• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përdorimi i kompjuterit shkakton frikë nga “çmenduria digjitale”

August 14, 2013 by dgreca

Nga Charles Recknagel/

Në Korenë e Jugut, mjekët e quajnë atë “çmenduri digjitale”.
Vendi aziatik është një nga shoqëritë më aktive online – 95 për qind e popullsisë është e lidhur me Internet. Atje, të rinjtë në fund të 20-tave apo fillim të 30-tave rregullisht kërkojnë ndihmë për problemet që zakonisht prekin të moshuarit. Simptomat e tyre përfshijnë probleme me kujtesën, paaftësi për t’u përqendruar dhe pagjumësi.
Mjekët thonë se vështirësitë e pacientëve të rinj vijnë nga nivelet e larta të ekspozimit në media digjitale, nisur nga televizionet deri te kompjuterët dhe telefonat e mençur.
Derisa askush nuk e ka llogaritur ende se sa të rinj koreanë janë të prekur, fenomeni është duke i shtuar karburant debatit tashmë grindavec midis neuro-shkencëtarëve, në lidhje me rreziqet shëndetësore të përdorimit të mediave digjitale.
Kreu i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin Ulm të Gjermanisë, Manfred Spitzer, është në mesin e atyre që besojnë se përdorimi i tepruar i kompjuterëve dëmton zhvillimin e trurit të fëmijëve.
“Nuk flas për të qenët online pesë minuta në ditë. Flas për 7 orë e gjysmë, që në Gjermani është mesatarja e përdorimit të mediave. Truri ynë vazhdimisht ndryshon nga përdorimi i tyre. Andaj, nëse e përdorni për media digjitale, ato do ta ndryshojnë trurin tuaj dhe atë për të keq”, thotë Spitezer.
Spitzer, i cili vitin e kaluar ka publikuar librin “Çmenduria digjitale”, thotë se gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së hershme, truri i njeriut është “plastikë”. Ai formon sistemin e tij të neuroneve në përgjigje të mënyrës se si përdoret dhe më vonë, në moshën e rritur, ky sistem fiksohet.
Për Spitzerin, kjo do të thotë se është e rëndësishme që t’i jepet trurit në zhvillim gamë e plotë e stimujve, e cila vjen nga bashkëveprimi me botën reale. Ai thotë se bota virtuale ofron më pak stimuj dhe më pak mundësi për zhvillimin e trurit deri në potencialin e tij të plotë.
“Nëse piketoni diçka me miun kompjuterik, në vend se ta prekni atë, ju nuk do të përdorni në të mësuarit rreth atij objekti përafërsisht një të tretën e trurit tuaj, që kontrollon sjelljen motorike”, thotë Spitzer.
Ai është kundër përdorimit të mediave digjitale deri në adoleshencën e vonë, kur truri, kryesisht, zhvillohet plotësisht. Ai kundërshton fuqishëm përdorimin e kompjuterëve në shkolla nga ana e fëmijëve nën moshën 17 vjeç.
Por, derisa disa neuro-shkencëtarë thonë se përdorimi i mediave digjitale ka efekte negative në zhvillimin e trurit njerëzor, të tjerët thonë se një gjë e tillë mund të rrisë aftësitë mendore.
Profesoresha e Universitetit të Gjenevës, Daphne Bavelier, ka studiuar se si video-lojërat ndikojnë në tru. Ajo beson se ato u ndihmojnë përdoruesve të mësojnë dhe të përqendrohen më mirë sesa jopërdoruesit.
“Video-lojërat kanë një numër përbërësish, që janë vërtet të fuqishëm për plasticitetin e trurit, të mësuarit, vëmendjen, vizionin e të tjera. Andaj, duhet të punojmë në të kuptuarit se cilët janë ata përbërës aktivë, në mënyrë që pastaj të ofrojmë lojëra më të mira për arsim apo për rehabilitim të pacientëve”, thotë Bavalier.
Dallimet e gjera të neuro-shkencëtarëve në lidhje me mediat digjitale, sugjerojnë dy gjëra.
Njëra është se studimi i mediave digjitale është ende një shkencë e re. Daton vetëm që nga shfaqja e televizionit në vitet 1950 dhe e kompjuterëve në shtëpi në fund të viteve 1970.
E dyta është se kjo shkencë e re do të jetë më e rëndësishme në të ardhmen, pasi do të shfaqen edhe më shumë media digjitale.

Filed Under: Kulture Tagged With: cmenduria dixhitale

Udhëtarët e ngujuar në Aeroportin e Prishtinës

August 14, 2013 by dgreca

Nga Fatmir Aliu/

“Prapë në lajme e dëgjova dje”!

Është një prej bisedave më të zakonshme që do të dëgjonit në Aeroportin e Prishtinës, po u rastisi të shkoni.Brenda ndërtesës, ndërkaq, ka familje të tëra që bënin radhë, për t’u informuar nëse fluturimi i tyre do të shkojë me kohë apo jo.

Muharremi jeton dhe punon në Holandë. Të martën ai s’kishte për të udhëtuar prapa nga aeroporti, por megjithatë kishte ardhur për të vizituar një prej avio-kompanive, nga e cila bleu biletën.

“S’po ma merr mendja hiç, që do të fluturojë ky aeroplan të martën”, i thotë njërit nga punëtorët e agjencisë Muharremi.

“(Qeshet) Pse s’po ta merr mendja që nuk fluturon aeroplani? Problemi është që tash i keni bërë rezervimet!”, ia kthen punëtori.

“Po e shoh përditë në lajme…” ia ndërpret Muharremit fjalën punëtori i agjencisë dhe ia kthen me “…dëgjomë ti vetëm pak! Ne e marrim përgjegjësinë!”.

32-vjeçari i rrëfehet zotërisë së avio-kompanisë se ka pak muaj që është punësuar, andaj nuk dëshiron që ai dhe bashkëshortja të humbin punën për shkak të papërgjegjësisë së dikujt. Punëtori duket se bashkëndien me të, dhe për ta siguruar i thotë se një prej kolegëve të tij do të jetë gjithnjë në aeroport ditën e fluturimit, më 21 gusht.

“Përgjegjësia është e jona. Uroj të mos bëhet ndonjë tërmet, e që s’kemi fluturime. Por përndryshe, rri i qetë për këtë punë!”, thoshte punëtori. “Veç puna e përgjegjësisë! Më 22 jemi (ai dhe bashkëshortja) në punë, sa ditë vonohem, nga 200 euro është përgjegjësia jote”, thotë Muharremi.

Por, as këtu nuk ndahen mirë, sepse punëtori i agjencisë i thotë klientit që ka blerë biletën se gjithçka mund të bëhet, përjashtuar kthimin e 600 eurove sa i kanë kushtuar Muharremit biletat.

“Garancia është që ky fluturon. Vetëm dil me kohë në aeroport. A po kupton? Pa asnjë problem! Në rast se eventualisht, nuk shkon fare fluturimi, e që mund të ketë defekt, pra ai realizohet maksimumi të nesërmen. Por, jo vetëm për ty, por për të gjithë udhëtarët. Nëse eventualisht ka probleme teknike, probleme politike, që bëhen për të gjithë njësoj, t’i heqim ato që kompania e merr përsipër. Nëse t’i mbetesh në aeroport, për problem të biletës, çdo garanci tjetër ke prej ne!”, thoshte punëtori i agjencisë.

Dhjetëra persona kanë mbetur të ngujuar në Aeroportin e Prishtinës gjatë fundjavës, në pamundësi për të hipur në aeroplanin për të cilin kishin biletë. Sipas ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, problemet më të mëdha janë shfaqur me kompaninë “Belle Air”. Dhe, për këtë gjë, që ai e quajti si papërgjegjësi, Makolli tha se do të pasojnë sanksione.

“Këta operatorë e kanë një leje të operimit në Aeroportin e Prishtinës. Nuk u janë përmbajtur kushteve dhe rregullave të përcaktuara, dhe në këtë drejtim duhet gjithsesi që të sanksionohen! Unë pres që Departamenti i Aviacionit Civil, të ndërmarrë veprime ndaj këtyre operatorëve të papërgjegjshëm, cilido qoftë ai. Ndërkaq, për të ardhmen të merren masa preventive për të parandaluar raste të tilla”, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri Makolli.

Por, në zyrat e kompanisë që apostrofoi ministri, askush s’deshi të flasë të martën.

Në sportelin e tyre në aeroport, thanë se menaxheri s’është aty për të dhënë çfarëdo komenti apo përgjigje për udhëtarët që mbetën të ngujuar për disa ditë aty.

Megjithëse nuk deshën të flasim para mikrofonit, thonë se problemi qëndron te shitja e tepërt e biletave, “që e kanë të gjitha kompanitë” e jo vetëm ata.

Por, fajin për këtë problem që u përsëritet nga viti në vit kosovarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ia vesh edhe vetes një zyrtar qeveritar. “E ndiej veten fajtor për këtë gjendje! Dhe, me këtë dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre që janë prekur, në çfarëdo lloj forme nga kjo, edhe pse kjo nuk është në mandatin e Ministrisë së Diasporës, por është përgjegjësi e jona morale, dhe do ta ndreqim”, deklaroi ministri Makolli.

Filed Under: Komente Tagged With: e ngujuar, Fatmir Aliu, ne Prishtine, udhetaret

Me shqiptarët e Ukrainës. A shqyptoni si ne ?

August 14, 2013 by dgreca

Zgjimi i ndjenjës kombëtare ndërshqiptare,ndjenjë kjo shumë e brisht e aspak bindëse deri me sot , kërkon ngritjen e ndergjegjës tek institucionet mbarëshqiptare qe më seriozisht të mirren me problemet e kombit .(FXh)/

Shkruan Fahri XHARRA/

Qëllimi i shkrimit eshte te njihemi edhe me shqiptarët e Ukrainës dhe të Bulgarisë,të cilet që heret ikën nga trojet e tyre nga zullumi turk  (mbi500 vjet), se kur ata erdhën këndej pari,dhe mos të bijmë pre e spekulimeve greke dhe bulgare për arsyen e vendosjës së tyre në ato dy shtete , dhe ky është një rrëfim për shqiptarët që beshkëjetojnë mes dy kulturash të largëta nga njëra-tjetra

Studiusi Ukrainas Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të. , dhe pastaj jane bartur ne Ukraine para 300 vjete dhe takimi me ta të prekë shumë .E kanë ruajtur dhe dashur gjuhën në shekuj, edhe pa e shkruar kurrë. Ata janë shqiptarët e Ukrainës, një komunitet, që kur shkon t‘i takosh, të mbulojnë me dashuri dhe mall për mëmëdheun që nuk e kanë parë kurrë. Dhe të befasuar të pyesin: Ti shqypton si ne ?

Veten e quajnë arnautë.Gjatë shekujve shqiptarët janë martuar vetëm me shqiptaret. Që nga vitet ‘50 të shekullit njëzet martesat e përziera me rusët dhe ukrainasit u rritën, martesa, të cilat deri në vitet ‘70 të shekullit njëzet ruanin elementet e kulturës tradicionale shqiptare si dhe ritualet e tyre. Mjaft kohë e gjatë për t`u ruajtur pa u perzier me vendasit ,por gjithashtu kohë shumë e gjatë pa e pasur kujdesin e shtetit amë.,kujdes qe mungon ende.

 

Janë katër fshatrat që janë të banuara nga Shqiptarët që jane vendosur rreth shekullit – XVII-XVIII- dhe ato quhen Karakurt (sot Zhovtnjovoje), Devneskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki), dhe Gamovra (Xhandran). Fshati kryesor eshte Karakurt. Keto kater fshatra shqiptare mbijetojnë ende dhe sot. .Ndërtimi i shtëpive të tyre është me material të thjeshtë, shtepitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, me pastaj u perdor guri i gdhendur dhe shtepitë u bënë më mbresëlenëse. Dhoma e zjarrit është hyrja e shtepisë ku ne njëren anë e ka dhomën e vogël të ndenjes dhe në anën tjetër e ka dhomën e madhe të miqve.Në këto shtepi gatuhet me oxhak,aty është furra dhe pranë saje minderi prej balte.Pjesa e mbrendëshme zbukurohet me qylima të bukur,dhomat kanë mobilje druri. Por, edhe në oborr te shtepise e kane edhe një furrë.

Pra që të katër fshatrat e kanë ritin fetarë lindor ortodoks.Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruajnë traditat e veta, si dhe folklorin gojor dhe te veshjeve ..Gratë thurrin qilima me motive shqiptare dhe perdorin zbukurimet prej argjenti me motive të vjetra

Ruhen me xhelozi një numer i madhë fotografish tëvjetra dhe kostume nga 195 vjetesh qe kur kanë ardhur këtu.

Eshtë për të ardhur keq që dijetarët shqiptar te Kosovës apo Shqiperisë nuk shkojnë në fshatrat shqiptare te Odeses. Aty ka shume çka ,për tu hulumtuar. Së fundi fundit një falënderim simbolik per ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve tona të vjetra të cilat te ne ketu po sterkeqen. Lehtë dhe mashtruese është te jepen teori te thata mbi gjuhën tonë ashtu si nën qiellin e hapur por duhet ballafaquar dhe ruajtur shënime të gjalla nga njerëz të gjallë. Tezat e Majerit për gjuhën shqipe, e gjejnë provën në gjuhën e shqiptarëve të Ukrainës.

Ti shqypton si ne ? te pyesin kur ndëgjojnë duke iu folur shqip,por iu duhet folur ngadalëdhe te marrin vesh se çka je ka thue.

Festa më e madhe e tyre është festa e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ata janë takuar me Fan Nolin më 1911, kur ai bëri një udhëtim në Odesa dhe e mbajti meshën në kishë per shqiptaret e Odeses

Të gjithë mundohen të tregojnë dicka, për kohën e veshtirë që e kane kaluar që kur kanë mbërritur në keto zona, madje problemet duket se nuk kanë mbaruar edhe tani që kohët kanë ndryshuar rrenjësisht. Janë të varfër. Kanë nevojë për nderhyrjë në riparimin e shtëpive të tyre, për riparimin e kishave. Madje edhe uji i pijshem që ata e perdorin është jashtë kushteve higjeno-sanitare. Edhe kjo bëhet me qellime te caktuara ashtu si per shqiptaret Hundezakë ,në mënyrë që të zhduken Ata kerkojnë ndihmë. Vendi ynë nuk e di se sa shqiptarë janë në Ukrainë dhe a do të mund te ndihmohen ata. Që të mos harrohet gjuha e të parëve atyre iu kishin ndihmuar abetaret dhe mesuesit shqiptarë Për këta njerëz të harruar këto jane kërkesa shumë të vogla dhe te përballueshme nga trevat mbarëshqiptare. Janë pra 5 mijë shqiptarë që 300 vjet jetojnë larg atdheut të tyre Shqipërisë dhe për 300 vjet jetojnë në mes të 48 milion ukrainasve.,ne rrezik te perhereshem nga asimilimi.

Nje fshat i asimiluar tërësisht por që i ruan karakteristikat shqiptare është fshati Arbanasi në Bulgari . Ky vendbanim është krijuar nga shqiptaret te cilët erdhën në këtë vend në vitin 1538 nga trojet e tyre etnike. Është fshat i vogël turistik me vetëm 291 banorë (2005). Arbanasi eshte vendbanimi me pitoresk i Bulgarisë i vendosur mbi shkembinjt me të njejti emër që poshtë shikon në qytetin Veliko Tërnovo.Arbanasi është i famshem për shtëpite e tij me konstrukt te posaqem dhe kishat me freska te panumerta. Regjistruersit turq ne vitet 1541-1544 e pershkruanin si Arnavud-Kyj ,nje fshat me 63 shtëpi.

Kurse nje fshat tjetër shqiptar ne Bulgari në tokat e tyre thrake është Mandrica në Bullgari .Mandrica është një fshat shqiptar në Bullgari që gjendet në pjesën më lindore të maleve Rodope pranë kufirit bullgaro-grek. Ndodhet 15 kilometra larg qytetit Ivajllovgrad, në qarkun e Haskovos. Sipas të dhënave të regjistrimit popullsia e fshatit në vitin 2006 ka qenë 75 banorë, shumica prej të cilëve – gra. Edhe vetë bullgarët e pranojnë sot, se ne Mandrica flitet toskeërishtja. .Eshtë i njohur si i vetmi fshat shqiptar i Bulgarisë .Por sigurisht duhet te kete dhe ndonje fshat tjetër që eshte i banuar me shqiptar në Bullgari.

Toponimi iliro-thrakas i Mandrices sipas Çabejt është prej fjalëve shqipe: mana (peme e eger)+drize (ferre)=manaferre e baras vlefshme me Manadrica. Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova. Më shumë hollësi për gjuhën mund të lexoni në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës. Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. E konsiderojnë veten si shqiptare, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur në Shqipëri kurrë. Nuk e dinë as të shkruajnë, as të lexojnë në shqip. Dijne dhe ekzekutonje disa këngë, që i mbajnë mend për jetën e përditshme të popullin shqiptar.Banorët e fshatit Mandricë dinë shumë pak për heronjtë e lavdishëm të Shqipërisë. Kanë dëgjuar pak për Skënderbeun, kurse për historinë e sotme shqiptare – pothuaj asgjë. E quajnë Shqipërinë Albania, ndërsa gjuhën shqipe “arnautçe”.

E ne ku jemi? Sa na intereson e kaluare e jonë? Ku është ndjenja e jonë kombetare,ndjenjë kjo shumë e brisht e aspak bindëse deri me sot ?

Zgjimi i ndjenjës kombëtare ndërshqiptare,ndjenjë kjo shumë e brisht e aspak bindëse deri me sot , kërkon ngritjen e ndergjegjës tek institucionet mbarëshqiptare qe më seriozisht të mirren me problemet e kombit .
Unë dhe të gjithë ne i nderojmë këta fisnikë që nuk e harruan vetën për 500 vjet largë atdheut; nderimet tona duhet të jenë të sinqerta që në marrëveshje me qeverinë e Ukrainës dhe institucioneve të saja të bëjmë atë që duhet bër që kjo fymë e tyre shqiptare mos të shuhet.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, shqiptaret e Ukraines

NË GUMENICË E LARTË/-HIMARË ËSHTË ÇDO FSHATË….

August 14, 2013 by dgreca

…OSE/Himarë,Kaninë,Drashovicë/Tepelenë,Kardhiq,Nivicë/Nga një farë e nga një fis……./

* Si e vlerësonte Petro Marko prejardhjen e tij?/

Shkruan: Gëzim Llojdia*/

Në Gumenicë e lartë/-Himarë është çdo fshatë….Kështu këndonin lebërit ose një tjetër vjershërim lebërish është ky: Himarë,Kaninë,Drashovicë/Tepelenë,Kardhiq,Nivicë/nga një farë e nga një fis…..

Ku gjendet Himara?

Pozicioni i Qarkut Vlore dhe përshkrime te shkurtra

(Guida  e trashëgimisë kulturore të qarkut Vlorë). Qarku Vlore është i përberë prej rretheve:Vlore, Sarande, Delvine. Shtrihet ne pjesën jugperëndimore te vendit dhe laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Qendër e Qarkut është qyteti i Vlores, e cila është qendër tregtare, industriale dhe e ndërlidhjeve te shumta.Himara .Ne krahinën e Himarë bëjnë pjese qyteti  i Himares se bashku me fshatrat Palas, Gjilek, Dhermi, Iliaz, Vuno, Qeparo, Kudhes, Piluri. Krahina e Himares shtrihet përgjatë bregdetit te detit Jon, duke filluar nga veriu ne Llogora e deri ne lumen e Borshit ne Jug. Nga veri- lindja, lindja dhe jug-lindja rrethohet nga vargmali  i Akroceraunit me majën me te larte atë te Çikës me lartësi 2045m mbi nivelin e detit. Ne krahinën e Himarës rrjedhin përrenjtë e Ksarrollakos, të Polopotamo, të Gjipes,të Vishes dhe të Qeparoit, të cilët në periudha shume të nxehta te vitit mund dhe te shterojnë. Gjiret kryesore ne det janë ato te Spilese dhe te Panormit (Porto-Palermos).

Pasuritë kulturore, historike dhe artistike  tw Himarws

Në territorin e Bashkise Himarë objektet kryesore te cilat përbejnë pasuri kulturore, historike dhe artistike janë: Ne Gadishullin e Karaburunit: gurorja romane Gramata, kisha e Shen Adreas.

Ne Dhërmi: Manastiri iPanajase (Shën Mërisë), Manastiri i Shen Thodhorit, kisha e Shën Stefanit, Shpella e Pirateve, shpella e Parashqevise, kisha e Shën. Nikolles, lagjia e vjetër e fshatit Dhërmi me shtëpitë e ndërtuara me arkitekturën karakteristike, Kulla e fisit Vretos dhe Kulla e fisit Kumi etj. Ne fshatin Iliaz: manastiri  iStavridhit. Në fshatin Vuno: shtëpitë me arkitekturën karakteristike te zonës. Ne fshatin e vjetër  Himarë: Kalaja e Himarës është një fortifikim qe i përket shekullit te 3-te para erës sonë dhe vazhdon ne periudhën e mesjetës. , Kisha e Akipeshkopise, kisha e Kasiopise, kisha e Shen Pandon, kisha e Athalit, lagja e vjetër me shtëpitë me arkitekture karakteristike. Në qytetin Himarë:Shpella e Omerit e cila i ka dhënë dhe emrin qytetit (Spile), kisha e Shën. Marinës. Ne Panormi: Kalaja e Porto-Palermos dhe Kisha e Vasilikes (gruas se Ali Pashes). Kjo kala thërritet ndryshe edhe Kalaja Pashe Tepelenës, ndodhet ne afërsi te Himarë, ne gjirin me te njëjtin emër. Kjo kala u projektua nga një inxhinier francez ne formën e një pesekendeshi. Porta e hyrjes ndodhet nga ana e lindjes. Muret janë te trashe 1.6m. Në shënimet e tij konsulli francez Pukevil shënon se me 1806 ali Pashe Tepelena, i rezervoi atij një pritje ne kalanë e Kastrise, Himarë. Sipas studiuesve te quajtur te bregdetit Janko Palit, ne ballin e portës te kësaj kalaje jene te gdhendura me germa greke ne stilin bizantin.  Ne Qeparo: fshati  i vjetër Qeparo me shtëpitë e ndërtuara me arkitekturën karakteristike, shtëpia e Ali Pashes, Manastiri i Shen Dhimitritit, Kembanaria e kishës se fshatit Qeparo, Kalaja e Vjetër etj.

Hulumtimet kryer  në këtë zonë flasin për disa ekspedita dhe shënime udhëtarësh,gjeograf apo arkeolog. Ne vitin 1939, arkeologët kryejnë  gërmimet e para në shpellën e Spilesë (Himarë), botuar nga .Domeniko Mustilli, gërmimet para ne shpellën e Spilese (Himarë), botuar nga D.Mustili, provoi se shpella ishte banuar ne Epokën e Neolitit te Ri(3000-2100 p.Kr.)Një fakt që njihet është se për   Cardinin kemi një i formacion të bollshëm  nga arkeolog dhe studiues të Institute of Ëorld Archaeology, University of East Anglia, Norëichtë , shprehen se ka  regjistruar mbi 60 shpella natyrore në fshatrat lumit të Vlorës  e Vlorës  më saktësisht 10 shpellat e Velçës  dhe Sarandës më shkoqur në pjesën jugë-perëndimorë nga shpellat e Karaburunit në Sarandë. 1971-1990 Jano Koci drejton gërmimet në fortifikimet prehistorike ne Karos, Ngure e Kukum.(Qeparo). Në kodrën e Sopotit zbulon, fortifikimin parahistorik dhe akropolin, banesat dhe nekropolin e qytetit antik. parahistorik, linjën e murit, hyrjet, dhe banesat e qytetit antik si dhe varet me ndërtim monumental. Ne kalanë e Himarë, zbulon, fortifikimin ne Kastane. Një banese antik te fortifikuar ne Borsh, një vile e romake, dhe një vendbanim mesjetar Qeparo. Arkeologet N.Ceka viti 1984, Muzafer Korkuti 1981 drejtojnë respektivisht gërmimet ne një banje romake ne Spile dhe ne fortifikimin parahistorik ne Badher të  Borshit. Në vitin 2002-2003Ilir Gjipalit me gërmimin shqiptaro-anglezë në  shpellën e Spilesë provuan banimin e saj që në epokën e mezolitit (8000 vjet p.kr ). Përmendet për herë te parë në mbishkrimet e Theorodokëve te Delfit.  Ne shek. I m.Kr., PLINI referon fortesat Himara dhe Meandria(Sopoti) Akrokerauneve. Ne shek. III-IVm.Kr,ne tabelën Peutigeriana Acrocceraunia përmendet si një stacion i rëndesishëm ne rrugën  ne Foinike .Vitet(527-565). Himara, përmendet nga Prokopi i Cezarese si fortesë, ndërtuar nga Justiniani. Ne vitet 528-548. Stefan Bizantini i fundit, përmend krahinën me emrin Kaonia. Mbas këtyre viteve krahina do përmendet me emrin e Himarë. Burimet e shkruara, dëshmojnë se Himara ne lashtësi ishte vendi   i fisit të Kaoneve, fisi rëndësishme i Epirit,krahas Molloseve dhe Thesproteve. Fiset Kaone zotëronin Epirin para mollosëve. Plini (referon se emri Kaoni, vinte nga kaonet e bregdetit te Akrokerauneve, ku ndodheshin fortesat Himaira, poshtë se cilës ndodhej burimi i ujit mbretëror, e me tej Meandria(qyteti antik ne Borsh), Kestrina etj.

 

Si e vlerësonte Petro Marko prejardhjen e tij?

 

….Por historia me poetin dhe shkrimtarin Petron për ne që e lexonim nëpër këndime ishte si me Lasgushin. Përmende fare pak ,aspak madje dhe nuk dihej ishte i gjallë apo I vdekur,vetëm kur vdiste e mbulonte nuri i bukurisë që ja kishin fsheshur ja kishin marr ose ja kishin ndryshuar qëllimisht. Sidoqoftë unë e dija se nga fshati im Progonati në Himarë kishte plotë ,por besohet edhe historikisht nga një fis i kaonisë  ridhnin,madje në shek 15 Himarë quheshin jo vetëm trevat e sotme,por edhe Lumi I Vlorës dhe Kurveleshi dhe diku aty nga shek 17-18 në letrat që himarjotët u shkruanin fuqive të mëdha se Lidhja himarjote shkonte deri në Tepelenë,Butrint,Sarandë,bregu i Jonit dhe përfshinte rreth 53 katunde,ndërsa në një akt Zyrtar të M.Argiroit shënoheshin 38 katunde., deri para myslimanizmit te Lum te Vlorës e Kurveleshit, kane qene te krishtere, te traditës iliro-arbëreshe. Një pjese e madhe e fiseve te Himarë (sotme) kane ardhur aty nga Kurveleshi e Lumi i Vlorës. Ne Himarë e madhe, ne shume dokumente dali emrat e fshatrave: Piliureus, Drimades (Dhermi), Nivicë Pallasa, Pikern (Piqeras), Llukova, Vunoi, Dukat Radhim, Gjonboqari (Tragjas), Gumenica, Durbag (Terbaq), Kudesi (Kudhes), Liopes (Lopesi), Mavrove Vranishta, Smokthina, Kallazherates (Kallarat Zgugliati, Vermiki, Lepenica, Progonates,,Tepelena,shprehet pikërishtë pak a shumë kështu një studiues dhe në mos gaboj është Sh.Delvina tek ‘Epiri… Mbi kurrizet e Çikës godiste me… ‘Vetëtima Zeus (mitologji, te vjetrit)…. Nëse Homeri do te kishte zgjedhur malet e Himarë për skenën e Iliades, gjerat do te kishin marre rrjedhe tjetër gjate periudhës 3000 vjeçare shprehet Pukvil.”Kaonia (Himara)  vendi ku Circet porositen Odiseun të ruhej prej sirenave… malet mbi Himare quhen “te Vetëtimave”?  Zeusi leshonte ato nga qielli siper saj… (Emri Himare-Himera (edhe Kimera)… perfytyrohej i qenie mitologjike me trup dhie e koke luani, me bisht dragoi… qe villte zjarr nga goja (Zjarri nga flaket e  vullkani, tashme te shuar, ne Llogora… ) Deti Jon. Legjenda thotë se Jonin, birin e Dyrrahut, pas vrasjes tij ne lufte e hodhën ne det, i dha emrin .Varianti tjetër: Deti Jon=Deti ynë.

Fiset epirote kane banuar qe ne lashtesi: Kaone Himara, Thesprotet, camet, molloset – Janina, amantët – Lumi i Vlores…Kaonia (=ka hone) shtrihej nga lumi Aos, Aosta (Vjosë deri ne lumin Thyamis (Kallamas) një Juge. Straboni dhe Tukididi thone se: “Pellazget e Ankandes quheshin Kaonë.Variant i emrit Kaon: “ka hone”, dhe varianti tjetër Kaoni, biri i Priamit… Kaonet zinin pjesën me te madhe  te Epirit. Nga Himara pellazgjike  shkuan në Itali etruskët,japigët,mesapët……shprehet një studiues i këtyre anëve tek gazeta Demokracia e vitit ’95…Mirëpo vetë  poeti dhe shkrimtari Petro,ç’thotë për origjinën e tij dhe të fisit

Me sa kam dëgjuar, me sa di unë rrjedh nga një  familje qe ne fshatin Dhërmi quhet Bua. Shekuj më parë ne fshatin tone erdhi për tu strehuar Gjin Bue Shpata. nipi i luftëtarit Gjin Bue Shpata. Ai, nipi, siç; thonë pleqtë, banoi ne një vend midis Shenapremtes dhe Shën Theodhorit, aty ku kishte nomenë Zhupa dhe qe quhet Paloshpita… Pastaj erdhi dhe ndërtoi një konak,nën Qëndushen, aty ku ende i themi Konaku i Gjinit. Aty i linden dy djem: Markoja dhe Gjoni. Pak metra poshtë ngriti një kishe te vogël: Shen Janin, qe është ende.

Djemtë e tij u rriten dhe ndërtuan shtëpi te tjera  të vogla nen shpellën e Pano Gjinit. Markoja dhe Gjoni i bene pranë e pranë. Aty, ne atë vend, Markajt Gjanet bene shtepi te tjera, se u shtuan. Edhe Buajt shtëpi pranë Konakut te Gjinit. Kështu qe, shekuj me radhë  Markajt, Gjonet, Buajt ishin një bark, një fis gjer vone, sa isha unë i ri, nuk martoheshin me -tjetrin. Kishin te drejtën e gjakut për njeri-tjetrin….

Mirëpo Petron unë,sot nuk kam ku ta gjejë ,ndritë veçse shpirti tek varrezat. Aty paqësisht ai fle,në ditë të mira dhe të këqija ,në dimër ,në verë, në stërbima  ,llohëra e zheg,pra ka kohen   e prehjes së madhe. Petrua ishte një shqiptar i mirë,që shprehte vetë dhe mburrej me këtë,kishte edhe një ideal ,por Petro ishte me gjak e kockë të vërtetët shqiptari .Në të vërtetët figura e tij është një lloj ndriçimi  yllësor,dhe ylli i tij tashmë ndriçon në planetin tonë të letrave. Ai është udhërrëfyesi i poetëve dhe shkrimtarëve, është njeriu që sakrifikoi kur regjimet i kërkuan gjithshka deri në zhdukjen fizike,por poetët mbesin ,sepse pavdekësia tek ata është lexuar qartësisht që ditën kur vijnë,Mirëpo a kishte pranga për të burgosur Petron,a kishte kurthim për zemrën e poetit,a kishte hekura për ti lidhur duart,ndonëse dhimbshëm  e lanë të presi,ku poeti i robëruar nga ai realitet më mirë thotë të vdesë.Edhe deti I gjorë sot fle si Petro. Në tablonë e portretit të tij anija petrojane ecte në detin e gjerë të letrave .Deri në palcë i futën hekurin dhe deri në kockë e ndjeu thikën. Viktimë e këtij shekulli ,që kurrë se humbi muzën edhe nga gjumi zgjohej,në detin pa rërë e guaska,në natën pa hënë  e yje në atë botë thashethemesh,ku ishte Petro perverse lundronte në dallgët e regjimit që e shtynin andej ,këtej lart,para dhe gjithkohës. Për jetën e këtij poeti mund të thuhet se e mbuloi një oqean vuajtjesh,kur regjimi e shtrëngonte çdo ditë drejt vdekjes,kush do ta shpëtonte këtë vend kur fytyra  nxinte nga kroma e socializmit mashtrues. Kështu ai priti gjallërimin e kohëardhjes pranverë sepse kishte vite e vite, që nuk e ndjente mungesën e reve të shiut edhe mungesën e vrapit të erës së re.

*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Histori Tagged With: cdo fshat, Gezim Llojdia, Himare eshte, Ne Gumenice e Larte

JAKUP FERRI,DETI ME GJËMIME

August 14, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

Ju ka qëlluar të shihni një det të qetë,të kaltër e të butë si mëndafsh ? Mbi valët e tij lozonjare luajnë pulëbardha e gjthfarë zogjsh të gëzuar.Por unë do t’i falem kurdoherë atij deti me dallgë.Brenda ujërave të kaltër të tij,ku gjëmojnë heshtur kënga e fortunaleve.Brenda gjoksit të këtij deti,ku buçet me zë të lartë gjëmimi me afsh lirie.Dhe një det i tillë me gjëmime,një zemër e pafriguar në kërkim të lirisë  siç ishte edhe jeta e Jakup Ferrit.

U lind në Pllavë të vitit 1832.Ishte djali i dytë i trimit Ferr Ferri rreth të cilit ishin grumbulluar një grusht burrash trima duke shpërthyer hera-herës në revolta të përgjakshme ndaj dhunës morale dhe fizike që ushtronin autoritetet vendore të Portës së Lartë.Ferr Ferri ka ftuar me këtë rast miqtë në kullën e vet të madhe duke iu kumtuar atyre se radhët e çetës ishin shtuar edhe me një trim.Kësisoj,jeta e Jakup Ferrit,ende e njomë,ende në djep,ishte paracaktuar për t’u jetuar në grykat e malet e Plavës e Gucisë,në ruajtje të kufijve shqiptare.

Në mesin e shekullit të kaluar,invazionet osmane,synuan në trevat e Plavës dhe Gucisë, ndryshimin e krakterit të regjionit.Me që në pjesën e madhe të këtyre trevave sundonte besimi katolik.Në mjaft raste,misionarët osman të ardhur nga Stambolli u bashkuan me masat e tyre në ato shtërnguese të autoriteteve vendase veçanërisht në lidhje me arësimin në gjuhën osmane,synonin gjithashtu të luftonin institucionin e besës shqiptare i cili veçanërisht në Plavë e Guci kishte një shtrirje të çuditshme.Por tërë këto përpjekje,nuk mundën të përçajnë fiset shqiptare përpara të cilave shenjtëria e trojeve ishte në kufijtë mitik.Ndër ata burra që i vunë gjokset këtij presioni,ishin padyshim edhe Ferr Ferri me të bijtë.

Në fillim të viteve 60 të të shekullit të XIX,pasi kishin thyer kryengritjet e mëdha shqiptare në vilajetet e Janinës,Manastirit e Shkupit,turqit iu drejtuan për realizimin e reformave të Tanzimatit,Plavës e Gucisë.Të vënë midis dy zjarresh,nga njeri krah rreziku serbo-malazez dhe nga krahu tjetër ai osman,shqiptarët e këtyre trevave i thirën së mbrendshmi institucionit të tyre të besës.Të udhëhequr mençurisht prej Zeqë Jakup Ferrit,Osman Omeragës dhe Adem Shahmanit,gati katër mijë burra të armatosur,brenda tri ditëve u rreshtuan në formacione të rregullta luftarake të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën.Për më tej,në potencimin e kësaj lëvizjeje të qartë çliruese,që iu dërgua prej kryengritësve një peticion Portës së Lartë ku i kërkohej : të mos egzistonte administrata për mbledhjen e taksave të reja,të përjashtohej detyrimi ushtarak sipas urdhërave të rinj,madje të hiqeshin edhe disa detyrime të tjera që egzistonin përpara reformave të reja të Tanzimatit. Edhe pse Porta e Lartë,synonte në shtrirjen e pushtetit të egër të saj,deri në periferitë e largëta,ajo nuk rendi për luftë në Plavë e Guci.Porosià e saj ndaj kajmekamit ishin të qarta,gjithshka të kalonte butë derisa ushtria të vinte aty.Dhe kështu ndodhi në betejën e Moraçës ku përballë trimave shqiptarë u vunë mijëra jeniçerë osman.Në Moraçë,në ballë të luftimeve,vritet Zeqë Ferri.Jakupit i këputet kësisoj një krah por jo për ta dekurajuar ate.Dhe ç’prej këtij çasti e deri në fund,Jakup Ferri dijti të marrë gjakun e babait, vëllait dhe krejt shqiptarëve që u vranë prej serbo-malazezëve apo osmanllinjëve.

Ndërkaq,re të tjera të zeza do ti afroheshin në heshtje qiellit shqiptar në Plavë e Guci.Ushtritë osmane ishin mundur në luftë me rusinë dhe shkatërimi i Perandorisë shoqërohej me ngjalljen e ambicieve të reja etnike.Në kufijtë e Plavës e Gucisë,këtyre trevave shekullore të arbërit,malazezët dhe serbët kishin nisur të zbraznin pushkë.Nuk bëhet fjalë natyrisht për sulme të organizuara por,për një varg provokacionesh që do të mund të ndiznin një ditë zjarrin e madh në Ballkan. Sigurisht ngjalli një trishtimi tek shqiptarët e këtyre trevave,vendimi i Kongresit të Berlinit,çka i fal Malit të Zi,në kundërshtim të plotë me dëshirat e njerëzve dhe historinë e tyre,Plavën dhe Gucinë.Populli i revoltuar në Plavë,me të marrë vesh këtë lajm,rrethoi ndërtesën e garnizonit osman nën thirjen ; duam armë ! Ndërkaq burrat shqiptarë,ata që ndjenin së mbrendshmi vajtimin e vatanit të tyre,u mblodhën sërisht në kontaktet e tyre.E ndritura Lidhje Shqiptare e Prizërenit,ndër të tjera pat vendosur që krahina e Plavës e Gucisë të mos dorëzohet,madje krejt shqiptarët do të derdhin gjak për ta mbrojtur ate.Në këtë rrafsh,mendoj se duhet parë nën një dritë të re fakti që tërheqja e ushtrisë osmane nga kufijtë e Plavës dhe Gucisë u bë e menjëhershme,gati misteriose.Por ishte pikërisht zgjuarsia dhe mençuria prej prijësit popullorë të Jakup Ferrit i cili,nën thirrjen e lashtë të kushtrimit,mblodhi e organizoi rreth një mijë burra të armatosur të cilët zunë vendet dhe fortesat e boshatisura prej ushtrisë osmane.Vojvoda Bllazho Petroviç,kish filluar disa manovra ushtarake për t’iu dhënë shqiptarëve të kujtonin se çka ishte vendosur në Berlin do të çohej deri në fund.Madje dy shqiptarë që ruanin kufirin në Qafën e Previjës,mbasi u vranë prej malazezëve,u coptuan me thike,u futën në një thes dhe u përcuallën tinëz në tokën shqiptare.Makabriteti synonte dobësimin e guximit atdhetar,ç’ka gjithsesi s’mundi të ndodhte tek shqiptarët e këtyre trevave.Tashmë ruajtja e trojeve shqiptare,vlente të bëhej me grykën e pushkës.Jakup Ferrit i bashkohet i biri,Hasani,Ali Pashë Gucia,Mulla Jaha,Kadri Bajri dhe Binak Alia.Por jo vetëm trimat e Plavës por edhe ato të Karsniqes,Rugovës dhe Gashit iu bashkuan lëvizjes madhore për ruajtjen e kufijve shqiptarë të Plavës e Gucisë.Kështu në gushtin e vitit 1879,në Plavë u organizza një tubim i këtyre patriotëve për të lidhur besën.Në këtë tubim u tha hapur se nuk luftohej për fe,por për atdhe e popull,sepse atdheu ësht ma i shenjtë.Duke qenë se Jakup Ferri prej vitesh ish spikatur si strateg popullor, ushtarak,në këtë takim trimash atij iu kërkua mendimi mbi mbrojtjen dhe rrugët e realizimit të saj.I matur,nën një zë që dukej se ruante kurdoherë gjëmimet e largëta të qiellit,Jakup Ferri u përpoq të argumentojë se pamvarsisht si do luhej me fatin e tyre,vetë shqiptarët do të mbronin trojet stërgjyshërore.”Historia,foli,ndër të tjera,Jakup Ferri,na ka mësue se askush prej fqinjëve tanë s’na e ka dash të mirën,por vetëm të keqen”.Më pas duke patur parasysh ushtrinë e madhe malazeze,ky burrë trim kërkoi një mobilizim të madh,një thirrje me armë të gjitha meshkujve prej 15 deri më 80 vjeç.Vetëm në këtë lloj mobilizimi dhe duke u organizuar tërësisht,u mendua që të përballohej tërbimi serbo-malazez. Menjëherë pas mbarimit të këtij tubimi,Jakup Ferri niset për të lidhur besën me malësorët e Gashit dhe të Krasniqes.Ai niset për aty duke menduar se ka jo vetëm emër të mirë por edhe miq të ngushtë me të cilët ishin lidhur në gati katër decenie luftë kundra serbo-malazezëve.Zëri tingëllues i tij,kumtoi në prani të dhjetra burrave që gati sa nuk i përpinin fjalët e trimit të Plavës.Ngase qëllimi i Jakup Ferrit ishte që krejt malësija e Gashit dhe Krasniqes të lidhte besën për të luftuar  kundër serbo-malazezëve,generali popullor nuk harroi të përmend se Plava ishte e para fortesë që duhej mbrojtur prej të gjithë atyre që e donin autonominë dhe lirinë shqiptare.“ Pra juve a do të na ndihmoni ? Neve kemi besim se po,se jemi të një fisi,të  një gjaku arbanas,të nji vllaznie.Ju e doni krahinën tone si vendin tuej,sepse asht nji truell e nji vatan.Po kështu duhet ta dini se Plava e Gucia,asht e vetmja kala që prêt Cernagorën,si për ju,si për krahinat e Rrafshit të Dukagjinit.Pra Cernagora sot po troket në dyert e kësaj kalaje.Jakup Ferri,pa përfundue fjalën,u ndigjuen thirjet e malësorëve ; Prina o Jakup Ferri,të gjithë jena me ju,nuk ka se kush na prapson,do ta bajmë deken si me le”.(E.Plava,kujtime dhe dokumente historike,Marin Barlleti, 1995, faqe 56 ).

Meqenëse Lidhja Shqiptare e Prizërenit po shihte një vonesë të madhe të Portës së Lartë,në marrjen e vendimeve të rrezikut serbo-malazeze në Plavë e Guci,burrat e saj,Abdyl Frashëri,Iljaz Pashë Dibra,Sulejman Vokshi e të tjerë caktuan direkt Ali Pashë Gucinë si komandant suprem për mbrojtjen e kufijve shqiptarë në veri.Ky menjëherë lidhet me shokun besnik të idealit,Jakup Ferrin dhe të dy së bashku ideojnë dhe organizojnë mbrojtjen e trevave të tyre.Në këtë mbrojtje,do të shkëlqente më pas jo vetëm trimëria e burrave dhe grave të Plavës e Gucisë,por sidomos edhe mendimi i guximshëm ushtarak i këtyre prijësve popullorë.Sipas burimeve të historiografisë shqiptare,për të mbrojtur krahinën e Plavës dhe Gucisë,u rreshtuan nën armë mbi 5 mijë burra.Armatimi dhe ushqimi i tyre u mundësua edhe nga paria e krahinave të tjera,kudo ku shkeli këmba e Jakup Ferrit,kudo ku u dëgjua zëri i tij që ftonte në dasmën e shenjtë të lirisë.Në krye të këtyre 5 mijë burrave u vendos të komnadojë Jakup Ferri.Ky nga ana e vet,studjoi jo vetëm aftësitë luftarake të shqiptarëve por sidomos terrenin ku do të zhvilloheshin betejat,të cilat,tek e mbramja do të vendosnin mbi ardhmërinë e krejt këtyre trojeve,të ndara me një të rënë të lapsit në tryezën  famëkeqe në Berlin.Madje disa prej pritave natyrore çka do të ishin të domosdoshme,filluan të hapen nën kujdesin e dretëpërsëdrejti të Jakup Ferrit.

Në muajt nëndor-dhjetor 1879,Mark Milani,ndërmorri dy beteja të përgjakshme në kufijtë e Plavës dhe Gucisë.Në krye të një ushtrie disa mijëshe,të armatosur mjaft mire,ai u përpoq të çante një shteg prej nga më pas do të mund të shtinte në dorë krejt krahinën.Luftimet u zhvilluan të ashpra sidomos në qafë të Previjës,Qafë të Diellit,Arzhenicë dhe Cakorr.Përballë qindra të vrarëve dhe të plagosurve të ushtrisë së Mark Milanit,dhanë jetën edhe trima shqiptarë si : Osman Hoti,Dush Gjeri,Mysli Syla,Halil Radonja,Brahim Cela,Ibrahim Omeragaj etj. Gjaku i tyre duke lagur borën e dimërit të egër të vitit 1879,klithte në thellësi për lirinë e ëndërruar aq shumë prej shqiptarëve. Në të dy këta muaj,Jakup Ferri ishte në krye të ushtrisë shqiptare si komandant legjendar i saj.Ate e shihje të hipur në kale,të armatosur,duke u dhënë krah luftëtarëve e sidomos duke patur në duar situatën e veprimeve luftarake.Duke ngarendur sa në një karakoll në tjetrin,sa në një çetë tek tjetra,trimi i Plavës jo vetëm dinte të organizonte me intuitë pritat,por aty ku e shihte se goditja e armikut mund të ishte fatale,luftonte edhe vetë me orë të tëra.Është i vërtetë fakti se ndërsa vullnetarët shqiptarë dëgjonin trokun e kalit të tij,ata merrnin zemër duke u kapur grykë me grykë me forcat malazeze.Ai dijti si një strateg i madh popullor që edhe në afshet më të nxehta të betejave të gjykonte situatat me një ftohtësi admironjëse.Kuptohet,ajo çka të çonte drejt mitit,Jakup Ferrin,është beteja e Nikshiqit,në janarin e vitit 1880.Knjaz Nikolla,duke menduar se tri muaj luftimesh e kishin rraskapitur ushtrinë vullnetare shqiptare ndërmorri hapa konkrete në drejtim të një mësymjeje të përgjithshme në trojet shqiptare të Plavës e Gucisë.Përkrahja e parisë së Cetinjës në këto momente ishte e madhe e cila u pa me çrast dërgimin e mijëra  ushtarëve të rinj në aventurën e madhe.E vërteta është se dy ditë përpara se armata malazeze të mbrinte në kufijtë e Plavës dhe Gucisë,një korier i dërguar enkas prej Knjaz Nikollës,solli një letër për Ali Pash Gucinë ku midis tjerave thuhej; “Për hir të gospodarit Nikolla Petroviq,me vullnetin e popullit,Knjazi i Malit të Zi,ushtria e natmadhërisë së tij,do të marrshojë për të okupuar krahinat e Plavës e të Gucisë,në zbatim të vendimit të kongresit të Berlinit.Pse edhe vetë Abdyl Hamidi i otomanëve,i është shtruar atij vendimi,pra pse edhe vetë sovrani turk na e ka dhënë ate krahinë,o Ali Beg,nuk ke kurrfare arsye të kundërshtosh.Dhe Organizata Shqiptare e Prizërenit nuk do të bëje aspak dobi,mos e torturo pra popullin,mos e fut në zjarr e flake krahinën… Ktheje situatën ndryshe dhe sovrani ynë August,Knjaz Nikolla ka për të pasur mëshirë edhe për juve,ka për të bërë amnisti, e ka për t’ju falë çdo gabim e llogari nga e kaluara si edhe për të tashmen”.  (Arkivi I Institutit të Historisë,dosja Plava e Gucia në vitin 1880 ).

Tregojnë se Ali Pashë Gucia,pasi ka lexuar telegramin e ardhur prej Cetinje,i mendur ka mbledhur për të mbramen herë,bashkëluftëtarët e tij.Sapo ka mbaruar së lexuari mesazhin,ka qenë Jaku Ferri i cili duke ngritur mes trimave,ka kumtuar me ate zërin e tij tingëllues.”Në këmbë o burra ! Sikur të çohen shtat krajlat dhe vetë mbreti i Stambollës,neve nuk mun të na ndalojënë me dekë.Dekjen e kena borxh për vatan e sibijan !”.

Pas kësaj në datën 4-7 janar,krejt populli i Plavës dhe Gucisë është mobilizuar maksimalisht.Në të shumtën e rasteve,furnizimet me buk e ujë të luftëtarëve popullorë i kryenin  punët por ngase lufta ishte në prag,pati edhe prej tyre që rrëmbyen armët.Luftëtarët e rinj të ardhur nga Rrafshi i Dukagjinit,drejtoheshin për nga kullat e Jakup Ferrit në pritje për të marrë detyrën luftarake.E rëndësishme është të potencohet fakti që dhimbja e tragjedisë së kësaj treve shqiptare u ndje së mbrendshmi më shumë prej viseve veriore të Shqipërisë.Luftëtarëve përforcimet e para erdhën në këto momente edhe nga qyteti i Shkodrës.Ka qenë pikërisht mëngjezi i 8 janarit të vitit 1880,kur përmes mjergullës së dendur e dëborës që nuk reshtete,u dëgjuan krismat e para të topave malazeze.Jakup Ferri,duke ditur që më parë këtë armatim,pat dhënë porosi bashkëluftëtarëve për ta pritur armikun nëpër kështjellat natyrore duke shmangur sa të ishte e mundur rrezikun e dëmtimit nga artileria.Qitjet e artilerisë malazeze nuk kursyen edhe qindra kulla të fshatarëve në Arzhonice, Kose e Nokshiqit,Jeçnishtaj,Pepaj.Pas kësaj,ka qenë thirrja shqiptare ; përpara djem për Shqypni ! e cila ka çuar peshë qindrat e mijërat e trimave vullnetarë në mbrojtje të trevave të Plavës e Gucisë.

Forcat e Knjaz Nikollës i kalonin të 14 mijë vetat,përfshi këtu edhe artileritë dhe forcat e tjera ndihmëse.Përpos armatimeve të tjerë,dëshmohet se këta forca ishin të paisura me topa ruse.Bllazho Petroviqi i cili ndodhej  në ballë të trupave malazeze,kërkonte të fitonte betejën nëpërmjet sulmeve rrufe në të gjitha frontet njëherësh.Duke mos pyetur për të vrarët e plagosurit e çasteve të parë,ai dha urdhër që mësymja drejt Plavës e Gucisë të ishte frontale dhe aspak e manovrueshme. Intuita dhe mjeshtria prej strategu e Jakup Ferrit,kanë shkëlqyer edhe një herë pikërisht në këto momente.Ai urdhëron tërheqjen në thellësi të formacioneve luftarake që mbronin Plavën duke paraparë një gabim trashanik të Petroviqit i cili në ekstazë urdhëronte trupat e tij vetëm përpara.Pasi mijërat e trupave malazeze kaluan urën dhe dy vahet në lumin Lim,atëherë Jakup Ferri i shkatëroi këta duke krijuar një rrethim natyral të malazezëve ngase lumi në janar ishte krejtësisht i pakalueshëm.Anipse,Jakupi vetë në çetën e tij ndodhej në zemër të këtij cikloni,ai nuk mund të përfillte jetën përpara shpresës për fitore.Bashkëluftëtarët e tij,duke kuptuar manovrën e zgjuar të komnadantit të frontit u hodhën me tërbim mbi ushtrinë malazeze, duke i vënë në mes dy zjarreve.Tashmë përleshjet ishin trup me trup dhe në ate zallahi  klithmash e armësh,vendosej më tepër se fati i një beteje.Duke u gjendur taman në nyjen më nevrallgjike,që do të vendoste fatin e kësaj beteje,Jaku Ferri,hipur në kalin e tij të bardhë,të bukur dhe sikur të jetë i mbështjellë nga legjendat lufton pa u epur.Kështu,për të ardhur deri në fatzezën ditë të 10 janarit,që u zgjua pa zërin dhe kushtrimin e tij.I goditur për vdekje,Jakup Ferri do të mund vetëm të shqiptonte ; Përpara Sokola ! Më pas vargjet e drithshme të lahutës kënduan ;

                                                       “Njëqind vetë sot na kanë mbetë

                                                         tre me emra sot po jua  kallxoj

                                                         nja ma i pari Sadik Hamza

                                                         e i dyti Cel Shabani

                                                         haj me det  për Jakup Ferrin …

Dhjetë ditë rresht,luftëtarët trima të Plavës e Gucisë,pas fitores madhështore që arritën,kërkonin nëpër dëborën e madhe trupat e bashkëluftëtarëve të vet.Përzihej kështu trishtimi i madh për të rënët me gëzimin se gjaku i tyre nuk u derdh kot.Më 20 janarin e vitit 1880,ndërsa varri i Jakup Ferrit vizitohej prej mijëra qytetarëve,Ali Pashë Gucia thosh ; “O ju dëshmorë që dhatë jetën për këtë vatan.E lehtë ju kjoftë lendnina,akulli,bora e sorotina… Juve nuk do harroheni sa të jetë jeta.I gjithë fisi i juaj do t’ju kujtoje brez pas brezi.Nipat e stërnipat do knojnë këngët e trimërisë tuej.E ti shpirtmadhi Jakup Ferri,qe na le ate nam e jehonë për me shpetue këte vatan e sibijan,do të jesh i paharruar për të gjithë brezat e arbnisë !”.

Absurdi që ka shoqëruar kurdoherë,udhëheqjen e diktaturës komuniste shqiptare,këtë radhë u orientua me kahje nga denigrimi i kësaj figure legjendare.Kështu,me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, në shtetin amë,në vitin 1978,nga një grup komunistësh i ka qenë propozuar qeverisë komuniste të Tiranës që Jakup Ferrit t’i jepej një dekoratë heroizmi pa pretenduar aspak se atij po i jepej ajo çka meritonte.Dhe ndërsa shqiptarët kanë pritur në heshtje vendimin e qeverisë komuniste të asaj kohe,Mehmet Shehu,ish kryeministër i asaj kohe ka pas deklaruar se Jakup Ferri s’e meritonte dekoratën ngase “nipërit e tij ishin bërë ballistë… !”.Madje disa nga propozuesit edhe ishin burgosur.

Sidoqoftë,le të mbeten këto radhë të mija si një kujtesë për një  të ardhme respekti për të gjithë ata,që në saje të trimërive dhe gjakut të derdhur të tyre ne frymojmë.Shpallimet historike pa paragjykime i bëjnë nder kombit tonë,meqë e kaluara ashtë si një fanar për të ardhmen.Kombi ynë ka shumë histori me të cilën mund të krenohet,ani se kemi fatin tragjik që rrethohemi nga hienat sllavo-helene,të cilët jo vetëm që mbajnë territore tona të pushtuara,por edhe vjedhin nga historia jonë pasi që janë të vobegët me  të tyren.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Jakup Ferri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5265
  • 5266
  • 5267
  • 5268
  • 5269
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT