbyer kështu interesave të njërit apo tjetrit, por që të angazhohet në një kritikë të sinqertë e të plotë të secilit dhe në fund të fundit, të tërheqë vëmendjen për atë që ne të gjithë kemi të përbashkët – humanizmi ynë.
Të gjitha kundërshtimet ndaj nominimit të Kadaresë për çmimin Nobel rrjedhin nga një burim i vetëm: paaftësia e një audience perëndimore për të lënë pas provincializmin e vet kulturor dhe të vlerësojë një shkrimtar që nuk përshtatet me stereotipin e letërsisë botërore, siç e përshkruan atë James English.
I pari prej këtyre kundërshtimeve, ideja se Kadare nuk ishte disident dhe që ai bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, buron nga një kuptim tipik perëndimor i disidentit antikomunist, si një figurë e zëshme, si Solzhenici, që e botoi veprën e tij mospajtuese me regjimin dhe pastaj emigroi drejt Perëndimit të ndritshëm e të lumtur – një version Hollivudi (ky) i disidentit të Evropës Lindore.
Kadareja, nga ana tjetër, u takon turmave të padukshme që u rezistuan regjimeve diktatoriale nga brenda, një gjë shumë më e frikshme dhe heroike. Kadare mbijetoi për më shumë se dyzet vjet duke i botuar romanet e tij të heshtura e antikomuniste nën hundën e diktatorit stalinist, Enver Hoxha. E vetmja gjë që do ta bënte atë më shumë hero do të ishte nëse ai do të kishte vdekur nën persekutim (një mundësi konstante kjo) dhe t’i kishte botuar tregimet e tij heretike nga vetë qielli.
Kadare ka guxuar të sulmojë atë “lopë të shenjtë” të ideologjisë perëndimore të lirisë. Ai ka guxuar të tregojë se liria që pati sukses mbi komunizmin, nuk ka qenë përfundimi i lumtur që shtypi perëndimor përshkruante të ishte, në fakt, ajo mund të jetë edhe më keq se vetë komunizmi.
Kundërshtimi i dytë u dha nga askush më shumë se orakulli i shijes letrare Perëndimore, kritiku James Wood i “The New Yorker”. Ai pati kritika për romanin “Aksidenti” të Kadaresë, duke e cilësuar atë si një alegori të burgosjes së lirisë, që duket të jetë tirania e re postkomuniste.
Shtypi perëndimor, që nuk kishte asnjë problem të ngrinte në qiell virtytet e prozës së Kadaresë, ndërsa ai ishte duke minuar në heshtje armikun e tyre ideologjik – madje e kritikuan atë se ishte shumë i qetë e shumë delikat në sulmet e tij – papritmas beson se alegoritë e tij janë shumë të dukshme dhe jo mjaft delikate.
Kundërshtimi i fundit u shpërfaq nga “The New York Sun” në vitin 2005 dhe thoshte që veprat e tij janë shumë opake dhe shumë të vështira për t’u përkthyer, vendi i tij shumë i largët dhe i njohur për keq nga audienca perëndimore që duhet ta kuptojë (lëre pastaj ta vlerësojë). Ky kundërshtim rrjedh nga i njëjti lloj vetëpërqendrimi perëndimor që e bën të vështirë të imagjinohet, Kadareja si një kritik shumëdimensional i ideologjive kontradiktore.
Konteksti i historive të tij nuk është vetëm Shqipëria në pika të ndryshme në histori, ajo është ne-lexuesit dhe botët që kemi krijuar në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, ndërsa është poetike dhe me të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer në të gjithë madhështinë e saj energjike, e ruan fuqinë e vet edhe në përkthimin e dyfishtë – të tilla si “Kështjella”, që është përkthyer në anglisht nga frëngjishtja, e jo nga shqipja origjinale. Leximi i letërsive të përkthyera, si kontakt me askënd tjetër përveç vetes, gjithmonë kërkon një sasi të caktuar përpjekjesh intelektuale; të heqësh dorë nga një shkrimtar thjesht sepse ai tingëllon i huaj, nuk është vetëm një akt i përtacisë, por edhe një humbje për ne si qenie njerëzore individuale dhe si komunitet njerëzor.
Së fundi, për të ardhur sërish tek çmimi Nobel, ato Oskarët e botës letrare, çfarë do të thotë idealizëm sot?
Idealistët nuk janë njerëz të cilët jetojnë në një kullë fildishi, duke parë përmes dritares së tyre të ngushtë qiellin, e duke parashikuar një botë të qetë, të paqtë e me lumturi. Idealistët janë shpesh të çuditshëm dhe nganjëherë të çiltër e mizantropë…
Për Kadarenë, të vazhdoje të shkruaje kritika të zymta, por të sigurta të një të kaluare të largët komuniste, do të kishte qenë mënyra më e lehtë, ajo do të kishte çimentuar reputacionin e vet si një shkrimtar i madh i Evropës Lindore, i cili kritikoi komunistët. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të komentojë mbi gjërat që janë të pakëndshme, për atë po aq sa edhe për ne, që ngrenë pyetje më shumë se sa përgjigjen, që nuk kanë asnjë zgjidhje në të tashmen dhe ndoshta as në të ardhmen. Ky është idealizmi. Dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të fitojë çmimin Nobel 2013 në Letërsi…

Filed Under: Kulture Tagged With: Nina Sabolik, une duhet ta urreja Ismail kadarene

Jeta një shans

August 16, 2013 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit të luftës kundër kancerit/

Nga Mimoza Dajçi/

Jeta  është e bukur e shkurtër, për dikë e hidhur e ndoshta tragjike, por gjithësesi ajo përjetohet nga njeriu në mënyra e kultura të ndryshme. Në 100 vjetorin e krjimit të luftës kundër kancerit nga shoqata me të njëjtin emërtim (American Cancer Society) mori pjesë edhe organizata e gruas shqiptare – amerikane “Shpresë & Paqe” në NY. Festa u mbajt në një nga lokalet luksoze buzë lumit East River quajtur “Marina Del Ray” në Bronx. Qindra njerëz të rinj e të reja, mjekë e aktivistë për të drejtat e njeriut ishin mbledhur në një ditë gushti për të kaluar së bashku një mëngjes buzë ujit të freskët. Përshëndetje, biseda, prezantime e urime dëgjuam e pamë në këtë ceremoni jubilare nga të gjithë të pranishmit. Kishte edhe shumë vajza e gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. Ishin të lumtura pranë familjarëve e miqve të tyre, të cilat herë pas here i reflektonin këto sjellje edhe me lot gëzimi.

Plot 100 vite që nga dita kur filluan përpjekjet në kurim të kësaj sëmundje të rëndë e me pasoja për njerëzimin. Mijra jetë të mbijetuara, qindra e qindra jetë të shpëtuara, falë kujdesit të personelit të aftë mjekësor amerikan. Por më kryesorja falë komunikimit të pacientëve që trokasin në dyert e mjekut e organizatave që meren direkt me kurimin e kësaj diagnoze të rrezikshme për jetën. Jeta është dhuratë, që vjen vetëm një herë e atë duhet ta jetojë normalisht çdo qënie njerëzore. Vizitat tek mjeku nuk duhet neglizhuzr apo qëndruar indifferent ndaj një shenje që na paraqitet pa pritur e pa dashur në trup. Mentaliteti i vjetër apo injorimi që mund ti bëhet çdo plage të vogël rrezikon jetën me pasojat e saj. Prandaj edhe organizata kundër kancerit ofron këshilla e teste falas për vajzat e gratë që kanë dyshime për ndonjë gjendër sado të vogël në kraharor.

Çdo vit shoqata kundër kancerit përveç mëngjesit në “Marina Del Ray” organizon në muajin shtator marshimin pranë bregut në Orchard Beach. Një plazh i bukur ky me hapësirë të gjerë në periferi të Bronxit, për të cilin është investiuar shumë nga qeveria lokale, si për parqet e gjelbërimin e mirëmbajtur por edhe nga vendosja e shumtë e lojrve zbavitëse, që ndikojnë psiqikisht në shlodhjen e qytetarëve përqark zonës.

Ngjyra që simbolizon luftën ndaj kësaj sëmundje është roza e hapët, me të cilën pregatiten bluza,  kapele e kanceleri të ndryshme për të suportuar e stimuluar mbijetesën, lindjen e fëmijëve nga nëna të prekura më parë nga konceri i gjirit etj. Më shumë jetë se vdekje thonë drejtueset e kësaj organizate, prandaj mos hezitoni të na kontaktoni, ne jemi me ju e për ju vijojnë ato në kumtesat e fletëpalosjet e tyre në mbrojtje të shëndetit të gruas.

Ndërgjegjësimi i fondacioneve, institucioneve qeveritare e individëve të veçantë luan një rol vendimtar për të siguruar mundësitë financiare që kërkon kjo diagnosë me trajtime specifike, pasi ekzaminimi i shpejtë, e fillimi në kohë i një terapie të mundshme ka më shumë shanse për jetë. Kjo organizatë këshillon me çdo kusht; vizitat tek mjeku të jenë mëse të rregullta, për të parandaluar këtë risk të madh. Ka më shumë se 2 miljon gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit në SHBA, e ky sukses i përket teknologjisë moderne e bashëkohore të mjekësisë amerikane, ku kurimet e kancerit të gjirit kanë evoluar shumë në krahasim me vitet e kaluara.

Sipas studiuesve gratë mbi 50 vjeç janë më të rrezikuara për kancerin e gjirit. Sa më shumë lindje normale, sa më shumë kujdes për shendetin, aq më shumë datëlindje do të festojmë, thanë në një takim mëngjesi drejtueset e American Cancer Society në një nga ambjentet e Marina Del Ray Restorant në Bronx. Prandaj thanë ato bashkojuni kauzës tonë, bashkohuni me ne për një jetë më të mirë e të shëndetshme.  Zbulimi i kancerit të gjirit tek gratë dhe kërkesa e tyre për ndihmë përbën një diferencë të madhe mes jetës e vdekjes, prandaj kjo qendër ofron shërbime falas për konsulta e vizita mjekësore, si dhe vullnetarë për të shpërndarë mesazhet në mbrojtje të shëndetit.

Studiuesit e mjekët onkologë theksojnë e japin alarmin e rëndësinë që ka depistimi në kohë, me qëllim që edhe ato gra të prekura me kancerin e gjirit supozohet se shmang rrezikun e kancerit të gjirit në rreth 25 përqind. Gjithashtu kjo organizatë bën thirrje për donacione e suporte financiare për tu fuqizuar e për tju gjendur në kohë të dignostikurve me kancer, pasi këto janë edhe synimet strategjike të tyre për parandalimin e kancerit, ku vet pacienti/ja merr vendimin e zgjedh mënyrën e trajtimit të kancerit, me kimioterapi, antibiotikë apo rrezatime të ndryshme.

Në këtë mëngjes të bukur gushti buzë oqeanit në Throgs Neck New York morën pjesë mjekë, përfaqësues të shtetit e politikës amerikane, përfaqësuese të organizatave jo qeveritare, si dhe gra e vajza të mbijetuanga kjo sëmundje që përbën shqetësim për botën mbarë.

Rosa Williams një nga përfaqësueset e stafit të American Cancer Society duke parë përkushtimin e organizatës shqiptare – amerikane Shpresë & Paqe për rëndësinë që i jep shëndetit e rolit të gruas në veçanti ka filluar bashkëpunimin reciprok e kërkon që kjo organizatë të jetë e pranishme në çdo inisiativë te tyre.

Gusht,  2013

Filed Under: Sociale Tagged With: jeta, Mimoza Dajci, nje shans

Diaspora shqiptare jep kontributë të çmuar në pasurimin e letrave shqipe

August 16, 2013 by dgreca

 U promovua vëllimi poetik i Gjekë Marinajt ne Bukuresht/

 Shkruan: Mira Skënderaj,Bukuresht/

 Më 12 gusht në Bukuresht, në një mjedis elegant, në qendër të kryeqytetit rumun, u zhvillua promovimi i librit me poezi “I burgosuri i mungesës” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan  Gjekë Marinaj. Në këtë eveniment ishte i pranueshëm autori i librit, të përkthyer nga përkthyesi dhe shkrimtari Marius Dobresku, i mirënjohur si përkthyesi i veprës pothuaj komplete të Ismail Kadaresë në rumanisht.

Gjekë Marinaj, poet, profesor në Dallas (Teksas) dhe banor i SHBA-ve qysh nga viti 1991, i pranishëm në këtë ngjarje, dha autografe për miqtë dhe lexuesit e librit të tij në Bukuresht. Vëllimi i Marinajt është shoqëruar me një parathënie nga kritiku i mirënjohur rumun i letërsisë Radu Voinesku, gjithashtu i pranishëm në këtë promovim. Në veprimtari morën pjesë studiuesi i letërsisë Luan Topçiu, shkrimtar dhe diplomat, autor, ndër të tjera, i një antologjie të poezisë shqiptare të djeshme dhe bashkëkohore, dramaturgu dhe eseisti i shquar rumun Vlad Zografi (me prejardhje shqiptare nga Korça), gazetarja Maria Dobrescu, lexues dhe admirues të shkrimtarit shqiptar, gazetarë nga mediat kryesore të vendit, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë.

Në vlerësimin e tij për poezitë e Gjekë Marinajt, Marius Dobrescu tha, ndër të tjera, se poezia e tij sjell një frymë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe se është “kontaminuar” nga formimi filozofik i autorit, gjë që i jep poezisë së tij një atmosferë të veçantë, latuar me sqimë të madhe, gjë që e rendit në nivelet më të larta të mendimit europian poetik. I njohur si një njohës i mirë i poezisë rumune dhe shqiptare, Luan Topçiu vuri re një element të përbashkët që gjendet në të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit e Diasporës Shqiptare: një lidhje të pashmangshme me vendlindjen, me trevat ku ka kaluar fëmininë, nënshtresa këto burimore të krijimit, të cilat e bëjnë autorin autentik si profil letrar dhe u japin lirikave të tij origjinalitet. Kritiku i mirënjohur rumun, Radu Voinesku, autor i parathënies së vëllimit, duke përsëritur disa nga vëzhgimet e bëra në “parathënien” u shpreh se: “Imazhet e Shqipërisë janë gjithmonë të pranishme në mendjen e poetit, i cili jeton në mes të dy botëve: njëra e kujtesës, identitetit dhe e origjinës, tjetra e atdheut të ri, ku ky identitet i parë i pafrenueshëm shfaqet në momentet më të befta. Midis ortekut të fotografive, natyrisht të mbeten në mendje ato të prindërve, të cilat mbizotërojnë dhe që mund të gjenden nga lëçitësi që do të lexojë faqet e këtij poeti.” Sepse Gjekë Marinaj, si çdo racë e pastër e Ballkanit, ka një ndjenjë të fortë të komunitetit nga i cili vjen, familja, ky univers parësor dhe i pashkatërrueshëm.

Promovimi i vëllimit me poezi “I burgosuri i mungesës” në Bukuresht, me praninë e autorit, ishte një mundësi e shkëlqyer për krijuesit shqiptarë, pavarësisht nga kontinenti në të cilin jeton, për të treguar potencialin e tyre krijues dhe, në veçanti, për të demonstruar se fjala shqipe mund të japë fryte kudo që ata ndodhen.

Bukuresht, gusht 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: e Gjeke Marinaj, krijimtaria, Mira Skenderaj, ne Bukuresht, Promovohet

Ka rritje të islamofobisë në Francë

August 16, 2013 by dgreca

Udhëheqësit dhe grupet myslimane paralajmërojnë kundër rritjes së islamofobisë në Francë, derisa qeveria zotohet se do të çrrënjosë ekstremizmin në çdo formë.
Deklaratat pasojnë arrestimin e një ushtaraku, të dyshuar për planifikimin e një sulmi në një xhami jashtë qytetit Lion. I dyshuari 23-vjeçar, i pozicionuar në një bazë të forcave lokale ajrore, thuhet se ka planifikuar sulmin me armë, i cili do të përkonte me fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
I përshkruar nga Ministria e Brendshme si “i afërt me ekstremin e djathtë”, i dyshuari është akuzuar edhe për kryerjen e një sulmi të mëhershëm në xhami.
Duke reaguar ndaj arrestimit të së dielës, Kamel Kabtane, udhëheqës i Xhamisë së Madhe në Lion, ka kërkuar nga qeveria që të veprojë për të luftuar frikën nga myslimanët.
“Është një shqetësim që duhet ta çrrënjosim të gjithë së bashku. Përse nuk mund ta trajtojmë në mënyrë të vendosur çështjen, duke formuar një komision parlamentar kundër Islamofobosë – të dimë së pari se cilat janë shkaqet e saj dhe të shohim se si mund ta luftojmë”, thotë Kabtane.
Në prag të arrestimit, ministri i Brendshëm, Manuel Valls, ka përsëritur vendosmërinë e tij “për të luftuar kundër çdo forme të dhunës, e cila frymëzohet nga ideologji ekstremiste, që ndikojnë vlerat e republikës”.
Sipas Komitetit Kundër Islamofobisë në Francë, veprimet dhe kërcënimet kundër myslimanëve janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Zëdhënësi i këtij komiteti, Marwan Muhammad, shpjegon:
“Për fat të keq, shohim banalizim të ideve të caktuara nga ekstremi i djathtë, të cilat përhapen dhe bëjnë që qytetarët të veprojnë në drejtim të diskriminimeve, fyerjeve dhe agresioneve fizike”.
Grupi ka raportuar 108 raste të tilla në gjysmën e parë të vitit – 35 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Zjarrvëniet, sulmet fizike dhe fyerjet ndaj myslimanëve janë në mesin e incidenteve të përmendura në raport. Një numër i madh i incidenteve ka ndodhur derisa qytetarët kanë kryer transaksione rutinore në zyrat shtetërore dhe shumica e tyre kanë përfshirë gra të mbuluara.
Në muajin korrik, ministri i Brendshëm, Valls, e ka cilësuar si “të papranueshëm” raportin për rritje të dhunës kundër myslimanëve në Francë, duke thënë se vendi duhet të jetë “i pakompromis” ndaj atyre që sulmojnë njerëzit për bindjet e tyre fetare, si dhe ndaj “të gjithë fundamentalistëve”.
Komentet e Vallsit kanë ardhur pasi policia është përleshur muajin e kaluar me turma që protestonin arrestimin e një personi, i cili dyshohet se ka sulmuar një polic, pasi gruaja e tij është dënuar për veshjen e vellos islamike në publik.
Florian Philippot, zëvendëspresident i Frontit Kombëtar, parti e ekstremit të djathtë, mohon se jotoleranca në Francë është në rritje, duke thënë se vendi i tij është i hapur, por “urren komunitetet e vogla qe vetqeverisen”.
“Duke mos zgjidhur problemin me islamizmin, radikalizmin islamik, duke e mohuar këtë problem, duke thënë se ky problem nuk ekziston, duke menduar se nëse flasim për të, jemi racistë dhe jotolerantë, atëherë ai bie mbi të gjithë myslimanët”, thotë Philippot.
Franca laike ka luftuar për të ndarë fenë dhe shtetin dhe për të asimiluar popullsinë myslimane prej 5 milionë banorësh – më të madhen në Evropën Perëndimore.
Ajo ka miratuar legjislacionin që dënon shfaqjen publike të besimit islam. Kjo masë ka armiqësuar edhe më shumë myslimanët, të cilët pretendonin se mbahen në margjina të shoqërisë dhe të tregut të punës.
Në vitin 2004, ligjvënësit kanë miratuar një ligj që ndalon simbolet fetare në shkollat publike – një masë që prek direkt shamitë islamike. Më 2011, ata kanë forcuar legjislaturën, duke ndaluar plotësisht veshjen e shamisë në vendet publike.
Në një raport që pritet t’i dorëzohet qeverisë më vonë, Këshilli i Lartë për Integrim ka propozuar zgjerimin e ndalesës së vitit 2004 edhe në universitete. Ai thotë se masa ka për qëllim zgjidhjen e “një numri në rritje të mosmarrëveshjeve”, të shkaktuara nga studentët që veshin petkun fetar dhe kërkojnë hapësirë për falje dhe menu speciale në universitete.(v.tela)-Europa e Lire.

Filed Under: Featured

Berisha-Ramës: Luftën politike bëje si të duash por mos cëno biznesin

August 16, 2013 by dgreca

Kryeministri ne detyre u lë porosi ministrave: Lini dosjet për pasardhësit. Shumë s’dinë lexim, ruani një kopje/

Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka përgëzuar sot punën e mirë të bërë nga administrata doganore dhe tatimet.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha sulmoi kryesocialistin Rama për ekonominë e vendit duke theksuar se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme.

“Sa të kërkojë lart e poshtë se ku është makineria që pret para për qeverinë të mësojë, se injoranca nuk është kurrë argument. Gjatë korrikut në një kohë kur qeveritarët e ardhshëm i binin gjoksit për gropën e madhe, nxiheshin në diell vazhdojnë në resorte 3 mijë euro nata dhe kur bërtisnin për gropën, administrata tatimore e doganore ka funksionuar me integritet të lartë. Synimi antishtet i piktorit synonte të paralizonte administratën, por kjo nuk u arrit. Hapja e tenderit me kushërirën për fshesën në administratë, sinjal shumë negativ që i dërgohej administratës, po kjo është një pasuri shumë e madhe e vendit dhe ajo ia ka dalë që në tatime të realizojë 106.7% planin e vet, krahasuar me korrikun e vitit tjetër të mbledhë 7% më shumë, kurse doganat kanë mbledhur 16% më shumë se korriku i vjetshëm, ato janë 95% e planit në tërësi sepse kemi hequr TVSH për të gjitha llojet e makinerive dhe gjithçka që përdoret për prodhim” tha Berisha.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje pasardhësit të tij Rama që të mos e shtrijë luftën politike në fushën e biznesit.

“Rama sulmon nga mëngjesi deri në darkë koncesionet, dhe biznesmenët tremben. Tani ka marrë dhe ka nxjerrë shpatën dhe bregun mavi para 2 vitesh po e kthehen në bregun mavri. I bëjmë thirrje të jetë i kujdesshëm dhe luftën politike ndaj kundërshtarit ta bëjë si të dojë por të mos e shtrijë në luftën për biznesin sepse biznesi është punë dhe të ardhura pa të cilën makineria e shtetit paralizohet” tha Berisha.

Ai i ka cilësuar deklaratat për koncesionet si sharlatareske, të denja vetëm për bijtë e etërve të regjimit komunist. “Akuzat e bëra nuk kanë asnjë të vërtetë. Ne do tu kërkojmë të kontrollojnë çdo koncesion dhe do të gjejnë transparencën më maksimale” tha Berisha.

Berisha-ministrave: Lini dosjet për pasardhësit. Shumë s’dinë lexim, ruani një kopje

Duke ironizuar për pasardhësit në qeveri, Berisha ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij të lënë në tryezë për ata që vijnë në shtator listën e plotë me projektet që janë miratuar e janë për në vazhdim.

“Kini parasysh se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë, as dosjet nuk dinë t’i lexojnë dhe thonë nuk gjetëm gjë. Prandaj lini projektet e plota, e kemi detyrim ndaj qytetarëve, por mbani edhe një kopje për vete” tha Berisha.

Berisha: Vendimi për SHQUP nuk zbardhej pa dekretin e Presidentit

Kryeministri Berisha ka sqaruar edhe vendimin e marrë për kalimin e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë në selinë e Partisë Demokratike.

Ai ka deklaruar se vendimi nuk është mbajtur i fshehtë, por u zbardh, sepse pritej më parë fjala e Presidentit përmes dekretit.

““Vendimi nuk vinte në mbledhjen e qeverisë pa u dekretuar nga Presidenti dhe unë nuk marrë asnjë vendin që bie ndesh me kompetencat e presidentit, ndaj nuk e zbardhëm, dhe nëse ai nuk do e dekretonte vendimi do bëhej i paqenë. Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë ka humbur çdo lloj funksioni dhe është shndërruar në shtëpinë e dasmave dhe e ceremonive mortore dhe kjo është evidente për të gjithë. Qeveria duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen.  Unë i them zotit Rama që me ciu ciun e djeshëm ti tregove moralin tënd” shtoi Berisha

 

Filed Under: Komente, Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5261
  • 5262
  • 5263
  • 5264
  • 5265
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT