• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

10 KALORËSIT E PAVARËSISË MARSHOJNË DREJT VLORËS

November 22, 2012 by dgreca

Dhjetë kalorës, mes tyre edhe një vajzë që e thërrasin “Shotë”,te merkuren me 21 Nentor, kanë kaluar doganën e Morinit /

 Nga Sulejman Dida/

 Dhjetë kalorës janë nisur nga Kosova drejt Vlorës si 100 vjet më parë. Një mënyrë kjo për të kujtuar delegacionin me në krye Isa Boletinin, që u nis të merrte pjesë në ngjarjen historike. Flamurtari i grupit, Artan Nikiqi, tregon se grumbullimi është bërë në Prishtinë ditën e martë, ndërsa dje kanë marrë rrugën në orën 06.00 të mëngjesit. “Jemi nisur në mëngjes herët nga Prishtina, në drekë kemi bërë një pushim në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit e bujtjen do ta bëjmë në Kukës”, thotë Artani duke shtuar se gjithçka është programuar deri në detaje për të mbërritur në datën 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Në ditën e parë, “kalorësit e pavarësisë” kanë përshkuar rreth 120 kilometra nga Prishtina në Kukës, ndërsa qindra kilometra të tjera do të përshkohen në ditët në vijim. Enver Raça nga Prishtina (Obiliqi) thotë se në përbërje të grupit janë përfaqësues nga krahinat kryesore të Kosovës, Mitrovica, Karadaku, Rrafshi i Dukagjinit, etj., dhe se pranimi në grupin e kalorësve nuk ka qenë një detyrë e lehtë. “Kemi nisur përgatitjet pesë apo gjashtë muaj më herët dhe janë pranuar vetëm personat që dinë të kalërojnë, që janë të fortë dhe që i shkojnë me të vërtetë një delegacioni si atë kohë”, thotë Raca. Itinerari i udhëtimit nuk është nëpërmjet tunelit, por rrugës së vjetër nga Puka, gjithkund në gjurmën ku eci Isa Boletini me delegacionin e Kosovës 100 vite më parë. Ata do të kalojnë malet e Kalimashit, të Shën Mërisë, të Gdheshtës e Qafës së Malit e kështu me radhë. Në ndalesën e tyre të shkurtër në doganën e Morinit, një vajzë emigrante nga Zvicra, të cilën e thërrasin Shotë (në kujtim të Shote Galicës) bën në emrin e tyre formalitetet e duhura doganore. Një prej tyre thotë: “Ah, çou bre baca Isë, çou bre baca Isamil Qemali dhe ti Hasan Prishtina”. Iniciativën private të këtij grupi kalorësish e ka mbështetur një fermë private kuajsh hipizmi në afërsi të Prishtinës, si dhe një agjenci kosovare e turizmit alternativ.(Kortezi-Shqip)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 kaloresit, e pavaresise, Sulejman Dida

SHQIPERIA 100 VJET PAVARESI, ÇAMERIA 99 VJET ROBERI

November 22, 2012 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU/

 “Supozohet se fantashkenca po mundëson ëndrrën e kahershme të njerëzmit,depërtimin në të shkuarën e ngjarjeve duke jetuar të tashmen,duket paksa joreale,por njeriu e ka seriozisht këtë tentativë,novacionet dhe shpikjet e mëparshme i mbushin mendjen njeriut se mund tia dalë të ndërtojë një satelit eksplorues e zhbirilues të hapesirës yjore, ky satelit nuk përngjan me satelitët e tjerë,është disi ndryshe,ai rrëket të thithi valë hapsinore duke tentuar të takoj një yll fotograf “Yllin memorizues”, i cili ka për funksion regjistrimin e së tashmes e cila kthehet në të shkuar, pra në të gjitha dimensionet,edhe pse ky yll ndodhe mijëra vite drite larg nesh,ai afron objektivin,e me lehtësi të madhe,na regjistron në detaj. Madje edhe “N.A.S.A” bashkë me gjigandin “Google Earth” kur lëshojnë satelitët e tyre regjistrues në hapësirë,domosdo këtë yll do të kenë kopjuar. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur ai të dëshmoj,po po,jam i bindur se një ditë e kaluara jonë do paraqitet si dëshmitare e asaj çka mendja e gjymtyrët tanë kanë vepruar, do të na zëri rrugën e do të na thojë hej ti, hej ju…! shikoni me sytë tuaj njgjarjet e moteve të shkuar,e bashkë me to,do të rrefehen të vertetat…!”

E nisa kështu jo më kot,dëshiroj të ndalem pak,e të vlerësoj memorien, pa të cilën s do kishim trashëgimi,e jo vetëm kaq,por ajo rivalizon gjithë shqisat e marra sëbashku.Madje,siç do gjë në këtë ruzull,edhe ajo ka një armik e antagonist të fortë,dualizon e ndeshet me të, “harresa dhe kujtesa”,armike të vjetra së njëra tjetrës,betejë e hershme sa vetë njerëzimi.Madje në civilizimet e popujve të lindjes,njeriu etiketohej me cilësinë predominante të tij “Harrues”, rreziku qëndron gjetkë,nëse harron,patjetër që mohon.Kujtesa shpesh herë të zgjat jetën,ajo mundëson të jetosh në dy kohë,të ngacmon nostalgjitë e së kaluares,por ama,jo pak herë gërvisht plagë të zëna kore nga e shkuara,mund të themi që të dyja janë një mrekulli,lum ai që i menaxhon.Popujt e kombet e ndryshëm,edhe pse e dinë fare mirë se harresa është veti njerëzore,kjo nuk i ka penguar të marrin masa,e të kacavirren në trungun e kujtesës duke vjelë në degët e saj memorien e tyre histroike,duke e shtrydhur fort e fort,e kështu lëngu i dalë prej saj shndërrohet në melhem,bëhet mësim e përvojë për të ardhmen.

