• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JO AMNISTI PER KRIMET NE KOSOVE

April 27, 2020 by dgreca

Osmani: Për Mejën dhe secilin vend të Kosovës ku u kryen krime nuk mund të ketë amnisti*/

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, në 21 vjetorin e ekzekutimit të 376 burrave të këtij fshati nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave.

“Sikurse çdo vit, edhe në këtë 21 vjetor Lëndina e Pikëllimit në Mejë është vendi ku duhet të përkulemi, të ndjejmë dhimbje e të mos rreshtim së kërkuari drejtësinë. Sikurse çdo vit, do t`i kujtojmë 376 burra të këtij fshati të moshës 15 deri në 75 vjeç, të cilët u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave. Ekzekutimi brutal i civilëve tregoi se synim i forcave policore serbe dhe ushtrisë jugosllave nëpërmjet operacionit të quajtur “Reka”, ishte spastrimi etnik dhe gjenocidi”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.

Sipas saj, më shumë se dy dekada më pas, përveç kujtimit për të vrarët, Srebrenica e Kosovës jeton me ankthin e 28 të pagjeturve.

“Në Kompleksin Memorial “27 Prilli” në Mejë, ende varret e tyre janë të hapura, teksa ne nuk e kemi përfunduar punën që trupat e tyre të prehen në vendin e lindjes e familjet ta kenë një adresë ku përfalen për të afërmit e tyre”, është shprehur zonja Osmani.

Sipas saj, në ditën kombëtare për të pagjeturit, secili duhet ta kthejë kokën nga Meja dhe të reflektojë me bindjen se borxhi ndaj këtyre të rënëve ende mbetet peng, derisa kryesit e këtij akti makabër nuk vihen para drejtësisë.

“Për Mejën dhe secilin vend të Kosovës ku u kryen krime nuk ka dhe nuk duhet të ketë amnisti! Vetëm drejtësia mund ta përmbyllë këtë kapitull historie! Të rënëve lavdi, e familjeve të të pagjeturve kurajo, ngase fati i familjarëve të tyre do të jetë preokupim i vazhdueshëm deri në zbardhjen e fatit të tyre”, ka thënë Osmani.​* Me shume foto shih ne fb Gazeta Dielli dhe Dielli vatra

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Vjosa Osmani

Njeriu Faik me përkushtim Shqipërinë moderne

April 27, 2020 by dgreca

Moikom Zeqo e Fotaq Andrea, Tiranë, 2012/

Letër Moikom Zeqos/

Nga Fotaq Andrea/

I dashur Moikom,

Siç të vura në dijeni para ca ditësh, kam dërguar në shtyp së bashku me Bejtullah Destanin librin «Albania dhe Vjena », korrespondencë e përbërë nga 145 letra të Faik Konicës dhe të diplomatit austriak Julius Zwiedinek, një vepër e plotë, përqëndrur rreth revistës « Albania ». Me këtë rast po të nis këtu bashkëngjitur Studimin hyrës “Rrugëtimi i gjatë i Albania-s”, një historik për revistën koniciane që nga fillimet e veta më 1896 e deri përtej vitit 1909, kur Konica bëri një përpjekje të re në Amerikë (më 1911) për të rishfaqur revistën e tij “Albania” edhe në kontinentin e ri, para se t’i hynte “Trumbetës së Krujës”. 

“Albania dhe Vjena” është një libër me plot të papritura, ku shfaqen mjaft episode e personazhe historikë, por sidomos puna dhe lufta këmbëngulëse e Konicës për të kapërcyer pengesat e vështirësitë, madje edhe vetë kufizimet e « censurat » që synonin ta formatonin « Albania-n » brenda një kuadri të ngushtë gjuhësor e historiko-kulturor. Konica synonte lart, larg, për një Shqipëri autonome e të pavarur, deri madje edhe për një Shqipëri moderne, me të ardhme europiane, duke e bërë Albania-n një kryevepër rilindase me përmasë enciklopedike, e mbi të gjitha një kurdhër farkëtuese për dhjetra e qindra patriotë shqiptarë.  

Deri me sot, letrat e Konicës për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë – për aq sa janë botuar në  numër të kufizuar -, janë konsideruar gabimisht si të drejtuara për Ministrin Golushovski, i cili mbante, në fakt, titullin e lartë « kont », ndërkohë që në libër vërtetohet për herë të parë se ato i drejtohen diplomatit Julius Roman Zwiedinek von Südenhorst që mbante një titull më të ulët, atë të « baronit ». Ky diplomat austriak ka një karrierë tepër interesante që pasqyrohet në Hyrjen e librit. 

Libri, i ndërtuar në tri pjesë dhe mjaft i kompletuar, përmban veç letërkëmbimit, edhe shkrime të revistës “Albania” e dokumente të reja, gjithnjë  me tematikë marrëdhëniet e Shqipërisë me Austro-Hungarinë, aleaten e jashtme më të ngushtë të Shqipërisë së kohës. Vetë Konica ka bërë historikun e këtyre marrëdhënieve që nga koha e Kastriotit të Madh kur Shtëpia e Habsburgëve furnizonte me armë principatën e Arbërit, më pas lidhjet e Mërkur Buas po me Habsburgët, lidhjet e Gjergj  Bastës po ashtu, e deri te qëndrimi pozitiv i Austro-Hungarisë në Kongresin e Berlinit në favor të Shqipërisë, te austrofilia e De Radës dhe e Naim Frashërit, etj. Kohët e fundit, Anila Omari në studimin e vet kushtuar “Çetës së Profetëve” të Bogdanit nxjerr në pah me shumë interes e meritë edhe bashkëpunimin e ngushtë të Pjetër Bogdanit me Perandorinë austriake kur vetë peshkopi patriot Bogdani priti në Prizren me rreth 6 mijë malësorë shqiptarë të armatosur gjeneralin austriak Piccolomini gjatë luftës së koalicionit të krishterë në vitet 1683-1689. Janë tërë këto fakte e të dhëna historike që flasin dukshëm për marrëdhënie të ngushta shqiptaro-austriake, të cilat do të konkretizoheshin esencialisht gjatë periudhës para dhe pas shpalljes së pavarësisë, sidomos gjatë vetë shpalljes së pavarësisë kur Austro-Hungaria do të “përzgjidhte” e mbështeste si favoritin e vet Ismail Qemalin për Aktin e Madh të shpalljes së Pavarësisë së vendit. 

“Kush e ngriti flamurin e Shqipërisë?”- pyet Nelo Dizdari në intervistë Faik Konicën në nëntor 1937. Dhe Konica që përgjigjet : “Fizikërisht, pa fjalë Ismail Qemali. Ky është një fakt historik. Po vini re që thashë fizikërisht. Se moralishtështë tjatër punë. Moralisht, flamurin e ngriti Kryeduka Franz Ferdinandi, trashëgimtari fatzi i fronit të Habsburgëve. Kjo mund t’u duket fjal’ e çuditshme shumëve në Shqipëri… Kryeduka, i cili kur u plak tepër Franz-Josefi, frymësonte tërë politikën e Monarqisë Austro-Hungare, ish i mendjes se një Shqipëri e lirë ish nevoj’ e domosdoshme për ballancën e fuqisë në Europë të Jug-Lindjes, edhe shkeli këmbë të fortë që Shqipëria të mos ndahet në mes të Serbisë e të Greqisë.” 

Në fakt, edhe më herët, në nëntor 1919, Konica i ka njohur Plakut të Vlorës meritën e padiskutueshme të ngritjes së flamurit të pavarësisë: “Çdo njeri ka orën e tij, një orë që i kapërxen të gjitha të tjerat nga bukuria e nga forca, edhe është si maja më e lartë e një jete. Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-beut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qenë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit”.

Edhe pse Konica ia njeh Austrisë tërë këto merita historike, si një faktor i jashtëm që luajti rol parësor në pavarësinë e Shqipërisë, nuk mund të mos vëmë në dukje nga ana tjetër se që herët, Konica e kishte vënë në njëfarë mënyre para përgjegjësisë  kancelarinë austriake për t’ia thënë açik një të vërtetë të lakuriqtë  në lojën e saj të interesave politike e gjeostrategjike lidhur me çështjen shqiptare. Kështu, në një letër drejtuar konsullit austriak Ippen në Shkodër në korrik 1904, Faiku, i papërmbajtur, në mbrojtje të interesave të Shqipërisë, lëshon një nga ata kërcuj të vërtete të fuqishme që nuk ka si të mos lënë gjurmë edhe në vetë kancelarinë austriake: “Qeveria juaj pretendon se do që t’i ndihmojë shqiptarët për të dalë nga gjendja e tyre e mjerueshme. Bukur fort në teori. Por në fakt, çfarë ndodh? Diplomatikisht, ju nuk keni bërë asgjë që t’i njihet kombit shqiptar liria më e vogël. Financiarisht, edhe më pak”. 

Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve zhvilluar në libër, një pyetje del vetiu: pse Austro-Hungaria mbështeti e “përzgjodhi” Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë, kur ajo mbante prej kohësh rezerva të mëdha ndaj tij, madje edhe e kundërshtonte në lojën politike dyfishe që ky zhvillonte sidomos me Italinë e Greqinë? Pse nuk zgjodhi, ta zëmë, Faik Konicën, epiqendrën e bashkimit dhe kontakteve me patriotët shqiptarë, me të cilin Perandoria dualiste u lidh ngushtë që më 1897 dhe që e mbante afër aktivisht, ndërkohë që Ismail Qemali u shfaq në skenën politike shqiptare e ndërkombëtare tre vjet më vonë, më 1900, dhe pa ato lidhje me faktorin e brendshëm që gëzonte Konica falë Albania-s së tij ? Ja si shkruan konkretisht Faik Konica në librin e tij “Letra Vjenës” për takimin e parë që ai pati me Ismail Qemalin në gusht 1900, duke u bërë njëkohësisht edhe pika më e hershme e kontaktit të Vjenës me Plakun e Vlorës: “Më në fund, tek shkëmbyem me hollësi pikëpamjet tona me qëllim që të shmangej çdo mosmarrëveshje e mundshme, dhe tek pamë se ato nuk ishin në kontradiktë për asnjë çështje kapitale, Ismail bej më bëri të ditur synimin e tij për t’u përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjen shqiptare”  (nënvizimi im F.A.).

 Po edhe më tej, mund të shtrohet pyetja: A nuk ishte faktikisht Austro-Hungaria që mbështeti e i dha rol parësor Faik Konicës në Kongresin e Triestes, mars 1913, duke e njohur si kryetar de facto të Kongresit, deri edhe ministër gjatë kohës së princ Vidit? 

Sigurisht, përgjigjet për pyetjet e mësipërme mund të ishin këtu nga më të ndryshmet, po të mbahen parasysh sidomos mosha, urtësia dhe përvoja e Plakut të Vlorës në punët e shtetit, prestigji, roli dhe njohja e tij kombëtare e ndërkombëtare tek mbante lidhje aktive me shumë kancelari europiane për gati një dhjetëvjeçar.  Madje shkohet gjer aty sa të thuhet se Austro-Hungaria u detyrua të bashkëpunonte me Plakun e Vlorës për shpalljen e pavarësisë pasi dështoi në përpjekjen e vet me Syrja bej Vlorën dhe ngaqë  “bejlerët e tjerë nuk e njihnin politikën më mirë se Ismail Qemali, madje as që donin të dinin për shtetin shqiptar”. Bukur. Po pse atëherë Faik Konica u la mënjanë në ato koniunktura të veçanta? Kur dihet që “Albania” e tij është edhe kudhër e vërtetë kalitjeje politike e Rilindjes për qëndrime sa më parimore e të palëkundura në interes të Shqipërisë etnike me katër vilajetet e veta, që predikonte vazhdimisht Faik Konica, madje edhe e kishte shfaqur e konkretizuar këtë platformë madhore që herët me hartën e tij të vitit 1902 të Shqipërisë etnike. 

Fakti është se Konica u la mënjanë – si rastësisht – edhe më parë, në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 për unifikimin e gjuhës shqipe, kur vetë idenë e këtij Kongresi, e për më tepër me pjesëmarrje albanologësh ndërkombëtarë, ai e kishte shprehur që herët, publikisht, në maj 1898, te “Albania” e tij. Nga ana tjetër, edhe më pas, në dhjetëvjeçarin e dytë të viteve 1920, do të ndodhnin sërish e sërish “lëniet mënjanë” të Faikut në ngjarje të mëdha politike e diplomatike për fatet e Shqipërisë, kur vetë vëllai i tij Mehmeti do të ndodhej tashmë i përfshirë edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër etj. E të mendosh këtu fjalët e gjeniut pararendës Apoliner për “shqiptarin më erudit të Europës” siç e ka cilësuar ai Konicën, apo profecinë e tij në janar 1906 te shkrimi “Kartmonedha e një diplomati të lashtë” ku shprehet tekstualisht për shqiptarin Faik Konica: “Nëse Shqipëria do të ishte shtet, ky padyshim do të qe kryeministri i saj”! 

Me një fjalë, e në mënyrë të sigurt, askush, as edhe vetë interlokutorët e tij austriakë nuk mundej assesi t’ia mohonin Konicës vlerat e larta intelektuale e eruditive, mendjen kreative e intuitive, forcën parashikuese e argumentuese, energjinë e personalitetit të tij të fuqishëm patriotik e rilindës, ndjeshmërinë e skajshme për çështje sidomos të politikës, së brendshme e së jashtme, por gjithnjë intrazigjent për të mos lëshuar as edhe një pëllëmbë të dheut stërgjyshor shqiptar. Po pse atëherë u la mënjanë, si me dashje? 

Mund të thuhet se në kulmin e Aktit të madh të shpalljes së pavarësisë ai ishte larg, në Amerikë. Por ja që erdhi mirë e bukur më 1913 në Kongresin eTriestes! Dhe u vu edhe në krye të Komisionit shqiptar për miratimin e kandidaturës së Princ Wied për drejtimin e shtetit të ri të principatës shqiptare. Po mund të thuhet, nga ana tjetër, se, pas vitesh të tëra bashkëpunimi të ngushtë me austriakët, ai mbase u kishte shkelur atyre në kallo, për të mos pranuar politikën dhe diplomacinë e tyre cilësuar lojë dyfishe në disa fronte me fuqitë e mëdha të kohës, atë lojë të rrezikshme që do të çonte deri edhe në luftën e parë botërore. Po ashtu, për të mos pranuar as politikën e tyre duke zvarritur pafund e pa zgjidhje çështjen e autonomisë e të pavarësisë shqiptare, në pritje të agonisë dhe vdekjes të sëmurit të Bosforit.  (Si edhe më vonë, më 1915, për të mos pranuar marrjen nëpër këmbë të interesave të Shqipërisë me letrën e hapur që i dërgoi prof. Hans Delbrück.) Për mendimin tim, Konica dhe austriakët u njohën aq shumë e aq nga afër, sa nisën t’i mbanin rezerva njëri-tjetrit, Konicë shqiptari tek s’pranonte të formatohej si donin austriakët, këta, tek s’pranonin njeriun Faik, polemistin e thekur, intelektualin dhe shqiptarin e pavarur. Por, në fund të fundit, vetë Konicës i mjaftonin dija dhe mëmëdhesia e vet, i mjaftonin… dhe i tepronin.  Përkushtimim i  tij ishte Shqipëria, dhe revista “Albania” – e financuar nga austriakët si nevojë e kohës –, e plotësoi më së miri detyrën e vet të shenjtë të zgjimit kombëtar. Jo, nuk ishte Konica që iu shit austriakëve, ishin ata që e gjetën, që e piketuan të parët forcën e mendjes dhe të patriotizmit të tij (siç del kronologjkisht edhe nga dokumentet e kohës), ishin ata që kishin në radhë të parë nevojë për të. Sepse, në fund të fundit, ata fare mirë mund të shkëputeshin prej tij në çdo çast gjatë 15 vjetëve të tëra bashkëpunimi! Por ja që nuk e bënë! Dhe nuk e bënë sepse kishin interes e nevojë për të.  

Në fakt, edhe sot e kësaj dite kërkohen – gjoja nën petkun e realitetit dhe të objektivitet shkencor, por me shumë dashaligësi e denigrim –, dritë-hijet, të metat, dobësitë, njollat, deri edhe morale, të figurës apo karakterit të Faik Konicës. Bashkohësit e tij e dinin fare mirë se po të kruheshe me të, ai s’të falte, të sikteriste me artin më mjeshtëror të fuqisë së fjalës dhe logjikës bombastike, të jepte ujë në bisht të lugës me logjikë të rreptë, deri në demaskim e asgjësim. Kërkojnë, më kot, sot, të ndajnë e të nxijnë artificilisht Njeriun Faik nga Vepra e tij poliedrike e patriotike, kërkojnë tek ai njeriun kontradiktor, konfliktual, pragmatist, spontan! Kur në fakt Njeriu Konicë është Një, vepra e tij është Një, origjinal Ai, origjinale Vepra e tij, që përjashtojnë çdo prizmikë “bardhë e zi”, “mirë a keq”, “me virtute a vese”, “me dritë a me hije”, me etiketime të tilla të ulta si “beu dembel a  beu qejfli”, e ç’nuk tjetër! Kërkohet me një fjalë një censurim i Konicës nëpërmjet një banalizimi të figurës së tij në emër gjoja të një moraliteti të lartë, sikur dikush të kish në dorë fatet e tij, të mbante në dorë peshoren e drejtësisë dhe të gjykimit për të. Por një figurë llagar, njeriu pa njolla e mëkate as që ekziston. Ai mund të jetë vetëm një, Mbinjeriu… “I tillë është veç Krishti, – Krishti Perëndi është vetëm Një, s’ka tjetër!” më thoshte një ditë, me qetësinë dhe urtësinë e tij karakteristike, Sherif Delvina, kur i parashtroja merakun tim për të studiuar Konicën dhe Veprën e tij përtej “njollave e akuzave”  dhe brenda relativitetit të gjërave. “Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, thotë vetë Konica, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti. (Albania, nr.2, 1902).

E në këtë drejtim, është shprehur po aq qartë edhe prof. Hasan Kaleshi, që zbuloi i pari Letrat e Konicës për Vjenën dhe që mbrojti fuqishëm figurën e tij klasiko-moderne.  “… I kemi ndarë njerëzit e të kaluarës sonë, shkruan ai që më 1976, në “të bardhë” dhe “të zinj”, në “patriotë” e “tradhtarë”, i mbështesim mendimet tona në disa “autoritete” e jo në gjurmimet e vërteta shkencore, në studimin e materialeve arkivale, në analizën e kushteve objektive politike në të cilat ka jetuar dhe vepruar ky apo ai, në realitetin politik në të cilat ka jetuar dhe vepruar asaj kohe, në shqyrtimin e kushteve subjektive në të cilat ka jetuar ky apo ai.” 

Kuptohet qartë cilët ka parasysh këtu prof. Kaleshi kur përmend “autoritetet” e shprehura për figurën e Konicës,  që nga bashkëkohësit e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që nuk e kanë njohur atë në thelbin e vet si njeri i lirë e i pavarur, njeri i kontrasteve të fuqishme me tipre gjeniu, deri te pseudo-studiuesit e sotëm, opinionbërësit, “shpirtëzinjtë e xhixhillimët” siç shprehej vetë Konica, duke dashur ta gjykojnë këtë nga episode ekzotike të jetës së tij komplekse e të komplikuar. E ç’krim na qenka, për shembull, se ai ka pasur një a dy “miqesha”, të cilat i ka dashur me shpirt, nga ato që u ka kënduar me zjarr të ëmbël dashurie Lasgush Poradeci; apo se ka pasur fëmijë, – duan të thonë “të jashtëligjshëm” –, Henrikun, birin e tij regjistruar en bonne et due forme (sipas rregullave zyrtare) në akte bashkiake dhe të pranuar me fakte dokumentare; apo se na paska simpatizuar Greta Garbon apo ka “lajkatuar” Ann Corion-ë; se ka demaskuar publikisht lojën progreke të Ismail Qemalit; se na paska “spiunuar” Nolin (por në ç’rrethana, si e qysh, kur vetë Statuti i “Vatrës” ndalonte në fund të fundit çdo prirje të majtë, çdo lidhje me BS-në e çdo propagandë të kuqe); se na qenka sherrosur keq me Gaspër Jakovën, Shahin Kolonjën, Gurakuqin, etj. etj. për çështje personale, idesh e pikëpamjesh, kur ai vetë e pranon temperamentin e tij me të gjitha tiparet e shqiptarit klasik, gjer edhe rrëmbyes e nevrastenik, por po aq fisnik: që të ftonte, i fyer, në duel, sipas të gjitha rregullave të kohës! Nga kjo pikëpamje, as që çuditemi kur mësojmë, p.sh., nga shtypi i huaj i kohës për incidente gjatë Kongresit të Triestes, me përplasje të ashpra midis përkrahësve pro-austriakë dhe përkrahësve arbëreshë pro-italianë, me akuza e kundër-akuza të ndërsjella si të shitur te Austria, një palë apo te Italia, pala tjetër, dhe se kryetari Konica, i fyer rëndë personalisht, fton në duel me pistoletë Nikolin Ivanajn, të cilin ai vetë e kishte shpëtuar më 1908  nga burgu në “çështjen Aladro Kastrioti”! 

Në përfundim, i dashur Moikom, po sjell këtu fjalët e tua në mesazhin e fundit që më dërgove para dy ditësh kur më thoje për Konicën à la Faikio : “Konica  është një tejkalues i kohës, ndërkohë që kombi tij është përherë i vonuar në Histori, për fat të keq edhe në kulturë”.

Duke të përshëndetur e uruar mbarësi, shëndet, mendje e penë të mprehtë, po të dërgoj, i dashur Moikom, edhe një enluminurë të shekullit XIV nga “takimi” i Cezarit me Pompeun para kalasë së Durrahiumit tonë, një miniaturë në pergamen e me sfond të artë nxjerrë nga dorëshkrimi i Jean de Thuin që ruhet në Bibliotekën bashkiake të Ruenit dhe në fondin Gallica të Bibliotekës Kombëtare të numerizuar të Francës. Do vijë një ditë – ëndërroj e besoj me shpirt -, kur çdo qytet i Shqipërisë do ketë në hyrje të vet permendore me figura madhore të  Historisë së tij, të pasur e të lashtë, me rrënjë të thella në historinë europiane e botërore. Po të dërgoj gjithashtu nga koleksioni im edhe portretin e Faik Konicës, realizuar mjeshtërisht nga Lazar Taçi, nën porosinë time të drejtpërdrejtë.

Të përqafoj

FotaqStrasbourg, 20 prill 2020. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, leter Moikom Zeqos

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI , FLET DR.ILIR ARIFI

April 27, 2020 by dgreca

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI NË NDIHMË TË BASHKËATDHETARËVE NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 /

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Ilir Arifit, mjek në “Regiomed Klinikum- Hildburghausen”, Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja. 

Gjermania është shteti europian model në luftën kundër Covid-19, përballimin e pasojave, menaxhimit të rasteve, masave të marra dhe planit të hapjes e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë ´´Regiomed Klinikum- Hildburghausen´´, Gjermani ka deklaruar për “Dielli”-n se situata në Gjermani po shkon drejtë normalizimit dhe fatmirësisht numri i shqiptarëve të prekur nga pandemia botërore ka qenë modest.

 SITUATA NË GJERMANI 

Doktor Ilir Arifi na shpjegon se duke parë trendin pozitiv të rënies së intensitetit të virusit dhe menaxhimit me sukses të situatës, Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se përhapja e virusit në Gjermani është bërë tashmë e menaxhueshme, si rrjedhojë qeveria gjermane ka vendosur t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike, edhe pse masat e vendosura nuk ishin ekstreme si në vendet e tjera të prekura me COVID 19. Aktualisht sipas doktor Ilir Arifit Gjermania është në një situatë shumë më të relaksuar se sa para 2-3 javesh, pasi është arritur qellimi kryesor i qeverisë në zbritjen e shkallës së riprodhimit të virusit, pra një person me COVID 19 infekton më pak se 1 person (0,7). Kjo përhapje mundëson imunizimin e kontrolluar të popullates pa e ngarkuar sistemin shëndetësor. 

E ARDHMJA 

Momentalisht në Gjermai sipas dokor Ilir Arifit numri i të sheruarve me COVID 19 (11000) është dyfish më i lartë sesa i të prekurve (45000), dhe vdekshmëria (5800) mbetet ende në shkallë të ulët në raport me të prekurit. Shkaqet e vdekjes janë kryesishtë pasojat që shkakton virusi në rrugët respiratore, por zakonisht virusi është me rrezikshmëri të ulët te pacinentët pa sëmundje shoqëruese. Personat e rrezikuar janë ata me sëmundje respiratore, duhanpirësit, sëmundje të zemrës, diabet dhe semundje që dobësojnë imunitetin. 

PLANI I RIMËKËMBJES 

Tashmë në Gjermani, na raporton doktor Arifi, ka filluar hapja e bizneseve të vogla, dalja në natyrë dhe për blerje ka qenë vazhdimisht e lejuar me kusht që të respektohet distanca 1.5 m dhe të mos levizin më shumë se 2 persona së bashku, me përjashtim të familjarëve. Nga 4 Maji sipas doktor Ilir Arifit, është planifikuar hapja graduale e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme, me kushte të rrepta të mbajtjes së distancës dhe higjienës dhe poshtu është bërë obligative vendosja e maskave në hapsirat e mbylluara. Gjatë periudhes së pandemisë, në Gjermani vendoset çdo dy javë për masat e mëtutjeshme. 

SUKSESI GJERMAN

 Në betejën e fituar nga shteti gjerman ndaj Covid-19 doktor Ilir Arifi rendit disa arsye: marrja me kohë e masave adekuate, sistemi shumë i avansuar shëndetësorë, në veçanti mjekimi intenziv modern, shtimi i mbi 10 mijë shtretëve të kujdesit intenziv, krahas 30 mijë ekzistues, numri i madh i testimeve, po ashtu zbulimi dhe menaxhimi i shpejtë i vatrave të infeksionit. Mbi të gjitha këtë sukses e ka mundësuar kultura e lartë e popullit gjerman në respektimin e masave të vendosura dhe ndërprerja e herëshme e kontakteve te të moshuarve me gjeneratat e reja, sidomos të gjysheve/gjyshërve me nipat dhe mbesat. 

PARASHIKIMI

 Sipas parashikimeve të Institutit Robert Koch vala e dytë e infektimeve me COVID 19 parashikohet në vjeshtë të këtij viti, e treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshten e 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i 60-70 % i popullatës, si rrjedhojë edhe imunuizimi. Ky imunizim sipas doktor Arifit do të realizohej më shpejt me zbulimin e Ilaçit apo vaksinës, e cila këtë javë ka filluar të testohet nga një Institut në Gjermani. SHQIPTARËT NË GJERMANI Në bazë të dhënave ka një numer modest të Shqipëtarve të prekur me COVID 19 dhe poashtu për secilin Land të Gjermanisë janë vënë në dispozicion numrat e telefonit dhe E-mailet e Mjekve Shqipëtarë që punojnë në Gjermani për këshilla dhe ndihmë të bashkatdhetarëve. 

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT

 Bashkëatdhetar të dashur në USA, si mjek i cili po përballet çdo ditë me pacientët me COVID 19, ju lutem mos e nënvlersoni këtë situate shumë serioze, respektoni rregullat e distancimit dhe higjienes, bëni durim edhe një kohë, qëndroni në shtëpi! Bëjeni këtë për veten tuaj, për familjarët tuaj më të moshuar, apo edhe të rinjë me sëmundje shoqëruese. Moskujdesi juaj mund të jetë fundi i më të dashurve tuaj, u shpreh për gazetën Dielli, Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë “Regiomed Klinikum- Hildburghausen” Gjermani.

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, Sokol Paja

JA SI DO TË HAPET SHTETI I NEW YORK-ut

April 27, 2020 by dgreca

JA SI DO TË HAPET SHTETI I NEW YORK-ut, GUVERNATORI ZBULON STRATEGJINË/

– Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se rihapja ekonomike e qytetit që ai drejton mund të mos përfundojë deri në vitin 2022…/

Përgatiti: Dalip Greca/

Pandemia e koronavirusit u ka marrë jetën deri të dielën në mbrëmje, 26 Prill 2020, mbi 206 mijë e 915 personave në të gjithë botën.Më shumë se 2 milion e 993 mijë e 263 persona në të gjithë globin janë infektuar me COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga virusi i ri i frymëmarrjes, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins. Numri real besohet të jetë shumë më i lartë. Pasaktësia reale vjen për shkak të mungesës së testimit dhe dyshimeve se disa qeveri vazhdojnë të fshehin të vërtetën.

Duket se vendet europiane po e kapërcejnë pandeminë. Italia, Spanja dhe Franca, (pa përmendur Gjermaninë) regjistruan numrin më të ulët të vdekjeve në fundjavë. Të dy shtetet, si Italia ashtu edhe Spanja, ndër më të prekurat në kontinetin Europian, kanë raportuar shifrat më të ulta një-ditore.

 Agjensia e Mbrojtjes Civile në Itali, të Dielën, raportoi 260 vdekje të reja në 24 orët e fundit; ky është numri më i ulët i vdekjeve ditore të vendit që nga mesi i Marsit.

Ka pasur 26.644 vdekje të COVID-19 në Itali, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile. Vendi ka numrin e dytë të vdekjeve në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Spanja pati 288 vdekje brenda një dite, njoftoi të dielën Ministria Spanjolle e Shëndetësisë. Ky është numri më i ulët i vdekjeve një-ditore të vendit, i raportuar në 37 ditë. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Spanjë është 23.190, sipas ministrisë së shëndetësisë – numri i tretë më i lartë në botë.

Të Dielën, fëmijët në Spanjë u lejuan të dilnin jashtë për herë të parë që nga fillimi i bllokimit të vendit më shumë se 40 ditë më parë. Fëmijët nën moshën 14 vjeç tani mund të lënë shtëpitë e tyre për një orë çdo ditë.

Franca raportoi 242 të vdekur të Dielën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 225 mijë e 856. Shifra më të ulta raportoi edhe Britania e Madhe, 413 viktima ditore, nga 813 që kishte raportuar një ditë më parë, me numër të përgjithshëm 20 mijë e 732 viktima. Gjermania kishte vetëm 99 viktima të dielën, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurëve është 5 mijë e 976.

BIE RITMI I INFEKTIMIT DHE I VDEKJEVE NË SHBA

        Që nga rastet e para të COVID-19, që u zbuluan në Kinë në dhjetor, Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi më i prekur me më shumë se 987 mijë e 160 raste të infeksionit. Vetëm gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 26 mijë e 506 të infektuar, shifër kjo rreth 5 mijë më e ulët se e Shtuna, dhe mbi 9 mijë më e ulët se e Premtja.

Edhe për numrin e viktimave Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kosto më të lartë, duke kaluar Italinë, Spanjën e Gjermaninë të marra së bashku. Gjithësesi dita e Dielë ishte një lehtësim krahasuar me ditët paraardhëse. Për herë të parë në gjithë këto 57 ditë beteje, u shënua një shifër rreth 1 mijë të vdekur më pak se ditët e mëparshme me vetëm 1 mijë e 157 viktima(nga 2 mijë e 65 të Shtunën).

New Yorku, epiqendra e Pandemisë, ka rekordin më të ulët të viktimave ditore, për të parën herë shënohet një shifër prej 367 të vdekurish, nga 617 të Shtunën, 422 të Premten, 507 të Enjten, ndërsa New Jersy pas dy javësh shënon rekord për ulje të numrit të viktimave vetëm me 75 nga 246, që e kishte të Shtunën, 189 të Premten, 305 të Enjten.

Massachusets vijon të përjetojë ritmin e mëparshëm me 169 viktima ditore, Illionoisi e ka ulë ritmin me 59, California 32, Pannsylvania 19, Michigani 41, Florida 19, Lousiana me 26, Connecticuat 62, Meriland 35, Indiana 28, N. Carolina 20, Minnesota 28 etj.

Ja Plani për rihapjen e New Yok-ut

Guvernatori i New york-ut Andrew Cuomo, në konferencën e tij të përditshme për shtyp, ditën e dielën, 26 Prill, zbuloi strategjinë për të rihapur shtetin më të prekur në të gjithë Botën, metropolin njujorkez. Ai tha se hapja e shtetit të New York-ut nuk do të jetë e përnjëhershme, por graduale dhe me rajone, duke llogaritur edhe pikat e kontaktit me shtetet fqinj.

-Askush nuk mund të japë një datë. Por numrat janë në rënie, gjithçka që kemi bërë është duke punuar mirë. Normat po bien të gjitha, njoftoi Cuomo.

Guvernatori tha se shteti po ndjek rekomandimin e CDC për të filluar rihapjen pasi shkalla e shtrimeve spitalore rajonale ka një rënie që prej 14 ditësh.

Është një shtet shumë i larmishëm. Rajonet në pjesën e sipërme janë si shtete në Midwest, madje edhe në Perëndim. Kemi nivele shumë të ndryshme të shtrimeve në spital,- tha guvernatori. “Ne i shikojmë shifrat dhe tendencat në të gjithë shtetin dhe në të gjitha rajonet,-komentoi ai.

                Faza e parë e rihapjes do të përfshijë aktivitete ndërtimi dhe prodhimi me rrezikshmëri të ulët. Pas një periudhe dy-javore të monitorimit të niveleve të shtrimeve në spital, testeve pozitive të antitrupave dhe testeve diagnostikuese pozitive, faza e dytë do të vijë pas analizës së detajuar të çdo biznesi, bazuar në faktin se sa thelbësor, dhe sa rrezikshmëri ka biznesi.

Guvernatori tha se vetë pronarët duhet të mendojnë për mënyrën sesi do të rihapin bizneset. Çfarë masash paraprake do të ndërmarrin ata në vendin e punës? Çfarë masash mbrojtëse do të vendosin ata? 

Ai komentoi se rihapjes do t’i paraprijë një koordinim shumëplanësh për të kufizuar kontaktet e bizneseve të rihapura me rajonet bizneseve të bllokuara.

 Rihapja e transportit, parqeve, shkollave, plazheve dhe bizneseve të tjera, gjithashtu do të koordinohet, tha guvernatori.

Sipas guvernatorit në veri është e mundur që të fillojë rihapja, por gjithçka duhet koordinuar me shtetet dhe rajonet fqinj, Connecticut, New Jersey sepse zona komunikon me to.

Ndërsa për pjesën e poshtme të shtetit, ai tha se situata është më e ndërlikuar, për shkak të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme.

Guvernatori tha se qëllimi është që të mbahet nën kontroll COVID-19 dhe rihapja do të vijë në mënyrë graduale dhe e studiuar.

Të gjitha kufizimet dhe mbylljet në New York aktualisht janë në fuqi deri më 15 maj.

Kryebashkiaku Kërkon më shumë qëndrushmëri para rihapjes

Kryetari i Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio u shpreh në konferencën për shtyp të dielën se ndërsa ka shumë tregues se numri i pacientëve aktualë me koronavirus janë në një prirje rënëse, nevojitet më shumë “qëndrueshmëri” përpara se qyteti të fillojë të marrë në konsideratë ndërmarrjen e hapave drejt rihapjes.

Kryetari i bashkisë në konferencën e tij të përditshme për shtyp të Dielën vuri në dukje përqindjen e njerëzve që kanë rezultuar pozitivë, numrin e të pranuarëve në spitale dhe ata në ICU, të cilët janë në ulje, por ende duhet të qëndrojmë në banesë dhe të ruajmë distancat sociale. Ai tha se nuk duhet shpejtuar për rihapje.

-Ne do të rinisim hapjen kur të kemi prova. Ai tërhoqi vëmendjen për shtetet që po neglizhojnë masat shtërnguse dhe po rihapen.

-Unë jam i shqetësuar për ta.Unë jam i shqetësuar për njerëzit e tyre. Ata që po hapin bizneset po rrezikojnë veten dhe njerëzit e tyre për të rikuperuar ekonominë sa më shpejt, mund të rikthejnë sëmundjen.

Kryetari i bashkisë komentoi se ende ka një numër pyetjesh pa përgjigje e probleme të pazgjidhura që administrata e tij po punon për t’i adresuar para se qyteti të mund të rihapet.

Ai shtroi pyetjen: Si mund ta rihapet një restorant pa menduar se si të mbrohen klientët dhe personelin që punon aty?  Duhet menduar se çfarë lloj mbrojtjeje do t’u duhet njerëzve. 

De Blasio tha se rimëkëmbja duhet të adresojë edhe “racizmin strukturor” dhe pabarazitë që janë ekspozuar gjatë pandemisë, duke njoftuar se qyteti do të krijonte një “Task Force të Rimëkëmbjes së Drejtë”.

Në konferencën për shtyp, kryebashkiaku Bill de Blasio deklaroi se rihapja ekonomike e qytetit që ai drejton mund të mos përfundojë deri në vitin 2022. Kryetari i bashkisë premtoi se një “shoqëri më e drejtë” do të dalë për qytetin pas betejës me COVID-19.

-Ne nuk do të rrezikojmë jetën e njerëzve, premtoi kryebashkiaku.

Wuhani nuk ka më pacienët të shtruar në spitale

Lajm tjetër në këtë 24 orësh të fundit është ai që vjen nga vatra e parë e infeksionit të Koronavirusit, Wuhani, qytet i cili ka nxjerrë nga spitalet të gjithë pacientët COVID-19 që ishin të shtruar.

-Wuhan, ku filloi shpërthimi i koronavirusit, nuk ka më pacientë të shtruar në spital me COVID-19, raportoi të dielën Agjensia shtetërore e Lajmeve të Kinës, Xinhua.

Duke cituar Mi Feng, një zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, Xinhua raportoi se pacienti i fundit në gjendje të rëndë në epiqendrën e koronavirusit të Kinës u la i lirë të Premten, me 24 Prill.

Që nga e diela, Kina ka raportuar 83.909 raste të diagnostikuara COVID-19 dhe 4,636 vdekje, sipas një informacioni nga Universiteti Johns Hopkins.

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, New Yorku, Si do te hapet

Lamtumira e fundit, plot emocione, për zonjën Mrika Xhema

April 26, 2020 by dgreca

Nga Ruben Avxhiu/*

Foto: Halil Mula/

Dhjetëra njerëz u mblodhën, dje, në Greenwich, Connecticut për t’i dhënë lamtumirën zonjës Mrika Xhema.

Përveç bashkëshortit Jim Xhema dhe familjarëve merrnin pjesë edhe miq shqiptarë e amerikanë, që kishin ardhur pavarësisht nga kushtet e pazakonta të vështirësisë në lëvizje dhe izolimit.

Mes pjesëmarrësve nga komuniteti shqiptaro-amerikan shquheshin edhe botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kryetari i Federatës Vatra, Elmi Berisha (me vajzën e tij Adriana), drejtori i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin e Qendrës Mjekësore në Westchester dhe i Kolegjit Mjekësor të New York-ut, Dr Rifat Latifi, aktivisti dhe biznesmeni i njohur Anton Raja, si dhe gazetari Halil Mula.

Ngushëllimet dhe procesi filloi nga Zyra Funerale “Leo P. Gallagher & Son”, në Greenwich, Connecticut.

Jim Xhema ne Shtepine Funerale”Leo P.Callagher & Son” ne Greenwich.

Lutjet e rastit u mbajtën nga At Cyprian La Pastina i Kishës St Mary, që frekuentonte si besimtare e ndjera Mrika Xhema si dhe nga Dom Ndue Gjergji famullitar i Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan. Kleriku i njohur shqiptar kishte udhëtuar nga Michigani, posaçërisht për këtë rast dhe mbajti një përshpirtje shumë të ndjerë për Mrika Xhemën.

At La Pastina falenderoi Jezu Krishtin që e kishte kthyer varrin nga një simbol të humbjes, në një simbol të shpresës për ringjallje dhe u lut që një ditë Mrika të takohej sërish me njerëzit e saj të dashur.

Përcjellja e fundit ishte emocionuese. Një autokolonë funebre e vënë në dispozicion nga autoritetet lokale përshkoi rrugën drejt varrezës. Një grup miqsh të familjes bartën arkivolin dhe pas përshpirtjes së Dom Ndue Gjergjit, Jim Xhema tha disa fjalë lamtumire emocionuese për shoqen e tij të jetës.

Përveç miqve dhe bashkëpunëtorëve të afërt nga komuniteti që ndodheshin në varrim, Jim Xhema ka marrë mesazhe ngushëllimi nga shumë figura politike në SHBA dhe në atdhe. Për të përmendur disa: Ish-Senatori Amerikan Bob Dole, kryetari aktual i Senatit Amerikan, Mitch McConnell, kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme në Kongres, Eliot Engel, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca, ish kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ish presidenti e kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga Medvegja vendlindja e Jim Xhemës biznesmeni dhe politikani Marco Saljihu, Ambasadorja Vlora Çitaku, Ambasadorja Teuta Sahatqija, gjykatësi kushtetues Ambasador Bekim Sejdiu, Ambasador Ylber Kryeziu, veprimtari Harry Bajraktari, nga Rrjeti i Bizneseve Nazar Mehmeti, anëtari i Këshillit Bashkiak nga New York City, Mark Gjonaj etj.

Mrika ishte një grua e jashtëzakonshme dhe do të mbahet mend gjithmonë për përkushtimin e saj ndaj bashkëshortit, ndaj shqiptarisë dhe besimit të saj fetar”, u shpreh për gazetën “Illyria”, Elmi Berisha, presidenti i Federatës Vatra dhe bashkëpunëtor i vjetër i Jim Xhemës.

“Mrika ishte bashkudhëtare e jetës së Jim Xhemës dhe kjo është një humbje e madhe për familjen e për komunitetin”, tha botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami. “Ashtu si Jim Xhema edhe Mrika nuk ka dashur të bëjë publike në media  bamirësinë e saj dhe vetëm tani njerëzit po mësojnë për bujarinë dhe angazhimin e saj”.

Janë në fakt, shumë pak ata njerëz që kanë bërë dhe kanë dhënë aq shumë për Kosovën dhe çështjen shqiptare sa Jim Xhema dhe familja e tij. Kjo valë ngushëllimesh e shprehje e solidaritetit nga figura shtetërore e politike, po edhe në rrjetet sociale, është dëshmi e mirënjohjes së thellë kombëtare për kontributin e këtij njeriu që i ka qendruar larg medias e nderimeve publike e zyrtare, por që ka dhuruar shuma që mund të kenë shkuar në miliona dollarë për lobim politik e kombëtar si dhe për veprimtari humanitare e bamirëse.

Në veçanti nga Prishtina, Kosova kishte ardhur një lutje për shpirtin e Mrikës nga Don Lush Gjergji, në emër të Katedrales “Nënë Tereza”, për të cilën çifti Xhema ka dhënë një kontribut bujar historik:

O Hyj,

Krijuesi dhe Shpëtimtari i mbarë njerëzimit.

Dëgjo lutjet tona të përvujta, për shërbëtoren tënde, bijën, motrën dhe bashkësorten, Mrikën.

Ajo ka besuar dhe të ka dashur Ty, si dhe çdo njeri, sidomos nevojtarët.

Për çdo mendim, fjalë dhe veprim të mirë,  për mirësi dhe bamirësi ndaj Teje dhe Katedrales  “Nëna Tereze” në Prishtinë, shpërbleje ashtu si Ti di, në amshim.

Jepja asaj dritën, paqen, jetën dhe lumturinë e amshuar, ndërsa familjes ngushëllimin.

Bëjë që një ditë të jemi së bashku në jetën e pasosur, ku do të fshihet çdo lot vaji dhe pikëllimi.

Të që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.

Amen

Lutja e dërguar nga Prishtina nga Don Lush Gjergji

Kisha Katolike e Kosovës

Jeta dhe veprimtaria e zonjës Mrika Xhema

Zonja Xhema ishte një besimtare e devotshme katolike dhe anëtare e Kishës St. Mary në Greenwich, ku është shquar për mirësinë e saj dhe veprat bamirëse.

Të tillë do ta mbajnë mend përherë edhe shqiptarët. Bashkë me bashkëshortin Jim Xhema, ata dhuruan 100,000 dollarë për ngritjen e Katedrales Nënë Tereza, në Prishtinë, Kosovë.

E lindur në 24 shkurt 1946 dhe e rritur në një familje shqiptare, në Tivar të Malit të Zi, ajo ruajti zakonet dhe traditat shqiptare.

Që herët kishte dëshmuar një talent për modën, argjendarinë, si dhe modelimin e mjediseve të shtëpive, për çka kishte kryer edhe studimet. Ishin të dy studentë, në Beograd, kur u njohën me Jim Xhemën. Nuk kishte të ardhme për dy shqiptarë si ata në Jugosllavi dhe në vitin 1969 emigruan në SHBA.

Siç e dimë, Jim Xhema u bë një biznesmen shumë i suksesshëm, por Mrika luajti rolin e saj duke punuar, për një kohë, si Sekretare Ekzekutive e firmës “Xhema Industries”.

Si bënte të ditur një shkrim në një gazetë amerikane, shkruar në kujtim të saj, miqtë e afërt do ta mbajnë mend gjithmonë Mrikën për humorin dhe zgjuarsinë. Kishte një kujtesë të habitshme, gati fotografike. Fliste katër gjuhë të huaja dhe dallohej për interesin e madh në kinematografinë amerikane. I çudiste bashkëbiseduesit me njohuritë e saj enciklopedike për këtë zhanër. Ishte gjithashtu edhe një dashamirëse e muzikës xhaz.

Ndonëse vuajti për shumë vite nga një sëmundje e rëndë, Mrika Xhema ishte gjithmonë e lumtur dhe optimiste, një natyrë që ndikonte te kushdo që i ndodhej pranë. Megjithë vuajtjet fizike, nuk u ankua kurrë.

Përkundrazi, si thotë në shoqe e saj e cituar nga shkrimi në fjalë, Mrika Xhema “ishte një grua e rrallë: mishërimi i dinjitetit, fisnikërisë, inteligjencës dhe bukurisë”.

Të dy bashkëshortët ishin shumë të lidhur dhe kishin udhëtuar shpesh nëpër botë. Deri në fund të jetës mbajti jetën sociale, me miq të afërt, me dreka e darka, gjithmonë e paraqitshme.

Ajo u nda nga kjo jetë, qetësisht, e rrethuar nga Jim Xhema e miqtë e famijarët, duke dëgjuar muzikën xhaz që e deshi aq shumë.

Pjesëmarrësve të funeralit, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë që nuk morën dot pjesë, në vend të luleve iu kërkua që të bënin një dhurim në emër të Mrika Xhemas, për UNICEF-in ose Save the Children, dy prej organizatave humanitare të saj të preferuara. (Fotografitë nga Halil Mula – teksti Ruben Avxhiu/Illyria)

*Marre nga gazeta ILLYRIA me lejen e botuesit VEHBI BAJRAMI

Filed Under: Featured Tagged With: Mrika Xhemaamtumira

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 618
  • 619
  • 620
  • 621
  • 622
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT