• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qytetarët e Gucisë votuan pro-Komunë

January 9, 2013 by dgreca

Sipas të dhënave të Këshillit Koordinues, në Guci votuan 2.669 votues, nga të cilët vetëm 3 vota ishin kundër formimit të Komunës së Gucisë, shkruan CDM.

Në referendumin konsultativ për formimin e Komunës së Gucisë, sipas rezultateve të para preliminare, në referendum dolën vetëm 35% të votuesve në Komunë të Plavës kurse në Guci rreth 58% të votuesve.

Sipas ligjit për organizimin territorial, së parit rezultatin e referendumit konsultativ e konfirmon Kuvendi Komunal i komunës nga e cila formohet komuna e re, në këtë rast Kuvendi Komunal i Plavës, e pastaj ky vendim i dërgohet Qeverisë.
Pasi komisioni i posaçëm shqyrton iniciativën dhe jep vendimin e tij, vendimin përfundimtar jep Qeveria dhe Parlamenti.

Edhe përkundër thirrjeve të partive shqiptare të cilat veprojnë në Plavë e Guci, sipas informatave jo-zyrtare janë rreth 40% të shqiptarëve të cilët dolën në referendum, shkruan Vijesti.

Për pjesëmarrje në referendum në Guci erdhën numër i madh i mërgimtarëve nga SHBA-të, Gjermania, Franca, Suedia, Holanda etj.

Pas Petnjices, qytetarët e të cilës vitin e kaluar gjithashtu votuan pro-Komunës, dhe pritet që në pranverë të kalojnë në shqyrtim në Parlamentin republikan, tashmë edhe Gucia votoi për Komunë në vete.

Festimi i qytetareve të Gucisë nisi pas shpalljes së rezultatit preliminarë, me fishekzjarrë nga ndërtesa e Bashkësisë Lokale e Gucisë, e cila është në ndërtim e sipër, dhe do të shërbej për administratën e komunës së ardhshme.

Rikujtojmë se iniciativa për formimin e Komunës së Malësisë u nis shumë kohë më parë se në Petnjice dhe Guci, por që premtimet e datat shtyhen vit mbas viti edhe pse Malësia si nga territori, numri i popullsisë e sigurisht edhe nga qëndrueshmëria socio-ekonomike është në gjendje shumë më të mirë se zonat e lartpërmendura.

Filed Under: Kronike, Rajon Tagged With: Beqir Sina, Gucia votoi, pro komune, referendum

NJË UDHËTIM NË VENDLINDJE PËR 100 VJETORIN E PAVARËSISË

January 8, 2013 by dgreca

Me grupin Rozafati të Qendërs Nënë Tereze pranë  Kishen Katolike Zoja e Shkoderës, i ftuar në Shqipëri gjatë festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.

 NGA AIDA BALAJ/

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, /

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, /

E me dije e me Lirí /

Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”/  (Fishta)/

Ma shumë se kurrë kto fjalë i kam ndie thellë në zemrën time gjatë ditëve të 100 vjetorit të Pavarsisë në Shqipni. Po ia za fill ktij tregimi prej Gushtit të kësaj veret 2012. Isha në Tiranë si çdo verë me baskshortin tim Gjergj Balaj. U ndalem për një vizitë shoqërore te zyra e Kryebashkiakut të Tiranës Luzim Basha. Gjate bisedimeve foli për përgatitjet që po bahen ne Tiranë për 100 vjetorin e Pavaresise. Në bisedë e sipër i thashë atij se edhe ne jena tui pergaditë në New York për këtë rast. “A e dini se kush eshte Rozafati në New York” – e pyeta? “Po – u përgjegj ai – është nji grup folklorik”. Gjergji i tregoi se djemtë tane janë anëtarë të këtij grupi. Ai tha: “Do të ishte shumë mirë në qoftë se disa valltarë nga grupi juaj të mund të vijnë në Nëntor per manifestimet ketu,”  Gjergji tha: “A asht kjo ftesë?” “Po!”, – tha Z. Basha. “Kjo do të jetë shumë mire. Unë do të përgatise një ftesë zyrtare dhe tua dërgoj”. Pas disa javësh Gjergjit i erdhi ftesa zyrtare per Rozafatin nga Bashkija e Tiranës.

Pasi folem me Famullitarin tone, Don Pjetrin, Fran dhe Gina Cotaj drejtorët e Rozafatit, Angjelina Nikën, koreografen e Rozafatit u treguam edhe fëmive e prindërve. Të gjithë ishin të interesuar. Të gjithë e pritën me gëzim këtë ftesë. Ishte nje rsat që vetem nji here mund te ndodhë në jetë. Çfarë privelegji dhe respekti ishte për ne si komunitet. Menjëherë nën drejtimin e Fran Cotajt  hapëm fushatën per te mbledhë fondet prej anëtarve  të famullisë të cilët e treguan bujarinë e tyre si gjithmonë. Ishte kontributi e te gjithëve që e bëri këtë vizitë të mundshme ashtu sikurse në një familje të mirë të gjithë ndihmojnë njëri – tjetrin.

Erdhi dita e nisjes! Çfarë gëzimi ishte per ne! Nje grup i vogel u nis disa ditë me perpara së të tjerët, Eriugen Gjoka, Klaudio Rroku, Zj.Liljana Elezovic, Gabriella Elezovic dhe unë djalin tim Martinin. Gjergji që kishtë mbërritur disa ditë më parë për të organizuar gjithcka na priti në aeroport. Me 23 Nëntor u nis grupi i dyte: Z. Fran Cotaj, Zj. Gina Cotaj, Zj. Angjelina Nika , Z. Gjelosh Vukaj, Jackie Kocovic, Veronica & Maria Juncaj, Veronika  & Nikoleta Cotaj, Vlora Gjokaj, Luli Vukaj, Daniel Tinaj, Jason Nika, Majko Ujka, Tony Lulaj dhe Agron Balaj.  Të gjithë bashkë drejt Hotel Mondialit ku qëndruam të gjitha ditët tona në Shqipëri. Këtij grupi të mrekullueshëm iu bashkua në ditët në vijim edhe veteran i grupit Roazafati, Fran Shala i cili me kamerën dhe simpatinë e tij ishte gjithkund i pranishëm.

E Diel 25 Nëntor . filluan festimet tona ashtu si duhet për të krishterë të mirë me meshë në Famullinë e Kamzëz. Aty na pritën me krahë hapur nën tingujt e këngës dhe të zërit të Gëzim Nikës që kishte mbushur krejt oborrin e Kishës: “Shqipëri o nëna ime”. Morëm pjesë të gjithë në meshë. Ishte  fantastike,  shumica ishin të rinj. Pas meshe filluan festimet në oborrin e Kishës. Kercyem dy valle me Rozafatin e pastaj me te gjithe famulline e Kamzës. Festimet vazhduan tek  Restoranti “Shpresa_Al” në Kamëz. Zoti i lokalit biznesmeni pukjan Lush Osmani, i cili është një anëtar i famullisë në Kamëz, na ofroi drekën. E falenderojmë per bujarinë e tij. Aty ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Kamëz Xhelal Mziu  i cili e befasoi krejt grupin duke i shpërndarë një certifikatë mirënjohjeje secilit.

E Hënë 26 Nëntor. Angjelina me dy valltarë të grupit, Veronica Juncaj  dhe Eriugen Gjoka bënë një intervistë në programin televiziv të mëngjesit në TV Planet. Po atë ditë në mbrëmje kemi ekzekutuar nji valle në Tiranë te Rruga Murat Toptani e ashtëquajtura “pedonale”. Ky ishte një Koncert Rock. Ne ishim i vetmi  grup folklorik atje. Kur fëmijët tanë dolen në skenë dhe kercyen Vallen e Tiranes, spektatoret brohoritshin me te madhe. Aty erdhën edhe të rinjtë e Famullisë së Kamzës. Pas performancës të gjithë bashkë ecëm në sheshin kryesor me qëllim që të merrnim disa fotografi afër  monumentit të Gjergj Kastriotit. Policia nuk na lejoi. Por papritur Kryetari i Bashkise Lulzim Basha erdhi tek sheshi  qe te na takoje. U përshëndet me ne të gjithë dhe me kënaqësi bëri disa foto me ne para monumentit Gjergj Kastriotit.

E martë 27 nëntor ne mengjes. Ne të njëjtën rrugë Murat Toptani ishte një koncert popullor.  Luzim Basha ishte i pranishëm. Kemi kërcyer vallen e Tiranes.  Pasdite Angjelina bashkë me dy valltarë të grupit Agron Balaj  dhe Nikoleta Cotaj dolen në një intervistë në Top Channel.(te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar te janarit)

Filed Under: Featured Tagged With: Aida Bala, me grupin Rozafa, ne Shqiperi

Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës

January 8, 2013 by dgreca

Shkrim me rastin e lindjes së Heroit tonë kombëtar Isa Boletini 16 Janar 1864/

Nga Mimoza Dajçi*/

Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, i shtruar disa herë në spitalin psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e as të na shkruante edhe ndonjë letër. Ashtu si mijra e mijra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së rregjimit komunist, kaloi dimrat e ftohtë nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Nën tortura e sipër humbi edhe një sy. Im atë ishte intelektual i formuar, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për kohën e atij regjimi të egër.

E dënuan nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafinieria e naftës, frytet e së cilës akoma edhe sot ish të burgosurit politikë të asaj periudhe nuk po i prekin e as po i shikojnë me sy. Tjetër kush i ka privatizuar ato vuajtje e mundime, vdekje e tortura që u ngrit ajo industri nafte në Shqipëri. Nejse, nuk dua të ndalem sot në këtë pikë, pasi privatizimet më mirë se unë i dinë ata  që meren me ato punë, por diku tjetër e kisha llafin.

Kur tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut, lidhur me hekura e të shoqëruar me katër policë në burgun e Ballshit, si njeri i rrezikshëm, kosovar i pathyeshëm, e që ishte  për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e këtij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në këtë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.

Gjenerali malazez – Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916  në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i gjeneral Veshkoviqit, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur edhe komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg  nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat e lagjes, e i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë  për duart e saj të arta, por sigurisht këtë profesion e ushtronte fshehurazi e në njerëz të besuar. Por nuk e lanë me kaq, sigurimi i shtetit, i a gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë rregjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që, në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin edhe nipin e Isa Boletinit – Enver Dajçin bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, Enver Dajçi, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.

Im atë kur u njoh me këtë situatë me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do ti dënojë historia, e jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”. Pas këtyre fjalëve në komandën e  “kampit” Ballsh tim atë e ridënojnë.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko pasi kryen dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana në Tiranë.

Ky është vërtetë një episod i vogël midis tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët, nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz që mbrojnë jetën, e kërkojnë drejtësi e paqe.

Isa Boletini lindi më 16 janar të vitit 1864, e po në atë muaj të lindjes së tij u vra pabesisht nga shovinistët malazezë më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë së bashku me të dy djemtë, nipat e tre bashkëluftëtarë që nuk i u ndanë për asnjë çast deri në momentin e fundit të jetës së tij. Por ai la pas nipër e mbesa plot. Luftëtarë të lirisë. Djem e vajza të reja pjesë e Ushtrisë Çlirimtare – UÇK të Kosovës, të cilët morën armët e luftuan për liri e pavarësi. Edhe sot ata nuk janë hakmarrës për krimet mostruoze serbe në Kosovë, por kërkojnë drejtësi e vetëm drejtësi. Janë pasardhësit e Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e heronjve të tjerë shqiptarë, bijtë e bijat e tij më të mirë të këtij vendi që sakrifikuan jetën për liri e bashkim kombëtar, e jo për shtypje e vrasje, por për paqe e drejtësi.

New York, Janar 2012

*(Një nga pasardhëset e familjes së Boletinëve)

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Isa Boletini, me rastin e pervjetorit, Mimoza Dajci, te lindjes

ME SHQIPTARËT NË NATËN E VITIT TË RI NË TORONTO

January 8, 2013 by dgreca

Nga: Avdulla Kënaçi/ Mbresa/

Si kurrë ndonjëherë gjatë muajit dhjetor të vitit që sapo lamë pas, pati shumë diskutime midis shqiptarëve të Torontos se ku do ta kalonin natën e Vitit të ri. Atmosfera e festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë na bashkoi edhe më shumë me njeri- tjetrin. Secili dëshironte me zemër që të vazhdonte kjo afri e dashuri midis nesh. Sa më shumë që avitej nata e Vitit të Ri, aq më shumë u ndezën si zjarre reklamat e personave apo kompanive që merren me organizimin e eventeve të tilla. Natyrisht që ky është një biznes, megjithëse organizatorët çdo vit ankohen se dalin me humbje.

Por është një bashkësi që nuk bën fare reklamë, as njoftime. Midis nesh njihet si “Grupi i Fierit”. Kishim ca të njohur në atë grupim dhe qysh më parë ne, si familje, kishim hedhur fjalën se do të ishim aty po qe se do të kishte vënde të lira. Ishim me fat, tri ditë përpara natës së Vitit të Ri na lajmëruan se mund të ishim pjesë e mbrëmjes… Ata kishin krijuar një traditë prej tetë vjetësh, por si do ta kalonim ne midis tyre? Ashtu, të ndrojtur zumë vend në “krye të qoshesë” dhe prisnim të fillonim. Dy të njohurit tanë, Vojsava me Bekimin nuk dukeshin gjëkundi, por i harruam shpejt nga që na dolën miq e të njohur të tjerë, Zeqiri me Evën e mbi të gjithë Iliri me familjen e tij.

– Nga janë të ardhur gjithë këta lir? – e pyeta unë.

– Kryesisht nga Fieri e Lushnja, por ka edhe nga Vlora, Gjirokastra, Elbasani dhe Tirana, përgjithësisht kanë mbrritur këtu me aplikim dhe janë familje intelektualësh. Ne jemi të vëllazëruar midis njeri- tjetrit, por është kënaqësi t’u kemi midis nesh, ju jeni të mirëseardhur, e kalofshi gëzuar! Unë nuk jam i vetëm – vazhdoi ai – që e menaxhoj këtë mbrëmje. Bashkëpunëtorët e mi janë Faik Muca me origjinë nga Elbasani dhe Sokrat Ndoni nga Lushnja, të dy inxhinierë, edhe ata merren me organizimin, kontraktimin e sallës, etj,. Ndërsa gratë dhe femijët tanë kontribuojnë në drejtim të zbukurimit, dekorimit të sallës, përgatitjes së dhuratave dhe anëve të tjera administrative si njoftime e shpërndarje biletash, etj. Pjesëmarrësit janë kryesisht nga Shqipëria e jugut dhe ajo e mesme. Ky komunitet në shumicën e rasteve është stabël nga viti në vit, me përjashtim të rasteve të pakta, kur ka pjesëmarrës të rinj (sic ishit ju këtë vit). Profesionet e pjesëmarrësve janë nga më të ndryshmit (kryesisht të ardhur në Kanada me mënyrë aplikimi duke filluar nga mësues, mjekë, inxhinierë, menaxhues pronash, etj.

Nuk kaloi shumë dhe ne u ndjemë si në shtëpinë tonë duke bërë aty për aty plot miq të rinj. Promotori i mbrëmjes ishte Iliri dhe familja e tij. Ai vetë kishte vënë mbi krye një kapele të kuqe kaubojsi me një shqiponjë të zezë përpara, dykrerëshe. Kishte sajuar në mënyrën e vet flamurin kombëtar shqiptar. Dy vajzat e tij, Ilma, studente në Universitetin e Torontos për gjuhë frënge me aparat fotografik në dorë dhe Blinera, maturante, sistemonin të sapoardhurit duke iu drejtuar secilit me respekt e mirësjellje, ndersa e ëma, Majlinda, buzëgaz kujdesej për fëmijët duke u shpërndarë secilit lodra dhe ëmbëlsira. Pranë kompjuterit në rolin e DJ ishte djali i tyre, Erblini, edhe ai student. Jo vetëm kishte bërë një punë të kujdesëshme për zgjedhjen e repertorit, por edhe të montazhit e hedhjes në DVD të festimit të mbrëmjes së një viti më parë. Të ngjante se familja Karroqe kishte një sebep dhe ne ishim të ftuarit e saj. Ish mesuesin e gjuhes angleze dhe tani agjent i shitjes se pronave, Ilir Karroqe e njihja edhe më parë, por nuk e dija se ai kishte dhunti për shoumen sepse pas pak vura re se si mori mikrofonin dhe duke u ngritur mbi një podium të sajuar nisi të këndonte. Krejti i lirshëm, pa komplekse dhe kurdoherë i qeshur; në cdo tavolinë krijonte atmosferë të gëzuar e festive. Jo vetëm ne, të ardhurit rishtazi, por secili ndjhej si në shtëpinë e vet.

Muzika shqiptare përhapej valë-valë në cdo cep të sallës. Gati harruam doktoreshë Vojsavën dhe bashkëshortin e saj, Bekim Xhelilin, me profesion zooteknik, kur ja ata u dukën në hyrje.

– Po ku ishit, na bëtë merak, menduam se nuk do na vinit…

– Isha unë në punë – dëgjoj afër veshit zërin e Vojsavës – ta kam sjellë edhe librin.

THuajse më ishte fshirë nga kujtesa, ajo më kishte premtuar se do më sillte një libër interesant “Turqia midis dy botëve” të shkruar nga një gazetar amerikan. Vojsava e dashuron letrësinë dhe lexon lirshëm në anglisht. E kujtoj nga Tirana në vitet e trazirave’97-98 ku banonte në një shtëpi me qera me bashkëshortin pa punë dhe dy djemtë në shkollë. Ishte e stresuar në se do t’i aprovohej kërkesa për t’u vendosur familjarisht në Kanada, ose jo. E quante si të vetmin shpëtim. Para disa vjetësh e takova në qendër të Torontos, pyeta në se ishte e kënaqur me jetën këtu.

– Shumë e kënaqur…ta puth në ballë Kanadanë – më tha plot vendosmëri.

– Po si është e mundur, jeton përsëri me qera dhe nuk je në profesionin tënd?

Kam djemtë në shkollë, djali i madh po diplomohet për jurist, jemi të gjithë në punë dhe unë po hedh provime një pas një.

Ka të drejtë ta gëzojë më shumë se të tjërët këtë vit të ri, ajo ka siguruar punë në spital, ka blerë shtëpi të bollshme, djali i madh i është diplomuar dhe tjetri vazhdon studimet e larta per ekonomi. Nuk thonë kot që Amerika e Veriut është vendi i realizimi i ëndërrave për secilin.

Miku im Zeqir Cama, poet, u bë xheloz për librin dhe e mori ndër duar dhe nuk iu durua pa thënë se pse nuk ia solli atij. E shfletoi shpejt e shpejt dhe tha si nëpër dhëmbë:

– Qënka në anglisht.- duke ma lëshuar me indiferencë midis gjunjëve.

Atmosfera në sallë sapo vinte dhe elektrizohej nga vallet, kërcimet e të rinjve, dollive, lodrave dhe këngëve që porositeshin sipas shijeve të grupeve të vecanta. Mesnata na gjeti të gjithëve me fishekzjarre në duar. Majlinda ishte kujdesur që secili të kishte flakadanin e vet. Urimi i madh:”Gëzuar për të gjithë!” erdhi e u ngrit në qiell së bashku me harenë, të qeshurat dhe brohoritjet…

– Cdo vit qofshim kështu edhe më të bashkuar ne shqiptarët e Torontos….

Përmes urimeve në gjuhën shqip, u ndamë shumë vonë, gati afër mëngjesit kur gjithë qyteti i Torontos, i mbështjellë nga acari dhe mjergulla, kishte rënë në qetësi.

Isha i impresionuar nga edukata, dashamirësia dhe korrektesa e secilit, si nuk u dëgjua një grindje, një shamatë, një zë i lartë… e krahasova këtë mbrëmje me atë të vitit të kaluar në një sallë tjetër me një çmim bilete tre herë më të lartë, kur jashtë, në hyrje të sallës ishin vendosur tri makina policie dhe kur dola ishin bërë gjashtë. Dikush nga grupet e shqiptarëve ishte rrahur….

Kaloi një javë nga festa e Vitit te
ri dhe mbesa ime e vogël, gati tre vjece, Emma, pyeti:

– Kur do shkojmë prap në dasëm?

Po, ashtu ishte, si një dasëm familjare me 120 vetë të ftuar, të gjithë shqiptarë të mirë e të edukuar….Mirupafshim përsëri!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Avdulla Kenaci, mbresa, me shqiptaret, naten e Vitit te Ri, ne toronto

DASHURIA PËR JURIDIKUN KA QENË ËNDËRR FËMIJNORE PËR MUA

January 8, 2013 by dgreca

Ajo që më mundon më shumë është padrejtësia, e pavërteta parimore dhe mashtrimet, -thote advokatja shqiptare nga qyteti Malmö i Suedisë Saranda Iseni/

Shkruan: Sokol DEMAKU/

 Dashuria për Juridikun ka qenë ëndërr fëmijënore për mua. Kur kam marrë lajmin se jam pranuar në fakultetin e Juridikut ka qenë një ndjenjë e papërshkruar për mua.

Jam ndjerë krenare por në të njejtën kohë kam ndjerë përgjegjësi të madhe.

Juridiku është një degë shumë e rëndë, kërkon zotësi gjuhe, shumë punë, disiplinë dhe shumë kohë.

Lumturi të madhe me falë buzëqeshja dhe përgjigjet e sinqerta të fëmijëve te mi!

Ajo që më mundon më shumë është padrejtësia, e pavërteta parimore dhe mashtrimet.

Ndërsa per sa i perket gjimnazit mundem lirisht të shprehem se ka qenë një ndër periudhat me te bukura te jetës sime. Kanë qenë shumë vite te frytshme, zhvilluese dhe të paharruara në shumë aspekte të jetës sime. Mirë e kishte Migjeni me vargjet e tija :”E qeshu rini qeshu, bota është e jote”.

Në punën time takoj njerëz nga e gjithë bota. E rendësishme për mua dhe të gjithë avokatët e tjerë është të zgjedhim problemet në mënyrë të drejtë ligjore dhe të ju ndihmojmë atyre që kanë nëvojë. 

Mbretëreshen Viktoria te Anglise që udhëhoqi shtetin 63 vjet , me gjatë se cdokush tjetër. Arsyeja e parë që Viktoria më pëlqen si personalitet historik është mosha e saj e re si udhëheqëse vendi, dhe mënyra e zotësisë për të mposhtur maskarenjt. Siq burri i saj Alberti shpesh i thoshte : “Zotësoi rregullat e lojës dhe luaji ato me mirë se ata te tjerët qe duan te të mposhtin”.

 

Kush është  Saranda Iseni?

 

Pergjigje:Jam 31 vjecare, e martuar dhe kam dy femije. Jam nga qyteti Ohër , Maqedoni. Jetoj qe 12 vjet në Suedi. Jam juriste e diplomuar në Fakultetin e Juridikut në Lund, Suedi. Jetoj në Lund se bashku me familjen time. Punoj si juriste në Malmö, në zyrën time Juridikut Juristfirman Saranda Iséni.

 

Keni krye  shkollën fillore dhe të mesme (degen e pergjithshme) i ka kryer në qytetine Strugës, Maqedoni. Çfarë mundë të na thoni për këtë kohe të rinisë suaj?

Pergjigje:Përsa i përket viteve në shkollën fillore mund të them se kanë qenë të aktivuara në recitim poezish dhe dëshirë të madhe për të shkruar poezi dhe tregime të ndryshme. Po ashtu kanë qenë vite lëngimi pasiqë babai më la shumë të vogël. Isha 10 vjecare kur babai nderroi jete. Humbja e babait më preku thellë në zemër, më shuajti dashurinë fëminore dhe me ngjalli zbrazetirë shpirtërore. Por ne te njejtën kohë me dhuroi forcë dhe guxim të shoh përpara, të përmbaj familjën time, të ndihmojm njeri-tjetrin, të jemi të lumtur dhe gjithmonë të bashkuar.

 

Ndërsa per sa i perket gjimnazit mundem lirisht të shprehem se ka qenë një ndër periudhat me te bukura te jetës sime. Kanë qenë shumë vite te frytshme, zhvilluese dhe të paharruara në shumë aspekte të jetës sime. Mirë e kishte Migjeni me vargjet e tia :” Qeshu rini qeshu, bota është e jote”.

 

Çka ju shtyri të migroni nga Maqedonia?

Pergjigje:Ka qenë bashkëshorti im dhe dëshira e madhe për të vazhduar studime universitare në Europë.

 

Është intersant të na thoni edhe këtë pse migruat mu në Suedi, cfarë  njohurish kishit për Suedine  ju atë kohë?

Pergjigje:Të them te drejten nuk kam patur njohuri të tepërta por pasiqë bashkëshorti im është i lindur dhe i rritur në Suedi me ka informuar mirë për mundësitë e studimeve universitare. Domethën arsimi universitar është pa pagesë përvec blerjës së librave natyrisht. Gjithashtu shteti suedez ju ofron studentëve mundësi që të mund të huazojn para nga shteti gjatë studimeve. 

 

Verën e 2007 keni lexua një kurs për juridik ne Universitetin e kallmar, pas nxënjës në SFI ku morët edhe njohurit e para në suedisht dhe mu në këtë kohë aritët te ia dilni me ate qellim tuaj, cka ju shtyri te lexoni këtë kurs?

Pergjigje:Arsyeja që unë vendosa të lexoj këtë kurs ka qenë shumë thjeshtë një prëgatitje dhe njohuri më lënden e juridikës pasiqë unë e kisha vendosur më parë se do ti përkushtohesha juridikës. Ka qenë një kurs shumë i begatshëm.

 

Mu këtë vit arritet të regjistroheni në Unievrsitetine Lund ne fakultetin Juridik dhe diplomuat në vitin 2010 cka mund të na thoni për këtë?

Pergjigje:Dashuria për Juridikun ka qenë ëndërr fëmijënore për mua. Kur kam marrë lajmin se jam pranuar në fakultetin e Juridikës ka qenë një ndjenjë e papërshkruar për mua.

Jam ndjerë krenare por në të njejtën kohë kam ndjerë përgjegjësi të madhe.

Juridika është një degë shumë e rëndë, kërkon zotësi gjuhe, shumë punë, diciplinë dhe shumë kohë. Si student i juridikës, gjuhës së huaj suedeze dhe prind i dy fëmijëve të vegjël ka qenë një periudhë shumë e vështirë pasiqë koha ka qenë shumë e kufizuar. Tani kur po e reflektoj e kuptoj se ato orët e kufizuara kanë qenë të begatshme dhe të diciplinuara. Gjithmonë e kam patur një qellim kryesor, dmth të diplomoj mirëpo gjatë gjithë viteve të studimit kam patur qëllime të vogla , dmth përqendrim të plotë për një kurs dhe pastaj përqendrim të plot për kursin tjetër dhe kështu me radhë. Qellimet janë shumë relevant për të realizuar një dëshirë, ëndërr apo thjeshtë për të arritur ate që njeriu më se tepërmi dëshiron në jetën e ti.

 

Në fillim keni punua si përkthyese në një zyrë avokatie në Malmö e pastaj në punë administrative në zyrë avokatie, cfare jane përshtypjet tuaja?

Pergjigje:Të punoja si përkethyese ka qenë shumë e dobishme për mua. Kam ushtruar dhe pasuruar fjalorin tim të gjuhës nga të dy anët. Përsa u përket punëve administrative mundem lirisht të shprehem se kanë qenë kohë  edukative, të dobishme dhe zhvilluese, pasiqë studimet e juridikës janë të përqendruara me se shumti  në teori kështuqë te punoja më ceshtje praktike Juridikut gjatë studimeve ka qenë një dobi e madhe.

 

Si një e huaj, si e ndjeni veten në punën e avokatit?

Pergjigje:Të them te drejtën as që nuk jam ndjerë si e huaj pasi që jurisprudenca si lëmi shkencore nuk është e kufizuar vetëm te një pjesë njerëzore por është e gjithanshme. Në punën time takoj njerëz nga e gjithë bota. E rendësishme për mua dhe të gjithë avokatët e tjerë është të zgjedhim problemet në mënyrë të drejtë ligjore dhe të ju ndihmojmë atyre që kanë nëvojë. 

 

Tani keni firmën tuaj Juridikut, pas diplomimit 2012, ku kryeni punë të ndryshme Juridikut, beni perkthime nga shqip ne suedisht dhe anasjelltas dhe merreni edhe me qeshtjet azilit, është inetersant për lexuesit tanë të na thoni më shumë për këtë lami, kjo është një brengë e jona?

Pergjigje:Saktë.

Mirrem me degë të ndryshme ligjore dhe poashtu me ceshtje të azilit.

Keni te drejtë, ështe një brengë e madhe e jona. Rendësine e gjuhës shqipe e kam ndjerë me shumë në cështjet e azilit pasi që klientët mund të shprehen në mënyrën e tyre, parasegjithash në gjuhën e tyre dhe jo me ndihmën e një njeriu të tretë (përkethyesit). Për të arritur sukses në një kerkesë azili është e rendësishme të kesh kontakt të drejtëpërdrejte, dhe në këtë mënyrë shmangen të gjitha keqkuptimet. Pasiqë vendimi i Entit të Emigracionit mirret nga ato të dhëna që kerkuesit e azilit i kanë thenë gjatë intervistave të ndryshme.

 Për ata që kërkojn leje qëndrimi është e rendësishme të kenë mbështetjen dhe sigurin e dikujt. Të shpërngulesh nga vendlindja nuk është e lehtë por të vendosesh në një vend të huaj është edhe më e vështirë. Është sikur të jesh i verbër dhe i shurdhër në të njejtën kohë.  

 Sa ka arritur Saranda të krijoje shokë apo shoqe në një mes të ri, në një vend me kuturë tjetër nga ajo që ne kemi dhe cfare janë kontaktet tuaja sot me vendorët?

Pergjigje:Përsa i përket rrethit shoqëror dhe jetës sociale jam shumë e zgjeruar. Kam kontakte miqësore dhe bashkëpunuese me suedez/vendore dhe poashtu firma të ndryshme avokature. Si për shembull Advokatfirman Malmbergs AB dhe zyra avokature “Haxhia dhe Hajdari”.

Jam e hapur për bashkëpunime të reja dhe në lemi të ndryshme jo vetëm Juridikut.

Çfarë është aktiviteti juaj kur kemi te bejmë me profesionin tuaj këtu si juriste, cfarë eshtë ndihma e juaj për bashkëkombasit tonë azil kërkues?

Pergjigje:Aktiviteti im më i rëndësishëm në profesionin tim është thënia e të vërtetës ligjore pa marrë parasysh se në cfarë lemi te juridikës bënë pjesë. Faktikisht, besimi dhe vecanërisht sekreti profesional janë tepër relevant në profesionin tim. Për mua si përfaqësuese juridike ligjore është e rëndësishme që ti besoj klientit tim por poashtu është e rëndësishme për punën time që klienti të beson në fjalët e mia dhe fshehtësin time, domethën në sekretin profesional që ka të bejë me cështjen aktuale.

Qëllimi dhe aktiviteti im është që në cdo cështje juridike pa marrë parasysh lemin te jap 100%, domethën të bejë të pamundurën.

Ndihma ime për kërkuesit azil është e shumanshme dhe relevante. Unë kontribuoj me gjuhën shqipe, ju lehtësoj marrjen e informatave, vendimeve dhe apelimeve. Ndihma më e madhe për kërkuesit azilit është mirëkuptimi im i përjetësive të tyre. Për të kuptuar hallin/problemin e dikujt duhet përjetuar ose jetuar në atë vend, me ato tradita dhe probleme. Në ketë aspekt ndjehem me e fortë dhe mund të bej ndryshim. 

Po ashtu edhe kërkuesit azil shqiptarë janë shprehur se ata ndjehen më të lirë, te sigurt dhe me të qetë me një përfaqesues juridik shqiptar. Mundohem të ju ofroj sa më shumë mbështetje, miresjelle dhe ndihmë të shumëfishtë dhe të pakufizuar.

 Një jurist kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër.  Si është nga natyra Saranda?

Pergjigje:E mirësjelltë, dashamirëse, e organizuar, kurioze dhe e vendosur.

 Cilat personalitete historike pëlqeni më shumë?

Pergjigje:Mbretëreshen Viktoria te Anglis që udhëhoqi shtetin 63 vjet , me gjatë se cdokush tjetër. Arsyeja e parë që Viktoria më pëlqen si personalitet historik është mosha e saj e re si udhëheqëse vendi, dhe mënyra e zotësisë për të mposhtur maskarenjt. Siq burri i saj Alberti shpesh i thoshte : “Zotësoi rregullat e lojës dhe luaji ato me mirë se ata te tjerët qe duan te të mposhtin”.

Arsyeja e dytë është se mbretëresha Viktoria është një shembull konkret – se cdo gjë është e mundurë. Domethën edhe kur askush nuk beson në aftesin dhe zotësin tende duhet përseri besuar në vet vete dhe berë zbatim, sepse cdo gjë është e mundur me besim në vetvete dhe vetëvlerësim.

 Nëse kjo lami që keni studujuar nuk do të ishte profesioni juaj, ne cfarë profesioni do e gjente vetën më mirë se në gazetari Saranda?

Pergjigje:Në profesionin e aktrimit.

Të bëhem aktore ka qenë gjithmonë një dëshirë dhe ëndërr e imja. Të them të drejtën e kam patur ketë deshirë paralelt me juridiken. Shpresoj që një ditë të këndon një zog pranvere në dritarën time dhe të më ofron edhe me të voglin rol aktrimi. Do të ishte një kënaqësi dhe përjetim i papërshkruar edhe nese bëhej fjalë vetëm për një rol të vogël aktrimi.

 Sa jam i informuar, ju merrenie dhe me shkrime, cili është motivi i juaj në poezitë tuaja?

Pergjigje:Shkruaj shpesh për dashurinë në përgjithësi dhe sidomos për fëmijët. Po ashtu shkruaj për mallin dhe mungesën e babait që ka prekur thellë zemren time fëmijënore. Një plagë e përjetshme.

 E  lexoni revistën në shqip ”Dituria”që bothet në Skandinavi, c’ka mund te na thoni për te?

Pergjigje:Në radhë të parë ju përgëzoj për punën e mrekullueshme që bëni. Është lexim i këndshëm dhe i gjithanshëm. De facto është një mundësi e cmuar për të gjithë shqiptarët kudo që janë të kenë mundesi të njohin njëri tjetrin, të bashkëpunojnë njëri me tjetrin, të informohen për njëri tjetrin dhe para se gjithashë me gjuhën e ëmbël amtare. 

 Urime të perzemerta dhe suksese të metutjeshme me gazetën tuaj të cmuar. Ju lumtë për punën që bëni. Respekt te vecant!

 Planet tuaja për të ardhmen, cka Saranda mendon dhe ka në fokus?

Pergjigje:Planet e mia janë të tepërta dhe të shumanshme. Por për të arritur një qellim të plotë dhe efektiv është bashkëpunimi me shumë palë i domosdoshëm dhe shumë relevant. Prandaj qellimi im është sa më shumë bashkëpunim.

 Ne fokus është themelimi/vendosja e ndermarrjeve/firma te ndryshme shqiptare në Suedi dhe poashtu themelim/vendosje te ndermarrjeve/firma  te huaja evropiane/boterore në Shqipëri, Kosove dhe Maqedoni. Vendet tona shqiptare janë duke u zhvilluar si shigjeta të shpejta dhe të mprehta. Do të ishte një privilegj i madh të mund të benim hapjen dhe zhvillimin e firmave të ndryshme shqipetare ketu në Suedi. Po ashtu do te ishte një sukses dhe perfitim për vendet tona nëse do te mund të themelonim firma te huaja ne vendet tona – gjë që do të hapte vende te shumta pune për shumë vendor dhe zhvillimi të nuancuar për vendin tonë.

 Po ashtu me rëndësi te theksoj edhe cështjet e rëndesishme azile ku gjakmarrjet/hakmarrjet e tepërta janë aktuale në planet e mia. Se janë ceshtje të renda ku jeta e njerëzve është në lojë. Për një shtet të huaj si psh Suedia nuk është e lehtë që të kupton gjendjet dhe traditat e vjetra të vendeve tona për sa ju përket këtyre problemeve. Sinqerisht, nuk është aspak e lehtë as edhe për Entin e Emigracionit të kupton se forcat e rendit nuk ofrojn ndihmë. Është nje lëmi shumë e rendësishme dhe shpresoj që se shpejti të mund te bejmë dicka të dobishme per familjet e përziera.

 Çka ju benë të lumtur  dhe cka ju mundon më së shumti?

Pergjigje:Lumturi të madhe me falë buzëqeshja dhe përgjigjet e sinqerta të fëmijëve te mi!

Ajo që më mundon më shumë është padrejtësia, e pavërteta parimore dhe mashtrimet.

Si e kalon kohen e lirë?

Pergjigje:Të shumtën e kohës mundohem t’ia kushtoj familjes pasiqë puna merr shumë kohë. Përndryshe shkruaj poezi, lexoj romane të ndryshme.

 Po të kishit mundësin të zgjidhni, ku do kishit jetu?

Pergjigje:Shumë pyetje interesante J. Nuk ka rëndësi vendi por ka rëndësi shëndeti dhe me ke do jetoja, sigurisht me familjen.  Po theksoj një mikun tim:”shendeti është një  dhe cdo gje tjeter eshte zero”. Nëse ka shëndet ka jetë, ka dashuri dhe ka mundësi zgjedhje jetësore dhe banore. Nëse nuk ka shëndet atëhere për asgjë nuk ka vullnet. (falenderjme bashkepuntorin e Diellit nga Suedia per dergimin e shkrimeve interesante per bashkombasit tane ne Suedi, Sokol demaku)

Filed Under: Interviste Tagged With: Malmoe, Saranda Isini, Sokol Demaku, Suedi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5625
  • 5626
  • 5627
  • 5628
  • 5629
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT