• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DESHMIA E KRYEPROKURORIT TE JANINES

April 8, 2013 by dgreca

“Çamët, jo fajtorë për kolaboracionizëm, më urdhëruan të zhduk përgjithmonë dosjet”/

Kryeprokurori i Janinës, Vasilios Xhavellas, në emër të Gjykatës së Diktimit në Janinë, me anë të shkresës me Nr. Prot. 1837 Urdhri Nr.17835/1976 i Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 1976, që e ka detyruar të shkatërrojë dhe të zhdukë përgjithmonë të gjitha dosjet për popullatën çame Të gjitha dosjet gjyqësore të popullsisë së dëbuar çame nga Greqia duhej të asgjësoheshin, – këtë fakt e ka konfirmuar Vasilios Xhavellas, ish-kryeprokurori i Janinës, gjatë një letërkëmbimi që ka patur në vitin 1976 me Ministrinë e Brendshme të Greqisë. Njëra prej letrave ka rënë në duart e shtetit shqiptar dhe i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme të asaj kohe. Kopja e përkthyer ndodhet në Arkivën e Ministrisë së Jashtme ( e klasifikuar me vulë si dokument koefidencial), ndërsa është e qartë se në duart e shtetit shqiptar mund të ekzistojë edhe ndonjë kopje e dokumentit origjinal të shkruar në gjuhën helene. I pari që e ka trajtuar një skandal të tillë ka qenë publicisti Mentor Nazarko, i cili, në librin “Lufta e fundit”, e ka bërë të qartë se shteti grek ka urdhëruar shkatërrimin e dosjeve të popullsisë çame. Dokumenti është i datës 29 shtator të vitit 1976. Kryeprokurori i Janinës, Vasilios Xhavellas, në emër të Gjykatës së Diktimit në Janinë, me anë të shkresës me Nr. Prot. 1837, në kuadër të një korrespondence zyrtare intensive të atyre kohëve, i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Rendit Publik të Greqisë. Kjo përgjigje vinte pas shkresës zyrtare që Drejtoria e Shërbimeve Kriminale e Ministrisë së Rendit në Greqi i dërgoi ish-kryeprokurorit Xhavellas, duke i kërkuar këtij të fundit që t’i vinte në dispozicion të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame. Pasi është njohur me këtë kërkesë, nga ana e tij Xhavellas ka dërguar shkresën në fjalë, duke pranuar se me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë këto dosje ishin zhdukur! Ish-kryeprokurori i Janinës ka specifikuar në këtë letër se ka qenë urdhri Nr.17835/1976 i Ministrisë së Drejtësisë që e ka detyruar atë të shkatërrojë dhe të zhdukë përgjithmonë atë dokumentacion. Ish-kryeprokurori Xhavellas arsyetonte se në bazë të urdhrit që kishte marrë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë kishte për detyrë të “avullonte” të gjitha dosjet e proceseve gjyqësore penale, të atij të diktimit të Janinës deri në vitin 1970, të Gjykatës Penale të Kolaboracionistëve të Janinës, Artës, Prevezës, deri edhe në vitin 1950, si edhe të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët. Nga ç’mund të kuptohet nga krahasimi i urdhrave del se kërkesa për të zotëruar dokumentacionin nga ana e Ministrisë së Brendshme vinte fill pas urdhrit që Ministria e Drejtësisë helene kishte dhënë për asgjësimin e këtyre dosjeve…. Arsyet e zhdukjes Kryeprokurori i Janinës, në përgjigjen që i ktheu kërkesës së Ministrisë së Rendit, e sqaronte se këto dosje ishin asgjësuar për shkak se Ministria e Drejtësisë mendonte se ato nuk kishin më vlerë dhe se të gjithë të akuzuarit (çamët që ndodheshin në Shqipëri) nuk rezultonin fajtorë tashmë që kishin kaluar shtatë vjet nga marrja e këtyre vendimeve, pasi gjatë kësaj periudhe këta të akuzuar nuk ishin njoftuar për prezencën në gjyq, apo nuk ishin vënë në dijeni për vendimin e marrë nga gjykata ndaj tyre. “Duke i konsideruar këto vendime si asnjëherë të komunikuara dhe që nuk kanë qenë aspak në fuqi si të tilla ( të zbatuara), pra si jopërfundimtare”, – shkruhet në përgjigjen që ish-kryeprokurori i kthen Ministrisë së Rendit të Greqisë. Më tej, në përgjigjen e tij, ai e mbështet këtë arsyetim (për të zhdukur dosjet) në Nenin 549 të së Drejtës së Vjetër Penale. Ky pohim i ish-kryeprokurorit të Greqisë duket se “hedh në erë” një pretendim shumëvjeçar të Athinës Zyrtare, e cila e ka konsideruar popullatën e përndjekur dhe të dëbuar të Çamërisë si kolaboracioniste të fashizmit. Sakaq, diferenca mes pretendimit që shpreh Ministria e Drejtësisë Greke dhe Diplomacia e këtij vendi është absolutisht kontradiktore, pasi të paktën vetëm nga ky dokument, ish-kryeprokurori i Janinës artikulon qartazi se vendimet e marra nga gjykatat greke ndaj popullsisë çame nuk mund të konsiderohen si përfundimtare për shkak të moszbatimit të disa parimeve themelore gjatë gjykimit të çështjes. Asgjësimi përtej përplasjes serioze që konstatohet mes institucioneve të drejtësisë greke dhe diplomacisë së saj, duket se vendimi për të asgjësuar këto dosje ngre pikëpyetje të tjera. Kjo pasi të gjitha dosjet e gjykimit të popullsisë çame në mungesë maksimalisht do të përbënin një argument të fortë juridik në të ardhmen ose minimalisht do të manifestonin një material të denjë për arkivat e historisë e më gjerë. Kësisoj, minimalisht Ministria e Drejtësisë Greke në vitin 1976 ka eliminuar mundësinë e një transparence në lidhje me gjykimet që i janë bërë popullsisë came, e cila u prezumua si bashkëpunëtore me nazizmin. Edhe kësaj here duket se qeveria greke ka treguar kujdesin e duhur ndaj “pastërtisë” së arkivave të saj. Gjithnjë shteti grek është treguar shumë i rreptë në kontrollin që i bënte arkivave në lidhje me çështjen e përndjekjes dhe dëbimit të popullsisë çame. Një shembull i qartë që e vërteton këtë gjendet në librin “Lufta e fundit”, në të cilin del qartë se nga referimet që autori Nazarko i ka bërë një studiuesi grek të çështjes, ky i fundit pohon se “është tmerrsisht e vështirë dhe thuajse e pamundur” që të sigurohen dokumente në arkivat shtetërore greke. PS: Botoi”Kombetare”. E dergoi per DIELLIN, z. Sali Bollati

 

Filed Under: Histori Tagged With: Camet jo fajtore, Deshmia e kryeprokurorit te Janines

PROPAGANDË SERBE NË OKB

April 7, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Vuk Jeremiq, në kapacitetin e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi këtë të mërkurë, më 10 Prill.   Debatin  do ta hapë presidenti serb Nikoliq dhe në debat do të marrë pjesë edhe zevendës-kryeministri i parë i Serbisë, Vuçiq.

Më së pari një shpjegim se cili është roli dhe pse u krijua Gjykata  Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, 20-vjetë më parë.   Gjatë dy dekadave të fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka mbrojtur viktimat e luftës, ndërkohë që ka dënuar ata që kanë  kryer krime lufte mbi popullësinë e pafajshme civile, si edhe ata që kanë bërë abuzime të rënda të të drejtave të njeriut gjatë  dekadës së 90-ave të luftërave në ish-Jugosllavi.   Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, themeluar 10- vjetë më parë,  gjithashtu ka luajtur një rol me rëndësi për dënimin e  atyre që kanë bërë krime lufte, si dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.   Qëllimi i gjykatave ndërkombëtare, pra është, për të dënuar keqbërsit dhe për të promovuar  dhe mbrojtur të drejtat e viktimave të pafajshme  dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut,  anë e mbanë botës.

Vendimi i Jeremiqit, që në emër të Serbisë të organizojë një debat, për atë që në humë qarqe ndërkombëtare po shikohet si një përpjekje propagandistike e Serbisë për të diskredituar punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës – nuk është hera e parë që Beogradi është munduar të  bindë botën me versionet e tij, tani të diskredituara, për ato që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi gjatë 20 vjetëve të fundit.   Por ndryshimi me përpjekjet e përparshme të Serbisë,  është se tani Beogradi  ka njeriun e vet në Kombet e  Bashkuara,  i cili po përpiqet që pretendimeve të Serbisë t’u japë vulën zyrtare të ligjëshmërisë së OKB-së, pasi ai në kapacitetin e tij si president i Asamblesë së Përgjithshme, është i autorizuar të shkruaj raportin përfundimtar të debatit, natyrisht nga pikpamja e zyrtarëve të Beogradit dhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Kinës.    Këjo është një situatë e hapët e asaj që quhet si “konflikt interesi”, gjë që asnjë person ose organizatë me reputacion nuk ia lejon vetvetes.  Ky është një rast, ku një zyrtar i Kombeve të Bashkuara,  ndryshe nga obligimet e detyrës së  tijë, për t’i shërbyer organizatës për të cilën punon, po shfrytëzon  detyrën e tij për përfitime personale dhe të vendit të tij –dhe në dëm të së vërtetës dhe në përpjekje për të ndryshuar ose falsifikuar historinë  e dy dekadave të fundit.

Serbia është tepër e dëshpëruar se Gjyqi i Hagës liroi kohët e fundit ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinajn dhe dy anëtarë të tjerë të UÇK-së, gjë që sipas nën-kryeministrit serb Vuçiq, “ka tronditur të gjithë serbët”.   Zyrtari  i lartë serb tha gjithashtu  se qeveritë që në të kaluarën kanë mbështetur punën e Gjykatës Ndërkombëtare, sipas tij, na qenkan “shokuar nga vendimet përfundimtare të kësaj gjykate në lidhje me gjenralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, por edhe Haradinaj”, shtoi zyrtari serb Vuçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Individë, shtete dhe organizata të ndryshme kanë shfaqur moskënaqinë e tyre në lidhje me debatin e OKB-së të sponsorizuar nga Serbia.   Ndër të parët që shprehu mos aprovimine tij për mabjtjen e këtij debate,  ishte Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, gjykatësi Theodor Meron.   Ai, sipas Radios Evropa e Lirë, foli para disa ditësh në Institutin Brookings në Uashington  ku kritikoi ashpër vendimin për debatin  në OKB, duke thënë se ky vendim për zhvillimin e debatit mbi punën e Gjykatës, parashtron pyetje dhe ven në dyshim, ”kushtet themelore të sundimit të ligjit”, duke shtuar se, ky nuk është  “një debat, në të cilin pjesmarrja ime do të jepte ndonjë kontribut të rëndësishëm ndaj normave ligjore në të cilat besoj unë.”   Gjykatësi Meron u tha pjesmarrësve në Institutin Brookings se, “shpallja e pafajësisë, ashtu si edhe shpallja e fajësisë, tregojnë se sistemi  është i shëndetshëm, se ai funksionon.”

Siç duket, Kroacia dhe Bosnja, ndër të tjera, kanë shprehur moskënaqsinë për këtë  debat të organizuar nga Vuk Jeremiqi dhe janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në të.  Radioja b-92 në Beograd  citon agjencinë Tanjug se as Uashingtoni zyrtar nuk ka mirëpritur këtë debat, ndërsa citon një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit se ka thënë që ai beson se debati i ardhëshëm  në OKB do të përdoret për qëllime propagandistike të Serbisë.

Por,  vendet që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë,  janë Rusia dhe Kina të  cilat vazhdimsiht kanë përkrahur agjendën serbe në OKB, sidomos kundër mos njohjes dhe mosantarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.   Sipas gazetës serbe Veçernje Novosti, Moska dhe Pekini kanë shprehur gatishmërnë e tyre për të marrë pjesë në debatin e OKB-së të organizuar nga Vuk Jeremiqi.

Ndër organizatat jo-qeveritare që kanë reguar ndaj mbajtjes së këtij debati janë edhe  Kongresi i Boshnjako-Amerikanëve të Amerikës Veriore dhe Këshilli Konsultativ për Bonsje-Hervegovinën, të cilët, në një letër drejtuar ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Susan Rajs  — shprehin shqetsimin e tyre në lidhje me atë që ata cilësojnë si agjendë e Jeremiqit në Kombet e  Bashkuara  dhe në të njëjtën kohë shprehen se,  “Vuk Jeremiqi, si president i Asamblesë së 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, po vazhdon të përdorë  Kombet e  Bashkuara si një platform të tijen për të përhapur agjendën nacionaliste serbe duke organizuar këtë debat dhe njëkohësisht është duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.”    Në letrën e tyre këto dy organizata boshnjake në Amerikë, me të drejtë thonë se, “Dokumenti  ‘zyrtar’ në lidhje me debatin që do të mbahet në Prill, pritet të përmbajë pikpamjet serbe  mbi luftërat në ish-Jugosllavi, në kurriz të fakteve tanimë të mirë dokumentuara dhe  të drejtësisë.”    Boshnjako-amerikanët theksojnë, në letrën e tyre drejtuar ambasadores amerikane pranë OKB-së, se “rishkrimi dhe falsifikimi i historisë është prioritet i agjendës së nacionalistëve serbë”,  dhe njëkohësisht ata i bëjnë thirrje  asaj, “Si shtetas amerikanë, por edhe si viktima të spastrimit etnik dhe  të gjenocidit, që mohuesit e gjenocidit të mos lejohen të përdorin Organizatën e Kombeve të  Bashkuara si paltformë të tyren për përhapjen e propagandës urrejtëse dhe gënjeshtarve.”

Ky është objektivi i vetëm i Vuk Jeremiqit për organizimin e këtij debati, por njëherazi është edhe një përpjekje e koordinuar mirë nga autoritetet zyrtare të Beogradit  për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare në të kaluarën, tani dhe më vonë ndaj serbëve të dëlnuar për krimet e tyre në luftërat e Ballkanit – por është  edhe një përpjekje nga ana e tyrepër të përmirësuar  reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.  Nën-Kryeministri serb Vuçiq u citua nga media serbe se debati në Kombet e Bashkuara, “është një rast i mirë për të paraqitur një pikpamje tjetër mbi gjëndjen në Ballkan, një pikëpamje tjetër mbi Serbinë”.

Është ablsolutisht e pa kuptueshme se si Organizata e Kombeve të Bashkuara lejon që  ajo të përdoret si platformë e nacionalizmit serb duke mundësuar zhvillimin e këtij debati.  Ky është një problem me të cilin këjo organizatë duhet të merret seriozisht, nëqoftse dëshiron që reputacioni i saj të mos keqësohet edhe më tepër në rajonin e Ballkanit, ku mos-angazhimi dhe mos veprimi i sajë përballë krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik nga forcat serbe gjatë luftërave në Ballkan mbahet, është një përvojë tepër e hidhur për tu harruar, sidmos nga populli boshnjak.   OKB-ëja, duke lejuar mbajtjen e këtij debati, është duke hedhur krip në varrët trupore dhe shpirtërore të qindëra mijëra viktimave të terrorit serb në Ballkan.   Këjo masë dëmton, për të mos thënë se minon, besimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, “Zhvillon marrëdhënje miqësore midis kombeve, në bazë të respektit për parimin e të drejtave të  barabarta dhe të vetvendosjes së popujve.

Udhëheqsit serbë, siç tha edhe vet  nën-kryeministri serb Vuçiq, shpresojnë që  në fund të këtij debati, Ballkani dhe bota të ketë një “pikpamje tjetër për Serbinë”.   Mirëpo, këjo nuk mund të arrihet me përpjekje të njëanshme për debate në forume ndërkombëtare siç është edhe OKB-ëja, me qëllim shtrëmbërimi dhe falsifikimi të historisë së hidhur të 20-vjetëve të kaluara në atë rajon.   Popujt e Ballkanit dhe bota do të kenë pikpamje tjetër nga ajo që kanë sot për Serbinë, vetëm e vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet që udhëheqsit e saj kanë bërë në emër të saj dhe njëkohësisht tu kërkojë falje viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, në Bosnje dhe Kroaci.   Vetëm atëherë, popujt e Ballkanit dhe bota mund të ndryshojnë pikpamjet e tyre mbi Serbinë si shtet dhe mbi serbët si popull.

Një gjë e tillë do të ishte më e pranueshme dhe më e vlefshme se sa çdo debat në OKB ose kudo tjetër, që më në fund do të çonte drejtë pajtimit eventual midis popujve të Ballkanit dhe në një paqë të qendrueshme në atë pjesë të botës, e cila ka aq shumë nevojë për një pajtim të tillë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne OKB, propogande serbe

7 Prilli 1939: Mosnjohje dhe mosmirënjohje!

April 7, 2013 by dgreca

NGA PROF. SAMI REPISHTI*/

Shtatëdhjetë e katër vjet ma parë, më 7 prill 1939, forcat e armatosuna të Italisë fashiste sulmuen Shqipërinë pa shpallje lufte formale. Ky agresion i çveshun nga çdo justifikim, u paraqit si dëshira e popullit shqiptar të çlirohej nga regjimi i monarkisë dhe veçanërisht nga personi i Mbretit Zog I. Nji gënjeshtër të këtillë, që paraqitej para botës së qytetnueme nga kalemxhinjtë dhe kasnecët e fashizmit italian, nuk e besojshin as italianët.

Mbrapa gënjeshtrës qëndrojshin divizionet italiane në punën e tyne të ndytë të okupacionit në Shqipëri me synime agresive të matejshme në Ballkan, Ajo që më shtyri sot të shkruej ashtë nji ndjenjë pakënaqësie e madhe për mosnjohjen e ngjarjeve të 7 prillit 1939, dhe akoma ma shumë, për mosmirënjohjen e sakrificave të dëshmorëve që paguen me jetë kundërshtimin e agresionit fashist.

* * *

Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (v. III, 2007): “Gjatë luftimeve u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Më i njohuri u bë Mujo Ulqinaku” (f.367). Sipas kapitenit anglez Smith, i pranishëm në ngjarjet, “…mbrojtësit u mundën vetëm nga numri i madh i sulmuesve, dhe mbasi (shqiptarët) shtrinë përtokë shumë prej tyne “(po aty). Burime të ndryshme konfirmojnë se zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës. “Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “(po aty). Kjo “Histori…” tregon se “…italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur. Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368) Në kujtimet e tij, dëshmitari okular, kolonel Sami Koka, shkruen: “…Në tentativat e para të italianëve për të shkelur në bregun tonë, pati të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të plagosurit e tyre dhe të vrarët për në kryqëzor; po atë gjë bëmë edhe ne më tanët, por me mjetet primitive dhe me zemër të madhe…”(S. Koka. Kujtime) “Në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…” (ASHeSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…

Gjatë luftimeve pati disa të vrarë e të plagosur edhe nga shqiptarët. Njëri pej tyre ishte luftëtari Hamid Vashko (f.368). “Luftime u bënë edhe në Sarandë…. Italianët që shkelën tokën e Shqipërisë lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Edhe nga shqiptarët u vranë mjaft”. (f.370) Profesor Brndt Fischer (Indiana U., SHBA), në librin Albania at War-1939-1945 (1999) shkruen: “…Më 7 prill 1939, rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuen Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Sarandën… Me pak përjashtime, ushtria shqiptare (e stërvitun nga italianët, SR) nuk luftoi… Vetëm Gjindarmëria (e stërvitun nga anglezët, SR) duket se dëshironte me rezistue…. Mbrojtësit, gjindarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50 fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuen nji numër të konsiderueshëm viktimësh, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit zgjatën dy-tre orë.

Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuen vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Në Vlorë nuk ka pasë nji rezistencë të randësishme… Në Shëngjin …nuk ka pasë ma shumë se 6 a 7 të vramë nga secila anë”.(F.22) Fischer përfundon: “…. Ka mundësi që afër 200 italianë mbetën të vramë në Durrës dhe se numri i përgjithshëm i viktimave italiane arrin shifrën 700. Viktimët shqiptarë mund të kenë qenë edhe ma të mëdha” (po aty). Ky konstatim i Fischer-it gjindet në Arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH). Simbas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklarue: “Sikur shqiptarët të kishin pasë nji brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hjedhë në Adriatik”. (Fischer, 23. Nga dokumentet italiane të kapun nga gjermanët.) U deshën rreth 40 ditë që ushtria italiane të shtrihej në të gjithë Shqipërinë”, shkruen V. Duka “Historia e Shqipërisë 1912-2000” (Tiranë, 2000, f.210), por autorja nuk flet fare për viktimët. Anton Logoreci The Albanians-Europe’s Forgotten Survivors.(London, UK. 1977) kufizohet me këtë frazë: “Më 7 prill 1939, mbas nji përleshje të shkurtë, por të ashpër, forcat italiane okupuen shumicën e vendit mbrenda pak ditësh” (f.64).

Nji botim autoritativ amerikan, Federal Research Division, Library of Congress, “Albania: A Country Study” (1992), përshkruen ngjarjen: “Më 7 prill 1939, trupat e Musolinit invaduen Shqipërinë. Me gjithë rezistencën kokëforte por të shkurtë, veçanërisht në Durrës, italianët i mundën shpejt shqiptarët”. Autorët shtojnë: “Mbreti i Italisë, V. Emanueli III, e kritikoi invazionin e Shqipërisë si “…nji rrezik i panevojshëm”. (f.32-33) “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” (Ed. H. Myzyri et al. Tiranë, 2001) jep këtë përshkrim: “Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmuen Shqipërinë dhe zbarkuen në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, njësitë e ushtrisë shqiptare të drejtueme nga Abaz Kupi, u bënë qëndresë pushtuesve. Në këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292)… “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë…” (p.293). Konfuzioni në paraqitjen e ngjarjeve të njenit nga momentet ma fatale të historisë sonë kombëtare nga historianët shqiptarë tregon në esencë mosnjohjen e këtyne ngjarjeve dhe mungesën serizoze të kërkimeve në arkivat e shteteve të vendeve kryesore. Ky manifestim negativ nuk justifikohet! Ai mund të spjegohet me faktin se: a) Me okupimin fashist të vendit, autoritetet italiane dhe shërbëtorët e tyne shqiptarë kanë ba pothuejse të pamundun nji studim të ngjarjeve, dhe sidomos glorifikimin e viktimave të kësaj tragjedie kombëtare; dhe b) me ardhjen e pushtetit komunist u ba nji rregull i detyrueshëm mos me paraqitë të kaluemen në dritën e së vërtetës.

Qëllimi i regjimit të kuq ishte të mbulohej me nji rrjetë harrese e kaluemja e jonë, kështu që “aventura komuniste” në Shqipëri të shkëlqente sa ma shumë. Historia e Shqipërisë fillonte me 29 nandor 1944. Vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku u ruejt. Abaz Kupi u naltesue në fillim dhe u demaskue ma vonë si agjent i fuqive të hueja. Dëshmorët e tjerë i mbuloi harresa, që vazhdon edhe sot. Njizetë e dy vite të “tranzicionit” nuk kanë pasë sukses me shembë këtë mur harrese të plotë. Me përsëritë gjykimin e profesor Fischer: “Shqipëria dhe populli i saj kanë kalue shekullin (njizetë) relativisht në errësinë, agresioni i 7 prillit 1939 ka qëne nji rast i shkëlqyeshëm për shqiptarët me i tregue botës karakterin liridashës dhe shpirtin e sakrificës në ditët e vështira. Ky rast i rrallë, fatkeqsisht, u humb për fajin e klasës politike shqiptare të kohës”. Ai e spjegon këtë fenomen si “…papjekunia e nji entiteti politik (Parathanje). Gjykimi i profesorit Fischer ashtë kapidar! Më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët kishin humbë rastin e shkëlqyeshëm me i tregue botës se cilët janë në të vërtetë shqiptarët. Mungesa e nji koncepti të nacionalizmit në shkallë “kombëtare” te shumica e paformueme politikisht dhe e paekspozueme e ideve perëndimore të “shtetit” dhe “demokracisë” si vlera të nalta permanente, dhe fanatizmi i ruejtes së identitetit të fshatit, qytetit ose krahinës dolën në shesh me të gjithë ashpërsinë e tyne gjatë invazionit fashist të Shqipërisë më 1939-n.

Fatkeqsisht, regjimi komunist e thelloi akoma ma shumë ndasinë krahinore dhe nji plagë e këtill na mundon edhe sot! Edhe ma keq! Kjo “klasë politike shqiptare e kohës” u komprometue plotësisht me nënshtrimin e saj pa rezerva padronit të ri. Më 14 prill iu dhurue kunora e Skënderbeut Mbretit të Italisë. Ma shumë se gjysma e deputetëve ishin nga ish-garnitura monarkiste dhe personalitete të Monarkisë. Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve. Ministria e Jashtëme dhe ajo e Luftës u shkrinë me atë të Italisë. Mesazhi i Ministrisë së Jashtëme për legatat ishte: “Porositeni të mos bani asnji veprim diplomatik… Mbani gjithëherë kontakte të ngushta me përfaqësitë italiane… Kini besim të plotë në qeverinë fashiste etj.”. (I.Konomi. Faik Konica.-2012, f.204) Ndërsa Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe federata “Vatra” organizojshin demonstrata e protesta kundër invazionit italian dhe i drejtoheshin Presidentit Roosevelt “…për të shpëtuar Shqipërinë heroike, nji vend paqësor dhe i pambrojtur”, (K.211) kolaboracionistët e Tiranës udhëzonin F. Konicën që të bante çdo përpjekje me pengue këto manifestime patriotike.

Më 3 qershor u mbyll Ministria e Jashtëme dhe ajo e Mbrojtjes dhe kaluen në duert e italianëve. Përfaqësimi diplomatik u muer nga italianët. Diplomatët mbetën pa mbështetje, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, që nuk njohën pushtimin fashist, dhe përfaqësuesët shqiptarë, Asaf Xhaxhuli në Ankara dhe Abdyl Sula në Kajro, mbajtën legatat të hapuna gjatë gjithë viteve të luftës. Shqipëria po varrosej pa ceremoni! Akuzat e historianëve shqiptarë së “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë” janë vetëm pjesërisht të vërteta dhe pjesërisht mbeturina të historiografisë komuniste. Në SHBA kemi protestat e ministrit F. Konica pranë DASH dhe mirëkuptimin e autoriteteve amerikane. “Kam ardhur të protestoj pushtimin e vendit tim nga Italia”, i tha ai sekretarit të Shtetit, C. Hull, i cili mori kontakt të menjiherëshëm me Presidentin F. D. Roosevelt. Në orën 5:30 mb.dr. të datës 7 prill 1939, Presidenti dhe C. Hull diskutuen në telefon pushtimin e Shqipërisë dhe “…vendosën të mos njohin pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç nuk kishin njohur aneksimin e Etiopisë më 1936-n, dhe se Konica do të njihej si përfaqësues i vendit të tij” (K.192).

Më 8 prill 1939, Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Pavarësia e vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale e çdo vendi të vogël në botë ka nji efekt mbi sigurinë dhe begatinë tonë kombëtare” (K.193). Po atë ditë, ish-ministri amerikan në Tiranë, Charkes Hart, deklaronte: “…rezistenca shqiptare ndaj forcave të mekanizueme të Italisë do të ishte e kotë, por kundërshtimi ndaj pushtuesit nuk do të vonojë; do të jetë sporadik, por i vendosun “. (K.193) Ndërkaq, shtypi serioz amerikan u jepte hapësinë deklaratave të ministrit Konica. Në mesditën e datës 8 prill, sekretari i Shtetit C. Hull lexoi këtë deklaratë: “Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë ashtë pa dyshim nji kërcënim tjetër ndaj paqes në botë. Do të ishte dritëshkurtësi të mos mbahej shënim ky zhvillim i matevijon nga faqja 1 Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. jshëm”. (K.194) Senatori William King e quejti pushtimin “…nji sulm burracak dhe i egër ndaj nji vendi të vogël….Qeveria italiane u suall më keq se një gjarpër me zile”.(K. 199) Më 14 prill 1939, Presidenti Roosevelt i bani thirrje qeverive të Gjermanisë dhe Italisë që të japin sigurinë se nuk do të sulmojnë 14 vende të Europës; vendi i parë ishte Shqipëria. Pse ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj pushtimit italian? Interesa madhore amerikane ishte të evitohej ballafaqimi me Musolinin dhe të mos shkaktohej nji afrim i tij me Hitlerin në nji front të përbashkët kundër Perëndimit.

Ka arsye me besue se largimi i Mbretit Zog I pa rezistencë, shuemja e shpejtë e rezistencës dhe nënshtrimi i menjiherëshëm i garniturës monarkiste që përfaqësonte “Shtetin shqiptar” ndaj okupatorit, duhet të kenë influence mendimin e diplomateve amerikanë. Britania e Madhe e Franca drejtoheshin nga kapitulluesit Chamberlain dhe Daladier respektivisht, të cilët kishin firmue Marrëveshjen e turpshme të Munich-ut (1938) tue sakrifikue Çekosllovakinë dhe nuk kishin asnji interes me shqetësue balancën e forcave të krijueme në Europë. Jugosllavia e pro-italianit Stojadinoviç ishte e kënaqun që trupat italiane nuk u vendosën pranë kufinit me Jugosllavinë. Greqia e diktatorit pro-fashist gjeneral Metaxas deklaroi se pushtimi i Shqipërisë nuk cenonte marrëdhanjet e mira në mes të Greqisë dhe Italisë fashiste. Para nji situate të këtillë vetëm rezistenca e fortë dhe e qëndrueshme shqiptare mund të kishte influencue opinionet qeveritare dhe do të kishte fitue simpatine e opinionit publik ndërkombëtar, tue e vendosë Shqipërinë pa rezerva në kampin aleat antifashist. Por invazioni ushtarak fashist i Shqipërisë shpalosi dobësitë e thella në strukturën e ushtrisë italiane. Italia nuk ishte e përgatitun për luftë. Pak dite ma vonë, Britania e Madhe nënshkroi Traktatin miqësor me Turqinë, nji shtet që nuk pranoi pushtimin italian të vendit tonë.

Ky akt me randësi tregon se u krijue nji atmosferë e frikës, e cila imponoi formimin e koalicioneve në mes të fuqive antifashiste, që do të përfundojshin në frontin e përbashkët të koalicionit të madh antifashist, e që gradualisht do të shkatërronte agresorët fashistë italianë, gjermanë dhe japonezë. Profesor Fischer shkruen: “Tani mund të thuhet se sakrifikimi i Shqipërisë nuk shkoi kot”(F.32). Nga ky mobilizim i forcave të Perëndimit (e njohun ma vonë si “Bota e Lirë”) lindi shpresa e rilindjes në popujt e shtypun, që përfundoi në organizimin e rezistencës kundër okupatorit edhe në Shqipëri. * * * Krahas mosnjohjes së ngjarjeve të 7 prillit 1939, sot revoltohemi edhe për mosmirënjohjen zyrtare që “shteti” dhe “shoqënia” shqiptare u detyrohen viktimave të 7 prillit. Lind pyetja: Si ashtë e mundun që në të gjitha përleshjet me agresionin në shumë pika të atdheut tonë të ketë humbë jetën vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku? Si ashte e mundun që mbas pesë orë luftimesh në Durrës, zbarkimet në Vlorë, Shëngjin e Sarandë, janë krye vetëm me nji viktimë shqiptare? Simbas nji dëshmie të besueshme, në muejin shtator 1943, menjiherë mbas kapitullimit të Italisë, autoritetet shqiptare kanë konfirmue vdekjen e 12 dëshmorëve të 7 prillit dhe kanë garantue pensionin e plotë për familjarët e tyne. Dokumentacioni për këtë akt dinjitoz duhet të gjindet në Arkivën e Shtetit të muejit shtator 1943.

Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. Kjo mosmirënjohje që jetojmë na sot ashtë nji turp i madh për të gjithë shqiptarët, nji trup që duhet shlye sa ma parë dhe sa ma plotësisht. (Theksimet e mia. SR)

* City University of New York

PS:Falenderojme Prof. Sami Repishtin qe e dergoi shkrimin per publikim ne gazeten Dielli

 

Filed Under: Histori Tagged With: 7 prilli, dhe mosmirenjohje, Njohje, Sami repishti

SHQIPTARET E MAQEDONISE SHPALLIN FITOREN NE ZGJEDHJET E SE DIELES

April 7, 2013 by dgreca

SHKUP-BDI shpalli fitoren në gjithë komunat ku garojë shqiptarët. SELA fiton STRUGEN/

Shqiptaret fitojne. Ky eshte kryelajmi qe vjen nga shqiptaret e Maqedonise. Kështu fitorja e BDI, sipas zëdhënësit të kësaj partie, Bujar Osmani, rezultoi në komunën e Çairit dhe në komunën e Vrapçishtës. Osmani theksoi se BDI në epërsi të madhe është në komunën e Tetovës me mbi 4700 vota. 
“Në epërsi edhe në komunën e Gostivarit, por ju lus që të keni durim që të arrijnë rezultatet dhe t’i shpallim para jush”, theksoi Bujar Osmani.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bëri të ditur se është në epërsi në të gjitha nëntë komunat ku garojnë shqiptarët.
Po kështu BDI shpalli fitoren në Haraçinë dhe Tearcë.
“Sa i takon rezultatit të zgjedhjeve, ne jemi në proces të numërimit të votave, por gjithandej ku janë numëruar votat, BDI është në epërsi në të gjitha komunat ku garojnë”, theksoi Bujar Osmani.
Ai vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë të ndershme dhe demokratike dhe se kjo është meritë e këtij subjekti politik që është pjesë e institucioneve.
“Këto zgjedhje janë fitore e demokracisë, të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, zgjedhje me standarde të larta demokratike, ku u shpreh vullneti politik i qytetarëve. Kjo ishte me shumë rëndësi dhe para rezultateve tona partiake, dhe qëllimi ynë ishte që të krijohet një standard i zgjedhjeve demokratike”, theksoi Bujar Osmani.

 

Strugë, fiton shqiptari Zijadin Sela/

SHKUP-Në Strugë fitonz gjedhjet kandidati shqiptar Ziadin Sela. Nga rezultatet e siguruara nga shtabi komunal dhe nga shtabi zgjedhor i kandidatit Sela, nga 27.587 vota, 19.323 vota kanë votuar për kandidatin Ziadin Sela, ndësa kandidati maqedonas Koçoski ka fituar 8244 vota.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Komunal (KZK), pjesëmarrja e votuesve ka qenë në Strugë mbi 65 për qind.
Në komunën e Strugës tashmë ka nisur festa për fitoren e Selës edhe pse kanë mbetur pa numëruar rreth 5 mijë vota, por nuk do të ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.

 

Zgjedhjet përfundojnë pa probleme

 

Ka përfunduar zyrtarisht raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Në orën 19 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në 29 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Në disa vendvotime janë shënuar parregullsi të vogla zgjedhore, për të cilat kanë raportuar organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve Most dhe Civil.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash u zhvillua në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kumanovë, Çair, Butel, Haraçinë, Bërvenicë, Resnjë, Debarcë, Studeniçan, Tearcë, Berovë, Manastir, Bogdanc, Veles, Vrapçisht, Dellçevë, Gjorgje Petrov, Jegunoc, Kavadar, Karbincë, Karopsh, Koçanë, Llozovë, Mogillë, Nagoriçani i Vjetër, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë dhe Qyteti i Shkupit.

Sipas të dhënave të KSHZ’së, dalja e votuesve në Strugë ishte 60.04 përqind, që dmth se kanë votuar 33,806 qytetarë. Në garë janë kandidati i PDSH’së dhe ai i listës së përbashkët VMRO-DPMNE dhe LSDM. PDSH në rrethin e dytë në këtë qytet ka në dispozicion edhe 9,000 votat e Arben Labënishtit, nga BDI.

KSHZ’ja pritet të shpallë një përqindje të rezultateve rreth orës 20. Diku rreth orës 21 do të mund të dihen fituesit në disa komuna, edhe pse vetëm bazuar në rezultatet e shtabeve partiake.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: shpallin fitoren, Shqiptaret e Maqedonise

Artistja e shquar, Vace Zela festoi pervjetorin e Lindje

April 7, 2013 by dgreca

Këngëtarja e madhe shqiptare, “Artistja e Popullit”, Vaçe Zela festoi te dielen 74-vjeçarin e saj. News24 ka mundur të kontaktojë me të dhe familjarët e saj, duke i përcjellë dhe urimet me të përzermërta për këtë këngëtare, fillesat e së cilës nisen që prej fëmijërisë në qytetin e Lushnjës nga ku ka dhe origjinën. Këngët e saj si “Çelu si Mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua”, “Moj e bukura Shqipëri”, e shumë të tjera do të mbeten gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.

Në shenjë mirënjohje për vlerën e saj të rralla si këngëtare, Vace Zela është nderuar në vitin 1973 me çmimin “Artiste e Merituar”, në 1977, “Artiste e Popullit” e mandej “Mjeshtre e madhe e punës” dhe “Qytetare Nderi e Lushnjës”.
Vaçe Zela ka marrë “Diskun e Artë” nga Amerika për kontribut në shoqëri në vitin ‘97, është zgjedhur gruaja e vitit ‘97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.(kortezi: Balkanweb)

Filed Under: Kronike Tagged With: e lindjes, urime 74 vjetorin, Vace Zela

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5502
  • 5503
  • 5504
  • 5505
  • 5506
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT