JA SI DO TË HAPET SHTETI I NEW YORK-ut, GUVERNATORI ZBULON STRATEGJINË/
– Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se rihapja ekonomike e qytetit që ai drejton mund të mos përfundojë deri në vitin 2022…/
Përgatiti: Dalip Greca/
Pandemia e koronavirusit u ka marrë jetën deri të dielën në mbrëmje, 26 Prill 2020, mbi 206 mijë e 915 personave në të gjithë botën.Më shumë se 2 milion e 993 mijë e 263 persona në të gjithë globin janë infektuar me COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga virusi i ri i frymëmarrjes, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins. Numri real besohet të jetë shumë më i lartë. Pasaktësia reale vjen për shkak të mungesës së testimit dhe dyshimeve se disa qeveri vazhdojnë të fshehin të vërtetën.
Duket se vendet europiane po e kapërcejnë pandeminë. Italia, Spanja dhe Franca, (pa përmendur Gjermaninë) regjistruan numrin më të ulët të vdekjeve në fundjavë. Të dy shtetet, si Italia ashtu edhe Spanja, ndër më të prekurat në kontinetin Europian, kanë raportuar shifrat më të ulta një-ditore.
Agjensia e Mbrojtjes Civile në Itali, të Dielën, raportoi 260 vdekje të reja në 24 orët e fundit; ky është numri më i ulët i vdekjeve ditore të vendit që nga mesi i Marsit.
Ka pasur 26.644 vdekje të COVID-19 në Itali, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile. Vendi ka numrin e dytë të vdekjeve në botë, pas Shteteve të Bashkuara.
Spanja pati 288 vdekje brenda një dite, njoftoi të dielën Ministria Spanjolle e Shëndetësisë. Ky është numri më i ulët i vdekjeve një-ditore të vendit, i raportuar në 37 ditë. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Spanjë është 23.190, sipas ministrisë së shëndetësisë – numri i tretë më i lartë në botë.
Të Dielën, fëmijët në Spanjë u lejuan të dilnin jashtë për herë të parë që nga fillimi i bllokimit të vendit më shumë se 40 ditë më parë. Fëmijët nën moshën 14 vjeç tani mund të lënë shtëpitë e tyre për një orë çdo ditë.
Franca raportoi 242 të vdekur të Dielën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 225 mijë e 856. Shifra më të ulta raportoi edhe Britania e Madhe, 413 viktima ditore, nga 813 që kishte raportuar një ditë më parë, me numër të përgjithshëm 20 mijë e 732 viktima. Gjermania kishte vetëm 99 viktima të dielën, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurëve është 5 mijë e 976.
BIE RITMI I INFEKTIMIT DHE I VDEKJEVE NË SHBA
Që nga rastet e para të COVID-19, që u zbuluan në Kinë në dhjetor, Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi më i prekur me më shumë se 987 mijë e 160 raste të infeksionit. Vetëm gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 26 mijë e 506 të infektuar, shifër kjo rreth 5 mijë më e ulët se e Shtuna, dhe mbi 9 mijë më e ulët se e Premtja.
Edhe për numrin e viktimave Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kosto më të lartë, duke kaluar Italinë, Spanjën e Gjermaninë të marra së bashku. Gjithësesi dita e Dielë ishte një lehtësim krahasuar me ditët paraardhëse. Për herë të parë në gjithë këto 57 ditë beteje, u shënua një shifër rreth 1 mijë të vdekur më pak se ditët e mëparshme me vetëm 1 mijë e 157 viktima(nga 2 mijë e 65 të Shtunën).
New Yorku, epiqendra e Pandemisë, ka rekordin më të ulët të viktimave ditore, për të parën herë shënohet një shifër prej 367 të vdekurish, nga 617 të Shtunën, 422 të Premten, 507 të Enjten, ndërsa New Jersy pas dy javësh shënon rekord për ulje të numrit të viktimave vetëm me 75 nga 246, që e kishte të Shtunën, 189 të Premten, 305 të Enjten.
Massachusets vijon të përjetojë ritmin e mëparshëm me 169 viktima ditore, Illionoisi e ka ulë ritmin me 59, California 32, Pannsylvania 19, Michigani 41, Florida 19, Lousiana me 26, Connecticuat 62, Meriland 35, Indiana 28, N. Carolina 20, Minnesota 28 etj.
Ja Plani për rihapjen e New Yok-ut
Guvernatori i New york-ut Andrew Cuomo, në konferencën e tij të përditshme për shtyp, ditën e dielën, 26 Prill, zbuloi strategjinë për të rihapur shtetin më të prekur në të gjithë Botën, metropolin njujorkez. Ai tha se hapja e shtetit të New York-ut nuk do të jetë e përnjëhershme, por graduale dhe me rajone, duke llogaritur edhe pikat e kontaktit me shtetet fqinj.
-Askush nuk mund të japë një datë. Por numrat janë në rënie, gjithçka që kemi bërë është duke punuar mirë. Normat po bien të gjitha, njoftoi Cuomo.
Guvernatori tha se shteti po ndjek rekomandimin e CDC për të filluar rihapjen pasi shkalla e shtrimeve spitalore rajonale ka një rënie që prej 14 ditësh.
Është një shtet shumë i larmishëm. Rajonet në pjesën e sipërme janë si shtete në Midwest, madje edhe në Perëndim. Kemi nivele shumë të ndryshme të shtrimeve në spital,- tha guvernatori. “Ne i shikojmë shifrat dhe tendencat në të gjithë shtetin dhe në të gjitha rajonet,-komentoi ai.
Faza e parë e rihapjes do të përfshijë aktivitete ndërtimi dhe prodhimi me rrezikshmëri të ulët. Pas një periudhe dy-javore të monitorimit të niveleve të shtrimeve në spital, testeve pozitive të antitrupave dhe testeve diagnostikuese pozitive, faza e dytë do të vijë pas analizës së detajuar të çdo biznesi, bazuar në faktin se sa thelbësor, dhe sa rrezikshmëri ka biznesi.
Guvernatori tha se vetë pronarët duhet të mendojnë për mënyrën sesi do të rihapin bizneset. Çfarë masash paraprake do të ndërmarrin ata në vendin e punës? Çfarë masash mbrojtëse do të vendosin ata?
Ai komentoi se rihapjes do t’i paraprijë një koordinim shumëplanësh për të kufizuar kontaktet e bizneseve të rihapura me rajonet bizneseve të bllokuara.
Rihapja e transportit, parqeve, shkollave, plazheve dhe bizneseve të tjera, gjithashtu do të koordinohet, tha guvernatori.
Sipas guvernatorit në veri është e mundur që të fillojë rihapja, por gjithçka duhet koordinuar me shtetet dhe rajonet fqinj, Connecticut, New Jersey sepse zona komunikon me to.
Ndërsa për pjesën e poshtme të shtetit, ai tha se situata është më e ndërlikuar, për shkak të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme.
Guvernatori tha se qëllimi është që të mbahet nën kontroll COVID-19 dhe rihapja do të vijë në mënyrë graduale dhe e studiuar.
Të gjitha kufizimet dhe mbylljet në New York aktualisht janë në fuqi deri më 15 maj.
Kryebashkiaku Kërkon më shumë qëndrushmëri para rihapjes
Kryetari i Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio u shpreh në konferencën për shtyp të dielën se ndërsa ka shumë tregues se numri i pacientëve aktualë me koronavirus janë në një prirje rënëse, nevojitet më shumë “qëndrueshmëri” përpara se qyteti të fillojë të marrë në konsideratë ndërmarrjen e hapave drejt rihapjes.
Kryetari i bashkisë në konferencën e tij të përditshme për shtyp të Dielën vuri në dukje përqindjen e njerëzve që kanë rezultuar pozitivë, numrin e të pranuarëve në spitale dhe ata në ICU, të cilët janë në ulje, por ende duhet të qëndrojmë në banesë dhe të ruajmë distancat sociale. Ai tha se nuk duhet shpejtuar për rihapje.
-Ne do të rinisim hapjen kur të kemi prova. Ai tërhoqi vëmendjen për shtetet që po neglizhojnë masat shtërnguse dhe po rihapen.
-Unë jam i shqetësuar për ta.Unë jam i shqetësuar për njerëzit e tyre. Ata që po hapin bizneset po rrezikojnë veten dhe njerëzit e tyre për të rikuperuar ekonominë sa më shpejt, mund të rikthejnë sëmundjen.
Kryetari i bashkisë komentoi se ende ka një numër pyetjesh pa përgjigje e probleme të pazgjidhura që administrata e tij po punon për t’i adresuar para se qyteti të mund të rihapet.
Ai shtroi pyetjen: Si mund ta rihapet një restorant pa menduar se si të mbrohen klientët dhe personelin që punon aty? Duhet menduar se çfarë lloj mbrojtjeje do t’u duhet njerëzve.
De Blasio tha se rimëkëmbja duhet të adresojë edhe “racizmin strukturor” dhe pabarazitë që janë ekspozuar gjatë pandemisë, duke njoftuar se qyteti do të krijonte një “Task Force të Rimëkëmbjes së Drejtë”.
Në konferencën për shtyp, kryebashkiaku Bill de Blasio deklaroi se rihapja ekonomike e qytetit që ai drejton mund të mos përfundojë deri në vitin 2022. Kryetari i bashkisë premtoi se një “shoqëri më e drejtë” do të dalë për qytetin pas betejës me COVID-19.
-Ne nuk do të rrezikojmë jetën e njerëzve, premtoi kryebashkiaku.
Wuhani nuk ka më pacienët të shtruar në spitale
Lajm tjetër në këtë 24 orësh të fundit është ai që vjen nga vatra e parë e infeksionit të Koronavirusit, Wuhani, qytet i cili ka nxjerrë nga spitalet të gjithë pacientët COVID-19 që ishin të shtruar.
-Wuhan, ku filloi shpërthimi i koronavirusit, nuk ka më pacientë të shtruar në spital me COVID-19, raportoi të dielën Agjensia shtetërore e Lajmeve të Kinës, Xinhua.
Duke cituar Mi Feng, një zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, Xinhua raportoi se pacienti i fundit në gjendje të rëndë në epiqendrën e koronavirusit të Kinës u la i lirë të Premten, me 24 Prill.
Që nga e diela, Kina ka raportuar 83.909 raste të diagnostikuara COVID-19 dhe 4,636 vdekje, sipas një informacioni nga Universiteti Johns Hopkins.