Shqipëtarët duke qenë qytetarë të kësaj bote,normalisht janë antarë të familjes madhe njërëzore,e ndarë në fise e fara,popuj e kombe, edhe ne na takon të kemi pozicionin tonë historik,po vallë, deri në ç’masë po e shtrydhim frutin e memories…!Shekulli që po përcjellim,pra jo ai kalendarik,por shekulli historik i joni,duket se atribuohen shumë fatkeqësi të,dhimbje,përpjekje e mundime,pse jo,edhe arritje, evenimente e ngjarje historike,ku vlen të veçojmë pavarësinë e Kosovës,realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Zi e Maqedonisë e gjetkë,dhe ja tek jemi në jubileun e “100-vjetorit” të pavarësisë,ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqipëtar.Pikërisht ky vit,ekzaktësisht ky muaj,kulmon ëndrën e kahershme,sakrificën e burrave dhe grave të këtij vendi për të arritur  ditën madhështore,pra “ 100 vjet shtet ”.Fillimisht,si shqiptar i Çamërisë,më takon tia uroj vetes sime këtë pavarësi,e më pas gjithë kombit tim.Mos harrojmë se shumë popuj në botë  kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyren,ndaj ne si shqipëtarë duhet të falenderojmë të madhin Zot,që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël”,por të madhe në shpirt,ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd,dhe kjo është “Shqipëria jonë”.E si mund të mos cekim rolin e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë,ku fronti i parë i betejave ishin këto dy treva martire,ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot.Pak më lart në mënyrë simbolike përmenda “shtëpizën tonë të vogël”,themë kështu,sepse shumë bukur mund të kishim shtëpinë e vërtetë shumë herë më të madhe,por siduket gërshërët e fqinjve ishin goxha të mprehta,shqiponjës ia prenë krahët. Ç’kërkonin shqiptarët,ata kurrë nuk i hynë  në hak askujt ? normal që ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa hallallin që u takonte,atë që mijëra vjet u ka takuar.U sakrifikuan trojet më të mbegata e më strategjike,e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.Ky vit jubile na bënë disi më të fortë,jemi antarsuar në “N.A.T.O”,kandidat për në “B.E”,rrëzuam komunizmin,po luftojmë ende me komplekset e së kaluarës,e kështu me rradhë po kalojmë tranicionin e gjatë.Nëse për një çast meditojmë pak më thellë,do të shohim që rrugës na ka ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar,e nëse nuk i bëjmë ato,atëher brezat pasonjës do hakmerren ndaj nesh,ndoshta do të na harrojnë,ndoshta do të na abandonojnë,ndoshta mallkim i madhë do bjerë mbi ne…! Në fund të fundit detyrat duhen ndarë,e më pas bashkëveprojnë të koordinuara,psh shqiptarët e Çamërise festojnë këtë pavarësi të atdheut tyre në dy realitete, njëri sy i shndrin, i qeshur nga gëzimi,teksa tjetri,vajtonjës me ligje,e brejtur me mallë  Çamërie.Nuk jam emocional,por deri tani kjo hise na ka rënë pë pjesë.Astrologët e vlersojnë shumë renditjen e yjeve,ndoshta edhe ata janë dëshmitar prej andej larg,ekunoksi vjeshtar,ku cikli plot “99” vjet po na largohet,ky numër mesa duket paska goxha simbolikë,ndoshta i merr me vete brengat tona,ku dimret e acarta kthehen në pranvera, ku vatani  ynë i marrë peng kthehet tek të zotët,të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërine e miopinë e atyre që “drejtësi vendosin”.Shekull i çuditshëm,ritmi i dhe dinamizmi i këtij 100-vjeçari ia ka kaluar mijëra viteve sëbashku.Veçse shqiptarët e Çamërisë në planin individual kanë arritur të kapin kohën,por në planin e tyre historik të mbetur në periferinë e shoqërisë,s’mund të shijojnin sukseset dhe inovacionet e politikës,ekonomisë,diplomacisë etj.Të gjitha këto që sapo përmenda i kanë pas kundra,për mos mjaftuar me kaq,ata kanë pësuar mbi shpinë presionin dhe trysninë e makinës luftarake kriminale të barbarëve dhe forcave të errta grekë,që mbi ta ushtruan genocid të pa shoq.Treçereku i këtij shekulli e mbajti botën  mbërthyer me dy luftra shkatërruese,krijoi drama e tragjedi,fatkeqesisht la shumë pak hapesirë të viheshin në vendë të drejtat e mungura,e për pasojë po dëshmojmë 99-të vite mërguar e malluar,me shpresën se patjetër do të ketë zgjidhje për ne,përderisa ka Zot,përderisa ka memorie,përderisa ka ende lapës e letër, e përderisa ka “Gen të fortë”,zgjidhja është tek pragu i derës,pak nuhatje,pak durim dhe ne do ta shohim veten  protagonist të zgjidhjes.Dikush,ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama juaj nuk mund të jetë e vetmja,qoftë brenda kombit shqiptarë,qoftë edhe në kombe të tjerë,pra pse duhet ta përjetojmë,e të ndihemi  kaq të lenduar…! Sigurisht,nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen,ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve,Sllavëve,Venedikasve,Otomanëve etj, pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbëshme kjo robëri nga ato të mëparshmet?! S’do shumë mend të dashur miq,në pushtime ka vrasje,masakra,ka edhe grabitje e dhunime,por ama,askush më parë nuk mundi ta zbrazte Çamërinë nga popullësia e saj autoktone,askush nuk e zhbëri fisnikërinë,askush nuk prishi kultet,askush nuk ndaloi të flitej shqip aty,askush nuk arriti të pengonte kulturën,vallet dhe etnografinë tonë,askush nuk eksperimentoi me “ADN” tonë,pra ne ishim kollonë vertebrale e Çamërisë.Nuk lejuam askënd të na nëpërkëmbte,e as kemi ndërmend të lejojmë shtetin “uzurpatoro-modern”grek.Nuk mund të shtyhet duke vazhduar akoma  me pengmarrje,s’mund të zhurisi dot nderin tonë. Këtij 100-të vjeçari po i vjen fundi,komshiu ynë jugor po e kupton rëndësinë e një zgjidhje për çështjen çame e të transaksioneve tona ligjore e legale,këtë ia imponon vetvetiu koha, veriu i Greqisë ka vite që ka ngecur në një ngërç ekonomik,s’mund të ketë investime në tokat e tjetër kujt,ndaj të bëjmë thirje ty o Greqi,që vetë na ke regjistruar si nënshtetasit e tu, bëhu realiste,mjaft më me tokat tona nën sqetull…! bëhu pak koherente,çdo gjë e ka një limit e një hark kohor.Jemi në një kurs të ri botëror,i cili krijon mundësi e hapësira për rregulla e situata të reja gjeostrategjike,ku çdo 100-të vjet prodhohen e dalin personalitete që marrin popujt prej dore e u tregojnë atyre rrugët e së ardhmes.Sigurisht,edhe për ne shqiptaret,do ketë gjenerata të cilat do drejtojnë vendin  drejt aspiratave të drejta e sublime,ndaj duhet të shpresojmë…! Pas rrebesheve,qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur. Pyetja shtrohet se si do tia dalim të rikthejmë atë që ky 100-të vjeçarë na e rrëmbeu prej duarve,e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës.Shpresën e parë duket se na e dhuron koha,ajo na divorcoi nga ky shekull,duke na përcjellë tek pasuesi i tij,që kurrësesi nuk do i ngjasoj pararendësit.Ndodhur në realitete krejt të ndryshme,ku bota nuk i ka hasur më pare,në kriza monetare,ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado,korridoret ku kombi unë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojne një rol predominant në rajon,pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë Arkontët (Zotërit) e korridoreve lindje-perëndim,pra do riaktivzojnë zanatin e vjetër,atë të posedimit të rrugëve ekonomike,ku prekin akset më të rëndësishme të rajonit e më gjerë, patjetër që ne shqiptarët e Çamërisë kemi hipotekuar asetet tona , në hapësirat ujore e tokësore të Epirit.Shqiptarëve të Çamërisë u duhet rizgjuar disi nervi,nuk mund të jesh aktiv nga boksit të televizionit apo kompjuterit,nuk mund ta prekësh lindjen e perëndimin thjesht duke qenë vëzhgues apo tifoz.Normal,kjo situate sjell disi konfuzion,por s mund të jemi thjesht poseduesit e fjalëve të ngrohta.Duhet ritëm e kurajo për sfidat që na presin,normal,nuk do të jenë edhe aq të lehta, pa një projekt dhe platformë mbarëkombëtare. Mënyra e vetme e reformimit të kauzës tonë është unifikimi dhe dakortësia e mendimeve të pjakura,por edhe larmia e tyre nuk na bënë dëm.Vjelja dhe gjetja e burimeve humane,ku këto dy dekada shihet qartë se kanë ndihmuar në një produkt cilësor të kapaciteteve intelektuale e drejtuese të komunitetit Çamë,do ishte adekuate.Po perse vallë,duhet një rizgjim,përse novojitet një subkoshiencë…? është fare e thjeshtë,fëmija nëse nuk qan,nëna nuk i jep të pijë, bota e madhe nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin,të drejtat nëse nuk kërkohen, nuk realizohen,dhe për pasojë vdesin kauzat e bashkë me to edhe zotërit e tyre. Për të evidentuar anë pozitive përherë ka vend,aspak nuk është se kemi qëndruar në vendë numëro,nga një organizim qytetar,pra Shoqatë Atdhetare Patriotike Çamëria,me pak vonesë,por gjithësesi kaluam në një platformë të mirëfilltë politike,kemi tashmë një parti që e krijuam me mund e me djersë,pra partinë Drejtësi,Integrim dhe Unitet“P.D.I.U”.Shpeshherë na kap kriticizmi për ato çka veprojmë,por kjo s na pengon të vlerësojmë ato çka kemi arritur,në këto çaste duhet të mbështesim nismën për rezolutën Çame në parlament,zëri parlamentar është i domosdoshëm,askush nuk e mbron dot këtë kauzë më mirë se bijtë e saj.Ky vit gjithashtu është vit elektoral,çdo kush do mblidhet në kosheren e vet,ne na takon të koordinohemi tek kosherja jonë,tek kosherja e bletëve punëtore,nuk duhet të kemi filozofinë “mbush e mbush,e më pas vëri shkelmin”, nëse do presim degën ku kemi hipur,ne të parë do vritemi e lëndohemi,boll jemi lënduar nga ata që na dëbuan.Duke lexuar një thënie profetike e cila thotë,”punët gjykohen nga qëllimi që ke në to” të gjykojmë qëllimet është pak e vështirë,duhet pak kohë,ne nuk posedojmë të fshehtat e zemrave,ndaj koha është gjykuesi më i drejtë.Në mbyllje i uroj edhe njëherë kombit shqiptarë këtë 100-vjetor,jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë…!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: 100 vjet, 99 vjet, Cameria, ervin fetahu, pavaresi, roberi, shqiperia

“NUK MUND T’I MOHOSH NJË KOMBI NDJENJAT E NATYRSHME”

November 22, 2012 by dgreca

Nga: Prof.as.Dr. Qazim Kashari/

Sali Gjukë Dukagjini është një nga veprimtarët e shquar të arsimit dhe të kulturës kombëtare, i cili mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe firmosi Deklaraten e Pavarësisë. Ai ishte delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, u zgjodh në “Pleqësinë” (prej 18 vetash) dhe më vonë Qeveria e Vlorës e emëroi drejtor arsimi për prefekturën e Beratit. Shënoj se një pjesë e delegatëve, në Kuvendin e Vlorës, ishin anëtarë ose themelues të klubeve, si dhe pjesëmarrës të kongreseve kombëtare të arsimit e kulturës shqiptare. Ky shkrim synon të japë vetëm një pjesë nga veprimtaria e Sali Gjukës, në gazetën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit.

Ne ç’rrethana Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës? Ç’probleme ngriti e trajtoi? Në numrin 41, qershor 1910, hodhi dritë për pyetjen e parë: Ai shkruan se dy ditë më pare, më 15 qershor 1910, në zyrën e shtypshkronjës, ku dhe ai ishte i pranishëm, futet një polic dhe kërkon Fehim Zavalanin, drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”, të shkonte me të tek urdhëtari i armëmbajtësve. Atje e burgosin. Valiu i Manastirit tregon shkakun: “Shikoje këtë tejshkrim, që më erdhi nga Shefqet Turgut Pasha, në të cilën thotë se artikulli i botuar në gazetën tuaj (20 maj 1910) ka sjellë një trazim të madh në Gjakovë”.

Ishte koha, kur në Kosovë kishte shpërthyer kryengritja kundër xhonturqëve dhe politikës djallëzore serbomadhe. Në 20 ma,j gazeta boton në faqe të parë shkrimin “Letër prej Elbasanit”, i cili ka në fund firmën “Kamani”. Në të tregohej për luftimet në Kosovë, për betejat e përgjakshme të kryengritësve shqiptarë kundër ekspeditës ushtarake të Turgut Pashës. “Kamani” tregon fakte për vrasjen e pleqëve dhe të fëmijëve. Flet për qëndrimin heroik të grave, që luftonin bashkë me burrat, se si një shqiptare e Kosovës me tre djemtë e saj luftoi me trimëri, por në fund u rrethua dhe vritet në mënyrë barbare…

Këto shkrime kishin ngjallur një urretje të madhe te populli i Kosovës. Ja, pse Turgut Pasha i dërgonte telegramin Valiut të Manastirit, për arrestimin e drejtorit të gazetës “Bashkimi i Kombit”.

Po,cili ishte “Kamani”, autori i shkrimit? Përgjigjen na e jep gazeta (Nr.42, 24 qershor 1910), ku shënohet: Të hënën, më 21 qershor, sollën këtu nga Elbasani z.Kristo Dako…Shkaku i burgimit ishte shkrimi i tij në gazetën tonë, me pseudonimin “Kamani” . Në këto rrethana, patrioti demokrat Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës “Bashkimi i Kombit” dhe përpiqet me guxim që ajo ta vazhdojë veprimtarinë për çështje kombëtare.

Në artikujt, që boton me firmën  e tij, Sali Gjuk Dukagjini apo Gjuk Dukagjini, trajton probleme të Kombit, të gjuhës, arsimit dhe luftës për fitoren e pavarësisë. Në shkrimin “Kthjellim” (qershor, 1910) ai dënon ashpër politikën  xhonturke ndaj shqiptarëve të Kosovës. I kundërvihet lajmëtarit të gazetës ”Tanin”, organ i komitetit xhonturk “Bashkim e Përparim”. Ndër të tjera, ai shkruan: “ Lajmëtari i fletës “Tanin”, tue kallzue ngjarjet e Gjakovës, shënon se si këtu (në Gjakovë) edhe fëmijët na  vështrojnë me sy idhnimi dhe na marrin shenjë, si në vend të hutës. Djelmoshat nuk po i rrëfejnë armët. Sipas shkrimit, në “Tanin”, djelmënia e atyrshme duhet të dënohet, të shtypet”. Ja çfarë shkruan Sali Gjuka kundër “Tanin”: Sa fjalë e naltë (ironizon ai), sa mendim i kthjellët, sa kujtim, qytetnim del te fjalët : të shtypen djelmoshat shqiptarë të Kosovës! Sot në Europë ka shumë shoqni për me i mbrojt shpendët prej rrezikut… ndërsa zotnia i “Tanin” nuk e ka për mkat, që kërkon të dëmtojë, të shtypë, të poshtnojë “zogjt e shqypes”.., por nuk mund t’ia arrijë qëllimit, sepse djelmoshat e Kosovës qëndrojnë shumë lart nga trimëria dhe zgjuarsia. Në këtë kuadër, ai vazhdon: Të hapen shkolla shqipe, të përhapet ditunia në ato vise dhe do të dalloni shpejt përparimin e kombit shqiptar.

Në faqen e dytë të gazetës “Bashkimi i Kombit”(17 qershor 1910), në shkrimin “Trazirat në Gjakovë dhe më tej në Kosovë”, shkruan : Atje derdhet gjak, pengohet hapja e shkollave shqipe, ndërtimi i udhëve të hekurta etj… Këto duhet të jenë frutat e konstitucionit dhe jo topat e barbaritë xhonturke. Më poshtë vijon: “Apo mos ka këtu ndonjë marrëveshje e dinakëri antishqiptare, që bën Petrua i Serbisë?” Sali Gjuka qëllonte mirë, si reaksionin xhonturk, ashtu dhe prapaskenat e politikës djallëzore shoviniste serbomadhe në dëm të popullit shqiptar.

Në artikullin “Drejtësia”(Nr.42, 24 qershor 1910) ai shkruan: Të ruhemi shumë prej dinakërisë… jemi në shekull “komliarë”, mos t’na dinë se s’kemi mend fare. Në kohë tiranike ishte rrezik të flitej fjala “ittihad” e sot asht ma në fat të zi fjala “bashkim”, e cila s’ka asnje fije ndryshimi me të parën, ma i madhi faj i kësaj fjale asht pse i përket gjuhës shqipe. Këtej del dinakëria xhonturke sepse dihet mirë, që gjuha shqipe është mburojë e fortë e Kombit tonë, siç e thonë, “ajo asht si bariu, që ruan dhentë”. E, pra, kjo nuk i pëlqen “xhonëve”, forcimi e perparimi i Kombit tonë. Shkrimet e tij shquhen për ndjenjën e fortë të dashurisë për Kombin Shqiptar, për Atdheun e lirë të pavarur. Shumë kuptimplotë tingëllon shprehja e tij, “Nuk mund t’i mohosh një kombi ndjenjat e natyrshme, kurrë për këtë jetë”.

Sali Gjuka shquhet edhe si gjuhëtar e tregimtar, tërheq vëmendjen për shkrimet e krahinës, ku kishte jetuar fëmijërinë e rininë e tij, bukuritë e saj, ato bjeshkët me kullotat verore plot bylmet, si dhe ujëvarat me rrjedhjet e shkumbëzuara, me bukuri të veçantë. Interesante janë shkrimet e tij për traditat e zakonet e zonës ndërmjet Pejës e Gjakovës. Në tregimin për jetën, ushqimin, gjuhën, vetitë, karakterin, besën etj. ai shënon, ndër të tjera, se ata janë trima të papërkulur, njerëz të besës dhe bujarë të njohur. Në një katund me 200 shtëpi mund të gjenden mbi 15 të moshur 120 vjeç. Gratë janë trimëresha. Shpesh ato veshin rrobat e burrit e ngjeshin në brez armët e tij dhe luftojnë me guxim të rrallë. Me djepin në shpinë shkojnë në arë, nuk lërojnë, por ndihmojnë burrat me punë të tjera. Të gjithë banorët e kanë për zakon që, kur zbresin nga bjeshkët, atë natë kanë dasmë. Qesin pushkë e thërrasin njëri-tjetrin, duke qëlluar një herë më shumë. Janë të lidhur ngushtë dhe festojnë të bashkuem. Atë natë kanë mish me oriz, grurë të zier dhe petë me ajkë. Të nesërmen kanë për drekë kos, djathë etj. Bujtarin e presin si më mirë. Janë të zgjuar, trima e qëllojnë për bukuri. Janë të etur për shkolla shqipe, për të cilat po përpiqen pa pushim.

Pra, shënon me tej Sali Gjuka, të gjithë sëbashku të punojmë, të mundohemi me shpirt e me gjallni për përparimin e forcimin e Kombit Shqiptar! Dhe vetë ai e vuri në jetë më së miri këtë gjë, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, në tetor 1925, në Berat, kur kishte dhënë aq shumë për Pavarësinë e Shqipërisë dhe zhvillimin e arsimit tonë kombëtar.(Ne foto: Sali Gjukë Dukagjini, “Mësues i Popullit”)

Tiranë, 22 nëntor 2012

( E dëgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

Filed Under: Histori Tagged With: firmetari, i pavaresise, Prof. Qaim kashari, Sali Gjuka

MAJOR AHMET LEPENICA NJE HERO I RISHPALLJES SË PAVARËSISË KOMBËTARE

November 22, 2012 by dgreca

Mesazhet dhe idetë që na sjell Enver Memishaj – Lepenica me veprën “Major Ahmet Lepenica … “/

 Nga Gani Ratkocieri, studjues, “Mësues i Popullit”/

 Në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, që filloi ditën fatlume të 28 nëntorit 1912, duhet vlerësuar e kujtuar edhe  Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, sepse këto ngjarje vulosën me gjak dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare të harruar e të përmbysur nga  Lufta e Parë Botërore.

Është përfundimi i arritur në mirëkuptim të plotë prej të gjithë historianëve dhe studjuesve, sepse: Fuqitë e mëdha më 17 dhjetor 1912 nuk e pranuam pavarësinë e Shqipërisë, por vendosën që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin e Sulltanit, ndërsa më 29 korrik 1913 Shqipërinë e shpallën principatë autonome sovrane  dhe të  trashëgueshme.

Lufta e Parë Botërore: 4 gusht 1914 – 11 nëntor 1918, e përmbysi Pavarësinë e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha, më 26 prill 1915, e ndanë Shqipërinë në copa, copa ndërmjet Greqisë, Serbisë dhe Italisë. Në këto kushte patriotët shqiptarë të zhgënjyer nga Fuqitë e Mëdha, i dualën zot vetes me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën Heroike të Vlorës, në vitin 1920.

Enver Lepenica me veprën  “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, vjen të dritësojë një prej herojve të Epopesë së Vlorës më 1920, një personalitet të shquar të asaj lufte komandantin e sajë, major Ahmet Lepenicën.

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare janë botuar disa monografi për figura që kanë dhënë kontribut  të madh për të mbritur në 28 nëntor 1912.

Por pavarësisht rëndësisë së këtyre veprave, me përjashtim të gazetave “ 55 “ dhe gazetës “Republika” pjesa tjetër e  shtypit dhe televizionit heshtin!?

Këtë fat ka pasur edhe vepra e njëmbëdhjetë e botuar nga studjuesi apasionuar Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Luftës së Vlorës 1920”. Një libër voluminoz prej 500 faqesh, i shkruar me pasion kombëtar, duke dritësuar jo vetëm major Ahmet Lepenicën por krahas tij edhe figura të tjera që luftuan nën komandën e tij.

*    *    *

Në trajtimin e figurës famëmadhe të major Ahmet Lepenicës, autori  është treguar objektiv, pa pasion, njohës i mirë i kushteve e rrethanave historike në të cilat ka jetuar, vepruar e luftuar major Ahmet Lepenica. Ngjarjet historike janë mbështetur në dokumenta e fakte të kohës, në kujtime të botuara dhe në folklor, pra kemi një trajtim shkecor të ngjarjeve dhe heroit të veprës, gjë që e ka vënë re me të drejtë edhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe në vlerësimin e veprës.

Në këtë mënyrë është trajtuar e përshkruar edhe Lufta heroike e Vlorës e vitit 1920.Vepra të këtij lloi i ndihmojnë historianët, për të shkruar me objektivitet historinë tonë kombëtare.

Përmbajtja e veprës është trajtuar sipas rendit kronologjik, pjesmarrja e heroit në lëvizjen Xhontruke, lufta e tij në krah të heroit kombëtar të Turqisë Mustafa Qemal Ataturkut, por sapo u shpall Pavarësia Kombëtare këta oficerë atdhetarë erdhën dhe dhanë kontributin e tyre për themelimin e shtetit shqiptar, policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë.

Autori ka përshkruar bukur takimin e Ahmet Lepenicës me Isa Boletinin në Vlorë: “Trimat u kuptuan shpejt. Ahmet Lepenica i Labërisë u bë mik me Isa Boletinin e Kosovës, miqësi që simbolizonte bashkimin e kombit tonë”, f.40

Një vend të veçantë i ka kushtuar autori kushteve dhe rrethanave historike në të cilat u shpall Pavarësia Kombëtare, mbrojtja e shtetit shqiptar, nga ujqit e jashtëm dhe çakejtë e brendshëm të tipit të Esat Pashë Toptanit, apo Haxhi Qamilit. Autori ka dijtur të nxjerrë në dukje rolin që ka luajtur major Ahmet Lepenica në këto amulli e mjegulla, ngritje e ulje të historisë sonë: kudo ku kërkohej një dorë e fortë thirrej ky atdhetar trim i cili me atdhetari, zgjuarsi dhe aftësi të larta ushtarake zgjidhte situatën ashu siç e donin iteresat e atdheut.

Në libër është vlerësuar veçanërisht bashkëpinimi dhe roli i Isa Boletinit dhe Ahmet  Lepenicës, të cilët detyruan mbeturinat e ushtrisë së Shefqet Turgut Pashës që marshonin drejt Vlorës së pa fuqishme të ktheheshin në Vjosë dhe të niseshin për në vendin e tyre nga limani i Semanit:

“Ismail Qemali e kuptoi rrezikun dhe ngarkoi dy heronj, Isa Boletinin dhe Ahmet Lepenicën, të cilët u dolën turqve përpara në Vjosë, duke e detyruar Xhavit Pashën të nisej nga limani i Semanit. Asnjë shërbim tjetër të mos i kishin bërë atdheut Isa Boletini me kosovarët e tij trima dhe Ahmet Lepenica, kjo do të mjaftonte për t`i dhënë atij një vend nderi në historinë tonë kombëtare”, sepse ata shpëtuan Pavarësinë e Shqipërisë, f.41.

Studjuesi Enver Lepenica, ndoshta ndër të parët ka përshkruar heroizmin e 400 luftëtarëve të Isa Boletinit që nën komandën e major Ahmet Lepenicës luftuan me trimëri dhe çliruan krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek.

“Qeveria e Vlorës dërgoi një kompani prej 120 luftëtarësh dhe vuri në dispozicion të Ahmet Lepenicës edhe 400 “djemtë” e Isa Boletinit. Me këto forca Ahmeti çliroi Leskovikun, Kolonjën, Tepelenën, Gjirokastrën dhe Përmetin”, f. 57.

Figura e Ahmet Lepenicës është dritësuar e ndriçuar edhe në luftën që ai ka bërë kundër tradhëtive të brendshme, nga tadhëtarë të lidhur me pushtuesin, ose të mbetur skllevër të otomanizmit, ose për interesa e kapriço personale siç ishte rasti bejlerëve të Cakranit.

Autori me nje gjuhë të bukur e llogjike mbështetur në dokumenta e fakte e ka trajtur figurën e major Ahmet Lepenicës si një gjigand i pamposhtur që vjen duke u rritur, deri sa vijmë në Kongresin e Lushnjes që ai e mbron me armë. Ishte kohë e trazuar dhe pa këtë mbrojtje ai Kongres që shpëtoi Shqipërinë nuk mund të bëhej, prandaj lavdia bie mbi këta burra që e mbrojtën.

Në këtë vijueshmëri të ngjarjeve historike autori na shpie tëk lavdia e Ahmet Lepenicës në Epopenë e Vlorës në atë ngjarje famëmadhe e të lavdishme që në histori ka hyre me emrin Lufta e Vlores 1920.

Enver Lepenica është autori parë që e përshkruan të plotë këtë epope që bënë vlonjatët dhe më pas populli shqitar. Me Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare”, me në krye Osman Haxhinë, me shtabin e luftës më në krye major Ahmet Lepenicën, me çetat e fshatrave të Vlorës, Tepelenës dhe me ato të qyteteve të tjera që erdhën në Vlorë pas datës 10 qershor 1920.

Është e rëndësishme gjithashtu se autori në një kapitull ka botuar faksimile të dokumentave që mbështesin ngjarjet historike që ai trajton, si dhe një kapitull për këngët që i ka ngritur populli major Ahmet Lepenicës, këtij biri të shquar të tij. Veçanërisht të tërheq vëmëndjen urdhëri i emërimit të major Ahmet Lepenicës: Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare. Një urdhër i shkruar me dorë, në majë të malit të Beunit, mbi fshatin Vajzë i firmosur nga 12 anëtarët e Komitetit si dhe me vulën e atij Komiteti.

Lufta e Vlorës dhe roli që major Ahmet Lepenica luajti në këtë epope vigane të popullit tonë zë me të drejtë vendin më të madh në libër.

Asnjë tjetër nuk e ka përshkruar aq bukur  tërë zhvillimin e kësaj luftë heroike, bazuar në dokumenta arkivale, në shtypin e kohës, në kujtimet e luftëtarëve të botuara,  dhe në këngët popullore. Lufta e Vlorës ishte një “Termopile” e vërtetë, madje ja kalon asaj sepse falë kësaj lufte Shqipëria u çlirua, u bashkua dhe në dhjetor të atij viti për herë të parë u njoh si shtet edhe nga bota e jashtëme.

Autori mbështetur edhe në gjykimet e historianëve të shquar si Prof. Dr. Muin Çami etj arrin në përfundimin se “merita kryesore e fitores në fushën ushtarake në Luftën e Vlorës, i përket pa diskutim këtij burri të harruar dhe të mohuar padrejtësisht”, f. 179

Është meritë e autorit që citon në ligjiratë të drejtë shumë studjues e historianë, për ngjarje dhe fenomene historike çka i bën përfundimet e arritura prej tija të pa diskutueshme.

*     *     *

Vlerat dhe rëndësia e këtij libri për historinë tonë qëndrojnë veçanërisht në faktet se :Ahmet Lepenica ka qënë një demokrat i vërtetë. Ai gjatë periudhës 1911 deri më 1924, periudha më e vështirë e historisë sonë kur diskutohej në se do të kishte Shqipëri apo jo dha ndihmesën e tij të vyer dhe vendimtare, duke marrë pjesë në të gjitha ngjarjet historike që vendosej fati Shqipërisë. Ai kurrë nuk pa interesat personale, por mbi të gjitha vuri interesat e atdheut të tij. Ai nuk la pas as fëmijë, as pasuri dhe asgjë prej gjëje por la pas veprën dhe emrin e tij të mirë si shembull frumëzimi për brezat e ardhshëm dhe si ide se mbi të gjitha duhet vëmë interesat e atdheut pavarësisht nga sakrificat që duhet të bëjmë.

 Enver Memishaj Lepenica, me veprën e vet,  ka meritën e madhe sepse e zbuloi e ndriçoi dhe e përshkroi major Ahmet Lepenicën, duke ja kthyer historisë sonë ashtu madhështor, heroik, atdhetar dhe veteran i çështjes sonë kombëtare pa njollë, pra i ngriti atij monumentin që meritone, në peidestalin e nderuar të burrave të kombit tonë.

Nga ana tjetë në këtë vepër kemi për herë të parë një përshkrim të plotë dhe të dokumentuar të Luftës së Vlorës 1920

Për vlerësimin dhe lartësimin e figurës famëmadhe të ushtarakut të pa mposhtur, veteranit pa njollë dhe atdhetarit të shquar duhet të kemi parasysh përfundimin e arritur nga autori në këtë libër se “ Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishje shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishje ushtar si major Ahmet Lepenica, një ushtar i ndipedencës sonë kombëtare”.

Gjuha e autorit është e thjeshte e qartë dhe e kuptueshme pa ngarkesa të tepërta, pa prekur gjuhën dialektore kur autori citon në ligjiratë të drejtë personazhet historik. Kjo mënyrë të treguari e bën lexuesin të arri vetë përfundimin e ngjarjeve historike para se ta lexojë në libër nga autori. Jeta dhe kontributi heroit të librit major Ahmet Lepenicës, në historinë e Shqipërisë, shtrihet në një periudhë të gjatë kohore prej vitit 1905 kur ai hyri në lëvizjën Kombëtare, po veçanërisht gjatë periudhës kur po ngrihej shteti shqiptar e bëhej Shqipëria, të treguara e dokumentuara shumë bukur nga autori, çka e kthen librin në një enciklpoedi të vogës të historisë sonë

Në fund të veprës së tij autori ka dhënë bibliografinë: Arkivi Qëndror i Shtetit, Biblioteka Kombëtare, Dokumenta, literatura historiografike me 105 libra duke shënuar edhe faqet ku flitet për major Ahmet Lepenicën, Kujtimet e botuara nga institucione shkencore, folklorin, shtypin 51 gazeta shqiptare dhe të huaja, 15 revista të ndryshme, artikuj që autori ka botuar për major Ahmet Lepenicën  që nga viti 1978, dhe në fund ky kapitull mbyllet me indeksin e emrave, gjith ky aparat e ngre veprën që anaizojmë në një vepër të mirëfilltë shkencore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Lepenica, Enver Lepenica, Gani Ratkoceri

NE FILLIM ISHTE FJALA- VETEM E VERTETA NA BEN TE LIRE

November 22, 2012 by dgreca

MBI LIRINË E SHKRIMIT, TË BOTIMIT DHE KUFIJTË RESPEKTIVË*)/

Nga ALBERT HABAZAJ/ studiues/

Biblioteka Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”-Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë/

Përmbledhja/ Abstract: Përzgjedhja jonë për këtë punim nuk është e rastit, sepse respektimi i shenjtërisë së Fjalës është edukatë dhe kulturë për çdo qytetar; sepse ekonomia e nderit ndaj madhërisë së parë, që njeriu krijoi në botë- Fjalës, është detyrim dhe mision gati hyjnor për çdo punëtor të mirë ndaj fjalës në letër.

Kumtesa fokusohet në rëndësinë që ka liria e shkrimit dhe e botimit, si dhe kufizimet përkatëse, nga që vërehen jo pak anomali e paradokse. “Të jesh i lirë do të thotë para së gjithash të thuash të vërtetën. Vetëm e vërteta na bën të lirë”, thotë Umberto Eko.¹) Liria sjell mundësinë për të ndryshuar pozitivisht mendimin e konkretizuar në fjalë, që të  përmirësohemi duke përparuar. Baticën e lirisë për të shkruar e botuar lirë, deri përtej kufijve të imagjinatës (në konteksin negativ) nuk mund ta gjykojmë si vlerë, por si antivlerë. Krijuesit duhet ta strukturojnë shkrimin e botuar drejt një letërsie të integruar në  tre plane: në rrafshin ballkanik, mesdhetar dhe europian, me identitetin e saj origjinal, mbushur me vlerat e virtytet më të mira, më të bukura e më të dobishme të traditës, e shkarkuar nga veset që i gërryejnë palcën e cilësisë artistike; për të qenë në rezonancë me ritmet bashkëkohore të letërsisë që jeton e lë gjurmë.

Fjalët çelës:  Liri e shprehjes, e drejta e botimit, kufiri shkrimor, kritikë letrare

Gjykojmë se ia vlen të kujtojmë se “të qenët i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes, e varësisë dhe e kufizimeve që pengojnë, vështirësojnë e ndrydhin veprimtarin딲) krijuese të letrarëve; liria demokratike për të drejtën e fjalës, shkrimit, shtypshkrimit dhe botimit; liria e mendimeve, e ndërgjegjes apo liria poetike etj., sidomos në hapësirat e mbushura me provincialitete romantike, në një kohë që sfidohet shpejtësia e dritës, po shpërdorohet në trajta të pakonceptueshme. Vërtet liria e shprehjes (ose e fjalës) është e drejtë e çdo individi për të shprehur lirisht mendimet e tij, përfshirë të drejtën për të marrë ose për të dhënë informacion nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv.Vërtet është një nga të drejtat e njeriut themelore, e përfshirë në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, dhe e shprehur në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA. Vërtet liria e shprehjes shihet si pjesë themelore e procesit demokratik, që ndihmon për shfaqjen e së vërtetës, si dhe që siguron mënyrat për vetëpërmbushjen e individit. Veçse liria e shprehjes  nuk mund të  cenojë moralin e tjetrit dhe as nuk mund ta kalojë cakun e prekjes së reputacionit të të tjerëve, me gjithë  sjelljen e interpretimeve të reja “për parimin e proporcionalitetit”³), për të mos u shpuar nga asnjë gjemb i hidhur konfliktual e për të mos u hidhëruar nga asnjë thumbim i dëmshëm. Liria e shprehjes nënkupton lirinë e ndërgjegjes e të besimit, lirinë e shtypit dhe pjesëmarrjen e lirë në mozaikun ylberor  natyral  veprimtar, ndërkohë që në shoqëritë totalitare asnjëra prej tyre nuk lejohet. “Megjithatë, edhe në shoqëritë demokratike, liria e shprehjes nuk është e drejtë absolute. Ajo mund të kufizohet për arsye të sigurisë kombëtare, ose mund t’u nënshtrohet ligjeve që kanë të bëjnë me fshehtësinë e jetës ngushtësisht vetjake, shpifjen, pornografinë, nxitjen e urrejtjes raciale,… ruajtjen e sekretit dhe të drejtën e autorit”4).

Ndërkohë liria e shtypit, si liri për të shtypur e botuar infomacion dhe mendime pa marrë leje më parë dhe pa kufizime paraprake, duke iu nënshtruar ligjeve për çështje të tilla si shpifja apo pornografia, na kujton që të mos harrojmë urtësinë popullore: “Ndalu bek se ka hendek”. Në vende demokratike, liria e shtypit mund të bjerë ndesh me të drejta të tjera, si e drejta e individit për fshehtësi të jetës ngushtësisht vetjake, ose e drejta për t’u përgjigjur ndaj komenteve armiqësore të bëra nga shtypi

Telegrafisht, do të kumtojmë për tri piketa që kemi dalluar nga leximet e deritanishme: 1- mirësitë letrare, 2- prapësitë apo ligësitë jo vetëm artistike të letërharxhuesve, si dhe 3- disa teza, që gjykojmë t’ i shtrojmë  si të vërteta, duke i mbrojtur me argumentat që na duken mbushmendëse:

1) Të merr malli e mbushesh me lëng poetik, sa ngopesh artistikisht dhe estetikisht me krijimet e Fatos Arapit, i cili vlerësohet edhe  si “ më i mirënjohuri ndër poetët e sotëm shqiptarë 5), det i thellë i letërsisë shqiptare. Humanizmi universal, dashuria njerëzore dhe kodi moral “Liria ime mbaron po preka lirinë tënde” mishërohet në vargjet jo vetëm tejdukshmërisht të sinqerta: “Nuk i lyej kurrë këpucët/ te llustraxhinjtë!/ s’i dua njerëzit te këmbët e mia” 6),  të cilat mjaftojnë t’i japin Visar Zhitit “liçencën” e lirisë së shkrimit dhe të botimit. Nuk e di se si fluturon koha dhe të duket vetja se je mençuruar, fisnikëruar artistikisht dhe zbukuruar shpirtërisht, kur lexon, fjala vjen romanin “Premtimi” me vetëm 160 faqe të shkrimtarit Fridrih Dyrrenmat; “I huaji” i Alber Kamysë me 137 faqe; “Të vdekurit” nga Xhejms Xhojs e  vepra të tjera (s’ mund të bëjmë dot invetarin e vlerave artistike të librave, me të cilat tempulli i lirisë së shkrimit dhe të botimit global ndihet mirë në këmbë dhe me dinjitet. Iu riktheva një buzëmbremje novelëzës me 96 faqe “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorthit, të cilën e pata lexuar 10 vjet më parë kur isha në Itali. Në fund të libërthit kisha shkruar: “Coppito, L’Aquila, domenica, 8.06. 2003, ora 23:25’. Pa dashur më shkasin lotët, pasi mbarova së lexuari këtë prozë poetike brilante, të rrallë, të veçantë, esencë. Musht letërsie! Të lumtë Gollsuorth! “Mos nxitoni të bëheni shkrimtarë, djema”- na tërheq vëmendjen një nobelist ballkanas.

Në këtë krizë kulure, nën hijen e një fjale të madhe, edhe në Shqipërinë tonë të vockël shihet fytyra e epokës moderne tek emra të përveçëm si Petraq Risto e Mimoza Ahmeti, apo Linditë Arapi, Agron Tufa, Ervin Hatibi, Andi Bejtja, Virion Graçi, Alisa Velaj etj., por më falni, jo të shumtë janë shkrimartët e kësaj pjace krenarisht dhe lartësisht letrare, e aftë për ballafaqime rajonale, kontinentale dhe globale. Përveç funksionalitetit të harmonishëm të trinomit: ndjenjë, mendim, figuracion, këta krijues kanë favorin se jo vetëm e kanë shkelmuar kulturën e frikës, por e kanë shqyer atë, si nevojë identiteti krijues dhe ballafaqimi kulturor me të tjerët. Gjuha e shkrimtarit është e dashur si fjala e nënës, e ëmbël si mjali i bletëve që e mbledhin nektarin luleve të malit, e dallgëzuar si deti i thellë në fortunal. Gjuha e shkrimtarit ëshët gati hyjnore, sepse shkrimtari është mjeshtër i fjalës që shkruan vepra artistike. Bijtë e Homerit e të Dantes, të Shekspirit e të Gëtes, të  Naimit e të Kadaresë e pasqyrojnë jetën përmes figurave artistike që ngrihen mbi faktet, njerëzit, ngjarjet dhe dukuritë e ndryshme. Gjuha e shkrimtarit ka për objekt pasqyrimi tipiken shoqërore, dhënien në mënyra të përgjithësuara të karaktereve tipike në rrethana tipike. Mjeshtri i fjalës së bukur është inxhinier i qetësimit të shpirtrave njerëzorë. Ndryshe janë shkrimtarucët. Ata janë të paaftë e të pavlerë, që shkruajnë për të holla a për t’i bërë qejfin dikujt. Ata janë demkëra, duke mos kuptuar se shoqëria e konsumit të librit po i thotë shoqërisë së prodhimit libror: “ Të lutem, hapëm pakëz krahun, se dua të ecë!”

2) Tek shumë të tjerë, që përbëjnë taborrin e letraharxhuesve të padobishmëm, të cilët dashur padashur shndërrohen në dëmtues të pyjeve, si duket akoma s’paska ardhur koha e kapërcimit të lodhjes historike. Për një arësye a një tjetër, pensionistëve, ish ushtarakëve, mësuesve, veteranëve, të persekutuarve, sidomos ata atyre të moshës së tretë  u vijnë në dorë para, se dikush ka djalin apo vajzat në mërgim, dikush merr dëmshpërblim burgu, apo larg qoftë lekët e fëmijës së vdekur furtunave të kurbetit etj. Duke menduar ç’të bëjnë me ato lekë gjaku të pjellës së tyre, disa pleq, të cilët gjatë gjithë jetës nuk i ka lidhur asgjë me librin, mendojnë si të veprojnë me paret dhe rrufeshëm vendosin të bëhen shkrimtarër. Kemi shkrimrues fisi, mëhalle, fshati, krahine,që bëjnë monografira për hallën, tezen, gjyshin, babën etj., të cilët mund të jetë shumë të mirë në familje, si njerëz të zakonshëm me vlera familjare, por që nuk emetojnë cilësi artistike. Harrojnë fjalën e të parëve: “Nuk mëson kali revan në pleqëri”. Në vend të bëjnë një urë, një çezmë, një dhurim simbolik bamirësie, të hapin një kurs zdruktharie, hidraulikësh, elektricistësh, muratorësh, një rrobaqepësi, furrë buke apo një gjë tjetër të mirë, të bukur e të dobishme, na morën frymën me botime të pafundme, por magazinat e thasëve me krunde nuk i hyjnë kujt në punë, aq më tepër sot. Më e keqja është se këtë ves kopeja e shkrimtarllëkut ua mëkon brezave që ngrihen. Dhe prandaj Shqipëria jonë hallemadhe ngjitet majave të larta të kulturës nga moli në mol. Dhe prandaj Presidentin e letrave shqipe dhe Ambasadorin e kulturës tonë në globin njerëzor jo pak herë e shpërfillin, s’e nderojnë, s’e vlerësojnë, edhe pse emri Kadare ka kohë që ka dalë mbi re. Është kambanë kushtrimi për letrarët e vërtetë thirrja e të paharruarit Ali Podrimja : “ Të kanë rrejtur/ se je më i bukuri/ ndër trimat më trimi/ më i vjetri ndër të moçmit/ Tjetër kush do të ishe…/ Dhe unë do të kisha Atdhe” 7)

A nuk po vjen momenti, që nga gufosja e mbytjes së karbonit antiartistik, të lëshojmë thirrjen SOS-, se po na gërryen krimbi antiletrar, po na përdhunojnë të parën, të shenjtën, të shtrentjën, Fjalën. Sinqerisht, nuk më del koha të lexoj të gjitha  fletët e grumbullura në tekste. Edhe sikur gjithë vitin të merrem vetëm me lexime, me këto lexime ”veprash madhështore” e asgjë tjetrër, s’më del koha, s’më mjafton. Si mund të zgjidhet ky ngërç?  Vërtet flet për kullotën e imagjinatës Urata e Letrave Shqipe, Dritëroi, i cili dritëron me atë fjalë që gdhend dhe gurin, se poetin a shkrimtarin e quan kal hergjele, por kur është nevoja (kur s’ plotëson kushtet e letërsisë  cilësore) kalit i vihet fre, se terreni letrar ka kullota të pafundme imagjinativë, por ka edhe hone, humnera e thepa nga ku gremisesh e s’të ngelet as nam e as nishan letrar. Si duket, prandaj porosit Plaku i Bardhë i Letrave: “Prit dhe pak”  8) sepse proza e kursyer, e ngjeshur apo vargu lakonik, ku të gurgullojnë metaforat, me strukturë, me stil, me ide duhet të zërë tharmin e brumit për të bërë një bukë të mirë letrare, që lexuesi ta shijojë e të ngopet me art.

Ustallarët e botimeve me babaxhanllëkun e tyre po e vrasin artin e vërtetë, po e shtrembërojnë lastarin e njomë të talenteve të reja, po e thyejnë pa çelur në gonxhe. Por kështu, veç i mëndjemadhësojmë fëmijët, djemtë, vajzat apo dhe të tjerë të papërgatitur për të realizuar atë që thotë Kanti: “Arti i poezisë zë radhën e parë midis të gjitha arteve”. Pse e them këtë? Vetëm pak kohë më parë (tetor 2012) na ranë në dorë 56 fletë  me vjershurina, të lidhura në një libër, po i themi. Citojmë vetëm  një strofë nga ky botim i autores N.H: “Një lexim jetës i bëra,/ që kur linda, deri më sot/ jam njeri nga gjithçka isha,/ kam jetuar me mund e djersë ” (f.7).  M’u kujtua tallja galopante e Kadaresë në “Koha e shkrimeve” me “kryeveprën”, e cila qenkërkej “vjersha më e bukur e gjithë poezisë shqipe”: vetëm me dy strofa: “Kush punon/ Rahat shkon/ Detin e kalon. / Njeri s’e ndalon”. Dhe tjetra, “madhështore” fare: “Kush nuk punon/ Rahat nuk shkon Detin s’e kalon/ Njeri e ndalon”. Me entuziazëm e krenari pritej botimi në shtypin letrar, emri i madh që do të bënte jehonë. Dhe, vërtet doli, por diku në një cep, që mezi dallohej:”Ju shkruani një gjuhë që as në prozë nuk përdoret…Po të ishte kështu, do të bëheshin të gjithë shkrimtarë dhe poetë …Vetëm kini parasysh një këshillë: lexoni përpara se të vendosni të shkruani.” 9), por mos kopjoni e t’i  botoni ato që kanë shkruar të tjerët se është turp e faqe e zezë e mandej më mirë është dalja finale nga qarkullimi më fillestar qytetar e jo më të ruash kontakte kulturore- letrare me tët tjerët. Qysh më shumë se një çerek shekulli, e ka parandjerë Kadareja këtë qorrollisje të jo pak asgjëbërsave përpara botës letrare, që i kalon gjithsesi indiferentshëm, në inekzistencën e tyre artistike, jo vetëm vigani i letrave, por mbarë komuniteti i kulturuar shqiptar. U lodh dita me ne. Koha s’ka kohën tonë!…Se, ja, të tilla janë lëndimet artistike që na shkaktohen nga “plagë librash”10).  Një mik i mirë, sot shkrimtar i kujdesshëm dhe i respektuar më rrëfen se në Vlorë ka një fjalë të urtë: “Mos dil si kërriçi para gomarit”, kurse shkodrani e shpreh neverinë ndaj mëndjemadhit karabush e pa këmbë në tokë me thënien: “ Atij që s’e do, i thuaj: “Të hyftë vetja në qejf!”  dhe më dha një revistë të vjetër “Nëntori”, ku, redaksia i kishte kthyer nëpërmjet revistës këtë përgjigje për mosbotimin e prozës që ai kishte çuar për botim: “ P.SH.- Vlorë. Tregimi juaj “Me trenin për në Vlorë” ka ide të mirë, por që nuk keni arritur ta materializoni artistikisht. Subjekti është i lehtë dhe mënyra e shtjellimit të tij tepër e konsumuar: bisedë në udhëtim, e cila i vjen lexuesit nëpërmjet një narrative të dyfishtë: tregimin e plakut Malo e ritregon një i tretë që identifikohet me autorin. Përveç kësaj, tregimi ka një mungesë të theksuar realizmi… Fabula është e stisur, ashtu si dhe plaku Malo, që është një tip arkaik…Arkaizmi i tij  shihet si në botën shpirtërore, ashtu dhe në shprehjet që përdor. Ja, mendojeni edhe një herë: të vjen një i moshuar dhe të ulet përballë në tren dhe, pa e njohur e pa e pyetur, fillon të të hapë zemrën për njerëzit e ti të afërt. Dhe kush është ky? Një plak lab, sedërli. Përveç kësaj, në shtatë faqe që ka tregimi, tri të parat janë jashtë tij dhe fare mirë mund të reduktohen. Kuptohet që me këto të meta, nuk ka si bëhet fjalë për botim”11). Në shumë raste, sot mungon sinqeriteti artistik nga ata që shkruajnë e pretendojnë që bëjnë art; mungon po ashtu edhe sinqeriteti i kritikës letrare, profesionalisht skandaloze, në atë farë feje, sa që kur sheh emra të dëgjuar të kritikës letrare, nuk i beson se konkludon në përshirosje ndaj atyre që kanë në dorë fjalën dhe abuzojnë me të. Ky realitet i parë me sy, na detyron të shtrojmë pyetjen: “A do ta kapim trenin letrar për në Europë e për në Botën e Artit? ” Veç të tjerash, një grishje dinjitoze na vjen nga një poet dhe estet i njohur, se poezia ia detyron burimin e vet pothuajse krejtësisht gjenialitetit (talentit), dhe po aq ajo “nuk ia lë veten drejtimit të rregullave ose modelit”, pra gjësë së sjellë si shembull” 12), se poezia duhet ta pastrojë veten nga tepricat.

Për arsye etike bashkëkohore, realiste e tokësore, dhe në kontekst të gjendjes së sotme në bumbotimet shqiptare, nuk mund të jap më tepër informacion (për rastin e N.H, që përmenda në këtë vrojtim letrar), sepse deri këtu më lejon kufiri i lirisë. Një harmonizim midis vertikalitetit dhe horizontalitetit të shkrimit dhe botimit sjell dobi jo vetëm për letërsinë tonë, por për  kulturën e vendit në tërësi, që të kemi mundësi të krahasohemi denjësisht me të tjerët. Ne kemi male letrare në relievin kulturor, kemi dhe kodra letrare, por jo shumë, kemi shumë fusha letrare, por, pak janë ato, të cilat prodhojnë e na falin cilësi, sepse, ndoshta, nuk e peshojnë dot Vlerën e Fjalës. Funksionaliteti serioz dhe me përgjegjësi i mbi 100 shtëpive botuesve ( pa harruar që nuk dihet statistika e kasolleve botuese e shtypshkronjave, që janë si ato banesat pa leje) është i domosdoshëm. Nuk merret vesh kush është libër me vlera e kush jo, nëpër promovimet që bëjnë botuesit apo nëpër panairet vjetore, sepse secili botues thotë se libri i radhës që prezanton është më i miri, i paparë më përpara e s’ka si ai!… Para nja dy vjetësh, kam qenë dëshmitar në dy promovime të një botuesi të njohur. Prezantohej libri i një autori me emër mesatar dhe botuesi tha: “Ky është libri më i mirë jo vetëm i këtyre 20 vjetëve të fundit, por më i miri që kur njihen botimet shqipe”.  Edhe në rastin tjetër, (u ndodha për dreq), botuesi tha: “ Ky është libri më i miri…”. Tani, cili mund të ishte më i miri? Kërkohet seriozitet nga botuesi, se bëhet fjalë për libra, për dritë kulture e jo për domate e kastarvecë. Mendoj se botuesi duhet të jetë vërtet një furrëtar nikoqir, që të nxjerrë nga furra e botimit bukë të pjekura letrare, jo qullufice të shpifura. Paraja po rrënon artin. Redaktori, korrektori apo të ashtuquajturit e të vetëshpallurit redaktorë, recensentë e korrektorë për 5 lekë të qelbura shesin emrin, ulin dinjitetin e kritikut letrar apo kërkojnë të bëjnë emër, por në vend të vënë vetullat, siç thotë populli, nxjerrin sytë e tyre e kërkojnë të qorrojnë lexuesin. Harrojnë që lexuesi është me nivel arsimor e kulturor më të lartë se më parë; ka shumë burime informacioni edhe falë të dhënave digjitale që merr nga interneti; është shumë më i kualifikuar shpesh herë edhe nga stafi realizues i librit apo lumedetit libër. Ka më shumë çmime se shkrimtarë; ka më shumë shkrimtarë se lexues; ka më shumë dembelë që duan dekorata (si duket ndaj qenkërka krijuar edhe industria e dekoratave). Nuk më vjen mirë ta pohoj, por ka vërtet më shumë dembelë të lodhur e dallkaukë, që kënaqen me asgjë, se sa punëtorë të vyer të fjalës së artë, me shkëlqim diellor për ndërtimin dhe ngrohjen e shpirtrave njerëzorë. Nëpërmjet hyjnisë së Fjalës, vlen të klasifikohen si duhet ata që  guxojnë e marrin penën të shkruajë, ata që turren të botojnë, librapjekësit dhe nestorët që kanë detyrë të orientojnë lexuesin e uritur për letërsi të vërtetë.

Se pastaj, edhe bufi e kupton që kreshnikërimi i tyre zbehet, venitet, fiket natyrshëm, si Riadi i zemëruar shumë që s’pati vijues që ta kreshnikëronin të famshmin çmim “Shpata e ndryshkur”. Përndryshe, mund t’ju vijë në ndihmë  grotesku i V. Graçit: “Tha zoti Riat Matini: (sipas “CNN”)- Nuk kam çfarë të them!” 13)

__________

¹) Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë: Konferenca shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”; Tiranë, 20- 21 nëntor 1992: Tiranë: Shkenca, 2002; shih: Agim Vinca: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe konteksti socio-kulturor shqiptar”, f. 93

² ) Fjalor i gjuhës së sotme shqipe; Tiranë: Akademia e Shkencave, 1980, f. 1005

³) Macovei, Monica: Manualet e të drejtave të njeriut, Nr. 2: Liria e Shprehjes; Një udhëzues për implementimin e Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, [Tiranë, 2003], f. 44

4) Enciklopedia e Përgjithshme e Oksfordit; Tiranë: Instituti i Dialogut & Komunikimit, 2006, f.735

5) Elsie, Robert: Histori e letërsisë shqiptare; Tiranë- Pejë: Dukagjini, 1997, f. 417

6) Elsie, Robert: vepër e cituar, f. 426

7) Podrimja, Ali: Buzëqeshja në kafaz, Tiranë: SHBLSH; 1993, f. 65

8) Gazeta shqiptare. E diel 17 Tetor 2010, f. 8

9) Kadare, Ismail: Koha e shkrimeve, Tiranë: Naim Frashëri, 1986, f. 22- 23

10) Të drejtat e njeriut: nr. 4 (32)- 2002, shih: Visar Zhiti “Kur persekutohen e drejta e shkrimtarëve, e veprave të tyre, por dhe e lexuesve”, f. 71

11) Nëntori: organ i LSHA të Shqipërisë; revistë e përmuajshme letraro-artistike shoqërore politike. Tiranë,        11/1986, f. 207

12) Ozel, Ismet: Udhëzues për leximin e poezisë: Shkup, Logos-A, 2006, f. 67

13) Graçi, Virion: “Shpata e ndryshkur”; Tiranë: PHOENIX, 1999, f.15

*) Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore Kombëtare “Në fillim ishte fjala”, organizuar nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë- në nderim të 100 vjetorit të  Pavarësisë Kombëtare

Albert HABAZAJ

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, e lire, ishte fjala, Konference, Kumtese, ne Fiillim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5690
  • 5691
  • 5692
  • 5693
  • 5694
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT