• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veprat e kompozitorëve të Kosovës, Premierë në Londër

May 28, 2020 by dgreca

–

Për shkak të pandemisë koncertet do të transmetohen drejtëpërdrejt në livestream/

PRISHTINË, 22 Maj 2020- Gazeta DIELLI/

Vepra e kompozitorëve kosovarë “Trio” e Kreshnik Aliçkaj dhe “Optio” e Memli Kelmendit, do të jenë veprat që do të interpretohen Premierë Botërorenga Willingdon House Music Londër. 24 kompozitorë nga mbarë bota u janë përgjigjur thirrjes së aplikimit WHM (RE) Inventions, New music, për shkak të numrit të madh të veprave selektive, koncerti do të mbahet në dy ditë.

Koncerti i parë, “Optio” e Memli Kelmendit do të interpretohet të Premten me 29 Maj në ora 19:30 ndërsa koncerti i dytë, vepra “Trio” e Kreshnik Aliçkaj do të interpretohet të Premten me 5 Qershor në ora 16 :30.

Për shkak të pandemisë globale, virusit COVID-19, koncertet do të transmetohen drejtëpërdrejt në livestream
http://www.facebook.com/willingdonhousemusic

Willingdon House Music është ansambël professional në përbërje nga; Flavia Hirte, Nicola Barbagli, Ellen Bundy and Max Mausen, të cilët njihen për interpretimin e veprave që nga periudha e barokut (intstrumente të barokut) deri tek muzika bashkëkohore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Londer, veprat e Kompozitireve

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DHE QEVERIA RAMA

May 27, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ditë e fundit, lexova me vëmendje deklaratën që ka bërë Kёshilli Koordinues i Diasporёs (KKD) mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, deklaratë në të cilën anëtarët e këtij Këshilli shfaqin “shqetësimin” e tyre për shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe për gjëndjen aktuale politike në vend.  Siç dihet, ky institucion pёrfaqёson interesat e diasporёs dhe synon njëherazi të jetë edhe një urë urё lidhёse, kryesisht, me institucionet qeveritare, të pakën ashtu duket deri më tani.  Në deklaratën e lëshuar me 22 Maj, 2020 — KKD thotë se: “Ka ndjekur me shqetёsim tё veҫantё situatёn e krijuar nga shembja e godinёs sё Teatrit Kombёtar.  Mёnyra dhe momenti qё u zgjodh nga qeveria pёr tё prishur godinёn, shoqёruar me arrogancёn kundёr atyre me mendim ndryshe, n’a shqetёson pasi vihet seriozisht në diskutim e ardhmja e Shqipёrise si njё shtet demokratik.  Ështё e pakuptueshme se si nё ҫastet e rёnda tё pandemisё, një nga prioritetet e qeverisё ishte prishja e Teatrit Kombёtar.  Shoqёria shqiptare nё kёtё periudhë të paprecedent ka nevojё pёr qetёsi dhe unitet dhe jo veprime tё nxituara dhe konflikte të panevojsheme”, theksohet në deklaratën e Këshillit të përfaqsuesëve të diasporës shqiptare.  KKD me të drejtë i referohet edhe dhunës së përdorur kundër protestuesve ditën e shembjes së Teatrit, si “një akt i shemtuar dhe aspak demokratik”, ndërkohë që thekësohet se: “Ne dёnojmё pa asnjё rezervё veprimet e qeverisё pёr shёmbjen e Teatrit Kombëtar, mungesёn e transparencёs, shkeljet ligjore, dhe nxitimin nё marrjen e vendimeve”.  KKD u bën thirrje forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani dhe që të ndalohet menjëherё ndjekja penale kundёr personave tё arrestuar e dhunuar nё protestёn e datёs 17 Maj, ndërsa theksojnë se “ndjekje penale ndoshta duhet rezervuar pёr ata qё urdhёruan shembjen dhe ushtruan dhunёn”.

Dihet se Këshilli Koordinues i Diasporës është organizuar dhe miratuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, por KKD thotë se megjithkëtë këtë lidhje, ky ent është një institucion i pavarur nga qeveria.  E përshëndes KKD-ën për këtë deklaratë mbi shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar!  Por megjithëse kjo deklaratë e KKD-së kundër shembjes së Teatrit Kombëtar nga autoritetet shqiptare është mjaft e fortë në përmbajtje, për mua çdo organizatë që formohet dhe miratohet nga një qeveri — më bën të dyshojë për qëllimet dhe objektivat e cilësdo qeveri qoftë, përfshir edhe qeverinë e Kryeministrit Rama, për përdorimin e një orgnaiztae të tillë për qëllime politike personale dhe partiake.

Ç’prej fillimit, unë e kam mirëpritur “Samitin e Diasporës” dhe krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si një masë me vend megjithse e vonuar, për vëmendjen që meriton diaspora.  Më ka pëlqyer ideja e takimeve të organizuara për diasporën edhe nga Kosova dhe Maqedonia sepse takime të tilla merrnin një domethënje të rëndësishme kombëtare.  Të pakën në takime të tilla ishim të bashkuar, mendoja unë.  Samitin e parë të Diasporës në Tiranë e kam konsideruar si fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë midis diasporës dhe Atdheut.

Kjo ishte shpresa, por e vërteta është ndryshe.  Fatkeqësisht, Samitet e Diasporës i përngjanin më shumë një mitingu politik të Ramës dhe nuk pasqyruan dialog kombëtar as politik, siç pritej, midis diasporës dhe autoriteteve shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup.  Në këtë përfundim, besoj se mund të vinë edhe antarët e KKD-së, të cilët kanë marrë pjesë në ato samite.  Në deklaratën e tyre më sipër, KKD u bënë thirrje, “forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani”.

Unë i kisha menduar takimet e diasporës në Atdhe si tubime kombëtare, të shqiptarëve të diasporës nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha anët e botës.  Tubime që do të pasqyronin vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat perëndimore të tolerancës politike dhe traditave stërgjyshore dhe do të shërbente si një rast për të bashkrenduar forcat për një bashkpunim më të ngushtë, për të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. 

Në gusht, të vitit 2016 duke folur në New York para disa përfaqsuesve të komunitetit në lidhje me planet për samitet e ardhëshme të diasporës, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama ishte shprehur duke njoftuar mbajtjen e samitit të diasporës se samiti, sipas tij, ishte  “Një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar.  Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”. Ka thënë ai.   Zoti Rama ishte shprehur gjithashtu se Samitet e Diasporës duhej të “promovonin edhe imazhin e vlerave tona më të mira”.

Shumë prej nesh jashtë Atdheut për një gjysëm shekulli ose më shumë, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, u jemi përshtatur vlerave politike perëndimore, demokracisë, tolerancës për kundërshtarin dhe respekt ndaj mendimeve të kundërta, respekt për të drejtat e njeriut në përgjithësi, lirisë së fjalës dhe të shtypit në veçanti, e të tjera.  Andaj këto vlera perëndimore, Z. Rama, ne të diasporës shqiptare jemi munduar t’i gjërshetojmë me vlerat tona tradicionale kombëtare stërgjyshore.  Më vjen keq të them por nga ajo që kemi parë deri sot, ne të diasporës shqiptare nuk kemi asgjë të përbashkët me ju.  Z. Kryeministër, shembja e stilit terrorist nga autoritetet shqiptare e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe qeverisja juaj aktuale –siç ve në dukje edhe deklarata e Këshillit Koordinues të Diasporës më lartë – tregon se nuk kemi asgjë më, të përbashkët me ju sa u përket vlerave politike e morale – qofshin ato stërgjyshore, qofshin ato perëndimore.  Shembja e Teatrit Kombëtar është vetëm një çeshtje shqetësimi për diasporën.

Si përfundim, urat po prishën dhe lidhjet shpirtërore po pakësohen gjithnjë e më shumë midis diasporës shqiptare dhe Atdheut tonë të shtrenjtë, pikërisht për arsye të qeverisjes tuaj autoritare, siç u pasqyrua kohët e fundit edhe me shembjen e ilegale të Teatrit Kombëtar, si vetëm një nga ngjarjet shqetësuese, që sipas deklaratës së Këshillit Koordinues të Diasporës është, “me karakter të rrezikshëm për demokracinë e vendit”.

Filed Under: Politike Tagged With: diaspores, Frank shkreli, keshilli kordinues, Rama

NDËRROI JETË KOLONEL BESIM HASANAJ, DR. I SHKENCAVE EKONOMIKE…

May 27, 2020 by dgreca

-BASHKËTHEMELUS I VATRËS NË JACKSONVILL, FLORIDA/

Besim Hasanaj 1949-2020/

Varrimi do të organizohet me 2 Qershor 2020, në orën 12 P.M. në Arlington Park Cemetery- në adresën: 6920 Lone Star Rd, Jacksonville, FL 32211.

Besim Hasanaj ne vitin 1997 u specializua ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes.

NGA ADRIATIK SPAHIU/Nënkryetar i VATRËS

Besimi me vatranet e değen Jacksonville.

Me 26 Maj 2020 ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë vatrani Besim Hasanaj, një ndër inisiatorët e krijimit të degës së Vatrës në Jacksonville,  bashkthemelues i saj me 18 Nëntor 2012; ish delegat i degës në Kuvendin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës ”VATRA” të vitit 2013, mbajtur në Regency Hotel, Yonkers, Neë York. Besimi ishte pjesë aktive e Vatrës në Jacksonville në të gjitha aktivitetet e organizuara. Ai ishte një qytetar shembullor, që gëzonte respektin e komunitetit shqiptar dhe atij amerikan.

Besim Hasanj u lind në Gjirokastër me 28 Qershor 1949. Kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” me rezultate shumë të mira në vitin 1967. Po në atë vit nisi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, të cilin e përfundoi më 1971 me rezultate shumë të mira.

Kualifikimet e mëtejshme i ka vazhduar me dhënien e provimeve Pas unversitare në Universitetin Shtetëror në vitet në vitet 1978-1983.

Në vitin 1985 ai fitoi gradën shkencore – Doktor i Shkencave Ekonomike. Punoi si ekspert i financave në Njësinë Ushatarke të Fierit, më pas ekspert dhe në Ministrinë e Mbrojtjes për Financat(Plan), më pas në Uzinën e Mjeksit në Elbasan, ku emërua edhe nën/drejtor i saj.

Ai vazhdoi punën edhe pas ndryshimit të sistemit, duke qenë një ekspert i vlerësuar. Në vitet 1993- 1995 Besimi kreu detyrën e Inspektorit në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, ndërsa në vitet 1995-1998 drejtoi Degën e Kontrollit Financiar në Ministrinë e Mbrojtjes.Gjatë kësaj periudhe ai u përzgjodh për specializim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(e kreu më 1997). Qeveria Socialiste që erdhi në pushtet pas ngjarjeve të ’97, nuk i dha vend pune edhe pse ai krahas gradës shkencore mbante dhe një specializim njëvjecar për njohjen e artit ushtarak amerikan. Në vitin 2003 emigroi në SHBA.

Besim Hasanaj me Kryetarin e deges Adriatik Spahiu dhe Editorine D iellit, Dalip Greca, ne Kuvendin e Vatres te vitit 2013.

U vendos në Jacksonville. Për 16 vite punoi si shofer autobuzi  në Shkollat publike në Duval County. Gëzonte respektin e fëmijëve të shkollave,  dhe të kolegëve të punës të cilët e thërrisnin me numrin e autobuzit të tij- 465- First Student”. U vlerësua me mirënjohje të vecantë ”Granpa Driver”.

Besim Hasanaj la pas bashkëshorten Natasha, dy djem, pesë nipër e mbesa. 

Varrimi do të organizohet me 2 Qershor 2020, në orën 12 P.M. në Arlington Park Cemetery- në adresën: 6920 Lone Star Rd, Jacksonville, FL 32211.

Për kontributin e dhënë në degën e Vatrës në Jacksonville, nënkryetari i Vatrës z. Adriatik Spahiu, në ceremoninë e varrimit do t’i dorëzojë Familjes “Mirënjohjen e Vatrës-“ pas vdekjes.

 Në emër të degës së Vatrës në Jacksonville, i shprehim bashkëshortes Natasha, djemëve, niëpër e mbesave, të afërmve dhe miqëve, ngushëllimet më të thella.

 Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës z. Elmi Berisha, në emër të Kryesisë së Federatës dhe të gjithë vatarnëve i përcjell ngushëllimet më të thella familjes Hasanaj dhe miqëve. 

I pushoftë shpirti në Paqë vatranit Besim Hasanaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Adriatik Spahiu, Besim Hasanaj

KUJTESA-GREVA PER FJALEN E LIRE

May 27, 2020 by dgreca

SPECIALE-KUJTESA- Gazeta DIELLI/

 Kosova para 27 viteve, grevë urie në kërkim të lirisë e mbrojtje të fjalës shqipe/

-Dita e fillimit të grevës së urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin Rilindja në Prishtine ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim/

-Nga greva u bë edhe një film dokumentar, ku është regjistruar edhe raportimi që bëja me telex nga Prishtina në Tiranë dhe flas për për atë që ndodhte…Në dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…/

-Rilindja, Gazetë që mbajti gjallë frymën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 27 Maj 2020/ Në Kosovë para 27 viteve, nga 24 Maji deri në  3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve historike i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë një film dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve, që iu bashkuan Adem Demaçit: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës  e të lëvizjes dhe luftës për liri e pavarësi “Bujku”, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e mbylljen e gazetës shqiptare Rilindja nga forcat okupatore serbe.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në filimin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas lirisë e pavarsisë u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës.

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Në Nëntor të vitit 2014, në një takim të drejtuesëve të Prishtinës me delegacionin e intelektualeve nga Vlora u patën shpalosur hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe të Hasan Prishtinës në Vlorë.

“Vendosja e shtatores e simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptareve si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar”, theksonin organizatorët e ceremonisë në kryeqytetin e Kosovës.

Para  18 viteve, në 12 Shkurt 2002,  Adem Demaçi merrte pjesë në festën e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në atë kohë dhe i kisha bërë ftesë të veçantë.

“Festimi i 57-vjetorit të ‘Rilindjes’” ishte mbititulli e “Gazetë që mbajti gjallë frymën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës” ishte kryetitulli në ballinë, i nxjerrë nga fjala përshendetëse e Adem Demaçit dhe e pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë diplomatët e përfaqësive në Prishtinë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Shqipërisë. 

Rilindja në numrin festiv të 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin ekskluziv me titull “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, shkruar enkas nga Ambasadori Amerikan Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në editorial Ambasadori Amerikan Menzis. 

  Adem Demaçi në manifestimin e festës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, mes tjarash, tha:

“Kam nderin dhe fatin që të marrë pjesë në festimin e 57-vjetorit. E di se si ka filluar nxjerrja e gazetës, ka filluar duke sjellë rrotën me dorë. Mustafa Hoxha, Haki Hoxha, Esad Mekuli kanë radhitur me dorë, i kanë nxjerrë gazetat…Falë atyre burrave që punuan në kushte të vështira, Rilindja u shndërrua në tribunë. Përveç materialeve partiake botonte edhe materiale tjera që na shtonin shpresën se një ditë do ta ndjekim sunduesin serb…Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare me kuadrot qe arritën nga Normalja e Elbasanit dhe nga shtetet fqinje, Italia e Austria”.

Në monografi kam shkruar, se para 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë. Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga fryma e koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

LIDHJA PËR DOKUMENTARIN E GREVËS SË URISË SË GAZETARËVE E SHKRIMTARËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS NGA 24 MAJI DERI NË  3 QERSHOR TË VITIT 1993:

  • Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Histori Tagged With: 27 Vjet Greva, Bell Jashari

LIRIA

May 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/
Njeriu kujtohet për lirinë kur provon se e ka humbur. Atë ia kontrollojnë, dhe nëse ka shumë, si paratë në bankë, nuk mund t’i tërheqësh ‘të thata’ menjëherë të gjitha njëherësh. Liria është natyrë ose si Perëndia, ajo kujdeset për ne, nëse e duam. Mos i lëndoni njerëzit: Njerëzit e lirë thjesht duan të mbeten vetëm, të mos grinden, të mos dëmtohen nga dikush tjetër që synon jetën dhe pronën e tyre Mos ia merrni gjërat: Ata janë munduar për të siguruar të drejtën individuale për frytet e punës së tyre. Liria merr përgjegjësi. Mos u ul për të pritur dikë tjetër për të zgjidhur problemet tuaja. Punoni për të: Për çdo veprim ka një reagim të barabartë. Kujdesuni dhe do të shpërbleheni. Shikoni punën tuaj. Secili e di vetë si të jetojë, nuk ka nevojë për padron a patronizim apo çdo lloj izëm. Luftoni fuqinë: Falë Internetit dhe decentralizimit të njohurive, tani ekziston më shumë mundësi se kurrë për të marrë një qëndrim kundër autoritetit të korruptuar. Sepse fundja, ndodh si me gjuhën, sado t’a udhëzosh, fiton e folura e njerëzve të thjeshtë, e cila fillimisht me përçmim quhet vulgare, por më pas pranohe

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, liria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT