• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe ne jemi me Amerikën, z. Reeker

July 9, 2013 by dgreca

Ani pse nuk kemi shtetësi dhe pasaporta amerikane,edhe ne jemi me Amerikën,jemi populli më pro-amerikan-në Ballkan e Evropë,dhe i duam SHBA-të, sa vet banorët autokton e dashamirës të saj.

Opinion nga Gani Qarri/ Zvicer/

Megjithatë në vendin tonë të vogël, dhe pa vëlla të madh pranë,këto ditë çdo gjë zhvillohet si në ëndërr dhe në mënyrë jotransparente, me shumë fshehtësi për opinionin dhe në formë imponimi gati gjysmë ilegal,pa u ditur mirë përmbajtja as hollësitë e përfituesve të mundshëm nga një projektligj i propozuar për amnistin e  personave që kan kryer krime,miratimi i të cilit kërkohet nga ne.Presionit për miratim,kohët e fundi i është shtuar edhe një trysni më tepër,si ajo e z.Reeker , një zëvendës i plotfuqishëm” i një zëvendësi-tjetër nga zëvendës-ministrat e SHBA-së, i cili gjithë fuqinë e tij, ka zgjedhur ta zbarkoj mbi shpinën e bërë varr të Kosovës,nga kompromiset e pafund, ani-pse ajo edhe tek ai si amerikan-shihte një fije shprese.

Por,derisa në njërën anë paralajmërohet se Projektligji për Amnisti,në ditët që vijnë pritet të shqyrtohet edhe një herë në Kuvendin e Kosovës, për miratimin e të cilit duhen dy të tretat e votave të deputetëve, shoqëritë civile  kanë nisur një aksion për nënshkrimin e një peticioni, kundër këtij projektligji.

Megjithëse kohë më parë,marrëveshja me Serbinë qe miratuar nga Kuvendi i Kosovës,asnjëherë nuk u tha saktë dhe qartë,se përse na doli tani kaq i domosdoshëm edhe ky Projektligj i famshëm, dhe cilët janë keqbërësit potencial,përveç kriminelëve serb në veri,që mund të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga kjo Amnisti të cilën bëhet presion që ta miratojnë shqiptarët.

Ndaj, pas refuzimit në mbledhjen e fundit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës,besoj se me të drejtë shoqëria civile shprehet e vendosur në përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për kundërshtimin e serishëm të tij,për ç`shkak, KIPRED më 8 Korrik të vitit 2013,në mënyrë simbolike zgjodhi orën 11:55, si kohë (e fundit 5 minuta para orës 12-të) për nisjen e nënshkrimit të një peticioni gjithëpopullor.

Organizimi i mbledhjes së nënshkrimeve,para ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,pranë sheshit “Nëna Terezë” në Prishtinë, me gjithë trysnit publike të Reekeri-t,dhe thirrjeve të tij “trishtuese”, se kundërshtuesit e marrëveshjes me Serbinë dhe projektligjit për amnisti, sipas tij- na qenkan edhe kundër Amerikës, vazhdon pa reshtur.

Madje ato nuk u ndalën as sot,për kundër thirrjes së përsëritur nga ai për miratimin e amnistisë,me shpjegimin e pakuptueshëm se gjoja edhe deputetët që herën e kaluar,kanë votuar kundër amnistisë e cila liron shumicën e kriminelëve nga përgjegjësia “qenkan të painformuar si duhet” dhe nuk e paskan lexuar mirë projektligjin e paraqitur.

Edhe nëse kjo apo ndonjë marrëveshje tjetër me Serbinë, mund të konsiderohen të shenjta nga z.Reeker,nëse para vendorëve,ai nuk i bënë të njohura arsyet, nuk donë të thotë-patjetër, se edhe nga shqiptarët ajo duhet të pranohet si e tillë,ngase kompromiset janë tonat dhe për çdo devijim të mundshëm, dhembjet i ndjejmë ne. 

Një amnisti e tillë e pa shoshitur mirë dhe si duhet, më tepër dëmton sesa ndihmon Kosovën, zbehë perspektivën e banorëve shumicë dhe kërcënon të ardhmen e tyre.Serbia edhe ashtu nuk njihet si zbautese e mirë e ndonjërës nga marrveshjet që ajo i ka nënshkruar vet.

Ndaj është e pakuptueshme se si z.Reeker, vetëm pse atij i pëlqyeka ky projektligj,kërkon nga ne të bëjmë “vetëvrasje” kolektive,me miratimin e amnistisë për lirimin nga çdo lloj përgjegjësie penale dhe juridike, të cilit do vrasës dhe kriminel serb a shqiptar,sipas detyrimit-le ose merr, me arsyetimin banal se kush është kundër marrëveshjes me Serbinë- qenka edhe kundër Amerikës.

Jo zotëri Reeker,kjo nuk është e vërtetë. Dashurinë e shqiptarëve ndaj Amerikës nuk provoi t`a kushtëzoj askush, deri më tani, ndaj as ju nuk keni të drejtë të silleni kështu,edhe nëse  Kosova nuk mund ti aprovoj “bash” të gjitha projektligjet dhe marrëveshjet me Serbinë. 

Kushtëzime të tilla nuk “pijnë ujë” edhe për arsyen se ka jo pak politikan të lart amerikan të cilët i kundërshtojnë hapur marrëveshjet e tilla me shtetin serb, ndaj lëreni trysnit, dhe kthejuni arsyes,para se ti akuzoni edhe ata si keqdashës të Amerikës.

Përndryshe, është e vetëkuptueshme se dashuria e Kosovës së vogël ndaj Amerikës së madhe, nuk mund tu dedikohet njerëzve,të cilët i vejnë kushtëzime popullit të saj që kurrë nuk pushtoi as rrezikoi askënd,por nga ai edhe në vend të vet, pa të drejtë kërkohen kompromise të mëdha e të njëpasnjëshme të cilat,shihet se janë bërë të tepruara dhe nuk mund ti qojë, pa u rrëzuar edhe vet për tokë.

Trysnia juaj-këtë herë bëhet në adresë të gabuar ndaj ajo edhe do të kundërshtohet, e nëse megjithatë ju mendoni se shqiptarët mund të qajnë,sepse mjaftuaka që ju të kënaquni dhe qesheni për ne,kjo sjellje është e padrejtë, nuk është e denjë as e pranueshme për një popull qoftë ai edhe i vogël dhe me halle të mëdha- si ky i yni zotëri.

Më në fund, duhet edhe Ju ta kuptoni se lëshimet e njëanshme të cilat edhe për hir tuaj, i ka bërë Kosova deri më tani – mjaftojnë. Ato duhet ta kenë një kufi.

Është koha të na kuptojnë të gjithë,përfshi edhe juve z.Reeker, se ne nuk mund të pranojmë miratimin e amnistisë edhe në rastet kur rrezikojmë vendin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë,kur dihet se me miratimin tuaj, qeveria mban sot e sa vite në pozita udhëheqëse, njerëz të korruptuar dhe të përfshirë në afera të ndryshme kundërligjore, të cilët u pasuruan vet për ta varfëruar deri në fund Kosovën dhe vrarë ardhmërinë e saj. Ku jeni ju? Pse heshtni para këtyre fakteve?!.

Ju edhe në këtë drejtim duhet të jeni të pakompromis dhe të ngritni zërin fort dhe si duhet,si kundër dukurive negative edhe kundër keqpërdoruesve të njohur për ju dhe DASH,i cili na bën me dije edhe neve se cilët persona apo grupe, po shkatërrojnë vendin tonë, e jo të mjaftoheni vetëm me atë, që ata nga halli i tyre personal,t`u shërbejnë juve pa kundërshtime, duke pranuar marrëveshje dhe miratuar projektligje e amnisti, edhe në dëm të vendit, sipas diktimeve të Serbisë.

Nëse nuk pushojnë trysnitë e tilla të papresedan për lidhje të detyruara marrëveshjesh pa kontroll as fund me Serbinë dhe miratim projektligjesh e amnistish edhe për kriminel serb e shqiptar, përmbajtjet e të cilave për popullin shumicë vazhdojnë të mbeten të panjohura,  ndoshta në një të ardhme të afërt, edhe Hashim Thaqin do të veni para aktit të kryer, dhe detyroni ta fus poshtë gishtin e madh, e në vend të shprehjes,”Krenohuni me Kosovën”, t`ua “fus”-pardon,ngritë lartë shqiptarëve gishtin e mesëm,dhe përshëndes me parullën, “krenohu me Serbinë”, kundër së cilës ne sikur luftuam dhe menduam se u çliruam njëherë.

 Gani Qarri ,Cyrih, 8 Korrik 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Ligji per amnistine, Reeker

Presidenti Obama uron të gjithë myslimanët me rastin e Ramazanit

July 9, 2013 by dgreca

Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë te Ramazanit, Presidenti i SHBA-së, Barak Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, kanë uruar sot komunitetet myslimane në SHBA dhe në mbarë botën.

WASHINGTON D. C: Në deklaratën e për mediat nga zyra e shtypit e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Obama shprehet se për 1.5 miliardë myslimanët e botës, Ramazani është koha për reflektim të thellë, agjërim dhe përkushtim.

“Ramazani është gjithashtu mundësia për bashkimin e familjes dhe miqve dhe festimin e parimeve që lidhin njerëzit përmes besimeve të ndryshme – përkushtimin për paqe, drejtësi, barazi dhe dhembshuri për njerëzit me të cilët jetojmë. Këto lidhje janë më të forta se sa ndryshimet që shpesh na ndajnë”, shprehet Presidenti Amerikan.

Obama shton më tej se “ky muaj na kujton gjithashtu se liria, dinjiteti dhe mundësia janë të drejta të pamohueshme për të gjithë njerëzimin. Reflektojmë mbi këto vlera universale në kohën kur shumë qytetarë në mbarë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore vazhdojnë të luftojnë për këto të drejta themelore dhe ndërsa miliona refugjatë e festojnë Ramazanin larg shtëpive të tyre. Shtetet e Bashkuara u qëndrojnë pranë atyre që punojnë për të ndërtuar një botë ku të gjithë njerëzit mund të shkruajnë të ardhmen e tyre dhe të praktikojnë besimin e tyre të lirë, pa frikë dhe dhunë”.

Në Shtetet e Bashkuara, thekson Obama, Ramazani shërben si kujtesë se miliona amerikanë myslimanë na pasurojnë kombin çdo ditë – duke shërbyer në qeverinë tonë, duke udhëhequr zbulimet shkencore, duke krijuar punë dhe duke u kujdesur për fqinjët tanë në nevojë.

“Kam qenë i nderuar të hap një darkë iftari në Shtëpinë e Bardhë çdo vit për katër vitet e kaluara dhe këtë vit pres me padurim të ftoj amerikë myslimanë që kontribuojnë në vendin tonë si sipërmarrës, aktivistë dhe artistë. U uroj myslimanëve në Amerikë dhe anekënd botës një muaj të bekuar me gëzimin e familjes, paqes dhe mirëkuptimit. Gëzuar Ramazanin”, përfundon urimi i Presidentit të SHBA-së, Barak Obama.(pergatiti: Beqir Sina)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Obama, uron per Ramazanin

HESHTJA E IDIOTËVE

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Dimal Basha/

Kosova është shumë keq. Ndoshta Kosova është mirë, por populli që jeton në këtë vend është keq. Është keq sepse qe rrafsh 14 vjet është udhëheq keq e kjo udhëheqje vjen si pasojë e përbashkët nga disa që kanë zgjedh keq dhe disa që kanë zgjedhur mos me qenë pjesë e kësaj të keqe duke injoruar të drejtën e votes për të votuar. Tash të dy palët janë keq, por ma keq janë ata që janë në këtë gjendje të keqe për shkak të përzgjedhjes së keqe të tjetrit.

    Njëri ushtron të drejtën e votës dhe prap hjek keq, mirëpo ky gjithmonë ma pak keq sepse vota e tij ka raste kur shpërblehet, kurse ai që zgjedh me injoru të keqen është idiot që i imponohet e keqja pa zgjedhjen e tij dhe rrallëherë shpërblehet.  Prandaj më së keqi janë idiotët. Nuk flas për idiotët që në psikologji cilësohen personat me të meta mendore, këtu kemi teë bëjmë me idiotë që në Greqinë antike janë quajtur personat që nuk kanë marrë pjesë në zhvillimet politike. Shkurt, një njeri që nuk ka votuar për shembull është quajtur idiotë dhe këta idiotë në Kosovë janë më së keqi duke refuzuar të participojnë dhe vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj zhvillimeve politike. Injoranca e idiotëve prandaj është gjithashtu shkaku për gjendjen që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e gëzojnë dhe ka sjell Kosovën në një finale të mbijetesës. Aty ky nuk luftohet për progres e zhvillim, por për mbijetesë dhe degradim. Progresi dhe zhvillimi që ju servohet nga lartë është “zhvillimi ekonomik më i miri në rajon dhe gati jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk jemi ndikuar nga krizat botërore” sepse këtu me qëllim konfuzohet opinioni duke konsumuar progresin selektiv si fitore. Në shikim të parë, duket mahnitëse! Sikur të kishim një jashtëtokësorë dhe t’i ofronim këto të dhëna me siguri se do të mbetej i impresionuar. Kjo ngjarje edhe mund të mbetej bindëse me kusht që jashtëtokësori  të na besoj se këto të dhëna janë e vërteta absolute dhe të mos lejohet të ketë qasje për botën që na rrethon.

     Në të njejtat kushte jashtëtokësori kishte me u impresionuar edhe në Afganistan sepse Afganistani, prej vitit 2003 deri në vitin 2012 ka pasur një rritje ekonomike me mesatare 9.3% kurse në vitin 2012/13 ky zhvillim ekonomikë ka ngritur në 11.8%. Janë statistika që dokumentojnë se zhvillimi i ekonomisë në Afganistan ka pasur ngritjen më të lartë në botë në 10 vitet e fundit. Mirëpo kjo mbetet gjithmonë impresionuese vetëm për jashtëtokësorët në kushte të izoluara ngjashëm sikur në kohën e komunizmit kur propaganda e Enver Hoxhës ishte i vetmi mjet informimi dhe në izolim u thoshte popullit se Shqipëria është një kopsht me lule kurse e gjithë bota vdes urie. Kurse për ata që dëshirojnë ta kuptojnë kafshatën që po e kapërdisin ka më shumë se atë që ju servohet. Për shembull raporti i UNICEF-it të vitit 2010 tregon se papunësia për të rinjtë nën moshën 25 vjeqare është 73%. Sondazhi i QKSS-së tregon se 1/3 e popullsisë deklarohet se dëshirojnë të shpërngulen nga Kosova dhe mbi 20% shprehen se gjendja ekonomike është përkeqsuar. Sipas Business Inisder, nga 25 vendet më  të mjera në botë Kosova zë vednin e nëntë. Ata që i keni zgjedhur të ju udhëheqin ju kanë shpërblyer juve dhe idiotët me një sistem gjysëm-autoritarë, siç e cilëson raporti i fundit nga Freedom House. Ju jetoni me një vend ku, sipas sondazheve, mbi 40% e qytetarëve nuk kanë besim në Kuvendin e Kosovës që përmban deputetë milionerë. Sipas sondazhit të UNDP-së, mbi 65% e qytetarëve të moshes 18-30 vjeq janë të pakënaqur me drejtimin e zhvillimeve politike. Kurse nga 176 vende, Transparency International na rendit në pozitën e 105 nga vendet më të korruptuara në botë në të njejtin nivel me Gambinë, Malin, Bolivinë.

         Prandaj, të gjitha këto të dhëna do duhej ta pozicionin qeverinë si një force të zhveshur pa gëzuar ndonjë legjitimitet. Megjithatë, marshi vazhdon dhe 14 vjet pas çlirimit të vendit që dikur e mendonim se do ta bëjmë një kopsht me lule, kemi një pjesë që zgjedh të marr rrugët e botës për të siguruar kafshatën e gojës, një pjesë që vazhdon të zgjedh të keqen dhe pjesa tjetër janë idiotët që vazhdojnë të mbesin indiferent ndaj zhvillimeve në vend.

    Dhe çka mbetet enigmatike është se pas gjithë kësaj skamje dhe degradimi pushtetarët ende mbesin më të uritur se populli.Sigurisht se një ndër fajtorët kryesorë janë idiotët që sikur zgjedhin të flasin me hije duke menduar se bota përfundon në shpellën e Platonit.Megjithatë, heshtja e juaj inkurajon edhe më shumë gjendjen ku jeni dhe forcon sistemin semi-autoritarë duke lënë të kuptohet se ata në krye po bëjnë një punë të mirë. Nuk kanë sesi të mendojnë ndryshe kur kanë një turmë që i votojnë dhe një tjetër që kanë zgjedhur të mos zgjedhin ndryshe që përkufizohet nga karakteri i Pogos që thotë “ne kemi takuar një armik, dhe ai armik jemi vet ne.”

    Është e arsyeshme që mungesa e alternativave në sistem ju lë të mbeteni idiotë mirëpo keni një solucion të vetëm që të ndëgjohet zëri juaj.Kjo mbetet hapësira dhe sheshet publike ku mund të shprehni paknaqësitë tuaja me anë të protestave paqësore pa ju bashkuar asnjë partie politike.Aty ku sot me miliona njerëz nëpër botë kanë zgjedhur të kundërshtojnë regjimet që nuk përfaqsojnë intereset e qytetarit dhe nuk kanë prioritet mirëqenien e tyre. Duhet të jetë e natyrshme ngritja e zërit kundrejt padrejtësive sepse edhe foshnja vajton kur ndjehet e uritur dhe britmat shpeshherë ndihmojnë sadopak në lirimin e dhimbjeve që përjetojmë kur truri na e shkëput vëmendjen, që së paku për momentin, na jep hapësirë të mos mendojmë për dhimbjen.

      Ekonomia në Kosovë edhe mund të ketë pasur rritje por dinjiteti dhe humanizmi në këtë vend ka degraduar. Të dhënat e ngritjes ekonomike mbesin impresionuese për ata që pranojnë të shofin botën përmes vrimës së qelësit, përndryshe, të gjitha raportet tjera dhe faktet në teren dëftojnë se ky vend është duke u përdhunosur. Ju mbeteni të konfuzuar duke konsumuar progresin selektiv si fitore.

            Ata që janë përgjegjës për të keqen e përbashkët dhe që përjashtojnë veten nga drejtësia që e kërkojnë nga unë dhe ti nesër do të amnistohen. Duke pa që fleni gjumë, kanë zgjedhur që krimin ta pastrojnë me amnisti në të gjitha hapësirat me afat të pacaktuar dhe nëse ti zgjedh të mbetesh idiotë dhe nuk kundërshton të keqen e përbashkët nuk mban asnjë të drejtë të fajësosh përzgjedhjen e së keqes së tjetrit por vetëm heshtjen tënde sepse zgjedhja, çfardo qoftë ajo, gjithmonë triumfon ndaj heshtjes. Nëse mendoni dhe nuk e ngritni zërin prap mbeteni përjashtimi i definicionit të eksitencës i formuluar nga René Descartes i cili e përkufizon ekzistencën me “mendoj prandaj jam” sepse ju ndoshta mendoni por nuk ekzistoni.

Dimal Basha/Twitter: @dimalbasha

www.dimalbasha.com

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dimal Basha, heshtja e idioteve

Bëni si t’ju them unë, por mos bëni si bëj unë

July 9, 2013 by dgreca

Reagim nga Hajro Çini M.A. Economics/

Lexova me vëmëndje shkrimin e Zoti Skënder Buçpapaj, dhe, edhe pse shumë miq të mi të mënçur më sugjeruan ta injoroja, si shkrim që merret kryesisht me personin tim se sa me opinionet e mija, por duke menduar se është një shkrim që është shkruar nga një njeri, të cilit i kam pas çmuar urtësinë, vendosa ti përgjigjem. Për etikë unë, ndryshe nga ai, nuk do të merrem as me anën e tij personale as edhe me atë familjare, por do të sqaroj disa pika ku ai edhe pse njeri i urtë, dukshëm është irrituar shumë dhe kjo ja ka errësuar disi arsyetimin deri në perceptim jo të drejtë të shkrimeve te mia të mëparshëm në disktutimet me Zonjën Elida Buçpapaj.

Zoti Buçpapaj shkruan se unë mëtoj t’ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Kjo fjali është shumë larg të vërtetës, që për një gazetar profesionist, siç kanë dëshirë të paraqiten bashkëshortët Buçpapaj, duhet të jetë e pacënueshme. Pse?

Unë nuk i kam kërkuar kurrë askujt në jetën time ti imponoj diçka, aq më tepër një gazete, por në respekt të vetë Gazetës Dielli, të themeluesve të saj si dhe të lexuesve, jam shprehur se cilësia e disa shkrimeve të Zonjës Buçpapaj, ku në shkelje të plotë të etikës dhe profesionalizmit ajo denigron çdo kënd që nuk i shkon pas fillit, shkel konfidencën e këtyre njerëzve duke publikuar pjesë nga jeta krejt personale e tyre që nuk janë në interes publik. Konkretisht Zonja Buçpapaj shkruan:

“Më bëri përshtypje një koment nga Enver Bytyci për « replikën » e z. Çini i cili shkruan: «Une nuk e njoh autorin e ketij shkrimi. Por ky shkrim eshte profesional, ne nivelin e shkrimeve te gazetareve perendimore. Zj Bucpapa ne deklarimet e saj nuk shfaq ate profesionalizem, te cilin e shohim ne shkrimin e z. Cini.“ Nëse ky Enver Bytyçi është ai që njoh unë, po ju tregoj një histori. Rreth viteve 2003-2004, Enver Bytyçi shkon në Gjermani për të kërkuar statusin e azilantit politik dhe sa vendoset aty i dërgon një letër Skënder Buçpapajt, kryeredaktor për dhjetë vite i gazetës Bota Sot, që t’i krijohej mundësi bashkëpunimi dhe Skënderi për ta mbështetur e pranon menjëherë. Tani po na thotë se nuk e njeh këtë z. Çini, por i duket profesionist dhe ndërsa për mua nuk thotë fare më njeh a s’më njeh, punë e madhe fort, porse shkrimi im nuk i duket profesionist! Që më njeh, nuk ka dyshim, sepse kur Enver Bytyçi kërkonte të bashkëpunonte tek Bota Sot, unë botoja gati për çdo ditë editoriale, pra ai e di shumë mirë orientimin tim politik, dhe se si gazeta Bota Sot, me një tirazh prej 200 mijë kopje, e mbështeste opozitën e Shqipërisë dhe liderin e saj Sali Berisha! Ndërkohë nuk më intereson fare se çfarë mendon Enver Bytyçi për profesionalizmin tim” – See more at: https://gazetadielli.com/replike-me-te-gjithe-ata-qe-i-konsiderojne-lideret-shqiptare-te-pagabueshem/#sthash.Zw7WD9G1.dpuf

Për mua ky është nivel i papranueshëm etik, apo intelektual dhe për këtë unë jam shprehur:

Në liri e drejta e shprehjes, e drejta e përzgjedhjes, e drejta e vlerësimit, apo jo, dhe shumë të drejta të tjera janë vlera kaq themelore sa që ti imponohesh dikuj, qoftë edhe me dashamirësi, është e jashtkohshme. Kështu edhe me letrën që një djalë 16 vjeçar, plot ëndërra, i lutet Dr. Berishës të mos largohet nga politika dhe Dr. Berisha me shumë kulturë përgjigjet. Një akt i tillë ka shqetësuar jo pak një zonjën Buçpapaj, që e mban veten për gazetare, dhe përpiqet ti imponohet të tjerëve që të mos e lexojnë atë këmbim. – Apo Së fundi, të marrësh atributet dhe statusin e gazetarit, duhet në rradhë të parë duhet, mendoj unë, të mos jetë ithtar politik i cilido krahu qoftë, apo më keq, kur të prishen pazaret, të hidhet nga ithtar në kundërshtar të rreptë. Një rast i tillë tregon shumë edhe për integritetin professional apo etik të gazetarit dhe sipas standardeve ndërkombetare të gazetarit profesionist, të skualifikon direkt nga ai status. – See more at: https://gazetadielli.com/votimet-me-te-mira-te-organizuara-ndonjehere-ne-shqiperi-dhe-qejf-mbetja-gazetareske/#sthash.g4BsjO6g.dpuf

Për të cilin Zoti Buçpapaj, që e ka reputacionin e njeriut të urtë, por që në rastin konkret i mllefosur shprehet:

“shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj” – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Lexues të nderuar ju lutem shikojeni qartë se kush është profesionali apo etiku dhe kush është arroganti.

Zoti Buçpapaj, duke mos e kontrolluar dot mllefin, e trajton shkrimin tim si diskutim organizate partie, duke më quajtur edhe sevdalli manjak. Shopenhauer është shprehur:

“Every man takes the limits of his own field of vision for the limits of the world.”

Njeriu e mat tjetrin me kutin e vet. Ndryshe nga Zoti Buçpapaj, që ka një ekperiencë të gjatë në mbledhjet e organizatave të partisë, nga ajo e PPSH, para 1990, tek PD 1991-2005, në pritje të ndonjë oferte të rradhës, dhe natyrisht jo të fundit, unë nuk kam qënë asnjë ditë antar i PPSH-së, as një ditë antar i PD-së dhe për integritet personal dhe intelektual nuk kam ndëmend të aderoj në asnjë parti politike. Asnjë nga prindërit e mi nuk kanë qënë kurrë antar të ndonjë partie.

Kam mbështetur Dr. Berishën, sepse e kam konsideruar zgjidhjen më të mirë kombëtare ashtu siç kam mbështetur në Kosovë Dr. Rugovën. Gjithnjë kam akuzuar PS, (dikur PKSH dhe PPSH) si një parti të themeluar nga Beogradi dhe me agjendë antikombëtare. Konsekuent i qëndrimeve të mia politike dhe kombëtare, ndryshe nga ata të Zotit Buçpapaj, kam qënë kritik ndaj ish Presidentit Topi, që në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, e kishte kthyer Presidencën në një partiçkë politike në favor të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Asnjëherë nuk e kam takuar personalisht Zoti Topi, as edhe kam komunikuar ndonjëherë me të, kështu që arsyet personale që aludon zoti Buçpapaj, janë vetëm haluçinacione të një njeriu që i mat të tjerët me kutin e tij.

Zoti Buçpapaj i jep të drejtën vetes të masë edhe aftësitë e mia profesionale në fushën ku unë kam studiuar, fushë që kam mbrojtur me sukses në Universitetin e Torontos edhe Titullin “Master of Arts”, që atë e ka shqetsuar deri sa edhe ta përmëndi në shkrimin e tij. Nuk i vë faj. Ai mund të ketë parë plagiaristë që i vjedhin punimet shkencore të tjerëve për ti paraqitur si të tyret. Kam pasur dikur një shok, që ka shërbyer edhe si ambasador ne Washington, të cilit ja morën punën shkencore me preteksin e redaktimit për të mos ja kthyer më. Por problemi nuk është këtu. Ai nuk arrin të kuptojë kodin elektoral të Shqipërisë, edhe pse e citon në favor të ish presidentit Topi. Ai nuk e kupton se numri i zgjedhëzve është përcaktues në numrin e deputetëve vetëm kur plotësohen disa kritere të tjera specifike. Unë jam shprehur se PS ka më pak deputetë se më 2009 edhe pse e pa konsumuar nga pushteti. Më 2009 PS arriti të marrë 66 deputetë, sot nuk arrin më shumë se 63, sepse 3 në listën e saj janë të LSI – së. Ai nuk kupton, nuk arrin të dallojë midis organizimit të zgjedhjeve, proçesit të votimit, numurimit të votës me shpejtësi dhe saktësi, për të cilat u arritën standarte të lartë dhe të respektuara në Perëndim, dhe shitbjerjes të votës, që u bë nëpër shtëpia, nëpër klube, në rrugë e kudo. Edhe pse kjo ishte dhunë finaciare mbi zgjedhësit, kjo nuk cënonte meritën e qeverisë në organizimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri. Kaq ishte detyra e qeverisë. Ajo nuk mund të kontrollojë integritetin e çdo votuesi. Kjo është pjesë që duhet parë nga organet e hetimit.

Zoti Buçpapaj shprehet: “që në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri” (rikthimit të komunistëve në pushtet – shënimi im) shpreson që të ndikojë edhe në “emancipimin” e mendësive të mia që unë të mos merrem më me Zonjën Buçpapaj. Qesharake. Unë nuk jam marrë për asnjë minutë me Zonjën Buçpapaj, por me mungesën e profesionalizmit, etikës dhe saktësisë së shkrimeve të saj.

Së fundi Zoti Buçpapaj e mbyll shkrimin:

“Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t’i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t’ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

 – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Ju lutem shikojeni edhe një herë inkonsistencën llogjike. I jep të drejtën vetes dhe së shoqes të sulmojnë personalisht këdo, dhe kërkojnë që të tjerët të mbyllin sytë para inkonsistencës llogjike, përpara mungesës së etikës, saktësisë, profesionalizmit dhe të vërtetës.

Hajro Çini M.A. Economics

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Hajro Cini, reagim

KOLË MIRDITA- MIRDITORI ATDHETAR QË ME GJAKUN E TIJ I DHA DRITË KOSOVËS

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Mr.sc. Nue Oroshi/

Mirdita historikisht është njëra ndër krahinat më të njohura shqiptare ku u ruajt tradita, besa burrëria, feja dhe çdo gjë e bukur dhe e madhërishme që i takon kombit shqiptar. Mirditasit përveç besës dhe burrërisë, ata, janë shquar edhe për luftëtarë të fortë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Po e jap vetëm një rast gjatë një periudhe historike, me rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lidhje e cila kishte gjithsejtë rreth 18.000 luftëtarë, e, prej të cilëve 10.000 ishin Mirditorë që udhëhiqeshin nga komandanti i tyre suprem Prenk Bib Doda, i cili ishte edhe Kapidan i Mirditës, që, llogaritur në përqindje del se 60% të forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përbëhej nga Mirditorët. Mirditorët historikisht janë udhëhequr nga Dera e Kapidanit të Mirditës, derë e cila u shqua për një qëndresë të gjatë historike dhe një sakrifikim sublim për kombin dhe atdheun e robëruar.

Mirditorët gjatë periudhave historike patën edhe lëvizje të ndryshme. Një pjesë e Mirditasve u vendosen edhe në Kosovë, kryesisht në rrafshin e Dukagjinit, ky ishte edhe një shkas për Prenk Bib Dodën që në Konferencën e Londrës t’i kërkoi lordit Beconsfild një zonë të gjerë te Mirditës, e cila do të përfshinte 58 bajraqe, domethënë edhe komplet Dukagjinin. Në këtë frymë kombëtare të ruajtjes së zakoneve të të parëve me tiparet e besës dhe burrnisë duke u bazuar në moton “Komb e fe, besë e Burrni”, u kalitën edhe shqiptarët Mirditorë të cilët ishin të vendosura në zonën e Lugut të Drinit, ku edhe në këto vise edhe pse larg Mirditës mirditorët e Kosovës ishin të lidhur ngushtë me Luftëtarët e tjerë Mirditorë të cilët u shquan në luftëra të ndryshme.

Edhe Lugu i Drinit, siç quhej zona ku ishin të vendosur mirditorët, u shqua nëpër periudha të ndryshme historike, ku spikatë formimi i qetës së Fandit me 400 luftëtarë e të cilët udhëhiqeshin nga Pjetër Qeli- Luka, Zefi i Vogël, Zef Gjidoda, Pjetër Ramaja e shumë luftëtarë të tjerë kombëtarë të cilët me bekimin e Don Luigj Palajt iu bashkuan qetave të Isë Boletinit dhe u shquanë në Beteja historike e sidomos me vendosjen e flamurit Kombëtar shqiptar në qendrën shpirtërore të shqiptarëve në Shkup.

Më pas, në Lug të Drinit e kemi qëndresën e luftëtarit të Shqipërisë Etnike, Ndue Përlleshit me shokë, i cili me luftërat dhe qëndresën e tij bëri që Lugu i Drinit të ishte një vatër e qëndresës antikomuniste, pa harruar edhe shumë e shumë luftëtarë tjerë të kësaj ane të cilët e bënë “dekën si me le”, dhe, të gjithë luftëtarët e Shqipërisë Etnike e kishin komandën e tyre në Mirditë që udhëhiqej nga Kapidan dr. Mark Gjon Marku komandant i përgjithshëm i luftës antikomuniste në të gjitha viset etnike shqiptare.

Edhe familja e Kolë Gegë Mirditës gjyshit të dëshmorit të kombit Kolë Mirdita ishte vendosur nga Spaqi i Mirditës në Ranoc të Lugut të Drinit. Kolë Mirdita duke trashëguar gjenin e pastër kombëtar nga të dy anët, pra nga ana e gjyshit Kolë Gegë Mirdita dhe ana e Dajës Pjetër Jaku pa harruar atdhetarizmin, besën e burrninë që me shekuj e kanë trashëguar Mirditorët atdhetarë, e, ai në vend të jetës rinore në robëri, zgjodhi luftën për liri, edhe pse i ri atë asnjëherë nuk e mashtroi jeta e një të riu, por me virtyte të larta kombëtare ku me pushkë në krah flamur në gji e uratë në dorë mori rrugën e daljes zot tokës së Arbrit. Kjo të kujton betimin që atdhetarët nacionalistë të Shqipëri Etnike gjatë përgatitjes për çlirim e bashkim kombëtar e jepnin betimin në Flamur, revole dhe në Bibël e Kuran, për t’i dalë zot tokës së Arbërit. E, me siguri edhe nëna e Dëshmorit Kolë Mirdita do të ketë pasur njohuri rreth këtyre betimeve të nacionalistëve shqiptarë se, si bijë e atdhetarit Pjetër Jaku, do të ketë parë dhe dëgjuar betimin e atdhetarëve të Shqipërisë Etnike, dhe djalin Kolën e përcjell me flamur e uratë, si në balada të vjetra shqiptare ku thuhej “Biri i Lokës paqe uratën”, “ti la pranë penën dhe shpatën”. Kola e la penën për ta rrokur armën derisa ra heroikisht me 9 Korrik 1998 te Rrasa e Zogut në kufirin shqiptaro shqiptar ku ranë edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë.

Trupi i dëshmorit Kolë Mirdita i bëri rojë atdheut edhe pas rënies heroike, e ku si në balada të lashta shqiptare bashkëluftëtarët gjëmojnë e nuk vajtojnë për dëshmorin e rënë për liri, ata e gjetën trupin e tij ku iu ndihmoi urata që e mbante si testament në besimin hyjnor dhe flamuri kombëtar në betimin se, deri në pikën e fundit të gjakut do ti dal zot tokës Arbërore. Rënia e Kolë Mirditës në moshën 22 vjeçare për lirinë e Kosovës është një rënie e një idealisti atdhetar, gjaku i të cilit i bën dritë Kosovës, kushtrimi i tij për liri është kushtrim brezash për të mbrojtur tokën e Arbrit, aty ku bukës i thuhej bukë e ujit ujë, ku nënëloket tona me ninullat e tyre na kanë rritur duke na kujtuar, se nga vijmë, kush jemi dhe nga jemi, ndërsa babëlokët tanë nëpër odat e burrave kanë treguar ngjarje historike, dhe, kështu që brez pas brezi dhe djalë mbas djali janë trashëguar nëpër brezni, duke iu lënë amanet brezave për të vazhduar luftën për liri aty ku e kanë lënë të parët.

E aty ku e kishin lënë Prenk Mirdita e Pjeter Jaku të cilët, që të dy, ishin pushkatuar nëpër periudha të ndryshme historike, nga forcat pushtuese serbe, e kishte vazhduar dëshmori i kombit Kolë Mirdita, i cili me qëndresën heroike u bë shembull i sakrificës sublime se si duhet të luftohet, punohet e vdiset për atdhe. Gjaku i Kolë Mirditës dhe trimave të tjerë u bë shkëndija drite për lirinë e Kosovës, liri e cila fatkeqësisht po keqpërdorët nga tregtarët e flamujve. Por koha e tregtarëve të flamujve është kohë kaluese, kurse gjaku i Kolë Mirditës dhe trimave të tjerë do të mbetet përgjithmonë i pashlyer në gjurmët e historisë, ku emrat e dëshmorëve të kombit janë kalitur në faqet më të ndritura të historisë tonë shqiptare. E në këto faqe të historisë në panteonin e figurave kombëtarë është shënuar me shkronja të mëdha edhe një emër. Kolë Mirdita, Mirditori atdhetar që me gjakun e tij i dha dritë Kosovës.

 

 

 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5354
  • 5355
  • 5356
  • 5357
  • 5358
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT