• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRË IDAET (EDWARD) BUSHKA, FRYMA ATDHETARE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË WATERBURY

April 21, 2020 by dgreca

-Historia e Nacionalistit(Legalistit), vatranit, që për katër vjet bashkëpunoi me anglo-amerikanët për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri…/

– Si arriti që të rikthehej në vendlindje dhe të shpëtonte familjen në vitin 1952…./

– Biznesmeni që bëri epokë në Amerikë …./

Përgatiti: Dalip Greca/

Idaet (Edward) Bushka ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare me 17 Prill 2020, në Saint Mary’s Hospital –Waterbury, Connecticutt. Familja dhe miqtë humbën njeriun e dashur,Komuniteti shqiptar në Waterbury humbi njeriun që më së shumti i dha frymë atdhetar dhe mbolli farën e bashkimit, Komuniteti musliman humbi një ndër themeluesit dhe kontribuesin bujar, biznesi amerikan humbi një ndër biznesmenët më të sukesshëm, Legalistët humbën një nga ”mbretërorët” besnik. Pushoftë në Paqë shpirti i fisnikut Idaet Bushka.
Për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, të gjitha shërbimet e nderimit dhe varrimit për zotin Bushka ishin private. Një ceremoni përkujtimore do të organizohet në një kohë të përshtatshme. Shërbimet funerale iu besuan Shtëpisë mortore: The Albini Family Funeral Home, 430 Chase Parkëay, Waterbury.
Në njoftimin mortor shkruhej: Në vend të luleve, kontributet përkujtimore mund të bëhen në kujtesën e Z. Bushka për: Boys & Girls Club of Waterbury.
….. ***

IDAET(EDWARD) BUSHKA, HISTORIA E BIZNESMENIT DHE ATDHETARIT

Idaet (Edward) lindi në Shqipëri më 5 korrik 1930. Ishte djali i të ndjerit Halil dhe Haxhire (Fazo) Bushka. U lind në Pilur të rrethit të Korçës, në Shqipërinë Jug-Lindore, rreth 22 Km larg
nga kufiri me Greqinë.Në vitin 1950, pesë vjet pas ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, Idaet(Edward) Bushka, asokohe 19 vjeç, dhe babai i tij Halili, të privuar nga liria, të kërcënuar nga burgosja, u detyruan të arratiseshin në këmbë përmes maleve të Pindit në Greqi.Familja Bushka ashtu si familjet Kulla ishin shpallë armiq të diktaturës, si mbështetës të Mbretit Zog. Ftamirsisht të dyja familjet u sinjalizuan në kohë për rrezikun e arrestimit dhe ata arritën që të arartiseshn. Grupi me të cilin u arratisën Idaeti me babanë Halilin përbëhej prej 25 vetash. Natyrisht që familjet Kulla dhe Bushka lanë “peng”njerëzit e tyre të dashur, në pamundësi për t’i marrë me vete, por që një ditë Idaeti do të kthehej dhe do ta shpëtonte pjesën më të madhe të familjes së mbetur.
Idaeti me babanë Halilin u detyruan të linin në shtëpi nënën dhe motrat e vëllanë, Skënderin. Ky ishte pengu që e mundoi dhe e shqetësoi shumë Idaetin. Kur mbërritën në Greqi, babë e bir, nuk i lanë bashkë, por i dërguan në kampe të ndryshme. Idaeti u intervistua nga shërbimet inteligjente amerikane-angleze dhe u pyet nëse ishte i gatshëm që të luftonte komunizmin, nëse mund të guxonte të hynte në Shqipëri në mënyrë ilegale.  
Agjensia e shërbimeve sekrete interesohej që të merrte sa më shumë të dhëna nga Shqipëria, përfshirë informacionin mbi forcën dhe lëvizjet e trupave ushtarake, vendndodhjen e rrugëve të furnizimit dhe listat e azhurnuara të shqiptarëve të burgosur ose të vrarë. Duke qenë i ri në moshë, i mbushur me mllef kundër diktaturës komuniste, Idaeti, dhe një pjesë prej grupit pranuan të aktivizoheshin. Shpesh herë ata kapërcyen kufirin duke udhëtuar natën, fshehtasi mes malesh dhe legalisht lëviznin nëpër Shqipëri për të grumbulluar të dhëna, duke rrezikuar jetën. Në një nga aksionet ai rrezikoi veten duke vendosë një bombë me rastin e një mitingu të udhëheqësve të lartë komuniste në Korçë, por që nuk shpërtheu. Idaet Bushka realizoi rreth 15 misione në Shqipëri për rreth katër vjet. Tre nga dhjetë pjestarët e grupit të tij u vranë duke tentuar të merrnin informacione nga Shqipëria. Vetë Idaet Bushka u qëllua disa here në aksionet e tij, por arriti të mbijetonte, duke marrë thjesht disa gjurmë kujtimi, vrimat e plumbave që shpuan pallton që mbante veshur. Misioni i tij më i rëndësishëm u bë në vitin 1952, kur ai drejtoi një grup illegal, që kishte si qëllim hyrjen në Pilur për të marrë motra e vëllezër të mbetur ”peng”. Pë vëllanë e vogël 5 vjeçar, i cili së bashku me një motër 8 vjecare, nuk mund ta përballonin udhëtimin e vështirë ndër male,gjeti një gomar dhe i vuri mbi të dhe i shpëtoi nga kthetrat e diktaturës. Por sërish i mbeti dhe një peng. Mjerisht ai nuk mundi të merrte nënën e tij Haxhire dhe vëllain Skënder, të cilët komunistët i kishin lëvizur larg Pilurit. 
Idaeti dhe pjesa tjetër e familjes së tij nuk u ribashkuan me nënën dhe vëllanë e tyre deri në vitin 1991, kur regjimi u shemb përfundimisht. Idaeti dhe babai i tij Halil ishin ndarë menjëherë pasi mbërritën në Greqi, kur Halili u transferua në një kamp tjetër refugjatësh. Të dy nuk e kishin parë njëri-tjetrin për dy vjet, dhe Halili nuk e kishte idenë se djali i tij po kryente misione të inteligjencës sekrete. Babai nuk kishte informacion se i biri e kishte shpëtuar pjesën më të madhe të familjes. Babai i tij nuk mund të besonte kur bashkatdhetarët në kampin e refugjatëve i thanë që familja e tij kishte mbërritur në Greqi. Ai nuk mund të besonte se ata do të ribashkoheshin dhe se të gjithë ata ishin sjellë përtej kufirit përmes maleve.
Idaeti dhe pjesa e familjes së shpëtuar erdhën në Shtetet e Bashkuara në 1954 dhe u vendosën në Waterbury, ku jetonin disa prej të afërmve të tyre.
Idajeti u martua me Margarita Priftin në vitin 1959 dhe lindën e rritën pesë fëmijë, katër prej të cilëve punojnë në biznesin familjar dhe nëntë nipër e mbesa.
Ai ishte njëri prej biznesmenëve më të suksesshëm në Waterbury për më shumë se 40 vjet. E nisi biznesin e moblijeve dhe pajisjeve të kuzhinës me 2 javë mësim dhe me 10 mijë dollarë të huazuara nga xhaxhai i tij, duke shfrytëzuar bodrumin e shtëpisë së tij në William Street, ku jetonte, dhe për 40 vjet me radhë e rriti biznesin dhe u bë numri 1 në rajon.
Idaeti dhe katër vëllezërit e tij më të vegjël hapën Mobilerinë “ Bushka” në Fairfield Avenue, një biznes që të katër vëllezërit e administruan së bashku për 40 vite. Në vitin 1994, familja Bushka kuptoi se kishte ardhur koha që biznesi të zgjerohej e të riorganizohej. Kështu, vëllai i tij Stiven qëndroi në “Bushka Lumber”, vëllai tjetër Jimmy hapi një kompani të lëndëve të drurit në Naugatuck, dhe Edward, djali i Idaetit dhe vajzat e tij hapën një tjetër – Millwork Amerikan në Wolcott Street në Waterbury.
Edward drejtoi biznesin e tij të rrethuar nga familja e tij siç bëri që nga momenti kur vuri këmbën në Amerikë. Ai ishte një baba krenar, një biznesmen i suksesshëm dhe një shtyllë e komunitetit të tij. Ai ishte një njeri i shquar. Edward ishte pjesë e bordit të drejtorëve të Bankës Mattatuck në Waterbury, ishte pjesë e bordit të Stoppers Crimeb Waterbury për disa vjet. Ai është nderuar me shumë çmime, si person i vitit nga Shoqata e Tregtarëve të Përpunimit të Drurit të Connecticut në 2012.
Idaeti ishte krenaria e Komunitetit Shqiptar. Ai është përzgjedhur Kryetar Nderi i Ditës i Bashkisë në Waterbury në Ditën Shqiptare të Pavarësisë, me 28 Nëntor, në nder të tij u ngrit Flamuri kuq e zi i kombit të Tij. Idaet (Edward) Bushka është vlerësuar me çmimin e arritjes së jetës nga komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan në vlerësim të shërbimit dhe përkushtimit të tij për shumë vite.Duke qenë një biznesmen i suksesshëm, z.Bushka ndërtoi disa projekte tregtare dhe banesore në të gjithë qytetin e Waterbury. Ai ishte besnik i qytetit në të gjitha përpjekjet e biznesit të tij.
Idaeti ishte i dashuruar me qytetin dhe lagjen e tij, e cila e priti me respekt e krah hapur që kur hodhi këmbët aty si një emigrant 20-vjeçar me arsimim minimal. Ajo lagje i besoi atij dhe e lejoi të hynte në shtëpitë e tyre duke e ndihmuar të ndërtonte biznesin e tij gjatë 40 viteve. Dhe ai nuk u kursye, bëri gjithçka që të ndihmonte njerëzit. Ai sponsorizoi shumë herë bashkëqytetarët, i ndihmoi për ngritjen e bizneseve. Mirëpriti bashkatdhetarët e shumtë.Kjo buronte nga shpirti i tij, ishte trashëgimia e tij dhe e familjes. Ai iku nga kjo jetë si një njeri i madh, vetëmohues. Do t’u mungojë të gjithëve.
Pushoftë në Paqë shpirti i Tij!
Ngushëllime Familjeve Bushka dhe Kulla!

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Idaet Edward Bushka, Lamtumire

COVID-19, kur dhe si shkohet tek Imuniteti dhe Vaksina

April 21, 2020 by dgreca

  • Shteti i New York-ut, javën që vjen do të fillojë kryerjen e testeve të antitrupave për të ndihmuar në përcaktimin e numrit të personave të infektuar nga kjo sëmundje por që nuk kanë simptoma të dukshme. /

Shkruan: Pashko R. Camaj, Dr. i Shkencave të Shëndetit Publik/

Para pak më shumë se një muaj, edhe në SHBA, si në shumë vënde të tjera të botës, ku filloi përhapja e Pandemisë se COVID-19, në të njëjtën kohë, u hap dhe platforma për “rrafshimin e kurbës” me qëllim që, së pari të ngadalsojmë përhapjen e infektimeve, që të mos bëjmë vërshimin e sistemit shëndetsorë, gjë që është vendimtare, për të mundësuar shërbimet mjekësore për të infektuarit; dhe së dyti, që të ngadalsojmë shpërndarjen e virusit, duke “blerë” kohën për institucionet shkecore, që të kërkojnë ilaçe dhe profilaksi për të sëmurët, por edhe të bëjnë kërkime për vaksinën që do të parandalojë virusin.  Shifrat e ditëve të fundit, në veçanti në epiqëndrën e pandemisë në SHBA, New York-un me rrethe, tregojnë rënje graduale të shifrave, si në numër të infektimëve të reja dhe hospitalizuarëve, por dhe mortaliten. Me “rrafshimin e kurbës” është reale të bëhet pyetja ç’ka tani?  Ç’ka do të ndollë me COVID-19 dhe si parashihet fitorja ndaj këtij armiku të “padukshem” që pothuajse e gjunjezoje botën. Megjithëse, situata ka gjasë të përkeqësohet para se të përmirësohet, shumica e ekspertëve thonë se ne kemi kaluar pikën e përmbajtjes së virusit. Në të gjithë botën, shpresa për një rikthim në normalitet varet nga një vaksinë, ose “arma e fundit,” siç e quan Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.  Por janë akoma shumë gjëra të paqarta për të ditur se sa e suksesshme mund të jetë një vaksinë kundër virusit që shkakton COVID-19.  Suksesi i vaksinës varet shumë nga mënyra se si virusi ndryshon apo bën mutacione. Për të kuptuar suksesin potencial të vaksinës, duhet të kuptojmë mënyrën se si virusi bën ndryshime.Në përgjithësi, në botën e viruseve ekzistojnë dy mënyra se si mund të bëhen këto ndryshime. Ia vlen të ceket se thjeshtësia në organzimin e këti mikorganizmi parazit, i bënë më të lehtë këto ndryshime, mutacione.  

Se pari: Dihet se një vaksinë e suksesshme do të ndalojë virusin dhe pandeminë, por vetëm nëse virusi nuk ndryshon. Vaksinat funksionojnë duke e nxitur trupin tonë të zhvillojë antitrupa. Antitrupat (të cilësuar dhe si luftëtarë mbrojtës), e neutralizojnë virusin duke u lidhur me të në një mënyrë shumë specifike. Kjo e ndalon hyrejn e virusit në qelizat tona, dhe realizojnë neutralizimin e tij. Por si të gjithë viruset, dhe SARS-CoV-2 po ndryshon ndërsa kalon nga personi në person. Një “mutacion” është thjeshtë një ndryshim në kodin gjenetik të virusit. Por shumica e mutacioneve nuk ndryshojnë, dhe kjo gjë është e mirë për njerëzimin!  Për ta kuptuar dhe më mirë, ky virus bën atë që bëjnë të gjitha viruset: kur ekspozohemi, hyn në qelizat tona, rrëmben makinerinë tonë qelizore dhe e përdor atë për të bërë shumë kopje të vetëvetes-pra për tu replikuar dhe mbijetuar. Ndonjëherë, gabime të vogla – ose mutacione – mund të shfaqen gjatë replikimit të materialit gjenetik të virusit. Këto gabime gjatë replikimit grumbullohen me kalimin e kohës, së pari kur virusi përhapet nga qeliza në qelizë, por dhe nga personi në person. Kjo është ajo që ndodh me gripin sezonal: Antigjenët e virusit ndryshojnë aq shumë sa që evoluojnë në forma të ndryshme, ku secila kërkon një vaksinë paksa të ndryshme nga ajo e vitit më parë.  Shkencëtarët në mbarë botën po eksperimentojnë e studiojnë për të parë nëse mutacionet do të ndikojnë në ndonje ndryshim apo nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë ka shpresë se vaksina nuk do të ketë nevojë për reproduktim të vazhdueshëm.

Se dyti: E dimë që me kalimin e kohës dhe mutacionet i bëjnë vaksinat më pak efektive.Nëse virusi ndryshon në një mënyrë që parandalon lidhjen e antitrupave, ai mund ta bëjë një vaksinë të qëndrueshme, universale, të vështirë për t’u krijuar. Antitrupat, të cilët trupi i prodhon në përgjigje të një vaksinë ose një infeksioni, funksionojnë duke u lidhur me njolla specifike në një virus të quajtur antigjen. Nëse mutacionet e rastësishme virale ndryshojnë formën e një antigjeni, ajo mund ta bëjë vaksinën më pak efikase kundër virusit. Nëse kjo do të ndodhë me koronavirusin, studiuesit dhe shkenca do të duhet që, vit pas viti, të nxitojnë për të prodhuar dhe administruar vaksina të reja per neutralizimin e virusit te “ndryshuar”. Është e ditur se për një virus krejt të ri sikurse SARS-CoV-2, nuk ka imunitet të përhapur. Por si duket se një numër i konsideruashëm njerëzish janë imune ndaj këtij virusi dhe kjo mund të luaj rol esencial në ndalimin e përhapjes së tij.Meqenëse virusi nuk ka nevojë të ndryshojë për të mbijetuar, mutacionet që mund të modifikojnë formën e antigjeneve te virusit – nëse ato ekzistojnë fare – mund të jenë të rralla dhe do të qëndrojnë të rralla, çka prap është e mirë për njerëzimin. Pra nëse njerëzit bëhen imunë ndaj formës aktuale të virusit, qoftë duke luftuar virusin përmes imunitetit te krijuar ose përmes vaksinimit, loja ndryshon!  Shteti i New York-ut, javën që vjen do të fillojë kryerjen e testeve të antitrupave për të ndihmuar në përcaktimin e numrit të personave të infektuar nga kjo sëmundje, në New York por pa simptome te dukshme.  Kjo sipas Governatorit Cuomo “do të jetë pamja e parë e vërtetë e saktë se sa njerëz u infektuan nga COVID-19.  Testimi, tha Cuomo, “do të na ndihmojë të rihapemi dhe rindërtojmë pa rrezikuar atë që ne kemi realizuar deri tani.”  Në të njëtën kohë, “Beaumont Health,” në Southfild, Michigan, studimin më të madh ne SHBA për antitrupat në gjakun e njerëzve që janë rikuperuar nga COVID-19. Me mbledhjen e mostrave të gjakut nga 38,000 punonjës të sistemit shëndetësor dhe mijëra bashkëpunëtorë, studiuesit e shpresojnë të përcaktojnë se sa prej tyre kanë antitrupa COVID-19, por kurrë nuk kanë raportuar simptome – informacione të nevojshme për të mësuar më shumë se si virusi përhapet dhe se a krijojnë imunitetë të qendruashëm ndaj virusit COVID-19.

Konkludim: Te presim dhe të shohim. Shkencëtarët e dijnë që SARS-CoV-2 po ndryshon. Midis mijëra mostrave të fijes së gjatë të acidit ribonukleinik (ARN) ë që përbëjnë koronavirusin, 11 mutacione janë bërë mjaft të zakonshme. Por, me sa dimë, është i njëjti virus që infekton njerëzit në të gjithë botën, që do të thotë se ekziston vetëm një “lloj” i virusit.  Nga keto 11 ndryshime, vetëm një nga ato mutacione të zakonshme ndikon në thelbët e proteinit që kan pamjën e thumbave, të cilat mundësjonë që virusi të infektojë qelizat në fyt dhe mushkëri. Përpjekjet për të prodhuar antitrupa që bllokojnë këtë proteinë janë themelore në përpjekjet e shumëta për të zhvilluar një vaksinë efektive, që do të neutralizonte virusin.  Meqenëse ky protein ka ndryshuar pak deri më tani, besojmë se kjo është një shenjë që virusi nuk mund të ndryshojë shumë dhe vaksini do ta neutralizoje atë. Te gjitha këto te dhene tregojnë se COVID-19 ka mundesi të jetë këtu për të qëndruar, dhe pandemia do të përfundojë vetëm me vakcinin dhe me imunitetin e tufës. Imuniteti i tufës përshkruan se çfarë përqindje e një popullate duhet të jetë imune ndaj një sëmundje qe ajo të jet mbrojtëse e shpërthimeve për popullatën në tërësi. Për disa sëmundje, 40% e imunitetit është adekuatë, por për disa tjera, imunitete 80-90% është i nevjshëm për të ndaluar shperthimet.  

Nga natyra jam optimist, dhe në të gjitha shkrimet dhe bisedimet e mia jam munduar të jam real, por gjithnjë duke u permbajtë shkences dhe analizes së mirëfidhtë si udhëzues.  Pra ende ka shumë për virusin që nuk e dimë. Studiusit nuk janë as te sigurt dhe nuk e dinë nëse njerëzit behën imunë ndaj virusit nëse infektohën, dhe se sa mund të zgjasë ky imunitet, por fal anagzhimëve të mëdha në kërkime shkencore të vazhduashme që jane duke u zhvilluar, mësojme ditë për ditë më shumë. Këto anagzhime do të vazhdojnë pa ndalim deri atherë kurë te gjejmë mënyren qe në fund të mbijetojmë dhe të dalim fitimtarë.

Filed Under: Editorial Tagged With: dr. Pashko Camaj, Imuniteti, Vaksina

NË PËRKUJTIM TË NJË DASHAMIRSI TË FISIT SHQIPTAR

April 21, 2020 by dgreca

 Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin/

  Nga Frank Shkreli/Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit. 

At Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci.

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.  Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh.  Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi  megjithëse tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern.  Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.  Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë.  Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane.  Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.  Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”. 

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi.  Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët.  Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar.  Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.

Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që  mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin

Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit. 

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës — ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë — të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.  

Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.  Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.

Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, 

Frank Shkreli

                               

                               Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl

      Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare

Filed Under: Analiza Tagged With: Fishta, Frank shkreli, Koliqi, Robert Jokel

VILSON HIL PERLLESHI NDËRROI JETË NË SPITAL, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN PERLLESHI

April 21, 2020 by dgreca

VILSON HIL PERLLESHI NDËRROI JETË NË SPITAL, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN PERLLESHI/

Bashkatdhetari ynë Vilson Hil Përlleshi nuk mundi ta fitonte betejën me virusin vdekjeprurës COVID-19. Pas një dyluftimi të ashpër me virusin e padukshëm në spitalin “Northern Westchester Hospital” Mount Kisco- New York, ai ndërroi jetë ditën e Hënë, me 20 prill 2020. Vilsoni ishte i lindur me 14 shtator 1973.

Vilson la në pikëllim të thellë gruan e tij me katër fëmijët, prindërit, tre vëllezër dhe një motër.

E gjithë familja e madhe Përlleshi po përjeton dhimbjen për ikjen e parakohshme të njeriut të saj të dashur dhe Lutet për shpirtin e Tij!

Lek Përlleshi, që i përcolli lajmin gazetës Dielli, tha se “ende nuk po e besojmë se Vilsoni iku në amshim pa Lamtumirë. Besonim shumë se ai do ta fitonte këtë betejë por vdekja na e rrëmbeu Vilsonin tonë të dashur duke na lënë në pikëllim të thellë, me dhimbje në zemër, dhe me lot ndër sy.”

Për shkak të urdhëresave të shtetit që nuk lejon grumbullimet në kohën e Pandemisë ceremonia do të jetë private nga familja.

Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elemi Berisha, në emër të Kryesisë së Vatrës dhe të gjithë vatranëve i përcjell ngushëllimet më të sinqerta Familjes Përlleshi për humbjen e njeriut të saj të dashur. 

Edhe gazeta Dielli ngushëllon familjen Përlleshi.

Ngushëllime vatranit, anëtarit të Këshillit të Vatrës, z. Lek Përlleshi për humbjen e nipit të tij të dashur!

Lutemi për Vilsonin!

I pushoftë shpirti në Paqe!

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, nderroi jete, Vilson Perlleshi

GUVERNATORI CUOMO DO TË JETË TË MARTËN PASDITE NË ZYRËN OVALE PËRBALLË PRESIDENTIT TRUMP.

April 21, 2020 by dgreca

24 ORËT E FUNDIT TË BETEJËS KUNDËR COVID -19/

– GJËRAT PO LËVIZIN PËR MIRË NË NEW YORK…./

– Guvernatori Cuomo pohoi se të dhënat e fundit tregojnë se New Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, ka kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po shkon drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor./

Nga Dalip Greca

       Andrew Cuomo, Guvernatori i New  Yorkut, që është një nga zërat kryesor në betejën kundër Koronavirusin do të takohet me Presidentin Trump të martën pasdite në Shtëpinë e Bardhë.

Njoftimi tashmë është bërë publik gjatë së Hënës dhe e kanë pohuar të dy palët. 

Presidenti Trump e njoftoi takimin në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin. Stafi i Gov.Cuomo konfirmoi udhëtimin menjëherë pas atij njoftimi.

Presidenti tha se “gjëra të mira” po ndodhin në New York.

“Unë mendoj se guvernatori do të na shohë nesër, ai po vjen në zyrën ovale nesër pasdite. Andrew do të vijë me disa nga njerëzit e tij. Ne mezi po e presim atë”, tha Trump.

Presidenti nuk ka sqaruar rreth pikave të bisedimeve gjatë këtij takimi, por natyrisht që merret me mend se biseda do të vërtitet rreth COVID-19 dhe rihapjen e New Yorkut, informimi mbi rezultatet e studimit për eksperimentimin e ilaçit të malaries hidroksilkorin që është përdorur për të trajtuar pacientët e infektuar nga COVID-19 në 20 spitale të New Yorkut, pa harruar kërkesën për fonde federale, për punonjësit e vijës së parë, si dhe fondet për testimet. Marrdhëniet e Guvernatori me presidenti nuk kanë ecur përherë si në vaj, ata kanë shkëmbyer replika publikisht, që nga fillimi i krizës së koronavirusit, por edhe kanë lëshuar përkundrejt njeri tjetrin.

Ka pasur dhe momente, ku secili ka përcjellë lavdërime për punën e tjetrit. Javën e kaluar, Cuomo i ofroi degën e ullirit Presidentit, duke thënë në një intervistë në radioprogramin “Howard Stern Show”- se Presidenti Trump i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e shtetit, që ai i kishte dërguar.

Por ata u përplasën kur presidenti Trump tha se “autoriteti i tij si president është total” mbi rihapjet e shtetit. Cuomo ishte ndër ata që e kundërshtoi zhurmshëm, duke  shpërthyer në media komente kundër deklaratës së presidentit, duke thënë se Amerika kishte një president, jo një mbret.

Po ashtu Cuomo dhe Trump janë përplasur kohët e fundit duke pasë mospajtime edhe për testimet dhe fondet.

Në këtë klimë do të jenë përballë njeri-tjetrit të Martën pasdite në zyrën ovale të shtëpisë së Bardhë.

                 ***

Beteja kundër COVID-19 vazhdon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë 20 prillit shënuan tregues që e mbajnë në vend të parë si për të infektuarit e rinj për 24 orëshin e fundit, ashtu edhe për numrin e të vdekurëve gjatë së Hënës, por optimizmi dhe presioni për zhbllokimin e ekonomisë janë në rritje.

Gjatë ditës së Hënë u raportuan rreth 28 mijë e 123 të infektuar të rinj në të gjithë Amerikën, rreth 3 mijë më shumë se të dielën, duke e rritur shifrën e përgjthshme në 792 mijë e 759, ndërsa të vdekurit në 24 orët e fundit shënuan rreth 300 pacientë më shumë; u raportuan 1,883, nga1,539 të dielën.Në fund të ditës së Hënë shifra totale e të vdekurëve u fiksua në 42 mijë e 514.

New Yorku si shtet raportoi gjatë ditës së hënë 4 mijë e 879 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e të infektuarëve në rang shteti në 252 mijë e 94. Në 24 orshin fundit e humbën betejën me koronavirusin 631 njujorkezë(edhe pse guvernatori dha në konferencën me gazetarët në mesditë një shifër nën 500), duke e rritur numrin e përgjitshëm të jetëve të humbura në 18 mijë e 929.

New Jersey raportoi 3 mijë e 505 të infektuar të rinj, ndërsa të infektuarit në total janë 88 mijë e 806, ndërsa numri i viktimave të Hënën u raportua 175, në total ky shtet ka humbur 4 mijë e 377 jetë njerëzore në luftë me COVID-19.

Guvernatori Phil Murphy tha të Hënën se numri i të shtruarëve në spitalet e shtetit të tij për mjekimin e pacientëve të infektuar nga COVID-19 kanë prirjen e tyre rënëse dhe se ai po mendon që të planifikonte njoftimin në ditët e ardhshme për rihapjen e bizneseve dhe shkollave, në vartësi të standarteve përmes shifrave.

        Sidoqoftë, Murphy paralajmëroi se rihapja shumë shpejt do të rrezikonte një goditje tjetër nga virusi i padukshëm.

“Ne do të marrim vendime bazuar në fakte, kështu që nuk do të përjetojmë një valë të dytë bumerangu,” tha Murphy gjatë një konference të Hënën.

          Në vend të tretë në radhën e shteteve më të infektuar vazhdon të qëndrojë Massachusetts me 39 mijë e 914(gjatë ditës së Hënë u raportuan 1 mijë e 566 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave shkoi në 1 mijë 809(103 pacienët vdiqën të Hënën). Pannsylvania, me 1 mijë e 180 të infektuarit ditor, u ngjit në vendin e katër të shteteve me 33 mijë e 914 të infektuar, ndërsa numri i viktimave me 111 të vdekurit e së Hënës shkoi në 1 mijë e 348. Në vendin e pestë renditet Kalifornia me 33 mijë e 914 të infektuar(1 mijë e 947 gjatë 24 orshit të fundit), numri i viktimave, së bashku me 48 të vdekurit e ditës së Hënë, shkoi në 1 mijë e 208. Michigani, shteti që në fillim të prillit renditej i treti, tash ka kaluar në vend të gjashtë, duke i përmiërsuar ndjeshëm shifrat: Me 576 të infektuarit e raportuar të hënën, tash ka 32 mijë të infektuar, por për numrine viktimave ky shtet qëndron në vend të tretë me 2 mijë e 468 viktima; gjatë ditës së Hënë humbën jetën 77 pacientë.

Illinoisi raportoi 59 jetë të humbura në 24 orët e fundit, Florida 49, Louisiana 32, Connecticut 204, Georgia 94, Meriland 96, Ohio 27, Virginia 23, North Carolina 18, Mississippi 10, etj.

     *** 

Ndërkohë që presioni nga Shtëpia e Bardhë vjen në rritje për hapjen e ekonomisë, protestat në disa shtete po e stimulojnë më shumë zhbllokimin e ekonomisë. Rënia drastike e çmimit të naftës të hënën është treguesi i qartë i nëvojës për të vënë në lëvizje ekonominë. Ndërkohë që protestat kanë vazhduar edhe të hënën në disa shtete, përfshi dhe Uashingtonin, Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo thotë se nuk ka nevojë për protesta, ato nuk bindin askënd, përballë rrezikut për jetët që mund të humbin nga shkujdesja dhe hapja e menjëhershme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë konferencës së përditshme me gazetarët të hënën ai tha se e kuptonte pse disa njerëz po protestonin kundër bllokimeve të vendosura për të frenuar shpërthimin e koronavirusit, por kufizimet duhen sepse parandalojnë shpërthimet e mëtejshme të COVID-19.Cuomo foli pasi protestuesit u mblodhën në disa shtete të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund izolimit dhe urdhrave të qëndrimit në shtëpi, që ekspertët thonë se janë thelbësorë për ngadalësimin e përhapjes së virusit, por ekonomia ka ndalur në vend.Ajo ka nevojë për rihapje, për lëvizje.

Cuomo gjatë komunikimit të përditshëm me gazetarët, të hënën, sërish ngriti zërin për fonde federale për stafet e spitaleve, oficerët e policisë dhe punonjësit e tjerë të vijës së pare. Ai përsëriti lutjen për fonde federale për të rritur testimin e virusit.

Guvernatori tha gjithashtu se 20 spitale në shtetin e New  Yorkut, që kanë përdorur ilaçin malaries, hidroksilkorin për të trajtuar COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, do t’i dërgonin rezultatet e studimeve të tyre në Washington të Hënën.

Cuomo u tha gazetarëve se numri i të shtruarëve në spitale po ulet. Ai informoi se të Hënën në spitale e New Yorkut ndodheshin 16 mijë e 103 pacientë, nga 16 mijë e 213 që ishin një ditë më parë.

Ai shprehu mendimin se të dhënat e fundit tregojnë se New  Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, kishte kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po ecën drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Guvernatori Cuomo, Presidenti Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 629
  • 630
  • 631
  • 632
  • 633
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT