• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PER REZOLUTAT DHE ÇESHTJEN ÇAME

December 27, 2012 by dgreca

Nga Agron Alibali/

 “Po pas Rezolutës çfarë hapash do të ndërmerren” – pyeste para disa ditësh një analist i shquar shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike gjatë një bisede me të në lidhje me projekt-rezolutën për çështjen çame.  Por çfarë janë rezolutat në përgjithësi dhe sa mund të ndikojë projekt-rezoluta e paraqitur së fundmi për zgjidhjen e çështjes çame?

1. Dy fjalë për rezolutat në përgjithësi

Rezolutat përgjithësisht janë deklarata juridike të ndërmarra nga një trupë legjislative e brendshme ose nga një organizëm ndërkonbëtar. Si të tillë, rezolutat kanë efekte të ndryshme në varësi të forumit ku diskutohen dhe miratohen.

Në të drejtën ndërkombëtare, përmenden për shembull, rezolutat e Këshillit të Sigurimit apo të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat përgjithësisht pranohet se shprehin vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për çështjet të ndryshme që e shqetësojnë atë. Si të tilla, Rezolutat e OKB-së përbëjnë burim të së drejtës ndërkombëtare dhe në disa raste kanë fuqi detyruese në rrafsh ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, në të drejtën e brendshme rezolutat përgjithësisht kanë karakter thjesht deklarativ. Në të drejtën amerikane përgjithësisht rezolutat e dhomave të veçanta të Kongresit janë instrumente procedurale jo- detyruese dhe nuk ngërthejnë forcën e ligjit. Ka edhe rezoluta me karakter të mirëfilltë politik, që nuk shprehin qëndrimin e qeverisë amerikane. Të tilla kanë qenë, për shembull në senatin amerikan, dy rezoluta për “vorioepirin” në vitin 1922 dhe në vitin 1946, që edhe pse të propaganduara me forcë nga qarqe shoviniste greke sikur kinse përfaqësonin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, janë hedhur poshtë nga Departamenti amerikan i Shtetit madje edhe në demarshe diplomatike me qeverinë shqiptare. Në Kongresin amerikan janë miratuar edhe një Rezolutë për nderimin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe për Festimin e Datës 28 tetor si Dita e Kastriotit. Po ashtu, me 28 nëntor 2012 Kongresi amerikan miratoi një rezolutë për nderimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kuptohet se vlefta e këtyre dokumenteve në të drejtën e brendshme amerikane dhe më tej është më se e neglizhueshme.

Edhe në të drejtën parlamentare kontinentale evropiane rezolutat e ruajnë karakterin e tyre deklarativ ose procedural. Në të drejtën franceze rezolutat janë veprimi procedural ligjor i njërës prej dhomave të Parlamentit francez dhe pra nuk kanë fuqinë e ligjit. Po ashtu, rezolutat përdoren si akt procedural për të ndryshuar rregulloren e brendshme të Dhomës së Ulët dhe të Senatit.

Në të drejtën italiane rezolutat janë akte me të cilin Parlamenti i drejtohet qeverisë, mbas një debati apo mocioni.  Ato kanë karakter politik dhe jo-detyrues.

 2. Rezolutat në të drejtën shqiptare

Në të drejtën shqiptare rezolutat nuk parashikohen në Kushtetutë, kurse në Rregulloren e Kuvendit përmenden vetëm në Kreun VIII, Neni 55, për Kuorumin. Rrjedhimisht, nga pikëpamja doktrinare vlefta juridike e tyre në legjislacionin e brendshëm shqiptar është pak të themi e diskutueshme.

Nga pikëpamja e praktikës kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, gjithsesi, ka miratuar një numër rezolutash, që përgjithësisht kanë më shumë vlerë deklarative. Ndër mbi 90 rezolutat e miratuara nga viti 2005 deri më tani shumica dërrmuese e tyre janë shprehje “vlerësimi” për organe të ndryshme të administratës së shtetit shqiptar, si KQZ, Prokuroria e Përgjithshme, Banka e Shqipërisë, ERE, KKRT, Këshillit Drejtues të RTV shqiptar, etj. Tre Rezoluta kanë të bëjnë me Kosovën, një merret me vizitën e Presidentit amerikan Bush në Shqipëri dhe një rezolute është për integrimin evropian.

Nga teksti dhe tematika e tyre kuptohet qartë se në të drejtën shqiptare vlera juridike e rezolutave është mëse e kufizuar.

Le të kthehemi tash tek Projekt-Rezoluta për çështjen çame, e paraqitur së fundi nëpërmjet shtypit shqiptar.

 3. Projekt-Rezoluta: arritje dhe mangësi

Para se të përqëndrohemi tek përmbajtja, le të analizojmë shkurt momentin e paraqitjes së saj. Natyrisht zgjedhja e 10 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – e ve Rezolutën në kontekstin e duhur. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe: Çështja çame është dhe mbetet çështje e të drejtave të njeriut, ndryshe nga deklarimet “kombëtariste” që dëgjohen poshtë e lart.

Mirëpo këtu nuk mund të mos vërejmë se dhjetori 2012 është edhe prag zgjedhjesh parlamentare. Madje, në fakt, fushata ka filluar qysh tani. Pra, momenti i gjetur për këtë nismë të rëndësishme, nolens volens, e nënvleftëson vetë nismën, pasi ia nënrendit çështjen çame garës së ashpër të pritshme zgjedhore.

Po ashtu, Rezoluta i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë pikërisht pasi Ministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar botërisht se çështja çame është në krye të agjendës diplomatike dyshtetërore madje do të përcillet edhe në instanca ndërkombëtare. Ky qëndrim i drejtë i kreut të diplomacisë shqiptare është në përputhje të plotë me qëndrimet e kahershme të shtetit shqiptar – pavarësisht nga dallimet politike – dhe që është përcjellë edhe në qëndrimet e presidentëve Alia, Berisha, Meidani dhe Moisiu.  Qëndrimi i Ministrit të Jashtëm përputhet dhe me vendimet e kuvendeve historike të minoritetit çam, atij të Shalësit të shtatorit 1944 dhe të Vlorës të një viti më pas.

Për më tepër, aktivizimi i diplomacisë shqiptare sjell në vëmendje ndryshimet thelbësore në rrethanat kombëtare e ndërkombëtare që lidhen me çështjen çame. Përmendim këtu vetëm se sot Shqipëria dhe Greqia janë dy vende mike dhe aleate në NATO dhe pra Greqia e sotme nuk është ajo e Zervës në vitet 1940, por një vend demokratik dhe i zhvilluar, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike të kohës. Pra, parë në këtë prizëm, nisma e fundit e dy deputetëve duket si njëfarë kontrapedali ndaj përpjekjeve serioze të diplomacisë shqiptare dhe, për më tepër, vështirë të mos lerë përshtypjen e një nisme me përfitime politike elektorale.

Mirëpo çështja çame – si çështje e të drejtave të njeriut – nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të përdoret për qëllime politike elektorale apo personale. Vlen të përmendim këtu se ka tash katër vjet që nuk është bërë asnjë përpjekje institucionale për çështjen çame në kuadrin e Këshillit të Evropës, institucionit themelor evropian të të drejtave të njeriut, edhe pse kuvendarë shqiptarë janë anëtarë me të drejta të plota të Asamblesë së tij Parlamentare.

Sa i takon përmbajtjes, teksti i Projekt-Rezolutës dhe i Materialit Shpjegues natyrisht që ka vlera. Aty shikojmë pak a shumë një përmbledhje të problematikës së marrëdhënieve ndërshtetërore shqiptaro-greke, të trajtuara deri diku me kompetencë.

Mirëpo këtu qëndron edhe problem i parë me Projekt-Rezolutën. E titulluar “Mbi zgjidhjen e çështjes çame”, Projekt-Rezoluta duhet të përqëndrohet vetëm tek kjo çështje. dhe jo të rrokë tërë problematikën greko-shqiptare. Mirëpo pika 2 lë përshtypjen se mbulon shtetasit shqiptarë që humbën të drejtat e tyre pronësore në Greqi si rrjedhojë e ngjarjeve të Luftës II Botërore. Natyrisht që nga Ligji i Gjendjes së Luftës preket edhe një numër i vogël i komunitetit çam, i cili para Luftës II Botërore kishte kërkuar të merrte shtetësi shqiptare duke ruajtur të drejtat e veta pasurore në Çamëri. Mirëpo, dihet qartë se Ligji i Gjendjes së Luftës prek kryesisht shtetasit e ish Mbretërisë Shqiptare, sot shtetas të Republikës së Shqipërisë, dhe jo pjestarët e minoritetit çam të strehuar përkohësisht në Shqipëri në vitet 1944-1945, sepse ata ishin shtetas dhe rezidentë të Greqisë të paktën deri në masakrat e qershorit 1944 dhe marsit 1945.  Natyrisht që problemi i interesave pasurore të shtetasve shqiptarë jo-çamër në Greqi është tejet i mprehtë pasi cënon seriozisht marrëdhëniet e mira dypalëshe. Mirëpo ky problem duhet trajtuar veçan, dhe nuk duhet ngatërruar me çështjen çame.

Së dyti, ndryshe nga praktika kushtetuese shqiptare – dhe e vendeve të tjera, ku rezolutat përgjithësisht shprehin qëndrimet e legjislativit të një vendi drejtuar ekzekutivit të po atij vendi – pra afirmojnë qëndrime brenda kuadrit rregullator të brendshëm, Projekt-Rezoluta në fjalë shpalos kërkesa [“kërkon” në tekstin original], që janë jashtë jurisdiksionit të drejtpërdrejtë apo sovranitetit të shtetit shqiptar [pikat 2, 3, 4, 7 dhe 8 të saj ]. E thënë ndryshe, Parlamenti i vendit A mund t’i “kërkojë” diçka qeverisë së shtetit të vet A, por jo shtetit B. Zgjidhja e problematikës ndërshtetërore në politkën e jashtme midis dy vendeve çfarëdo diskutohet dhe zgjidhet midis strukturave përkatëse të tyre ku rolin kryesor e ka ekzekutivi, dhe më konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme. Vetëm në pikën 11 Projekt-Rezoluta e vendos më në fund qerren pas kaut, duke njohur se, sa më sipër, mund të njëmendësohet nëpërmjet të “kontakteve diplomatike”.

 

4. Shtetas të Evropës së Bashkuar dhe të Greqisë

Së treti, projekt-rezoluta gabimisht u referohet pjestarëve të komunitetit çam si “dikur shtetas grekë”. Edhe pse sot – për arsye objektive – shumica e tyre kanë pasaporta shqiptare apo të vendeve të tjera, shtetësia e tyre greke nuk mund të mohohet, Këtë madje e afirmojnë edhe studiues grekë. Për shembull, Prof. Cicelikis – vepra e sapobotuar e të cilit ka vlerë të jashtëzakonshme historike e juridike  – deklaron pa asnjë hezitim se Dekreti 1645 i vitit 1954 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë për dhënien e shtetësisë shqiptare pjestarëve të minoritetit çam “nuk ka efekte juridike në lidhje me statusin e shtetësisë greke sipas së drejtës greke”. [Islami i Vjetër dhe i Ri në Greqi, Nijhoff, 2012, f. 314, Shën, 118].  Ai madje zbulon edhe ekzistencën e një urdhëri “sekret dhe urgjent” të Ministrisë Greke të Mbrojtjes drejtuar Prefekturës së Thesprotisë, me numër 50862 dt. 16 dhjetor 1947 ku urdhërohej fshirja e emrave të burrave çamër nga regjistri bashkiak i gjendjes civie (dimotologia) si dhe urdhërin e datës 29 dhjetori 1947 të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, F.9905/13/A2/III për “Fshirjen nga Regjistrat [e Gjendjes Civile] të Meshkujve Muslimanë me prejardhje shqiptare”, akte administrative këto që, edhe sipas studiuesit grek, nuk nënkuptojnë “humbje juridike të shtetësisë”.  Me fjalë të tjera, është vështirë të mos pranohet se, de facto, pjestarët e minoritetit çam të Greqisë, të shpërngulur dhunshëm dhe të dëbuar në Shqipëri dhe pasardhësit e tyre, janë shtetas të Bashkimit Evropian dhe të Greqisë. Pa vënë në dyshim qëllimet e mira të Projekt-Rezolutës, vetë përdorimi në tekst i emërtimit “dikur shtetas grekë” duket sikur e paragjykon problemin e shtetësisë dhe cënon thelbin e vetë Projekt-Rezolutës.

5. Krimet ndaj njerëzimit nuk parashkruhen

 Së katërti, Projekt-Rezoluta humb në vlerë për atë çka nuk përmend. Me të vërtetë, me përjashtim të përmendjes së “mosndëshkueshmërisë kolektive” në hyrje, dhe të lapidarit për viktimat, Projekt-Rezoluta nuk ka asnjë fjalë për ndërmarrjen e një hetimi të thellë e të ngutshëm nga ana e organeve të specializuara për krimet e pashembullta ndaj njerëzimit të kryera në Çamëri duke u mbështetur në dëshmitë dhe provat e viktimave dhe dëshmitarëve ende gjallë. Nisma hetimore, për më tepër, kërkon hapa të menjëhershme proceduralë për arsyen se ai brez i çamërve refugjatë po na lë përditë dhe se nihilizmi dhe mohimi janë prirja e disa qarqeve të skajshme në Greqi, sikurse u pa edhe në deklarimet e fundit të eurodeputetes ekstremiste Janakou. Me fjalë të tjera ende sot nuk ka dosje të rregullta hetimore për krimet e llahtarshme ndaj njerëzimit që ndodhën në Çamëri dhe kjo është krejt e patolerueshme të paktën për çdo aktivist të të drejtave të njeriut. Madje, nuk ka asnjë arsye që të mos ndërmerren hetime të përbashkëta edhe me organet e prokurorisë greke, për vetë faktin se krimet ndaj njerëzimit të kryera në Çamëri, nuk parashkruhen dhe se vetë shteti i sotëm grek objektivisht është i interesuar për vënien e drejtësisë në vend dhe ka detyrimin për hetimin dhe dënimin e krimeve të llahtarshme të kryera atje.

Në këtë drejtim, është spekulluar mjaft për përfshirjen e një zyre avokatore të huaj në këtë çështje. Mirëpo ajo çka nuk i thuhet opinionit publik është se para ca kohe u përfshinë në këtë proces edhe zyra avokatore vendase. Mbështetur në konventat ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare penale dhe në të drejtën penale vendase, ato punuan për disa kohë me profesionalizëm dhe madje gratis, por pa gjetur asnjëfarë mbështetje nga askush dhe puna e tyre mbeti në gjysëm.

6. Rezoluta për Çështjen Çame MUND të jetë miratuar qysh në prill 2004

 Me 8 prill 2004 Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi në séance plenare Rezolutën për Çështjen Çame.  E paraqitur nga Shoqata Çamëria për të drejtat e njeriut, Rezoluta gjeti mbështetje të njëzëshëm dhe u miratua me bashkëpëlqim nga Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme. Dy javë më pare grupi parlamentar i PS kishte vendosur mbështetjen e plotë ndaj Rezolutës. Pritej vetëm shqyrtimi dhe votimi i saj në seancen plenare. Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, Rezoluta u miratua me 53 vota pro (opozita dhe vota e deputetit të PS, D. Prifti) 4 vota kundër (PBDNJ) dhe 55 abstenime (PS). Kryetari i seancës e deklaroi Rezolutën të rrëzuar. Kjo deklaratë shkaktoi indinjatën e ligjshme të qindra antarëve të Shoqatës Çamëria, që menduan me të vërtetë se Rezoluta nuk ishte miratuar, dhe më vonë projektuan nismën për ngritjen e partisë parlamentare. Nga shqyrtimi i rezultateve të votimit, por edhe duke analizuar Rregulloren e Kuvendit, del se Rezoluta në seancën e 8 prillit 2004 mund të jetë miratuar, dhe kryetari i seancës ka bërë një lapsus apo gabim procedural.

Me të vërtetë, sipas Nenit 55 të Rregullores së Kuvendit “Kuorumi dhe vendimmarrja në seance plenare”, “Ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat konsiderohen të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit…”. Pra, ky nen përcakton se kuorumi i nevojshëm për miratim në seance plenare është 50% +1, d.m.th 71 deputetë. Kësisoj, pyetja e parë është nëse ishte formuar apo jo kuorumi në séancen plenare? Nga mbledhja e rezulteve të votimit rezulton se në sallë kanë qenë fillimisht të pranishëm 53 + 4 + 55 = 112 deputetë.  28 deputetë të tjerë nuk kanë qenë të pranishëm. Kuptohet që 112 > 71, pra kuorumi në séancen plenare ka qenë formuar. Së dyti, pyetja që shtrohet është nëse në votim Rezoluta u miratua apo jo. Që të miratohej, ajo duhet të merrte shumicën e votave pro të deputetëve të pranishëm, d.m.th. 112/2 + 1 = 57 vota. Nga rezultati mësohet se ajo ka marrë vetëm 53 vota pro, d.m.th. 4 më pak nga numri i nevojshëm. Megjithatë, nga njoftimet e ndryshme mësohet se një numër deputetësh janë larguar nga salla pak para votimit. Me fjalë të tjera, ka shumë të ngjarë që në kohën e votimit në sallë të kenë qenë më pak se 112 deputetë, çka e bën plotësisht të pranueshme hipotezën se, teknikish, Rezoluta ka qenë miratuar. E thënë ndryshe, nëse vërtetohet se në momentin e votimit në sallë në fakt kanë qenë 53 X 2  – 1= 105 deputetë, ose nga salla të jenë larguar pak përpara votimit 7 deputetë, atëhere Rezoluta duhet të shpallej e miratuar. Në atë kohë përmendet edhe deklarata e deputetit të Partisë Republikane se me të vërtetë, Rezoluta ishte miratuar. Sa më sipër, ndofta i takon Kuvendit të Shqipërisë të ngrejë një nënkomisioni parlamentar që të shqyrtojë lëndën arkivore, shkresore dhe filmike për të vërtetuar saktësisht se sa deputetë kanë qenë në sallë në momentin e votimit. Nëse kjo vërtetohet, atëhere Rezoluta për Çështjen Çame mund të konsiderohet juridikisht e miratuar qysh me 8 prill 2004. Ajo çka mund të pranohet sot është fakti se edhe atëherë Rezoluta gjeti mbështetje tejet të gjerë në Kuvendin e Shqipërisë, çka del nga përpjestimi midis votave pro dhe kundra.

 7. Projekt-Rezoluta nuk përbën plan veprimi

Ka edhe shumë më tepër për të shkruar për Projekt-Rezolutën. Për shembull, duket sikur gjithshka fillon dhe mbaron me këtë projekt-rezolutë, [“¨është dokumenti më i rëndësishëm që i vë kapak çështjes çame” – apo “ajo është dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë kombit grek vitet e fundit,” sipas dy deklaratave]. Natyrisht që këto qëndrime janë të tepruara. Mirëpo teksti të lë përshtypjen se nuk mban parasysh dhe nuk ndërton mbi përpjekjet e përparshme tejet të mëdha të komunitetit çam, të shtetit shqiptar ose edhe të instancave ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes. Shkurt, atij i mungon vlaga e mençurisë së Kuvendeve Çame, të organizmave më të lartë të atij komuniteti martir, që dy herë, në Shalës në shtator 1944 dhe në Vlorë, një vit më vonë, shpalosi katër kërkesat apo Amanetin e Madh, i cili mund të përmblidhet si më poshtë:  (i) riatdhesimi; (ii) të drejtat e njeriut; (iii) pronat dhe sigurimi personal, dhe (iv) gjykimi dhe dënimi i kriminelëve.

Minoriteti çam pret shumë nga Kuvendi i Shqipërisë  – që është shprehur dikur publikisht për Ligjin për Gjenocidin si dhe, me gjasë, në prill 2004 .  Ai me të drejtë dëshiron njëzëri që ky forum i lartë të shprehet përsëri për hapat a mëtejshme. Dhe pa tjetër që Kuvendi duhet të vihet në veprim brenda kuadrit të vet ligjvënës dhe kontrollues të ekzekutivit, duke mbajtur parasysh edhe faktin e pamohueshëm që fuqia e Kuvendit të Shqipërisë është e kufizuar dhe efektiviteti konkret i rezolutave është relativ.

Për t’u kthyer tek pyetja e shtruar në fillim të shkrimit, çfarë vjen me të vërtetë pas Rezolutës? Ajo çka paria e komunitetit çam duhet të mendojë – në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare dhe me organizmat përkatëse të shtetit grek dhe të komunitetit ndërkombëtar – është një plan veprimi me objektiva konkrete që, në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në kuadrin e marrëdhënieve miqësore midis Greqisë dhe Shqipërisë, të njëmendësojë Amanetin e Madh të atyre të paktën 30,000 pleqve e plakave, burrave a grave, fëmijëve e foshnjeve, të cilët nën një klimë të pashembullt terrori e masakrash, lanë vatrat e tyre për të gjetur strehim të përkohshëm si refugjatë lufte në Shqipëri.

Athina e sotme demokratike mirëpriti “kthimin në atdhe” të pontianëve të Detit të Zi para disa vitesh, që kanë lidhje krejt periferale me Greqinë. Një masë e tillë analoge duhet marrë edhe për minoritetin e vet çam, që nuk përbën kurrfarë kërcënimi për Greqinë, por veç do ta pasurojë e demokratizojë më tej atë.

Filed Under: Editorial, Histori Tagged With: agron alibali, rezoluta came

PETRO KOLONJA: SI E NJOHA FAIK KONICEN DHE SI U TAKOVA ME AT GJERGJ FISHTËN NË ZYRËN E KRYETARIT

December 27, 2012 by dgreca

Më kujtohen këshillat e At Naum Ceres, priftit të Peshkop Nolit, por që nuk lidhnin dot harmoni me njari-tjetrin, më thosh me gusto:Pjetro, mos kundërshto Faikun, se kritikat e makar sharjet e Faikut, hahen si llokume, por kritikat dhe lëvdatat e Nolit të mbeten në grykë.”/

Isha larguar nga Korca dhe gjendesha në Durrës duke pritur që të nisesha për në Amerikë.Një ditë, po rrija në një kafene atje, ku ishin dhe njerës të tjerë- e atje pranë, një burrë u ngrit në këmbë, me një fletë kartë në dorë e ia dorëzojë njërit atje në tryezën duke thënë:-“Këndoje Faik bej…dhe sa do të pëlqejë.”

Ay e mori, i hodhi një vështrim, dhe i tha:”Unë s’jam vjershëtar-dhe nuk më pëlqen. Ia dorëzoi fletën dhe u ngrit e iku. Mua m’u bë një nënshtypje dhe pyeta:Kush ishte ai burrë?Më tha njëri se ai ishte Faik Bej Konitza. Kështu që ajo ishte e para herë që dëgjova emrin e Faik bej Konitzës.- dhe nënshtypja ime nuk qe aq e mirë me sjelljen e tij.

Më pas ay Faik bej Konitza erdhi në Amerikë, ku kisha ardhë më parë edhe unë. Këtu ai filloi në Vatër dhe editonte gazetën”Dielli”, që u bë edhe për mua një shkollë e cmuar se me anë të Diellit, fillova duke e mësuar shqipen mirë e më mirë.

Në atë kohë unë jeshë edhe në listën e studentëve shqiptarë që Vatra i ndihmonte finnaciarisht.Kur fillova në Hartford Theological Seminary disa nga pjesëtarët e Komisionit të Vatrës, deshën t’ma pushonin ndihmën sepse ishin me mendje se unë merrja ndihma nga Kisha Protestante.(Te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar te Dhjetorit 2012)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: dhe u takova me Fishten, Faik Konice, Petro Kolonja, si e njoha

Shqipëri, Medalja e Mirënjohjes për autorë të veprave studimore dhe artistike

December 27, 2012 by dgreca

Presidenti Nishani nderoi autorë librash e botimesh historike si dhe artistë, mes të cilëve edhe gazetarin e Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi/

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani nderoi me 27 Dhjetor me Medaljen e mirënjohjes autorë të veprave studimore dhe artistike kushtuar 100- vjetorit të pavarësisë.
Presidenti Nishani nderoi autorë librash e botimesh historike, si dhe artistë të cilët kanë realizuar disa vepra me rastin e përvjetorit të pavarësisë së vendit, mes të cilëve edhe gazetarin e Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi për librin e tij kushtuar udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës.
Kreu i shtetit deklaroi se me veprat e tyre këta autorë “hapën një rrugë dhe nxitën në radhë të parë studiuesit, krijuesit, artistët, historianët të fillojnë të mendojnë më shumë për historinë e Shqipërisë, për të evidentuar më shumë vlerat e kësaj historie si dhe për t’u ofruar një informacion real, transparent, qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi”, u shpreh kreu i shtetit në ceremoninë e dhënies së Medalieve të Mirënjohjes.(Kortezi: Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ilir Ikonomi, kontribusit e 100 vjetorit, Mirenjohje, presidenti Nishani

Duke nderuar shqiptarët në mënyrën më të ndershme:

December 27, 2012 by dgreca

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë në Washington/

Shkruan: Faton Bislimi- kandidat për doktorature në Universitetin e Albertës në Edmonton, Kanada/

           Festimi dhe shënimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë është bërë në të gjithe botën ku shqiptarët jetojnë në mënyra të ndryshme. Mirepo, ishte pikërisht në Washington, DC, në zemër të demokracisë dhe të kryqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikes që kjo ditë historike e rëndësishme u shënua në mënyrë te vecantë. Nën udhëheqjen e ish kongresistit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi nga Fondacioni dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, shqiptarët nga i gjithë vendi u mblodhën me 28 nëntor në Kennedy Caucus Room në Senatin amerikan për të festuar njëqindvjetorin e Shqipërisë duke njohur rolin e saj historik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ngjarje, që ishte vetëm me ftesë zyrtare, bashkoi shqiptaro-amerikanët me udhëheqësit hebrenj dhe me Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për tu përqëndruar në rolin e vacantë që shqiptaret luajtën në shpëtimin e hebrenjve të cilët jetonin në Shqipëri apo kërkuan strehë aty gjatë Holokaustit.

Për më shumë se njëzet vite, Liga Qytetare Shqiptare-Amerikane ka qenë zëri kryesor, më efektiv dhe më i rëndësishëm për popullin shqiptar në Washington, DC. Në krye me kongresistin DioGuardi dhe Cloyes DioGuardi, LQSHA-ja ka ndikuar në formimin e politikës së jashtme të SHBA-ve ndaj cështjes shqiptare në Ballkan. Kjo u bë së pari përmes Kongresit amerikan duke i edukuar liderët e politikës së jashtme në te dy dhomat e Kongresit dhe mëpastaj duke punuar me Komitetet e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të bërë presion mbi Departamentin e Shtetit që të ndjekë politikat e drejta ndaj cështjes shqiptare në Ballkan, vecanërisht pavarësisë së Kosovës.

Festimi i 100 vjetorit me 28 nëntor ishte dëshmi për rolin e LQSHA-së, Joe dhe Shirley. Një numër liderësh të Kongresit erdhën për të përshëndetur punën që Joe, Shirley, dhe LKQSH-ja kanë bërë për të drejtat e shqiptarëve dhe për të sjellur paqe në Ballkan. Me rastin e festimit të 100 vjetorit te pavarësisë së Shqipërisë, Anëtarët e Kongresit dhe liderët hebrenj gjithashtu nderuan rolin e rëndësishëm që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë luajtën për të shpëtuar hebrenjtë gjate Holokaustit. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është dëshmi e shpirtit të shqiptarëve dhe humanizmit të tyre. Kjo pjesë e historisë së shqiptarëve më së miri tregon karakterin e vërtetë të popullit shqiptar, vecanërisht në një kohë kur imazhi i shqiptarëve po degradohet nga portretizimi i keq i tyre si ekstremistë muslimanë nga fqinjët e tyre serbë dhe greko-ortodoksë.

Armiqte tradicionalë të shqiptarëvë në Ballkan janë përpjekur me shekuj ta portretizojnë popullin shqiptarë si një popull që nuk e meriton shtetësinë apo trajtim të barabartë me të tjerët. Shqiptarët kanë qenë viktimë  të persekutimit dhe terrorit shtetëror shumë vende përreth Shqipërisë. Megjithatë, shqiptarët kurrë nuk iu kanë dorëzuar kërcënimit të shtypësve. Ata kanë luftuar në mënyra të ndryshme dhe vazhdimisht kanë gëzuar sukses me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Kjo ishte tema qëndrore e fjalimit të Senatorit Charles Schumer kur ai e krahasoi historinë e popujve shqiptarë dhe hebrenj duke iu referuar një shkrimi te Dhjates se Vjeter qe lexohet Jewish Passover Seder:

“Në cdo gjeneratë ata janë ngritur për të na shkaktuar vuajtje, por në cdo gjeneratë ne [hebrenjtë] kemi mbijetuar.”

Për më tepër, shpëtimi i hebrenjve u mbajt në errësirë për pothuajse gjysmë shekulli gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Askush nuk do të dinte për rolin e shqiptarëve gjatë Holokaustit sikurse të mos ishte për punën e Joe DioGuardit dhe Kongresistit të ndjerë Tom Lantos, të cilët e zbuluan këtë heroizëm të fshehur të shqiptarëve kur ata udhëtuan për në Shqipëri në vitin 1990 si zyrtarët e parë të ShBA-ve që vizituan vendin pas pothuajse 50 vitesh të marrëdhënieve të shkëputura diplomatike. Me 28 nëntor, disa video klipe të vizitës së tyre  në Kosovë (e pasuar nga vizita e tyre Shqipërisë) u shfaqën për të pranishmit, dhe keto klipe sigurisht që ngjallën emocione, vecanërisht për Annette Lantos, e cila me lot në sy iu drejtua të pranishmëve në emër të Fondacionit Lantos, duke rikujtuar disa nga kujtimet më të mira të burrit të saj të ndjerë nga ai udhëtim në të cilin edhe ajo mori pjesë në vitin 1990. Zonja Lantos, a mbijetuar e Holokaustit, shprehu falenderimet e saj ndaj Joe dhe Shirley për punën e tyre që e bënë me Tom Lantosin dhe për shqiptarët në të gjithë Ballkanin.

Sado historike që të jetë roli i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke u bërë kështu vendi i vetëm në botë që kishte më shumë hebrenj pas Luftes së Dytë Botërore se para saj, rëndësia e kësaj vetem sa shtohet kur mirret parasysh roli që shqiptarët në Kosove luajtën. Shqiptarët e Kosovës ishin instrumental në mundësimin e kalimit të sigurte të hebrenjve nga Shqipëria në Kosove të cilët po i iknin Holokaustit. Arif Alickaj, babai i Agim Alickaj, anëtar i Bordit të LQSHA-së, u nderua në këtë ngjarje për ndihmën e tij dhënë shumë hebrenjve në Kosovë, përmes funksionit të tij si Sekretar i Komunës së Decanit, i cili i dha hebrenjve letërnjoftime kosovare me emra te rrejme muslimanë në mënyrë që hebrenjtë të kalonin kufirin për në Shqipëri. Duke iu drejtuar të pranishmëve në emër të familjes së tij, shumë prej të cilëve ishin aty – duke përfshirë edhe vëllaun e tij i cili erdhi nga Norvegjia, Agim Alickaj tha se familja e tij ndihej krenare se babai i tij kishte ndihmuar hebrenjtë që të mbijetonin, dhe se babai i tij e kuptonte vuajtjen e hebrenjve sepse babai i Arifit (gjyshi i Agimit) ishte pushkatuar nga armata serbe në vitin 1922 vetëm se ishte shqiptar.

Përpjekjet e pareshtura të Shirely Cloyes DioGuardi dhe të LQSHA-së bëri që Yad Vashem ta njihte shqiptarin e parë nga Kosova, Arsllan Rezniqi, as“Righteous among Gentiles”. Arsllani, tregtar i ushqimeve dhe komoditeteve në gjithë Ballkanin, përdori kontaktet dhe rrugët tregtare, duke përfshirë edhe Arif Alickajn, për të siguar kalim të sigurtë për qindra hebrenj gjatë 6 viteve. Stërnipi i tij, Lekë Rezniqi, një gazetar i spikatur nga Kosova dhe bashkëdrejtues i Asociacionit të Miqësisë Kosovë-Izrael, iu drejtua te pranishmëve, duke ndarë kujtime të sakrificave që familja Rezniqi nga Decani i Kosovës kishin bërë për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit dhe përpjekjet e tyre për të hedhur në dritë kontributin e shqiptarëve kosovarë për shpëtimin e hebrenjve. (Në vitin 2007, Joe dhe Shirley shkuan bashkë me gjyshin tash të ndjerë të Lekës, Mustafën, në Jerusalem per të ndjekur njohjen publike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit në Yad Vashem, Autoritetit te Përkujtimit të Heronjve dhe Martirëve të Holokaustit.

Ronald Rettner, filantropisti dhe biznesmeni hebre amerikan i cili bashkëdrejtoi ngjarjen, përshendeti shqiptarët “që nuk ua kthyen shpinën një populli që ishte në rrezik” dhe shqiptarët na kanë prezantuar neve një sfidë sepse “ka shumë raste sot ku bota po lejon që vuajtjet pa diskrimnim po shkojnë të pakontrolluara”. Ashtu si e spjeguan Joe dhe Shirley, sakrifica e paparë e shqiptarëve erdhi nga besa, kodi i nderit që është i rrënjosur thellë në traditën dhe karakterin e shqiptarëve, dhe që i kërkon shqiptarit ta mbroj mysafirin me gjitha mjetet e nevojshme, madje edhe kur rrezikon familjen dhe jetën e vet. Shpetimi i hebrenjve nga shqiparët është edhe më i jashtëzakonshëm për faktin se shqiptarët nuk i konsideronin hebrenjtë si të huaj, por si mysafirë. Ky fakt u nënvizua edhe nga disa folës të tjerë, duke përfshirë këtu Profesor Richard Stone, Kryetar i Konferencës së Presidentëve të Organizatave Madhore Amerikano-Hebrenj, dhe Johanna Neumann, i mbijetuar hebre gjerman familja e të cilit u shpëtua nga shqiptarët.

Edhe Ambasadori i Israelit në Washington Barukh Binah shprehu falenderimin dhe mirenjohjen e tij popullit shqiptar dhe LQSHA-së për shpalosjen e kësaj sakrifice dhe për organizimin e këtij festimi, i cili gjithashtu shtoi se fakti që shqiptarët janë muslimanë dëshmon se hebrenjtë dhe muslimanët mund të jene shokë. Rabini Joseph Potasnik, Zëvendës-Kryetari Egzekutiv i Konference se Rabinëve të New Yorkut, tha se storia shqiptare gjate Holokaustit na tregon se“me e mira e te gjitha besimeve duhet te qendroje bashke kunder se keqes se te gjitha besimeve.”

Për të nderuar 100 vjetorin e pavarësise dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, Kryetarja e Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomen e Përfaqësuesve, Ileana Ros-Lehtinen, iu drejtua të pranishmëve, duke nënvizuar përparimin historik që Shqipëria ka bërë pasi përjetoi “një diktaturë komuniste brutalisht shtypëse që e ktheu gjithë vendin në një burg virtual.” Megjithatë, ajo gjithashtu nënvizoi sfidat e shumta para Shqipërise në rrugën e saj përpara dhe tha se “kauza shqiptare nuk ka përfunduar, sepse ndarja e tokave dhe popullit të saj vazhdojnë të kenë pasoja vdekjeprurëse për rajonin, duke përshirë Kosoven.” Si rezultat, Kryetarja Ros-Lehtinen iu kujtoi të gjithëve se Shtetet e Bashkuara janë bërë dhe vazhdon të jetë aleat i parezvuar i shqiptarëve, kryesisht për arsye të rolit udhëheqës që Joe dhe Shirley dhe LQSHA-ja kanë luajtur në sjelljen e cëshjeve shqiptareve më afër mendjeve dhe zemrava të shumë anëtarëve të Kongresit amerikan.

Nje tjetër anëtar i fuqishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, Howard “Buck” McKeon, Kryetar i Komitetit te Shërbimeve të Armatosura, iu drejtua të pranishmeve, duke shprehur mirënjohjen e tij më të perzemërt për gjithë atë që shqiptarët bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për mbështetjen e vazhdueshme që shqiptaret  i kanë dhënë Shteteve të Bashkuara. Në fund të vitit 2011, Kryetari McKeon ishte instrumental në sigurimin që baza amerikane në Kampin Bondsteel në Kosovë të mos i dorezohej një vendi tjeter, ashtu siq ishte sugjeruar. Vendimi i tij për ta mbajtur Bonsteelin nën udhëheqjen amerikane, pa marrë parasysh shumë presioneve për të reduktuar praninë e ushtrisë amerikane nëpër bote, erdhi vetëm pas Joe and Shirley kishin lobuar tek ai qe ta merrte këtë vendim dhe pasi Shirley prezantoi tek ai argumentim të fuqishëm për mbajtjen e pranisë amerikane në Kosove derisa problemi i ndarjes de-facto të veriut të Kosoves dhe destabilizimi i rajonit nga Serbia te jetë zgjidhur.

Nga Senati amerikan, Senatori Charles Schumer nga New York foli për vlerat dhe virtytet e shqiptaro-amerikanëve. Duke përfaqesuar New Yorkun ku një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë, Senatori Schumer është njohtuar me shumë shqiptareve dhe ka mësuar shumë për traditat dhe vlerat e tyre. Në fjalimin e tij, ai theksoi se shqiptaro-amerikanët e pasurojnë New Yorkun dhe Amerikën jo vetem sa i përket kulturës, por gjithashtu shoqërisë dhe ekonomisë. Senatori Schumer tha se ai ishte shume i impresionuar me shpirtin ndërmarrës të popullit shqiptar dhe dedikimit të tyre për të qenë të suskesshëm. Njëra prej shembujve më të mirë se si shqiptarët kërkojnë suksesin, tha ai, është mbështetja e tyre për Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Joe e Shirley si zëdhënisitë më të mire të tyre në Washington, D.C.  Senatori Schumer shprehu mirenjohjen e tij të sinqerte ndaj Joe, Shirley, dhe LQSHA për oganizimin e këtij festimi në Capitol Hill për 100 vjetorin e paverësisë se shqiptarëve dhe për punën e tyre të vazhdueshme në formimin e politikës së jashtme ndaj cështjeve shqiptare.

Kongresisti Dana Rohrabacher, një mbështetës qe një kohë të gjate i lirisë, vetëvendosjes, dhe kauzës kombëtare shqiptare, u prezentua nga Shirley Cloyes DioGuardi. Rohrabacher e kundërshtoi marshimin gjenocidial të diktatorit seb Slobodan Milosevic, shumë herët dhe para se ky kundërshtim të ishte pozicion i popullarizuar.Disa video klipe u shfaqën ku ai kishte bërë deklarata të fuqishme në seanca dëgjimi para Komitetit të Punëve të Jashtme në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Kongresisti Dana Rohrabacher u emocionua shumë nga ky festim aq sa atij iu përlotën sytë. Ai tha se ai ishte shumë i emocionuar jo vetëm për atë që shqiptarët kishin bërë për të shpëtuar hebrenjtë gjate luftës së dytë botërore, por gjithashtu për atë që Joe dhe Shirely dhe LQSHA-ja kanë bërë për shqiptarët. Ai tha se ai ishte falenderues që kishte mundësinë të njihte Joe dhe Shirley dhe të mësonte përmes tyre për kërkesat e drejta  të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kongresisti tha se ai ndihej mirenjohës ndaj popullit shqiptar për atë që ata kishin bërë gjatë kohës më të errët të njerëzimit për të treguar se shpirti i njeriut mund të jetë human dhe guximtar edhe në situatat më të vështira.

Per ta përkujtuar këtë ngjarje përgjithmonë, Kongresistet Rohrabacher dhe Nadler parazitën Rezoluten 812 në Dhomën e Përfaqesuesve me 15 nëntor, që përshëndet popullin shqiptar në 100 vjetorin e deklaratës së pavarësisë nga Perandoria Turko-Osmane me 28 Nëntor, 1912, dhe gjithashtu përshëndet shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen dhe shpëtimin e të gjithë hebrenjve që ose jetonin në Shqipëri ose kërkuan strehë aty gjatë Holokaustit. Nje rezolutë e ngashme ne Senate, Resoluta 601, u paraqit nga Senatori Schumer.

Shume mysafirë kishin privilegjin për të marre pjesë në këtë ngjarje dëgjuan me vëmendje gjatë drekës dy-orëshe rrëfimin unik të herozimit shqiptar dhe vlerësimet që u bënë në nder të kësaj nga shumë politikbëres në SHBA dhe udhëheqës hebre amerikanë.

Luan Mazreku, një i ri nga Kosova dhe anëtar i ri i Bordit te LQSHA, that se ai dinte për shpëtimin e hebrenjve nga Kosova, ai u habit nga rëndesia që kjo paraqet jo vetëm për hebrenjte që shpëtuan, por për të gjithe njerëzimin. “Ky është një shembull”, tha ai “nga i cili e gjithe bota mund të mesojë.”

Mazreku shtoi se “Edhe pse shqiptaret jane nje popull i vogël në tokë për nga popullsia, ata perfaqësojnë një pjesë të madhe të zemrës humane.”

Shirley Cloyes DioGuardi foli per kontrastin në mes të arkitektëve nazistë të “zgjidhjes përfundimtare” për të shfarosur hebrenjtë evropianë, të cilet ishin, në fjalet e Kryetarit të Yad Vashemit Avner Shale, “përfaqësues të Rilindjes gjermane me doktoratura” dhe të popullit shqiptar, shume prej të cilëve ishin të pashkolluar, por të cilët përfaqësonin nivelin më të lartë të moralit.

Shume Anëtarë të Dhomes së Përfaqësuesve u ndalën për të përshëndetur të pranishmit. Në mes tyre ishin Nan Hawork, Reed, Gibson, dhe Engel, si dhe ish-Anetarët Connie Morella dhe Bill Zeliff. Ish-kongresisti Ben Gilman, tani 91 vjec, i cili luajti një rol të rëndësishëm me Tom Lantos dhe Henry Hyde, ishte i ftuar nderi. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të mirrte pjesë pas një lendim të rëndë në këmbë, por ai dërgoi vlerësimin e tij në mënyrë të shkruar. Gjithashtu, shume rabinë dhe udhëheqës të tjerë hebrenj morën pjesë, dy prej të cilëve, Rabini Warren Stone dhe Leonard Guttman, të cilët dhanë lutjen dhe bekimin, repsektivisht.

Së fundmi, Joe DioGuardi prezantoi anëtarët dhe udhëheqësit italiano-amerikan të Fondacionit Kolombus të Qytetarëve si dhe Fondacionit Kombëtar Italiano Amerikan, dhe ai shfrytëzoi rastin për tu përkujtuar të pranishmëve se ushtria shqiptare, e udhëhequr nga gjenerali i madh Gjergj Kastrioti Skënderbeu në betejën e Apulias në vitin 1461, bindshëm mposhtën pushtuesit francezë që po mundoheshin ta mirrnin nën kontroll Mbretërinë e Napolit. “Sikur të mos ishte për shqiptarët, Italianët do të flisnin frëngjisht sot!” tha ai.

Ngjarja e 28 Nëntorit edhe nje herë tregoi rëndësinë e përpjekjeve 22 vjecare të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Joe dhe Shirley, si udhëheqesitë e LQSHA-së, kanë qenë gjatë këtyre viteve ura, lidhja kryesore, në mes të shqiptarëve dhe politikbërësve të politikës së jashtme të SHBA-ve. Sikur të mos ishte për punën e tyre për të fituar mbështetjen e Kongresit të SHBA-ve, shqiptarët nuk do të ishin ku janë sot: Shqipëria nuk do të ishte një demokraci dhe anëtar NATO, dhe Kosova sigurisht nuk do të ishte as e lire e as e pavarur. Po aq sa është e rendësishme shpëtimi shqipar i hebrenjve, është edhe rrëfimi i shpëtimit të kauzes kombëtare nga Joe dhe Shirley. Pa ata dhe bordin e Liges Qytetare, kauza kombëtare shqiptare do të kishte stagnuar komplet. Pa ata, edhe ky rrëfim unik dhe heroik i shpëtimit të hebrenjve me siguri se mund të kishte humbur në histori. Prandaj, ishte me vend që 20 anëtarët e Bordit të Ligës që ishin pjesëmarrës u prezentuan dhe u mirëpritën me duartrokitje për punën e tyre shumëvjecare.

*Faton Bislimi është kandidat për doktorature në Universitetin e Albertës në Edmonton, Kanada dhe Anëtar i Bordit të LQSHA-së.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Faton Bislimi, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

10 ARESYE PSE DUHET VIZITUAR SHQIPERIA

December 27, 2012 by dgreca

Huffington Post në seksionin e saj “Travel”, “Udhëtim” jep sot 10 këshilla të  Leyla Giray, këshilluese dhe inspiruese për gratë që kërkojnë të udhëtojnë se  pse duhet vizituar Shqipëria gjatë vitit 2013.

Në hyrje të shkrimit të saj, shoqëruar edhe me fotografi, Giray jep disa  fakte historike, duke theksuar diktaturën e ashpër që Shqipëria ka përjetuar, si  dhe dëshirën e saj që pas hapjes me pjesën tjetër të botës të bëjë hapa sa më të  shpejtë drejt zhvillimit.

Por, nga ana tjetër,  Giray thekson se vendi mbetet i dobët për të  përballuar një turizëm masiv, është i pamjaftueshëm trajtimi i mbeturinave, etj.  Shqipëria është një vend  i këndshëm për udhëtarët, por kërkon durim.

Në 10 arsyet pse duhet vizituar Shqipëria gjatë 2013-ës janë siguria, natyra,  turizmi kulturor, diversiteti, moti, çmime, që sipas saj janë 30 deri në 40 për  qind më të lira se në vendet fqinje.

Giray nuk le pa theksuar se vizitorët e 2013-ës do  të mund të zbulojmë shumë më tepër se sa kaq në Shqipëri.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/27/huffpost-10-arsye-per-te-vizituar-shqiperine-ne-13/#ixzz2GI0o7Ir2

Filed Under: Kulture Tagged With: Shqiperia tuistike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5642
  • 5643
  • 5644
  • 5645
  • 5646
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT